”Thirrja” me regji nga Mirak Zymberaj do të shfaqet sonte në festivalin ‘Alexandria Short Film’

Sot në festivalin “Alexandria Short Film Festival” në Egjipt do të prezantohet filmi “Thirrja” (The call) me regji nga Mirak Zymberaj.

Regjisori Zymberaj prezanton Kosovën në këtë event artistik të rëndësishëm ndërkombëtar, në një festival i cili është njëherit ndër festivalet më të rëndësishme të Filmit të shkurtër Artistik në Arenën Ndërkombëtare./ KultPlus.com

Maqedonia nga lashtësia në ditët tona e Jusuf Buxhovit

Nga Romeo Gurakuqi

Randësia e këtij aktivteti promovues ka të bëjnë me personalitetin e autorit, me vepren konkrete që sot po e promovojmë në Tiranë, temën mjaft të rëndësishme të marrë në shqyrtim, shtrirjen kohore të studimit, përgjithshmërinë e subjektit të saj dhe faktin që është ndër punët e përkthyera në gjuhën angleze, një prej “vuajtjeve” më të mëdha që ka historiografia jonë, krahas defekteve të metodës së kërkimit, çlirimit nga dogmat dhe pasionet, njohjes së mangët të arritjeve të historiografisë perëndimore dhe të vendeve fqinje ballkanike, për shkak të izolimit tonë të mjeruar në diktaturë dhe nënvleftësimit me varfëri të shkollës së studimeve historike në tranzicion.

Autori i librit, profesor Buxhovi, është para së gjithash një intelektual, gazetar dhe aktivist politik, pjesë se strukturës më rilindase dhe më pro europiane që ka nxjerrë bota shqiptare e 40 vitet e fundit, e drejtuar nga shtetari i mirëfilltë shqiptar, Doktor Ibrahim Rugova;
Në karrierën e tij të gjatë si studiues Profesor Buxhovi ka arritur të shkruajë vepra kapitale për Historinë e shqiptarëve në Ballkan, dhe ato punime janë shkruar në liri, janë të “çliruara” nga skemat e ngurta që u janë ofruar dhe vazhdojnë t’u ofrohen, për fat të keq edhe sot e kësaj dite, publikut në dy anët e kufirit, mes dy shteteve shqiptare në Ballkan, ndër institucionet universitare.

Ajo që duhet të them është se veprat gjeneraliste mbi Kosovën dhe kjo mbi Maqedoninë, nuk mund të shkruhen pa një njohje jetësore të arritjeve historiografike të vendeve fqinje me ne, dhe posaçërisht në historiografisë jugosllave dhe serbe.
“Maqedonia nga lashtësia në ditët tona” është një shkrim i historisë maqedonase i bërë i mundur të realizohet për shkak të një studimi të përmanent, 20 vjeçarë dhe skedimi sistematik të çdo studimi të shkruar deri më sot për Maqedoninë, ose për vendet e tjera të Ballkanit, që lidhen me fokusin e studimit.
Është shkruar jo për shkak të një projekti zyrtar me afate, me linja të përcaktuara ideologjike dhe teza të dhëna gati nga “mbikqyrësit” dhe “koordinatorët” e akademive politike.

Asnjë krijim i mirëfilltë shkencor dhe i referueshëm ndërkombëtarisht nuk mund të shkruhet me urdhër dhe me afate, siç ndodh ende në vendin tonë, “Republikën e Çudirave”, por për shkak të misionit personal të autorit si shkencëtar dhe atdhetar europianist.

Ky libër është shkruar me saktësi shkencore, korrektesë akademike dhe ban dallim nga përpjekjet që bëhen sot në Shqipëri nga institucionet e ngarkuara, që përpiqen të shkruajnë vepra gjeneraliste përmes copëtimeve të autorësisë, duke humbur boshtin dhe rrënuar ekspertizën, duke shkelur standardet e etikës dhe korrektesës së studiuesve, deri edhe duke mos cituar, përvetësuar teza, etj…

Ajo çfarë vuan aktualisht bota shqiptare është mungesa e përkthimeve të veprave mbi historinë tonë në anglisht, ndërkohë që professor Buxhovi ia ka dalë ta plotësojë këtë hapësirë të lënë bosh nga të gjitha institucionet shqiptare në dy shtetet, për studiuesit ndërkombëtarë, të cilët deri më tash kanë si version të ofruar përgjithësisht, studimet e autorëve të vendeve fqinje, por jo të autorëve shqiptarë. Dhe këtë boshllëk të veprave të autorëve shqiptarë të fushës së historisë ne e konstatojmë sa herë që punojmë në bibliotekat perëndimore dhe kjo mangësi nuk duhet të mbetët kështu edhe më gjatë. Korigjimet në këtë drejtim do të duhet të fillojmë që nga shkolla e përgatitjes së historianëve, që fakteqësisht është në mjerim, në formalizëm, mbyllje hapësirash për konkurencën dhe zaptim anti-akademik.
Libri që kemi ardhur sot të promovojnë i kushtohet Maqedonisë, pikërisht asaj pjesë gjeografike të Ballkanit qendër jugor, ku nga antikiteti janë takuar “pllakat” kryesore etnike të rajonit, kulturat, religjionet dhe ku çështja e identitetit, përkatesisë është më së shumti e diskutueshme në historiografi dhe në politikë, deri në ditët tona.

Nga ana tjetër, në bashkëkohësi ky rajon është vendosur në qendër të vëmendjes për shkak të arsyeve gjeopolitike dhe ekspansonit propagandistik të tre shteteve ballkanike, që të errësuar nga nacionalizmi dhe fanatizmi, janë munduar të shtrembërojnë të vertetën mbi përkatësitë, rrjedhat historike, religjionet, kishat dhe në rastin e kombit tonë, edhe të vertetën mbi shtrirjen e popullit shqiptar në trevat e veta lindore dhe verilindore, kanë mohuar edhe të drejtat e popullit sllavo-maqedonas, minoriteteve që banojnë në ato anë, përfshirë edhe komunitetin katolik shqiptar në Shkup, bashkësinë e Nanës Terezë, që sot rezulton i zhdukur në heshtje me kontributin e të gjithëve, edhe të shqiptarëve atje.

Ndërkohë, sllavo maqedonasit, nga ana e tyre, në përpjekjen e ligjshme, do të thoja, për rifmormësimin identitar të veçantë në raport me bullgarët dhe serbët, kanë tejkaluar më pas “tagret e të drejtës të dhëna nga Hyu”, duke lëshuar goditjet e tyre ndaj popullit shqiptar në “Iliridë”, kanë nxitur deri vonë shtrembërimet identitare etj.. Po ashtu, politikanët tranzicionistë të këtij vendi deri para Marrëveshjeve demokratizuese të Republikes së Maqedonisë së Veriut, janë munduar të krijojnë një Republikë Maqedonase të vetën, për shumicën sllave, ngjashëm me atë që krijoi Tito në vitin 1945 për nevojat zvogëlimit të ndikimit të Serbisë në Federatën Jugosllave, duke vijuar për gati një dekadë në vitet 1990’, të mohojnë të drejtat e popullsisë shqiptare, duke injoruar faktin se qënia e Dibres, Tetovës, Gostivarit, Shkupit, Strugës, etj., ndër ato anë, është produkt i dy procesve: (A) i copëtimit të trevave shqiptare në vitin 1913 dhe 1919-21, rikonfirmit në vitin 1945 të kësaj ndarjeje të padrejtë historike; (B) si edhe i politikave denacionalizuese, kolonizuese dhe zhbimëse në pikëpamje identitare të ndjekura në Serbi para LIB, dhe në Jugosllavitë e pas LIB dhe pas LDB.

Për t’u kthyer në mënyrë të fokusuar tek libri ynë: “Maqedonia nga lashtësia në ditët tona”: është përspektiva e një shkrimtari illuminist shqiptar për Maqedoninë kuptuar shumë më gjërësisht se Republika e Sotme e Maqedonisë së Veriut; është përmbledhja e dijes së tij, arritur gjatë studimit permanent, kërkimit të vazhdueshëm arkivor dhe faktit që ai ka jetuar, në një Jugosllavi, një shtet, që për hirë të së vertetës, ka qenë më i emancipuar, më i përparuar dhe më i qytetarizuar se sa ishte Shqipëria e mbyllur dhe e dhunuar e Enver Hoxhës, Ramiz Alisë dhe ministrave të tyre pashpirtë të arsimit dhe shkencës;

Studimi i mikut dhe profesorit tonë është produkt i faktit që shkollat e përgatitjes së historianit e studiuesit të shkencave humane në hapësirën e Jugosllavisë, ku përfshihej Prishtina e Shkupi, kanë qenë shumë më të mira, krejtësisht të konsoliduara, më pak të ideologjizuara se në Shqipëri, vende me biblioteka shumë të pasura, me mundësi të mobilitetit akademik të shkëlqyeshme dhe një mbështetje financiare për intelektualët të ngjashme me atë që vendet perëndimore ofronin.

Edhe këto ditë kam ndej duke menduar: A mund të shkruhej një libër i tillë në Shqipëri?
Profesor i nderuar, keni ardhur ndër ne këto kohë, ndër të tjera për të na kujtuar shumë gjëra, por mbi të gjitha, se ku ndodhemi.
Ky libër mund të shkruhej nga studiues shqiptarë jashtë Shqipërie që ia kanë kushtuar jetën e tyre shkencës, por nuk mund të shkruhej në Shqipërinë e mbyllur dhe sot të hapur, por pa një bosht;

nuk mund të shkruhej në qoftë se një jetë nuk je marrë me studim, konspektim, skedim, pa u ndërprerë me ecjen ndër disa punë të tjera paralele që skanë lidhje me shkencën;
ky liber nuk mund të shkruhej pa njohjen tuaj të gjuhëve sllave, latinishtes dhe greqishtës së vjetër dhe gjuhëve perëndimore;

nuk mund të shkruhej në një vend ku nuk ka biblioteka që furnizohen përditë me libra;
ky liber nuk mund të shkruhej në qoftë se nuk ekziston një formësim metodologjik dhe filozofik prej historiani të mirëfilltë.

Historia e Maqedonisë e autorit Buxhovi në fakt ilustron marrëdhënien e ndërlikuar ndërmjet identitetit etnik, gjuhës dhe pavarësisë kombëtare.

Duke u mbështetur mbi të dhëna sporadike historike, gjeografike, kulturore ose gjuhësore, Serbia, Greqia dhe Bullgaria shpesh kanë avancuar pretendime ndaj Maqedonisë në aspektin e territorit dhe përkatësisë etnike me popullsinë, duke e injoruar situacionin konkret bashkëkohor, rrjedhat e ndërlikuara të 2000 viteve histori ndër këto anë dhe faktin se qenia e këtij territori nën perandorinë otomane deri në fillim të shekulllit XX, kishte ndryshuar dhe ndërlikuar gjithshka në pikëpamje të etniciteve dhe religjioneve.

Si lektor i Historisë së Ballkanit për më shumë se 32 vite ndër të parat përgatitje të detajuara që më asht dashur të bëj, kur fillova punën, ndërkohë që regjimi po binte, ka qenë historia moderne dhe bashkëkohore e Maqedonisë dhe me udhëzimin e profesorit tim, Thoma Murzaku, jam adresuar ne Bibliotekën Kombëtare për të gjetur librat e historisë zyrtare maqedonase në gjuhën shqipe.
Ajo çfarë kam kuptuar nga tekstet zyrtare të këtij vendi është se Shkupi zyrtar i përiudhës së Jugosllavisë Dytë kishte investuar në mënyrë strategjike dhe të jashtëzakonshme për krijimin e një Historie Zyrtare të Maqedonisë, për hartimin, nga “konglomerati dhe mishmashi i qendrës së Ballkanit”, një Histori Kombëtare Sllavo-Maqedonase, krijimin e një identiteti të posaçëm sllavo-maqedonas, në mbrojtjen e përsosur të drejtave politike dhe kulturore për vete, të Republikës së vogël dhe të brishtë të Jugosllavisë.

Në qoftë se sot shkon në Arkivin e Maqedonise, atje do gjesh të arshivuar, kopjet e dokumentacioneve që zotërojnë arkivat e më të rëndësishëm ndërkombëtare, çdo dokument që ka të bëjnë me emrin MAQEDONI. Dhe këtë ata studiues zyrtarë e kanë berë shumë kohë para se studiuesit shqiptarë të Shqipërisë të mbërrinin me hap dritaret e tyre të vogla dhe gjysmake, në arkivat e Stambollit, të Venedikut, Raguzës, Romës etj..

Pse ka ndodhur një gjë të tillë? Shtetarët e Maqedonisë së djeshme nën Jugosllavi e kanë pasur të qartë se përkatësia etnike e maqedonasve ishte dhe është ende shumë e diskutueshme.

Më ka bërë përshtypje të posaçme fakti se si nga një kryengritje e reduktuar në kohë dhe hapësirë, si ajo e Ilindenit dhe Republika e Krushevës që e pason, nga studiuesit zytare të atij vendi është ngritur një “Kështjellë” e Rilindjes së tyre, e Nacionalizmit e Patriotizmit Maqedonas, që edhe sot ka reflekse në politikë dhe në mbruajtjen dhe përforcimin e tyre identitar. Normalisht historia e nacionit sllavo maqedonas ka qenë e vështirë mbasi bëhet fjalë për një popullsi të shpërndarë në veri dhe në jug të atij rajoni, që ka pësuar edhe shtypje, edhe zhbimje, deri edhe pas LDB, siç është rasti i shpërnguljes massive nga Maqedonia greke të forcave partizane slave të kësaj kohe. Për rrjedhojë rikompaktësimi dhe mbrojtja në këtë pjesë, krijimi i republikës dhe shtetit, ka qenë një angazhim i jashtëzakonshëm i tyre dhe unë mendoj se ata ia kanë dalë, falë unitetit kulturorë, religjioz dhe gjuhësor dhe sot edhe falë kuptimit që njohja e realitetit dhe e të drejtave të popullit shqiptar atje, është kusht themelor i ekzistencës, paqes dhe europianizimit në këtë anë.

Për këto arsye dhe të tjera që do përmend më poshtë, sipërmarrja e Buxhovit në fakt nuk ka qenë e lehtë mbasi caktimi i Maqedonisë në një Kombësi Ballkanike është edhe sot i komplikuar, sepse ishte një rajon me etni të përzier.

Deri vonë nuk ka pasur regjistrime të besueshme; Hartat e disponueshme kanë qenë kontradiktore.

Bullgarët edhe sot pohojnë se maqedonasit janë bullgarë dhe ata flasin një dialekt sllav shumë të ngjashëm me bullgarishtja.
Serbët pretendonin se ishin serbë sepse kishin zakone popullore si ato të Serbisë.

Grekët, te fiksuar në nocionet antike dhe në ndërlidhjet gjeografike kanë vënë përherë në dukje mbizotërimin e kishave ortodokse greke dhe praninë e grekëve në zonë që nga koha e Aleksandrit të Madh dhe argumentojnë me forcë se fshatarët e Maqedonisë ishin grekë sllavishtfolës.

Libri i professor Buxhovit mbi Maqedoninë, sipas meje, ka veçorinë, është një histori gjenerale e këtij vendi kuptuar në përmasë të plotë, (me përjashtim të historisë bashkëkohorë të Maqedonisë së Jugut) i shkruar pa ngarkesat nacionaliste të përmendura më sipër, jashtë komplekseve të shkrimit të tezave të paracaktuara për arsye politike dhe nevojave të mbijetesave shtetërore.

Ai është një libër i cili nuk injoron asnjë komponent etnik dhe kulturorë në dy mije vite histori të kësaj ane të ballkanit, por ndjek të vërtetën përmes shqyrtimit të rezultateve kërkimore të autorëve seriozë. Para së gjithash ky liber ndjek faktorin iliro-dardan, arbnor dhe shqiptar në këto anë.

Ndryshe nga mënyra e studimit dhe e shkrimit të deritashëm të historive nacionale ballkanike, autori e ka shkruar historine e Maqedonisë, ashtu siç duhet, të pashkëputur nga historia rajonale e popujve të tjerë me të cilët maqedonasit kanë ndarë të njëjtin fat, brenda perandorive dhe brenda rrjedhave të historisë së marrëdhenieve ndërkombëtare.

Në këtë libër ne kemi Historinë e Maqedonisë nga koha e Ilirisë dhe Romës, Bizantit, Mbretërise Bullgare dhe Serbe, Perandorisë Osmane. Gjejmë të trajtuara raportet mes Fuqive të Mëdha me perandorinë e sipërpërmendur otomane, dekadencën e kësaj perandorie në fund të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX, Gjenezën e Çështjes Lindore në tërësi dhe të krizave që kulmuan here pas here për shkak të kësaj çështjeje të pazgjidhur të Lindjes, për Europen, që kishte të bënte me emancipimin e popujve të robëruar ballkanikë nga PO dhe shpërbërjen e saj; përpjekjet e Fuqive të Mëdha për Reforma, etj.

Shumë interesante paraqitet historia e LDB dhe e Jugosllavisë së Dytë, Përiudha e viteve 1981-1991, e pavarësisë së Maqedonisë dhe e krizës së vitit 2001.

Pra, e thënë më qartë, kemi të bëjmë një studim kompleks, të gjithanshëm të atij entiteti historiko- gjeografik, parë në kuadrin e historisë së Europës Juglindore, marrëdhenieve ndërkombëtare të kohës dhe shteteve ku ai territor dhe popullsitë e kësaj ane, kanë bërë pjesë, duke përfshirë, Jugosllavinë e Parë në përiudhën mes dy luftrave botërore dhe Jugoslavinë e Dytë, deri ditën kur pjesa veriore e Maqedonisë u mevëtësua si republikë e pavarur, shtet që prirej dhe priret edhe sot të europianizohet.

Duke qenë se si pjesën e Rilindjes maqedonase dhe shqiptare, ashtu edhe pjesën e Bashkëkohësisë, më ka takuar t’i studio, verëj se autori ecën në rrugë të ndryshme nga historiografia shqiptare, që ende është peng i fshirësve të të vertetave dhe atyre që duan të kalojnë kohën kot.
Për të kanë rënë me kohë shabllonet e histriografisë komuniste; njeh krejt mirë realitetin e kesaj periudhe dhe për pjesën bashkëkohore, saktësisht pas rënies së Murit të Berlinit.

Buxhovi mund të themi se ecën në një rrugë krejtësisht të veten të rishkrimit si historian dhe si deshmitar i procesve në tërësi në Kosovë, Maqedoni e Jugosllavi, i çliruar nga komplekset dhe ngarkesat politike dhe duke i qendruar besnik profesionit të historianit serioz, që nuk ngurron të thotë edhe të verteta, që të paditurve e të fanatizuarve nuk u pëlqejnë.

Në qoftë versionet e historisë zyrtare të Maqedonisë janë përpjekje për të themeluaar një histori nacionale nga interesa të veçanta të atij shteti, të trashëguar nga Jugosllavia e Dytë, libri professor Buxhovit është histori e Maqedonisë që nuk ecen në kahun e fshirjes së identiteteve të tjera në atë territor kaq të përzier; është një histori që nuk len në heshtje interesat e popullit shqiptar, rolin e tij si faktor paqësor shtetformues ndër këto anë.
Jusuf Buxhovi është prej historianëve shqiptarë që ia ka dale të kryejë procesin e Rishkrimit të Historisë së trojeve shqiptare në formë gjenerale, që zakonisht e bëjne institutet. Por ai e ka bërë një gjë të tillë, i vetëm, i çliruar nga dogmat që vazhdojnë të rëndojnë mbi ne në Tiranë dhe që mbajnë lidhur në një fare mënyrë, për një mijë arsye edhe institucionet historishkruese kosovare.
Një histori e Maqedonise ne versionin qe shqiptaret atje duhet ta dijne dhe të krenohen që janë pjesë e saj, mbase për shkak të padrejtësisë së historisë, që i shkëputi nga shteti amë.

Një histori që mban nalt flamurin e Ilirisë, Dardanisë dhe Arbnisë, Rilindjes dhe te drejtave te shqiptareve, pa shkelur të drejtat e të tjerëvë dhe mbi të gjitha duke respektuar të vertetën, historinë dhe kompleksiteti e kësaj të vertëtë në rastin e kësaj hapësire ballkanike
Ju faleminderit!

*(Kumtesë e lexuar me rastin e promovimit të librit “Maqedonia nga antika deri te koha e jonë” nga Akademia e Studimeve Albanologjike në Tiranë, më 28 prill 2023)/ KultPlus.com

Nga Kosova në Zvicër për bamirësi me edicionin e 7-të të aktivitetit filantropik “Save a life”

Shkruan: Iliriana Pylla

Në Zürich do të mbahet edicioni i 7-të i aktivitetit filantropik “Save a Life“, organizuar nga Action for Mothers and Children.

Drejtoresha ekzekutive e kësaj organizate, Rina Spahija ka thënë për Voice for Albanians se ngjarja kulturore do të mbahet më 23 maj dhe ka për qëllim që të shpëtojë më shumë jetë dhe të përmirësojë shëndetin e nënave dhe fëmijëve në Kosovë.

“Secili ndihet mirë kur dhuron, dhe në momentin kur dhuron për një kauzë kaq të rëndësishme të shtetit tonë, i cili ende ka nevojë për ndihmë sidomos në sistemin tonë shëndetësor, ku shpesh mungojnë medikamente jetike, atëherë vërtetë të gjithë ndihemi më mirë”, ka thënë ajo.

Synimi i këtij organizimi i cili përmban pika artistike është që të mbledh fonde për të siguruar medikamente e produkte të cilat mungojnë në Kosovë e të cilat në shumë raste edhe kushtojnë, e që familjarët dhe shteti shpesh nuk kanë mundësi t’i sigurojnë.

“Është një shkëmbim përvojash, një mundësi e dyfishtë ku ne i japim mundësi bizneseve të kontribuojnë për një kauzë për të cilën edhe ata janë të interesuar. Në anën tjetër ne marrim ndihmë financiare për realizim të projekteve shëndetësore përmes të cilave mbështesim gratë shtatzëna, blerjen e inkubatorëve për spitalet regjionale dhe për Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, trajnime të ndryshme për mjek neonatolog dhe infermiere të neonatologjisë. Po ashtu ne përmes këtyre fondeve sigurojmë donacionin e sulfatatit i cili është një medikament i cili ndihmon në zhvillimin e mushkërive të foshnjave të lindura para kohe”, ka thënë Spahija.

Ajo ka shtuar se janë të përkushtuar ndaj shpëtimit të jetëve dhe përmirësimit të shëndetit të nënave dhe fëmijëve në Kosovë, duke ndihmuar sistemin shëndetësor dhe duke siguruar qasje të barabartë në kujdes shëndetësor cilësor për çdo grua dhe fëmijë, pavarësisht prejardhjes apo vendndodhjes.

“Synojmë të ulim sëmundshmërinë dhe vdekshmërinë e nënave dhe foshnjave, unë po besoj se çdo kompani do të kishte dashur të dhurojë e ndoshta edhe të investojë në një ndryshim të sistemit shëndetësor në Kosovë. Ne nuk dhurojmë në një familje ose individ, ne dhurojmë ose investojmë në sistemin shëndetësor publik. Bashkëatdhetarët tanë më së miri e dinë se si janë ndërtuar sistemet perëndimore shëndetësore, prandaj po na duhet që edhe ne të bëhemi patriot dhe të ndihmojmë në ndërtimin e sistemeve tona”, ka theksuar ajo.

Përndryshe nga donacionet e siguruara në vitin 2024, 10 fëmijë me diabet morën pompa insulin, 5,000+ gra përfituan PaP teste falas, 6,000 gra dhe vajza morën mbështetje në Klasat për Nëna, 4,300 prindër u informuan mbi vaksinën HPV, 6 qendra të mjekësisë familjare u furnizuan me pajisje mjekësore. Ka ende nëna dhe fëmijë që kanë nevojë për kujdes urgjent, andaj po kërkohet kontributi i bashkëatdhetarëve ku çdo biletë e blerë nuk është thjesht një donacion por është një akt që shpëton jetë dhe jep shpresë për një të nesërme më të mirë.

Aktiviteti kulturor filantropik “Save a Life” do të mbahet më 23 maj në ora 19:30 në Zürich, hotel Five, Döltschiweg 234, 8055. Do të përcillet me një program të pasur dhe emocionalisht të fuqishëm: fjalime frymëzuese, mundësi rrjetëzimi me individë të përkushtuar, koktej mikpritës dhe darkë e kuruar me kujdes, e shoqëruar me muzikë live nga grupi String String./ KultPlus.com

Ishte nominuar dikur për çmimin Nobel, fakte nga jeta e diktatorit të tmerrshëm Adolf Hitler

Adolf Hitler, një nga diktatorët më të këqinj ndonjëherë, mbase edhe më i keqi në tërë historinë njerëzore, ishte përgjegjës për 60 deri në 85 milion vdekje gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Emri i tij sjell konotacione të vrasjes, mjerimit, luftës, holokaustit dhe përpjekjes së shfarosjes së çifutëve dhe minoriteteve tjera. Pavarësisht se Hitleri ishte një nga njerëzit më të dokumentuar në historinë njerëzore, ende ka pak fakt të njohura për të.

KultPlus iu sjellë këto fakte të padëgjuara rreth tij.

Hitleri duhej të jetonte në strehimore për të pastrehët për një kohë: Si shumë austriakë, edhe Hitleri filloi të tërhiqej nga idetë nacionaliste gjermane që nga mosha e re. Babai i tij vdiq kur ai ishte 14 vjeç, dhe më pas performance e Hitlerit në shkollë ra. 2 vite më vonë ai ndërroi shkollën dhe u regjistrua në një shkollë në Austrinë e Epërme.Nëna e tij vdiq nga kanceri I gjirit në moshën 47 vjeç. Ndërsa në moshën 18-19 vjeç, ai u refuzua nga Akademia e Arteve të Bukura, pasi u shpall  i papërshtatshëm për pikturë. Hitleri nisi të shiste piktura, por për shkak të mungesës së cilësisë dhe burimeve, ai dështoi. Ai vazhdonte të lëvizte nga një vend në tjetrin, pasi kursimet e tij gradualisht zvogëloheshin dhe stili i jetës u përkeqësua. Gjysëm i uritur dhe i ngrirë, i duhej të jetonte në strehimore në Vjenë, por pas 3 vitesh ai mori trashëgiminë e babait të tij dhe u transferua në Mynih.

Hitleri u verbua përkohësisht të paktën një herë nga sulmi me gaz: Gjatë sulmit në kampin e tij me 15 tetor 1918, gjaatë Luftës së Dytë Botërore u verbua përkohësisht dhe u shtrua në spital. Gjatë kohës sa ishte atje, ai mësoi për humbjen e Gjermanisë dhe armëpushimin me Britaninë e Francën. Thuhet se kur dëgjoi një lajm kaq të tmerrshëm për gjermanët, pësoi verbërim të përkohshë.

Vuante nga sëmundja e Parkinsonit: Studiuesit kanë sugjeruar që Hitleri vuante nga një numër sëmundjesh, përfshiirë edhe sëmundjen e Parkinsonit. Disa e përshkruanin atë si një psikopat neurotic. Sëmundja e Parkinsonit është një çrregullim degjenerues i sistemit nervor qendror, që ndikon në lëvizjen, kujtesë, në të menduarit dhe sjelljet e pacientit.

Hitleri nuk vizitoi kurrë një kamp përqendrimi: Shumica e 11 milion hebrenjve, dhe pakicave të tjera të vrarë gjatë Holokaustit nga forcat naziste të Hitlerit, u vranë në 1200 kampe të përqendrimit nazist. Kampi i parë u krijua në Gjermani me 1933, ato u ndërtuan për të mbajtur dhe torturuar organizatorët e sindikatave dhe kundërshtarët politikë. Hitleri nuk vizitoi kurrë një kamp të tillë, edhe pse këto kampe ishin të ndërtuara në lindje. Kjo distancë që mbajti Hitleri mes vetes dhe vendit të vrasjes, ka nxitur pretendimet e bëra nga mbështetësist neo-nazistë se Hitleri nuk ishte përgjegjës për atë që po ndodhte.

Hitleri dëshironte të bëhej prift kur ishte fëmijë: Ai lindi nga një nënë katolike dhe një baba antiklerik. Kur ishte 8 vjeç, ai këndonte në korin e kishave dhe mori mësime për të kënduar që të përmirësonte vokalin e tij. Ai madje aspironte të behej prift.

Hitleri merrte kokainë dhe koktej drogash në mënyrë të rregullt: Ai përdori një inhalator për të marrë rregullisht kokainë, për të ndihmuar problemet e fytit dhe sinusit, nga të cilat vuante. Gjithashtu përdori pikat e syve të përziera me 10% kokainë. Mjeku i Hitlerit, Dr Theodore Morel ishte përgjegjës për përshkrimin e këtyre ilaçeve dhe hetuesit amerikanë deshën ta dinin nëse  Morell, ishte një agjent i dyfishtë që përpiqej ta dëmtonte shëndetin e tij.

Hitleri u nominua për çmimin Nobel për paqe në 1939: Stalini dhe Hitleri, të dy personazhet u nominuuan për çmimin Nobel për paqe. Por nominimi i Hitlerit supozohej të ishte një ironi dhe shaka. Një anëtar i parlamentit suedez nominoi atë, me synimin që të kritikonte qeverinë suedeze. Kjo gjë nuk u prit mirë dhe ai u detyrua të tërhiqte këtë nominim.

Hitleri hoqi një pjesë të mustaqeve të tij, pasi ato gati e vranë atë: Mustaqet e Hitlerit nnuk ishin gjithmonë ashtu si duken. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai kishte mustaqe të plota. Por gjatë sulmeve me gaz, Hitleri nuk mund të hiqte maskën e tij të frymëmarrjes nga fytyra e tij për shkak të mustaqeve, kështu ai pothuajse vdiq për shkak të pranisë së gazit. Si rezultat, mbikëqyrësit e Hitlerit urdhëruan atë të hiqte mustaqet e tij, për të lehtësuar veshjen e maskave të gazit.

Si përfundim, veprat e Hitlerit ishin aq shkatërruese, saqë emri i tij mbetet padyshim i njohur dhe i përçmuar nëpër botë edhe disa vite më vonë./ KultPlus.com

Financimi nga SHBA i kufizuar, OKB shkurton vendet e punës dhe ndihmat humanitare

Disa agjenci të OKB-së që ofrojnë ndihma për fëmijët refugjatë dhe njerëzit e tjerë që kanë nevojë për ndihmë ose që janë në rrezik në të gjithë botën, po shkurton vendet e punës. Associated Press bën të ditur ase shkurtimi i ndihmave, por dhe stafit të punës vjen si pasojë e fondeve të cunguara nga SHBA.

OKB paralajmëron se në vazhdohet me këto ritme do të preken rënë ndihmat dhe njerëzit që i “kanë sytë” nga ato në mbarë botën.

Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së pritet që të shkurtojë deri në 30% të stafit të tij. Kreu i Komisionarit të Lartë të OKB-së për Refugjatët tha se do të zvogëlojë selinë dhe zyrat rajonale për të ulur kostot me 30% dhe për të shkurtuar pozicionet e nivelit të lartë me 50%.

Agjenci të tjera si UNICEF, agjencia e OKB-së për fëmijët dhe OCHA, agjencia humanitare e OKB-së gjithashtu kanë njoftuar se planifikojnë që të bëjnë gjithashtu shkurtime që lidhen me ndihmat dhe vendete  punës./ KultPlus.com

14 vite nga vdekja e shkrimtarit arbëresh, Ernesto Sabato

Sábato ka lindur në Rojas, provincia de Buenos Aires në Argjentinë më 24 qershor, 1911. Nëna e tij Juana Maria Ferrari rridhte nga një familje arbëreshe e Italisë, ndërsa babai i tij, Franciso Sabato, po ashtu ishte nga Italia. Ata kishin njëmbëdhjetë fëmijë, të gjithë djem. Ernesto ishte fëmija i dhjetë i familjes Sábato. Ditën që lindi, vëllau më i madh vdiq dhe e ëma e pagëzoi Ernesto sipas vëllait të tij.


Ai kreu shkollën e mesme më 1928 dhe u regjistrua në Universidad de La Plata, ku studioi fizikë dhe matematikë. Në vitin 1930 ai iu bashkua partisë komuniste dhe në atë kohë takoi Matilde Kusminsky Richter, që atëherë ishte shtatëmbëdhjetë vjeç. Të dy lanë familjet dhe studimet dhe filluan të jetojnë bashkë. Ernesto përdorte një emër konspirativ dhe ishte mjaft aktiv në parti. Në vitin 1933 ai u bë sekretar i Rinisë Komuniste, por po fillonte të zhgënjehej me partinë dhe kishte dyshime. Më 1934 ishte dërguar si delegat në Bruksel në Kongresin kundër fashizmit dhe luftës, prej aty duhej të udhëtonte për Moskë për një periudhë ‘spastrimi’. Në Bruksel Ernesto kuptoi natyrën e vërtetë të partisë komuniste dhe iku në Paris, ku jetoi i fshehur pasi partia po e kërkonte. Pa miq dhe pa para, ai fillon të shkruajë romanin e tij të parë.

Në vitin 1935 ai kthehet në Argjentinë ku martohet me Matilden dhe vazhdon studimet në Universidad de La Plata. Në vitin 1938 doktoron në fizikë dhe fiton bursë për të hulumtuar rrezatimin atomic në Laboratorin Curie në Paris. Matilde dhe djali i tyre, Jorge Federico shkojnë me të. Gjatë qëndrimit në Francë ai vazhdon të shkruajë dhe të pikturojë. Më 1939 bursa iu transferua për Massachusetts Institute of Technology. Ai kthehet në Argjentinë dhe fillon të ligjërojë matematikë dhe fizikë në Universidad de La Plata. Ftohet t’i bashkohet revistës Jugu, ku takohet me Jorge Luis Borges dhe të dy bëhen miq. Më 1941 fillon të shkruajë për gazetën La Nacion.

Në vitin 1943 ai kalon një “krizë ekzistenciale” dhe vendos të lërë shkencën dhe t’i përkushtohet krejtësisht vetëm shkrimit dhe pikturimit. Jep dorëheqje nga univeristeti dhe bashkë me familjen zhvendoset në male (Provincia de Cordoba). Fillon të shkruajë dhe shpejt përfundon librin Njëshi dhe gjithësia, që u botua më 1945. Në këtë libër Sábato haptas mohon shkencën dhe racionalen. Fiton çmime dhe nderime për këtë libër.

Roman i tij i parë Tuneli botohet më 1948. Më 1951 botohet libri tjetër Njerëz dhe dhëmbëzorë, me refleksione për paratë, arsyen dhe kalueshmërinë e kohës. Një studim për konceptet e botës dhe jetës moderne duke filluar nga Renesansa. Në vitin 1953 botohet libri Heterodoxia, që është definuar si fjalor i njeriut në krizë. Më 1955 bëhet drejtor i gazetës Mundo Argentino. Në këtë kohë Argjentina ishte në trazira politike. Më 1956 botohen dy librat më kontraverse të Sábatos: El otro rostro del Peronismo (Fytyra tjetër e peronizmit) dhe Torturas y Libertad de Prensa (Torturat dhe liria e shtypit).

Në vitin 1961 boton romanin e tij të dytë Sobre héroes y tumbas (Mbi heronjtë dhe varrezat), një studim psikologjik i njeriut i thurur me idetë filozofike të botuara më parë në librat e tij me ese. Kapitullin Raport për të verbërit shumë studiues e quajnë kryevepër të letërsisë botërore.

Në vitin 1971 fillon të shkruajë për gazetën La Opinion. Në vitin 1973 boton romanin e tretë Abaddón, el exterminador (Abadon, engjëlli i shkatërrimit), një libër për vizionin apokaliptik të botës moderne dhe për triumfin e të keqës.

Në vitin 1977 Italia i akordon çmimin “Medicci”, ndërsa më 1978, në Spanjë e dekoron me urdhrin Gran Cruz de la Orden al Mérito Civil.

Më 1984 presidenti i Argjentinës Raúl Alfonsín e emëron kryetar të Comisión Nacional sobre la Desaparición de las Personas (CONADEP), (Komisioni Kombëtar për Personat e Zhdukur), komision që ka hulumtuar rastet e personave të zhdukur gjatë diktaturës ushtarake në Argjentinë. Libri Nunca Más (Kurrë më) në të cilin jepen dëshmitë e atyre që shpëtuan dhe të dëshmitarëve të zhdukjes dhe vrasjes së mëse njëzetmijë njerëzve, është botuar si rezultat i hulumtimit të këtyre tragjedive.

Organizata e Shteteve Amerikane (O. A. S.) i jep çmimin Gabriel Mistral, ndërsa mbreti i Spanjës, Huan Karlos, e dekoron me çmimin Miguel de Cervantes. Dekorohet prapë nga Italia më 1985 me Urdhrin për Merita dhe më 1987 Fransoa Miteran, kryetar i Francës e dekoron me gradën Komandant i Legjionit të Nderit. Ka marrë gradën “Doktor nderi” (Honoris causa) nga Univeristeti Murica, Spanjë, Universidad de Rosario, Argjentinë, Universidad de Campinas, Brazil, Universidad del Litoral, Santa Fe, Università degli Studi di Torino, Itali Më 1995 në Shqipëri merr titullin Ismail Kadare, të ndarë nga fondacioni Velija. Vdiq në shtëpinë e tij në Argjentinë, më 30 prill 2011 në moshën 99 vjeçare./ KultPlus.com

Shkencëtari thotë se teoria e Big Bang-ut është e gabuar – tregon të vërtetën si filloi universi

Një teori e re dhe e diskutueshme për mënyrën se si ka nisur universi hedh poshtë bindjen e përhapur se gjithçka filloi me një shpërthim gjigant kozmik, të njohur si Big Bang.

Një shkencëtar sugjeron se kozmosi është zgjeruar përmes shpërthimeve të shpejta dhe të shumta, e jo përmes një shpërthimi të vetëm të madh.

Ky shpjegim alternativ, i publikuar nga profesori Richard Lieu nga Universiteti i Alabamës në Huntsville, sfidon njërën nga teoritë më themelore dhe më të hershme në të gjithë kozmologjinë.

Lieu argumenton se secili nga këta shpërthime, të quajtura “singularitete të përkohshme”, ka lëshuar materie dhe energji të re në hapësirë – që më vonë u shndërruan në planete, yje, galaktika dhe gjithçka tjetër që ekziston.

Teoria e Big Bang-ut, në krahasim, propozon që universi filloi si një pikë e vogël, tepër e nxehtë dhe e dendur me materie dhe energji.

Ajo pikë pastaj shpërtheu dhe krijoi një përmbytje të materies dhe energjisë që u zgjerua me shpejtësi – dhe ende po zgjerohet sot – ndonëse shkaku i shpërthimit fillestar mbetet i panjohur.

Kjo ka qenë shpjegimi dominues për origjinën e universit që nga vitet 1960. Por, pavarësisht popullaritetit të saj, kjo teori sfidohet gjithnjë e më shumë nga kërkimet e reja mbi materien e errët dhe energjinë e errët – grimca të padukshme që shkencëtarët besojnë se përshkojnë universin.

Modeli i Big Bang-ut nuk funksionon pa praninë e këtyre grimcave misterioze, por deri më tani nuk është arritur të provohet ekzistenca e tyre.

Lieu beson se teoria e tij e kapërcen këtë kufizim, duke ofruar një kornizë të re për lindjen e universit që nuk kërkon materie të errët apo energji të errët.

Singularitetet e përkohshme të propozuara në punimin e tij të ri – të publikuar në revistën Classical and Quantum Gravity – nuk janë të kufizuara në një fillim shpërthyes të vetëm si Big Bang-u.

Në vend të kësaj, ato kanë vazhduar të lëshojnë shpërthime të energjisë dhe materies në kozmos gjatë gjithë historisë.

Ndikimi i tyre kolektiv ka shtyrë universin të zgjerohet, duke e përmbytur me materiet që formojnë strukturat kozmike që shohim sot.

Sipas Lieu-t, këto shpërthime të rastësishme ndodhin rrallë dhe në mënyrë të menjëhershme, duke u zhdukur para se të mund të zbulohen nga teknologjitë aktuale, si teleskopët.

Kjo teori mund të shpjegojë strukturën e universit që vërejmë sot dhe arsyen pse ai po zgjerohet me shpejtësi, pa nevojën për materie të errët apo energji të errët.

Sipas teorisë së Big Bang-ut:

Materia e errët është “skeleti i padukshëm” që mban të lidhura strukturat e universit.

Energjia e errët është një forcë e padukshme që shtyn universin të zgjerohet gjithnjë e më shpejt.

Pa këto dy substanca të mistershme, teoria e Big Bang-ut fillon të shpërbëhet.

Për shembull:

Pa materie të errët, universi i hershëm nuk do të kishte pasur tërheqje gravitacionale të mjaftueshme që të formohen galaktikat kaq herët, siç tregojnë vëzhgimet moderne.

Energjia e errët është e domosdoshme për të shpjeguar pse shkalla e zgjerimit të universit është në rritje – besohet se vepron si një forcë shtytëse që e shtrin kozmosin gjithnjë e më shumë.

Pra, supozimi se këto forca tërheqëse dhe shtytëse ekzistojnë është esencial për ta bërë teorinë e Big Bang-ut të përputhet me atë që shohim realisht në univers.

Lieu përpiqet ta ristrukturojë modelin e universit në mënyrë që të përputhet me ligjet e njohura të fizikës dhe me të dhënat e vëzhguara, pa u mbështetur në forca që nuk janë provuar ende.

Por, edhe pse singularitetet e tij të përkohshme janë një alternativë interesante, edhe kjo teori ka kufizimet e saj.

Së pari, këto shpërthime të shpejta dhe të rralla janë të paobservueshme për momentin. Ashtu si materia dhe energjia e errët, nuk ka prova të drejtpërdrejta për ekzistencën e tyre.

Për më tepër, ka më shumë prova të tërthorta për materien dhe energjinë e errët sesa për singularitetet e përkohshme.

Teoria e Lieu-t nuk e shpjegon se çfarë i shkakton këto singularitete, dhe ajo ende duhet të vërtetohet me të dhëna eksperimentale.

Për të arritur këtë, ai planifikon të përdorë teleskopë në tokë për të kërkuar “kërcime” në redshift – një fenomen ku drita nga një objekt i largët zhvendoset drejt skajit të kuq të spektrit të dritës ndërsa objekti largohet.

Astronomët përdorin redshift-in për të llogaritur shkallën e zgjerimit të universit – dhe “kërcimet” në redshift mund të mbështesin pretendimin e Lieu-t se shpërthimet e shkurtra të energjisë janë duke nxitur zgjerimin e universit./ Express/ KultPlus.com

Gjermani: Bie gatishmëria për të kujtuar të kaluarën naziste

Pothuajse 80 vjet pas fundit të diktaturës naziste, gjithnjë e më shumë njerëz duan të heqin një “vijë” nën kulturën gjermane të kujtesës. Autorët e një studimi të ri paralajmërojnë për një “pikë kthese”.

Njerëzit në Gjermani ndonjëherë kanë boshllëqe të mëdha në njohuritë e tyre për diktaturën naziste dhe kanë gjithnjë e më pak vullnet për t’iu qasur në mënyrë kritike Rajhut të Tretë. Për herë të parë, një shumicë relative e popullsisë dëshiron të heqë një “vijë” nën të kaluarën naziste të Gjermanisë për sa i përket kulturës së kujtesës, siç tregohet nga studimi i ri Memo i fondacionit “Kujtim Përgjegjësi E ardhme” (“Erinnerung Verantwortung Zukunft” (EVZ)). Vetëm 42.8 përqind e të anketuarve thanë se ishte e rëndësishme për ta që ta mbanin gjallë kujtimin e krimeve të diktaturës naziste.

Sipas rezultateve, 38.1 përqind e të anketuarve ishin plotësisht ose disi dakord me tezën se është “koha për të hequr një vijë ndarëse nën epokën e nacionalsocializmit (diktaturës naziste)”. 37.2% ishin pjesërisht ose plotësisht kundër kësaj ideje. Që nga viti 2018, kjo pyetje është bërë në mënyrë të ngjashme edhe në katër studime të mëparshme memo të Fondacionit – por këtë herë, për herë të parë, shumica e të anketuarve u shprehën ndryshe.

Pak gatishmëri për t’u marrë me periudhën naziste

Njerëzit e moshës së mesme dhe votuesit e AfD-së prireshin të pajtoheshin me pohimin “e heqjes vijë”. Të rinjtë dhe të moshuarit, si dhe ata me nivele më të larta arsimimi, si tendencë janë që kujtimi i së kaluarës naziste të vazhdojë. Megjithatë, një shumicë prej 43.6 përqind janë dakord me pikëpamjen se “ne duhet të përqendrohemi në problemet aktuale”.

Në anketë, 44.8 përqind e të anketuarve thanë se zemërohen që “gjermanët ende fajësohen sot për krimet e kryera kundër hebrenjve”. 28.2 përqind nuk ishin dakord me këtë deklaratë. Teza të tilla si “nuk e kuptoj pse duhet të vazhdoj të shqyrtoj historinë e Nacionalsocializmit sot” dhe “më duket normale që brezat e ardhshëm të mos e shqyrtojnë më epokën e Nacional Socializmit” u kundërshtuan me shumicë.

Studiuesit paralajmërojnë për humbjen e kulturës së kujtesës

Vetëm rreth një e treta (35.5%) e të anketuarve ishin në gjendje të shpjegonin shkurtimisht se çfarë nënkuptohej me termin eutanazi, pra vrasja e qëllimshme e njerëzve të sëmurë, në kontekstin e epokës naziste. Rreth tre të katërtat e të anketuarve nuk mund të jepnin vlerësime realiste për numrin e viktimave. Kjo kishte të bënte edhe me numrin e sintëve dhe romëve të vrarë ose numrin e punëtorëve me punë të detyruar.

Veronika Hager, punonjëse kërkimore në Fondacionin EVZ, e përshkroi rezultatin si një “pikë kthese në kulturën e kujtesës”. “Për gjithnjë e më shumë njerëz, nazizmi është thjesht një periudhë tjetër historike, e cila nuk ka më shumë të bëjë me të tashmen dhe një orientim vlerash këtu dhe tani”, tha Hager. Kjo duhet kundërshtuar.

Një tjetër përfundim i studimit është se shumë njerëz, veçanërisht të rinjtë, duan të angazhohen më shumë në kujtimin e së kaluarës naziste të Gjermanisë.

Rezultate kritike për AfD-në

Çështjet aktuale politike luajnë gjithashtu një rol në studim: gjashtë nga dhjetë të anketuar (58.2 përqind) e konsiderojnë AfD-në të pavotueshme në zgjedhje duke pasur parasysh historinë gjermane. Rreth 50 përqind thanë më tej se AfD ishte po aq kërcënuese për shoqërinë gjermane sa dikur NSDAP (partia e Hitlerit). 57.7 përqind besonin se është e drejtë që AfD të karakterizohet si parti e ekstremit të djathtë.

Në studim, 44.4 përqind e të anketuarve thanë se e konsideronin përgjegjësi të tyre personale të tregonin solidaritet me hebrenjtë në Gjermani, 23.3 përqind e kundërshtuan këtë dhe 32.1 përqind u përgjigjën pjesërisht/pjesërisht. 39.8% e të anketuarve kundërshtuan deklaratën se “Gjermania ka një detyrim të veçantë ndaj Izraelit”. Kjo deklaratë u miratua nga 28.5% e të anketuarve.

Studimi konsiderohet përfaqësues

I ashtuquajturi Studim-Shtysë-Për t’u menduar (Gedenkanstoß-Memo) bazohet në një anketë online të kryer në tetor 2024 midis 3.000 personave të moshës 18 vjeç e lart që e kanë Gjermaninë vend të përhershëm qëndrimi. Mosha mesatare e të anketuarve ishte 52.6 vjeç. Studimi konsiderohet përfaqësues për të gjithë popullatës. /DW/ KultPlus.com

26 vite nga sulmi ndaj Besim Kadriut, Kryeministri Kurti: Plagët e tij pasqyrojnë historinë e dhembjes kolektive

Më 29 prill 1999, kur forcat e armatosura serbe sulmuan fshatin Zhazhë, Besim Kadriu u godit me plumb dum-dum, që i shkatërroi pjesën më të madhe të fytyrës.

Në 26 vjetorin e kësaj ngjarjeje tmerri, Kryeministri Kurti ka nderuar Besim Kadriun, ku edhe ka potencuar se plagët e tij  pasqyrojnë historinë e dhembjes sonë kolektive.

“Besimi është mishërim i qëndresës së popullit tonë. Në plagët e tij pasqyrohet historia e dhembjes sonë kolektive, e cila nuk mund të harrohet kurrë.

Krahas dëshmorëve dhe martirëve, nderojmë të gjithë që sfiduan vdekjen dhe jetojnë me plagët e lirisë”, ka shkruar Kryeministri Kurti.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Kryeministrit Kurti:

Më 29 prill 1999, kur forcat e armatosura serbe sulmuan fshatin Zhazhë, Besim Kadriu u godit me plumb dum-dum, që i shkatërroi pjesën më të madhe të fytyrës. Menduan që kishte vdekur. Por pas 24 orësh në gjendje kome, Besimi u rikthye në jetë.

Pa hundë dhe pa syrin e djathtë, ai mbijetoi për shtatë javë nëpër pyjet përreth Mitrovicës, me kujdesin e Jeton Pecit, të asistuar nga Ganimete dhe Nehat Peci, derisa erdhën në ndihmë ushtarët e KFOR-it.

Besimi u dërgua në Mbretërinë e Bashkuar nga Forcat Ajrore Mbretërore (RAF) në shtator, ku në nëntor 1999 iu nënshtrua një ndërhyrjeje të madhe kirurgjike.

“Kurrë nuk kam hasur dikë që është ende gjallë me një plagë kaq të tmerrshme si Besimi,” i kishte thënë doktori Dan Clay revistës Time, e cila më 6 mars 2000 publikoi një shkrim për Besimin.

Ai vazhdon të jetojë në Mbretërinë e Bashkuar, bashkë me familjen e tij.

Besimi është mishërim i qëndresës së popullit tonë. Në plagët e tij pasqyrohet historia e dhembjes sonë kolektive, e cila nuk mund të harrohet kurrë.

Krahas dëshmorëve dhe martirëve, nderojmë të gjithë që sfiduan vdekjen dhe jetojnë me plagët e lirisë.

Fitim Uka: Psikoterapia e Kohezionit të Brendshëm edhe në Barcelonë

Profesori universitar, Fitim Uka, ka njoftuar se hulumtimi “Vlerësimi i Kohezionit të Brendshëm: Validimi psikometrik i një instrumenti të ri për një qasje integrative në psikoterapi” do të prezantohet në Konferencën Evropiane të Psikologjisë së Vlerësimit (ECPA 2025), që do të mbahet në Barcelonë, Spanjë.

Me anë të një shkrimi në rrjetin social Facebook, profesori Uka ka falënderuar ekipin e terapistëve të Kohezionit të Brendshëm,  pasi sipas tij janë më meritorët e këtij suksesi.

“Hulumtimi ynë “Vlerësimi i Kohezionit të Brendshëm: Validimi psikometrik i një instrumenti të ri për një qasje integrative në psikoterapi” do të prezantohet në Konferencën Evropiane të Psikologjisë së Vlerësimit (ECPA 2025), që do të mbahet në Barcelonë, Spanjë.

Arian Musliu dhe ekipi fantastik i terapistëve të Kohezionit të Brendshëm i meritojnë meritat kryesore!”, ka shkruar profesori Uka në Facebook./ KultPlus.com

Presidentja Osmani takohet me ambasadorin Rohde, në fokus formimi i qeverisë së re

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

Në këtë takim, u diskutua për ngjarjet e fundit politike në vend, përfshirë zhvillimet në drejtim të konsolidimit institucional, si dhe për rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit dhe funksionalitetit demokratik.

Osmani dhe Rohde, po ashtu diskutuan edhe për formimin e qeverisë së re gjermane, me ç’rast Osmani ka shprehur bindjen se përkushtimi i Gjermanisë ndaj Kosovës dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor do të mbetet prioritet edhe në këtë kapitull të ri politik në Berlin.

“Në takim u theksua rëndësia e thellimit të mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë. Osmani vlerësoi gjithashtu rolin e Gjermanisë si mbështetëse e fuqishme e perspektivës evropiane të Kosovës dhe e theksoi domosdoshmërinë që kjo përkrahje të vazhdojë edhe në kuadër të institucioneve të BE-së”, thuhet në njoftim transmeton Klankosova.tv.

Një pjesë e diskutimit po ashtu iu kushtua edhe edicionit të sivjetmë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili do të mbahet në Prishtinë, si dhe bashkëpunimit të rregullt drejt avancimit të kësaj agjende.

Si zgjidhet papa i ri?

Pas vdekjes së papa Françeskut, katolikët romanë në mbarë botën do të fillojnë të hamendësojnë se cili nga kardinalët me rroba të kuqe do ta pasojë atë.

Duke pasur parasysh natyrën e emërimeve të kardinalëve që Françesku bëri gjatë papatit të tij, do të ketë padyshim pritshmëri që pasardhësi i papës argjentinas të jetë një tjetër joevropian, dhe se, tamam si Françesku, ai të jetë një tjetër progresist, e kundërta e krahut konservator të kishës.

Megjithatë – procesi i zgjedhjes së papës, është tepër i fshehtë dhe asgjë nuk do të jetë e sigurt derisa tymi i bardhë të dalë nga oxhaku i Kapelës Sistine për t’i treguar botës se është zgjedhur një papë i ri.

Kardinalët janë bashkëpunëtorët më të afërt të papës, ata udhëheqin departamente të rëndësishme në Vatikan dhe dioqezat në të gjithë botën. Kur një papë vdes ose jep dorëheqje, kardinalët që janë nën moshën 80-vjeçare mblidhen në një këshill të fshehtë për ta zgjedhur nga radhët e veta kreun e ri të Kishës Katolike Romane me gati 1,4 miliardë anëtarë.

Votimi i ndërlikuar do të tregojë nëse kardinalët e tanishëm, shumica e të cilëve janë emëruar nga Françesku, besojnë se përqafimi i vlerave sociale liberale nga ai dhe agjenda e tij reformuese progresive kanë shkuar shumë larg, dhe nëse është e nevojshme ndonjë periudhë pakësimi.

Kardinalët do ta caktojnë datën për fillimin e këshillit të fshehtë, pasi të fillojnë të mbërrijnë në Romë gjatë ditëve në vijim.

Vetëm papa mund të emërojë kardinalë, dhe lloji i burrave që ai zgjedh mund të lërë gjurmë në kishë shumë kohë pas udhëheqjes së tij – për shkak të statusit të tyre si klerikë të lartë dhe sepse ndonjëri prej tyre mund të bëhet papë.

Që nga 21 prilli, ka gjithsej 252 kardinalë, 135 prej tyre kardinalë votues nën moshën 80-vjeçare, sipas të dhënave të publikuara nga Vatikani.

108 nga votuesit ishin emëruar nga Françesku, 22 nga paraardhësi i tij Benedikti dhe pesë nga Gjon Pali II.

Kardinalët “krijohen” në ceremoni të quajtura konsistorë, ku atyre u jepet unaza, një bereta e kuqe – një kapelë katror – dhe betohen për besnikëri ndaj papës, edhe nëse kjo do të thotë të derdhin gjak ose të sakrifikojnë jetën e tyre, siç simbolizon ngjyra e kuqe.

Papa Françesku mbajti 10 konsistorë dhe me secilin prej tyre, ai shtoi gjasat që pasardhësi i tij të jetë një tjetër joevropian, pasi përforcoi kishën në vende ku ajo është ose një pakicë e vogël ose ku po rritet më shpejt se në Perëndimin kryesisht të stagnuar.

Për shumë shekuj, shumica e kardinalëve ishin italianë, përveç një periudhe kur papati ishte bazuar në Avignon midis viteve 1309-1377, kur shumë prej tyre ishin francezë.

Ndërkombëtarizimi i Kolegjit të Kardinalëve filloi seriozisht nën Papën Pal VI (1963–1978). Ai u përshpejtua shumë nga Papa Gjon Pali II (1978–2005), një polak që ishte papa i parë joitalian në 455 vjet.

Derisa Evropa ende ka pjesën më të madhe të kardinalëve votues, me rreth 39 për qind, kjo ka rënë nga 52 për qind në vitin 2013 kur Françesku u bë papa i parë nga Amerika Latine. Grupi i dytë më i madh i votuesve është nga Azia dhe Oqeania, me rreth 20 për qind.

Një grup me jo shumë evropianë

Françesku emëroi më shumë se 20 kardinalë nga vende që më parë nuk kishin pasur kurrë kardinal, pothuajse të gjithë nga vende në zhvillim si Ruanda, Kepi i Gjelbër, Tonga, Mianmari, Mongolia dhe Sudani i Jugut, ose vende me shumë pak katolikë si Suedia.

Në disa raste, ai anashkaloi qëllimisht vende vakante në qytete të mëdha evropiane që tradicionalisht kishin kardinalë, për të theksuar se kisha nuk mund të jetë e përqendruar në Evropë kaq shumë.

Në vende të tjera, si Shtetet e Bashkuara, ai anashkaloi dioqezat si Los Anxhelesi dhe San Francisko, sic duket për shkak se ato kishin kryepeshkopë konservatorë.

Robert McElroy, kryepeshkop i Uashingtonit që nga marsi, shihet si një progresist dhe aleat i zëshëm i qasjes priftërore të Françeskut ndaj çështjeve sociale, si mbrojtja e mjedisit dhe një qasje më mikpritëse ndaj katolikëve LGBTQ.

Trashëgimia e papës

Sa më shumë kardinalë që një papë emëron gjatë udhëheqjes së tij, aq më shumë rritet mundësia që pasardhësi i tij të jetë dikush që ndan pikëpamje të ngjashme për kishën dhe çështjet sociale.

Megjithatë, jo gjithmonë ndodh kështu, pasi kardinalët mund ta zgjedhin një person teologjikisht të ndryshëm nga paraardhësi i tij, por që konsiderohet kandidati më i përshtatshëm për arsye të brendshme kishtare ose për kohën historike kur bëhet emërimi i tij.

Papa Benedikti u zgjodh për ta pasuar Papën Gjon Palin II kryesisht sepse ai kishte punuar me të për dy dekada dhe kardinalët donin vazhdimësi.

Por, shumë nga të njëjtët kardinalë ndienin se nevojitej një “i jashtëm” për ta pasuar Benediktin, i cili dha dorëheqje në vitin 2013, pas skandalit “Vatileaks” që zbuloi një administratë të brendshme jofunksionale, kryesisht nën drejtimin e klerikëve të lartë italianë.

Në të njëjtën kohë, shumë kardinalë e ndienin qartë se e ardhmja e katolicizmit ndodhej përtej Evropës së plakur, prandaj e zgjodhën Jorge Mario Bergoglio nga Argjentina si papën e tyre – papa i parë joevropian në gati 13 shekuj.

Megjithëse kardinalët që kanë mbushur 80 vjet nuk mund të hyjnë në këshillin e fshehtë, ata prapëseprapë mund të ndikojnë në rezultatin e tij. Ata lejohen të marrin pjesë në takime të quajtura Kongregacionet e Përgjithshme që zhvillohen në prag të fillimit të këshillit të fshehtë, dhe ku formohet një profil i cilësive që papa i ardhshëm duhet të ketë./  (REL) 

Presidentja Osmani dhe shefi i EULEX-it diskutojnë për sigurinë dhe sundimin e ligjit në Kosovë

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e ka pritur sot në takim shefin e EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano.

Në takim, Osmani dhe Barbano diskutuan për zhvillimet më të fundit në fushën e sigurisë dhe sundimit të ligjit në vend.

“Të dy palët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe EULEX-it, në kuadër të mandatit teknik të këtij misioni për monitorim, mentorim dhe këshillëdhënie”, thuhet në njoftimin e Presidencës transmeton Klankosova.tv.

E para e shtetit, me këtë rast rikonfirmoi përkushtimin e institucioneve të vendit për bashkëpunim konstruktiv me EULEX-in, në funksion të forcimit të rendit kushtetues dhe të sundimit të ligjit.

Rikthehen ‘Peaky Blinders’

Një serial i ri i dramës ”Peaky Blinders” do të fillojë xhirimet këtë verë, ku ngjarjet pasqyrojnë vitet 1950, sipas ”The Sun”.

BBC do që episodet të jenë gati për t’u transmetuar në vitin 2026 për të përfituar nga një valë e re interesi që pritet pas publikimit të një filmi artistik për ”Peaky Blinders”, më vonë këtë vit.

Seriali i parë i kishte vendosur personazhet në vitet 1930, ndërsa filmi i ardhshëm, i titulluar ”The Immortal Man”, zhvillohet gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Seriali i ri ka të ngjarë t’i zhvendosë gangsterët e Birmingamit në vitet ’50, një epokë e njohur për bandat e dhunshme të Teddy Boys dhe ngritjen e binjakëve Kray, famëkeqve të lindjes së Londrës.

Një burim televiziv tha dje se “seriali i transmetuar i ‘Peaky Blinders’ duhej të ishte i fundit dhe filmi duhej të ishte lamtumira e fundit për historinë”.

“Por, regjisori Steven Knight nuk mundi t’i rezistonte rikthimit në histori, krijimi i tij më i famshëm, dhe ai ka lënë të kuptohet se donte të kthehej për të bërë më shumë. Por, fakti që zyrtarisht është hapur drita jeshile… do të jetë një emocion i madh për fansat e serialit, i cili ishte një sukses i madh për BBC-në”, shtoi ai.

Aktorët dhe ekipi pritet të fillojnë xhirimet në shtator.

Seriali i ri do të transmetohet në BBC One në Mbretërinë e Bashkuar, por do të shpërndahet ndërkombëtarisht nga gjiganti i transmetimit Netflix, i cili gjithashtu qëndron pas filmit.

”Peaky Blinders” u transmetua nga viti 2013 deri në vitin 2022, me aksionin që filloi në vitin 1919 dhe që përfshin vitet 1920 dhe 1930.

Cillian Murphy rikthehet si shefi i krimit, Thomas Shelby, por këtë herë edhe si një figurë atërore për anëtarët më të rinj të bandës.

Do të ishte një rol i ngjashëm me atë të tezes së tij Polly Gray, të luajtur nga e ndjera Helen McCrory.

BBC ka refuzuar të komentojë./ atsh

‘Përtej maskave’

Poezi nga Ardita Rexha

Thonë se koha shëron gjithçka
po sonte vuajtja është ‘becketiane’.

Më thonë se çdo gjâ e ka një arsye
Vetë arsyeja është ‘donkishotiane’.
Thonë se:
vuajtja është vdekje e parakohshme e mendimet gërmojnë shtresëzimet e plagëve.
Do të kalojë dhe kjo, më thonë ata.
Do të vijë dhe vdekja!

Shpërqëndrim emocionesh të ndrydhuna
pakuptimësi…
Shpërqëndrim emocionesh të ndrydhuna, veshun e fshehur nën petkun e djallit.
Dalldi e absurdit njerëzor, drithërimë e çuditshme, shkëdia shprese
Zhveshur prej shikimit fëmijënor.
Kjo hije më ndjek ngado.
Mi ngul sytë, buzëqesh dhe më verbon..
Befas bërtas, godas, blasfemoj, iki e kthehem në rrethin vicioz të dhembjes.
Janë britmat vangogiane të shpirtit.Po deri kur?
Ekzistenca ime bëhet pyetje ekzistenciale..
“Bota e hiçit, prej hiçit, për hiçin”, u rrotullonka pra, rreth “qëllimit të hiçit”.
E ky ag është gjithmonë i njëjtë..
….
Njeriu në kryq, përgjërohet për falje.
Shën Maritë në tokë, kokëulur tregojnë se vetëm ato e njohin Zotin…
Naten flenë me të e në mëngjes zgjohen me barkun e rrumbullakosun.
Lutje pafund të na falë se aq dimë, e aq flasim…
Refreni mbetet i njëjtë:
“Bëj si them unë, por mos bëj si bëj unë”- le t’më dënojë qielli…
Pastaj, Zoti më tregon sekretet…
ca të tjerë në gjunj i përgërohen e në anen tjetër, në këmbim të parajsës
pakt me djallin bëjnë…
Ky lëmsh magjik..kjo tokë e përlyer në gjak
Po vuajtja mbetet ‘becketiane’.
Koha prapë kërkon të ndryshosh ritmin, kahjen, fundin…
A mos është ndoshta fundi i fundeve?

Toka të thërret të ri-lindesh
Po unë?!..
Vetëvrasje bëj unë, çdo ditë
duke vrarë kohën time, dritën dhe afshin e pasionit.
Ky zjarr i vuajtjes lëshon tani bulëza drite,
Një token e re në ferrin e të pafajshmeve.
Nje toke e re për të moralshmit frikacakë.
Një tokë e re për hipokritët, dyfytyreshat,
mashtruesit dhe tradhtarët e vetes-kështu nisë kalvari i vuajtjeve…
Qan shpirti në kafazin e vetëkrijuar.
E ky varg është klithma shekullore
është vuajtja që lutet për shpëtim.
Kjo tokë meriton ti ta falësh…
Agimi i radhës është i përgjakur
Agimi i sotëm ishte ndoshta i fundit…
Mos prit!
“Godoja” nuk do të vijë kurrë…/ KultPlus.com

Thirrja e hapur për përfaqësimin e Kosovës në Bienalen e Venecias

Galeria Kombëtare e Kosovës ka shpallur thirrjen publike për artistë dhe kuratorë për përfaqësimin e Republikës së Kosovës në Ekspozitën e 61-të Ndërkombëtare të Artit – La Biennale di Venezia, që do të organizohet nga e shtuna, 9 maj deri të dielën, 22 nëntor 2026.

Thirrja është e hapur për projekt propozim të përbashkët artist-kurator apo kolektiv, për realizimin e një ose me shumë veprave të reja artistike me qëllim të prezantimit sa më dinjitoz të pavijonit zyrtar të Republikës së Kosovës. Projektet mund të kenë forma të ndryshme, duke përfshirë ekspozita personale, grupore apo ekspozita tematike. Aplikantët duhet të propozojnë projekt të ri, të konceptuar posaçërisht për Paviljonin e Kosovës.

Data e fundit për dorëzimin e aplikimit: 20.06.2025

Për të aplikuar dhe për më shumë informacione rreth thirrjes, vizitoni këtë vegzë https://www.galeriakombetare-rks.com/…/680b673dbd316452…/ KultPlus.com

Australia vret 700 koala

Zyrtarët e kafshëve të egra kanë qëlluar rreth 700 koala në shtetin e Viktorias në Australi.

Pas një zjarri shkatërrues në shkurre ku u dogjën më shumë se 890 nga 2225 hektarët e Parkut Kombëtar Buji Bims, qeveria rajonale në Melbourne ka vendosur të ndërmarrë veprime të rrepta.

Koalat u qëlluan nga ajri me aksionin që u shoqërua nga veterinerët.

Zyrtari Kryesor i Biodiversitetit, James Todd, tha për The Guardian se kafshët u vranë pasi kishin shanse të ulëta për mbijetesë si rezultat i thatësirës.

“Për shkak të ndikimit të drejtpërdrejtë të zjarrit, shëndetit të dobët të shumë kafshëve dhe shanseve të tyre të ulëta për mbijetesë si rezultat i thatësirës së zgjatur dhe mungesës së ushqimit pas zjarrit, shumë kafshë do të duhet të eutanizohen”, tha Todd, transmeton Klankosova.tv

Koalat jetojnë ekskluzivisht në pemë eukalipti dhe ushqehen me gjethe. Kafshët e reja qëndrojnë me nënat e tyre deri në një vit

Pse nuk ka operacion shpëtimi?

Në vitin 2019, shumë kafshë u shpëtuan pas zjarreve shkatërruese në shkurre. Vullnetarët mblodhën koalat e plagosura në shporta rrobash. Pastaj ata u trajtuan në klinikat veterinare. Madje u aktivizua edhe një qen kërkimi.

Por tani sipas ekspertëve është teorikisht e mundur por në praktikë përballen më vështirësi dhe sëmundjet mund të shfaqen.

Libra dhe dorëshkrime orientale, pasuri e çmuar e Bibliotekës Kombëtare

Biblioteka Kombëtare “Pjetër Bogdani” ka nisur një projekt të rëndësishëm për përpunimin dhe përshkrimin bibliografik të dorëshkrimeve orientale që ruhen në fondet e bibliotekës.

Përmes një njoftimi në “Facebook” bëhet ditur se ky koleksion i veçantë përfshin dorëshkrime dhe libra në gjuhën arabe, osmane, persiane, si dhe disa materiale në gjuhën shqipe të shkruara me grafi arabe.

“Dorëshkrimet janë grumbulluar nga vende të ndryshme të rajonit – kryesisht nga xhami dhe teqe – dhe janë pjesë e një trashëgimie të çmuar kulturore dhe fetare. Këto materiale janë mbledhur në vitin 2002. Deri më tani, më shumë se gjysma e këtyre dorëshkrimeve kanë qenë të regjistruara vetëm në skeda letre, me të dhëna të pjesshme dhe në alfabetin oriental. Për shkak se nuk janë përfshirë në katalogun elektronik të bibliotekës (Aleph), qasja në to ka qenë e kufizuar”, thuhet në njoftim.

Tutje, bëhet e ditur se me ndihmën e një specialisti të gjuhëve orientale është filluar të punohet në përshkrimin dhe katalogimin e materialeve në mënyrë profesionale.

“Qëllimi ynë është të bëjmë të mundur qasjen më të lehtë për studiuesit dhe publikun, si dhe të ruajmë dhe promovojmë këtë trashëgimi të rrallë. Dorëshkrimet përmbajnë vlera të jashtëzakonshme në fusha si teologjia, historia, letërsia, mjekësia etj. Ato dëshmojnë aspekte të rëndësishme të jetës shpirtërore, arsimore dhe shoqërore të vendit ndër shekuj”, thuhet në njoftim, teksa bëhet ditur se ky është një hap i rëndësishëm drejt digjitalizimit, ruajtjes dhe prezantimit të trashëgimisë sonë orientale.

Kryeministri Kurti: Në Kullat e Isa Boletinit u bë historia

Kryeministri Albin Kurti sot ka bërë homazhe te pllaka përkujtimore për martirët e vrarë në masakrën e Zhazhës, dëshmorët e luftës së fundit dhe te Kullat e Isa Boletinit.

Kryeministri Kurti ka bërë të ditur se për Kullat e Isa Boletinit Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka nisur dy programe: kurimin profesional të ekspozitës së përhershme muzeore dhe funksionalizimin e tij përmes menaxhimit të aktiviteteve të rregullta.

“Ruajtja e historisë sonë është detyrim moral ndaj së kaluarës dhe trashëgimi për brezat që vijnë. Lavdi Isa Boletinit! Lavdi të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit!”, ka thënë Kryeministri Kurti.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Kryeministrit Kurti në Facebook:

Ditën e filluam në Zhazhë e Boletin në nderim të martirëve dhe dëshmorëve të kombit.

Bashkë me zëvendëskryeministrin në detyrë, Besnik Bislimi, ministrin në detyrë të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, kryetarin e Komunës së Mitrovicës veriore, Erden Atiq dhe deputetë të Kuvendit, bëmë homazhe te pllaka përkujtimore për martirët e vrarë në masakrën e Zhazhës dhe dëshmorët e luftës së fundit. Përkujtimi i tyre na rikujton çmimin e shtrenjtë të lirisë sonë.

Te Kullat e Isa Boletinit, ku u bë historia e u lartësuan shqiptarët, vendosëm lule të freskëta mbi varrin e heroit tonë Isa Boletini.

Për Kompleksin e Kullave të Isa Boletinit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka nisur dy programe: kurimin profesional të ekspozitës së përhershme muzeore dhe funksionalizimin e tij përmes menaxhimit të aktiviteteve të rregullta.

Ruajtja e historisë sonë është detyrim moral ndaj së kaluarës dhe trashëgimi për brezat që vijnë.

Lavdi Isa Boletinit! Lavdi të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit!/ KultPlus.com

Vatikani publikon detajet e konklavës për zgjedhjen e Papës së ri

Vatikani njoftoi sot detajet e orarit për fillimin e konklavës më 7 maj, zgjedhja e shumëpriture një Pape të ri pas vdekjes së Françeskut.

“Kardinalët do të mblidhen fillimisht në orën 10:00 për Meshën e njohur në latinisht si “Pro Eligendo Romano Pontefice” në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan”, thuhet në njoftim.

Në orën 16:15, kardinalët me të drejtë vote do të mblidhen në Kapelën Pauline në Pallatin Apostolik, nga ku do të shkojnë në Kapelën Sistine në orën 16:30.

Vatikani fillimisht nuk dha detaje të mëtejshme.

Megjithatë, tradicionalisht, kardinalët duhet, pas procesionit solemn, të betohen për të respektuar rregullat e konklavës dhe për të ruajtur fshehtësinë absolute në lidhje me zgjedhjen.

Kryetari i kremtimeve liturgjike papale më pas thërret “Extra omnes” (Të gjithë jashtë), duke i udhëzuar të gjithë ata që nuk janë zgjedhës të largohen nga kapela.

Procesi për votimin e parë në ditën e parë është tashmë i qartë. Ritmi pasues përbëhet nga dy votime në mëngjes dhe dy në pasdite.

Që një papë i ri të zgjidhet, kërkohet një shumicë prej dy të tretash e kardinalëve votues.

Nuk ka afat kohor për konklavin.

Dy kardinalë mungojnë për arsye shëndetësore

“Dy kardinalë do të mungojnë në konklavë për arsye shëndetësore”, u tha gazetarëve sot zëdhënësi i Vatikanit Matteo Bruni.

Një total prej 135 kardinalësh kanë të drejtë të votojnë në konklavë. Pas anulimeve, tani janë vetëm 133 kardinalë që do të votojnë nga e mërkura e javës së ardhshme.

Bruni nuk përmendi asnjë emër, por kryepeshkopi emeritus i Valencias, Antonio Caizares, 79 vjeç, deklaroi një javë më parë se nuk do të ishte në gjendje të udhëtonte në Romë për arsye shëndetësore.

Kryepeshkopi emeritus i Sarajevës, Vinko Puljic, 79 vjeç, kishte kërkuar falje për të njëjtën arsye. Disa ditë pas anulimit të tij, Puljic i tha transmetuesit “Radio Medjugorje” se mjeku i tij e kishte lejuar të udhëtonte. / atsh/ KultPlus.com

Zemrën askujt mos ia fal krejt

Poezi nga William Butler Yeats
Përktheu: Orjela Stafasani

Zemrën askujt mos ia fal krejt
se grave pasionante dashnia u duket e lehtë,
e padenjë për kujdes, kur për të siguri kanë
dhe ato s’andrrojn’, n’mend s’e mbajn’
se prej puthjes n’puthje atë e kap nji dobësi;
çdo gja e bukur asht veç nji knaqësi
andrruese, e kandshme, që kalon përherë.
Oh, zemrën kurrë mos e jep përnjiherë
se, pavarsisht çka buza e ambël nxjerr,
zemrat si zaret n’lojë i kanë hedhë.
Dhe si mundet vallë n’lojë me fitu’ ndonja
që shurdh, memec e qorr dashnia e ka ba?
Kush e ka provu’ e di cili asht çmimi dhe mundi
sepse e fali gjithë zemrën dhe humbi. / KultPlus.com

Martin Luther King Jr: Jeta jonë fillon të mbarojë ditën kur ne heshtim për gjërat që kanë rëndësi

“Ne duhet të pranojmë zhgënjimin e përcaktuar, por kurrë të mos e humbim shpresën e pafund.”, transmeton KultPlus.

Errësira nuk mund ta dëbojë errësirën; vetëm drita mund ta bëjë këtë. Urrejtja nuk mund ta dëbojë urrejtjen; vetëm dashuria mund ta bëjë këtë.”

“Falja nuk është një akt i rastit. Është një qëndrim i përhershëm.”

“Kam vendosur të qëndroj pas dashurisë. Urrejtja është një barrë shumë e madhe për ta mbajtur.”

Besim është të hedhësh hapin e parë edhe kur nuk e sheh të gjithë shkallën.”

“Pyetja më këmbëngulëse dhe urgjente e jetës është: “Çfarë po bën për të tjerët?”

“Kurrë mos iu nënshtroni tundimit të hidhërimit”.

“Jeta jonë fillon të mbarojë ditën kur ne heshtim për gjërat që kanë rëndësi.”

“Ne të gjithë mund të kemi ardhur me anije të ndryshme, por tani jemi në të njëjtën barkë.”

“Matja përfundimtare e një njeriu nuk është vendi ku ai qëndron në momentet e rehatisë dhe komoditetit, por ku qëndron në momentet e sfidave dhe polemikave.”

 “Ndryshimi nuk rrokulliset mbi rrotat e pashmangshmërisë, por vjen përmes luftës së vazhdueshme”.

“Dashuria është e vetmja forcë që mund ta shndërrojë një armik në mik.”

“Vjen një moment kur njeriu duhet të marrë një pozicion që nuk është as i sigurt, as politik, as i famshem, por ai duhet ta marrë atë sepse ndërgjegjja i thotë se është e drejtë.”

 “Askush të mos ju ulë aq poshtë sa ta urreni atë.”

“Nëse nuk mund të fluturosh, atëherë vrapo, nëse nuk mund të vraposh, atëherë ec, nëse nuk mund të ecësh, atëherë zvarritu, por çfarëdo që të bësh, duhet të vazhdosh të ecësh përpara.”

“Inteligjencë plus karakter—ky është qëllimi i edukimit të vërtetë”.

“Nga mali i dëshpërimit, një gur shprese”.

“Gjithmonë është koha e duhur për të bërë atë që është e drejtë.”

“Bëhu shkurre nëse nuk mund të jesh pemë. Nëse nuk mund të jesh autostradë, bëhu vetëm një shteg. Nëse nuk mund të jesh diell, bëhu yll. Sepse nuk është për nga madhësia që ju fitoni apo dështoni. Bëhu më i miri nga çdo gjë që je.”’

“Paqja e vërtetë nuk është thjesht mungesa e tensionit; është prania e drejtësisë.”

“Mirëkuptimi i cekët nga njerëzit me vullnet të mirë është më zhgënjyes sesa keqkuptimi absolut nga njerëzit me vullnet të keq.”

“Një gënjeshtër nuk mund të jetojë.”

“Nuk mund të ketë zhgënjim të thellë aty ku nuk ka dashuri të thellë.”

“Ne duhet të zhvillojmë dhe ruajmë aftësinë për të falur. Ai që nuk ka fuqinë për të falur, është i privuar nga fuqia për të dashuruar. Ka disa të mira në më të keqen tone dhe disa të këqija në më të mirën tone. Kur e zbulojmë këtë, ne jemi më pak të prirur të urrejmë armiqtë tanë.”

“Mos shtrimi i dhunës është përkushtim absolut ndaj rrugës së dashurisë. Dashuria nuk është goditje emocionale; nuk është sentimentalizëm bosh. Është derdhja aktive e gjithë qenies së dikujt në qenien e tjetrit.”

“Ne nuk jemi krijues të historisë. Ne jemi bërë nga historia.”

“Rrallëherë gjejmë njerez që angazhohen me dëshirë në mendime të vështira dhe të qëndrueshme. Ekziston një kërkim pothuajse universal për përgjigje të lehta dhe zgjidhje gjysmë të pjekura. Asgjë nuk i mundon disa njerëz më shumë sesa të menduarit.”

“Duhet të ndërtojmë diga guximi për të frenuar vërshimin e frikës.”.

“Të mos kërkojmë të kënaqim etjen tonë për liri duke pirë nga kupa e hidhërimit dhe e urrejtjes”.

“Njeriu duhet të evoluojë për çdo konflikt njerëzor një metodë që refuzon hakmarrjen, agresionin dhe hakmarrjen. Themeli i një metode të tillë është dashuria.”./ KultPlus.com

Të udhëtosh

Poezi nga Gabriel García Márquez
Përktheu: Albert Bikaj

Të udhëtosh do të thotë të largohesh nga shtëpia,
të lësh pas shokët
të tentosh të fluturosh;
të fluturosh duke mësuar drejtime të tjera
duke kaluar nëpër shtigje
Do të thotë tentim për të ndryshuar.
Të udhëtosh do të thotë të vishesh si i çmendur
të thuash “nuk më intereson”,
do të thotë deshirë për tu rikthyer.
Rikthim duke vlerësuar imsirat
Teksa shijon një gotë,
do të thotë deshirë për të filluar.

Të udhëtosh do të thotë të ndihesh si poet,
Të shkruash një letër,
të dëshirosh një përqafim.
Të përqafojnë kur të mbërrish pran portës
Duke mallëngjyer qetësinë
do të thotë të lëjosh që të puthesh.

Të udhëtosh do të thotë të bëhesh tokësor
të njohësh njerëz të tjerë
t’ia fillosh nga e para.
Të shtrishë dorën,
të mësosh nga i forti,
[do të thotë] të ndihesh i vetmuar.

Të udhëtosh do të thotë të largohesh nga shtëpia,
të vishesh si i çmendur
Duke thënë çdogjë e asgjë në një kartolinë.
Do të thotë të flesh në një shtrat tjetër,
të ndjesh se koha është e shkurtër,
të udhëtosh do të thotë të kthehesh pas. /KultPlus.com