Sot është e diel pa makina. Bashkia e Tiranës rikthen “Tirana pa makina”, nismë kjo e cila synon sensibilizimin e qytetarëve për një mjedis më të pastër, por edhe për të bërë një jetë më aktive.
Ndërsa në qendrën e Tiranës do të mungojë zhurma e makinave, do të jenë të shumta aktivitetet e organizuara nga bashkia e kryeqytetit, për ta kthyer këtë fundjavë në një ditë festive.
Qarkullimi i automjeteve do të kufizohet nga ora 06:00 deri në orën 17:00 në disa nga segmentet kryesore në kryeqytet, ndërsa është hartuar një plan i lëvizjes për mjetet e emergjencës dhe atyre të Policisë së Shtetit.
E diela do të jetë e mbushur me aktivitete të shumta dhe surpriza pafund.
Kufizimin e qarkullimit të automjeteve, në kuadër të zhvillimit të aktivitetit promovues “Tirana pa makina’, në datat 5 Maj 2024 dhe 1 Qeshor 2024, në periudhat kohore nga ora 06:00 deri në oren 17:00, në segmentet e mëposhtme:
– Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, duke filluar nga Ministria e Brendshme deri në fillim të Ish – Hotel Dajti.
– Bulevardi ‘Dëshmorët e Kombit”, duke filluar nga Ura e Ish-Hotel Dajtit deri në kryqëzimin me rrugën “Ismail Qemali”.
Qarkullimi i automjeteve të vazhdojë në rrugën “Ibrahim Rugova”, bulevardin “Zhan Dark”, bulevardin Bajram Curri” dhe në rrugën ‘George.W.Bush”.
3. Qarkullimi i mjeteve të emergjencës dhe Policisë së Shtetit të vazhdojë normalisht në të gjitha segmentet rrugore të mësipërme.
Linja Nr. 13 “Tirana e Re” dhe Linja Nr. 2 “TEG – Sauk i Vjetër – Kopshti Zoologjik – Ish-Stacioni Trenit” do të devijojnë në rrugën “Ibrahim Rugova”./atsh/ KultPlus.com
Nazmie Hoxha është një nga zërat e rrallë që u dëgjua mjaft shumë në vitet 1970-2000. Si fëmijë i pëlqente interpretimi dhe me hyrjen në shkollën e mjekësisë, si pjesë e aktiviteteve të lira fillon ta realizojë edhe dëshirën fëminore për të interpretuar.
Muzikantët e kohës e shihnin si këngëtare me perspektivë dhe i hapen dyer e inxhizimit të këngëve të saja në RTP. Ndër këngët më të njohur të saj kanë qenë “Si dukat i vogël” je dhe “Oj zogo dhe disa të tjera”. Nazmia vdiq më 5 maj 2007 ndërsa u varros në Prishtinë.
Ky zë ka sjellë edhe një nga këngët më të njohura shqiptare “Kur e përcolla ylberin”. KultPlus ju sjellë sot interpretimin e mahnitshëm të kësaj kënge.
Figura e Heroit Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut e jetësuar në telajo nga një piktor turk, kështu ka zgjedhur të përfaqësohet Atanur Dogan, në festivalin ndërkombëtar të akuarelit, që po mbahet në Tiranë.
I njohur me historinë e pushtimit të vendin tonë nga perandoria osmane artisti sërish gjen formën e frymëzimit në ngjyrat kuq e zi dhe portretin e Skënderbeut.
“E njoh historinë prandaj zgjodha të vizatoj Skënderbeun. Sepse duket se ende po vuajmë pasojat e atij luftimi të fuqishëm. Madje paraardhësit e mi e mësuan atë si të luftonte. Ata bënë një punë të mrekullueshme për shqiptarët. Fatmirësisht sot kombi turk dhe ai shqiptar janë shumë të afërt. e kuptoj që heroi juaj s’po përpiqej të na luftonte ne, por po mbronte tokën e tij. Gjithsesi e respektojmë figurën dhe vendosmërinë që Skënderbeu kishte”, tha Dogan.
Njëzet artistë nga vende të ndryshme të botës si Kina, Australia, Peruja por dhe nga kontinenti i largët i Indisë janë bërë bashkë në Tiranë duke përcjellë copëza peizazhesh nga kryeqyteti. Një prej tyre është dhe piktorja ukrainase Aleksandra Bryska.
Kam kënaqësinë të shoh dhe përjetoj këtë ekspozitë të organizuar nga Helidoni. Pasionin e tij dhe mënyrën sesi ai arrin të shprehet nëpërmjet artit figurativ na e përcjell dhe ne në këto ditë. ndaj kam zgjedhur të pikturoj Tiranën me të gjitha cilësitë e saj. kam zgjedhur qendrën e kryeqytetit heroin tuaj në kalë të rrethuar nga ndërtesa te bukura. hero i kohërave të luftës që sot po i përjeton dhe vendi im”, tha Bryska.
Qëllimi i këtij festivali është promovimi i pasurisë sonë kulturore, historike dhe turistike. Gjatë ditëve të këtij organizimi artistik, piktorët do të njihen me pikat më tërheqëse të Tiranës ku do të hedhin në tablo imazhin që ata kanë përballë.
Ky edicion i njëmbëdhjetë i Festivalit Ndërkombëtar të Akuarelit do të zgjasë deri më datë 10 maj dhe aktivitetet kryesore do t’i mbajë në Galerinë e Universitetit të Arteve./vizionplus/KultPlus.com
Dhërmiu – është një nga destinacionet më të lira të Evropës për pushime në vitin 2024, shkruan Esther Marshall në të përditshmen britanike “Express”.
Fshati i mrekullueshëm bregdetar, mund të jetë zgjidhja perfekte për pushime të lira në vitin 2024.
Dhërmiu ndodhet në detin Jon dhe ofron plazhe spektakolare si dhe ambiente argëtuese të jetës së natës.
Riviera Shqiptare është një nga destinacionet turistike me rritjen më të shpejtë në Evropë, por mbetet ende një vend i përballueshëm për turistët britanikë që kërkojnë çmime të ulëta.
Ju mund te akomodoheni në hotele (me katër yje) në fshatin e bukur bregdetar për vetëm 50 paund nata, në korrik.
Ndërsa Aeroporti i ri i Vlorës është ende në ndërtim e sipër, për momentin, turistët do të duhet të fluturojnë drejt Aeroportit të Tiranës për të arritur në Dhërmi.
Edhe pse duhen rreth tre orë e gjysmë për të vizituar Dhërmiun, ia vlen të sakrifikoni për këtë destinacion të jashtëzakonshëm.
Çfarë duhet të bëni në Dhërmi
Vija bregdetare e Dhërmiut është një nga më të vlerësuarat në “Tripadvisor”.
Dhërmiu ofron plazhe të mrekullueshme me guralecë, det të kaltër dhe një ambient të qetë pa turma vizitorësh.
“Shpella e Piratëve” në Dhërmi është gjithashtu një nga atraksionet e saj kryesore, të cilën turistët mund ta eksplorojnë si pjesë e një turneu me varkë.
Fshati i vjetër i Dhërmiut, është një vend i mrekullueshëm për një shëtitje relaksuese.
Nëse jeni në kërkim të aventurave, mund të provoni të ecni në kanionin e Gjipesë, i cili zgjat rreth dy orë.
Çfarë duhet të hani në Dhërmi
Dhërmiu ka disa restorante fantastike që shërbejnë ushqime deti, ndërsa vegjetarianët do të gjejnë ushqime të freskëta vendase.
Turistët që marrin me qira një makinë ose zgjedhin transportin publik në Shqipëri mund të zgjasin pushimet e tyre për të eksploruar më shumë vendin.
Tirana është një nga vendpushimet më të lira të Evropës, me disa muze interesantë dhe bare koktejlesh të përballueshme. /atsh/ KultPlus.com
Në qytetin e Pejës do të promovohet libri “Fisniku i Baletit: monografi për Ahmet Brahimajn” nga autori Shaban Maxharraj.
Promovimi mbahet nën patronatin e kryetarit të komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, në nderim të jetës dhe veprës së balerinit dhe ish drejtorit të Trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj – Artist i Merituar!
Në pjesën e dytë të ngjarjes do të ketë performancë nga balerinët e BKK, Aulonë Nuhiu dhe Fatmir Smani.
Ndërsa me “Unë biri yt Kosovë” do të paraqiteti edhe sopranoja Adelina Paloja, nën e përcjelljen e pianistes Alba Muçolli.
Promovimi bëhet në kinoteatrin “Jusuf Gërvalla”, më 7 maj 2024, duke filluar nga ora 19:00/ KultPlus.com
Guljelm Radoja (2 Korrik 1945 – 5 Maj 2021) ishte një aktor shqiptar i filmit dhe teatrit.
Pas përfundimeve studimeve të larta në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve) për Dramaturgji në vitin 1972, fillon punën si aktor profesionist në Teatrin e Librazhdit. Më pas largohet nga ky teatër për të punuar si aktor dhe regjisor pranë Teatrit “Bylis” të qytetit të Fierit dhe më pas si aktor në Teatrin “Aleksandër Mojsiu” në Durrës.
Ndër interpretimet e tij në teatër mund të përmendim rolet e tij në dramat “Bourgeois Wedding” e Bertold Brehtit, “Me syrin e një klouni” e Heinrich Bëllit, “Trojanët” e Vasilis Theodoropulosit etj.
Në kinematografi ai ka luajtur më shumë se 30 role. Roli i i tij i parë ishte ai i inxhinnierit të pyjeve në filmin “Gjurma” në vitin 1970. Më tej do të vazhdonin një sërë rolesh të tjera si roli i Tenente Gruabardhit në filmin “Në fillim te verës” në vitin 1975, roli i Stefan Bardhit në filmin “Mësonjëtorja” në vitin 1979, roli i Petro Nini Luarasit në filmin “Kush vdes në këmbë” në vitin 1984, roli i priftit në filmin “Kthimi i ushtrisë së vdekur” në vitin 1989, roli i prokurorit në filmin “Kolonel Bunker” në vitin 1998, etj.
Për meritat e tij artistike Guljelm Radoja është nderuar me titullin “Artist i Merituar”.
Ai u nda nga jeta më 5 maj 2021 nga Covid-19 në Tiranë./ KultPlus.com
Napoleoni, ishte lider i madh, ishte njeriu vizionar, luftëtar, ndonjëherë dhe kontravers, që sipas historianëve kishte aftësinë të joshte turmat dhe të sfidonte rendin ekzistues. Lexoni 50 aforizma të strategut të madh.
Napoleon Bonaparti është cilësuar si strategu më i madh ushtarak që ka pasur bota. Por edhe si një njeri që ndryshoi rrënjësisht rendin dhe historinë e Evropës.
Në kulmin e pushtetit të tij, Napoleon Bonaparti kontrollonte një pjesë të madhe të Evropës, nga Gadishulli Iberik në perëndimderi në Poloninë e ditëve të sotme në lindje.
Napoleoni, ishte lider i madh, ishte njeriu vizionar, luftëtar, ndonjëherë dhe kontravers, që sipas historianëve kishte aftësinë të joshte turmat dhe të sfidonte rendin ekzistues. Lexoni 50 aforizma të strategut të madh.
· Mos e ndërpre kurrë armikun tënd kur është duke bërë një gabim
· Duhet të qeshim me njeriun që të mos qajmë për të.
· Nuk duhet të luftoni shumë shpesh me një armik, përndryshe do t’jua mësojë të gjitha marifetet e luftës.
· Aftësia nuk ka shumë vlerë pa mundësinë.
· Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord.
· Në politikë, absurditeti nuk është handikap.
· Njerëzit e famshëm e humbasin dinjitetin kur i sheh nga afër.
· Kushtetuta duhet të jetë e shkurtër dhe e paqartë.
· Një lider është një tregtar me shpresë.
· Një njeri do të luftojë më shumë për interesat se sa për të drejtat.
· Froni është vetëm një stol i mbuluar nga kadifeja.
· Njeriu duhet të luftojë më shumë për interesat e tij se për të drejtat e tij.
· Një pikturë ka më shumë vlerë se mijëra fjalë.
· Njeriu i vërtetë nuk urren askënd.
· Aftësia nuk është asgjë pa mundësinë.
· Të gjitha religjionet janë krijuar nga njerëzit.
· Në mes atyre që nuk iu pëlqen të shtypen janë shumë që duan të shtypin.
· Njeriu nuk duhet të ndalë kurrë diçka që nuk ka fuqi ta ndalë.
· Çdo ushtri marshon mbi stomakun e saj.
· Trimëria është si dashuria; ajo duhet të ushqehet me shpresë.
· Vdekja nuk është asgjë, por të jetosh i mundur dhe i palavdishëm është sikur të vdesësh përditë.
· Gazetave armiqësore duhet t’iu druhesh më shumë se një mijë bajonetave.
· Franca ka më shumë nevojë për mua se kam unë nevojë për Francën.
· Kush ka frikë se do të pushtohet e ka të sigurtë humbjen.
· Kush di të lajkatojë di edhe të gënjejë.
· Historia është një tërësi gënjeshtrash për të cilat është rënë dakord.
· Historia është version i ngjarjeve të së shkuarës për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord.
· Unë nganjëherë jam dhelpër, nganjëherë luan. I gjithë sekreti i të qeverisurit është të dish kur duhet të jesh dhelpër dhe kur luan.
· E adhuroj pushtetin. Por e adhuroj atë si një artist. E adhuroj siç e adhuron një artist violinën e tij, për të prodhuar prej saj tingujt, akordet dhe harmonitë.
· Nëse do më duhej të zgjidhja një fe, dielli si dhënës universal i jetës do të ishte zoti im.
· Nëse dëshiron që gjërat të bëhen mirë, bëji vetë.
· Nëse dëshiron të kesh një sukses, mos premto asgjë, mos shpall asgjë.
· E pamundura është një fjalë që mund të gjendet vetëm në fjalorët e budallenjve.
· Për të qeverisur nuk do të thotë të zbatosh një teori, por të ndërtosh me çfarëdo materiali që ke në duar.
· Në politikë…kurrë mos u tërhiq…kurrë mos u tërhiq…kurrë mos prano një gabim.
· Është kauza, nuk është vdekja ajo që e bën martirin.
· Njerëzit udhëhiqen më mirë nëpërmjet veseve të tyre se nëpërmjet virtyteve të tyre.
· Njerëzit nxiten vetëm nga dy shtysa: frika dhe interesi vetjak.
· Njerëzit i vlerësojnë vetëm nevojat – kurrë aftësitë.
· Muzika është zëri që na tregon se raca njerëzore është më e madhe se kujton.
· Fuqia është dashnorja ime. Unë jam përpjekur aq shumë që ta pushtoj atë sa të mos lejoj askënd të ma largojë.
· Opinioni publik është termometri të cilin një monark duhet ta shikojë rregullisht.
· Pasuria nuk ështët ë kesh thesare, por të dish t’i përdorësh ata.
· Zakonisht betejat i fitojnë ushtarët, gjeneralët marrin lavdinë.
· Dhjetë njerëz që flasin bëjnë më shumë zhurmë se një mijë njerëz që heshtin.
· Mënyra më e sigurtë për të mbetur i varfër është të jesh i ndershëm.
· Fitorja i takon atij që këmbëngul më shumë.
· Lufta është biznesi i barbarëve.
· Mënyra më e mirë për ta mbajtur fjalën është të mos e japësh atë./portalishkolloralbas/KultPlus.com
Autoritetet më të larta shtetërore kryen sot homazhe pranë memorialit “Nënë Shqipëri” në përkujtim të të rënëve për lirinë e atdheut.
Sot është 5 Maji që njihet si Dita e Dëshmorëve.
Të pranishëm në homazhe ishin Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, autoritetet vendore, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, veteranë dhe qytetarë.
Autoritetet shtetërore vendosën kurora me lule dhe u përulën para memorialit në nderim të atyre që dhanë jetën për lirinë dhe prosperitetin e vendit.
Dita e Dëshmorëve të Kombit njihet si dita e nderimit të atyre që kanë dhënë jetën për liri, demokraci, të drejtat e njeriut dhe dinjitetin e çdo shqiptari.
Dita e Dëshmorëve e ka origjinën në 5 Maj 1942, kur u vra Qemal Stafa, i cili me veprimtarinë e tij u kthye në simbol të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare./atsh/ KultPlus.com
Nazmie Hoxha lindi më 25 tetor 1952 në Gjonaj të Hasit të Prizrenit dhe vdiq më 5 maj 2007 në Prishtinë.
Nazmie Hoxha ishte këngëtare e popullarizuar e muzikës popullore shqiptare në vitet 1970-2000. Si fëmijë i pëlqente interpretimi dhe me hyrjen në shkollën e mjekësisë, si pjesë e aktiviteteve të lira fillon ta realizojë edhe dëshirën fëminore për të interpretuar. Aty futet në Shoqërinë Kulturo Artistike të qytetit dhe fillon karrierën e saj. Me këngën “Ylli i bardhë, djalë i dashur”, Nazmia paraqitet para publikut në një koncert në Prishtinë.
Nga këtu, muzikantët e kohës e shihnin si këngëtare me perspektiv dhe më këtë i hapen dyer e inxhizimit të këngëve të saja në RTP. Këngët e para të transmetuara në mjetet mediatike pos këngës së përmendur ishin dhe “Qetësia e lartë mbretëron mbi ne”, “Sa më shpejt ma vure këmbën”. Me kalimin kohës bënë inxhizimin e këngëve edhe me shoqëri të tjera artistike në Kosovë si b.f. me shoqërinë “Emin Duraku” të Zhurit, “Kastrioti” të Ferizajit por edhe si soliste e RTP-së. Nga viti 1972 është si pjesëmarrëse e rregullt e festivaleve të organizuara në nivel të Kosovës. Po ashtu Nazmia merr pjesë në shfaqjet e ndryshme të organizuara jashtë vendit nga shoqatat e ndryshme kulturore të Kosovës.
Më 8 mars 2003, stacioni televizi RTV 21, transmeton një intervistë biografike të Nazmijes dhënë Florim Kelmendit për programin e rregullt të natës së shtunë, programit “Në orët e vona”.
Ndër këngët më të njohur të saj kanë qenë Si dukat i vogel je dhe Oj zogo dhe disa të tjera. Nazmia vdiq më 5 maj 2007 në orën 19, ajo u varros në Prishtinë. /KultPlus.com
Karl Marks, është një nga ata emra që nuk mund ta përmëndësh në një tryezë, pa shkaktuar një debat të ashpër. E kundërta është e vërtetë për presidentin amerikan Abraham Linkoln, një hero i pakontestuar nga të gjithë…përfshirë edhe vetë Karlin Marks.
Ai ishte një fans i madh i Linkolnit. Marksi i shkroi Lincolnit në emër të Shoqatës Ndërkombëtare të Punëtorëve të Mbretërisë së Bashkuar, për ta uruar për rizgjedhjen e tij, dhe për ta përgëzuar për “zhdukjen e skllavërisë”. Sepse nëse kishte një gjë që Marksi e urrente, ishte puna e papaguar. “Megjithatë, mjekra juaj nuk është fort e bukur”- e mbyll letrën e tij Marksi.
Ajo çfarë është më e habitshme, është se Linkolni u përgjigj. Presidenti, udhëzoi ambasadorin amerikan në Londër t’i kthente përgjigje Marksit dhe Shoqatës Ndërkombëtare të Punëtorëve të Mbretërisë së Bashkuar, duke thënë se ai ishte mirënjohës që merrte mbështetje nga “miqtë e njerëzimit dhe progresit në të gjithë botën”.
Duhet pasur parasysh se në atë kohë Linkolni kishte nevojë për mbështetjen e klasës punëtore britanike. SHBA po përballej me mungesën e theksuar të pambukut, për shkak të rrënimit ekonomik të Jugut. Dhe nëse Anglia do të thoshte papritmas:”E dini? Ishim më mirë me skllavërinë në SHBA!”, Veriu do të zhytej në telashe të mëdha.
Ndërkohë, Linkolni mund ta ketë njohur emrin e Marksit nga shkrimet e tij për “The New York Daily Tribune”, një gazetë republikane. Në fakt, Marksi ishte aq i lidhur me SHBA-në, sa po mendonte seriozisht lëvizjen për të jetuar atje. Ai aplikoi për një vizë për të emigruar në Teksas, së bashku me një turmë gjermanësh, që do shkonin atje pas dështimit të revolucioneve të vitit 1848. / bota.al/ KultPlus.com
Sot 203 vite më parë vdiç Perandori i Francës, Napoleon Bonaparta, shkruan KultPlus.
Napoleon Bonaparta (15 gusht 1769 – 5 maj 1821) në jetën e tij ka qenë politikan, gjeneral brilant lufte, Protektor i Lidhjes se Rhein-it, Mbret i Italisë dhe Konsull i Francës dhe mbas kurorëzimit të tij ne Katedralen Notre Dame de Paris ai u shpall perandor i Francës. Ai e mbaroi shkollën ushtarake për fisnikët në Paris falë një burse studimi te cilën e përfitoi nga mbreti francez Luigji XVI.
Me përfundimin e shkollës ushtarake merr gradën e kapterrit në artilerinë franceze, me vonë me revolucionin francez do të gradohet me gradën gjeneral. Qeverisi Francën nga viti 1799, dhe u emërua Konsull i Parë në nëntor te vitit 1799 deri në maj 1804 me vonë bëhet Perandor Francez me emrin e Napoleone I (Napoléon Ier) nga dhjetori 1804 deri në 14 prill 1814 dhe serisht nga 20 marsi deri në 22 qershor 1815. Në jetën e tij politike ka qenë dhe President i Republikës Italiane nga viti 1803 deri në vitin 1805 dhe mbret i Italisë nga 1805 deri në 1814.
Falë disa betejave ushtarake dhe aleancave të shumta që ndërmorri, Napoleoni pushtoi dhe udhëhoqi gati të gjithë kontinentin Evropian, duke çuar në çdo vend që pushtonte, idealet e Revolucionit Francez. Arriti të kontrollonte shumë mbretëri të Evropës falë familjarëve të tij të cilët emëroheshin nga Napoleoni për të kontrolluar më mirë shtetet e pushtuara (Spanja, Napoli, Westfalia dhe Holanda).
Fushata e Rusisë (1812) shënoi fundin e dominimit te tij në mbare Evropën. Me humbjen në Lipsia nga aleatet evropiane, te cilët ishin formuar për të përballur fuqinë e perandorisë franceze, në tetor të vitit 1813, Napoleoni e la fronin e tij dhe u çua për burgim në ishullin e Elba-s në Itali.
Në mars të vitit 1815, ia del mbanë të arratiset nga ishulli prej të cilit ishte i burgosur duke mbërritur afër Antibes më pas mbërrin në Paris, historianët do ta përshkruajnë këtë mbërritje të Napoleonit me thënien “mbërriti pa shtënë asnjë plumb”. Ai arrin të marr në dore pushtetin për një periudhë relativisht të shkurtër, e cila kujtohet me emrin “Njëqind Ditët”,me pas do të mposhtet në luftën që quhet beteja e Waterloos me 18 gusht 1815. Vitet e fundit të jetës se tij i kaloi i burgosur në ishullin e Shën’Elenes në mbikëqyrjen e Angleze-ve. Mbas humbjes në Waterloo, Kongresi i Vjenës solli në të gjithë Evropën mbretërit të cilët ishin larguar falë Napoleonit./KultPlus.com
Sot, është Dita e Dëshmorëve të Kombit që kanë dhënë jetën e tyre për liri, demokraci, të drejtat e njeriut dhe dinjitetin e çdo shqiptari.
Dita e Dëshmorëve e ka origjinën në 5 Maj 1942, kur u vra Qemal Stafa, i cili me veprimtarinë e tij u kthye në simbol të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Në nderim të kujtimit të të rënëve për lirinë e vendit, çdo vit në Varrezat e Dëshmorëve krerët më të lartë të shtetit shqiptar kryejnë homazhe.
Përpara krijimit të shtetit shqiptar, populli i kujtonte dëshmorët dhe mbante gjallë legjendat e tyre, nëpërmes këngës epike, dhe trashëgimisë të historisë të tyre nga brezi në brez.
Pas shpalljes së Pavarësisë më 1912 e deri me 1945, shteti shqiptar nuk krijoi një status ligjor për dëshmorët e Atdheut. Gjatë luftës Nacionalçlirimtare, nisen përpjekjet e para, për të nderuar dëshmoret e rënë në fushat e betejave. Pas çlirimit, më 28 gusht 1945, kryesia e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, miratoi ligjin Nr. 109 “Mbi shpërblimin e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”. Ky ligj sanksiononte trajtimin e familjeve të patriotëve që kishin luftuar e rënë për atdheun edhe para Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, në kohën e Rilindjes Kombëtare, në luftërat për pavarësi, duke shënuar kështu përpjekjen e parë për një ligj integral për dëshmorët e Atdheut.
Në vitet ´60-të statusi i dëshmorit përpunohet më tej dhe zgjerohet, duke specifikuar termin ”Dëshmor i Atdheut”. Në këtë ligj futen edhe Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, të cilat u ndërtuan në të gjitha qendrat e rretheve të vendit.
Me 1992-1993, me ndërrimin e sistemit politik, pësoi ndryshime edhe statusi i Dëshmorit të Atdheut.
Në vitin 2000, pas shumë përpjekjeve u miratua ligji Nr. 8607 datë 27.04, “Statusi i Dëshmorit të Atdheut”, në të cilin përfshihen dëshmorët e të gjitha periudhave historike, madje edhe të rënët në vitet 1997-1999, në Shqipëri dhe në Luftën Çlirimtare të Kosovës./atsh/ KultPlus.com
Kosovë, o vend’ i famshëm i trimnis, Kosovë, o lule e bukur e Shqipnis! Ti bjeshkat plot vjollca rreth i ke, …Si vashë e virgjen: nuse sikur je; Dhe malet me bor Mi krye i ke kunor!
Kosovë, o atdhe i lavduem i burrnis Ti ke pas kjen mbretnesha e Rumelis! Nalt mbaje kryet t’and si gjithmon Difto-u e zonja; koha sot e don Ti t’çohesh përseri N’luftë t’mbarë për liri!
Se teje të madhe shpresë ushqen Shqipnija Me burra ti q’i len, t’gjatë si selvija, Sakola mali, shoq në bot’ që s’ kanë Si luaj e si dragoj plot forcë që janë, Që e derdhin gjakun prrue Atdheun për m’e shpëtue!
Ke bij që s’kanë drojë asnjë pikë As syni far’ u tutet, s’dinë as frikë Anmikut kur i sulen me rrebtsi Si breshni mi te hidhen me duhi.
Gra e vasha ke, si zana sy-mëdha Trimnesha qi Shqipnija din m’i ba Qi rrokin armët në luftë me gas tuj shkue Ja se me mund, ja se me dekun tuj luftue! Për nder të shtëpis s’vet; E falin shpirt e jet!
Kosovë, o trimneshë, lule e rrallë Detyrën tin’ e ke me dal sot n’ballë Se mbrrini koha, tokën për m’e mprue Anmiqt e motçëm jashtë me i dëbue Se mjaft e kanë robnue Dhe n’ zjarm e kanë prue!
A mund m’e durue pa pra kët zgjedhë Që të huejt para syve të t’venë ledhe Për me t’rrzue nër kamb’ e për me t’shkel Për me t’ba gjithë copë, mirë si ju del Dhe duersh mos të lëshojn’ Prej faqes s’dheut të t’shojn!
Disa “Serbi e vjetër” duen me i thanë “Maqedhoni” do t’ jerë emnin ja lanë! Atyne si u pëlqen kufijt i venë Shqipnija veç mbas dojes s’tyne me kjenë; Mendojnë pa turp kurrfarë Se s’ka nji komb Shqiptarë!
Përpara burra, rrokni hut’ e shpatë Prej zis pështonëje Kosovën e ngratë At’ nanën t’uej t’lidhun kamb’ e dur Q’ anmiqt e kan vorrue me dhe e me gur, Me lott qi qan e ankon E asnji nuk i ndihmon!
Shqyptarë mos kujtoni bes’ e fe Po nanën ju kujtoni qi u ka le Qi ka mbet fill e vetum si gru e ve Prej bijet e harrume mi ket dhe! Se ansht turp i math për ju Të huejt me i u çnderu!
Sot ora mbrrini, dita e bekueme Shqipnin m’e ba në bot’ një vent t’lirueme! Kosovës emnin me ja ngref te qilli Për çud të botës sa ka me shkëlzy dilli Me rrnue një Shqypni Si zonjë në lumni.
Shqyptarë, çoni-u, vllazën ora mbrrini Si Geg’ e Toskë nalt flamurin e ngrini! Një Manastir, Shkup, Shkodër e Janinë Një trup bani-e an’ e mb’anë Shqypninë Si ç’trimit mirë i prek Me nder n’luftë me dek! / KultPlus.com
…Kur e pashë për herë të fundit, ai mbante një kasketë vere dhe syza dielli. Ngjante i shpërqendruar, sikur ikte me ngut nga ndonjë ëndërr që e ndiqte pas. Edhe të folurit e kishte disi gungor, me ca zanore të zemëruara, që merrnin në thua herë në një fjalë dhe herë në një tjetër. Bablok, gjithë natën kam folë me të vdekur, për krye t’Lumit, nuk di çka ka me u ba me ne, kanë me e nda Mitrovicën, ke me e pa, a e ke pa çka ka thanë Çomski, jam tue shkru nji poezi, kanë me e pa! Hoqi kasketën verore dhe e rrotulloi nëpër duar, hoqi edhe syzat e zeza. Sytë e vegjël, nën vetullat e ulëta, ishin pa shprehje, disi të shpenzuar, të kurthuar në mes të një memorie të mjegullt.
Më pas pimë kafe në oborrin e Radios, nën ca bredha të mëdhenj, me hije halore, që të cimbisnin nëpër trup. Një kohë nuk folëm, pastaj thamë diçka pa rëndësi, pastaj sërish nuk folëm. Ali Podrimja u ngrit dy herë, i shkoi dikujt te tavolina, foli me të dhe u kthye duke turfulluar. Pastaj u ul përballë meje, shikoi qiellin dhe, i pakënaqur me pamjen e tij, iu kthye dritareve të epërme të godinës së Radios. Një grua hollake u ngrit nga tavolina pranë, u kthye nga ne dhe na buzëqeshi. Për mua ishte buzëqeshja e vetme e shumë ditëve të shkuara. Ali Podrimjes nuk i bëri përshtypje. Dukej i përqendruar në inatin e vet, të cilin sikur e kishte pikasur diku matanë dhe ia kishte ngulur sytë me një urrejtje të ligështuar. Bablok, mbramë e kam pa andër Azem Shkrelin, kish lanë mjekër, për kokë t’Lumit, nuk e njohta, m’tha se i kish botue edhe dy përmbledhje me poezi atje, n’botën tjetër, m’u duk mirë, ma i lumtur se kur ka qenë këtu.
Ali Podrimja qeshi, por pastaj u duk sikur u pendua për diçka dhe një pjesë të buzëqeshjes e la pezull. Në aneksin e Radios, andej ku kishte qenë dikur salla e koncerteve, u hap një derë xhami dhe për pak çaste u dëgjua një muzikë e prajshme. Pas pak dera u mbyll, tingujt u shpërbënë dhe ca hije drithëruese e të trazuara u dynden mbi gjelbërimin e nëpërdukshëm, duke kërkuar një peizazh ëndrre ku të preheshin.
Të gjithë duam të udhëtojmë, të zbulojmë vende të reja dhe të përjetojmë kultura të reja!
Megjithatë, ne priremi drejt të njëjtave pika turistike të mbushura me njerëz, pa eksploruar kurrë xhevahiret e fshehura të botës, sipas një artikulli të botuar në blog-un francez “Up-inspirer”.
Ekzistojnë kaq shumë destinacione të panjohura, që meritojnë vëmendjen tonë!
Një prej tyre është – Shqipëria – një vend me një trashëgimi të pasur historike dhe peizazhe që të lënë pa frymë.
Nuk duhet të mbështetemi vetëm në imagjinatën tonë për të kuptuar bukurinë e këtyre destinacioneve pak të njohura!
Disa udhëtarë – të cilët eksploruan vendin mesdhetar – kanë ndarë përvojat e tyre të paharrueshme.
Vizitorët u mrekulluan me bukurinë e egër të maleve dhe kulturën e pasur e të ruajtur të vendit.
Është pikërisht kjo përvojë unike që e bën vizitën në Shqipëri të paharrueshme!
Shqipëria, jo vetëm që ofron një eksperiencë unike udhëtimi, por gjithashtu mund t’ju çojë në thesare të fshehura, aventura të reja dhe histori të pabesueshme për të zbuluar.
Mos harroni, bota është e madhe dhe nuk ka mënyrë më të mirë për ta kuptuar atë sesa duke udhëtuar rreth saj! / KultPlus.com
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka njoftuar se tre monumente të Gjergj Kastriotit Skënderbeu janë inauguruar sot në Kalabri.
Ai tha se bëhet fjalë për monumentet Santa Sofia d’Epiro, San Basile dhe Zangarona.
Tre monumente të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, iu shtuan sot komunave arbëreshe në Kalabri: Santa Sofia d’Epiro, San Basile dhe Zangarona. Zemra e kujtimeve tona të përbashkëta lidhet me Gjergj Kastrioti Skënderbeun, Heroin tonë Kombëtar. Arbëreshët e morën me vete dhe e mbajtën atë gjallë në zemra. Ai është simbol i identitetit tonë kombëtar’, ka njoftuar ai. / KultPlus.com
Kur e pyetën për sekretin e bukurisë, Audrey Hepburn dha këtë intervistë, teksti i së cilës u lexua dhe gjatë funeralit të saj:
“Për buzë atraktive, flisni me mirësi.
Për sy të bukur, gjeni atë që është e mirë te njerëzit.
Për një linjë të mirë, ndani ushqimin me të varfërit.
Për flokë të bukura, lejoni fëmijët që me gishtat e tyre ti përshkojnë së paku një herë në ditë.
Për qëndrim të mirë, ecni me mendimin se kurrë nuk jeni vetëm.
Njerëzve, më shumë se gjërave, u duhet rinovim, rigjallërim, verifikim, gjykim dhe mbani mend: Kurrë mos e refuzoni askënd.
Mbani mend se po patët nevojë për ndihmë, do e gjeni në skajet e secilës dorë. Duke u rritur, do të zbuloni se keni dy duar: njërën për të ndihmuar veten, kurse tjetrën për të ndihmuar të tjerët.
Bukuria e gruas nuk qëndron në rrobat që ajo mban veshur, figurën e saj apo modelin e flokëve.
Bukuria e saj qëndron tek sytë, sepse ata janë dera e zemrës së saj, vendi ku dashuria buron dhe pushon.”/ KultPlus.com
Këtë javë Facebook më kujtoi se pesë vite më parë, në stinën e verës, kam lexuar pikërisht këtë libër, që pastaj më çoi tek “Revolta e Atlasit”. Eshtë një nga klasikët e të gjitha kohërave, që edhe pse i shkruar në vitin 1943 ende është i freskët. I përkthyer në mënyrë mjeshtërore nga Amik Kasoruho, romani rrëfen historinë e një arkitekti të ri rebel, betejën e tij kundër standardeve konvencionale dhe një histori aspak skematike dashurie, një hero atipik dhe ngre në kult individualizmin përballë filozofisë së turmave.
“Kujtime 1885 – 1925” – Eqerem Bej Vlora
Për të mbetur tek leximet “e rënda”, një libër voluminoz historie mund të lexohet më mirë se kurrë në ditët e pushimeve. Kujtimet e Eqerem Bej Vlorës është një ndër botimet më të mira në këtë fushë, një nga dëshmitë më interesante për këdo që dëshiron të njohë të shkuarën tonë në një nga periudhat më pak të njohura e njëkohësisht më të trazuara të historisë sonë. Kujtimet e shkruara në gjermanisht, janë përkthyer në shqip nga Afrim Koçi.
“Mikesha gjeniale”- Elena Ferrante
Për të qëndruar tek librat voluminozë, por për t’u kthyer tek letërsia, katër volumet e Elena Ferrantes janë një zgjedhje mjaft e mirë për pushimet. Tamam tamam, dalin e teprojnë për gjithë verës, sepse pasi lexon vëllimin e parë “Mikesha gjeniale” nuk mund të rrish kurrsesi pa lexuar tre të tjerët. Ata që kanë pritur deri tani, kanë fatin t’i lexojnë njëherësh, ndryshe nga ne të tjerët që këtë sagë napoletane e kemi ndarë në dy vera dhe dimra, nga një botim në tjetrin. Eshtë një nga historitë më të bukura që është shkruar ndonjëherë jo thjesht për miqësinë, por për një botë të tërë femërore.
“Tre shokë” – Erih Maria Remark
Kur vjen puna tek miqësitë, është titulli i parë, që të vjen në mend. Më i miri, për t’u rilexuar në verë. Ndonëse nuk është best-seller i nivelit ndërkombëtar, për arsye nga më të ndryshmet, është ndër librat më të dashur të shqiptarëve. Ndoshta për shkak të përkthimit mjeshtëror të Robert Shvarcit, ndoshta për shkak të melankolisë dhe fatalizmit të Remarkut, ndër më të spikaturit e “autorëve të brezit të humbur”. Në sfondin e një Gjermanie mes dy luftërave botërore, miqësia e shokëve të bërë bashkë nën armë dhe historia e dashurisë mes Robertit dhe Patit vijojnë të magjepsin edhe në ditët e sotme. Do të përloteni po njëlloj në fund, edhe në rileximin e dhjetë… “Pastaj erdhi mëngjesi – dhe ajo nuk ishte më”.
Gabriel Garcia Marquez– “Dymbëdhjetë tregime pelegrine”
Nga seria e rileximeve ose për ata që për arsye të ndryshme e kanë humbur botimin e viteve “90, libri me tregime të Marquez-it, përkthyer në shqip nga Mira Meksi përmban disa nga më të njohurat e tij: “Udhë të mbarë, zoti president”, “E shenjta”, “Avioni i bukuroshes së fjetur”, “Pajtohem me qira për të parë ëndrra”,”Fantazma gushti”, “Maria Dos Prazeres”, “Vera e lumtur e zonjës Forbes”, “Drita është si uji”, “Gjurmët e gjakut tënd mbi dëborë”. Në Barcelonë, një prostitutë e vjetër që trajnon qenin të qajë në varrin që ka zgjedhur për veten; në Vjenë, një grua që fiton jetesën duke parë ëndrra që parashikojnë të ardhmen; në Paris një grua që vdes pasi ka përshkruar qiejtë e gjysmës së botës me gishtin që pikon gjak; në Madrid dy vëllezër që mbyten teksa notojnë në dritë. Dymbëdhjetë histori mjeshtërore rreth jetëve të latino – amerikanëve me një kombinim të pazakontë të melankolisë, ngulmit, hidhërimit, dashurisë dhe të mbinatyrshmes, si gjithë letërsia magjike e Amerikës latine.
Isabel Allende- “Ishulli nën det”
Realizmi magjik është i preferuari im kur vjen puna për leximet e pushimeve. “Ishulli nën det” veç shezlongut më la dhe një natë pa gjumë, e kam lexuar me të njëjtën drithërimë si dikur “Shtëpinë e Shpirtrave”. Një roman i vendosur në Santo Domingo, Haitin e sotëm në vitin 1770, në mes të fushave të kallamit të sheqerit, në një botë skllevërish e sundimtarësh të bardhë, me zgjime dashurie e pasioni, plot me personazhe: ushtarë, skllevër luftëtarë, priftërinj vudu dhe murgj katolikë, zonja të rënda dhe kurtizane, piratë dhe fisnikë të rënë nga vakti, mjekë dhe bukuroshë dembelë… Me gjithë përbërësit e një romani që nuk shqitet nga dora.
“Bastardja e Stambollit”- Elif Shafak
Nëse Isabel Allende do të ishte turke dhe do të kishte jetuar në Stamboll, me siguri në vend të “Shtëpisë së Shpirtrave”, do kishte shkruar “Bastarden e Stambollit”. Një lloj realizmi tjetër magjik, ky i Elif Shafak, në një tjetër shtëpi të banuar vetëm me gra në Stamboll, ku në vend të fantazmave të Klarës së Allendes këtu enden xhindet e mira e të këqija, ku botët femërore dhe jetët e pazakonta ndërthuren me një histori të madhe dhune historike, si ajo e genocidit turko – armen dhe ku humori i zi bëhet bashkë me shijet e ushqimeve.
“Flokëkuqja”- Orhan Pamuk
Nuk do kisha mbërritur kurrë të rrëmoja shkrimtarët turq, po të mos ishte për Orhan Pamukun. “Flokëkuqja” është më i fundit roman i tij, që luan me mitet e Lindjes dhe të Perëndimit, atë të Edipit të Sofokliut (atëvrasjes) dhe Rustemit e Syhrabit (djalëvrasjes). Duke vendosur në qendër një grua flokëkuqe që vërtit botën e vogël të rrëfimit, Orhan Pamuku ngre një histori të mrekullueshme të dashurisë së përbotshme babë e bir, duke përfshirë në të shndërrimin e Stambollit dhe të vetë kësaj bote të madhe.
“Origjina”- Dan Brown
Për një enciklopedi të plotë, por edhe për të mbajtur frymën pezull nga kapitulli në kapitull Dan Brown është më i miri. Ndaj dhe zakonisht është i pari që zgjedh për të lexuar në verë (ndodh që ta ruaj librin nëse del në dimër, thjesht sepse e di që do të m’i bëjë pushimet më të bukura). Sërish në këtë roman, profesori Robert Langdon rikthehet në një tjetër aventurë me simbole të fshehura, vrasës, gra të bukura dhe çështje nga më thelbësoret në botë. Kësaj radhe pyetja është ajo e para, zanafilla: nga jemi krijuar? Një tjetër përplasje e shkencës me fenë, në një tjetër udhëtim, kësaj radhe nëpër Spanjë, nga Bilbao në Madrid dhe Barcelonë.
“Hija e erës”- Carlos Ruis Zafon
Për ta mbyllur po në Barcelonë. Me një histori që flet për një libër të mallkuar, për njeriun që e ka shkruar, për dikë që ka rrëshqitur nga faqet e një romani për ta djegur atë, për tradhti dhe miqësi të humbur. Është historia e dashurisë, e urrejtjes dhe e ëndrrave që gjejnë strehë nën hijen e erës, një histori që fillon dhe mbaron në një varrezë që quhet “varreza e librave të harruar”. Ky libër bëri që pena e Zafonit të kthehej në strehëzën më të dashur të atyre që e duan ende leximin. “Librat janë si pasqyrat, ku gjejmë vetëm atë që kemi brenda nesh dhe leximi përfshin mendjen dhe zemrën, që po bëhen gjithmonë e më të rralla”, thotë autori në fund të romanit: një thënie që të nxit të mos e vendosësh më në raft, por ta mbash përpara syve, si për të të kujtuar që jeta nuk mjafton për të lexuar të gjithë librat që do të doje./ KultPlus.com
Gazetarja e kulturës, Jetona Koçibelli ka hapur në COD ekspozitën e radhës, të titulluar “BACKSTAGE SHOW”.
Koçibelli njoftoi për këtë aktivitettë lidhur me lirinë e media, në një postim të saj në rrjetet sociale në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit (3 maj).
“Liria e medias është një postulat universal, por vetëm në botën demokratike ka vlerë! Sa më shumë demokraci të ketë një shoqëri, aq më shumë liri do ketë dhe media! Pra, edhe media, është produkt i shoqërisë! Si të jetë shoqëria, atë fytyrë ka dhe media! Nisur nga episodet e shumta dhe jo vetëm, dilema është kjo: a është në të vërtetë demokratike shoqëria jonë, sistemi ynë?
Në kronologjinë historike lind pyetja: A ishte demokratik apo çfarë sistemi kishte Shqipëria pas shëmbjes së regjimit komunist, kur filloi persekutimi e lincimi i gazetarëve opozitarë?”, shkruante ajo në postim.
Sot ekspozitën e vizitoi edhe Kryeministri Edi Rama, i cili shprehet se ekspozita e veçantë e gazetares Jetona Koçibelli në kryeministri për Lirinë e Shtypit, ia vlen të vizitohet.
Ekspozita BACKSTAGESHOW, e kuruar nga Koçibelli në Qendrën për Hapje dhe Dialog, çel për publikun dilemen nëse: Liria është një nocion gjeneralist!
“Sot kemi liri të shfrenuar falë epokës digjitale, ku kemi zëvendësuar paradoksalisht parrullën komuniste “Gjithë populli ushtar” me parrullën demokratike “Gjithë populli gazetar”, shprehet Koçibelli.
Ekspozita do të jetë e hapur për publikun në COD, Biblioteka e Kryeministrisë, në datat 4 – 9 maj 2024, në oraret 9:30-14:00 dhe 17:30-20:30./atsh/ KultPlus.com
Ish-depot e ushtrisë në Seferan janë transformuar në një galeri arti ku do të jenë të hapura për publikun, si një destinacion kulturor për këdo që viziton Belshin. Në praninë e dhjetërave piktorëve me famë ndërkombëtare nga Kanadaja, Kina, Peruja, Turqia, Çekia dhe shumë vende të tjera, është hapur galeria “2 Botët” që është konceptuar dhe kuruar nga artisti i njohur shqiptar Helidon Haliti.
Me mbështetjen e Bashkisë Belsh dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit, kuratori Haliti tha se është koha që teprocat e dikujt janë pasuri për dikë tjetër.
“Është koha që të bashkon dy botë, atë të para ‘90 të mbushur me bunker, me depo, teprica, sot ne e kemi pasuri dhe po e kthejmë në një art. Them sot sepse turizmi është në zhvillim dhe vëmë re që galeritë mungojnë. Para tre muajsh filluam punën këtu me Bashkinë e Belshit, ramë absolutisht dakord, që këtë depo të vjetër ta kthejmë në një mënyrë kaq autentike në një muze të vogël arti ku sigurisht nuk do të jetë e një individi. Do të jetë një sallë e jashtëzakonshme, shumë origjinale pikërisht për të ekzposuar artistët nga trevat dhe ata kontemporanë nga e gjithë bota”, deklaroi Haliti.
Sipas tij, kjo hapje e galerisë vjen si inaugurim dhe në prag të festivalit të akuarelit ku të pranishëm do të jenë 20 nga mjeshtrat më të mëdhenj të akuarelit në të gjithë botën të cilët do do të pikturojnë sepse vetë Shqipëria e provokon këtë lloj mënyre pikturimi.
“Ndërkohë që kulinaria padyshim zhvillohet në këtë zonë në mënyrë fantastike. Ndërsa në zonë po bëhet investime, Fondi Shqiptar për Zhvillim me sa pashë ka bërë kapanone të ndryshme ku mund të zhvillohen edhe ato startupe për të zhvilluar ndoshta prodhim qeramike apo mozaikë sepse ne nxjerrim studentë të ndryshëm ku duhet të poziconen”, tha artisti i njorhur shqiptar.
Më tej, Haliti theksoi se të rinjtë e zonës padyshim duhet të mësojnë nga mjeshtrat e mëdhënj që do të vijnë të performojnë, do të vijnë të demostrojnë në galeri.
“Duke i dhënë komuntietit këtë galeri e cila dukej si një depo para disa kohësh dhe sot kthehet në një pikë kontemporane, i japim mundësi padyshim dhe turistëve të ndryshëm që të kenë çfarë të shohin, jo vetëm ato kabinat e rehatshme të mrekullueshme apo hotelet, apo bujtinat që kanë ngritur shumë. Dhe sigurisht kulinaria që zë gjithmonë vend. Atëherë tani kemi dhe art dhe duam që të gumëzhijë”, përfundoi Helidon Haliti.
Gjatë fjalës në hapjen e galerisë, Kryetari i Bashkisë së Belshit, Arif Tafani, tha se nisma të tilla synojmë që këto bukuri natyrorre të promovohen përmes artit si një destinacion të rëndësishëm turistikv anë e mbanë globit.
“Mirësevini në këtë ekspozitë dhe galeri shumë të bukur. Dua t’I uroj mirëseardhjen artistëve të njohur ndërkombëtarë që kanë ardhur në Belsh. Mirë se keni ardhur në ktë relike të vjetër që para disa muajsh nuk shihej me sy, por një artist I madh si Helidon Haliti e ka transformuar në një ekspozitë, në një galeri shumë të bukur. Urime Helidon për këtë aktivitet dhe shumë projekte të tjera që do të pasojnë”, u shpreh Tafani.
Kryetari i Shoqatës Ndërkombëtare të Akuarelistëve, Atanur Dogan, tha se sa herë që vjen në Shqipëri shikon diçka ndryshe dhe gjithmonë më atraktive. “Ne jemi shumë të gëzuar që Helidoni ëhstë një nga drejtuesit tanë të Shoqatës Ndërkombëtare të akuarelistëve, duke përfshirë nga 120 përfaqësuesit nga vende të ndryshme dhe ai ka bërë një punë të shkëlqyer për komunitetin tonë gjithashtu dhe për Shqipërinë. Jemi shumë të impresionuar dhe duam që të vijmë sërish në Shqipëri”, deklaroi artisti i njohur ndërkombëtar./ atsh/ KultPlus.com
Sot janë shënuar 85 vjet nga lindja e shkrimtarit Amos Oz.
Oz ka shkruar 18 libra në gjuhën hebreite dhe afër 450 ese dhe artikuj. Veprat e tij janë të përkthyera në më shumë se tridhjetë gjuhë të botës.
Para disa vitesh në një intervistë me Rudina Xhungën, ai u shpreh edhe për Kosovën dhe për Pavarësinë e Kosovës.
RUDINA XHUNGA: Tani do doja të flisnim pak për vendin nga unë vij, për Shqipërinë dhe Kosovën gjithashtu, sepse kur Kosova shpalli pavarësinë e saj unë kisha me vete librin tuaj, kur tregoni pavarësinë e Izraelit?
AMOS OZ: Unë nuk di mjaftueshëm për historinë dhe rrethanat e Kosovës, por në mënyrë instiktive, kur një popull shpall pavarësinë e tij, simpatia ime është me të. Kjo është e vërtetë për sa i përket izraelitëve, kjo është e vërtetë për palestinezët dhe kjo është e vërtetë edhe për kosovarët.
RUDINA XHUNGA: Po për historinë që lidh Shqipërinë me Izraelin, për kohën kur Holokausti na bashkoi dhe shqiptarët u hapën dyert izraelitëve?
AMOS OZ: Ne gjithmonë do ta kujtojmë me falënderim dhe për mirë Shqipërinë, pasi në Evropë ka pasur shumë pak dyer që u hapën për hebrenjtë, shumë pak dyer dhe derën e Shqipërisë ne gjithmonë do ta kujtojmë për mirë.
RUDINA XHUNGA: Faleminderit. Ju kujtohet ajo kohë dhe raporti që keni me atë kohë? E pyesni herë pas here veten, ç‘qe ajo urrejtje, pse ndodhi Holokausti?
AMOS OZ: Holokausti na shoqëron ne gjithë kohën, madje edhe nipërit e njerëzve që kanë përjetuar Holokaustin akoma i përjetojnë traumat, dhe akoma pyesin veten çfarë ndodhi, por asnjëri prej nesh nuk ka përgjigje, ka shumë përgjigje, por nuk ka një përgjigje të vetme. Ka një përgjigje që thotë: s‘duhet të jesh kurrë i dobët, ka një përgjigje tjetër që thotë: kurrë nuk duhet të jesh johuman dhe ka një përgjigje të tretë që thotë: duhet të kishim ardhur të gjithë në shtetin e Izraelit në kohën e duhur, dhe ka një përgjigje të katërt që thotë: që edhe në shtetin e Izraelit ka nga ata që duan të na shfarosin dhe ka përgjigje të pestë, të gjashtë dhe të shtatë. Pothuajse çdo izraelit ka një përgjigje të ndryshme./ KultPlus.com
Janë krijues të shquar të kulturës dhe letërsisë shqiptare ata që krijimet e tyre i bënë në formë libri në Zarë. Ndër ata që do t’i përmendim janë edhe mësues të gjuhës shqipe, të cilët ishin caktuar të ligjëronin gjuhën e tyre shtesë, për nxënësit shqiptarë atje. Mbase edhe ajo largësi nga vendlindja ua nxiti edhe më fantazinë krijuese dhe përmallimin atdhetar. Janë të ditura më se pesë vepra, të cilat janë botuar mbase edhe shkruar në Zarë.
Pashk Bardhi (1870-1947) nga Shkodra, mësues i gjuhës shqipe, gjuhëtar dhe leksikograf, e kishte shkruar me pasionin e një studiuesi një vepër, për të cilën fitoi njohuri për së afërmi. Kështu kishte bërë një studim të rëndësishëm, me përkushtim, për këtë të folme arbneshe. Puna e tij u kurorëzua me botimin e veprës studimore “Gjuha shqype e arbëneshvet në Zarë”, (Zadar,1905). Ai, ngase jepte mësim në Shkollën Normale të Zarës, mblodhi edhe gojëdhëna e fjalë të rralla në këtë mes, të cilat i botoi në të përkohshmet “Ylli i dritës” dhe “Albania”, por këto materiale ishin edhe materiale plotësuese për “Fjalorin e ‘Bashkimit’”. Këtu, mbase për herë të parë u panë dhe u evidentuan lashtogjuha e këtij grupi shqiptarësh, të cilët të folmen gegërishte të veriut të Shqipërisë e kishin konservuar në mënyrën më të saktë, vetëm nga pamundësia për të komunikuar më me atdheun e tyre dhe me ndryshimet që kishte pësuar gjuha shqipe atje. Vdiq në vendlindje.
Gjergj Fishta (1871-1940) nga Shkodra, poeti i epikës kombëtare dhe atdhetari i dëshmuar, dy herë u dëshmua si autor i botimit të veprave letrare atje. Së pari ai botoi vetëm një pjesë nga vepra e tij kapitale “Lahuta e Malcis”, titulluar “Te ura e Rrzhanicës”, madje dy herë radhazi, (Zadar, 1905 dhe 1907) ishte e para, dhe tjetra, po e Gjergj Fishtës, “Pika voëset”, (Zadar, 1909). Ai asnjëherë dhe në asnjë vend nuk e ndaloi veprimtarinë atdhetare dhe krijuese. Vdiq në Shkodër.
Kostandin Kotte (1889-1950) nga Korça, është intelektuali tjetër, e kishte dëshmuar talentin krijues letrar me botimin e një drame, “Shpërblimi i gjaksís”, pjesë në tri akte (Zadar, 1929). Ai ishte marrë me aktivitete politike e pushtetore. Kishte migruar për njëfarë kohe jashtë atdheut, pas pushtimit të Italisë fashiste. Pasi dorëzohet në Shqipëri, burgoset dhe vdes në burgun e Burrelit.
Ernest Koliqi (1903-1975) nga Shkodra, shkrimtari e studiuesi i shquar i letërsisë shqipe, si dhe i përkushtuari për arsimimin e shqiptarëve, në trojet shqiptare si dhe jashtë saj, botoi veprën e vlerave të rralla artistike “Hija e maleve”, (Zadar, 1929). Ai edhe para kësaj e kishte botuar një vepër në Tiranë, “Kushtrimi i Skënderbeut”, më 1924. Edhe në Itali, ku kishte jetuar pjesën e dytë të jetës, kishte qenë profesor i gjuhës e letërsisë shqipe në universitete prestigjioze atje. Vdiq në Romë.
/Shtjefën Konstantin Gjeçovi-Kryeziu (1874-1929) nga Janjeva, njeriu i shumësisë së aftësive intelektuale dhe artistike, ngase njihet edhe si arkeolog, folklorist, dramaturg, poet, etj., kudo që u gjend u aktivizua në mbledhjen e materialeve nga arkeologjia shqiptare, krijoi vepra letrare përherë me theks kombëtar si dhe luftoi me çdo mjet kundër shkombëtarizimit të shqiptarëve, si në Zarë, Pejë, Rubik, Laç e vende të tjera, ku kreu shërbimin e meshtarit.. Në Zarë ai ishte në detyrën e mësuesit të gjuhës shqipe, ku e kishte shkruar po këtu një nga dramat e shumta të tij më temë atdhetare, “Tradhti gjaksore (vrasja e Marka Kulit)”, dhe atë në vitin 1906. mu për shkak të veprimtarisë atdhetare, ai u vra nga serbomëdhenjtë në Zym të Hasit. (Marrë nga Shqiptarët e Zarës). / KultPlus.com
Sot në qytetin Eger të Hungarisë është bërë zbulimi i bustit të heroit kombëtar shqiptar, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.
Busti është vendosur në sheshin ‘Skënderbeu’ në Eger të Hungarisë, me ç’rast u mbajt një ceremoni e organizuar nga Konsulli i Nderit i Shqipërisë, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Budapest dhe Bashkia e Egerit.
Busti u financua nga veprimtari shqiptar, Avni Hafuzi, njëherit Konsull i Nderit të Shqipërisë në Hungari, i cili jeton dhe vepron në Budapest të Hungarisë. / KultPlus.com