Gjuha shqipe hyn në komunikimet zyrtare të shkollave publike në Nju-Jork

Më 18 qershor 2025, Kancelarja e Arsimit në Nju-Jork, Melissa Avilés-Ramos, njoftoi se gjuha shqipe është shpallur zyrtarisht si një nga gjuhët e përdorura për komunikimet shkollore nga Departamenti i Arsimit të Qytetit.

Ky vendim përfaqëson një fitore të madhe dhe një epokë të re për familjet shqiptare në Shtetet e Bashkuara. Nga rreth 180 gjuhë që fliten në qytetin e Nju-Jorkut, deri më sot vetëm 10 gjuhë kanë qenë të përfshira në komunikimet zyrtare të shkollave publike. Me vendimin e fundit, shtohen edhe tri gjuhë të tjera, njëra prej të cilave është shqipja, duke e çuar numrin total në 13 (përfshirë këtu edhe anglishten).

Kjo do të thotë se çdo dokument, njoftim apo informacion i rëndësishëm që shkolla u dërgon prindërve, do të jetë i disponueshëm edhe në gjuhën shqipe. Ky zhvillim do të lehtësojë ndjeshëm përfshirjen e prindërve shqiptarë në jetën arsimore të fëmijëve të tyre.

Prej vitesh, shumë prindër shqiptarë kanë hasur vështirësi për të ndjekur nga afër jetën shkollore të fëmijëve për shkak të barrierës gjuhësore. Tani, me dokumentet në gjuhën amtare, ata ndihen të përfaqësuar dhe të respektuar. Ata mund të kuptojnë më lehtë çdo informacion, të reagojnë me më shumë vetëbesim dhe të marrin pjesë aktivisht në vendimmarrjet që ndikojnë në edukimin e fëmijëve të tyre.

Ky vendim ndihmon që edhe vetë nxënësit të ndihen të përfshirë dhe të përparojnë më mirë si në aspektin akademik, ashtu edhe në atë emocional. Fakti që shqipja është tashmë pjesë e dokumentacionit zyrtar të një sistemi arsimor si ai i Nju-Jorkut, është një mesazh i fuqishëm që ua shton vetëbesimin dhe krenarinë për prejardhjen, duke konfirmuar se identiteti nuk është pengesë, por pasuri.

Kujtojmë se këto zhvillime vijnë paralelisht me një tjetër ngjarje të rëndësishme të publikuar rreth dy muaj më parë: hapjen e klasës së parë dygjuhëshe shqip-anglisht në një shkollë publike të Nju-Jorkut. Ky model dygjuhësh u jep fëmijëve shqiptarë mundësinë të mësojnë paralelisht në të dyja gjuhët, duke ruajtur trashëgiminë kulturore dhe duke ndërtuar njohuri të thella akademike në të dy sistemet gjuhësore.

Me këto hapa të rëndësishëm, komuniteti shqiptar është më afër një arsimimi gjithëpërfshirës, ku fëmijët dhe të rinjtë mësojnë të jenë qytetarë të botës, pa harruar rrënjët e tyre. Për më tepër, këto janë një vlerësim për të gjithë komunitetin shqiptar, zëri dhe forca e të cilit po bëhen gjithnjë e më të dukshme në një prej qyteteve më të mëdha në botë. Janë pikërisht këto arritje që dëshmojnë se gjuha shqipe dhe ruajtja e identitetit nuk janë nostalgji, por strategji për të ardhmen.

Ky sukses i rëndësishëm nuk do të ishte i mundur pa angazhimin e vazhdueshëm dhe punën e palodhur të anëtarëve të Këshillit Koordinues të Diasporës (KKD): Mark Gjonaj (kryetar), Drita Gjongecaj dhe Emina Cunmulaj. Përmes lobimit strategjik, bashkëpunimit me Departamentin e Arsimit të Nju-Jorkut dhe organizimeve komunitare, ata kanë bërë të mundur që zëri i komunitetit shqiptar të dëgjohet dhe të pranohet në mënyrë institucionale.

Përpjekjet e tyre të përbashkëta kanë kontribuar drejtpërdrejt në pranimin e shqipes si gjuhë zyrtare për komunikimet shkollore dhe në hapjen e klasës së parë dygjuhëshe shqip-anglisht – hapa historikë që do të kenë ndikim pozitiv për brezat e ardhshëm të shqiptarëve në diasporë./Illyria.com/KultPlus.com

‘Jo domosdoshmërisht duhet të qëndrosh, në vende ku thahen lulet e tua’

Nga Manuela Toto

Jo domosdoshmërisht
duhet të japësh shpjegime,
për ata që nuk e kanë kuptuar atë, që krijon, o thua.
Mund të reagosh dhe të heshtësh për arsyet e tua.
Jo domosdoshmërisht
duhet të qëndrosh, në vende
ku thahen lulet e tua.
Nuk egziston vetëm një kopsht i vetëm,
dhe ti, për këtë duhet t’ja lejosh vetes privilegjin e Diellit më të mirë.
Nuk të duhet të jesh
i,e kënaqur në shoqërisë e kujtdo për domozdoshmëri.
Vetmia nuk është një dënim,
nëse e zgjedh për t’u gëzuar në paqen tënde.
Jo domosdoshmërisht
duhet të mbledhësh ç’do provokim, sepse jo ç’do gjë meriton vëmendjen dhe kohën tënde.
Jo domosdoshmërisht
duhet t’u mbash besimin premtimeve të vjetra, që të kanë lënë në pritje.
Premtimet, duhet të ushqehen çdo ditë,
dhe universi bekon atë që njeh fundin, duke i hapur portën.
Jo domosdoshmërisht
duhet të jesh shtëpi e qëndrueshme e fortë,
e ç’do emocioni.
Duhet lejuar dhe të kalojë tej e matanë, si të jesh prej ajri.
Jo domosdoshmërisht
duhet të konfirmosh pritshmëritë e të tjerëve.
Mund të mbetesh gjithashtu i(e)paparashikueshëm;
është për ty liri,
dhe mirënjohje e vetvetes.

Përktheu: Herman Çuka / KultPlus.com

Dashuria e parë

Poezi nga Giuseppe Ungaretti

Natë qytetëse ish ajo,
E mekët, e trëndafilta drit’ e squfurt,
Prej së cilës një siluetë u luhat
M’e qartë përvijohej e saja trajtë.

Natë mbytëse ish
Kur befas çataj bojërozë pashë
Në një sqetull kinse të paqtë.

Ç’prej asaj nate rishtare e fatkeqe
e në thellësitë e gjakut tim të tëhuajtur
Rob tyrin fshehtësirat më bënë. / KultPlus.com

“Festa e liqenit”, Beci: Tri ditë festë në Shirokë

Për tri ditë me radhë “Festa e liqenit”, që organizohet në Shirokë, do të jetë kryefjala e aktiviteteve që po organizohen në Shkodër këtë fundjavë.

Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci e ka vlerësuar “Festën e liqenit”, si një ftesë treditore për festë në Shirokë, që ka nisur dje dhe do të vazhdojë deri në 21 qershor.

“Atmosferë magjike në brigjet e liqenit, ku ka nisur festa mbrëmë me performancën e veçantë të Cirkut Kombëtar që entuziazmoi të vegjël e të rritur”, tha Beci, në një postim në rrjetet sociale, ndërsa shtoi se sot në Shirokë është nata e ahengut shkodran.

Ky aktivitet kthen vëmendjen nga zona e Shirokës dhe Liqeni i Shkodrës, më i madhi në Ballkan, që për Shkodrën është një potencial turistik dhe çdo vit e më tepër po merr vëmendjen jo vetëm të investimeve të bashkisë Shkodër dhe Qeverisë shqiptare, por edhe për turistët e shumtë që e vizitojnë këtë atraksion turistik.

“Festa e liqenit”, është një nga një ngjarje unike që sjell gjallëri, kulturë dhe argëtim në brigjet e liqenit të Shkodrës, ndërsa do të organizohen panaire, sporte të ndryshme ujore, ekspozita dhe koncerte./atsh/KultPlus.com

20 qershor 1944, Gjergj Kokoshi ngarkohet zyrtarisht për të drejtuar arsimin në vend

Më 20 qershor 1944, Gjergj Kokoshi ngarkohet zyrtarisht për të drejtuar arsimin në vend.

Gjergj Kokoshi u lind në Shkodër më 1904, studimet i kreu në Itali dhe Francë për filozofi, më pas mori titullin doktor në Paris për letërsi. Në vitin 1930 ai u kthye për tu bërë pjesë e trupës akademike në gjimnazin shtetëror në Shkodër dhe në Tiranë.

Në vitin 1944 emërohet Ministër i Arsimit në qeverinë provizore të drejtuar nga Enver Hoxha, ku organizoi kongresin e arsimtarëve antifashistë dhe hartoi platformën për një arsim cilësor. Kokoshi pa kaluar shumë kohë jep dorëheqjen më 13 janar 1945.

Më pas ai dënohet me 30 vite burg dhe dërgohet në Burgun e Sigurisë së Lartë në Burrel aty ku edhe vdiq në vitin 1960.

Gjergj Kokoshi nuk u martua asnjëherë dhe nuk la pasardhës. / KultPlus.com

“Sot një këngë do këndoj, veç për ty, o gjyshja ime”

“Unë mund të them pa asnjë lëkundje se Vaçe Zela, si artiste e madhe, hapi një epokë të re në të kënduarin e këngës shqiptare dhe u bë nismëtare e një kulture moderne në këtë fushë”, thoshte Dritëro Agolli për Vaçe Zelën, artisten ikonë të skenës shqiptare, përcjell KultPlus.

Vaçe Zela e filloi karrierën e saj në moshë të re dhe në vitin 1962 ishte e para që fitoi Festivalin e Këngës. Me këngën Fëmija i parë, ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962. Repertori i saj është shumë i pasur; numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj. Ajo ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë si pjesë e muzikës së filmave.

Fituese 12 herë e festivalit, Vaçja fitoi famë gjatë epokës komuniste dhe iu dha titulli ‘Artist i Merituar’ në vitin 1973 dhe ‘Artist i Popullit’ në vitin 1977. Vaçe Zela është larguar përfundimisht prej skenës në vitin 1992.

Për nder të këngëtares, viti 2009 u shpall nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si “Viti Vaçe Zela”. Së fundi, edhe një rrugë në Tiranë mban emrin e saj.

KultPlus, sot ju sjell në vëmendje një ndër këngët më të njohura të Vaçes, këngën dedikuar gjyshes, si njeriu më i dashur për fëmijët.

Kënga “Gjyshes” nga Vaçe Zela.

Sot një këngë do këndoj,
Veç për ty , o gjyshja ime.
E di mirë dhe s’e harroj
të shkaktova shumë trazime

Këngën time ta kushtoj
e të falur të dërgoj
për shumë faje e gabime ,
net pa gjumë edhe mundime.

Ti u zbardhe, gjyshja ime.
E çdo vit një rrudhë shton
sa kokëçarje shqetësime
sjellja ime të shkakton.

Por ti je gjithnjë e mirë
edhe fajin shpejt ma fal
T’ jem e urtë unë kam dëshirë,
por se vrullin dot s’e ndal.

Kur fëmijë kam qenë një herë
e pranë zjarrit me ty rrija.
Më tregoje ti atëherë
shumë gjëra që unë s’i dija.

Unë dëgjoja gjithë çudi ,
plot kureshtje, kënaqësi.
Dhe sa shumë nga ti mësoja.
Me sa vrull të përqafoja.

Shkuan vitet e tani
s’jam e vogël si atëherë.
Por gjyshe unë përsëri
ta prish qejfin nganjëherë.

Por se prapë edhe sot
për çdo gjë ti më del zot.
E shikimi yt i dlirë
më jep forcë të jem e mirë./ KultPlus.com

“Pikë Uji” premierë në dritën e projektorit – një histori e dhimbshme e turpit dhe drejtësisë së munguar

Era Berisha

“Pikë Uji” është një dramë sociale e realizuar me mjeshtëri nga regjisori shqiptar Robert Budina, që u dha mbrëmë premierë në Cineplexx në Prishtinë. Filmi sjell në qendër të tij historinë e Aidës, një gruaje të suksesshme në karrierë dhe nënë e përkushtuar, e cila përballet me një krizë të thellë kur i biri adoleshent akuzohet për një krim të rëndë. Ajo gjendet e përballur me një dilemë morale të madhe: a duhet të përdorë lidhjet e saj për ta shpëtuar të birin, apo të lejojë drejtësinë të ndjekë rrugën e saj? Filmi nuk është vetëm një histori personale, por një pasqyrë shqetësuese e shoqërisë shqiptare dhe ballkanike, ku fuqia, korrupsioni, privilegji dhe heshtja shpesh zëvendësojnë të vërtetën dhe drejtësinë.

Shqipëria e përzgjodhi “Pikë Uji”-n si përfaqësuesin e saj zyrtar në garën për Filmin më të Mirë Ndërkombëtar në Academy Awards 2025 (Oscars). Zgjedhja e tij si përfaqësuesi zyrtar i Shqipërisë në Oscars 2025 për kategorinë ‘Filmi më i mirë ndërkombëtar’, është më shumë se një nder – është një akt afirmimi për një kinematografi që po gjen zërin e saj, edhe në temat më të ndjeshme dhe më të errëta.

Në qendër të filmit është Aida, e interpretuar në mënyrë të jashtëzakonshme nga aktorja Gresa Pallaska. Roli i saj është i ngarkuar emocionalisht dhe i ndërlikuar: një grua e vendosur, e aftë dhe e zonja, që gradualisht rrëzohet nga pesha e ngjarjeve dhe nga përplasja mes dashurisë për fëmijën dhe parimeve të saj morale. Përmes saj, regjisori Budina sjell një narrativë të ndërtuar me kujdes, ku çdo zgjedhje që Aida bën ka pasoja – jo vetëm për të, por për një shoqëri të tërë që vazhdon të heshtë përballë padrejtësisë. Filmi eksploron tema si abuzimi me pushtetin, seksizmi institucional, dhe përçarja e një sistemi të kalbur që shpesh favorizon ata që kanë lidhje.

“Pikë Uji” është një vepër kinematografike që nuk ofron zgjidhje të thjeshta apo përfundime të mbyllura. Është një film që provokon, që të detyron të mendosh për vendin tënd, për sistemin ku jeton, dhe për çmimin që prindërit janë të gatshëm të paguajnë për të mbrojtur fëmijët e tyre. Me një mjeshtëri të hollë regjisoriale, një aktore protagoniste që mbart peshën e një shoqërie të tërë mbi supe, dhe një skenar që shkon thellë në psikologjinë individuale dhe kolektive, ky film përfaqëson një nga arritjet më të mëdha të kinemasë shqiptare të viteve të fundit. Ai është një thirrje për të mos heshtur më përballë padrejtësisë – një pikë uji që çan heshtjen.

Ky film nuk është thjesht një dramë sociale. Është një reflektim artistik, politik dhe psikologjik mbi shoqërinë ballkanike të sotme – mbi mënyrën se si lidhjet e gjakut, frika, turpi dhe korrupsioni bashkëveprojnë për të mbuluar krimet më të rënda. Një vepër që përdor gjuhën e kinemasë për të ndërtuar një poezi të zymtë, ku çdo imazh, objekt dhe heshtje ka një domethënie më të thellë.

Bashkëproducenti i filmit, Luan Kryeziu, bëri hapjen e kësaj premiere, duke sqaruar mungesën e aktorëve në rolet kryesore dhe duke falënderuar të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre.

“Përshëndetje për të gjithë ju që jeni të pranishëm këtu sonte. Ju kërkoj ndjesë për mungesën e aktores Gresa Pallaska dhe Adem Karagës, të cilët janë duke u trajtuar në spital dhe, për fat të keq, nuk kanë mundur të jenë të pranishëm. Po ashtu, dua të falënderoj secilin prej jush për pjesëmarrjen dhe mbështetjen tuaj. E di që e doni filmin dhe artin, dhe në veçanti dua të falënderoj Kryeministrin e Kosovës për praninë e tij sonte këtu me ne. Dua ta përmbyll këtë fjalim me një fjali që e kam dëgjuar diku dhe që më ka mbetur në mendje: “Filmi është si ato xixat e vogla në errësirë që nuk ndriçojnë shumë, por gjithmonë të tregojnë rrugën. E nganjëherë, ato mund të ndizen aq shumë flakë, sa të djegin tërë malin ose të ndriçojnë tërë ambientin.” Kjo do të thotë se filmi gjithmonë ka vlerë. Dhe ju që keni durim dhe na përkrahni – ju faleminderit nga zemra.”

Filmi hapet me një skenë që është, në vetvete, një parathënie simbolike: një telefon celular bie në ujë. Ky akt i parë është më shumë se një moment aksidental – është një metaforë e qartë për zhdukjen e provave, për fundosjen e së vërtetës, për heshtjen që zë vendin e drejtësisë. Ky telefon do të kthehet më vonë si pjesë e një enigme tragjike: një provë vendimtare e mbytur, e paqasshme, e harruar nga sistemi që duhet të zbulojë të vërtetën.

Uji në film është gjithmonë i pranishëm – si element, si atmosferë dhe si simbol. Jo rastësisht, një prej vendeve ku zhvillohen ngjarjet është liqeni i Ohrit, i cili në mitologjinë vendase thuhet se “nuk mban trup të vdekur brenda”. Në film, kjo legjendë është transformuar në një deklaratë të hidhur metaforike: “asgjë nuk qëndron dot e fshehur përgjithmonë – edhe kur përpiqesh ta fundosësh”.

Në qendër të rrëfimit është Aida, e interpretuar me një intensitet emocional dhe tronditës nga Gresa Pallaska. Aida është një profesioniste e suksesshme, e zonja, një nënë e përkushtuar – por njëkohësisht një grua e vetmuar përballë sistemit dhe realitetit që kërcënon ta përpijë. Kur i biri i saj, Marku, akuzohet për përdhunimin e një vajze të re – dhe më vonë implikohet në vdekjen tragjike të saj – Aida gjendet përballë një dileme që shkund çdo prind: ta shpëtojë me çdo kusht djalin, apo ta lejojë drejtësinë të ndjekë rrugën e saj? Rrëfimi është i ndërtuar me shumë kujdes dhe pa shabllone melodramatike. Budina nuk kërkon të japë fajtorë të thjeshtë apo të pastrojë ndërgjegjen e askujt. Aida nuk është heroinë, por as e keqe – ajo është një pasqyrë e konfliktit të brendshëm që jeton çdo njeri në një sistem ku rregullat vlejnë vetëm për të dobëtit.

Arben Bajraktaraj në rolin e bashkëshortit të Aidës sjell një performancë të matur dhe emocionalisht të ngjeshur. Ai portretizon një burrë që, përkundër përpjekjes për të ruajtur qetësinë, ndjen peshën e fajit dhe pamundësisë për ta ndihmuar familjen në një moment kaq të errët. Në skenat me Gresa Pallaskën, ndjenja e tensionit midis tyre është e dukshme – Bajraktaraj i jep rolit një përzierje të frikës, dëshpërimit dhe heshtjes që flet më shumë se fjalët. Prania e tij krijon një ndjesi se nën sipërfaqe fshihet një histori më e thellë e fajit dhe e tradhtisë, duke forcuar atmosferën e errët dhe psikologjike të filmit.

Astrit Kabashi, në rolin e avokatit të familjes, e portretizon një figurë të dyfishtë – mbrojtës ligjor dhe njëkohësisht një individ që luan me kufijtë e moralit. Me një qasje të qetë por vendimtare, Kabashi jep një interpretim që rrëfen jo vetëm përkushtimin për çështjen, por edhe ambiguitetin e një sistemi të korruptuar ku ligji dhe drejtësia shpesh ndahen. Ai arrin ta mbajë shikuesin në një gjendje dyshimi: a është avokati një ndihmës i sinqertë, apo pjesë e mekanizmave që e çojnë Aiden drejt një rruge pa dalje? Loja e tij aktoriale është e përmbajtur, por e ngarkuar emocionalisht, duke krijuar një tension konstant në çdo paraqitje.

Një nga aspektet më origjinale dhe të sofistikuara të filmit është përdorimi i peshqve si metaforë për shoqërinë dhe pushtetin. Një nga skenat e personazheve në pushtet është filmuar përmes një akuariumi të vendosur para kamerës, duke bërë që peshqit të notojnë “sipër” tyre. Kjo krijon një efekt vizual të jashtëzakonshëm: njerëzit që flasin për drejtësi, para dhe manipulim, duken si në një botë të zymtë ujore, të shkujdesur, të huaj, sikur janë vetë peshq të mëdhenj në një sistem që ha më të vegjlit. Kjo simbolikë thellohet në mënyrë të shkëlqyer edhe përmes skenave të shumta në restorante, ku bisedat për drejtësinë dhe ndikimin bëhen ndërsa hahet peshk. Kamera ndalet mbi pjatat ku shpinat e peshqve zhbëhen ngadalë – një koment vizual mbi mënyrën sesi njerëzit në pushtet konsumojnë gjithçka rreth tyre, pa pendesë, pa ndjeshmëri – përfshirë edhe të vërtetën.

Filmi eksploron në mënyrë të drejtpërdrejtë raportin e kalbur midis pushtetit politik dhe sistemit të drejtësisë. Kryetari i Bashkisë – një figurë që ka gjithçka: kontroll, para dhe ndikim – është një nga motorët kryesorë të deformimit të drejtësisë. I biri i tij është përfshirë në përdhunim – por në vend që të përballet me pasojat, ai zhduk çdo pengesë që mund të rrezikojë imazhin dhe pozitën e tij.

Në një nga skenat më të ftohta dhe më ironike të filmit, kamera fokusohet mbi një frazë të njohur në murin e sallës së gjyqit: “Të gjithë janë të barabartë para ligjit.” Por ajo që shohim në ekran e rrëzon plotësisht këtë thënie. Ligji në film nuk është më një sistem i drejtësisë, por një mekanizëm që kontrollohet nga ata që kanë para dhe lidhje. Filmi nuk ka nevojë të bërtasë këtë mesazh. Ai e jep me qetësi, me kthjelltësi, dhe pikërisht për këtë është tronditës. Heshtja është më e fortë se britma.

Në pjesën e fundit të “Pikë Uji”, pas gjithë tensionit, hetimeve dhe ngarkesës emocionale, shohim që Marku lirohet. Procesi nuk vazhdon më. Prokurori i parë largohet, dhe një i ri, i kontrolluar nga kryebashkiaku, merr frenat. Të gjitha akuzat ndalen, gjithçka “qetësohet”, dhe pamjet filmike kthehen në ton të ftohtë dhe të heshtur. Shikuesi kupton se drejtësia nuk u arrit – ajo u ndal, u ble, u mbyt në ujë – si provat në fillim të filmit. Në këtë pikë, vjen një nga simbolet e filmit: Aida, në heshtje, i vendos sërish unazat në gishtërinjtë e saj. Në një nga skenat e para të filmit, unazat shfaqen për herë të parë: tre unaza të vendosura mbi tre mbajtëse si “kulla” në dhomën e Aidës. Por në një skenë afër fundit – pasi gjithçka është “mbyllur”, sistemi ka rikthyer heshtjen, dhe faji është larë me para – Aida i vendos sërish unazat. Skena nuk ka zëra të mëdhenj, as përballje të hapura. Aida nuk proteston. Ajo nuk gëzon, por as nuk qan. Ajo pranon, në heshtje, që sistemi ka fituar. Dhe për të mbijetuar, ajo duhet të rikthehet te rolet e saj, te “forma” e saj e jashtme.

Në fund, gjithçka duket se është kthyer në vend. Procesi ndalet, drejtësia hesht, pushteti fiton. “Pikë Uji” nuk mbyllet me ndriçim, por me një kthim në rutinë që fsheh thellësinë e dëshpërimit njerëzor dhe kolektiv. Një film që të ndjek jo sepse bërtet, por sepse të përshkon me heshtje – si një pikë uji që s’duket, por shpon gjithçka.

Në skenën e fundit të “Pikë Uji”, jemi sërish në tryezë – ashtu si shumë herë gjatë filmit, ku bisedat më të rënda zhvillohen nën aromën e peshkut dhe tingujt e lugëve në pjata. Por këtë herë, atmosfera është ndryshe: qetësi, harmoni e shtirur, një lloj lehtësimi i rremë. Të gjithë janë “mirë”. Nuk flitet për vajzën që humbi jetën. Nuk përmendet më drejtësia. Gjithçka ka kaluar – jo sepse është zgjidhur, por sepse është mbytur. Kjo darkë përfaqëson fitoren e hipokrizisë sociale, rikthimin e skemës së përditshme që mbulon të gjitha tragjeditë me napën e bardhë të një tavoline familjare. Budina nuk na jep mbyllje me konflikt, as me ndëshkim – na jep normalitetin si ndëshkim për ndërgjegjen.

Premiera kombëtare e filmit u mbajt më 12 shtator 2024 në Kinema Millennium në Tiranë, ku pati një pritje shumë të ngrohtë nga publiku dhe kritika. Më pas, dje u shfaq në Cineplexx Prishtina, ku gjithashtu u prit me interes të madh. Reagimet e para vlerësuan guximin e trajtimit tematik, regjinë e kontrolluar të Budinës dhe performancën e shkëlqyer të Gresa Pallaskës. Në një vend si Kosova, ku temat e drejtësisë, sistemit patriarkal dhe mosndëshkueshmërisë janë ende thellësisht të ndjeshme, “Pikë Uji” erdhi si një thirrje për reflektim dhe debat.

Pas suksesit në Shqipëri dhe Kosovë, “Pikë Uji” nisi udhëtimin e tij ndërkombëtar me pjesëmarrjen në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Varshavë më 13 tetor 2024, ku u përfshi në garën kryesore. Filmi më pas u shfaq edhe në festivale të tjerë evropianë, si Sofia Film Festival dhe Festivalin e Filmit në Cottbus, Gjermani, ku konkurroi për çmimin e publikut dhe çmimin e madh të jurisë. Pritja ndërkombëtare ishte mjaft pozitive, dhe kritikët e quajtën filmin “një pasqyrim i kthjellët i një realiteti të heshtur”. Revista Variety e cilësoi si “një fabul moderne për korruptimin e ndërgjegjes njerëzore”, ndërsa Cineuropa vlerësoi “forcën psikologjike dhe ndërtimin e qëndrueshëm dramatik”.

“Pikë Uji” është një bashkëprodhim ndërkombëtar që bashkon Shqipërinë (EraFilm), Kosovën (Iliria Film), Italinë (Redibis Film) dhe Rumaninë (Avanpost Production). Filmi është realizuar me mbështetjen e institucioneve të rëndësishme si Creative Europe MEDIA, Qendra Kinematografike e Kosovës, MIBAC Italia dhe SEE Cinema Network. Kjo përfshirje ndërkombëtare i ka dhënë filmit një nivel të lartë teknik dhe estetik. Kinematografia është e kujdesshme, me një qasje të ftohtë dhe reale që përcjell tensionin psikologjik dhe izolimin emocional të protagonistes. Tingujt, heshtjet dhe muzika përdoren me elegancë për të krijuar një atmosferë të ngarkuar dhe të pasigurt, që e mban spektatorin gjithnjë në vigjilencë./ KultPlus.com

S’kam fuqi më as të trishtohem

Poezi nga Fatos Arapi

S’kam fuqi më as të trishtohem
Jemi anije pa spirancë
Mes erërave të egra të kundërta.
Peshqit Ilafazanë shurdhojnë qiellin
Më jepni ju një copë ironie,
Se nuk e gjej dot në veten time,-
Një copëz ironie
Sa gjysmëz e krahut të zogut,-
Të mbrohem nga shirat e verdhë
Të predikimeve të apostujve të lajthitur.

Të gjithë na kanë faj dhe askush:
Deshëm të krijohemi në asgjësimin tonë
Tani gjithë dritaret e shpirtit
Janë hapur, bymyer e kalbur
Nga shirat e lotëve,-
Dhe s’mbyllen më dot.
Mund të hyjë kush të dojë./KultPlus.com

Poezia e Eqrem Çabej për djalin e tij të vdekur

ARTANIT 

Ti vazë e derdhur mjeshtërishte dore
Ti formë e hequr baltëje bujare:
Te mes’ i ditës sate re në fare
E shove gjurmën vet’ e vet’ u bore.
Të mblonte ditën ujët tat rrafshore
E derdhej natën detesh harrimtare.
Po ky i jetës qark t’u err: krenare
Ti theve shtatin në thermi mizore.
Kush pati et iu bëre ujë e krua
Kush pati gaz i dhe të bardhë verë
E vaj të butë plagash kush i pat.
Tani na re si ra një yll q’ u shua.
Krip-artat vasha derdhin vaj të gjerë
Me sy të lagur përmbi kurmit tat.

Mbi ty ku dergje te banesa jote
Të motit gjurmë ndjekin varg e varg.
Fryn er’ e malit, ndihet vera larg
E vesa shtrohet si një shtrojë e lote.
Mbi ty kalojnë muaj edhe mote
Me dit të rënda e me net të shkreta.
Mimoza frorit, pika shiu të qeta,
Nata e vitit pa një krismë gote.
Ti rri si rri një shenjt edhe një mbret.
Nuk ngrin prej dimri as nuk pret prëndverë;
Nuk pyet për shokë që ke tash përherë,
Për ç’le këndej, për vjet që po kalojnë,
Për sytë e errur, gjeth të mbulojnë,
Për qelq që pive, gjëmën që të gjet.

Fryn er’ e malit, bie bora larg
Fryn er’ e malit, hëna ndrit nga larg

15 dhjetor 1970…/KultPlus.com

‘Paraja njerin’ e mundon, e bije ndë balt’ e rrëzon’

Poezi nga Hasan Zyko Kamberi

Për para njeriu hyn ndë rrusht
për para rrihetë me grusht
për para hapte edhe pusht
ja di kimenë parasë…

Për para njeriu çan denë,
për para ngre muhabenë,
për para e humb xhenenë,
ja di kimenë parasë…

Paraja të bën të rrihesh,
paraja të bën të fshihesh,
paraja t’ep sedrë e ngrihesh,
ja di kimenë parasë…

Paraja njerin’ e mundon,
e bije ndë balt’ e rrëzon,
e bën qeraxhi, e dërgon,
ja di kimenë parasë…

Po s’ka gjë të gjallë
që të mos ia ketë mallë,
turli ensaf’ e bakallë,
ja di kimenë parasë.

(Poezia nuk është në versionin e saj të plotë) / KultPlus.com

Presidentja Osmani nderon dëshmorët në Ditën e Çlirimit të Istogut

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar me nderim dhe mirënjohje të thellë dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me rastin e Ditës së Çlirimit të Istogut.

Në një postim të publikuar, Osmani ka theksuar rëndësinë e sakrificës së bijve dhe bijave më të denjë të kombit, të cilët dhanë jetën për lirinë që sot e gëzojnë qytetarët e vendit. Ajo ka vizituar memorialin në Vrellë të Istogut, duke e cilësuar atë si vend kujtese dhe themel të shtetit të Kosovës.

“Ky memorial në Vrellë të Istogut është vend kujtese, por edhe themel i shtetit tonë dhe simbol i sakrificës që nuk harrohet kurrë”, ka shkruar Osmani./KultPlus.com

Histori e rrëfyer përmes monedhave, ekspozitë fotografike në parkun arkeologjik të Apolonisë

Parku Arkeologjik i Apolonisë, Muzeu i Bankës së Shqipërisë dhe Qendra Muzeore Durrës prezantuan ekspozitën fotografike mbi aspektet më të spikatura të zhvillimeve arkeologjike, tregtare dhe ekonomike të dy qyteteve antike, Apoloni dhe Dyrrah.

Kjo ekspozitë e hapur në mjediset e Parkut Arkeologjik të Apolonisë vjen si një histori e rrëfyer përmes monedhave, që nga antikiteti deri në ditët e sotme.

“Monedha në këtë qytet është e lidhur me financimin e veprimeve ushtarake, me luftën. Stateri pritej për të paguar mercenarët dhe për të financuar veprimet ushtarake. Më pas, drahmja u pre për tregtinë, sepse u zhvilluan edhe qytete të tjera ilire, tregje rajonale, dhe për këtë arsye priten më shumë monedha, u zhvillua më shumë tregtia dhe pati më shumë qarkullim monetar”, u shpreh Alba Selita, eksperte e numizmatikës.

Prerja e monedhave daton që në shekujt VII–VI para erës sonë, në Dyrrah dhe Apoloni, duke dëshmuar për një zhvillim të fortë ekonomik të këtyre vendeve në atë periudhë.

“Ishte një monedhë shumë e fortë dhe mendoj që vazhdon të mbetet e tillë. Edhe në periudhën kur i gjithë territori i Ilirisë kthehet në një domein të Perandorisë Romake, qyteti i Apolonisë mbetet i lirë dhe i pavarur, ndryshe nga qytetet e tjera që kthehen në koloni, dhe vazhdojnë akoma të përdorin monedhën e tyre brenda territorit me shkëmbimet që kishin, pavarësisht se monedha kryesore në atë kohë ishte ajo romake”, tha për mediet Ornela Dyrmishi, drejtore e Parkut Arkeologjik, Apoloni.

Çelja e një ekspozite të tillë në Parkun Arkeologjik të Apolonisë ka për synim tërheqjen e vizitorëve dhe njohjen e të huajve me zhvillimin në kohën ilire, monedhat e të cilëve janë gjetur edhe në vende të tjera, si në Maqedoninë e Lashtë, Itali, Greqi, Azi të Vogël dhe Egjipt, si rezultat i shkëmbimeve tregtare. /atsh/ KultPlus.com

Meliza Krasniqi emërohet ushtruese e detyrës së drejtoreshës në Institutin Albanologjik

Në mbledhjen e mbajtur më 20 qershor 2025, pas propozimit të Këshillit Shkencor, Këshilli Drejtues ka caktuar bashkëpunëtoren e lartë shkencore (prof. asoc. dr.), znj. Meliza Krasniqi, u.d. të drejtoreshës së Institutit Albanologjik.

Meliza Krasniqi (1979) është studiuese e letërsisë, përkthyese; ka doktoruar në letërsi. Është bashkëpunëtore e lartë shkencore në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Ka botuar librat studimorë “Shkreli prozator” (2015), “Vepra e Musinesë” (2019), “kritika dhe letërsia” (2021) dhe “Shkrimtaret shqiptare 1954–1990” (2024), i cili u shpërblye me Çmimin “Ibrahim Rugova” për veprën më të mirë në kritikë letrare dhe eseistikë, dhënë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Ka përkthyer nga anglishtja disa nga veprat më të rëndësishme të teorisë letrare, si “Aspekte të romanit” të E.M. Forster (2017), “Hyrje në poetikë” të Tzvetan Todorov (2018), “Narratologjia” e Mieke Bal (2021) dhe “Arti i fiksionit” i David Lodge, përkthimi i të cilit u shpërblye me Çmimin Kombëtar “Pjetër Bogdani” për përkthimin më të mirë të vitit 2022. Në vitin 2024 botoi librin për fëmijë “Më quajnë Nexhmije Pagarusha”.

Instituti Albanologjik-Prishtinë ka falënderuar u.d. drejtorin e deritashëm, bashkëpunëtorin e lartë shkencor (prof. asoc. dr.), z. Naim Berisha, për kontributin e dhënë në mbarëvajtjen e punëve në institucionin tonë kërkimor-shkencor./ KultPlus.com

Kur Shahindere Bërlajolli i këndonte Bilbilit me pika (VIDEO)

Shahindere Bërlajolli është një ndër këngëtaret më të njohura të muzikës shqipe.

Zëri dhe mënyra e të kënduarit autokton e bën këtë këngëtare një ikonë të vërtetë të muzikës popullore kosovare. Zëri i saj u dëgjua shumë larg, çdokund nëpër botë, ngado që ajo këndonte trofetë ishin pjesë e saj.

Repertori i Shahindere Bërlajollit numëron 280 këngë, shumica e të cilave janë të regjistruara në Radio Prishtinë dhe në vende të tjera regjistruese.

KultPlus ju sjell këngën e njohur ‘O bilbil me pika’ të interpretuar nga zëri i këndshëm i Shahinere Bërlajollit. / KultPlus.com

Presidentja Osmani: Refugjatët nuk janë numra, ata janë histori mbijetese, force dhe shprese

Presidentja Vjosa Osmani, në Ditën Botërore të Refugjatëve, ka thënë se ishte edhe vet refugjate në kohën e Sllobodan Millosheviqit, kur u zhvillua lufta e fundit në Kosovë.

Në një shkrim në platformën X, Osmani ajo ka shtuar se nuk do të harrojë kurrë se çfarë është të jesh refugjat.

“Refugjatët nuk janë numra. Ata janë histori mbijetese, force dhe shprese. Isha refugjate gjithashtu, ashtu si shumica dërrmuese e popullit të Kosovës, të dëbuar nga shtëpitë tona përmes veprimeve gjenocidale të Millosheviqit”.

“Në Ditën Botërore të Refugjatëve, duhet t’i kujtojmë vetes se askush nuk dëshiron të jetë refugjat, por kushdo mund të bëhet i tillë. Ne kujtojmë se çfarë do të thotë të humbasësh shtëpinë, sigurinë, zërin tënd. Ne betohemi të mos harrojmë kurrë”, ka thënë Osmani. 

Pianisti me famë botërore, Alfred Brendel vdes në moshën 94-vjeçare

Alfred Brendel, i cili konsiderohet një nga pianistët më të shquar në botë, ka vdekur në moshën 94-vjeçare, sipas BBC.

Pianisti, kompozitori dhe poeti klasik austriak i lindur në Çeki, vdiq dje në paqe në Londër, i rrethuar nga të dashurit e tij.

Shumica e kritikëve e kanë vlerësuar Brendel si një nga interpretuesit më të shquar të veprave të Beethoven.

Muzikanti njihej gjithashtu si një eseist dhe poet me një sens unik humori.

Alfred Brendel lindi më 5 korrik 1931 në Wiesenberg, në Republikën Çeke.

Ndryshe nga shumë muzikantë të suksesshëm, asnjë nga familja e tij nuk ishte muzikant dhe ai nuk kishte ndonjë talent të veçantë për këtë art kur ishte fëmijë.

Ai mori mësime pianoje në Jugosllavinë e atëhershme dhe shkoi të studionte në Konservatorin e Graz, në Austri.

Më vonë në Lucernë, ai ndoqi klasa masteri me Edwin Fischer, muzikanti i cili i mësoi të luante me pasion brenda kufijve të klasicizmit.

Në moshën 16-vjeçare, përveç ndjekjes së klasave të master-it dhe dëgjimit të pianistëve të tjerë, ai eksploroi vetë mundësitë e pianos.

Ai bëri debutimin e tij publik në Graz në vitin 1948, në moshën 17-vjeçare.

Brendel zgjeroi repertorin e tij – duke përfshirë kryesisht muzikën e kompozitorëve të Evropës Qendrore – por qëllimisht shmangu muzikën moderne.

Gjatë karrierës së tij, ai performoi në platforma koncertesh në të gjithë botën, por në vitin 1971 vendosi të jetonte në Londër.

Ai debutoi katër koncerte në piano dedikuar veprave të Beethoven – të fundit me Orkestrën Filarmonike të Vjenës në vitin 1999.

Kjo shfaqje u realizua nën dirigjimin e Simon Rattle, me të cilin Brendel kishte një partneritet të gjatë dhe të jashtëzakonshëm muzikor.

Libri i tij i parë me ese, “Musical Thoughts and Afterthoughts”, botuar në vitin 1976, përmbante aluzione për veprën e tij muzikore, por nuk kufizohej prej saj.

Në vitin 1998, në librin me poezi, “One Finger Too Many”, ai ndau humorin e tij me të gjithë elementët kulturorë.

Ai u vlerësua me çmimin muzikor “Herbert von Karajan” për Arritje Jetësore, në dhjetor të vitit 2008 në Baden-Baden, Gjermaninë jugore.

Në të njëjtin muaj, ai bëri daljen e tij të fundit në platformën e koncerteve në Vjenë, ku ishte solist në Koncertin për Piano nr. 9 të Mozartit.

Performanca e tij votua si një nga 100 momentet më të mëdha kulturore të dekadës nga “Daily Telegraph”.

Menjëherë pas kësaj, ai pësoi një humbje akute të dëgjimit. Gjatë viteve të fundit, ai vazhdoi të jepte leksione dhe mësime master për muzikantët e rinj. 

Bajram Begaj do të vizitojë për herë të tretë komunitetet arbëreshe në Itali, 2 buste të Skënderbeut dhuratë nga Presidenca shqiptare

Për herë të tretë brenda tre vjetësh, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, do të jetë në një vizitë zyrtare në provincat e Catanzaros, Cozenca-s dhe Crotone-s, zemra e pranisë arbëreshe në Itali.

Iniciativa, pjesë e një programi katërvjeçar vizitash, promovohet dhe organizohet nga Fondacioni “Instituti Rajonal për Komunitetet Arbëreshe të Kalabrisë”, i drejtuar nga Komisioneri i Jashtëzakonshëm Ernesto Madeo, dhe synon të forcojë lidhjet e thella historike, kulturore dhe ekonomike mes Shqipërisë dhe Kalabrisë.

Gjithashtu këtë vit, Presidenti Begaj do të takohet me komunitetet arbëreshe, ruajtës krenarë të një tradite shekullore: programi përfshin vizita Andali dhe Marcedusa, për provincën e Catanzaros, dhe Castroregio, Cervicati, Frascineto, Mongrassano, Plataci dhe Santa Caterina Albanese, për provincën e Cosenzas.

Në territorin me praninë më të madhe të komuniteteve arbëreshe në Itali, Presidenti Begaj do të ndalet përsëri në Cerzeto dhe San Benedetto Ullano, për zbulimin e dy busteve të heroit kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, të dhuruara nga Presidenca e Republikës së Shqipërisë për komunitetet lokale për të ripërtërirë kujtesën historike nga e cila filloi gjithçka.

Dy skena të tjera të jashtëzakonshme dhe shumë të pritura do të jenë ajo e San Demetrio Corone, për inaugurimin e Bashkisë së re, dhe ajo e San Cosmo Albanese, ku administrata bashkiake ka ndërmend t’i jepte titullin Qytetar Nderi Presidentit Begaj, së bashku me këshilltarin e tij ligjor, Klement Zguri.

Të rëndësishme dhe me rëndësi të madhe institucionale do të jenë vizitat që Presidenti i Republikës së Shqipërisë do të zhvillojë me autoritetet më të larta të Rajonit të Kalabrisë, por mbi të gjitha, për herë të parë, me krerët e Prefekturave dhe Provincave të Catanzaros, Cozenca-s dhe Crotone-s.

Një njohje e ndjeshme nënvizohet nga takimi me Rektorin e Universitetit të Kalabrisë dhe nga vizita në Seksionin e Albanologjisë, qendra nervore e kërkimit dhe promovimit të kulturës arbëreshe dhe asaj shqiptare në Itali.

Një tjetër moment më domethënës do të jetë akordimi zyrtar i pozicionit të Konsullit të Nderit të Republikës së Shqipërisë në Kalabri, një akt simbolik dhe operacional që synon konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve institucionale dhe kulturore midis dy territoreve.

Ky raund i tretë vizitash përfaqëson një gjest konkret të afërsisë së popullit shqiptar me rrënjët e tij në Kalabri dhe synon të ringjallë më tej frymën e vëllazërisë midis dy popujve, të forcojë marrëdhëniet ekonomike, të rrisë shkëmbimet kulturore që janë duke u zhvilluar dhe të ripërtërijë traditat e përbashkëta që për shekuj me radhë kanë bashkuar Shqipërinë dhe Kalabrinë në një histori të vetme mikpritjeje, identiteti dhe dialogu./balkanweb/ KultPlus.com

Shaqe Marie Çoba, e para femër shqiptare që udhëpriu gruan në luftën për liri dhe të drejta

Nga Albert Vataj

Historia e Shqipërisë ka një panoramë të larmishme mbi rolin e gruas në kontributin e dhënë prej tyre në luftën për liri, identitet dhe të drejta. Përkundër përfoljeve gojëkëqija dhe anatemimit, shpërdorimit të rolit të saj përtej bashkëshortes dhe nënës, ajo ka shkrepëtirë në faqet e historisë si një shpërthim i fuqishëm drite, duke i lartësuar veprat e tyre në kufinjtë e legjendës. Lista e këtyre grave dhe vajzave që kontribuan dhe sakrifikuan është e gjatë dhe njëra prej tyre është Shaqe Marie Çoba.

Shaqe Marie Çoba është ndoshta e para grua shqiptare që ndoqi universitetin për “Shkenca Politike” . Ajo ishte gruaja e parë intelektuale shqiptare që u përpoq për çështjen e ngritjes së grave të klasës së lartë. Sigurisht që ishte dhe mbeti e para grua shqiptare që udhëpriu lëvizjen feministe shqiptare që në vitin 1918, duke krijuar komitetin “Gruaja Shqiptare”, një grupim grash dhe vajzash të zëshmë në mbrojtje të lirive dhe të drejtave të grave, me anëtare të përkatësive të ndryshme fetare. Ky organizëm kishte për qëllim të ndihmonte luftëtarët shqiptarë që po përballeshin me forcat sllave që përpiqeshin të pushtonin Shkodrën.


Po cila është Shaqe Marie Çoba, për të cilën shkruhet në “Fjalori Biografik i Lëvizjeve dhe Feminizmit të Grave në Evropën Qendrore, Lindore dhe Jug-Lindore: Shekujt XIX dhe XX”?

Shaqe Marie Çoba lindi në familjen e shquar Shiroka në Shkodër, Shqipëri. Filloren e mbaron në Shkodër për të vijuar më pas studimet në Zagreb, në një institut austriak, ku mëson gjuhët italiane, gjermane dhe serbokroate. Pastaj në 1904 zhvendoset dhe përfundon studimet në Venecia. Pasi mbaroi arsimin, ajo u martua me intelektualin dhe nacionalistin shqiptar Ndoç Çoba, në familjen e të cilit idetë e saj atdhetare dhe feministe u inkurajuan dhe lulëzuan.

Më 3 gusht të vitit 1920 ajo themeloi komitetin “Gruaja Shqiptare”, me kryetare nderi, Habibe Bekteshin, sekretare, Paulina Lekën dhe llogaritare, Albina Ashikun. Komiteti pati si qëllim fillestar mbledhjen e fondeve në ndihmë të Ushtrisë Shqiptare që po përballej me mësymjet serbe në Koplik.

Në vitin 1920 ajo themeloi Gruaja Shqiptare (“Gruaja Shqiptare”), një organizatë për klasën e sipërme shkodrane të interesuar për çështje të emancipimit të femrës, me qëllim kryesor mbledhjen dhe shpërndarjen e fondeve për llogari të Ushtrisë Kombëtare në luftën e Koplikut të vitit 1920 (kundër Jugosllavisë forcat që bëjnë presion për aneksimin e territoreve shqiptare). Për të bërë publik punën e Gruaja Shqiptare, organizata gjithashtu drejtoi një revistë me të njëjtin emër, duke informuar lexuesit për dhurimet, si dhe duke botuar artikuj në lidhje me çështjet e grave, duke debatuar për të drejtat dhe detyrat e grave në shoqërinë shqiptare, promovimin e arsimit të vajzave dhe duke inkurajuar njerëzit të heqin dorë nga traditat e vjetra dhe të dëmshme. Për herë të parë në historinë shqiptare, mendimet e grave për të drejtat e tyre, arsimin dhe kulturën kishin fituar një forum publik; për herë të parë mund të dëgjoheshin mendimet e tyre mbi një vetëdije të re morale dhe një kuptim të ri të gruas moderne shqiptare.

– Shaqe Marie Çoba feministe dhe sufragiste shqiptare, me bashkëshortin e saj Ndoc Karlo Çoba dhe djalin e tyre. Foto nga Kel Marubi rreth vitit 1920.Gjatë Luftëa së Koplikut (1920) ajo aktivizoi mjaft gra e vajza ,që me shirita të bardhë në krahë, me inicialet e kuqe “G.SH”, punonin në frontin e luftës, duke mjekuar plagët e luftëtarëve, duke i tërhequr ato nga fronti dhe i dërguar në spitalet e Shkodrës. Ato shërbenin në këto spitale, u ndanin ndihma financiare e materiale familjeve të luftëtarëve në beteja, si dhe familjeve të varfra. Aktiviteti i këtij komiteti është pasqyruar në një dokumentacion të rregullt i cili ruhet akoma nga familja Çoba.

Nga nëntori e deri në korrik të vitit 1921, doli në shtyp revista “Gruaja Shqiptare”, si mjeti i parë ku gratë mund të shprehnin mendimet mbi të drejtat dhe detyrat e tyre. Në faqet e saj kishte shkrime që trajtonin problemet shqetësuese të gruas shqiptare, duke paraqitur dhe rrugët e daljes nga kjo gjendje.
Problematika e revistës lidhej me rolin e gruas në zhvillimin dhe përparimin e familjes e të shoqërisë në ndërtimin e shtetit. Ajo duhej të luftonte për të zënë vendin që i takonte në familje, për respektimin e të drejtave e lirive të saj, të kujdesej për edukimin e arsimimin e fëmijëve, sidomos vajzave.

“Vetëm kur të arrihet të mbushen mësonjëtoret me vajza ashtu si me djem, vendi ynë do të rradhitej në vendet e qytetëruara”, shkruhej në një shkrim të revistës. Për herë të parë në historinë shqiptare, mendimet e grave për të drejtat e tyre, arsimin dhe kulturën kishin fituar një forum publik; për herë të parë mund të dëgjoheshin mendimet e tyre mbi një vetëdije të re morale dhe një kuptim të ri të gruas moderne shqiptare.


Revista trajtonte edhe probleme të amviseve dhe i bënte apel grave t’i edukonin fëmijët me idealin kombëtar, ndërsa u bënte thirrje që të jenë shembuj virtyti e mirësie para fëmijëve, me moralin e veprat e tyre.

Shaqe Çoba, më 10 nëntor të vitit 1937 bën një riplanifikim të shoqatave të grave në nivel kombëtar me pjesmarrjen e 150 grave, me objektiv luftën kundër zakoneve të vjetra, analfabetizmit, përmirësimin e jetës dhe veshjeve të grave, mbrojtjen e shëndetit të tyre, etj.

Shaqe Marie Çoba vdiq në dhjetor të vitit 1954, në Shkodër. Në nëntor 2002, me rastin e 90 vjetorit të pavarësisë shqiptare, presidenti Alfred Moisiu, i dha asaj pas vdekjes “Urdhrin Naim Frashëri” për pjesëmarrjen e saj në lëvizjen e pavarësisë së viteve 1920 si një luftëtar “kundër ndarja e Shqipërisë dhe për emancipimin e gruas shqiptare ”.

– Kopertina e “Fjalori Biografik i Lëvizjeve dhe Feminizmit të Grave në Evropën Qendrore, Lindore dhe Jug-Lindore: Shekujt XIX dhe XX”“Ne duhet ta bindim veten se gruaja është […] fryma e shoqërisë njerëzore dhe qendra e familjes.” Shkruhet në “Gruaja Shqiptare, Nr.6”

Roli dhe kontributi i kësaj gruaje është një shembull i jashtëzakonshëm që u parapri dhe u pasua nga dhjetëra e dhjetëra vajza e gra, të cilat mbetën në histori edhe pse kujtesa i rimishëron fare pak me atë frymë mirënjohje dhe respekti që meritojnë. Ata nuk ishin vetëm bashkëshorte dhe nëna, ata qenë gra që luftuan, u përpoqën dhe krijuan veprën e tyre të lavdishme. Shkodranja, Shaqe Marie Çoba ishte njëra prej tyre, ajo që përfaqësoi gruan në një kohë që femra shqiptare lëngonte nën barrën e pamundësisë për të qenë më shumë se sa e përulur dhe nënshtruar, jetëlindëse po jo ëmëlartësuese. Obskurantizmi i kohës u rrek të eklipsonte gruan përmes mjetesh diskriminuese dhe kodeve zakonore, shpesh të keqpërdorura, por pa mundur ta ndalojë atë të ishte e përfaqësuar dhe e mbrojtur nga një Zhan D’ark shqiptare, siç ishte Shaqe Marie Çoba.

Cirku Kombëtar, shfaqje për publikun e Lezhës

Cirku Kombëtar ofroi një shfaqje plot emocione për publikun e  Lezhës, në ambientet e Pallatit të Kulturës “Ded Ndue Lazri”.

Përmes numrave të akrobacive dhe surprizave të tjera trupa e Cirkut Kombëtar ofroi një mbrëmje të paharrueshme për fëmijët e Lezhës.

Interpretimet e akrobatëve të kësaj trupe sollën mjaft argëtim e të qeshura në sallë.

Një aktivitet i tillë tregoi se arti i cirkut mbetet një formë e gjallë, frymëzuese e argëtimit.

Që prej rihapjes, Pallati i Kulturës në Lezhë ka sjellë një sërë organizimesh, ndërsa aktivitetet nuk do të mungojnë as gjatë sezonit turistik./atsh/ KultPlus.com

Artistja Xhafa-Mripa shfaq instalacionin ‘Mendoj për Ty’ para selisë së KiE-së në Strasburg

Alketa Xhafa-Mripa ka shfaqur të enjten para selisë së Këshillit të Evropës në Strasburg të enjten instalacioninin e saj “Mendoj për Ty”, i cili i kushtohet viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës.

Ky instalacion u shfaq pikërisht në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikte të Armatosura, e cila shënohet çdo vit më 19 qershor.

Dhjetëra fustane të varura në tela për tharjen e rrobave, dhuruar nga gra të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë konflikteve të armatosura dhe nga figura publike në shenjë solidariteti, u shfaqën para ndërtesës së Këshillit të Evropës të enjten.

Numri i saktë i personave të dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-99, nuk dihet.

Por, sipas një raporti të Qendrës Amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, kjo shifër arrin deri në 20.000, shkruan REL.

Megjithatë, statusin ligjor si të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës e kanë marrë vetëm afër 2.000 persona.

Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në Strasburg shkroi në Facebook se, duke e sjellë këtë instalacion në zemër të Evropës, “Mendoj për Ty” është shndërruar “në një simbol të qëndresës dhe mbijetesës, dhe shërben si një rikujtim se eliminimi i dhunës seksuale në konflikte është i mundur vetëm nëse i japim mbështetje të pakushtëzuar të mbijetuarave dhe vendosim autorët përballë drejtësisë”.

Ajo tha se përurimi zyrtar i instalacionit do të mbahet më 23 qershor, gjatë sesionit veror të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, në prani të deputetëve të Asamblesë, përfaqësueseve të përhershëm të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës dhe autoriteteve më të larta të organizatës.

Stefan Çapaliku përmbyll ciklin e takimeve kulturore ‘Pena e Dritës’, prezanton veprat ‘Camera obscura’ & ‘Saga e Sarajevës’

Në vazhdën e takimeve kulturore mujore “PENA E DRITËS”, për muajin qershor, Biblioteka “Ernest Koliqi” ka pasur shkrimtarin e mirënjohur Stefan Çapalikun, një zë i veçantë në letërsinë bashkëkoherë shqipe, i cili përmes një paraqitje të thellë e mbrëslënëse prezantoi dy veprat e tija: “Camera obscura” poezi, dhe “Saga e Sarajevës” romani më i ri i tij.

Ky takim kulturor me shkrimtarin Çapaliku, shënon fundin e këtij cikli takimesh me figura të njohura të letërsisë, që pritet të vazhdojë përsëri në muajin shtator.

“Përvoja e tij shkrimore, krijimtaria e tij e veçantë, janë pasuri për kulturën tonë shqiptare. Takimi me shkrimtarin Çapaliku ishte i fundit para pushimeve verore. Ne do të rikthehemi me takimet tona në muajin shtator. Duke shprehur mirënjohje dhe falënderim bashkëpunëtorëve dhe gjithë audiencës, Ju urojmë të keni pushime të mira. Mirëupafshim në shtator!”, thuhet në komunikatë./ KultPlus.com

Nis ndërtimi i muzeut të Dritëro Agollit në Devoll, tjetër pikë turistike në qarkun e Korçës

Muzeu i “Dritëro Agolli” në Devoll është projekti më i ri për të cilin ka nisur sot zbatimi në vendlindjen e shkrimtarit të shquar.

Prefekti i qarkut të Korçës, Nertil Jole bëri të ditur se ky projekt vjen falë një bashkëfinancimi nga Këshilli i Qarkut Korçë dhe Bashkia Devoll.

Në një ceremoni, ku ishin të pranishëm autoritetet vendore, nisi sot hedhja e themeleve për këtë projekt të shumëpritur.

Ndërtimi i muzeut të Dritëro Agollit po bëhet në fshatin e tij të lindjes, Menkulas dhe sipas autoriteteve vendore “është konceptuar si një muze që i shkon për shtat një kolosi të letërsisë shqipe dhe një devolliu të mirë, atij që e ngriti lart emrin e Devollit dhe të devollinjve kudo”.

Ky muze do të jetë një nga pikat kryesore të turizmit, jo vetëm për bashkinë Devoll, por për të gjithë qarkun e Korçës.

‘Reporting House’ prezanton instalacionin që shënon 100 vjetorin e minierave të Trepçës

Në përvjetorin e parë të inaugurimit të muzeut “Reporting House” është prezantuar instalacioni artistik “100”, që shënon 100 vjetorin e minierave të Trepçës, i kuruar nga Gazmend Ejupi.

Pjesë e instalacionit janë 500 gurë dhe minerale të nxjerra nga miniera e Stantërgut, e cila konsiderohet si miniera më e vjetër e kompleksit gjigand të Trepçës.

“Këto minerale janë nxjerrë nga 750 metra thellësi nëntokësore, nga minatorë të cilët ende punojnë në kushte të vështira, në temperatura deri në 50 gradë Celsius, në lagështi, papastërti, pluhur dhe pa pajisje mbrojtëse. Këto kristale, të papërpunuara dhe ndriçuese e shumë mbresëlënëse janë më shumë se një mrekulli gjeologjike. Ato janë kalendar i historisë, dëshmitare të pafolura të mundit, rrjedha e moçme kohore e të cilave tashmë është ndërthurur me dekadat e fundit të rezistencës dhe çlirimit tonë”, thuhet në komunikatën e Reporting House.

Mineralet e instalacionit “100” që qëndrojnë pezull në hapësirën ekspozuese, duke dhënë ndjesinë e një Shpërthimi të Madh Universal, janë dhuratë të cilat Trepça  i ka dhuruar për Reporting House.

Ky Instalacion që shpërfaqë rëndësinë e Minierëve të Trepçës edhe në aspektin historik të Kosovës vjen si bashkëpunim i Reporting House, kompanisë Trepça Sh.A, dhe Open Art Gallery, me hulumtime të mbështetura nga ESI, BIRN dhe Bridget Storrie.

“Minierën e ka zhvilluar një ndërmarrje britanike minierash në vitet e 1920-ta, pak vite pas pushtimit të Kosovës nga Serbia, mirëpo gjatë Luftës së Dytë Botërore kontrollin e Trepçës e mori Gjermania Naziste, e cila e mbajti kontrollin e minierës deri në 1944. Gjatë periudhës që njihet si epoka e artë e Trepçës, nga viti 1960 deri më 1981, punësimi u rrit nga 8,000 në 22,885 punëtorë në vitin 1988. Kur Millosheviqi filloi suprimimin e autonomisë së Kosovës brenda Jugosllavisë, Trepça u bë kryeqendër e demonstratave. Në vitin 1989, në nëntokën e minierës, 1200 minatorë organizuan grevë urie tetëditore, qëllimi i së cilës ishte mbrojtja e Kushtetutës së Jugosllavisë, e vitit 1974. Ndonëse greva mori përmasa epike, ajo nuk arriti të ndalë shtypjen e paligjshmedhe u shnëndrrua në paralajmërim për shpërbërjen e dhunshme të Jugosllavisë”, thuhet në komunikatë.

Muzeu “Reporting House” është themeluar më 10.06.2024 në ish-shtëpinë e mallrave “Gërmia” në Prishtinë. Ky muze që pasqyron rolin dhe punën e gazetarëve vendorë dhe të huaj gjatë luftës në Kosovë, tashmë është shëndrruar në një qendër të rëndësishme për vizitorë, duke kthyer fokusin te ngjarjet sfiduese të vendit, në vitet ’80-’99./ KultPlus.com

Foto: Denis Sllovinja/ Kallxo.com

Foto: Denis Sllovinja/ Kallxo.com

Foto: Denis Sllovinja/ Kallxo.com

Foto: Denis Sllovinja/ Kallxo.com

Sot Dita Botërore e Refugjatëve

Dita Botërore e Refugjatëve është një ditë ndërkombëtare e caktuar nga Kombet e Bashkuara për të nderuar refugjatët në të gjithë botën.

Dita Botërore e Refugjatëve shënohet çdo 20 qershor dhe hedh dritë mbi të drejtat, nevojat dhe ëndrrat e refugjatëve, duke ndihmuar në mobilizimin e vullnetit politik dhe burimeve në mënyrë që refugjatët jo vetëm të mbijetojnë, por edhe të lulëzojnë.

Shumë aktivitete të mbajtura në Ditën Botërore të Refugjatëve krijojnë mundësi për të mbështetur refugjatët.

Dita Botërore e Refugjatëve u mbajt globalisht për herë të parë më 20 qershor 2001 për të përkujtuar 50-vjetorin e Konventës së vitit 1951 në lidhje me Statusin e Refugjatëve. Fillimisht njihej si Dita e Refugjatëve të Afrikës, përpara se Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ta caktonte zyrtarisht si një ditë ndërkombëtare në dhjetor 2000.

Çdo vit, Dita Botërore e Refugjatëve shënohet nga një sërë ngjarjesh në shumë vende të globit në mbështetje të refugjatëve.

Këto aktivitete drejtohen nga ose përfshijnë vetë refugjatët, zyrtarë qeveritarë, komunitete pritëse, kompani, personazhe të famshëm dhe nxënës shkollash./atsh/ KultPlus.com