Gonxhja: Mbyllje ikonike e Javës Kulturore Kombëtare Kosovë-Shqipëri në Muzeun e Pavarësisë në Vlorë

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja e vlerësoi sot si “ikonike” mbylljen e Javës Kulturore Kombëtare Kosovë-Shqipëri në Muzeun e Pavarësisë në Vlorë.

“112 vjet Pavarësi dhe 80 vjet Çlirim u festuan me aktivitete të shumta që lidhin historinë dhe kulturën tonë të përbashkët”, shkroi Gonxhja, teksa ndau pamje nga mbyllja e javës kulturore në Muzeun e Pavarësisë.

Javët Kulturore Ndërkombëtare, pjesë e së cilës ishin 20 shtete të ndryshme u përmbyllën me Kosovën, që së bashku me Shqipërinë, nga data 21 deri më 30 nëntor organizuan një mori eventesh artistike në Tiranë, Durrës, Shkodër dhe Vlorë.

Aktivitetet nisën me një workshop edukues për fëmijë te Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë.

Fëmijët patën mundësi të njihen nga afër me regjistrin e katalogut fizik të bibliotekarit. Gjithashtu ata panë një videodokumentar mbi GKA ku u njohën me godinën ekzistuese dhe sallat ekspozuese dhe diskutuan rreth artistëve më të njohur dhe veprave të tyre në fushën e artit figurativ.

Aktivitetet vijuan me një ekspozitë me në fokus inteligjencën artificiale, që u hap më 22 nëntor në teatrin “Aleksandër Moisiu” dhe Qendrën Kulturore për fëmijë në Durrës.

Biseda-ekspozitë me artistin Eshref Qahili: “Arti bashkëkohor kosovar në kohën e inteligjencës artificiale”, që është pjesë e Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor, promovoi artin bashkëkohor kosovar dhe theksoi rëndësinë e ndërveprimit kulturor ndërmjet dy vendeve tona.

Paralelisht në këtë ditë, por në kryeqytet, në hollin koncertor të Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë u mbajt koncerti “Side by Side”. Sopranoja Besa Llugiqi dhe pianisti Misbah Kaqamak sollën një performancë unike, duke ngjitur në skenë pjesë nga dy gjenitë botëror të muzikës klasike, Schumman dhe Strauss.

Kurse më 23 nëntor, te Piramida u mbajt projekti “Të kam në mendje” i Malda Susuri, që adresoi sfidat e shëndetit mendor me anë të ndërgjegjësimit dhe reduktimit të stigmës, me qëllim krijimin e një komuniteti mbështetës që ndihmon dhe fuqizon individët për t’u përballur më mirë me këto probleme.

Më 25 nëntor, në kuadër të 80-vjetorit të Çlirimit, qytetarët patën mundësinë të shikojnë koleksionet dhe materialet që pasqyrojnë momentet kryesore të Çlirimit.

Po ashtu në këtë ditë, më 25 nëntor, tek COD në Kryeministri, u mbajt sfilata “Krenari mbi supe” që solli punime të kostumeve tradicionale nga fëmijët e kursit të kostumografisë.

Ndërsa tek ArTurbina në Tiranë u mbajt koncerti “Jehonë shqiptare”, që ngjiti në skenë artistë profesionistë që kanë bërë historinë e artit shqiptar por edhe më gjerë, si nga Shqipëria, dhe nga Kosova.

Teatri i Operas dhe Baletit në Tiranë mikpriti operën e parë kosovare “Goca e Kaçanikut”. Një histori dashurie, trimërie dhe lirie, e bazuar në novelën e Milto Sotir Guros e sjellë në jetë me regjinë e regjisorit Nikolin Gurakuqi, ky produksion erdhi si një homazh për Festën e Flamurit.

Kurse nga data 26, deri më 30 nëntor, në Bibliotekën Kombëtare u çel një ekspozitë për 150-vjetorin e lindjes së At Shtjefën Gjeçovit, veprat kërkimore të të cilit apo mbledhja e traditave shqiptare, veçanërisht kodifikimi i Kanunit të Lekë Dukagjinit, mbeten një thesar i pazëvendësueshëm për kulturën dhe traditën tonë.

“Shkodra Elektronike”, projekt muzikor i dy emigrantëve shqiptarë të rritur në Itali, shumë larg qytetit të tyre mëmë, Shkodrës, gjallëruan Teatrin Metropol mbrëmjen e 26 nëntorit.

Po ashtu, kjo ditë iu përkushtua edhe gastronomisë. “Shije shqiptare”, panairi i madh i produkteve nga të gjitha trevat shqiptare ishte një mundësi për shijuar një pasuri shijesh dhe aromash tradicionale nga Shqipëria dhe Kosova.

Ndërsa në Teatrin “Migjeni” në Shkodër më datë 27-të u mbajt koncert nga Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota”, që performoi këngë dhe valle të bukura nga trevat shqiptare, të cilat pasqyrojnë traditën dhe kulturën e pasur të popullit shqiptar.

“Tingujt që sollën lirinë” ishte koncerti që paralelisht në këtë ditë u mbajt në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë. Ky koncert gala, pjesë e së cilit ishte edhe Orkestra e Forcave të Armatosura, vendosi në skenë muzikën më të mirë shqiptare me temën e Luftës Nacionalçlirimtare, u organizua po ashtu në kuadrin e 80-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë.

Ndërkohë, nga data 26 deri më 30 nëntor te sheshi para Teatrit Kombëtar ishte e hapur një tjetër ekspozitë, ajo e fotografisë “Keep calm and smile” e fotografit me famë botërore nga Kosova, Korab Basha.

Ekspozita që solli 25 fotografi bardhezi iu kushtua të rinjve dhe të rejave, që janë bërë pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Më datë 28 Nëntor të gjithë shqiptarët u mblodhën bashkë në Tiranë, për të kremtuar 112-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë. Në një paradë me ngjyra kuqezi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, me kostumet e këngët nga çdo trevë shqiptare, në një bashkim vëllazëror festimesh të paharrueshme, ky aktivitet dhuroi shumë emocione.

Gjatë Javës Kulturore të Kosovës nuk mungoi as shfaqja e filmave. “Bota Jonë”, “117”, “Pa vend”, “Si e verdhë e sëmurë”, “Krahët e punëtorëve”, “Rrugës”, “Hana e re”, “Prishtinë 2002” dhe “Sign”, janë filmat që u transmetuan në kinemanë “Maks Velo” në Tiranë, në datat 28, 29 dhe 30 nëntor.

Java Kulturore Kosovë – Shqipëri u përmbyll me festivalin “Tirana Art Weekend”, që u mbajt nga data 29 nëntor, deri më 2 dhjetor te shtëpia e ish-të përndjekurve në Tiranë.

Ky aktivitet bashkoi aktorët kryesorë të skenës së pavarur të artit në Shqipëri, duke përfshirë hapësira ekspozuese, organizata kulturore dhe kolektivët artistikë vendas nën një program të përbashkët.

Javët Kulturore Ndërkombëtarë për 7 muaj me radhë, përveç se sollën kultura të ndryshe në vendin tonë, u dhanë edhe mesazhe të forta për gjithëpërfshirje, diversitet dhe të drejtat e njeriut. JKN patën për qëllim gjithashtu edhe krijimin e urave lidhëse, nxitjen e kreativitetit dhe shkëmbimit kulturor me sytë drejt inovacionit, si një mjet i domosdoshëm për t’i dhënë zgjidhje dhe alternativa sfidave të përbashkëta që bota po kalon.

Edicioni i tretë i Javëve Kulturore Ndërkombëtare, çeli siparin e aktiviteteve më datë 1 maj me “Javën e Evropës” dhe vijoi me Francën, Greqinë, Italinë, Izraelin, Brazilin, Hungarisë, Holandën, Turqinë, Mbretërinë e Bashkuar, Kinën, Gjermaninë, Japoninë, SHBA-në, Kombet e Bashkuara, Austrinë, Spanjën, Malin e Zi, Meksikën dhe Kosova që edhe përmbylli këtë edicion të tretë./atsh/KultPlus.com

Më 7 dhjetor mbahet ceremonia e shpalljes së fituesit të Çmimit Artistët e së nesërmës

Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë mban natën finale, ceremoninë e mbylljes së ekspozitës së Çmimit Artistët e së nesërmes 2024 dhe shpalljen e fituesit të Çmimit, më 7 dhjetor nga ora 20:00.

Çmimi Artistët e së nesërmes është një çmim dhe njohje prestigjioze e krijuar për artistët pamor nën moshën 35 vjeç. Edicioni i vitit 2024 ka përfshirë procesin e aplikimit të artistëve me punën e tyre për Çmimin, aplikimet që janë shqyrtuar dhe vlerësuar nga juria e pavarur, mundësinë për artistët e zgjedhur finalist Mimoza Sahiti, Luiza Thaqi dhe Dion Zeqiri për të krijuar vepra të reja përmes një procesi të përkushtuar prodhimi, kurimi dhe zhvillimi, që është kurorëzuar me ekspozitën e Çmimit Artistët e së nesërmes 2024 e cila është hapur me 1 nëntor 2024 në Klubin e Boksit në Prishtinë.

Tre artistët e nominuar për Çmimin Artistët e së nesërmes 2024: Mimoza Sahiti, Luiza Thaqi dhe Dion Zeqiri, pas hapjes së ekspozitës dhe ngjarjes së dytë të konceptuar si ecje nëpër ekspozitë dhe bashkëbisedim me artistët e mbajtur me 7 nëntor 2024, në këtë fazë të procesit do të kenë takime me jurinë e pavarur për tu vlerësuar për arritjet, potencialin e demonstruar dhe për mundësinë e secilit artist të nominuar të zgjidhet fitues i Çmimit Artistët e së nesërmes 2024, dhe të udhëtoj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të përjetojë skenën dinamike të artit në Nju Jork gjatë një qëndrimi artistik dy mujor.

Juria e Çmimit Artistët e së nesërmes 2024 përbëhet nga Julieta Aranda, artiste dhe bashkëthemeluese e e-flux në Berlin, Miljana Dunđerin, artiste dhe drejtoreshë e qendrës private kulturore “Akvarijus” në Mitrovicën e Veriut, Dr. Vjollca Krasniqi, sociologe dhe profesore e asociuar në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, Alper Turan, kurator dhe shkrimtar, me seli në Nju Jork dhe Stamboll dhe Lulzim Zeqiri, artist që punon dhe vepron ndërmjet Kosovës dhe Austrisë.

Sipas deklaratës së jurisë tre finalistët në punët e tyre ofrojnë provokime të guximshme dhe të nevojshme që flasin për kompleksitetin tonë të përbashkët.

Me imazhet e thjeshta dhe ngacmuese, eksplorimi i patrembur i Mimoza Sahitit për gjendjen e gruas sjell një cënueshmëri të brishtë që ofron një rrëfim thellësisht personal por universalisht politik. Arti i Mimoza Sahitit, i rrënjosur në vizatim dhe pikturë, eksploron marrëdhëniet dinamike midis botëve tona të brendshme dhe mjedisit të jashtëm i cili ndryshon vazhdimisht. Puna e saj luan me idenë e hapësirave “të ndërmjetme” dhe formave të papritura që ato marrin, duke u zhytur thellë në përvojën njerëzore. Me një përzierje unike të humorit dhe dramës, ajo vë në dyshim se çfarë do të thotë të jesh njeri, duke shtyrë vazhdimisht kufijtë e mënyrës se si ne e shohim, ndjejmë dhe kuptojmë artin dhe shoqërinë.

Për ekspozitën e Çmimit Artistët e së nesërmes 2024 Mimoza Sahiti krijoi dhe prezantoi veprën “How Sad, How Lovely” (“Sa e trishtueshme, sa e bukur”), një eksplorim i qëndrueshmërisë, identitetit dhe udhëtimit nëpër peisazhe të brendshme dhe të jashtme. Një udhëtim “kauboji” është mënyrë specifike dhe një maskë shoqërore në realizimin e vetvetes – përballja përfundimtare me veten. Ky kauboj bëhet një figurë e ngecur në hapësirën midis vetes dhe shoqërisë, midis cenueshmërisë dhe mbijetesës.

Në qendër të veprës qëndron një derë, me një xhaketë lëkure të varur, që funksionon si objekt dhe simbol kalimtar. Xhaketa, e qepur me fije të kuqe me fjalët “Sa e trishtueshme, sa e bukur” vepron si armaturë dhe ftesë, një portë midis botës së jashtme dhe hapësirës intime përtej. Ky prag i fton shikuesit të lënë pas identitetet e tyre të jashtme dhe të hyjnë në një botë ku cenueshmëria nuk fshihet, por shfaqet.
Në përgjithësi, kauboji i Mimoza Sahitit përfaqëson një ide të botës së jashtme që lundron sfidat e jetës, duke mishëruar forcën, përulësinë dhe vetminë, duke evokuar një figurë që endet nëpër peizazhe të shkreta të jetës. Kauboji që vesh këtë xhaketë, një figurë e përsëritur në ekspozitë, është një simbol personal dhe universal i qëndrueshmërisë. Këtu fillon udhëtimi në botën e brendshme, ku albumi i Connie Converse “How Sad, How Lovely” funksionon si një alegori. Këtu fillon biseda mes artistes dhe Connie Converse – një përvojë e përbashkët izolimi, betejash të brendshme, vetë-reflektimit, vetmisë, mallit dhe elasticitetit.

Mimoza Sahiti është artiste pamore që aktualisht studion pikturë në klasën Art dhe Imazh të Daniel Richter në Akademinë e Arteve të Bukura në Vjenë. Puna e saj fokusohet në eksplorimin e kufijve të pikturës përmes një qasjeje eksperimentale dhe jo tradicionale. Puna e Sahitit thellohet në tema personale dhe universale, duke eksploruar teknika dhe dimensione të ndryshme të kohës dhe hapësirës. Ajo gjithashtu ka diplomë Bachelor në Ekonomi nga Universiteti Goethe në Frankfurt. Mimoza viteve të fundit është aktive në skenat artistike të Prishtinës dhe Vjenës, ku aktron dhe ekspozon rregullisht.

Ekspozitat kolektive në të cilat ajo ka marrë pjesë në tre vitet e fundit përfshijnë: “Çmimi Funding për pikturën figurative”, Galeria County Lake Constance, Kështjella Salem, Salem, 2024; “Përtej ishullit të mrekullive”, Bräuhausgasse 31, Vjenë, 2024; “Shfaqje në klasë Daniel Richter & Alastair Mackinven”, Vjenë, 2024; “E këndoj trupin elektrik, ushtritë e atyre që dua”, Qendra Barabar, 2023; “Këtu sot, iku nesër”, Room Five Studio, Prishtinë, 2023; “Klasa e Richter”, Panairi i Artit Paralel, Vjenë, 2023; “Shfaqje në klasë Alastair Mackinven, Arti Figurativ” në Akademinë e Arteve të Bukura, Vjenë, 2023; “Koleksioni i parë i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit” në Galerinë Kombëtare, Prishtinë, 2022; “Finaliste e Çmimit Artistët e së nesërmes”, Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor, Prishtinë, 2022; “Këmbëngulja e klubeve: Pas një feste”, Qendra për Artin Bashkëkohor, Sofje, 2022; “Grandi i Ri”, Manifesta 14, Prishtinë, 2022; “Pavijoni i Arteve Pamore”, Gjilan, 2022; “INTERNAL”, Room Five Studio, Prishtinë, 2022. Puna e Mimoza Sahitit është shfaqur edhe në ekspozitat personale “Status”, kuruar nga Albert Heta, Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor, Prishtinë në bashkëpunim me FemArt Festival, 2023, dhe “Qumësht dhe Mjaltë”, Room Five Studio, Prishtinë, 2022.

Fokusi kritik i Luiza Thaqit në strukturat shoqërore dhe ndikimin e tyre ekologjik prekë çështjet që variojnë nga pronësia e tokës së grave në Kosovë deri te çështja e të drejtave të tokës të të vendosurve/kolonistëve në mbarë botën, duke e bërë punën e saj thelbësore në debatet urgjente socio-ekologjike të ditëve të sotme. Nëpërmjet punës së saj, ajo vë në pikëpyetje dhe sfidon se kush ka çasje në tokë dhe pse, duke theksuar betejat më të thella sociale dhe politike në funksion. Duke rimenduar pronësinë e tokës, Luiza na fton të rimendojmë vetë konceptin tonë për shoqërinë dhe marrëdhëniet njerëzore dhe se si mund t’i formësojmë ato në mënyrë më të barabartë.

Vepra “Vend i drejtuar nga toka” e Luiza Thaqit, e krijuar dhe shfaqur për ekspozitën e finalistëve të Çmimit Artistët e së nesërmes 2024, është një ndërhyrje artistike në një hapësirë të jashtme dhe të ndërmjetme në ndërtesën e Klubit të Boksit në Prishtinë, që është e paarritshme si shkak të shtesave të kohës në ndërtesën dhe ndërtimeve private përreth, dhe faktorëve të tjerë që ndikojnë në mirëqenien e tokës. Nëpërmjet kësaj ndërhyrjeje të bazuar në kërkim, artistja nxjerr në pah çështjet që lidhen me trajtimin e tokave, pronave, pronave publike dhe shkëputjen e njerëzve nga natyra me pretendim pronësie. Në bashkëpunim me tokën, duke nxjerrë të dhëna për gjendjen aktuale të tokës dhe asaj që ka ndodhur me të, ne tregojmë realitetin, praktikat për një shoqëri të qëndrueshme dhe kontekstin tonë shoqëror.

Luiza Thaqi është artiste e re pamore që jeton në Kosovë. Ka përfunduar studimet universitare në Fakultetin e Arteve, Universiteti i Prishtinës (UP), Dega Pikturë (2018-2021) dhe aktualisht po përfundon studimet master në Fakultetin Filozofik, Departamenti i Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës. Ajo punon me një sërë mediash artistike, duke përfshirë pikturën, instalacionin dhe videon, me të cilat synon të kontekstualizojë dhe hulumtojë socio-ekologjinë brenda shoqërive specifike, duke shërbyer si një mjet për zbërthimin e ndërlikimeve të mjedisit ku jetojmë.

Në tri vitet e kaluara, Luiza ka qenë pjesë e shumë projekteve dhe ekspozitave, ndër të tjera ekspozita “Thuaj të më kujtosh që të mos harrojmë”, Tregime të grave për shtatzëninë, lindjen dhe amësinë gjatë luftës në Kosovë, pjesë e “Nënave të luftës” projekti 2023, punë bashkëpunuese me Renea Begollin, Biblioteka Hivzi Sylejmani, Prishtinë, 2023; “INFRARED” ekspozitë kolektive nga Foundacioni 17, Center for Narrative Practice, Biblioteka Hivzi Sylejmani Tophane, Prishtinë, 2023. Puna e Luiza Thaqit është shfaqur edhe në ekspozitën personale “Connected – Between Roots and Sky”, kuruar nga Laureta Hajrullahu dhe Shkamb Jaka, Europe House, 2023, Prishtinë.

Angazhimi i artit të Dion Zeqirit me forcat e padukshme – entitetet që e rrethojnë dhe përbëjnë ekzistencën tonë – përmes materialiteteve dhe mediumeve të ndryshme prezanton një këndvështrim të ri mbi marrëdhëniet ndërmjet fizikes dhe jofizikes. Zeqiri ju tërheq me fuqinë e tij të shqetësuar, pothuajse të nënvlerësuar. Ai eksploron se si mendja dhe trupi ndërveprojnë në mënyra që duken të njohura dhe janë poashtu turbulluese. Nuk ka të bëjë vetëm me atë që është, por edhe me atë që mungon – dhe shkëputjen mes të dyjave me që vazhdon të jetojë me ty. Është qasje subtile por me ndikim, mbresëlënëse për mënyrën se si ju bën t’i shihni gjërat ndryshe.

Vepra “Oh, mindgut” e Dion Zeqirit, e krijuar dhe shfaqur për ekspozitën e finalistëve të Çmimit Artistët e së nesërmes 2024, paraqet një skulpturë gjipsi ku truri dhe zorrët janë të kombinuara në formë rrethore, sikurse dalin nga vetë muri. Skulptura shërben si një paraqitje simbolike e dy forcave themelore, por shpeshherë të kundërta në përvojën njerëzore: intelektit dhe intuitës. Duke u përballur me trurin dhe zorrët – dy organe vitale që formësojnë perceptimin tonë për realitetin – artisti hyn në debatin e vjetër midis intelektit dhe instinktit, arsyes dhe ndjenjës, objektivitetit dhe subjektivitetit.

Artisti shtron pyetje provokuese: “A manifestohet intelekti si mungesë intuite apo është mishërim i gjithçkaje shijuese mes zorrëve dhe mendjes?”. Artisti e përdor këtë koncept për të nxitur reflektim të mëtejshëm duke pyetur se: kur marrim vendime – nëse duhet t’i besojmë dikujt, të ndjekim këshillat apo të ndërmarrim veprime – a veprojmë nga arsyetimi intelektual apo ndjenja intuitive? A mund të konsiderohet racional besimi në diçka të padukshme? Apo vendimet tona shpesh rrjedhin nga ndjenjat e zorrëve përpara se truri ta ketë përpunuar situatën?

Dion Zeqiri është artist dhe dizajner i lindur në Prishtinë. Studimet i ka përfunduar në Universitetin e Prishtinës, dega e dizajnit të enterierit. Gjatë studimeve ka punuar në kompani të dizajnit grafik si hulumtues dhe tekstshkrues i projekteve të ndryshme lokale dhe ndërkombëtare. Praktikat e tij artistike i kanë rrënjët në eksplorimin e kryqëzimit të të dukshmes dhe të padukshmes, me fokus në ndikimin e menjëhershëm të botës së padukshme tek njeriu, trupi dhe aspektet metafizike. Vitet e fundit ai ka qenë i fokusuar në hulumtimin e prezencës së baktereve, si në trupin e njeriut ashtu edhe në kontekstin e konsumimit të ushqimit. Ky hulumtim i ka dhënë atij një perspektivë unike mbi ndërlidhjen e jetës dhe forcave të padukshme që formësojnë ekzistencën tonë.

Ekspozitat kolektive në të cilat ka marrë pjesë në tri vitet e fundit përfshijnë: “Në Përdëllim”, Galeria 17, Prishtinë, Kosovë, 2024; “MQ ARTIST-IN-RESIDENCE”, Vjenë, Austri, 2024; Hulumtim artistik, Autostrada Bienale, Fondacioni Studio Rizoma dhe Qendra Shoqërore POSTANE, Kosovë, Itali, Turqi, 2023; Ekspozita për Ministrinë e Kulturës – Koleksioni shtetëror i veprave të artit, Galeria Kombëtare e Arteve, Kosovë, 2022; “Çmimi Baza”, Galeria Structura, Sofje, Bullgari, 2021. Puna e Dion Zeqirit është shfaqur edhe në ekspozitat personale: “Save me from what I’am”, Muzeu Kombëtar i Kosovës – Lapidarium, Prishtinë, Kosovë, 2022; Ekspozitë personale organizuar në bashkëpunim me Trashëgiminë Kulturore pa Kufij dhe Komunën e Prishtinës, Prishtinë, Kosovë, 2021.

Fituesi/ja i/e Çmimit Artistët e së nesërmes 2024 do të zgjidhet në bazë të portfolios së tyre artistike, veprave të ekspozuara në ekspozitën e finalistëve, arritjeve dhe ekspozitave të mëparshme, potencialit të demonstruar dhe intervistës me jurinë e Çmimit Artistët e së nesërmes 2024.

Fituesi i çmimit do të shpërblehet me një program dy-mujor qëndrimi artistik në Nju Jork, SHBA, me Residency Unlimited, planifikuar për maj/qershor 2025. Po ashtu, fituesi do të ketë mundësinë të realizojë një ekspozitë personale në vitin 2026, si pjesë e programit vjetor të Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë.

Çmimi Artistët e së nesërmes është pjesë e programit Young Visual Artists Awards (YVAA), një rrjet çmimesh që mbështet artin bashkëkohor dhe shoqërinë civile në Evropën Qendrore dhe Lindore. I themeluar në vitin 1989 në Çekosllovaki nga presidenti Václav Havel dhe artistë disidentë, ky program ka për qëllim promovimin e artit bashkëkohor. Në vitin 2015, Residency Unlimited (RU) u bë mikpritës i programit në Shtetet e Bashkuara, ndërsa në shtator 2015, Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë mori drejtimin e Çmimit Artistët e së Nesërmes në Kosovë, duke nisur ciklin e parë në vitin 2016.

Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë synon të përforcojë ndikimin e Çmimit Artistët e së nesërmes dhe të kontribuojë në zhvillimin e gjithmbarshëm të artit bashkëkohor dhe kulturës në shoqërinë në Kosovë. Mbështetësit kryesorë të Çmimit Artistët e së Nesërmes 2024 janë: Trust for Mutual Understanding (TMU), Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Komuna e Prishtinës, x-print dhe DZG. Lista e plotë e donatorëve dhe partnerëve do të shpallet në kohë.

Ekspozita ‘Ky është një titull i fuqishëm’ sjellë veprat e artisteve Mjellma Goranci & Shqipe Kamberi si reflektim mbi fuqinë e artit kundër dhunës gjinore

Drejtoria e Kulturës në Komunën e Prishtinës ka njoftuar për hapjen e ekspozitës në kuadër të fushatës ‘16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore, “Ky është një titull i fuqishëm”, shkruan KultPlus.

Ekspozita paraqet veprat e artisteve të njohura Mjellma Goranci Firzi dhe Shqipe Kamberi, së bashku me një performancë nga Agnesë Nokshiqi dhe kori Zanat.

Kjo ngjarje është kuruar nga Vullnet Jakupi dhe do të organizohet në ambientet madhështore të Hamamit të Madh të Prishtinës.

“Kjo ekspozitë sjellë një reflektim të thellë mbi fuqinë transformuese të artit në luftën kundër dhunës gjinore.

Ambienti Historik i Hamamit përforcon mesazhin e fuqishëm që arti mund të jetë një forcë e ndryshimit, duke ndihmuar  në ndërprerjen e cikleve të dhunës dhe promovimin e respektit ndërmjet gjinive”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Kulturës.

Ngjarja mbahet më 4 dhjetor, në ora19:00. /KultPlus.com

Ministri Çeku rendit investimet e objekteve kulturore e sportive në Prishtinë: Në fokus të punëve të mira vazhdon të jetë edhe kryeqyteti

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, sot i ka prezantuar projektet për të cilat MKRS ka investuar për përmirësimin e infrastrukturës kulturore e sportive në Kryeqytet.

Përmes një postimi në rrjetin social në facebook, Ministri Çeku ka thënë se në fokus të punëve të mira MKRS vazhdon ta ketë edhe Prishtinën.

“Kemi investuar me seriozitet në përmirësimin e infrastrukturës kulturore e sportive gjithandej Kosovës. Në fokus të punëve të mira ka qenë dhe vazhdon të jetë edhe kryeqyteti”, ka thënë Ministri Çeku.

Më tej, ministri Çeku i ka renditur punimet që kanë përfunduar ose janë duke u realizuar te objektet:

– Palestra e sportit në Pallatin e Rinisë
– Stadiumi “Fadil Vokrri”
– Amfiteatri i Pallatit të Rinisë
– Salla e ushtrimeve e Ansamblit SHOTA
– Agjencia Shtetërore e Arkivave
– Rezidenca e Ibrahim Rugovës
– Muzeu etnografik – Emingjiku
– Galeria e Ministrisë te Qafa
– Shtëpia tradicionale e Hynilerëve
– Shtëpia tradicionale e familjes Safqi
– Shtëpia tradicionale e familjes Sylejmani
– Vetfarmi – masat Emergjente
– Stadiumi ndihmës në Bërnicë
– Teatri Kombëtar i Kosovës
– Muzeu Kombëtar i Kosovës

Në procedurë projektimi ose prokurimi

– Galeria Kombëtare e Kosovës
– Biblioteka Kombëtare e Kosovës
– Salla koncertale (Qendra multi-kulturore)
– Atelieja e Pallatit të Rinisë
– Salla e kuqe te Pallati i Rinisë
– Teatri ODA
– Muzeu i Artit Bashkëkohor
– Amfiteatri i ri te ish-Rilindja
– Muzeu i Burgut të Prishtinës
– Shkolla e parë shqipe
– Kryqi i kuq
– Xhamia e Sudi Efendisë
– Palestra e re multi-sportive/ KultPlus.com

MKRS: Një hap para drejt miratimit të plotë të projektligjit për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030

Komisioni Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport sot ka miratuar në parim Projektligjin për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, të prezantuar nga zëvendësministrja e MKRS-së, Daulina Osmani.

MKRS ka thënë se ky projektligj është një hap kyç për të siguruar një organizim të suksesshëm të Kosovës të kësaj ngjarjeje prestigjioze ndërkombëtare. Ai parasheh lehtësira për investime në infrastrukturën sportive, formimin dhe funksionimin e Komitetit Organizativ, mënyrën e financimit dhe përcaktimin e rolit të palëve të përfshira.

Lojërat Mesdhetare 2030 janë ngjarja më e madhe multisportive ndërkombëtare që pritet të realizohen në shtetin tonë./ KultPlus.com

Dëbora e parë në malin e Gramozit, Kumbaro: Aktivitetet malore nën shoqërimin e udhërrëfyesve të certifikuar

Me rënien e parë të dëborës për stinën e dimrit në vendet malore alpinistët dhe të apasionuarit pas ngjitjeve në mal kanë nisur frekuentimin e tyre.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në rrjetet sociale pamje nga ngjitja e alpinistëve në malin e Gramozit në Kolonjë, ndërsa thekson rëndësinë e shoqërimit të tyre nga udhërrëfyesit e certifikuar nga MTM.

“Dëbora e parë ka sjellë edhe nisjen e aktiviteteve malore, gjithmonë nën shoqërimin e udhërrëfyesve të certifikuar, për të vazhduar një sezon të mbarë turistik dimëror”, shkruan Kumbaro.

Profesioni i udhërrëfyesit, përtej prezantimit të bukurive natyrore e trashëgimive kulturore të vendit, është i rëndësishëm për të ofruar turizëm të sigurt në terrenet me nivele të caktuara vështirësie, ku shoqërimi nga guidat profesioniste është i domosdoshëm.

Mali i Gramozit me liqenin e tij akullnajor, monument natyre në një lartësi prej 2523 m mbi nivelin e detit është një nga atraksionet më të vizituara në Kolonjë.

Reshjet e borës dhe të shiut janë ushqimi kryesor i këtij ujëmbledhësi. Përreth ka bimësi të larmishme natyrore. Monumenti ka vlera shkencore, estetike e turistike.

Të pasionuarit pas lartësive, ngjiten në këto relieve të thyera për të ushtruar sportin e alpinizmit, të ecjeve malore dhe të admirojnë natyrën e rrallë të këtyre majave./ atsh/ KultPlus.com

Gërvalla në Parlamentin Europian: Serbia s’e do Europën, ua do vetëm eurot e saj

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla-Schëarz, po mban fjalimin e saj para Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Europian.

Ajo ka përmendur aktin terrorist të ndodhur të premten me shpërthimin e kanalit të Ibër Lepencit, duke alarmuar se Europa nuk ka shumë kohë për sinjale më të vendosura, transmeton klankosova.tv.

Kryediplomatja u shpreh se Serbia nuk e do Europën por vetëm eurot e Europës.

Derisa në këtë pikë përmendi edhe Putinin.

”Ky nuk është tension etnik. Ata nuk e duan Europën, ata i duan vetëm eurot nga Bashkimi Europian”.

”Vuçiq ka imazh të njëjtë sikur Putin”.

`Filharmonia në lëvizje` ndalet në qytetin e Prizrenit

Prizreni ishte destinacioni i radhës i programit “Filharmonia në lëvizje”. Orkestra Frymore e Filharmonisë së Kosovës, nën drejtimin e Dario Salvit, mbajti koncert në Teatrin e Qytetit ‘Bekim Fehmiu’.

Interpretimi i jashtëzakonshëm i veprave të kompozitorëve të huaj e vendor u prit tejet mirë nga publiku.

Koncerti u hap me Illyrian Dances nga Guy Woolfenden. Më pas vazhdoi me interpretimin e The Gael (The Kiss) nga filmi i Fundit i Mohikanëve nga Trevor Jones dhe I Dreamed a Dream nga Claude-Michel Schönberg, me solist saksofonistin Dardan Gjinolli. Në dy pikat e fundit, orkestrës iu bashkua Kori i Meshkujve i Filharmonisë së Kosovës për interpretimin e veprave In a Persian Market dhe In a Monastery Garden nga Albert Ketèlbey. / KultPlus.com

‘The Mirror’: Shqipëria destinacioni më tërheqës për britanikët edhe në dimër

Po kërkoni destinacionin më të mirë për të udhëtuar, me diell dhe plazhe me rërë? Ky vend i vogël i ka të gjitha, përfshirë fluturimet vajtje-ardhje për vetëm 24 paund, është e vështirë t’i thuash jo…, shkruan Christine Younan në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “The Mirror”. Ndërsa moti në Britaninë e Madhe është i ftohtë, mendimi për pushimet e ardhshme mund të jetë joshës.

Sigurisht, ne të gjithë po ëndërrojmë për diell dhe rërë – por ajo që mund t’i largojë njerëzit nga udhëtimet janë çmimet e larta. Një faqe e TikTok-ut, e njohur si @travel.cove me mijëra ndjekës, tha se mund të rezervoni pushimet më të mira edhe nëse keni një buxhet të limituar.

Në video, faqja zbulon Shqipërinë si vendin ideal për të udhëtuar – pasi turistët britanikë mund të përfitojnë nga fluturimet vajtje-ardhje për 24 paund dhe nga hotelet që kushtojnë vetëm 32 paund për natë. Por, kjo nuk është e gjitha – pasi shpenzimet atje janë gjithashtu të lira, me 1,90 paund ju mund të konsumoni një krikëll birrë dhe një vakt me vetëm 8 paund.

Sipas “Skycanner” ju mund të bëni fluturime të lira dhe akomodoheni në hotele me çmime të përballueshme. Nëse planifikoni të udhëtoni në dhjetor, fluturimi kushton vetëm 30 paund me hotele me katër yje të disponueshme për 25 paund.

Ndërkohë, ekspertët e udhëtimeve mendojnë se koha më e mirë për të udhëtuar në Shqipëri është nga prilli deri në fillim të qershorit – ku moti është i shkëlqyer për ecje dhe çiklizëm. Por, ju ende mund ta vizitoni midis dhjetorit dhe shkurtit pasi mund t’i shpëtoni turmave të vizitorëve.

Destinacioni më popullor në Shqipëri është Tirana, kryeqyteti i cili njihet për restorantet dhe baret e shumta. Ju do të paguani 2-5 dollarë për një pjatë në një restorant lokal ose tezgë ushqimi në rrugë, ndërsa ngrënia në një restorant i nivelit të mesëm mund të kushtojë midis 5-15 dollarë.

Nëse ju pëlqen një vakt pak më i shijshëm, ai mund të kushtojë më shumë se 20 dollarë. Në përgjithësi, kur bëhet fjalë për pije, kafeja kushton më pak se 1 euro, dhe një krikëll birrë vendase rreth 2 dollarë.

Padyshim që, varet nga vendi ku shkoni – pasi diku tjetër këto mund të jenë edhe më lirë. Vlen të kujtojmë se monedha zyrtare e Shqipërisë është Leku, por shumica e bankave, supermarketeve dhe hoteleve pranojnë karta krediti dhe debiti.

“Albania Tour Guides” sugjeron se vendi nuk është i shtrenjtë për t’u vizituar në krahasim me destinacionet e tjera evropiane.

Shqipëria është një perlë e fshehur e Evropës e cila krenohet me plazhet e bukura dhe malet mbresëlënëse. Shqipëria ka plazhe mahnitëse dhe Saranda është një qytet i bukur bregdetar për t’u vizituar falë afërsisë me Ksamilin, një nga plazhet më të mira të rajonit.

Ndërkohë, Mali i Dajtit është një tjetër vend i mrekullueshëm për adhuruesit e natyrës – i cili ndodhet jashtë Tiranës. Ju mund të udhëtoni me një buxhet të kufizuar dhe të shijoni diellin e nevojshëm.

Festivali i Librit Shqip, promovohet letërsia shqipe në Toronto të Kanadasë

Në Toronto të Kanadasë u zhvillua Festivali i Librit Shqip.

Festivali u organizua nga shoqata “Alternativa Shqiptaro-Kanadeze për Zhvillim”. Ky festival libri siç shprehen dhe organizatorët ka si synim promovimin e trashëgimisë dhe kulturës letrare të kombit tonë nëpërmjet librit shqip.

Ky projekt është i pari i këtij lloji në fushën e letrave shqipe që organizohet në Toronto, ku ka gjetur entuziazmin dhe mbështetjen e komunitetit shqiptar. Në dy ditë intensive të panairit, u prezantuan 750 tituj librash, nga 81 shtëpi botuese dhe 388 autorë, duke e bërë një projekt unikal në llojin e tij, në të gjithë Amerikën e Veriut.

Anxhela Paparizo, drejtore për Artin dhe Kulturën në bordin drejtues të organizatës, tha se ky festival libri është më tepër se një paradë e letrave shqipe në një vend të huaj.

“Ky është një shans për të zhvilluar më tej letërsinë shqipe në komunitetin shqiptar në Amerikën e Veriut dhe për të mbajtur gjallë dashurinë për gjuhën tonë të bukur shqipe”, u shpreh Paparizo.

Ajo falënderoi më tej gazetarin Enkel Demi, fitues i çmimit të Panairit të librit në Tiranë, për këtë vit për praninë dhe përkrahjen e Festivalit të Librit Shqip në Toronto.

Alternativa Shqiptaro-Kanadeze ka besim se Festivali i Librit Shqip në Kanada do t’i rezistojë kohës dhe nisma e sotme do të kthehet në traditë duke synuar që ky aktivitet të vazhdojë të mbahet për çdo vit me qëllim që të tërheqë vëmendjen e të gjithë komunitetit shqiptar jo vetëm në Toronto e Kanada por në tërë Amerikën e Veriut e më gjerë./atsh/KultPlus.com

Biblioteka Kombëtare, ekspozitë në 80-vjetorin e lindjes së Ibrahim Rugovës

Në nderim të intelektualit të madh, studiuesit dhe shkrimtarit të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë përkujtoi sot 80-vjetorin e lindjes së “arkitektit politik” të Kosovës, nëpërmjet një ekspozite.

Kjo ekspozitë përcjell një panoramë mbi punën studimore të Ibrahim Rugovës, pasuri e cila vijon të jetë kontribut i çmuar në letërsinë dhe bibliografinë shqiptare. Çështja e Kosovës ka qenë një nga objektet kryesore të veprimtarisë së tij politike e shprehur në titujt: “Çështja e Kosovës: biseda me Marie-Françoise Allan dhe Xavier Galmiche”, “Pavarësia dhe demokracia: intervista dhe artikuj”.

Gjithashtu, nuk mungojnë artikuj të shkëputur nga organe, si:“Rilindja”, “Nëntori” etj.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në Hollin kryesor të BKSH-së përgjatë gjithë kësaj jave./atsh/KultPlus.com

Më 7 dhjetor balerini i famshëm Eno Peçi në Prishtinë, këtu mund ti siguroni biletat

Balerini dhe koreografi i njohur shqiptar Eno Peçi është figura e edicionit të sivetmë të mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën”, mbrëmje kjo që organizohet nga gazeta online për art dhe kulturë “KultPlus.

Biletat mund t’i gjeni në linkun më poshtë:

https://ticketing.festtix.co.uk/events/ta-zbardhi-ftyren-edicion-i-shtate-eno-peci

“Ta zbardhi ftyrën” këtë vit do të shënojë edicionin e shtatë, dhe ky edicion do të ketë emocione skenike me balerinin shqiptar Eno Peçin, balerin që shkëlqen nëpër shumë skena të mëdha të teatrove prestigjioze, duke u prezantuar edhe si balerin por edhe si koreograf shumë i suksesshëm.

Mbrëmja e veçantë e “Ta Zbardhi Ftyrën” që ka për qëllim prurjen e artistëve shqiptarë nga vende të ndryshme të botës, përpos bashkëbisedimit audienca do të ketë rast që për së afërmi të përjetojë edhe magjinë skenike të këtyre artistëve, e që këtë vit do të kenë rastin të dëgjojnë rrëfimin e balerinit Eno Peçit, por që të shijojnë edhe performancën e tij të jashtëzakonshme.

Ardianë Pajaziti, drejtoreshë e KultPlus dhe organizatore e kësaj mbrëmje të madhe artistike është shprehur të jetë e lumtur që për gjithë këto vite janë prezantuar emra kaq të mëdhenj nga skena të mëdha botërore, e që nëpër vite, protagonistë të këtyre mbrëmjeve kanë qenë: Sislej Xhafa, Imer Kutllovci, Flaka Goranci, Erza Muqolli, Gjon’s Tears, Gëzim Myshketa dhe Elbenita Kajtazi.

“Eno Peçi vetëm sa po e vulos edhe më tutje rëndësinë e kësaj mbrëmje artistike, e që nëpër vite ka pas figura dhe profile shumë të rëndësishme, që janë inspirim për shumë artistë të rinj, që nëpërmjet kësaj mbrëmje mund të marrin edhe shkëndijat skenike”, ka thënë Pajaziti.

Ajo është shprehë tejet e vlerësuar që bashkë me ekipin e KultPlus po sjellin artistë të këtij kalibri, gjithnjë duke pas parasysh agjendat e tyre të stërmbushura.

Eno Peçi është balerin në Operën Shtetërore të Vjenës dhe është balerini i parë shqiptar që ka performuar në koncertin e përvitshëm të Filharmonisë së Vjenës që prezantohet më 1 janar. Është i dekoruar me Dekoratat: “Kalorës i urdhrit të Skënderbeut“, dekoratë që i është dhënë nga presidenca e Shqipërisë dhe “Kurora e Nderit të Austrisë për Shkencë dhe Art”, titull që i është ndarë në vitin 2019.

“Ta Zbardhi Ftyrën” do të mbahet në dhjetor të këtij viti,  përkatësisht më 7 dhjetor.

Edicioni i sivjetmë i “Ta Zbardhi Ftyrën” mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Radio Telvizioni Publik i Kosovës dhe Ujë Rugove./ KultPlus.com

“Apolonia e Ilirisë, 100 vite kërkime arkeologjike franko-shqiptare”, Kumbaro në Senatin Francez

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, mbajti fjalën e saj përshëndetëse në Senatin Francez në aktivitetin “Apolonia e Ilirisë, 100 vite kërkime arkeologjike franko-shqiptare”, me pjesëmarrjen e zëvendëspresidentit të Senatit Pierre Ouzoulias.

Në ligjëratën e saj, ministrja Kumbaro përmendi historinë e krijimit dhe figurat më të shquara që çuan përpara këtë mision.

“Jam shumë e nderuar të marr pjesë në këtë seminar dedikuar 100-vjetorit të misionit arkeologjik franko-shqiptar të Apolonisë në Shqipëri. Arkeologjia franceze në Shqipëri, (mund ta quajmë madje arkeologjia franko-shqiptare), është e vjetër, me vëzhgimet, kërkimet dhe gërmimet e para, që mund t’i quaj para-shkencore dhe shpesh të ushqyera nga romantizmi historik i pasionuar, të udhëtarëve dhe konsujve francezë në Shqipëri dhe Epir gjatë shekullit XIX. Ajo pati fillimet e saj të vërteta institucionale pas Luftës së Madhe, falë vullnetit të Justin Godart, ministër, deputet, senator, kryetar i qytetit të Lionit dhe pasionuar pas historisë dhe kulturës, duke vazhduar me aventurën e jashtëzakonshme të arkeologut Léon Rey, i cili kaloi më shumë se 17 vjet të jetës së tij për të krijuar dhe zhvilluar misionin e parë shkencor të vërtetë në Shqipëri”, theksoi Kumbaro.

Ministrja Kumbaro u shpreh se “kjo punë u pasua më tej nga kërkues francezë, shqiptarë të formuar në Francë ose frankofonë, për të arritur kulme me punën dhe angazhimin e profesorit të shquar Pierre Cabanes, vazhdues i misionit me kolegun e tij të shkëlqyer shqiptar, profesorin Neritan Ceka, dhe ish-drejtor i misionit arkeologjik franko-shqiptar të Apollonisë, autor i një Corpus monumental të shkrimeve të Ilirisë Jugore dhe Epirit, si dhe i veprave dhe artikujve shkencorë. Dëshiroj gjithashtu të përshëndes punën që bëjnë edhe personalitete të tjera në kuadër të këtij bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Francës në fushën e arkeologjisë”.

“Disa prej tyre janë midis nesh këtë mëngjes, Etleva Nallbani ose Saimir Shpuza, të cilët dua t’i uroj dhe falënderoj veçanërisht për angazhimin e tyre. Apollonia, është ky vend ku, falë kontributit të çmuar të paraardhësve të francezëve të pranishëm në publik, ndodhet sot një nga thesaret e kulturës mesdhetare antike, të cilin e vizitojnë çdo vit mijëra francezë, pasardhësit e pionierëve të parë, duke forcuar edhe më shumë lidhjen mes popujve tanë”, tha Kumbaro.

Gjatë fjalimit të saj, ministrja Kumbaro përmendi rolin e Shqipërisë si një pikëtakim kulturash mes lindjes dhe perëndimit, prej nga ka trashëguar shumë site të mbrojtura nga UNESCO, siç është edhe qyteti i Gjirokastrës, që francezët e kanë njohur përmes shkrimtarit Ismail Kadare, për të cilin Franca ishte shtëpia e tij e dytë.

“Shqipëria, një pikëtakim i kulturave po aq sa një urë lidhëse mes lindjes dhe perëndimit, mes Mesdheut dhe pjesës qëndrore të Ballkanit. Një vend ku në pak distancë mund të gjesh qytetet trashëgimi të UNESCO-s me arkitekturë otomane siç është për shembull Gjirokastra, vendlindja e shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare, dhe ma lejoni këtë mungesë modestie sepse është edhe vendi prej nga vij unë, por që Ismail Kadare e gjeti më pas shtëpinë e tij të dytë këtu në Francë dhe e përshkruante Gjirokastrën si “një qytet të pjerrët, ndoshta më i pjerrëti në botë”. Botë që i kishte thyer të gjitha ligjet e arkitekturës – dhe kjo ishte bota shqiptare e Gjirokastrës – të gjitha ligjet arkitekturore dhe urbanistike. Është ende aty. Një vend mikpritjeje. Është vendi i fëmijërisë së tij, ku shumë gjëra ishin të pabesueshme dhe shumë gjëra ishin si në ëndrra. Në fakt, këto janë realitetet që ju ftoj të vizitoni”, u shpreh Kumbaro.

Më tej, ministrja Kumbaro foli për zhvillimin turistik të Shqipërisë dhe përvojat origjinale që po joshin gjithnjë e më shumë vizitorë francezë në vendin tonë.

“Shqipëria sot po përjeton një rritje të jashtëzakonshme ose një bum turizmi. Dhe jo vetëm për bregdetin e rërës së Adriatikut dhe plazhet shkëmbore plot me shpellat misterioze të detit Jon. Filozofia që përkufizon Shqipërinë si një “destinacion unik” do të thotë të lidhesh miqësisht me banorët e këtij vendi, të cilët të ftojnë menjëherë të bëhesh pjesë e botës së tyre. Është të ndash me ta përvoja origjinale. Të shohësh në perspektivën e një dielli portokalli të zhytur në detet Jon dhe Adriatik mbi 450 kilometra bregdeti, i cili magjeps me relievet dhe shpellat e tij në jug dhe me plazhet e gjata rërë që mirëpresin mijëra pushues ose hapin skenat e festivaleve të verës. Kjo është arsyeja pse slogani ynë është “Albania All Senses” si një ftesë për të shijuar Shqipërinë në të gjitha shijet e saj”, përfundoi ministrja Kumbaro.

Në dhjetë muajt e këtij viti, më shumë se 200,000 francezë vizituan Shqipërinë, ose 75% më shumë se vitin e kaluar. Gjatë tetorit, drejtuesit e unionit francez “Les Entreprises du Voyage” mbajtën në Tiranë konventën e tyre të radhës, si një destinacion me rritje të shpejtë për vizitorët francezë./atsh/KultPlus.com

Biseda pa censurë e Rugovës me Bekim Fehmiun

Fotografi Ilaz Bylykbashoshi ka publikuar vitin e kaluar disa fotografi nga një takim i Presidentit Ibrahim Rugova me aktorin e njohur Bekim Fehmiu.

Ai ka shkruar pa censurë një pjesë të bisedës mes Rugovës e Fehmiut.

Të dy e kishin lavduar njëri-tjetrin, por aktori e kishte bërë në një mënyrë më të pazakontë.

Ibrahim Rugova: “Bekim Fehmiu ju adhurojë për prezantimin e denjë që i keni bërë kombit nëpër botë”! Bekim Fehmiu: “President mendojë që ju i keni koqet deri tek gujt”!”, ka shkruar Ilaz Bylykbashi në përshkrimin e fotografive. / KultPlus.com

https://www.facebook.com/ilaz.bylykbashi.5/posts/3245961445662382?ref=embed_post

Maria Callas, “hyjnorja” që tronditi botën e muzikës klasike

Diva e operas, Maria Callas lindi në këtë ditë, 101 vjet më parë.

Që në kohën kur ishte gjallë konsiderohej legjendë e muzikës klasike dhe njihej si “La divina”, (Hyjnorja). Enciklopedia Britannica shkruan se mund të thuhet se ishte nga sopranot më të mëdha të koloraturës në botë, mbase dhe këngëtarja më e madhe e operës në botë e të gjitha kohërave.

Zëri i saj varionte pothuajse tre oktava dhe lulëzimi i saj teatror, ​​fuqia vokale dhe sensi i zgjuar i dramës dhe stilit e bënë atë të njohur. Kjo ndihmoi në rigjallërimin e operës në vitet 1950 dhe për të rikthyer në skenë veprat e bel canto-s.

Këto kërkonin kontroll të rreptë vokal, në krahasim me këngët e rënda që kishin ardhur në modë.

Callas lindi nga emigrantë grekë në Nju Jork në vitin 1923. Ajo u shpërngul në Greqi, me nënën e saj dhe filloi mësimet e rregullta në moshën 13-vjeçare. Gjatë Luftës së Dytë Botërore ajo performoi si pjesë e një grupi popullor në Selanik që paguhej me ushqim. Në kohën kur mbaroi lufta, reputacioni i saj si këngëtare në Greqi ishte i sigurt.

Callas udhëtoi në Shtetet e Bashkuara dhe bëri audicione për disa shtëpi të njohura të operës, duke përfshirë Operan Metropolitan. Vendosi të refuzojë ofertat dhe u kthye në Evropë, ku bëri debutimin e saj në Itali, në La Gioconda. Në vitin 1951 ajo kishte interpretuar në çdo teatër me emër në Itali dhe në 1954 bëri debutimin e saj të famshëm në Amerikë.

Ishte e njohur për martesën dhe aferat e saj të trazuara dhe ndonjëherë të dhunshme, të cilat e çuan në probleme financiare, si dhe personalitetin e saj ndonjëherë të zjarrtë, që krijonte tensione dhe rivalitete si në skenë ashtu edhe jashtë saj.

Problemet shëndetësore i dhanë fund të hershëm karrierës së saj të jashtëzakonshme pasi zëri i saj i fuqishëm u lëkund. Vetë Callas ia atribuoi atë humbjes së forcës në diafragmën e saj, por shkaku i vërtetë është i paqartë.

UNESCO shënoi njëqindvjetorin e lindjes së saj në vitin 2023 me shumë ngjarje të organizuara në Greqi, pasi ajo ishte bërë shtetase greke në vitin 1966./atsh/KultPlus.com

Poezi nga Ibrahim Rugova të botuara në ‘Rilindje’ kur ai ishte vetëm 18 vjeç

Rilindje më 8 tetor 1963 dhe e dyta, “Kush e din…”, botuar katërmbëdhjetë ditë më pas, më 22 tetor 1963.

Më poshtë po ua sjellim këto dy poezi të mrekullueshme të shkruara nga Rugova.

Për shkak të rolit të tij në historinë e Kosovës, Rugova është quajtur “Ati i Kombit” dhe “Gandi i Ballkanit”, ndërsa pas vdekjes është shpallur Hero i Kosovës./ KultPlus.com

Nata e Bardhë rikthehet në Tiranë, Veliaj: Mbrëmje që nuk duhet humbur

Festat e fundvitit nisin me një shpërthim emocionesh në zemër të Tiranës. Kryebashkiaku Erion Veliaj ndau lajmin se sot në mbrëmje, sheshi “Skënderbej” do të jetë qendra e një ngjarjeje artistike të paharrueshme.

Më 2 dhjetor, sheshi “Skënderbej” do të shndërrohet në zemrën e festës, me një koncert që sjell artistë të njohur dhe atmosferë magjike për të gjithë.

“Një mbrëmje që nuk duhet humbur, muzikë, energji dhe momente të paharrueshme”, shkruan Veliaj në rrjetet sociale.

Në këtë spektakël madhështor do të ngjiten në skenë yje të njohur të muzikës shqiptare, duke përfshirë: Alban Skënderaj, Xhensila Myrtezaj, Anxhela Peristeri, Manjola Nallbani, Era Rusi, Juliana Pasha, Semi Jaupaj, Sardi Strugaj, Vesa Luma dhe Emra Brah. Ky koncert pritet të jetë më shumë sesa një mbrëmje muzikore./atsh/KultPlus.com

Vjosa Osmani kujton presidentin Rugova: Në historinë e shtetit tonë shkëlqen një emër që mishëron guximin, urtësinë dhe ëndrrën tonë për shtet të pavarur

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka rikujtuar presidentin historik, Ibrahim Rugova, në 80 vjetorin e lindjes së tij.

“Në historinë e shtetit tonë shkëlqen një emër që mishëron guximin, urtësinë dhe ëndrrën tonë për shtet të pavarur – Dr. Ibrahim Rugova, ati ynë themeltar dhe presidenti historik, i cili sot shënon 80 vjetorin e lindjes”, ka shkruar Osmani.

Tutje, ajo është shprehur se me besim të pafund në paqen, dinjitetin, lirinë dhe pavarësinë e popullit tonë, presidenti Rugova hodhi themelet e një Kosove të pavarur, duke formësuar një trashëgimi të rrënjosur në mençurinë, durimin, qëndrueshnërinë dhe vullnetin e pathyeshëm të një kombi.

“Me urtësinë, me vizionin e një burrshtetasi dhe me shpirtin e një patrioti, presidenti Rugova na bashkoi në momentet tona më të vështira, duke frymëzuar brezat për të ecur në rrugën e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë. Rrugë nga e cila asnjëherë nuk do të heqim dorë”, ka shtuar presidentja Osmani.

Presidentës, i është bërë dhuratë një skulpturë me figurën e presidentit Rugova, për të cilën ajo është shprehur falënderuese.

“Falënderoj skulptorin Gëzim Muriqi që sot dhuroi skulpturën e Presidentit historik për Presidencën e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Osmani./KultPlus.com

Si e ndau një mollë, Ibrahim Rugova

Ahmet Selmani

Në vitin e largët 1989, kur isha student në Universitetin e Prishtinës, duke u solidarizuar me minatorët e Trepçës që ishin hedhur në grevë për të mbrojtur autonominë e Kosovës, ne ishim mbledhur në palestrën e sporteve mbi mensën e studentëve. Bashkë me ne, ia behnin edhe shumë profesorë universitarë, studiues, shkrimtarë, intelektualë etj. Në mesin e tyre më pat rënë në sy edhe dr. Ibrahim Rugova, i cili u afrua pranë një grupi studentësh prej 11 vetash, në mesin e të cilëve kisha rastisur edhe unë. Ngaqë nuk kishte vend për të gjithë, ne ishim ulur në parket. Po ashtu, edhe ai u ul këmbëkryq në mes nesh.

Ajo që më bënte përshtypje, ishin cigaret që i ndizte njërën pas tjetrës, qetësia engjëllore e tij, biseda e ngrohtë, modestia e pakundshok. Fliste pa asnjë eufori, por me një urtësi të rrallë. Teksa qëndronte me ne, në një çast më ra në sy se dikush u shpërndante mollë studentëve. Mirëpo, kur u afrua te ne, fatkeqësisht i mbeti vetëm një kokërr. Duke shprehur keqardhje që s’kishte për të gjithë ne, mollën e vetme ia zgjati dr. Ibrahim Rugovës, mbase në shenjë respekti si më i vjetër që ishte. Dhe ai e mori me një qetësi të mistershme duke e ngushëlluar atë që të mos mërzitej fare se do ta ndante bashkë me ne. Të them të drejtën, në fillim e mora si një shaka të tij. Por, pasi e përfundoi bisedën që e kishte nisur, ktheu kokën mbrapa dhe i numëroi sa veta ishim gjithsej përreth tij. Dhe, me gishtat e tij të gjatë e të ashpër e çau mollën përgjysmë. Pastaj ato i ndau në 11 pjesë të vogla dhe të gjithëve na e zgjati nga një copë. Më të voglën e mbajti për vete.

Kështu 11 studentë, si dhe dr. Ibrahim Rugova arritëm ta hanim një kokërr molle. E pabesueshme, por e vërtetë.Kështu u ngulit në kujtesën time ky njeri i jashtëzakonshëm. Dhe më vonë, kur u bë prijës i shqiptarëve të Kosovës, gjithnjë më binte ndër mend ndarja e mollës. Dhe thoja vetmevete: Ky njeri, një kokërr molle e ndan me gjithë Kosovën, e jo më me 11 veta sa ishim ne studentët afër tij. Këtë e dëshmoi deri në frymën e fundit, ai vetëm i dha Kosovës, nuk i mori asgjë./ KultPlus.com

Jusuf Buxhovi kujton çmimin vjetor për veprën “Prapë vdekja” që e mori nga “Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës” me kryetar Ibrahim Rugovën

Shkrimtari i njohur Jusuf Buxhovi, në 80 vjetorin e lindjës së Ibrahim Rugovës, ka kujtuar ditën e 25 dhjetorit të vitit 1991, kur ka marrë çmimin vjetor për veprën “Prapë vdekja”, nga Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës, kur kryetar ishte vetë Rugova.

Përmes rrjeteve sociale, Buxhovi është shprehur se kjo vepër ishte e para vepër e tillë në prozën e Kosovës.

“Ky çmim ka rëndësi të veçantë meqë u parafua nga kryetari i atëhershëm i Shoqatës së Shkrimtarëve, Ibrahim Rugova, që asokohe bashkë me shkrimtarët dhe intelektualët e njohur, kishte marrë përsipër timonin e lëvizjes kombëtare, që do ta vëjë në binarët e pandalshëm historik shtetndërtimin e Kosovës”, ka shkruar Buxhovi./KultPlus.com

Katër parimet e një shkrimtari sipas George Orwell

Njihet si shkrimtari me potencial profeti i romanit distopik “1984”, apo alegorinë te “Ferma e kafshëve”. Përveçse autor i këtyre romaneve dhe disa librave tjerë të rëndësishëm, ishte para së gjithash një eseist. Me qindra ese të tij të shkruara përgjatë dekadave prekin një larmishmëri të madhe temash, nga letërsia te politika dhe filozofia. Në njërën prej këtyre eseve, “Pse shkruaj”, jep katër arsye të mundshme.

EGOIZËM I PASTËR: Një nga arsyet pse dikush fillon të shkruajë mund të jetë dëshira për t’u dukur i mençur, për të qenë temë diskutimi mes të tjerëve, për t’u kujtuar pas vdekjes, për të sfiduar ata fëmijët popullorë që të injoronin kur ti ishe fëmijë. Është mashtrim të pretendosh se ky nuk është një motivim për të shkruar, e madje është një motivim i fortë. Shkrimtarët e kanë këtë karakteristikë të përbashkët me shkencëtarët, artistët, politikanët, avokatët, ushtarët, biznesmenët e suksesshëm – me pak fjalë, me bërthamën e njerëzimit. Pjesa dërmuese e qenieve njerëzore nuk janë shumë egoistë. Pasi arrijnë në moshën tridhjetë vjeç, shumica braktisin ndjenjën e të qenit individualë – dhe jetojnë kryesisht për të tjerët. Por ka një pakicë të vogël me dhunti, njerëz që me paramendim janë të vendosur të jetojnë jetën e vet si qëllim në vetvete dhe shkrimtarët janë në këtë kategori. Shkrimtarët seriozë, më duhet të them, janë në tërësi më vanitozë dhe e shohin veten si qendra e botës më shumë se sa gazetarët, megjithëse janë më pak të interesuar për para.

ENTUZIAZËM ESTETIK: Perceptimi i bukurisë në botën e jashtme, ose në anën tjetër, te fjalët dhe radhitja e duhur e fjalëve. Kënaqësia në impaktin e një tingulli mbi një tjetër, në fortësinë e prozës së mirë apo në ritmin e një tregimi të mirë. Dëshira për të ndarë një eksperiencë që dikush ndjen se është e çmuar dhe nuk duhet të humbet. Motivi estetik është shumë i dobët mes shumë shkrimtarëve, por dhe një pamfletist apo shkrimtar librash shkollor do të ketë fjalë apo fraza të parapëlqyera të cilat e joshin atë për arsye jo-utilitare; ose ai mund të ndjehet më mirë mbi tipografinë, mbi gjerësinë e anëve, etj. Çdo libër përtej nivelit të një udhërrëfyesi hekurudhash nuk mund të jetë pa të menduar estetik.

IMPULS HISTORIK: Dëshira për të parë gjërat siç janë dhe për të gjetur faktet e vërteta e për t’i ruajtur ato për përdorim nga brezat pasardhës.

QËLLIM POLITIK: Përdorimi i fjalës ‘politike’ në kuptimin më të gjerë të mundshëm. Dëshira për ta shtyrë botën në një drejtim të caktuar, për të ndryshuar idetë e njerëzve të tjerë mbi llojin e shoqërisë që ata duhet të kërkojnë të kenë. Edhe këtu, nuk mund të ekzistojë një libër i pastër i pandikuar apo i paanshëm politikisht. Mendimi se arti nuk duhet të ketë të bëjë fare me politikën është në vetvete një mendim politik. /Hejza/ KultPlus.com

72 vjetori i lindjes së poetit, Visar Zhiti

Shkrimtari, publicisti dhe përkthyesi Visar Zhiti feston sot 72-vjetorin e lindjes. Shkrimtari lindi në Durrës, 2 dhjetor 1952.

Në rininë e tij u përndoq nga regjimit komunist.  Ai ka mbajtur detyrat më të larta në institucionet shqiptare si deputet, ministër dhe diplomat i shtetit shqiptar.

Në vitin 1973, ai shkroi përmbledhje me poezi, Rapsodia e jetës së trëndafilave. Ishte koha e Plenumit të 4-t të KQ të Partisë së Punës, në të cilin Enver Hoxha filloi një fushatë të egër kundër të rinjve që tërhiqeshin nga kultura perëndimore.

Poeti i ri u bë një nga viktimat politike të diktaturës. Dorëshkrimi i përmbledhjes, dorëzuar për botim në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, u konsiderua si një krijim me gabime të rënda ideologjike dhe që nxinte realitetin socialist.

Ai u arrestua më datë 8 nëntor 1979. U dënua në një gjyq farsë në prill të vitit 1980 me trembëdhjetë vjet burg. Nga burgu i Tiranës transferohet në burgun e Qafë Barit dhe në vijim në burgun famëkeq të Spaçit, i njohur për kushtet e këqija, keqtrajtimet dhe torturat që pësonin të burgosurit.

Ai u lirua nga burgu në fillim të vitit 1987 dhe nisi punën në një fabrikë të prodhimit të tullave në Lushnjë. Mbas rënies së diktaturës komuniste karriera e tij si shkrimtar, publicist, diplomat pati vetëm arritje.

Visar Zhiti përfaqëson figurën e njeriut të bukur dhe të qëndrestarit, që nuk e theu regjimi me trajtimin mizor në burg e jashtë tij./ KultPlus.com

Rama: “Oda e Zjarrit” i shton jetës turistike mbrëmjen e traditës shqiptare

Kryeministri Edi Rama përcolli sot në rrjetet sociale lajmin për hapjen e hapësirës më të re inovative në kryeqytet, ku tradita shqiptare do të jetë kryefjalë.

“Oda e Zjarrit, një hapësirë inovative që shumë shpejt do të hapet për të sjellë në jetën turistike të vendit mbrëmjen shqiptare të traditës”, shkroi Rama.

Oda e Zjarrit është pjesë e qendrës kulturore Albanian Night.

Arkitektët kanë rindërtuar për këtë qëllim odën më të madhe të zjarrit në Shqipëri, 9 m e lartë dhe 250 m2.

Kjo hapësirë është në dispozicion të Albanian Night, mbrëmjes tradicionale shqiptare që do të ndodhë përgjatë gjithë vitit.

Qytetarët mund të vishem me kostume tradicionale sikundër stafi dhe do të përjetojnë eksperiencë interaktive me këngë e valle të interpretuara live./atsh/KultPlus.com