Shkrimtarja Rita Filipi (Rita Petro) do të jetë e pranishme në stendën e Kosovës (4.1 F96) nesër në orën 12:00, në panairin më të madh të librit në botë, në Frankfurt të Gjermanisë, përcjell KultPlus.
Nesër do të promovohet Antologjia me 13 shkrimtarë përfaqësues të letërsive kombëtare, projekt i Bashkimit Europian për Çmimet Letrare (EUPL).
Rita Petro është e përfshirë në këtë Antologji me një fragment nga romani “Lindur së prapthi” në shqip dhe në anglisht, përkthyer nga Suzana Vuljeviç. / KultPlus.com
Kompania e dans teatrit “Noa” në bashkëpunim me shoqatën “Yjet që nuk vdesin” me producent Nusret Pllana, kanë nisur rrugëtimin artistik për krijimin e shfaqjes dans teatër “Pas Luftës, kush jemi ne!?’, përcjell KultPlus.
Kjo shfaqje i dedikohet sakrificës, vuajtjeve dhe rezistencës së popullit tonë, me fokus tek kategoria e të zhdukurve si dhe fëmijët e vrarë.
Liria e fituar me shumë mund nga ne, është vlera më e lartë që ne si shoqëri e kemi, mirëpo, a jemi ne të vetëdijshëm për Lirinë tonë!? A e vleresojmë sa duhet sakrificën e nënave, baballarëve tanë… A jemi në nivelin ku kemi prosperuar me breza! A e duam atëdheun në nivelet e duhura! A jemi ne të humbur në raport me kategorinë e të zhdukurve në luftën e fundit! A po e mbajmë gjallë kujtimin dhe angazhimin për vlerat dhe sakrificë n e popullit tonë , apo ja kemi lënë fatit të kohës të merret me të …
Tendenca e shfaqjes dans deatër “Pas Luftës, Kush jemi ne!? është që nëpërmjet gjuhës së trupit, atë të fjalës, komponimit koreografik, qasjes bashkëkohore imazheve e të gjithë komponentëve të saj, të arrij në atë formë artistike që të ngjalli refleksion mbi atë se “kush jemi ne, pas luftës!?”, “a i vlereësojmë sa duhet vlerat e pakontestushme te luftës tone për liri”, e shumçka tjetër, që së shpejti do keni mundësi t’i shihni në premierën e cila realizohet pikërisht për nder të Festës së Nëntorit. / KultPlus.com
Ish-këngëtari i ”One Direction”, Liam Payne u gjet i vdekur, pasi 31-vjeçari ra nga ballkoni i dhomës së tij të katit të tretë, në një hotel në Buenos Aires, tha policia argjentinase, sipas Reuters.
Policia tha në një deklaratë se ata u thirrën në hotelin ”CasaSur”, pasi u njoftuan për një “burrë agresiv që mund të ishte nën efektin e drogës dhe alkoolit”.
”Kur arritën, menaxheri i hotelit raportoi se kishte dëgjuar një zhurmë të madhe nga oborri i brendshëm dhe policia zbuloi se një burrë kishte rënë nga ballkoni i dhomës së tij”, thuhet në deklaratë.
Ndërsa shumë nga detajet rreth rrethanave të vdekjes së tij mbeten të paqarta, Payne kishte folur publikisht për betejat e tij me shëndetin mendor dhe përdorimin e alkoolit për të përballuar presionet e famës.
Vdekja e tij çoi në një derdhje pikëllimi nga yjet dhe fansat e industrisë së muzikës, duke përfshirë ata mes turmës që u mblodhën jashtë hotelit.
Aktorja e njohur, Violeta Antier tha se kishte ardhur menjëherë pasi i thanë se Payne kishte vdekur.
“E pashë atë dy javë më parë në një koncert të Niall, një tjetër anëtar i One Direction. Ai ishte atje, e pashë”, tha ajo.
“Ai ishte në rregull”, shtoi Antier.
Payne ndoqi një koncert të 2 tetorit nga Horan në Buenos Aires.
Të dy kishin postuar video së bashku dhe me fansat./ KultPlus.com
Me një imazh të këndshëm (një shitës që bën pambuk sheqeri, qetësisht këndon një muzikë të lehtë turke), ka nisur mbrëmë premiera e shfaqjes “Të gjashtët kundër Turqisë”, me regji të Blerta Rrustemi-Nezirajt. Shfaqja e shkruar nga Jeton Neziraj, ka prekur një temë të ndjeshme, por tejet të domosdoshme për të dalë në pah e vërteta të cilën shpesh, asnjeri nga ne nuk dëshirojmë ta shohim e as ta dëgjojmë, shkruan KultPlus.
Ora shënoi fiks 20:17, kur të pranishmit tashmë veçse kishin mbushur hapësirën e Teatrit Oda, qosh më qosh. Zhurmimet e audiencës para nisjes tregonin një faktor kyç për interesimin që kishin për të parë këtë shfaqje. Loja nisi me një muzikë të qetë turke dhe imazhi i skenës na tregonte për krijimin e pambuk sheqerit dikund në një rrugicë të vogël, me një simbol të flamurit turk mu në krye. Por, shpejtë kalon në diçka tjetër. Shfaqja krijon një shfaqje brenda saj, më saktësisht, një “skenë” të improvizuar me emrin ‘Gerçek tiyatrosu’, që nëpërmjet një flamuri me dimensione të mëdha, shfaq dy kukulla që ironizonin me degradimin e demokracisë dhe ngritjen e regjimeve populiste-nacionaliste dhe autoritarizmit në Evropë, nëpërmjet personazheve si: Hoxha efendi dhe Tayip efendi. Ato lëviznin nën hije, njëlloj sikurse edhe pushteti që është në dorë të pushtetarëve të tanishëm të botës.
Skenografia e krijuar nga Alice Vanini i ka dhënë shfaqjes një estetikë të përmbushur mirë. Reflektorët e mëdha në të dy anët ndërronin ngjyrat në secilën skenë dhe çdo herë arrinin të krijonin një intensitet të paparë për ta dramatizuar më mirë shfaqjen, kësisoj edhe dalloheshin edhe atmosferat e ndryshme të skenave të ndryshme përbrenda.
Në shfaqje luajnë: Adrian Morina, Ernest Malazogu, Shpëtim Selmani, Verona Koxha, Albina Krasniqi dhe Don Shala. Qysh në fillim ata prezantojnë personazhet e tyre dhe tregojnë se marrin përgjegjësi vetëm për talentin e derdhur mbi atë skenë. “Ne marrim përgjegjësi për mundin, djersën, talentin që e derdhim në këtë skenë, madje edhe për këtë botë që tatëpjetën e ka marr. Por, refuzojmë të asocohemi prej skenave që do i shihni në vazhdim, që kanë ndodhur në realitet, jo shumë kohë më parë në Turqi, Pensilvani e Kosovë.”
Në vitin 2018, gjashtë mësues turq u arrestuan në Kosovë dhe u deportuan në Turqi. Lejeqëndrimet e tyre të lëshuara nga shteti i Kosovës u revokuan mbi argumentin se ata gjoja përbënin rrezik për sigurinë kombëtare. Gjashtë burrat kërkoheshin në Turqi për shkak të gjoja lidhjeve të tyre me klerikun në ekzil Fetullah Gulen, lëvizja e të cilit fajësohej nga shteti turk për grusht shtetin e dështuar të vitit 2016. Dhjetëra e mijëra mbështetës të dyshuar të Gulenit janë arrestuar apo kanë humbur vendet e tyre të punës në Turqi që nga grusht shteti i dështuar. Shumica janë deklaruar të pafajshëm. Guleni e ka mohuar se ai dhe mbështetësit e tij janë prapa përpjekjes për rrëzimin e qeverisë së Erdoganit.
Ndjeshmëria e kësaj çështjeje në Turqi nënkupton se edhe rrugëtimi deri tek procesi i provave nuk ka qenë i lehtë. Këtë e tregojnë edhe vetë aktorët, të cilët shpalosën se dy aktorë turk janë përzgjedhur nga thirrja e hapur specifikisht për këtë shfaqje, mirëpo ata menjëherë hoqën dorë nga frika e pushtetit të presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, për të cilin konsiderohet që ka një ideologji shtypëse.
“Të gjashtët kundër Turqisë” vazhdimisht ka shtruar pyetje për shoqëritë me pikëpamje specifike të cilat dështojnë të mbajnë premtime dhe për politikanët të cilët gjithnjë duan që të krijojnë pushtetin nën vazhdën e ideologjisë shtypëse. Por, shfaqja kalon edhe përtej kufijve, nëpërmjet skenave nga të cilat kërkohet llogari për regjimet shtypëse të pushtetarëve të tjerë të botës.
“Kushdo që flet për korrupsion, quhen/bëhen të burgosur politik”, “Në Turqi ka më shumë të burgosur politik se në Iran e Kinë”, “Turqia antidemokratike, e korrupsionit dhe e krimit”, janë disa nga mesazhet që epen në shfaqje, nëpërmjet lojës aktoreske të mrekullueshme. Në anën tjetër, “Nuk ka forcë që mund të na gjunjëzojë”, thotë personazhi i Tayip efendisë, i cili tenton të portretizojë më së miri luksin, mendësinë dhe çnjerëzimin e presidentit aktual të Turqisë.
Mes elementeve të shumta që ndonjëherë vinin jo të “ngjitura” mirë, më interesant qe ai i hologramit nga i cili fliste personazhi i Hoxha efendisë. Po ashtu, prania e bomave, armëve, koncepti i “nëntë jetëve”, moskallja e flamurit turk në skenë dhe dronit lëvizës e “mbikëqyrës”, tregonin shumë për prapaskenat e vijës së bardhë e të zezë, prapa të cilave fshihen pushtetarët e botës.
Po ashtu, koreografia nga Gjergj Prevazi dhe muzika nga Gabriele Marangoni, kanë shtuar një sharm të dukshëm në shfaqje. Vallëzimi i valles rrotulluese të figurës së dervishëve (sufistë të njohur në kulturën turke e jo vetëm), bukur ka plotësuar shfaqjen. E njëjta, ndodhi edhe në skenat e fundit ku mjegulla u bë pjesë e pandashme e hapësirës, që njëkohësisht portretizonte një mjegull që ka hyrë në mendësinë tonë, për t’i mbyllur sytë ndaj padrejtësive.
Si mace rruge janë konsideruar ata që frikën e kanë në palcë. Me këtë shfaqje, aktorët janë bërë zëri i atyre që nuk kanë zë, i atyre që janë të fshehur kudo në botë. Ata nuk mund të flasin sepse nuk kanë të drejta, mirëpo kjo shfaqje vjen si britmë për shpirtin e tyre. Pra, teatri është zhurma që këta aktorë e kanë krijuar për ta mposhtur atë frikë.
Gjithashtu, shfaqja vjen e frymëzuar nga tragjedia “Të shtatët kundër Tebës” e Eskilit, që për temë themelore ka momentin e duelit vëllavrasës mes dy djemve të Edipit, Eteoklit dhe Polinikut. Kolektivi ndërkombëtar teatror me artistë/e nga Kosova, Turqia dhe vende të tjera të BE-së, ka kapërthyer një temë të zorshme e cila zgjoi pikëpyetje të shumta përgjatë dy orëve interpretim.
Që nga ardhja në pushtet në vitin 2002, Recep Tayyip Erdogan ka mbikëqyrur një transformim radikal të Turqisë, që i ka hapur udhë një udhëheqjeje nga një njeri i vetëm. Sipas Institutit Ndërkombëtar për Demokraci dhe Asistencë Zgjedhore, numri i shteteve që po lëvizin kah autoritarizmi është më shumë se dyfishi i atyre që po lëvizin kah demokracia dhe se regjimet autoritare në botë e kanë thelluar shtypjen e tyre.
Aktori Adrian Morina për KultPlus ka folur për sfidat politike, mesazhin kyç e deri tek arritja e finalizimit të shfaqjes që ai beson se do të prezantohet edhe ndërkombëtarisht.
“”Të gjashtët kundër Turqisë”, është një vazhdimësi e shfaqjeve që i përkasin teatrit politik. Qendra Multimedia përveç pjesës së prodhimit të shfaqjeve, në vazhdimësi ka qenë e angazhuar në artikulimin e temave që njerëzit, artistët, nuk kanë guxim ose “nuk duan” të merren me to. Të vetëdijshëm për gjithë çfarë po ndodhë rreth nesh ose edhe me ne, ku çdo ditë e më tepër, liria e të drejtat elementare po na uzurpohen, nuk guxojmë të mos flasim e mos të reagojmë. Nëse jo ne? Atëherë kush?…Prandaj edhe si qytetar por edhe si aktor kam kënaqësi kur angazhohem në projekte si ky i fundit. Ka qenë një proces i gjatë, me shumë sfida edhe politike gjatë rrugës, me kolegë aktor turq që pavullnetshëm u desh të hiqnin dorë nga shfaqja për çështje sigurie, por besoj se ia kemi dalë të realizojmë një shfaqje të mirë. Besoj se shfaqja jo vetëm për shkak të temës por edhe për estetikën që ka, do të ketë jetë të gjatë dhe do të ketë mundësi të prezantohet edhe ndërkombëtarisht.”
Reprizat e radhës të shfaqjes “Të gjashtët kundër Turqisë” janë me 17 dhe 18 tetor, po në teatrin “Oda” në Prishtinë.
Jam shtri. Mbramje vonë. Kam bashkue përmbrapa duert e mija nën qafë. Kam ndezë cigaren e po kujtoj. Sa t’ambla janë casat e kujtimit! Ngadalë tres në një gjysëm pavetdijeje : koha më rrëmben me furin e vet. Ndij erën jashtë që furet me hov. Qelqet e dritares dridhen. Dridhet diçka thellë edhe mbrënda mejet. Kjo erë e furishme më zgjon një kujtim që kam fort për zemër.
Me duket se jam në klasë. Dimën. Dhoma e shkollës âsht e ftofët. Dridhen trupat e nxanesavet. Mësuesi, në kambë, flet.
Ăsht hollak, i gjatë. Drita e meket e ditës së dimnit përshkon qelqet e akullt të dritares e rreh fytyrën e zbehtë të mesuesit të letërsis. Mollezat e faqevet të tija duken ma të thella. Syt, drita ia qet ma të errët: duken se kanë humbue mbrenda gropavet. Floket gati të pangjyre ndehen rrallë e rrallë mbi kreun e madh: Si e kane ba kendimet ! Sa fort e ka prishe jeta. Asht mësuesi i gjuhës shqipe.
Ăsht mësuesi i im.
Flet. Flet me ato buze të holla. Zani i tij dridhet prej te ftoftit, dridhet prej mendimevet që e djegin, dridhet prej trupit qe e mundon.
E na, xanesat, dëgjojmë, përpijmë gjithçka.
Çdo lëvizje e buzëve të tija na mëson, na there.
Duert e holla e të thata të tija lëvizin idhnake mbi tryezën ku rrin. Ep shkoqitje. Siellet kah drrasa e zezë: Shkruen ndonjë emen. Mandej, shpejt drejtohet nga na.
Me’ majet e gishtavet te hapun ndeqe për sy syzat e trasha.
Flet : – Serembe, De Rada, Frasheri, Fishfa, Noli, Mjeda, Platonicus, Migjeni. E rreshton fjalorin e tij te zakonshem : « dri-dhje», «andje», « epsh», «anderr », «gaz », « dej », « vullnet », « fuqi » , « lem’im ». Ndërsa, kohë mbas kohet, si nje « refrain » vjen porosija e tij : « Djelm, ike koha t’a dijni, ike koha! Shijonie!
E fjalori shterret. Goja e mësuesit pëshpërite, heshte, mbyllet : Ngjiten buzet e tija. Por na, e dëgjojmë. Mbarë klasa thithe ajrin e përziemë me dufet e pafund të mesuesit. Mandej ndehet heshtja. Përjashta era fryen terbueshem.
Një ditë, mëngjes i ftofet dimni, cilet dera e klases : – Urdhen i Drejtorit – : « Mesuesi i gjuhes Shqipe Dr. Gasper Pali âsht i semunde rande. Ne mungese zavendesimi, klasa ka pushim ».
S’flet kurrnji. Rrijme ashtu ner banka. Presim. Por pritja asht e gjatë, teper e gjatë … : Mesuesi vuente ne shtrat: i shkyhej gjoksi !
Na kryejm pjekunin e pershendesim njeni tjetrin, noshta per te mbramen here: dallget e jetes do te na verviteshin kush’ di se kah!
Në një mëngjes vere një dorë e fortë trokiti ne derën e shtepis seme.
Dal. Ishte nji shok i imi. Ne fetyren e ti dallova shpejt nje dhimbe te madhe.
– Profesor Gasper Pali ka vdeke ! – tha shoku tue me shtrengue doren. Lajmo ner shoke.
Kishte ndrrue jete nji puntuer i letravet shqipe. Kishte pushue se rrahuni nje zemer qe kishte vuejte thelle jeten … !
Ishte zhduke mesuesi i im!
E mue mu lidh, ketu te fyti dicka si ny.
« Koha hik, ta dijni djelmoca, koha kalon!
Mbas pak vjen prendimi i andrrimevet!
Ta dijni, rreshqet gazi, shpejt shkyhet tisi i vegimeve te kryeme e mjerimi ne shpirt qe nisi m’u shpeshtue. Me thuej, pse kaq shpejt zbehen andrrat mbi bote? O… ndij perqethje per shka kam per te bjerre e shpirti me mbete i ftofte si muzg dhetori…!
Koha hik, ta dijni djelmoca, koha hik! Shijonie .. !
Keta me kujtohet mue sonte. E me hyejne thelle nje nga nje fjalet e tija.
E prap nji ndalim fryme ndij ketu permbrenda ne krahnuer … ! / KultPlus.com
Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Shkopit të Bardhë në qytetin e Durrësit u zhvillua një marshim nga persona të verbër, të cilët kërkuan të drejtat dhe theksuan nevojat e tyre.
Me thirrjet “Integrim, Dinjitet, Integritet” dhe me banderola e pankarta në duar, personat e verbër ngritën problematikën e hershme të mungesës së infrastrukturës dhe sinjalistikës.
Ata improvizuan një semafor akustik për të treguar rëndësinë e sinjalizimit zanor.
Pjesëmarrësit theksuan nevojat ekonomike dhe përshtatjen e trotuareve me shirita vizues, që u lehtësojnë lëvizjen e pavarur, pa ndihmën e kujdestarëve të tyre.
Dita Ndërkombëtare e Shkopit të Bardhë simbolizon pavarësinë dhe lirinë e lëvizjes për personat e verbër./ KultPlus.com
Dikur m’ka ndodhë të shkruaja për gjëra që s’i kuptoja plotësisht. Për fenomene fizike, por ato të shpirtit të zhveshin prej të gjitha mësimeve, shkollave, doktrinave, statistikave dhe ekuacioneve matematikore.
As sot s’jam i sigurt nëse kam kuptuar shumë ekuacione, por e di që s’mjaftojnë krejt shkollat e botës për t’i shpjeguar fenomene shpirti.
Dikur mbaja në shpinë ëndrra dhe thosha: bota është e vogël dhe unë i kam hapat e mëdhenj.
Tani shoh vitet përreth meje, mbaj në shpinë botën e madhe dhe e mat me hapat e mi të vegjël.
Sot ditët janë të shkurtra e netët të gjata dhe s’preferoj të shkruaj për gjëra të mëdha, për shembull: ëndrra për pushtimin e galaktikave.
Të kam thënë: ne s’e dimë asnjëherë çka humbim dhe çka fitojmë, ndonëse përditë na pëlqen t’i ngrehim lart flamujt e triumfit, është thënë, perënditë e humbjes s’njohin disfatë./ KultPlus.com
Një tjetër thesar i vyer i trashëgimisë sonë kulturore ka dalë në dritë, në kishën e Manastirit të Shën Kollit në Mesopotam.
Projekti i restaurimit vjen në zbatim të memorandumit të bashkëpunimit nënshkruar mes ish-Ministrisë së Kulturës dhe Qendrës Europiane për Monumentet Bizantine dhe Postbizantine.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale fotografi të pikturave murale, të cilat sipas tij, “po rilindin nga e para përmes restaurimit që po iu bëhet detaj pas detaji për të ruajtur dekorin autentik të tyre”.
Në Manastirin e Mesopotamit ndërhyrjet nisën prej datës 27 gusht dhe fokusohen në ndërhyrje konservuese/restauruese në pikturën murale të kësaj kishe.
Më herët, afresket kishin qenë të mbuluara nga llaçi dhe lyerjet me gëlqere.
Ndërhyrjet në këtë kishë, i përkasin fazës së parë të punimeve të parashikuara në një projekt, i cili është planifikuar të vazhdojë edhe në vitin 2025./ KultPlus.com
Përmes një komunikate për media, Policia ka thënë se nga 1 nëntori nuk do të lëshojnë vërtetime mbi të kaluarën kriminale.
“Policia e Kosovës, përmes kësaj komunikate zyrtare, njofton mediat dhe qytetarët se duke filluar nga data 01.11.2024, nuk do të lëshojë për palët kërkuese/qytetarët vërtetim për të kaluarën kriminale. Ndërprerja e lëshimit të vërtetimeve i referohet Ligjit Nr. 08/L-194 mbi Sistemin Qendror të Evidencës Penale, i cili shfuqizon çdo dispozitë tjetër ligjore që përcakton nxjerrjen apo lëshimin e certifikatave që ndërlidhen me evidencën penale. Departamenti i Evidencës Qendrore Penale pranë Këshillit Gjyqësor të Kosovës mbetet përgjegjës për t’i lëshuar këto vërtetime, prandaj palët kërkuese/qytetarët mund të aplikojnë në gjykatat që mbulojnë territorin e tyre.”/ KultPlus.com
Si të t’a them të shkretën vojtje që ndjej në zemër ças-përças, Atë durim të padurura të zemërimeve pa gas. Tashi zë çel një vrer në buzë, tashi zë ndrin një vaj në sy, Edhe të dhemb më keq se mua, edhe më dhemb më keq se ty.
Kjo këng’ e fellë e heshtjes s’ate, vështrim’i derdhur gjithë përdhe, Stolitë e hireve të tua ndaj shkon me turp si nuse e re, Dhe kaqë mijë dashurira, kaq dhëmbshuri që s’thuhet dot, M’a mbushin plot të mjerën zemër, vetëm me gas, vetëm me lot.
E pata pyetur vetëveten, me t’j-u përgjigjur vetvetiu- Pse kaqë zi ti motra ime, pse kaqë vrerë unë i ziu: Nuk paske qënë vrer e zi, po qënke vetëm dashuri, Qënke një dritë fshehtësije plot bukuri! plot bukuri!
Dhe më pëlqen ah zemërimi ndaj vjen e shkon e qesh e qaj’ Ndaj ri mendohem duke pyetur: a mos ke faj? a mos kam faj? Dhe ja! m’a fal çfardo mërije! dhe ja! t’a fal çfardo mëri! Dhe më mbush prapë plot me dritë, plot me të ëmblën dashuri./ KultPlus.com
Në përkujtim të 1-vjetorit të ndarjes nga jeta të shkrimtarit Milan Kundera dhe në kuadër të Tetorit të Librit, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës Çeke në Tiranë dhe Ambasadën franceze në Tiranë, zhvilluan veprimtarinë kulturore “In Memoriam Milan Kundera 1929-2023”.
Në nderim të kësaj figure komplekse, që nëpërmjet penës ndryshoi letërsinë e shekullit XX, për këtë veprimtari ligjëruan përkthyeset e veprës së Milan Kunderës: Anna Kareninová, përkthyese në gjuhën çeke, dhe Saverina Pasho, përkthyese në gjuhën shqipe. Nëpërmjet përvojave vetjake në procesin e përkthimit, ato analizuan profesionalisht veprën e Milan Kunderës dhe sollën një tablo se si shkrimtari, që i prezantoi Perëndimit Lindjen, “foli shqip”.
Me rastin e kësaj veprimtarie, Biblioteka Kombëtare çeli edhe ekspozitën “Kundera në koleksionet e Biliotekës Kombëtare të Shqipërisë”.
Në këtë aktivitet, drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Piro Misha u përshëndet edhe nga Pavel Vacek, ambasador i Republikës Çeke në Tiranë dhe Samuel Richard, Konsull i Parë në Ambasadën franceze në Tiranë./atsh/KultPlus.com
“Nëse të kam bërë të qash, ose të kam mërzitur qoftë edhe për një sekondë, më fal, e dashura ime perfekte”, kështu i shkruante në një nga letrat e pafund dramaturgu Arthur Miller, aktores së njohur Marilyn Monroe. Dhjetëra letra dashurie janë gjetur në arkivin personal të shkrimtarit, pjesa më e madhe dedikuar bjondes me të cilën pati historinë më të gjatë të dashurisë.
Në një letër që mban datën 30 prill 1956 kur Miller ishte duke i dhënë fund divorcit me Mary Slattery, tregohet pasioni i madh që i kishte rrëmbyer.
“Do të puth e do të mbaj në krahë deri sa bashkë të shkrihemi në ndodhi të papritura, e jashtëzakonisht të bukura, deri sa të dëgjosh psherëtimat e mia. E kur koka jote të prehet mbi shpatullën time, atëherë do të jem burri më i lumtur më botë…”, shkruan Miller.
Nga gjithë historitë e dashurisë, ajo me Miller do të ishte më e veçanta për aktoren, e cila pavarësisht kontraditave në fund të kësaj lidhjeje do ta ruante gjithnjë me dashuri në kujtesë. Ata u martuan më 29 korrik 1956. Çifti u takua në Lee Strasberg dhe miqtë janë shprehur se ajo e “magjepsi” Arthur Miller me një shikim. Pasi ata u martuan, Arthur shkroi një pjesë të Roslyn Taber në vitn 1961, “The Misfits” (Mospërshtatjet) posaçërisht për Marilyn Monroe. Fatkeqësisht martesa e Monroe dhe Arthur Miller mori fund në 20 janar 1961, kështu që filmi “The Misfits” (Mospërshtatjet) u duk sikur t’i përshtatej plotësisht situatës të krijuar mes çiftit.
Miller do të shprehej më vonë se “Unë nuk e kam kuptuar, se si Marilyn u bë një simbol i autenticitetit. Ndoshta kjo kish të bënte me faktin, se prej shikimit të saj burrat tradhëtonin dhe gratë indinjoheshin nga smira…”.
Pas vdekjes së saj, Miller do të ishte njeriu që do të përkufizonte më mirë karakterin e jetën e saj.
“Merlin vinte nga vitet dyzetë dhe pesëdhjetë. Ajo ishte dëshmia, se në psikikën amerikane seksualiteti dhe serioziteti nuk mund të ekzistonin bashkë, madje ato ishin në armiqësi e dy kontradikta përjashtuese mes tyre. Por më në fund Marilyn hapi rrugë dhe sërish asaj iu desh të pozojë nudo në një pishinë, që të mund të xhirohej një film”, shprehej ai./KultPlus.com
Fushata në terren për projektin shkencor në vazhdim “Korpusi i Mozaikëve të Shqipërisë”, një bashkëpunim midis Instituti Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore dhe CNRS-Paris, ka përfunduar me sukses për këtë vit.
Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore bëri me dije se, objektivi i projektit përfshin punën mbi mozaikun e vilës së Athinasë në Parkun Arkeologjik të Apolonisë dhe mozaikun e ambientit qendror të Bazilikës B në Parkun Arkeologjik të Bylisit.
Në këta dy mozaikë, ekipi realizoi rilevimin grafik dhe ortografik me dron, dokumentoi detajet e ndryshme të strukturave, studioi teknikat e ndërtimit dhe materialet e përdorura.
Gjithashtu u kryen ndërhyrje konservuese dhe konsoliduese aty ku ishte e nevojshme për ruajtjen dhe mbrojtjen e këtyre mozaikëve.
Çdo vit në këto parqe ndërhyhet në një mozaik, në konservimin e tij, si edhe kryhet një studim i imtësishëm për mënyrën e ndërtimit, atelienë që ka punuar për të, materialet dhe teknikat.
Bashkëpunimi midis dy institucioneve, Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore dhe Qendrës Kombëtare për Studime Shkencore, Lindja dhe Mesdheu, CNRS – Paris, – Universiteti Sorbone-Paris IV ALCP konsiderohet një pasuri shkencore dhe teknike për mozaikët në monumentet shqiptare./atsh/KultPlus.com
Në sallën “Forum” të COD-it, u shfaq një tjetër film shqiptar i restauruar.
Falë bashkëpunimit të Qendrës për Hapje dhe Dialog dhe Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, u shfaq komedia “Përrallë nga e kaluara“. Filmi i prodhuar nga kinostudio “Shqipëria e re”, është bazuar në novelën me titull “14 vjeç dhëndërr” të Andon Zako Çajupit. Regjisori Dhimitër Anagnosti i dha jetë kësaj novele me një trupë aktorësh të papërsëritshëm, në vitin 1987.
Komedia trajton historinë e martesës së Gjinos, 14-vjeçar me Marigonë 28-vjeçare. Filmi shpalos hakmarrjen e Marigosë me të gjithë ata që sajuan këtë martesë të pazakontë dhe ku në fund fiton duke u bashkuar sërish me njeriun që dashuronte.
E pranishme gjatë shfaqjes ishte edhe drejtoresha e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, Marinela Ndria, e cila bëri një panoramë mbi procesin e realizimit të një filmi të restauruar, gjithashtu dhe rrëfeu për punën kolosale që AQSHF ka zhvilluar për të ruajtur dhe servirur në gjendje optimale tek publiku këto pasuri kombëtare kinematografike./atsh/KultPlus.com
Sot janë bërë 45 vite nga koha kur Nënë Terezës iu dha çmimi Nobel për Paqe.
Anjezë Gonxhe Bojaxhiu lindi në Shkup, më 26 gusht 1910, e njohur zakonisht si Nënë Tereza e Kalkutës, ishte një murgeshë dhe misionare katolike indiane me prejardhje shqiptare. Jetoi në vendlindje për tetëmbëdhjetë vjet, ajo u shpërngul në Irlandë dhe më pas në Indi, ku jetoi pjesën më të madhe të jetës së saj, duke dhënë kontributin e saj bëmirës.
Nënë Tereza është nderuar me çmimet dhe nderimet më të larta, duke përfshirë: më 1962 Çmimin e Paqes Ramon Magsaysay dhe 1979 Çmimin Nobel për Paqe. Më 19 tetor 2003, ajo u lumturua dhe u quajt “Tereza e Bekuar e Kalkutës”.
Për t’u kanonizuar në shenjtore, asaj duhej t’i njihej një mrekulli e dytë, në bazë të rregullave të kishës katolike. Një mrekulli e dytë i është njohur nga Papa Françesku, në dhjetor të vitit 2015, duke i hapur rrugën që ajo të shpallet e shenjt nga Kisha Katolike e Romës. Kanonizimi i saj është bërë më 4 shtator 2016, një ditë para 19-vjetorit të vdekjes së saj (5 Shtator), ku njihet edhe si dita e saj e festës.
Një figurë e diskutueshme si gjatë jetës dhe pas vdekjes së saj, Nënë Tereza u admirua gjerësisht nga shumë njerëz për veprat e saj bamirëse. Ajo u vlerësua dhe u kritikua për akuza të ndryshme, të tilla si për pikëpamjet e saj për abortin dhe kontracepsion. Ajo gjithashtu ka marrë kritika për kushtet në shtëpitë që ajo ofronte për ata që ishin buzë vdekjes. Biografia e saj e autorizuar u shkrua nga Navin Chawla dhe u botua në 1992, ajo ka qenë subjekt i filmave dhe librave të tjerë./KultPlus.com
Sipas Kombeve të Bashkuara, 17 tetori i çdo viti shënon Ditën Ndërkombëtare për Zhdukjen e Varfërisë.
Që prej vitit 1993, ndërgjegjëson njerëzit për nevojën e zhdukjes së varfërisë në mbarë botën dhe veçanërisht në vendet në zhvillim. Organizata të ndryshme jo qeveritare dhe komunitetet e bamirësisë mbështesin këtë Ditë duke u bërë thirrje drejtuesve dhe qeveritarëve që në agjendën e tyre lufta kundër varfërisë të ketë prioritet.
Në 17 tetor të vitit 1987, më shumë se 100 mijë persona u mblodhën në Paris për të nderuar viktimat e varfërisë ekstreme , dhunës dhe urisë. Që prej atij momenti individë dhe organizatat në mbarë botën e shikonin 17 tetorin si një ditë ku mund të rikujtonin përkushtimin e tyre për t’i dhënë fund varfërisë.
Dhe pse 17 tetori u njoh si ditë zyrtare në vitin 1993, në shumë vende të tjera rreth botës kjo ditë përkujtohet që nga viti 1987./rtk/KultPlus.com
Sot, janë bërë 175 vite nga vdekja e njërit prej kompozitorëve më të mëdhenj të historisë, Frédéric Chopin.
Frédéric François Chopin konsiderohet gjerësisht si një nga kompozitorët më të mëdhenj në historinë e muzikës klasike. I lindur në Poloni në 1810, Chopin filloi të luante piano në një moshë të re dhe shpejt tregoi talent të jashtëzakonshëm. Ai studioi muzikë në Varshavë dhe më vonë në Paris, ku jetoi pjesën më të madhe të jetës së tij të rritur.
Muzika e Chopin është e njohur për elegancën, ndjeshmërinë dhe shkëlqimin teknik. Ai shkroi kryesisht për piano, dhe kompozimet e tij karakterizohen nga meloditë e tyre lirike, lulëzimi virtuoz dhe kompleksiteti harmonik. Shumë nga pjesët e tij, të tilla si “Nocturnes” e tij të famshme, janë shumë emocionale dhe ndjellëse, duke kapur një sërë humoresh dhe ndjenjash.
Muzika e Chopin ishte shumë me ndikim në zhvillimin e periudhës romantike në muzikën klasike, dhe ai shpesh konsiderohet një figurë kryesore në lëvizje. Veprat e tij ishin gjithashtu një burim frymëzimi për kompozitorët e mëvonshëm, duke përfshirë Debussy dhe Ravel.
Gjatë gjithë jetës së tij, Chopin luftoi me shëndetin e dobët, duke përfshirë tuberkulozin, i cili përfundimisht çoi në vdekjen e tij të parakohshme në moshën 39-vjeçare. Megjithatë, pavarësisht jetës së tij të shkurtër, trashëgimia e tij si kompozitor ka qëndruar dhe muzika e tij vazhdon të interpretohet dhe të festohet. Rreth botës. Sot ai mbahet mend si një nga kompozitorët më novatorë dhe më me ndikim në historinë e muzikës klasike. / KultPlus.com
Të hënën, më 21 tetor, duke filluar nga ora 18:00, në librarinë “Dukagjini” do të promovohet libri i autorit Rrahman Paçarizi, me titull “Hyrje në Psikolinguistikë”.
Libri ofron një tablo të përgjithshme të katër nënfushave kryesore të psikolinguistikës; prodimin e gjuhës, të kuptuarit e gjuhës, të nxënët e gjuhës dhe çrregullimet gjuhësore.
Në panel për të diskutuar rreth librit do të jenë gjuhëtari Shkumbin Munishi, gjuhëtarja Enkelejda Kapia dhe psikologu Labinot Balaj./KultPlus.com
Prej 5 deri më 8 nëntor do të mbahet edicioni i 23-të të Festivalit ReMusica, e që këtë vit a për temë “Togetherness – Së Bashku”, shkruan KultPlus.
Për katër ditë sa edhe do të zgjasë ky edicion i këtij festivali do të paraqitet një program, me theks të veçantë mbi përsosmërinë muzikore, zhvillimin edukativ dhe shkëmbimin kulturor global.
“Ky edicion do të jetë një festë e muzikës dhe artit, duke promovuar si shumëllojshmërinë ashtu dhe gjithëpërfshirjen”, thuhet nga organizatorët.
“Qëllimi i tij është të ngrisë skenën e muzikës klasike të Kosovës përmes gërshetimit të muzikës klasike dhe bashkëkohore, edukimit dhe diplomacisë kulturore, duke krijuar kështu mundësi të qëndrueshme për artistët dhe krijuesit e festivalit brenda rajonit” është detajuar më tutje.
Këtë vit, ReMusica vendos në qendër të vëmendjes artistët vendas me karriera ndërkombëtare, duke i bërë bashkë ata nga vende të ndryshme. Programi përfaqëson frymën e bashkimit, teksa këta artistë angazhohen në partneritete kuptimplota dhe shkëmbejnë perspektivat e tyre unike.
“Përveç këtyre performancave bashkëpunuese, këtë vit Festivali ReMusica është nikoqir i mysafirëve ndërkombëtarë, përfshirë udhëheqës të festivaleve europiane, organizata, anëtarë të medias ndërkombëtare, etj. Mysafirët do kenë privilegjin të përjetojnë festivalin në mënyrë unike, të eksplorojnë komunitetin artistik vendas dhe të hapin rrugë për mundësi dhe bashkëpunime në të ardhmen.Në zemër të festivalit zë vend pasioni dhe përkushtimi i artistëve të përfshirë, që kanë një ndikim të rëndësishëm në komunitetet e tyre, nga talentet lokale deri te yjet ndërkombëtarë” thuhet më tutje për përmbajtjen e programit të sivjetmë.
Edicioni i 23-të me mbi 200 pjesëmarrës nga Kosova, Belgjika, Franca, Portugalia, Austria, Gjermania, Spanja, Italia dhe nga e gjithë Europa, do t’ofrojë një program të gjerë, duke filluar nga Koncertet: me artistët më të çmuar të skenave botërore dhe vendore; Diskutime: Panele diskutimi me tema të rëndësishme si qëndrueshmëria dhe praktikat mjedisore brenda industrisë duke synuar krijimin e një platformë për dialog ekspertësh dhe shkëmbim idesh.; Koncertet akusmatike & elektroakustike; Rrjetëzim: mundësi për rrjetëzim, bashkëpunim dhe krijim lidhjesh midis artistëve vendas, mysafirëve ndërkombëtarë, krijuesve të festivaleve dhe profesionistëve të industrisë; Programi Edukativ – punëtori dhe masterklasa, një mjedis dinamik dhe pasurues ku artistët, studentët dhe dashamirët e muzikës mund të bashkohen për të shkëmbyer ide, ndërtuar lidhje dhe frymëzuar njëri-tjetrin. Poashtu, Festivali do të përfshijë një gamë aktivitetesh, duke përfshirë programin tradicional ReMusica Junior për fëmijë, punëtori, programin ReNeë për artistë të rinj dhe shumë më tepër!
Kurse për artistët pjesëmarrës të këtij edicioni, organizatorët kanë shpalosë disa prej emrave, e ata janë: Petrit Çeku, Raquel Andueza, Elbenita Kajtazi, ReVocal Ensemble, Trio Elogio, Margherita Berlanda ./ KultPlus.com
Skupifestival në natën e tretë me radhë vazhdoi me shfaqjen teatrore nga CIE. Toula Limnaios nga Berlini i Gjermanisë, është e frymëzuar nga krijimtaria muzikore e Gustav Majer dhe i kushtohet “fëmijëve të pluhurit”, që në njëfarë mënyre jemi ne.
Ata janë të ngulitur thellë në kujtimet tona individuale dhe universal, në “staubkinder” (fëmijët e pluhurit), ne e lëmë veten të na dërgojnë në një botë absurde dhe konfuze. Një botë e ngjashme me tonën, më kritike në aspektet e së tashmes, në kompleksitetin e të sotshmes dhe kjo hapësirë e pasigurt e quajtur e ardhme. “Fëmijët e pluhurit” ku po kërkojnë një strehë, tokën ku këmbët e tyre qëndrojnë është e huaj për ta. Shqetësuese dhe poetike në të njëjtën kohë.
Ekziston një pikturë nga Pol Kle e quajtur “Engjulli i Ri”. Ajo përshkruan një engjëll që duket sikur do të largohet nga diçka që po e shikon , ai ndoshta nuk do të donte të zgjatej, të zgjonte të vdekurit dhe të bashkonte atë që është copëtuar.
Por një stuhi fryn nga parajsa e kap për krahët e tij aq të fortë, sa engjëlli nuk mund t’i mbyllë më. Kjo stuhi e shtyn atë në mënyrë të pashmangshme drejt së ardhmes, së cilës ai ia kthen shpinën, ndërsa grumbulli i rrënojave para tij rritet drejt qiellit. E ajo që ne e quajmë progres është kjo stuhia.
Sonte në natën e radhës, gjithashtu në teatrin shqiptar Shkup në ra 20:00, Skupifestival në program ka shfaqjen “Nizhinski” nga L’ Amphitheatro & Oh DA! Bukuresht, Rumani./KultPlus.com
Artur Milleri i lindur në Nju Jork, vije nga një familje e jahudive austriak që ishin mërguar në ShBA. Familja e tij humbi pasurin gjatë viteve të krizës ekonomike botërore. Nga viti 1934, Milleri studioj publicistiken dhe gjuhen dhe literaturën angleze pranë Universitetit të Miçigenit. Krahas studimeve ai punojë ndër të tjera edhe si reporter dhe ndihmës në labor. Pas përfundimit të studimeve më 1938, Milleri shkroi pjesë për dëgjim dhe pjesë aktrimi.
Më 1945 doli romani i tij Pika Kyçe i cili e bëri të njohur Millerin si tregimtar. Shpërthimin si dramaturg i solli drama e tij Të Gjithë Bijtë E Mij (1947): Një fabrikat makinash me dijeni dërgonte pjesë rezeve të prishura për forcat ajrore, dhe në këtë mënyrë shkakton rrëzimin e 21 avionëve dhe vdekjen e njësiteve ushtarake në to. vetëm vetëvrasja e të birit të tij shkakton që edhe ky të ndiejë vetën përgjegjës për të tjerët. Më 1949, Milleri arrin sukses botërorë me Vdekja e Tregtarit Udhëtar.
Në dramën e tij Shikimi Prej Urës (1955) ai tematizonë ngjarjen e xhelozisë në mileun italiano-amerikan të qarkut të limani të Nju Jorkut nën urën e Bruklinit. Ndërsa pjesa e tij Kujtimi Në Dy Të Hënat (1955) paraqet botën moderne të punishteve. Nga mesi i viteve 50-ta, Milleri citohet nga senatori Mek Karti (McCarth) iKomiteut për sjellje jo amerikane, dhe denucohet si mik i komunistëve. Një padi në të holla dhe burgim e ngrehur për shkak të mos pranimit që të fliste më vonë u tërhoq.
Më 1956 Milleri për herë të dytë martohet, këtë herë me Merlin Monron (Marilyn Monroe); për atë, ky shkroi më 1959 librin e filmit të Gjon Hustonit (John Huston) I Pashoqërueshëm (1961) – filmi i fundit si për Merlin Monron po ashtu edhe për Klark Gablesin (Clark Gables). Në dramën Pas Mëkatit (1964), Milleri lëkundet për përkushtimet qendrore të tij, pyetja e fajit dhe përgjegjësisë së individit dhe shoqërisë.
Figura e avokatit merret si pasqyrë vetëfigurimit të Millerit, me figurën Magi ai portretronë ish gruan e tij tani më të vdekur Merlin Monron. Në dramën Çmimi (1968) Milleri demonstron se si shkatërrohen marrëdhëniet njerëzore nëpërmjet këmbënguljes së arritjes së qëllimeve ekonomike egoiste. Më 1983, Milleri inskenon në Pekin në teatrin popullor me aktor kinez pjesën Vdekja e Tregtarit Udhëtar. Rreth kësaj pune ai ka botuar një ditarë. Përkrahë Tenesi Uiliamit (Tennesse Williams), Milleri merret si përfaqësuesi më i rëndësishëm i realizmit psikologjik amerikanë. / KultPlus.com
Në Laboratorin e Restaurimit të Veprave të Artit në DRTK Berat, ka nisur procedura restauruese e dy ikonave: Ikona “Shën Mëria” e gjetur në kishën e Shën Gjergjit në fshatin Libofshë të Qarkut Fier, me autorë vëllezërit Çetiri dhe ikona “Krishti” e gjetur po në Libofshë të Qarkut Fier, nga të njëjtët autorë.
Të dy ikonat që po i nënshtrohen këtij restaurimi janë pjesë e fondit të ikonave të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Berat dhe ndërhyrjet po kryhen nga restauratorët e kësaj DRTK-je.
Procesi i ndërhyrjes restauruese do të kalojë nëpër këto faza: Konsolidimi i pikturës së ikonës, dezinfektim, pastrim dhe rivendosje e vernikut për mbrojtjen e pikturës së ikonës./atsh/KultPlus.com
Ora e Shkrimtarit me Ibrahim Kadriun, e cila u mbajt të mërkurën, më 16 tetor 2024, në Bibliotekën e Qytetit “Fan S. Noli” në Gjilan, ishte një aktivitet i rrallë kulturor, me pjesëmarrje të shkrimtarëve, miqve, bashkëpunëtorëve, lexuesve të shumtë të shkrimtarit.
Në holin e Bibliotekës, para derës të sallës së promovimeve, në rafte të bukura ishin vendosur pothuajse të gjitha veprat e Ibrahim Kadriut, të cilat krijonin një pamje të mrekullueshme për lexuesin e tyre dhe për vizitorët, por edhe një ndjenjë të veçantë dhe të paharruar për shkrimtarin, i cili e kishte kontaktin e parë me veprat e tij të ekspozuara në atë mënyrë.
Në fillim të fjalës së tij, poeti dhe studiuesi Sali Bashota, foli në pika të shkurtra për veprimtarinë letrare të Ibrahim Kadriut, duke vlerësuar poezinë, prozën, publicistikën e tij brenda një periudhe të gjatë kohore. Në mënyrë të veçantë përmendi kontributin e Ibrahim Kadriut në fushën e romanit, sidomos përkushtimin e tij në trajtimin e temave të ndryshme, duke e dalluar edhe vlerën letrare dhe estetike të romaneve të tij.
Prozatori dhe përkthyesi, Binak Kelmendi, foli për jetëshkrimin e autorit, duke thënë “se veprat e Ibrahim Kadriut, në mesin e tyre mbi njëzet vepra, janë botuar në njëmbëdhjetë gjuhë të ndryshme: frëngjisht, anglisht, italisht, suedisht, greqisht, turqisht, arabisht etj., ndërkaq romani më popullarizuar është “Misioni rus”, i cili është përkthyer frëngjisht, turqisht dhe kroatisht”.
Më tutje Kelmendi, tha se Ibrahim Kadriu “është i përfshirë mbi njëzet antologji të ndryshme dhe është nderuar me shumë çmime letrare, në mesin e të cilave edhe me çmimin “Romancier i vitit” për romanin “Pjella e dreqit” nga PEN Qendra e Shqipërisë, roman ky i cili është nderuar edhe me çmimin e Ministrisë së Kulturës të Kosovës, e cila e ka nderuar shkrimtarin edhe me çmimin për vepër jetësore “Azem Shkreli”.
Në fjalën e tij, Ibrahim Kadriu, shpalosi kujtime dhe përjetime, duke përfshirë një periudhë të gjatë kohore nga fillimet e krijimtarisë së tij letrare deri më sot, me ç’rast në mënyrë të veçantë i përmendi veprat e tij : “Kalorësi i Karadakut”, “Ethet e një dimri”, “Misioni rus”, “Varri i shitur në Damask” “Kapërcimi i ujit të madh”, pastaj veprat që trajtojnë aktualitetin real: “Kroi i ilaçit”, “Në Vajhall”, “Të vdekurit e gjallë”, “Ata dy të burgjeve” , “Vese në peshojë” etj., duke konstatuar
se “qasja në formën e pyetjes është interesante, sepse kërkohet përgjigjja në vetën e parë, një pyetje për zbërthim të dilemës rreth përkushtimit të shkrimit letrar pse shkruaj? Duke i dhënë vetes detyrë të përgjigjem, jam i vetëdijshëm se kjo pyetje edhe pse në esencë është e thjeshtë, synon për një përgjigje të ndërlikuar për të ardhur deri te saktësia e saj reale. Kur para dëshirës për kuptimin e një veprimi zë vend pse-ja, përgjigjja mbështetet në momentin e rrumbullakimit të një ideje që cilëson vlerë letrare e cila vjen si shprehje artistike, si formulim me nuanca adekuate arti që dallojnë nga shprehjet e zakonshme.”
Në vijim të paraqitjes së tij, në esenë “Si e shkruaj romanin”, Kadriu tha se “shkruaj sepse ndiej kënaqësi kur investoj mund për formimin e galerisë të personazheve që më rrinë gatitu dhe presin t’i sistemoj sipas karaktereve. Për ato karaktere unë jam Zot, derisa i fus nëpër situata dhe operoj me ta siç dua vetë; i shtyj andej-këndej, i bëj trima, por edhe idiotë. Askujt nuk i jap përgjegjësi. Veproj me ata siç dua vetë pa qenë i shtyrë nga ndonjë tutor. Ata, pra, personazhet, më japin vullnet, por ndodh edhe të më shqetësojnë e, nganjëherë, edhe më lëndojnë shpirtërisht, atëherë kur vjen në shprehje situata dramatike, siç ka ndodh në realitet, kur e kam zbërthyer një fragment romani”.
Gjithashtu, Ibrahim Kadriu, foli edhe për procesin krijues të veprave të tij me poezi, duke thënë se ”Unë shkruaj poezi, sepse e konsideroj si mjet të fuqishëm të shprehjes. Meqë poezisë i jap rëndësi, sepse bazohem në atë mendimin se poezia mund të trajtojë tema të ndryshme, nga dashuria dhe humbja, deri te politika dhe natyra, duke u bërë pasqyrë e shpirtit njerëzor, në aso pasqyre ku mund të shikojnë ose ndiejnë, edhe të tjerët të cilëve iu referohet poezia, domethënë lexuesve të sinqertë dhe të vërtetë. Shkruaj poezi, sepse ajo është një lloj forme e protestës dhe kritikës sociale”.
Në një atmosferë mjaft të përzemërt, shkrimtari Ibrahim Kadriu, iu përgjigj pyetjeve të shumta të pjesëmarrësve, në mesin e tyre, Izet Kallaba, Sarë Gjergji, Sabit Rrustemi, Nexhat Rexha, Qazim Azizi, Mehmedali Rexhepi, Lirije Osmani, etj., pyetje që ishin të ndërlidhura kryesisht me krijimtarinë tij, pastaj edhe me ambientin e Karadakut, personazhet reale, për formën e të shkruarit të reportazheve, kujtimet për shkrimtarët dhe miqtë e tij të penës etj.
Projekti Ora e Shkrimtarit është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës./KultPlus.com
Me Rivierën e saj verbuese, qytetet e lashta dhe peizazhet spektakolare malore, nuk është çudi që ky vend ballkanik shumë shpejt po shndërrohet në një destinacion i preferuar turistik në Evropë, shkruan Dilvin Yasa në një artikull të botuar në revistën australiane “Escape”.
E vendosur në bregdetin e Adriatikut midis Kroacisë dhe Greqisë, Shqipëria ka një kulturë dhe histori magjepsëse dhe një bukuri natyrore të pacënuar.
Po mendoni të vizitoni Shqipërinë? Më poshtë kemi renditur disa rekomandime përpara se të nisni udhëtimin tuaj:
Monedha zyrtare mund të jetë leku shqiptar, por euro pranohet kudo.
Pavarësisht rritjes së turizmit, Shqipëria vazhdon të ketë çmime të përballueshme. Një vakt mishi për dy persona, duke përfshirë birrat, kushton 30 dollarë; një kafe rreth 1,50 dollarë; dhe 1 byrek 1 dollarë.
Shqiptarët janë të ngrohtë dhe mikpritës. Vendi mesdhetar është një destinacion i sigurt – dhe vendasit miqësorë bëjnë gjithçka për t’ju bërë të ndiheni i mirëpritur.
Ata kanë gjithë kohën e botës për të biseduar me ju, gjithashtu pa pritur asgjë në këmbim.
Gjatë vizitës tuaj në Shqipëri, provoni ushqimet si byrek, speca të mbushur, gjethe hardhie të mbushura me oriz, qofte apo spageti me mish të grirë.
Nëse nuk porosisni pjata tradicionale si qengji i pjekur – ju mund të zgjidhni midis të njëjtave pjata në çdo restorant, çdo ditë.
Ushqimin meksikan ose tajlandez, mund ta gjeni vetëm në Tiranë.
Ju do të gjeni një ëmbëlsirë specifike për çdo rajon që vizitoni – Kabuni – mish i qengjit i gatuar me oriz, rrush të thatë dhe kanellë, në Krujë dhe Oshaf – qumësht dele, puding fiku dhe kanellë, në Gjirokastër.
Puding orizi, veçanërisht në restorantin “Era” të Tiranës është i shkëlqyer dhe gjerësisht i disponueshëm kudo.
Qytetet e Shqipërisë janë kompakte përfshirë Tiranën dhe lehtësisht të kalueshme. Vishni këpucët tuaja më të rehatshme për ecje dhe vizitoni pikat turistike të vendit.
Ju rekomandojmë të vizitoni Shqipërinë pasi të ketë mbaruar piku i sezonit veror. Sigurohuni që aventura juaj shqiptare të përfundojë në fund të shtatorit.
Vizitoni vendin e bukur mesdhetar në tetor dhe do të zbuloni qytete kryesisht të qeta turistike pa turma njerëzish./atsh/KultPlus.com