Presidentja Osmani në Osaka: Kosova, një demokraci që shikon drejt së ardhmes

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbajtur fjalimin kryesor në ceremoninë zyrtare të Ditës së Kosovës në EXPO 2025, që po mbahet në Osaka, Japoni.

Në fjalën e saj, ajo përkujtoi Ditën e Çlirimit të Kosovës, duke e quajtur një moment të rëndësishëm në historinë e vendit. Presidentja tha se kjo ditë nderon ata që luftuan për liri, kujton ata që dhanë jetën dhe vlerëson ndihmën e aleatëve.

“Sot, Kosova është një demokraci që shikon drejt të ardhmes, e udhëhequr nga sundimi i ligjit, me një brez të ri vizionar dhe e përkushtuar thellësisht ndaj vlerave euro-atlantike,” tha ajo.

Presidentja foli edhe për marrëdhëniet me Japoninë. Ajo falënderoi popullin japonez për ndihmën që i kanë dhënë Kosovës pas luftës dhe gjatë rindërtimit.

“Mbështetja e vazhdueshme e Japonisë për popullin tonë… nuk do të harrohet kurrë. Ajo ka formësuar themelin e fortë të miqësisë që gëzojmë sot,” tha Osmani.

EXPO 2025 është një ngjarje botërore ku vendet paraqesin kulturën dhe zhvillimet e tyre. Pjesëmarrja e Kosovës aty shihet si një mundësi për të forcuar lidhjet me shtete të tjera dhe për ta bërë vendin më të njohur në botë./KultPlus.com

Letra e Bajronit për shqiptarët

Ja çfarë shkruan Bajroni për shqiptarët në një letër dërguar nënës nga Preveza, më 1809:

“….. Të gjithë shqiptaret janë të lindur të ndershëm dhe besnik, janë të ashpër… por janë ndoshta raca më e bukur në botë për nga paraqitja. Gratë e tyre janë përherë një gjë fisnike, por burrat i përdorin si skllave, i godasin, pra me pak fjale janë si nen zgjedhë. Ato punojnë tokën, mbjellin dhe korrin. Merren me prerjen e drurëve në pyll e deri në rregullimin e rrugëve publike. Burrat janë te gjithë luftëtare. Lufta dhe gjahu janë të vetmet zeje me të cilat ata merren”. / KultPlus.com

37 vite nga vdekja e fotografit të njohur shqiptar, Gegë Marubi

Më 11 qershor 1988 u nda nga jeta Gegë Marubi, fotograf dhe atdhetar i shquar.

U lind në Shkodër në vitin 1907 në familjen e fotografit të njohur Kel Marubi. Familja Marubi historisë së fotografisë shqiptare i ka dhënë kontributin më të madh të mundshëm.

Ata kanë kaluar nëpër duar mbi 15.000 foto, negativë që shënojnë ngjarjet më të rëndësishme të kohës, personalitetet me rëndësi, pamje nga jeta shqiptare, veshjet, kostumet, dasmat dhe tërë jetën etnografike shqiptare.

Muzeu Kombëtar i Fotografisë ”Marubi” në Shkodër është një thesar që përfshin një arkiv prej mbi 500 000 negativash, që përshkruajnë familjet, qytetarët, ushtarë, politikanë dhe tregtarët lokalë në Shkodër, momentet e përditshmërisë dhe ngjarjet historike nga mesi i shekullit XIX deri në fund të shekullit XX.

Ai ishte fotografi i fundit i familjes dhe vlerësohet si një nga fotografët më të shquar në Ballkanit të brezit të tij. /KultPlus.com

Ekspozita ‘Nga lufta në liri’ hapet në Bibliotekën Kombëtare në nder të Ditës së Çlirimit të Kosovës

Në prag të Ditës së Çlirimit të Kosovës, sot, në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës u hap ekspozita dokumentare me titullin “Nga lufta në liri: Çlirimi i Kosovës në dokumente, kujtime dhe media”.

Kjo ekspozitë, e organizuar nën patronazhin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, është rezultat i një bashkëpunimi të ngushtë ndërinstitucional ndërmjet katër institucioneve kyçe: Biblioteka Kombëtare e Kosovës, Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës dhe Muzeu Kombëtar i Kosovës.

Në hapjen e ekspozitës morën pjesë edhe kryeministri në detyrë z. Albin Kurti dhe kryesuesi i seancave të Kuvendit të Kosovës, z. Avni Dehari.

Përmes materialeve të rralla dhe me vlerë të veçantë historike — libra, dokumente, kujtime personale, artikuj të medieve të kohës, fotografi dhe artefakte — ekspozita na ndihmon të ndërtojmë një pasqyrë më të thellë dhe më të plotë të rrugëtimit të Kosovës drejt lirisë.

Me fjalë përshëndetëse në hapje u drejtuan: znj. Blerina Rogova Gaxha, drejtoreshë e përgjithshme e Bibliotekës Kombëtare, z. Atdhe Hetemi, drejtor ekzekutiv i Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, znj. Vjollca Aliu, drejtoreshë e Muzeut Kombëtar të Kosovës dhe z. Mehmed Xhemajli, ushtrues detyre i drejtorit të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës.

Gjatë aktivitetit u shfaq edhe një dokumentar, që përmbledh pamje nga lufta, raportime të medieve vendore dhe ndërkombëtare, si dhe reagime nga komuniteti ndërkombëtar lidhur me zhvillimet dhe krimet e luftës në Kosovë.

Kjo ekspozitë ofron një mundësi të çmuar për reflektim dhe ndërgjegjësim historik, duke mos qenë vetëm një dëshmi e së kaluarës, por edhe një thirrje për kujtesë kolektive dhe vlerësim të sakrificës për liri.

Baleti Kombëtar i Kosovës me shfaqjen ‘Exil’ prezantohet në ExpoOsaka 2025

Sot, në skenën prestigjioze të National Hall në ExpoOsaka 2025, në kuadër të Ditës së Kosovës, Baleti Kombëtar i Kosovës u paraqit me baletin bashkëkohor “Exil”, me koreografi nga Eno Peçi.

Në këtë platformë globale, balerinët e BKK-së sollën një interpretim të fuqishëm dhe emocional, duke komunikuar përmes lëvizjes mesazhe të thella që prekën publikun e gjerë ndërkombëtar. Performanca u prit me entuziazëm dhe duartrokitje të gjata, duke vërtetuar edhe një herë potencialin artistik dhe përfaqësues të Kosovës në arenën botërore.

Kjo paraqitje është pjesë e angazhimit të Kosovës për të promovuar artin, kulturën dhe identitetin përmes një prezantimi dinjitoz në një nga ngjarjet më të mëdha ndërkombëtare të vitit.

“Getaway Magazine”: Shqipëria, destinacioni sekret i Mesdheut

E vendosur midis Greqisë dhe Malit të Zi, Shqipëria është kthyer në një destinacion në qendër të vëmendjes, duke ofruar joshjen e qetë të një toke – që nuk është pushtuar ende nga anijet dhe autobusët turistikë, shkruan Lee-Ann Steyn në një artikull të botuar në “Getaway Magazine” – një revistë e njohur udhëtimesh, me seli në Afrikën e Jugut.

Me mikpritje të ngrohtë, peizazhe mahnitëse malore që takohen me detin dhe kosto më miqësore se pothuajse çdo vend tjetër në Mesdhe, Shqipëria ofron diçka të rrallë: një ndjesi zbulimi.

Gjirokastra: Një qytet i gdhendur në gur

Nisni udhëtimin tuaj në Shqipëri jo në bregdet, por në brendësi, ku e kaluara është gdhendur në mure guri dhe çati të stilit osman. Gjirokastra, një Vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, njihet si “Qyteti i Gurtë”.

Qyteti i saj i vjetër shtrihet poshtë një kodre në shtresa çatish gri, rrugica me kalldrëm dhe pamje nga fortesat.

Vizitoni pazarin ku artizanët vendas ende shesin qilima të endur me dorë, punime tradicionale prej druri dhe enë bakri.

Vizitoni Kalanë e Gjirokastrës për të shijuar pamjet gjithëpërfshirëse mbi Luginën e Drinit dhe për të eksploruar koleksionin e saj eklektik të armëve dhe historisë (duke përfshirë një aeroplan të kapur të Forcave Ajrore Amerikane nga epoka e Luftës së Ftohtë).

Mos humbisni Muzeun Etnografik të Krujës.

Akomodohuni në një shtëpi mysafirësh ku muret janë të mbushura me histori dhe mëngjesi juaj përfshin reçel fiku të bërë në shtëpi dhe byrek të sapo dalë nga furra.

Berati dhe Butrinti: Gjurmë historie

Ndërsa Gjirokastra është e tëra me gur, Berati është një ëndërr e zbardhur në brigjet e lumit Osum.

Gjithashtu një vend i UNESCO-s, shtëpitë e tij ngjiten në kodër në rreshta të pafundme dritaresh të harkuara.

Eksploroni Kalanë e Beratit (njerëzit ende jetojnë brenda mureve të saj), ose shijoni një kafe në shëtitore ndërsa vendasit kalojnë aty pranë.

Më në jug, pranë kufirit grek, shtrihet Butrinti, një qytet i lashtë me rrënoja greke, romake, bizantine dhe veneciane. Mendojeni si mini-Pompei i Shqipërisë – pa turmat.

Amfiteatrot, tempujt dhe dyshemetë mozaiku shtrihen midis lagunave të qeta dhe shtigjeve me hije.

Riviera Shqiptare: E egër dhe e mrekullueshme

Pas maleve dhe muzeve, është koha për të shkuar në bregdet.

Riviera Shqiptare shtrihet nga Vlora deri në kufirin grek, një hark i mbuluar nga dielli me shkëmbinj dramatikë, ullishte dhe plazhe të qeta të përshkuara nga ujërat bruz.

Plazhet më të mira për t’u vizituar:

Ksamili: Shpesh i quajtur “Maldivet e Evropës”, është plazhi perfekt me rërën e bardhë dhe ujërat e kristalta.

I vendosur në jug të Sarandës dhe pranë Butrintit, mund të mbushet me pushues në mes të verës, por është ende shumë më i qetë se ishujt grekë.

Dhërmiu: Një ndërthurje e sharmit tradicional dhe ujërave kristalore, Dhërmiu ofron plazhe me guralecë, shpella dhe një fshat të vjetër mahnitës të vendosur në kodër.

Mendojeni sikur ndodheni në Bregun e Amalfit – por pa çmimin e lartë.

Plazhi i Gjipesë: Ky vend i mrekullueshëm i izoluar ndodhet në fund të një kanioni dhe kërkon një shëtitje të shkurtër ose një udhëtim me varkë për të arritur.

Gjipeja është një nga plazhet më të bukura dhe të pacënuar në vend – perfekt për një detoksifikim digjital.

Himara: Një qytet i vogël – ndërthur atmosferën e qetë me plazhet me rërë të butë dhe gjire aty pranë – ideale për kajak ose zhytje me maskë.

Borshi: Nëse ju pëlqejnë plazhet e gjata – Borshi është një ëndërr.

Plazhi më i madh në Rivierë, i rrethuar nga ullishte dhe rrënoja, dhe ujërat e tij të qeta janë perfekte për not./atsh/KultPlus.com

Etno muzikali “Zare” në skenën e Teatrit të Operas e Baletit

Etno-muzikali “Zare” mbushi mbrëmë sallën e shfaqjeve të Teatrit Kombëtar të Operas e Baletit.

“Zare” është një nga shfaqjet më të bukura të repertorit artistik të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore. Ky etno muzikal ngjitet në skenë me gjithë fuqinë e këngës, valles dhe traditës, për të sjellë një histori dashurie mes dy të rinjve dhe na kthen pas në kohët kur dashuria jetonte në gjeste të vogla dhe këngë të mëdha.

Publiku këndoi së bashku me artistët e Ansamblit Popullor. “Zare” u interpretua nga solistët: Aranit Hoxha, Mariana Shkreta, Reji Berisha, Denisa Gjezo Xhemnica, Genci Kastrati dhe Gëzim Halili, nën shoqërimin e Orkestrës, Korit dhe grupit vokal të Ansamblit Popullor.

Koncerti “Zare” u realizua nën drejtimin muzikor të Edi Xhanit dhe koreografinë e Andrea Kokerit. Kjo vënie në skenë solli traditën shqiptare në një format modern, plot energji, emocione dhe festë./atsh/KultPlus.com

Sonte hapet ekspozita “To feel your mood like the weather” e Blerim Racajt

Në Galerinë Kombëtare të Kosovës-Qafa, sonte nga ora 19:00 hapet ekspozita “To feel your mood like the weather” e artistit Blerim Racaj, kuruar nga Bardhi Haliti.

Punët në ekspozitë nuk ofrojnë një narrativë të vetme, por përkundrazi një varg pohimesh vizuale. Fotografitë e tij ngelin në të tashme, duke na kërkuar që të shikojmë, dhe pastaj të shikojmë sërish.

Gjatë dy dekadave të fundit, praktika fotografike e Blerim Racajt është zhvilluar në forma të ndryshme që i rezistojnë kufizimeve. Ajo që në punën e tij të hershme dukej se i ngjasonte gjuhës së portreteve, tani më shumë anon nga diçka skulpturore, madje edhe arkitekturore. Në këto imazhe, forma nuk e kornizon vetëm realitetin, ajo e thellon atë, dhe nganjëherë edhe e tret atë tërësisht.

Si artist që jeton në Londër me rrënjë në Kosovë, Racaj zë një hapësirë të ndërmjetme, njëkohësisht i vendit dhe i huaj. Ai sjell këtë vetëdije të dyfishtë në punën e tij, ku kuadrimi bëhet i stërhollë, i qëllimshëm dhe gjithmonë i vëmendshëm.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 25 korrik 2025.

Selam Musai, simboli i patriotizmit dhe heroizmit popullor të Labërisë

Muzeu Historik Kombëtar kujtoi sot në 105-vjetorin e ndarjes nga jeta, Heroin e Popullit, Selam Musai (1860-1920).

Selam Musai ra dëshmor duke mbrojtur flamurin kombëtar gjatë Luftës së Vlorës në vitin 1920. Pas kësaj ngjarjeje, ai u bë simbol i trimërisë dhe përkushtimit ndaj vendit.

Selam Musai lindi në fshatin Salari të Tepelenës nga një familje me tradita patriotike. Shtëpia e tij në Salari dhe stani në mal ishin kthyer në baza të rëndësishme për çetat patriotike, si ajo e Çerçiz Topullit dhe e Mihal Gramenos.

Në dhjetor 1912, duke ju përgjigjur thirrjes së Qeverisë së Përkohshme të Vlorës për të mbrojtur vendin nga agresioni i forcave greke, u vu në krye të bashkëfshatarëve të tij dhe shkoi në frontin e luftës, ku u plagos.

Megjithëse në moshën 60-vjeçare, doli përsëri në krye të bashkëfshatarëve të armatosur dhe të katundeve të afërta, shkoi në Vlorë dhe luftoi kundër garnizonit italian të Kotës. Pas shpartallimit të tij, Selam Musai me luftëtarët që e pasonin u rreshtuan të gatshëm për luftime përballë garnizonit të madh të Vlorës.

Në luftimet trup më trup me pushtuesit, Selam Musai u vra në Qafën e Koçiut më 11 qershor 1920./ KultPlus.com

Qendra Kinematografike e Kosovës për herë të parë në tregun më të madh botëror të animacionit – MIFA në Annecy

Qendra Kinematografike e Kosovës është krenare të njoftojë pjesëmarrjen për herë të parë në Marché International du Film d’Animation (MIFA), tregu më i rëndësishëm dhe më i madh ndërkombëtar i industrisë së filmit të animuar, që zhvillohet në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Animacionit në Annecy, Francë.

Pjesë e këtij prezantimi janë edhe përfaqësuesit e festivalit Anibar, të cilët tashmë kanë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e sektorit të animacionit në Kosovë. Në kuadër të kësaj pjesëmarrjeje më 13 qershor, Anibar do të organizojë “Anibar Genesis Pitch” ku do të prezantohen projektet e gjashtë animatoreve të reja kosovare: Fjolla Mani, Dëbora Musliu, Finesa Peja, Flaka Kokolli, Erza Qorolli.

Kjo iniciativë synon fuqizimin e zërave të rinj krijues dhe ngritjen e kapaciteteve vendore. Programi Genesis implementohet nga Anibar dhe Institut Francais Kosovo dhe mbështetet nga Ministria e Evropës dhe Punëve të Jashtme të Francës

Qendra Kinematografike e Kosovës po e shfrytëzon këtë platformë ndërkombëtare edhe për të promovuar skemën e Rabatit prej 30%, e cila përfshin dhe mbështet projektet e animuara – një masë që synon nxitjen e bashkëprodhimeve ndërkombëtare dhe zhvillimin e industrisë vendore të filmit.

Gjithashtu në kuadër të Memorandumit të Bashkëpunimit në mes të Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe Ministrisë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Ambasada e Kosovës në Francë do të organizojë një pritje më 12 qershor, dedikuar profesionistëve ndërkombëtarë të industrisë së animacionit.

Pjesëmarrja në MIFA përfaqëson një hap të rëndësishëm strategjik në drejtim të ndërkombëtarizimit të industrisë kreative në Kosovë. Përmes kësaj platforme, Qendra Kinematografike e Kosovës synon të krijojë mundësi të reja për animatorët e rinj, të forcojë rrjetëzimin ndërkombëtar dhe të nisë ndërtimin e një infrastrukture profesionale për prodhimin e animacionit në vend./ KultPlus.com

Rama: Lamtumirë miku im Leka Bungo

Kryeministri Edi Rama ka reaguar me një mesazh prekës pas marrjes së lajmit për ndarjen nga jeta të regjisorit dhe skenaristit Leka Bungo.

“Lamtumirë miku im Leka Bungo! Prehu në paqe!”, ka shkruar kryeministri Rama.

Regjisori Bungo u nda nga jeta në moshën 81-vjeçare. Ai do të përcillet sot për në banesën e fundit dhe do të prehet në varrezat e Sharrës. Lajmin e hidhur e kanë bërë të ditur familjarët përmes rrjeteve sociale.

Vajza e tij, Alba, ka shkruar se i ati nuk mundi ta fitonte betejën me sëmundjen e rëndë. Bungo ishte një nga emrat më të spikatur të artit shqiptar, me kontribute të rëndësishme në teatër, film dhe televizion./ KultPlus.com

Hapet edicioni i 25 i Panairit të Librit në Prishtinë

Me moton “Inteligjenca rrjedh nga libri”, është hapur Panairi i Librit në Prishtinë, e që për këtë vit do të prezantohet numër i madh I titujve të rinj, por edhe tituj të botuar më herët. 

Kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli ka thënë se ky Panair ka shërbyer gjithnjë si dritarja kryesore e leximit në Kosovë.

“Libri vijon të jetë porta magjike më e ndier e më e lirë për njeriun”, ka thënë Zeneli.

Në edicionin e 25 të kësaj feste të librit me fjalë rasti është paraqitë shkrimtarja Alda Bardhyli, e cila ka vlerësuar se tema e këtij edicioni “Inteligjenca rrjedh nga libri”, është më shumë se një shprehje. “Ajo është një e vërtetë themelore që na kujton se, para se të flisnim për inteligjencë artificiale, për teknologji, për algoritme apo makina që mësojnë njeriun, njeriu vetë mësoi të mendojë thellë përmes librit”, ka vlerësuar Bardhyli. 

Ndërkohë, drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë në Komunën e Prishtinës Sibel Halimi, e cila poashtu është edhe poete ka vlerësuar se ky panair është një rikthim tek burimi më njerëzor i dijes dhe i urtësisë: libri. “Libri si dëshmi e pyetjeve tona më të thella, si udhërrëfyes në rrugën e vetëkuptimit” ka vlerësuar ajo.

Mijëra qytetarë pritet të bëhen pjesë e panairit i cili zgjat nga 11 deri më 15 qershor, për të eksploruar dhe blerë tituj librash të ndryshëm, nga historia, filozofia, letërsia, librat motivues, librat për fëmijë e të tjerë.

Panairi shihet nga lexuesit edhe si një ofertë e mirë financiare, për arsye se, shtëpitë botuese zbresin çmimet e librave për së paku 20 për qind e më së shumti deri në 80 për qind.

Në panairin i cili po mbahet në Prishtinë, mbizotërojnë librat e huaj të përkthyer në shqip nga anglishtja, gjermanishtja, turqishtja, arabishtja dhe gjuhët tjera.

Llogaritet që në panair po marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe diaspora.

Përvjetorët që shënohen në Panairin e 25-të të librit janë: 100-vjetori i lindjes së Martin Camajt, 150-vjetori i lindjes së Faik Konicës, 200-vjetori i lindjes së Pashko Vasës dhe 400-vjetori i lindjes së Pjetër Bogdanit. 

Ndërkohë në këtë edicion pritet të ketë edhe promovime të titujve të shumtë të librave nga Shtëpitë Botuese qe po marrin pjesë në këtë edicion./ KultPlus.com 

Akademia e Shkencave, konferencë kushtuar Luan Omarit në 100-vjetorin e lindjes

Me rastin e 100-vjetorit të lindjes së akademikut Luan Omari, Akademia e Shkencave zhvilloi një konferencë shkencore me titull “Shteti dhe e drejta në veprën e akademikut Luan Omarit, me rastin e 100-vjetorit të lindjes”.

Veprimtaria u zhvillua në bashkëpunim me Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Konferenca u drejtua nga akad. Gëzim Hoxha, kryetar i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike dhe akad. Aurela Anastasi.

Në emër të Kryesisë së ASHSH-së, përshëndeti të pranishmit akad. Vasil Tole. Ai u shpreh se Luan Omari është i pari akademik që feston 100-vjetorin mes nesh, e njëherazi i fundit nga akademikët që themeluan Akademinë tonë të Shkencave në vitin 1972.

“Ne, nuk nderojmë thjesht një jetë të gjatë, por një jetë të shkrirë me shkencën, me mendimin shkencor, vlerësojmë një jetë të tërë të lidhur me sistemin universitar dhe me ndërgjegjen juridike të këtij vendi”, u shpreh akad. Tole.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, mbajti një fjalë përshëndetëse në emër të Qeverisë së Shqipërisë dhe të institucioneve të drejtësisë. Ai e vlerësoi akad. Omarin si një prej figurave më të mëdha të mendimit juridik dhe të shkencës kushtetuese shqiptare si dhe shprehu mirënjohje të thellë për kontributet e jashtëzakonshme të cilat kanë lënë gjurmë të thella në historinë e shtetit shqiptar, në sistemin tonë juridik në formimin e mendimit demokratik në vend, si dhe për formimin e brezave të juristëve.

Një letër urimi erdhi për 100-vjetorin e akad. Omarit në emër të Kryesisë së Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës nga kryetari i saj akad. Mehmet Kraja. Përmes kësaj letre, Kryesia e ASHAK-ut shpreh mirënjohjen për kontributin e veçantë shkencor të akad. Omarit, i cili përveç kontributeve të tjera, në vitin 2009 botoi veprën “Kushtetuta e Kosovës në një vështrim krahasues”.

Pas fjalëve përshëndetëse, akad. Aurela Anastasi drejtoi punimet e konferencës. Seanca nisi me kumtesën me temën “Shteti dhe e drejta në veprën e prof. Luan Omarit” nga prof. dr. Arta Mandro. Ajo shprehu vlerësim dhe përulësi ndaj punës dhe kontributit të akad. Omarit në edukimin ligjor si institucion dhe në atë të shtetit dhe të së drejtës si përbërësit e domosdoshëm të demokracisë.

Më pas prof. dr. Ksenofon Krisafi mbajti një kumtesë me temën “Minoritetet në analizat juridike të prof. Luan Omaritt”. Ai e vlerësoi akad. Omarin si një figurë emblematike në fushën e së drejtës dhe si një zë të rëndësishëm në debatin publik mbi çështjet kushtetuese dhe administrative në promovimin e vlerave demokratike dhe të të drejtave të njeriut në Shqipëri, për reformën në gjyqësor, qeverisjen demokratike e më gjerë.

Studentë të Fakultetit të Drejtësisë së UT-së lexuan citate të përzgjedhura nga vepra e prof. Luan Omarit, duke shprehur mirënjohjen për njohuritë që përcjell në brezin e ri.

Në fund, vajza e akad. Omarit, prof. dr. Anila Omari, mbajti një fjalë falënderuese për zhvillimin e kësaj veprimtarie duke shprehur mirënjohjen për Kryesinë e ASHSH-së, përfaqësuesit e qeverisë, organizatorët, si dhe për personalitetet, profesorët e nderuar të jurisprudencës e marrëdhënieve ndërkombëtare, të cilët vlerësuan kontributin e akad Omarit në këto fusha./ KultPlus.com

Disa fjalë për librin “NË EMËR TË GJAKUT “ të autorit Ahmet PRENÇI

Ajne IBËRHYSAJ

Recension

Libri “Në emër të gjakut”  i autorit Ahmet Prençi,  nuk është vetëm një përmbledhje tregimesh dhe novelash; është një thirrje, një gjëmë, një përulje përpara së vërtetës së hidhur që përshkroi Shqipërinë në vitin 1997, vitin e krizës më të madhe të pasluftës, vitin e zhveshjes së shtetit, të thyerjes së njeriut dhe të përplasjes mes jetës dhe instinktit për të mbijetuar.                       

Në një kohë kur shumë ngjarje tronditëse të historisë sonë moderne janë lënë në harresë ose janë trajtuar me heshtje të qëllimshme, libri “Në emër të gjakut” i Ahmet Prençit vjen si një akt i fuqishëm i kujtesës, një thirrje e zëshme kundër harresës kolektive dhe një përulje ndaj atyre që u flijuan përballë rrënimit të shtetit dhe strukturave të tij. Autori nuk shkruan nga jashtë, si vrojtues i ftohtë, por si pjesëmarrës dhe dëshmitar i një kohe të çakorduar, i një shoqërie që në vitin ‘97 përjetoi kolapsin më të thellë moral, institucional dhe njerëzor pas diktaturës komuniste.      

Autori, librin e fillon me një deklaratë të qartë: “Në emër të gjakut është një kujtim, një përulje dhe një zë që s’do të shuhet kurrë.” Kjo fjali nuk është vetëm hyrje stilistike, por edhe një formë betimi. Në frymën e filozofisë ekzistenciale, ku njeriu është përgjegjës për të dhënë kuptim ekzistencës së tij, Prençi i jep kuptim të kaluarës përmes aktit të kujtimit dhe rrëfimit. Ai vendos të flasë për ata që nuk mundën me të tjerët të flisnin.                                                                   

Ahmet Prençi, ish-drejtues i Policisë së Shtetit, autor i librave “Anja”, “Brenga e Prokurorit”, edhe në këtë libër po ashtu ndërthur përvojën personale dhe dëshminë institucionale me rrëfimin artistik, duke ndërtuar një mozaik letrar dhe dokumentues, ku historia e afërt merr formën e artit letrar. Ai nuk ka zgjedhur një rrugë të lehtë: Të shkruash për një plagë të gjallë kërkon guxim dhe ndershmëri. Por, më shumë se kaq, kërkon edhe dhembshuri. Dhe këtë e gjejmë në çdo rresht të librit. Libri “Në emër të gjakut” është i ndarë në tregime dhe novela ku secila e shton një gur të rëndë në mozaikun e kujtesës.                                                            Nëpërmjet këtyre rrëfimeve, Prençi na fton të shohim jo vetëm një të kaluar të afërt, por edhe peshën e asaj tragjedie që ende nuk është tejkaluar. Kjo nuk është letërsi e së shkuarës, por letërsi e një plage që akoma rrjedh. Këto tregime dhe novela flasin për katrahurat e kombit, por në to spikat një dimension tjetër: guximi i individit për t’i dalë zot vendit të tij, jo me fjalë, por me jetën e vet. Për autorin, viti 1997 në Shqipëri nuk është thjesht një datë, por një rrëfim kolektiv i kolapsit moral dhe institucional. Filozofi gjerman Friedrich Nietzsche shkruante se “kur shikon gjatë në humnerë, edhe humnera fillon të shikojë brenda teje”. Këtë e ndjejmë në çdo faqe të këtij libri. Prençi i afrohet asaj humnere të errët që ka qenë dhuna, shteti i rrëzuar dhe drejtësia e zhdukur. Ai e sheh dhe e përshkruan atë, por mbi të gjitha, e bën lexuesin të ndjejë se kjo humnerë ende na shikon me kundërmimin e saj.      
                                                                                     

Në “Pallati presidencial që nuk ra”, autori e përshkruan qartësisht rrezikun e zhdukjes totale të strukturave, por gjithashtu lartësimin e dinjitetit njerëzor si një formë rezistence të vetme. Ndërsa te “Masakra e romëve”, ballafaqohemi me një të vërtetë të hidhur: Kur humbet drejtësia, fillon ligësia të shfaqet pa maska. Janë rrëfime që përshkojnë dramën e një kombi, por që gjithashtu tregojnë se në rrënojat e një shteti të shkatërruar, njeriu mbetet e vetmja fije shprese ose akti i fundit i dhunës. Nëpërmjet tregimeve dhe novelave të këtij libri si:  “Në emër të gjakut”, “Ditari i marsit të zi”, “Pallati presidencial që nuk ra”, “Masakra e romëve”, “Emblema e kujtesës”, dhe “Pse më vrave?”, autori rindërton një tablo të thellë të shpërbërjes së shtetit dhe të përpjekjes njerëzore për të mos u shuar shpirtërisht. Këto rrëfime janë zëra që vijnë nga buzë humnerës, ku njerëzit nuk kanë më asgjë për të humbur, por ruajnë akoma një grimë nderi, besimi, dhe përgjegjësie për të mos rënë si kafshë në thikën e një çrregullimi total. 

Në novelën “Masakra e romëve”, autori shkruan: “Në mendjen e një banditi gjithmonë mbetet një qelizë e errët, një fije instinkti që nuk shuhet: për hakmarrje ose për marrëzi.” Kjo është pikërisht ajo që Nietzsche përshkruan si vullnet për fuqi jo në kuptimin e dominimit brutal, por në atë të mbijetesës dhe përpjekjes për të krijuar një rend në kaos. Kur shteti mungon, drejtësia ajo më e ftohta dhe më e egra  e gjen vetë rrugën e saj. Në atë moment, populli që s’e pyet askush, vendos vetë të mos shkelet më. Revolta bëhet formë ekzistence. Në novelën tjetër, “Në emër të gjakut”, Shqipëria përshkruhet si një vend që “ziente”, një vend ku “ajri kishte aromën e frikës dhe të heshtjes së rëndë që pason para se të ndodhë e keqja”. Prençi e sheh këtë jo vetëm si krizë politike, por si çarje ontologjike, morale dhe shoqërore. Një moment thellësisht filozofik është përshkrimi i gruas shqiptare që i thotë burrit të saj: “Unë s’jam më ajo që ke lënë”. Ky është çasti kur përmasat e dhunës nuk janë më vetëm fizike, por shkojnë deri në rrënimin e identitetit. Në atë botë të rebeluar, sipas Nietzsche-s, vlerat tradicionale zhduken dhe krijohet hapësira për një “rilindje të vlerave të reja” por jo gjithmonë të drejta.                                                             

Për personazhin kryesor të novela ”Në emër të gjakut”, gjendja shpirtërore arrin kulmin kur ai thotë: “S’e bëra për hak. Jam bosh. E bëra në emër të gjakut”. Ai nuk ka urrejtje, por një boshllëk ekzistencial që ngjason me konceptin e absurdit tek Albert Camus kur njeriu nuk gjen më kuptim në asgjë dhe veprimi i tij është një akt i fundit i revoltës dhe mbijetesës morale. Ai nuk kërkon drejtësi për hakmarrje, por për të shlyer një mallkim që nuk mund të lejohet të trashëgohet. Në përmbyllje të kësaj novele, autori shkruan: “Jetojmë në një botë ku burrat flasin me plumba, gratë me heshtje dhe drejtësia ka çmimin e shpirtit”. Kjo është një botë ku e vërteta nuk është më objektive, por një zgjedhje morale. Nëse, siç thoshte Martin Heidegger, “njeriu është qenie për vdekje,” dhe është pikërisht kjo vetëdije që i jep  thellësi jetës atëherë të shkruash për jetën në prag të vdekjes është akti më i lartë i përgjegjësisë ndaj të ekzistuarit. Këto janë histori që nuk qëndrojnë vetëm në nivelin e një përshkrimi faktik, por hyjnë në psikiken e individit, në plagët që nuk shihen. Shtëpia pa oxhak, fjala e thyer, njeriu që i lutet Zotit pa e ditur më si, djali që niset për t’u kthyer si hije të gjitha këto krijojnë një atmosferë që lexuesin e përfshin të tërin.    

 Viti 1997,  “Ulërima që u shua në letër”, vit i cili për Shqipërinë përfaqëson një plagë të hapur. Rënia e skemave piramidale, përplasja civile, rënia e strukturave shtetërore dhe shpërbërja e rendit publik u kthyen në një spirale dhune, frike dhe anarkie. Prençi përshkruan këtë realitet me një stil lakonik, të matur dhe emocionalisht të ngarkuar. “1997-ta, viti që la Shqipërinë pa frymë; nënat shikonin qiellin pa e ditur se për çfarë t’i luteshin Zotit.” Ky përshkrim nuk është vetëm letrar. Ai është ekzistencial. Shqipëria e asaj kohe nuk është më vetëm një vend pa rend, por një vend pa frymë, pa orientim, pa Zot. Në këtë boshllëk, njeriu përballet me thyerjen e plotë të kuptimit dhe qëllimit  dhe ky është rreziku më i madh që sjell dhuna kolektive: Jo vetëm shkatërrimin fizik, por rrënimin e ndjenjës së përkatësisë dhe shpresës për një të nesërme pa dhunë. “Një tregim nga Varshava”, ku autori rikthen kujtimet e një studenteje të huaj gjatë sistemit dhe martesës së saj në Shqipëri, me përplasjen e shpirtit njerëzor me realitetin brutal. Kjo dëshmi e gjallë na bën të kuptojmë se sa thellë u godit shoqëria dhe sa shumë ëndrra u shuan.             Libri i Ahmet Prençit është zëri i grave të atij viti ku në mënyrë të veçantë, autori sjell në qendër të vëmendjes dhimbjen e grave shqiptare: nënat që nuk dinë ç’t’i luten më Zotit, që ngelen me sy nga qielli, pa përgjigje, pa drejtësi. Në një prej faqeve apo shprehjeve më të fuqishme të librit thuhet: “Nëna shikon qiellin pa e ditur çfarë t’i lutet Zotit.” Është një imazh që bart brenda gjithë tragjedinë shpirtërore të asaj kohe. Jo vetëm për humbjen e jetëve, por për humbjen e besimit te një rend shoqëror dhe etik. Autori nuk e shmang përgjegjësinë, as nuk e zbukuron të vërtetën. Ai e thotë qartë se: “keqja shqiptarëve u vjen nga vetvetja, nga vetë gjaku i tyre.” Dhe në këtë mendim të dhimbshëm, por të ndershëm, qëndron qartësia më e madhe që ofron libri.

Në thelb, ky libër është një përpjekje e vetëdijshme për të mbajtur gjallë kujtesën kolektive në një shoqëri që ka tendencë të harrojë. “Është një ulërimë e shuar në letër,” thotë autori, duke i dhënë librit një dimension metaforik të thellë. Libri nuk është thjesht përshkrim i dhunës, por akt i ripërjetimit të saj, jo për të traumatizuar lexuesin, por për ta ndërgjegjësuar atë. “Është përpjekje për të mbajtur mend kur gjithçka rreth nesh na mëson e na dikton të harrojmë.” Kjo thirrje nuk është vetëm për të mos harruar viktimat, por për të mos lejuar që një realitet i tillë të rikthehet. Për autorin, të shkruarit është një formë e aktit civil, e qëndresës kulturore dhe morale.                        

Një nga linjat më të forta të librit është raporti mes individit dhe shtetit. Në shumë prej tregimeve të autorit,  protagonisti është një qytetar, një polic, një prind një njeri që papritur gjendet vetëm përballë një realiteti të egër ku shteti është zhbë dhe drejtësia është zhveshur nga kuptimi. “Nuk kemi shtet. Nuk kemi drejtësi. Kemi vetëm njëri-tjetrin.” Kjo fjali përmbledh krizën themelore: Njeriu është lënë vetëm, pa institucione, pa garanci, në një hapësirë ku çdo vendim bëhet në bazë të ndjenjës, jo ligjit. Në këtë përmbysje të vlerave, njeriu përballet me zgjedhjen e madhe: të bëhet një me kaosin, apo të qëndrojë me dinjitet! Shumica e personazheve të Prençit zgjedhin këtë të fundit, duke i dhënë librit përmasën e tij më të thellë: njerëzimi në kohë errësire.       

Stili i Ahmet Prençit është i matur, i ngjeshur, por jashtëzakonisht i ngarkuar emocionalisht. Ai nuk bie në retorikë, nuk shfrytëzon patetizmin, por ndërton me fjalë të zgjedhura një atmosferë që lë gjurmë te lexuesi. Ka një thjeshtësi që zbërthen kompleksitetin dhe një rrjedhshmëri që ngjall reflektim. “Shtëpia jonë s’ka më oxhak, as zë, as jetë.” Me pak fjalë, autori arrin të përshkruajë një boshllëk ekzistencial. Ai nuk përpiqet që t`na bindë me argumente, por me ndjeshmëri dhe kjo e bën veprën më të thellë se një libër historik apo sociologjik. Është një libër që bën atë që nuk e ka bërë dot sistemi: gjykon padrejtësinë. Jo me urrejtje, por me kujtesë. Jo me dënime, por me rrëfim. Çdo faqe është një formë e hapur e shprehjes: “ja çfarë ndodhi – mos e harroni”. Dhe kjo, në vetvete, është një akt i jashtëzakonshëm në një shoqëri që shpesh ka heshtur përballë të vërtetave të dhimbshme. Në këtë mënyrë, vepra e tij bëhet më shumë se një akt letrar  bëhet një akt etik, një akt qytetar. Është një përkujtimore për ata që u flijuan dhe për ata që mbijetuan me plagë të heshtura. Është një udhërrëfyes për ata që sot kërkojnë të kuptojnë rrënjët e çarjes shqiptare, dhe një paralajmërim për brezat që nuk e kanë jetuar atë kohë. “Në emër të gjakut” nuk është libër që lexohet lehtë sepse nuk mund të lexohet pa u ndjerë, pa të dhënë të drejtën të mendosh dhe të kujtosh atë kohë. Është një vepër që nuk flet vetëm për vitin 1997, por për fragjilitetin e njeriut dhe shoqërisë përballë kolapsit institucional. Është një himn për qëndresën dhe një lutje për drejtësi.                                                                                                                    

Për lexuesin shqiptar, ky libër është një thirrje për reflektim. Për brezat e rinj, është një mundësi për të mos e harruar atë, se çfarë ka ndodhur në atdheun e tyre. Për studiuesit dhe kritikët, është një dëshmi letrare e një periudhe që duhet trajtuar jo vetëm me ftohtësi historike, por edhe me ndjeshmëri njerëzore, për të vërtetën.                                                                                    

Ahmet Prençi nuk shkruan për të fituar zemrat e lexuesve, por për të zgjuar ndërgjegjen e tyre. Libri “Në emër të gjakut”  nuk është një libër që lexohet lehtë por është një libër që duhet lexuar. Ai nuk kërkon keqardhje, por reflektim. Nuk kërkon lavdërim, por drejtësi. Dhe kjo e bën librin e tij një nga veprat më të rëndësishme të letërsisë shqiptare bashkëkohore që merret me tragjeditë e kombit në mënyrë të ndershme, të thellë dhe njerëzore. Edhe vet titulli i librit “Në emër të gjakut” në kontekstin e Ahmet  Prençit, ai përfaqëson kujtesën, përgjegjësinë dhe ndëshkimin moral që mungon nga institucionet e shtetit. Ai shfaqet si një etikë individuale, një nevojë për të lënë gjurmë në një vend ku e vërteta mbulohet: “si bora mbi varre – mbulon gjithçka por nuk ngroh asgjë.” Këtë recension të librit e përfundoj me një thënie që përmbledh më së miri thelbin nga autorja Isabel Allende: “Vdekja nuk ekziston, njerëzit vdesin vetëm kur harrohen; Nëse mund të më mbani mend, unë do të jem gjithmonë me ju.”  Atëherë sipas autorit A. Prençi, “jo çdo plagë kërkon drejtësi”. Dhe krejt në fund ky libër është një dëshmi e fortë për brezat e ardhshëm, sepse ata duhet të mësojnë nga e kaluara e tyre, për ta ndërtuar një të ardhme më të drejtë dhe humane për atdheun e tyre./ KultPlus.com

Artizanati i qëndistarisë tërheq turistët në Muzeun Etnografik të Krujës

Gjatë fundjavës që lamë pas, në mjediset e Muzeut Etnografik të Krujës u bë demonstrimi i radhës për vizitorët nga artizane Makbule Kaçiu.

Turistët e shumtë, veçanërisht të huaj, shprehën interes për të parë nga afër punën e dorës nga qëndistarja krutane e cila qëndisi me fije ari në gjergjef. Ky aktivitet u organizua në kuadër të projektit “Kujtesa historike frymëzon turizmin”, mbështetur nga “EU4Culture Albania”, financuar nga BE dhe i menaxhuar nga UNOPS Albania, në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Muzeu Historik dhe Etnografik, Krujë.

Me restaurimin e plotë të Muzeut Etnografik të Krujës, ky objekt ka regjistruar rritje të vizitueshmërisë, duke u bërë një vend i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore të Shqipërisë. Muzeu, i dëmtuar nga tërmeti i vitit 2019, është shndërruar në një hapësirë ​​moderne falë një investimi prej 850,000 € nga Bashkimi Evropian përmes programit “EU4Culture”. UNOPS, në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, menaxhuan projektin dyvjeçar të restaurimit.

Muzeu i rigjallëruar përmban rreth 1000 artefakte dhe u ofron vizitorëve një përvojë unike mësimore të fokusuar në etnografinë dhe kulturën shqiptare. Kjo arrihet përmes tregimeve inovative dhe ekraneve multimediale, përvojave të realitetit virtual dhe të shtuar, projeksioneve dhe udhëzuesve audio dhe një muri ndërveprues.

Një nga pikat kryesore të muzeut është një dhomë virtuale e zhveshjes, e cila u lejon vizitorëve të bëjnë selfie ndërsa (virtualisht) veshin veshje tradicionale që datojnë nga shekulli i 18-të./ KultPlus.com

Ansambli “Zanat” me koncert më 17 qershor, do të prezantohen me 10 këngë të vjetra shqipe

Më 17 qershor, Ansambli Zanat do të prezantohen me një koncert në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, koncert që fillon në ora 20:00, shkruan KultPlus. 

Ky koncert shënon një moment të rëndësishëm në rrugëtimin e ansamblit që u themelua në vitin 2017. Deri tani, Zanat ka qenë pjesë e shumë festivaleve, ngjarjeve muzikore dhe kulturore të organizuara nga palë të treta, por kjo është hera e parë që vetë ansambli merr përsipër organizimin e një koncerti të plotë. 

Koncerti do të sjell gjithsej 10 këngë të vjetra shqipe të përpunuara, prej të cilave 8 janë përpunime të reja. 

Gjatë këtyre viteve, formacioni i ansamblit ka kaluar nëpër disa ndryshime, por ideali dhe misioni ka mbetur i pandryshuar: ruajtja dhe promovimi i muzikës autentike shqiptare. 

Zant ka plane të shumta për të ardhmen – përfshirë koncerte të reja, turne muzikore dhe organizimin e eventeve të tjera kulturore që synojnë promovimin e trashëgimisë sonë muzikore. Ansambli përbëhet nga anëtaret: Elida Kryeziu Albana Piperku Arstina Kelmendi Diellza Sylejmani Elona Sadiku. / KultPlus.com 

Të shtunën mbahet koncerti ‘Da Capo al Fine’ nga nxënësit e shkollës së muzikës Amadeus

Të shtunën mbahet koncerti përmbyllës i nxënësve të shkollës së muzikës “Amadeus” në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare.

Ky koncert do jetë skenë e paraqitjeve të përbashkëta të nxënësve të talentuar të shkollës ku do festojnë udhëtimin dhe edukimin muzikor nga fillimi deri tek diplomimi i nxënësve muzicientë në rritje.

Progarmi i këtij koncerti do përfshijë vepra klasike dhe të njohura të cilat do të interpretohen nga: Kori i shkollës, Orkestra frymore, Ansambli i kitarave, Trio kamertale, Okteti i violinave, Kuarteti i cellisteve, Kamertalja e klasës së parë dhe pikat solistike të nxënësve që diplomojnë këtë vit.

Pjesë e këtij koncerti do jetë edhe kori i shkollës i cili ka arritur të pasurohet me zëra të rinj në kuadër të projektit MUSIKOS të mbështatur nga Ambasada Gjermane në Kosovë, Ambasada Franqeze në Kosovë, Instituti Franqez në Kosovë dhe Goethe Institute në Prishtinë./ KultPlus.com

Engjëjt e autorit Odise Plaku me regji të Naser Shatrollit nis rrugëtimin në Kosovë

Pas sukseseve absolute dhe prezantimeve të mrekullueshme në skenat shqiptare, vlerësimit me dy çmime “Aktorja më e mirë” dhe “Regjisori më i mirë”,  shfaqja “Engjëjt” e autorit Odise Plaku po vjen me rrugëtim edhe në Kosovë. 

Me regji të Naser Shatrollit e me rol të Vefi Redhit, pas prezantimit në Tiranë, ka nisur udhëtimin në skenat e Kosovës. Prizreni, Gjakova e Prishtina janë vendet nikoqire te kësaj shfaqjeje, e që mbrëmë e pati prezantimin për audeincën gjakovare, për të vazhduar më 13 qershor në Festivalin MonoAkt në Prishtinë. 

Gjenocidi serb ndaj popullsisë së pafajshme në Kosovë, fati i zhdukurve dhe një nënë që kërkon fëmijët e saj në monodramën “Engjëjt”. Monodrama në skenë bashkon tre artistë, dramaturgun Odise Plaku nga Shqipëria, aktoren Vefi Redhi që për këtë shfaqje vjen nga Greqia dhe regjisorin Naser Shatrolli nga Kosova. 

Dramaturgu Odise Plaku është shprehur i gëzuar që kjo vepër po udhëton në mbarë skenat shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë me synimin për të vazhduar në Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. 

Ai ka thënë se është një vepër e fuqishme, që do të flasë shumë në interpretimin e fortë të aktores Vefi Redhi që vjen në skenë si Hana. 

Në vepër është Hana, një nënë kosovare, është në ditët më të vështira të jetës së saj. Bën vite që kërkon t’u dëgjojë edhe një herë zërin fëmijëve të saj, Verës dhe Diellit, që ia rrëmbyen barbarisht ushtarët serbë gjatë bastisjes së shtëpisë së tyre. Jeta e saj ka humbur kuptimin. Nga përballja çdo ditë me të njëjtat gjëra: mediet, institucionet, gjykatat, policinë e deri te kalimtarët e rastit, i duket vetja si një robot, që kryen lëvizje mekanike. Edhe vetë ajo është lodhur nga kërkesa e përsëritur për të mësuar fatin e fëmijëve të saj. Të pagjeturit është një temë e nxehtë në jetën e Kosovës dhe të qytetarëve të saj, pjesë e së cilës është vetë Hana. Ajo ndien neveri për njerëzit e veshur me pushtet të çdo ngjyre politike,pasi përdorin emrat e të pagjeturve për të marrë vëmendje për të ngritur nivelin e pozitës së tyre. Ajo është në dilemë se kujt duhet t’i besojë e kujt jo, madje arrin deri aty sa vë në dyshim besimin ndaj Zotit. I duket se edhe ai po i bën padrejtësi me heshtjen e tij në këto momente të vështira të jetës së saj.

 “Unë do të vazhdojë të shkruaj vepra me tematikë nga jeta, pasi ato meritojnë të zënë një vend të konsiderueshëm në skenat shqiptare” shprehet autori Odise Plaku, tashmë mjaft aktiv me krijimtarinë e tij në dramë dhe së fundi në një komedi bashkëkohore./ KultPlus.com 

Promovohet “Më quaj Izmir” i Tinka Kurtit, një zë i guximshëm në poezinë shqipe

U mbajt promovimi i librit me poezi “Më quajnë Izmir” nga poetja Tinka Kurti në Librarinë Dukagjini, Prishtinë.

Panelistët folën për poezinë e Tinka Kurtit, e cila përmes vargut bën thirrje për zhvendosjen e të përjashtuarve drejt qendrës së vëmendjes dhe kujtesës.

Në promovim mori pjesë edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Më quaj Izmir” i Tinka Kurtit vjen si një zë i guximshëm në poezinë shqipe. Vargjet e Tinka Kurtit janë mall dhe revoltë, lidhje dhe shkëputje, komentime poetike mbi eksperienca jetësore.

Libri i saj, i cili që në pragun semiotik hyn në relacion intertekstual me lojën melvilliane të identifikimit të subjektit, është një provokim estetik, sepse paralajmëron një zë ‘androcentrik’, ndërsa shpejt kalon në këndvështrimin gjinocentrik, për ta theksuar paradoksin dhe për ta promovuar perspektivën. Duke e parë botën me sy të tillë, poetja Tinka Kurti sjell jo vetëm një optikë specifike personale, por edhe një zë autentik në botën tonë letrare.

Tinka Kurti ka studiuar Gazetari dhe Filozofi në Universitetin e Prishtinës. Ka punuar disa vjet si gazetare në Prishtinë. Më pas ka qenë aktive edhe në politikë. Në 2021-2025 ka qenë deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Jeton në Vjenë./ KultPlus.com

Dita e Çlirimit të Prishtinës

11 qershori i vitit 1999 shënon Ditën e hyrjes, në Prishtinë, të trupave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të Zonës Operative të Llapit dhe forcave që kishin vepruar ilegalisht në kryeqytet edhe gjatë luftës, shkruan KultPlus.

26 vjet më parë forcat e UÇK-së kishin hyrë në periferi të qytetit, ndërsa forcat ushtarake e policore serbe kishin filluar tërheqjen, sipas Marrëveshjes së Kumanovës të arritur më 9 qershor të vitit 1999.

Më 12 qershor nga bazat e tyre në Maqedoni kishin filluar depërtimin në Kosovë forcat tokësore të NATO-s të quajtura forcat paqeruajtëse të KFOR-it, pastaj edhe administrata e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe organizata të tjera ndërkombëtare. / KultPlus.com

Vdiq regjisori e aktori i njohur, Leka Bungo

Ka vdekur në moshën 81-vjeçare regjisori, aktori e skenaristi i njohur shqiptar, Leka Bungo.

Leka Bungo ka qenë një nga emrat më të rëndësishëm të skenës në Shqipëri si regjisor, skenarist dhe aktor, duke i lënë vendit një trashëgimi të larmishme artistike në fushën e humorit dhe të skenës shqiptare.

Leka Bungo ka kryer shkollën e lartë për aktorë “Aleksandër Moisiu” dhe më pas një kurs njëvjeçar për regji në Institutin e Lartë të Arteve. Punoi për një kohë si regjisor në teatrin “Bylis” të Fierit. Në fund të viteve ’80 u emërua regjisor në Estradën e Shtetit, në të cilën vuri në skenë disa shfaqje, ku u prekën probleme të mprehta sociale të kohës dhe ku satira përbënte elementin më të theksuar.

Pas viteve ’90 krijoi në hollin hyrës të godinës së Teatrit Kombëtar teatrin privat “Rubairat”, por që shpejt humbi destinacionin e vet artistik, derisa u mbyll më 2001 me rikonstruksionin që iu bë holleve të këtij teatri. Pas vitit 2002, emigroi në SHBA. Përveç punës si regjisor dhe aktor, ka shkruar edhe disa drama dhe skenarë filmash, ndër to dramën “Pabesia” si dhe skenarët “Pas fasadës”, “Gjuetia e fundit” etj. Në filmin e vitit 1990 Një djalë edhe një vajzë ai luajti rolin e Bardhylit. Ishte autor i skenarëve për disa filma artistikë.

Në vitin 2021 Leka Bungo u zgjodh Kryetar i Bordit Drejtues të RTSH-së, detyrë që e mbajti deri dy muaj para ndarjes nga jeta.

Disa nga veprat e tij:
1966: Oshëtime në bregdet
1980: Pabesia (dramë)
1985: Tre njerëz me guna
1988: Mirela
1990: Një djalë edhe një vajzë – roli: Bardhyli, babai i Artanit
1991: Gjuetia e fundit
1992: Pas fasadës

Leka Bungo do të mbahet mend gjatë për krijimtarinë e tij në Estradën e Fierit, të Lushnjës dhe të Estradës së Shtetit në Tiranë, për vënien në skenë të disa prej perlave të humorit shqiptar, si dhe për vitalitetin dhe këmbënguljen për të qenë aktiv deri në fund të jetës.

Varrimi bëhet sot në orën 16:00 në varrezat e Sharrës, ndërsa ngushëllimet priten në “Alba 2000” në Rrugën e Durrësit./ KultPlus.com

Shpalimi i “Kujtimeve të mbuluara”

Shkruan: Afrim Demiri

Muzeu i Burgut të Prishtinës – Burgu i Idealit, ka muaj që është shndërruar në një amfiteatër, ku nëpërmjet veprave artistike po shpalosen aspekte të kujtesës kolektive historike të golgotës shqiptare. Është OJQ “Molla e kuqe”, që me qëllim të funksionalizimit të Burgut të idealit, po sjell vepra të artistëve në të cilat shpërfaqen fatet e dhembshme të njerëzve tanë.

Mbrëmë në prag të Ditës së çlirimit të Prishtinës, në shetitoren e ish-burgut u shfaq filmi dokumentar „Kujtimi i mbuluar“ i autores Ariana Krasniqi.

Ky film përmblidhte disa nga rrëfimet e të mbijetuarve të luftës së fundit në Kosovës. Autorja Krasniqi, para shumë të pranishmëve, sqaroi se përmes një qasjeje plurodisiplinare, ku ishin gërshetuar dokumentarja me performancën artistike si dhe dizajni i veshjeve të viktimave, ka dashtë të shpaloste kujtimet dhe dhimbjet, për humbjen e më të dashurëve dhe për përvojat tragjike të disa prej dëshmitarëve të kohës.

Veshjet, që ishin ekspozuar nëpër çelitë e burgut ishin punuar mbi motivet e këtyre rrëfimeve. Ato njëkohësisht shërbenin simbolikisht si material për ekspozitën dhe krahas kësaj ishin edhe material dokumentar filmik.

Rrëfimet e pesë personazheve, të cilët kishin përjetuar luftën në fshatrat Hallaq, Marevc, Grashticë, Kolovicë sillnin pamjet e dëbimeve, të torturimeve, plaçkitjeve si dhe të pushkatime në masë nga forcat policore serbe. Rrëfimet autentike në filmin “Kujtimi i mbuluar” , ishin rrëfime të njerëzve që i kanë mbijetuar dhunës serbe. Idriz Govori, Filloreta Vitia, Kumrije Veliu, Fidan Ismajlit, Dardan Veliut me plot emocione dhe ngashërime, rikthenin pamjet e dhembshme, të veprimeve antinjerëzore të forcave serbe të shkaktuara ndaj popullatës civile shqiptare, në prill të vitit 1999.

Dokumentarja dhe artistikja shprehnin përballjen e njerëzve të thjeshtë me vdekjen dhe zhveshnin synimet dhe veprimet e liga të forcave serbe për të vrarë të pafajshmit, të pafuqishmit.

Autorja Ariana Krasniqi ka studiuar për Fashion Design në Düsseldorf. Angazhimin e saj profesional e ka vazhduar kryesisht në vendet skandinave, si Malmö dhe Kopenhagë. Është aktive në ngjarjet ndërkombëtare të modës dhe me koleksionet e saj ka pasur mundësi të ekspozojë në disa prej eventeve të njohura të industrisë së modës në Paris, Kopenhagë, Aachen dhe Prishtinë.

Ky aktivitet u realizua në bashkëpunim ndërmjet OJQ “Molla e Kuqe” dhe autores Ariana Krasniqi./ KultPlus.com

Sot në GKK hapet ekspozita personale e artistit Blerim Racaj, “To feel your mood like the weather “ me kurator Bardhi Haliti

Sonte do të hapet ekspozita personale e artistit Blerim Racaj, e titulluar To feel your mood like the weather “, kuruar nga Bardhi Haliti në Galerinë Kombëtare të Kosovës – Qafa. 

Gjatë dy dekadave të fundit, praktika fotografike e Blerim Racajt është zhvilluar në forma të ndryshme që i rezistojnë kufizimeve. Ajo që në punën e tij të hershme dukej se i ngjasonte gjuhës së portreteve, tani më shumë anon nga diçka skulpturore, madje edhe arkitekturore. Në këto imazhe, forma nuk e kornizon vetëm realitetin, ajo e thellon atë, dhe nganjëherë edhe e tret atë tërësisht. 

Një pjesë e madhe e ekspozitës buron nga pesë projektet kyçe: Kosovars (Kosovarët), Indecisive Moment (Moment Pavendosshmërie), Ephemeral Notes (Shënime Kalimtare), Vend, dhe Rruga B. Racaj ka punuar me gjithçka prej kamerave të formatit të gjerë dhe të mesëm deri te DSLR-të, kamerat kompakte digjitale, dhe së fundmi, kamerën e telefonit. Shumë prej këtyre imazheve të ndërmjetme janë bërë me telefonin e tij, shpesh në transit, në çaste të pangarkuara nga përgatitja.

Në një mënyrë mjetet e tij të punës pasqyrojnë kufizimet e jetës moderne. Sot, ne formohemi po aq nga impulsi artistik sa nga limitet e bagazhit të aviokompanive. Kur nuk mund të udhëtosh me arsenalin e plotë të pajisjeve pa paguar shtesë, kamera e telefonit bëhet jo vetëm e domosdoshme, por edhe instrument i intuitës.

Ajo që bashkon tërë veprën e Racajt është një ndjeshmëri skulpturore, që kujton artistët si Thomas Demand dhe Jeff Wall. Por për dallim nga Demand që ndërton modele të përpikta për t’i fotografuar, apo Wall që inskenon peizazhe mitike dhe kinematografike, Racaj punon me vetitë e reales, duke i abstraktuar ato aq sa për t’i hapur ndaj interpretimit. Ngjyrat dhe format nuk janë asnjëherë vetëm formale, ato janë simbolike, të ngarkuara emocionalisht dhe përplot fantazma.

Si artist që jeton në Londër me rrënjë në Kosovë, Racaj zë një hapësirë të ndërmjetme, njëkohësisht i vendit dhe i huaj. Ai sjell këtë vetëdije të dyfishtë në punën e tij, ku kuadrimi bëhet i stërhollë, i qëllimshëm dhe gjithmonë i vëmendshëm.

Biografi

Blerim Racaj është artist pamor kosovaro-britanez i cili jeton në Londër dhe punon kryesisht me fotografi. Veprimtaria e tij përdor gjuhën pamore dokumentare për të eksploruar temat e hibriditetit kulturor dhe identitetit diasporik, duke zhvilluar gjithashtu një dialog vizual me elementet efemerale nga mjedisi i tij i përditshëm.

Puna e tij është shfaqur anembanë Evropës, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Italinë, Spanjën, Kroacinë dhe Kosovën. Në mesin e ekspozitave të veçuara të tij janë Global Photography: Looking at/ Looking for, Galleria Contemporaneo, Mestre, Venedik (2010); Photodays Photo Festival, Rovinj (2013); Renaissance Photography Prize 2014, Getty Gallery, Londër (2014); Reflect the Truth, China Design Centre, Londër (2016), Nexos, Valencia (2017), dhe Nisesos Chronicles, Prishtinë (2023).

Në vitin 2014, u nderua me Çmimin Fotografik Taylor Wessing nga Galeria Kombëtare e Portreteve në Londër. Racaj ka diplomë Master në Studimet e Fotografisë nga Universiteti i Westminster në Londër.

Bardhi Haliti është dizajner grafik dhe hulumtues me bazë në Amsterdam. Ai ka punuar si dizajner i pavarur në Nju Jork dhe Prishtinë përpara se të merrte diplomën master nga Werkplaats Typografie, Arnhem në vitin 2014. Haliti ishte dizajner në rezidencë në Jan van Eyck Academie, Maastricht nga 2015–16.

Ai është kritik i jashtëm në Programin Master në Dizajn Grafik në Akademinë e Arteve të Estonisë dhe ishte profesor i përkohshëm në HfG Karlsruhe në 2024. Haliti ishte ligjërues në programin e përkohshëm master The Commonors’ Society në Sandberg Instituut (2018–2020) në Amsterdam. Ai ka mbajtur ligjërata dhe seminare në institucione të ndryshme duke përfshirë Gerrit Rietveld Academie, Amsterdam; HfK Bremen; École Nationale Supérieure des Beaux-Arts de Lyon, Kunsthalle Wien, dhe Rhode Island School of Design ndër të tjera. Në vitin 2011, Haliti bashkëthemeloi REDO, një festival vjetor ndërkombëtar i dizajnit grafik dhe arteve pamore në Prishtinë, dhe që atëherë ka shërbyer si drejtor programit. Në vitin 2019, libri i Halitit May 25 is now October 1 u botua nga cPress, Cyrih. Libri është rezultat i një kërkimi shtatëvjeçar që merret me natyrën multifunksionale të hapësirave publike në të cilat pasqyrohen cikle më të mëdha socio-politike dhe kulturore.

-Teksti nga Bardhi Haliti./ KultPlus.com


UNI organizon workshop mbi Telerehabilitimin në kuadër të projektit E-PHYSIO

UNI – Universum International College organizon workshop mbi Telerehabilitimin në kuadër të projektit E-PHYSIO që implementohet nga konzerciumi prej disa Universiteteve Evopriane dhe Financohet nga Erasmus+, Komisioni Evropian.

UNI – Universum International College, i fuqizuar nga Arizona State University, partner në organizimin e workshop-it mbi telerehabilitimin të projektit E -physio, bashkë financuar nga Programi Erasmus+ i Bashkimit Evropian.

Gjatë këtij seminari, morrën pjese partnerët e programit E-physio Telererehabilitimi “Universum International College UNI-it, University of Medicine and Pharmacy in Craiova – UMFCV, University of Craiova – UCV, Burgas Free University, Mersin University, European University Of Tirana UET, Sports University of Tirana, Universum International College, Alma Mater European Campus College Rezonanca.

Projekti E-PHYSIO ka për qëllim të përmirësojë njohuritë teorike, aftësitë dhe kompetencat në lidhje me telerehabilitimin për studentët dhe mësimdhënësit në institucionet e arsimit të lartë të vendeve pjesëmarrëse në Ballkanin Perëndimor. Arritja e këtij objekti do të çojë në një integrim më të mirë të specialistëve të ardhshëm në tregun e punës, studenteve duke I’u përshtatur trendeve dhe kërkesave aktuale.

Objektivat e projekti; Të përmirësojë njohuritë teorike, aftësitë dhe kompetencat në lidhje me telerehabilitimin për studentët dhe mësimdhënësit në institucionet e arsimit të lartë që marrin pjesë në Ballkanin Perëndimor.

Të forcojë kapacitetet e organizatave partnere të Ballkanit Perëndimor për të modernizuar sistemet e tyre të arsimit të lartë dhe për t’u përgjigjur sfidave aktuale në tregun e punës duke implementuar qasje telerehabilitimi në nivelin organizativ të universiteteve.

UNI – Universum International College është i menaxhuar dhe fuqizuar nga Universiteti Shtetëror i Arizonës (ASU), i njohur si Universiteti Nr.1 në SHBA për inovacion.

TI JE UNIK! Krijo suksesin tënd, me edukim amerikan. Fuqizohu nga Arizona State University, Universiteti më i madh publik në SHBA. Studio në UNI duke aplikuar këtu! / KultPlus.com