Vajza e Kadaresë ndan një foto: Babai me Dritëroin

Besiana Kadare, vajza e shkrimtarit Ismail Kadare, ka ndarë një foto të babait të saj me poetin Dritëro Agolli.

Në këtë fotografi bardhë e zi të shpërndarë në rrjetin social “Facebook”, shihen shkrimtarët Kadare dhe Agolli në rininë e tyre.

“Duke sistemuar arkivat e familjes, gjeta këtë foto të bukur të babit dhe Dritëroit të rinjë”, ka shkuar Besniana Kadare.

Dritëro Agolli dhe Ismail Kadare konsiderohen ndër shkrimtarët më të rëndësishëm të letërsisë shqipe, të cilët përveç kolegë kanë qenë edhe shokë gjimnazi në shkollën “Asim Zeneli”, të Gjirokastrës./ KultPlus.com

Kryeminstri Kurti takon senatorin Welch, flasin për thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve në ekonomi e politikë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot është takuar me senatorin Peter Welch, me të cilin biseduan për thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve në ekonomi e politikë.

Kurti përmes një shkrimi në “X” tha se Welch është mik i Kosovës, i cili siç tha ai, vizitoi vendin tonë menjëherë pas sulmit terrorist që i mori jetën Afrim Bunjakut, përcjell Klankosova.tv.

“Ishte një kënaqësi e madhe të takohesha me Senatori Peter Welch një mik i Kosovës, i cili vizitoi vendin tonë menjëherë pas sulmit terrorist që i mori jetën Afrim Bunjakut vitin e kaluar”.

“Diskutuam për thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona në frontin ekonomik dhe politik, si dhe eksplorimin e rrugëve të reja për bashkëpunim.  Theksova gjithashtu progresin e rëndësishëm që ka bërë Kosova dhe përpjekjet e qeverisë për ngritjen e të gjithë shoqërisë sonë, siç është futja e arsimit të lartë falas”, thuhet tutje në shkrimin e tij./ KultPlus.com

Rama ndan pamje nga Himara

Himara mbetet një destinacion i preferuar për pushuesit të cilët vlerësojnë në këtë sezon cilësinë e lartë të shërbimeve, pastërtinë e plazheve, sigurinë e shtuar dhe aktivitetet e larmishme.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga plazhi i Himarës, i cili ka qenë destinacioni i zgjedhur këtë fillimgushti nga pushues të shumtë vendas e të huaj.

Në videon e publikuar nga kryeministri vihet re hapësira e dedikuar për plazhe publike, ku sigurohet pastërtia dhe shërbimet vrojtuese.

Plazhet që ndodhen në Himarë janë ndër më të veçantët në Shqipëri. Por Himara nuk të ofron vetëm det.

Në Himarë mund të vizitosh kalanë e vjetër, por edhe dhjetëra kisha shekullore që datojnë prej shekullit XI apo edhe më herët./atsh/KultPlus.com

Zonat e mbrojtura, 2,5 milionë vizitorë në 7 muaj

Zonat e mbrojtura në të gjithë vendin janë kthyer në destinacione turistike mjaft të vizituara për shkak të bukurive natyrore dhe relievit të larmishëm.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro bëri të ditur sot se 2,5 milionë vizitorë shijuan nga afër zonat e mbrojtura gjatë muajve janar-korrik 2024, ose 28 % më shumë se një vit më parë, ku numëroheshin 1,9 milionë vizitorë.

Sipas Kumbaros, kjo shifër është tregues i rritjes së turizmit të qëndrueshëm, interesit për ekoturizmin, sportet e natyrës dhe kuriozitetin për të të njohur biodiversitetin tonë.

Ministrja Kumbaro u shpreh se “ka një interes të rritur për të eksploruar parqet kombëtare e natyrore, monumentet e natyrës e peizazhet e mbrojtura nga veriu në jug, ku vendin e parë e mban qarku i Shkodrës me 609 mijë vizitorë”.

Ndër qarqet e tjera më të vizituara janë Korça me 573 mijë vizitorë, Fieri me 359 mijë vizitorë, Vlora me 313 mijë vizitorë, Durrësi me 212 mijë vizitorë, Tirana me 92 mijë vizitorë.

Ndërsa ndër parqet më të vizituara gjatë korrikut janë Parku Kombëtar Alpet e Shqipërisë me 91 mijë vizitorë, Peizazhi i Mbrojtur Liqeni i Mbrojtur Liqeni i Pogradecit me 74 mijë vizitorë, Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta me 67 mijë vizitorë, Parku Natyor Syri i Kaltër me 65 mijë vizitorë, Parku Natyror Lugina e Shalës me 37 mijë vizitorë, Rezervati Natyror i Menaxhuar Liqeni i Shkodrës me 40 mijë vizitorë, Parku Kombëtar Mali i Dajtit me 15 mijë vizitorë, Parku Natyror i Qafë Shtamës me 13 mijë vizitorë, Parku Kombëtar i Prespës me 11 mijë vizitorë, Parku Kombëtar lumi i Vjosës dhe 10 mijë vizitorë.

Parqet kombëtare në Shqipëri janë kthyer në të preferuarat e turistëve vendas dhe të huaj duke nxitur turizmin gjithëvjetor. Përveç bukurive bregdetare, Shqipëria ofron edhe një peizazh dhe klimë mjaft të mirë që i krijon vizitorëve mundësinë e eksplorimit të vendeve të ndryshme./atsh/KultPlus.com

‘Edhe kur kujtesa’

Poezi nga Ismail Kadare

Edhe kur kujtesa ime e lodhur
Ashtu si ato tramvajet e pasmesnatë
Vetëm në stacionet kryesore do të ndalojë
Unë ty s’do të harroj.

Do të kujtoj
Mbrëmjen e heshtur, të pafund të syve të tu,
Dënesën e mbytur, rrëzuar mbi supin tim
Si një dëborë të pashkundshme.

Ndarja erdhi,
Po iki larg prej teje.
Asgjë e jashtëzakonshme,
Veç ndonjë natë
Gishtat e dikujt do pleksen në flokët e tu
Me të largëtit gishtat e mi, me kilometra të gjatë./KultPlus.com

Xhudistja shqiptare, Erisa Brahimaj fiton medaljen e artë në “European Cup”

Xhudistja shqiptare, Erisa Brahimaj është fituese e medaljes së artë në xhudo, në European Cup për të rinj mbajtur në Maqedoninë e Veriut.

Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) njoftoi sot se, xhudistja që stërvitet nga trajneri Shkurt Çullhaj, garoi në peshën deri në 57 kg dhe arriti që të fitonte 4 ndeshje me kundërshtarë shumë të fortë.

Sportistja tjetër Kasandra Kovaçi u rendit e pesta në kategorinë 63 kg./atsh/KultPlus.com

Kalaja e Elbasanit, destinacion tërheqës për turistët vendas e të huaj

Kalaja e Elbasanit gjatë këtij sezoni turistik po kthehet në një ndër monumentet më të vizituara për turistët vendas, por edhe të huaj.

Gjatë vizitës në këtë monument kulture turistët zbulojnë thesaret e një prej fortifikimeve më të vjetra të Shqipërisë.

Për shumë nga këta turistë, Kalaja e Elbasanit është një dritare në të kaluarën, ku historia dhe arkitektura bashkohen për të treguar rrëfimet e një qyteti që ka kaluar nëpër shekuj, duke ruajtur kulturën dhe traditat e tij.

Ndërsa ecin nëpër rrugicat e kalldrëmta brenda mureve të Kalasë, vizitorët mund të ndiejnë peshën e kohës dhe të imagjinojnë jetën e dikurshme të qytetit.

Lagja “Kala” është një pjesë e veçantë e qytetit të Elbasanit dhe përbën një nga qendrat më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në Ballkan. Më shumë se pesë shekuj më parë, kur ushtria turke mbante të rrethuar Krujën, një pjesë e kësaj ushtrie punonte për zgjerimin e kalasë ekzistuese të “Skampinit.”

Kalaja përfshinte gjithashtu garnizonet e ushtrisë turke, qendrat tregtare dhe zona të tjera jetike të qytetit.

Pas zgjerimit të qytetit dhe ardhjes së banorëve nga fshatra të ndryshëm, lagjet si “Shën Koll” dhe “Alejdine” u formuan jashtë mureve të kalasë, duke shtuar diversitetin e këtij vendi të veçantë.

Me vendim të Institutit të Monumenteve të Kulturës, lagja “Kala” u shpall Lagje Muze, një nismë që ka sjellë restaurime të rëndësishme.

Shtëpitë karakteristike elbasanase janë restauruar, si dhe rrugët e kalldrëmta janë rivendosur në formën e tyre origjinale. Turistët sot mund të shijojnë ngushtësinë e rrugicave, ndërtimin karakteristik të shtëpive dhe portat masive me çekicat karakteristikë, të gjitha të ndërtuara për të ruajtur atmosferën e kaluar.

Brenda mureve të kalasë ndodhet varri i Kostandin Kristoforidhit, një figurë kyçe në zhvillimin e gjuhës shqipe. Po ashtu, lagja ka qenë shtëpia e shumë intelektualëve dhe artistëve të shquar, si Aleksandër Xhuvani dhe Dhimitër Shuteriqi, që kanë kontribuar në pasurimin e kulturës shqiptare, si edhe kisha “Shën Maria”.

Me ritmin e vizitave që rritet çdo vit, Kalaja e Elbasanit dhe monumentet e tjera të lashtësisë në qytet janë bërë një destinacion tërheqës për turistët./atsh/KultPlus.com

Presidentja Osmani do të nderohet me çmimin e medias- M100 në Gjermani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do të nderohet me Çmimin e medias- M100, më 12.09.2024 në Pallatin “Portokalli”, në Parkun Sanssouci në Potsdam të Gjermanisë.

Fjalimi kryesor politik gjatë ceremonisë do të mbahet nga kancelari gjerman, Olaf Scholz.

Siç bëhet e ditur me anë të një komunikate për shtyp, ceremonia e ndarjes së çmimeve do të drejtohet nga gazetarja dhe prezantuesja televizive Astrid Frohloff.

Kryebashkiaku i Postdamit- njëherësh kryetar i Bordit Këshillimor të M100, Mike Schubert, citohet të ketë se Osmani dhe Tusk janë zëra të domoshdoshëm në shoqërinë e lirë “në këto kohë sfiduese”.

Schubert ka theksuar se Osmani ka treguar vendosmëri dhe largpamësi në avokimin e demokracisë së re në një rajon të shënuar prej kohësh nga konflikte.

“Vjosa Osmani ka treguar vendosmëri dhe largpamësi në avokimin e demokracisë së re në një rajon të shënuar prej kohësh nga konflikte, duke treguar rëndësinë kritike të mbrojtjes së lirisë dhe drejtësisë. Donald Tusk përfaqëson një luftë të palëkundur kundër autokracisë dhe natyrës së panegociueshme të vlerave demokratike. Të dy – Vjosa Osmani-Sadriu dhe Donald Tusk – vendosin të drejtat e njeriut dhe parimet demokratike në themel të veprimeve të tyre. Zërat e tyre janë të paçmuar tani – jo vetëm për vendet e tyre, por për të gjithë kontinentin. Ata nuk janë vetëm evropianë të përkushtuar, por mbi të gjitha, të detyrueshëm. Puna e tyre vendos standarde dhe frymëzon”- ka deklaruar Schubert, gjithnjë sipas komunikatës.

Kolokiumi M100 Sanssouci, i mbajtur më herët me temën ” Demokracia nën Sulm. Fushatat dezinformuese, AI dhe Roli i Medias në Super 2024 Viti Zgjedhor “do të bashkojë rreth 80 kryeredaktorë ndërkombëtarë, akademikë dhe përfaqësues nga politika dhe shoqëria civile për të diskutuar ndikimin e dezinformimit, qëndrueshmërinë e Europës, partneritetin transatlantik, gjendjen e demokracisë, mundësitë dhe rreziqet e paraqitura nga inteligjenca artificiale , dhe roli dhe përgjegjësitë e gazetarëve në një botë gjithnjë e më komplekse.

Hapet thirrja për çmimin Artistët e së Nesërmes 2024


Është hapë thirrja për çmimin Artistët e së Nesërmes 2024, dhe se për këtë çmim ftohen artistët që të aplikojnë deri më 20 shtator.

KultPlus ju sjell njoftimin e plotë të organizatorëve:

Artistët që punojnë në artin bashkëkohor, duke përfshirë mediat eksperimentale, video, instalacion, performancë, fotografi, pikturë, skulpturë, grafikë dhe vizatim inkurajohen të aplikojnë. Artistët nuk kanë të drejtë të aplikojnë me punë në artet aplikative, si dizajni, teatri, vallëzimi dhe filmi.

Tre finalistët e përzgjedhur për Çmimin Artistët e së nesërmes 2024 do të shpallen jo më vonë se data 27 shtator 2024.

Ekspozita e tre finalistëve të Çmimit Artistët e së nesërmes 2024 do të hapet më 1 nëntor 2024.

Fituesi i Çmimit Artistët e së nesërmes 2024 do të shpallet më 7 dhjetor 2024.

Fituesi do të shpërblehet me rezidencë artistike dy mujore në Nju Jork, SHBA, në Residency Unlimited (http://residencyunlimited.org/) në maj/qershor 2025 dhe do t’i ofrohet realizimi i një ekspozite personale në kuadër të programit vjetor të Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë në 2026/2027.

Nëse angazhime të tjera e pengojnë artistin të marrë pjesë në rezidencën në Nju Jork brenda kornizës kohore të parashikuar, ai/ajo/ata duhet të konsiderojë aplikimin për çmimin në edicionet e ardhshme.

Procesi i aplikimit

Aplikimi për Çmimit Artistët e së nesërmes 2024 bëhet online, përmes plotësimit të formularit të aplikimit dhe dërgimit të dokumentacionit të kërkuar përmes formularit të aplikimit në ueb faqen e Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë.

Procesi i përzgjedhjes

Tre finalistët dhe fituesi i Çmimit Artistët e së nesërmes do të përzgjidhen nga juria e Çmimit Artistët e së nesërmes 2024, e nominuar nga Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë.

Anëtarë të Jurisë së Çmimit Artistët e së nesërmes 2024 janë Julieta Aranda, Miljana Dunđerin, Vjollca Krasniqi, Alper Turan and Lulzim Zeqiri./ KultPlus.com

Hrair Sarkissian, Atdhe Mulla e Korab Krasniqi me Trilogji Vizuale për të Pagjeturit e Luftës

Edicioni i dytë i Festivalit Ndërkombëtar të Fotografisë, FOTOIST, i cili mbahet në Prishtinë, sjell në fokus debatet rreth çështjes së të pagjeturve nëpërmjet tre ekspozitave fotografike. Këto ekspozita paraqesin punët e Hrair Sarkissian, artist i njohur ndërkombëtar, Atdhe Mulla, fotograf i shquar kosovar, dhe Korab Krasniqi, hulumtues ne forumZFD programin ne Kosovë, dhe u kushtohen Ditës Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve të Detyruara, duke shërbyer si një thirrje për empati, ndërgjegjësim dhe përkujtim.

Ekspozita hapet më 30 gusht 2024, në ora 17:00, në katin e pestë të Hotel Grand.

“Trilogji Vizuale për të Pagjeturit e Luftës” organizohet në bashkëpunim ndërmjet FOTOIST, forumZFD programi në Kosovë, Barabar, Integra dhe Qendra Burimore për Persona të Zhdukur./ KultPlus.com

‘Mëmëdhe quhet toka, ku më ka rënë koka’

Poezi nga Andon Zako Çajupi

Mëmëdhe quhet toka
ku më ka rënë koka,
ku kam dashur mëm’e atë,
ku më njeh dhe gur’ i thatë
ku kam pasurë shtëpinë,
ku kam njohur perëndinë,
stërgjyshët ku kanë qënë
dhe varret q’i kanë vënë,
ku jam rritur me thërrime
ku kam folur gjuhën time,
ku kam fis e ku kam farë,
ku kam qeshur, ku kam qarë,
ku rroj me gas e me shpres,
ku kam dëshirë të vdes./KultPlus.com

Ansambli popullor në qytetin e gurtë, mirëpritet nga publiku vendas dhe i huaj

Gjirokastra u bë mikpritëse e trupës artistike të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore.

Në performancën e tyre, artistët sollën për publikun vendas dhe të huaj vlerat e jashtëzakonshme të folklorit shqiptar dhe trashëgimisë tonë kulturore.

Ky aktiviteti i dha një tjetër natë të magjishme zonës në pazarin karakteristik të Gjirokastrës dhe në sheshin “Çerçiz Topulli” duke tërhequr vëmendjen e turistëve të huaj që janë të shumtë gjatë muajit Gusht.

Artistët tregojnë emocionet që kanë sa herë që kthehen për të performuar për publikun gjirokastrit dhe interesin e shtuar të turistëve për trashëgiminë tonë kulturore.

Aktivitetet kulturore në zonën muzeale të këtij qyteti do të vijojnë edhe gjatë Shtatorit.

Ngjarjet kulturore në Gjirokastër kanë bërë që gjatë sezonit të verës edhe turistët të mos ngurojnë të bëhen pjesë aktive e tyre duke mësuar nga trashëgimia jonë dhe kthyer në promovuesit më të mirë të qytetit të gurtë dhe Shqipërisë në botë./tvklan/KultPlus.com

Është e ndaluar

Poezi e shkruar nga Pablo Neruda

Është e ndaluar:
të qash pa nxjerrë një mësim,
të çohesh një ditë pa ditur çfarë të bësh,
të kesh frikë nga kujtimet…

Është e ndaluar:
të mos u buzëqeshësh problemeve,
të mos luftosh për atë çfarë do,
të braktisësh gjithçka nga frika,
të mos realizosh ëndrrat…

Është e ndaluar:
të mos tregosh dashurinë,
të bësh dikë të paguajë
per dyshimet dhe humorin tënd të keq…

Është e ndaluar:
të mos jesh vetvetja para njerëzve,
të pretendosh nga njerëz që nuk të interesojnë,
të bësh qesharakun me qëllim që të të kujtojnë,
të harrosh të gjithë njerëzit që të duan…

Është e ndaluar:
të mos bësh gjërat për veten tënde,
të mos kesh besim në vetvete,
të mos plotësosh fatin tënd,
të kesh frikë nga jeta dhe angazhimet e saj…

Të mos jetosh çdo ditë
sikur të jetë frymëmarrja e fundit…

Është e ndaluar:
t’i japësh dikujt më pak nga sa mundesh,
të mos ndjesh lumturinë,
të harrosh sytë, buzëqeshjen e tij, gjithçka
sepse rrugët tuaja nuk kryqëzohen më,
të harrosh të kaluarën
dhe ta bësh të paguajë me të tashmen…

Është e ndaluar:
të mos përpiqesh të kuptosh njerëzit,
të mendosh se jeta jote vlen më shumë se e tyre,
të mos kuptosh se gjithkush ka rrugën dhe fatin e tij…

Është e ndaluar:
të mos besosh historinë tënde,
të mos kesh kohë për njerëzit që kanë nevojë për ty,
të mos kuptosh se jeta atë që të jep
mund dhe të ta marre prapë…

Është e ndaluar:
të mos kërkosh lumturinë,
të mos jetosh jetën
duke patur një qëndrim pozitiv ndaj saj,
të mos mendojmë se mund të përmirësohemi…

Është e ndaluar
Të mos mendosh se kjo botë
Do mund të ishte e njëjtë pa ty…/KultPlus.com

21 gusht 1924, kur në Tiranë, themelohej ‘Lidhja e Përgjithshme e Arsimtarëve të Shqipërisë’

Më 21 gusht 1924, Kongresi Arsimor i mbajtur në Tiranë, me nismën e mësuesve, themeloi “Lidhjen e Përgjithshme të Arsimtarëve të Shqipërisë”.

U botua edhe statuti i Lidhjes me 40 nene. Lidhja luftonte për zhvillimin e arsimit mbi parimet kombëtare e demokratike.

Pas fitores së Revolucionit Demokratik-Borgjez të Qershorit të udhëhequr nga kryeministri i asaj kohe Theofan Stilian Noli në vitin 1924 u organizua një kongres kombëtar për arsimin, për herë të parë i drejtuar nga vetë mësimdhënësit.

Kongresi u mbajt në datat më 12-21 gusht 1924. Kjo traditë filloi me nismën e arsimtarëve të Normales së Elbasanit; A. Xhuvani, A. Gashi, S. Paparisto, H. Zeka etj.

Nisma gjeti mbështetje të plotë në të gjitha krahinat shqiptare që nga Zara e largët, Gjakova, Shkodra, Tirana, Elbasani, Berati, Vlora, Korça, Gjirokastra etj. / KultPlus.com

235 vite nga lindja e matematicienit francez, Augustin Louis Cauchy

Sot janë bërë 235 vite nga lindja e matematicienit të njohur francez Augustin Louis Cauchy, shkruan KultPlus.

Augustin Louis Cauchy (21 gusht, 1789 – 23 maj, 1857) në shqip Ogysten Lyi Koshi ishte matematikan i njohur francez. Ligjëroi matematikën dhe astronominë në École Nationale des Ponts et Chaussées dhe École polytechnique në Paris.

Është themelues i teorisë së funksioneve me një ndryshore komplekse. Kontribute dha në teorinë e valëve në optikë, dhe në teorinë e elasticitetit. Është ndër matematikanët e parë i cili njehsimin infinitezimal e studjoi me rigorozitet të plotë. Njihet për teoremën integrale Cauchy. Nxënës i tij ka qenë matematikani i njohur Niko Hila.

Cauchy mësimet e para i mori nga i ati Louis François Cauchy (1760–1848), i cili ishte shok me matematikanët e shquar Lagrangein dhe me Laplacein. Cauchy u regjistrua në École Centrale du Panthéon më 1802, paraardhësja e École polytechnique më 1805, dhe në École nationale des ponts et chaussées më 1807, ku u aftësua si inzhenier.

U largua nga Parisi për në Cherbourg më 1810, por për arsye shëndetësore më 1813 u kthye në Paris. Pastaj Lagrangei dhe Laplacei e këshilluan që ai të linte punën e ingjinierit dhe ti përkushtohej matematikës. Punoi një kohë në École polytechnique por për arsye politike në vitin 1830 u largua. Në vitin 1831 u hap katedra e fizikës matematike në univerzitetin e Torinos, (në atë kohë Torino ishte kryeqytet i Sardinisë e cila iu bashkua Italisë më 1871.)

Cauchy u martua me Aloise de Bure më 1818 me të cilën pati dy vajza. Ajo ishte farefis i afërt me publikuesin e veprave të tij. Cauchy kishte dy vëllezër: Alexandre Laurent Cauchy (1792–1857), i cili ishte kryetar i gjykatës së apelit më 1847, dhe i gjykatës së kasacionit më 1849; dhe Eugène François Cauchy (1802–1877), një publicist i cili shkroi edhe disa punime matematikore.

Vepra të njohura të tij janë

  • “Analiza algjebrike”
  • “Leksione për zbatimin e njehsimit diferencial (infinitezimal) në gjeometri”/KultPlus.com

Rama: Shpella e Orëve në Pukë, unike në llojin e saj në Shqipëri

Qyteti verior i Pukës konsiderohet si një aventurë e bukur turistike e çdo stine, ndërsa është kthyer në qendër atraksioni turistik për vizitorët vendas e të huaj.

Për vizitorët e natyrës, zonat më të vizituara në territorin e bashkisë Pukë mbeten shpellat, ku deri tani janë të evidentuara mbi 50 të tilla.

Një pjesë e tyre gjenden pranë zonave të banuara, të cilat që prej lashtësisë janë përdorur si vendstrehime apo vende të sigurta.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamjet e rralla nga njëra prej tyre, Shpella e Orëve në Gojan të Pukës.

Unike në llojin e saj në Shqipëri, kryeministri u shpreh se “deri në vitet 1960 ajo ka shërbyer edhe si vend peligrinazhi”.

Shpella e Orëve është një shpellë e vogël, por mjaft e bukur dhe e veçantë, e vetmja në llojin e saj në Shqipëri. Burimi i ujit që rrjedh sipër saj e mbulon shpellën nga të gjitha anët deri poshtë në përrua duke krijuar formacione të jashtëzakonshme dhe një pamje tepër panoramike të gjithë zonës përreth.

Deri në vitet 60’, kjo shpellë, ka shërbyer edhe si vend peligrinazhi dhe këtë e tregon edhe emri i saj “Shpella e Orëve”, pra vendi ku rrinë Orët.

Shpella është e njohur nga banorët e kësaj zone si vend i shenjtë, por edhe me veti shëruese./atsh/KultPlus.com

S’rreshta kurrë së menduari për ty

Poezi nga Charles Bukowski

S’rreshta kurrë së menduari për ty,
do doja aq shumë të ta them.

Do doja të shkruaja se më pëlqen të kthehem,
Se më mungon dhe të mendoj.
Po s’të kërkoj.
Madje s’të shkruaj as njatjeta.
Nuk di si je.
Dhe më mungon ta di.

Ke projekte?
Buzëqeshe sot?
Ç’ëndërrove?
Do dalësh?
Ku do t’shkosh?
Ke ëndrra?
A hëngre?.

Do t’më pëlqente të mund të kërkoja.
Po s’kam forcë.
Dhe as ti nuk e ke.
Dhe at’herë rrimë e presim më kot”.

“Dhe mendojmë.
Dhe kujtomë.
Kujtohu se të mendoj, se ti nuk e di, por ty të jetoj çdo ditë, që shkruaj për ty.

Dhe kujtohu se të kërkosh e të mendosh, janë dy gjëra të ndryshme.

Dhe unë të mendoj, po s’të kërkoj./ KultPlus.com

‘Sonte hesht qyteti, shiu do të fillojë, kërkoj shikimin tënd në errësirë’ (VIDEO)

B.B. Poqi ka realizuar shumë këngë dhe shumë albume të cilat u bënë hite të mëdha gjithkund ku flitej shqip.

Këngëtari dhe autori i shumë këngëve, i cili fillimisht formoi bendin “Babillon“ me të cilin i incizoi disa këngë si “Babillon“, “Ti je një iluzion“, “Edhe një natë si kjo“ dhe e fundit “Diku pranë shtëpisë time“, më vonë ai u nda nga bendi dhe vazhdoi karrierën si solo këngëtar.

Sot KultPlus ua sjell një prej këngëve më të njohura të B.B Poqit, “Ti je një iluzion”. / KultPlus.com

“Në qoftë se dëshironi ta njihni dhe ta doni atdheun tuaj, shkoni në të huajin”

KultPlus iu sjell disa thënie për atdheun.

“Në qoftë se dëshironi ta njihni dhe ta doni atdheun tuaj, shkoni në të huajin”. – Eric Berne

“Është kënaqësi dhe nder të vdesësh për atdhe! Edhe më kënaqësi është të jetosh për të”. – Horaci

“Mos pyet se ç’do të bëjë atdheu për ty, pyet me gëzim ç’mund të bësh ti për të”. – Kenedi

“Atdheu është si familja: vlerën ia njohim vetëm atëherë kur e humbim”. – Floberi

“Të vdesësh për atdhe, kjo është punë mbretërish”. – Volteri

“Liria është thelbi i shpirtit dhe i mendjes; aty ku s’ka liri, mendja dhe shpirti thahen si bima pa ujë”. – Sami Frashëri

“Nuk ka këshillë më të keqe nga ajo që të shtyn të mohosh kombin tënd”. – Naum Veqilharxhi

“Skllavëria më e madhe është të mos kesh liri, e të mos konsiderohesh i lirë”. – Gëte

“Më mirë me dekë nën dhe’ m’u kja, se për t’gjallë me mbetë nën shkja”. – Gjergj Fishta

“Dashuria për atdheun lind nga dashuria për familjen”. – Naim Frashëri/bota.al/ KultPlus.com

Si e përktheu Gjon Shllaku në qeli Iliadën e Homerit

Më 16 gusht 2003 ndërroi jetë shqipëruesi i parë i Iliadës, Gjon Shllaku, njohës i thellë i greqishtes së lashtë e latinishtes. Përkthyesi dhe helenisti i shquar Gjon Shllaku, lindi në vitin 1923 dhe që në moshë të hershme nisi të përkthente.

Kur ishte vetëm 17 vjeç përktheu romanin “Ben Hur” të Vallasit, duke e marrë si një shtysë për përkthimet e mëpasshme që do t’i bënte kryeveprave botërore. Tri klasat e para të fillores i kreu në kolegjin françeskan, ndërsa klasën e katërt dhe të pestë në shkollën shtetërore tek “Dugajtë e reja”. Nga 24 shtatori 1935 deri më 9 dhjetor 1945 studioi në Seminarin Papnor duke bërë edhe vitet e larta të teologjisë dhe filozofisë, studioi për pesë vjet greqishten e lashtë, dhe për tetë vjet latinishten. Filozofia dhe teologjia jepeshin në latinishte, si gjuha e klerit që ishte. Nuk jepej gjuhë tjetër ndërkohë. Si student lexoi klasikët e antikitetit helen Sofokliun, Eskilin dhe Euripidin. Filloi të shkruante me pseudonimin Lyricus. Ishte vetëm 22 vjeç kur në vitin 1946 u dënua me 101 vjet burg, nën akuzën e anëtarësisë në grupin “Bashkimi shqiptar”.

I magjepsur pas antikitetit nisi të përkthente Iliadën në burgun famëkeq të Burrelit, duke shkruar në thasë çimentoje dhe rripa gazetash. Vazhdoi me përkthimin e veprës, pas 1957 kur u lirua nga burgu, pasi kreu 11 vjet nga dënimi që iu dha. Gjatë jetës së tij, jetë të cilën ia kushtoi plotësisht përkthimit, do t’i bënte të flisnin shqip personazhet e shtatë tragjedive të Sofokliut, të katër tragjedive të Euripidit, të shtatë tragjedive të Shekspirit si dhe “Prometeun e Lidhur” të Eskilit dhe “Eneidën” dhe “Gjeorgjikat” e Virgjilit.

Gjithashtu, do të përpilon te edhe dy fjalorë me rëndësi të madhe për të gjithë studiuesit dhe filologët shqiptarë, Greqishte e Vjetër – Shqip me 20 mijë fjalë dhe atë të Gjuhës së Vjetër Latine – Shqip me 65 mijë fjalë. Me përkthimet e tij, i dha Shqipërisë hijeshinë e vargjeve helene e latine. Për këto përkthime, ai do të vlerësohej nga qeveria greke me çmimin “Disku i Argjendtë” ndërsa në Shqipëri me urdhrin “Naim Frashëri i Artë” (1995). Helenisti i shquar dhe i fundit i shkollës së përkthyesve të klasikëve do të mbyllte sytë përfundimisht në vitin 2003 në Shkodër, duke i lënë gjuhës shqipe një dhuratë të çmuar.

BURGIMI DHE VEPRAT

Më 9 dhjetor 1946 ra në burg, ishte 23 vjeç. U dënua me burgim të përjetshëm (101 vjet) fillimisht si anëtar i grupit të “Bashkimit shqiptar”, si përfundim bëri 12 vjet në burgun e Burrelit dhe në batat e Myzeqesë. Në burg u njoh me Peshkopin Visarion Xhuvani, me të cilin thelloi njohuritë në greqishten e vjetër, prej të cilës përktheu pjesë nga Bibla – Apostujt dhe Shenjtorët. Pati hasur edhe në një antologji të veprës së Homerit, të cilën e përktheu. Në burg nxuri greqishten e re, spanjishten dhe anglishten. Pas daljes nga burgu më 1957 punoi te ndërmarrja Zukth-Kashta në Shkodër si llogaritar-normist deri në pensionim. Pas rënies së regjimit gëzoi njohjen e duhur të mundit, dhe vdes pak muaj mbasi mbushi të tetëdhjetat. Një ndër mjeshtrit e këtij zanati, përktheu pjesë nga “De rerum natura” e Lukrecit dhe nga “Eneida” e Virgjilit kur ishte ende në Seminar. Në moshën 16 vjeçare përktheu të plotë “Gjeorgjikat” e Virgjilit. 17 vjeç përkthen Ben Hur-in e Lju Uallasit. Përktheu tekste biblike nga greqishtja e vjetër, “Punët e Apostujve” dhe “Apokalipsi”.

Në vitin 1965 shqipëron “Iliadën” në standardin e atëhershëm, më pas u ribotua më 1979 në standardin e paskongresit 1972. Më 1995 boton shqipërimin e shtatë tragjedive të Sofokliut – përkthim që në kohë të regjimit nuk iu pranua nga Akademia, me “Kangët e Rolandit” (bot. më 2003) dhe “Le Cid” të Kornejit. Dy muaj përpara vdekjes mbaroi hartimin e “Fjalorit latinisht-shqip” të nisur prej shumë vitesh me afërsisht 65.000 fjalë. Ka lënë të pa përfunduar “Fjalorin greqisht-shqip” me rreth 18.000 fjalë. Bëri të flasë shqip Ovidin, Horacin, Shekspirin, Hygoin, Rasinin, De Musenë, Lamartenë, Shatobriandin deri tek Papa Gjon Pali i Dytë. Çmonte Nolin, Dakajn, Alkajn, Lacajn, Çomorën.

Ka shkruar po ashtu edhe vepra të vetat, si dramat “Dy Lekët”, “Judita dhe Holoferni” dhe “Skënderi e Zulejka”. Gjatë qëndrimit në burgun e Burrelit, nis më 1950 shkrimin e dramës “Skënderi dhe Zulejka”, që e përfundoi në aeroportin e Urës Vajgurore, Berat. Me anën e dy shkodranëve të rinj, teknikë të jashtëm në pistën e Beratit, u realizua dalja e veprës së vetme të shpëtuara. Pas 47 vitesh i vëllai, regjisori Lec Shllaku, ia dorëzoi dorëshkrimin. Ky është i pari daktilografim që përfundoi në orën 20 dt. 20 nëntor 1999. Më 25 dhjetor të 1995 i jepet titulli “Profesor” nga komisioni i kualifikimit shkencor, muaj kur dekorohet po ashtu me Urdhrin “Naim Frashëri i Artë” nga presidenti Sali Berisha.

Në prill të 2003 i akordohet nga Presidenti i Republikës Alfred Moisiu urdhri “Mjeshtër i Madh” dhe nga Këshilli bashkiak i Shkodrës “Qytetar nderi i Shkodrës”. Po ashtu dekorohet me Urdhrin Naim Frashëri i Artë nga presidenti, fitues i “Penës së Artë” të dhënë nga MTKRS për përkthimin e “Gjeorgjikave” të Virgjilit më 2001. Fitues i “Diskut e Argjendtë” nga qeveria greke me anë të ambasadës së saj në Tiranë./Panorama/KultPlus.com

Kumbaro ndan pamjet e Shëngjinit në mbrëmje mbushur me turistë

Plazhi i Shëngjinit në Lezhë vijon të mbetet ndër destinacionet e preferuara të turistëve vendas e të huaj edhe në këto ditë gushti.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në rrjetet sociale pamje nga shëtitorja në plazhin e Shëngjinit e mbushur plot me turistë.

“Mbrëmjet në Shëngjin”, shkruan Kumbaro.

Plazhi i Shëngjinit shtrihet në perëndim të qytetit të Lezhës, nga Velipoja në veri dhe deri në anën e djathtë të grykëderdhjes së Drinit të Lezhës, në jug të ishullit Kune. Plazhi ka një gjatësi prej 9 km dhe gjerësi deri 30-70 m. Pjesa më rekreative e Plazhit të Shëngjinit është zona e ishullit Kune, ku janë ngritur një varg restorantesh dhe objektesh të tjera hotelerie.

Emri i Shëngjinit lidhet me pyllin e Zanave që gjendet mes Shëngjinit dhe Velipojës. Më pas u quajt Medea, sipas emrit të princeshës Medea të Argonautëve. Deri në ditët tona kanë mundur të mbijetojnë bashkë edhe porti i vogël edhe plazhi, i cili njihet gjerësisht.

Plazhi rrethohet nga pylli me pisha dhe në kurriz mbrohet nga kodrinat e larta. Ai ndodhet shumë pranë rrugëve kombëtare dhe është i arritshëm për këdo, duke siguruar akomodim të mirë dhe ekonomik në çmime./atsh/KultPlus.com

Punime restauruese në Kishën e T’Shëlbuemit në Rubik

Falë programit të EU4Culture në pikturën murale të Kishës së T’Shëlbuemit në Rubik po kryhen punime konservuese/restauruese.

Specialistët e Sektorit të Veprave të Artit në IKTK inspektuan nga afër ecurinë e këtyre punimeve të cilat po kryhen nga restauratorja Edlira Çaushi dhe ekipi i saj.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja solli momente nga inspektimi i specialistëve.

Ndërhyrjet në pikturën murale konsistojnë në konsolidimin e pelikulit piktorik, ringjitjen e shtresave përgatitore, zbulimin e pikturave murale në faqet veriore dhe jugore nga mbivëniet me llaç dhe gëlqere, pastrimin e sipërfaqes së pikturuar nga depozitimet e qëndrueshme, integrimin estetik për përmiresimin e të gjithë imazhit të kësaj pikture./atsh/KultPlus.com

Ministri Çeku njofton se nisën punimet në kalanë e Korishës

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, vlerëson se arkeologjia në vendin tonë po merr vëmendjen e duhur shtetëror.

Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ai deklaroi se kanë nisur punimet edhe në kalanë e Korishës, e cila i takon dy periudhave historike, asaj dardane dhe periudhës bizantine.

“Në këtë lokalitet arkeologjik shumështresor janë zbuluar gjetje të rëndësishme dhe për tri vitet e ardhshme kemi garantuar punime dhe mbikëqyrje të vazhdueshme”, ka shkruar Çeku./KultPlus.com