Më 15 maj të vitit 1923 lindi Guri Madhi, një prej artistëve më të rëndësishëm në historinë e artit shqiptar (1921 – 1988).
Piktori Guri Madhi është nga më të rëndësishmit e realizmit socialist. I përket brezit të piktorëve shqiptarë që në vitet ’60–’80, trajtuan temat kompozicionale historike duke ndërtuar karaktere dhe tipare fizionomike të shqiptarëve të kësaj periudhe.
103-vjetorin e lindjes së Artistit të Popullit, Guri Madhi e kujtoi sot përmes një postimi, ministri Blendi Gonxhja, i cili shkroi në rrjetet sociale se, Guri Madhi një nga piktorët më të mëdhenj shqiptarë, ishte ndër themeluesit e Universitetit të Arteve me mbi 400 vepra, në 33 vjet krijimtari.
Guri Madhi lindi në qytetin e Korçës ndërsa studimet e larta i kreu në Bashkimin Sovjetik, në Leningrad, ku u diplomua me rezultate të shkëlqyera. Pas studimeve u kthye në atdhe për të dhënë kontributin e tij. Gjithë jetën ia kushtoi krijimtarisë, e cila jo pak herë kapërceu kufijtë e realizmit socialist, duke sjellë edhe përjashtimin nga Partia e Punës. Por arti i Guri Madhit i mbijetoi sfidave dhe u flet ende brezave, edhe tashmë që autori nuk është më.
Galeria e Artit në Korçë mban emrin e tij./atsh/ KultPlus.com
Është çelur për publikun faqja digjitale ‘Prishtina në histori’ për një vështrim të parë. Është fjala për një grumbull digjital të teksteve, hartave, gravurave, fotografive dhe punimeve rreth historisë së qytetit të Prishtinës që kapin kohën prej fundit të shekullit 13 deri në vitete e para të shekullit 20.
Në Arkivin e Prishtinës, pjesë e Komunës së Prishtinës, rishtazi janë sjellë rreth 38,598 dokumente osmane, të cilat dokumentojnë historinë e Prishtinës prej shekullit të 15 deri në shekullin 20. Shumica prej tyre janë krejt të pastudiuara dhe të panjohura për publikun. Në anën tjetër, shumë studime, të cilat janë bërë bazuar në arkivat e Romës, Venedikut dhe Dubrovnikut mbesin në sirtarë të bibliotekave dhe njihen vetëm prej një grupi të vogël specialistësh.
Këto të dhëna, por dhe të tjera që kanë të bëjnë me të kaluarën e Prishtinë, nga arkiva, biblioteka e koleksione janë mbledhur dhe do të vazhdojnë të mblidhen në fazat e tjera të këtij projekti. Në mesin e materialeve të botuara janë edhe rreth 100 dokumente origjinale të përkthyera, si shtesë për tekstet e shkruara enkas, e artikuj të rëndësishëm nga e kaluara që meritojnë të lexohen më gjerësisht. Pjesa më e madhe e tyre janë botuar në këtë fazë fillestare.
“Formati i kësaj platforme, që ka për synim të mbledhë dhe bëjë të çasshme për publikun e gjerë burime dhe njohuri rreth historisë së qytetit (dhe rajonit) të Prishtinës, është pak i pazakontë. Nuk është revistë shkencore online, as nuk është faqe e promovimit të turizmit të qytetit, qysh zakonisht zhvillohen për qytete të ndryshme. Platforma mund të ketë ndonjë ngjashmëri me formatin e muzeve online, që janë zhvilluar dekadat e fundit, por megjithatë nuk mund të konsiderohet e tillë,” thotë në editorialin e platformës redaktori i saj, Yll Rugova.
Platforma është iniciativë e Trembelave me siglën botuese Varg nën mbështetjen e veçantë nga fondet e Komunës së Prishtinës, në partneritet të ngushtë edhe me Arkivin e Prishtinës. Janë këta të fundit që kanë bërë të qasshëm dokumentet nga arkivat osmane që në vitin 2018 janë sjellë në kopje digjitale te ky arkiv.
Mirësevini n’shfaqje, le ta dinë të gjithë mjaft kam luajtur, do t’çlirohem nga zingjirët
Më mirë shtrëngohuni, do ta mbush edhe një gotë Kjo është bohemia ime, pra pije, miku im
[Para-refreni]
Uh Uh
Ky tregim është e vërteta ime
[Refreni]
Unë, unë shkova n’ferr e u ktheva Për ta gjetur veten n’rrugën e duhur E theva kodin, uoah-oh-oh Sikur amonitet Thjesht i dhashë ca kohë Tash e gjeta parajsën E theva kodin, uoah-oh-oh
[Strofa 2]
Ja t’jua tregoj një përrallë për jetën Për të mirën dhe të keqen, më mirë mbahuni fort
Kush vendos se ç’është e gabuar, e ç’është e drejtë? Gjithçka është e ekuilibruar, gjithçka është e lehtë
Më sillen kaq shumë gjëra nëpër mendje Kam qenë zgjuar gjithë natën Jam kaq i ngazëllyer, jam kaq entuziast Është më e madhe se unë, bo bëhem kaq i shastisur
[Para-kori]
(Oh) Më leni t’i shijoj uljet e ngritjet (Oh) Më leni ta ndjej atë frikë djegëse (Oh) Ky tregim është e vërteta ime
[Refreni]
Unë, unë shkova n’ferr e u ktheva Për ta gjetur veten n’rrugën e duhur E theva kodin, uoah-oh-oh Sikur amonitet Thjesht i dhashë ca kohë Tash e gjeta parajsën E theva kodin, uoah-oh-oh
[Ura]
Diku midis O-ve dhe 1-shave Aty e gjeta mbretërinë time që erdhi Zemra ime rreh si… — Diku midis O-ve dhe 1-shave Aty e gjeta mbretërinë time që erdhi Zemra ime rreh si daulle
[Vokalizimi]
[Refreni]
Unë, unë shkova n’ferr e u ktheva Për ta gjetur veten n’rrugën e duhur E theva kodin, uoah-oh-oh Sikur amonitet Thjesht i dhashë ca kohë Tash e gjeta parajsën E theva kodin, uoah-oh-oh, uoah-oh-oh
Presidentja Vjosa Osmani u prit në takim nga Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen: Përgjatë çdo etape të shtetndërtimit, mbështetja e Danimarkës për Kosovën ka qenë e palëkundur
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur sot në takim në Pallatin Christiansborg nga Kryeministrja e Mbretërisë së Danimarkës, Mette Frederiksen.
Në takim është diskutuar për marrëdhëniet bilaterale midis dy shteteve dhe është rikonfirmuar përkushtimi i ndërsjellë për rritjen e bashkëpunimit ndërshtetëror në të mirën e qytetarëve të të dyja vendeve.
Në takim me Kryeministren Frederiksen, Presidentja Osmani ka falënderuar Mbretërinë e Danimarkës për mbështetjen ndaj Kosovës përgjatë viteve, ndërsa ka diskutuar edhe për rëndësinë që kjo mbështetje të vazhdojë edhe më tej për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, anëtarësimin në NATO, si dhe organizata ndërkombëtare. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen unanime të deputetëve danez në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, si dhe për gatishmërinë e qeverisë së Danimarkës që ta mbështesë vazhdimisht Kosovën deri në anëtarësim.
Presidentja Osmani dhe Kryeministrja Frederiksen diskutuan edhe për presidencën daneze të Bashkimit Evropian vitin e ardhshëm, ku Presidentja shtroi nevojën që të ndërmerren hapa konkret sa i përket integrimit të Kosovës në BE, duke u bazuar në performancën dhe reformat e realizuara në vendin tonë.
Presidentja Osmani po ashtu shprehu mirënjohjen e thellë për kontributin e mbi 13 mijë ushtarëve danez për paqen dhe sigurinë në Kosovë që nga viti 1999, ndaj bëri nderime tek Monumenti Kombëtar i Kujtesës së Danimarkës, ku Presidentja u prit me nderime ushtarake./ KultPlus.com
175 vepra do të ekspozohen në Muzeun e Futbollit në Dortmund të Gjermanisë, dhe në mesin e artistëve të mëdhenj është përfshirë edhe vepra e piktorit shqiptar Guri Madhit, shkruan KultPlus.
Për këtë ekspozitë të madhe që ka për temë futbollin po ju sjellim njoftimin e plotë nga organizatorët e kësaj ekspozite.
Ja dhe njoftimi zyrtar që vjen nga Dormund:
Në Muzeun e Futbollit Gjerman në Dortmund, në një sipërfaqe prej 1000 metra katrorë do të ekspozohen 175 vepra arti me temë futbollin, të 100 autorëve, ndërmjet të cilave është përzgjedhur dhe vepra e vitit 1986 “Kur nuk shkojnë në stadium” (në anglisht “Watching football game”) e piktorit shqiptar Guri Madhi (1921-1988).
Ceremonia e hapjes së ekspozites “In motion – art & football” do të jetë në 27 Maj 2024 dhe do të jetë për publikun deri më 6 janar 2025.
Në këtë ekspozitë, do të njiheni me vepra të Salvador Dalisë, Picassos, Joan Miro, Rene Magritte, Paul Klee, Alexander Deyneka, Banksy, e të tjere dhe mes tyre artisti shqiptar Guri Madhi.Scientists Question .
Në faqet 224 dhe 225 të katalogut të kësaj ekspozite, me titullin “In motion” dhe autor Manuel Neukirchner (Drejtor i Muzeut) prezantohet vepra e Guri Madhit (që është pjesë e ekspozitës), e shoqëruar me analizën e saj dhe jetëshkrimin e artistit.
Më 15 qershor 2024, pikërisht në Dortmund, Kombëtarja jonë e futbollit do të zhvillojë ndeshjen e parë kundër Italisë. Tifozët tanë do të kenë rastin për të vizituar ekspozitën, si një pikë tjetër kontakti me vendin e tyre, këtë radhë me artin shqiptar, përmes Artistit të shquar Guri Madhi. / KultPlus.com
Fotografi Fahredin Spahija do të prezantohet me ekspozitë personale në Galerinë e Arteve në Gjilan, shkruan KultPlus.
“Unë, ti dhe diçka në mes” është ekspozita që do të prezantohet para publikut gjilanas, dhe në të njëjtën kohë, fotografi do të dhurojë për të pranishmit edhe librin e tij të parë “Përtej”, që në të njëjtën kohë është edhe libri i parë i fotografit.
Më poshtë KultPlus ju sjell njoftimin e plotë të fotografit Spahija.
Nesër në Galerinë e Arteve të Gjilanit, me 16 maj, në orën 19.00, hapet ekspozita ime personale “Unë, ti dhe diçka në mes” që ka karakter retrospektiv të një pune 26 vjeçare në projektin fotografik “Përtej”. Veç ekspozitës, ju që keni kohë dhe mundësi të vini, do ta keni edhe librin tim të parë “Përtej”, si dhuratë nga unë…
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Kurti ka thënë se Vetëvendosja është e gatshme për zgjedhje të reja, porse opozita duhet të bëhet gati.
Ai ka folur në panairin e 23-të EXPOKOS.
“Opozita duhet të bëhet gati, ne jemi gjithmonë gati, përndryshe nëse ata janë rehat shkon mandati”, tha Kurti të mërkurën.
I pyetur nga gazetarët pse së fundmi po flet për zgjedhjet, Kurti ka thënë se në takimin me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka qenë shumë e rëndësishme të diskutohet agjenda legjislative.
“Për mua ka qenë shumë e rëndësishme të diskutohet agjenda legjislative, pasi kanë mbetur shumë marrëveshje ndërkombëtare pa u votuar”, ka thënë kryeministri.
Kurti së fundmi u takua me kryetarin e PDK-së me të cilin diskutoi edhe për zgjedhjet. Ka thënë se të gjitha partitë duhet të dakordohen për datën e zgjedhjeve. Teksa PDK-ja është shprehur pro shpërndarjes së Kuvendit, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) po kërkojnë dorëheqjen ose shkarkimin e Kurtit.
“Pasardhësit njeriu nuk mund t’i ndryshojë, por mund të përcaktojë çfarë do të ndodhë me pasardhësit”. – François de la Rachefoucauld
“Nëna është personi i vetëm në botë i cili të do para se të të shohë”. – Johann Heinrich Pestalozzi
“Në fund të jetës suaj, nuk do të pendoheni që nuk keni kaluar edhe një test, që nuk keni fituar edhe një aktgjykim, ose që nuk keni realizuar edhe një marrëveshje. Ju do të pendoheni për kohën që nuk e keni kaluar me burrin, shokun, fëmijën, prindin”. – Barbara Bush
“Familja është gjëja më e rëndësishme në botë”. – Princeshë Diana
“Disa nga diskutimet më të rëndësishme që kam pasur ndonjëherë kanë ndodhur tek familja ime në tavolinën e darkës”. – Bob Ehrlich
“Nëse dëshironi që fëmijët tuaj të bëhen të mirë, shpenzoni dyfish më shumë kohë me ata dhe gjysmën e parave që shpenzoni”. – Abigail Van Buren
“Ju gjithmonë keni kohë për gjërat që i vendosni si primare”. – Autor i panjohur
“Njeriu nuk mund të bëj vend për veten e tij në diell nëse vazhdon të fshihet nën pemën familjare”. – Helen Keller
“Familjet janë busulla e cila na udhëheq. Ato janë inspirimi për të arritur lartësi të mëdha dhe rehatia kur ne ligështohemi”. – Brad Henry
“Fytyrat e familjarëve janë pasqyra magjike ku mund të shikohen njerëzit të cilët na takojnë neve, shohim të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen”. – Gail Lumet Buckley./ KultPlus.com
Në Galerinë Kombëtare të Kosovës do të hapet ekspozita retrospektivë e artistit Gjelosh Gjokaj, e kuruar nga Shkëlzen Maliqi, të mërkurën, 15 maj në ora 19:00.
Ekspozita e cila është organizuar në bashkëpunim me Ambasadën e Malit të Zi për nder të 90-vjetorit të lindjes së Gjelosh Gjokaj, përfshinë vepra nga të gjitha fazat e zhvillimit të artit të Gjokajt. Ajo përbëhet nga dy koleksione të mëdha të artit të tij. Koleksioni bazë, me 75 vepra të artistit nga Sead Gjokaj, si dhe 18 vepra nga fondi i Galerisë Kombëtare të Kosovës.
Gjelosh Gjokaj (1933-2016) është njëri ndër artistët më të shquar të periudhës së modernizmit shqiptar. Vepra e tij është me vlera të pakapërcyeshme për kulturën e trevave shqiptare dhe të rajonit. Pos në Kosovë dhe Mal të Zi, karrierën e denjë prej artisti Gjelosh Gjokaj e ka zhvilluar edhe në Itali dhe Gjermani, ku për katër dekada ka jetuar dhe vepruar si artist i lirë.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri me 7 korrik, 2024./KultPlus.com
Pushimet në qytet mund të jenë një nga mënyrat më efektive për t’u njohur me kulturën e një vendi, sipas një artikulli të botuar në të përditshmen britanike “CN Traveller”.
Pavarësisht nëse është një fundjavë që të rrëmben në rrjedhën e saj të shpejtë, ose dy javë njohjeje me një lagje të re, pushimet në qytet ofrojnë një zhytje të plotë dhe të thellë në historinë e vendit, që rrallë mund ta bëjnë resortet e plazheve dhe hotelet e largëta.
Më poshtë do të gjeni disa nga qytetet evropiane ku mund të kaloni pushimet me çmime të përballueshme në vitin 2024.
Gjithashtu kemi përfshirë edhe disa nga pushimet tona të preferuara në qytetet evropiane që mund të jenë më pak të njohura, si Klagenfurt në Austri dhe Berati në Shqipëri.
Tiranë, Shqipëri Berat, Shqipëri Vilnius, Lituani Stamboll, Turqi Izmir, Turqi Krakov, Poloni Mostar, Bosnjë-Hercegovinë Lisbonë, Portugali Athinë, Greqi Riga, Letoni Zagreb, Kroaci Lille, Francë Budapest, Hungari Klagenfurt, Austri Kaunas, Lituani Brasov, Transilvani, Rumani Sofje, Bullgari Tbilisi, Gjeorgji
Tiranë, Shqipëri
Dhjetë vjet më parë, Shqipëria rrallë se mund të ishte në radarin e britanikëve që dëshironin pushime në qytet. Kjo është duke ndryshuar shpejt.
Mediat sociale kanë promovuar bukurinë e shtrirjeve bregdetare të Shqipërisë duke ngjallur interes për destinacionin dhe nga ana tjetër, shumë vizitorë kanë zgjedhur të eksplorojnë vendin duke kaluar një fundjavë në kryeqytet.
Që pas daljes nga regjimi komunist në vitet 1990, qyteti është i gjallë me ngjyra dhe plot kuriozitet.
Mësoni për të kaluarën magjepsëse të Shqipërisë në Muzeun Historik Kombëtar përpara se të bëni pazar dhe të pini një kafe në Bllokun luksoz.
Më e rëndësishmja, Tirana ofron akomodime me dhomat më të lira në Evropë.
“Hotel Mondial” është vendi i përsosur për t’u akomoduar – me katër yje – pas ditëve të gjata duke eksploruar peizazhet natyrore dhe pamjet e qytetit.
Berat, Shqipëri
Ashtu si shtëpizat tradicionale prej guri të Pulias ose ndërtesat tërësisht blu të Chefchaouen, shtëpitë e paharrueshme osmane të bardha të Beratit janë krejtësisht unike në ekzistencën e tyre kolektive dhe ndikimin vizual.
Bujtinat dhe hotelet si “Hotel Vila Aleksandër” apo “Hotel Mangalemi” ofrojnë dhoma të thjeshta dhe tradicionale ku mund të akomodoheni me çmime të përballueshme – të dyja rreth 40 euro nata.
Ngjituni rrugëve të pjerrëta me kalldrëm për të vizituar Kështjellën e Beratit të shekullit të XIII (hyrja është falas) dhe shijoni pamjen e qytetit “të një mbi një dritareve” nga lart. ATSH/ KultPlus.com
Në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë do të mbahet një mbrëmje dedikim për valltaret e njohur Lili Cingu, mbrëmje që do të shënohet me këngë dhe valle popullore, shkruan KultPlus.
Për këtë organizim që do të mbahet më 17 maj është bërë e ditur nga drejtoresha e këtij institucioni Abigeila Voshtina, e cila ka njoftuar edhe për detajet shtesë të kësaj mbrëmje.
KultPlus ju sjell të plotë njoftimin mbi këtë ngjarje kulturore.
Kujtimi i mbretëreshës së valles shqipe, Lili Cingu, do të nderohet me një buqetë këngësh e vallesh popullore, të cilat do të interpretohen nga emra të njohur dhe artistë të rinj të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, të premten, më 17 maj ora 20:00.
Duke e hapur me “Vallen e Rexhës”, për të vijuar me “Dueti i Tiranës”, vallen “Nën hijen e mollës”, “Vallen e Logut”, “Vallen e Çobanit”, atë me motive çame, kolazh i veriut e të tjera, si dhe me korale e këngë, si “Trëndafilin kur ta dhashë”, “Kur perëndon dielli” e shumë të tjera. Biletat mund t’i merrni çdo ditë pranë biletarisë së TKOB-së nga ora 10:00-14:00 dhe 16:00-19:30./ KultPlus.com
Sot, Fourth Wave shpalosi një flamur me mbishkrim “Kujdes! Në këtë shtet ka femicid!” në kufirin e Hanit të Elezit me Maqedoninë e Veriut, duke shërbyer si një kujtesë e krizës alarmante të rasteve të femicidit që kanë kapluar shoqërinë tonë. Në një vend ku gratë vriten thjesht sepse janë gra, duhet të jemi të gjthë vigjilentë për rrezikun që na u kanoset.
Meqenëse rastet e femicidit vazhdojnë të rriten dhe jetët e humbura reduktohen në statistika nga autoritetet shtetërore, e në mes të këtyre rasteve përfshihen edhe gra të shteteve të tjera, pra një grua argjentinase dhe një ukrainase në Kosovë andaj ne jemi të detyruar të sigurojmë që çdo grua që kalon në Kosovë të jetë e vetëdijshme për këtë epidemi.
Ky është një realitet i zymtë që kërkon vëmendje dhe veprim të menjëhershëm nga shteti.
Ne refuzojmë të pranojmë femicidin si normë. Andaj nga këtu kërkojmë drejtësi, llogaridhënie dhe angazhim të vendosur nga shteti për të mbrojtur jetën e grave.
Festivali i Filmit në Kanë i këtij viti filloi dje, me ngjarjet jashtë ekranit që ka të ngjarë të jenë po aq dramatike sa historitë në përzgjedhjen e premierave të filmave të mbushur me yje.
Filmat e shumëpritur përfshijnë projektin e vetëfinancuar të regjisorit Francis Ford Coppola, Megalopolis, ndërsa të pranishmit patën një paraqitje të shkurtër të Sebastian Stan si një Donald Trump i ri në The Apprentice.
Filmat më të mëdhenj të dy javëve do të përfshijnë gjithashtu pjesën më të fundit të ekskluzivitetit të Mad Max të George Miller.
Por ka zëra se një sërë aktorësh dhe kineastësh mund të akuzohen publikisht për abuzim seksual; ekziston një kërcënim për grevë nga punonjësit e festivalit; dhe një drejtor iranian mori pjesë disa ditë pasi u largua nga vendi i tij pasi mori një dënim me burg./ KultPlus.com
Munro është autore e librit “Virgjëresha shqiptare” frymëzuar prej një tregimi të Edith Durham, të cilin e gjeti fare rastësisht në një bibliotekë. Ajo pat rrëfyer për gazetën “New York Times” se “Nuk kisha dëgjuar ndonjëherë për ndonjë shoqëri tjetër në botë, ku ndryshimet gjinore e vinin femrën në një pozitë të tillë, përcjell KultPlus.
Po ashtu këtë tregim Munro e ka përmendur edhe ndërsa ka folur për procesin e të shkruarit në një intervistë për revistën ‘The Paris Review’. “Disa herë, kur shkruaj, jam e pasigurt dhe ndryshoj vetën e rrëfimit, kaloj nga veta e parë tek e treta, madje e ndryshoj disa herë. Ky është një ndër problemet e mij më të mëdhenj. Shpesh e shkruaj tregimin në vetën e parë por pastaj e ndjej se, për një arsye të pashpjegueshme, kjo nuk funksionon. Në këto raste ndikohem shumë nga çka më thonë të tjerët se ç’duhet të bëj. Për shembull, agjentit tim nuk i pëlqeu përdorimi i vetës së parë në tregimin The Albanian Virgin “Virgjëresha shqiptare” dhe, meqenëse unë nuk isha plotësisht e sigurtë, më bindi ta ndryshoj. Por pastaj e ndryshova përsëri rrëfimin, duke e kthyer në vetën e parë”, ka thënë ajo.
Ky tregim është botuar në gjuhën shqipe në vitin 2005 nga Ideart, si pjesë e një vëllimi me tregime nën përkthimin e Pirro Dollanit, që ka marrë pikërisht titullin e këtij tregimi. Shkrimtarja Alice Munro ka merituar të gjithë trofetë e mundshëm letrarë. Në vitin 2009, kjo autore fitoi edhe çmimin prestigjioz letrar “Man Book Prize”. Ndërsa vetëm dy javë më parë Munro mori çmimin “International Festival of Authors”, çmim që shoqërohet me shumën 10 mijë dollarë. Libri i fundit i saj është “Dear Life”.
Ja 10 fakte për Alice Munro sipas Guardian Books 1 Emri i saj i lindjes është Alice Laidlaw . 2 Ajo u lind më 10 korrik 1931, pranë Wingham, Ontario,që paraqitet shpesh në tregimet e saj (më pas është quajtur Jubilee, ose Hanratty). 3 Babai i saj, Robert Laidlaë, ishte një pasardhës i drejtpërdrejtë i James Hogg, autori i “The Private Memoirs” dhe “Confessions of a Justified Sinner” 4. Ajo ka thënë diku se filloi të arratisej mes librash, pasi nëna e saj mësuese u diagnostikua me një formë të pazakontë të Parkinsonit, kur Alice, më e madhja e tre fëmijëve, ishte 10 vjeç. 5. Ajo fitoi një bursë për gazetari në Universitetin e Western Ontario-s, ku ajo mbahej mes të tjerash, edhe duke shitur gjak. 6. Munro botoi historinë e saj të parë “The Dimensions of a Shadow”, kur qe akoma studente, më 1950. 7. Me burrin e saj të parë, Jim Munro, ajo hapi një librari, “Librat Munro”, e cila është aktive sot në Victoria, British Columbia. E veçanta e tyre ishte se mbanin botime të vjetra, pothuajse ekskluzive, në një kohë kur shumë shitës të tjerë i përçmonin. 8. Burri i saj i dytë, gjeografi Gerry Fremlin, ishte një mik i vjetër nga universiteti. Ata vendosën të martohen pas një ritakimi pasi kishin pirë dhe nga 3 martini. 9. Kur Munro fitoi çmimin Man Booker International në vitin 2009, gjyqtari Jane Smiley e përshkroi punën e saj si “praktikisht të përsosur”. 10. Ajo është kanadezja e parë që iu dha Çmimin Nobel në Letërsi
Virgjëresha shqiptare Gjinia: Tregim Autori: Alice Munro Përktheu: Pirro Dollani Shtëpia botuese: Ideart, 2005 Faqe: 104/ KultPlus.com
Autorja e mirënjohur kanadeze, Alice Munro, fituese e çmimit Nobel për Letërsi në vitin 2013, ka ndërruar jetë në moshën 92-vjeçare. Lajmin e ka bërë të ditur familja e saj, teksa deklaroi se shkrimtarja ndërroi jetë në shtëpinë në Port Hope në Ontario të hënën mbrëma.
Munro shkroi tregime të shkurtra për më shumë se 60 vjet, shpesh duke u fokusuar në jetën në Kanada. Ajo shpesh krahasohej me shkrimtarin rus Anton Chekhov për dhembshurinë që përcillnin tregimet e saj.
Arritja e parë e saj e madhe erdhi në vitin 1968, kur koleksioni i saj të tregimeve të shkurtra “Dance of the Happy Shades” për jetën në periferi të Ontarios, fitoi çmimin më të lartë letrar të Kanadasë, atë të Guvernatorit të Përgjithshëm.
Munro, vajza e një fermeri dhe një mësuese shkolle, lindi në vitin 1931 në Wingham, Ontario. Shumë prej tregimeve të saj vendosen në zonën ku jetoi, kulturën dhe mënyrën e jetesës së rajonit.
Ajo ka botuar më shumë se një duzinë përmbledhjesh me tregime të shkurtra. Në vitet 1950 dhe 1960, tregimet e saj u transmetuan në CBC dhe u botuan në disa periodikë kanadezë. Disa nga tregimet e saj krahasuan jetën para dhe pas revolucionit social të viteve 1960. Në vitin 2009, Munro fitoi çmimin ndërkombëtar “Man Booker Prize” për arritje të jetës.
“Të lexosh Alice Munro është të mësosh diçka çdo herë që nuk e kishe menduar kurrë më parë”, tha asokohe komisioni i vlerësimit.
Më vonë ajo fitoi çmimin Nobel në 2013. Komiteti i Nobelit e quajti Munron një “mjeshtre të tregimit të shkurtër bashkëkohor”. Ndërkohë, Munro thoshte se në një intervistë për “The Guardian” në 2013 se ajo kishte shkruar histori personale gjatë gjithë jetës së saj. A.K./TemA/ KultPlus.com
Ka filluar montimi i veprës më të madhe të artit në Shqipëri! Ajo do vendoset në Shkodër.
Skulptura monumentale, e quajtur ‘Çelësi Shqiptar’, krijuar nga Alfred Mirashi Milot , fitues i Konkursit Ndërkombëtar “Art në Hapësirën Publike”, shpallur nga Ministria e Kulturës, po vendoset në hyrjen e qytetit të Shkodrës.
Një vepër arti me një mesazh të fuqishëm dhe të qartë: mos të kemi më dyert e mbyllura, por të hapim shanset dhe të krijojmë mundësi për të gjithë në një mënyrë të barabartë.
Alfred Mirashi, me emër arti Milot ka lindur me 29 Gusht 1969 në Milot të Kurbinit dhe jeton momentalisht në Itali. /TemA/ KultPlus.com
Në Gjirokastër po rikthehet teatri për fëmijë ndërsa aktorët e vegjël interpretojnë plot dëshirë dhe pasion në skenën artistike. Së fundi ishte Qendra Kulturore e Fëmijëve që solli për artdashësit e vegjël pjesën “Kur gëzon Baba Viti”,e cila u ndoq me interes dhe u duartrokit nga fëmijët dhe prindërit.
Artistët në qytetin e gurtë e vlerësojnë pozitive rikthimin e këtij lloj teatri aq më tepër në shërbim të edukimit dhe argëtimit të fëmijëve.
“Pas shfaqjeve të shumta që kemi dhënë në teatrin “Zihni Sako” për fëmijë kemi vënë re që publiku i vogël është i etur për të parë akoma dhe më shumë shfaqje dhe duke patur parasysh këtë teatri ” Zihni Sako” por jo vetëm edhe Qendra Kulturore e Fëmijëve të qytetif ka vendosur një shfaqje së fundmi me fëmijë për vogëlushët dhe dua të them që ndjesia e imja si artiste kur pashë sallën plot të qytetit dhe të gjithë dashurinë që fëmijët dhanë për aktorët e vegjël ishte shumë emocionuese dhe fantastike”-tha Lejda Çeli, aktore.
Trupa të tilla si interpretuesit e vegjël të Qendrës Kulturore të Fëmijëve shërbejnë si bërthama artistike për transmetimin e traditës aq të pasur që ka teatri i Gjirokastrës tek fëmijët dhe të rinjtë
“Dua të cek pak interesin e fëmijëve të vegjël për të luajtur, për të qenë protagonistë në shfaqje të tilla dhe kjo është akoma dhe më e bukur dhe akoma edhe më emocionuese, teatri ” Zihni Sako” ka përdorur zakonisht të rinj por këtë radhë shfaqja e fundit ishte me fëmijë të vegjël dhe kjo është akoma më e bukur duket sikur po e transmetojmë në breza”-theksoi Çeli.
Programi i aktiviteteve kulturore në qytetin e gurtë tashmë përfshin edhe organizimin e vazhdueshëm të shfaqjeve teatrore nga fëmijët dhe të rinjtë./euronews/ KultPlus.com
Poezi e shkruar nga Maya Angelou. Përktheu: Beti Njuma
Kam mësuar se çfarëdo që të ndodhë, apo sado e padurueshme të ngjajë sot, jeta vazhdon dhe e nesërmja më e mirë do jetë.
Kam mësuar se mund të kuptosh mjaftueshëm nga një njeri nga mënyra sesi i përballon këto tri gjëra: një ditë me shi, humbjen e bagazheve dhe dritat lëmsh e li të pemës së Krishtlindjes.
Kam mësuar, sa i takon marrëdhënieve me prindërit, se malli për ta do t’na marrë kur të jenë larguar nga jetët tona. Kam mësuar se të jesh gjallë s’është njësoj si të jetosh.
Kam mësuar se jeta ndonjëherë të jep një mundësi të dytë. Kam mësuar se jeta s’mund të përballohet me doreza beisbolli në të dy duart: gjithmonë duhet të jesh e aftë të hedhësh diçka pas krahëve…
Kam mësuar se sa herë marr një vendim me zemër, përgjithësisht bëj zgjedhjen e duhur. Kam mësuar se edhe kur jam ligsht, s’kam pse rri vetëm.
Kam mësuar se çdo ditë duhet të dalësh për t’u pjekur me dikë. Njerëzve ua ka ënda një përqafim, ose thjesht një rrahje supesh….
Kam mësuar se kam ende shumë për të nxënë. Kam mësuar se njerëzit do ta harrojnë ç’ke thënë, apo ç’ke bërë, por s’do ta harrojnë kurrë si i ke bërë të ndihen./ KultPlus.com
Alber Kamy (7 nëntor 1913 – 4 janar 1960), shkrimtar dhe filozof francez, fitues i Çmimit Nobel për Letërsi në vitin 1957. Është i njohur për stilin karakteristik të shkrimit dhe me tematikat e veprave të tij. I gjithë opusi letrar i tij bazohet në idenë absurde të ekzistencës së njeriut.
Më poshtë janë disa prej thënieve të tij më të famshme:
Njeriu është e vetmja krijesë që refuzon të jetë çfarë është.
Politika dhe e ardhmja e njerëzve mbruhen nga individë pa ideale dhe pa madhështi. Kush ka madhështi brenda vetes nuk merret me politikë. Po të ishte bota e qartë, arti nuk do të ekzistonte.
Njeriu është gjithmonë fajtor për diçka.
Gjithmonë vjen çasti kur duhet të zgjedhësh midis vëzhgimit dhe veprimit. Kjo do të thotë të bëhesh burrë.
Gabimet janë gallatë, e vërteta është bajate.
Për të qenë të lumtur, nuk duhet të merremi shumë me të afërmit.
Nëse nuk të duan është fatkeqësi, por të mos dish të duash është tragjedi.
Vjeshta është një pranverë e dytë, ku çdo gjethe është një lule.
Duhet të duhemi shumë për t’u vetëvravë.
Për shekuj me radhë vrasja është ndëshkuar me vdekje, e megjithatë raca e Kainit nuk është zhdukur.
Të gjithë njerëzit normalë, kanë dëshiruar të paktën një herë vdekjen e njeriut që dashurojnë.
Asnjëherë nuk duhet të luash teatër me të tjerët.
Të jesh pa shpresa s’do të thotë të dëshpërosh.
Ata që kanë frikë të shijojnë janë budallenj.
Kush është rebel? Ai që thotë jo.
Nuk ekziston mbrojtje kundër përçmimit.
Një natë pranë saj kam kuptuar se pasuria ime i përkiste e gjitha kësaj bote.
Mitet ekzistojnë që imagjinata t’u japë jetë.
Sharmi është mënyra për të marrë një “po”, pa artikuluar një pyetje të qartë.
Liria është mundësia për të qenë më të mirë.
Nuk dua të jem një gjeni, kam probleme të mjaftueshme edhe vetëm duke kërkuar të jem një njeri.
Të gjykuarit nëse jeta ia vlen apo nuk ia vlen të jetohet është çështja kryesore e filozofisë.
Të krijosh do të thotë t’i japësh formë fatit tënd.
Një njeri pa etikë është një bishë e egër që endet e lirë nëpër botë.
Kemi përherë përfytyrime të tepruara mbi gjërat që s’i njohim.
Nuk ka dashuri për jetën pa dëshpërim.
Absurdi lind nga ballafaqimi i pyetjes së njeriut dhe heshtjes së pashpjegueshme të botës.
Njoh një detyrim të vetëm: atë të dashurisë.
Kur të jemi të gjithë fajtorë, do të kemi demokraci.
Homeri ka qenë një personazh që ka ngjallur gjithmonë mosmarrëveshje midis studiuesve. A ka ekzistuar vërtet autori i Iliadës dhe Odisesë? Ky dyshim është ngritur që në kohët e lashta, dhe saktësisht në shekullin VII Para Krishtit kur Kalinusi nga Efesi iu referua qarkullimit të veçantë të dy poezive, të cilat nuk mund të ishin shkruar nga i njëjti person.
Debati u thellua në epokën moderne, me botimin e traktatit “Prolegomena ad Homerum” nga Fridrih Volf në vitin 1795, që shënoi fillimin e një sërë studimesh të kritikës analitike mbi poemat homerike, veçanërisht mbi Iliadën, që ishte teksti më i fragmentuar dhe më asimetrik. “Çështja” ka vazhduar deri në ditët e sotme, dhe mbetet kryesisht ende e pazgjidhur si enigmë.
Çështja homerike sipas grekëve
Çështja homerike filloi që në kohët e lashta, në shekullin III Para Krishtit, kur disa studiues të gramatikës filluan të studionin tekstet greke që gjendeshin në Bibliotekën e Aleksandrisë në Egjipt. Kështu lindi një disiplinë e shkëlqyer e quajtur filologji, por edhe një enigmë e madhe.
Duke analizuar tekstet, studiuesit aleksandrianë Ksenoni dhe Elaniku zbuluan dallime të mëdha midis Iliadës dhe Odisesë, duke ngritur hipotezën se ato nuk i përkisnin të njëjtit autor apo se ky nuk kishte ekzistuar kurrë. Sipas studiuesve vetëm Iliada është shkruar nga Homeri.
Teza e tyre u kundërshtua me vendosmëri nga Arstarku i Samotrakës, që pretendonte se Iliada ishte shkruar kur poeti grek ishte i ri, ndërsa Odisea ishte një vepër e shkruar nga Homeri në një moshë më të pjekur.
Çështja homerike në epokën moderne
Pas shumë vitesh heshtje dhe përpjekjesh intelektuale, çështja homerike u ringjall me forcë në shekullin XVII. Në atë kohë, Abati d’Obinjak shkroi një disertacion pasionant mbi Iliadën, në të cilën ai teorizoi se Homeri nuk kishte ekzistuar kurrë, dhe se në realitet poema e tij ishte një përzierje këngësh të ndryshme të lindura nga tradita gojore të kompozuara në faza të ndryshme.
Ndërkohë Historiani dhe filozofi Xhiambatista Viko hodhi hipotezën se dy poezitë ishin në të vërtetë një vepër kolektive, e krijuar nga i gjithë populli grek. Sipas tij nën emrin Homer, fshiheshin një mori bardësh, këngëtarë që e argëtonin publikun në fillim me bëmat e Akilit dhe më pas me ato të Odiseut.
Viko i justifikoi kontradiktat e brendshme të Iliadës dhe Odisesë me të qënit në fillim rrëfime gojore, të shtjelluara nga disa autorë anonimë. Për më tepër, sipas studiuesit Homeri nuk kishte ekzistuar kurrë, ai ishte një personazh i lindur nga një legjendë. Në shekullin XVIII, kjo hipotezë u mbështet nga filologu gjerman Friedrih Volf.
Çështja homerike në epokën bashkëkohore
Një kontribut interesant në studimet homerike u dha në vitin 1928 nga Milman Perri. Duke analizuar traditën epike sllave të kohës së tij, studiuesi amerikan gjeti disa pika të përbashkëta me poemat homerike. Prandaj sipas teorisë së tij, Iliada dhe Odisea ishin produkt i trashëgimisë orale, siç dëshmohet nga epitetet e ndryshme – formulat e përsëritura për të identifikuar personazhet (p.sh Perëndeshë me krahët e bardhë) – të përdorura për të lehtësuar memorizimin e këngëve.
Ndërkohë në vitet ’90 të shekullit XX, helenisti Vinçenco Di Benedeto deklaroi se Iliada është vepër e një autori të vetëm, të cilin ai e identifikon me emrin e Homerit. Sipas gjykimit të studiuesit, tek kjo vepër kemi një teknikë rrëfimtare unitare që nuk i atribuohet autorëve të ndryshëm anonimë.
Di Benedeto mendon se Odisea mund të jetë vepër e një poeti tjetër. Sot, studimet mbi veprën homerike janë shumë të polarizuara. Sipas analizës gjuhësore të studiuesit britanik Martin L.Uest, këngët e Iliadës dhe Odisesë paraqesin një strukturë të qartë unitare, dhe për këtë arsye arritën në një version përfundimtar përpara se të shpërbëheshin në traditën gojore.
Uest vë në pikëpyetje teorinë e Parrit, duke deklaruar se në bazë të poemave homerike ekziston një projekt i qartë origjinal, më pas i zgjeruar nga trashëgimia popullore orale, që dikur këndonte legjendat e traditës.
Atëherë kush ishte në të vërtetë Homeri?
Një nga dëshmitë historike për ekzistencën e tij na vjen nga Pindari, i cili pretendon se Homeri ka lindur në qytetin e Smirnës në Turqinë e sotme. Nga ana tjetër Herodoti e gjurmon ekzistencën e Homerit 400 vjet më parë para kohës së tij, dhe pohon se ai ka lindur në Melesigenes, në lumin Meleto.
Tregimi i Herodotit, i përfshirë në librin “Vita Herodotea”, thotë se Homeri nuk ishte emri i vërtetë i poetit, por një pseudonim që iu dha më vonë. Në fakt, Homeri rrjedh nga fjala ‘ho mḕ horṑn’ që do të thotë ‘ai që nuk sheh’. Në fakt edhe legjenda thotë se Homeri ishte i verbër .
Ndërkohë poeti Hesiod e konfirmon ekzistencën reale të Homerit, duke pretenduar se ai ishte një nga bashkëkohësit e tij, dhe pretendon se një ditë ata lexuan së bashku poezitë e tyre përkatëse gjatë një konkursi mbi poezinë. Por të gjitha këto rindërtime historike mbi figurën e Homerit janë në kontrast me njëra-tjetrën.
Nuk është ende e mundur t’i jepet një datë e caktuar figurës së tij, dhe as një gjeografi e saktë e përkatësisë etnike. Megjithatë, ka shumë statuja dhe vende të shenjta të ngritura për nder të tij, të cilat tregojnë se si grekët e lashtë e nderonin poetin si një figurë hyjnore, të frymëzuar drejtpërdrejt nga muzat. Prandaj është një personazh legjendar, i rrethuar nga një atmosferë e shenjtë hyjnore.
Iliada dhe Odisea mund të konsiderohen për grekët e lashtë, ajo që është Bibla sot për popullin e krishterë. Ajo nuk ishte thjesht një mit, por një rrëfim që jepte vlera, mendime, urdhërime dhe mund t’i atribuohej vetëm një autori legjendar, Homerit, më i madh se vetë emri i tij. / Solo Libri – Bota.al/KultPlus.com
KultPlus ju sjell këngën “Merak tu bana” nga këngëtarja Parashqevi Simaku e njohur për këngën “E duam lumturinë”.
Parashqevi Simaku është një këngëtare shumë e njohur dhe muzika ku identifikohet më shumë është ajo pop, e lehtë dhe popullore e Shqipërisë së mesme.
Parashqevi Simaku është një këngëtare shqiptare nga Shqipëria. Ajo lindi në Kavajë dhe më pas u shpërngul në Durrës. Ajo që e vogël filloi të këndojë, duke bashkëpunuar me kompozitor të talentuar. Këndoi shumë në festivale edhe koncerte e pranverës.
Në 1988 fiton çmimin e parë të Festivali i 27-të i Këngës në RTSH me këngën “ E duam lumturinë”, kompozuar nga Pirro Çako. Pas vitit 1991 ajo largohet edhe jeton në SHBA, duke u marr edhe atje me muzikë…
Po m’rreh zemra si val’ deti qysh duron zemër, qysh duron dhe me gojë s’m’flet më ngriu drapni, n’dor’ më t’shkretit qysh duron, zemër, qysh duron dhe m’ikën shpejt
Marak t’u bona moj goce du me t’pa me sy 2x Po vij qark si zog skifteri me u taku me ty
T’u skuq faqja porsi pjeshka syrin si ulli, nuk duroj sa te vijë vjeshta e me të marrë në shpi
Kush t’a freskon ballin ty aman goce e re, të kom dashtë e fort të du aman goce e re, eeeeee aman goc’ e re Eeeee, sa e bukur je
Kjo dashnia asht për mu të kom dasht’ e fort të du aman goc’ e re, eeeeee aman goc’ e re Eeeee, sa e bukur je. / KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka bërë të ditur se ka nisur rikonceptimi i ekspozitave të përhershme brenda Muzeut të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, shkruan KultPlus.
Ministri Çeku po ashtu ka thënë se Muzeu Lidhja e Prizrenit do të ketë ekspozitë të kuruar dhe prezantuar në mënyrë profesionale dhe me metoda moderne./ KultPlus.com
Shkrimtarja kanadeze, Alice Munro, ka vdekur në moshën 92-vjeçare.
Pena e Munrosë i solli shumë nderime, mes tyre edhe Çmimin Nobel më 2013, dhe Man Booker International Prize më 2009.
Ajo ishte në moshë, dhe viteve të fundit po përballej me sëmundjen e demencës, ndërkaq u nda nga jeta këtë të hënë në shtëpinë e saj të kujdesit, në Ontario.