Miratohet nisma për lidhjen e një marrëveshjeje me Turqinë për kuotën e trajtimeve mjekësore për ushtarakët e FSK-së

Qeveria e miratoi një nismë për lidhjen e Marrëveshjes së Bashkëpunimit “Protokoll për Trajnimin dhe Bashkëpunimin në fushën e Shëndetit Ushtarak” ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Turqisë.

Kryeministri Albin Kurti tha se me këtë marrëveshje mundësohet rritja e kuotave për trajtimet mjekësore për ushtarakët e Forcës së Sigurisë së Kosovës në spitalet ushtarake të Turqisë.

“Përmes këtij protokolli mundësohet ofrimi i kuotave shtesë për trajtimin e ushtarakëve të FSK-së në institucionet mjekësore ushtarake turke. Me këtë marrëveshje, kuota e trajtimeve mjekësore në dispozicion, rritet nga 50 në 75 në vit. Të gjitha këto trajtime janë falas dhe bëhen në spitale ushtarake”, tha Kurti./ KultPlus.com

Nga fushë pjellore në lagje turistike të Shkodrës, detaje nga historia e Gjuhadolit

Gjuhadoli ndodhet në qendër të qytetit të Shkodrës një ndër lagjet më të gjalla të qytetit, ku shumica e banesave private tashmë janë kthyer në biznese si, hotele, bare, dyqane, për t’i shërbyer turizmit dhe jetës së natës. Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër solli në rrjetet sociale detaje se si lindi kjo lagje karakteristike.

Sipas studiuesit Willy Kamsi, mikrotoponimi vjen prej Gluho dol ─ përrua i shurdhët, mbetje kjo me prejardhje sllave. Emri del për herë të parë në dokumentet e shkruara në vitin 1371 në disa trajta si Gluchidol, më 1446 Glucodol, Cluchidol.

Sipas të dhënave historike të Gjush Sheldisë, kjo zonë përmendet si një fushë pjellore. Më 1610 Regesti i Venedikut shkruan se kur kërkohej për t’u dhënë meshë në Rrëmaj, përshkohej fusha pjellore e Gjuhadolit (“Passava per la fertile compagna di Glucadoli”).

Me kalimin e viteve, duket se nga fushë pjellore, Gjuhadoli kthehet në një lagje të qytetit të Shkodrës duke u ndërtuar shtëpitë e para në fillim të shek.XIX

Sipas Sheldisë mësojmë se, në mesin e shek. XIX Gjuhadoli merr formën e një lagjeje, madje duke u shënuar ndër të rejat e qytetit, përveç atyre që ndodheshin rreth kalasë. Me zhvendosjen e qytetit në këtë periudhë, më në fushë, aty ku ndodhet dhe sot, Gjuhadoli pak nga pak pas viteve `20 u kthye në lagje të rëndësishme, ku dyqanet e saj konkurronin me pazarin e qytetit. / KultPlus.com

Von der Leyen viziton Tiranën në nisje të turneut ballkanik

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von Leyen, më 23 tetor do të qëndrojë në Tiranë, në ndalesën e parë të turneut të saj në shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Gjatë takimit në kryeqytetin e Shqipërisë, ajo është paraparë të zhvillojë takime me presidentin Bajram Begaj, dhe me kryeministrin Edi Rama. Zyrtarja e lartë evropiane po ashtu do të marrë pjesë edhe në përurimin e Kampusit të Kolegjit Evropian në Tiranë.

Takimi me Ramën është paraparë të zhvillohet në orën 15:00 dhe pritet që pas takimit të ketë deklarim për media, ndërkaq ai me Begajn një ditë më vonë.

Sipas paralajmërimeve nga KE-ja, gjatë vizitës në rajon Von der Leyen do të përqendrohet më së shumti në ndihmën që Bashkimi Evropian po u jep vendeve të rajonit për përshpejtimin e reformave dhe përgatitjeve për përparim më të shpejtë në procesin e integrimeve evropiane.

Së fundi, BE-ja ka miratuar Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor që parasheh ndihmë prej 6 miliardë eurosh për shtetet e këtij rajoni.

Javë më parë, BE-ja i miratoi agjendat e reformave të pesë vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat i kanë paraqitur ato si kusht për të përfituar nga paketa e Planit të Rritjes.

Pas Shqipërisë, më 24 tetor Von der Leyen do të shkojë në Maqedoninë e Veriut dhe në Bosnje e Hercegovinë. Në Bosnje, ajo do t’i vizitojë edhe zonat e goditura nga përmbytjet e 4 tetorit, dhe do të shpreh gatishmërinë e BE-së për të ndihmuar në përballje me pasojat.

Në Serbi, Von der Leyen do të qëndrojë më 25 tetor, ku do të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Von der Leyen do të udhëtojë pastaj për vizitë në Kosovë të shtunën e 26 tetorit, ku do të takohet me presidenten Vjosa Osmani, dhe kryeministrin Albin Kurti.

Vizitën në rajon ajo do ta përfundojë me takimin me liderët e Malit të Zi të shtunën në Podgoricë./REL/ KultPlus.com

Epa-Efe/Sascha Steinbach

Abdyl Frashëri, kontributori i zellshëm i çështjes kombëtare shqiptare

Sot në përvjetorin e vdekjes së Abdyl Frashërit, rilindasit të madh, ideologu e atdhetari i shquar, kontributori i zellshëm i çështjes kombëtare shqiptare.

Më 29 gusht 1839, në Frashër të Përmetit lindi Abdyl Frashëri, një nga personalitetet më të rëndësishme të Rilindjes Kombëtare. Është shquar si personalitet politik gjatë Krizës Lindore, në shek. XIX.

Veprimtaria politike e tij merr hov në muajt e parë të 1877-s me themelimin e Komitetit Shqiptar të Janinës. Në javën e dytë të dhjetorit, i sapozgjedhur deputet i Janinës në Parlamentin e dytë Osman, shkon në Stamboll, ku më 21 dhjetor 1877 zgjidhet Kryetar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, i njohur si Komiteti Shqiptar i Stambollit, përbërë nga personalitete, veprimtarë të mirënjohur të Rilindjes Kombëtare.

Kemi parasysh se atëbotë në trevat shqiptare nuk kishte ende shtyp kombëtar në gjuhën shqipe, prandaj Abdyli iu drejtua gazetave të huaja në Austri, në Itali, në Greqi etj.

Emri i Abdylit u bë i njohur shpejt, si përfaqësues i idealeve të larta kombëtare shqiptare, i lëvizjes çlirimtare që po merrte hov në trevat shqiptare, por edhe si publicist. Janë të shumëvlerësuar tre artikujt, shkruar në një kohë dhe dërguar në tri të përkohshme në shtete të ndryshme: “Letër nga Janina” (në revistën “Basiret” të Stambollit, botuar më 21 prill l878, f.3, “Shqipëria dhe Traktati i Shën Stefanit” (në revistën “Le Messager de Vienne”, botuar më 26 prill l878,f.4) /Shënim: në këtë të përkohshme vjeneze, Abdyli ka botuar edhe disa artikuj të tjerë (më 3, 17 e 31 maj 1878); (më 7 qershor 1878) dhe (24 tetor 1878) dhe “Helenizmi dhe shqiptarët” (botuar më 23 maj l878 në të përdyjavshmen greke “Kleo”, që dilte në Trieste të Italisë).

Artikujt u shkruan në gjuhët e atyre të të përkohshmeve: turqisht, frëngjisht dhe greqisht. Për rëndësinë dhe interesin që paraqisnin, problemet e trajtuara flet edhe koha, shpejtësia e botimit të tyre. Ata kanë një bosht dhe një linjë: lirinë e të drejtat e kombit shqiptar, mbrojtjen e tërësisë territoriale.

Në trajtesën titulluar Shqipëria dhe Traktati i Shën Stefanit me pseudonimin Korrespondenti i Posaçëm nga Janina, pas një analize të thelluar të atij dokumenti, arrinte në përfundimin se “Traktati i Shën Stefanit (mars 1878) përbënte vetëm hapin e parë në zbatim të strategjisë së Rusisë cariste për asgjësimin e Shqipërisë. (Revista “Messager de Vienne, 26 prill 1878)

Traktati famëkeq i cungonte tepër e përçudshëm tokat shqiptare. Malin e Zi e trefishonte me rrëmbimin e trojeve shqiptare: Ulqinin, Tivarin dhe thuajse gjithë liqenin e Shkodrës e buzëlumin e Bunës: Hotin, Grudën, Plavën e Gucinë. Serbia shtrihej deri në afërsi të Mitrovicës. Kështu shumica e trevave shqiptare u daroviteshin tre shteteve sllave të Ballkanit.

Abdyl Frashëri, radhaz e në një zë me Pashko Vasën e veprimtarë të tjerë të shquar të Rilindjes kombëtare shqiptare, shfrytëzon gazeta e revista të huaja për të tërhequr vëmendjen e opinionit ndërkombëtar për padrejtësitë që i bëheshin Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Përmes revistës “Basiret” u drejtohej lexuesve të kryeqytetit të Perandorisë Osmane, tërthoras qeverisë së Stambollit, që t’u kushtonin rëndësi të drejtave të shqiptarëve e të Shqipërisë dhe “nuk duhet harruar shekulli i Skënderbeut, se shqiptarët do ta përsëritnin atë”. (Gazeta “Basiret”-/Gjykimi/,Stamboll, 21 prill 1878).

“Letra nga Janina jehoi, si brenda, ashtu edhe jashtë Shqipërisë, si një rrufe në qiell të kthjelltë. Abdyl Frashëri, në emër të humanizmit dhe të qytetërimit i bën të ditur “botës diplomatike” (Fuqitë e Mëdha) detyrën që ajo “botë” kishte për t’ua prerë vrullet idhtiarve të Rusisë në Ballkan. (Shih Kristo Frashëri – burim i cituar, f. 28).

I mirëmenduar është bashkëpunimi me revistën “Le Messager de Vienne”, shumë e afërt me qarqet diplomatike të Evropës. Në një cikël prej gjashtë artikujsh, Abdyli arriti të parashtrojë problemet më kryesore të çështjes shqiptare në mbrojtje të të drejtave tona kombëtare. Në ta argumentohej se kombi shqiptar është një komb që ka luajtur rol të rëndësishëm në historinë e Ballkanit, duke u dalë në krah, me armë në dorë, pikërisht atyre vendeve qe kërkonin shpërbërjen e tij; është një komb, që, pavarësisht nga dallimet fetare, nxitur e ushqyer qëllimisht nga qarqet shovene, ka të njëjtën kulturë, të njëjtat tradita, të njëjtën gjuhë.

Njëherit ai e “fton në tryezën e bashkëbisedimit” lexuesin austriak të së përjavshmes “Messager de Vienne” (“Lajmëtari i Vjenës”) ku kritikon politikën e manovrat e Petersburgut, për, gjoja, “çlirimin e popullatave të Lindjes”. ( Revista “Messager de Vienne, 26 prill 1878)

Në artikullin, botuar në të përjavshmen kulturore “Kleo” që dile në qytetin Trieste, asokohe nën sundimin austro-hungarez, Abdyl Frashëri me pseudonimin “Një shqiptar që banon në Trieste” i drejtohet, më së shumti, lexuesit italian, por edhe atij grek, për të sqaruar të vërtetën. (Gazeta “Kleo”, Trieste, 23 maj 1878 )

Këto artikuj bënë jehuan në qarqet intelektuale e politike të Stambollit, të Vjenës, të Triestes, madje edhe të Athinës. Studiuesit e jetës e të veprës së Abdyl Frashërit kanë vënë në dukje pozitën e vështirë të historianit-publicist grek Dhimitër Hasioti, i cili kishte marrë përsipër të ballafaqohej me artikullin, po në revistën “Kleo” të Triestes. Hasioti ngase nuk gjen argumente, trillon e shfryn me mllef e tërbim kundër artikullit “Helenizmi dhe shqiptarët”. E ashtuquajtura “përgjigje” e “polemikë” me shqiptarin e Triestes, u botua në tre numra të gazetës greke.

Pavarësisht se cilës audience i drejtohet, Abdyl Frashëri bën kujdes për të hedhur e shtjelluar çështjet më të rëndësishme të kohës, që lidhen me domosdoshmërinë e kundërshtimit të vendimeve apriori të përfshira në Traktatin e Shën Stefanit. Ai nuhat kundërshtitë evropiane, shprehur drejtpërsëdrejti, qartë e preraz se absurditetet e Shën Stefanit paralajmërojnë re e stuhi, shpërbërje të marrëveshjeve të diplomacisë së lartë për zotërim në brigjet e Adriatikut.

U ndala në tre artikujt më të parë, por “arkivi publicistik i tij është i pasur me tituj shkrimesh e gazetash, me larmi tematike e problemore për çështjen kombëtare. Studiuesit e shtypit të kohës, të atyre të përkohshmeve,që merreshin me çështjen shqiptare, kanë skeduar dhe nxjerrë në pah një varg shkrimesh, botuar, sidomos, në gazetat e revistat e Stambollit, të Parisit, të Athinës, etj. Profesor Kristo Frashëri vlerësonte: “Shkrimet origjinale që tani kemi në dorë janë pesëfishuar si tituj dhe dhjetëfishuar si vëllim në krahasim me ato që njiheshin disa vjet më parë” (Revista “Studime historike”,Tiranë, 1981,nr.l ).

Artikujt, qofshin edhe ato që revista vjeneze i emërton si korrespondenca, kanë natyrën e ese-ve, por edhe pamflete. Përveç shkrimeve “Shqipëria dhe Traktati i Shën Stefanit” dhe “Helenizimi dhe shqiptarët”, që, si konceptim e ndërtim, anojnë dukshëm nga lloji publicistik “Pamflet”, mjaft artikuj të tjerë kanë si tipar të natyrshëm polemikën.

Në hartimin e shkrimeve të ndryshme shfaqet mëvetësia e autorit, me zhdërvjelltësi parashtron idetë e mendimet për problemet më të rëndësishme. Në monografinë “Abdyl Frashëri” theksohet: çdo frazë ka një nëntekst, çdo ide ka një rezonancë, toni është i alternuar. (Tiranë, l984, f.ll8)

Qëmtimi i fakteve, përzgjedhja e tyre për argumentim bindës në polemikën me kundërshtarët politikë dhe ideologjikë përbën një nga tiparet të publicistikës së këtij autori.

Në parashtrim të problemeve operon nga fraza në frazë, herë duke pohuar a mohuar një të dhënë paraqitur si fakt a një qëndrim, herë duke sulmuar kundërshtarin me pyetje retorike që e vënë në pozitë të vështirë.

Tipar i dukshëm i publicistikës së Abdyl Frashërit është historizmi, aftësia për t’i pasqyruar faktet e ngjarjet në dinamikë e proces, në një sfond e hark kohor të caktuar, në rrjedhën e tyre të natyrshme që në zanafillë e deri në zhvillim të plotë. Në të 6 shkrimet e “Le Messager de Vienne”, publikuar në prill-qershor të l878-s, problematika e shtjelluar vështrohet në suazën historike në argumentim të idesë themelore: formimi i kombit shqiptar dhe roli i tij i spikatur në jetën, zhvillimet ushtarako-politike e historiko-shoqërore në sinisi të Ballkanit. U kujton të interesuarve se “Shqipëria nuk është aq e vogël”. ( Revista “Messager de Vienne, 3 maj 1878 )

Karakteri studimor përbën një tregues të rëndësishëm të kësaj publicistike, mishëruar në analizën e thellë të fakteve, të dukurive, të ngjarjeve; në përgjithësimet objektive, të motivuara. Kësisoj, argumentet e shëndoshë përcjellin deduksione pa mëdyshje për formimin e kombit shqiptar, për etninë e tij në trojet e veta, për pozitën e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, për ndihmesën e saj në zgjidhjen e Krizës Lindore, për veçantitë dhe unjisinë e kulturës kombëtare pavarësisht nga ngjyrimet fetare, etj. Bindëse, përveç atyre që nuk kanë veshë, atyre që, për interesa të caktuara, dëgjojnë vetëm një këmbonë apo vetëm një lloj tingëllime të saj, janë argumentet që pataqiten në debatin për trojet shqiptare. (Shih: Revista “Messager de Vienne, 17 maj 1878)

Në një “Korrespondencë”, pas polemikave të gjalla, shtruar me një gjuhë të kulturuar, autori, natyrshëm arrin në përfundimin se populli shqiptar historikisht e me vendosmëri ka ruajtur kombësinë e vet, ndaj askush nuk ka të drejtë të cënojë interesat, të drejtat dhe tërësinë territoriale të tij. (Revista “Messager de Vienne, 21 maj 1878 ). / Përgatiti Albert Vataj / KultPlus.com

Sot shpaloset ekspozita “Shtigje pafund, hapësira pafund”

Një grup studentësh arti nga Universiteti i Prishtinës, të përzgjedhur nga profesorja dhe mentorja e tyre, Tina Sulejmani, do të shfaqin veprat e tyre në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë, nëpërmjet ekspozitës “Shtigje pafund, hapësira pafund”, përcjell KultPlus.

Në ekspozitë përfshihen artistët e rinj: Albina Fetahu, Antika Veseli, Ema Dajaku, Gresa Gashi, Jetë Kadriu, Liza Paluca dhe Rigon Morina.

Kjo ekspozitë është e kuruar nga Laureta Hajrullahu dhe Shkamb Jaka.

Ekspozita fillon nga ora 19:00 në Europe House Kosovo. / KultPlus.com

Poeti kombëtar Gjergj Fishta duke lexuar vargjet e ‘Lahutës së Malcis’ (VIDEO)

Fishta, i lindur më 23 tetor 1871, ishte frat, shkrimtar (poet e prozator), përkthyes, publiçist, arsimtar, estet, piktor (jo profesionist, mendohet të ketë mbi 20 piktura) deputet, anëtar i Akademisë Italiane të Shkencave dhe mbrojtës i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Për gjysmë shekulli ishte figura mbizotëruese e letërsisë shqipe, madje që kur ishte gjallë u kurorëzua “poet kombëtar”. Pas vitit 1945, kur u vendos regjimi komunist, vepra e Fishtës u ndalua dhe qëndroi e tillë derisa u përmbys diktatura komuniste.

Më 1907 boton përmbledhjen satirike “Anzat e Parnasit”, dhe më 1909 përmbledhjen lirike “Pika voëset”, më 1913 “Mrizi i Zanave”. Gjergj Fishta veç krijimtarisë artistike, shkëlqeu edhe në fushën e pedagogjisë e të psikologjisë sociale, gjuhësisë etj. Si mendimtar me potencial të madh teorik dhe me një veprimtari të dendur praktike, në shërbim të mbrojtjes dhe të zhvillimit të gjuhës dhe të shkollës shqipe, ai i kishte vënë vetes si qëllim që të luftojë për të ngritur nivelin kulturor e arsimor të bashkëkombësve dhe për të nxitur tek ata dëshirën për përparim dhe për atdhedashuri, si dy shtylla qe do t’i ndihmonin për të mbajtur në këmbë shoqërinë shqiptare të goditur nga pushteti disashekullorë otoman.

Një incizim në Youtube e tregon zërin origjinal të Fishtës duke lexuar nga “Lahuta e Malcis”, shkruan KultPlus. / KultPlus.com

 ‘Rrugë dimërore’

Poezi nga Aleksander Pushkin

Në mes mjegullash të nxira
hëna zhduket, hëna bredh.
Mbi të trishtëmet rrafshira
trishtëm dritën ajo derdh.
Udhës shkretë dimërore
rend kjo trojka gjithnjë.
Zile e kalit monotone
mezi ndihet nëpër të.
Seç më kap një mall rinie
karrocieri kur këndon,
herë gas çapkënërie
herë mall ai më zgjon.
S’shoh as zjarr e as kasolle
vetëm borë si pambuk.
Dhe përtej shtyllat rrugore
duken, zhduken tek e tuk.
Ah, ç’mërzitje… nesër, Ninë,
tek e shtrenjta do të vi.
Pranë zjarrit kur të rrimë
të të shoh me mall në sy.
Dhe akrepi i sahatit
do vij’ rrotull me qetësi
E mërzitshmja mesnatë
s’do na ndajë përsëri.
Mërzi udhës dimërore
karrocieri zu dremit
Zile e kalit monotone
hënë e mjegullt që ndrit.

Pranverë, o kohëz dashurie,
ç’më mbush plot me pikëllim.
Sa mall sërish ti po më bie
në shpirtin tim, në gjakun tim.
Për mua gazi është i huaj…
çdo ngazëllim e çdo shkëlqim
më sjell mërzi, më bën të vuaj.

Oh, nëmëni shqotën, suferinën
dhe të pafundmen natë dimri.
Pse, moj jetë je dhuratë
që të bie rasti kot?
Pse të dha i fshehti fat
një ndëshkim me tmerr në botë?
Ç’është ai pushtet i nxirë,
që prej hiçit më ka thirë,
që në shpirt më dha mundime
dhe dyshim në mendjen time?
Pa një dritë e një qëllim,
më rreh zemra në shkreti.
Më mbush plot me pikëllim
jeta gjith monotoni./ KultPlus.com

Koncert nga Orkestra e RTSH – Pjesë e repertorit, kompozimet e Gustav Mahler dhe Andrea Scartazzini

Notat e hedhura në partiturë nga kompozitorët e dy kohëve, hebre-austriaku Gustav Mahler, i cili aktivitetin e tij artistik e ka pasur në shek. XIX-XX dhe Andrea Skaltacini, artisti bashkëkohor zviceran, do të luhen nga Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar, nën dirigjimin e Maestros italian, Facundo Agudin dhe pjesëmarrjen e veçantë të sopranos shqiptare, Renisa Laçka.

Dirigjenti Facundo Agudin premtoi një program shumë të bukur.  

“Programi që do të luajmë premtoj se do të jetë bombastik dhe tejet i bukur. Bëhet fjalë për simfoninë Nr.4 në Sol Maxhor të Gustav Mahler, i cili më duhet të them se është shumë i ndërlikuar dhe po punojmë shumë së bashku me Orkestrën, si dhe një prelude para saj, premierën e kompozitorit zviceran Andrea Skaltacini. Është një pjesë shumë e shkurtër që ne do e luajmë, bashkë me solisten, Renisa Laçka, një soprano fantastike e Operas”, tha Agudin.  

Kjo nuk është hera e parë që dirigjenti luan një koncert në Shqipëri, por vepra e përzgjedhur luhet për herë të pare nga Orkestra Simfonike e RTSH-së. Por, pavarësisht kësaj, dirigjenti është i mahnitur nga skrupuloziteti i punës së Orkestrës dhe i artistëve të tjerë për të sjellë një shfaqje të paharrueshme për publikun.

“Çfarë mund të them për artistët shqiptarë?! Nuk e di në qoftë se je duke punuar me një artist rus, artist italian, artist gjerman… Artistët shqiptarë janë shumë njerëz interesantë, inspirues dhe kanë një ndjeshmëri të veçantë artistike dhe kualitet vokal. Nga brumi që kanë artistët me të cilët kam punuar, më krijohet ndjesia që këtu çdokush mund të jetë potencialisht këngëtar, i çdo stili. Ndaj jam shumë i lumtur të luaj me ta. Është hera e parë që Orkestra e luan këtë pjesë por mund të them se është ndryshe dhe shumë e bukur”, shtoi ai.

Ky koncert, i cili do të mbahet ditën e premte, më 25 Tetor, në sallën e Universitetit të Arteve, organizohet me mbështetjen e Ambasadës Zvicerane në Tiranë, Ambasadës Gjermane në Tiranë si dhe fondacionit publik të Zvicrës “Pro Helvetia”, me qëllim mbështetjen e artistëve dhe promovimit të kulturës dhe artit zviceran jashtë vendit./rtsh/ KultPlus.com

52 këshillat brilante të Konfucit, që u kanë rezistuar shekujve

Konfuci (i lindur në 28 shtator 551 para Krishtit në Qufu, vdekur në 479 para KRishtit në Qufu, Lu) ishte një politikan, mësues, botues, filozof kinez. Në filozofinë e Konfucit, prioritet ka disiplina vetiake. Ai besonte se që të udhëheqë, një lider duhet të jetë i vetëdisiplinuar dhe i përulur ndaj ndjekësve të tij. Duke ruajtur disiplinën vetiake dhe dhembshurinë ndaj ndjekësve, ai ruante një mjedis pozitiv, dhe kjo i shtynte ata që ta ndiqnin pas.

Veprat e mëdha të Konfucit janë disa prej klasikeve më të rëndësishme kineze.

Ja disa shprehje për ndërgjegjësimin nga Konfuci, që jo vetëm e kanë ruajtur vlerën me kalimin e shekujve, por edhe kanë fituar gjithmonë e më shumë peshë.

 Urtësinë mund ta mësojmë me tre mënyra: Së pari, përmes reflektimit, që është më fisnikja; së dyti përmes imitimit, që është më e kollajta; dhe së treti përmes eksperiencës, që është më e hidhura.

Vullneti për të fituar, dëshira për të patur sukses, nevoja për të arritur potencialin e plotë… këto janë tre çelësat që do të hapin derën drejt përsosmërisë personale.

Kudo ku shkon, shko me zemër.

Zgjidh një punë që e dashuron, dhe nuk do të të duhet të punosh as edhe një ditë në jetë.

Çdo gjë ka bukurinë e vet, por jo të gjithë e shohin.

Eshtë e kollajtë të urresh dhe e vështirë të duash. Kështu funksionon e gjithë skema e gjërave. Të gjithë gjërat e mira janë të vështira të arrihen; dhe gjërat e këqia kapen kollaj.

Nuk ka rëndësi se sa ngadalë ecën, sa kohë që nuk ndalesh.

Lavdia jonë më e madhe qëndron jo në të mos rrëzuarit, por në të ngriturit sa herë që rrëzohemi.

Atij që i di të gjithë përgjigjet, me siguri nuk i janë bërë të gjithë pyetjet.

Unë dëgjoj dhe harroj. Unë shoh dhe kujtoj. Unë bëj dhe kuptoj.

Nëse bën një gabim dhe nuk e korrigjon, ky po që quhet gabim.

Nëse ajo që do të thuash nuk është më mirë se heshtja, atëherë mbaje gojën mbyllur.

Dituria e vërtetë është të dish madhësinë e injorancës tënde.

Jeta është vërtetë e lehtë, por ne këmbëngulim që ta ndërlikojmë.

Mbaj besnikërinë dhe sinqeritetin si parimet kryesorë.

Suksesi varet nga përgatitja e mëparshme, dhe pa këtë përgatitje, e sigurtë që do të vijë dështimi.

Ai që lëviz malin, e fillon duke hequr guralecë të vegjël.

Kur është e qartë se objektivat nuk mund të arrihen, mos ndrysho objektivat, por hapat që ndërmerr për t’i arritur.

Lëndimet harroji, por mirësinë mos e harro kurrë.

Njerëzit më argëtues janë njerëzit më të trishtë.

Studio të kaluarën, nëse do të përcaktosh të ardhmen.

Në një vend të qeverisur mirë, duhet të kesh turp nga varfëria. Në një vend të qeverisur keq, duhet të kesh turp nga pasuria.

Përpara se t’i hysh rrugës së hakmarrjes, hap dy varre.

Njeriu superior është i stresuar prej limiteve të aftësive të tij; ai nuk stresohet nga fakti që njerëzit nuk ia shohin aftësinë që ai ka.

Të shohësh çfarë është e drejtë dhe të mos e bësh, kjo është poshtërsia më e madhe.

Nuk është asgjë të të tregojnë se e ke gabim, nëse nuk vazhdon që ta kujtosh vazhdimisht.

Të dish atë që di dhe atë që nuk di, kjo është dija e vërtetë.

Respekto veten, dhe të tjerët do të të respektojnë.

Nëse mendon për një vit, mbill një farë; nëse mendon për dhjetë vjet, mbill pemë; nëse mendon për 100 vjet, mëso njerëzit.

Heshtja është një mik i mirë, që nuk të tradhëton asnjëherë.

Koha rrjedh si uji në lumë.

Më mirë një diamant që ka një të metë, se sa një guralec që nuk ka asnjë.

Nuk mundesh që të hapësh një libër dhe të mos mësosh diçka.

Arsimi ushqen vetëbesimin. Vetëbesimi ushqen shpresën. Shpresa ushqen paqen.

Mos u bëj të tjerëve, atë që nuk do të ta bëjnë ty.

Sulmo të keqen që është brenda teje, në vend që të sulmosh të keqen që kanë të tjerët.

Eshtë turp të jesh i pasur dhe i nderuar në një shoqëri të padrejtë.

Atë që kërkon njeriu i madh e ka brenda vetes; atë që do, njeriu i vogël e kërkon tek të tjerët.

Eshtë më e turpshme të mos u besojmë miqve tanë, se sa të mashtrohemi prej tyre.

Kur sheh një njeri të mirë, mendo që të bëhesh si ai/ajo. Kur sheh dikë jo dhe aq të mirë, reflekto për pikat e tua të dobëta.

Njeriu i madh mendon gjithmonë për virtytin. Njeriu i vogël mendon gjithmonë për rehatinë.

Ai që bën një pyetje është budalla për një minutë. Ai që nuk e bën pyetjen, është budalla për gjithë jetën.

Mos u anko për dëborën në çatinë e fqinjit, kur pragu yt është i mbushur plot.

Muzika prodhon një kënaqësi, pa të cilën natyra njerëzore nuk do të bënte dot.

Kur rritet zemërimi, mendo për pasojat.

Njeriu i mençur nuk ka kurrë dy mendje; njeriu dashamirës nuk shqetësohet kurrë; njeriu kurajoz nuk ka frikë kurrë.

Konsiderata dhe respekti për të tjerët është baza e një jete të mirë, shoqërie të mirë.

Guri i çmuar nuk pastrohet pa e fërkuar fort. Edhe njeriu nuk përsoset pa vështirësi.

Sa më shumë që njeriu mediton për gjëra të mira, aq më e mirë do të jetë bota e tij, por edhe bota në përgjithësi.

Jepi një njeriu një tas oriz, dhe do ta ushqesh për një ditë. Mësoji si të rrisë vetë oriz, dhe do t’i shpëtosh jetën.

Gjëja më e vështirë nga të gjitha është që të gjesh një mace të zezë në një dhomë të errët, sidomos kur nuk ka fare mace.

Ai që mëson por nuk mendon, është i humbur! Ai që mendon por nuk mëson, është në rrezik të madh! /bota.al/ KultPlus.com

    ‘Ora e Muzës’ bashkon në Shëngjin poetët shqiptarë

    Ora e Muzës bëri bashkë poetë nga i gjithë vendi. Edicioni i 13 i aktivitetit u zhvillua në Shëngjin.

    Me një oaz turistik në sfond u recituan vargje të ndryshme ndërsa eventi i këtij viti i ishte dedikuar shkrimtarit At Gjergj Fishta

    “Ka një nuancë të ëmbël të gegërishtes, ka tregime të shkruajtura në toskërisht, tregime të shkruajtura në standard, mënyra të ndryshme të të rrëfyerit që është një panoramë shumë e bukur e tregimit shqiptar sot.”

    “Krejt e bukur ishte ambineti ku u mbajt edhe festivali dhe ju kushtua një figure madhore të letërsisë shqipe siç është At Gjergj Fishta.”

    “Kudo në botë kombet i mban në këmbë kultura. Poezia, letërsia është pjesë e jashtëzakonshme e rëndësishme e kulturës kombëtare dhe në këtë aspekt do të marrin rëndësi të jashtëzakonshme.”

    Në përfundim të aktivitetit për poezitë më të bukura u ndanë edhe çmime./ Klan News/ KultPlus.com

    Shitet Kushtetuta E ShBA-së, 9 milionë dollarë për dokumentin e shtypur 237 vjet më parë

    Kopja e rrallë e Kushtetutës së SHBA-së, e shtypur 237 vjet më parë, e gjetur në kabinetin e dosjeve u shitet për 9 milionë dollarë në një ankand në Karolinën e Veriut.

    Një kopje e rrallë e Kushtetutës së SHBA-së e shtypur 237 vjet më parë dhe e dërguar në shtetet për t’u ratifikuar, u shit për 9 milionë dollarë në një ankand në Karolinën e Veriut.

    Brunk Auctions e shiti dokumentin që ishte e vetmja kopje e këtij lloji që mendohet se është në pronësi private, në një ankand privat. Emri i blerësit nuk u publikua.

    Ofertimi zgjati pak më shumë se shtatë minuta, me oferta që vinin në intervale prej 500,000 dollarësh kryesisht përmes telefonit. Pati një pauzë në 8.5 milionë dollarë, më pas një tjetër pasi dikush në telefon ofroi 9 milionë dollarë.

    Ankandi fillimisht ishte caktuar për 28 shtator, por u shty pasi Uragani Helene shkaktoi dëme katastrofike në të gjithë Asheville dhe Karolinën e Veriut perëndimore.

    Kopja u shtyp pasi Konventa Kushtetuese përfundoi hartimin e kornizës së propozuar të qeverisë së kombit në 1787 dhe e dërgoi atë në Kongresin e qeverisë së parë amerikane joefektive sipas Neneve të Konfederatës, duke kërkuar që ajo t’u dërgohej shteteve për t’u ratifikuar nga populli.

    Është një nga rreth 100 kopjet e shtypura nga sekretari i atij Kongresi, Charles Thomson. Vetëm tetë dihet se ekzistojnë ende dhe shtatë të tjerat janë në pronësi publike.

    Kopja u gjet brenda një kabineti metalik me dy sirtarë, me një kanaçe me njollë sipër, në një dhomë të lënë pas dore të mbushur me karrige të vjetra dhe një kuti librash të pluhurosur, përpara se të ruhej shtëpia e vjetër e Johnston. Dokumenti ishte një fletë e gjerë që mund të palosej një herë si një libër.

    Së bashku me Kushtetutën në fletën e gjerë të shtypur përpara dhe mbrapa është një letër nga George Washington që kërkon ratifikimin. Ai pranoi se do të duhej të kishte kompromis dhe se disa të drejta që shtetet gëzonin do të duhej të hiqeshin për shëndetin afatgjatë të kombit.

    Kopja e Kushtetutës nuk ishte blerja e vetme me shtatë shifra të enjten. Një draft i parë i 1776 i Artikujve të Konfederatës, me ujëra, shkoi për 1 milion dollarë./oranews/ KultPlus.com

    ‘Shqipëria ime’ në Athinë, Kumbaro: Gjirokastra e UNESCO-s në qendër të këtij rrugëtimi kulturor

    Ambasada e Shqipërisë në Greqi, nis këtë fundjavë ciklin e ri të aktiviteteve kulturore “Shqipëria Ime”, një iniciativë që synon të forcojë lidhjet mes komunitetit shqiptar në Greqi dhe të promovojë pasurinë tonë kulturore e historike.

    Ky projekt vjen pas suksesit të aktiviteteve të mëparshme me komunitetin dhe shënon një tjetër hap për të mbajtur gjallë trashëgiminë shqiptare. Në qendër të këtij rrugëtimi kulturor do të jetë Gjirokastra, qyteti i UNESCO-s dhe një thesar i kulturës sonë kombëtare.

    Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha se “kjo nismë nis nga Gjirokastra e UNESCO-s, thesareve të mëdha të trashëgimisë e historisë së jashtëzakonshme, por tanimë edhe e turizmit të qëndrueshëm duke u kthyer në destinacion gjithëvjetor”.

    “Si gjirokastrite e vjetër, do t’i bashkohem komunitetit të bashkëkombësve që jetojnë në Greqi, për të festuar së bashku kulturën, historinë e për t’iu përgjigjur një thirrjeje të fortë për këdo, kudo që jeton: thirrjes së rrënjëve”, tha Kumbaro.

    Ky event është një mundësi unike për të bashkuar komunitetin dhe për të festuar trashëgiminë tonë kulturore, me aktivitete që do të na rikthejnë në rrënjët tona dhe do të forcojnë ndjenjën e përkatësisë./atsh/ KultPlus.com

    Mbretëresha Geraldinë, ‘Trëndafil i bardhë’ rrezatues

    Nga Albert Vataj

    Sot në përvjetorin e vdekjes së Mbretëreshës Geraldinë, një gruaje të rrallë, një shpirti të bardhë.

    Geraldina Apponyi de Nagyappony lindi më 6 gusht 1915 në Budapest, Hungari, dhe ishte pjesë e një familjeje fisnike hungareze me origjinë aristokratike. Vdiq në Tiranë në moshën 87 vjeçare, më 22 tetor 2002.

    Ajo u martua me Mbretin Zog më 27 prill 1938 në një ceremoni madhështore në Tiranë. Një vit më vonë, më 5 prill 1939, ajo lindi djalin e tyre të vetëm, princin Leka I, pak para pushtimit italian të Shqipërisë. Gjatë viteve të martesës së saj si mbretëreshë, Geraldina u bë e njohur për bukurinë dhe personalitetin e saj të dashur, përkushtimin ndaj bamirësisë dhe kujdesin për të varfërit në Shqipëri.

    Pas largimit nga Shqipëria në vitin 1939, Geraldina dhe familja mbretërore kaluan pjesën më të madhe të jetës në mërgim, duke lëvizur në disa vende si Egjipti, Franca dhe më vonë Afrika e Jugut. Ajo kaloi dekada jashtë atdheut të saj të adoptuar deri në vitin 2002, kur u kthye në Shqipëri pak përpara vdekjes. Geraldina ndërroi jetë më 22 tetor 2002 në Tiranë.

    Mbretëresha Geraldina mbahet mend si një figurë e rëndësishme historike për shqiptarët dhe një simbol i përkushtimit dhe dashurisë për popullin shqiptar, pavarësisht sfidave që kaloi gjatë jetës së saj në mërgim.

    Mbretëresha e Shqiptarëve Geraldina, gjatë periudhës së shkurtër të qëndrimit në Shqipëri, u impenjua maksimalisht për rritjen e mirëqenies së popullit shqiptar, sidomos të shtresave në nevojë. MSM kontriboi për ngritjen dhe funksionimin e institucioneve në shërbim të shtresave në nevojë, si spitalet, azilet dhe jetimoret. Vizitat e shpeshta që bënte në këto ambiente, ishin “vizita pune” për të. MSM u impenjua totalisht edhe për promovimin dhe jetësimin e të drejtave të grave, si dhe për mundësitë e emancipimit të tyre.

    Mbretëresha Geraldinë punoi shumë për të ndihmuar në përmirësimin e shërbimit spitalor në Shqipëri, dhe dha një ndihmesë të madhe për ngritjen dhe funksionimin e spitalit Ushtarak në Tiranë. Ajo solli nga Austria një numër të madh mjekësh për drejtimin e Spitalit Ushtarak. Mbretëresha kontriboi në ngritjen e maternitetit të parë shqiptar në Tiranë. Një nga projektet që mbahet mend edhe nga bashkëkohës të asaj periudhe, është mobilizimi dhe ngritja e fushëveprimit të Kryqit të Kuq shqiptar. Gjithashtu, Mbretëresha Geraldinë mundësoi hapjen e edicionit të parë emetues radiofonik në Radio Tirana.

    Prioritet i punës së Saj ishte emancipimi i shoqërisë shqiptare në përgjithësi, për ngritjen e vetëdijes së saj dhe në veçanti emancipimi i pjesës rurale të popullsisë. Përveç përkushtimit të Saj në të mirë të popullit shqiptar, Geraldina gjente kohë të përkujdesej për mbarëvajtjen e Familjes së Saj, sikundër ishte ndikimi për një edukim sa më cilësor të trashëgimtarit të Fronit Mbretëror./ KultPlus.com

    Të enjten promovohet monografia ‘Dy botë në unison’ e kompozitorit Baki Jashari

    Të enjten, do të bëhet promovimi i monografisë “Dy botë në unison” nga autorja Elife Podvorica, monografi kjo e cila përmbledh jetën dhe veprimtarinë e kompozitorit dhe dirigjentit Baki Jashari.

    Të pranishëm në këtë promovim do të jenë panelistët Sami Piraj – publicist; Dr. Besa Luzha – profesoreshë në Fakultetin e Arteve (DAM) në Prishtinë; Elife Podvorica – autore e librit dhe kompozitori e dirigjenti Baki Jashari.

    Promovimi mbahet më 24.10.2024, në ora 18:00, në Hotel Sirius (Salla “Andromeda” – Kati 2)./ KultPlus.com

    Ministri Çeku: Arti dhe artistët tanë janë përfaqësimi më i denjë i shtetit në botë

    Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ka thënë se arti dhe artistët tanë janë përfaqësimi më i denjë i shtetit në botë, shkruan KultPlus.

    Ministri Çeku këtë deklaratë e ka bërë pasi institucionet kryesore artistike të shtetit të Kosovës muajin e kaluar dhe gjatë vitit janë prezantuar para audiencave të ndryshme botërore.

    Me këtë rast, Ministri Çeku ka falënderuar artistët për punën dhe përkushtimin, duke potencuar se përmes artistëve më të mirë, po prezantohet më e mira e shtetit të Kosovës.

    “Vetëm në muajin e fundit, Baleti Kombëtar performoi në Korenë e Jugut, Ansambli SHOTA në Spanjë, Kori i Filharmonisë në Greqi, Teatri Kombëtar në Poloni. Më herët gjatë vitit, Baleti u paraqit me program në SHBA, Paris e Portugali, Filharmonia në Itali, Shqipëri, Teatri në Itali, Poloni, Slloveni e Maltë, SHOTA në Belgjikë, Turqi, Mal të Zi, Kroaci e Austri.

    Po e prezantojmë më të mirën tonë, përmes më të mirëve tanë, para audiencave të huaja. Arti dhe artistët tanë janë përfaqësimi më i denjë i shtetit në botë. Ju faleminderit për punën dhe përkushtimin. Mbështetja do të vazhdojë të rritet”, thuhet në shkrimin e Minstrit Çeku.

    Nesër ndahen çmimet letrare ‘At Gjergj Fishta’

    Ditën e nesërme, më 23 tetor që përkon me 153-vjetorin e lindjes së Atë Gjergj Fishtës, i konsideruar si figura madhore e letërsisë shqipe të gjysmës së parë të shekullit XX, do të ndahen Çmimet Letrare “At Gjergj Fishta” për vitin 2024.

    E kthyer në një traditë të përvitshme nga Bashkia e Lezhës në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit, ditëlindja e poetit Kombëtar, At Gjergj Fishta, shënon edhe ndarjen e çmimeve në prozë, poezi dhe memuaristikë që mbajnë emrin e kolosit të letërsisë shqipe.

    Fishta cilësohet edhe si Homeri shqiptar. Gjergj Fishta (23 tetor 1871 – 30 dhjetor 1940), ishte frat françeskan, piktor, arkitekt, deputet, anëtar i Akademisë Italiane të Shkencave, kandidati i parë shqiptar për Çmimin Nobel për Letërsi dhe mbrojtës i kauzës shqiptare në arenën ndërkombëtare.

    Fishta ka dhënë kontribut të madh edhe në Kongresin e Manastirit, për alfabetin e sotëm, ndërsa ka qenë edhe sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris.

    Tituj të veprave:

    –Lahuta e Malcis,poeme 1937; -Anzat e Parnasit, satirë 1907; -Vallja e Parrizit, 1909; -Shqyptari i qytetnuem, melodramë 1911; -Shqyptarja e qytetnueme,melodrame 1929; -Shën Francesku i Asizit, 1912; -Juda Makabe, tragjedi 1914; -Gomari i Babatasit, satirë 1923; – Mrizi i Zanave, 1924; -Jerina ose mbretnesha e luleve, melodramë 1941.

    Presidentja Osmani uron presidenten e re moldave: Putini kërcënim jo vetëm për Moldavinë, por për të gjithë Evropën

    Presidentja Vjosa Osmani e ka uruar Maia Sandu pasi është zgjedhur presidente e Moldavisë.

    Në një postim në platformën X, ajo ka deklaruar se duke votuar për të përfshirë aspiratat e tyre evropiane në kushtetutën e tyre, populli i Moldavisë ka zgjedhur shpresën, unitetin dhe një të ardhme më të ndritur.

    “Është një testament i fuqishëm për udhëheqjen dhe vizionin tuaj të guximshëm – një vizion i Moldavisë ku i përket: Në BE. Pavarësisht taktikave dhe operacioneve hibride të vazhdueshme të Rusisë dhe të përfaqësuesve të saj për të sabotuar votimin, demokracia ka triumfuar sërish”.

    “Putini dhe përfaqësuesit e tij janë një kërcënim jo vetëm për Moldavinë, por për të gjithë Evropën. Megjithatë, demokracitë qëndrojnë të bashkuara, të forta dhe të gatshme për të mbrojtur lirinë dhe vlerat tona të përbashkëta”, ka thënë Osmani.

    Festivali i Teatrit Shqiptar `Moisiu` vjen në Prishtinë

    Ministria e Kulturës ka njoftuar se Festivali i Teatrit Shqiptar “Moisiu” pas Shkupit dhe Tiranës vjen në Prishtinë.

    Në njoftimin e MKRS thuhet se edicioni i radhës do të mhahet nga data 20 deri më 27 nëntor, i cili do të sjellë përplot shfaqje, dhe një festë të teatrit në Kosovë.

    Festivali “Moisiu” ka nisur si iniciativë e Teatrit Kombëtar të Kosovës, Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, dhe Teatrit Shqiptar të Shkupit, që qytetarët e tri vendeve të kenë mundësi të shohin shfaqjet dhe prodhimet e tri teatrove./ KultPlus.com

    Tre vite nga vdekja e aktores së njohur, Filika Dimo

    Sot janë bërë tre vite nga vdekja e aktores së njohur shqiptare, Filika Dimo.

    Filika Dimo u lind në Durrës me 1 gusht të vitit 1939. U diplomua në departamentin e aktrimit në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Pas studimit, ajo filloi të punojë në Teatrin Popullor në Tiranë.  Pjesën më të madhe të aktivitetit e ka pasur në Teatrin “Aleksandër Moisiu” ku ka punuar si aktore e roleve kryesore në shumë verpa dramatike krahas aktorëve të tjerë durrsakë si Nikolin Xhoja, Spiro Urumi, Kadri Pirro, Marta Burda, Lazër Vlashi, Gaqo Spiro etj.

    Ajo bëri debutimin e saj në kinematografi në vitin 1959 me rolin e vogël të Shpreses në filmin Furtuna. Ajo luajti në 4 filma të tjerë artistikë. Filmi qe e bëri më të njohur dhe më të vlerësuar atë si aktore, është filmi televiziv me 2 seri i RTSH-së “Koha nuk pret”, me rolin e Beatrice Shmid, një rol epokal nga më të realizuarit në kinematografinë shqiptare të roleve me spiunazh, rol i cili ka mbetur në kujtesë për interpretimin brilant. Bashkëshortja e skenografit të madh të Teatrit “A.Moisiu”, Zef Ujkaj./KultPlus.com

    Më fal trëndafil

    Poezi nga Rifat Kukaj

    Ç’po të buzqëshin petalet
    Trëndafil bukurosh,
    Si re të buta mbi male
    Petalet që më shohin prore
    Më ngjyrën rozë
    Si npër qepallat qumështore

    Më fal o mik për ngrysjen
    Time dhe drithërime…
    Unë do të t’shoh dhe verën tjetër
    Po kurrë me sytë e nënës sime. / KultPlus.com

    Shkrimtari arbëresh Karmine Abate, nis turin prezantues për “Ullirin e bardhë”

    Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët bëri të ditur se autori i mirënjohur arbëresh, Karmine Abate sapo ka nisur në Itali, një tur prezantues për librin e tij të ri, “Ulliri i bardhë” (L’olivo bianco).

    Libri i tij “Ulliri i Bardhë” sapo ka dalë nga shtypi, nga shtëpia botuese Aboca Edizioni. Libri tregon historinë e tre miqve që ndalojnë të bisedojnë për një zjarr në periferi të qytetit, por që sjellin brenda një Kalabri melankolike me spektrin e emigrimit dhe historinë e një të riu që u zhduk në mënyrë të mistershme.

    Karmine Abate, lindur në Carfizzi, një qytet arbëresh në Kalabri, sot jeton në Trentino dhe konsiderohet si një nga shkrimtarët më të mirë të Kalabrisë bashkëkohore. Me “Kodra e erës” (Mondadori 2012) ai fitoi çmimin e 50-të Campiello. Librat e tij, fitues të çmimeve prestigjioze, janë përkthyer në shumë vende.

    Rritur në një familje arbëreshe, Abate është autor i shumë romaneve e tregimeve të suksesshme të vlerësuara me çmime të cilat konfirmojnë dashurinë dhe vëmendjen për rajonin e tij të origjinës./atsh/KultPlus.com

    Koleksionet Veneciane në Bibliotekën Kombëtare, Rama: Shpirti i një historie që bashkon brigjet

    Biblioteka Kombëtare në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës kanë çelur ekspozitën me Koleksionet Veneciane që sjellin në dritë thesaret e fshehura të botimeve të Venedikut.

    Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga kjo ekspozitë, ku botimet e Venedikut bëhen të njohura për herë të parë për publikun shqiptar.

    “Në çdo libër dhe në çdo hartë qëndron një kapitull i pazbuluar i rrugëtimit tonë të përbashkët me Mesdheun. Jo vetëm fakte, por shpirti i një historie që bashkon brigjet, duke na kujtuar se deti ka qenë gjithnjë urë, jo ndarje”, u shpreh Rama.

    Në këtë ekspozitë, që është njëkohësisht ndër më të mëdhatë e më të rëndësishmet të organizuara nga BKSH-ja, janë ekspozuar rreth 600 libra dhe harta origjinale të shtypura në Venecia, mes viteve 1400-1800.

    Pjesa më e madhe e tyre ekspozohen për herë të parë në publik.

    Ekspozita është kuruar nën kujdesin e kuratores shkencore Elisabetta Sciarra, drejtore e Bibliotekës Kombëtare Qendrore të Firences, një prej bibliotekave më prestigjioze dhe më të vjetra në Evropë.

    Ekspozita e koleksioneve veneciane do të jetë e hapur çdo ditë për vizitorët nga 21 tetori, deri më 4 nëntor./atsh/KultPlus.com

    Përgjërim nënës sime

    Poezi e shkruar nga Pier Paolo Pasolini.

    Eshtë e vështirë të thuash me fjalët e një biri,
    atij të cilit në zemër fare pak i ngjasoj.
    Ti je e vetmja në botë që din, për zemrën time,
    atë që ish ngahera, përpara secilës tjetër dashuri.

    Prandaj duhet të t’them çfarë është e tmerrshme të njohësh:
    është brënda hirësisë tënde që lind pikëllimi im.
    Je e pa-ndërrueshme, prandaj është e dënuar
    me vetmi jeta që më ke dhuruar.
    Dhe s’dua të jem vetëm. Kam një uri të pasosur
    dashurie, të dashurive prej trupave të pashpirt.
    Ngaqë shpirti është në ty, je ti, por ti
    je nëna ime dhe dashuria jote është skllavëria ime:
    kam kaluar një fëmijëri skllav i kësaj ndjenje të madhe
    e pa-shpëtueshme, të një detyrimi të pasosur.
    Ishte e vetmja mënyrë për të ndjerë jetën,
    e vetmja ngjyrë, e vetmja formë: tani ka mbaruar.

    Mbijetojmë: dhe është çrregullsia
    e një jete të rilindur jashtë arsyes.
     /KultPlus.com

    Ikona e kinemasë franceze, Catherine Deneuve feston sot ditëlindjen

    Aktorja Catherine Deneuve, feston sot ditëlindjen e 81-të. Ajo ka fituar disa çmime gjatë karrierës së saj prej më shumë se gjashtë dekadash, duke përfshirë çmimin “César” në filmin “The Last Metro” të François Truffaut, një nominim për çmim “Oscar” si aktorja më e mirë në dramën e periudhës koloniale “Indochine”, dhe një sërë çmimesh në festivalet kryesore të filmit.

    Deneuve, u bë e njohur në muzikalin romantik të vitit 1964, “The Umbrellas of Cherbourg”.

    Ajo mori pjesë në filma shumë të vlerësuar, si “Belle de Jour”, në të cilin ajo luante rolin e një amvise të kthyer në prostitutë. Sot ajo mbushi 80 vjet. / KultPlus.com