Catherine Deneuve, simboli i Festivalit të Filmit të Kanës 2023

Festivali i Filmit në Kanë, pritet të nisë nesër. Gara e filmave të përzgjedhur për të garuar, do të zgjasë deri më 27 maj 2023. Këtë vit kryetar i jurisë do të jetë kineasti suedez Ruben Ostlund.

Ndërkohë një poster gjigant i aktores së mirënjohur Catherine Deneuve u shpalos mbi “Palais des Festivals” (Pallati i Festivaleve). Posteri i krijuar nga Lionel Avignon dhe Stefan de Vivies u zgjodh në nder të aktores e cila i ka dhënë një kontribut të vyer kinematografisë franceze dhe asaj botërore.

Këtë vit, në tapetin e kuq të Kanës do të parakalojnë yje si Leonardo DiCaprio, Natalie Portman e Harrison Ford.

Agjencia Reuters kujton se Festivali i Kanës nisi më 1939-ën, si një alternativë që kundërshtonte Festivalin e Filmit të Venecias, atëherë nën influencën fashiste.

“Kana” është mbajtur cdo vit, përjashto 1948 dhe 1950, vite kur u anulua për shkak të mungesës së fondeve. Festivali njihet për përzgjedhjen e kujdesshme të filmave, të cilët pasi kalojnë nga “Kana”, e kanë të sigurt lavdinë në Oscars, ose një karrierë të ndritur të regjisorëve.

Këtë vit festivali nis me filmin “Jeanne du Barry”, me regji të francezes Maiwenn, me protagonistë Johnny Depp dhe vetë regjisoren Maiwenn./ atsh / KultPlus.com

Ikona e kinemasë franceze Catherine Deneuve nderohet me çmimin “Luani i Artë”

Ikona e kinemasë franceze, Catherine Deneuve do të nderohet me çmimin e karrierës “Luani i Artë” në festivalin e 79-të ndërkombëtar të filmit, njoftuan sot organizatorët.

Aktorja 78-vjeçare ka fituar disa çmime gjatë karrierës së saj prej më shumë se gjashtë dekadash, duke përfshirë çmimin “César” në filmin “The Last Metro” të François Truffaut, një nominim për çmim “Oscar” si aktorja më e mirë në dramën e periudhës koloniale “Indochine”, dhe një sërë çmimesh në festivalet kryesore të filmit.

Deneuve, u bë e njohur në muzikalin romantik të vitit 1964, “The Umbrellas of Cherbourg”. Ajo mori pjesë në filma shumë të vlerësuar, si “Belle de Jour”, në të cilin ajo luante rolin e një amvise të kthyer në prostitutë.

Drejtori i festivalit, Alberto Barbera e quajti Deneuve simbolin e kinemasë franceze, një divë të përjetshme dhe një ikonë të vërtetë të ekranit të argjendtë. /KultPlus.com