619 vjet nga lindja e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut

Heroi kombëtar Gjergj Kastriot – Skënderbeu u lind më 6 maj 1405, në një familje fisnike të Dibrës, siç ishte ajo e Gjon Kastriotit.

Ai u mor peng nga Sulltan Murati dhe luftoi për Perandorinë Otomane si gjeneral deri më 1443, vit në të cilin u largua gjatë një beteje, duke u rikthyer në Krujë.

Në vitin 1444, mblodhi të gjithë princërit shqiptarë në Lidhjen e Lezhës, ku u vendos unanimisht të luftohej për marrjen në zotërim të trojeve shqiptare kundër Perandorisë Otomane.

Në krye të ushtrisë shqiptare, pas fitores së parë kundër otomanëve në betejën e Torviollit, Skënderbeu do të korrte 22 fitore të mëdha kundër osmanëve në vitet e luftës në krye të ushtrisë së vet, që kishte si kryeqendër Krujën.

Heroi kombëtar do të njihej për luftën e tij të paepur në një vend kyç mes lindjes dhe perëndimit. Ai do të njihej si besnik i mbretit të Napolit në traktatin e Gaetës, ku mbështeti mbretin Ferdinand të Napolit në luftën civile të viteve 1460–1461.

Në vitin 1463 ishte komandant i forcave të kryqëzatës së Papa Piut II, ndërsa vdiq më 17 janar 1468, në moshën 63-vjeçare.

Gjergj Kastriot-Skënderbeu konsiderohet nga shumë vende të Evropës Perëndimore si heroi që pengoi Perandorinë Otomane të pushtonte Perëndimin e Evropës dhe si modeli i rezistencës së krishterë ndaj otomanëve myslimanë. / KultPlus.com

“Travel Off Path”: Shqipëria – destinacioni mesdhetar me rritjen më të shpejtë turistike në Evropë

Po mendoni të vizitoni Spanjën për plazhet më të mira në Evropë? Apo Italinë, për të zbuluar kulturën romake? Po sikur t’i gjenit të dyja në ‘perlën e fshehur’ më pak të njohur dhe më të përballueshme? Vizitoni Shqipërinë, shkruan Tor Brierley në një artikull të botuar në “Travel Off Path”.

Shqipëria ka regjistruar një rritje të pabesueshme prej 233,3% të pasagjerëve ajror krahasuar me vitin 2019, duke e bërë atë destinacionin me rritjen më të shpejtë turistike në Evropë.

Ja pse duhet të vizitoni Shqipërinë:

Atraksionet historike magjepsëse

Shqipëria e sotme ishte dikur pjesë e Perandorisë Romake, kështu që këtu do të gjeni një sërë atraksionesh të pabesueshme romake. Por, pa turma turistësh që do të gjenit në Romë!

Disa nga rrënojat romake më të rëndësishme në Shqipëri përfshijnë Parkun Arkeologjik të Apolonisë, Butrintin dhe Kalanë e Beratit.

Butrinti nuk është vetëm një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, ai gjithashtu konsiderohet si vendi më i rëndësishëm arkeologjik në Shqipëri.

Mbetjet e një Amfiteatri Romak janë përfshirë në këtë vend të rëndësishëm, i cili ka qenë i banuar që nga kohërat parahistorike.

Eksploroni Kalanë e Beratit

Ndoshta atraksioni më unik arkeologjik në Shqipëri është Kalaja e Beratit.

Të ecësh nëpër Kala është si të ecësh nëpër historinë e Shqipërisë, pasi ajo është përshtatur dhe përditësuar me secilin nga pushtimet e njëpasnjëshme të vendit.

Kjo është një kështjellë e fortifikuar me mure, por gjithashtu përmban kisha dhe xhami dhe është krejtësisht unike. Nuk do të gjeni askund tjetër në botë si Kalaja e Beratit.

Qyteti i Beratit është gjithashtu historikisht i pasur, magjepsës dhe ia vlen të eksplorohet.

Riviera Shqiptare

Plazhet në Rivierën Shqiptare janë magjepsëse dhe ofrojnë një panoramë që të lë pa frymë.

Riviera Shqiptare konsiderohet destinacioni më i ri i plazhit mesdhetar dhe shtrihet në një sipërfaqe prej 130 kilometra me rërë të bardhë mahnitëse.

Nëse jeni duke kërkuar për plazhet më të mira, atëherë vizitoni Sarandën, e cila është një qytet tipik bregdetar ideal për udhëtarët që pëlqejnë atraksionet dhe akomodimet e rehatshme gjatë pushimeve në plazh.

Këtu mund të shëtisni përgjatë bulevardit Hasan Tahsini, të kënaqeni me ushqimet e shijshme të detit në restorante dhe t’i kaloni mbrëmjet në bare koktejlesh.

Infrastruktura turistike këtu është e pabesueshme.

Ksamili me ujërat e kristalta blu rivalizojnë Maldivet, për të cilin Riviera shqiptare është kaq e njohur.

Ky është plazhi i preferuar i shumë turistëve.

Në brigjet e Ksamilit ndodhen katër ishuj të pabanuar dhe janë një zgjedhje e shkëlqyer për një udhëtim ditor në Shqipëri.

Zona ofron pamjet spektakolare si dhe mundësi të shkëlqyera për not, ski jet ose kajak.

Një destinacion i përballueshëm

Krahasuar me shumë pika të tjera të bukura në Mesdhe, Shqipëria është mjaft e lirë!

Ju do të paguani 2-5 dollarë për një vakt të lirë ose meze të lehtë në një kafene, dhe 10 dollarë për një drekë ose darkë të bollshme në një restorant lokal.

Një litër birrë kushton rreth 2,5 dollarë, ndërsa një kapuçino kushton aktualisht më pak se 2 dollarë.

Shqipëria është një nga destinacionet më të lira në Europë dhe ideale për udhëtarët me buxhet t ë kufizuar.

Eksplorimi i Tiranës

Tirana është kryeqyteti i Shqipërisë dhe pavarësisht sipërfaqes , ajo është një kryeqytet vital dhe i gjallë.

Këtu do të gjeni një kulturë të pasur tradicionale, por edhe një anë rinore dhe bashkëkohore që e bën Tiranën një qytet magjepsës.

Tirana ishte dikur një kryeqytet komunist, por tani ndërtesat e saj me ngjyra të ndezura dhe rrugët e pedonalizuara të qytetit janë një kënaqësi për t’u eksploruar.

Pikat kryesore të qytetit përfshijnë Muzeun Historik Kombëtar dhe Bunk’Art, i cili është një bunker i Luftës së Ftohtë që është shndërruar në një galeri arti moderne magjepsëse.

Nëse udhëtoni në Shqipëri, bëni ndalesën tuaj të parë në Tiranë dhe eksploroni për disa ditë kryeqytetin emocionues përpara se të shkoni në bregdet./atsh/KultPlus.com

Vdes në moshën 79-vjeçare ”kapiteni” i Titanikut

Aktori Bernard Hill, i njohur më së shumti për rolin e kapitenit në filmin ”Titanik” ka vdekur në moshën 79-vjeçare, shkruan BBC.

Ai luajti rolin e kapitenit Edward Smith në filmin fitues të Oskarit të vitit 1997 dhe mbretit Théoden në ”The Lord of the Rings”.

Roli i tij kryesor ishte në dramën televizive të BBC-së Boys from the Blackstuff, ku ai luajti Yosser Hughes, një personazh që luftoi – dhe shpesh dështoi – për të përballuar papunësinë në Liverpool.
Duke shkruar në X, muzikanti skocez Barbara Dickson tha se ai ishte “një aktor vërtet i mrekullueshëm”.

Hill, me origjinë nga Mançesteri, do të kthehej në ekranet televizive në serinë e dytë të ”The Responder”, një dramë me protagonist Martin Freeman.

“Bernard Hill hapi një gjurmë nëpër ekran dhe karriera e tij e gjatë e mbushur me role ikonë dhe të jashtëzakonshëm është një dëshmi e talentit të tij të jashtëzakonshëm”, theksoi Lindsay Salt, drejtor i BBC Drama. / KultPlus.com

Monedha përkujtimore për Ditën e Dëshmorëve e vitit 1964

Sot, më 5 Maj, Banka e Shqipërisë përkujton me nderim dëshmorët e kombit që sakrifikuan jetën e tyre për liri, demokraci, të drejtat e njeriut dhe dinjitetin e çdo shqiptari.

Në një postim në rrjete sociale BSH-së shkroi se, “e cilësuar zyrtarisht si Dita e Dëshmorëve, ajo është caktuar në kujtim të 5 majit 1942, ditës kur u vra Qemal Stafa, i riu aktivist i Luftës Nacionalçlirimtare”.

“Në këtë ditë të shënuar kujtojmë me përulje të gjithë ata që me akte të rralla patriotizmi, vetëmohimi dhe heroizmi, kontribuuan në luftën për liri, pavarësi dhe çlirim kombëtar, deri në dhënien e jetës, si dhe nderojmë ata të cilët kanë dhënë jetën për mbrojtjen e integritetit territorial, të interesave kombëtarë shqiptarë, në luftën kundër terrorizmit dhe krimit ndaj jetës së individit, mbrojtjen e pronës publike, apo në ndihmë të popullsisë në raste fatkeqësish natyrore”, citon BSH-ja.

Banka e Shtetit Shqiptar e ka nderuar luftën për çlirim kombëtar nga pushtuesit e huaj, me kartëmonedhën 50 Lekë të vitit 1964, të dizenjuar nga piktori Hysen Devolli.

Kjo kartëmonedhë gjendet në shitje në dyqanin e Muzeut të Bankës së Shqipërisë, për të gjithë të gjithë të interesuarit në blerjen e kartëmonedhave dhe monedhave shqiptare, për qëllime numizmatike. / KultPlus.com

Aktori Armend Baloku me “Lahuta e Malcisë” në New York

Kryevepra e At Gjergj Fishtës, “Lahuta e Malësisë”, disa prej vargjeve të epit shqiptar do të kumbojnë në Bronxville të New Yorkut.

Aktori nga Peja, Armend Baloku është gati ti jap publikut amerikan dhe shqiptarëve që jetojnë në SHBA një pjesë të ‘shpirtit shqiptar’, epopenë e kombit.

Premiera do të shfaqet në Bibliotekën Publike të Bronxville-it.

Kjo shfaqje është organizuar nga Teatri PM dhe Albanian American Club of Westchester./ KultPlus.com

Mbrëmje artistike kushtuar shkrimtarit Gani Mehmetaj, promovohet “Lufta e pengjeve“

Mbrëmje artistike kushtuar shkrimtarit Gani Mehmetaj me promovimin e romanit “Lufta e pengjeve”, botim i Uetpress-it.

Të hënën me 6 maj 2024 do të organizohet në Prishtinë mbrëmje artistike kushtuar shkrimtarit Gani Mehmetaj, me promovimin e romanit “Lufta e pengjeve”, botim i Uetpress-it. 

Në mbrëmjen artistike do të marrin pjesë dhe do të flasin Henri Çili, Preç Zogaj, Suadela Balliu dhe SaraHasko etj.   

Ndërkaq, për artdashësit do të ketë edhe pika muzikore, ekzekutim në piano dhe solo këndim. 

Mbrëmja do të mbahet në Prishtinë, në hotel Sirius, në orën 18,00 me koktej të rasti. / KultPlus.com

Kur Karl Marksi shihte eksodin e shqiptarëve drejt Italisë

Karl dhe Xheni Marks të ringjallur, ulur në kanapenë e tyre në Hampsted, ndjekin një dokumentar televiziv rreth zbarkimit të refugjatëve shqiptarë në një plazh privat italian…

Ishin pikërisht pamjet e kronikave televizive me anije të mbushura plot shqiptarë që i arratiseshin vendit dhe varfërisë në kërkim të një jete më të mirë që e çuan shkrimtarin spanjoll Juan Goytisolo të shkruante më 1993-shin romanin “Saga e Familjes Marks”, një fiction surreal, i cili vjen në shqip me përkthimin e Bashkim Shehut, i cili prej vitesh jeton në Barcelonë, botuar nga “Pika pa Sipërfaqe”. Juan Goytisolo ka shkruar një roman brenda një romani, një vepër mbi pamundësinë për të shkruar një roman historik mbi Karl Marksin. Megjithatë bëhet fjalë gjithashtu për një libër që niset nga një bindje personale: Nuk ka asnjë doktrinë që mund t’i aplikohet shoqërisë si një zgjidhje e vetme për të gjithë problemet.

“Vepra nuk është as marksiste as antimarksiste, është një trill që mbledh mbetjet e mbytjes së atij procesi që u quajt socializëm dhe që preku miliona njerëz në të gjithë botën. Goytisolo aspiron të vijojë të thërrasë debatin, polemikën, jetën”, do të shprehej botuesi i tij spanjoll Joaquin Estefania, më 1993, kur libri u botua, duke shuar zërat e debatit  se vepra e Marksit po aktualizohet përmes mendimtarëve si Deleuze, Derrida dhe Goytisolo.Saga e Familjes Marks është një portret i familjes me histori, ose rrëfeja e historisë përmes një familjeje, asaj të Karl Marksit filozofit, i shpëtuar nga vetja, që asiston i indinjuar rrënimin e ideologjisë dhe rënien e prestigjit të mendimit të tij,  në fund të shekullit të 20-të.

Juan Goytisolo prodhon një kaleidoskop ku përzihen e shkuara dhe e tashmja, njerëz, vepra dhe diskurs dhe një angazhim i guxuar kritik,  që insiston të kthejë në rrëfenjë realitetin që prej kurthit bazik, nga i cili Marksi dhe të tijtë ( përfshi dhe armiqtë historikë) vazhdojnë të jenë të gjallë dhe mendimtarë, edhe pse tashmë të pafuqishëm, duke parë televizor dhe duke konstatuar rënien e komunizmit. Botuar më 1993-shit, njëqind vjet pas vdekjes së Karl Marksit, romani pati jehonë në vende si Anglia, ShBA, Kanadaja , Gjermania dhe Franca, kritikët e të cilëve e konsideruan si “një prej librave më pak të ngatërruar dhe më argëtuesit e Juan Goytisolo”. Gjithashtu e quajtën “një aventurë letrare e destinuar të ripohojë vlerën e tekstit përballë kulturës së imazhit”, “një libër i mbushur me humor dhe dituri, me jehona të Suift dhe Servantes, që përzien në mënyrë të admirueshme imagjinatën dhe dokumentimin”. Ironike, sarkastike, lojcake dhe e tepruar deri në dalldi, “Saga e Familjes Marks”, është një roman gëzueshëm anakronik që i jep në goditje biografisë historike.

Poeti, eseisti dhe romancieri Juan Goytisolo Gay u lind më 5 janar të 1931-shit. Ai ka jetuar në Marrakesh nga viti 1997 deri në vdekjen e tij, më 2017-ën. Është konsideruar si shkrimtari më i madh i gjallë spanjoll i fillimit të shekullit të 21-të, edhe pse ka jetuar jashtë Spanjës prej viteve ’50. Në nëntor të 2014-ës atij iu akordua çmimi Servantes, çmimi më prestigjioz letrar në botën spanjisht folëse. Juan Goytisolo u lind në një familje të shtresës së lartë. Ai deklaronte se niveli i statusit, i shoqëruar nga mizoritë e  stër-stërgjyshit dhe koprracisë së gjyshit të tij ( zbuluar nga leximi i letrave dhe dokumenteve të familjes), ishte një arsye madhore që ai iu bashkua partisë Komuniste në rininë e tij. I ati i tij u burgos nga qeveria republikane gjatë luftës civile të Spanjës, ndërsa e ëma, Julia Gay, u vra gjatë sulmit të parë ajror frankist në Barcelonë, më 1938-ën. Ai më pas ndoqi Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Madridit dhe në Universitetin e Barcelonës, por e la pa marrë diplomën. / KultPlus.com

Ukraina shënon Pashkën e saj të tretë në luftë

Ndërsa Ukraina shënoi Pashkët e saj të tretë në luftë, Rusia sulmoi vendin të dielën me një breshëri dronësh të përqendruar në lindje të Ukrainës. Si rezultat më shumë se 12 persona u plagosën.

Forcat ajrore të Ukrainës thanë se Rusia sulmoi me 24 dronë Shahed, nga të cilët 23 ishin rrëzuar.

Gjashtë persona, mes tyre një fëmijë, u plagosën nga sulmi me dronë në rajonin lindor të Kharkivit, tha guvernatori rajonal Oleh Syniehubov. Dhjetë të tjerë u plagosën në një sulm ajror të dielën pasdite në kryeqytetin rajonal Kharkiv, tha zoti Syniehubov, duke shtuar se qyteti ishte sulmuar nga ajri.

Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi të dielën se trupat e saj kishin marrë kontrollin e fshatit Ocheretyne.

Zyrtarët në Kiev u kërkuan banorëve t’i ndjekin shërbesat me rastin e Pashkëve Ortodokse në internet për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë.

Në fjalimin e tij, Presidenti Volodymyr Zelenskyy u bëri thirrje ukrainasve që të “luten së bashku” në këtë ditë të shenjtë.

Shumica e ukrainasve identifikohen si të krishterë ortodoksë, megjithëse kisha është e ndarë. Shumë prej tyre i përkasin Kishës së pavarur Ortodokse të Ukrainës. Kisha rivale ortodokse ukrainase është besnike e kishës së Moskës dhe shihet me dyshim nga shumë ukrainas.

Në Moskë, të shtunën në mbrëmje besimtarët mes tyre presidenti Vladimir Putin, mbushën Katedralen historike të qytetit, për një shërbesë me rastin e Pashkëve, të udhëhequr nga Patriarku Kirill, kreu i Kishës Ortodokse Ruse dhe një mbështetës i hapur i Kremlinit.

Të krishterët ortodoksë lindorë zakonisht e festojnë Pashkën më vonë sesa kishat katolike dhe protestante, pasi ata përdorin një metodë të ndryshme për të llogaritur datën për ditën e shenjtë që shënon ringjalljen e Krishtit. / KultPlus.com

Përvjetori i 75’të i Këshillit të Evropës, Kurti: Ky vit shënon plotësimin e kritereve nga Kosova për anëtarësim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar 75-vjetorin e themelimit të Këshillit të Europës duke u shprehur se ky vit shënon plotësimin e kritereve nga Kosova për anëtarësim.

Ai thekson se Kosova ka plotësuar kriteret për anëtarësim dhe kjo nënkupton forcën e demokracisë sonë dhe sundimin e ligjit.

“Sot, 75 vjet më parë, u themelua Këshilli i Europës organizata kryesore e kontinentit për të drejtat e njeriut. Ky vit shënon njohjen e Kosovës si një vend që plotëson kriteret për t’u bashkuar, duke nënkuptuar forcën e demokracisë sonë, sundimin e ligjit dhe përgjegjësinë tonë të përbashkët ndaj të drejtave të njeriut”, ka shkruar Kurti. / KultPlus.com

FILE PHOTO: Kosovo’s Prime Minister Albin Kurti poses for a picture during an interview with Reuters at his office in Pristina, Kosovo August 10, 2022. REUTERS/Fedja Grulovic

Osmani udhëton për në Teksas me ftesë të MCC-së, merr pjesë në Samitin SHBA-Afrikë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për vizitë zyrtare në Teksas të SHBA-ve, me ftesë të Qeverisë amerikane, respektivisht agjencisë qeveritare Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit- MCC.

Bëhet e ditur se gjatë vizitës në këtë shtet, presidentja Osmani, do të marrë pjesë në Samitin SHBA-Afrikë, në kuadër të të cilit do të mbajë fjalim si dhe pritet të zhvillojë takime me homologë nga disa vende afrikane.

“Presidentja Osmani në Teksas do të zhvillojë takim edhe me krerët e shtetit të Teksasit, zyrtarë të tjerë të lartë të këtij shteti, zyrtarë të lartë shtetëror të institucioneve amerikane dhe përfaqësues të Kongresit amerikan. Në agjendën e Presidentes Osmani është edhe pjesëmarrja dhe adresimi në ceremoninë për nder të 20-vjetorit të aktivitetit të MCC-së, me ç’rast Presidentja do të shpreh mirënjohje për kontributin të cilin e ka dhënë kjo organizatë për mbështetjen e Kosovës në drejtim të zhvillimit ekonomik dhe sektorit të energjisë sikurse është rasti i Programit Kompakt në vlerë prej 236 milion dollarësh, lansimi i të cilit u bë ditë më parë”, thuhet në njoftimin e zyrës për informim të Presidencës.

Osmani do të mirëpritet edhe nga Garda Kombëtare e Teksasit, ku do të takohet edhe me ushtarakë, të cilët kanë shërbyer në Kosovë. Presidentja Osmani në agjendë  do të ketë edhe një ligjëratë në World Affairs Council, në të cilin do të realizojë një bashkëbisedë për Kosovën dhe rrugëtimin e saj ndër vite në drejtim të integrimit në institucione dhe organizata ndërkombëtare, thuhet në njoftim.

Në programin e vizitës së Presidentes Osmani në Teksas janë paraparë edhe vizita në disa qytete të Teksasit.

“Gjatë qëndrimit në Teksas, Presidentja Osmani do të shoqërohet edhe nga një delegacion i bizneseve i udhëhequr nga Oda Ekonomike Amerikane. Këto biznese do ta kenë një tryezë të përbashkët me bizneset amerikane për t`i shqyrtuar mundësitë e bashkëpunimit, por edhe takimet të tjera me zyrtarë amerikane në fushën e ekonomisë dhe tregtisë”, thuhet tutje në këtë komunikatë.

Gjithashtu bëhet e ditur se presidentja Osmani, gjatë vizitës në Teksas do të takohet edhe me mërgatën shqiptare në Qendrën Kulturore Shqiptaro-Amerikane.

Kurti poston një foto të monumentit “Nëna Shqipëri”: Vetëm dëshmorët e kanë përfunduar angazhimin për vendin

Kryeministri Albin Kurti ka shkruar për ditën e dëshmorëve të kombit shqiptar, duke publikuar një fotografi të monumentit “Nëna Shqipëri” në Tiranë.

Kurti shkroi se “dëshmorët janë dëshmi e orëve të historisë, dëshmitarë të historisë së kombit”.

“5 maji është dita e dëshmorëve të kombit shqiptar, të rënë kudo dhe kurdo gjatë historisë. Andaj sot i kujtojmë të gjithë dëshmorët e rënë në të gjitha etapat e së kaluarës sonë. Trofeu i synuar dhe trofeu i fituar nga dëshmorët, është liria jonë, si mundësi për vetëvendosje dhe përparim. Dëshmorët janë dëshmi e orëve të historisë, dëshmitarë të historisë së kombit. Jeta, vepra dhe rënia e tyre përcjellen si mësime dhe frymëzime ndër breza”, shkroi Kurti.

“Çmimi i lirisë është paguar me gjakun e dëshmorëve, andaj jeta e tyre është e paçmueshme në të gjitha kohët”, shtoi ai.

Kurti shkroi se “dëshmorët janë të vetmit që e kanë përfunduar dhe vulosur angazhimin e tyre për vendin, për lirinë dhe për atdheun”.

“Ne të gjallët e sotëm dhe të brezave pasardhës, e kemi për detyrë të përditshme angazhimin dhe përpjekjen për atdheun, për lirinë dhe për vendin. Sivjet po bëhen 25 vite nga çlirimi i Kosovës në qershor të vitit 1999. Dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përfaqësojnë grupin e fundit të madh të të rënëve për lirinë e vendit tonë. Ata janë dëshmorët më të freskët në kujtesën tonë kolektive për rrugën që kemi ndjekur deri te liria, andaj edhe përkujtimet e nderimet tona për dëshmorët, nisin prej tyre dhe mbarojnë me ta. Lavdi përherë dëshmorëve të kombit të rënë për liri, sot dhe për jetë e mot!”, shkroi Kurti. / KultPlus.com

206 vjet nga lindja e Karl Marxit, themeluesi i teorisë marksiste, lëvizjes revolucionare të shekullit 19-të

206 vjet më parë lindi një prej intelektualëve më të njohur të historisë – Karl Marxi.

Marx ishte një filozof, ekonomist dhe shkrimtar gjerman i njohur për kontributin e tij në fushën e shkencës politike dhe ekonomisë.

Në fillim të karrierës së tij, Marx u bë një gazetar i njohur dhe i respektuar në Gjermani, shkruante për çështje sociale dhe politike në revistën radikale “Rheinische Zeitung” dhe më vonë në “Deutsch-Französische Jahrbücher”. Ai u bë edhe një autor i njohur për veprat e tij kritike mbi kapitalizmin, si “Kapitali” dhe “Manifesti i Partisë Komuniste”.

Marx u bë një nga themeluesit e teorisë marksiste, e cila u bë një lëvizje revolucionare në gjysmën e dytë të shekullit të 19. Marx vlerësohej për analizën e tij të thellë të kapitalizmit dhe teorinë e tij se ekonomia dhe politika janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Ai argumentoi se sistemi i kapitalizmit do të thyhej përmes një revolucioni proletar të klasës së punëtorëve.

Megjithëse ideologjia marksiste është kritikuar dhe kundërshtuar, është e rëndësishme të përmendim kontributin e tij në zhvillimin e teorisë ekonomike dhe politike moderne. Gjithashtu, ai ka qenë një ndër personazhet më të diskutuara të historisë, dhe ai vazhdon të jetë studiuar dhe diskutuar nga shkencëtarët dhe intelektualët e sotëm.

Në ditëlindjen e tij të 205-të, vazhdojmë të shohim ndikimin e tij në lëvizjet sociale dhe politike në të gjithë botën, dhe do të vazhdojmë të diskutojmë idetë dhe thesaret që ai ka lënë pas. / KultPlus.com

Adele feston ditëlindjen e 36-të, artistja që bëri histori në botën e muzikës (VIDEO)

Adele, këngëtarja dhe kantautorja e famshme angleze, sot po feston ditëlindjen e saj të 36-të. Ajo është një nga artistet më të suksesshme të kohës së saj, dhe ka fituar shumë çmime prestigjioze, duke përfshirë edhe disa çmime Grammy.

Pasi u diplomua në art nga Shkolla BRIT në 2006, Adele nënshkroi një marrëveshje me XL Recordings. Albumi i saj debutues “19”, u publikua në vitin 2008 dhe krijoi pesë këngët më të mira në Mbretërinë e Bashkuar “Chasing Pavements” dhe “Make You Feel My Love”. “19” ka shitur mbi 2.5 milionë kopje në MB dhe u emërua në 20 albumet debutuese më të shitura të të gjitha kohërave në MB. Adele u nderua me çmimin Brit për Rising Star si dhe çmimin Grammy për Artistin më të Mirë të Ri.

Adele publikoi albumin e saj të dytë në studio, “21”, në 2011. Ai u bë albumi më i shitur në botë i shekullit të 21-të, me shitje mbi 31 milionë kopje. Ai u certifikua 18x platinum në MB (më i larti nga një artist solo i të gjitha kohërave) dhe Diamond në SHBA. Sipas Billboard, 21 është albumi me performancën më të mirë në historinë e top-listave amerikane, duke kryesuar Billboard 200 për 24 javë (më i gjati për një artiste grua ndonjëherë). Ajo ishte artistja e parë grua në historinë e Billboard Hot 100 që kishte tre këngë të njëkohshme në dhjetëshen kryesore si artiste kryesore, me “Rolling in the Deep”, “Someone Like You” dhe “Set Fire to the Rain”. Albumi mori një rekord të barabartë me gjashtë çmime Grammy, duke përfshirë albumin e vitit dhe çmimin Brit për albumin britanik të vitit. Suksesi i “21” i dha Adelës përmendje të shumta në Librin e Rekordeve Guinness. Revista Rolling Stone vendosi albumin e saj të 21-të në listën e 500 albumeve më të mëdhenj të të gjitha kohërave (2020).

Në vitin 2012, Adele publikoi “Skyfall”, një këngë zanore për filmin e James Bond me të njëjtin emër, i cili fitoi çmimin Oscar dhe Golden Globe Award për këngën më të mirë origjinale. Albumi i saj i tretë në studio, “25”, u publikua në vitin 2015 dhe u bë albumi më i shitur i vitit, duke thyer gjithashtu rekordet e shitjeve të javës së parë në Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA, ku është albumi i vetëm që ka shitur mbi tre milionë kopje në një javë. 25 ishte albumi i saj i dytë që u certifikua Diamond në SHBA dhe fitoi pesë çmime Grammy, duke përfshirë albumin e vitit dhe katër çmime Brit, duke përfshirë albumin britanik të vitit. Kënga kryesore, “Hello”, u bë kënga e parë në SHBA që shiti mbi një milion kopje dixhitale brenda një jave nga publikimi i saj. Albumi i saj i katërt në studio 30, i cili përmban këngën “Easy on Me” në krye të listës, u publikua në vitin 2021 dhe u bë albumi më i shitur i vitit në mbarë botën, përfshirë SHBA-në dhe Britaninë e Madhe. 30 fitoi çmimin Brit për albumin britanik të vitit, ndërsa “Easy on Me” fitoi çmimin Brit për Këngën e Vitit dhe çmimin Grammy për performancën më të mirë solo pop.

Përveç suksesit të saj në industrinë e muzikës, Adele është një personi me një zemër të madhe dhe është angazhuar në shumë aktivitete bamirësie. Ajo ka ndihmuar organizata të ndryshme bamirëse, duke përfshirë një fondacion që ndihmon fëmijët në nevojë.

Me karrierën e saj të shkëlqyeshme dhe zemrën e saj të ngrohtë, Adele vazhdon të jetë një nga artistet më të dashura në botë. / KultPlus.com

Letra që Napoleon Bonaparti i dërgoi Ali Pashë Tepelenës nga Malta

Nga Aurenc Bebja

Në librin “Œuvres de Napoléon Bonaparte, Tome 2, 1821 – Vepra të Napoleon Bonapartit, Vëllimi 2, 1821”, gjejmë dy letra ekskluzive (f. 230 – 231) ku Napoleon Bonaparti, pas pushtimit të Maltës, kërkonte të komunikonte me Ali Pashë Tepelenën, përmbajtjen e të cilave Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Maltë, 17 qershor 1798.

Shtetasit Lavalette,

Shtetas, “L’Arthémise” ka urdhërin që t’ju ankorojë në bregdetin e Shqipërisë dhe t’ju vendosë në gjendje të bisedoni me Ali Pashën. Letra e bashkangjitur që do të duhet t’i jepni atij, nuk përmban asgjë tjetër veçse t’i jepni besueshmëri asaj që do t’i thoni dhe ta ftoni që t’ju japë një mënyrë të sigurt për të folur vetëm me të.Do t’ia jepni vetë letrën e përmendur, në mënyrë që të siguroheni se do ta lexojë vetë.

Pas kësaj, ju do t’i thoni atij se, pasi sapo kam pushtuar Maltën dhe duke u gjendur në këto dete (ujëra) me tridhjetë anije dhe pesëdhjetë mijë burra, do të kem marrëdhënie me të dhe se dua të di nëse mund të mbështetem tek ai; se do të doja që edhe ai të dërgonte pranë meje, duke e hipur në fregatë, një njeri fisnik dhe që do të kishte besimin e tij; se për shërbimet që u ka bërë francezëve, për trimërinë dhe guximin e tij, nëse më tregon besim dhe dëshiron të më ndihmojë, unë mund t’ia shtoj shumë lavdinë dhe fatin e tij.

Në përgjithësi do të mbani shënim gjithçka që ju thotë Ali Pasha dhe do të hipni sërish në fregatë për të ardhur tek unë dhe do të më raportoni për gjithçka që keni bërë.

Duke kaluar nëpër Korfuz, ju do t’i thoni gjeneralit Chabot të na dërgojë anije të ngarkuara me dru dhe t’u bëjë një shpallje banorëve të ishujve të ndryshëm që t’i dërgojnë skuadriljes verë, rrush të thatë dhe se do të paguhen mirë për këtë. 

BONAPARTI

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Maltë, 17 qershor 1798.

Ali Pashës,

Miku im shumë i respektuar, pasi ju kam ofruar urimet e mia më të mira për begatinë dhe ruajtjen e jetës tuaj, kam nderin t’ju informoj se e njoh prej kohësh lidhjen (simpatinë) që keni për republikën franceze, gjë që do të më bënte të dëshiroja të gjeja një mënyrë për t’ju dhënë prova të vlerësimit që kam për ju.

Meqë sot rasti mu duk i favorshëm, u nxitova t’ju shkruaj këtë letër miqësore,dhe kam udhëzuar një nga ndihmësit e mi në terren që t’jua sjellë, t’jua dorëzojë personalisht.

E kam porositur gjithashtu që t’ju bëjë disa propozime në emrin tim dhe meqë nuk e njeh gjuhën tuaj, ju lutemi të zgjidhni një përkthyes besnik dhe të besueshëm për bisedimet që do të ketë me ju.

Ju lutem t’i jepni besueshmëri gjithçkaje që ai ju thotë nga ana ime dhe ta ktheni menjëherë tek unë me një përgjigje të shkruar në turqisht nga vetë dora juaj.

Ju lutem pranoni urimet e mia të mira dhe sigurinë e përkushtimit tim të sinqertë. 

BONAPARTI

https://www.darsiani.com/la-gazette/1798-letra-qe-napoleon-bonaparti-i-dergoi-ali-pashe-tepelenes-nga-malta/ / KultPlus.com

82 vite nga vrasja e Qemal Stafës, idealisti i cili u bërë simbol i rezistencës gjatë Luftës së Dytë Botërore

Kujtojmë sot përvjetorin e vdekjes së komunistit dhe dëshmorit Qemal Stafa, dita e vrasjes së të cilit u kthye në ditën e kujtimit të të gjithë Dëshmorëve të Atdheut.

Qemal Hasan Stafa lindi në Elbasan, më 20 mars 1920. Ka qenë bashkëthemelues i Grupit Komunist të Shkodrës, pjesëtar në takimin e themelimit të partisë, anëtar i Komitetit Qëndror dhe sekretar politik i të rinjve. Gjithashtu shkrues poezish dhe sprovash letrare me pseudonimin Brutus, të cilat u përmblodhën në vëllimin “Qortimet e vjeshtës”. Dita e vrasjes së tij është përcaktuar si datë simbolike për të përkujtuar Ditën e Dëshmorëve nga regjimi komunist e deri më sot.

Biografia

U lind në qytetin e Elbasanit, i biri i Hasan Ahmetit dhe Sabries së Veli Dylgjerit. Familja me origjinë nga Zabzuni i Gollobordës kishte gjetur në brigjet e Shkumbinit vendbanimin e ri, ku Hasani u lind. Si ushtarak që qe i zoti i shtëpisë, detyra bëri që familja të shpërngulej për në Shkodër më 1923. Emërohet Drejtor i Zyrës së Rekrutimit në Prefekturën e Shkodrës.

Qemali ndoqi mësimet në Kolegjin Saverian duke e ndjekur për tetë vjet derisa më 1933 me ligjin Ivanaj u mbyllën shkollat private dhe kaloi në Gjimnazin e Shkodrës. Vitin shkollor 1934-’35 në gjimnaz dërgohet Skënder Luarasi, i cili një vit më vonë do t’i jepte një temë hartimi rreth disa vargjeve të “Vilhelm Telit” të Shilerit. Hartimi i Qemalit gjashtëmbëdhjetëvjeçar bëri bujë, bashkë me nismën që ndërmorën grupi shoqëror për të mbajtur kapele në vend të fesit. Pjesëtar në rininë përparimtare të kohës me Xhemal Brojën, L. Radin, Arshi Pipën, Haki Tahën etj.

Mbas vdekjes së të atit, familja e tij u shpërngul në Tiranë korrikun e 1936. Në fillim të vitit shkollor ’36-’37 u regjistrua në Gjimnazin Shtetnor të Tiranës. Me organizimin e Zef Malës, Qemali së bashku me Vasil Shanton, Gj. Lukën, T. Jakovën themelojnë Grupin Komunist të Shkodrës. Vitin 1938 nisën arrestimet prej së cilës Qemali u arrestua natën e 24 janarit të 1939. Gjyqi i tij u zhvillua javët e para të shkurtit në bodrumin e Bashkisë së Tiranës i mbrojtur nga av. Suat Asllani, gjyq në të cilin i pranon të gjitha akuzat dhe dënohet me tre vite. Me rastin e vdekjes së të vëllait i jepet leje që të shkojë për të pritur. Ndërkohë që ishte ndryrë në njërën prej qelive të Burgut të Vjetër, i bëhet e mundur të dalë gjatë trazirave të 7 prillit.

Kandidati për sekretar të përgjithshëm të PKSH-së, Qemal Stafa qëndronte në shtëpinë e Bije Vokshit në Tiranë. Më 4 maj 1942 u largua nga kjo shtëpi sepse atje shkoi Enver Hoxha, i cili e njoftoi se duhej të shkonte në një bazë më të sigurt. Të nesërmen e kësaj dite më 5 maj 1942 karabinieria shkoi në shtëpinë të marrë me qira nga Beqir Minxhozi, në atë kohë punonjës i Bankës Kombëtare të Punës. Kontrata e qirasë së shtëpisë ishte bërë vetëm tri ditë më parë. Në rrethana të pasqaruara mirë, Minxhozi u arrestua. I lidhur ai u detyrua të tregonte shtëpinë ku strehohej Stafa, e fejuara Drita Kosturi, Kristo Themelko, Gjustina Sata (Flora Dishnica) dhe kushërira e saj Marie Lezhja. Në raportin e saj për këtë ngjarje, karabinieria nuk e përmend Themelkon.

Në të gjallë të tij, Stafa botoi dy skica letrare me nënshkrimin e tij. Të parën kur ishte 14 vjeç në një revistë për fëmijë, kurse të dytën, në 1939, në gazetën zyrtare të Partisë Fashiste Shqiptare. Më 1962 u botua dhe një përmbledhje me shkrime të tij, përgatitur nga Nasho Jorgaqi, një pjesë e të cilave janë çmuar me autorësi të diskutueshme.

Kushtime

Në 1966 në Tiranë u krijua një këngë kushtuar atij: “Trim i fortë me yll në ballë”. Në 1967, fshati Plasë i Korçës i ngriti këngën “Po më pesë maj më dyzet e dy”. Në 1969, në Tiranë, u krijua kënga “Luftë e madhe asaj dite o Qemal”. Në 1970, Dukati i Vlorës i kushtoi këngën “Pesë maj u vra Qemali”. Në 1977, po në Tiranë u krijua kënga “Qemal Stafa”. Po atë vit, Kutallia e Beratit krijoi “Këngë për Qemal Stafën”. Një këngë me titullin e Kutallisë u ngrit dhe në Tiranë, një vit më vonë. Në 1979, Delvina krijoi këngën “Erdh Qemali në Delvinë”. Në 1980, një këngë e Vranishtit të Korçës titullohej: “Përmes flakës ra Qemali”. Po atë vit, Tirana krijoi këgën “Qemal Stafa”, ndërsa Janjari i Sarandës këngën “Krenari për mëmëdhenë”. / KultPlus.com

The Guardian: Kosova, shumë e vogël për ambiciet e Dua Lipës

Simon Hattenstone, shkrimtari dhe gazetari veteran i The Guardian e ka intervistuar këngëtaren shqiptare me famë botërore, Dua Lipa. Këngëtarja ka treguar se si nga një “meme poshtëruese” që kërcënonte ta errësonte suksesin e saj rekord, arriti të mbërrinte në maje të skenës muzikore globale.

Dua Lipa, në moshën 28-vjeçare, tashmë është kolosale. Albumi i saj i fundit, Future Nostalgia, ishte albumi i tretë më i shitur në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2020 dhe albumi i 10-të më i madh në botë atë vit me 3.3 milionë shitje. Ajo krijoi katër këngët më të mira në Mbretërinë e Bashkuar – Don’t Start Now, Physical, Levitating dhe Break My Heart. Ajo ka fituar shtatë çmime Brit dhe tre Grammy, dhe ka 88.6 milionë ndjekës në Instagram.

Por tani ylli i popit, kantautorja, producentja është në prag të diçkaje edhe më të madhe, shkruan The Guardian.

Është një vit i madh për ju, them unë – i thotë gazetari 61-vjeçar këngëtares shqiptare.

“Po, është masiv” thotë Dua, e cila thotë se nuk mund ta besojë se kjo po i ndodh në jetë.

“Çfarë nuk mund të besoni?”, e pyet gazetari.

“Vetëm sa larg kam arritur”, përgjigjet Dua.

Është Lipa klasike – e sigurt, këmbëngulëse dhe pak mbrojtëse. “Unë nuk jam e befasuar”, thotë ajo, “Unë jam thjesht e emocionuar që kam ardhur në këtë pikë”, shkruan Hattenstone.

The Guardian shkruan se Dua Lipa lindi në Londër nga prindër shqiptarë kosovarë të cilët u larguan nga Kosova në vitin 1992, menjëherë pasi Jugosllavia ishte shpërbërë dhe në një kohë të diskriminimit në rritje ndaj shqiptarëve. Nëna e saj, Anesa, fëmija i një babai kosovar dhe nënës boshnjake, u trajnua si avokate. Babai i saj, Dukagjini, është djali i Seit Lipës, një historian i nderuar dhe ish-drejtues i Institutit të Historisë së Kosovës. Në vitet 1980, Dukagjini ishte anëtar i rock-grupit kosovar Oda, përpara se të kualifikohej si dentist. Në Angli, kualifikimet e tyre ishin të kota, shkruan mediumi i madh britanik.

Dua, më e madhja nga tre fëmijët, u premtua si këngëtare. Ajo ndoqi shkollën e teatrit Sylvia Young në Londër derisa familja u kthye në Kosovë, pasi vendi e shpalli pavarësinë në vitin 2008, kur ajo ishte 11 vjeçe. Deri atëherë, Dukagjini studionte për komunikim masiv në Institutin e Gazetarisë dhe Komunikimit në Kosovë. A kishte qenë grupi i tij i suksesshëm? “Po”, thotë ajo. “Edhe tani, është si një grup kulti”.

Me popullsinë e saj prej 1.87 milionë banorësh, Kosova ishte shumë e vogël për t’i mbajtur ambiciet e Lipës. Në moshën 15-vjeçare, ajo iu lut prindërve të saj që ta lejonin të kthehej vetë në Londër për ta ndjekur një karrierë në muzikë. A është e vërtetë që ju ua keni dorëzuar atyre një prezantim në PowerPoint? “Jo”, thotë ajo. Pra, si i binde ata? “Thjesht pata një bisedë me ta. Më duhej të kthehesha dhe të mbaroja GCSE-në nëse doja të shkoja në universitet në Londër. Ky ishte argumenti im kryesor për të gjithë. Dhe siç i pëlqen të thotë babait tim, unë jam një person shumë i vështirë për t’i thënë jo”.

Pse? “Kam qenë gjithmonë shumë e vendosur. Gjithmonë e kam ditur se çfarë kam dashur”. Lipa e fitoi argumentin, por ajo nuk përfundoi duke shkuar në universitet, shkruan Guardian.

Në Londër, ajo ndau një banesë me një mik të familjes dhe përfundoi GCSE dhe nivelet A. Ajo ngarkoi këngët e saj në YouTube, iu bashkua një agjencie modelimi dhe modeloi për Topshop. Në vitin 2013, në moshën 17-vjeçare, ajo nënshkroi një kontratë me Tap Management dhe, një vit më vonë, siguroi një marrëveshje rekord me Warner Bros. / KultPlus.com

Kruja mbipopullohet nga turistët në fundjavë

Qyteti i Krujës, pak kilometra larg kryeqytetit Tiranës vizitohet çdo ditë nga turistë vendas dhe të huaj. Ndërsa fundjava është e mbipopulluar.

Ajo çka tërheq më së shumti vëmendjen e tyre është kalaja e Krujës, ku gjendet muzeu i Heroit Kombëtar, Skenderbeut,  pazari karakteristik, ku shpaloset e gjithë trashëgimia kulturore e zonës dhe mjeshtëria e artizaneve të këtij qyteti.

Këtë vit pritet numri i  vizitorëve të kapërcejë parashikimet, falë edhe jehonës që i është bërë Shqipërisë nga mediat ndërkombëtare.

Në 4 mujorin e parë të këtij viti, Muzeun Historik të Krujës e kanë vizituar 27.931 vizitorë, ndërsa vetëm në muajin prill 14.294 të tillë,  më shumë se dyfishi i vizitorëve,  krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023. Në muajn prill muzeu është vizituar nga 8005 turistë të huaj dhe 6289 vendas.

Turistët e huaj janë në përqindje më të madhe nga Italia, Gjermania, SHBA, Spanja, Polonia.

Bashkia e Tiranës rikthen “Ditën pa makina”, ja si ndryshon qarkullimi i automjeteve

Sot është e diel pa makina. Bashkia e Tiranës rikthen “Tirana pa makina”, nismë kjo e cila synon sensibilizimin e qytetarëve për një mjedis më të pastër, por edhe për të bërë një jetë më aktive.

Ndërsa në qendrën e Tiranës do të mungojë zhurma e makinave, do të jenë të shumta aktivitetet e organizuara nga bashkia e kryeqytetit, për ta kthyer këtë fundjavë në një ditë festive.

Qarkullimi i automjeteve do të kufizohet nga ora 06:00 deri në orën 17:00 në disa nga segmentet kryesore në kryeqytet, ndërsa është hartuar një plan i lëvizjes për mjetet e emergjencës dhe atyre të Policisë së Shtetit.

E diela do të jetë e mbushur me aktivitete të shumta dhe surpriza pafund.

  1. Kufizimin e qarkullimit të automjeteve, në kuadër të zhvillimit të aktivitetit promovues “Tirana pa makina’, në datat 5 Maj 2024 dhe 1 Qeshor 2024, në periudhat kohore nga ora 06:00 deri në oren 17:00, në segmentet e mëposhtme:

– Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, duke filluar nga Ministria e Brendshme deri në fillim të Ish – Hotel Dajti.

– Bulevardi ‘Dëshmorët e Kombit”, duke filluar nga Ura e Ish-Hotel Dajtit deri  në kryqëzimin me rrugën “Ismail Qemali”.

  1. Qarkullimi i automjeteve të vazhdojë në rrugën “Ibrahim Rugova”, bulevardin “Zhan Dark”, bulevardin Bajram Curri” dhe në rrugën ‘George.W.Bush”.

3. Qarkullimi i mjeteve të emergjencës dhe Policisë së Shtetit të vazhdojë normalisht në të gjitha segmentet rrugore të mësipërme.

  1. Linja Nr. 13 “Tirana e Re” dhe Linja Nr. 2 “TEG – Sauk i Vjetër – Kopshti Zoologjik – Ish-Stacioni Trenit” do të devijojnë në rrugën “Ibrahim Rugova”./atsh/ KultPlus.com

‘Kur e përcolla ylberin, ktheva hyra n‘odë’ (VIDEO)

Nazmie Hoxha është një nga zërat e rrallë që u dëgjua mjaft shumë në vitet 1970-2000. Si fëmijë i pëlqente interpretimi dhe me hyrjen në shkollën e mjekësisë, si pjesë e aktiviteteve të lira fillon ta realizojë edhe dëshirën fëminore për të interpretuar.

Muzikantët e kohës e shihnin si këngëtare me perspektivë dhe i hapen dyer e inxhizimit të këngëve të saja në RTP. Ndër këngët më të njohur të saj kanë qenë “Si dukat i vogël” je dhe “Oj zogo dhe disa të tjera”. Nazmia vdiq më 5 maj 2007 ndërsa u varros në Prishtinë.

Ky zë ka sjellë edhe një nga këngët më të njohura shqiptare “Kur e përcolla ylberin”. KultPlus ju sjellë sot interpretimin e mahnitshëm të kësaj kënge.

Festivali ndërkombëtar i akuarelit, piktori turk frymëzohet nga figura e Skënderbeut

Figura e Heroit Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut e jetësuar në telajo nga një piktor turk, kështu ka zgjedhur të përfaqësohet Atanur Dogan, në festivalin ndërkombëtar të akuarelit, që po mbahet në Tiranë.

I njohur me historinë e pushtimit të vendin tonë nga perandoria osmane artisti sërish gjen formën e frymëzimit në ngjyrat kuq e zi dhe portretin e Skënderbeut.

“E njoh historinë prandaj zgjodha të vizatoj Skënderbeun. Sepse duket se ende po vuajmë pasojat e atij luftimi të fuqishëm. Madje paraardhësit e mi e mësuan atë si të luftonte. Ata bënë një punë të mrekullueshme për shqiptarët. Fatmirësisht sot kombi turk dhe ai shqiptar janë shumë të afërt. e kuptoj që heroi juaj s’po përpiqej të na luftonte ne, por po mbronte tokën e tij. Gjithsesi e respektojmë figurën dhe vendosmërinë që Skënderbeu kishte”, tha Dogan.

Njëzet artistë nga vende të ndryshme të botës si Kina, Australia, Peruja por dhe nga kontinenti i largët i Indisë janë bërë bashkë në Tiranë duke përcjellë copëza peizazhesh nga kryeqyteti. Një prej tyre është dhe piktorja ukrainase Aleksandra Bryska.

Kam kënaqësinë të shoh dhe përjetoj këtë ekspozitë  të organizuar nga Helidoni. Pasionin e tij dhe mënyrën sesi ai arrin të shprehet nëpërmjet artit figurativ na e përcjell dhe ne në këto ditë. ndaj kam zgjedhur të  pikturoj Tiranën me të gjitha cilësitë e saj. kam zgjedhur qendrën e kryeqytetit heroin tuaj në kalë të rrethuar nga ndërtesa te bukura. hero i kohërave të luftës që sot po i përjeton dhe vendi im”, tha Bryska.

Qëllimi i këtij festivali është promovimi i pasurisë sonë kulturore, historike dhe turistike. Gjatë ditëve të këtij organizimi artistik, piktorët do të njihen me pikat më tërheqëse të Tiranës ku do të hedhin në tablo imazhin që ata kanë përballë.

Ky edicion i njëmbëdhjetë i Festivalit Ndërkombëtar të Akuarelit do të zgjasë deri më datë 10 maj dhe aktivitetet kryesore do t’i mbajë në Galerinë e Universitetit të Arteve./vizionplus/KultPlus.com

‘Express’: Dhërmiu – destinacioni i bukur evropian për pushime në 2024

Dhërmiu – është një nga destinacionet më të lira të Evropës për pushime në vitin 2024, shkruan Esther Marshall në të përditshmen britanike “Express”.

Fshati i mrekullueshëm bregdetar, mund të jetë zgjidhja perfekte për pushime të lira në vitin 2024.

Dhërmiu ndodhet në detin Jon dhe ofron plazhe spektakolare si dhe ambiente argëtuese të jetës së natës.

Riviera Shqiptare është një nga destinacionet turistike me rritjen më të shpejtë në Evropë, por mbetet ende një vend i përballueshëm për turistët britanikë që kërkojnë çmime të ulëta.

Ju mund te akomodoheni në hotele (me katër yje) në fshatin e bukur bregdetar për vetëm 50 paund nata, në korrik.

Ndërsa Aeroporti i ri i Vlorës është ende në ndërtim e sipër, për momentin, turistët do të duhet të fluturojnë drejt Aeroportit të Tiranës për të arritur në Dhërmi.

Edhe pse duhen rreth tre orë e gjysmë për të vizituar Dhërmiun, ia vlen të sakrifikoni për këtë destinacion të jashtëzakonshëm.

Çfarë duhet të bëni në Dhërmi

Vija bregdetare e Dhërmiut është një nga më të vlerësuarat në “Tripadvisor”.

Dhërmiu ofron plazhe të mrekullueshme me guralecë, det të kaltër dhe një ambient të qetë pa turma vizitorësh.

“Shpella e Piratëve” në Dhërmi është gjithashtu një nga atraksionet e saj kryesore, të cilën turistët mund ta eksplorojnë si pjesë e një turneu me varkë.

Fshati i vjetër i Dhërmiut, është një vend i mrekullueshëm për një shëtitje relaksuese.

Nëse jeni në kërkim të aventurave, mund të provoni të ecni në kanionin e Gjipesë, i cili zgjat rreth dy orë.

Çfarë duhet të hani në Dhërmi

Dhërmiu ka disa restorante fantastike që shërbejnë ushqime deti, ndërsa vegjetarianët do të gjejnë ushqime të freskëta vendase.

Turistët që marrin me qira një makinë ose zgjedhin transportin publik në Shqipëri mund të zgjasin pushimet e tyre për të eksploruar më shumë vendin.

Tirana është një nga vendpushimet më të lira të Evropës, me disa muze interesantë dhe bare koktejlesh të përballueshme. /atsh/ KultPlus.com

Në Pejë promovohet monografia e Ahmet Brahimajt nga autori Shaban Maxharraj

Në qytetin e  Pejës do të promovohet libri “Fisniku i Baletit: monografi për Ahmet Brahimajn” nga autori Shaban Maxharraj.

Promovimi mbahet nën patronatin e kryetarit të komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, në nderim të jetës dhe veprës së balerinit dhe ish drejtorit të Trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj – Artist i Merituar!

Në pjesën e dytë të ngjarjes do të ketë performancë nga balerinët e BKK, Aulonë Nuhiu dhe Fatmir Smani.

Ndërsa me “Unë biri yt Kosovë” do të paraqiteti edhe sopranoja Adelina Paloja, nën e përcjelljen e pianistes Alba Muçolli.

Promovimi bëhet në kinoteatrin “Jusuf Gërvalla”, më 7 maj 2024, duke filluar nga ora 19:00/ KultPlus.com

Duaje jetën…

Poezi nga Nënë Tereza

Duaje jetën ashtu siç është

 duaje plotësisht, pa pretendime;

duaje kur të duan apo kur të urrejnë,

 duaje kur askush nuk të kupton,

apo kur të kuptojnë të gjithë.

Duaje kur të gjithë të braktisin,

 apo kur në qiell të ngrenë si mbret.

Duaje kur të vjedhin gjithçka,

 apo kur të dhurojnë.

Duaje kur ka kuptim

apo kur ngjan se nuk ka një fije.

Duaje në lumturi të plotë

 apo në vetminë absolute.

Duaje kur je i fortë,

 apo kur ndihesh i pafuqishëm.

Duaje kur ke frikë,

 apo kur ke një mal guximi.

Duaje jo vetëm për kënaqësitë e mëdha

 e sukseset e mrekullueshme;

duaje edhe për gëzimet e vogla.

Duaje edhe pse nuk të jep çka mundet,

 duaje edhe pse nuk është siç do ta dëshiroje.

Duaje sa herë që lindesh

 e sa herë që je duke vdekur.

Por mos duaj kurrë pa dashuri./KultPlus.com