Andin Hoti për marrëveshjen për të pagjeturit: Moment i rëndësishëm, do t’i adresojmë shqetësimet tona

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjeturit, Andin Hoti, ka thënë se pas tri vitesh dialog dhe tendencave të pajustifikueshme për zvarritje nga ana e Serbisë, sot në Bruksel është miratuar formimi i Komisionit të Përbashkët që do të mbikëqyrë zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur.

Hoti tha se ky hap përben një moment të rëndësishëm në adresimin e shqetësimeve të Kosovës në lidhje me çështjen e personave të zhdukur, të cilën ai e quajti të ndjeshme dhe të rëndësishme për familjet në shoqërinë kosovare.

“Komisioni i Përbashkët, i kryesuar nga Bashkimi Evropian, do të jetë trupa më e lartë që do të ketë përgjegjësinë për mbikëqyrjen dhe sigurimin e zbatimit efektiv dhe në plotësi të Deklaratës së Personave të Zhdukur”.

“Njëkohësisht, do të shërbejë si platformë, ku më në fund do të mund të adresojmë të gjitha shqetësimet tona sa i përket ngecjeve në proces dhe mosadresimit adekuat të këtyre ngecjeve apo pengesave; përfshirë këtu mungesën e bashkëpunimit të Serbisë në Grupin Punues dhe refuzimin për të hapur arkivat përkatëse”, tha Hoti, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, ai tha se shpreson që ky hap të shërbejë si një moment përparimi drejt zgjidhjes përfundimtare dhe të shumë vonuar, sipas tij, të fatit të personave të zhdukur dhe lehtësimit të dhimbjes së familjeve të tyre, të cilat tha se shumë kohë kanë pritur drejtësi dhe të vërtetën.

Më 21 dhjetor jepet shfaqja e baletit për fëmijë “Magjia e Kërcimit”

Studio e Baletit “Behia’s dance” do të jep shfaqjen e baletit për fëmijë “Magjia e Kërcimit”, në teatrin “Faruk Begolli”, shkruan KultPlus.

Në këtë shfaqje plotë magji do të performojnë zanat balerina, duke dhuruar një atmosferë të një bote endërrash.

Koreografia e shfaqjes është realizuar nga Behie Murtezi dhe Driton Saqipi.

Ngjarja mbahet më 21 dhjetor, në ora 19:00, në teatrin “Faruk Begolli” në AAB./ KultPlus.com

92-vjetori i lindjes së Tinka Kurtit, Gonxhja: Sa më gjatë pranë nesh!

Artistja e madhe e kinematografisë shqiptare, Tinka Kurti feston sot 92-vjetorin e saj të lindjes.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja uroi sot aktoren e madhe për ditëlindjen.

“Protagoniste e filmit të parë shqiptar me metrazh të gjatë “Tana” dhe me mbi 300 role në skenën e teatrit dhe të filmit, Tinka Kurti është vlerësuar me çmime e tituj nderi si “Artiste e Merituar” dhe “Artiste e Popullit” dhe me medaljen “Mjeshtër i Madh i Punës”. I urojmë shëndet dhe e paçim sa më gjatë pranë nesh!” – shkruan Gonxhja në një postim në rrjetet sociale.

Tinka Kurti lindi më 17 dhjetor 1932 në Sarajevë në një familje artdashëse. Nëna e saj ishte një nga aktoret kryesore të Teatrit Kombëtar të Sarajevës. Familja e saj u shpërngul, kur Tinka ishte pesë vjeç, drejt qytetit të Shkodrës. Këtu mbaroi arsimin shtatëvjeçar dhe në vitin 1947 u nis në Tiranë për të studiuar në Politeknikumin e Tiranës. Rastësisht, siç do të shprehej ajo vetë vite më vonë, do të kalonte në degën e Dramës në Liceun Artistik.

Që prej rolit të veçantë të Tanës, në filmin e parë shqiptar në vitin 1958, Tinka Kurti mban mbi supe 75 vite karrierë me përkushtim të palodhur ndaj artit dhe kinematografisë shqiptare.

Kurti spikati jo vetëm për dramën që rolet e luajtura prej saj mbartnin, por dhe me mënyrën e interpretimit./atsh/ KultPlus.com

Kthehet në reportazh rinovimi i katit të parë të objektit ‘Gërmia’

Të hënën mbrëma u shfaq reportazhi për rinovimin e katit të parë të objektit “Gërmia”, dhe transformimin e hapësirës në galerinë në të cilën sot ekspozohet dokumentimi i rezistencës mbi një dekadëshe civile dhe të armatosur të Kosovës, deri në lirinë e saj, përmes Reporting House.

“Reportazhi dhe organizimi i mbrëmshëm në veçanti iu dedikua të gjithë punëtorëve të Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB) që punuan në rinovimin e kësaj hapësire dhe kthimin e saj për komunitet, si dhe bashkëpunëtorëve institucional, dhe partnerëve që mbështetën realizimin e Reporting House, një nga ta edhe Ministria e Kulturës”, bëhet e ditur një njoftimin e Ministrisë e cila në këtë mbrëmje u përfaqësua nga zëvendësministrja, Daulina Osmani.

Komuna e Gjilanit merr vendim për ndalimin e fishekzjarreve

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka marrë vendim për ndalimin e përdorimit të mjeteve piroteknike në prag të festave të fundvitit.

“Ndalohet përdorimi i produkteve piroteknike fishekzjarrëve në vendet e hapura publike, përkatësisht në tregje, rrugë e sheshe”, thuhet në një njoftim për media.

Kjo ndalesë do të jetë në fuqi nga 20 dhjetor 2024 deri më 03 janar 2025.

Personat të cilët veprojnë në kundërshtim me këtë urdhëresë do të gjobiten në shumë prej 100 euro.

Për zbatimin e këtij vendimi do të kujdesen Drejtoria e Inspeksionit dhe Policia.

131 vjet nga fluturimi i parë i vëllezërve Wright

Vëllezërit Orville dhe Wilbur Wright bënë fluturimin e parë të suksesshëm më 17 dhjetor 1903, pranë Kitty Hawk, Karolina e Veriut, shkruan KultPlus.

Ndërsa shpikësit e tjerë krijuan avionë që fluturonin, Orville dhe Wilbur shpikën aeroplanin e parë me lëvizje mekanike.

Sigurisht që shpikësit e tjerë që erdhën përpara tyre frymëzuan vëllezërit Wright gjithashtu në shumë mënyra.

Me Deklaratë Presidenciale, 17 dhjetori është Dita e Vëllezërve Wright.

Çdo vit, bëhet ftesë për popullin e Shteteve të Bashkuara që ta respektojnë këtë ditë me ceremoni dhe aktivitete të përshtatshme. /KultPlus.com

Ohio mocked over wrong Wright brothers number plates - BBC News

Presidentja Osmani udhëton në Bruksel, përfaqëson Kosovën në Samitin BE-Ballkani Perëndimor

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për Bruksel, ku do të marrë pjesë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor përkrah liderëve të vendeve anëtare të BE-së, si dhe atyre nga Ballkani Perëndimor.

Temë kryesore e Samitit pritet të jetë zgjerimi i BE-së me përfshirjen e Ballkanit Perëndimor, si dhe do të trajtohen në veçanti: Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, Plani Ekonomik dhe i Investimeve, Agjenda e Gjelbër dhe Digjitale për Ballkanin Perëndimor, si dhe fusha të tjera si Politika e Përbashkët e Jashtme dhe e Sigurisë, luftimi i kërcënimeve hibride dhe kibernetike, dhe migracioni./KultPlus.com

Vetmija

Poezi nga Dritëro Agolli 

E vetmuar ti, i vetmuar unë
Nga e diela deri tek e diela.
S’ke ç’t’i bësh, nuk dilet tek kjo turmë
Dhe sikur t’i ngjitësh shpirtit vela.

Ja, për shembull, vela shpirti pati,
Do lundrosh me velat nëpër dete,
Përsëri do kthehesh tek krevati,
Po atë vetmi do kesh me vete.

Dhe këputen ditët si tespihe
Nga e diela deri tek e diela.
S’i shpëtojmë aspak kësaj vetmie
Dhe nëse na zgjojnë në treqind gjela. /KultPlus.com

58 vite nga lindja e Bekim Lumit, njëri ndër regjisorët më të vlerësuar në fushën e teatrit në Kosovë

Bekim Lumi ka lindur më 17 dhjetor të vitit 1966 në Suharekë, i cili konsiderohet si njëri ndër regjisorët më të vlerësuar në fushën e teatrit në Kosovë, shkruan KultPlus.

Gjatë viteve 1987 – 1991 Lumi ka studiuar Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Fakultetin Filologjik të Univerzitetit të Prishtinës, kurse gjat viteve 1992 – 1996 ka mbaruar studimet për Regji Teatri, në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, në klasën e profesor Agim Qirjaqit.

Në të njëjtin universitet, më 2010 ka mbaruar edhe studimet e magjistraturës. Nga viti 2002 deri në vitin 2008 ka punuar si gazetar i fushës së kulturës në radion “Evropa e Lirë”.

Përgjatë këtyre viteve, ai ka punuar si regjisor i pavarur, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, në Teatrin “Dodona” si dhe ka realizuar projekte teatrore me kompaninë e tij teatrore “Loja”.

Disa nga shfaqjet e tija kryesore janë: “Mesimi”, “Galani”, “Arushani & Fejesa”, “Shtëpia e Bernarda Albës”, “Çifti Martin”, “Këmisha e gjakut”, “Dillerat”, “John Cage’s Hamlet”, “Nana dhe fëmija” dhe e fundit “Arturo Ui”. Me shfaqjet e tija, ai ka qenë pjesmarrës në dhjetra festivale të rëndësishme kombëtare e ndërkombëtare, në Zvicër, Gjermani, Itali, Greqi, Rumani, Bosnjë e Hercegovinë e në vende të tjera.

Bekim Lumi, me punën e tij si regjisor është shpërblyer me shumë cmime kombëtare e ndërkombëtare, ndër të cilat edhe: në vitin 2006, me shfaqjen “Mësimi”, në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit në Lugano të Zvicrës ka fituar cmimin kryesor për shfaqjen më të mirë; Në vitin 2016 ka fituar “Cmimin Vjetor për Shfaqjen më të mirë”, të cilën e ndanë Ministria e Kulturës e Kosovës. Lumi ka qenë botues dhe kryeredaktor i revistës së mirënjohur për teatër “Loja” e cila është botuar në Kosovë nga viti 2006 deri në vitin 2010. B

Lumi është autor i dhjetra shkrimeve, analizave, studimeve e eseve për teatrin dhe përgjithësisht për skenën kulturore në Kosovë dhe më gjerë. Nga viti 2013 ka punuar si profesor në Fakultetin e Arteve, dega e regjisë së Teatrit.

Ndërkaq, ai vdiq në vitin 2018 pas një sëmundje të rëndë. /KultPlus.com

Shkolla Finlandeze sërish në CNN, tre vite radhazi

Si testament i përkushtimit për promovimin e lirisë dhe edukimit, Shkolla Finlandeze në Kosovë ka marrë përsëri vëmendje ndërkombëtare, me shfaqjen e saj të tretë në CNN, në kuadër të iniciativës së CNN të quajtur “Dita e Tokës” (#CallToEarth).

Prishtinë, 17 dhjetor – Për të tretin vit me radhë Shkolla Finlandeze tërheq vëmendjen botërore të mediumit prestigjioz amerikan CNN të cilin e shikojnë mbi 300 milionë njerëz në ditë mesatarisht. Kësaj radhe shkolla është pasqyruar rreth aktiviteteve vetëdijësuese rreth mbrojtjes së ambientit përmes formave të ndryshme kreative dhe artistike, duke rritur ndërgjegjësimin në këtë drejtim anëmbanë globit.

Aktivitetet inovative të Shkollës Finlandeze tashmë 3 vite me radhë pasqyrohen në CNN, duke promovuar iniciativa të rëndësishme për shoqërinë dhe mjedisin të cilat iu mësohen fëmijëve që nga niveli parashkollor. Sistemi finlandez vlerëson edukimin e nxënësve në fusha të ndryshme të jetës shtesë anës akademike, duke iu kushtuar rëndësi të madhe zhvillimit të tërësishëm të fëmijëve.

CNN ka përzgjedhur aktivitetet e Shkollës Finlandeze si me të veçantat në Evropë dhe ka shfaqur ato në disa edicione televizive, duke bërë jehonë të jashtëzakonshme tek qindra miliona shikues në mbarë botën. Kosova në baza ditore promovohet në CNN përmes projekteve të Shkollës Finlandeze, të cilat shfaqen në rrjetin më të madh televiziv kombëtar amerikan. Nxënësit e shkollës janë dalluar për qëndrimin e tyre në përkrahje të kësaj iniciative.

E udhëhequr nga praktikat më të mira të sistemit arsimor të Finlandës, Shkolla Finlandeze krenohet me zhvillimin e plotë të nxënësve të saj. Duke u frymëzuar nga qasja e tërësishme, mundësitë e barabarta dhe theksi mbi të menduarit kritik dhe kreativitetin, të cilat janë karakteristike të arsimit finlandez, Shkolla Finlandeze krijon një mjedis që inkurajon kureshtjen, kërkimin dhe rritjen personale.

Duke qenë e vetmja shkollë anëtare e CIS në vend, shkolla integron standardet ndërkombëtare të arsimit, duke ofruar një përvojë mësimore gjithëpërfshirëse dhe botërore të rëndësishme për të gjithë nxënësit. Poashtu, si Shkollë Ndërkombëtare Cambridge, shkolla krijon shtegun për nxënësit të përgatiten për studime në të ardhmen që përputhen me universitetet më prestigjioze anembanë globit.

E rrënjosur në besimin se arsimi shtrihet përtej teksteve shkollore, Shkolla Finlandeze krijon një mjedis që nxit mësimin përmes praktikës, lojës, dhe kreativitetin. Gërshetimi unik i standardeve ndërkombëtare dhe filozofisë arsimore të Finlandës iu ofron nxënësve një avantazh të veçantë ndërsa përgatiten për të studimet e tyre në vende të ndryshme të botës.

Për më shumë informata rreth Shkollës Finlandeze dhe qasjes së saj në edukimin me standard ndërkombëtare me qasjen unike të sistemit finlandez të arsimit, vizitoni shkollën apo kontaktoni në [email protected] ose +383 45 235 650./KultPlus.com

Kangë e shkruar nga Esad Mekuli për Sehadeten

Poezi e shkruar nga Esad Mekuli. Esad ishte i martuar me Sehadete Dokon. Sehadete Doko-Mekuli ishte një gjinekologe dhe pedagoge universiteti.

( Sehadetit, shoqes sime )

Flokët tashma m`u zbardhën,
kaloi e marra rini –
e unë ende nuk të gjeta!
Mbi flatrat e vjetve
e të andrrave
zbulova kudo
nga një pjesë tandën.
****

Mbi flatrat e vjetëve
e të andrrave
kaq herë zbulova në tjera
ty – shoqe të andrrueme,
ty, të vetmen, që me sy të ambël më shikon
e më përkdhel me za që në zemër prek.

****
Në vjeshtën e jetës sime,
në vetminë time
Solle dhuratat e para
të gëzimit
pranveror:
pranë teje
jeta m`u ba dy herë ma e bukur
( se vetëm së bashku me grua, njeriu bahet Njeri)
bashkëshortja ime flokëverdhë,
gruaja ime e dashtun! /KultPlus.com

92 vjet nga lindja e ikonës së kinematografisë shqiptare, Tinka Kurti

Sot janë bërë 92 vjet nga lindja e artistës së madhe të skenës dhe e kinemasë shqiptare, Tinka Kurti

Kurti lindi më 17 dhjetor te vitit 1932 në Sarajevë. Ajo ka lindur dhe është rritur në një familje artëdashëse pasi nëna e saj në rininë e vet ka qenë aktore kryesore në Teatrin Kombëtar të Sarajevës në Bosnje dhe Hercegovinë.

Arsimin bazë 7-vjeçar ajo e mori në Sarajevo dhe kur ishte vetëm 13 vjeç familja e saj u shpërngul për në qytetin e Tiranës ku vazhdoi edhe studimet në Politeknikumin e Tiranës.

Ajo rastësisht u regjistrua për të studiuar në degën e Dramës në shkollën e mesme të Dramës së asaj kohe. Shumë pak kohë pasi kishte filluar të ndiqte studimet në këtë specialitet, ajo u përjashtua nga shkolla me motivacionin  “shfaqje të prirjeve liberale”.

Ishte pikërisht regjisori Andrea Skanjeti ai që pikasi talentin e saj të jashtëzakonshëm për ta rikthyer Tinkën edhe njëherë tjetër në skenë me shfaqjen “Dasëm Shkodrane”. Pas themelimit të Teatrit “Migjeni” në qytetin e Shkodrës ajo bëhet pjesë e trupës si aktore gjysmë profesioniste dhe ishte gjithashtu ndër 10 aktorët që themeluan institucionin e qytetit të Shkodrës.

Ishte çmimi “Aktorja më e mirë e Republikës” dhe kupa e festivalit në Festivalin e parë të Teatrit Shqiptar që e ngjitën aktoren Tinka Kurti në kategorinë e aktorëve profesionistë me rolin në shfaqen “Toka Jonë” me regji të Kol Jakovës.

Gjatë karrierës së saj aktorja Tinka Kurti ka interpretuar rreth 260 role në skenën e teatrit dhe 95 role në kinematografi.

Në 1994 ajo hyri në Enciklopedinë e Institutit Biografik Amerikan si një nga 5,000 gratë më të shquara në botë dhe madje më 17 Dhjetor 2007 ajo u ftua në Uashington (SHBA) për të vendosur një pllakë mermeri me emrin e saj në këtë Institut.

Roli i saj më i fundit do të ishte në kinematografi në filmin “Bota” (2014).

Tinka për karrierën e saj artistike është vlerësuar me Çmime dhe Tituj të tjerë si  Artiste e Merituar & Artiste e Popullit 1961, me urdhërin “Grand Master” i akorduar nga Presidenti i Republikës për veprimtarinë e saj artistike. /atsh/ KultPlus.com

Pipa: Parandalim i shkatërrimit dhe dëmtimit të pasurisë kulturore

Në drejtimin e kryetares Mimi Kodheli, u zhvillua mbledhja e radhës e Komisionit për Politikën e Jashtme.

Në këtë mbledhje, komisioni shqyrtoi dy projektligje.

Për projektligjin “Për ratifikimin e Konventës së Këshillit të Evropës për veprat penale që lidhen me pasurinë kulturore, bërë në Nikosia, më 19.5.2017”, të ftuar ishin Lira Pipa, zëvendësministre e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe stafi shoqërues.

Në prezantim të këtij projektligji Pipa, u shpreh se, qëllimi i ratifikimit të kësaj konvente është bërja e këtij akti ndërkombëtar pjesë të kuadrit ligjor të brendshëm, duke synuar kështu parandalimin e shkatërrimit, dëmtimit dhe trafikimit të pasurisë kulturore si dhe promovimin e bashkëpunimit kombëtar dhe ndërkombëtar në luftimin e veprave penale që lidhen me pasurinë kulturore.

Relatori Petro Koçi tha se ratifikimi i Konventës së Këshillit të Evropës për Veprat Penale që lidhen me Pasurinë Kulturore qëndron në kuadër të bashkëpunimit me vende të tjera, me qëllimi parandalimin e shkatërrimit, dëmtimit dhe trafikimit të pasurisë kulturore.

Pas diskutimeve, ky projektligj u miratua në parim, nen për nen dhe në tërësi.

Për projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes kuadër të huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe bankës për zhvillim të Këshillit të Evropës, për financimin e projektit “Laboratorët inteligjentë (smart labs) – digjitalizimi i sistemit arsimor shqiptar”” të ftuar ishin Kesiana Halili drejtoreshë e Përgjithshme e Borxhit Publik, Elona Mistrovica drejtoreshë në drejtorinë e Marrëdhënies së Sigurimit dhe Ndihmës së Huaj, etj.

Halili, në fjalën e saj të prezantimit të këtij projektligji, u shpreh se ky projektligj synon ratifikimin e marrëveshjes kuadër të huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës, për financimin e projektit “Laboratorët inteligjentë (Smart Labs) – digjitalizimi i sistemit arsimor shqiptar”, me qëllim akordimin e një huaje, në shumën 27 000 000 euro, për projektin e mësipërm. Ky projekt bashke financohet nga një grant ËBIF, në shumen 10 milionë euro.

Relatorja e çështjes, Klodiana Spahiu, vuri në dukje se faza e tretë e këtij projekti, synon ta shtrijë këtë iniciativë në 615 shkolla te vendit, duke rezultuar ne 654 Smart Labs-e të rinj. Kjo nismë gjithëpërfshirëse po revolucionarizon mënyrën se si teknologjia dhe kodimi mësohen në shkolla, duke përgatitur studentet me aftësi thelbësore për të ardhmen.

Pas diskutimeve, anëtarët e komisionit e miratuan këtë projektligj në parim, nen për nen dhe në tërësi./atsh/KultPlus.com

Kur Mekuli i shkruante gruas: Ti hymn i përjetshëm i përtërimjes, i gëzimit njerëzor, i vet jetës

Poezi nga Esad Mekuli

Perdja e robnisë

Ti nuk je krijesë e përbuzun, e mbrapsht.
Jo, as rob, as djall nuk je!
Ti nuk je mallkim për njerëzimin.

Je pjesë e pandashme pa të cilën nuk mund të mendohet jeta e njeriut – pa të cilën ajo nuk mundet me qenë…
Femën, ti hymn i përjetshëm i përtërimjes, i gëzimit njerëzor, i vet jetës!

Ti bashkëluftare në rrugët për qëllimet e nalta njerëzore,
për mbërrijtjen e lumnisë së të gjithë njerëzve,
mbarë njerëzimit!

Esad Mekuli
Prishtinë
1949
 / KultPlus.com

Në Hijen e Shpresës: Pranë Bunkerëve të Naftës

Atdhe Hykolli

Aeroporti ishte një skenë që i ngjante një labirinti të vdekur, ku çdo hap ishte një vendim që mund të ndryshonte gjithçka. Ne, ishim vendosur pranë bunkerëve të naftës dhe benzinës. Një vendndodhje që, nga njëra anë, dukej strategjike për të shmangur vëmendjen e artilerisë, por nga ana tjetër, ishte një bombë e fshehur që mund të shpërthente në çdo moment.

Bunkerët ishin të mbuluar me shtresa të trasha betoni, të ndërtuara për të mbrojtur rezervat jetike nga ndonjë sulm. Megjithatë, edhe pse na jepnin një farë sigurie nga jashtë, çdo shpërthim afër mund të ndezte gjithçka. Ajri aty ishte i rëndë, i përzier me aromën e naftës që dukej sikur ngjitej në lëkurë dhe nuk të largohej kurrë.

Më kujtohet si sot, sesi heshtja e frikshme ndërpritej vetëm nga të çarat e dëshpëruara të natyrës për të mbijetuar. Një zhurmë në distancë na paralajmëroi për avionët që afroheshi përsëri. Një burrë pranë meje, i cili dikur punonte si mekanik në aeroport, pëshpëriti: “Nëse godasin këtu, s’ka mbetur asgjë nga ne.”

Megjithatë, askush nuk lëvizi. Lodhja dhe rrethanat kishin bërë që të mos kishim më fuqi as për të menduar për një plan të ri. E vetmja gjë që mund të bënim ishte të prisnim. Ndërkohë, një grua filloi të përgatiste një copë bukë për dy fëmijët e saj të vegjël. Nuk kishte asgjë të tepërt për ne të tjerët, por askush nuk u ankua. Vetëm pamë dhe dëgjuam zhurmën e avionëve që kalonin përsipër.

Papritur, një shpërthim i fuqishëm shpërtheu në distancë. Tokat përreth bunkerëve dridheshin, sikur vetë toka po bërtiste. Një shpërthim tjetër ndodhi më afër. Zhurma e saj ishte aq e madhe, sa na lëshoi të gjithë përtokë. Aroma e tymit u përhap si një hije që po përpiqej të na mbytë. E pashë njëri prej bunkerëve të dridhej, dhe për një moment, mendova se gjithçka do të mbaronte aty.

Por nafta nuk mori flakë atë natë. Si me një mrekulli, bunkerët e qëndruan stoikë, ndërsa ne, të shtrirë mbi dhe, mezi arrinim të mbanim frymën. Dikush filloi të lutej në heshtje. Ishte hera e parë që dëgjova një zë njerëzor pas disa orësh, një zë që nuk ishte i thyer nga frika, por nga shpresa.

Kur zhurmat më në fund pushuan, dolëm nga strehimi ynë i improvizuar për të parë dëmet. Një pistë aty pranë ishte bërë pluhur, ndërsa bunkerët përreth nesh dukeshin të paprekur, edhe pse me disa çarje. Atë natë, mësova diçka për frikën dhe shpresën. Frika ishte gjithmonë aty, si një hije që të ndiqte kudo. Por shpresa… shpresa ishte dritë që shfaqej në momentet më të errëta. Ishte ajo që na mbajti të qëndronim aty, pranë bunkerëve të naftës, në vend që të vraponim larg.

Në fund, nuk ishte vetëm mbijetesa fizike që na mbajti gjallë. Ishte lidhja jonë me njëri-tjetrin, ndarja e dhimbjes dhe shpresës mes nesh, që na bëri të përballonim një tjetër natë. Dhe ajo lidhje, në atë vend të mbushur me naftë e rrezik, ishte më e fuqishme se çdo shpërthim.

Lufta e Kosovës, përfaqëson një nga periudhat më të errëta dhe më të tmerrshme në historinë e popullit shqiptar. Ato ditë ishin plot vuajtje, dhimbje dhe sakrifica të jashtëzakonshme, ku secili njeri u gjend përballë një beteje për mbijetesë – jo vetëm fizikisht, por edhe shpirtërisht.

Në atë kohë, shkatërrimi dhe humbjet ishin të pranishme në çdo hap. Familjet ndaheshin, fshatra të tëra digjeshin dhe qytetet bëheshin arenë dhune. Por në mes të gjithë atij tmerri, guximi dhe qëndresa e njerëzve të zakonshëm ngriheshin si një dritë që nuk shuhej kurrë. Të gjithë ata që përjetuan luftën mbartin një barrë të rëndë kujtimesh, që nganjëherë janë shumë të dhimbshme për t’u ndarë.

Bombardimet e NATO-s kishin nisur (24 mars 1999), dhe presioni ndaj forcave serbe ishte në rritje. Ndërkohë, në terren, shqiptarët po përballeshin me masakra të tmerrshme, dëbime masive dhe shkatërrime. Familjet qëndronin të fshehura në pyje, apo ndërtesa të braktisura, ndërsa kolonat e refugjatëve zgjateshin kilometra të tëra. Ishte një kohë ku çdo ditë ndjehej si një betejë mes jetës dhe vdekjes.

Për shumë, aeroporti, vendet pranë rezervave të naftës, ose objekte të tjera strategjike, ishin vende që frymëzonin frikë, pasi ato ishin objektiva të sulmeve ajrore. Në ato zona, njerëzit mbijetonin me frymëmarrje të ndalur, duke pritur që shpërthimi i radhës të mos i kapte ata./ KultPlus.com

Lumnije Kqiku në ‘Top 100 Mjekët’ më të mirë në botë

Lumnije Kqiku është mjeke dhe ligjëruese në Universitetin e Mjekësisë në Graz Austri. Më 12 dhjetor të këtij viti Lumnije Kqiku shpallet si një nga mjekët më të mirë në botë, duke u përfshirë në listën “Doctor-to-Doctor’s Top World’s 100”.

Ky çmim është një arritje e jashtëzakonshme që vlerëson punën e palodhur dhe përkushtimin e mjekëve që kontribuojnë në avancimin e fushës së shëndetësisë dhe dentistrisë.

Pjesëmarrësit në këtë listë përzgjidhen sipas një sërë kriteresh, të cilat përfshijnë nivelin e arsimit të mëtejshëm, ekspertizën specialistike dhe një angazhim të thellë në kërkimin shkencor.

Lumnije Kqiku ka treguar njohuri të shkëlqyera në fushën e saj, duke u shquar për aftësitë e saj profesionale. Kjo njohje nuk është thjesht një çmim, por një testament i përkushtimit të saj për t’i shërbyer fushës se shkencës dhe edukimit.

Një nga aspektet që e dallon Kqikun është angazhimi i saj në organizimin e kongreseve, konferencave dhe seminareve, leksioneve dhe aktiviteteve kërkimore.

Ajo ka pasur një rol aktiv në promovimin e praktikave të reja dhe inovative në dentistri, sidomos traumatologji dhe endodoncion, duke ndihmuar kolegët e saj të përmirësojnë shërbimet që ofrojnë.

Këto aktivitete e vendosin atë si një lidere në fushën e saj, duke i dhënë zë njohurive dhe përvojave të saj, dhe kështu duke kontribuar në ndërtimin e një komuniteti më të fuqishëm profesionalisht.

Përveç angazhimeve të saj në edukim dhe kërkimin shkencor, Kqiku ka përmirësuar format e përdorimit të teknologjisë në praktikën dentare. Ajo ka implementuar teknologji inovative që kanë revolucionarizuar trajtimin dhe menaxhimin e pacientëve sidomos atyre me traumë akute dento – alveolare. Këto ndryshime jo vetëm që përmirësojnë efikasitetin e procedurave, por gjithashtu rrisin kënaqësinë dhe besimin e pacientëve në trajtimet dentare.

Kjo qasje e përparuar për të lehtësuar proceset praktike e bën Kqikun një model për mjekët e tjerë dhe një frymëzim për brezat e ardhshëm të profesionistëve të shëndetësisë.

E gjithë kjo punë e palodhur dhe angazhimi i përgjegjshëm për të sjellë ndryshime të dukshme në fushën e mjekësisë e bëjnë Kqikun meritore për këtë nder të lartë. Ky çmim nuk është vetëm një arritje personale, por një reflektim i përmirësimit të vazhdueshëm dhe angazhimit për të ofruar shërbime cilësore shëndetësore. \

Kqiku ka marrë shumë çmime kërkimore dhe është ftuar në shumë vende ku ka mbajtur leksione të shumta “keynote” dhe ka shërbyer si eksperte e endodontikës dhe traumatologjisë dentare.

Ajo është anëtare e shumë shoqatave dentare vendore dhe ndërkombëtare. Në prill të vitit 2023, Kqiku është nderuar me Çmimin “Personalitet Nderi me medalje të artë” nga Qyteti i Graz-it të Austrisë.

 “Çmimit për Arritje Jetësore”, do te behet në qershor 2025 në Sardegna të Italisë./ KultPlus.com

Mbrëmje letrare me poetin Lulzim Tafa

Në shenjë të kremtimit të festave të fundvitit, të mërkurën, më 18 dhjetor 2024, në orën 19:00, KultPlus organizon Mbrëmje Letrare me poetin e njohur, Lulzim Tafa.

Në këtë mbrëmje do të marrin pjesë personalitete të jetës kulturore dhe akademike, poetë, aktorë, lexues të poezisë dhe miq të poetit.

Në këtë mbrëmje do të lexohen poezi nga krijimtaria e poetit Lulzim Tafa, poezi që do të shoqërohen me tinguj të kitarës dhe shije të verës.

Pjesëmarrja është vetëm me ftesa./ KultPlus.com

‘Jam i varfër, po i lirë, ndaj më pëlqen varfëria’

Shkruan: Andon Zako Çajupi

Varfëria dhe Liria

Jam i varfër, po i lire,
ndaj më pëlqen varfëria;
kush do të rrojë më mirë,
s’urdhëron dot veten e tia.
Mbreti, sikur të më thotë:
«Hajde në pallat me mua,
të gëzosh dhe ti në botë^,
do t’i them: «Zot, nukë dua;
për të ngrën’ e për të pirë
nukë mund të shes lirinë;
i varferi rron më mirë
s’ai që do madhërinë.
S’më duhet ergjëndi mua,
dua lirine dhe ndere,
dua te bej si te dua,
jo si te duan te tjere.
Kush mund e ben si do vete,
ben si thote Perendia,
nuke ka ne kete jete
gje m’e vyer se liria. /KultPlus.com

Fjalimi historik i Esad Mekulit për Çamërinë

Fjalimi epik i Esat Mekulit për Çamërinë.

Është viti 1941…, Pejë!

“Kosova dhe Çamëria kanë çelë plagë të randa dhe të paharrueshme në trupin e popullit t’onë, por i kanë dhanë edhe eksperiencë të madhe Shqipnisë së lirë dhe të bashkueme sot e mbrapa me vendet që ia kishin grabitun. Po flas si djalosh i Kosovës shqiptare, i Kosovës qi në ditën e sodit po lirohet përgjithmonë prej zgjedhës, me dishirin e madh dhe të pashkimun qi Kosova shqiptare t’i bashkohet Shqipnisë së lirë, qi vllaznit tonë, të çdo feje qofshin, t’a ndjejnë me zemër se janë vllazen rreth qëllimit dhe punës së përbashkët.

Zemrat t’ona le të jenë të mëdhaja dhe veprat t’ona edhe ma të mëdhaja, terrori qi anmiqt mbuellën nëpër fushat tona të buta dhe pjellore le të jenë nji herë e mirë mësim për bashkimin t’onë rreth idealeve të përbashkëta. Besa dhe dashunija vllaznore le të jenë të mëdha, sikurse ka qenë e madhe vuejtja e jonë deri tash, pse Shqipnia duhet me kenë e njishme, e pandashme, e pacoptueme.”/ KultPlus.com

Helen Maria Turner, gruaja amerikane që sfidoi mbretërit e impresionizmit

Helen Maria Turner e nisi pikturën në moshën 22-vjeçare dhe rrugëtoi në eterin e artit deri në vitin 1949, derikur katarakti do t’i dobësonte të parit deri në verbim.

Udhëtoi në art, modestish dhe ngulmueshëm, duke krijuar një emër dhe një identitet krijues unik.

Pavarësisht se modelet e saj ishin gratë dhe vajzat e familjes dhe tematika nuk e tejkaloi realitetit e përditshmërisë, realizimet punë mjeshtërore.

Bëri gjeniun pa ditur se çfarë saktësisht ishte ajo që po bënte.

Kujtojmë se ajo u gjet në art si një përjashtim, ndoshta nga një ëndërr, nga një goditje fati, apo diçka që shpesh kritikët nuk i gjejnë shpjegim, por nuk e përjashtojnë. Teknika e aplikuar dhe realizimi janë mbresëlënëse, janë mëtime të atyshme arti që marrin jetë në një dimension mistik. U tha dhe u provua se tablotë e Turner janë impresioniste dhe jo më impresionuese është e vetë artistja, te gruaja dhe mësuesja.

Çfarë bënë më shumë se Helen Maria Turner, etrit e impresionizmit, Claude Monet, Pierre-Auguste Renoir, Alfred Sisley, and Frédéric Bazille, apo Camille Pissarro, Paul Cézanne dhe Armand Guillaumin. Ndryshe nga Turner, ata e dini se ç’po bënin, gjithashtu ata e shitën poetikën e ngjyrës dhe befasinë e depërtimit të dritës, lojën e furçës dhe zhdërvjelltësinë e pastelit, dinamikën e panoramës dhe pulsin e portretit, me çmimin e lavdisë. E gjithë kjo gamë lexueshmërie e mjeshtërisë së pikturimit, në përgjithësi dhe impresionizmit në veçanti, ndodhen të shkrira në tablotë e amerikanes Helen Maria Turner.

Gratë në tablonë e Helen Turner kanë një statikë që përshkohet nga një dritë që reflekton çdo penelatë si në çdo pore, duke i bërë ata inkandeshente dhe të njëtrajtshme me sfondin. Ngjyra është shkrirë me dritën dhe hera-herës, ajo ndizet duke krijuar një lojë manipulimit të efektit mbi shkasin, të subjektit me sfodnin, të tipareve me njësimin e elementeve që interferojnë në tablo.

Punët e Helen Maria Turner dallojnë për natyrshmërinë e lojës endëse të ngjyrshmërisë që sendërgjon imazhin, për theksimin e butë dhe përshkues të dritës dhe efektet e perceptueshëm, të kësaj akrobacie në kohje dhe këndshikim. Njerëzorja merr shkas në tablotë e piktores me një atyshmëri dhe puls të gjallë, sikur mijëra penelat dalin nga spektri i shpërthimit të dritës, që godet duke e ngrirë çastin.  

Cila është Helen Maria Turner?

Ndryshe nga artistë të tjerë të penelit, Helen Maria Turner e gjen veten në pikturë në një moshë kur zakonisht të tjerët kulmojnë. Megjithatë mosha 22-vjeçare kur ajo trokiti në portat e mëdha është një kapërcyell i hovshëm impulsesh dhe vetëdijësimesh. Pas ka mbetur rinia, kanë mbetur përvojat e netëve të gjata e ditëve zjarrvënëse të pasionit. Pas ka mbetur gjithçka dhe përpara ajo ka artistin, ka sfidën të bëhet një piktore që do të ketë emrin e famën e Helen Maria Turner. Mësuesja amerikane në pikturë, u bë e njohur për punët e saj në borja vaji, pastel, me të cilat ajo krijoi miniatura, peizazhe, dhe portrete, shpesh në stilin impresionist .

Jeta dhe karriera

Turner lindi më 13 nëntor 1858 në Louisville, Kentucky ndërsa prindërit e saj, Mortimer Turner dhe Helen Maria Davidson, ishin në një vizitë familjare në qytet. Ajo ishte stërmbesa e John Pintard nga Nju Jorku, mbesa e një mjeku të njohur të New Orleans dhe vajza e një biznesmeni të pasur nga Luiziana.

Turner kaloi pjesën më të madhe të fëmijërisë së saj të hershme, midis Aleksandrisë, Luiziana dhe Neë Orleans, dhe shumë shpejt u bë refugjate nga situata e provokuar e Luftës Civile Amerikane, e cila shkatërroi pasurinë e babait të saj dhe çoi në humbjen e biznesit të saj.

Nëna e saj vdiq në 1865 pas një sëmundjeje të gjatë. Ishte vetëm 13 vjeç kur humbi edhe babain, duke mbetur nën kujdesin e një xhaxhai beqar nga New Orleans, i cili jetonte në “varfëri fisnike”.

Si aspirante për piktore filloi të merrte mësime falas të ofruara nga Universiteti Tulane, duke vazhduar nën drejtimin e Andres Molinary dhe Bror Anders Wikstrom, Gjithashtu ajo studjoi në Shoqatën e Artistëve në New Orleans .

Vdekja e xhaxhait më 1890 i hodhi mbi supe gjithë barrën e jetës. Kosokohe ajo zuri një pozicion si mësuese arti në St. Mary’s Institute, një shkollë vajzash në Dallas, Texas, duke filluar nga viti 1893. U transferua në New York City më 1895 për studime të mëtejshme dhe ndoqi Lidhjen e Studentëve të Artit ku u pranua pavarësisht se ishte mbi kufirin e moshës, Cooper Union dhe Universiteti Columbia; mësuesit e tij përfshinin Arthur Wesley Dow, Kenyon Cox, William Merritt Chase dhe Douglas Volk.

Motra e saj Laurette, një artiste tekstili, erdhi më të në Nju Jork. Turner udhëtoi me Chase dhe klasën e tij në Itali më 1904, 1905 dhe 1911, një udhëtim që nuk la gjë tek ajo.

Turner dha mësim në YWCA për shtatëmbëdhjetë vjet, duke filluar me një kurs të ri në hartimin e kostumeve. Nga viti 1906 ajo qëndroi në Koloninë e Artistëve në Cragsmoor, Nju Jork, ku u prezantua nga Charles Courtney Curran, duke vazhdaur atje me pak ndërprerje, deri në vitin 1941.

Në vitet e hershme mori me qira një hapësirë ​​atje, por më 1910 arriti të ndërtonte një shtëpi dhe studio të quajtur Takusan. Motra e saj Lettie vdiq në vitin 1920. Më 1926 ajo u kthye në New Orleans dhe u vendos atje, duke udhëtuar në veri vetëm për sezonin e verës. Në New Orleans ai vazhdoi të jepte mësim në Klubin e Arteve dhe Artizanatit.

Ajo u zgjodh anëtare e Akademisë Kombëtare të Dizajnit më 1913, duke marrë 61 nga 64 vota, dhe u zgjodh gjithashtu anëtare me të drejta të plota më 1921, duke qenë kështu gruaja e tretë me këtë status dhe një nga akademiket e para në Shtetet e Bashkuara jugore.

Për më tepër, mund të shtojmë se më 1916 William T. Evans e quajti atë Anëtare e Artistëve të Jetës në Klubin Kombëtar të Arteve, duke patur privilegjin të ishte gruaja e parë që ju dha ky nder.

Ajo vijoj të pikturonte deri në vitin 1930. Problemet me shikimin të cilat erdhën gjithnjë duke u agravuar e vranë përdhunshëm tek ajo të drejtën për të hedhur art në tablo. Vdes më 31 janar 1958. /albertvataj/ KultPlus.com

105 vite nga vdekja e piktorit të shquar francez, Pier-August Renuar

Pier-August Renuar, i njohur si August Renuar, lindi në 25 shkurt 1841 në Limoges në një familje artizanësh. Piktor, skulptor dhe skalitës i famshëm i artit figurativ francez, ku spikat shumëllojshmëria e ngjyrave dhe stilistika impresioniste, së cilës iu qas edhe botëkuptimi i tij krijues. August Renuar ishte një nga përfaqësuesit më të spikatur të impresionizmit, vëzhgues i mprehtë i bukurisë dhe sensualitetit, sidomos atij femëror. Prej vitit 1881, “Dreka e varkëtarëve” vijon të mbetet një nga pikturat më të famshme të Pier-August Renuar. I ruajtur në muzeun e parë të artit modern në Shtetet e Bashkuara, Philips Collection of Washington, piktura portretizon një skenë të jetës së përditshme, që zhvillohet në një fshat të vogël përgjatë Senës, ku lundruesit takohen për të drekuar me miqtë dhe të njohurit. Në atë që duket të jetë një fotografi e thjeshtë e një çasti, fshihen aluzione të ndryshme për biografinë e piktorit dhe për revolucionin që ai zbatoi në fushën e pikturës.

Autori bën të pavdekshëm një çast kalimtar

Përtej risive të pikturës, impresionistët qenë gjithashtu dëshmitarë të epokës së tyre. Renuarit i pëlqente të pikturonte Parisin dhe parizianët, vallëzimet, takimet në kafene, duke e trajtuar të përditshmen me të njëjtin dinjitet që piktura e kohës i rezervonte temave biblike, historike dhe mitologjike. Të themi të drejtën, “Dreka e varkëtarëve” përçon meritën e të kthyerit në të pavdekshëm një çast të jetës së përditshme për ta bërë atë të përjetshme. Edhe sot, kur shikojmë këtë pikturë, duket se perceptojmë nxehtësinë e rrezeve të diellit teksa depërton përmes perdeve të kuqe të restorantit, por edhe freskinë e gjelbërimit rreth e rrotull. Na krijohet përshtypja sikur dëgjojmë bërbëlitjet e hareshme, kundërmimin e verës dhe aromat e frutave që vijnë nga tryeza e shtruar. Në vitet në të cilat lindi fotografia, piktorët e shikuan realitetin me syrin e atyre që duan të ngrijnë atë që ia mbath dhe zgjatet në perceptimin e realitetit në ndryshimin e tij. Pra, për konturet parapëlqehet ngjyra, në vend të penelatave të gjata dhe solemne ato të shpejta dhe të shkurtra, vlerësimit të proporcioneve studimi i dritës dhe reflektimet e saj./Konica.al

Është vendosur në një fshat francez

Kjo është tabloja e fundit që Renuari pikturoi para se të nisej drejt Italisë dhe paraqet gjurmët e një ndryshimi që është në rrugë e sipër, duke përfshirë, për shembull, pëzgjedhjen e mjedisit. Në fakt, nga Parisi zhvendosemi në një fshat në ishullin Chatou, ku dikur ngrihej restoranti Fournaise, një vend takimi për lundërtarët dhe një vend i dashur dhe i frekuentuar prej kohësh nga piktori. I ndërtuar në vitin 1857 nga marangozi Alphonse Fournaise, fillimisht godina përdorej për dhënien e varkave me qira. Në ato vite kanotazhi po shndërrohej në një nga sportet e preferuara të parizianëve, kështu që shumë shpejt Fournaise u zgjerua në restorant dhe hotel të vogël. Renuarit i pëlqente të kalonte ditët në “Fournaise” me partneren Aline dhe e shlyente faturën e ushqimit me piktura që kishin si sfond lokalin ose peizazhin përreth.

Njerëzit në pikturë janë miq të Renuarit

Tablonë “Dreka e varkëtarëve” e gjallërojnë katërmbëdhjetë personazhe dhe, nëse i vëzhgojmë ata nga afër dallojmë fytyra të njohura. Rreth tryezës së shtruar, mblidhen miqtë dhe të njohurit e piktorit, mes të cilëve edhe shoqëruesja dhe gruaja e ardhshme Aline Charigot, e portretizuar në plan të parë ndërsa luante me qenin. Tek vajza e menduar mbështetur në balustradë dallohen qartë tiparet e Alphonsine Fournaise, më pas gjejmë Paul Lhote me kapelën në formë cilindri, Charles Eprussi (në sfond me borinë), një bankier pasanik, të cilin Renuari e njohu në sallonin e  Charpentier, por edhe Antonio Maggiolo, gazetar i cili ishte larguar nga Italia për të provuar fatin e tij. Po ashtu edhe Alphonse Fournaise, djalin e pronarit të restorantit, mbështetur në balustradë veshur me kanotiere të bardhë lundërtari dhe një kapelë kashte. /KultPlus.com

108 vite nga lindja e poetit Esad Mekuli

Esad Mekuli lindi ne Plavë më 17 dhjetor të vitit 1916. Ishte poet dhe përkthyes shqiptar. Më 1949 themeloi revistën letrare “Jeta e re”, kryeredaktor i së cilës ishte deri më 1971. Ai kreu doktoraturën në Beograd më 1959, shkruan KultPlus.com

Si student përparimtar ai u burgos në vitin 1940 dhe qëndroi në burgun famëkeq “Gllavinjaqa”, prej nga u amnistua me 2 prill të vitit 1941.

Pas daljes nga burgu u paraqit vullnetar dhe punoi si veterinar ushtarak në Pejë. Këtu në vitin 1942 e burgosën për shkak të punës ilegale dhe bashkëpunimit me lëvizjet çlirimtare.

Ka qëndruar i burgosur në Kullën e Sheremetit. Pas lirimit, ai u gjend herë në Zagreb, herë në Tiranë, madje edhe në Itali. Esad Mekuli ishte kryetari i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, nismëtar, themelues dhe kryetar i parë i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Esad Mekuli vdiq në Prishtinë me 6 gusht 1993./ KultPlus.com

Pjesë e UNESCO-s, Rama ndan videon e “K’cimit të Tropojës” në sheshin “Nënë Tereza”

“K’cimi i Tropojës” u shpall në fillim të muajit dhjetor zyrtarisht pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit në UNESCO.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar mbrëmjen e sotme një video në rrjetet sociale ku mund të shihet nëpërmjet një platforme digjitale vallëzimi i “K’cimit të Tropojës” në sheshin “Nënë Tereza”.

“K’cimi i Tropojës pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit në UNESCO”, shkruan kreu i qeverisë.

Kjo ngjarje shënon moment të rëndësishëm për ruajtjen dhe transmetimin brez pas brezi, por edhe promovimin e trashëgimisë sonë kulturore përtej kufijve lokalë.

Formulari i kandidimit të dukurisë së Kcimit të Tropojës për “Representative List of Intangible Cultural Heritage of Humanity” u dorëzua në mars 2021.

“K’cimi i Tropojës” është një tjetër element unik shqiptar që prezantohet për këtë listë, i cili promovon pasurinë kulturore shqiptare në skenën ndërkombëtare.

“K’cimi i Tropojës”, i njohur gjithashtu si “K’cim Veni”, është një vallëzim festiv që ka ruajtur vitalitetin e tij ndër shekuj. Ai përfshin elementë të artit performues, traditave gojore, ritualeve dhe ngjarjeve festive. Përgjatë viteve, kjo traditë ka mbetur një simbol i identitetit dhe bashkimit për banorët e Tropojës dhe Malësisë së Gjakovës.

Vallëzimi interpretohet në raste të ndryshme ceremoniale dhe shoqërore, si dasma, fejesa dhe festa lokale. Lëvizjet e tij ritmike, të shoqëruara me tupan, çifteli dhe fyell, simbolizojnë energjinë dhe gëzimin që karakterizojnë këtë komunitet. Performancat shpesh përfshijnë veshje tradicionale dhe shami të kuqe ose të verdhë, duke ruajtur kështu autenticitetin e elementit./atsh/ KultPlus.com

Në KultPlus Caffe Gallery hapet ekspozita ‘Leka’, artistja Fitore Syla sjell lekat në një format artistik ndriçues

Vjollca Duraku

Në KultPlus Caffe Gallery sonte është hapur një ekspozitë e veçantë nga artistja dhe dizajnerja Fitore Syla, duke sjellë në llampa ndriçimi lekat (pocërrkat) të cilat janë përdorur në të kaluarën në familjet shqiptare.

Kjo prurje e re artistike vjen si gërshetim i tradicionales me modernen, duke sjellë një format mjaft të veçantë të ekspozitës me një eco-design, plotë ngjyra dhe ngrohtësi.

Nën ndriçimin e lekave artistike, në mesin e shumë miqve dhe familjarëve të artistes Syla, ceremonia u shpall e hapur nga drejtoresha e mediumit KultPlus Ardianë Pajaziti, e cila tha se ndihej e mrekulluar për këtë ekspozitë shumë më të veçantë nga ato që zakonisht ekspozohen në galerinë e saj.

Të sjellim produktin e natyrës brenda një galerie për ne është hera e parë. Kjo ka ardhur nëpërmjet idesë së Fitores, e cila e ndërlidh edhe trashëgiminë tonë ndër vite qysh prej gjysheve e nënave tona, sepse në të kaluarën leka është përdorur për larje dhe për efekte shëruese”, ka thënë drejtoresha Pajaziti.

Kurse, artisti Zeni Ballazhi ekspozitën e ka cilësuar si të veçantë duke i krahasuar objektet e ekspozuara me personazhe, për shkak të shumëllojshmërisë dhe ndryshueshmërisë së tyre.

Artistja na ka sjellë një ekspozitë mjaftë të veçantë, duke u nisur nga objektet apo personazhet, sepse mua po më duken si personazhe të ndryshme pasi që asnjëra nuk është e njëjtë. Mënyra e prezantimit të tyre është tepër e veçantë, ashtu siç është edhe vetë artistja në këtë rast”, ka thënë artisti Balazhi.

Më tej, ai e ka përgëzuar artisten Syla për këtë gjetje unike sipas tij, e cila ngërthen elementin e së bukurës dhe të vërtetës.

“Në këtë rast Fitorja me këto punime tregon që përveç objektit të gatshëm (nga natyra) të transformuar në një objekt ndryshe, siç janë llampat, e pastaj  duke e kthyer në një ekspozitë, në të cilën ne shohim qoftë edhe personazhe, apo zbulojmë diçka më shumë se sa ajo e përditshmja, mund të themi që kjo lloj ekspozite i posedon edhe të bukurën edhe të vërtetën”, ka thënë artisti Ballazhi duke e përgëzuar edhe drejtoreshën e Galerisë KultPlus e cila u ka ofruar artistëve një ambient shumë të ngrohtë.

“Fitores i uroj suksese, krijimtari të gjatë, në këtë hulumtim që nuk është i rastësishëm. Besoj që është një hulumtim edhe më i thellë se kaq, në aspektin historik dhe tradicional. Në aspekt tradicional shohim që këto nuk janë të rastësishme, në këtë rast të kthyera në një kreaturë mjaftë bashkëkohore moderne siç i shohim sot. Unë besoj që këto do të rrugëtojnë jo vetëm në Kosovë, por edhe në arenën ndërkombëtare”, ka thënë Ballazhi.

Ndërsa, vetë artistja Syla nën emocione të shumta e ka treguar edhe lidhshmërinë që kanë lekat me të, familjen e saj dhe fshatin e saj të lindjes, Bresalc të Gjilanit.

“Është pak emocionuese sepse si produkt më shumë lidhet me anën familjare, emocionale se sa edhe me anën vizuele, edhe pse njerëzit mund ta shohin në këtë formë. Por, si storje qëndron te familja ime me vetë faktin që ne e kemi pasur një lidhshmëri me fshatin, e cila na ka sjellë deri te vlerat që ne i kemi kultivuar ndër vite ndaj punës, punës në fushë, në Prishtinë, shkollës, dijes, dhe kulturës”, ka thënë artistja Syla.

Ideja për të krijuar Leka ndriçuese artistes Syla i ka ardhur si pasojë e punës së saj në fushën e dizajnit.

Jam edhe dizajnere enterieri me profesion. Ndoshta ka qenë momenti i duhur që ka ardhur si produkti i parë në fokusin tim, dhe si i tillë ka për të qenë edhe në vazhdim. Është më i veçanti, por që i ndërlidh të gjitha elementet që unë si dizajnere dua t’i kem tash e tutje. Është një produkt që në të kaluarën është përdorur për tu larë, e që ka pasur edhe efekte shëndetësore pozitive. Në kulturën tonë lekat datojnë që janë shumë të lashta, të cilat familja jonë i ka pasur gjithmonë si dekore në shtëpi”, ka thënë Syla.

Ideja për të sjellë leka ndriçuese, ka qenë e lidhur edhe me dëshirën e saj për të krijuar diçka që lidhet me kulturën dhe historinë e vendit.

“Leka është gjetja e duhur dhe e nevojshme për çka më është dashur mua, pas tërë këtyre viteve përvojë që kam bërë. Besoj që edhe të tjerët e kanë mirëpritur. I ka vetëm gjashtë muaj që është lansuar. Është diçka me të cilën unë vazhdimisht jam duke punuar, pasi lejon të provosh dhe të eksperimentosh me të sepse si produkt po e prekë secilin. Është diçka që e ka krijuar edhe debat në shoqëri. Njerëzit kanë filluar të tregojnë histori të ndryshme se si janë larë prej gjysheve ose stërgjysheve të tyre me të. Në një farë forme e ka krijuar një koncept interesant në fushën e artit por gjithashtu edhe për mua si Fitore”, ka përfunduar artistja Syla.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për dy javë, dhe lekat të cilat janë të ekspozuara në KultPlus Caffe Gallery janë në shitje./ KultPlus.com