Koncerti i radhës i Filharmonisë së Kosovës mbahet në Gjakovë

Ministria e Kulturës ka njoftuar se koncerti i radhës i Filharmonisë së Kosovës do të mbahet në Gjakovë, shkruan KultPlus.

Në kuadër të programit ‘Filharmonia në Lëvizje’, Kori dhe Orkestra, nën drejtimin e Hajrullah Sylës, me një kast ndërkombëtar solistësh, do të interpretojnë uverturën ‘William Tell’ dhe ‘Stabat Mater’ nga Rossini.

Në këtë koncert do të marrin pjesë solistët Besa Llugiqi (soprano) – Kosovë, Albane Carrere (mezosoprano) – Francë, Ismet Vejseli (tenor) – Maqedonia e Veriut, dhe Andrei Yvan (bas) – Rumani.

Koncerti mbahet më 15 nëntor 2024, prej orës 19:30, në Pallatin e Kulturës ‘Asim Vokshi’, në Gjakovë./ KultPlus.com

Buxheti i Akademisë së Shkencave për 2025-ën, Tole: Kërkojmë fonde të plota për tre projekte albanologjike

Zëvendëskryetari i Akademisë së Shkencave, Vasil Tole prezantoi sot para anëtarëve të Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik projektbuxhetin e këtij institucioni për vitin 2025, ku edhe kërkoi mbështetje financiare për tre projekte shumë të rëndësishme që janë në proces në fushën e albanologjisë, “Historia e shqiptarëve”, “Fjalori i gjuhës shqipe” dhe “Historia e Shqiptarëve”.

Tole kërkoi mbështetje për një grup zërash të buxhetit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe instituteve, të cilat, sipas tij, kërkojnë vëmendjen dhe kujdesin e komisionit. “Pikërisht atë kujdes dhe vëmendje që na keni dhënë sa herë kemi ardhur këtu dhe kemi diskutuar punën dhe veprimtarinë e institucionit”, tha Tole.

“E theksoj këtë gjë pasi mosplotësimi i këtyre kërkesave shtesë për vitin 2025 do të sjellë kufizim të projekteve shkencore, ngadalësi dhe vonesë në publikimin e kërkimeve dhe studimeve të reja, mundësi të kufizuara për të organizuar aktivitete të rëndësishme dhe sigurisht kufizime në mirëmbajtjen e zgjerimin e infrastrukturës së akademisë, e cila është e vjetër, e dëmtuar dhe e papërshtatshme për vijimin normal të punës”, nënvizoi Tole.

Zv.kryetari i ASHSH u shpreh se “sa i përket draftbuxhetit për vitin 2025 kemi mangësi në këto zëra: tre projekte albanologjike nga kërkesa jonë prej 82 milionë e 220 mijë lekë na janë aprovuar 60 milionë lekë dhe insistojmë në plotësimin e plotë të shumës së kërkuar të cilës i janë mangët 22 milionë e 220 mijë lekë”, tha Tole.

“Falë mbështetjes së deritanishme financiare nga buxheti i shtetit dy projektet e para “Historia e shqiptarëve” dhe “Fjalori i gjuhës shqipe” po shkojnë drejt finalizimit me sukses. Ka përfunduar shkrimi i dy volumeve të para të “Historisë së Shqiptarëve” që janë në proces redaktimi dhe ricensimi dhe në 22 nëntor, e shpallur “Dita e alfabetit të gjuhës shqipe”, ASHSH në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit do të paraqesë përmbylljen e fazës më të rëndësishme të fjalorit të madh të gjuhës shqipe që është ajo e prezantimit të fjalësit të tij. Një demonstrim virtual i punës do të paraqesë sa volum i madh pune është bërë nga shkencëtarët e gjuhës për pasur një fjalor të madh të gjuhës sonë me 120 mijë fjalë”, nënvizoi Tole.

Zv.kryetari i Akademisë së Shkencave tha se “ndërsa puna për këto mbështetje po shkon drejt finalizimit jemi në rritje të kërkesave tona buxhetore për hartimin e “Enciklopedisë shqiptare”. Deri tani falë bashkëpunimit me Akademinë e Shkencave dhe Artit të Kosovës redaksia qendrore, dy redaksitë vendore dhe 55 redaksi të fushave të ngritura në Shqipëri e Kosovë të mbështetur në një metodologji bashkëkohore dhe mbështetur në dhjetëra akte ndihmëse pas një pune jo te lehtë kemi ardhur në një fazë ku fjalësi me mijëra fjalë i “Enciklopedisë shqiptare” është gati dhe kërkohet financimi që për këtë vit në mënyrë që ASHSH përmes Qendrës së Botimeve Enciklopedike e ngritur posaçërisht pranë saj të nënshkruajë kontratë me autorët që do të hartojë zërat e saj. Bëhet fjalë për 600 shkencëtarë nga të gjitha fushat e shkencës që do të përfshihen në hartimin e zërave”.

Kryetarja e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Ina Zhupa theksoi në fjalën e saj se “ne nuk kemi qartësinë si komision që ju i shpenzoni këto para në mënyrë të drejtë dhe jo abuzuese. Ne sot kemi një kontroll auditi nga Kontrolli i Lartë i Shtetit që thotë të kundërtën. Doja të dija a i ka marrë në analizë ASHSH këto të dhëna nga KLSH dhe a ngarkohet ndokush me ndjekje penale?”.

Tole iu përgjigj se “kontrolli i parë nga KLSH lidhej me kontrollin financiar që është detyrim për të gjitha institucionet që të auditohen nga KLSH sa i përket përdorimit të parave publike dhe kontrolli i dytë pa përfunduar i pari ishte kontroll i performancës së projekteve kërkimore shkencore. Nga komunikimi që kemi me KLSH e kemi mirëkuptuar dhe konsideruar si një ndihmesë në punën tonë auditimin e financave publike dhe sesi ASH përdor financat publike. Ajo që them me përgjegjësi është që nuk ka dëm ekonomik ose persona të caktuar me përgjegjësi penale nga raporti i KLSH sa i përket kontrollit të auditit financiar. Aty ka gjetje konstatime, ka përmendje personash, të cilët duhet të përmirësojnë punën e tyre, por nuk ka deri në nivelin që ju e përmendët”./atsh/ KultPlus.com

Kryeparlamentari Konjufca pranoi raportin njëvjeçar të Institutit të Krimeve nga shteti serb në Kosovë

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka takuar Drejtorin Ekzekutiv të institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi, nga i cili edhe e ka pranuar raportin njëvjeçar të punës së Institutit.

Gjatë këtij takimi, kryekuvendari Konjufca theksoi rëndësinë që ka puna e këtij instituti për të dokumentuar të vërtetën e krimeve të luftës së shtetit të Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë, duke qenë se “kjo i shërben faktimit të historisë, përgjigjes ndaj mohimit dhe fshehjes që Serbia i bën krimeve të saj, si dhe hapjes së rrugës për vendosjen e drejtësisë”.

Hetemi nga ana e tij e ka njoftuar Konjufcën me punën e deritanishme të institutit, me sfidat dhe të arriturat që priten në vazhdim.

Siç njofton Zyra për Komunikim e Kuvendit, Konjufca e përgëzoi drejtorin Hetemi për punën e madhe të bërë deri tani nga ky institut në grumbullimin e materialeve dhe tha se “kjo shënon një hap domethënës e të domosdoshëm të faktimit të sistemuar”.

Hetemit, Konjufca i ofroi të gjithë mbështetjen e nevojshme “në mënyrë që të ketë rezultate sa më të mëdha në plotësimin e këtij synimi aq të rëndësishëm për Republikën e Kosovës dhe popullin tonë”.

Investim shtatë milionësh për TKK, Ministri Çeku: Teatri Kombëtar po transformohet në një hapësirë me kushte të dinjitetshme

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka njoftuar se punimet e restaurimit të tërësishëm të Teatrit Kombëtar po vazhdojnë me dinamikë të lartë.

Ministri Çeku ka thënë se përmes një investimi mbi shtatë milionë eurosh ndërtesa e TKK po transformohet në një hapësirë me kushte të dinjitetshme për artistin, stafin dhe publikun artdashës.

“Puna profesionale që është bërë në hartimin e projektit po vazhdon edhe në zbatimin e punimeve restauruese nga operatorë të licencuar për konservim. Profesorë nga gjashtë fakultete të Universitetit të Prishtinës janë angazhuar me përkushtim nga fillimi i këtij procesi delikat.

Po investojmë mbi shtatë milionë euro për modernizimin e hapësirës së Teatrit Kombëtar, duke u siguruar që vlerat e asetit do të mbrohen me përpikëri”, thuhet në njoftimin e Ministrit Çeku./ KultPlus.com

Botohet libri ‘Përvojë dhe Thagmë’ i autorit Arben Idrizi

Shtëpia botuese Bard Books ka botuar librin më të ri të shkrimtarit Arben Idrizi, me titullin “Përvojë dhe Thagmë”.

Librin “Përvojë dhe thagmë” shkrimtari dhe kritiku Ag Apolloni e ka vlerësuar si një libër të veçantë, duke thënë se: “Përvojë dhe thagmë është diçka mes eksperiencës dhe epifanisë. Këtu, nëpërmjet formave të ndryshme poetike, kemi përjetime dhe reflektime të thella. Duke e përdorur fokusin e fjalëve, Arben Idrizi, si subjekt vrojtues dhe përjetues, i afron gjërat me një zoom poetik, apo, siç thuhet, i bën gjërat me thagmë, për ta çuditur lexuesin edhe kur flet për gjërat e rëndomta. E, dihet se ç’rëndomtësimi është proces poetik për ta kthyer përvojën në art. Përvojë dhe thagmë na tregon sa i bukur është arti dhe sa e brishtë është jeta”.

Arben Idrizi, i njohur si poet, prozator dhe përkthyes, deri tani ka botuar përmbledhjet poetike: Heqakeq (Prishtinë, 2003), Libri i të qenit (Prishtinë, 2009), Zveri vole utadžbinu (Beograd, 2013), Fletore poezish ‘10-’15 (Prishtinë, 2016), Poezi, 2016 (Tiranë, 2017), Poezi, ’17-’18 (Prishtinë, 2019), Libri i dhunës (Tiranë, 2019), Poezi, ‘19-’20 (Prishtinë, 2021). Gjithashtu, ka përkthyer librat: “Hiçi që është nën” të Valerio Magrellit, “Dy drama” të Tino Caspanellos, “Martesa e Kadmit dhe Harmonisë” të Roberto Calassos dhe “Mendime” të Giacomo Leopardit.

Librin e gjeni në libraritë “Artini” dhe “Dukagjini”, në Prishtinë./ KultPlus.com

Hapet edicioni i 12-të i ‘Net/Rrjet’, synohet rrjetizimi i artistëve vendorë me artistët ndërkombëtarë

Vjollca Duraku

25 artistë nga vende të ndryshme të botës mbrëmë kanë hapur ekspozitën e edicionit të 12-të “Net/Rrjet” në qendrën “Barabar”, shkruan KultPlus. Koncepti i këtij viti i përketë artit bashkëkohor dhe ka të bëj me “FastArt”, që vjen si rrjedhojë e një arti të shpejtë nga dinamizmi i jetës i cili mundëson forma të ndryshme të prezantimit të artit. Video, instalacion, fotografi e pikturë janë paraqitur në ekspozitën e kuruar nga Zeni Ballazhi, që përveç tjerash synon rrjetizimin e artistëve vendorë e atyre ndërkombëtarë.

Prej eksponateve, i pari që bie në sy qysh në hyrje është “Instalacioni” i artistes Leonita Krasniqi. Dhjetëra punime nga alumini qëndrojnë të varura lartë në murin e galerisë me figura të ndryshme artistike. 

Përballë tyre qëndron krijimi artistik i Resul Jusufit “Surpassing himself”. Para një pikture që paraqet hijen e një burri janë të varura një palë këpucë të vjetra, prej të cilave njëra e ndarë në gjysmë.

Në kthinën e galerisë gjenden edhe eksponatet mjaft të veçanta të ukrainases Kateryna Repa. Veçantia e këtyre punimeve ka qenë teknika e punës, ku përmes shkronjave milimetrike që mezi shihen me sy të lirë janë vizatuar portrete me rrëfime nga lufta e Ukrainës.

Majlindja Kelmendi, drejtoresha e qendrës për art bashkëkohor “ExpoArt.40”, e cila është edhe organizatore e “Net/Rrjet” ka thënë se qëllimi i ekspozitës është rrjetizimi i artistëve vendorë me ata ndërkombëtar.

“Net/Rrjet ka filluar në vitin 2008, është rritur, qindra artistë ndër vite kanë marrë pjesë. Vet fjala Rrjet tregon rrjetëzimin, vendosjen e urave në mes të artistëve vendorë dhe atyre ndërkombëtar, për t’i ekspozuar pastaj së bashku në qytetin e Prishinës. NET/RRJET është një koncept bashkëkohor. Punimet që janë këtu janë të artistëve të cilët punojnë me një qëllim të caktuar, për të përcjellë një mesazh ose për të përcjellë vepra të mediave të ndryshme kemi: video, pikturë dhe instalacion”, ka thënë Kelmendi.

Piktorja Kelmendi ka thënë se ekspozita krijon një minibotë ku secili artist shpreh preukopimin e vet që e ka pasur gjatë kohës që e ka realizuar veprën.

“Qëllimi është edhe reklamimi i vendit tonë në vendet e artistëve ndërkombëtarë. Miqtë e tyre artistë na kanë shkruar për të qenë si kontingjent për edicionin tjetër. Kjo nuk na shërben vetëm ne si artistë por i shërben edhe vetë Kosovës për ta bërë sa më të njohur. Kur kemi filluar në 2008 na është dashur të përballemi me pyetjen ku i bjen Kosova, gjë e cila nuk  ka ndodhur këto dy-tre vitet e fundit. Kjo është një gjë shumë e bukur. Artistët nga vendet e ndryshme ofrojnë botën e tyre dhe problematikën e tyre në lidhje me temën që trajtojmë. Këtu krijojmë një minibotë, ku secili artist shfaq preukopimin e vet që e ka pasur gjatë kohës kur e ka realizuar atë vepër, prandaj edhe është interesante që ka botë të ndryshme brenda një bote të madhe”, ka thënë Kelmendi.

Ndërsa, kuratori Zeni Ballazhi ka thënë se koncepti i këtij edicioni është i bazuar në “FastArt”.

“Sivjet koncepti është i bazuar te kjo pjesa aktuale “FastArt” për shkak se arti i shpejtë ose dinamizmi i jetës së përditshme të shpejtë na mundëson forma të ndryshme të prezantimit të artit, sidomos të pjesës ndërkombëtare për shkak se artistët nuk kanë mundësi të ekspozojnë veprat e tyre brenda një jave në disa shtete. Një mundësi e mirë sot është edhe prezantimi i ekspozitave të shpejta ose ekspozitave të cilat kanë të bëjnë me ekspozitat online. Është prezantim aktual, më i miri i mundshëm për bashkëpuniin edhe me rtistë edhe me vende të ndryshme të botës”, ka thënë Ballazhi.

Kuratori më tutje ka uruar që në të ardhmen të krijohen mundësi më të mëdha për artistët pasi sipas tij Kosova ka potencial jashtëzakonisht të madh për organizimin e ekspozitave të tilla.

“Mundësi tjetër e mirë është për shkak që artistët vendorë kanë mundësi që të krijojnë këtë lloj rrjetëzimi dhe t’i bashkohen këtyre lloj artistëve të cilët sot prezantohen në mënyra të ndryshme dhe të shpejta në vende të ndryshme. Në këtë ekspozitë marrin pjesë 25 artistë dhe pjesa më e madhe janë artistë ndërkombëtar. Kosovës i kemi sjellë sivjet prurje të reja të vendeve të ndryshme këtu. Kemi edhe vende të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, kjo për faktin që Kosova të njihet edhe në arenën ndërkombëtare”, ka përfunduar kuratori Ballazhi.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur nga 11 deri më 17 nëntor 2024, nga ora 12:00 deri në 17:00, në Barabar Centre (Grand Hotel, kati i katërt), Prishtinë./ KultPlus.com

37 vite pa Lasgush Poradecin, mungon shtëpia muze në qytetin e lindjes për poetin

Banesa që shihni mbrapa meje është shtëpia ku ka jetuar poeti i madh lirik Lasgush Poradeci. Përpara 37 viteve ai do të largohej nga kjo jetë e sot, ai nuk nderohet me një shtëpi muze, ashtu siç është premtuar për dhjetëra vite nga Bashkia e Pogradecit.

Më 12 Nëntor 1987 Lasgushi do të mbyllte sytë përgjithmonë, duke lënë mbrapa një pasuri të madhe letrare për poezitë e letrat shqipe.

Poeti i madh pogradecar ende nuk ka një shtëpi muze, ku të vihen në pah për turistët e vizitorët vendi ku ka jetuar apo sende personale të tij.

Budjon Xhelo është njeri nga njerëzit që pati mundësinë ta njihte nga afër poetin, dhe sot e cilëson flagrante mungesën e një shtëpie muze.

“Është një turp i madh për gjithë qytetarët e Pogradecit por edhe me gjerë, ministrinë e kulturës që ende nuk kemi shtëpinë e poetit kombëtar Lasgush Poradeci. Është një mallkim komunist, kam 50 vite në këtë qytet, e kam njohur Lasgushi të gjallë, e kam nderuar të vdekur. Duhet ndërtuar shtëpia e Lasgushit, duhet rindërtuar nga themelet, jo si sot. E hapur për të gjithë, ku ka gjë më të mirë. Poeti që i këndoi atdhedashurisë është lënë pa shtëpi, ka më turp?” tha Xhelo.

Për nënkryetarin e Bashkisë Pogradec, ky premtim pritet të jetësohet së shpejti, me investimet që do të marrin lagjet historike të këtij qyteti.

“Nuk e quaj premtim të pambajtur, ka qenë një nga projektet që bashkia Pogradec ta bëjë e me pare. Ajo është godine private e dikujt tjetër, jo pronë publike apo e familjes së poetit. Në bashkëpunim me institutin e monumenteve është financuar projekti për rikonstruksionin e dy lagjeve. Brenda këtij viti fillon puna për rehabilitimin. Edhe shtëpia e Lasgush Poradecit përfshihet. Në bashkëpunim me pronarët ekzistues do transformohet për turistët vendas e të huaj”, u shpreh Paskalino Ziko, nënkryetar i Bashkisë Pogradec.

Sot, në përvjetorin e ndarjes nga jeta të Lasgush Poradecit nuk pati asnjë aktivitet në qytetin ku ai lindi e u rrit, për të cilin shkroi deri në frymën e fundit./euronews/ KultPlus.com

Shega shqiptare, Lezha feston me traditë shijen e frutit të kuq

Në Lezhë është rikthyer festa e shegës.

Si çdo vit tashmë në traditë, festa e shegës vjen me një panair në qendër të qytetit të Lezhës, transmeton klankosova.tv.

Aty prezantohet jo vetëm tradita e këtij qyteti, por edhe përfshirja e këtij fruti me gatime ku vitet e fundit ka marrë një rëndësi të veçantë.

Në panair pjesëmarrësit ekspozuan produkte të ndryshme, gatime tradicionale që kanë në përbërje shegën.

”Të gjitha ushqimet pothuajse e kanë përbërësin e shegës, siç kam përgatitur rizoton me lëngun e shegës, copëza ftoi e boronice”.

”Tani dihet që shega në Lezhë përdoret dhe përveçse konsumohet si frut, si lëng, unë tani kam menduar që ta sjellë edhe me pasta të freskëta”.

”Kemi sjellë në vend të shurupeve të huaj kemi kthyer shijen e shegës si oramatizues dhe shijet e kokteileve”.

Pjesë e panairit ishin edhe nxënës të shkollës profesionale.

”Kemi sjellë lakror dhe byrek nga zona jonë po ashtu edhe ravani që përfaqëson zonën tonë”.

Sipas tvklan.al, një aktivitet i tillë synon promovimin e këtij fruti.

”Sollën frutin e shegës të përpunuar në ushqime dhe gatime të ndryshme. Kishim në panair edhe trashëgiminë kulturore të cilat të gjitha së bashku shpalosen për t’i dhënë diçka ndryshe Lezhës”.

Festa e shegës është kthyer në traditë në Lezhë, pasi organizohet prej vitesh.

Kurti në ushtrimin fushor “Ujku i Çeliktë”: Ju jeni garanci e pathyeshme se e ardhmja e Kosovës është në duar të sigurta

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vizitoi sot pjesëtarët e FSK-së në Poligonin Ushtarak në Babaj të Bokës, në Gjakovë, në kuadër të shënimit të realizimit të ushtrimit fushor “Ujku i Çeliktë”, në të cilin morën pjesë njësi të Forcës së Sigurisë së Kosovës, njoftojnë nga kryeministria.

Po sot, Forca e Sigurisë e Kosovës, po organizon edhe Ditën e Vizitorëve.

Bëhet e ditur se gjatë kësaj vizite, ku ishte e pranishme dhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani-Sadriu,  Kurti pa nga afër demonstrimin e aktiviteteve si dhe operacionet e shumta të pjesëtarëve të FSK-së, përfshirë ato ofensive, defansive dhe të stabilitetit.

Në adresimin e tij, ai tha se ndjehet shumë krenar sa herë që ndodhet së bashku me ta dhe në mesin e tyre, sikur sot në këtë ushtrim, i cili si i tillë është më i madhi dhe më i sofistikuari i realizuar ndonjëherë nga Forca e Sigurisë së Kosovës, me pjesëmarrjen e mbi 1000 ushtarakëve.

Ky ushtrim, siç tha kryeministri, përfaqëson më shumë se një testim të kapaciteteve tona mbrojtëse, është një tregues i qartë i përkushtimit, guximit dhe profesionalizimit të ushtrisë sonë.

“E veçanta e këtij ushtrimi është se pikërisht këtu, bëhet validimi i regjimentit të dytë të këmbësorisë të FSK-së, duke konfirmuar zhvillimin dhe forcimin e vazhdueshëm të ushtrisë sonë drejt standardeve më të larta ndërkombëtare”, tha Kurti, duke shtuar se një element tjetër i rëndësishëm i këtij ushtrimi është përdorimi i pajisjeve dhe armatimit modern, të cilat janë blerë dhe integruar në flotën tonë në këto vitet e fundit. Këto pajisje dhe ky armatim i blerë sipas standardeve të NATO-s janë produkt i një strategjie të detajuar të investimeve tona në fushën e mbrojtjes.

Ky ushtrim tregon se Forca e Sigurisë së Kosovës është mburojë e vendit tonë, por edhe një partner i besueshëm për paqen dhe sigurinë rajonale, për aleatët e Kosovës, tha kryeministri, teksa shtoi se ushtria jonë ka treguar bashkëpunim dhe bashkërendim të shkëlqyeshëm me partnerët tanë strategjikë, duke dëshmuar aftësitë tona për ndërveprueshmëri, dhe duke përmbushur detyrat komplekse me efikasitet të plotë.

Në adresimin e tij, ai po ashtu u tha pjesëtarëve të FSK-së se ata janë frymëzim për të gjithë ne, e gjithashtu janë garanci e pathyeshme se e ardhmja e Kosovës është në duar të sigurta. Po ashtu shprehu mirënjohjen e tij të thellë dhe përgëzoi çdo ushtar dhe të çdo oficer që është angazhuar në përgatitjen dhe realizmin e këtij ushtrimi.

“Ju falënderoj që mbani lart nderin dhe krenarinë e vendit tonë me angazhimin tuaj edhe të përhershëm edhe të sinqertë. Ju jeni dalzotësit e atdheut dhe mburoja më e mirë e më e fuqishme për Republikën e Kosovës”, përfundoi kryeministri.

Një vit nga vdekja e ish-kryediplomatit çek që njohu pavarësinë e Kosovës

Ish-ministri i Jashtëm i Republikës Çeke, Karel Schwarzenberg, është ndarë nga jeta një vit më parë, në moshën 85-vjeçare.

Schwarzenberg në vitin 2008 kur ishte në krye të këtij posti, vetëm dy ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kishte treguar vullnet për ta njohur, njofton Klankosova.tv.

Ndonëse kishte kundërshti të fuqishme nga një pjesë e skenës politike në vendin e tij, veçanërisht nga presidenti i atëhershëm çek, Vaclav Klaus, ai vendosi që ta njohë pavarësinë e Kosovës./KultPlus.com

Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore me udhëheqje të re, Artan Krasniqi në krye të këtij Këshilli

Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore me udhëheqje të re, Artan Krasniqi në krye të këtij Këshilli

Sot është mbajtur mbledhja e pare e Bordit të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, që është zgjedhur me datë 30 tetor nga Kuvendi i Kosovës.

Gjatë mbledhjes, kryetar i Këshillit është zgjedhur Artan Krasniqi.

“Anëtarët e bordit diskutuan në përgjithësi për rëndësinë e bashkëpunimeve institucionale, planet e punës dhe sfidat për mandatin e ardhshëm të KKTK-së”,  thuhet në njoftim.

Tutje, është bërë e ditur se diskutimet janë përqendruar në disa fusha që do të konribuonin në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore promovimin, legjislacionin dhe rregulloret./KultPlus.com

“Terminal” i Baletit Kombëtar të Kosovës do të prezantohet me premierë në Obiliq

Baleti Kombëtar i Kosovës  do të prezantohet me shfaqjen “Terminal”, premierë që do të jepet më 14 nëntor prej orës 19:00 në Qendrën Kulturore të Obiliqit.

 “Si premiera e pestë për sezonin 2024, “Terminal” shënon kulmin e një viti të jashtëzakonshëm për BKK, të vlerësuar si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar” thuhet në njoftimin e Baletit Kombëtar të Kosovës.

Ky prodhim prezantohet në bashkëpunim me koreografët Evgeny Kozlov dhe Romane Petit./ KultPlus.com

PEN Qendra e Kosovës me Konferencë për Letërsinë

PEN Qendra e Kosovës do të mbajë një konferencë për letërsinë, konferencë që do të mbahet më 21 dhe 22 nëntor në KultPlus Caffe Gallery në Prishtinë.

Kjo konferencë që për teë ka pozitën sociale të shkrimtarit, lirinë e shprehjes dhe të drejtëm e autorit ka përfshirë shumë figura të njohura të krijimtarisë, të cilët do të paraqiten me referimet e tyre përgjatë dy ditëve.

KultPlus më poshtë ju sjell të plotë programin e kësaj konference, të më 21 nëntor do të fillojë punimet prej orës 15:00.

Fjalë përshëndetëse Sibel Halimi drejtore e Kulturës – Komuna e Prishtinës

Binak Kelmendi kryetar i PEN Qendrës së Kosovës

Entela Kasi kryetare e PEN Qendrës së Shqipërisë

Ismet Kallaba kryetar i Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”- Ulqin

Ora: 15:30 -18:00

Drejtues të seancës Ibrahim Berisha dhe Entela Kasi

Milazim Krasniqi Roli i shkrimtarit në shoqëri

Sadik Bejko Përvoja ime me botuesit: botimi i librave pas viteve 90

Ibrahim Kadriu Pozita sociale e shkrimtarit në Kosovë

Entela Kasi Shkrimtari me dhe pa atdhe

Naim Kryeziu Mbrojtja e lirisë dhe pronës intelektuale sipas Hajnrih Hajnes

Gëzim Aliu Autori dhe ideologjitë

Ibrahim Berisha Autori dhe vepra

Qazim Muja Përkthimi si lëndë e re e njohurive

Sali Bashota Shkrimtari, vepra, botuesi

PROGRAMI E premte, 22 nëntor 2024

Ora: 11:00 – 13:00

Drejtues të seancës Dije Demiri Frangu dhe Ismet Kallaba

Binak Kelmendi Mbrojtja e të drejtave të autorit

Osman Gashi Liria e shprehjes dhe kufijë e krijimtarisë letrare

Nerimane Kamberi Aktivitetet promovuese për shkrimtarin

Anton Berishaj Vlerësimi kritik i letërsisë

Naime Beqiraj Aktivitetet promovuese për shkrimtarin

Ismet Kallaba Si të mbijetosh në kohën e komercializmit: Përsiatje rreth mundësisë së gjetjes së modeleve të vetekzistencës së shkrimtarit

Blerina Rogova Liria e shprehjes dhe sfidat krijue

Dije Demiri Frangu Diskursi kulturor në Kosovë – me theks në letërsi

Xhevahire Izmaku Liria e shprehjes dhe sfidat krijuese

Haxhi Shabani (S) Kemi letërsi të përbashkët shqipe

Flamur Maloku Diskursi kulturor në Kosovë: tradita dhe bashkëkohësia

Diskutime

Fjalë përmbyllëse/ KultPlus.com  

Ekspozita Kartografike e Boka Kotorska, në Qendrën “Sotir Kolea”

Në qendrën “Sotir Kolea” u ekspozuan pamjet kartografike të Boka Kotorska, nga fundi i shekullit të 15-të deri në fillimin e shekullit të 20-të.

Ekspozita erdhi si një udhëtim përmes hartave historike dhe kartografike që tregonin Gjirin e Kotorit dhe zonën rreth tij.

Materiali kartografik nga Muzeu Detar në Kotor bëri së bashku burime të digjitalizuara nga arkivat dhe bibliotekat kombëtare në të gjithë Evropën dhe SHBA.

185 harta të digjitalizuara nga Muzeu Detar në Kotor, arkivat dhe bibliotekat kombëtare të Evropës dhe SHBA-së, që përfshinin harta gjeografike, detare, topografike, ushtarake, historike, politike, etnografike, dhe shumë më tepër. Ekspozita ishte një mundësi e shkëlqyer për të zbuluar pasurinë kulturore dhe historike të këtij rajoni të mrekullueshëm./atsh/KultPlus.com

COD, promovohet libri fitues i “Fondit të krijimtarisë letrare për fëmijë”

Biblioteka e kryeministrisë ka pritur miqtë e vegjël të librit në një aktivitet promovues, kushtuar librit “Hana, vajza që kapi Diellin”.

Libri është shkruar nga Rovena Rrozhani dhe është libri më i ri në letërsinë shqipe për fëmijë. Pasditja e mbrëmshme i shtoi gjallërinë COD-it, me zërat e fëmijëve dhe panelin e përbërë nga prof. dr. Persida Asllani, botuesja Irena Toçi, autorja Rovena Rrozhani dhe ilustruesja Mirjana Madhi.

Të pranishmit bashkëbiseduan rreth librit si dhe për autoren Rrozhani, e shpallur si fituese e “Fondit të krijimtarisë letrare për fëmijë”./atsh/KultPlus.com

“Mrikë, jeta ime”, libri i radhës i Martin Çunit do të promovohet në KultPlus Caffe Gallery

Të shtunën më 16 nëntor, prej orës 13:00, në ambientet e “KultPlus Caffe Gallery” do të përurohet libri i autorit Martin Çuni, me titull “Mrikë, jeta ime”!

Ky libër brenda vetes përmban letrat nga burgu i Prishtinës, i Prokupjes dhe nga ai i Nishit, kohë kur autori ishte në këto burgje, dërguar bashkëshortes Mrikës, dhe fëmijëve, Agronit e Teutës.

Nëntë vjet pa tre muaj, autori Martin Çuni, ka qenë nëpër burgje dhe vetëm tri vjetët e fundit i është lejuar lapsi e fletorja.

Këto letra dërguar bashkëshortes dhe fëmijëve, të cilat jo të gjitha u kanë mbërritur në duar, i kishte fshehur në parkun e oborrit në pavijonin e lirë të burgut të Nishit, pranë një lisi, të futura në një enë plastike në dhe. Ato shkoi dhe i mori natën, tre muaj pas daljes.

Disa nga ato letra, shoqëruar më fascimilie, tashmë janë brenda kopertinave të librit “Mrikë, jeta ime”! Përmes këtyre letrave ndjehet karakteri parimor i autorit Çuni, dhe vendosmëria e Mrikës, në heshtje, për të qëndruar e fortë në pritje të burrit për të dalë nga burgu dhe për t’i mbajtur fort fëmijët dhe familjen, që është porosi e fuqishme, mes rreshtash, që institucioni i familjes është mbi gjithçka. Autori Martin Çuni, ka të botuar dhe shumë libra të tjerë të zhanreve të ndryshme./ KultPlus.com

Rita Ora lanson koleksionin e saj të fundit në bashkëpunim me nënën e saj, Vera Ora

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, ka lansuar koleksionin e saj të fundit në Primark, kësaj radhe bashkë me nënën e saj, Vera Ora.

Rita ka shkruar se ky koleksion i dedikohet sezonit festiv.

“Nga rrobaqepësia elegante deri te dukjet e mbrëmjes që bien në sy, po sjell të gjithë glamin e frymëzuar nga Java e Modës në Paris dhe festat”, ka shkruar ajo.

Tutje, këngëtarja u shpreh se ndjehet e lumtur që i është bashkuar edhe nëna e saj për të modeluar dhe ka treguar se mosha e saj është vetëm një numër.

Ndërsa, nëna e saj u shpreh se është shumë e emocionuar për të ndarë këtë koleksion.

“Jam shumë e emocionuar të ndaj këtë koleksion me të gjithë ju. Sezoni i festave ka të bëjë me bashkimin dhe thellimin e marrëdhënieve tona me të afërmit, ndërkohë që kalojmë kohë të mirë dhe ‘Primarku’ e ka bërë pikërisht këtë”, tha ajo./KultPlus.com

“Meksika në Tiranë”, aktivitetet e Javës Kulturore Meksikane

Për herë të parë në vendin tonë do të organizohet Java Kulturore Meksikane. Nga datat 13 deri me 16 nëntor, kjo javë do jetë e mbushur plot me evente artistiko-kulturore. Kjo javë do të kremtojë edhe me 50-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Meksikë.

Programi i Javës Kulturore Meksikane do të nisë më 13 nëntor, në ambientet e COD, në Kryeministri, me aktivitetin “Diplomacia dhe Kultura”, ku pjesëmarrës do të jetë edhe Ambasadori i Meksikës në Itali, Carlos Eugenio Garcia de Alba Zepeda. Ky i fundit, do të mbajë edhe një konferencë me temë “Diaspora Meksikane, politikat publike” si dhe do të nënshkruajë një Memorandum Mirëkuptimi midis AIIS dhe COMEXI.

Po më 13 nëntor, tek holli i Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë, do të inaugurohet skulptura alebrije  “Fëmija Monarka”. Kjo vepër arti përfaqëson një dhi shqiptare dhe një flutur shtegtuese monarke, duke simbolizuar miqësinë mes dy vendeve përmes dy elementëve të faunës së tyre.

Gdhendjet në dru Oaxacan, të njohura më mirë si alebrijes, janë bërë një nga format më të njohura të artit në Meksikë. Pedro Linares, një krijues i aftë figurative dhe mik i Frida Khalo dhe Diego Rivera, ishte personi i parë që filloi të bënte alebrije të cilat ishin produkt i imagjinatës së tij. Ai ëndërronte për kafshë fantastike imagjinare dhe shumëngjyrëshe në ëndrrat e tij, të cilat të gjitha përsërisnin një fjalë pa pushim. Ajo fjalë ishte “alebrije”. Që atëherë, Pedro dhe familja e tij filluan të krijonin krijesa me dizajne dhe modele të ndërlikuara.

Ndërsa më 14 nëntor tek akademia e filmit Marubi në Tiranë, një ndër regjisorët  më ndikues në Evropë dhe jo vetëm, Jesus Garcés Lambert, do të mbajë masterclass me temë “Between fiction and documentary, find your own voice”.

Për të gjithë ata që duan të shijojnë ushqimet dhe pijet meksikane, më 14 nëntor, do të organizohet një event degustimi pjatash meksikane dhe tequilash. Nga ushqimi i ngushëllimit (tamales) apo ushqimi i rrugës (tacos), deri tek chile relleno, që është një pjatë festive, ato mund të shijohen në ora 20:00, tek Destil Creative Hub në Tiranë.

Java Kulturore Meksikane do të mbyllet me një koncert më 16 nëntor, tek Katedralja Ortodokse, të artistit Israel Varela, ku do të prezantojë një pjesë nga albumi i tij i 10-të “Frida en Silencio”./atsh/KultPlus.com

Festivali i Aktrimit “Apollon” në edicionin e tij të 15-të

Festivali Mbarëkombëtar i Aktrimit “Apollon” nisi me një atmosferë të jashtëzakonshme, në teatrin “Bylis” të qytetit të Fierit. Kryebashkiaku Armando Subashi u shpreh se, shfaqja dramatike “7 Minuta”, me të cilën nisi ky festival, përcolli mesazhe të fuqishme sociale, duke emocionuar publikun.

“Një fillim mbresëlënës për një festival të pasur me art dhe emocion”, u shpreh Subashi.

Drama “7 Minuta”, me regji të Driada Dervishit, pati një kast prej 11 aktoresh, mes të cilave emra të njohur të skenës shqiptare si Yllka Mujo, Luiza Xhuvani, Zamira Kita, Olta Daku, Anila Bisha.

Shfaqja teatrale trajtoi dinjitetin dhe të drejtat e punëtoreve të një fabrike tekstilesh. Shfaqja rrëfen një ditë pune dhe përpjekjet heroike të grave për të mos humbur të drejtat e tyre.

Në shtatë netë të Festivalit mbarëkombëtar të aktrimit do të interpretojnë trupa profesioniste nga Shqipëria dhe Kosova. Ky festival në edicionin e tij të 15-të i dedikohet aktorit. Risi do të jenë çmimet “In Memoriam” për dy artistët simbol të teatrit Fatos Sela dhe Hajrie Rondo si dhe dy çmimet e karrierës./atsh/KultPlus.com

94 vite nga lindja e Besim Bokshit, një nga gjuhëtarët më të shquar të Kosovës

Besim Bokshi, një nga gjuhëtarët më të shquar të Kosovës dhe të shkencës së albanologjisë në përgjithësi, shkruan KultPlus.com.

Ishte edhe poet me ndjesi të hollë për harmoninë e vargut dhe mesazhin e shprehjes.Besim Bokshi lindi në Gjakovë më 1930.

Mësimin fillor e kreu në Tiranë dhe në Gjakovë, ndërsa atë të mesëm në Gjimnazin e Prishtinës. Studimet e larta i kreu në Katedrën e Albanologjisë në Beograd, për t’u kthyer në vendlindje ku për vite me radhë punoi si profesor në gjimnazin dhe në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Gjakovës.

Ka punuar në Institutin Albanologjik dhe në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës. Ka marrë pjesë në të gjitha ngjarjet gjuhësore me rëndësi, përfshirë edhe Kongresin e Drejtshkrimit në Tiranë më 1972, ndërsa gjatë viteve nëntëdhjetë ka qenë i përfshirë në zhvillimet politike të asaj kohe në Kosovë.

Në vitin 1991 është zgjedhur anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa në vitet 2008-2011 ishte kryetar i saj.

Vepra shkencore e Besim Bokshit përbëhet nga disa studime monografike nga fusha e morfologjisë historike të gjuhës shqipe, ku veçmas shquhen studimet e tij për fleksionin nominal, për nyjet, për pjesoren etj. / KultPlus.com

Letra e rrallë e Lasgush Poradecit për vajzën e tij

Poeti dhe shkrimtari i madh shqiptar Lasgush Poradeci, i cili vdiq në vitin 1987, la pas vetës një trashëgimi të madhe të veprave të tij.

Ai ishte mjaft i veçantë në krijimet e tij dhe jo vetëm. Edhe në letrat që ua shkruante më të dashurve të tij i shkruante me mjaft përkushtim shkruan kultplus. Kësisoj sjellim një letër ku Lasgush Poradeci ia kishte shkruar vajzës së tij të madhe Kostandina, në vitin 1974.

Sjellim një pjesë nga kjo letër e shkruar nga Lasgush Poradeci:

“… që të jetë njeriu vetëm duhet fuqi e madhe e zemrës, si dhe fuqi e madhe e shpirtit, them që e kam atë fuqi durimtare aq të madhe, d.m.th.aq sa më duhet për valët e jetës. Shumë herë dëshpërohem me një dëshpërim humbas kurajën, kurajën e madhe, shumë herë më ka lëshuar kurajo po prapëseprapë kam mundur t’a marr veten, t’i kaloj valët, t’a kaloj ujin, edhe kështu, bijë e babit, jam si një gur në lumë, që uji shkon, po guri mbetet. Kjo është filozofija e babkës tënd, tjetër filozofi nuk gjeta dot, tjetër filozofi nuk kishte si të qëndroj të mos rrëzohem dhe të kaloj një çikë më tej”, kishte shkruar Poradeci. /KultPlus.com

Rikonstruksioni i monumenteve të trashëgimisë kulturore në Gjirokastër, Kumbaro: Projekte që ta bëjnë zemrën mal

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro përmes një postimi në rrjetet sociale renditi një pjesë të punëve të shumta që po kryhen mbi monumente të trashëgimisë kulturore të cilat kanë nevojë për restaurim, konservim e mirëmbajtje.

Ministrja Kumbaro tha se këto janë projekte që ta bëjnë zemrën mal dhe më tutje renditi punimet në gjithë qarkun e Gjirokastrës, nga Koshtani i Memaliajt ku do të restaurohet Teqeja e Baba Muharremit, në Përmet ku ka nisur puna për restaurimin e Kishës së Shën e Premtes e deri te Ura e Zerzebilit, te Kisha e Shën Mërisë Spilesë pranë Antigonesë, te Hamami i Meçites apo në Dropull ku po ndërhyhet në Manastirin e Ungjillizimit në Vanistër.

Kumbaro i cilësoi këto monumente kulture si krenari kombëtare.

“Si gjirokastrite, por edhe si ish-ministre e Kulturës s’mund ta fsheh kënaqësinë dhe vlerësimin për punën e sotme të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, të kolegëve të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, për stafin e përkushtuar të DRTK Gjirokastër, me të cilët kam pasur nderin të punoj për projekte që sot janë krenari kombëtare dhe sigurisht mirënjohje për kolegun Blendi Gonxhja e besimplotë për sukseset e tij”, shkroi ministrja Kumbaro./atsh/KultPlus.com