’Chatroom’ me regji të Erson Zymberit, premierë në Teatrin e Gjilanit

Teatri i Gjilanit sjell premierën e shfaqjes ‘Chatroom’, vepër e shkruar nga dramaturgu irlandez Enda Walsh, përcjell KultPlus.

E shkruar nga dramaturgu irlandez Enda Walsh dhe me regji nga Erson Zymberi, kjo vepër sjell në qendër gjashtë adoleshentë që takohen në një chatroom online. Ajo që nis si një bisedë e zakonshme mes të panjohurish, shndërrohet shpejt në një lojë të rrezikshme mendore, ku fjalët e shkruara marrin formën e dhunës më të pastër psikologjike.

Në vijim gjeni njoftimin e plotë:

📣 PREMIERË – CHATROOM | nga Enda Walsh, regjisor Erson Zymberi

📅 21 & 22 Qershor | 🕗 Ora 20:00
📍 Teatri i Gjilanit

Aktorë: Elton Tahiri, Andi Bajgora, Fiona Abdullahu, Rinesa Behluli, Drin Berisha

Skenograf: Bekim Korça, Kostumografe: Njomëza Luci, Dizajni i dritave dhe video artist: Burim Baftiu

Për shfaqjen:
Në një kohë kur bisedat virtuale zëvendësojnë kontaktin njerëzor, dhe vetmia shpesh maskohet pas ekraneve të ndritshëm, Chatroom është një dramë therëse dhe urgjente që eksploron errësirën psikologjike të adoleshencës moderne.

E shkruar nga dramaturgu irlandez Enda Walsh dhe me regji nga Erson Zymberi, kjo vepër sjell në qendër gjashtë adoleshentë që takohen në një chatroom online. Ajo që nis si një bisedë e zakonshme mes të panjohurish, shndërrohet shpejt në një lojë të rrezikshme mendore, ku fjalët e shkruara marrin formën e dhunës më të pastër psikologjike.

Chatroom nuk është thjesht një kritikë e botës digjitale – është një vëzhgim i mprehtë i mungesës së ndërlidhjes së vërtetë mes njerëzve. Pavarësisht se bashkëbiseduesit janë në të njëjtin qytet dhe moshë, ata janë të ndarë nga një distancë e frikshme emocionale dhe morale.

Në thelb, Chatroom është një pasqyrë e gjeneratës digjitale – e mbingarkuar me informacione, por e varfër në ndjeshmëri. Është një thirrje për ndërgjegjësim: për të kuptuar fuqinë e fjalës, për të zbuluar përgjegjësinë që mbart komunikimi – qoftë ai i shkruar apo i heshtur.

Chatroom është një dramë që na thërret të shohim më thellë – përtej ekraneve, përtej maskave, përtej heshtjes.

Shfaqja është produksion nga Elton Tahiri dhe vjen premierë në Teatrin e Gjilanit më 21 dhe 22 qershor nga ora 20:00.

Audienca: + 16/KultPlus.com

82-vjetori i lindjes së Ukshin Hotit, përkujtohet nga Kryeministri Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes rrjeteve sociale ka bërë përkujtimin e 82-vjetorit të lindjes së profesor Ukshin Hotit. Ai e ka përshkruar Hotin si një mendje të rrallë dhe një figurë të rëndësishme për kombin shqiptar.

“Profesor Ukshin Hoti është një figurë dhe mendje e papërsëritshme. Aq e thellë për nga mençuria, aq e gjerë për nga dija dhe aq e lartë për nga idetë saqë ne e kemi obligim t’ia kujtojmë e përkujtojmë vetes tekstet e tij në mënyrë që të ngrihemi në nivel të detyrës kombëtare dhe historike për të ecur përpara për Republikën e Kosovës dhe kombin shqiptar në përgjithësi”, ka shkruar Kurti.

Tutje, ai është shprehur se asnjëherë nuk do të rreshtim së kërkuari të vërtetën e drejtësinë dhe gjithmonë do të jemi krenarë e mirënjohës për trashëgiminë e tij politike e kombëtare./KultPlus.com

Flamur Maloku prezanton antologjinë e re poetike kosovare

Pas një pune të gjatë dhe përkushtuese, është finalizuar një antologji e re e poezisë shqipe në Kosovë, e përgatitur nga Flamur Maloku. Kjo vepër përmbledh krijime poetike të autorëve të ndryshëm dhe vjen si rezultat i një procesi të kujdesshëm leximi, përzgjedhjeje estetike dhe redaktimi profesional.

Maloku ka theksuar se përgatitja e antologjisë ka qenë një sfidë e vërtetë, që ka kërkuar angazhim të madh dhe vendimmarrje të vështira, përfshirë edhe refuzime të domosdoshme gjatë përzgjedhjes së poezive.

Antologjia është përgatitur në bashkëpunim me një ekip të përbërë nga emra të njohur të fushës së letërsisë dhe kritikës letrare. Kryeredaktor i projektit është Prof. Dr. Bajram Kosumi, ndërsa në këshillin redaktues kanë kontribuar Prof. Dr. Merxhan Avdyli, Prof. Dr. Behar Gjoka, Prof. Dr. Zeqir Kadriu dhe Ma. Enis Reçica.

Për realizimin e kësaj antologjie ka dhënë mbështetje financiare edhe Komuna e Fushë-Kosovës, e cila, sipas Malokut, ka treguar një angazhim të veçantë në përkrahje të kulturës dhe letërsisë.

Antologjia pritet të jetë një kontribut i rëndësishëm në pasurimin dhe promovimin e poezisë shqipe në Kosovë./KultPlus.com

Krasniqi dhe Fazliu sjellin dy medalje për Kosovën në Botërorin e Xhudos

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes rrjeteve sociale ka njoftuar se Kosova ka përfunduar me sukses Kampionatin Botëror të Xhudos, duke fituar dy medalje falë paraqitjeve të shkëlqyera të Distria Krasniqit dhe Laura Fazliut.

Distria Krasniqi siguroi medaljen e argjendtë, ndërsa Laura Fazliu fitoi medaljen e bronztë – e dyta në karrierën e saj në këtë garë prestigjioze. “Me qetësi dhe vendosmëri, ajo u ngjit sërish në podiumin e shkëlqimit, duke dëshmuar vazhdimësinë dhe forcën e kampionëve tanë,” ka shkruar Kurti.

Me këto dy medalje, Kosova arrin në dhjetë numrin e përgjithshëm të medaljeve botërore në xhudo, që është dyfishi i medaljeve olimpike të fituara deri tani.

Kurti ka përgëzuar xhudistet, trajnerin Driton Kuka, Federatën e Xhudos dhe të gjithë komunitetin sportiv për suksesin./KultPlus.com

‘Vepra më e mirë e një njeriu të madh është të falësh dhe të harrosh’

Në vijim mund të lexoni disa thënie për jetën, miqtë dhe dashurinë.

“Asgjë nuk e damkos një shpirt të mirë dhe një zemër të ëmbël më shumë sesa të jetosh mes njerëzve që nuk mund ta kuptojnë atë.”

“Mos lejoni që vështirësitë tuaja t’ju mbushin me ankth, në fund të fundit vetëm në netët më të errëta yjet vezullojnë më me shkëlqim.”

“Jeta përbëhet nga dy ditë, njëra krah teje e tjetra kundër teje. Pra, ditën që është krah jush mos jini arrogantë ose të pamatur, dhe ditën kur është kundër jush të jeni të durueshëm, të dyja ditët janë provë për ju.”

“Vepra më e mirë e një njeriu të madh është të falësh dhe të harrosh.”

“Kur bota të ul në gjunjë, je në pozitën e përsosur për t’u lutur”

“Një refuzim i këndshëm është më i mirë se një premtim i gjatë.”

“Gruaja është një krijesë delikate me emocione të forta që është krijuar nga Zoti i Plotfuqishëm për të marrë përsipër përgjegjësinë për edukimin e shoqërisë dhe lëvizjen drejt përsosmërisë. Zoti e krijoi gruan si simbol të bukurisë së Tij dhe t’i jepte ngushëllim partnerit dhe familjes së saj. ”

“Ai që i beson botës, bota e tradhton.”

“Mirësjellja nuk kushton asgjë, por blen gjithçka.”

“Një vëlla është si ari dhe një mik është si diamanti. Nëse çarje ari mund ta shkrini dhe ta bëni ashtu si më parë. Nëse diamanti plas, kurrë nuk mund të jetë si më parë ”.

“Durimi siguron fitoren.”

“Përgojimi pas shpine është përpjekja e atij që nuk është në gjendje ta bëjë më mirë veten e tij.”

“Mos e pëlqeni te vetja juaj atë që nuk ju pëlqen te të tjerët.”

“Një njeri i mençur gjithmonë ka diçka për të thënë, ndërsa budallait gjithmonë i duhet të thotë diçka.”

“Sigurisht që heshtja ndonjëherë mund të jetë përgjigjja më elokuente.”

“Nuk është kurrë vlera e ujit, por etja, nuk është kurrë vlera e jetës, por vdekja dhe kurrë nuk ka pasur të bëjë me miqësinë, por me besimin.”

“Kini kujdes të mos flisni shumë, sepse rrit gabimet dhe shkakton mërzitje.”

“Kujdesuni për gjuhën tuaj njësoj siç kujdeseni për arin dhe argjendin.”

“Ushqimi i trupit është ushqim, ndërsa ushqimi i shpirtit për të ushqyer të tjerët.”

“Nuk ka prehje për personin që ka zili dhe nuk ka dashuri për personin që ka sjellje të këqija.”

“Duhet të jesh i përulur, pasi është një nga [format më të mëdha] të adhurimit.”

“Të mos kesh një gjë është më pak poshtëruese sesa ta lypësh.”

“Ju jeni zotëruesi i asaj që thoni derisa ta shqiptoni, pasi ta nxirrni atë, ju jeni rob i saj. Ruani gjuhën tuaj siç ruhet ari dhe paraja. Një fjalë mund të sjellë turp dhe mbarimin e një lumturie.”

“Ndershmëria do t’ju udhëheqë drejt mirësisë dhe mirësia do t’ju ftojë në parajsë.”

“Është njeri më i mençur dhe më i ditur ai që këshillon njerëzit të mos e humbin shpresën dhe besimin në mëshirën e Zotit dhe kjo të mos e bëjë atë shumë të sigurt dhe të bindur për imunitet nga Zemërimi dhe Ndëshkimi i Tij.”

“Armiqtë tanë nuk janë çifutët ose të krishterët, armiku ynë është injoranca jonë.”

“Nëse sytë e një femre përloten për një burrë që e shtyp atë, atëherë engjëjt do ta mallkojnë atë me çdo hap që ecën.”

“Miqtë tuaj janë tre dhe armiqtë tuaj janë tre. Miqtë tuaj janë: shoku juaj, miku i mikut tuaj dhe armiku i armikut tuaj. Armiqtë tuaj janë: armiku juaj, armiku i mikut tuaj dhe miku i armikut tuaj.” / KultPlus.com

Rilind Gërvalla, drejtori i RTK-së njofton për edicionin e tretë të Festivalit të Këngës në RTK: Është hapur gara 

Drejtori i RTK-së, Rilind Gërvalla ka njoftuar se tashmë janë duke u bërë përgatitjet për edicionin e tretë të Festivalit të Këngës së RTK-së, dhe se për këtë edicion tashmë është hapë gara. 

“Te nderuar krijues te veprave muzikore, eshte hapur gara per kenget pjesemarrese ne edicionin e trete te Festivalit te Kenges ne RTK!

APLIKONI!”, ka njoftuar Gërvalla. 

Ndërkohë, është publikuar edhe linku se ku mund të aplikojnë krijuesit e veprave muzikore.

https://www.rtklive.com/sq/page.php?ID=37&fbclid=IwY2xjawK-R8dleHRuA2FlbQIxMQBicmlkETFDY2JyeFJOOEtEckpFdGhiAR5lyZ5G-6Lm6l4E6UEug51wbhUbBf5jhKafngj5-BJwf91e1T2xsDPoPxMo9Q_aem_oZSYfs-Dfg1tUDokU9v85Q

Edicionin e parë të këtij festivali e ka fituar La Fazani kurse atë të dytin Endrit Krasniqi. / KultPlus.com 

Tirana shpallet zyrtarisht “Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut”

Tirana do të jetë mikpritëse e një prej eventeve më të rëndësishme rajonale të vitit,  ALForum 2025, i cili do të zhvillohet nga 18 deri më 20 qershor në kryeqytetin shqiptar. Forumi organizohet nga Fondacioni Anna Lindh, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës dhe Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë.

Ky forum ndërkombëtar shënon edhe shpalljen zyrtare të Tiranës si Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut për vitin 2025, një titull prestigjioz i dhënë nga Fondacioni Anna Lindh dhe Bashkimi për Mesdheun.

Gjatë tri ditëve të forumit, rreth 1,000 pjesëmarrës nga 43 vende të rajonit euro-mesdhetar,  përfaqësues të shoqërisë civile, akademikë, media, të rinj liderë, institucione dhe figura me ndikim,  do të diskutojnë dhe ndajnë ide për forcimin e bashkëpunimit, dialogut ndërkulturor dhe zhvillimit të qëndrueshëm në rajon.

Në program përfshihen 6 sesione plenare, 100 sesione paralele, 27 performanca artistike dhe aktivitete për rrjetëzim mes pjesëmarrësve. Me moton “Frymëzojmë dijen, nxisim veprimin, bashkojmë kultura”, ALForum synon të krijojë një hapësirë për bashkëpunim të thelluar, ku pjesëmarrësit ndihen të dëgjuar, të frymëzuar dhe të pajisur për të kontribuar në transformimin e rajonit.

Tirana, me skenën e saj të gjallë kulturore dhe shpirtin e hapur të dialogut, përforcon pozicionin e saj si një qendër mesdhetare për bashkëpunim ndërkulturor dhe ide progresive./atsh/KultPlus.com

Dashni e vjetër (VIDEO)

Une nuk jam më
kënga e dhimbshme qe ty t‘ka prek
Unë nuk jam më
Guri n‘stomak prej cillit ke hjek

S‘jom as telefoni qe me nerva e ke thy
Jam dashnia e vjetër
Qe po vdes per ty

Zemra ime a po vjen
Unë nuk kam asnjë problem
Me ta thon edhe një her
t’pres një-mi vjet

Nuk ka ndodh asgjë e re
Vendin tënd ende e ke
Jam dashnia e vjetër
Qe dikur t‘ka nxeh

Unë nuk jam më
Numri i panjohur qe të thrret
As fush beteje
Paqja e përjetshme qe te pret

Dhoma e ngushllimeve per ty une nuk jam më
Jam dashnia e vjeter
Qe ne gjujnj t‘ka ra

Zemra ime a po vjen
Unë nuk kam asnje problem
Me ta thon edhe një her
t‘pres një-mi vjet

Nuk ka ndodh asgjë e re
Vendin tënd ende e ke
Jam dashnia e vjeter
Qe dikur t‘ka nxeh

Dhoma e ngushllimeve për ty une nuk jam më
Jam dashnia e vjetër
Qe ne gjujnj t‘ka ra

Zemra ime a po vjen
Une nuk kam asnjë problem
Me ta than edhe nje her
T’pres një-mi vjet

Nuk ka ndodh asgjë e re
Vendin tënd ende e ke
Jam dashnia e vjeter
Qe dikur t‘ka nxeh./ KultPlus.com

Dy vite nga vdekja e Glenda Jackson, fituesja e çmimit ‘Oscar’

Aktorja dy herë fituese e çmimit Oskar dhe ish-deputetja laburiste Glenda Jackson ka ndërruar jetë para dy vitesh, në moshën 87-vjeçare, sipas agjentit të saj.

Aktorja luajti si Mbretëresha Elizabeth I në dramën e BBC-së Elizabeth R.

Politika ishte gjithmonë e rëndësishme dhe aktorja hoqi dorë nga aktrimi për t’u bashkuar me Dhomën e Komuneve si deputete e Laburistëve në veri të Londrës nga viti 1992 deri në 2015.

Ajo më vonë u kthye sërish në ekran dhe fitoi një Bafta për rolin e saj të rikthimit në dramën televizive Elizabeth Is Missing në 2020.

Dy herë fituesja e Oscar para se të sëmurej përfundoi xhirimet e “The Great Escaper” në të cilin luajti me Michael Caine./KultPlus.com

Zogaj në listën e aplikimit për “Fshatrat më të mirë turistikë” të Organizatës Botërore të Turizmit

Shqipëria ka aplikuar për programin ndërkombëtar “Fshatrat më të mirë turistikë” të Organizatës Botërore të Turizmit, një nismë që vlerëson fshatrat që kanë ruajtur identitetin, trashëgiminë dhe natyrën e tyre, duke zhvilluar turizmin në mënyrë të qëndrueshme.

Një nga 6 fshatrat që janë në listën që përfaqëson Shqipërinë është Zogaj, në Shkodër. Ndërsa 5 fshatrat e tjerë do të zbulohen në javët në vijim.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro në një postim në rrjetet sociale tha se “Zogaj, fshati i peshkatarëve dhe artizanëve që me thesaret e tij natyrore, kulturore e mikpritjen e rrallë, është në listën e 6 fshatrave që përfaqësojnë Shqipërinë në aplikimin për “Fshatrat më të mirë turistikë” të Organizatës Botërore të Turizmit”.

Ky program promovon fshatrat e të gjithë botës, të cilat janë destinacione të turizmit të qëndrueshëm dhe mbështesin traditat, kulturën apo asetet natyrore përkatëse.

Zogaj gjendet 3-4 km përtej Shirokës dhe është i njohur për peshkimin, bimët mjekësore e klimën alpine. Ai kufizohet nga veriu me liqenin e Shkodrës, nga jugu me malin e Taraboshit, nga lindja me lumin Buna dhe nga perëndimi me kufirin shtetëror me Malin e Zi.

Ky fshat kufizohet nga veriu me liqenin e Shkodrës, nga jugu me malin e Taraboshit, nga lindja me lumin Buna dhe nga perëndimi me kufirin shtetëror me Malin e Zi.

Zogaj është i njohur si një fshat i vjetër peshkimi dhe së bashku me Shirokën janë ndër zonat më të bukura të Shqipërisë së Veriut.

Kjo zonë shquhet edhe për prodhimin e qilimave tradicionalë, traditë e cila vijon të ruhet me fanatizëm nga gratë e zonës. Punimet me endje me kalimin e viteve janë kthyer në të preferuar nga turistët.

Gjashtë fshatrat përfaqësojnë pasurinë dhe shumëllojshmërinë e Shqipërisë rurale: nga majat e thepisura deri tek fushat pjellore e nga gurët e lashtë tek ngjyrat e jetës së përditshme.

Shqipëria konkurron mes 65 shteteve, me plot 270 fshatra, që garojnë për titullin “Fshatrat më të mirë turistikë”./KultPlus.com

Poezi e fuqishme nga Ukshin Hoti

Poezi nga Ukshin Hoti

Ukshin m’kanë quejt prej të vogli, prej të gjallmi,
nana idiomën e pyllit mbi supe ma ngjiti.
Ende nuk ka ndodhë, por kur në varr të visit t’m’kallni,
malësorit rranjën e emrit do ia hiqni.

N’trevat tona kur foshnje kam mbërritë,
si çdo foshnje e kësaj bote një destin për me falë,
m’sundoi shpresa se n’origjinë tamli ish dritë,
m’poshti e vërteta se frika pleqve të mi ende s’u ka dalë.

As n’andrrat e mia, mbushë me zanin e saj të plaktë,
s’ia paska hekë nanës frikën emri që m’ka ngjitë.
Edhe nëse i pjekur vij mes jush, tradhtinë për me matë,
do bahem bishë po t’ndij se m’thërrisni Ukshin.

Nëpër troje ku punën kam hedhë,
emra trimash mbush pagëzimi,
por nuk u mbërrit jeta dhe emri nuk ngjiz dejet.
Emrin e trimit e mban dhe amfibi.

Kemi pas kenë për emra ngatërrestarë të mëdhaj,
dhe unë foshnjë e naiv u paskam zanë besë,
kam besu shku e ardhë, kam besu bir e nanë.
Kur m’thërrisnin Ukshin e merrja për betejë.

Me mu bashkë lindën prej gënjeshtre poetët,
u nxinë që drita t’kthehej në të folmen tuej.
Lindën po me mu prej mashtrimit dëshmorët
që shqipja të mos flitej nga gjuhë e huej.

Se shumësia juej në trishtim të shkurtër
ka pjellë përbri meje krimin e vogël, tradhëtinë e madhe.
E dinit që mes emrash do të zhduknit të flaktët, të urtët,
ata që shquenin tmerrin ndër kang e ndër valle.

Nëse vendimi s’e cakton një SOT për m’u ngritë balte,
në bajgë ku jeni zhytë nuk mund të derdhet qielli.
N’bajgë ku jeni zhytë, ku emri ju kallte,
Ukshin do të jetë për ju një fjalë vreri./KultPlus.com

‘Mëmëdhe quhet toka, ku më ka rënë koka’

Poezi nga Andon Z. Çajupi

Mëmëdhe quhetë toka
ku më ka rënurë koka,
ku kam dashur mëm’e atë,
ku më njeh dhe gur’ i thatë
ku kam pasurë shtëpinë,
ku kam njohur perëndinë,
stërgjyshët ku kanë qënë
dhe varret q’i kanë vënë,
ku jam rritur me thërrime
ku kam folur gjuhën time,
ku kam fis e ku kam farë,
ku kam qeshur, ku kam qarë,
ku rroj me gas e me shpres,
ku kam dëshirë të vdes./KultPlus.com

Dy vite nga vdekja e shkrimtarit të njohur, Naum Prifti

Dy vite më parë ka vdekur në moshën 91-vjeçare shkrimtari Naum Prifti.

Naum Prifti është një nga emrat më të shquar të letërsisë shqiptare dhe krijimtaria e tij letrare është e larmishme dhe shtrihet në disa gjini: tregime, drama, komedi, novela, skenarë filmash, pjesë për teatrin e kukullave, skenarë për filma vizatimorë, biografi, artikuj kritikë, publicistikë, etj. Janë thuajse 100 vepra letrare, më shumë se vite jete dhe dyfishi i një gjysmëshekulli krijimtarie.

Shkrimtari Prifti lindi më 7 Mars të vitit 1932, në Rehovë të Kolonjës.

Disa nga veprat e tij më të njohura janë “Njerëz të kësaj toke”, Erë mali, erë fushe”, Grirja e shpirtit” etj./KultPlus.com

Fragmente nga Ukshin Hoti

“Edhe nëse ky qe fati im, unë pajtohem me të, pavarësisht nga çmimi që mund ta paguaj, sepse fëmijët e mi dhe jo unë vetë, janë kuptimi i jetës sime. Atdheu e fiton kuptimin me ta dhe jo pa ta, pasi që për atdheun mund të luftohet vetëm në emër të njerëzores dhe kurrsesi ndryshe.”

“Historia e shqiptarëve nuk duhet të bëhet nga të tjerët, por duhet njohur nga të tjerët.”

“Populli duhet të jetë i kujdesshëm, të mos zgjedh për udhëheqje persona që sillen para të tjerëve në mënyrë inferiore, inferioriteti i liderëve i jep imazh inferior edhe vendit, shtetit e shoqërisë. Shtetet e liderët e fortë nuk i duan afër vetes lider e shtete që sillen në mënyrë inferiore.”

“Një Serbi që e mban të pushtuar Kosovën nuk është as vetë e lirë. Liria e vërtetë e Kosovës është një premisë themelore edhe për lirinë e vërtetë të Serbisë. Kosova për Serbinë është kulti i robërisë së vetvetes, nëse nuk bëhet shans i lirisë dhe i evropianizimit të saj të ardhshëm.”

-Ukshin Hoti/ KultPlus.com

Mirëmëngjesi nga Prishtina pa lumë

Serafina Lajqi

Mëngjesi vjen si duhmë armature
pa freski,
pa prekje,
veç zhurmë ndërtimesh
që mbijnë nga çdo qoshe.

Unë, me sytë ende në gjumë,
pi kafen në një filxhan të çarë
duke soditur qytetin tim
pa lumë,
pa qetësi,
pa gjelbërim.
Veç ndërtesa që rriten,
si pemë pa rrënjë.

Fqinjit mund t’ia shtrëngosh dorën
nga ballkoni.
Ka kaq shumë dritare,
por pak njerëz brenda.
Ka kaq shumë banesa,
por askush nuk mbjell një pemë.

Këtu, shpresa ecën me sandale të lira,
një qese plastike në një dorë,
një diplomë që s’vlen në tjetrën.
Studentët fluturojnë me teori,
por harrojnë ku preket toka.

Trotuaret janë plot
me mbetje qeni, 
sufllaqe të papërfunduara,
zëra që flasin me vete,
dritë semaforësh
që s’respektohen.
Unë ec ngadalë,
duke kërkuar një copë bukuri të braktisur.

Ka shumë libra,
por pak lexues.
Shumë dritë,
por pak diell.
Shumë xhama,
por pak dritare që hapen.
Shumë zëra,
por pak fjalë që prekin.
Më merr malli për një lulekuqe
jo në murale,
por në dhe.

Prishtina ime e zhurmshme,
ku nata vishet me takë dhe grim,
ku gotat shkëlqejnë më shumë
se sytë e atyre që pinë.
Drita nuk është më dritë
është reklamë,
ndriçim që fsheh boshësinë,
vezullim që të lodh kujtesën.

Ti, qytet që më mban gjallë
por kurrë të plotë
më jep ujë në shishe
dhe ajër me ngjyrë hiri.
Mbeturinat s’i mbulon askush 
as turpi.
Veç disa gra të përkulura,
me shami të bardha,
mbledhin trishtimin
në thasë të zinj.

E megjithatë,
kur djemtë më thërrasin “mami” në mëngjes,
dhe drita hyn mes perdeve të zverdhura,
unë e dua prapë këtë qytet,
me gjithë inatin tim,
me gjithë pluhurin,
me gjithë mungesën.

Se është imi.
Si trupi im.
Pa lumë.
Pa lule.
Por me jetë.
Dhe me zë.

17.06.2025./ KultPlus.com

Agim Vinca kritikon emisionet televizive për gabimet e shumta: Kur gabimi bëhet rregull  

Agim Vinca

Mbi përdorimin e gabuar të foljes “jap” (me dhanë)

Folja “jap” është folje kalimtare, e cila ka një larmi formash bazë dhe një denduri të lartë përdorimi. Në “Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe” (2006) thuhet se “jap” ka format bazë “jap, dhashë, dhënë” dhe kuptimet: 1. i dorëzoj, i zgjat a i vë përpara dikujt një gjë për ta marrë, për ta pasur të tijën, për ta përdorur etj. i fal dikujt një gjë timen. 2. kuptim i figurshëm; e pajis me diçka; dhuroj: i dha një gotë ujë; i dha qumësht; i dha dorën; i dha një tufë lule; na ka dhënë një roman të bukur; i dha shkollë (dije); jap jetën (gjakun) flijohem, bëhem theror; jap kokën (shpirtin) e do shumë. 3. në ligjërimin bisedor: fejoj ose martoj vajzën me dikë: e ka dhënë në shtëpi (në familje) të mirë; kanë dhënë e kanë marrëkanë lidhje krushqie. 4. ia besoj a ia ngarkoj diçka; ia bëj të ditur: i jap një detyrë (një rol); dha lajmet; dha sqarime; i jap leje; jap llogari. 5. në ligjërimin bisedor. nis të bëj diçka shpejt a me vrull; i bie a e qëlloj dikë: i dha një grusht (një shuplakë): i dha dru (dajak) e rrahu; i dha dërrmën e dërrmoi. 6. nxjerr, prodhoj; arrij diçka; veta III krijon, formon, shkakton a shfaq diçka: dha shumë bereqet; jep qumësht (lopa). 7. kuptim i figurshëm. nis menjëherë e me fuqi; lëviz diçka me vrull; shpërthej: ia dha vajit; ia dha vrapit. 8. krijoj lehtësi a mundësi për të bërë diçka, lejoj të bëhet a të ndodhë diçka (edhe në një varg njësish frazeologjike): i jap shkak (rastin); i jap dorën e ndihmoj; i jap udhë (diçkaje) e zgjidh; i jep jetë; i jep gjallëri e gjallëron; i jap zemër (dikujt) e nxit; i jap ndihmë e ndihmoj; i jap dritë e ndriçoj; i dha shkollë e shkolloi; i dha fund e përfundoi. 9. shtroj (një drekë a darkë); organizoj e bëj (një shfaqje, një koncert etj.); bëj a krijoj diçka: dha një darkë (një pritje); dha shfaqje; kaq jep ai. 10. në ligjërimi bisedor; ngas një mjet udhëtimi; vë në lëvizje diçka: i jap makinës (veturës); jepi shpejt (majtas). 11. në ligjërimin bisedor; përcaktoj çmimin e diçkaje a moshën e dikujt; paguaj me çmimin që dëshiroj: sa jep ti?; i dha shumë (pak); sa vjet i jep atij? 12. si pasthirrmë;përdoret për të nxitur dikë: jepi, forca!; jepini, burra!

Në mënyrën dëftore, kjo folje del si vijon:

E tashmja: jap, jep, jep, japim, jepni, japin; E pakryera: jepja, jepje, jepte, jepnim, jepnit, jepnin; E kryera e thjeshtë: dhashë, dhe, dha, dhamë, dhatë, dhanë; E kryera: kam dhënë, ke dhënë, ka dhënë, kemi dhënë, keni dhënë, kanë dhënë; Më se e kryera: kisha dhënë, kishe dhënë, kishte dhënë, kishim dhënë, kishit dhënë, kishin dhënë; E kryera e tejshkuar: pata dhënë, pate dhënë, pat(i) dhënë, patëm dhënë, patët dhënë, patën dhënë; E ardhmja: do të jap, do të japësh, do të japë, do të japim, do të jepni, do të japin etj.

Për ta “thjeshtuar” punën, nuk po i japim trajtat e kohëve të tjera të foljes: E ardhmja e përparme etj. 

Përdorimi i gabueshëm i foljes jap (me dhanë) në Kosovë ka marrë dhenë. Në jetën e përditshme, në biseda, në media, në Kuvend, në tubime publike, në emisione radiotelevizive, nëpër librari, në biblioteka… Edhe në instancat më të larta shtetërore e në institucionet më prestigjoze kulturore, arsimore dhe shkencore, pothuajse kudo. 

Për çdo ditë dëgjojmë: “Kemi me japë…”, “mundesh me e japë…” , “… Filani ka japë…”, “e japa një provim”, madje edhe në përcjellore: “duke japur”, “duke i japur” etj. etj.

Po japim disa shembuj konkretë, që i kemi regjistruar herë pas herë në emisionet televizive dhe në medien tjetër.

Moderatorja e emisionit shumë të ndjekur të RTV Dukagjini, “Radar”, e zonja në punë të vet, bie vazhdimisht në grackën e këtij gabimi: “Kemi me japë (në vend se do të japim ose kemi me dhanë) edhe një shpërblim”; “Të falënderoj për kontributin që ke japë (në vend se që ke dhënë); “i falënderoj edhe prindërit e tu për edukatën që ta kanë japë (të kanë dhënë)”. (Radio Dukagjini, emisioni Radar, 30. 6. 2017). I njëjti gabim rishfaqet edhe në një emision tjetër: “Për edukatën që i kanë japë prindërit fëmijës” ose, siç thuhet shpesh gabimisht: “fëmiut”! (TV Dukagjini, 14 mars 2025).

 “Fan Noli ka japë kontribut të madh…” (RTK, 28. 2. 2018).

Ka edhe shumë shembuj të tjerë, që vrasin veshin, si: “Mundesh me e japë (në vend se mund ta japësh ose me e dhanë) mendimin tënd”, dëgjohet për çdo natë në debatet e shumta televizive, madje edhe në mënyrë më të  vrazhdë: ”Çka po do me t’japë tjetër?!”.  

Një gazetar zhurmaxhi bërtet nga ekrani sa i ha zëri: “Kanë dështu edhe partitë e tjera, por kanë japë dorëheqje!…”. Domethënë, ato paskëshin “japë”, kurse ky ose kjo s’po jepka!

Më 2 prill, në Ditën botërore të autizmit, në programin e mëngjesit, ndoqa një emision kushtuar kësaj sëmundjeje. Mjeku i ftuar në studion e KTV-së (në të vërtetë ishte mjeke), thoshte: “Informatat që prindi na ka japë…”, në vend se “Informatat që prindi na ka dhënë…” etj.

Një mjek tjetër, mik imi, profesor universiteti, pasi i flas për një ekzaminim mjekësor, më thotë: “Diagnoza që ta ka japë mjeku nuk është e saktë…”. 

Shembujt e mësipërm tregojnë se krahas sëmundjes gjithnjë e më të përhapur të autizmit, ekziston edhe autizmi gjuhësor, kaq i përhapur në mediet tona të shkruara e elektronike.

Gjuhëtarët tanë më shumë merren me gjëra periferike, çfarë është, fjala vjen, edhe përdorimi i fjalës media (në njëjës) dhe medie (në shumës), sesa me masakrimin që i bëhet foljes “jap”!

Edhe presidentja e Kosovës, zonja Vjosa Osmani, e cila në përgjithësi e flet mirë gjuhën (shqipen letrare), e bëri këtë gabim ditë më parë. “… M’ka japë kënaqësi takimi me ju” (me fëmijët), tha në emisionin “Në kurthin e Piter Panit”, të moderuar nga Alketa Vejsiu dhe të emetuar më 6 qershor 2025 në TV KLAN. 

Shihet se ka rënë nën ndikimin e mjedisit, sepse gabimi që përsëritet shpesh bëhet rregull!

Kështu po ndodh në Kosovë me përdorimin e foljes “jap”, veçanërisht në kohën e kryer: “kam japë”, për “kam dhënë”!

Kam pritur që për këtë dukuri të shëmtuar të reagonte ndonjëri nga gjuhëtarët tanë, sepse gabimet nuk ndreqen pa i korrigjuar, por një reagim i tillë deri më sot ka munguar./ KultPlus.com

Rama: Lumi i Shalës, turistët shijojnë ndër eksperiencat më magjike të pushimeve

Lumi i Shalës, që derdhet në liqenin e Komanit, po tërheq çdo vit një numër të lartë turistësh vendas e të huaj, për shkak të bukurisë që natyra i ka falur kësaj zone.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga Lumi i Shalës në Shkodër, ku siç u shpreh ai, turistët shijojnë një nga eksperiencat më magjike të pushimeve në Shqipëri.

Në këtë atraksion të jashtëzakonshëm të turizmit, në veri të Shqipërisë, turistët zgjedhin të shijojnë eksplorimin e zonës me varkë, ngjitjen në majat përreth me pamje spektakolare, zhytjen në ujin e freskët të lumit të Shalës dhe ushqimet tradicionale që ofrohen në bujtinat e ngritura pranë tij.

Lumi i Shalës buron rrëzë Alpeve dhe ka një gjatësi prej 37 km prej burimit në majën e Radohinës e deri në Drin. Lumi i Shalës dallohet për ujin e tij të veçantë ngjyrë blu të thellë.

Ai është i pasur me një shumëllojshmëri peshqish, por më e përhapura është trofta, që rritet vetëm në ujërat e ëmbla. Ngjyra e kaltër dhe e ftohtë e ujit është karakteristike e këtij lumi, shkëmbinjtë e thepisur që e rrethojnë, duken sikur prekin qiellin./atsh/KultPlus.com

Dashuri e vështirë

Poezi nga Luis Garcia Montero

Kush e di në më ka parë ajo ndonjëherë kështu,
kush e di në më ka parë ndonjëherë njeri, kaq përtokë,
kaq të ftohtë në këtë kënd. Por era
kujtoi se unë isha gur
dhe trupin tim donte të shpërbënte.

Po të mundja të të takoja,
kushedi në do mund të takohemi ndonjëherë, unë do të di
të sqarohem me ty.

Por klubet e hapur dhe të mbyllur,
rrugët netëve dhe ditëve,
stacionet pa njerëz,
lagjet e tëra me banorët e tyre, dritat,
telefonat, hapat dhe ky kënd,
nuk dinë gjë, se ku je ti.

Dhe kur era kërkon të shkatërrojë
më kërkon te porta e shtëpisë tënde.

Unë ia përsëris edhe erës,
po qe se do mundem të të takoj,
po qe se ti më shfaqesh, unë do të di
të sqarohem me ty.

82 vite nga lindja e një prej figurave më të shquara të popullit shqiptar, Ukshin Hotit

Sot janë bërë 82 vite nga lindja e një prej figurave më të shquara të kombit shqiptar, Ukshin Hotit, shkruan KultPlus.

Ukshin Hoti ka lindur në Krushë të Madhe më 17 qershor 1943. Ai ka qenë filozof dhe aktivist shqiptar, profesor i të drejtës ndërkombëtare dhe më pas i filozofisë në Universitetin e Prishtinës, si dhe themelues i UNIKOMB, një partie politike në Kosovë.

Për shkak se përkrahu demonstratat e vitit 1981 në Prishtinë, u arrestua për të parën herë nga autoritetet jugosllave më 21 nëntor tok me  Halil Alidemaj, Ekrem kryeziu, etj. Më 1994 u dënua me 5 vite në burgun e Dubravës. Më 16 maj 1999, kur dënimi i tij mbaronte dhe duhej të lirohej, u mor peng nga rojet e burgut dhe prej atëherë nuk dihet asgjë për fatin e tij.

Është i pari që shkroi për konceptin e demokracisë autentike në viset shqiptare që nga 1994. Si studjues mbahet mend për veprën ‘Filozofia politike e çëshjes shqiptare’ botuar më 1995 në Tiranë.

Ukshin Hoti lindi në Krushë të Madhe të Rahovecit. Ishte i biri i Nazif Hotit dhe Fatime Rrustem Danës nga Xërxa. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Prizren dhe më pas në Prishtinë. Pas diplomimit vijoi studimet në vitin 1964 në Zagreb ku u diplomua për shkencat politike dhe u dallua si student i veçantë. Më pas, në vitin 1968, kreu dhe dy vite postuniversitare në Beograd ku ndoqi fushën e tij të preferuar të marrëdhënieve ndërkombëtare në fushën e ekonomisë dhe politikës.

Nisi punë në administratën e parlamentit të Kosovës dhe më 1975 nisi të jepte të drejtën ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës. Më 1978/1979 vijoi specializime postlaureate për shkenca politike dhe marrëdhënie ndërkombëtare në Chicago, Harvard dhe Washington, pasi kishte fituar bursen Fulbright.

Në vitet ’70 Ukshin Hoti kishte qenë i angazhuar në disa pozita të ndryshme politike dhe arsimore në Kosovë ku fillimisht kishte rënë në kundershtim me udhëheqesit jugosllavë në Kosovë dhe me sistemin e regjimit jugosllav në Kosovë.

Kujtojmë që Ukshin Hoti për aktivitetin e tij atdhetar ishte arrestuar disa herë nga regjimi serb i Titos dhe i Millosheviçit. Për herë të fundit ishte arrestuar në vitin 1994 nga policia serbe me akuzën e ushtrimit të veprimtarisë armiqësore kundër Jugosllavisë dhe për pjesëmarrjen e tij në lëvizjen për Republikën e Kosovës, me ç’ rast ishte dënuar 5 vjet burg.

Me 16 maj 1999, atëherë kur lufta po zgjaste që gati një vit, Ukshin Hoti arrin tek fundi i dënimit të tij, ai do të shoqërohet nga dy roje drejt daljes, ditën e diel, me 16 maj, një ditë jo e zakonshme për lirimin e të burgosurve. Ai edhe sot vazhdon të  figurojë në listën e Personave të Pagjetur, nga lufta e vitit 1998-1999 në Kosovë./KultPlus.com

140 vite më parë Statuja e Lirisë mbërrin në portin e NewYork-ut

Sot 140 vite më parë, simboli i lirisë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka mbërritur në portin e New York-ut.

Statuja e Lirisë është ndër monumentet më të famshme të botës. I është dhuruar zyrtarisht SHBA-së nga populli francez me rastin e 100-vjetorit të Revolucionit, që solli çlirimin e kolonive nga Britania e Madhe. Me kalimin e viteve ajo mori një simbolikë tjetër, atë të lirisë e të demokracisë në botë. Ajo u kthye në një pararojë të ”botës demokratike”.

Statuja gjendet në ishullin “Liberty Island” në Portin e New York-ut dhe tregon perëndeshën romake të ilirisë, “Libertas”.

Vendimi për t’a ndërtuar atë u mor më 1876, 100 vjet pas revulucionit amerikan. Mirëpo për shkak të mungesës së fondeve dhe vështirësisë së realizimit të një vepre kaq gjigante, statuja u ”ngrit në këmbë” në ishullin e saj, vetëm 10 vjet më vonë, më 28 tetor 1886.

“Statuja e Lirisë” është e lartë 46,5 m, të cilës i duhet shtuar edhe 46,9 m lartësinë e bazës.

Autor i skulpturës është Frederik August Bartoldi i ndihmuar nga inxhinieri Gustav Eiffel, autor i Kullës së famshme të Parisit. Në vitin 1886 ajo është ndërtuar dhe dizenjuar./KultPlus.com

Laura Fazliu fiton medalje të bronztë në Kampionatin Botëror të Xhudos

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu është renditur e treta në Kampionatin Botëror të këtij sporti, që po mbahet në Budapest të Hungarisë.

Sikurse vitin e kaluar, edhe këtë vit Laura e ka fituar medaljen e bronztë në kategorinë e seniorëve.

“Në xhiron e parë ajo ishte e lirë, në xhiron e dytë Laura mposhti Natalia Kropskan nga Polonia, kurse në xhiron e radhës ajo mposhti Carlotta Avanzaton nga Italia. Në çerekfinale Laura u mposht nga Rafaela Silva nga Brazili, duke vazhduar në repasazh me garuesen Enkhriilen Lkhagvatogoo nga Mongolia. Në ndeshjen vendimtare për të bronztë, Laura mposhti me Ippon, Nauana Silvan nga Brazili”, është thënë në njoftimin e Federatës së Xhudos të Kosovës në një postim në Facebook.

Në gusht të vitit të kaluar, xhudistja 24-vjeçare e ka fituar medaljen e parë olimpike në karrierë.

Ajo është shpërblyer me medalje të bronztë në kategorinë deri në 63 kilogramë.

Kur flitet për xhudon, Kosova është kthyer në emër me nam në botë, sidomos pas fitoreve të njëpasnjëshme të xhudistes Majlinda Kelmendi – tani trajnere – e cila pati shkruar historinë për Kosovën, duke ia siguruar medaljen e parë olimpike në Lojërat e mbajtura në Rio de Zhaneiro më 2016.

Kelmendi pati fituar medalje të artë.

Xhudoja është sporti i vetëm që i ka sjellë Kosovës medalje olimpike deri tani – pesë sosh. /rel/KultPlus.com

Festivali “Shpirti i Ballkanit” në Korçë, Rama: Festë ngjyrash, ritmesh dhe kulturash

Edicioni i 7-të i festivalit “Shpirti i Ballkanit”, që u zhvillua këtë fundjavë në Korçë, krijoi një atmosferë mbresëlënëse për qytetarët dhe turistët.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga ky festival.

“”Shpirti i Ballkanit” ndezi Korçën. Artistët nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Greqia, Mali i Zi, Bullgaria dhe Franca iu bashkuan yjeve shqiptarë në një festë ngjyrash, ritmesh dhe kulturash”, shkruan Rama.

Rrugët e qytetit të Korçës u kthyen në një mozaik gjuhësh, kostumesh dhe identitetesh, që u prit me entuziazëm nga qytetarët dhe vizitorët, një dëshmi e gjallë e shpirtit ballkanik që bashkon përtej kufijve.

Në mbrëmje, tingujt e folkut dhe xhazit përshkuan Pazarin e Vjetër, duke sjellë një atmosferë të jashtëzakonshme.

“Shpirti i Ballkanit” është më shumë se një festival, është një përqafim kulturash, një thirrje për të festuar atë që na bashkon./atsh/KuktPlus.com

“On the Road”, pianisti Robert Bisha koncert në TKOB

“On the Road” titullohej koncerti i pianistit Robert Bisha i shfaqur mbrëmjen e djeshme në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë.

I rikthyer pas 16 vitesh në skenën e TKOB, Bisha solli për të pranishmit një udhëtim muzikor i mbushur me energji eksperimentuese, intimitet dhe vizione që përshkojnë peizazhe mistike dhe metafizike.

Në koncert ishte i pranishëm edhe ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, i cili në një postim në rrjetet sociale ndau momente nga ky koncert si dhe nga takimi me dirigjentin Peter Michael Garst.

“Me Peter Michael Garst dhe Martha Garst pas shfaqjes Piano Solo të Robert Bisha në TKOB, ku në nëntor do kemi një koncert të dirigjuar nga miku i Shqipërisë, drejtuesi i një aktiviteti humanitar në ndihmë të shkollave tona rurale në vitet e vështira 1993 – 2009, dirigjenti prej mbi gjysëm shekulli, Peter Michael Garst (në skena të disa vendeve si: Gjermani, Zvicër, Austri, Francë, Itali, Spanjë, Hollandë), për t’u detajuar si program me drejtorin Aulon Naçi dhe në një format mirënjohjeje e shenjë nderimi për familjen Garst që ndjehet shqiptare në zemër”, tha Gonxhja.

Pianisti Robert Bisha përcolli me virtuozitet një vizion unik i të bërit muzikë, i pasur në përvojë dhe poezi.

Zgjedhja e një blues‑i të lashtë mesdhetar, ritmet shqiptare, ballkanike dhe të Lindjes së Mesme, tema nordike, harmonitë nga lashtësia e muzikës tradicionale evropiane deri tek kërkimet për traditat avangarde dhe natyrisht stilemat origjinale ishin pjesë e koncertit të pianistit Robert Bisha.

Robert Bisha është një virtuoz i pianos, i vlerësuar nga kritika. Lindi në 1984, në Vaun e Dejës, dhe kreu studimet në Itali, kur megjithëse diplomohet për piano, mund të konsiderohet poli-instrumentist e gjithashtu kompozitor. Zakonisht në koncertet e tij, ai luan në disa vegla muzikore. Robert Bisha ka kompozuar edhe për kinematografinë italiane, duke arritur të marrë vlerësime si çmimi i parë “Premio Pertini” si dhe çmimin më të rëndësishëm italian “David di Donatello”, për kolonën zanore të filmit “Anija”, i Roland Sejkos./KultPlus.com