Starlink apo 5G, cili ofron internet më të shpejtë?

Kur vjen puna te shpejtësia e internetit, ka disa të dhëna që flasin për shpejtësinë që ofrojnë 5G dhe Starlink.

Ja një krahasim më specifik:

Starlink supozohet se ofron shpejtësi nga 50 deri në 250 Mbps, me ndonjëherë edhe më shumë, që mund të ndryshojë në varësi të ngarkesës së rrjetit dhe motit.

Ndërsa rrjetet 5G mund të ofrojnë shpejtësi mesatare shkarkimi midis 50 Mbps dhe 1 Gbps, ose edhe më shumë në disa raste.

Kështu, shpejtësia e 5G zakonisht është më e lartë se ajo e Starlink, por varet nga infrastruktura në zonë.

Në këtë drejtim, Starlink vlerësohet si më i përshtatshëm për zonat rurale ose ato ku nuk ka mbulim të mirë të 5G, duke qenë se përdor satelitë dhe nuk ka nevojë për “infrastrukturë tokësore”.

Në anën tjetër, 5G është ideal për zonat urbane dhe suburbane ku ka mbulim të mirë të rrjetit.

Si konkluzion, në zonat me mbulim të mirë, 5G mund të ofrojë internet më të shpejtë dhe më të qëndrueshëm sesa Starlink.

Megjithatë, në zonat rurale ose ku mungon infrastruktura e 5G, Starlink vlerësohet si një alternativë më e mirë sesa opsionet e tjera.

Miguel de Cervantes: Një fjalë në çastin e duhur vlen më shumë se njëqind në çastin e gabuar

Miguel de Cervantes (1547-1616) ishte shkrimtar spanjoll, romancier, poet, dramaturg dhe ushtarak.

Njihet botërisht ngaqë është autori i romanit “Don Kishoti i Mançës”, një nga kryeveprat e letërsisë botërore të të gjitha kohërave.

Gjeni më poshtë disa nga thëniet e tij të urta:

Kështu janë femrat për natyrë, përbuzin ata që i dashurojnë e dashurojnë ata që i përbuzin.

Ku rron smira nuk mund të ketë virtyt.

Predikon mirë ai që jeton mirë.

Tridhjetë priftërinj me gjithë ipeshkvin në krye, nuk mund ta detyrojnë gomarin të pëllasë kundër dëshirës së tij.

Mund të ketë dashuri pa xhelozi, por jo dashuri pa frikë.

Nuk ka dashuri të çuar dëm.

Mbi majat më të larta godet rrufeja, e ku i bëhet më shumë rezistencë bën dëme më të mëdha.

Nëse nuk e shijon fatin kur e ke, mos u anko kur të mos e kesh.

Një fjalë në çastin e duhur vlen më shumë se njëqind në çastin e gabuar.

Fatkeqësitë e gjejnë fatkeqin edhe po të fshihet në skajin më të largët të tokës.

Mos kërko leje për të marrë diçka që mund të marrësh pa leje.

Secili është ashtu si Zoti e ka krijuar, e shpeshherë edhe më keq./KultPlus.com

“Njerëzit tek Njerëzit: Azia Qendrore” , ekspozita e artistëve nga Kirgistani vazhdon të jetë e hapur në Galerinë Qahili

Në galerinë ‘Qahili’, po vazhdon të jetë e hapur ekspozita “Njerëzit tek Njerëzit: Azia Qendrore”, që sjell për publikun shqiptar një përzgjedhje të artit nga Kirgistani. Kjo ekspozitë unike, e cila do të jetë e hapur deri më 4 nëntor, paraqet punime që nga stili nomadik deri te impresionizmi, realizmi, kubizmi dhe abstraksioni, të 18 artistëve nga Kirgistani, shkruan KultPlus.

Sipas Nita Qahilit, koordinatores së Galerisë Qahili, ky bashkëpunim u realizua falë një përpjekjeje të përbashkët ndërmjet galerisë dhe artistëve nga Kirgistani, të cilët janë tashmë pjesë e komunitetit artistik në Kosovë. “Ishte një bashkëpunim i ndërsjellë, që u inicua nga vet galeria e Kirgistanit dhe koleksionistët që tashmë jetojnë këtu,” shpjegon ajo.

“Në këtë ekspozitë paraqiten punimet e 18 artistëve nga Kirgistani, nga arti nomadik në atë impresionist, realist, kubist dhe abstrakt. Janë tema të ndryshme shoqërore që trajtohen në punimet e këtyre artisteve që shpesh reflektohet në zhvillimin e kulturës së vendit”, u shpeh Qahili për KultPlus.

Në vazhdën e projekteve të saj të ardhshme, Galeria Qahili ka planifikuar një sërë aktivitetesh për muajt në vijim.

“Do të mbahen puntoritë në kuadër të projektit ‘Jeta dhe Arti’ për fuqizimin dhe vetëdijësimin e grave ndaj kancerit të gjirit. Po ashtu, do te hapet ekspozita e artistit Fehim Huskovic me 13 nëntor si dhe ‘Hijet e Bardha’ në dhjetor”, u shpreh ndër të tjerash Qahili, duke shpalosur projektet e radhës së galerisë ‘Qahili’.

Ndërkaq, 18 artistët që kanë marrë pjesë në këtë ekspozitë janë: Momun Astar, Jylldyz Asangaly, Tynumov, Nurlan Kudabaev, Yuldash Nurmatov, Shimova Halida, Sarkyn, Kim Aida, Nyurguyna Innokentyeva, Sadyk, Alapai Abdykasymov, Berebin, Rasul Kochkorbaev, Ernis Bekjamov, Asmat Abdysadyr Yylu, Kanybek Davletov, Jakypov Jylkychy, Sheishanaliev./KultPlus.com

Shfaqja ‘Shadow– Euridika thotë’ për herë të parë në Shqipëri

“Shadow – Euridika thotë”, nga fituesja e Çmimit “Nobel” Elfride Jelinek, u shfaq për publikun shqiptar më 28 tetor në  Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në kuadër të Javës Kulturore Austriake.

Shfaqja e cila në thelb tregon lirinë e gruas erdhi përmes dialogut dhe monologut të aktoreve Adriana Tolka, Albana Kocaj, Flobensa Bezari dhe nën regjinë e regjisores austriake Sabine Mitterecker.

Revolta e brendshme që shkon në dimensionet e lirisë është e veçanta e kësaj vepre e cila vjen për herë të parë në Shqipëri.

Loja e aktoreve dhe regjisores janë në funksion të veprës, ku identiteti i lashtë grek i ndërthurur me modernen bëhet për të futur spektatorin në ndjesinë që personazhet japin.

Orfeu dhe Euridika janë mishërimi i të dashuruarve. Kur Euridika vdes para kohe pasi pickohet nga një gjarpër, Orfeu futet në botën e nëndheshme për ta rikthyer në jetë, duke magjepsur Hadesin me muzikën e tij.

Miti i lashtë grek dhe realiteti modern femëror janë të ndërthurura ngushtë në tekstin e Elfriede Jelinek, që na flet nga perspektiva e një zëri të papritur./ euronews/ KultPlus.com

Filharmonia organizon koncertin e radhës me fagotistin e njohur Laurent Lefèvre

Filharmonia e Kosovës ka njoftuar se koncerti i radhës i cili përfshin vepra nga periudha barok deri te ajo romantike vjen me pjesëmarrjen e fagotistit të njohur Laurent Lefèvre, nën drejtimin e dirigjetit Frédéric Laroque – koncert-mjeshtër i Orkestrës së Operës së Parisit, shkruan KultPlus.

Në program do të interpretohen vepra nga Vivaldi, Mozart, Rossini dhe Bizet, me një orkestër të përbërë nga anëtarë të Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës dhe Operës së Kosovës.

Koncerti mbahet më 6 nëntor, në ora 19:30, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë./ KultPlus.com

Ambasada e Shqipërisë në Kosovë shfaq katër filma historik shqiptar me rastin e 80-të vjetorit të Çlirimit

Ambasada e Shqipërisë në Kosovë ka njoftuar se në kuadër të aktiviteteve me rastin e 80-të vjetorit të çlirimit të Shqipërisë do të shfaq katër filma historik shqiptar, shkruan KultPlus.

Përmes një njoftimi Ambasada e Shqipërisë ka ftuar të gjithë adhuruesit e filmave historik shqiptar për të ndjekur filmat: “Përrallë nga e kaluara”, “Gjeneral Gramafoni”, “Lulëkuqet mbi mure” dhe “Radiostacioni”, në kinemanë ABC.

Orari i shfaqjes së filmave do të jetë si në vijim:

       30 tetor 2024

18:00-19:30 Shfaqja e filmit “Përrallë nga e kaluara”

20:00-21:30 Shfaqja e filmit “Gjeneral Gramafoni”

31 tetor 2024

18:00-19:00 Shfaqja e filmit “Lulëkuqet mbi mure”

20:00-21:50 Shfaqja e filmit“Radiostacioni”/ KultPlus.com

Adriana Matoshi me rol kryesor në ‘Luna Park’, premiera e filmit në edicionin e 65-të Festivalit të Filmit në Selanik

Filmi “LUNA PARK” nga regjisori Florenc Papas do të jepet si Premierë Rajonale në Festivalin e 65-të Ndërkombëtar të Filmit në Selanik, shkruan KultPlus.

Filmi trajton peizazhin postkomunist të Shqipërisë, ku një nënë e vetmuar, Mira, dhe djali i saj adoleshent i trazuar, Toni, luftojnë me një shpërthim të dhunës civile që copëton kombin e tyre të Evropës Lindore.

Aktorët të cilët luajnë në film janë: Adriana Matoshi, Orion Jolldashi, Nik Xhelilaj, Flonja Kodheli, Amos Zaharia dhe Eno Milkani.

Pjesa tjetër e ekipës  është si në vijim: skenari: Florenc Papas, Glykeria Patramani; Kinematografi: Simos Sarketzis, redaktori: Federica Forcesi; dizajni: Durim Neziri; Kostumografia: Stela Laknori; Muzika: Mater Merlic; producent: Dritan Huqi, Ioanna Bolomyi, Riccardo Neri, Fatmir Spahiu; Produksioni: On FILM, Atalante Productions S.A., Lupin Film, Studio Corvus, Buka Production/ KultPlus.com

Ministri Çeku ndjek me admirim paraqitjen e Elbenita Kajtazit në Vjenë: Sopranoja jonë e talentuar bëri historinë

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku mbrëmë ka ndjekur nga afër paraqitjen e sopranos Elbenita Kajtazi dhe tenorit Saimir Pirgu, në Teatrin e Operës së Vjenës, shkruan KultPlus.

Me këtë rast, Ministri Çeku ka thënë se sopranoja Kajtazi me rolin e Mimit të “La Boheme” pati një paraqitje të shkëlqyer, përkrah një shqiptari tjetër të dëshmuar gjithashtu, tenorit Pirgu.

“Mbrëmë Elbenita Kajtazi u ngjit në njërën ndër skenat kryesore të operës në botë. Sopranoja jonë e talentuar, përveç që bëri historinë si shqiptarja e parë nga Kosova në Teatrin e Operës së Vjenës, pati paraqitje të shkëlqyer në rolin e Mimit të “La Boheme” nga Giacomo Puccini. Luajti krah tenorit të madh shqiptar, Saimir Pirgu, një emër tashmë i dëshmuar i skenës botërore operistike.

Elbenitën dhe Saimirin i ndoqëm me plot admirim bashkë me deputeten Tinka Kurti, mezo-sopranon Flaka Goranci, këngëtaren dhe kompozitoren Vjollca Robelli Mripa dhe të ngarkuarin me punë në ambasadën tonë në Vjenë Albinot Bimbashi”, thuhet në njoftimin e Ministrit Çeku./ KultPlus.com

Promovohet libri ‘Jeta me Laps e Nehat Islamit’ nga autori Xheladin Rexhepi, pasqyrohet rrugëtimi jetësor i doajenit të gazetarisë

Vjollca Duraku

Në ambientet e KultPlus Caffe Gallery është bërë promovimi i librit “Jeta me laps e Nehat Islamit” nga autori Xheladin Rexhepi, i cili shpalos në detaje rrugëtimin e doajenit të gazetarisë Nehat Islami në aspektin personal dhe profesional.

Mes miqve dhe familjarëve libri me përgjigjet e 500 pyetjeve të gazetarit Rexhepi solli shumë detaje të fëmijërisë së tij, studimeve, punës si korrespodent nga Lindja e Mesme, intervistat me figura të shquara, realizimi i dokumentarëve, roli i tij gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe shumë aspekte të tjera nga jeta e tij.

Panelin diskutues në këtë promovim e shpalli të hapur moderuesja Ardianë Pajaziti e cila tha se ndihej e nderuar me prezencën e gazetarit ikonik Nehat Islami, i cili kishte qenë inspirim për të dhe kolegët e brezit të saj.

“Jemi të nderuar që në KultPlus Caffe Gallery është prezent një figurë shumë ikonike e gazetarisë në Kosovë dhe jo vetëm. Për ne gazetarët që jemi këtu, këto figura kanë qenë inspirim për rrugëtimin tonë, falë të cilëve ne jemi sot këtu ku jemi. Nehat Islami dhe brezi i tij kanë qenë figura që na kanë inspiruar për ta ndjekur rrugën e tyre”, ka thënë drejtoresha e mediumit KultPlus, Ardianë Pajaziti.

Kurse, panelisti tjetër Ibrahim Kadriu bashkë-kohanikun e tij e cilësoi si gazetar “numër një”, i cili si rrallë kush ka mundur të arrijë majat e profesionit, duke e trasuar rrugën edhe për brezat tjerë.

“Është një  libër i veçantë, për një personazh të veçantë. Çdo gazetar do ta xhelozonte autorin e këtij libri sepse kjo është një kryevepër në fushën e gazetarisë. Është një vepër e cila rrallë shkruhet dhe rrallë gjendet. Këtu shkruan se janë bërë 500 pyetje, por derisa unë e lexoja librin me 500 pyetje mendoja se i mungojnë edhe 500 pyetje të tjera. Këtu është thënë shumëçka, por në të vërtetë Nehat Islami ka për të thënë shumëçka. Në të kaluarën e kam bërë një shkrim për Nehatin ku them njeriu që di shumëçka, por nuk flet gjithçka”, ka thënë Kadriu.

Përveç, si gazetar i pashoq, Islami u cilësua edhe si vizionar dhe misionar i cili gjithmonë ka vepruar mbi bazën e interesit Kombëtar.

“Ka qenë edhe në Misionin e Kombeve të Bashkuara kur ka shkuar për të drejtat e kosovarëve. Ai kudo që ka shkuar ka vepruar për interes kombëtar. Në intervistën e tij me një gazetar amerikan (1980), kur pyetet çka mendon për marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri, përgjigjja e tij ishte: Unë mendoj se shumë shpejtë kufiri do të jetë vetëm formalisht, kjo ishte mënyrë vizionare që sot është kufiri vetëm formalisht”.

Nehat Islami ka qenë një dorë e zgjatur edhe për mërgatën shqiptare duke u dërguar libra e gazeta të “Rilindjes” në një tirazh të madh, veshje kombëtare, vegla muzikore etj.

Vetë doajeni i gazetarisë, Nehat Islami, në një fjalim të shkurtër i ka falënderuar të gjithë ata që kanë dhënë kontribut për realizimin e librit të tij jetësor.

“E falënderoj autorin e librit i cili vërtet është munduar me mua dhe unë ia bëj hallall pasi vërtet e ka nxjerrë një libër që edhe mua më pëlqen. Faleminderit edhe redaktores, pronares së shtëpisë botuese ‘Drini’ nga Ferizaji e cila me përkushtim të madh e përgatiti librin për botim. Mua më vjen shumë mirë që ky libër pa dritën pikërisht në qytetin ku edhe unë për herë të parë pashë dritë, kur linda”, ka thënë gazetari Islami.

Ndërkaq, shkrimtari i librit Xheladin Rexhepi tha se ideja fillestare e tij ka qenë të realizoj film, porse nga materiali voluminoz që ka arritur të mbledhë, u vendos të botohej si libër.

“Nehat Islami është letërnjoftimi ynë, sepse gazetaria shqiptare e ka Nehat-in si penë që prej kohësh ai e kishte kaluar gjeografinë lokale dhe solli gazetari të vlerave universale. Këtë më së miri e dëshmojnë katër vjetët e tij në Bejrut, saqë ditën e fundit kur kthehet me një veturë Golf 1 të shpuar prej plumbash, mbetet pa asnjë lek në xhep. Është e kundërta e kohës sot kur njerëzit kthehen nga lufta të pasur materialisht”, ka thënë Rexhepi.

Në libër janë përmbledhur intervista me personalitete të njohura si Nëna Terezë, Neon Malcolm, e Ismail Kadare e cila brenda një dite është botuar në 2000 gazeta botërore, rekord i gazetarisë së Kosovës, i cili konsiderohet i pa arritshëm  edhe në të ardhmen.

“Nehat Islami në Zvicër pranë OKB-së është detyruar ta shesë unazën e fejesës për të arritur qëllimin që një rezolutë për të drejtat e njeriut të kalojë në OKB”, ka thënë Rexhepi.

Gjatë krijimit të këtij libri autori tha se ka hasur në një vështirësi të madhe nga modestia e tepërt e Nehat Islamit.

Ndërsa, botuesja Zyrafete Shala ka thënë se libra me modele të tilla identifikimi siç është figura e Nehat Islamit duhet t’iu ofrohen  më shumë të rinjve.

“E kemi një shembull unik se si duhet të punohet, sepse puna që bëhet me dashuri dhe përkushtim doemos do të sjellë një rezultat dhe një dobi edhe për të tjerët. Ai nuk ka menduar të bëjë karrierë në gazetari, nuk ka menduar të marr tituj, të bëhet njeri i rëndësishëm apo i njohur për të tjerët. Por, ai e ka gjurmuar dhe e ka kërkuar të vërtetën e realitetit objektiv sado i dhimbshëm dhe sfidues qoftë”, ka thënë Shala duke potencuar se libri paraqet një mozaik të pasur me shumë elemente që publiku nuk i ka ditur më parë.

“Pas botimit libri është pritur shumë mirë. Të gjitha kategoritë e lexuesve e kanë pritur me shumë interesim. Mendoj që pikërisht kthimi i vëmendjes te një personazh i tillë ikonik i gazetarisë shqiptare, karriera e të cilit ende mbetet e patejkalueshme në mjedisin tonë ka qenë një lloj fresike për opinionin, sepse tash e sa vite të gjithë ndihemi të lodhur nga ky kaos mediatik që po e pengon avancimin e mëtejmë të gazetarisë tonë”, ka përfunduar panelistja Shala./ KultPlus.com

Veliaj takim me ikonat e filmit shqiptar, Robert Ndrenika dhe Edmond Tare

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka zhvilluar një takim me dy ikona të kinematografisë shqiptare, aktorin Robert Ndrenika dhe regjisorin Edmond Tare.

Veliaj ndau në rrjetet sociale momente nga takimi me aktorin Ndrenika dhe regjisorin Tare.

“Është gjithmonë kënaqësi ta nisësh ditën me ikonat e kinemasë shqiptare, Robert Ndrenika dhe Edmond Tare. Faleminderit për dozën e optimizmit, që nuk mungon asnjëherë”, tha Veliaj./atsh/ KultPlus.com

Kryeministri Kurti takohet me Sarrazinin: Të zbatohen marrëveshjet që janë nënshkruar në Procesin e Berlinit

Kryeministri Albin Kurti, ka zhvilluar sot një mëngjes pune me përfaqësuesin e Posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, në rezidencën e Ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

Në njoftimin e lëshuar për media nga Kryeministria, thuhet se pjesë e diskutimit ishin forcimi dhe avancimi i marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Gjermanisë dhe Kosovës, bashkëpunimi rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit si dhe çështjet aktuale.

“Kryeministri uroi Sarrazinin për një samit të suksesshëm në 10-vjetorin e Samitit të Berlinit këtë muaj, ku u nënshkrua një marrëveshje e re për qasje në studime, deklarata për Planin e Ri të Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal 2025 – 2028 si dhe deklaratat e përbashkëta për fqinjësinë e mirë dhe bashkëpunimin rajonal, për qasjen dhe bashkëpunimin në infrastrukturën e kërkimit dhe inovacionit dhe atë për standardet rajonale të ekzaminimit investimeve të huaja direkte në Ballkanin Perëndimor”.

“Ai nënvizoi rëndësinë e fokusimit në zbatimin e marrëveshjeve që janë nënshkruar. Në këtë drejtim Kryeministri theksoi se pas vendimit të Kosovës që qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës të mund të udhëtojnë me letërnjoftime në Kosovë nga 1 janari i vitit të ardhshëm, është e rëndësishme që të punohet që Bosnja dhe Hercegovina të ratifikojë marrëveshjen për lëvizjen e lirë me ID ashtu që të mundësohet zbatimi i plotë i marrëveshjes”, thuhet në njoftim.

Në lidhje me kohën e pritjes në pikën kufitare në Merdarë, kryeministri theksoi rëndësinë e respektimit të procedurave të lajmëruara me rastin e ndryshimit të masës së sigurisë deri në operacionalizimin e skanerëve me rreze X, si dhe foli për mobilizimin që kanë bërë institucionet e Republikës së Kosovës në këtë drejtim.

Kryeministri e falënderoi Përfaqësuesin Special për angazhimin dhe kontributin e tij në avancimin e bashkëpunimit rajonal.

Aleksandër Moisiu `rikthehet` sërish në Morcotën Ticiniane

Në një vend mjaft të bukur pranë liqenit në Morcotën Ticiniane do të shkëlqejë një bust i artistit të madh, në sheshin që do të mbajë të njëjtin emër Aleksandër Moisiu.

Moisiu, një nga figurat më të shquara të teatrit shqiptar dhe atij evropian, do të ketë një bust dhe një shesh me emrin e tij në qytetin Morcotos të Zvicrës.

Kjo iniciativë e Akademisë për film dhe teatër IFTP në Zvicër është miratuar nga kryetari i komunës së Morcotos, Giacomo Caratti bën të ditur drejtuesi i IFTP-së, regjisori dhe aktori Adem Kicaj. Stafi i IFTP-së, Kicaj, Dashnim Hebibi, Musa Sylajmani dhe Remzi Durmishi kanë vizituar komunën e Morcotos, duke vlerësuar se ky projekt artistik do të jetë historik për të gjithë shqiptarët, pasi që në një vend mjaft të bukur pranë liqenit në Morcotën Ticiniane do të shkëlqejë një bust i artistit të madh, në sheshin që do të mbajë të njëjtin emër Aleksandër Moisiu.

Moisiu lindi në qytetin e Durrësit. Babai i tij ishte me origjinë nga Kavaja, kurse nëna ishte arbëreshe.

Fëmijërinë e tij ai e kaloi në Durrës dhe në Trieste. Në moshën 20-vjeçare, ai me nënën e tij dhe dy motrat shkuan në Vjenë. Aty njihet me aktorin austriak Josef Kainz, me ndihmën e të cilit u njoh si një aktor i madh i fillimit të  shek. XX. Më vonë shkoi në Pragë e më pas në Berlin.

Me gjithë popullaritetin që kishte në botë, ai nuk e harroi kurrë vendin e tij dhe me kërkesën e tij më 1934 autoritetet shqiptare i japin pasaportën shqiptare.

Aleksandër Moisiu vdiq në mars 1935 në Zvicër.

Eja trishtim

Poezi nga Bilal Xhaferri

Eja, trishtim,
eja me hapa fletësh që bien nga degët,
eja me hapa shiu që këputet nga fletët…
Eja trishtim,
eja me hapa tingujsh që dridhen në mbrëmje,
eja me hapa zemrash që rrahin me dhimbje…
Eja, trishtim,
o prehër i ëmbël që nuk më braktise kurrë,
o strehë e qetësisë sime,
o ëndërrime të mia,
o gji i shpresës sime.
Eja, trishtim,
trishtim,
eja./ KultPlus.com

Ekspozitë me letrat e të burgosurve politikë gjatë komunizmit

Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit hapi sot ekspozitën “Letra nga Ferri”, tek Piramida e Tiranës.

Ekspozita multimediale “Letra nga Ferri” sjell para publikut një nga periudhat më të errëta të historisë shqiptare, gjatë regjimit komunist (1944-1990).

Ekspozita evokon një atmosferë introspektive dhe të thellë, ku synohet që vizitorët të përjetojnë emocionet, vuajtjet dhe shpresat e atyre që përjetuan ferrin e burgjeve komuniste. Në qendër të saj janë fjalët e të burgosurve, dëshmi të shkruara të një qëndrese që tejkaloi torturat dhe mizoritë.

Për herë të parë ekspozojmë dy letra origjinale të Zef Zorbës drejtuar nënës së tij, të vëna në dispozicion nga muzeu Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës. Janë me mijëra letra të shkruara nga të dënuarit politikë, që kalojnë shifrën e 3 mijë faqeve arkivore, një koleksion të disponueshëm edhe nga ISKK, ku në këtë ekspozitë janë përzgjedhur letrat përfaqësuese që luajnë një rol të rëndësishëm dëshmues mbi natyrën e regjimit diktatorial.

Vizitorët do të kenë mundësinë të njohin jo vetëm kushtet e tmerrshme të jetesës në këto burgje, por edhe aktin e shkrimit si një formë rezistence. Letrat janë një formë e të shkruarit të drejtpërdrejtë, ku ndjenjat personale dhe vëzhgimet e përditshme janë përzierje e shpresës dhe dëshpërimit, duke shërbyer si një mjet për të mbajtur të gjallë lidhjet me botën jashtë, familjen dhe lirinë.

Letrat e paraqitura si objekte të vërteta historike, janë njëkohësisht dëshmi të një lufte të brendshme për të mbajtur shpresën të gjallë. Vizitorët do të mund të lexojnë përmbajtjen e tyre përmes shënimeve të vendosura pranë letrave origjinale.

Në përfundim, ekspozita përmban një hapësirë reflektimi, ku vizitorët do të mund të lënë mendimet e tyre dhe të përfshihen në dialog rreth trashëgimisë së kësaj periudhe dhe rëndësisë së mbajtjes gjallë të kujtesës kolektive./atsh/KultPlus.com

OneBeat Balkans 2025 ka hapë thirrjen për aplikim

Është publikuar thirrja për Pjesëmarrës në programin “OneBeat Balkans 2025“, me qëllim që të mblidhen muzikantë të rinj të moshës 19-35 vjeç, qytetarë të shteteve në vijim: Bosnia dhe Hercegovina, Shqipërisë, Kroacisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Serbisë, dhe të ShBA-së.

Prej 11 Shukrt deri më 3 Mars 2025, ky grup muzikantësh do të luajë së bashku, do të krijojë muzikë të re, dhe do të udhëtojë nëpër Ballkan duke e shpërndarë frymën e bashkëpunimit, komunitetit, dhe barazisë.

Linku për të aplikuar është https://forms.gle/zZw8wn5yW6PZLFiY6 dhe afati i fundit është data 23 Nëntor 2024./ KultPlus.com

Takimet kulturore “Pena e Dritës” me ligjëratë për At Gjergj Fishtën në Prishtinë

Në kuadër të takimeve kulturore “Pena e Dritës“, në Bibliotekën “Ernest Koliqi” në Prishtinë, ditën e mërkurë, më 30 tetor 2024, në orën 19:00, Prof. Evalda Paci, nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, do të mbajë ligjëratën “AT GJERGJ FISHTA DHE AT SHTJEFËN GJEÇOVI, përmendore të krijimtarisë dhe përpilimit të teksteve kanonike”.

Takimi do të shoqërohet me një program artistik, kurse do të ketë hapësirë për bashkëbisedim me audiencën.

Takimi është i hapur për të gjithë!/ KultPlus.com

Prizreni bashkohet me qytetet evropiane për një përvojë unike kinematografike 

Më 3 nëntor 2024, të rinjtë e moshës 12 deri në 19 vjeç nga e gjithë Evropa, do të bashkohen për “Ditën e Filmit për Audiencën e Re,” që shënon edhe “Muajin e Filmit Evropian 2024.” 

Ky event, i mbështetur nga “Creative Europe MEDIA” dhe organizuar nga “Akademia Evropiane e Filmit,” do të shfaq filmin “SCRAPPER” nga Charlotte Regan nëpër gati 30 shtete të europës. DokuFest, pas 10 vitesh pjesëmarrje, do të organizojë edhe këtë vit Çmimin Evropian për Audiencën e Re në Prizren, duke shfaqur filmat e nominuar nga Akademia Evropiane e Filmit (EFA) për audiencat e reja. 

“SCRAPPER”, fitues i “Çmimit Evropian për Audiencën e Re 2023”, shfaq historinë emocionuese të 12-vjeçares Georgie (Lola Campbell), e cila jeton në Londër derisa vizita e papritur e babait të saj që kishte kohë pa e parë(Harris Dickinson) e detyron atë të përballet me realitetin.  Pjesëmarrës në këtë event do të kemi nxënës nga Shkolla Gani Saramati, përfshirë edhe nxënës të komunitetit boshnjak, së bashku me nxënës nga Shkolla Fadil Hisari. Pas shfaqjes së filmit do të ketë një Q&A të drejtpërdrejtë me pyetje nga të rinjtë që marrin pjesë, e organizuar nga Klubi Evropian i Filmit në Lucerne, Zvicër.

Qytetet që marrin pjesë do të ofrojnë gjithashtu workshop-e dhe aktivitete interaktive, duke inkurajuar të rinjtë të angazhohen me kinemanë evropiane. Në Prizren, të rinjtë do të kenë mundësinë të krijojnë një klip të shkurtër për një shfaqje kinematografike në YouTube, dhe klipet e përzgjedhura do të shfaqen gjatë eventit.  Për ata që nuk mund të jenë prezent fizikisht, do të organizohet një “Watch Party” online, duke ofruar mundësinë për të qenë pjesë e këtij eventi me adhurues të rinj të filmit nga e gjithë Europa.

Dita do të përfundojë me shpalljen e tre filmave të nominuar për “Çmimin Evropian për Audiencën e Re 2024” dhe një ftesë të hapur për të rinjtë për të aplikuar për t'u bashkuar me jurinë e 99 anëtarëve të rinj që do të zgjedhin fituesin. 

Ky event shënon fillimin e gjashtë javëve që festojnë filmin evropian dhe diversitetin e tij, duke bashkuar audiencat nga Reykjavik deri në Athinë dhe qytete të vogla si Prizren./express/KultPlus.com

‘E kujt është kjo zemër që rreh përmbi zëra e gulçima’

Nâzım Hikmet

Çdokënd prej jush e kam mes krahësh
qytetin mbrëmjen dhe ty
rrezitja juaj, era e flokëve tuaj
ndrijnë në faqen time

E kujt është kjo zemër që rreh
përmbi zëra e gulçima
tëndja, e qytetit apo e natës,
apo mos është imja krejt?

Ku merr fund nata, ku nis qyteti?
qyteti ku merr fund e ku nis ti vetë?
ku marr fund unë,
ku është pikënisja ime?

Përktheu: Edon Qesari / KultPlus.com

Pulitzer, emigranti xhepgrisur që i mësoi botës gazetarinë

Joseph Pulitzer (1847- 1911) me prejardhje nga nje familje cifute hungareze, dhe gazeta e tij Bota e New Yorkut paten ndikim shume te madh ne zhvillimin e mass medias.

Betejat e tij me konkurrentin William Randolph Hearst (1863- 1951) dhe produkti mediatik i ketyre perplasjeve flitet te kene pershpejtuar luften amerikano – spanjolle.

Edhe gjate kohes qe shetiste boten, Joseph Pulitzer asnjehere nuk hoqi dore nga kontrolli me dore te hekurt mbi Boten e New Yorkut, gazeten e tij me mjaft influence ne kohet e reja te komunikimit masiv.

Pothuajse nje rrjedhe e panderprere telegramesh, te gjitha te shkruara ne menyre te koduar, fluturonin nga portet dhe destinacionet e ndryshme te botes per ne New York, per te drejtuar cdo element te veprimtarise se gazetes.

Mesazhet perfshinin dhe detaje te tilla si lloji i germave te perdorura per reklama apo planifikimi i pushimeve te editoreve.

Manaxheret dergonin me poste pako te tera letre me te dhena financiare, raporte editoriale, dhe raportime alla spiunesh per punet e njeri-tjetrit.

Megjithese ai kishte shkelur ne zyrat qendrore te grataceles se tij ne Park Row vetem tre here, kurdohere qe dikush fliste per gazeten, ish gjithmone ‘Bota e Pulitzer-it’.
Dhe flitej shume per gazeten e tij. Qe kur Pulitzer mori  frenat e gazetes qe ish duke dhene shpirt ne 1883 dhe prezantoi marken e tij te gazetarise ne New York, Bota ish rritur me shpejtesi drite, duke u bere ne nje moment te caktuar gazeta me qarkullim me te madh ne glob.

Gati 2.5 ha druresh priteshin cdo dite per te perballuar nevojat e gazetes per leter.
E perfolur per zgjedhje presidentesh, guvernatoresh, dhe kryetaresh bashkie; per dergim politikanesh ne burg; dhe per diktimin e axhendes publike, gazeta e tij Bota ish nje instrument i fuqishem ndryshimi.

Si nje burre ne moshe te re dhe i nxituar, Pulitzer e kish perdorur gazeten pa turp si sherbetore te reformes, per te rritur ndergjegjesimin social dhe promovuar nje axhende politike progresiste- gati radikale.

Ndryshimet qe ai kish trumbetuar, si per shembull idete jopopullore per taksimin e trashegimise, te te ardhurave, dhe korporatave, ishin pranuar ne shkalle te gjere.
‘Bota duhet te jete me e fuqishme se presidenti,’ u shpreh njehere Pulitzer…

Shperthimi i anijes luftarake USS Maine ne 15 Shkurt 1898, qe ndodhi gjate tensioneve ne ngritje mes Spanjes dhe Amerikes ( shume aluduan ish veper e spanjolleve- shenimi im), u kthye ne dru zjarri ne duart e editoreve te gazetave konkurruese ne New York.
William Randolph Hearst, nje imitues i ri nga Kalifornia, i armatosur me nje pasuri te madhe familjare, kishte bere te paimagjinueshmen.

Ne 1898 gazeta e tij, gazeta e New Yorkut (New York Journal ne origjinal) po  e konkurronte shume afer dominimin e Botes ne Park Row.

Duke luftuar per cdo lexues, dhe secili duke u perpjekur t’ia kalonte tjetrit ne entuziazmin per te cuar vendin ne lufte, dy gjigandet e gazetarise ndezen ethe patriotizmi agresiv.

Dhe kur lufta ndodhi, ata vazhduan konkurrencen e tyre me thike ne gryke duke grumbulluar ushtri gazetaresh, ilustratoresh, dhe fotografesh per te mbuluar cdo detaj te lavdise se premtuar te luftes…

Kjo lloj sjelljeje i coi te dy gazetat ne nje spirale ne renie per shkak te sensibilizimit te tepruar, fabrikimeve totale, dhe shpenzimeve ekstravagante.
Nese nuk do kontrollohej, kercenonte te falimentonte reputacionin dhe kredibilitetin e te dy gazetave…

Ne fund, te dy gazetat i mbijetuan kesaj lufte te shkurter dhe intensive por rivaliteti i tyre u be po aq i famshem sa dhe vete lufta spanjollo-amerikane.

Pulitzer ishte pazgjidhshmerisht i lidhur me Hearst si tregetar i ‘gazetarise se verdhe’ (gazetari qe bazohet ne sensacion dhe ekzagjerim te tepruar- shenimi im).

Ne fakt, disa kritike dyshojne se planet e Pulitzer per te financuar nje shkolle gazetarie ne Universitetin e Kolumbise dhe per te krijuar nje cmim kombetar per gazetaret ishin ne fakt perpjekje disi te maskuara per te pastruar trashegimine e tij profesionale ndersa po i afrohej vdekja.

Dhe nje tjeter thenie e tij e madhe:
“Nje shtyp cinik, mercenar, demagog me kalimin e kohes do te prodhoje nje popull po aq te ulet sa vetja e vet.”

Marrë nga libri, “Pulitzer: Nje Jete ne Politike, Gazetari, dhe Pushtet nga James McGrath Morris” / KultPlus.com

Nji stinë e humbun

Poezi nga Martin Camaj

Verës sa nji mëngjes me vesë
nuk ia pau kush ballin simjet
me sy të përlotun të sjellun
kah mali.

Vjetit nuk i mungon asnji ditë
në kalendar e i dhimbet
e mbramja pikë e dyllit në djegie:
e sotmja ka ndijen e dridhjes
së fletëve të shqemes
para dhambëve të sutës./ KultPlus.com

Dy vite nga vdekja e legjendës së rokut, Jerry Lee Lewis

Sot janë bërë dy vite që nga vdekja e interpretuesit legjendar amerikan, Jerry Lee Lewis. Ai ka vdekur në moshën 87-vjeçare. I mbijetuari i fundit i një brezi interpretuesish novator që përfshinte Elvis Presley, Chuck Berry dhe Little Richard, Lewis vdiq në shtëpinë e tij në Memphis.

Jerry është bërë i njohur për këto himne të drejtuara me piano “Great Balls of Fire” dhe “Whole Lotta Shakin’ Goin On”.

Ai ishte gjithashtu i njohur për skandale dhe polemika në jetën e tij private pasi u martua me një vajzë adoleshente në vitet 1950.

Gjatë dekadave në vijim, Lewis kishte luftuar me abuzimin me drogën dhe alkoolin, mosmarrëveshjet ligjore dhe sëmundjet fizike./abcnews.al/ KultPlus.com

Turistët në kërkim të trashëgimisë kulturore shqiptare

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau në rrjetet sociale një video të dy prej turistëve që ende janë duke vizituar vendin tonë edhe këtë fundtetori. Videoja është xhiruar në kishën e Shën Kollit, Voskopojë, ku historia dhe bukuria e arkitekturës takohen në çdo gur dhe mur.

Në një udhëtim të shkurtër, turistët gjermanë kanë zbuluar magjinë e trashëgimisë sonë kulturore, duke përjetuar një atmosferë të qetë dhe të thellë shpirtërore. Çifti i turistëve të moshuar, thonë se po përjetojnë një përvojë fantastike dhe se ndihen me fat që gjenden në Shqipëri, ku do të qëndrojnë për 37 ditë.

Kisha e Shën Kollit ndodhet në qendër të Voskopojës. Kisha është shpallur Monument Kulture, i llojit “Arkitekturë” dhe është ndërtuar rreth vitit 1721.

Ajo është kishë ortodokse dhe më e rëndësishmja për arkitekturën e saj me të gjitha elementët e periudhës postbizantine dhe cilësisë së pikturës. Struktura është ndërtim prej guri e tipit bazilikal, me naos me kupolë, narteks, hajat dhe kambanore. Kryesisht dekorimi në brendësi të kishës ka nisur rreth vitit 1726, nga David Selenica, një prej mjeshtërve më të mirë të shek. XVIII. Stili i tij i përket shkollës tradicionale të artit të paleologëve, e njohur si “shkolla maqedonase”.

Kisha e Shën Kollit përfaqëson edhe një dëshmi të prekshme të rëndësisë historike të Voskopojës. Sot një pjesë të ikonave origjinale janë pjesë përbërëse e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë./atsh/KultPlus.com

Dita Ndërkombëtare e Kujdesit dhe Mbështetjes

Sot është Dita Ndërkombëtare e Kujdesit dhe Mbështetjes. Nismëtare e kësaj dite ishte Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO), aprovuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

Puna e kujdesit përbëhet nga dy aktivitete: Së pari, aktivitete të kujdesit të drejtpërdrejtë, personal dhe të marrëdhënieve, të tilla si ushqyerja e një foshnje ose e një partneri të sëmurë; dhe së dyti aktivitetet e kujdesit indirekt, të tilla si gatimi dhe pastrimi. Puna e kujdesit pa pagesë është punë përkujdesjeje e ofruar pa shpërblim monetar nga kujdestarët e papaguar. Kujdesi pa pagesë konsiderohet si punë dhe për këtë arsye është një dimension thelbësor i botës së punës.

Ekonomia e kujdesit po rritet pasi kërkesa për kujdesin ndaj fëmijëve dhe për të moshuarit po rritet në të gjitha rajonet. Kështu do të krijojë një numër të madh vendesh pune në vitet e ardhshme. Megjithatë, puna e kujdesit në të gjithë botën mbetet e karakterizuar nga një mungesë përfitimesh dhe mbrojtjesh, paga të ulëta ose moskompensim, dhe ekspozimi ndaj dëmtimit fizik, mendor dhe, në disa raste, seksual.

Puna e kujdesit, e paguar dhe e papaguar, është thelbësore për të ardhmen. Rritja e popullsisë, plakja e shoqërive, ndryshimi i familjeve, statusi dytësor i grave në tregjet e punës dhe mangësitë në politikat sociale kërkojnë veprim urgjent për organizimin e punës së kujdesit nga qeveritë, punëdhënësit, sindikatat dhe qytetarët. Nëse nuk trajtohen, deficitet aktuale në ofrimin e shërbimeve të kujdesit dhe cilësinë e tij, do të krijojnë një krizë të rëndë dhe të paqëndrueshme globale të kujdesit dhe do të rrisin pabarazitë gjinore në punë./atsh/KultPlus.com

“Nderi i Kombit” Avni Mula, këngëtar e kompozitor i shquar

Më 29 tetor 2020 u nda nga jeta “Artisti i Popullit” Avni Mula. Në aktivitetin e tij të pasur koncertal, brenda e jashtë vendit, Avni Mula u dallua për nivelin e lartë të interpretimeve skenike.

Ai lindi në Gjakovë në vitin 1928. Studimet e larta për muzikë i kreu në Konservatorin “Çajkovski” të Moskës ku u diplomua si këngëtar lirik. Karrierën artistike e nisi menjëherë mbas kthimit nga Moska si solist në Teatrin e Operës dhe Baletit, duke realizuar rolet kryesore të repertorit operistik të kohës.

Mes roleve të shumta, Mula spikati me Figaron te “Berberi i Seviljes” të Rosinit, Onjeginin tek “Eugjen Onjegin” të Çajkovskit dhe Gjetën tek “Mrika” e Prenk Jakovës.

Veprimtarinë krijuese e nisi në gjysmën e dytë të viteve ’60, fillimisht në fushën e këngës e të romancës dhe më pas si autor i veprave të mëdha vokale-koncertale, kantata, poema vokale dhe skenike, ku veçohen opereta “Karnavalet e Korçës” dhe opera “Borana”. Firmën e tij mbajnë edhe shumë këngë të muzikës së lehtë mes të cilave “Valsi i lumturisë”.

Për kontributin e tij si kompozitor është vlerësuar me titujt “Artist i Popullit” dhe “Nderi i Kombit”./atsh/KultPlus.com