Faik Konica lindi më 15 mars të vitit 1875 në Konicë. Ai ishte zë i çështjes kombëtare, studiues i historisë kombëtare dhe i gjuhës shqipe, botues, publicist dhe diplomat shqiptar.
Ky “njeri me kulturë të lartë” (Noli), “enciklopedi shëtitëse” (G. Apolineri), eseist i shkëlqyer, stilist i përkryer, themelues teorik dhe praktik i kritikës letrare shqiptare, veprimtar politik me orientim perëndimor, siç ishte kultura e popullit që i takonte, poliglot, solli një model të ri në mendësinë shqiptare.
Ndër thëniet e Konicës, sot po veçojmë këtë:
“Shqiptarët kur i lë treni, kurrë nuk thonë u vonuam, por na iku”.
Konica vdiq më 15 dhjetor të vitit 1942 në Washington./ KultPlus.com
Michael Madsen, aktori me zërin e plotë, i njohur më së miri për interpretimin e roleve të djemve të fortë në filmat “Reservoir Dogs” dhe “Kill Bill: Vol. 2” të Quentin Tarantino u nda nga jeta këtë të enjte nga një arrest kardiak. Lajmi u dha nga menaxheri i tij, Ron Smith. Ai ishte 67 vjeç.
Me një karrierë aktrimi që zgjati më shumë se 40 vjet, Madsen solli dhjetëra role në ekran. Por ai ishte më i njohur për bashkëpunimet e tij me Tarantinon, i cili i veshi atij role të një hajduti psikopat në “Reservoir Dogs” apo të një vrasësi me pagesë të dështuar në “Kill Bill: Vol. 2”./ KultPlus.com
Prej 11 deri më 13 korrik do të mbahet edicioni i tretë i Rock and Blues Festival 2025 e që do të përfshijë grupe të ndryshme të muzikës, shkruan KultPlus.
Elita 5, Minatori, Eugent Bushpepa e emra të tjerë janë pjesë e këtij edicioni që do të mbahet në hapësirën e ITP-së në Prizren.
Organizatorët kanë bërë të ditur se hyrja është e lirë për këtë festival dhe pritet të jetë një festë e madhe për adhuruesit e muzikës rock./ KultPlus.com
Nën sharmin e ekspozitës me titullin ‘Family album Woven Soil’ Sislej
Xhafa i cili jeton në Nju-Jork nëpërmjet dhjetë fotografive do t’i “kthejë” në bjeshkët zvicerane ato që i quan pasardhëse të lopëve që “migruan” në Kosovë më 1999.
“E kam zgjedhur si një mënyrë për me lidhë kujtimin me tokën. ‘Family album’ nuk ka të bëjë vetëm me njerëzit, por me gjithçka që mban kujtesë dhe afërsi. Në këtë rast, lopët janë figura që ruajnë në trupin e tyre një akt mirësie, një dhuratë që erdhi prej Zvicrës në një nga momentet më të vështira për Kosovën”, ka thënë Sislej Xhafa për ekspozitën e cila hapet në Alpet e Zvicrës, transmeton albinfo.ch.
Kthyer në histori, në Kosovën e vitit 1999, pos kthimit në shtëpi të rreth një milion shqiptarëve të dëbuar me forcë nga policia e ushtria e Serbisë, janë regjistruar edhe histori të shumta. Midis atyre edhe aso të solidaritetit nga shtet të ndryshme evropiane e gjithandej botës.
Një prej akteve të ndihmës qe edhe dhurimi i bagëtive për banorët e një vendi që kishin humbur gjithçka. Edhe kulmin mbi kokë. Federata e Zvicrës i kishte dalë në ndihmë Kosovës edhe me lopë. Pas më shumë se çerekshekulli, ky akt do të rikthehet në vepër arti. Është artisti nga Kosova me nam botëror, Sislej Xhafa që nëpërmjet gjuhës së artit do t’i kthejë në Zvicër imazhet e pasardhëseve të lopëve të dhuruara më 1999. Krejt kjo në kuadër të ekspozitës “Passage – arti në Gemmi Pass” në Gemmi Pass në Alpet e Zvicrës.
Për të, nuk bëhet fjalë veç për një ekspozitë, por e sheh si përpjekje për ta rikthyer në vëmendje një histori të heshtur që mban ende shumë kuptim.
“Titullin ‘Family album Woven Soil’ e kam zgjedhur si një mënyrë për me lidhë kujtimin me tokën. ‘Family album’ nuk ka të bëjë vetëm me njerëzit, por me gjithçka që mban kujtesë dhe afërsi. Në këtë rast, lopët janë figura që ruajnë në trupin e tyre një akt mirësie, një dhuratë që erdhi prej Zvicrës në një nga momentet më të vështira për Kosovën”, ka thënë ai pak ditë para hapjes së ekspozitës. Sipas Xhafës, “Woven soil” është një metaforë për një tokë që nuk është thjesht dhé, por është një shtresë e endur me kujtime, dhembje e shpresë.
“Kur i kam fotografuar këto kafshe, pasardhësit, nipat, mbesat…. të atyre që erdhën në vitin 1999, kam dashur të tregoj diçka që s’ka zë, por që jeton në çdo hap në fushat tona. Kam zgjedhur të tregoj jetën që nisi serish përmes kujdesit dhe pranisë së tyre”, ka thënë Xhafa ekspozitat e të cilit kanë shëtitur botën. Në konceptin e Xhafës, i cili ka vepra në hapësira publike në disa vende të botës, pasardhësit e lopëve të Zvicrës në imazhe janë dëshmi të një kujdesi të heshtur, të një akti njerëzor qe nuk u bë për bujë, por për jetë.
“Një album familjar ku nuk gjejmë vetëm portrete, por ndjenja që ecin mbi dheun që i ka mbajte e i ka ushqyer. Një kujtim i gjalle, pa fjale”, ka thënë ai. Konceptet artistike të Xhafës shquhen për trajtime e perspektiva të holla. Në këtë rast, arti për të, nuk është formë komunikimi por një gjendje qenieje.
Është provokim në të shumtën e rasteve.
“Ai nuk kërkon të shpjegoje botën, as të bindë për të vërtetën e saj, por të dëshmojë praninë e asaj që rrëshqet nga ndërgjegjja jonë, nga historia jonë e folur dhe e shkruar. Arti nuk flet me zë, sepse ai operon përtej gjuhës në hapësirën ku fjala dështon dhe ndjenja fillon të marrë forme”, ka shpjeguar Xhafa për ekspozitën e cila do të hapet më 6 korrik dhe do të jetë në dispozicion të vizitorëve deri më 6 tetor. Vizitorë të shumtë të asaj pjese të Alpeve do të njihen me aktin e solidaritetit të Zvicrës në raport me Kosovën e po ashtu me artin në mes si mirënjohje e simbolikë e marrëdhënies midis njerëzve e kafshëve.
Në botëkuptimin e Xhafës në rastin konkret, arti nuk është as mesazh, as protestë, sepse nuk ngrihet mbi një qellim.
“Ai është një mënyrë e të qenit në botë, një formë e vëmendjes radikale ndaj atyre fragmenteve të jetës që nuk zënë vend në arkiva, në statistika apo në kronika”, ka sqaruar Xhafa, i cili më 2017 përfaqësoi Kosovën në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecia, përderisa më 2013 ishte midis përfaqësuesve të Italisë. Fotografitë i ka shkrepur jo mbi një subjekt estetik, por mbi qenie që janë bartëse të një kujtese.
“Kjo është të pohosh se edhe jeta që zakonisht qëndron në periferi të kujdesit tonë ka një histori, ka një marrëdhënie me dhimbjen dhe me dashurinë. Arti në këtë kontekst, bëhet dëgjues i heshtjes së kafshëve, dëshmitar i një toke që është plagosur dhe që ka ringjallur veten nëpërmjet gjesteve të heshtura”, ka thënë ai.
Në perspektiven e Xhafës – i cili është shpallur edhe Akademik Nderi i Akademisë së Arteve të Bukura në Firencë – në ndërthurjen midis vendeve, kafshëve dhe njerëzve, arti nuk ndërton ura artificiale, ai e lejon lidhjen të ndodhë vetvetiu, përmes pranisë.
“Ai bëhet një fije pothuaj e padukshme, por e patundshme, që nuk na mban bashkë përmes logjikës, por përmes ndjenjës. Një ndjenjë që nuk kërkon arsye, por njohje të thellë. Njohje të prekjes, të kujtesës trupore, të dashurisë që nuk flet gjuhë njerëzore”, ka thënë ai. Për të, arti është, ndoshta, e vetmja hapësirë ku koha nuk është lineare. Sipas tij, nëpërmjet artit, e shkuara, e tashmja dhe e mundshmja bashkëjetojnë, jo si ngjarje, por si përvoja.
“Dhe pikërisht për këtë, arti ka fuqi që asnjë medium tjetër nuk e ka. Ai e shfaq atë që nuk mund të vërtetohet, e ndien atë që nuk mund të përshkruhet dhe e shpëton nga harresa”, ka thënë Xhafa derisa ka folur për ekspozitën që organizohet nga Klubi Alpin Zviceran.
Sipas organizatorëve “Passage – Arti në Gemmi Pass”, fton vizitorët të ndjekin një shteg frymëzues arti.
“Gjatë rrugës, vizitorët do të gjejnë 13 vepra arti që i inkurajojnë të lidhen me mjedisin përreth, të reflektojnë dhe të përjetojnë artin me të gjitha shqisat. Këto vepra ndërveprojnë në mënyrë krijuese me natyrën përreth, turizmin dhe rëndësinë historike të ‘Gemmi Pass’ si një rrugë kalimi e Alpeve”, shkruhet në sqarimet për ekspozitën e kuruar nga Beate Engel dhe Peter Erismann. Sipas organizatorëve, veprat e artit në këtë rast janë shumëllojshmëri metodash pune, përfshirë formatet performative.
“Në qendër të vëmendjes është ‘kalimi’ nga Lämmerenhütte SAC drejt Daubensee, nga hoteli alpin “Schwarenbach” drejt Spittelmatte, dhe deri në stacionin malor “Sunnbüel”. Marrëdhënia midis njeriut dhe natyrës në kohën e krizës klimatike trajtohet në mënyrë të gjallë. Vizitorët mund të presin gjithashtu një program mbështetës tërheqës, përfshirë turne të udhëhequr dhe shpjegime gjatë ekspozitës tremujore”, shkruhet në sqarime për ekspozitën ku midis 13 artistësh marrin pjesë edhe Christophe Burgess, Mawlle Cornut, Bob Gramsm e Séverin Guelp. Sislej Xhafa në këtë rast paraqet simbolikën e tokës së ndërthurur nëpërmjet një akti solidariteti ku kafshët bartin histori./ albinfo.ch/ KultPlus.com
Pjesë nga romani “Rrëmbimi nga shkronjat” i autorit Dan Bozhlanit. Ky roman është i botuar vetëm në gjuhën frënge. KultPlus po e sjell për herë të parë në gjuhën shqipe një pjesë nga ky roman i autorit Bozhlani.
Sapo kaloi kuadratin e portës, frymëmarrja e qetësisë ia përkëdheli ngrohtësisht veshët. Menjëherë krodhi vështrimin e përhumbur në murin e mveshur me libra shumëngjyrësh, nga ku doli një gulçim, që u përplas rënkueshëm në tri pjesët e tjera të sallonit. E shtriu trupin e molisur mbi divan, pastaj përgjumshëm filloi shfletimin e librit, me të cilin do ta përmbyllte leximin e tërë kësaj biblioteke, grumbullimi i së cilës në këto përmasa të admirueshme i kërkonte vëmendje prej vitesh. Akrepat e orës ndodheshin në krye të një udhëtimi njëorësh nga ai çast i pazakontë i frymëmarrjes, kur në zgavrat e veshëve të shtangur i arriti ulërima në formë fjalësh, që para se ta dëgjonte, e kapi nxitimthi me sy:
– I keni përkulur nënçmueshëm sytë mbi mua!
Veshët i gjëmonin, kurse tëmthat i rrihnin aq fort, sa zemra në kraharor. E rikujtoi fluturimthi frymëmarrjen, e cila s’dëgjohej më, ndërsa mendimet e nxituara e gjetën brenda lëkurës së një dite jonormale. U orvat ta mposhtte këtë tronditje, duke i mbledhur forcat e drobitura për t’u ripërqendruar.
– Nuk i duroj më sytë njerëzorë të rrokullisen shpërfillshëm mbi fjalët e mia. Jua ndaloj edhe këtë këqyrje të përvjedhur.
Përveçse i dëgjoi, pa se si lundruan vetëtimthi në ajrin e sallonit. Zgurdulloi sytë, ndërsa pëllëmbët e duarve i ngjeshi instinktivisht mbi veshët e skuqur. Në thellësinë e kokës, fjalët i zhurmonin pa ndërprerë, sa e bënë t’i largonte duart rrufeshëm që andej.
– Do të jeni të verbër përballë përmbajtjes së llojit tim, nëse nuk i përgjigjeni thirrjes me bindje.
E thelloi kërkimin me sytë e etur për identifikimin e qenies nga ku buronin ato fjalë goditëse.
– Nuk e përballojmë dot më durimin mijëvjeçar, që na shoi ngadalë frymëmarrjen e zërit. Që kur zuri fill kjo heshtje e rëndë në prani të syve njerëzorë, shtypemi nga pesha e vuajtjes, e përbuzjes, e zhvlerësimit dhe e poshtërimit njerëzor. Ato ishin të zëshme dhe lundronin të lira rreth ajrit të tokës, derisa morën trajtën e shkronjave të imta, për t’u gozhduar nga gishtërinjtë njerëzorë mbi faqet e shkëmbinjve, në shtigjet e errëta të shpellave, në pergamenë, në gjymtyrët e ndjeshme njerëzore, e deri te drurët që u shndërruan në fletë të bardha. Sikur të flisnin e mos të lexoheshin, ju do të ishit shumë më njerëzorë.
Aq shumë shkronja pluskuan mbi të, sa u ndie i kanosur nga përmbytja që vinte prej tyre. Por ato, sapo merrnin formë vezulluese, zhdukeshin në çast. Heshtja e thellë ia qetësoi zemrën në atë mikrokozmos të përkufizuar nga muret e ftohta.
– Me ndërgjegje po e rrënoj heshtjen, që rëndon sa toka mbi kurrizin e gjinisë sime.
U rrek të zbulonte me qetësi zanafillën e zërit, teksa me vete pyeti: “Kush vallë po e nxjerr këtë zë me shkronja?”.
– Zërat jonjerëzorë ju llahtarisin, kështu shpjegohet mpirja juaj nga frika. Ndaj s’ka kuptim kërkimi i bashkëqenies sate, sepse jeni njeriu i vetëm këtë banesë. A s’e vëreni që s’është zë njerëzor?
U përpoq të ngushëllohej me faktin, se frika që ndiente vinte si çrregullim i shëndetit psikologjik.
– S’ka prehje në këtë ngushëllim, ngaqë mirëqenien e keni në gjendje të shkëlqyer. Mos humbisni kohë! S’e keni nga lodhja e punës e as nga kllapia, por me veshët e ndërgjegjes po dëgjoni zërin tim.
Fjalët i vinin furishëm para fytyrës e po aty shpërbëheshin, shpartalloheshin, shembeshin. Ndërkaq, ai përpiqej t’i lexonte ashtu të shkapërderdhura, ndonëse shkathtësia e syve sfidohej nga shpejtësia e tyre.
– Erdhi koha të identifikohem përmes syve të trembur të vëmendjes suaj, ndaj përkuli ata mbi barkun tënd të shtrirë. Po qëndroj mu aty, i hapur në pëllëmbët tuaja: unë quhem libër, ashtu siç na keni pagëzuar ju.
I çakërriti sytë, kurse mornicat i përshkuan trupin.
– Oh, ç’janë këta sy të zmadhuar?! Paradoksale t’ju flasë një libër, ëëë?! Mos guxoni të veproni ashtu siç menduat, duke më përplasur për muri e t’ia mbathni me të katërta, sepse zëri im mund të zgjatet deri te veshët tuaj, pavarësisht distancës sonë!
I frenoi mendimet udhëzuese, që e çonin drejt arratisë.
– Përse nxiroseni nga frika? S’kam ndër mend t’jua shkul shpirtin nga fiziku dyzetvjeçar. Zhvendoseni vëmendjen te zëri im. Së pari, më mbani larg gojës, ngaqë kutërboni, ju lutem!
Kjo lutje ia zbuti tensionin mendor, e ndërkohë fytyra iu skuq nga turpi.
– Keqtrajtimi i vijueshëm më çoi në revoltë shpërthyese! Ndonëse jemi prej letre, peshojmë sa vetë ju, ngaqë mbartim vlefshmërinë e shkronjave, që zhvillojnë dinjitetin njerëzor më shumë se çdo gjë tjetër.
Rëndësia e librave i ngjau e pazëvendësueshme.
– Na blini për të na burgosur ngulfatshëm nëpër biblioteka. Na nxirrni që andej duke na gërvishtur; na përplasni mbi tryeza, na përthyeni fletët, flini mbi ne përgjatë pauzave, na njollosni me pije, na mbushni me thërrime, na hidhni nëpër kosha të mbeturinave, na vini zjarrin për t’u ngrohur…
Koka i lëvizi mohueshëm.
– Jo ju, jo! Ju që posa më hapët me ashpërsi, më shfletuat me shikim sipërfaqësor e me përgjumje m’i përbuzët shkronjat. Pastaj më përdorët si mbulesë mbi fytyrë, për ta penguar dritën që të dremitni me gërhitje.
Fytyra iu bojatis me shprehjen e ngushtimit.
– Me hapje të vrazhda m’i trandët aq shumë shkronjat, saqë ende s’janë qetësuar nga dridhjet e frikës, kurse në vend të kërkimfaljes, i përbuzët me mosvëmendje.
Me shikim të pjerrët shqoi lëkundjen e tyre përbrenda kornizave të fletëve.
– Si mund të silleni kështu ju, që përbëheni nga ndjenjat dhe porsa të lëndoheni, ofendoheni ose keqtrajtoheni; dini të vini kujën qaramane, kurse me shumë lehtësi torturoni pamëshirshëm çdo gjë tjetër.
Dridhja e shkronjave i kaloi nëpër gishtërinj e më pas ia përfshiu gjithë trupin.
– Andaj, mjaft më! Ti dhe gjithë soji yt jeni vetëdijesuar, brumosur, edukuar, arsimuar dhe emancipuar mbi krijesat e llojit tim pa shprehur asnjë mirënjohje. Këto fjalë e ndërgjegjësuan me vetëqortim.
– Ka pesë vjet, që kur shtypshkronja më mveshi me misionin e librit. Pastaj më transportuan për të më radhitur në vitrinën e një librarie, nga ku dora juaj më tërhoqi, për të më futur me vështirësi në cepin e kësaj biblioteke. Kam parë njerëz të llojllojshëm që vinin për vizitë, siç kam parë edhe më shumë përgjatë atij udhëtimi, por s’dëgjova një herë të vetme fjalën mirënjohje për shërbimin tonë.
Me buzë të ngrira, deshi të mërmëriste “faleminderit!”.
– Falënderuat me lavdërime shkrimtarë e autorë, ndërkaq nuk u kujtuat ta çmoni me mirënjohje mundin e librave të gjorë, që transmetojnë me dinjitet ushqimin shpirtëror e mendor ndër breza, duke e ruajtur diturinë më mirë sesa vetë truri juaj i përkohshëm. Ndonëse nuk e dëgjojmë fjalën “mirënjohje”, të paktën mos na fyeni me lexim të përgjumur, ngaqë shërbejmë për t’ju zgjuar.
Ndjesia e turpit iu duk që e tkurri deri në kockë.
– Para se ta vë theksin te kërkesa kryesore, që më shtyu ta thyej premtimin e heshtjes mijëvjeçare, bëni thirrje për gjeneratën e këtij shekulli: kini kujdes me çfarë mendimesh na ngarkoni, sepse ato shërbejnë për formimin e gjeneratave të ardhshme, dhe mos luani me dinjitetin e shkronjave, ngaqë kufiri i përmbajtjes së tyre ka kufi. Mund të marrin arratinë nga fletët e bardha, t’i boshatisin sytë dhe duart tuaja të brishta, dhe ta braktisin këtë tokë të përbaltur. Mund ta merreni me mend se ç’pasoja tragjike do të shkaktohen pa praninë e shkronjave në tokë?!
Përfytyroi librat me faqe të zbrazëta nga përmbajtja e shkronjave.
– Ja, prapë me gishtërinjtë si gozhda po ma ndrydhni kopertinën! Njeriu duhet ta shohë gjakun, për ta kuptuar dhimbjen. Por gjaku im ka ngjyrë të zezë dhe qarkullon nëpër shkronja, sikurse juaji me ngjyrë të kuqe që vërshon nëpër vena. Edhe nëse troshitem, nuk nxjerr gjak, ngaqë nuk dua ta trondis dheun.
Fjalët e fundit i erdhën në vesh me zë të dobësuar.
– Zërit tim po i fiket fuqia. Kjo mekje paralajmëron sosjen e kohës së zëshme, prandaj duhet të nxitoj, që të depërtoj në veshë, për t’u shfaqur në trurin tuaj me kërkesën për zbatim të domosdoshëm. Malli i përzier me frikë e trazuan emocionalisht./ KultPlus.com
Shqipëria ka hyrë fort në radarin e udhëtarëve evropianë duke u bërë një nga destinacionet më të dëshiruara për verën, shkruan faqja e njohur italiane forumagricolturasociale.it (FAS).
Falë një deti çuditërisht të pastër, plazheve ende pak të frekuentuara nga turizmi masiv dhe çmimeve padyshim të përballueshme, kjo perlë e Ballkanit po fiton një vend të privilegjuar në zemrat dhe ushqimet e atyre që kërkojnë autenticitet pa hequr dorë nga bukuria e saj.
Por, midis shumë vendeve bregdetare, cilat janë vërtet qytetet me detin më të bukur? Janë tre që dominojnë skenën, të afta të ofrojnë pamje marramendëse dhe një përvojë intensive dhe të rafinuar bregdetare.
Dhërmiu: uji bruz që sfidon Karaibet
I vendosur midis gjelbërimit të maleve dhe blusë së pafundme të detit Jon, Dhërmiu është thelbi i Rivierës Shqiptare.
Fama e tij nuk është e rastësishme: vetëm një vështrim në ngjyrën e ujit, transparente dhe e gjallë, mjafton për të kuptuar pse ky vend e çmend këdo që shkel atje.
Por, Dhërmiu nuk është vetëm estetikë: është një ekuilibër i përsosur midis atmosferës së egër dhe atmosferës së verës, midis perëndimeve të qeta të diellit dhe mbrëmjeve të ndriçuara nga muzika dhe koktejet në plazh.
Pika kulmore është padyshim Plazhi i Gjipesë, një shtrirje bregdetare e vendosur midis shkëmbinjve të lartë që duket sikur ka dalë nga një kartolinë ekzotike.
Mund të shkoni atje në këmbë, përgjatë një shtegu midis ullinjve, ose nga deti: në të dyja rastet, emocioni është i garantuar.
Aty pranë gjendet e fshehur edhe Shpella e Piratëve, një gji sugjestionues, i arritshëm me kajak, i cili i shton një prekje misteri qëndrimit.
Ajo që e bën Dhërmiun edhe më të veçantë është ”shpirti i tij paqësor”: Manastiri me pamje nga deti ofron një pamje të pakrahasueshme dhe një ndjesi paqeje që është e vështirë të harrohet. Një vend ku koha duket se ndalet, ndërsa deti vazhdon të tregojë histori të lashta.
Himara, atje ku bregdeti vishet me autenticitet
Më në jug, përgjatë të njëjtit bregdet të Jonit, Himara magjeps me thjeshtësinë e saj autentike dhe detin e saj të qelqtë.
Është një qytet i qetë, ku çdo plazh ka identitetin e vet, nga rëra e artë te gjiret e fshehura me guralecë. Por, ajo që pushton vërtet është atmosfera: e vërtetë, e gjallë, kurrë artificiale. Këtu turizmi ende përzihet me jetën lokale dhe kjo e bën përvojën më intensive.
Midis një noti dhe një shëtitjeje, nuk mund ta injoroni Kalanë e Himarës, të vendosur në një kodër dhe roje e një historie mijëvjeçare që shikon nga deti.
Pamja nga atje lart është një nga ato që mbeten të gdhendura përgjithmonë. Dhe pastaj është Porto Palermo, me gjirin e tij të qetë të dominuar nga kalaja e Ali Pashës: një vend që duket i pikturuar, perfekt për ata që e duan zhytjen me maskë, por edhe për ata që kërkojnë një vështrim poetik për të soditur.
Jala, gjiri sekret që magjeps udhëtarët
Midis Dhërmiut dhe Himarës, si një sekret i pëshpëritur midis shkëmbinjve, Jala zbulon veten në të gjithë mrekullinë e tij. Është një gji i vogël, i mbrojtur dhe diskret, ku uji merr nuanca joreale dhe rëra duket si kadife.
Është vendi ideal për ata që kërkojnë pushime më intime, të bëra nga ngadalësia dhe detajet, me nota të qeta dhe mëngjese pranë detit. Pavarësisht madhësisë së saj, Jala surprizon me shumëllojshmërinë e ofertave të saj.
Gjatë ditës është relaks i pastër: kajak, zhytje me maskë, shëtitje përgjatë bregdetit ndërsa në perëndim të diellit, plazhi gjallërohet me drita dhe tinguj të butë që përzihen me flladin e detit.
Klubet e plazhit këtu janë elegante dhe kurrë të tepërta, të dizajnuara për ata që duan të përjetojnë natën pa hequr dorë nga sharmi i vendit.
Por, pasuria e vërtetë e Jalës qëndron në gjiret e saj të fshehura, të arritshme vetëm me varkë ose me not.
Shpella detare me ”aromë” kripe dhe misteri, restorante të vogla që shërbejnë peshk të sapo kapur dhe një ndjenjë harmonie me natyrën që është e vështirë të gjendet diku tjetër./ atsh/ KultPlus.com
Belgjika ka njohur zyrtarisht praninë e atasheut të mbrojtjes së Republikës së Kosovës në Bruksel, një zhvillim i rëndësishëm diplomatik që forcon marrëdhëniet bilaterale dhe afron më shumë Kosovën me NATO-n dhe Bashkimin Evropian.
Lajmi u bë i ditur gjatë një konference të përbashkët për media nga ministri i Mbrojtjes së Belgjikës, Theo Francken, dhe ministri në detyrë i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci.
Lajm fantastik!
Përmes një konference të përbashkët për media, së bashku me ministrin e mbrojtjes të Belgjikës, Theo Francken, bëm të ditur që bashkëpunimi bilateral ndërmjet dy shteteve po merr një hap tjetër zhvillimi. Belgjika zyrtarisht mirëpret atasheun e mbrojtjes së Kosovës në Bruksel, ndërsa sigurisë së vendit që nga ky vit, ky shtet partner i yni, po i kontribuon me angazhimin e trupave ushtarake të tyre në kuadër të KFOR-it.
Mirënjohës pafund për mbështetjen që Belgjika i ka ofruar Kosovës që nga viti 2008, ndërsa jam tejet i entuziazmuar për marrëdhëniet tona që po fillojnë të thellohen në rrugëtimin e Kosovës drejt integrimit euroatlantik.
Në Ballkanin Perëndimor, Belgjika gjithmonë do të ketë Kosovën aleat të besueshëm të saj.
Gazetari Enver Robelli tha sot në një postim në rrjetet sociale, se Shqipëria po ndryshon pozitivisht duke u bërë një top destinacion turistik.
Nisur nga përvoja e pushimeve të tij, nga “Vlora te Gjiri i Gramës, shpellë pas shpelle, gji pas gjiu mes shkëmbinjve, ujit të kristaltë, kaltërsisë së pafundme të detit, historive të lashta të piratëve”, Robelli shkruan se përtej problemeve, vendi ynë po ndryshon pozitivisht, duke theksuar se “është në duart e autoriteteve qendrore e lokale si dhe të qytetarëve të përgjegjshëm ruajtja e kësaj pasurie pafund të çmueshme”.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro vlerësoi se “pena dhe fotografitë e tij vijnë me gjuhën e dashurisë që kemi marrë ndër vite prej vizitorëve të Kosovës, të cilët sipas Kumbaros kanë qenë “agjencia më e fortë e marketingut” të zhvillimit tonë të turizmit mbi një “kontratë” të nënshkruar me zemër””./atsh/ KultPlus.com
Dy balete, dy universe koreografike, pasioni dhe reflektimi, u ngjitën në skenën e Teatrit Kombëtar mbrëmjen e të martës, duke dhuruar një përvojë unike artistike, për publikun.
“Walk on by” një krijim bashkëkohor i koreografes australiane Nicola Wills, me muzikë origjinale të Adam Vincent Clarke, ishte shfaqja e parë që u prezantua.
Një vepër abstrakte që flet për njeriun në tranzicion, për izolimin dhe për bashkëjetesën e përvojave personale brenda një bote kolektive në lëvizje.
“Walk on by” është një premierë botërore që vjen në Teatrin Kombëtar të Operas në Shqipërisë. Është një pjesë reflektimi social, një moment për të reflektuar mbi izolimin e individëve në një grup, për konfliktet, rivalitetin, lumturinë dhe gjëra të tilla. Mua më pëlqen të kaloj kohë në Tiranë, të njoh kulturën shqiptare dhe të takoj njerëzit miqësorë e të shoh sa me gëzim e marrin ata jetën. Reflektimi im këtë herë është si turiste, por jam përpjekur ta lidh atë me pjesën që do interpretojmë dhe është diçka shumë i veçantë fakti që do të përfshihemi në këtë event”, thotë koreografja Nicola Wills.
“Cantata” nga ana tjetër është një nga kryeveprat e koreografit italian Mauro Bigonzetti, e cila sjell një shpërthim emocionesh në ritmin, pasionin dhe shpirtin e Italisë së Jugut.
Me muzikën autentike të grupit “Assurd”, kjo vepër është një festë e rrënjëve, ndjenjave dhe lidhjeve njerëzore.
“Cantata” është një koreografi që flet për marrëdhëniet mes njerëzve. Është një spektakël që shkon në kërkim të ekuilibrave në një raport, që për t’i arritur kalohet përmes dashurisë, urrejtjes, vuajtjes, gëzimit, argëtimit, e të tjera. Ndaj, baleti ka këtë objektiv: ekuilibrin mes qenieve njerëzore. Elementi kyç i këtij baleti është muzika tradicionale e jugut të Italisë. Është një balet që sjell gëzim, është një himn për jetën”, shprehet Vincenzo Capezzut, koreograf.
Për drejtuesin artistik të baletit në TKOB, Edi Blloshmi, kjo pjesë nuk është thjesht një shfaqje, por një festë në teatrin e Operës, ku celebrohet jugu i Italisë./euronews.al/ KultPlus.com
Parku Kombëtar i Butrintit ka regjistruar një numër rekord vizitorësh në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025.
Në periudhën janar-qershor 2025, Butrinti mirëpriti 105,615 vizitorë. Krahasuar me qershorin e vitit të kaluar, kjo shifër përkthehet në 71% më shumë vizitorë dhe në 76% më shumë të ardhura.
Këto shifra janë një tregues i qartë i rëndësisë dhe potencialit të jashtëzakonshëm që ka trashëgimia jonë kulturore dhe natyrore. Butrinti përveç se është krenari kombëtare është gjithshtu në listën e pasurive botërore të UNESCO-s.
Ai ndodhet 25 km larg qytetit të Sarandës dhe shtrihet në brigjet e detit Jon.
Në brendësi të parkut gjendet qendra kryesore arkeologjike e Butrintit, ndërsa përreth saj ka edhe monumente të tjera që dëshmojnë për qytetërim mbi 3000-vjeçar.
Ky park është një kombinim fantastik i mjediseve detare, lumore, lagunore, fushor e kodrinor, ku janë mjaft të pranishme edhe elementet historike, të tillë si Kalaja mesjetare e Ali Pashë Tepelenës, e sidomos rrënojat arkeologjike të qytetit të Butrintit, me fillesat që në sh.IV p.e.s. Për këtë arsye, pjesa arkeologjike e saj, në Gadishullin e Butrintit, është shpallur pjesë e UNESCO-s, që më 1999, gjë që rrit më tej atraksionin ekoturistik. /atsh/ KultPlus.com
Në vijim të stinës koncertore, Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar do të vijë me një koncert të veçantë në sallën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.
Ky event do të sjellë në skenë kryeveprat e kompozitorëve të mëdhenj, duke nisur me Suitën nga baleti “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” nga Nikolla Zoraqi, frymëzuar nga romani i Ismail Kadaresë.
Më pas, publiku do të shijojë magjinë muzikore të Georges Bizet me Suitën Opus.22 për orkestër dhe Adagio për kuartet orkestror nga Guillaume Lekeu, një pjesë e pasur me emocione dhe nuanca të holla.
“Vincent d’Indy është një kompozitor shumë i rëndësishëm, sikurse Lekeu apo Bizet, që vijnë me një vepër të një natyre tjetër. Gjithë kësaj atmosfere i vëmë edhe një vepër tonën, pikërisht sepse sivjet është viti i parë i ndarjes së Kadaresë nga kjo jetë,” tregon dirigjenti Zhani Ciko.
Kulmi i koncertit do të jetë interpretimi i Simfonisë për orkestër dhe piano Opus.25 nga kompozitori Vincent d’Indy, ku do të interpretojë pianisti i njohur francez Pascal Gallet.
“4 korriku është një ditë shumë e veçantë, sepse për herë të parë do të luhet në Shqipëri simfonia për orkestër dhe piano nga kompozitori francez Vincent Dindy. Personalisht jam shumë i kënaqur që po e luaj këtë muzikë me maestro Zhani Cikon dhe orkestrën tuaj të mrekullueshme. Ata janë të jashtëzakonshëm. E vlerësoj shumë mundësinë që do të performoj me ta në skenë,” thotë pianisti Gallet.
Nën drejtimin e dirigjentit Zhani Ciko, ky koncert premton emocione për të gjithë dashamirësit e muzikës klasike. Koncerti do të vijë për publikun në datën 4 korrik.
Gjithe jeta e tij ishte dhe mbeti nje golgotë e gjatë dhe e mundimshme. Para se të realizonte ëndrrën, gjatë sfidës për ta bërë atë realitet të prekshëm, kur u ngjit në apogje, në të fikur të jetës së ti, ai ndriti me flakën e tij, dhe u dogj prej saj, e nga hiri rilindi, si një feniks.
I konsideruar si një nga shkrimtarët më të mirë dhe më me ndikim, Hermann Hesse i përkiste grupit të shkrimtarëve që ishin kryesisht të zhgënjyer nga proceset rreth tyre gjatë shekullit të njëzetë. Shumica e shkrimeve të tij citonin një dëshirë të madhe për epokën e kaluar të romantizmit dhe shprehnin trazirat e tij shpirtërore, të rrënjosura thellë në patosin e epokës moderne, pasi ajo po humbiste dalëngadalë lidhjen e saj me vetveten e brendshme. Por pavarësisht kësaj, ai dha konceptin e tij për një botë ideale, e cila mund të shihet si mbetje e shkollës së mendimit romantik. Ashtu si Blake dhe Wordsworth, ai u përqendrua në tre fazat e zhvillimit të jetës njerëzore. Por kjo kronologji mund të mos jetë e zakonshme në epokën moderne, veçanërisht, bota u shkatërrua dhe e shqetësuar pas dy luftërave botërore. Ai besonte se njerëzit e lindur gjatë ose pas luftërave të mëdha nuk kanë gjasa të fitojnë ‘pafajësinë e para Luftës së Parë Botërore’ dhe për këtë arsye “përballen me nevojën për të bërë zgjedhje dhe gjykime të lira” në fazën e tyre të dytë të jetës. Pothuajse të gjitha romanet e tij trajtonin këtë temë. Ndërsa bota ishte ende duke u rikuperuar nga rrënojat e Luftërave, personazhet e tij kërkuan kuptimin e jetës që përfshinte refuzimin e rrugëve konvencionale drejt paqes.
Laureati i çmimit “Nobel”, Hermann Hesse vdiq para 60 vjetësh. Por vepra e tij jeton, shkruan gazetari i DW, Laura Döing.
Ai është një nga shkrimtarët më të njohur gjermanë në botë. Edhe pse e kishin harruar për një kohë të gjatë. Kur duan të tregojnë sa pa vlerë është bërë diçka, atëherë gjermanët përdorin shprehjen popullore për saksitë e luleve. Kështu, gazeta e respektuar gjermane, e përjavshmja “Die Zeit” shkruante në vitin 1962: “Me Hermann Hesse -n nuk mund të fitosh më asnjë saksi lulesh”. Hesse kishte vdekur në atë kohë në moshën 85-vjeçare nga një hemorragji cerebrale. Por koha vetë do t’i ndëshkonte si gënjeshtra fjalët e gazetës “Koha”, “Die Zeit”. Hesse zë ndërkohë vend në shumë biblioteka personale. Tirazhi i veprave të tij në botë arrin të paktën 125 milionë ekzemplarë. Librat e Hesse-s janë përkthyer në gati 60 gjuhë. Se ai do të bëhej shkrimtar një ditë, e kishte të qartë, por prindërit e tij i shihnin gjërat ndryshe. Hermann duhej të bëhej klerik, si ata vetë: Babai i tij punonte që para se të lindte ai, si misionar në Indi, nëna e tij ishte e bija e një misionari. Më 2 korrik 1877 ajo lindi Hermann-in. Hermann u lind në Calw, pranë Shtutgartit dhe u rrit në një shtëpi shumë fetare. Prindërit e tij e dërguan në vitin 1891 në seminarin protestant Maulbronn. Pas disa muajsh ai u arratis që andej, sepse nuk mundi ta duronte edukimin kristian. Ai e kishte marrë vendimin: “Ose do të bëhej poet, ose asgjë”. Rruga drejt të shkruarit qe një odise e vërtetë. Hesse shkoi në shkolla të ndryshme, nuk mundi të përshtatej, në një fazë depresive u përpoq të vriste veten në moshën pesëmbëdhjetëvjeçare. Më vonë punoi në një punishte ku prodhoheshin makineri, në një fabrikë që prodhonte sahate kullash dhe në librari. Kërkimi i identitetit të tij, procesi i vështirë për të realizuar veten, ishin temat që Hesse do të trajtonte më vonë në romanet e tij. Tregimet e tij përshkoheshin nga përjetime nga jeta, nga analiza të vetvetes dhe rrëfime poetike. Biografi i Hesse-s, Gunnar Decker e shpjegon kështu interesin mbarëbotëror për këtë letërsi: “Çështja e autonomisë dhe e religjiozitetit, një kuptim për fenë, që nuk është militant, misionar, por i hapur për koncepte të tjera të jetës. Kjo është një çështje shumë akute në botën arabe”. Në vitin 1904, me romanin “Peter Camenzind” Hesse pati sukses, papritmas ai mund të jetonte nga të shkruarit. Ai u martua me fotografen Maria Bernoulli, u vendos me të në Bodensee, lindi fëmijë. Por për gjithmonë kjo nuk mund të ishte për Hesse-n. Qëndrimi në një vend, rehatia dhe siguria e lidhur me to, ishin për të shumë monotone. Ato u kthyen në torturë. Martesa e tij ishte me probleme dhe nuk do të mbetej e fundit për të.
Dy persona mund të kenë shumë gjëra të përbashkëta, mund të dakordësohen shumë mes tyre, të flasin për gjithçka së bashku dhe të arrijnë të përkojnë në njëjtësinë e këndshikimit; ta ngrenë në të njëjten lartësi një sublimitet, dhe ta groposin njësoj thellë një ligësi apo një ves. Por shpirtrat e tyre janë mjerisht të ndarë, si lulet, secila ka rrënjën e saj, e asnjëra s’mund t’i afrohet më pranë tjetrit se ç’e ka vendosur me një rreptësi perfekte natyra… nëse nuk braktis rrënjën e vet…
Nga ferma në Bodensee Hesse mori arratinë në botë, shkoi në Sri Lanka dhe Indonezi. Këto udhëtime në Azi influencuan shumë veprat e tij të mëvonshme, për shembull tregimin e tij “Siddhartha”. Pas kthimit të tij, Hesse u vendos në Zvicër dhe në vitin 1914, në fillim të Luftës së Parë Botërore, u regjistrua vullnetarisht në shërbimin ushtarak. Për shkak të shikimit të dobët, nga i cili vuajti gjithë jetën, ai u shpall i paaftë për ushtri. Në vend që të shkonte në front, punoi pastaj në përkujdesjen për robërit gjermanë të luftës, në Berlin. Por lufta dhe propaganda e saj iu neveritën. “O miq, jo këto tone!” e titulloi ai një artikull në “Neue Zürcher Zeitung” në fillimin e luftës, me anë të të cilit donte të porosiste intelektualët gjermanë për më pak polemikë nacionaliste dhe më shumë humanizëm. Rezultati: armiqësi, urrejtje dhe tallje. Kritika dhe ngjarjet e luftës e tronditën Hesse-n. Këtyre iu shtuan problemet personale. Babai i tij vdes, djali i tij më i vogël sëmuret rëndë. Hesse bie në krizë dhe në vitin 1917 kërkon ndihmë profesionale. Përvojën me psikoanalizën Hesse e përshkruan nën pseudonimin Emil Sinclair, në romanin “Demian”. Martesa e parë e Hesse-s mori fund përfundimisht, ai u largua nga familja dhe guxoi të fillonte nga e para. Në shtëpinë e tij të re në Tessin të Zvicrës lindën disa nga veprat e tij më të rëndësishme, si “Ujku i stepës” dhe “Narcisi dhe Goldmundi”. Në vitin 1924 ai mori shtetësinë zvicerane dhe u martua me Ruth Wenger, prej së cilës u nda sërish pas tre vjetësh. Gruaja e tij e tretë, historiania e artit Ninon Dolbin, u martua me Hesse-n në vitin 1931 dhe qëndroi me të deri në fund. Marrjen e pushtetit nga nazistët në Gjermani, Hermann Hesse e shikonte me shqetësim dhe refuzim. Gjatë luftës ai përkrahu refugjatët gjermanë të regjimit nazist, si Thomas Mann dhe Bertolt Brecht, i strehoi ata. Gjatë luftës ai shkroi veprën e tij të fundit, “Loja e perlave prej qelqi”. Në vitin 1946 mori çmimin “Nobel për Letërsinë” me arsyetimin: “Për krijimtarinë e tij frymëzuese poetike, që përfaqëson në zhvillimin e saj të guximshëm dhe të thellë idealet e humanizmit klasik, si dhe artin e lartë të stilit.” Librat e Hesse-s ishin literaturë e kërkuar pas Luftës së Dytë Botërore në Gjermaninë që kërkonte orientim dhe vetëreflektim.
Kur Hermann Hesse vdiq në vitin 1962 në shtëpinë e tij në Montagnola të Zvicrës, duket se popullariteti i letërsisë së tij të nderuar me çmim ishte zhdukur. Kritikët e përshkruan punën e tij si një mbledhje imitimesh pa nivel. Ishte lëvizja e hipive në SHBA që i risolli popullaritetin letërsisë së tij. Fëmijët e luleve rizbuluan veten në personazhet e tij, që luhateshin në mes të ekzistencës si individ artistik dhe anëtar i një shoqërie qytetare, solide. Ashtu si Harry Haller, protagonisti i “Ujkut të stepës”. Libri shitet pafund. Popullariteti i Hesse-s kalon më në fund nga SHBA në botë dhe nuk ka të sosur as sot.
Shtëpia botuese “Suhrkamp”, e cila boton një pjesë të madhe të veprave të Hesse-s, shkruante në vitin 2005, duke iu referuar nekrologjisë së atëhershme për Hermann Hesse-n në gazetën “Die Zeit”: ‘Me asnjë autor tjetër shtëpia botuese ‘Suhrkamp’ nuk ka fituar aq saksi lulesh sa me Hermann Hesse-n’.
Jeta e çdo njeriu është rruga për tek vetja. Asnjë njeri s’ka qenë kurrë krejtesisht ai vetë; megjithatë secili synon të bëhet ai, njeri keshtu e tjetri ashtu, secili sipas menyrës së vet. Secili mban deri në fund mbeturinat e lindjes së tij, gëlbazën dhe lëvozhgën e një lashtësie. Disa nuk arrijnë të bëhen kurrë njerëz, mbeten bretkosa, hardhuca, buburreca. Disa lart janë njerëz e poshte peshq. Por secili është pjellë e natyrës, pra të gjithë kemi prejardhje të njëjtë, të gjithë rrjedhim nga e njejta rrugë; mirëpo secili…i synon qëllimet e tij. Ne mund ta kuptojmë fare mirë njeri-tjetrim, por ama secili flet për veten e vet…
Asnjë prodhim filmik nuk ka qenë aq i trazuar sa filmi epik i luftës i vitit 1979, “Apocalypse Now”.
Ndërsa dokumentari pas skenave “Hearts of Darkness: A Filmmaker’s Apocalypse” ripublikohet, regjisori i tij dhe dy prej atyre që ishin në shesh xhirimi zbulojnë detaje tronditëse të kaosit dhe gjenialitetit që fshiheshin pas krijimit të kësaj kryevepre.
Vetë regjisori Francis Ford Coppola e pranoi se mënyra e realizimit të filmit ishte “shumë e ngjashme me mënyrën se si vepruan amerikanët në Vietnam”. “Ne ishim në xhungël. Kishte shumë prej nesh. Kishim qasje në shumë para, shumë pajisje dhe, pak nga pak, u çmendëm,” shpjegoi ai pas shfaqjes në Festivalin e Filmit në Kanë në vitin 1979.
Megjithëse problemet e prodhimit ishin dokumentuar mirë në shtypin e kohës – nga problemet financiare te ndryshimet e aktorëve, problemet shëndetësore dhe moti ekstrem – vetëm në vitin 1991, përmes dokumentarit “Hearts of Darkness”, u bë e qartë shkalla e vërtetë e kaosit.
“Zemra e Errësirës”, një vështrim nga brenda
Dokumentari, i krijuar nga pamje të shumta të xhiruara nga gruaja e Coppola-s, Eleanor, përshkruan një prodhim që, ndërsa ishte mahnitës në shtrirje, ambicie dhe vizion, ishte po aq i çrregullt, i mbushur me drogë dhe plot pengesa të pakapërcyeshme. Fax Bahr dhe i ndjeri George Hickenlooper, dy regjisorë të rinj, u ngarkuan me detyrën për të shqyrtuar orë të tëra pamjesh për të treguar historinë rrëqethëse të realizimit të filmit. Tani, pas një restaurimi 4K, dokumentari rikthehet në kinematë e SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Bahr kujton ditën e parë kur pa pamjet filmike të Eleanor Coppola-s, të cilat kishin mbetur pothuajse të paprekura për më shumë se një dekadë. “Bobinat që pamë ishin të jashtëzakonshme. Thjesht pamje të bukura,” tha ai për BBC. “Me sa duket, ajo kishte regjistruar me kujdes gjithçka që po ndodhte. Ishte absolutisht e artë.”
Një listë e gjatë problemash
“Apocalypse Now”, bazuar lirshëm në novelën e vitit 1899 “Zemra e Errësirës” nga Joseph Conrad, konsiderohet si një nga veprat më të mëdha në historinë kinematografike. Megjithatë, pothuajse dështoi në faza të ndryshme. Xhirimet filluan në Filipine në mars të vitit 1976 dhe ishin planifikuar të zgjasnin pesë muaj, por në fund zgjatën më shumë se një vit.
Lista e problemeve ishte e gjatë:
• Zëvendësimi i aktorit kryesor: Coppola shkarkoi aktorin Harvey Keitel disa javë pas fillimit të xhirimeve dhe e zëvendësoi me Martin Sheen.
• Problemet shëndetësore: Sheen pësoi një atak kardiak gati fatal në vend xhirimi.
• Kushtet e motit ekstrem: Sete të shtrenjta u shkatërruan plotësisht nga një tajfun.
• Probleme me shëndetin e stafit: Disa aktorë u infektuan me parazitë krimbash të lidhur.
• Mbipesha dhe papërgatitja e Marlon Brandos: Aktori Marlon Brando, i cili luante rolin e Kolonelit Kurtz, u shfaq në shesh xhirimi shumë mbipeshë dhe plotësisht i papërgatitur, duke detyruar Coppola-n të rishkruante dhe të xhironte sërish fundin e filmit.
• Probleme financiare: Filmi tejkaloi aq shumë buxhetin sa Coppola mori përsipër financimin e tij personalisht, një lëvizje që do ta kishte shkatërruar nëse filmi nuk do të kishte qenë një sukses.
Eleanor Coppola, në librin e saj “Shënime”, zbuloi se edhe pas përfundimit të xhirimeve, gjatë post-produksionit, Francis i jepte vetes vetëm 20% shanse për të nxjerrë një film të besueshëm.
Një pasqyrim i luftës së vërtetë
Dokumentari paraqet një pamje të një prodhimi që synonte të rikrijonte Luftën e Vietnamit dhe, në shumë mënyra, përfundoi duke pasqyruar shumë nga të njëjtat modele sjelljeje që ndodhën midis ushtarëve. Chas Gerretsen, një fotograf lufte holandez i cili kaloi gjashtë muaj në shesh xhirimi, shprehet: “Vietnami ishte i çmendur, Apocalypse Now vetëm pak më pak i tillë.”
Kushtet e vështira fizike ishin të huaja për shumicën. Damien Leake, i cili luajti një mitralier në film, kujton: “Gjëja e parë që mbaj mend është kur zbres nga avioni dhe lagështia të godet si një fshesë e lagur… Çdo ditë binte shi. Binte shi sikur të ishte i zemëruar me ty. Binte shi çarçafësh si kurrë më parë.”
Ndërsa prodhimi zvarritej, malli për shtëpinë filloi të ndikonte te aktorët dhe stafi. “Ata ishin pak a shumë si ushtarët në Vietnam, të cilët nuk kishin qenë kurrë më larg atdheut sesa Kanadaja,” kujton Gerretsen.
Gjenialiteti dhe papërcaktueshmëria e vizioni të Coppolës
Vizioni i Coppola-s po shkërmoqej gjithnjë e më shumë me kalimin e kohës. Ai nuk mundi të përcaktonte fundin e filmit, i cili, edhe sot, ndryshon në disa redaktime dhe versione. “E quaj të gjithë këtë film Idiodisea,” tha Coppola, siç është regjistruar në “Hearts of Darkness.” “Nuk mund ta shkruaj përfundimin e këtij filmi.” Megjithatë, kasta e tij mbeti besnike dhe e përkushtuar. “Aktorët do të ecnin nëpër zjarr për Francis,” thotë Leake.
Për Bahrin, detyra për të treguar historinë pas historisë ishte një sfidë në vetvete, duke kërkuar të gërmonte në rreth 80 orë pamje filmike. Ai zbuloi se sa e mrekullueshme ishte që filmi ekzistonte.
Zbulimi i kasetave audio të Eleanor Coppola-s, të cilat ajo i regjistronte për Francisin, ishte thelbësor. “Kjo të vendoste këtu me një mjeshtër amerikan në momentet e tij më private dhe ishte një vështrim i vërtetë në qendër të krijimtarisë: dyshimi, shqetësimi, ankthi dhe përpunimi i këtyre ideve,” thotë Bahr. Coppola i dha bekimin e tij Bahr dhe Hickenlooper, duke kërkuar vetëm që të ishin të sinqertë dhe që rrëfimi të bëhej nga Eleanor Coppola.
Për Bahrin, “Apocalypse Now” është një film krejtësisht i veçantë. “Ishte një film kaq unik në historinë e kinematografisë,” thotë ai. “Nuk mendoj se dikush do të jetë në gjendje të bëjë diçka të tillë përsëri.”
Për Gerretsenin, përvojat e tij janë bërë pothuajse të pamundura për t’u dalluar nga kujtimet e tij të zonave të vërteta të luftës. Kur e pa filmin e përfunduar, ndikimi i tij ishte i rëndësishëm. “Ishte një kryevepër, pa dyshim, por do të kalonin disa vite para se të mund ta shikoja përsëri. Si luftërat e Vietnamit dhe Kamboxhias, ashtu edhe ‘Apokalipsi Tani’, vazhdojnë të jenë me mua sepse çmenduria e luftës është ende me ne.”/ rtsh/ KultPlus.com
Sot shënohet 98-vjetori i ndarjes nga jeta i Qerime Galicës, e njohur si Shote Galica, Heroinë e Popullit dhe simbol i qëndresës shqiptare dhe luftës për liri.
Shote Galica luftoi për 12 vjet si pjesëmarrëse në mbi 40 aksione të rëndësishme luftarake, në të cilat humbi 22 anëtarë të familjes. Ajo ishte luftëtare për çlirimin e Kosovës nga pushtuesit serbë, austro-hungarezë, bullgarë e jugosllavë.
Shote Galica lindi në katundin Radishevë të Drenicës. Mori pjesë në kryengritjet kundër osmanëve në vitet 1909-1912 dhe në qëndresën e armatosur kundër serbëve në vitet 1912-1915. Në vjeshtën e vitit 1915, u rreshtua në çetën e kryengritësve të Drenicës përkrah bashkëshortit të saj Azem Galica. Mori pjesë në luftimet e vjeshtës 1918 për çlirimin e Drenicës, Podgorit dhe Pejës. Pas Luftës I Botërore e vazhdoi qëndresën kundër politikës serbomadhe të dhunës e shkombëtarizimit në Kosovë. Në prill-qershor 1919 mori pjesë përkrah Azemit, në Kryengritjen e Rrafshit të Dukagjinit e të Drenicës. Në vitet 1921-1923 luftoi për mbrojtjen e Zonës Neutrale të Junikut dhe në vitin 1923-1924 të zonës së lirë të Drenicës, në Arbaninë e Vogël.
Në ballafaqimet politike në Shqipërinë e viteve 1921-1924, ishte përkrahëse e opozitës demokratike dhe mbështetëse e qeverisë së Fan Nolit. Në dhjetor 1924 mori pjesë në radhët e luftëtarëve të Bajram Currit duke pritur me armë në kufi forcat e Ceno bej Kryeziut. U rikthye në Kosovë, ku mbajti gjallë në popull frymën e qëndresës antiserbe.
Më 1926, e plagosur dhe e sëmurë, u vendos në Shqipëri, në Shullaz, pranë Milotit dhe më pas në Derven të Fushë-Krujës. Ndonëse në gjendje të vështirë dhe pa burime ekonomike, u kujdes për tre fëmije jetimë të bashkëluftëtareve të vrarë. Ndërroi jetë në Fushë-Krujë, aty ku prehet edhe sot e kësaj dite. /atsh/ KultPlus.com
Dita Botërore e Zogjve të Detit festohet çdo 3 korrik, si një kujtesë për sistemin e grupit të zogjve që i përshtaten mjedisit detar.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro përcolli sot në rrjetet sociale, një kolazh pamjesh të këtyre zogjve, nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura.
Zogjtë e detit janë shpendë të përshtatur për jetën në mjedisin detar, shumica e tyre folezojnë në koloni që ndryshojnë në madhësi nga disa dhjetëra zogj deri në miliona, duke qenë pjesë e rëndësishme e ekuilibrit natyror.
Shkencëtarët dhe të apasionuarit pas shpendëve të detit e përkujtojnë këtë datë për të rritur ndërgjegjësimin për kërcënimet e vazhdueshme dhe ruajtjen e popullatave të shpendëve të detit, duke propozuar rregullimin e teknikave të peshkimit, aktivitetin e kontrolluar të anijeve dhe ndaluar derdhjen e naftës në det.
Sipas Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, në peizazhet e larmishme të vendit tonë jetojnë shumëllojshmëri shpendësh, të cilët janë një pasuri e pazëvendësueshme. Numri i tyre arrin në rreth 370 lloje, nga të cilat rreth 290 lloje janë autoktone. Lagunat bregdetare dhe liqenet e vendit tonë janë vendbanime të rëndësishme që ofrojnë kushtet e nevojshme, veçanërisht për dimërimin e shpendëve migratore. Pozicioni gjeografik, relievi dhe klima e favorshme në vend mundësojnë kushtet e përshtatshme për konservimin e florës dhe faunës.
AKZM bën me dije se në Shqipëri gjenden rreth 91 lloje të kërcënuara në nivel global, përfshirë këtu Pelikanin kaçurrel (Pelecanus crispus), shpend që haset në lagunat shqiptare. Pelikani është një ndër shpendët më të mëdhenjë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Evropë. Ai folezon në Lagunën e Karavastasë, gjendet në Liqenin e Prespës dhe atë të Shkodrës.
Flamingo është një ndër shpendët më të veçantë për shkak të kontrasteve të ngjyrave të tij. Mbrojtja e këtij shpendi ka rritur numrin e tij në lagunat tona. Ai folezon kryesisht në brigje dhe ishuj të ulët. Jeton në cekëtina e ujëra të njelmëta. Çafka e vogël e bardhë (Egretta garzetta) një shpend shumë elegant, gjendet në lagunën e Fllakës në Durrës, por që rrezikon të zhduket. Larushi kokëkuq (Lanius senator) shpendi elegant gjendet në Bashtovë. Gargulli (bletëngrënësi) (Merops apiaster) gjendet në Kune-Vain. Gushëkuqi (Erithacus rubecula) gjendet në Parkun Kobëtarë Divjakë-Karavasta.
Zogjtë e detit janë ‘sistemi’ ynë i paralajmërimit të hershëm për ndryshime, siç është ndryshimi i klimës./atsh/ KultPlus.com
Ina Majko, përfaqësuese e parë rome në kabinetin qeveritar të Shqipërisë, është emëruar zëvendësministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Siç thotë kryeministri shqiptar, Edi Rama, ajo sjell eksperiencë dhe angazhim për mbrojtjen e njerëzve në nevojë dhe përfaqësimin e komuniteteve të ndryshme në qeverinë e re, transmeton klankosova.tv.
”Ina MAJKO është prurja e parë, ndër shumë të tjera në vijim të rrugës së re që hapi 11 maji, drejt Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian Ajo sapo është zgjedhur zëvendës ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, pasi ka spikatur në skuadrën e 11 majit, mes atyre që edhe pse nuk ia dolën të fitonin një vend në Kuvendin e ri, ishin një vlerë e shtuar e PS2030 në përfaqësimin e komuniteteve e të grupeve të ndryshme të interesit. Ina erdhi në skuadrën tonë si një përzgjedhje nga komuniteti Rom dhe si e para përfaqësuese e këtij komuniteti në nivelin e kabinetit qeveritar në historinë e vendit, ajo do të mbulojë pikërisht çështjet e njerëzve më në nevojë të shoqërisë në fushën e Mbrojtjes Sociale.
Historia e Ina Majkos është historia e një fëmije të rritur mes paragjykimesh e vështirësish të mëdha ekonomike dhe historia e një vajze të talentuar, plot energji e vendosmëri për t’ia dalë, e cila jo vetëm kreu me rezultate të larta studimet jashtë vendit dhe flet pesë gjuhë të huaja, por edhe u bë një zë i bukur i komunitetit të saj në platformat sociale.
Uroj që Ina të jetë një vlerë e shtuar edhe në punën e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, e një mbështetje më shumë për familjet e fëmijët në nevojë”.
Festivali Ndërkombëtar i Muzikës, ‘NGOM Fest’, që është bërë një nga ngjarjet më të rëndësishme muzikore në Kosovë, sonte hap dyert për adhuruesit e muzikës në kalanë historike të Prizrenit.
Festivali do të mbahet nga data 3 deri më 6 korrik dhe do të zgjasë katër ditë, duke ofruar një program të pasur muzikor që premton momente të paharrueshme për pjesëmarrësit.
‘NGOM Fest’, i cili organizohet që nga viti 2011 dhe që çdo vit tërheq një interes të madh, këtë vit do të sjellë në skenë shumë artistë që interpretojnë në zhanret e muzikës Rock, Alternative dhe Elektronike. Ndër emrat që do të performojnë këtë vit janë: Acer, Mscream, Mak Zøgaj, Sıngı, Buta, Spin by Celina, Dhjetori, Zwada, Shpat Deda, Dren Abazi, Yuko, Uran B., Vera Grace, _C93, Petro Marko, Anıtë, Armen Miran, Secret 47 dhe George Adi.
Me atmosferën magjepsëse të Kalasë së Prizrenit, ky aktivitet do t’i bashkojë dashamirët e muzikës nga vendi dhe jashtë tij, duke vazhduar të kontribuojë ndjeshëm në jetën kulturore dhe artistike të Kosovës. Pritet që ‘NGOM Fest 2025’ të jetë i suksesshëm dhe me pjesëmarrje të lartë edhe këtë vit.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila dje ka nisur një seri të re takimesh me partitë politike, në përpjekje të gjetjes së një zgjidhje për të dalë nga ngërçi në Kuvendit, pritet që t’i vazhdojë edhe sot këto takime.
Bashkëkryetari i Guxo, Faton Peci ka konfirmuar dje se ka marrë ftesë për takim me presidenten Osmani, me fillim nga ora 09:00.
Ishte edhe deputetja boshnjake Duda Balje, ajo që konfirmoi se ka marrë ftesë për takim ditën e enjtë.
Kalaja e Gjirokastrës u vizitua nga 100 mijë persona gjatë periudhës janar-qershor 2025.
Kalaja e Gjirokastrës, e njohur ndryshe edhe si Kalaja e Argjirosë, është monumenti më i rëndësishëm i qytetit, e cila qëndron kryelartë mbi kodër si një anije që pret vizitorë vendas e të huaj.
Shifra prej 100 mijë vizitorësh në gjysmën e parë të vitit 2025, tregon një rritje të numrit të vizitorëve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke e bërë kështu Kalanë e Gjirokastrës një nga më të vizituarat, me interes të lartë për të njohur e mësuar historinë e saj.
Gjirokastra, apo siç njihet ndryshe “qyteti i gurtë” është ndër qytetet më të bukura në jug të Shqipërisë, ndër të parët qytete shqiptare në UNESCO. Kalaja është e vendosur mbi një kodër pak të shkëputur nga Mali i Gjerë, e ngritur në një pikë vrojtuese rreth 370 metra mbi nivelin e detit.
Krahasuar me kalatë mesjetare të tjera të vendit, kjo kala është më e vogël nga sipërfaqja por ruhet në gjendje më të mirë. /atsh/ KultPlus.com
Kur mbërriti në SHBA, Ajnshtajnit, si të gjithë emigrantëve të tjerë, i dhanë një pyetësor për të kompiluar.
Ndër të gjitha pyetjet të cilave i duhej dhënë përgjigje, njëra pyeste: “Cilës race i përkisni?”. Dhe ai iu përgjigj: “Racës njerëzore”.
E pra, ky është gjeniu, por edhe thumbuesi, ndaj kemi zgjedhur sot 40 shprehje nga ai; sigurisht që prej Ajnshtajnit ka gjithnjë për të mësuar…
Albert Ajnshtajni (Albert Einstein) ishte një nga mendjet më të mëdha të shekullit të 20-të, dhe kontributet e tij në dijen njerëzore janë të pashembullta.
Fizikani realizoi studime të reja mbi mënyrën se si funksionon universi ynë, formuloi Teorinë e Relativitetit dhe parashikoi ekzistencën e valëve gravitacionale, një shekull para se ne t’i vëzhgonim ato.
Ajnshtajni nuk ishte vetëm i shkëlqyeshëm, ai ishte i thellë: një shkencëtar-filozof, i cili e dinte se si të përshkruante gjendjen njerëzore.
Ky gjenialitet, bashkë me ulje-ngritjet e forta të racës njerëzore që Ajnshtaini përjetoi gjatë jetës së tij, shërbejnë si një këndvështrim, për një jetë që ende nuk ka të ngjashme.
40 thënie nga Ajnshtajni
Vetëm dy gjëra nuk kanë kufij, Universi dhe budallallëku njerëzor, dhe për të parin nuk jam i sigurt. E rëndësishme është të mos ndalosh se bëri pyetje. Të gjithë e dinë që një gjë është e parealizueshme, derisa arrin një që nuk e di dhe e realizon. Është më e lehtë të thyesh një atom, sesa një paragjykim. Çmenduri është të bësh gjithmonë të njëjtën gjë dhe të presësh rezultate te ndryshme. Sëmundje shume e keqe racizmi. Por mbi të gjitha e çuditshme: sëmur të bardhët, por vret të zinjtë.
Kompjuterët janë shumë të shpejtë, precizë dhe budallenj. Njerëzit janë shumë të ngadaltë, shumë pak precizë dhe inteligjentë. Së bashku përbëjnë një fuqi që e kalon imagjinatën.
Bota është një vend i rrezikshëm, jo për shkak të atyre që bëjnë veprime të këqija, por për shkak të atyre që shikojnë pa thënë gjë. Nuk e di se me çfarë lloj armësh do të luftohet në Luftën e Tretë Botërore, por di që në të Katërtën do të luftohet me gurë dhe me shkopinj. Ndryshimi midis gjenialitetit dhe budallallëkut është se gjenialiteti ka limit. Paqja nuk mund të mbahet me forcë, por mund të arrihet vetëm duke kuptuar njëri-tjetrin. Jeta është si të ecësh me biçikletë: në qoftë se do të jesh në ekuilibër duhet të lëvizësh. Nuk e ke kuptuar me të vërtetë një gjë, nëse nuk je në gjendje t’ia shpjegosh gjyshes tënde, apo… një 6-vjeçari. Nuk mendoj asnjëherë për të ardhmen. Ajo arrin aq shpejt…
Mos u shqetëso për vështirësitë e tua në matematikë, të siguroj se të miat janë akoma më të mëdha. Nuk mund të zgjidhet një problem, me të njëjtin mentalitet që e ka krijuar atë. Asgjë nuk është më praktike se një teori e mirë. Për sa kohë që ligjet e matematikës i referohen realitetit, ato nuk janë të qarta, dhe për sa kohë janë të qarta, ato nuk i referohen realitetit. Në qoftë se do të lindja përsëri, do të bëhesha hidraulik. Në qoftë se të dhënat dhe teoria nuk përputhen, ndrysho të dhënat. Në qoftë se në momentin e parë një ide nuk është absurde, atëherë nuk ka asnjë shans që ajo të realizohet. Është më mirë të jesh optimist dhe ta kesh gabim, sesa të jesh pesimist dhe të kesh të drejtë. Barku i zbrazët nuk është këshilltar i mirë politik. Zemërimi banon vetëm në gjoks të budallenjve. Edukata është ajo që mbetet, kur njeriu harron atë që ka mësuar në shkollë. Intelektualët zgjidhin problemet, gjenitë i parandalojnë ata. Gjëja kryesore është të mos ndaloni së pyeturi. Logjika do të të shpie nga A tek B. Imagjinata të shpie kudo. Dashuria është mësues më i mirë se detyra. Vetëm jeta e jetuar për të tjerët është me vlerë. E vetmja gjë që bie ndesh me diturinë time është arsimimi. Për sa i përket përputhjes së ligjeve të matematikës me realitetin, ato nuk janë të sigurta; për sa i përket sigurisë së tyre, ato nuk përputhen me realitetin. Logjika praktike është mbledhja e paragjykimeve të përfituara në moshën 18-vjeçare. Çlirimi i energjisë atomike nuk ka krijuar një problem të ri. Ka bërë më urgjente nevojën për të zgjidhur një ekzistues. Nëse jeni në botë të përshkruani të vërtetën, lërjani elegancën rrobaqepësit. Nuk e di se me cilat armë do të bëhet Lufta III Botërore, por Lufta IV Botërore do të luftohet me shkopinj dhe gurë. Sekreti i krijimtarisë është të dish të fshehësh burimet. Vendose dorën mbi furrë për një minutë dhe të duket si një orë. Ulu pranë një vajze të bukur për një orë dhe të duket si një minutë.
Ky është relativitet.
Është arti suprem i mësuesit ai që shpalos gëzimin e krijimtarisë dhe të vetëdijes. Një tavolinë, një karrige, një kanistër me fruta dhe një violinë; çka i duhet më shumë një njeriu për të qenë i lumtur?/KultPlus.com
Sot bota e letrave përkujton përvjetorin e nobelistit gjerman Herman Hesse, lindur më 2 korrik 1877.
Pas debutimeve të para letrare, në fillim të shekullit XX, autori gjeti një numër lexuesish gjithnjë në rritje falë romaneve si “Siddharta” dhe “Narcisi dhe Bokardi”. Herman Hesse ishte një nga filozofët më të shquar të shekullit të 20-të. Romancier, piktor dhe filozof, Hesse fitoi çmimin “Nobel” për Letërsi në vitin 1946, pas një jete kushtuar letrave, me veprën “Loja e rruazave prej qelqi”. Mendimi i rrjedhshëm dhe i përsosur, me një prozë për t’u patur zili, e bëri atë një nga shkrimtarët më të lexuar në historinë moderne.
Jam një yll
Jam një yll në universin qiellor,
Që vëzhgon dhe përçmon botën,
Dhe tretet brenda dritës së vet.
Jam deti që tërbohet natën,
Deti që ankohet, rënduar nga viktimat,
Bashkë me mëkatet e vjetra, mbledh edhe të reja.
Kam mërguar nga bota juaj,
I rritur në krenari dhe i tradhtuar prej saj,
Jam mbret pa atdhe.
Jam pasioni i heshtur,
Në vatër pa oxhak,
Në luftë pa shpatë,
I sëmurur nga vetë forca ime.
Gjithmonë jemi në kërkim të diçkaje më shumë nga ato që kemi dhe ato që jemi. Madje, jemi të bindur se kjo “më shumë” është përtej mundësive tona. Shpesh na pëlqen të strehohemi në fjalët e mrekullueshme të Herman Hesses, për t’u dhënë përgjigje pyetjeve tona, për të qetësuar shpirtin, për të përjetuar fundja qetësinë që nuk duhet kërkuar jashtë, por brenda nesh.
Herman Hesse ishte shkrimtar, poet, po edhe mësues i vërtetë i jetës.
Në faqet e librave të tij, gjithsecili mund të takojë pjesë të fshehura të shpirtit, të shkruarit e tij është pasqyra e brendisë tonë, që na tregon ato cilësi, të dhimbshme dhe brenguese, që ndonjëherë e kemi vështirë t’i pranojmë. Kush e njihte, e kujton si një njeri me një personalitet të vështirë dhe disi të ashpër. E donte vetminë dhe zhytej në humnerat e gjendjes së brendshme shpirtërore. Një krijues gjeni, vetmitar dhe disi i paqëndrueshëm, që gjithçka që ndiente e shndërronte në fjalë. Në fakt, ai konsiderohet si “autor i krizës” gjithnjë në kërkim të identitetit të tij të vërtetë. Konica.al
Thëniet nga Hesse, janë një ftesë për të reflektuar mbi jetën dhe kërkimin e identitetit, një dhuratë për këdo që dëshiron të thellohet, të pyesë veten dhe të zbulojë vetveten. Një trashëgimi me thellësi të madhe psikologjike dhe shpirtërore që meriton të lexohet.
Ç’mund t’ju them që mund t’ju vlejë, përveçse mund të jeni duke kërkuar diçka me aq këmbëngulje, sa nuk mund të gjeni asgjë?
Ka miliona anë të së vërtetës, por vetëm një të vërtetë.
Si trup jemi të gjithë beqarë, si shpirt askush nuk është.
Zogu lufton derisa del nga veza. Veza është bota juaj. Çdo qenie e gjallë duhet të përpiqet të shkatërrojë botën.
Feja, ashtu si arsyeja, nuk kalon përmes arsyes.
Nëse për lumturinë tënde të duhet leja e dikujt tjetër, je vërtet një mjeran i shkretë.
Përjetësia është vetëm një moment, i gjatë mjaftueshëm për t’u tallur me të.
Kur urrejmë dikë, në imazhin e tij urrejmë diçka që kemi në brendësinë tonë.
Lumturia është dashuri, asgjë tjetër. I lumtur është ai që di të dashurojë.
Lotët janë shkrirja e akullit të zemrës. Atij që qan, të gjithë engjëjt i rrinë pranë.
Mund të shkruash libra me psikologji, por jo të depërtosh në zemrën e njeriut.
Nuk ekziston një ëndërr e përhershme. Çdo ëndërr ia lë vendin një ëndrre të re dhe nuk ka pse të frenoni asnjërën prej tyre.
E keqja lind gjithmonë atje ku dashuria nuk mjafton.
Jo rrallëherë u hamë kohën miqve, për t’ua kushtuar atë armiqve tanë.
Veprat e Hesses janë përkthyer në gati 60 gjuhë, ndërsa të paktën 125 milionë kopje janë shitur në të gjithë botën. Hesse e dinte saktësisht, se çfarë dëshironte të bëhej – “poet ose asgjë fare”. Udhëtimi i tij drejt shkrimit, ka qenë në vetvete një odise e vërtetë. Ndër veprat kryesore, citojmë “Siddharta”, “Ujku i Stepës”, “Endacaku Knulp”, “Narcisi dhe Gojarti”, “Loja e rruazave prej qelqi”, etj.
U shua nga ataku në zemër, më 9 gusht 1962.
Hesse është një burim i magjepsjes për çdo të ri, me krijimtarinë udhëzim për shqyrtimin e identitetit. Librat e tij, ndihmojnë për të analizuar pyetjen e përjetshme të kuptimit të jetës. / Konica.al / KultPlus.com
Butësisht, padurueshëm, ti më lëndon. Merrma kokën. Këputma qafën. Asgjë s’më mbetet pas kësaj dashurie. Midis gërmadhave të shpirtit tim kërkomë, aty dëgjomë. Diku aty ka mbetur zëri im dhe thërret, kërkon mrekullinë tënde, heshtjen tënde që ndrit. Duke kaptuar mure, mjedise, mosha, fytyra jote (sa qartë duket fytyra jote!) prej vdekjes vjen, prej dikurshëm, nga dita e parë që botën të zgjojë. Ç’fytyrë e qartë, ç’dritë e butë, dritë e përhumbur, ç’përvijim i ëmbël mbi gjethe uji! I dua ata sy, i dua, i dua sytë e tu. Si fëmija i atyre syve jam, jam si një pikë loti i syve të tu. Ngremë. Te këmbët e tua kam rënë, ngremë nga toka, nga hija ku ti shkel, nga cepi i dhomës tënde që kurrë, as në ëndërr nuk e sheh. Ngremë. Në duart e tua kam rënë dhe dua të jetoj, të jetoj, të jetoj. / KultPlus.com