Kongresi i Lushnjës, kuvendi kombëtar që mbrojti tërësinë territoriale të Shqipërisë

Më 21 janar të vitit 1920 nisi zyrtarisht punimet Kongresi i Lushnjës, një nga kuvendet më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar. Qëllimi i mbajtjes së Kongresit të Lushnjës ishte mbrojtja e tërësisë territoriale të Shqipërisë, rimëkëmbja e shtetit shqiptar dhe sigurimi i pavarësisë së tij.

Pjesëmarrës në kongres ishin 50 përfaqësues nga pjesa më e madhe e krahinave të shtetit shqiptar. Data 21 janar ishte çelja zyrtare e kongresit, ndërsa punimet e tij u zhvilluan nga 28-31 janar 1920.

Kongresi i Lushnjës hodhi poshtë planet e Konferencës së Paqes në Paris dhe u shpreh për mbrojtjen me çdo kusht të tërësisë dhe të pavarësisë së plotë të shtetit shqiptar në kufijtë e vendosur nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër në 1913.

Gjatë punimeve të tij u miratua një akt kushtetues, në të cilin ripohohej sovraniteti i plotë i shtetit shqiptar. Ai zgjodhi organet më të larta të shtetit shqiptar si Këshillin e Lartë të përbërë nga katër vetë, i cili do të kryente detyrën e kryetarit të shtetit deri sa të caktohej forma përfundimtare e regjimit. U krijua Këshilli Kombëtar i përbërë nga 37 përfaqësues, i cili do të kryente funksionet e parlamentit shqiptar. Kongresi i Lushnjës me shumicë votash rrëzoi Qeverinë e Durrësit dhe zgjodhi një qeveri të re kombëtare të drejtuar nga Sulejman Delvina./atsh/KultPlus.com

75 vite më parë vdiq shkrimtari Xhorxh Oruell

Xhorxh Oruell (25 qershor 1903- 21 janar 1950) ishte shkrimtar dhe gazetar anglez.

Xhorxh Oruell ka lindur në Indi në vitin 1903 ku babai i tij ishte shërbyes civil në administratën e Perandorisë Britanike. Pas një viti, ai u soll për t’u rritur dhe arsimuar në Angli. Pasi që shkollimin e kreu në “Eton College”, duhet theksuar se ndiqte shkollim të cilësisë sipërore. Për shkak të mungesës së parave nuk pati mundësi të vazhdonte studimet universitare.

Pas përfundimit të kolegjit shkoi në Burmë ku dhe u punësua në Policinë Imperiale të Indisë. Pas disa vitesh u kthye sërish në Angli, pastaj shkoi në Spanjë, së bashku me Eileen, gruan e tij të parë, për të marrë pjesë në luftën civile në anën e republikanëve anti frankoist.

Me 20 maj 1937 u plagos në qafë, ngjarje të cilën e shpjegoi në esenë “Wounded by a Fascist Sniper” (i plagosur nga një snajperist fashist) dhe në novelën “Homage to Catalonia” (Homazh Katalonisë). Pas kësaj ngjarje u kthye në Angli, moment i cili shënon ndryshim të madh në pikëpamjet e tij politike por edhe në intensifikimin e krijimtarisë letrare.

Xhorxh Oruell, ka shkruar 9 libra, dy përmbledhje me ese të shkurtra dhe disa qindra recensione dhe shkrime të tjera që përbëjnë artikuj të gazetarisë.

Veprat e tij më të njohur janë “Nineteen Eighty-Four” ose “1984“, një tekst distopik, dhe “Animal Farm”, një tregim alegorik./KultPlus.com

Ibrahim Rugova midis realitetit dhe ikonës

Nga Jusuf Buxhovi

Historia nuk do të ishte histori po qe se nuk do t’i kishte aktorët e saj të përhershëm, të cilët, megjithatë, në të mbesin të prekshëm.

I tillë shfaqet edhe dr. Ibrahim Rugova, lideri i lëvizjes së kundërvënies civile ndër më të mëdhatë dhe ndër më të fuqishmet mbi bazat institucionale dhe më vonë edhe president i parë i Kosovës i dalë nga zgjedhjet e lira të mbajtura në vitin 1992. President i Kosovës do të zgjidhet edhe në vitin 1998. Edhe në rrethanat e protektoratit ndërkombëtar, në vitin 2001 dhe 2004 Rugova zgjidhet president i Kosovës. Nuk do të arrijë 17 shkurtin, por askush nuk mund t’ia marrë vendin që i takon në altarin e të merituarve të pavarësisë së saj.

Por, nëse mund të thuhet se Rugova është pjesë e historisë sonë më të re, ka edhe të tillë që nuk pajtohen me kthesën historike që ka sjellë filozofia politike e lëvizjes që ka bërë shkëputjen me komunizmin dhe ideologjinë totalitare dhe njëherësh ia ka hapur rrugën përkatësisë botës perëndimore dhe civilizimit të saj ku edhe gjendemi.

Zaten, këtu e kanë burimin edhe thyerjet për dhe kundër Rugovës të cilat mbahen sot e gjithë ditën, që në të vërtetë duhet kuptuar si ndeshje midis pikëpamjeve të së djathtës në njërën anë dhe në tjetrën anë të atyre që vinë nga bindjet majtiste të reinkarnuara edhe me amalgamin religjioz, ku edhe më tutje manifestohen mbetjet e ngarkesave ideologjike, veçmas tek ajo pjesë e shoqërisë që ende nuk është liruar nga mentalitet patriarkale, ku vetëdija folklorike në masë të madhe ushqen prirjet totalitare.

Shikuar nga këndvështrimi historik, këto mbetje edhe janë të arsyeshme nëse kihet parasysh vendosja e diktaturës komuniste, e cila shqiptarëve në të dy anët e kufirit të dhunshëm do t’u vijë nga Lindja, e cila pas Luftës së Dytë Botërore, fuqinë do ta fitojë nga meritat në luftë kundër fashizmit.

Vendosja e sistemit komunist në Shqipëri dhe në Jugosllavi në të njëjtën kohë do të thotë qërim hesapesh me vetëdijen “borgjeze” dhe antikomuniste, viktimë e së cilës do të jetë shtresa e inteligjencies shqiptare me bindje perëndimore, por viktimë tjetër edhe më e madhe do të jetë Partia Nacional-Demokrate Shqiptare NDSH, me orientim antikomunist, ndaj anëtarësisë së të cilës do të zhvillohet një terror i madh ku dënimi me vdekje do t’i gjejë drejtuesit e saj.

Natyrisht, se pos pastrimit sistematik nga vetëdija e NDSH-së, në vitet e para të pasluftës, komunistët jugosllavë dhe ata shqiptarë bashkarisht ndërmorën fushatën për çrrënjosjen e të gjitha vlerave kulturore të përkatësisë perëndimore të botës shqiptare, që nga heqja dhe ndalimi i veprave të Gjergj Fishtës, Lasgush Poradecit, Koliqit dhe të shkrimtarëve të tjerë në mënyrë që t’i hapej rruga edukimit socialist me anën e metodës së socrealizmit, i cili sistematikisht do të pastrojë trurin shqiptar nga “mbetjet” imperialiste dhe reaksionare për t’ua futur ato të “njeriut të ri” të shpërlarë nga vlerat e së kaluarës. Krahas dhunës ideologjike, shqiptarëve të Kosovës dhe të pjesëve të tjera në Maqedoni, Mal të Zi dhe Luginën e Preshevës, do t’u rëndojë edhe shtypja e egër hegjemoniste e Beogradit, e cila deri në vitet e gjashtëdhjeta ishte në përputhje me strategjinë e memorandumeve antishqiptare të akademikëve serbë për shkatërrimin e qenies së tyre etnike.

Edhe përkundër këtyre zhvillimeve me orientime ideologjike, megjithatë nga mesi i viteve gjashtëdhjeta e tutje, në Kosovë, klima liberale politike e cila do të shfaqet pas rrëzimit të Rankoviqit, e cila do të përcillet edhe me ngritjen e autonomisë së Kosovës në shkallën e subjektit të Federatës, do të shfrytëzohet për barazi me të tjerët po edhe për kthimin kah vlerat e civilizimit perëndimor. Ky ndryshim shoqëror do të sjellë edhe një ndryshim tjetër të stereotipit të kërkesave të shqiptarëve nga ai i bashkimit me Shqipërinë dhe çlirimit, qoftë edhe nën ombrellën e shtetit stalinist shqiptar, tek barazia me të tjerët në federatën jugosllave, që do të pasqyrohet me kërkesën për Republikën e Kosovës.

Rugova mund të merret ekzemplari tipik i gjeneratës së intelektualëve shqiptarë, të cilët në saje të arsimimit dhe të ngritjes, kanë shënuar kapërcimin nga lirimi i kornizave ideologjike të sistemit kah vlerat e shoqërisë së lirë perëndimore në qendër të të cilave është liria, barazia dhe demokracia perëndimore ku janë parë rrënjët e përbashkëta dhe gjithë ajo që një popull e qet me kujtesë të formuar historike dhe ndërlidhja me të paraqet ardhmëri. Andaj, edhe kërkesa për barazi, e ngritjes së Kosovës në Republikë në demonstratat e vitit 1968 dhe ato të vitit 1981, e parë në kuadër të zhvillimeve progresive të shoqërisë dhe të institucioneve të saj, nuk shfaqej si çështje formale, po pjesë e hapësirës së lirisë dhe të barazisë me të tjerët, ku kornizat ekzistuese të autonomisë, duhej hapur sa më parë, ngaqë ato tashmë ishin bërë të ngushta dhe mund të krijonin edhe ngulfatje madje. Por, meqë për këtë mungonte vullneti i klasës politike shqiptare, do t’u hapet udha kërkesave institucionale dhe jashtinstitucionale në përputhje me përcaktimet civilizuese dhe postulate e saj që ngriheshin mbi barazinë dhe lirinë.

Kur do të shfaqen shenjat e para të krizës Jugosllave dhe do të shihet se klasa politike e Kosovës, nga kompromiset e shumta që kishte bërë nga viti 1981 e tutje për të ruajtur atë që ishte fituar me kushtetutën e vitit 1974 e që realisht nuk mund të mbrohej, nuk do të jetë në gjendje të marrë përsipër fatet e popullit, para intelektualëve të këtij orientimi, që edhe ashtu viteve të fundit kishin bartur gjithë barrën e kundërvënies projektit hegjemonist të intelektualëve serbë nga Memorandumi i Akademisë Serbe i vitit 1986, shtrohej domosdoja e marrjes me politikë si një përgjegjësi historike mbi koncepte dhe ide të qarta, që nuk mund të ishin të tjera pos në frymën e civilizimit perëndimor dhe të pluralizmit politik.

Dhe marrja me politik duhej të kishte një koordinatë të dyfishtë: lirimin nga dhuna e ideologjisë totalitare dhe kërkesën e barazisë, me emërues të përbashkët demokracinë. Këto ishin prioritete, po që e para – lirimi nga dhuna ideologjike, shfaqej si parësore, ngaqë për ata që e dinin se çfarë fatkeqësie i kishte sjellë botës shqiptare ideologjia komuniste dhe përkatësia e dhunshme asaj nga Lufta e Dytë Botërore e tutje, lirimi nga kthetrat e dhunës totalitare dhe të sistemit mbi të cilin qëndronte, paraqiste parakushtin e parë të kapërcimit tonë nga Lindja tek Perëndimi, që të bëhemi pjesë dhe interes perëndimor, e ku pastaj, mund të arrihej edhe barazia e edhe liria.

Sigurisht se këtij përcaktimi, që do të paraqesë pikënisjen e filozofisë politike të programit të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të lëvizjes së cilës do t’i prijë ajo, do t’i vinë në ndihmë zhvillimet pozitive në skenën politike botërore që do të shfaqen pas rrënimit të Murit të Berlinit kur pas bashkimit gjerman do të fillojë të bie perdja e hekurt, pastaj edhe imperia e kuqe sovjetike e bashkë me të edhe bipolariteti blokist dhe konfrontimet ideologjike që për gjysmë shekulli botën e kishin mbajtur në ethët e luftës së ftohtë.

Në këto rrethana, lëvizja shqiptare do të zhvillohej në dy binarë paralelë: fillimisht të shkëputjes nga Serbia me anën e arritjes së plotë të subjektit federativ, me çka do të fitohej edhe e drejta për vetëvendosje deri te shkëputja nga Jugosllavia, dhe në atë të shkëputjes me ideologjinë komuniste.

Si do të shihet ecja nëpër këta binarë paralel nuk do të jetë aspak e lehtë, ngaqë hapte konfrontimin dykrahësh me Serbinë, e cila ishte në vlugun e unitarizmit dhe shumëkush në Jugosllavi priste që nga konflikti serbo-shqiptar të përfitohej që sa më lehtë të liroheshin nga Beogradi, ndërkohë që shqiptarët ishin të vetëdijshëm se ky zhvillim duhej të shkonte kahut të kundërt në drejtim të Kroacisë dhe të Sllovenisë, ku do të prekeshin sferat perëndimore dhe kjo doemos do ta shtynte Perëndimin që të ndërmerreshin masa që Beogradit t’i shkëputej çfarëdo mundësie që si faktor i ri force në Ballkan të rikthente ndikimin rus, pikërisht atë që Moska e kishte humbur në saje të shtrirjes ideologjike.

Por, lëvizja shqiptare, e vetëdijshme se ishte pikërisht kursi antikomunist ai që asaj do t’ia hapte perspektivën historike dhe njëherësh Beogradit do t’ia hiqte çfarëdo mundësie që “stazhin” e dhunshëm komunist të shqiptarëve ta shfrytëzonte për qëllimet e veta, do të përqendrohet tek shkëputja me komunizmin dhe si do të shihet për më pak se tre muaj do të arrijë që në Kosovë komunistët të pësojë disfatën më të madhe, me ç’rast shqiptarët do të dëshmojnë se asnjëherë nuk kanë pas bindje komuniste, por që në atë fatkeqësi kanë qenë të përfshirë dhunshëm. Dhe, njëherësh, do të bëjnë me dije se përcaktimi i tyre është perëndimor pa kurrfarë dilemash dhe hipotekash me të cilat propaganda hegjemoniste serbe ç’prej kohesh ishte munduar ta ngarkojë dhe ta anatemojë herë si “filialë staliniste e Tiranës” e herë si “mbetje e rrezikshme e fundamentalizmit islamik” dhe të ngjashme.

Dhe natyrisht se përcaktimi perëndimor, nënkuptonte edhe sjelljen perëndimore, në përputhje me vlerat civilizuese, ku kërkesa për barazi, liri dhe demokraci shfaqen si të pakapërcyeshme.

Andaj, ishte e pritshme që edhe lëvizja e shqiptarëve për pavarësi të fillonte dhe të mbështetej mbi postulatet e barazisë dhe të demokracisë.

Vënia e Rugovës në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës si lëvizje gjithëpopullore, konceptin programor të mbështetur mbi trekëndëshin strategjik: barazi, demokraci dhe përkatësi perëndimore, do ta kthejë në një filozofi politike, atë të kundërvënies civile, që do të njihet herë si rezistencë paqësore, e herë si pushtet paralel e të ndryshme, por që në të vërtetë ka paraqitur dëshmitë më të mëdha civilizuese shetformuese, me anën e të cilave prania serbe në Kosovë do të reduktohej në atë të pushtuesit ushtarak, ndërkohë që do të ndikohet që agresioni serb dhe lufta që kishte nxitur të anashkalonte sa më shumë që të ishte e mundur Kosovën, edhe pse dihej që ajo një ditë do ta gjente, por që edhe kur kjo të ndodhte atëherë, Serbia të mos ishte ajo e vitit 1990 me miq dhe përkrahës të shumtë, po një monstrum i shkallmuar me hipotekat e xhandarit të Ballkanit dhe aleatit të vetëm të Rusisë, ndaj të cilit pastaj bota do të reagonte për të mbrojtur një popull dhe një lëvizje civilizuese vendi i së cilës ishte në Europë.

Por, ishte koha dhe ishin koniukturat ndërkombëtare ato që Rugovës dhe kursit të kundërvënies civile po i qitnin telashe, meqë lëvizja shqiptare fillimisht ishte e mbikëqyrur nga amerikanët dhe disa nga vendet perëndimore në krye me Gjermaninë, dhe ajo ndiqte të gjitha “këshillat” që i vinin nga Uashingtoni dhe Boni apo edhe Brukseli, të cilat rëndom kërkonin që të evitohej lufta, të evitoheshin konfliktet dhe të pritej.

Slogani dhe më vonë refreni “durim, durim”, që Rugova e përsëriste çdo të premte në konferencat për shtyp, po edhe kudo, njëherësh ishte edhe refren amerikan dhe refren perëndimor që u drejtohej shqiptarëve, që dikur më vonë kishte filluar të keqpërdorej edhe nga Beogradi, i cili “qetësinë” e Kosovës mundohej t’ia atribuonte gjoja lojalitetit ndaj Beogradit, i cili mund të prishej vetëm nga ndonjë kryeneçësi separatiste dhe terrorizëm me prapaskenë fundamentaliste!

Pa hyrë te vlerësimi i sjelljes politike të Rugovës, ku ka se çfarë thuhet, por ato duhet të shikohen nga distanca e duhur kohore dhe në përputhje me dokumentet e shumta arkivore kur shumë prej tyre t’u hiqet embargo, megjithatë duhet ruajtur nga ngatërrim i konceptit të filozofisë politike, çfarë ishte ai i lëvizjes gjithëpopullore të dalë nga programi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, nga sjellja politike, e cila ishte në përputhje të plot me ato që asaj iu imponuan nga jashtë gjatë gjithë kohës sa ajo ishte e mbikëqyrur deri në hollësi, së cilës Rugova iu nënshtrua për vite të tëra, çka nuk ia ul vlerën atij, por përkundrazi e shfaq si politikan i cili e ka ditë fare mirë se çfarë mundet dhe çfarë nuk mundet, se çfarë guxon dhe çfarë nuk guxon, dhe e ka ditur se ana e zgjedhur, ajo e Perëndimit ishte e vetmja që mund të sjellë shpëtim dhe asaj duhej përmbajtur, meqë alternativa tjetër ishte gjenocidi serb.

Këtu, në të vërtetë del në pah se Rugova nuk ka pasur probleme me zbatimin e konceptit të kundërvënies civile me pushtetin paralel dhe institucionet e saj, dhe nuk ka pasur probleme as me blanko besimin ndaj aleatëve perëndimorë në krye me SHBA-të dhe rolin e tyre të madh në këtë zhvillim, por probleme i kanë dalë dhe vazhdojnë t’i dalin me sjelljen ndaj filozofisë politike të tij nga ana e një pjese të mirë të atyre që dikur i kishin takuar, e kishin mbështetur, por që pasi ai të ketë luajtur misionin historik siç ishte shkëputjes nga komunizmi dhe dhënia e dëshmive e përkatësisë civilizimit perëndimor dhe kundërvënia civile me pushtetin paralel, në një kohë kur tashmë ishin përmbushur rrethanat që të kalohej nga kundërvënia civile dhe gjendja e statusquos në atë të rezistencës së armatosur bartës i së cilës do të shfaqet Ushtria Çlirimtare e Kosovës, kishin filluar ta anatemonin lëvizjen së cilës i kishin takuar për vite të tëra, anatemë kjo që më pak qet në pah qëndrimin ndaj një individi, qoftë ai i një rëndësie si të Rugovës, e më shumë flet për problemet që ka një shoqëri me vetveten nga shkaku i konvertimeve me anën e të cilave ngatërrohet kompasi i orientimit historik që botës sonë i ka kushtuar aq shumë dhe mund t’i kushtojë edhe me shumë në një të ardhme nëse përkatësinë perëndimore e ngatërron me atë lindore dhe nëse përcaktimin antikomunist e ngatërron me atë ideologjik…

Dhe për fund, për ta ilustruar frikën e reinkarnimit të disa proceseve, gjithsesi se nga kujtesa ime do të thërras në ndihmesë dy shembuj të dy bisedave të bëra me Ibrahim Rugovën në Bon, në dhjetorin e vitit 1995 dhe atë në maj të vitit 1999, të domethënëse për të kuptuar pse Rugova nuk mund të mbetet “i qetë” si pjesë e historisë, ku e ka vendin dhe pa marrë parasysh ato që i përplasen ai mbetet në histori dhe në një farë mënyre konfrontimi me të paraqet mospajtim me ato zhvillime historike dhe proceset nëpër të cilat është kaluar, ku dëshira për t’i rikthyer ato është e dukshme madje.

Si herën e parë, dhe herën e dytë, Rugova do të ketë shqetësimin se lëvizja shtetformuese mund të mos rrumbullakohet në përputhje me filozofinë politike dhe konceptet mbi të cilat është vendosur nga shkaku i dy arsyeve: i koniukturave ndërkombëtare dhe lojërave të tyre në njërën anë dhe në tjetër anë nga mosgatishmëria e shqiptarëve që këtyre proceseve historike – shkëputjes nga komunizmi dhe përkatësisë Perëndimit – t’u përkushtohen sa duhet.

Rreth kësaj të dytës, madje, kishte dyshime se retardimet e vetëdijes totalitare dhe humbja e kompasit midis lindjes dhe perëndimit në dobi të ngatërrimit të së parës, mund të jenë tepër të rrezikshme sa të vihet në sprovë gjithë koncepti i fitores historike të kohës sonë, që për pasojë do të kishte kthimin e saj pikërisht aty ku ishte që nga Kriza Lindor e tutje, për t’u parë në dritën e faktorit negativ të Ballkanit dhe të stabilitetit të saj, pikërisht ashtu siç e kishte dëshiruar Beogradi, i cili aq shumë kishte investuar në të.

Por, t’i kthehem takimit të parë, atij të dhjetorit të vitit 1995 në Petersberg te Bonit, ku pas katër vitesh do të mbahen takimet e Grupit të Kontaktit për Kosovën dhe do t’u jepen edhe parafet e fundit marrëveshjeve të Kumanovës, me anën e të cilave do të bëhet tërheqja e forcave jugosllave nga Kosova, me çka do të krijohen kushtet për futjen e forcave ndërkombëtare të kryesuara nga ato amerikane në përputhje me rezolutën 1244 të OKB-së.

Ditë më parë Rugova kishte ardhur në një vizitë në Gjermani. Zoti Hase, nga Ministria e Jashtme më njoftoi se Rugova ishte pritur në Ministrinë e Jashtme zyrtarisht nga ministri Kinkel. Tha se për dy ditë lideri i shqiptarëve të Kosovës, i vendosur në rezidencën qeveritare në Petersberg të Bonit, ishte mysafir i qeverisë gjermane. Marrja e Rugovës në mbikëqyrje nga qeveria gjermane pamëdyshje se paraqiste një shkallë tjetër të trajtimit politik të Rugovës nga ana e gjermanëve krahasuar me sjelljen e deriatëhershme që ishte përherë “jozyrtare”. Pas njoftimit zyrtar, Has më ftoi në darkën e përbashkët me Rugovën në Petersberg, që shtronte ministria e jashtme.

Sinqerisht i gëzohesha takimit me Rugovën, jo pse nuk e kisha takuar prej më shumë se dy vitesh, me rastin e largimit në Gjermani dhe aty personalisht ia kisha shpjeguar arsyet e këtij veprimi, po pse ndjeja nevojë për një shfrim intelektual të tillë, që aty më mungonte në ato rrethana shtresimi të madh profesional. Në mbrëmje, në orën 20 do të ngjitem në majën e Petersbergut, dhe në verandën e madhe të kthyer me shikim nga Rajna dhe Bad Godesbergu, takova Rugovën e qetë dhe të mendueshëm, siç e kisha lënë në zyrën e tymosur të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Nuk patëm mundësi të çmalleshim gjithaq meqë pas pak do të vijë nikoqiri, Hase me një bashkëpunëtor dhe edhe Bujar Bukoshi, me të cilin Rugova do të përshëndetet ftohtas pa luajtur nga vendi fare. Ishte e qartë se takimi i tyre thuajse i detyrueshëm ishte bërë nga Ministria e Jashtme gjermane, dhe ata kishin pasur arsye për një gjë të tillë.

Darka kaloi në një atmosferë të ftohtë, me ndonjë ndërhyrje të lehtë të zyrtarit të lartë gjerman rreth shijes së verës, apo panoramës së Rajnës e mbërthyer nga dritat që e përshkonin, e cila nga ajo pikë dukej impozante. Ndërkohë që Rugova ia kthente me ndonjë përshtypje nga panoramat e Senës së Parisit natën. Herë pas herë Rugova ma shtronte ndonjë pyetje rreth krijimtarisë letrare, që thoshte se duhej ta vazhdoja, duke e ndërlidhur shkëputshëm me ndonjë përshtypje nga romani im “Prapë vdekja” (ato ditë i ishte ndarë çmimi vjetor i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës), që thoshte se pjesa e dytë dhe e tretë i kishte lënë përshtypje dhe fliste se një ditë, kur të gjente kohë, do të shkruante një studim pak më të gjerë, siç kishte vepruar edhe me romanin “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”.

Pas nja dy orësh darka kishte kaluar dhe në ishim ndarë ftohta me përshtypjen e ndërsjellë se ajo ndoshta as që ia kishte vleftë, sepse kishte shpërfillur përfytyrimin e atyre që midis nesh, qoftë si kujtime duhej të ruheshin të paprekura. Por, diku nga mesnata do të bjerë telefoni dhe nga ana tjetër e kufjes do të dëgjoj zërin e Rugovës. Më tha se po të kisha mundësi do ta vazhdonim takimin.

“Ka edhe pak verë të mirë këtu që nuk ka mbaruar”, foli si me mahi.

Pas gjysmë ore takova Rugovën që po më priste në verandën e madhe ku darkuam. Tha se mirë ishte të kalonim në pjesën tjetër, por pas pak ndërroi mendjen dhe u vendosëm aty ku ishim. Me të shpejtë hetova një njeri tjetër. Të tillë siç e mbaja mend nga bisedat që herë pas herë bënim te “Eni” i Neshetit kur ai mbyllte lokalin në orët e vona të natës dhe ne mbeteshim vetëm aty deri në orët e hershme të mëngjesit.

Nisi të fliste me shqetësim dhe ndrojtje rreth Dejtonit. Duket se këtë e kishte edhe nga biseda që kishte pasur atë ditë me Kinkelin në Ministrinë e Jashtme dhe kisha informata se si ministri i jashtëm gjerman i kishte thënë se edhe më tutje duhej të vazhdonte kursin e rezistencës civile, por që ia kishte bërë me dije se duhej të ishte i gatshëm për biseda të drejtpërdrejta me Beogradin rreth zgjidhjes së problemeve që kishin, por Rugova ia kishte kthyer se nuk mund të kishte biseda për çështje problemesh, por rreth ndarjes përfundimtare nga Serbia në përputhje me vullnetin politik të shprehur të popullit të Kosovës që nga dy korriku, kushtetuta e Kaçanikut, referendumin për pavarësi dhe të tjerat. Madje, Rugova i kishte thënë ministrit gjerman se edhe po qe se do të detyrohej të hynte në bisedime me Beogradin, do të bisedohej për statusin, ku garant do të ishte faktori ndërkombëtar e assesi ndryshe. Meqë Kinkeli i kishte thënë se vullneti i shprehur i shqiptarëve ishte një dhe koniukturat ndërkombëtare diç tjetër, që kurrë s’u dihet, por aty është fjala e fundit, shihej qartë se Rugova edhe më tutje nuk ishte liruar nga trysnia e atyre që kishte dëgjuar nga ministri i jashtëm gjerman. Haptas tha se druante se mund të mbeteshim viktima të disa hesapeve nga shkaku se Perëndimi edhe më tutje dëshironte ta mbante Serbinë partner të rëndësishëm rajonal. Brengosej pra se premtimet që i ishin dhënë popullit të Kosovës se kishim amerikanët me vete dhe Perëndimin, mund të dukeshin vetëm premtime.

Nuk dija se çfarë t’i thosha tjetër pos të shtoja se përkundër asaj që ishte arritur në Dejton, megjithatë nuk kishte përfunduar drama e Ballkanit. Sepse, edhe më parë kishte pasur marrëveshje, por ato shpejt kishin rënë në ujë.

“Nuk ma thotë mendja se amerikanët mbesin në gjysmë të rrugës. Ata kanë interesa gjeopolitike dhe gjeostrategjike në Ballkan, ku faktori shqiptar luan rol”.

Ia përkujtova ato që senatori Robert Dol na i kishte thënë në prillin e vitit 1990 në Uashington kur na kishte ulur bashkarisht me Qosiqin dhe, pas asaj bisedë, i fascinuar, kishte zënë ngojë kunjat e mëdhenj që lëviznin botën…

Edhe pse Rugova i dinte këto dhe ishte shumë mirë i informuar nga të gjitha anët, megjithatë ishte njëfarë rënie depresive e çastit që e kishte mbërthyer aty ku njeriu duket si pikë e vogël uji në detin e madh. Pas pak kjo edhe do të hetohej, kur sërish do t’i kthehet qerja do të thotë se ia kishim dalë të bëhemi interes i Perëndimit. Kjo do të kishte rëndësi që të mos kthehemi më në tutelën e Beogradit. Më përcolli me fjalët, që mezi i thoshte:

“Nuk ka kthim prapa, por ne edhe më tutje do të mbesim peng i sferave të interesit. Sikur i kemi fat?… Megjithatë, duhet bërë çmos që të mbesim në perëndim dhe jo në lindje”.

Edhe takimi i dytë dhe i fundit që do ta kemi, në maj të vitit 1999 në Bon, filloi ftohtas në një pasdite kur do t’i drejtohem hotelit “Kënigshof” skaj Rajnës, ku ishte vendosur pas largimit nga Roma, për të vazhduar pas gjysmës së natës, kur do të më drejtohej me telefon që të bisedonim paksa, siç kishte kërkuar para katër vitesh nga rezidenca e qeverisë në Petersberg skaj Bonit dhe kokën e kishte me brengat e të panjohurave të Dejtonit.

Në të vërtetë, gjatë takimit të pasdites, ne kishim pirë kafe në terasën e rrethuar me xhama skaj Rajnës dhe ai kishte bërë përpjekje që disi t’i ikte tollovisë që e ndiqte nga prania e madhe e atyre që kishte me vete dhe e vizitorëve të shumtë që pareshtur vinin nga të gjitha anët e Gjermanisë dhe dëshironin ta takonin. Dhe kjo si duket e kishte lodhur po edhe bezdisur si shumë. Këtë ma tha sapo u takuam dhe vazhduam të bisedonim nga pjesa e djathtë e barit që shikonte pjesën e Rajnës në drejtim të Bad Godesbergut, ku pirgu i ndriçuar i kullës së kështjellës, dukej si mrekullitë e Babilonit.

Ky takim, megjithatë, ishte tjetër nga ai i Petersbergut, ngaqë Rugova kishte kaluar nëpër shumë sfida, ndër të cilat më e vështira pa mëdyshje ishte ajo e Beogradit, kur për disa ditë ishte mbajtur peng i Millosheviqit, dhe ai ishte munduar ta shfrytëzonte për qëllime të caktuara politike, por qe te një pjesë e liderëve zyrtarë në Shqipëri dhe nga disa nga oponentët e tij politikë në Kosovë ishte ngarkuar me anatemën e “tradhtarit” pa përjashtuar edhe atë të “kuislingut”, të mveshur nga një shkrimtar – bashkëpunëtorë i tij i afërm nga koha e themelimit të LDK-së. Ndaj, prisja që biseda jonë të niste nga shfrimi i asaj barre të rëndë. Por, para se të ndodhte ky shfrim i gjatë, i paraparë të traj trajtohet në mënyrë komplekse në një botim të veçantë, në një si uvertyre, zuri frikën nga reinkarnimi ideologjik i vetëdijes totalitare.

“I druaj hakmarrjes komuniste”, tha me një shqetësim të thellë.

Ia ktheva se nuk mund të çrrënjosen bindjet totalitare. Ato preokupojnë shpirtin dhe mendjen njësoj.

Por, prapë përmendi hakmarrjen komuniste, dhe si për çudit, kaloi te Xhojsi dhe Uliksi i famshëm, i cili shumë herë na kishte ardhur në ndihmë gjatë bisedave me diplomatët e huaj. Mendja ma tha se ky do të ishte një shkas të ndërronim temën e rëndë, po ai prapë e ktheu tek hakmarrja dhe frika prej saj. Më pyeti se a e dija pse Xhojsi nuk kishte dashur të vdiste në Dublin?

Edhe pse e dija se ishte njëfarë paranoje së cilës ai kohëve të fundit i ishte nënshtruar kur kishte vendosur që të mbetej në Paris dhe aty të vdesë, përgjigjes i bishtnova me atë që thashë se Parisi mund ta kishte fascinuar siç ka fascinuar gjithë botën.

“Ku ka më mirë se të vdiset në Paris”, fola pak si me shaka.

“Ka!” m’u drejtua me një zë tejet tingëllues. “Vdekja më e mirë është në Dublin!”

Pas pak midis nesh mbërtheu një heshtje shurdhe. Hetova se ishte në një gjendje të rëndë, por që kishte nevojë prej saj disi të lirohej. Kishte nevojë të fliste me dike nga shpirti. I thashë se mund të vdisej edhe në Dublin. Pse jo?…

“Në Dublin është madhështi të vdiset, por është mallkim të vritesh… Nuk e dua vrasjen në Dublin…”

“Kush do ta donte…?”

“Xhojsi kishte hallin e mallkimit irlandez. Kësaj i frikësohej… Kishte mallkimin e shpirtit…”

(Shhkëputje nga libri “Kthesa historike” 1- Vitet e Gjermanisë dhe epoka e LDK-së, 2008).

Ibrahim Rugova si lider vizionar, fener shprese për të ardhmen e Kosovës

Ibrahim Rugova, politikan i shquar kosovar dhe lider i pavarësisë, vdiq më 21 janar 2006, shkruan KultPlus.

Rugova ishte një figurë kyçe për kombin shqiptar në Kosovë gjatë fundit të shekullit të 20-të dhe rezistenca e tij paqësore ndaj sundimit jugosllav ndihmoi në hapjen e rrugës për pavarësinë eventuale të rajonit.

Ai u zgjodh President i Republikës së Kosovës në vitin 2002 dhe shërbeu deri në vdekjen e tij në vitin 2006.

Stili i udhëheqjes së Rugovës karakterizohej nga përkushtimi i tij ndaj jodhunës dhe theksi i tij në arsim dhe kulturë si mjete për arritjen e pavarësisë. Ai ishte një mbrojtës i fortë i gjuhës dhe kulturës shqiptare dhe përpjekjet e tij ndihmuan në krijimin e një ndjenje të fortë të identitetit kombëtar te shqiptarët e Kosovës.

Pavarësisht qasjes së tij paqësore, Rugova u përball me rezistencë të konsiderueshme nga qeveria jugosllave, e cila e shtypi lëvizjen e tij dhe e arrestoi disa herë.

Megjithatë, vendosmëria dhe qëndrueshmëria e tij ndihmuan përfundimisht në pavarësinë përfundimtare të Kosovës në vitin 2008.

Trashëgimia e Rugovës jeton në Kosovë, ku ai kujtohet si hero dhe simbol i luftës së vendit për liri. Rezistenca e tij paqësore dhe theksi mbi arsimin dhe kulturën vazhdojnë të frymëzojnë gjeneratat e ardhshme të kosovarëve.

Vdekja e Ibrahim Rugovës shënoi një humbje të madhe për politikën kosovare, lufta dhe përkushtimi i tij paqësor drejt pavarësisë së Kosovës do të mbahet mend gjithmonë si një nga momentet më të rëndësishme në historinë e vendit.

Puna dhe trashëgimia e tij do të jenë gjithmonë burim frymëzimi për popullin e Kosovës. /KultPlus.com

Koleksioni prej 300 objektesh i shkodranit Palokë Laca, në Muzeun Etnografik të Budapestit

Në Muzeun Etnografik të Budapestit ekzistojnë rreth 300 objekte si bizhuteri dhe veshje shqiptare të cilat i janë shitur dikur këtij muzeu nga një tregtar me emrin Paolo Lazza. Për të mësuar më shumë rreth këtij personi, muzeu i Budapestit u vu në kontakt me Muzeun e Fotografisë “Marubi” dhe pas një hulumtimi në të cilin u përfshi personalisht drejtori Luçjan Bedeni, u arrit të zbulohet se bëhet fjalë për tregtarin shkodran Palokë Laca, pasardhësit e të cilit jetojnë në Shkodër dhe Itali.

Drejtori i “Marubit”, Bedeni, së bashku me kuratoren Kim Knoppers dhe dizajnerin e modës Jozef Martini (njëherësh kushëri i Palokë Lacës) zhvilluan një vizitë dyditore në Muzeun e Etnografisë së Budapestit, ku panë nga afër koleksionin e mrekullueshëm.

Gjatë vitit 2024 muzeologët hungarezë vizituan Shkodrën me qëllim hulumtimin më në detaje të figurës së tregtarit Palokë Laca. Me këtë rast diskutua rreth mundësisë konkrete të ekspozimit të këtyre objekteve edhe në Muzeun “Marubi”.

300 objektet e shitura dikur nga tregtari shkodran, mund të jenë pjesë e një ekspozite e cila do të hapet në qershor të këtij viti në “Marubi”.

Muzeu “Marubi” në një postim në rrjetet sociale thotë se, nxjerrja në pah e kësaj figure si dhe zbulimi i këtyre reperteve në Budapest, vjen në mesin e një pune të ngritur prej disa muajsh nga kuratorja Kim Knopper mbi një projekt që do të realizohet në Muzeun “Marubi”, me fokus etnografinë dhe artizanatin./atsh/KultPlus.com

Erich Fromm për dashurinë në ‘Arti i të dashuruarit’

Nga Albert Vataj

Erich Fromm, një psikolog dhe filozof social i njohur gjerman, hulumtoi thellësisht kompleksitetin e marrëdhënieve njerëzore dhe natyrën e dashurisë në veprat e tij me ndikim. Një nga njohuritë e tij më të thella mbi dashurinë erdhi në librin e tij “Arti i të dashuruarit” (1956), ku ai argumentoi se dashuria nuk është thjesht një reagim emocional ndaj një personi të caktuar, por një orientim më i gjerë i personazhit që formon të gjithë botëkuptimin e dikujt. Ai shkroi, “Dashuria nuk është kryesisht një marrëdhënie me një person specifik; është një qëndrim, një orientim i karakterit që përcakton lidhjen e një personi me botën në tërësi.” Për Fromm-in, dashuria nuk kufizohej në marrëdhënie romantike ose lidhje personale, por ishte një pjesë e brendshme e mënyrës se si dikush angazhohet me botën dhe qeniet njerëzore. Është një forcë aktive, një shprehje e shpirtit të dikujt, në vend të një reagimi pasiv ndaj një stimuli të jashtëm.

Fromm kritikoi gjithashtu keqkuptimin e zakonshëm se dashuria është thjesht akti i gjetjes së objektit “të duhur” për dashurinë. Shumë, sugjeroi ai, i afrohen dashurisë me idenë se ajo përcaktohet nga personi specifik që ata duan, duke besuar se intensiteti i emocioneve të tyre ndaj atij individi është një pasqyrim i aftësisë së tyre për dashuri. Megjithatë, Fromm e shikoi këtë perspektivë si problematike, duke e barazuar atë me një formë egoizmi ose lidhjeje simbiotike. Ai argumentoi se një qasje e tillë ndaj dashurisë, e cila përqendrohet në një individ dhe jo në një kapacitet më të gjerë, më universal për dashuri, nuk mund të konsiderohet dashuri e vërtetë. Ai tha: “Nëse një person do vetëm një person tjetër dhe është indiferent ndaj pjesës tjetër të bashkënjerëzve të tij, dashuria e tij nuk është dashuri, por një lidhje simbiotike, ose një egoizëm i zgjeruar.” Sipas Fromm-it, dashuria e vërtetë i kapërcen lidhjet individuale dhe duhet të jetë pjesë e qëndrimit të përgjithshëm ndaj njerëzimit.

Në ilustrimin e kësaj pike, Fromm përdori analogjinë e pikturës. Ai tha: “Ky qëndrim mund të krahasohet me atë të një njeriu që dëshiron të pikturojë, por që në vend që të mësojë artin, pretendon se duhet vetëm të presë për objektin e duhur dhe se do të pikturojë bukur kur ta gjejë”. Kritika e Fromm-it këtu është e mprehtë dhe zbuluese: dashuria e vërtetë, si çdo art, kërkon praktikë, mësim dhe angazhim aktiv. Nuk ka të bëjë thjesht me gjetjen e personit të duhur apo të presësh për momentin e përsosur; është një përpjekje e vazhdueshme dhe e vetëdijshme që përfshin zhvillimin e aftësisë së dikujt për kujdes, respekt, përgjegjësi dhe njohuri. Nëpërmjet kësaj lente, dashuria bëhet një praktikë e vazhdueshme kultivimi dhe jo një rezultat i pashmangshëm i lidhur me gjetjen e objektit të përsosur të dashurisë. Filozofia e Fromm ofron një reflektim të thellë dhe të zhytur në mendime mbi dashurinë, duke i nxitur individët të zgjerojnë të kuptuarit e tyre për atë si një forcë që formëson jo vetëm marrëdhëniet personale, por edhe marrëdhëniet e tyre me botën në përgjithësi./ KultPlus.com

Themelohet Shoqata e Basketbollistëve të Kosovës

Basketbollistët janë bërë me shoqatë, ndërsa kryetar do të jetë Dardan Berisha.

Shoqata e Basketbollistëve të Kosovës është themeluar në një mbledhje të mbajtur në selinë e Federatës së Basketbollit të Kosovës, ku Berisha ka qenë kandidati i vetëm, duke marrë mbështetje maksimale, tridhjetë e pesë vota pro.

Në njoftimin e Federatës së Basketbollit të Kosovës thuhet se Shoqata do të ketë përfaqësuesit e saj në Bordin e FBK-së dhe është themeluar në përputhje me Ligjin e ri të Sportit.

Po ashtu, të hënën janë zgjedhur edhe anëtarët e Bordit të Shoqatës. Pjesë e Bordit janë Gëzim Morina, Arbnore Përquku, Aulona Muhadri, Erjon Kastrati dhe Drilon Hajrizi.

Në njoftim theksohet se Shoqata ka si synim mbrojtjen e të drejtave të basketbollistëve dhe do të jetë zëri i tyre në Kosovë.

Flamingot mbi ujërat e lagunës në Kune, Rama ndan pamjet

Flamingot janë rikthyer në lagunën e Kune Vainit në Lezhë dhe dhurojnë spektakël me fluturimet e tyre elegante dhe plot ngjyrime mbi sipërfaqen e ujit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga fluturimi i flamingove mbi ujërat e lagunës.

Ndërsa vendi ka rritur sipërfaqen e zonave të mbrojtura që në pjesën më të madhe janë dhe habitatet e preferuara të shpendëve, prania e flamingove nuk është më habi.

Në lagunat e shumta që ndodhen nga jugu në veri, flamingot tashmë janë banorë të mirëpritur të këtyre ujërave.

Laguna e Kune-Vainit në Tale të Lezhës është zona e parë e mbrojtur në vend, e shpallur si e tillë gati 8 dekada më parë.

Laguna e Kune-Vainit ndodhet rreth 8 kilometra larg qytetit të Lezhës dhe shumë pranë Shëngjinit. Në përbërje të lagunës hyjnë mjedise detare, lagunore, ligatinore, pyje, shkurre dhe livadhe, që ndërthuren hijshëm midis tyre.

Laguna dallohet për larmi të madhe të botës së gjallë rreth 227 specie bimësh, 17 lloje molusqesh, 10 lloje amfibësh, 24 lloje zvarranikësh, disa lloje peshqish.

Veçanërisht e pasur është bota e shpendëve dhe 196 lloje migratore dhe të përhershëm, e cilësuar si “ornitologjia e Mesdheut”, dhe 23 specie gjitarësh./atsh/ KultPlus.com

Presidentja Osmani takoi Komandantin e KFOR-it: Bashkëpunimi i ngushtë i nevojshëm për ta siguruar paqen dhe stabilitetin në vend

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, takoi Komandantin e KFOR-it, Gjeneralmajor Enrico Barduani, në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm për forcimin e partneritetit me NATO-n.

Me ftesë të gjeneralmajor Barduani, dreka e punës u mbajt në selinë e KFOR-it.

Në emër të qytetarëve të Kosovës, Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen për misionin e NATO-s në Kosovë, i cili ka luajtur rol të rëndësishëm prej më tepër se dy dekada për paqen dhe stabilitetin.

Në këtë takim, Presidentja Osmani theksoi se duke pasur parasysh sfidat e sigurisë, bashkëpunimi i ngushtë dhe partneriteti ndërkombëtar janë të nevojshme për ta siguruar paqen dhe stabilitetin në vend, rajon dhe më gjerë.

Presidentja Osmani potencoi rëndësinë e angazhimit të përbashkët për mbrojtjen e vlerave të paqes dhe sigurisë, duke theksuar se kohezioni ndërkombëtar është kyç në trajtimin e sfidave globale.

Takimi me Gjeneralmajor Barduani është pjesë e angazhimit të përhershëm të Presidentes Osmani për forcimin e marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë dhe për promovimin e sigurisë dhe stabilitetit si parakusht për zhvillimin e Kosovës dhe rajonit./ KultPlus.com

Presidenti Begaj uron Trump: Shqipëria, krenare për aleancën dhe miqësinë e fortë me SHBA-në

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj uroi sot Presidentin e 47-të të SHBA-ve, Donald Trump për marrjen e detyrës.

Begaj u shpreh se, Shqipëria është krenare për aleancën dhe miqësinë e saj të fortë me SHBA-në.

“Urimet më të përzemërta në ditën tuaj të inagurimit si Presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump”, theksoi Begaj në një postim në rrjetin “X”

“SHBA mbetet dëshmi e patjetërsueshme e vlerave të demokracisë dhe burim paqeje dhe sigurie”, u shpreh Begaj.

“Shqipëria është krenare për aleancën dhe miqësinë e saj të fortë me SHBA-në dhe mbetet e përkushtuar për të forcuar më tej partneritetin tone”, shtoi Presidenti Begaj./atsh/ KultPlus.com

‘Ani mori nuse’, nga e papërsëritshmja Nexhmije Pagarusha (VIDEO)

7 shkurti i vitit 2020 mori me vete ikonën e muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarushën, mirëpo këngët e saj vazhdojnë të dëgjohen e këndohen, pasiqë Pagarusha pas vetes la kryevepra artistike që nuk do të zhduken asnjëherë, shkruan KultPlus.

Kur flitet për Nexhmije Pagarushën, përdoren në një frymë shumë epitete si, Bilbili i Kosovës, Mbretëresha e Këngës Shqipe, Primadona e Melosit Popullor, e shumë epitete të tjera.

Repertori i saj interpretues është tejet i gjerë dhe i larmishëm. Veçohen këngët “Kur më del në derë”, “Metelikun ta kam fal”, “Po të pres te dega e fikut”, “Mora testin”, “Kënga e Rexhës” etj.

Sonte, KultPlus ju sjell një këngën e saj “Ani mori nuse”:

‘Mbi kulturën e lumit’, ligjëratë në Kino Lumbardhi

Më 23 janar prej orës 19:00, në Kino Lumbardhi mbahet ligjërata “Mbi kulturën e lumit” të antropologut e studiuesit Nebi Bardhoshi. Tri lumenj: Valbona, Zall-Gjoçaj dhe Vjosa, e ndërtojnë një jetë krejt të vetën duke renduar mënyrën se si ndërtohen raportet shoqërore e kulturore përreth tyre, qoftë mes mitologjisë apo mes fenomeneve natyrore që jetësojnë apo se si njerëzit ndërveprojnë.

Analiza e z. Bardhoshi vendos në komunikim këta tre lumenj e së bashku sjellin një panoramë të asaj çfarë mund të quajmë kulturë të lumit.

Bardhoshi është kërkues i shkencor me interesa specifike kërkimore në antropologjinë juridike dhe politike, antropologjinë e natyrës dhe historinë e mendimit antropologjik. Ai është autor i disa librave, përfshirë: “Gurët e Kufirit: Kanuni, Pronësia, Struktura Shoqërore” (2011), “Antropologjia e Kanunit” (2015) dhe “Etnografia në Diktaturë: Njohja, Shteti, Holokausti Ynë” (2018), bashkautor.

Gjithashtu, Bardhoshi ka botuar artikuj të shumtë akademikë dhe ka shërbyer si redaktor shkencor i disa vëllimeve mbi shoqërinë shqiptare, si dhe për rajonin e Ballkanit dhe Mesdheut.

Ky është prezantimi i katërt prej serisë së ligjëratave të organizuara për projektin “Permanent Transition” mbështetur prej European Cultural Foundation.

Ky program sjell një mori hulumtuesish dhe profesionistësh e praktikues të fushës së artit, linguistikës, aktivizmit, ekonomisë dhe fushave të tjera, me synimin për të propozuar mënyra të ndryshme të të kuptuarit të krizës klimatike dhe se si mund të reagojmë në të ardhmen.

Presidentja Osmani uron Trumpin: Kosova e gatshme të punojë me ju për të forcuar marrëdhëniet mes dyja vendeve

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, i ka dërguar një letër urimi presidentit të 47-të të ShBA-së Donald Trump, për marrjen e detyrës.

Ajo u shpreh se Kosova është e gatshme të punojë edhe me zëvendëspresidentin JD Vance dhe administratën amerikane, për të forcuar marrëdhëniet mes dyja vendeve.

“Për të promovuar vlerat tona të përbashkëta të lirisë dhe për të adresuar sfidat e kohës sonë”, u shpreh ajo.

“Në emër të popullit të Kosovës ju uroj suksese të mëdha”, theksoi Osmani.

Trump pas inaugurimit: Drita e diellit po bie mbi krejt botën

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë në inaugurimin e tij se po i kthehet presidencës me optimizëm, dhe se bota po sheh dritë me rizgjedhjen e tij.

“Prioritet ynë kryesor do të jetë që të krijojmë një komb që është krenar, prosperitare dhe i lirë”, ka thënë Trumpi.

“Amerika së shpejti do të jetë më e mirë, më e fuqishme, dhe shumë më e jashtëzakonshme se që ka qenë ndonjëherë”.

“I kthehem presidencës me optimizëm dhe vetëbesim që jemi në një fillim të një epoke ngazëllyese kombëtare”.

“Një dallgë ndryshimin po e merr me vete vendin dhe drita e diellit po bie mbi krejt botën dhe Amerika e ka mundësinë që ta shfrytëzojë këtë rast si asnjëherë më parë, por fillimisht duhet të jemi të sinqertë sa u përket sfidave të cilat i kemi përballë, të cilat ndonëse janë shumë në numër, do të shkatërrohen nga ky momentum shumë i mirë të cilin tani po e sheh bota në Shtetet e Bashkuara”.

Censi Ndërkombëtar i Shpendëve Ujorë Dimërues, Pirushi: Mbrojtje habitateve natyrore dhe biodiversitetit

Në të gjithë Shqipërinë u zhvillua në 18-19 janar Censi Ndërkombëtar i Shpendëve Ujorë Dimërues, një ngjarje e rëndësishme për vlerësimin dhe monitorimin e popullatave të këtyre shpendëve gjatë dimrit.

Ky aktivitet madhor u realizua nga specialistë të Administratave Rajonale të Zonave të Mbrojtura, ekspertë ornitologë dhe vullnetarë, të cilët u vendosën në 34 pika të përcaktuara për numërimin e shpendëve, për të realizuar një studim të jashtëzakonshëm që ka përfshirë Shqipërinë për 32 vjet me radhë.

Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Daniel Pirushi, theksoi për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se “ky census ka një rëndësi të jashtëzakonshme për menaxhimin dhe mbrojtjen e habitateve natyrore dhe biodiversitetit të Shqipërisë”.

Ajo sqaroi se realizimi i këtij censi është një proces i rregullt dhe i mirorganizuar, që ka përfshirë më shumë se 120 specialistë nga 12 Administrata të Zonave të Mbrojtura, duke siguruar një vlerësim të plotë të popullatave të shpendëve ujorë.

Censi i Shpendëve Ujorë Dimërues është një aktivitet shkencor që ndikon drejtpërdrejt në menaxhimin e qëndrueshëm të habitateve natyrore dhe kontribuon në ruajtjen e biodiversitetit të pasur të Shqipërisë.

Sipas Pirushit, çdo vit vërehet një rritje e numrit të shpendëve ujorë dimërorë, një përmirësim që është ndikuar pozitivisht edhe nga moratoriumi i gjuetisë, i cili ka krijuar kushte më të favorshme për shtimin e këtyre shpendëve dhe ka forcuar ekosistemet natyrore të vendit.

Për dy ditë, specialistët dhe ekspertët zhvilluan një monitorim të detajuar të popullatave të shpendëve në 34 vendnumërime, duke mbledhur të dhëna të rëndësishme për vlerësimin e situatës në nivel kombëtar. Të dhënat, të cilat janë ende në proces organizimi, pritet të bëhen publike brenda 7 deri në 10 ditë.

Drejtoresha Pirushi theksoi gjithashtu se këto shpendë, të cilët popullojnë habitatet e zonave të mbrojtura dhe të tjera habitate natyrore të Shqipërisë, jo vetëm që kontribuojnë në ruajtjen e ekosistemeve, por luajnë një rol të jashtëzakonshëm në mirëmbajtjen e ekuilibrave ekologjikë dhe përmirësimin e kushteve mjedisore në nivel kombëtar.

Censi Ndërkombëtar i Shpendëve Ujorë është pjesë e një programi global monitorimi që zhvillohet në 143 shtete të botës për të grumbulluar të dhëna mbi popullatën e shpendëve ujorë në zonat ligatinore.

Shqipëria është angazhuar në këtë nismë që prej vitit 1993 dhe ka kontribuar vazhdimisht në realizimin e censit që nga fillimi. Ky aktivitet ka një metodologji të detajuar që përfshin mbulimin e zonave gjeografike, vendnumërimet dhe poligonet e monitorimit, duke mundësuar një mbledhje shkencore të të dhënave mbi popullatën e shpendëve ujorë, e cila më pas vlerësohet në nivel ndërkombëtar.

Ky census, që është realizuar për herë të parë në vitin 1967, përbën një element kyç për menaxhimin e qëndrueshëm të zonave të mbrojtura dhe për forcimin e kapaciteteve të Shqipërisë në mbrojtjen e biodiversitetit të saj.

Ai kontribuon gjithashtu në bashkëpunimin ndërkombëtar për ruajtjen e shpendëve ujorë dhe mbrojtjen e mjedisit, duke siguruar një ekosistem të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm për brezat e ardhshëm.

Trump betohet si presidenti i 47-të i Amerikës

Donald Trump u betua për herë të dytë si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ai po kthehet në Shtëpinë e Bardhë pas fitores bindëse në zgjedhje.

Presidenti Joe Biden dhe zonja e parë Jill Biden mirëpritën presidentin e zgjedhur Donald Trump dhe Melania Trump në Shtëpinë e Bardhë.

“Mirë se erdhët në shtëpi”, i tha Biden Trumpit.

Pas një takimi të shkurtër, ata shkuan së bashku në Kongres për ceremoninë e betimit.

Trump pritet të mblidhet me stafin dhe anëtarët e Kongresit në dhomën e Presidentit pranë dhomës së Senatit. Aty do t’i bëjë nominimet dhe do t’i nënshkruajë urdhrat e tij të parë ekzekutiv si president.

Ish-presidentët mbërrijnë në Kongres për inaugurimin e Trumpit

Ish-presidentët amerikanë, Barack Obama, Bill Clinton dhe George Bush kanë mbërritur në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të zgjedhur të ShBA-ve, Donald Trump.

Barack Obama u pa gruan e tij, Michelle. Javën e kaluar, zyra e saj konfirmoi se ajo nuk do të ishte e pranishme sot.

Ndërkohë, Bill Clinton dhe George Bush u panë të shoqëruar nga bashkëshortet e tyre, njofton Klankosova.tv.

Barack Obama pa Michelle 

Barack Obama walking

Bill Clinton dhe Hillary 

Bill and Hillary Clinton

George Bush dhe Laura

George and Laura Bush

90-të vjetori i lindjes së Mark Kaçinarit, Ministri Çeku: Vepra e tij zë vend të rëndësishëm në opusin e literaturës së muzikës klasike shqiptare

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, në 90-vjetorin e lindjes ka përkujtuar pedagogun, kompozitorin e dirigjentin e shquar, Mark Kaçinari.

Ministri Çeku ka thënë se Kaçinari si kompozitor shquhet për përpunimin e këngëve popullore dhe përdorimin kreativ të motiveve të folklorit muzikor shqiptar në veprat e tij, dhe se këto vepra zënë vend të rëndësishëm në opusin e literaturës së muzikës klasike shqiptare.

“Kaçinari i përket brezit të parë të studentëve shqiptarë nga Kosova, të cilët kanë kryer Akademinë e Muzikës, për tu bërë më vonë ndër pedagogët e parë të Shkollës së Lartë Pedagogjike në Prishtinë, e më pas Dekan i Akademisë së Arteve të Prishtinës, ku dha kontribut të jashtëzakonshëm në edukim të brezave të tërë muzicientësh”, është shprehur Ministri Çeku.

Kaçinari drejtoi disa ansamble të shquara, veçanërisht ato korale, si Korin e SHKA “Agimi” në Prizren dhe Korin “Collegium Cantorum” në Prishtinë, të cilin e themeloi vetë, kor ky që arriti suksese të jashtëzakonshme.

“Krijimet e tij, si “Shamikuqja”, “Zogu i Ohrit” dhe “Bijtë e shqipes”, mbeten pjesë e çmuar e kulturës sonë muzikore. Kujtojmë dhe nderojmë kontributin e tij të pashlyeshëm, që frymëzon breza të tërë artistësh e dashamirësish të muzikës.

Lavdi veprës dhe trashëgimisë së tij”, është shprehur Ministri Çeku!/ KultPlus.com

Biden konfirmon se ia ka lënë Trumpit një letër në Zyrën Ovale

Presidenti Joe Biden konfirmoi se ka lënë një letër në Zyrën Ovale për paraardhësin dhe pasardhësin e tij, presidentin e zgjedhur Donald Trump, raporton CNN.

I pyetur nga gazetarët jashtë Shtëpisë së Bardhë nëse ai ka shkruar një letër, Biden tha, “Po”, megjithëse nuk pranoi të jepte më shumë detaje.

“Kjo është mes meje dhe Trump”, tha ai.

Trump e kishte lënë një letër në vitin 2021 që Biden e përshkroi më vonë si “shumë bujare”.

Biden e mirëpriti Trumpin në Shtëpinë e Bardhë dhe pas një takimi të dy udhëtuan bashkë drejt Kongresit për ceremoninë e betimit.

‘Mirë se erdhe në shtëpi’, i tha Bideni, Trumpit kur mbërriti në Shtëpinë e Bardhë

“Mirë se erdhe në shtëpi”, i tha presidenti amerikan, Joe Biden, pasardhësit të tij, presidentit të sapozgjedhur Donald Trump, teksa e përshëndeti atë në Portikun Verior të Shtëpisë së Bardhë.

Kthimi i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë përbën një ‘zhgënjim’ për Bidenin, i cili dikur e shihte veten si personin që parandalonte rikthimin e rivalit të tij në pushtet.

Ai përgënjeshtroi çdo ndjenjë ndërsa shtrëngoi dorën me Trumpin të hënën, duke e mirëpritur atë për çajin dhe kafen tradicionale përpara betimit.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë të njohur me planifikimin thonë se nuk ka pasur kurrë ndonjë debat nëse presidenti në largim do të merrte pjesë në hapat ceremonialë, pavarësisht nga fakti se katër vjet më parë, Trumpi nuk i dha të njëjtat mirësjellje ndaj Bidenit, transmeton Klankosova.tv./ KultPlus.com

Rekord turistësh në vitin 2024, Rama: 500 mijë vizitorë në Kalanë e Beratit, 85% ishin të huaj

Berati vijon të jetë ndër destinacionet kryesore që vizitohet nga mijëra turistë në të gjitha stinët e vitit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale disa të dhëna mbi sitet kryesore turistike në qytetin e “një mbi një dritareve”.

Sipas kryeministrit, “viti 2024 shënoi një rekord turistik në qytetin e Beratit”.

“Vetëm Kalaja është vizituar nga 500 mijë vizitorë, ku 85% e tyre ishin të huaj, ndjekur nga Muzeu ‘Onufri’, krenaria e Beratit dhe thesar i çmuar i gjithë Shqipërisë, i cili u vizitua nga 100 mijë vizitorë përgjatë vitit që shkoi”, u shpreh Rama.

Berati ka një sërë pikash turistike që zgjojnë interesin e turistëve, disa prej të cilave janë Qendra Historike e qytetit, Kalaja, Gorica, Mangalemi që janë pasuri e UNESCO-s, Muzeu Ikonografik “Onufri”, Qendra Mesjetare, objektet e kultit bizantin dhe xhamitë e vjetra të periudhës otomane.

Turistët vlerësojnë jo vetëm historinë e kulturën, por edhe ushqimin e mikpritjen vendase.

Vitet e fundit turistët kanë treguar interes edhe për atraksionet e ekoturizmit, fshatrat turistike Roshnik, Sinjë, Drobonik, kantinat e verës, aktivitetet rafting në lumin Osum, ngjitje në malin e Tomorit, hedhje me parashuta nga mali Shpirag, kanoe në liqenet e Tomorit, ecje me biçikletat malore në rrethinat e Beratit, vizitë në Kanionet e Osumit, pjesëmarrje në turet e gastronomisë në agrobizneset në fshatrat turistikë etj./atsh/KultPlus.com

Sa ju kam dashur

Poezi nga Aleksander Pushkin

Sa ju kam dashur! Ndofta dashuria
Nuk është shuar krejt në shpirtin tim!
Po s’dua që prej dhembjeve të mia
Të ngryseni sërish në dëshperim.

I heshtur e pa shpresë u përvelova
Me ndrojtje, xhelozi e mall për ju
Po kaq me dliresi ju dashurova,
Sa, zot!ju dashtë tjetër kush kështu!/KultPlus.com

“Epoka e Inteligjencës Artificiale”, libri i tre mendimtarëve të shquar amerikanë mbi IA

Në mjediset e Bibliotekës së Kryeministrisë (COD) u promovua “Epoka e Inteligjencës Artificiale”, një libër i shkruar nga ish-sekretari amerikan i shtetit, Henry Kissinger, ish-CEO i Google, Eric Schmidt dhe Daniel Huttenlocher, një shkencëtar kompjuterik amerikan.

Paneli i ftuar përbëhej nga botuesi, Rexhep Hida, përkthyesi, Krenar Hadëri si dhe përfaqësues nga Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike dhe instituti i edukimit “Harry Fultz”.

Libri “Epoka e Inteligjencës Artificiale” shqyrton mënyrën se si Inteligjenca Artificiale po transformon shoqërinë njerëzore në mënyrë të thellë dhe rrënjësore. Tre mendimtarët e shquar amerikanë eksplorojnë ndikimin e IA në fusha si siguria, ekonomia, rendi shoqëror dhe vetëdija njerëzore.

Ky libër paraqet një analizë të thellë mbi mënyrën si Inteligjenca Artificiale po revolucionarizon sektorë si mjekësia, arsimi dhe shumë të tjerë, duke shënuar një epokë të re dhe të veçantë në zhvillimin e teknologjisë.

Aktiviteti u ndoq me interes edhe nga nxënësit e shkollës profesionale “Harry Fultz” në profilin IT dhe Informatikë./atsh/KultPlus.com

‘Me një buzëqeshje në fytyrën time vetëm duke menduar për ty’

Poezi nga Jim Morrison

Duke shikuar dallgët rrokullisur në oqeanin blu
Me një buzëqeshje në fytyrën time vetëm duke menduar për ty
Kujtimet e ëmbla, momentet e ëmbla që kemi ndarë
Më përkëdhelin si fllad i butë që mbush ajrin
Ndjenja e dashurisë që kam kur mbaj dorën tënde
Natë vere kur ecë në rërë
Valët që derdhen mbi shkëmbinjtë përgjatë vijës bregdetare
Më sjellë lot në sytë e mi duke e ditur që je imja
Ndarja e një dashurie si e jona, zemra ime e lumtur psherëtin
Duke shikuar retë vjollcë që lundrojnë shkujdesshëm./ KultPlus.com