Fjalori i shqipes drejt përfundimit, brenda muajit nëntor do të publikohet online

Faza e mbledhjes së të gjitha fjalëve në trevat shqipfolëse ka përfunduar. Grupi i punës ka hyrë në fazën shkencore të redaktimit dhe pritet që brenda muajit nëntor të kemi një publikim online të fjalorit të gjuhës shqipe.

Deri më tani gjuhëtarët parashikojnë që ky të jetë botimi më i madh për shkak dhe të shtrirjes gjeografike të fjalëve, duke përfshirë edhe ato që njihen si dialektizma nga veriu në jug e pa lënë jashtë vëmendjes pasurinë e ruajtur prej  arbëreshëve dhe arvanitasve.

“Çdo fjalë që respekton rregullat drejtshkrimore të standardit pavarësisht të folmes apo dialektit prej nga vjen ajo gëzon të drejtën të bëhet pjesë jo më e krahinës nga vjen po të bëhet e fjalorit të gjithë shqiptarëve”, shprehet gjuhëtari Shezai Rrokaj.

Gjuhëtarët kanë mbledhur rreth 200 mijë fjalë prej të cilave deri në fund të vitit, do të bëhet edhe përzgjedhja dhe publikimi i tyre.

“Ky është objektivi i këtij fjalori të krijojë një shtat të ri, një revolucion të ri të gjuhës shqipe në përdorim, në kushtet e hapjes së gjithë arealit shqiptar  për ti dhënë një pikënisje të re asaj që ne do ta quajmë gjuhë zyrtare mbarëkombëtare jo më mbi një shtrat të 72 apo të viteve të mëparshme. Kësisoj ky fjalor do të rrok rreth 100 mijë fjalë, pa përfshirë këtu shprehje frazeologjike, sinonime të jashtëzakonshme që bashkë me këto kapërcejnë kapacitetin e 150 mijë fjalëve”, thotë ao.

Ndryshe nga fjalorët e mëparshëm të shqipes standarde, këtë herë ky fjalor do të bazohet në tri pika, duke e bërë të vlefshëm në çdo kohë.

“Tre janë tiparet e këtij fjalori. Gjithëpërfshirja, përshtatja e tij nga pikëpamja e mënyrës sesi folësit falsin dhe e përdorin gjuhën sot dhe nga pikëpamja e një këndvështrimi për të ardhmen. sepse fjalorët nuk janë vetëm mjet identifikimi apo fotografimi. ato kthehen në mjete edukimi të standardit”, shpjegpn Rrokaj.

Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe i cili hedh për herë të parë në përdorim një pasuri kaq të larmishme jo vetëm nga numri i fjalëve dhe i shprehjeve por edhe nga pasqyrimi i të gjithë shtresave të leksikut të shqipes që nga shekulli i 16-17-të deri në ditët tona do të jetë gati për tu botuar në fillim të vitit 2025. /vizionplus.tv/ KultPlus.com

Maratona e Tiranës, shpallen fituesit e distancës 10 km, mes tyre një italiane dhe një ukrainas

Maratona e Tiranës ka përfunduar me sukses për distancën 10 km.

Në podiumin e meshkujve, David Nikolla nga Shqipëria u shpall fitues, duke lënë pas konkurrentët e tjerë me një performancë të shkëlqyer.

Pas tij, në vendin e dytë u rendit Albion Ymeri nga Kosova dhe Bogdan Somenoyyeh nga Ukraina zuri vendin e tretë.

Në kategorinë e femrave, fituesja e garës ishte Gresa Bakraqi nga Kosova, e cila u shfaq në formë të shkëlqyer dhe e meritoi vendin e parë. Redia Dauti nga Shqipëria u klasifikua në vendin e dytë, ndërsa Luisa Gaia Dal Molin nga Italia përfundoi garën në vendin e tretë.

Një përfaqësim i larmishëm i kombësive u pa gjatë kësaj ngjarjeje sportive.

Maratona e Tiranës është bërë një ngjarje tradicionale që promovon sportin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, duke sjellë së bashku atletë nga vende të ndryshme për të sfiduar njëri-tjetrin në një atmosferë festive dhe mbështetje të fortë nga publiku./atsh/ KultPlus.com

E verdhë

Odiseas Elitis / Përkthyer nga Romeo Çollaku.

Ca vajza të korithta qëmenatë hodhën zëra
Fishekzjarre e ngjyra që jehonin
Në kishëzën e largët të zefirit…
Hya a bam! Pa ç’u derdh era nga kambanat
Dhe gjithë deti larg hya e bam! hya e bam!
Po baret me kambana çmendurake…

Dhe ato ikën tani lakuriq nga mesi e lart
Me kashtore të gjëra thimba të kërmëzta naze kallëze
Të prirur me një flutur mbi gjirin e djathtë trimoshin
Tri katër gjashtëmbëdhjetë tetëdhjetë a njëqind
Shkojnë e grinden me fëmijët e tokës kësaj konteshe bari
Djegin sanë shkrijnë flori temjanisin me pjalm
Krokujsh parzmin e tokës aq sa ajo tanimë fërgëllon
Lajthitet eteri nga breshëri kanarinash dhe veton parashtur
Vlon me squfur në breg me kallama në fushë..

Vajzani mos! Me ç’ zemër do t’ia thonë bilbilat këngës!
Mos! Me ç’shtjellë uji do harlisen pjergullat!
Si e nxëka qiellin një guaskë e trëndafiltë
Si mund të parandjehet vajzani drita nga sytë tuaj!/KultPlus.com

‘Estro Italiano’ në TKOB, premierë absolute ‘Metamorfoza’ e kompozitorit Vasil Tole

Një kombinim unik i veprave simfonike të njohura dhe krijimeve bashkëkohore nga kompozitorë shqiptarë u prezantua për publikun në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në koncertin “Estro Italiano”.

E veçanta e kësaj mbrëmjeje ishte interpretimi premierë absolute i veprës “Metamorfoza” të kompozitorit Vasil Tole, fitues i çmimit “Çesk Zadeja” të Ministrisë së Kulturës 2022, një vepër për orkestër harqesh.

Tole shprehet për “Report TV” se është kënaqësi që në TKOB interpretohen vepra bashkëkohore shqiptare, për më tepër nga dirigjentë të njohur ndërkombëtarë.

“Është akoma më shumë kënaqësi që të shohim se institucionet tona, siç është në rastin konkret Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit, por edhe orkestra simfonike e Radio Televizionit krijuan hapësirën e domosdoshme për promovimin e muzikës bashkëkohore shqiptare dhe kur them muzikën bashkëkohore nuk le mënjanë muzikën tradicionale, pasi autorë të tillë të rëndësishëm, si Prenk Jakova, Çesk Zadeja, Feim Ibrahimi, Tonin Harapi por edhe autorë të tjerë janë tashmë pjesë e këtij kalendari.”

Ndërsa krijimin e pjesës së tij “Metamorfoza”, Tole e lidh me përjetimin dhe shndërrimin emocional që pësojnë kompozitorët në kohët e sotme.

“Kompozitorët shqiptarë në një lloj kuptimi shndërrohen në instrumente të përjetimeve emocionale të kohëve që jetojmë. Dhe kjo është shumë e rëndësishme, që të kuptohet edhe nga publiku, pasi shpesh bashkëkohoren e gjejmë në letërsi, e gjejmë në artet pamore, por më pak e kërkojmë te muzika. Unë them që muzika vërtet nuk flet me formula ekzakte, por flet përmes gjendjeve emocionale.”

Interpretimi i kësaj vepre u pasua nga Koncerti për Violinë dhe Orkestër Nr. 2 nga Bela Bartok, një kryevepër e repertorit violinistik, që eksploron thellësinë e emocioneve përmes melodive të mrekullueshme të Bartok-ut.

Ndërsa përmbyllja e koncertit u bë me Simfoninë Nr. 2, Op. 73 të Johannes Brahms, një nga veprat më të njohura të repertorit simfonik. Virtuozi Gennaro Cardaropoli do të sjellë mjeshtërinë e tij në koncertin e Bartok-ut, ndërsa Orkestra Simfonike e TKOB-së erdhi nën drejtimin e Robbert Van Steijn./TemA/KultPlus.com

‘Gjyqi i vetvetes’, poema e jashtëzakonshme e Arthur Rimbaud

Nga Arthur Rimbaud

Ç’jemi ne?

Viktima të njëri-tjetrit.

Ç’jemi ne?

Nxënës të ideve absurde.

Ç’jemi ne?

Vegime të turbullta në pellg.

Ç’jemi ne?

Fëmijë me arsyetime të mbrapsht.

Ç’jemi ne?

Pranga të mbetura jetime.

Ç’jemi ne?

Kometa të rritura në vazo.

Ç’jemi ne?

Polumbarë që zhytemi në tokë.

Ç’jemi ne?

Çelsa më të mëdhenj se dyert.

Ç’jemi ne?

Forma të gjalla të vdekjes.

Ç’jemi ne?

Vullkane të shuar instiktesh.

Ç’jemi ne?

nsekte që koleksionojnë shkencëtarë.

Ç’jemi ne?

Palaço të shfaqjeve ku qeshim e gajasemi vetë.

Ç’jemi ne?

Pula të mallëngjyera nga veza.

Ç’jemi ne?

Asketë të ëndërrave tona.

Ç’jemi ne?

Testamente të lënë pa trashëgimtarë.

Ç’jemi ne?

Plumba me objektiv kokën.

Ç’jemi ne?

Muskuj që urdhërohen nga pesha që mbajnë.

Ç’jemi ne?

Gjak i përgatitur në laborator.

Ç’jemi ne?

Lepuj që adhurojnë qentë.

Ç’jemi ne?

Proteza të ngulura e të mbetura mbi bukë.

Ç’jemi ne?

Ujë i papërfillshëm nga devetë.

Ç’jemi ne?

Aktorë të dështuar tragjikë.

Ç’jemi ne?

Lapsuse memecësh.

Ç’jemi ne?

Herkulë që vetëvaren se nuk i kundërshton njeri.

Ç’jemi ne?

Peshkatarë që i hedhin grepin vetes.

Ç’jemi ne?

Robër që luten për të mos u liruar.

Ç’jemi ne?

Ne jemi ata që bëjnë pyetjen:

E ç‘jemi ne?

Ne jemi:

Ura midis dy humnerave.

Ne jemi:

Dashuria midis dy epsheve.

Ne jemi:

Flakadanë zjarresh që trembin egërsirat.

Ne jemi:

Kështjellarë të rrethuar nga padrejtësia.

Ne jemi:

Lamtumira e fundit e majmunit.

Ne jemi:

Optimizmi i diellit në agim.

Ne jemi:

Kënaqësi e dhimbjes në lindje.

Ne jemi:

Orteqe të shndërruar në barrikada.

Ne jemi:

Shkallare që të çojnë te perënditë.

Ne jemi:

Karvane që vdesin nga etja për të vërtetën.

Ne jemi:

Ata që i bindën oqeanet të heqin dorë.

Ne jemi:

Ata që nga pema prodhuam letrën, ku u vizatua rrënja.

Ne jemi:

Ata që trupin prenë për ta shëruar.

Ne jemi:

Ata që shpikën pasqyrën për të parë të metat.

Ne jemi:

Ata që jetën e shndërruan në qëllim.

Ne jemi:

Ata që me ide e mbushën zbrazëtirën.

Ne jemi:

Ata pa të cilët toka do të ish anonime.

Ne jemi:

Bij të etërve tanë dhe etër të bijve tanë.

Ne jemi:

Njerëz, njerëz dhe ky fakt zhduk çdo dyshim. / KultPlus.com

Kosova e Bullgaria nënshkruajnë marrëveshje për bashkëprodhim në kinematografi

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka bërë të ditur se Nayden Todorov, Ministër i Kulturës së Bullgarisë, nesër do të qëndrojë në një vizitë zyrtare në Kosovë.

Në komunikatën për media thuhet se në kuadër të kësaj vizite, Ministri Hajrulla Çeku do të takojë homologun e tij.

Tutje, bëhet e ditur se do të nënshkruhet edhe marrëveshja e bashkëprodhimit në kinematografi Kosovë-Bullgari./KultPlus.com

‘Fjalët e Qiririt’, poezia madhështore e Naim Frashërit


Poezi nga
 Naim Frashëri

Në mes tuaj kam qëndruar
e jam duke përvëluar,
që t’u ap pakëzë dritë,
natënë t’ua bënj ditë.

do të tretem, të kullohem,
të digjem, të përvëlohem,
që t’u ndrinj mir’ e të shihni,
njëri-tjatërin të njihni.

për ju do të rri të tretem,
asnjë çikë të mos mbetem,
të digjem e të qanj me lot,
se dëshirën s’e duronj dot.

unë zjarrit nuk i druhem
dhe kurrë s’dua të shuhem,
po të digjem me dëshirë,
sa të munt t’u ndrinj më mirë.

kur më shihni se jam tretur,
mos pandehni se kam vdekur;
jam i gjall’ e jam ndë jetë
jam në dritët të vërtetë,

unë jam në shpirtin tuaj,
mos më kini për të huaj,
m’është falurë durimi,
andaj po digjem si trimi,

se ma k’ënda t’u bënj mirë,
të mos mbeti n’errësirë.
jakëni rreth meje rrini,
flisni, qeshni, hani, pini,

në shpirt kam dashurinë,
pa digjem për njerëzinë,
lemëni të përvëlohem,
nukë dua më të ftohem,

dua ta djek trupn’ e kretë
për atë zotn’ e vërtetë.
me zjarr ta djek mushkërinë
e të tretem për njerinë,

bashkë me gëzimt të tija
të vete te perëndia.
unë dua njerëzinë,
mirësin’ e urtësinë.

në bëhi shokë me mua,
në më doni si u dua,
njëri-tjetërin në doni,
të paudhë mos punoni.

o zëmëra fluturake,
qasju pakë kësaj flake!
mase krahët t’i përvëlon,
po dhe shpirtin ta shënjtëron.

unë duke përvëluar,
njerëzit i kam ndrituar.
kam qënë mik me njerinë,
andaj i di e më dinë.

gjithë tuajt’ i kam parë,
mëm’ e at’ e fis e farë,
si tani gjithë i kam ndër mënt,
që rrininë më këtë vënt.

edhe sot nër ju ata shoh,
se shpirtin e tyre ua njoh,
dhe unë si ju jam ndruar
e jam përzjer’ e ndryshuar,

pa jam bërë shumë herë
zjar e uj’ e balt’ e erë.
jam një shkëndijë pej qielli
dhe një drudhëzë pej dielli.

edhe ndër qiej fluturonj,
edhe brënda në det qëndronj,
shumë herë fle në baltë,
diku ndodhem dhe në mjaltë

bënem qëngj e kec i pirë,
lul’ e bar e gjeth i mbirë.
dua shumë fjalë t’u them,
po trëmbem mos i bënj ujem.
e ku shkruhenë në kartë
fjalët’ e gjuhësë zjarrtë? / KultPlus.com

Maratona e Tiranës, Luiza Gega vendos rekord kombëtar 

 Luiza Gega ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm në Maratonën e Tiranës, duke vendosur një rekord kombëtar në këtë edicion të tetë të garës.

Gega shprehu emocionet e saj pas përfundimit të garës, duke theksuar se ishte një sfidë e dyfishtë për të, pasi gjatë dy ditëve të fundit kishte kaluar një grip të fortë.

“Kam nisur me frikë, sepse nuk e dija se sa do të arrija të mbaja, – tha Gega. – Kur vijnë kilometrat e fundit, trupi pëson një shok. Të vraposh në Tiranë është një kënaqësi më vete. Njerëzit që të urojnë rrugës dhe bëjnë tifo për ty, të japin një forcë që ti nuk mendon se e ke.”

Luiza Gega, e cila ka marrë pjesë në këtë maratonë për të tetin vit, theksoi rëndësinë e komunitetit që e mbështet atë në aventurat e saj sportive.

“Kam njerëz që më mbështesin në atë që bëj. Kjo maratonë është ndryshe nga çdo garë që bëj,” tha ajo.

Pjesëmarrësit dhe tifozët ishin të emocionuar për arritjen e Luiza Gegës, e cila vazhdon të jetë një model frymëzimi për të rinjtë dhe sportdashësit në Shqipëri. Ky rekord është një tjetër dëshmi e përkushtimit dhe talentit të saj në atletikë./atsh/KultPlus.com

Pikëtakim i habitshëm mes Rimbaud dhe Migjenit

“Të thashë se poeti duhet të jetë një “profet”, pra duhet të bëhemi “profetë”… Poeti i kërkon të gjitha format e dashurisë, të dhimbjes, të çmendurisë. Ai i provon në vetvete të gjitha helmet për të ruajtur veçse thelbësoret…” A. Rimbaud.

Nga letra dërguar mikut të tij Paul Demeny, 15 maj, 1871.

Rimbaud, ky gjeni!…

Arthur Rimbaud (Rembo) u shfaq vonë në botën e poezisë dhe të kulturës shqiptare. Ai erdhi me vargje tronditëse, vezulluese e magjike. Por sapo u shfaq, e kuptuan se ky poet vinte nga universi i gjeniut. E përqafuan njëherësh. E kthyen në mit. Në vitet 20’-30’ të shekullit të kaluar, jo pak liceistë të Liceut Francez të Korçës, recitonin në shkollë vargjet e Rimbaud. “Anija e dehur” apo “Një stinë në ferr” i rrëmbente të rinjtë dhe i çonte larg, në detra të tjerë drite, magjie dhe tallazi. Rimbaud dhe Verlaine vinin bashkë; bashkë me idhullin e tyre Charles Baudelaire dhe poetët e tjerë simbolistë. Sa herë përkthehej Baudelaire, do të përktheheshin dhe poetët e “mallkuar”, Rimbaud e Verlaine; do të flisnin në shqip dhe poetët e rrugës e të jetës boheme, të dhimbjes dhe dramës njerëzore, të ngazëllimit dhe shpresës. Poetët e humbjes së madhe. Të gjithë donin ta dëgjonin sërish këngën e tyre, që edhe ata të përvijonin në botë të tjera, në një tjetër jetë, atë të pavdekësisë. Dhe nuk ishin pak ata që donin t’u përngjanin.
Migjeni, me “Vargjet e lira” dhe forcën e vargut të tij, ishte një lloj Rimbaudi shqiptar. Në një tjetër ndjesi, me mistiken dhe imazhin poetik. Në një tjetër rrafsh edhe Lasgushi kishte diçka nga vargu i poetit të madh. A nuk shkruante ai:

“Se s’dashuroja as unë as ti,
por dashuronte dashuria,
një dashuri, një fshehtësi,
më e fshehtë se fshehtësia”?

Alkimi e Verbit si te Rimbaud? Vargu mistik?… Ngjizmë e shpirtit, e agut me terrin, e plagës dhe dashurisë, e protestës së moskuptimit? E megjithatë, ai që i ngjante vërtet një Rimbaudi shqiptar ishte Migjeni, Millosh Gjergj Nikolla, i cili, ashtu si Rimbaud, vdiq tepër i ri, larg familjes së tij, në një spital, i vetmuar, i trishtuar, i rrethuar me dashurinë dhe përkujdesjen e një motre, si dhe ai; larg me vdekjen e paralajmëruar, nga e cila nuk mund të shpëtonte. Olga e tij ishte si një Vitalie e Rimbaud, si ajo vajza e përgjëruar e Ardennes, me fytyrën e paqtë, e cila i qëndroi pranë deri në çastet e fundit; ashtu si Rimbaud, edhe Migjeni u shua në një gjumë të thellë, të pafund, në një dhomë të sanatoriumit të Santa Peliçes. Madje dhe si krijimtari, edhe Migjeni shkroi poezi në pak vite. Edhe ai ishte një yll poetik, që u shua shpejt. Pak poezi, por tepër të fuqishme, tronditëse. Si Rimbaud edhe zemra e tij klithte: “Do ta godas me grusht malin!”… Ashtu si ai edhe Migjeni nuk e besonte perëndinë, Zotat. Ai ishte i dënuar nga Kisha, pasi në poezinë “Blasfemi”, djaloshi i ri kishte shkruar:

“Shkëlqen shejtnia mbi zhguna dhe mjekra të hoxhallarëve
O sa engjuj të bukur, përpara derës së ferrit…”

Dhe së fundi, ashtu si Migjeni, që u dëshpërua thellë me librin e tij të parë “Vargjet e lira”, i cili u censurua menjëherë, edhe Rimbaud do të vritej në shpirt me një dhimbje të pafund, meqë ia kthyen krahët librit të tij të parë “Një stinë në ferr”, të cilën e çoi në Paris.
Padyshim që Migjeni do jetë frymëzuar nga poezia e Rimbaud, e cila, atë kohë, sapo ishte bërë e njohur në Shqipëri. Letrarët e parë, veçanërisht ata të Liceut Francez të Korçës, tashmë botonin përkthime nga Baudelaire dhe Rimbaud. Studenti i Grenoble, Dhimitër Shuteriqi, përkundej atëherë me vargjet e “Anija e dehur”. Migjeni duhet t’i ketë lexuar ato edhe në italisht. Dhe nga vetë vargu i lirë që përdorte, Migjeni i përngjante Rimbaud, me dëshirën për t’u shkëputur nga tradita poetike dhe për të qenë modern. Modern për një kohë të re, për një njeri të ri. “Duhet të jesh modern!”, shkruante Rimbaud, “…duhet një shoqëri e re”. “Të lindet njeriu”, shkruante më vonë Migjeni: “Na të birtë e shekullit të ri”. E habitshme gjithashtu edhe përafërsia e ndjesive që gjejmë dhe në dorëshkrimin e fundit të Migjenit, të shkruar në 27 korrik të vitit 1938, datë pas së cilës ai nuk do të shkruante më:

“Ku janë orët dhe muzat?
Shtajzovallet dhe zanat ku janë?
S’po flitet ma për vallet e tyre,
as për sytë e tyne,
që të shitojnë ose të bajnë fatbardhë, s’po flitet…”

(Fragment nga libri: “Rrugëtimi i mbramë i Arthur Rimbaud”)

Kullat shekullore të Dibrës hapin dyert për turistët, ndërtesat e vjetra të preferuarat e aventurierëve

E dini që në fshat më shumë histori se askund tjetër, sepse këtu flasin gurët. Janë pikërisht gurët që tregojnë historinë, shqiptarët dikur, kalanë e madhe e shndërruan në një kala të vogël, pran në një kullë duke jetuar aty ne një komunitet prej dhjetëra anëtarësh deri në katër breza.

Pikërisht kjo formë jetese është kthyer në një destinacion turistik të cilët e pëlqejnë turistët e huaj.

Vetëm në Luginën e Matit dikur ka pas dymijë ndërsa sot në këmbë qëndrojnë dy të cilat disa banorë mbajnë çelësat e disa të tjerë kanë hapur dyert për të mirëpritur pushuesit.

Por që turizmi në fshat të zhvillohet jo vetëm në pika agroturistike duhet të kontribuojmë ne dhe si bëhet kjo duke ardhur në fshat.

Sofjlla Kotelli eksperte e turizmit rural thotë: “Në fakt zonat tona rurale kanë kaq shumë potencial, tradita, këngë, valle, produkte lokale, kullat elementë të pafund arkitekturorë të cilat përbëjnë kaq shumë mundësi ashtu siç e meritojnë. Këta njerëz punëtor kanë punuar prej vitesh për të ruajtur traditën dhe sot është momenti që t’iu kthehet pas ajo çka ata kanë investuar”./TopChannel/KultPlus.com

“Lojëra Popullore Fest” në Shkodër, promovim i traditave mes brezave

“Lojëra Popullore Fest” titullohej aktiviteti i organizuar në qytetin e Shkodrës me pjesëmarrjen e trupave nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Tirana dhe Shkodra.

Në këtë aktivitet të zhvilluar në sheshin para bashkisë Shkodër, pjesëmarrësit e 10 trupave, me këngë, valle, lojëra popullore dhe me kostumet tradicionale përcollën një atmosferë të veçantë.

Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci tha se ky aktivitet synon promovimin e traditave brez pas brezi, në shërbim edhe të turizmit.

Në këtë aktivitet u ndanë edhe çmime, ku me vendin e parë u vlerësua Jahi Hasani nga Cegrani (Gostivar, Maqedonia e Veriut), të cilit iu dha kupa e festivalit nga Bekim Mema, drejtori i zyrës së Zhvillimit në Bashkinë Shkodër.

Me vendin e dytë u vlerësua Minatori i ri, Kishnicë (Kosovë) dhe me vendin e tretë Ansambli folklorik “Ana Morava”, nga Vitia e Kosovës.

Pjesë e këtij festivali ishin edhe shkolla “Luce Agraja” nga Dajçi, Qendra kulturore e Fëmijëve Kujtim Alia, Shkolla Speciale “3 Dhjetori”, Kopshti “Bep Tusha”, Shkolla “Liria”, etj”.

Me organizimin e këtij aktiviteti u shpalos fuqishëm mesazhi i përfshirjes sociale, pasurimi i jetës dhe rëndësia e angazhimit të rinisë në aktivitete të trashëgimisë kulturore.

Ky aktivitet u organizua nga “The Door” me mbështetjen e bashkisë Shkodër./KultPlus.com

Poezia e Andon Zako Çajupit për Naim Frashërin


Poezi nga Andon Zako Çajupi

Naim Frasheri

Vdiq Naimi, vdiq Naimi,
moj e mjera Shqiperi!
Mendjelarti, zemërtrimi,
vjershëtori si ai!

Vdiq Naimi, po vajtoni
shqipetarka, shqipetare!
Naimne kur ta kujtoni,
mos pushoni duke qare!

Vdiq Naimi, gjithè thone,
qani turq, qani kaure!
Bilbil’ i gjuhese tone
s’do te degjohet me kurre!

Vdiq Naimi, qe këndoi
trimërinë, Skënderbenë,
vdiq Naimi, qe lëvdoi
dhe nderoi mëmedhënë!

Vdiq Naimi, po ç’të gjeti,
o moj Shqipëri e mjerë!
Vdiq Naimi, po kush mbeti?
Si Naimi s’ka të tjeve.

Vdiq Naimi! Vdekj’ e shkrete,
pse more të tillë burrë?
I ndritë shpirti për jetë,
mos i vdektë nami kurrë! / KultPlus.com

Tym cigaresh


Poezi nga Sibilla Aleramo

Tym cigaresh.
Buzëqeshje të lehta.
E sërish tym,
fjolla të lehta,
nga buzët e mia,
çdo mbrëmje
pak minuta,
nga ballkoni i tij,
nga dritarja ime,
fjolla të lehta,
çelin buzëqeshje
dhe zërin s’ma njeh
dhe zërin s’ia njoh,
vetëm,
përmes fjollave të tymit
më pëlqejnë sytë e tij,
i pëlqejnë sytë e mi,
çdo mbrëmje
pak minuta,
një përshëndetje
fjollash tymi
lehtësi e hijshme gjestesh,
pikë e heshtur zjarri
ngrihet mbi kopshtin e përgjumur,
dhe asgjë tjetër,
ja kështu,
ndërsa pranë abazhurit
puna pret,
pak minuta,
çdo mbrëmje
për ca mbrëmje,
fjolla të lehta
fjolla të lehta./KultPlus.com

Ura e Mesit, një destinacion pas të cilit po dashurohen turistët

Ura e Mesit, e gjendur mbi lumin Kir në Shkodër, pas restaurimit të kohëve të fundit është kthyer në destinacion turistik.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga Ura e Mesit, e cila sipas tij, është kthyer në një destinacion “që po i bën edhe turistët e huaj të dashurohen me thesaret e trashëgimisë së Shkodrës, duke u shndërruar në pikën e preferuar për të ruajtur kujtimet nga Shqipëria”.

Në videon e sjellë nga kryeministri flet edhe një turist italian, që shprehet i mahnituar nga bukuritë e këtij vendi, të cilin e viziton për herë të parë.

“Kjo është spektaklore! Erdhëm me qëllim që ta shohim. Po kalojmë disa ditë në Shqipëri dhe u dashuruam me vendin”, thotë turisti italian.

Ndërkohë, në pamjet e publikuara shfaqen turistë, por dhe vendas që bëjnë foto dhe video mbi urë, fëmijë që luajnë pranë ujit të lumit dhe plot pamje mbresëlënëse të një prej pikave më piktoreske në Shkodër, që po kthehet në një atraksion absolut për turizmin në veri të Shqipërisë.

E ndërtuar në vitin 1768, Ura e Mesit është një nga perlat e arkitekturës dhe trashëgimisë sonë kulturore, që pret çdo ditë qindra vizitorë.

Me gjatësi 108 metra, gjerësi 3.40 metra dhe me 13 harqe josimetrike, për ndërtimin e saj janë përdorur gurë të latuar, ndërsa traseja është bërë me pllaka guri. Vlerat e kësaj ure shtohen dhe nga terreni piktoresk pranë saj me shkëmbinj dhe ujin e pastër./atsh/KultPlus.com

124 vjet pa Naim Frashërin, figura qendrore e Rilindjes Kombëtareqë u pagëzua për së gjalli si “Apostull i Shqiptarizmës”

Naim Frashëri lindi në Frashër të Dangëllisë më 25 maj 1846. Mësimet e para i mori në vendlindje, ku nisi të mësonte persishten pranë teqesë bektashiane. Më 1865 familja e tij u shpërngul në Janinë, ku ndoqi gjimnazin “Zosimea”. Mbas kthimit në vendlindje, ai bëri provat e para të vjershërimit shqip nën ndikimin e bejtexhinjve, por edhe persisht, në përmbledhjen “Tehajylat” (Ëndërrime) që e botoi në vitit 1885.

Naim Frashëri mori pjesë në ngjarjet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në mbledhjen e degëve të Jugut të Lidhjes Shqiptare në Frashër (1878). Ai iu kushtua punës për zgjimin kombëtar përmes lëvrimit të gjuhës shqipe e të letërsisë kombëtare dhe për ngritjen e shkollës shqipe e pajisjen e saj me tekste mësimore në gjuhën amtare. Më 1882 u vendos përfundimisht në Stamboll. Me përkushtimin dhe veprimtarinë e tij të dendur atdhetare e kulturore Naim Frashëri u bë figura qendrore e Rilindjes Kombëtare dhe u pagëzua për së gjalli si “Apostull i Shqiptarizmës”.

Për më pak se 20 vjet botoi një krijimtari të gjerë në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të tjera, poema, përmbledhje lirikash, prozë artistike, si dhe vjersha e tekste për shkollat dhe përkthime. Veprat e tij më të shquara janë “Bagëti e Bujqësija” (1886), përmbledhja me lirika atdhetare e filozofike “Luletë e verësë” (1890), poema epike “Istori e Skënderbeut” (1898), lirikat në persisht “Ëndërrime” si dhe poemat në gjuhën greke “O alithis pothos ton Skyperaton” (Dëshira e vërtetë e shqiptarëve, 1886), etj..

Vepra e Naim Frashërit është botuar dhe vazhdon të botohet gjerësisht dhe është bërë objekt studimesh shkencore. Naim Frashëri vdiq në Stamboll më 20 Tetor 1900. Eshtrat e tij u sollën në atdhe më 1937 dhe prehen në Memorialin e Rilindësve në Tiranë./ atsh / KultPlus.com

Shëtitje me kanoe e gondola veneciane: Mbi 200 mijë vizitorë në liqenin e Shkodrës deri në shtator

Liqeni i Shkodrës këtë sezon turistik ka shënuar një fluks të lartë vizitorësh.

Ky liqen, i cilësuar si një ndër potencialet e rëndësishme turistike në Shkodër, ofron mundësi për larmishmëri aktivitetesh.

Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura Shkodër, Agim Dardha bëri të ditur sot për ATSH-në se “liqeni i Shkodrës gjatë muajve janar-shtator u vizitua nga 203 550 vizitorë, nga të cilët 118 300 vendas dhe 85 250 të huaj”.

“Ky vit ka shënuar një rritje të konsiderueshme të vizitorëve si pasojë edhe të vendosjes së dy varkave turistike pranë molit të Shirokës, të mundësuara nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe qeveria shqiptare”, tha Dardha.

Këto varka, me kapacitet 33 vende secila, janë një mundësi për vizitorët në Shirokë për të shijuar magjinë e ujërave dhe peizazhit të liqenit më të madh në Ballkan.

Varkat i shtohen një rrjeti ndërhyrjesh që ka nisur me krijimin e tre moleve përgjatë liqenit dhe lumit Buna.

Një tjetër atraksion turistik që ka sjellë edhe shtimin e vizitorëve janë edhe sportet ujore.

“Shëtitjet me kanoe, varkat dhe gondolat veneciane kanë qenë të preferuarat e turistëve në liqenin e Shkodrës”, tha Dardha.

Udhëtimi me kanoe zgjat rreth 7 orë dhe përshkon rreth 18 km vijë lumore dhe liqenore, me peizazhe magjepsëse të natyrës si dhe shpendëve të shumtë në këtë zonë.

Sipas tij, një tjetër atraksion që vijon të tërheqë vizitorët është edhe vrojtimi i shpendëve.

“Liqeni i Shkodrës ka një faunë të pasur me 45 lloje peshqish e 270 lloje shpendësh. Këto shpendë përbëjnë 87% të gjithë Ornitofaunës së Shqipërisë”, tha Dardha.

Liqeni i Shkodrës ofron mundësi argëtimi dhe kënaqësie për të gjithë turistët që dëshirojnë të shijojnë turizmin aktiv. Ai është liqeni më i madh në Gadishullin e Ballkanit dhe shtrihet në kufirin ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi. Ekosistemi i liqenit ushqen faunën dhe florën e pasur dhe unike, duke e shndërruar atë në një qendër të rëndësishme biodiversiteti në Evropë./ atsh/ KultPlus.com

‘Mu zu një mall’

Poezi nga Lasgush Poradeci

Më zu një mall dhe sot,
E s’mund t’a shuaj.
Ri vasha largë-o Zot,
Që kaq po vuaj.

Kalojnë kot më kot
Muaj me muaj.
S’vjen vasha sot as mot,
Pa heq e vuaj.

Nuk vjen, e më s’di dot
Ç’t’i them t’i shkruaj!
Ah! mëndja po më lot
Që s’plas e vuaj!

Në vëndin t’im o Zot,
Jam vetë i huaj.
M’a sill ti vashën sot,
Që kaq po vuaj.

Mbështetur nga Google, një nga projektet më të mëdha diellore në SHBA hapet në Teksas

Një nga projektet më të mëdha diellore në SHBA u hap në Teksas të premten, i mbështetur nga ajo që Google tha se është blerja më e madhe e energjisë elektrike diellore që ka bërë ndonjëherë.

Ekzekutivi i Google, Ben Sloss, tha në prerjen e shiritit, rreth dy orë në jug të Dallasit, se korporata ka përgjegjësinë të sjellë në internet energjinë elektrike të rinovueshme, pa karbon, në të njëjtën kohë që hap operacione që do ta përdorin atë energji. Google pret të shpenzojë 16 miliardë dollarë deri në vitin 2040 globalisht për të blerë energji të pastër, tha ai.

Sekretarja e Energjisë e SHBA-së, Jennifer Granholm, e cila mori pjesë, tha se projekti diellor është një pasardhës për përpjekjet e administratës për të nxitur prodhuesit dhe zhvilluesit për të gjetur projektet e energjisë në SHBA

“Ndonjëherë kur je në mes të historisë, është e vështirë të thuash, sepse je në mes të saj,” tha ajo. “Por unë po ju them tani se ne jemi në mes të historisë që po krijohet.”SB Energy ndërtoi tre ferma diellore krah për krah, “Orion Solar Belt”, në Buckholts, Teksas. Të kombinuara, ato do të jenë në gjendje të sigurojnë 875 megavat energji të pastër. Kjo është pothuajse madhësia e një objekti tipik bërthamor. Në total, Google ka kontraktuar me zhvilluesit e energjisë së pastër për të sjellë më shumë se 2800 megavat projekte të reja me erë dhe diell në shtet, për të cilat thotë se tejkalojnë sasinë e energjisë së kërkuar për operacionet e tij atje.Google, Amazon dhe Microsoft kanë njoftuar së fundmi investime në energjinë bërthamore për të fuqizuar qendrat e të dhënave, pasi gjigantët e teknologjisë kërkojnë burime të reja të energjisë elektrike pa karbon për të përmbushur kërkesën në rritje nga qendrat e të dhënave dhe inteligjenca artificiale. Google ka një angazhim për të marrë të gjithë energjinë e tij elektrike pa kontribuar në ndryshimet klimatike, pavarësisht nga koha e ditës ose nëse dielli po lind, por as ajo dhe as kompanitë e tjera të mëdha nuk po i përmbushin këto angazhime me rritjen e inteligjencës artificiale .

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë parashikon që konsumi total i energjisë elektrike i qendrave të të dhënave mund të arrijë më shumë se 1000 teravat-orë në vitin 2026, më shumë se dyfishuar nga viti 2022. Vlerësimet sugjerojnë se një terawat-orë mund të furnizojë 70,000 shtëpi për një vit.Kërkesa për energji po rritet gjithashtu globalisht ndërsa ndërtesat dhe automjetet elektrizohen. Njerëzit përdorën më shumë energji elektrike se kurrë vitin e kaluar, duke vendosur tendosje në rrjetet elektrike në mbarë botën.

Në gusht, Google tha se planifikonte të investonte më shumë se 1 miliard dollarë në Teksas këtë vit për të mbështetur infrastrukturën e saj cloud dhe qendrave të të dhënave.

Google do të përdorë rreth 85% të energjisë diellore të projektit për qendrat e të dhënave në kontenë Ellis dhe për kompjuterin cloud në rajonin e Dallasit. Në Ellis County, Google operon një kampus të qendrës së të dhënave në Midlothian dhe po ndërton një kampus të ri në Red Oak. Pjesa tjetër e energjisë diellore do të shkojë në rrjetin elektrik të shtetit. Mijëra dele kullosin në zonë, duke ruajtur bimësinë rreth rrjeteve diellore.

“Ky projekt ishte një spreadsheet dhe një grup emailesh që unë kisha shkëmbyer dhe një mori miratimesh e kështu me radhë. Dhe pastaj vini mbi ngritjen atje dhe e shihni atë të shtrirë para jush dhe ju merr frymën disi, apo jo? Sepse ka një fushë të madhe të grupeve diellore, “tha Sloss gjatë ceremonisë. “Dhe ne në fakt kolektivisht e kemi bërë këtë. Kjo është e mahnitshme.”

SB Energy tha se shumica e komponentëve të fermave diellore prodhohen në Shtetet e Bashkuara dhe kjo është e mundur vetëm sepse ligji i klimës i njohur zyrtarisht si Akti i Reduktimit të Inflacionit nxiti prodhimin e energjisë së pastër. Kompania pret që projektet të jenë të parët që kualifikohen për një kredi shtesë tatimore që ligji ofron për përdorimin e përmbajtjes vendase./ AP – Syri.Net/ KultPlus.com

‘Askush s’do ta besojë’ nga e paharrueshmja Anita Bitri (VIDEO)

Në Festivalin e 29-të te Këngës në RTSH, në dhjetor të vitit 1990, Anita Bitri vlerësohet me çmimin e parë, me këngën ”Askush s’do ta besoj”, kompozim i Flamur Shehut dhe teksti Jorgo Papingji.

Dashurinë e parë kush nuk e provoi
Dhimbjen që la pas kush nuk e këndoi,
E këndoi, e këndoi…

Ku shkuan fjalët që mi thoshe me aq zjarr,
Ku shkuan lulet që m’i sillje plot me vesë
Ku fluturoi dashuria jonë e parë,
Ku shkoi motivi që më zgjonte çdo mëngjes?
Një këngë e vetme jo nuk është rinia
Por veç një dhimbje kam e do ta them,
Se një prej këngëve është dhe dashuria
Dhe këngë e saj ushton si një refren.

Jo nuk e besoj nuk është e lehte që ta mohoj
Kur dashurinë e parë, jo nuk e harroj
Mos me thuaj s’ më ndihmon,
Asnjëri s’do ta besojë.
Kur t’vijë nata do të vije vet’ të takoj.
Të takoj,të takoj..

Dashurinë e parë kush nuk e provoi
Dhimbjen që la pas kush nuk e këndoi,
E këndoi, e këndoi…/ KultPlus.com

Alkimisti: Pse thesarin e vërtetë e kemi brenda nesh

“Alkimisti” nga Paulo Coelho është një roman filozofik që ndjek udhëtimin e Santiagos, një bari i ri në moshë nga Spanja, që ëndërron të zbulojë një thesar të fshehur pranë piramidave të Egjiptit. Nëpërmjet aventurave të tij, Santiago nxjerr mësime të thella për jetën, fatin dhe rëndësinë e ndjekjes së ëndrrave të tua. Ja dhjetë mësime nga libri:

1. Ndiqni legjendën tuaj personale: Tema qendrore e “Alkimistit” është ideja e ndjekjes së “Legjendës personale” ose qëllimit të vërtetë që njeriu ka në jetë. Santiago mëson se të gjithë kanë një fat unik dhe është thelbësore ta ndjekim atë me pasion dhe vendosmëri. Zbulimi dhe ndjekja e ëndrrave të çon në përmbushje dhe lumturi.

2. Dëgjoni zemrën tuaj: Gjatë gjithë udhëtimit të tij, Santiago mëson të dëgjojë zemrën e tij, e cila e shpie drejt dëshirave të tij të vërteta. Romani thekson se zemrat tona shpesh e dinë atë që duam dhe duke u përshtatur me zërin tonë të brendshëm, ne mund të bëjmë zgjedhje që përputhen me veten tonë të vërtetë.

3. Udhëtimi është po aq i rëndësishëm sa destinacioni: Kërkimi i Santiagos për thesar i mëson atij se vetë udhëtimi ka vlerë të jashtëzakonshme. Çdo përvojë, sfidë dhe mësim që ai ndesh gjatë rrugës kontribuon në rritjen dhe zbulimin e tij. Romani ilustron se procesi i ndjekjes së ëndrrave është po aq kuptimplotë sa edhe realizimi i tyre.

4. Tejkalimi i frikës: Frika është një faktor që pengon shumë njerëz të ndjekin ëndrrat e tyre. Santiago mëson se tejkalimi i frikës është thelbësor për të arritur qëllimet e tij. Libri inkurajon lexuesit të përballen me frikën e tyre dhe të ndërmarrin rreziqe, pasi kjo është shpesh e nevojshme për rritjen dhe përmbushjen personale.

5. Përqafoni ndryshimin dhe përshtatuni: Udhëtimi i Santiagos është i mbushur me kthesa dhe ngjarje të papritura. Ai mëson se përshtatshmëria dhe hapja ndaj ndryshimit janë jetike për arritjen e qëllimeve të njeriut. Historia sugjeron se të qenit fleksibël dhe të gatshëm për të ndryshuar drejtimin mund të çojë në mundësi dhe njohuri të reja.

6. Rëndësia e besimit: Besimi luan një rol vendimtar në udhëtimin e Santiagos. Ai mëson t’i besojë procesit dhe të ketë besim në planin që universi ka për të. Romani ilustron se kur njerëzit kanë besim te vetja dhe ëndrrat e tyre, ata kanë më shumë gjasa të tërheqin burimet dhe mbështetjen që u nevojiten për të pasur sukses.

7. Ndërlidhja e të gjitha gjërave: “Alkimisti” thekson ndërlidhjen e të gjitha qenieve dhe universit. Santiago zbulon se gjithçka në jetë është e lidhur dhe duke e njohur këtë unitet, individët mund të kuptojnë më mirë vendin e tyre në botë. Kjo perspektivë nxit dhembshurinë dhe ndjeshmërinë ndaj të tjerëve.

8. Gjuha e botës: Gjatë gjithë udhëtimit të tij, Santiago mëson të komunikojë me botën përreth tij përmes shenjave dhe intuitës. Romani sugjeron që universi komunikon me individë, duke i udhëhequr ata drejt ëndrrave të tyre. Duke u përshtatur me këto mesazhe, individët mund të lundrojnë në rrugët e tyre në mënyrë më efektive.

9. Vlera e këmbënguljes: Santiago përballet me sfida dhe pengesa të shumta në kërkimin e tij, por këmbëngulja dhe vendosmëria e tij i mundësojnë të vazhdojë. Libri mëson se këmbëngulja është thelbësore për të kapërcyer pengesat dhe për të realizuar ëndrrat. Suksesi shpesh kërkon përpjekje dhe përkushtim të vazhdueshëm.

10. Thesari i vërtetë qëndron brenda: Në fund të fundit, Santiago zbulon se thesari i vërtetë nuk është vetëm pasuri materiale, por njohuritë, përvojat dhe mençuria e fituar gjatë udhëtimit të tij. Romani përcjell idenë se rritja personale dhe vetë-zbulimi janë rezultatet më të vlefshme të ndjekjes së ëndrrave të njeriut. Thesari i vërtetë qëndron në vetë udhëtimin dhe mësimet e nxjerra gjatë rrugës.

“Alkimisti” shërben si një kujtesë e fuqishme e rëndësisë së ndjekjes së ëndrrave, përqafimit të rrugëtimit të jetës dhe besimit në proces. Mendimet e përjetshme të Paulo Coelhos inkurajojnë lexuesit të kërkojnë qëllimin e tyre të vërtetë, të dëgjojnë zemrat e tyre dhe të njohin ndërlidhjen e të gjitha aspekteve të ekzistencës. Romani frymëzon një ndjenjë aventure, zbulimi të vetvetes dhe të kuptuarit se secili ka potencialin për të arritur Legjendën e tij Personale. / bota.al/ KultPlus.com

Epikteti: Domosdoshmëria e standardit

Epikteti (55-135), filozof greko-romak. Skllav nga Hierapolisi, kishte jetuar për një kohë në zotërimin e një skllavi të emancipuar në oborrin e Neronit. Pasi që e kishte fituar lirinë, ishte vendosur në Nikopolis, ku kishte hapur një shkollë të filozofisë. Mësimet e tij ishin transkpriptuar dhe botuar nga studenti i tij, Arriani. Në moshë të vonë Epikteti ishte tërhequr nga mësimdhënia, e kishte adoptuar një fëmijë jetim dhe i kishte jetuar vitet e mbetura në vetminë shtëpiake.

(Teksti në vijim është diskursi i njëmbëdhjetë nga libri i dytë, me titull, sipas botimit në anglisht, Starting philosophy).

DOMOSDOSHMËRIA E STANDARDIT

Nga Epikteti

Njerëzit që vijnë te filozofia nga rruga e duhur – nga dera e hyrjes, siç duhet të jetë – e fillojnë duke i njohur gabimet dhe kufizimet e veta në zonat e urgjencave më të mëdha. Trekëndëshi parakrahësh dhe shkalla gjysmë toni ose çerek toni – ne nuk kemi njohje relevante për këto tema kur vijmë në këtë botë. Na duhet të mësojmë për to më vonë përmes trajnimeve specialistike; me rezultatin se askush që nuk është i trajnuar në këto tema nuk pretendon se i njeh.

Situata është e kundërt në rastin e ideve tona mbi të mirë dhe të keqen, të drejtën dhe të gabuarën, të përshtatshmen dhe të papërshtatshmen, lumturinë, detyrën dhe obligimin. Ne vijmë në dritë me një kuptim të lindur se cila është domethënia e këtyre fjalëve. Kështu, secili i përdor ato, që do të thotë, secili përpiqet t’ia apikojë prekonceptin përkatës gjësë së caktuar.

‘Veprimi i saj qe i mirë, ishte detyra e saj, nuk ishte detyra e saj, ajo ishte me fat, ajo nuk ishte me fat, ajo është e ndershme, ajo është e pandershme…’. Dëgjojmë fraza të tilla gjithë kohës, ngase askush nuk ka asnjë fije dyshimi se si t’i përdorë fjalët. Askush nuk ndihet se i duhet të presë t’ia tregojnë kuptimin e tyre, në mënyrën se si dikur kemi qenë të detyruar të mësojmë shkronjat, apo të na mësojnë se si shqiptohen. Arsyeja është se ne vijmë në këtë botë duke i ditur disa gjëra që natyra, mund të thoni, veç na i kishte mësuar; dhe, duke e ndërtuar këtë njohje, ne i formojmë opinionet tona.

‘Mirë pra, çkado që të thuash, unë di ta dalloj të mirën nga e keqja dhe e kam një ide mbi të mirën’.

Ti e ke një, e pranoj.

‘Dhe e praktikoj atë’.

Ti e përdor atë në raste të caktuara.

‘Dhe e përdor në mënyrë korrekte’.

Epo, kjo është pika kruciale, ngase pikërisht këtu opinionet bëhen çështje. Duke filluar me idenë që e marrim për të mirëqenë, ne futemi në diskutime kurdo herë që i aplikojmë ato në mënyrë jokorrekte. Nëse, tok me idetë e lindura, ne vijmë në këtë botë me dijen se si do të aplikohen ato, atëherë do të jemi njerëz të mençur të përsosur që nga momenti i lindjes.

Tash, a mendon se ti e posedon atë njohje ekstra se si t’i aplikosh prekonceptet në raste të caktuara. Si e ke gjetur?

‘Është opinioni im’.

Por dikush tjetër e ka një opinion tjetër dhe po ashtu beson se ai është i vetmi që i aplikon në mënyrë korrekte prekonceptet. A kam të drejtë?

‘Ma ha mendja se po’.

Dhe nëse ju përplaseni rreth aplikimit të prekoncepteve, nuk mund të ndodhë që të dy t’i përdorni ato në mënyrë korrekte.

‘Sdo mend’.

Mirë pra, a mund të dalësh me ndonjë qëllim më të mirë të aplikimit të tyre se sa me opinionin tënd? Dua të them, një person i përhanur vepron në harmoni me opinionin e tij mbi atë çka është mirë; por në rastin e tij a mund të funksionojë si një udhërrëfyes adekuat?

‘Jo’.

Atëherë të lëvizim përtej opinioneve; a kemi ndonjë gjë më të mirë?

Ta marrim pikënisjen e filozofisë: ne dimë se njerëzit nuk mund të pajtohen me veten e tyre dhe jemi në kërkim të burimit të mospajtimeve të tyre. Me kohë, ne përbuzim dhe largojmë opinionet e thjeshta, dhe kërkojmë një mënyrë për të përcaktuar nëse një opinion është i drejtë ose i gabuar. Në fund, përqendrohemi të gjejmë një standard të cilin mund ta evokojmë, ashtu siç peshorja është sajuar për të matur peshat dhe vizorja e zdrukthëtarit që është ideuar për ta dalluar të drejtën nga e shtrembëra. Kjo është pikënisja e filozofisë.

A janë opinionet e çdonjërit të korrekte? Po si mund të jenë, kur disa sosh janë në konflikt me njëra-tjetrën?

Mirë pra, jo të gjitha janë korrekte. Por, të tonat janë.

Epo mirë, pse tonat në vend se ato të sirianëve apo egjiptianëve – pse i imi më parë se sa ato të cilido person që mund ta zgjedhim kuturu?

‘Nuk ka asnjë arsye’.

Prandaj, fakti se dikush i përmbahet këtij a atij opinioni nuk është i mjaftueshëm për ta bërë të vërtetë atë, për më tepër kur ne jemi të prirë të besojmë fjalën e një personi gjatë pazarllëkut tonë me peshimin dhe matjen. Në të dy rastet, pra, kemi zhvilluar një standard objektiv. Atëherë, a ka ndonjë standard për rastin tonë përtej opinionit? A janë vetëm vlerat njerëzore më të rëndësishme ato që do të mbesin të vagullta dhe subjektive? Duhet të ketë ndonjë. Pra, eja të shkojmë në kërkim të tij; dhe pasi ta kemi gjetur, le ta marrim përsipër që kurrë të mos bëjmë as edhe lëvizjen më të vogël pa iu referuar atij. E konceptoj këtë zbulim si një antidot të marrëzisë që rezulton nga mbështetja ekskluzive tek opinioni si kriter i së vërtetës. Dhe nga këtu, duke filluar me prekonceptet familjare, të përcaktuara qartë, do të vazhdojmë t’i aplikojmë ato te ngjarjet dhe te gjërat e veçanta në një mënyrë metodike.

Ma jep tash një temë për diskutim.

‘Kënaqësia’.

Mirë, le ta testojmë, le ta peshojmë. Që diçka të jetë e mirë, duhet të jetë diçka tek e cila varim shpresat dhe i besojmë.

‘Pajtohem’.

A mund të kemi besim në gjithçka që vjen e shkon.

‘Jo’.

A është kënaqësia konstante?

‘Jo’.

Atëherë hiqe nga peshorja dhe dëboje nga mbretëria e të mirave.

Por nëse ti nuk je aq mendjemprehtë dhe s’e kap herën e parë, le ta provojmë një test tjetër. Diçka e mirë duhet të jetë burim krenarie, e saktë?

‘Po’.

A mundet dikush të krenohet me një kënaqësi momentale? Të lutem, mos thuaj po, ose atëherë do të mendoj se ti mezi e meriton të konsiderohesh në të njëjtin nivel me kafshët e barrës.

Kjo është mënyra se si gjërat maten dhe mospajtimet zgjidhen – kur vendosen standardet. Filozofia mëton të testojë dhe të vërë standardet e tilla. Dhe njeriu i urtë këshillohet t’i përdorë gjetjet e tyre menjëherë.

/Marrë nga Epictetus, “Discourses and Selected Writings” (me përkthim të Robert Dubbin), Penguin, 2008 /Përkthimi Gazeta Express/ KultPlus.com

‘Asnjë njeri nuk ka qenë ndonjëherë rastësisht i mencur’

Thënie nga Seneka

Një prej cilësive më të bukura të miqësisë së vërtetë është të kuptosh dhe të të kuptojnë.

Eshtë rrugë e vështirë ajo që të shpie në lartësitë e madhështisë.

Lumturia e vërtetë është… të shijosh të tashmen, pa varësinë plot ankth prej të nesërmes.

Asnjë njeri nuk ka qenë ndonjëherë rastësisht i mencur.

Eshtë cilësia, jo sasia, ajo që ka rëndësi.

Feja shihet nga njerëzit e zakonshëm si e vërtetë, nga të mencurit si e pavërtetë, dhe nga sundimtarët si e dobishme.

Shpata nuk vret asnjëherë askënd; ajo është një mjet në duart e vrasësit.

Jeta është si një dramë: nuk është gjatësia, por shkëlqimi i aktorëve që kanë rëndësi.

Nëse nuk e di në cilin port po shkon, atëherë asnjë erë nuk është e favorshme.

Për babëzinë, e gjithë natyra është shumë pak.

E gjithë mizoria buron prej dobësië.

Sa më pak e meritojmë fatin e mirë, aq më shumë shpresojmë për të.

Ne jemi më shpesh të trembur, se sa të lënduar; dhe ne vuajmë më shumë nga imagjinata, se sa nga realiteti.

Nuk është se, për shkak se gjërat janë të vështira, ne nuk guxojmë; është për shkak se ne nuk guxojmë, që gjërat janë të vështira.

I shkon më shumë një burri që të qeshë me jetën, se sa të qahet prej saj.

Zemërimi është si ato rrënojat që shemben dhe përplasen me gjithcka që gjejnë poshtë.

Ne shpesh herë duam një gjë dhe lutemi për një tjetër, duke mos ua thënë të vërtetën as Perëndive.

Dita të cilës i trembemi si dita jonë e fundit, është në fakt lindja e përjetësisë.

Injorantët e shohin jetën ose si ekzistencë, ose si joekzistencë, por të mencurit e shohin si përtej ekzistencës dhe joekzistencës, dicka që shkon përtej të dyjave; ky është një vëzhgim i Rrugës së Mesme.

Nuk ka asgjë në botë që të admirohet aq shumë, sa një burrë që di si të përballojë palumturinë me kurajë.

Për shumë njerëz, rritja e pasurisë nuk u jep fund telasheve të tyre, vetëm sa ua ndryshon.

Vdekja është dëshira e disave, clirimi i të shumtëve, dhe fundi i të gjithëve.

Edhe pas një të korre të keqe, duhet të ketë sërish mbjellje. /Bota.al/ KultPlus.com

Kryeministri Kurti viziton kompanitë kosovare në panairin ‘Sial 2024’ në Paris

Në përvjetorin e 60 jubilar të panairit ndërkombëtar ‘Sial 2024’, kryeministri Albin Kurti bashkë me vartësit e tij Rozeta Hajdari e Faton Peci e Ambasadorin e Kosovës në Francë, Mehdi Halimi vizituan shtandin e Kosovës.

Tetë kompani nga Kosova janë në mesin e 750 ekspozuesve aty e të cilët janë nga 125 shtete të botës.

“Sivjet, në këtë panair, me mbështetjen e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë po marrin pjesë tetë kompani prodhuese vendore me potencial për rritje të eksportit, të cilat po prezantojnë produktet e tyre nga industria e përpunimit të produkteve bujqësore, industria e pemëve dhe perimeve, produkte konditorike, fruta të imta e të ngrira industriale, pije energjike dhe lëngje frutash”, thuhet në njoftimin që zyra e kryeministrisë u përcolli medieve për këtë ngjarje.

Pritjet janë që këtë vit pritet që panairi Sial të mbledhë mbi 256 mijë vizitorë, ndaj të cilëve do të ekspozohen produkte dhe makineri të sektorëve të ndryshëm ushqimor.

 “Kryeministri Kurti, së bashku me delegacionin e tij, në bashkëbisedim me përfaqësuesit e kompanive theksoi rëndësinë e krijimit të mundësive për prodhuesit nga Kosova dhe mbështetjen e tyre përballë sfidave dhe në rritjet e kapaciteteve eksportuese. Kjo mbështetje e mëtejshme për sektorin privat në Kosovë, së shpejti do të ofrohet edhe përmes Agjencisë për Investime dhe Eksporte në kuadër të Zyrës së Kryeministrit. Gjatë vizitës në panair, delegacioni i Qeverisë së Republikës së Kosovës, vizitoi edhe dy kompanitë nga Shqipëria pjesëmarrëse në këtë panair”. 

 Ndër të tjera thuhet se është e rëndësishme që promovimi i kompanive të Kosovës në panaire ndërkombëtare

Nga qeveria thuhet se promovimi i kompanive kosovare në panaire të tilla ndërkombëtare, sikur SIAL 2024, që njihet si panairi më i madh ndërkombëtar për industrinë ushqimore, është e rëndësishme për afirmimin e produkteve nga Kosova në tregjet ndërkombëtare.

“Kështu ndihmojmë rritjen e eksportit dhe përmirësimin e imazhit të vendit tonë si një vend me potencial të madh për zhvillim ekonomik dhe inovacion”, thuhet në komunikatë.