Komiteti për buxhet i Gjermanisë ka hapur rrugën për paketën e re të ndihmës ushtarake për Ukrainën në vlerë prej 3 miliardë eurosh, pasi Friedrich Merz – kancelari në ardhje –po shtyn përpara rritjen e investimeve në mbrojtje.
Të dy dhomat e Parlamentit gjatë kësaj jave miratuan planin e konservatorëve të Merzit dhe Socialdemokratëve, të cilët po zhvillojnë bisedime për formimin e Qeverisë së re gjermane.
Planet e Merzit për shpenzime të miratuara nga Dhoma e Lartë e Parlamentit më 21 mars mundësojnë krijimin e një fondi prej 500 miliardë eurosh për shpenzime në infrastrukturë dhe lehtësim të rregullave të huas, duke mundësuar shpenzime më të larta në mbrojtje.
Ndërkaq, vendimi i Komitetit për buxhet u konfirmua nga ministrja e Jashtme, Annalena Baerbock.
Në paketën prej 3 miliardë eurosh përfshihen 2.547 miliardë nga Ministria e Financave që do t’i jepen Ukrainës këtë vit, të plotësuara edhe nga kontribute tjera, përfshirë një rimbursim nga Mekanizmi Evropian i Paqes.
Ministria gjermane e Financave po ashtu planifikon të autorizojë 8.252 miliardë euro për ndihmë ushtarake për Ukrainën për periudhën nga viti 2026 deri më 2029, duke bërë që totali i ndihmës të arrijë në 11 miliardë euro.
“Ishte koha” që Komiteti parlamentar të hapte rrugën për përdorimin e fondeve dhe Gjermania tani po vendos ritmin për mbështetjen e Evropës për Ukrainën, tha Baerbock përmes një deklarate.
“Situata ushtarake e Ukrainës është bërë më e vështirë në muajt e fundit”, shtoi ajo.
Anëtarët e Bashkimit Evropian, udhëheqësit e të cilëve u mblodhën këtë javë për të diskutuar ndihmën për Ukrainën, janë nën presion që të shfaqin angazhimin e tyre për Ukrainën e cila po përballet me pushtimin rus, pasi pasiguria po rritet lidhur me të ardhmen e garancive të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara nën udhëheqjen e Donald Trumpit. /REL/ KultPlus.com
Rudina Xhunga prezantoi në Londër dokumentarin “Në besë të shqiptarëve” një prodhim historik i Dritare TV.
Një histori e jashtëzakonshme e fjalës së dhënë, premtimit të mbajtur, e virtytit të shqiptarit autokton, Besës.
Një realizim i mbështetur jo vetëm në materiale arkivore të huaja, por dhe dëshmitë e njerëzve të fundit mbetur gjallë nga vitet e një ngjarjeje unike në tokën tonë.
Dokumentari pas prezantimit në Tiranë, ka rrugë për të bërë, për t’u shfaqur në qendrat kryesore të Diasporës./ KultPlus.com
Pranvera Hyseni, astronomja shqiptare nga Kosova, ka përfaqësuar vendin në njërën nga konferencat më të mëdha të shkencës planetare në Houston, Teksas, ku mbi 2 mijë shkencëtarë dhe studentë nga e gjithë bota ndajnë kërkimet e tyre më të fundit.
Së fundmi, Hyseni ka treguar se tashmë ajo është zyrtarisht kandidate për doktoratë. Ajo ka kaluar me sukses provimin e kualifikimit për doktoratë dhe zyrtarisht ka avancuar në fazën e kandidaturës.
Më poshtë gjeni postimin e saj të plotë:
Zyrtarisht Kandidate për Doktoratë!!!!
Pas tri orëve intensive, nën trysninë e pyetjeve të njëpasnjëshme e tejet sfiduese nga komisioni im, sot e kalova me sukses provimin e kualifikimit për doktoratë dhe zyrtarisht avancova në fazën e kandidaturës! E veçanta është se pikërisht në këtë ditë, tre vite më parë, diplomova me Master nga Universiteti i Kalifornisë në Astronomi Planetare. Sot, jam një hap më afër për t’u bërë Dr. Hyseni.
Rruga përpara mbetet e gjatë, por sot ishte një ditë për t’reflektu dhe për tu ndje shumë mirënjohëse për këtë rrugëtim. Faleminderit nga zemra për mentorët dhe komisionin tim për mbështetjen dhe besimin që kanë pasë në mua./ KultPlus.com
Në se të duhen trena për t’ia mbathur botës E anije me vela që udhëtimesh të shpien larg Për të kërkuar diell që t’a mbash në sy E kengë që ti lehte mund t’i kendosh atëhere …
Në se të duhet agimi për të besuar të nesërmen Dhe të nesërmen që të mundësh të shpresosh Për të gjetur shpresën që të kap për dore Për të gjetur dorën që ti ke braktisur Atëhere …
Në se do të dëgjosh rrëfime e fjalë të moçme pleqsh Për t’u ngushëlluar për ato që s’ke bërë dot Në se poezia për ty humbet vlerë e bëhet lojë E në se jeta jote nuk është veç një pleqëri Atëhere …
Në se do të duhet pak mërzitje për t’u dukur i thellë A rrëmujë qytetesh për të harruar çdo zhgënjim E pastaj delikatesë për t’a ndjerë vehten të denjë E pastaj zjarr e nevrik per t’u dukur i fortë trim Atëhere…
Fjala e mbajtur në ekspozitën e librave në Sunday Times, Londër, 1935
Kam vendosur të flas sot për bukurinë dhe kuptimin e dorëshkrimeve, sepse në ditët tona ende nuk ka një përfytyrim të qartë as për kuptimin, as për bukurinë e këtyre thesareve të fshehura. Te krijimet e arteve të tjera, kuptimi i tyre sikur del jashtë; bukuria e tyre nuk mbështillet me ndonjë tis misteri. Për shembull, një tablo e pikturuar nga një mjeshtër: na duhet veçse të afrohemi tek ajo dhe syri ynë të kënaqet me format, me ngjyrat e saj; vazoja e derdhur mjeshtërisht në bronz, qilimi që shndrit nga qëndismat larmingjyrëshe, duke na u shfaqur me gjithë bukurinë e lakuriqtë, sikur ata vetë, shterueshëm, e nxjerrin thelbin e tyre të mistershëm; kristali, monedhat, gurët e çmuar – që të mahnitemi prej tyre, mjafton vetëm t’u ngulim vështrimin. Këto thesare i kupton dhe i dëshiron pothuaj pa u menduar, kaq lehtësisht na magjepsin dhe sundojnë ndjenjat tona.
Në krahasim me to, një koleksion dorëshkrimesh nuk i thotë asgjë shikimit tonë. Po çfarë mund t’i duket tjetër syrit tonë një pirg fletësh të pluhurosura, gjysmë të kalbura, të ndotura, një tog letrash, aktesh dhe dokumentesh, në pamje të parë kaq të padobishme, saqë, po të mbeten po aty ku u gjendën rastësisht, një dorë e ngutur do t’i flakte si të ishin ca vjetërsira. Dhe, në të vërtetë, pamja modeste, së jashtmi, e dorëshkrimeve, ka qenë gjatë shekujve shkaku i zhdukjes së pakuptimtë të vlerave kolosale. Dorëshkrimet e Shekspirit, letrat e tij, shënimet, veprat e shquara e të panjohura muzikore, nëntë të dhjetat e gjithë letërsisë antike, shumë drama të Sofokliut dhe Euripidit, strofa të Safos – të gjitha u zhdukën vetëm sepse kuptimi dhe bukuria e këtyre faqeve të shenjta nuk ishin të qarta. Pikërisht, që të kuptohet rëndësia e thellë, e fshehur, e këtyre thesareve, është i domosdoshëm interesi i brendshëm për to. Vetëm zemrës, jo ndjenjave të jashtme sipërfaqësore, mund t’i shfaqet bukuria dhe vlera shpirtërore e dorëshkrimeve.
Por, jo çdokush mund të futet në mbretërinë e tyre të mistershme. Këtë mund ta bëjë vetëm ai që zotëron çelësin për arritjen e tyre, që e shtyn ajo forcë morale, që është më e mrekullueshmja, më e fuqishmja në botë – përulja. Që t’i kuptosh dorëshkrimet dhe pasi t’i kuptosh, t’i duash, që të mrekullohesh prej tyre, të emocionohesh dhe të entuziazmohesh, për këtë duhet, së pari, të mësohesh t’i duash njerëzit, tiparet jetësore të të cilëve janë ngulitur në to përjetësisht. Dorëshkrimi i Kits mbetet për ne një fletë e zakonshme letre e mbushur me shkrime, derisa vetëm përmendja e emrit të poetit të na zgjojë kujtimin e përulur për ato vargje hyjnore, që i lexonim dikur dhe që janë po kaq reale dhe të prekshme për shpirtin tonë, ashtu sikundër çdo shtëpi e këtij qyteti, si qielli mbi to, si reja mbi det. Që të ndiejmë dridhmën e përulur para njërës prej fletëve që ndodhet këtu, – para skicës së “Sonatës së hënës” – duhet që kjo melodi të kishte jehuar një herë brenda nesh. Vetëm atëherë, kur të sillemi me poetët, kompozitorët dhe heronjtë e tjerë të shpirtit dhe veprimit me ndjenjën e përuljes, na shfaqet kuptimi dhe bukuria e dorëshkrimeve të tyre.
Por, habitshmërisht i dyfishtë është qëndrimi ynë për gjenitë e njerëzimit. Nga njëra anë, ne nuk kemi dyshimin që ata ishin më madhështorë, më hyjnorë se ne, njerëzit e zakonshëm, të vegjël; ne e ndiejmë që ata janë mbi ne dhe kjo na ngjall një ndjenjë respekti më të thellë për ta. Por, nga ana tjetër, ne provojmë edhe ndjenjën e një kënaqësie të fshehtë kur e dimë që këta krijues hyjnorë, gjenialë, kanë qenë po ashtu si dhe ne, që ata të cilët shpirtërisht ishin mbi ne, kanë jetuar mes nesh, vdekatarëve të zakonshëm, kanë banuar në shtëpi, kanë fjetur në krevate, kanë veshur rroba, kanë shkruar letra; dhe kjo zakonshmëri na jep një gëzim modest, kur përulësisht ruajmë gjithçka që na kujton jetesën e tyre tokësore. Vetëdija krenare për afrinë tokësore të tyre me ne na lejon që të duam gjithçka, që ndjeshmërisht na kujton jetën e tyre, na nxit të studiojmë librat e shkruar për to, të koleksionojmë portretet e tyre dhe kujtimet e bashkëkohësve të tyre; por asgjë nuk shpalos kaq bindshëm dhe mrekullueshëm portretin e tyre artistik sesa dorëshkrimet e tyre. Sepse pikërisht në to pasqyrohet fytyra e vërtetë e artistit dhe ne sikur depërtojmë në faltoren e shenjtë të qenies së tyre – në studion e tyre.
Gëte, një nga këta të pavdekshëm, e pranonte “vlerën e pavdekshme”, siç thoshte ai, të dorëshkrimeve. Në njërën nga letrat e tij ai thoshte: “Duke soditur dorëshkrimet e njerëzve të shquar të së kaluarës, unë, si me magji, bëhem bashkëkohës i tyre. Dokumente të tilla nga jetët e tyre janë të shtrenjta për mua, në mos si portret, atëherë, në çdo rast, si një plotësim i dëshirueshëm apo zëvendësim i tij.”
E kam nxjerrë nga mbretëria e shpirtrave dëshmitarin e shquar i cili e ka vërtetuar dashurinë e tij për dorëshkrimet duke i koleksionuar ata; por Gëte nuk ka qenë i vetmi para të cilit u hap kjo botë magjike. Johann Sebastian Bach ruante dorëshkrimin e notave të Handelit, Beethoveni të Mozartit, Schumann të Beethovenit, kurse Brahmsi të të gjithëve bashkë. Ky varg i mahnitshëm zgjatet nëpër të gjitha kohërat, sepse pikërisht ai që krijon vetë, provon një përulje të vërtetë para krijimtarisë së të tjerëve, vetëm artisti është i aftë të kuptojë dhe ta shfaqë dashurinë, madje edhe për ato dukuritë më të veçanta dhe befasuese të artit.
Por, këta mjeshtra i kanë ruajtur letrat e mësuesve dhe sivëllezërve të tyre shpirtërorë jo vetëm si relikte; nga përvoja vetjake ata e dinin që pikërisht në dorëshkrime dhe jo vetëm në to, është fshehur një nga misteret më të thella të natyrës, mbase më i thelli. Sepse nga shumica e mistereve të pazbuluara të botës, më i thelli dhe më i shenjti mbetet misteri i krijimit. Këtu natyra nuk e duron përgjimin. Ajo nuk të lejon kurrë të kundrosh fshehurazi aktin e fundit të krijimit: si u krijua bota, si çel një gonxhe, si lind një varg, si lind një njeri. Pamëshirshëm, pa as më të voglën ndjesë, e ul perden. Madje, poeti apo kompozitori, dhe ata vetë që e përjetojnë procesin poetik apo krijimtarinë muzikore, nuk munden paskëtaj të shpjegojnë misterin e frymëzimit të tyre. Sapo krijimi u krye, artisti nuk mund të thotë asgjë se si lindi, si u rrit dhe u kristalizua; kurrë, apo thuajse kurrë, ai nuk mund të shpjegojë se si nga ndjenjat e tij sipërane lindi ky apo ai varg i magjishëm, apo nga tinguj të veçantë – një melodi që do të jehojë në shekuj.
Këtu, sikundër u thashë, natyra nuk e duron përgjimin, këtu ajo prerazi e ul perden e saj. Dhe e vetmja gjë që ajo mund të na rrëfejë qoftë një grimë, apo që të na afrojë fare pakëz në zgjidhjen e procesit të pakapshëm të krijimit, janë fletët e dorëshkrimeve. Ashtu si gjahtari pas gjurmëve më të lehta gjen bishën, ashtu edhe ne pas dorëshkrimeve – sepse ato janë gjurmët e jetës, gjurmët e krijimtarisë, – mund të ndjekim pas procesin e krijimit të figurës; duke na ngjallur ndjenjën më të thellë të respektit, ata ndërkohë së bashku me të na pasurojnë dijet. Ja, për shembull, një fletëz e bllokut të shënimeve të Beethovenit, ku është ngulitur një nga këto lëvizje prometeane.
Frymëzimi pothuaj kurrë nuk i erdhi Beethovenit kur ishte në tavolinën e shkrimit, por kurdoherë në ecje, në lëvizje. Fshatarët e rrethinave të Vjenës shpesh vërenin me habi një njeri jo shtatlartë, që vuante nga astma, i cili kokëjashtë endej fushave; ata e merrnin për të lojtur; “Murmuritësi”, – i thoshin sepse ai, si i çmendur, kurdoherë shihej duke murmuritur nën hundë, fishkëllente, këndonte, hapte duart sipas ritmit.
Befas, pasi ndalonte, nxirrte nga xhepi një bllok të vogël të bërë me njolla, duke e gërvishtur me laps plumbi ngutshëm, shënonte notat. Në këta rreshta të ngutur sikur kristalizohej prototipi, sido që të lindte: rrufeshëm, nxehtë; dhe ja, në sytë tanë ndodh çudia: fuqia magjike e dorëshkrimit befas na zbulon çastin e frymëzimit që nuk duket zakonisht, ashtu sikundër rrezet rëntgen bëjnë të dukshme për syrin tonë skeletin e njeriut. Më tej ju shihni fletë të tjera, në të cilat kompozitori zhdrivillon në kopje melodinë e skicuar fillimisht, e ndreq, pastaj i vë vizën dhe e nis sërish nga e para.
Dhe nga fleta në fletë ju ndiqni me emocion se si ndryshon gjatë punës gjendja shpirtërore e artistit. Këtu rreshtat shkrihen nxehtësisht dhe ngutshëm, duke e ndjekur me zor vrullin e frymëzimit; atje, duke u ndeshur, ata befas ndalojnë, ndërpriten, lindin sërish dhe përsëri këputen dhe ju e ndieni: poeti, kompozitori, nuk gjejnë këtu fjalën e duhur, kalimin melodik. Dhe si në një pasqyrë magjike ju del në pah: këtu – lodhje, atje – sfilitje, kurse në një zhgrapje tjetër nervoze – madje zemërim, dhe pastaj sërish vrull – tashmë te fitorja e radhës, përfundimtarja.
Dhe ja, më në fund, zë e ndriçon dielli i ditës së shtatë, bota u krijua, vepra u krye, formula e radhës, e fundmja, u gjend – kjo është forma e parë e shfaqjes në botë të një krijimi të pavdekshëm: skerco nga simfonia e nëntë ose “Manushaqja” e Mozartit në shënimin e fundit me dorën e vetë kompozitorit. Në dorëshkrim, më tepër se në çdo rrëfim, në çdo tablo, pasqyrohet fitorja e përjetshme e shpirtit mbi materien. I përjetshëm është edhe mendimi i Gëtes (Johann Wolfgang von Goethe): që të kuptosh veprën artistike, është pak ta njohësh në përsosmëri, duhet të gjurmosh se si ajo u krijua: prandaj shumë vepra letrare, shumë vepra muzikore ne mundemi, mbase, t’i pushtojmë në gjithë thellësinë e tyre vetëm atëherë kur me ndihmën e këtyre dorëshkrimeve e përfytyrojmë veten në atë botë, ku ata janë krijuar.
Dokumentet dorëshkrimore i lejojnë fantazisë sonë të përfytyrojë figurshëm jo vetëm gjendjen krijuese, por edhe episode historikisht të rëndësishme nga jeta e artistit. Nëse mendja njerëzore, tashmë e ngacmuar nga fantazia, do të vështrojë çdo episod të tillë si diçka të gjallë, atëherë asnjë fletë letre nuk do të na duket e vdekur, fëshfëritja e të cilave i ngjan fëshfërimës së gjetheve kur bien. Nganjëherë dorëshkrimi historik zotëron një fuqi të tillë tronditëse, saqë disa rreshta të tij janë në gjendje të rindërtojnë ndonjë skenë ku e ku më plastike sesa mund ta bëjë këtë një poet apo biograf.
Shikoni, për shembull, një letër të Beethovenit, të shkruar pak përpara se ai të vdiste. Tre muaj radhazi, kompozitori i sëmurë nuk çohet nga krevati, trupi i tij i fortë dhe i bëshëm, tashmë i pafuqishëm dhe i lehtë si i një fëmije, dora e tij e tretur, pa gjak, tanimë nuk është në gjendje të shkruajë një rresht. Ai nuk dyshon që vdekja është aty afër, ndërkohë e kanë pushtuar telashet sfilitëse. Si do të jetojë tani, kur nuk mund të krijojë, me çfarë do ta paguajë apartamentin? Por ai e di se atje, larg, matanë La Manshit, është një vend ku e duan dhe e nderojnë.
Ai ka marrë një ftesë nga shoqata filarmonike e Londrës: atë e presin koncertet dhe paratë. Dëshpërimisht, thërret për ndihmë, me shpresë se britmën e tij do ta dëgjojnë përtej detit, por dora e tij tashmë nuk ka fuqi të mbajë as penën; letrën e shkruan Schindleri besnik, deri në fjalët e fundit tronditëse: “Jam tepër i lodhur, nuk mund t’ju them asgjë më shumë.” Pastaj ia zgjat letrën në krevat. Me një tendosje të pabesueshme, me gishtërinjtë që dridheshin, pa pikë fuqie, kompozitori nënshkruan poshtë “Beethoven”; kjo i kushton më shumë përpjekje se krijimi i sonatave apo simfonive. Dhe ky nënshkrim që dridhet, që është kaq torturues, nuk mund të mos tronditë çdo njeri që ka ndjenja, sepse këto germa Beethoven nuk i shkroi i vetëm: penën e mbante vdekja.
Në këto germa sikur ka ngrirë klithma e shpirtit, e sunduar nga tmerri më i thellë, një çast i paharruar, i ruajtur përjetësisht nga kjo fletë letre. Dhe – çfarë kontrasti befasues! – pranë shtrihet një fletë tjetër, dëshmia martesore e Mozartit. Gjithçka tek ajo frymon jetë dhe hare, rini dhe lumturi, germat sikur hedhin valle dasme; por ne e dimë që pikërisht në atë ditë, sapo u kthye në shtëpi nga dasma, Mozarti, si një fëmijë, u lëshua në vallëzim përqark tavolinës së bashku me nusen e re, sepse më në fund kishte arritur ta merrte “nusen e tij të vogël”, pavarësisht gjithfarë pengesash dhe kundër babait të rreptë.
Kështu, në njërën fletë disa rreshta përfshijnë në vetvete lumturinë më të madhe njerëzore, në tjetrën – hidhërimin më të thellë, dhe për atë që di t’i lexojë, jo vetëm me sy, por edhe me zemër, këto shenja të padukshme tregojnë jo më pak sesa bukuria e dukshme e librave apo tablove. Dorëshkrimet zotërojnë një forcë magjike, një aftësi që të ngjallë në të tashmen figura të njerëzve të ikur prej kohësh; pranë këtyre fletëve kalon si në një galeri pikturash dhe secila prej tyre të prek dhe të pushton. Duke vëzhguar koleksionet e dorëshkrimeve të artistëve, të ndarë nga njëri-tjetri prej hapësirës, kohës apo armiqësisë së ndërsjelltë në gjallje të tyre, padashur ndien përmes hapësirës dhe kohës dallimin e natyrave të tyre krijuese dhe së bashku me të larmia e shenjtë, me të cilën arti di të sundojë zemrat tona. Ja shkrimi i madh, i gjerë, serioz, i Handelit.
Aty ndihet një njeri i fuqishëm, i pushtetshëm dhe sikur dëgjohet kori i fuqishëm i oratorios së tij, në të cilin vullneti njerëzor pështillet në ritmin e rrymës së pafre të tingujve. Dhe sa këndshëm dallohet prej tij shkrimi i hijshëm, i lehtë, lojcak, i Mozartit, që të kujton stilin rokoko ma ato lulkat e lehta, të spërdredhura, shkrimi në të cilin ndihet vetë gëzimi i jetës dhe muzika!
Dhe ja hapi i rëndë, prej luani, i rreshtave të Beethovenit: duke këqyrur me vëmendje, ju sikur shikoni në to një qiell të mbuluar me re shtrëngate dhe ndieni padurimin vigan, zemërimin titanik që ka pushtuar zotin e shurdhër. Kurse pranë tij – çfarë kontrasti! – rreshtat elegantë, feminilë, sentimentalë, të Shopenit apo ata me hapje të plotë dhe njëkohësisht me përpikëri alla gjermane të Wagnerit.
Thelbi shpirtëror i secilit prej këtyre artistëve të shfaqet në këta rreshta të ngutshëm më dallueshëm sesa në diskutimet e gjata të muzikologëve dhe misteri, misteri i shenjtë i “unit” krijues të tyre shpaloset më i plotë sesa në shumicën e portreteve të tyre. Sepse dorëshkrimet, ndonëse nuk krahasohen nga bukuria e jashtme dhe tërheqja me tablotë dhe librat, gjithsesi, kanë ndaj tyre një përparësi të pakrahasueshme: ata janë të vërtetë.
Njeriu mund të gënjejë, të shtiret, të dorëzohet; portreti mund ta ndryshojë dhe ta bëjë më të bukur, libri mund të të gënjejë, letra po ashtu. Por në një gjë, gjithsesi, njeriu është i pandarë nga thelbi i tij i vërtetë – te shkrimi. Shkrimi e tradhton njeriun, do apo s’do ai. Shkrimi është i patjetërsueshëm, po ashtu si edhe vetë njeriu dhe, në ndonjë rast, rrëfen edhe më shumë, se për çfarë hesht njeriu.
Përgjithësisht, nuk jam i prirur të mbaj anën e atyre që mbivlerësojnë grafologët, të cilët pas çdo rreshti janë gati të sajojnë horoskopë të së ardhmes apo së shkuarës, – jo gjithçka mund të na japë shkrimi; por më thelbësorja te njeriu, si të thuash, kuintesenca e personalitetit të tij, gjithsesi jepet në të si në miniaturë. Nëse mësohemi ta çmojmë kështu shkrimin, ta lexojmë në këtë mënyrë, atëherë koleksioni i dorëshkrimeve bëhet për ne një shikim krejt i veçantë fizionimik i botës, një tipologji e shpirtit krijues.
Dorëshkrimet kanë, përveç të tjerash, edhe një rëndësi të jashtëzakonshme morale, sepse ata madhështisht na kujtojnë që veprat, të cilat na magjepsin në formën e tyre të përsosur, janë jo vetëm prej dhuntisë së gjeniut, por edhe fryt i një pune sfilitëse, vetëmohuese. Ato na tregojnë fushën e betejës, ku shpirti njerëzor lufton me materien, luftën e përjetshme të Jakovit me engjëllin; ato na shpien në thellësi të mbretërisë së Krijimit dhe na detyrojnë dyfish ta duam dhe nderojmë njeriun tek artisti, për hir të veprës së tij të shenjtë. Kjo është e gjitha ajo që e drejton bekueshëm shikimin tonë nga e jashtmja tek e brendshmja, nga e përkohshmja tek e përjetshmja, dhe prandaj ne duhet t’u qasemi këtyre fletëve të thjeshta me një bekim edhe më të madh për atë bukurinë e tyre të brendshme, sepse nuk ka dashuri më të pastër sesa dashuria për bukurinë e shpirtit. Gjithçka tjetër kalon, vetëm ajo rron përjetë, siç ka thënë poeti: “А thing of beanty is a joy for ever.” /KultPlus.com
Dita Botërore e Poezisë është rasti për të nderuar poetët, për të ringjallur traditat gojore të recitimit të poezisë, për të promovuar leximin, shkrimin dhe mësimin e poezisë, për të nxitur konvergjencën midis poezisë dhe arteve të tjera si teatri, kërcimi, muzika e piktura, si dhe për të rritur dukshmërinë e poezisë në media.
Pikërisht në këtë ditë artistja Vesa Guhelli ka publikuar një interpretim të bukur të poezisë Atdheut nga Gjergj Fishta.
Videoklipi është i shoqëruar me fragmente muzikore nga kënga Mallëngjimi të Muharrem Qenës.
Më poshtë mund ta gjeni videon e plotë./ KultPlus.com
Ylli brazilian Ayrton Senna vdiq më 1 maj 1994, pasi u përplas në San Marino Grand Prix 1994 – garat e Formula 1 – piloti i dytë që humbi jetën gjatë asaj që Bernard Charles Ecclestone, një ish-manjat britanik i biznesit e quajti – një fundjavë katastrofike.
Një nga tre pilotët brazilianë të “Formula 1” që u bë Kampion Bote, Senna fitoi 41 “Grand Prix” dhe vendosi 65 “pole position”, me këtë të fundit duke thyer rekordin deri në vitin 2006.
Senna filloi karrierën e tij në garat me “karting” dhe me pas në garat “open-wheel racing” në 1981 dhe fitoi Kampionatin Britanik të Formula 3 në vitin 1983.
Ai bëri debutimin e tij në Formula 1 me Toleman-Hart në 1984, përpara se të transferohej te Lotus-Renault për sezonin e 1985 dhe të fitonte gjashtë Grand Prix gjatë tre sezoneve të ardhshme.
Në vitin 1988, ai iu bashkua francezit, Alain Prost në McLaren-Honda. Ata fituan të gjitha garat, përveç njërit nga 16 Grand Prix atë vit, dhe Senna pretendoi Kampionatin e tij të parë Botëror.
Prost fitoi kampionatin në 1989, dhe Senna kampionatin e tij të dytë dhe të tretë në sezonet e 1990 dhe 1991.
Në vitin 1992, kombinimi Williams-Renault filloi të dominojë në Formula 1.
Senna arriti të përfundojë sezonin e 1993 si nënkampion, duke fituar pesë gara dhe duke negociuar një zhvendosje në Williams në 1994.
Senna u be i njohur për shpejtësinë e tij kualifikuese mbi një xhiro.
Nga viti 1989 deri në vitin 2006, ai mbajti rekordin për shumicën e “pole positions”.
Ai u vlerësua gjithashtu për performancat e tij në mot të lagësht duke fituar garat të tilla si, “Monaco Grand Prix 1984”, “Portuguese Grand Prix 1985” dhe “European Grand Prix 1993”.
Ai arriti një rekord me gjashtë fitore në “Monaco Grand Prix”, dhe është piloti i gjashtë më i suksesshëm i të gjitha kohërave për sa i përket fitoreve në “Grand Prix”, dhe ka fituar më shumë gara për McLaren se çdo pilot tjetër./ KultPlus.com
Sami Frashëri ishte një nga personazhet më të njohur dhe mendjet e ndritura të periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Gjatë jetës së tij intensive ai shkroi më shumë se 50 vepra, si fjalorë, enciklopedi, drama, vepra letrare etj., ndër të cilat edhe veprën “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, e cila vlerësohet edhe si “Traktati politik i çështjes kombëtare shqiptare”.
Më poshtë po sjellim disa nga shprehjet më të bukura të Sami Frashërit:
Përvoja është një shkollë, mësimet e së cilës kushtojnë shtrenjtë.
Duhen shumë mend që të mund të shoqërohesh me njerëz pa mend.
Në vend që të shesësh dituri dhe zotësi, përpiqu t’i fitosh ato.
Mendimet e larta gjenden në fjalë të shkurtëra.
Ato çka di njeriu, në krahasim me çka nuk di, janë kurgjë.
Kush zotëron veten e tij, nuk zotërohet nga asnjeri; nuk e mund dot asnjeri atë që mund epshet e tij.
Ai që pranon këshilla është më i madh se ai që jep, sepse, sa lehtë është të japësh këshilla, aq rëndë është t’i pranosh.
Ai që nuk është në gjendje të ecë në rrugë të sheshtë, mos e shtrëngo t’i ngjitet malit.
Njeriu, para së gjithash, duhet të mësojë shkallën e paditurisë së tij.
Paanësia është ajo që shkruan historinë, historia që shkruhet nga anësia, nuk është histori, është përrallë.
Sa ka frikë kusari nga qeveria, edhe tirani aq trembet nga shkrimtarët, e sidomos nga historianët.
Nuk duhet dyshuar për ndershmërinë e atij njeriu që e shajnë dhe e përbuzin lajkatarët.
Atdhetaria dhe humanizmi bëhen me punë e jo me fjalë; kush tregohet i tillë me fjalë, është nje mashtrues.
Historia është një procesverbal, i cili ligësitë e shekullit të tanishëm ia përcjell për gjykim gjykatës së opinionit publik të shekujve të ardhshëm.
Kalben njerëzit e ndershëm aty ku lartësohen lajkatarët.
I mençuri tregon shumë gjëra me pak fjalë; i marri flet tërë ditën dhe nuk tregon asgjë.
Edukimi nuk humb te njeriu me mendje dhe zgjuarësi të kufizuar, por mendja dhe zgjuarësia humbin te njeriu i paedukuar.
Një komb që nuk është në gjendje të dallojë lirinë nga robëria, është një fëmijë që ka nevojë të vazhdojë në shkollën foshnjore.
Dituria dhe shkenca i jep njeriut një armë në dorë, edukata e stërvit në përdorimin e asaj arme. Njeriu që nuk është i zoti të përdorë armën, po t’i jipet në dorë mund të vrasë shokët e vet; edhe një dijetar pa edukatë dhe me vese të liga, me diturinë e tij dëmton veten dhe të tjerët./KultPlus.com
Reagim i ashpër i Peshkopatës Rashkë – Prizren ndaj deklaratave të mia në emisionin e parmbrëmshëm “KOnfront” të Kohavizionit rreth ngjarjeve të vitit 2004, me ç’rast, nga ana ime, me argumente, kisha ortodokse e ndërtuar në hapësirat e Universietit të Prishtinë në vitin 1996, vlerësohet objekt i dhunshëm kishtar i ndërtuat nga Millosheviqi, në gurëthemelet e të cilit morën pjesë paramilitarët serb në krye me Arkanin dhe Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe nga Beogradi.
Kam theksuar dhe po ritheksoj se ky objekt i dhunshëm është dashtë të shembet menjëherë pas luftës, ose të kthehet në muze të gjenocidit serb. Në vend se të ndodhë kjo, para tri vitesh, kisha e dhunshme legalizohet, ngaqë Universiteti i Prishtinës, nuk kishte paraqitur mbrojtje juridike para gjykatës, siç ka ndodhur edhe me pronat e uzurpuara në Deçan nga Manastiri i atjeshëm.
Peshkopata e Rashkë-Prizrenit, e trimëruar nga sjellja antishtetërore e zyrtarëve të Universitetit të Prishtinës dhe të qeveritarëve të tjerë, që është dashtë ta ndalin këtë “dhuratë” kishës orotodokse serbe si dhe mos të lejojnë që krishtërimi ortodoks që u takon edhe shqiptarëve, të përvetësohet nga kisha ortodokse serbe, ngaqë kështu u jepen tapitë historike serbëve, kalon në ofanzivë, duke vlerësuar argumentet e mia si “nxitje shoveniste ndaj popullit serb në Kosovë dhe historisë së tij mesjetare”! Po ashtu, me të njëjtat shpifje sulmohet edhe teza ime për mashtrimet rreth shtetit mesjetar serb, të identifikaur me Rashkën e Nemanjajve, të bëra nga historiani S. Novajkoviq, libri i të cilit në universitetet amerikane, në saje të argumenteve që sjell vepra ime, ka humbë kredibilitetin ngaqë të ashtuquajturin “Kanun mesjetar të Perandorit Dushan” e falsifikon me përralla të klerikëve serbë nga Prizreni në shekullin XIX.
Në të vërtetë, reagim i Peshkopatës Rashkë-Prizren, si dhe ato paraprakët nga Akademia Serbe e Shkencave dhe e Arteve të Serbisë pas botimit të “Kosovës” në pesë vëllime dhe përkthimit të saj në anglisht në SHBA, ku tashmë ka fituar kredibilitetin e literaturës alternative për historinë e Europës Juglindore, trimërohen nga mosreagimi i insitutcioneve tona shkencore (Akademisë, Insitutit të Historisë dhe atij Albanologjik) kundër propagandës hegjemoniste të historianëve serbë dhe kishës ortodokse serbe për përvetësimin e historisë së Kosovës dhe të trashlëgimisë së saj kulturore, siç është krishtërimi i zyrtarizuar në shekullin IV nga perandori Justinian, kur sllavëst ishin në Karpate./KultPlus.com
Do të doja ta takoja tani një nënë që sapo e ka kuptuar që brenda saj po rritet nje fëmijë i cili ka sindromen Down, apo një nënë që sapo solli në jetë një fëmije e që mjeket nuk e uruan, por e ngushëlluan për faktin qe femiu i saj lindi i prekur me sindromen Down, e t’ia them këto fjalë që burim kanë zemrën time dhe secilën eksperience timen me buzëqeshjen e dashurinë e ofruar nga çdokush i prekur me këtë sindromë.
Dua t’i tregoj që në librat e biologjisë edhe sot akoma shkruhet qe personat me sidromen Down jetojnë deri në 12-13 vjeç, e disa prej miqve të mi tashmë i kane kaluar te 40-at. Dua t’i tregoj qe shumë vite më parë dëgjoja fjalë nga me te ndryshme për personat me sindromen Down, qe janë të egër, shumë hiperaktiv, kokëfortë, ngacmojnë njerëzit e gjithfarë epitetesh jo të mira. E gjate këtyre viteve e kam kuptuar qe këto fjale vinin prej njerëzve që nuk kanë dashur t’i njohin miqtë e mi, nga ata njerëz qe asnjëherë s’kanë bërë ndonjë muhabet më të gjatë, nga ata shok që kurrë nuk i përfshinë ne lojën e tyre, nga ata njerëz qe i kane konsideruar si të sëmurë, nga ata njerëz që se kanë njohur kurrë dashurinë e vërtetë. Po, edhe femiu yt’ mund te kalojë nëpër situate të tilla e te etiketohet me gjithfarë emrash nëse ti e konsideron lindjen e tij si ndëshkim e fatkeqësi, por besojini zërit tim qe dridhet se fjalët po me vijnë prej shpirti e zemre që sindroma Down NUK është fatkeqësi, fatkeqësia më e madhe është veç padituria që nuk i lejon njerëzit me kuptu që çdo njeri që e ka afër një person me sindromën Down është i bekum sepse dashninë, ndjenjën e mirë dhe të qeshurën që ju rrjedh prej shpirtit që ta dhurojnë ata rralle mundesh me e marr prej dikujt tjetër. Miqtë e mi e dinë saktë kur kam nevojë për dashuri dhe përqafime, mjafton me më pa ne sy, edhe ata kane me e kuptu çdo ndjenjë timen. Ata më kanë bërë ta kuptoj sa e bukur është jeta dhe se ka njerëz që dhurojnë dashuri pa kushte, pa pretendime, pa etiketime, ata e pranojnë çdo njeri ashtu siç është, sepse krejt çka shohin është dashni e mirësi, ashtu siç do te duhej te ishte çdo njeri. E di, edhe e kuptoj qe mund te jete e vështire për ty në fillim e që i bën vetes pyetje te llojit, pse me ndodhi kjo mua ? Çfarë kam bere unë që të kem një fëmijë të tillë? Këto pyetje do të fillojnë te zbehen me rritjen e femiut tënd, atëherë kur ta kuptosh që ai është i aftë që vetëm përmes një buzëqeshjeje, ai do ta dhuroj dashurinë e gjithë botes, qe ai do t’i gëzohet prezencës tande e që përmes veç një fjale e përqafimi do ta hekë barrën tende mbi supe. Personat me sindromen Down janë ëndërrimtarë, ata e shohin boten pa luftë, pa krime, pa tradhti, pa ligësi, e shohin boten ashtu siç duam ta shohim të gjithë. I vetmi dallim mes nesh edhe personave me sindromen Down nuk është kromozomi shtese, as pamja, e as kurrgjë tjetër përpos asaj që ne i bëjmë pikërisht gjerat që i luftojmë, i bashkëngjitëm luftës, nënçmojmë, dhurojmë urrejtje, e ata nuk i pranojnë këto koncepte, por dhurojnë veç dashuri, mirësi e ëmbëlsi që ua flet krejt trupi e shpirti. Do te doja ta takoja atë mjekun qe sapo i tha një nene, me vjen keq por femiu yt’ është me sindromen Down, t’i tregoj qe nëse secili njeri ne bote te kishte afër një person me sindromen Down, bota do të ishte vend shumë më i lumtur. E do te doja qe mbiemri i zbuluesit te këtij sindromi te mos ishte John Langdown Down, por John Langdown Love, kështu sindroma do te merrte emrin “Love Syndrome” , sepse miqtë e mi dhurojnë veç dashuri”./KultPlus.com
Sot, shënohet Dita Botërore e Poezisë. Që nga viti 1999, 21 marsi është shpallur nga UNESCO dita botërore e poezisë.
Në kuadër të kësaj dite, po paraqesim sot poezinë më të hershme në gjuhën shqipe, që është “Kënga e përshpirtshme”, gjetur në katekizmin e Lekë Matrangës “E mbsuame e krështerë”, në vitin 1592.
Kënga e përshpirtshme
Gjithëve u thërres, kush do ndëlesë Të mirë e të krështe, bura e gra Mbë fjalët të tinëzot të shihni meshë Se s’ishtë njeri nesh çë mkatë s’ka E lum kush e kujton se ka të vdesë E mentë bashkë mbë tënëzonë i ka Se Krishti ndë parrajsit i bën pjesë E bën për bir të ti e për vëlla.
Lekë Matranga (1569-1619), është shkrimtari më i vjetër i arbëreshëve të Italisë dhe autori i librit të dytë të botuar në gjuhën shqipe (pas atij të Buzukut). Për nevojat kishtare të bashkëkombësve të vet përktheu nga italishtja në gjuhën amtare një katekizëm me titull “E mbsuame e krështerë”, i cili u botua në Romë në vitin 1592. Nga dorëshkrimi i autorit, i zbuluar në Arkivat e Vatikanit, gjendet një vjershë me 8 (tetë) vargje njëmbëdhjetërrokëshe.
Me këto vargje, të natyrës fetare, një lutje dhe përgjërim drejtuar besimtarëve, dokumentohet poezia e kultivuar në letrat shqipe, duke shënuar fillimin e poezisë autoriale. / KultPlus.com
Ti je për mua një krijesë e trishtë një lule e përkohshme poezie që bash në çastin kur e gëzoj dhe provoj të dehem e ndiej që ikën larg shumë larg, për mjerimin e shpirtit tim mjerimi im i trishtë. Kur të shtrëngoj çmendurisht në zemër dhe ta thith gojën, gjatë, papushim, jam i trishtuar, vogëlushe, sepse e ndiej zemrën time shumë të lodhur duke të dashur kaq keq. Ti ma jep gojën tënde dhe bashkë përpiqemi ta gëzojmë dashurinë tonë që kurrë s’do të jetë e lumtur sepse shpirti në ne është shumë i lodhur nga ëndrra tash t’ëndërruara. Por jam unë, jam unë frikacaku, dhe ti je kaq lart saqë kur mendoj për ty, nuk më mbetet veçse të shkrihem prej dashurie për atë pak gëzim që më jep, s’di a për tekë a për mëshirë. Bukuria jote është bukuri e trishtë të cilën s’do të guxoja kurrë ta ëndërroja, por, siç më ke thënë ti, është veç një ëndërr. Kur të flas për gjërat më të ëmbla dhe të shtrëngoj në zemrën time dhe ti nuk mendon për mua, ke të drejtë, vogëlushe: unë jam i trishtë, i trishtë dhe shumë frikacak. Dhe ja, ti je për mua asgjë tjetër veçse një iluzion i brishtë me sy të mëdhenj ëndrre, që për një orë më shtrëngohet në zemër dhe më mbush plot me gjëra të ëmbla, plot keqardhje. Kështu më ndodh kur i dërrmuar shtrydhem për të futur në vargjet e lehta një hov timin të trishtë. Një lule e përkohshme poezie asgjë më shumë, dashuria ime. Por ti nuk e di, vogëlushe, dhe kurrë nuk do ta dish çka më bën të vuaj. Do të vazhdoj, lule e vogël bionde, që kaq shumë ke vuajtur në jetë, të ta sodis fytyrën që të qan edhe kur buzëqesh -oh ëmbëlsia e trishtë e fytyrës tënde! nuk do ta dish kurrë, vogëlushe – do të vazhdoj të adhuroj pranë teje gjymtyrët e tua të vogla melodioze që kanë ëmbëlsinë e pranverës dhe janë kaq prekëse dhe aromatike saqë unë gati sa nuk çmendem nga mendimi se dikush tjetër do t’i dojë duke i mbërthyer në trupin e tij. Do të vazhdoj të të adhuroj, të të puth dhe të vuaj, deri kur ti t’më thuash një ditë se gjithçka duhet të marrë fund. Dhe atëherë ti nuk do të jesh më larg dhe nuk do ta ndiej më të lodhur zemrën, por do të çirrem nga dhimbja dhe do të puth në ëndërr dhe do të shtrëngoj në gjoks iluzionin e zhdukur. Dhe do të shkruaj për ty, për kujtimin tënd zemërthyes pak vargje vajtuese që ti nuk do t’i lexosh kurrë. Por mua do të më qëndrojnë mizorisht të gozhduara në zemër përgjithmonë.
Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit organizoi aktivitetin me temë: “Kultura, misticizmi, religjioni”, ku e pranishme ishte poetja franceze, Laure Cambau.
Në mjediset e QKLL, Cambau bashkëbisedoi mbi temën me poeten Mimoza Ahmeti, në këtë aktivitet i cili përkoi me Ditën Ndërkombëtare të Poezisë. Poeteshat lexuan pjesë nga vëllimi poetik “E bardha pa të bardhë” i Laure Cambau, libër i cili është përkthyer në shqip dhe i pajisur me shënime nga Luan Rama. Ky vëllim poetik i kushtohet piktorit shqiptaro-francez Omer Kaleshi.
Poetja e ftuar nga QKLL, Laure Cambau, jeton në Paris. Poete dhe pianiste, ajo është gjithashtu autore e tregimeve për fëmijë dhe teksteve të këngëve.
Cambau ka botuar dhjetë përmbledhje me poezi dhe ka marrë çmimin Poncetton të SGDL për Lettres au voyou céleste (Amandier, 2010). Veprat e saj të fundit përfshijnë La fille peinte en bleu (Caractères/Ecrits des Forges, Quebec) dhe Ma peau ne protège que vous (Le Castor Astral). Në vitin 2017 u botua Le Manteau rapiécé, un voyage au fil du souffle (Unicité), një libër i frymëzuar nga takimi i saj – shpirtëror dhe i përkohshëm – me bektashinjtë (“kushërinjtë” e sufinjve); ky libër mori çmimin Vénus Khoury-Ghata 2018. Koleksioni i saj, Grand Motel du Biotope u botua nga APIC (Algiers) në 2021 dhe ishte finaliste për çmimet Apollinaire dhe Mallarmé dhe mori çmimin “Léon Paul Fargue” në 2022 në Paris. Në vitin 2023 ajo botoi Les Yeux de la Mouche (Le Castor Astral) dhe ishte gjithashtu finaliste për disa çmime. Ajo është anëtare e Compagnia delle Poete (Mia Lecomte) dhe është një bashkëpunëtore në revistën Apulée.
Ajo performon rregullisht muzikë dhome, me artistë lirikë dhe shkrimtarë./atsh/KultPlus.com
Specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (IKTK) zhvilluan një inspektim në Parkun Kombëtar të Butrintit, në kuadër të grupit të monitorimit të veprimtarisë së Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit (BMF), i ngritur me urdhër të Ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Ky proces synon të sigurojë zbatimin e standardeve më të larta për ruajtjen dhe menaxhimin e këtij siti të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore.
Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit është krijuar me qëllim menaxhimin e pasurisë kulturore brenda Parkut Kombëtar të Butrintit në bazë të Marrëveshjes së Administrimit lidhur me Ministrinë e Kulturës.
Përmes formës së administrimit indirekt, Fondacioni synon gjithashtu ruajtjen dhe mbrojtjen e Pasurisë Kulturore, sigurimin e aksesit dhe shërbimet për publikun në të, promovimin e saj dhe aktivitetet studimore e kërkimore, si dhe përdorimin, qarkullimin dhe veprimtaritë arkeologjike të Pasurisë Kulturore, duke e menaxhuar dhe zhvilluar atë në mënyrën më të mirë të mundshme, duke siguruar mjetet e nevojshme financiare dhe stafin e specializuar, me qëllim ruajtjen dhe zhvillimin e saj për të gjithë kohëzgjatjen e administrimit indirekt./atsh/KultPlus.com
Gjithçka është ëndërr, më thua dhe nata shtrihet mbi shpirtin tim si një lëkurë e huaj. Prek veten, jam ajër shoh hijen time është hije e dikujt tjetër.
Më ke parë ndonjëherë në dritë apo vetëm në hijen e syve të tu të lodhur? Më ke dëgjuar në fjalët që nuk t’i thashë apo në heshtjen që rëndon mes nesh si një peshë e padukshme?Gjithçka është ëndërr, më thua por nëse gjithçka është ëndërr, kujt i përkasim?
Dhe nëse nata s’ka kufij, ku tretet hija ime? Ku fillon harresa, ku mbaron vetja? Ec përmes kësaj ëndrre me mua mos u zgjo, mos ma shprish trajtën se ndoshta vetëm këtu jemi të vërtetë ndoshta vetëm këtu nuk ndjehemi të humbur./KultPlus.com
Përse kraharorin sërish ma prek? Dhe vjen në heshtje fshehtas e armatosur, porsi luftëtarët që përvidhen në qytetin e fjetur; gjuhën ma djeg me buzët e tua, oktapod, dhe m’i ngjall furishëm harbimet, e këtë ankth të pafundmë që ndez flakë gjithçka që prek dhe gjithçkaje ia ngjiz lakminë e mugët. Bota epet dhe shkrihet Si metali në zjarr. Ndër rrënojat e mia, ngrihem unë, Vetmitar, lakuriq, i shkretë, Mbi shkrepin madhështor të heshtjes, si ndonjë luftëtar i vetmuar përballë bujtësve të padukshëm. E vërtetë kaq përvëluese, përse më nxit vallë? Të vërtetën tënde s’e honeps dot, as pyetjen tënde të pakuptimtë. Përse vallë kjo luftë shterpë? Njeriu është krijesë e paaftë për të të ngërthyer, lakmi që veç etja shlyen, flakë që përpin gjithë buzët, shpirt që nuk gjallon në asnjë formë e çdo formë prapëseprapë përcëllon me zjarrin e fshehtë të pashuar. Megjithatë ti ngulmon, lot qesëndisës, brenda meje ngre perandorinë tënde djerrinë. Lartësohesh nga humnerat e mia, nga qendra e paemër e qenies time, ushtri, baticë detare. Rritesh, më mbyt etja jote, Dëbon zgjedha jote, gjithçka që nuk epet ndaj tërbimit të shpatës tënde. Veç ti jeton brenda meje, Ti, lëndë e furishme e paëmërtueshme, lakmi nëntokësore, përçartëse. Kraharorin ma godasin shajnitë e tua, zgjohesh nga prekjet e mia, ballin ma ngrin dhe sytë m’i bën profetikë. Përkap botën dhe të prek ty, lëndë e paprekshme, njësim i shpirtit dhe trupit tim, e kundroj kacafytjen që luftoj dhe dasmën time tokësore. Sytë m’i mjegullojnë pamjet e kundërta, E sakaq këto pamje mohohen nga të tjera syresh, më kuptimplota, belbëzim përvëlues, ujëra që mbyten nga terrim uji të dendur. Në errësirën e vet të lagësht, jetë dhe vdekje, prehje dhe lëvizje, janë e njëjta gjë. Ngulmon, ngadhënjyese, ngase unë gjalloj vetëm falë gjallimit tënd, dhe goja e gjuha ime qenë ravijëzuar veç për të shprehur frymën tënde dhe rrokjet e tua të fshehta, fjalë e paprekshme dhe despotike, thelb i shpirtit tim. Je thjesht një ëndërr, Por krejt bota ëndrron ngërthyer brenda teje dhe heshtja e saj gjen shprehje në fjalët e tua. Kur has kraharorin tënd Unë kam cekur skajin elektrizues të vetë jetës, mugëtirën e përgjakur ku puqen goja mizore e dashuruar, akoma e etur për të rrënuar gjithçka që dashuron dhe për ta jetuar sërish gjithçka që ka shkatërruar, me botën e pandjeshme e gjithmonë të njëjtë me vetveten, ngaqë asnjëherë nuk ka ditur të ndalet as ta humbasë kohën me çfarë ka ngjizur. Merrmë në vetminë tënde, shpjermë në ëndrrat e tua, merrmë, nëna ime, zgjomë tërësisht, lejoma fanitjen e ëndrrës tënde, me vaj m’i njom sytë, për ta njohur veten time, kur të të njoh ty.
Përktheu nga spanjishtja: Elvi Sidheri. / KultPlus.com
Në dhjetor 2011, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka shpallur 21 marsin si Ditën Botërore të Sindromës Down.
Incidenca e vlerësuar e sindromës Down është midis 1 në 1000 deri në 1 në 1100 lindje të gjalla në mbarë botën. Çdo vit, rreth 3,000 deri në 5,000 fëmijë lindin me këtë çrregullim kromozomik.
Sindroma Down ndodh kur një individ ka një kopje shtesë të pjesshme ose të plotë të kromozomit 21.
Nuk dihet ende pse ndodh, por sindroma Down ka qenë gjithmonë një pjesë e gjendjes njerëzore. Ajo ekziston në të gjitha rajonet, anembanë globit dhe zakonisht rezulton në efekte të ndryshueshme në stilet e të mësuarit, karakteristikat fizike dhe shëndetin.
Cilësia e jetës së njerëzve me sindromën Down mund të përmirësohet duke plotësuar nevojat e tyre për kujdesin shëndetësor, duke përfshirë kontrolle të rregullta me profesionistë shëndetësorë për të monitoruar gjendjen mendore dhe fizike dhe për të ofruar ndërhyrje në kohë, qoftë fizioterapi, terapi profesionale, terapi të folurit, këshillim apo edukim special.
Personat me sindromë Down vazhdojnë të përballen me sfida të ndryshme në të gjitha aspektet jetësore, të cilat u pamundësojnë atyre jetën e dinjitetshme dhe realizimin e të drejtave të tyre, të cilat burojnë nga Kushtetuta dhe ligjet tjera të Republikës së Kosovës. / KultPlus.com
M’ke dashtë si shkamb, jo si grue, me trup t’lagun, si me qenë strehë prej shiut, jo prush që lyp me u ndezë.
Nuk isha ndjenjë, isha rast me u shkput si gjethe jo pse deshe me ra te unë, por se isha aty.
Më mësove me rrnu pa frymë, me t’pa, pa t’pa netët rrinin gjatë, mëngjeset vinin kot.
I lash sytë me u mësu me errësinën. Gjumi, edhe kur vinte, vinte i thatë si lëkurë që s’preket.
Kur ike, nuk u shemba. As s’bërtita si gratë nëpër filma. As s’kërkova shpjegim. E kuptova se kështu bien sendet pa kurriz Tinëz, tinëz.
Tash unë s’rri ma as si strehë, as si shkamb veç si truell i thatë ku s’mundet me mbi ma kurrgja.
Mbas teje
Mbas teje hapat u banë të ngadaltë nuk isha tue ikë ma as kujtimet s’më ndjeken mbrapa.
Mbas teje Kam hangër çokollatë për drekë, i kam ly flokët e kuqe, e kam ndezë dritën me lexue jo me pritë.
Tash i la pjatat pa la, dal prej shtëpisë pa e mbyllë derën mirë. Nuk rregulloj ma gjana që s’kanë randësi.
Trupi jem s’e mban kujtimin tand si përmendore. Ndalem para pasqyrës. Mundohem me thirrë emnin tand me za. Nuk më del, as si mall, as si faj.
Mbas dashnisë
S’ta thirra emnin. As nuk të bana vend n’krye t’tryezës. Gjethja që ra mbramë ishte veç gjethe.
Dashnia jonë ka pasë kambë, por ka ecë veç në nji drejtim. Me pas pasë duer kish mujt me u mbajtë.
Mbas dashnisë, mbetet ndonji muri aty këtu në kambë, dritare t’ krisuna dyer t’ shembuna s’mundesh as me ecë zdathë edhe dyshemeja asht e djegun
Mbas dashnisë mbetet gjithherë nji ndoshta. Ndoshta s’më ke dashtë. Ndoshta as unë ty. Ndoshta veç kemi ndejtë aty kot, si enë që përdoren për raste të veçanta.
Mbas dashnisë gjithherë bahet dimën. Toka shterron e gjuha nis me i hangër shkronjat./KultPlus.com
Filatelia e Postës së Kosovës, nga sot vë në qarkullim postar emisionin e pullave postare “Flora shëruese dhe aromatike”.
Përmes 4 pullave postare prezantohen disa lloje të florës aromatike dhe shëruese më të përhapura në Republikën e Kosovës.
Kamomili (Matricaria chamomilla) – Kamomili është një bimë barishtore njëvjeçare, e cila rritet në livadhe dhe fusha të hapura. Arrin një lartësi prej 25 deri në 30 cm dhe dallohet për lulet e saj të bardha me aromë karakteristike. Kjo bimë ka qenë e njohur për veti shëruese që nga kohët e lashta dhe është quajtur madje edhe “bimë e shenjtë”.
Kantarioni (Hypericum perforatum) – Kantarioni është një bimë barishtore shumëvjeçare, që mund të arrijë lartësinë nga 30 deri në 100 cm. Dallohet për degëzimin në majë dhe lulet e tij të verdha apo të kuqe. Në Kosovë rritet në zona të papunuara, livadhe, kullota dhe pyje.
Lavanda (Lavandula angustifolia) – Lavanda është një bimë shumëvjeçare që mund të jetojë deri në 20 vjet. Ajo është një shkurre aromatike, me një lartësi mesatare prej 60 cm. Lulëzon nga qershori deri në gusht dhe është e njohur për aromën e saj të fortë dhe qetësuese. Rritet kryesisht në zona me klimë të butë mesdhetare, në kodra dhe male me diell.
Dëllinja e Zezë (Juniperus communis) – Dëllinja e zezë në Kosovë është e përhapur kryesisht në Bjeshkët e Nemuna dhe Malet e Sharrit. Është një shkurre me rritje të ngadaltë, e cila mund të arrijë lartësinë nga 2 deri në 5 metra. Frutat e dëllinjës kanë veti shëruese dhe fillimisht janë me ngjyrë të gjelbër, ndërsa pas 18 muajsh piqen dhe marrin një ngjyrë të zezë-vjollcë, të mbuluar me një shtresë dyllore blu.
Nga sot ky emision i pullave postare do të jetë në dispozicion të qytetarëve në të gjitha zyrat postare deri në konsum të plotë./KultPlus.com
Vendi ballkanik ka plazhe spektakolare, mikpritje të ngrohtë, një kryeqytet emocionues dhe shumë atraksione të tjera për të eksploruar, shkruan Alice Taylor në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “The Times”.
E vendosur mes Malit të Zi dhe Greqisë dhe e rrethuar nga pjesa e Mesdheut ku deti Adriatik takohet me detin Jon, Shqipëria po shndërrohet shumë shpejt në një nga destinacionet më emocionuese të pushimeve në Evropë.
Plazhet e saj janë ende atraksioni kryesor, me çmime të përballueshme krahasuar me destinacionet më të njohura evropiane për pushime.
Në Shqipëri do të paguani rreth 10 paund për një vakt, rreth 2,50 paund për një litër birrë vendase dhe rreth 7 paund për një koktej në një vend të mrekullueshëm në Tiranë.
Pavarësisht se nuk është më një sekreti i Evropës, Shqipëria ofron ende shumë mundësi për përvoja të paarritshme.
Shqipëria paraqet një alternativë fantastike për adhuruesit e natyrës që kërkojnë të largohen nga plazhet e mbushura me njerëz. Rrugët e reja – si ato që lidhin fshatin bregdetar të Qeparos me Nivicën, në male – e bëjnë më të lehtë aksesin në vendet e shkëputura.
Mikpritja ndaj të huajve është një tjetër pikë kryesore e çdo vizite dhe qëndrimi në një bujtinë në pronësi të familjeve do ta konfirmojë këtë.
Kryeqyteti, Tirana, është një opsion i shkëlqyer për pushime në qytet gjatë gjithë vitit. Blloqet e tij të zbrazëta të epokës komuniste tani janë të mbuluara me murale të ndritshme dhe atraksione të tjera përfshijnë muzetë dhe rrënojat e kalave.
Disa nga aktivitetet më të mira për të bërë në Shqipëri:
1. Zbuloni artin e rrugës në Tiranë
Kur kryeministri Edi Rama u bë kryetar i Bashkisë së Tiranës në vitin 2000, kryeqyteti i Shqipërisë përjetoi një transformim të rëndësishëm përmes një fushate pikturash që i dha jetë të re ndërtesave të epokës komuniste të qytetit me artin shumëngjyrësh të rrugës.
Të vendosura kryesisht rreth rrethit të Bllokut dhe përgjatë lumit Lana, muralet ofrojnë një rrëfim vizual të së shkuarës dhe të tashmes së Shqipërisë, duke kapur thelbin dinamik të qytetit.
Më shumë se dy dekada më vonë, pasioni i vazhdueshëm i Tiranës për ngjyrat vazhdoi me MuralFest Tirana, një festival i përvitshëm që mbledh së bashku artistë ndërkombëtarë të rrugës.
2. Shihni qytetet e trashëgimisë botërore të Beratit dhe Gjirokastrës
Qytetet e Beratit dhe Gjirokastrës në trashëgiminë botërore të UNESCO-s në Shqipërinë jugore janë të paharrueshme për arkitekturën, kalatë dhe pazaret e tyre osmane.
Në Berat, vizitoni Muzeun Solomon, duke gjurmuar historinë e popullsisë hebreje të Shqipërisë; në Gjirokastër, Shtëpia historike e Skëndulit dhe Muzeu Etnografik ofrojnë një pasqyrë unike për veçoritë kulturore të Shqipërisë.
3. Ecni nëpër historinë e Ballkanit
Vizitoni Butrintin në bregun perëndimor të Shqipërisë, një vend i trashëgimisë botërore të UNESCO-s, ku mund të ecni nëpër mijëra vjet të historisë së Ballkanit përmes amfiteatreve, bastioneve dhe kalave antike; ose Apolonia, e cila daton në shekullin VI p.e.s.
Divjaka është gjithashtu një vend që duhet vizituar, me shtigje biçikletash, laguna dhe plazhe, pelikanë dhe flamingo. Provoni ushqimin në restorantin “Ali Kali”, ku një kamarier shërben mbi kalë peshk
4. Relaksohuni në Rivierën Shqiptare
Riviera Shqiptare në detin Jon shtrihet nga qyteti i Vlorës deri në Sarandë, pikërisht përtej ujërave të Korfuzit, dhe është një ndërthurje fshatrash të vendosura në një formacion shkëmbor dhe plazhe të mahnitshme. Mes rrugëve gjarpëruese dhe ullishteve ofrohet mundësia për të vizituar festivale muzikore ose për të parë fshatra si Tragjasi.
5. Akomodohuni në një bujtinë tradicionale
Bujtinat gjenden në të gjithë vendin. Këto shtëpi pritëse tradicionale të drejtuara nga familjet janë një mënyrë e shkëlqyer për t’u zhytur në vend dhe ku shërbehet ushqim i shijshëm vendas, duke gliko dhe djath dhie.
Më të mirat gjenden në Tropojën malore dhe në qytetin e largët juglindor të Voskopojës – të dyja të shkëlqyera gjatë muajve të dimrit me dëborë.
6. Kuptoni historinë e Shqipërisë në Tiranë
Ju duhen disa ditë për të eksploruar Tiranën, kryeqytetin e Shqipërisë. Është një qytet kompakt: shumica e pamjeve të mëdha janë të arritshme në këmbë.
Mos humbisni Shtëpinë me Gjethe dhe muzeumet Bunk’Art 1 dhe 2, të cilët ofrojnë të gjitha një vështrim tronditës të sundimit të ish-diktatorit Enver Hoxha.
Vendet e tjera që duhen vizituar me patjetër janë; Kalaja e Tiranës, teleferiku “Dajtit Ekspres” dhe Kopshti Zoologjik i Tiranës.
Ndaloni për të parë Shtëpinë e Sali Shijakut, me veprat artistike nga dyshemeja deri në tavan dhe një oborr me kalldrëm të përsosur për të pirë kafe.
7. Ecni në Parqet Kombëtare
Vizitoni disa nga parqet kombëtare të Shqipërisë – Llogora apo Valbona janë dy shembuj të shkëlqyer – është gjithmonë një aventurë; vetëm kujdes nga rrëqebulli i Ballkanit, arinjtë dhe ujqërit që i frekuentojnë. Këtu mund të ecni më këmbë, të shëtisni me biçikletë ose kanoe.
8. Vizitoni fabrikën veneciane të maskave në Shkodër
Në fabrikën e maskave të artit të Venecias në Shkodër, stafi i maskave veneciane artizanale me më shumë se 1700 dizajne të ndryshme eksportohen në mbarë botën.
Krahas fabrikës, do të gjeni një muze kushtuar fotografit Italian, Pietro Marubi, i cili kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij në qytet.
Shkodra është gjithashtu shtëpia e Kalasë spektakolare të Rozafës që ndodhet 130 metra mbi brigjet e liqenit të Shkodrës dhe është e rrethuar nga Alpet Shqiptare.
9. Zbuloni artin në Manastir
Manastiri i Ardenicës në qarkun e Fierit raportohet të jetë vendi ku u martua heroi shqiptar i shekullit XV Gjergj Kastrioti, i njohur si Skënderbeu; shumë më vonë, ai u ripërcaktua si një klub për elitën komuniste.
Klubi nuk është më, por pas dyerve të gdhendura të lisit të manastirit ortodoks lindor të shekullit XIII mund të shihni afreske të ndërlikuara me ngjyrë ari – të pikturuara nga disa prej artistëve më të mirë të Shqipërisë, që datojnë nga vitet 1700 dhe 1800.
10. Eksploroni liqenet më të mira të Shqipërisë
Shqipëria krenohet me mbi 240 liqene natyrore dhe 800 artificiale dhe shumë prej tyre janë parajsa të biodiversitetit. Liqeni i Shkodrës, është më i madhi në Ballkan dhe shtëpia e më shumë se 270 llojeve të shpendëve, duke përfshirë kormoranët, çafkat dhe pelikanët.
Në juglindje, liqeni i Ohrit është liqeni më i thellë në Ballkan. Ujërat e tij strehojnë rreth 200 lloje endemike, nga krustacet deri te peshqit grabitqarë.
Pranë Liqenit të Prespës së Madhe, në 850 metra mbi nivelin e detit, është i njohur për ishullin e Maligradit dhe Kishën e Shën Mërisë me afreske të shekullit XIV.
11. Relaksohuni në burimet e nxehta të Përmetit
Zhytuni në burimet e squfurit midis Përmetit dhe Benjës. Nga Përmeti, merrni rrugën për në Petran. Jini të kujdesshëm pasi ka disa kthesa të mprehta.
Parkoni automjetin, ecni në urën osmane dhe shijoni peizazhin mahnitës malor.
Lumi Vjosa përshkon rrugën e tij përmes një gryke spektakolare.
Uji i nxehtë rrjedh në Lumin Vjosa, por ka edhe disa pishina të krijuara nga njeriu. Zona është gjithashtu e mrekullueshme për rafting, shëtitje dhe kampe.
12. Shtigje ecjeje rreth Nivicës
Nivica e qetë ndodhet në një cep të maleve shqiptare, në mes të një rrjeti shtigjesh që dikur përdoreshin vetëm nga barinjtë dhe bagëtitë e tyre.
Një grup vullnetarësh çekë shpenzuan dy vjet duke hartuar mbi 100 kilometra shtigje si pjesë e një projekti për zhvillimin e qëndrueshëm të zonave të izoluara rurale.
Ndër opsionet, kanione madhështore, ujëvara, rrënojat e kalasë së Nivicës dhe Maja e Këndrevicës (2102 metra), maja më e lartë në zonë.
13. Blini suvenire në Bjeshkët e Nemuna
Një udhëtim në fshatin e thellë të Thethit në Bjeshkët e Nemuna – të njohura edhe si Alpet Shqiptare – është i domosdoshëm, siç është një udhëtim me traget nëpër liqenin e Komanit për në bujtinat e arritshme vetëm nëpërmjet ujit.
Këtu mund të ecni ose thjesht të relaksoheni duke shijuar kuzhinën e freskët shqiptare si mish i pjekur, fasule, apo peshk i freskët i shërbyer me sallata të stinës.
Në fshatrat e Lezhës dhe të Shkodrës, vizitoni prodhuesit e verërave, poçarët dhe atelietë ku bulonat e gjalla të pëlhurës janë të endura me dorë nga leshi dhe mëndafshi.
14. Vizitoni një ish-burg komunist
Ish-burgu komunist dhe kampi i punës i Spaçit pranë Repsit është një përvojë kthjelluese që ofron njëfarë konteksti për të kaluarën komplekse të Shqipërisë.
Në majën e një mali ndodhen rrënojat e ish-burgut, duke përfshirë blloqet e qelive, dhomat e marrjes në pyetje, qelitë e izolimit dhe ndërtesat administrative.
Nuk është një përvojë e gëzueshme, por Spaçi është një kujtesë e rëndësishme e betejave që ka kaluar Shqipëria.
Vizitoni qendrën jofitimprurëse Fundjave Ndryshe, në dalje të Tiranës, për një vakt.
Do t’ju shërbehen pjata të tilla si ushqime deti të papërpunuara të marinuara me lëng limoni, makarona dhe rizoto me tartuf të rritur në vend dhe një përzgjedhje të gjerë mezesh shqiptare.
Pjesa më e mirë është se paratë që shpenzoni kthehen drejtpërdrejt në kauzë, e cila ndihmon njerëzit e pambrojtur vendas me strehim dhe mësime në gjuhën angleze.
16. Ndiqni shtegun në lumin Vjosa
Eksploroni lumin e Vjosës duke ndaluar në qytete dhe fshatra gjatë rrugës.
Niseni me Përmetin, një qytet i famshëm për burimet e nxehta dhe trëndafilat, dhe më pas drejtohuni në Tepelenë, vendlindja e të madhit Ali Pashë Tepelena, përpara se të vazhdoni në Vlorë, ku deti Adriatik takohet me detin Jon./atsh/KultPlus.com
Lasgush Poradeci, shkroi vargje që depërtuan aq thellë në shpirtin e shqiptarëve saqë ata vendosën, pa u marrë vesh me njëri-tjetrin, që një qytet të tërë ta quajnë: “Pogradeci i Lasgushit”.
Përveç poezive, Lagushi ka lënë si testament edhe këshilla për poetët.
Maria Poradeci, vajza e Lasgushit, pati ndarë dikur me ndjekësit e saj në Facebook një pjesë ku Lasgushi flet për poezinë dhe poetët.
“Poezia është hyjnore. Prandaj kur shkruan poezi, duhet ta kesh shpirtin të shenjtëruar. Çdo poezi, duhet të jetë një xhevahir dhe xhevahir duhet të jetë çdo varg i saj dhe çdo fjalë e saj. Prandaj poezi mund të shkruash vetëm pak, se ku t’i gjesh gjithë ata xhevahirë?
Mos ki frikë se ke shkrojtur gjatë jetës tënde vetëm dhjetë poezi. Frikë të kesh po të kesh shkrojtur njëqind poezi.”
Sot është Dita Ndërkombëtare e Poezisë, e shpallur si e tillë prej Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën e Kulturën (UNESCO).
E praktikuar gjatë historisë, në çdo kulturë dhe në çdo kontinent, poezia flet për njerëzimin dhe vlerat tona të përbashkëta, duke e shndërruar dhe poezinë më të thjeshtë në një katalizator të fuqishëm për dialogun dhe paqen.
UNESCO e shpalli Ditën Ndërkombëtare të Poezisë në vitin 1999, me rastin e Konferencës së saj të Përgjithshme të 30-të të mbajtur në Paris për t’i “dhënë njohje dhe shtysë të re lëvizjeve kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare të poezisë”. Organizata shpresonte të frymëzonte kremtimin e poezisë në të gjithë botën, të ruante gjuhët e rrezikuara dhe të stimulonte shprehjen poetike gjatë kësaj dite.
Poezia përdor ritme dhe imazhe për të ngjallur emocione dhe imagjinatë tek lexuesit. Poezia mund të rimojë, por ka edhe poezi të shkruara në atë që quhet “varg i lirë”, e që nuk përdor rimë.
Poezia është një formë e bukur shprehjeje. Asnjë lloj tjetër letërsie nuk krijon një bollëk të tillë ndjenjash dhe emocionesh sa abstraksioni i poezisë. Poezia më e hershme besohet të jetë shfaqur me “Eposin e Gilgameshit” diku gjatë vitit 2000 para Krishtit, por ka të ngjarë që poezia ka ekzistuar edhe para përhapjes së shkrim-leximit.
Sot, gjenden lloje të panumërta poezish për t’u shijuar, duke përfshirë haikus, limericks, sonete dhe balada./atsh/KultPlus.com
Sot, më 21 mars, në ditën botërore të poezisë, Ajne Ibërhysaj do të promovojë librin “Gravurë me ngjyrat e kohës”, promovim që do të mbahet në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, në ora 19:00.
Rreth librit do të flasin Agim Vinca e Ramë Oraca, ndërkohë, po kjo mbrëmje poetike do të shoqërohet edhe me prezantimin e ekspozitës kolektive nga artistët: Musë Prelvukaj, Skënder Idrizi, Bija Jasiqi, Merita Myderrizi Maloku e Agron Mulliqi.
Kjo mbrëmje me ngrohtësi poetike dhe ngrohtësi të ngjyrave është e hapur për të gjithë adhuruesit e librit dhe pikturës./ KultPlus.com