Gratë e Dostojevskit

Nga Ermal Mulosmani

Maria Isajeva

Dostojevski ka qenë dështaku më i madh në dashuri. Historitë e tij të dashurisë, deliret e tij të poshtërimit apo vëllazërimit me të dashurit e të adhuruarave të veta i gjejmë gjerësisht të përshkruara me detaje në romanet e tij që nga Idioti, te Djajtë, Krim dhe Ndëshkim etj etj.

Sipas biografit më të njohur të tij, Leonid Grosman, janë tri dashuri të mëdha në jetën e tij.

Gruaja e parë dhe ndoshta dashuria e tij më e madhe është Maria Isaeva. Dostojevski e njohu Isaevën kur sapo ishte liruar nga burgu ku i shpëtoi vdekjes për një qime. Regjimi i Carit ja fali jetën por e ndëshkoi me internim në një zonë të humbur mes maleve të Siberisë dhe Kazakistanit, në Semipalatinsk.

Atje, Dostojevski, atëherë 35 vjeçar, njihet dhe miqësohet me Aleksandër Isaevin, një nëpunës i vogël lokal, një natyrë pozitive dhe jo pa kulturë. Isaevi, si shumë nga personazhet e Dostojvskit kishte gjithë cilëstë e mira të pijanecëve që vajtojnë dramën e tyre të mungesës në klubet e skutave ku i hodhi fati. Ata u bënë shumë miq dhe Isaevi e ftoi në shtëpinë e tij, disa herë. Nga këto vajtjet e herëpashershme në shtëpinë e mikut, shkrimtari bie në dashuri me gruan e tij, Maria Isajeva. Ajo bënte një jetë të mjerë (jo më mirë ishte edhe Dostojevski në ato kohë), kishte prejardhje aristokrate dhe ishte mjaft e kulturuar. “Ti do ishe një stoli për çdo shoqëri” e quan shkrimtari Marian në letrat e mëpasme…

Dostojevski ishte i vuajtur për të fituar dashurinë e Isaevës por ishte i kompleksuar nga raporti që kishte me të shoqin. Për t’ia vështirësuar edhe më shumë gjërat vjen transferimi i Isaevëve në Kuznetc, një provincë edhe më e humbur, një nga ato zona ku degdiseshin ata që harroheshin më pas deri në vdekje. (Isajevët kishin edhe një djalë të vogël për të cilin Dostojevski u kujdes deri në vdekje të tij, madje la edhe amanete për të pas vdekjes).

Dostojevski ndjehet i mbaruar, i dërrmuar prej largimit të Isaevëve nga Semipalatinski. Jo më mirë e përjetojnë edhe miqtë e tij. Aleksandër Isaevi lëshohet në pije e degradim, familja në varfëri të plotë. Dostojevski është si në ethe. U shkruan letra përdëllimtare miqësie pafund. Kur kam lexuar në poezinë “Llora” të Kadaresë vargjet:

“Nga tërë letrat që shkrova

Sdi pse të dërgova atë, më të marrën

Pas së cilës si personazh Dostojevski

Të thashë njëqind herë “më fal!” ,

më ka shkuar mendja pikërisht tek këto letra.

Letrat e personazheve letrarë të Dostojevskit janë përsëritje identike e letrave që Dostojevski i shkruante Isajevës. Një manual dashurie plot vuajtje, miqësie të përzier me dashuri, një ndjenje vullkanike që e përplaste sa në parajsë e sa në ferr…

Megjithatë Maria Isaeva, e përdëllyera e shkrimtarit, për asnjë çast nuk iu përgjigj ndjenjave të tij. Pas një apo dy viteve, burri i saj i mirë e i mjerë gjen vdekjen natyrale, i degraduar totalisht. Maria vejushë me të birin vocërrak ishte në prag të varfërisë totale dhe dëshpërimit.

Duket sikur fati nuk është edhe aq mizor për Dostojevskin. Por jo. Maria njihet me një mësues fshati, të ri e të pashëm, dhe i tregon Dostojevskit për ndjenjat e saj! I hapet gjerë e gjatë dhe i shpreh jo vetëm pasionin për të por edhe frikën se ai tjetri nuk e do me të njëjtën ndjenjë!

Ajo që lexon, siç mund të kuptohet, e tmerron shkrimtarin. Një dëshpërim i përmasave të tilla mund të kuptohet vetëm duke lexuar letrat që shkrimtari i shkruan mikut të vet Vrangelit:

“Unë jam bërë si i lajthitur… tashmë është vonë. Punët janë tmerrësisht keq dhe unë jam pa shpresë. Vështirë është të përsëritësh vuajtjen që kam kaluar. Unë dridhem se mos martohet, o Zot, më mirë të mbytem…”

Britma të tilla dëshpërimi dostojevskian që shpesh i kemi lexuar në karakteret e spikatura të romaneve të tij e kanë burimin në eksperiencat personale dhe kryesisht nga dashuria e tij e parë, Isaeva.

Dostojevski bën atë që nuk mund të mendohej. Udhëton për në Kuznets dhe takohet me mësuesin e i kërkon atij ta dojë e të martohet me Isaevën! Bëhet shok me të dhe përpiqet me mish e me shpirt të rregullojë pozitën e tij në fshat, ndërhyn te autoritetet për ta mirëtrajtuar me qëllimin e vetëm që të jetë i devotshëm për të përvëluarën e vet!

Nga ana tjetër lexonte me dëshpërim letrat ku i duhej të duronte shprehjet e xhelozisë së Marias për fshatarin mësues! Me shpirt donte të bënte të lumtur Marian dhe Pashën (të birin tetëvjeçar).

Vini re çfarë dualizmi.

Paralelisht me përpjekjen për të rregulluar pozitën e mësuesit të ri e simpatik (për tia begatuar dashurinë rivalit) merret edhe me veten e vet . Thellë brenda vetes ishte i bindur se pozita e tij shoqërore ishte një nga shkaqet e refuzimit të dashurisë. Përpjekje e tij titanike japin rezultat, Dostojevski me ndihmën e miqve të vet arrin të fitojë të drejtën e botimit që ishte një arritje e paimagjinueshme për një ish të dënuar me vdekje.

Ky ndryshim shoqërohet edhe me krizat e pafundme të Maria Isajevës me mësuesin e fshatit dhe përfundimisht Isaeva pranon të martohet me Dostojevskin!

Ethet e lumturisë dostojevskiane nuk ka fjalë të shkruara për t’i shpjeguar. E imagjinoni dot se çfarë bën?

Tërheqja e mësuesit nga Isaeva, kjo sakrificë e tij, sipas shkrimtarit, meritonte shpërblim. Ndaj i lutet në gjunjë Vrangelit, mikut të tij, që t’i përmirsojë jetën mësuesit. “Ai për mua është vëlla e shkuar vëllait” i shpjegon mikut që e dëgjon i pataksur…

Skena më interesante, finalja pa të cilën nuk mund të kishte kuptim kjo dashuri absurde zhvillohet ditën e martesës së tyre. Në një vendbanim vetëm të gjahtarëve të kafshëve të egra dhe arkërkuesve, në një nga skutat më të humbura të Siberisë, ndodh celebrimi i martesës së shkrimtarit të madh.

Ceremonia kishte fare pak njerëz, ndoshta 10-15 persona (sa njerëz mund të gjendeshin në atë humbëtirë). E megjithatë, në atë kishëz të vogël fshati, në radhën e fundit ishte edhe mësuesi. Maria Isaeva mund të ishte shumë më afër shpirtësrisht me mësuesin sesa me Dostojevskin. Një dramë tjetër e brendshme po luhej me vetëpërbuzjen, fyerjen, xhelozinë dhe njëkohësisht panikun e Dostojevskit. Po sikur Maria të refuzonte në moment të fundit dhe të thoshte që zgjedhja e saj është mësuesi? Një ceremoni e tillë, 30 minutëshe, ka shërbyer si frymëzimi i shkrimtarit për një nga veprat e tij më të bukura, romanin “Idioti”!

Gratë e Dostojevskit 2

Polina Susllova

Martesa me Isajevën zgjat fare pak. Ajo ishte 26 vjeç kur u martua (Janar 1857) ndërsa Dostojevski 35. Krizat e herëpashershme të epilepsisë së Dostojevskit e tronditën rëndë gruan e re. Ndërkohë që lidhja bëhet shpejt toksike, xhelozitë dhe kapriçiot e Isajevës e mbysin ndjenjën dhe në fund të vitit 1857 ( pa bërë viti nga martesa) nuk mbetet gjurmë nga zjarri i para dy viteve.

Maria Isajeva sëmuret rëndë nga tuberkulozi dhe vdes në vitin 1864 në moshën 33 vjeçare.

Megjithëse lidhja mes Dostojevskit dhe Isajevës u venit qysh në ditët e para të martesës ai nuk e mohoi kurrë dashurinë për të. Pas transferimit në Petërburg ku jetonte familja e Dostojevskit, raporti mes tyre erdhi duke u përkeqeësuar. Gjithashtu edhe shëndeti i Marias. Tuberkulozi po përparonte frikshëm në ambientin e lagësht të Petërburgut dhe kur ajo vendosi të largohej prej aty ishte tepër vonë. Ja si e përshkruan Dostojevski vdekjen e gruas së tij të parë më 15 Prill 1864:

“Ajo më donte pa kufi, unë gjithashtu e doja pa masë por ne nuk jetuam të lumtur. Pa marrë parasysh se bashkë qemë jashtëzakonisht të pafat për shkak të karakterit të saj pasionant (a thua se Dostojevski ishte më pak :)), dyshues dhe me fantazi të sëmurë, ne s’pushuam së dashuruari njëri tjetrin, madje, sa më fatkeqë bëheshim aq më shumë afroheshim me njëri tjetrin”.

Gjatë 7 viteve të martesës së tyre ai pati lidhje të tjera. Njëra nga ato, aktorja e njohur e kohës, Aleksandra Kulikova – Schubert, la tek ai gjurmë të pashlyeshme me bukurinë, zgjuarsinë dhe thellësinë e mendimit. Një herë, kur Kulikova e quajti njohës të shpirtti njerëzor, Dostojevski iu përgjigj “E ç’njohës jam unë përpara jush”.

Por, padyshim, dashuria tjetër e madhe e Dostojevskit, ndoshta edhe më vullkanike se gjitha të tjerat ishte Polina Susllova. (Apollonaria Susllova).

Për nga intensiteti i ndjenjës, përjetimet që Dostojevski pati me Polinën mund të krahasohen me ato të Isajevës. Polina ishte një vajzë e re me mendime përparimtare për kohën, revolucionare, një tip paksa patetik por me temperament të jashtëzakonshëm. Ajo u dashurua me shkrimtarin e vuajtur, me të dënuarin me punë të detyruar që i shpëtoi dënimit me vdekje më shumë sesa me njeriun Fjodor Dostojevski. Shpesh ajo zhgënjehej prej tij dhe e sikteriste. Pasioni i Dostojevskit për të i dukej shpesh tokësor, i ulët, epshor. Ajo e neveriste veten dhe shkrimtarin. Një ditë Dostojevski citoi një thënie të Balzakut sipas të cilit “shkrimtari duhet të zhytet një herë në muaj në orgji”. Kaq mjaftoi. Kjo që Dostojevski tha shkonte në kundërshtim me kultin e heroit që kishte udhërrëfyes Polina dhe lidhja pësoi krizë të fortë.

Edhe me Polinën Dostojevskit iu përsërit historia e Isajevës. Në një udhëtim të saj në Paris ajo u dashurua me një student bukurosh me origjinë nga ishujt latinë të Antileve me emrin Salvador. Dostojevski merr një letër dhe

mbërrin pas saj si i çmendur. Në takimin e tyre zhvillohet ky dialog:

Dostojevski:

“Ti je e lumtur, je e lumtur? Vetëm një fjalë më thuaj a je e lumtur?

Polina: “JO”

Dostojevski: “Si kështu?

Dashuron dhe je fatkeqe? A është e mundur kjo?”

Polina: “Por ai nuk më do…”

Dostojevski: “Si kështu? Çfarë është ai poet, piktor, filozof?”

Polina: “Oh jo”…

Dostojevski i sfilitur nga mundimi i kërkon të mbesin miq. Le të shkojnë në Itali apo gjetkë dhe ta harrojnë Salvador- pushtuesin. Përsëri është në rolin e ngushëlluesit të sinqertë, të të tretit të kotë, të një miku vetëmohues. E gjithë kjo skenë ndodhte në Paris ndërkohë kur gruaja e tij, dashuria e tij e madhe Maria Isajeva vuante në Petërburg nën armiqësinë e familjarëve të Dostojevskit dhe tuberkulozit që po ia merrte shpirtin dalngadalë….Për të mos e zgjatur me këtë histori të vrullshme e plot ngjarje po e mbyll me dialogun që Polina zhvilloi me të shoqin e saj, në një kohë tjetër:

“Përse u ndatë me Dostojevskin Polina Prokofjevna”- pyet i shoqi

“Sepse ai nuk pranonte të ndahej nga e shoqja tuberkuloze me justifikimin se “ajo po vdiste”.

“Po ajo po vdiste në fakt”?

“Po, po vdiste. Pas gjysmë viti ajo vdiq por unë tashmë nuk e doja më”.

“Përse nuk e donit më”?

“Sepse ai nuk pranoi të divorcohej. Unë iu dhashë atij me dashuri pa u menduar, pa pyetur. Edhe ai duhej të kishte vepruar ashtu. Ai nuk veproi dhe unë e ndava”.

Polina dhe Maria ishin dy dashuritë vullkanike të Dostojevskit. Ato e bënë të vuajë si njeri por e frymëzuan si artist. Prej tyre u krijuan personazhe dhe skena të jashtëzakonshme letrare, nga ato që nuk harrohen kurrë. Ndërsa martesa e tij e dytë me stenografen Ana Sitkina ishte një lundrim i qetë, një jetë pa shumë andralla xhelozie…Letrat me Polinën vazhduan edhe gjatë martesës së dytë dhe e tronditën shpesh lidhjen e tyre. Pas çdo letre qe mërrte nga Polina Dostojevski tjetërsohej, e lexonte me dhjetëra herë, përhumbej. Ana e shkretë (gruaja e dytë) frikësohej gjithmonë nga letrat e saj… Por, me kohën ato u bënë më të rralla derisa humbën fare… / KultPlus.com

Rama: “Condé Nast Traveller Germany” e rendit Shqipërinë ndër destinacionet turistike më premtuese në Europë

Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot një artikull të botuar nga revista prestigjioze “Condé Nast Traveller Germany”, e cila e rendit Shqipërinë si një nga destinacionet më të rëndësishme të ardhshme të turizmit në Europë.

Në postimin e tij në rrjetet sociale, Rama thekson se artikulli vlerëson Shqipërinë për përvojat autentike që ofron në natyrë dhe për mikpritjen e sinqertë. Ai nënvizon gjithashtu rëndësinë e lumit Vjosa si një kartvizitë unike për vendin tonë.

“Me gjigantin e udhëtimeve “Condé Nast Traveller Germany”, që i kushton këtë superartikull Shqipërisë, si destinacioni i përvojave autentike të natyrës dhe një mikpritjeje të sinqertë, të cilat e bëjnë një prej destinacioneve të ardhshme më në zë të turizmit të Europës, me Vjosën si kartvizitë unikale”, shkruan Kryeministri, duke shpërndarë artikullin që promovon Shqipërinë si një destinacion të veçantë për turistët./atsh/KultPlus.com

Media britanike “Express”: Shqipëria, vendi i bukur evropian ku po vërshojnë turistët britanikë

Vendi i vogël ballkanik, Shqipëria, po shndërrohet shumë shpejt në një destinacion popullor për vizitorët britanikë pasi vendet kryesore si Spanja po bëhen më pak mikpritëse për turistët, shkruan Brian Dillon në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Express”.

Shqipëria, në Evropën Juglindore po fiton popullaritet në mesin e turistëve britanikë që planifikojnë pushimet e tyre verore – pasi të dhënat e kërkimit ne internet kanë treguar një rritje të madhe të interesit.

Për vite me rradhë, një numër i madh vizitorësh nga Britania e Madhe kanë vizituar Spanjën dhe Portugalinë për një ose dy javë në të njëjtën kohë, por tani po kërkojnë një destinacion tjetër pasi opsionet tradicionale po bëhen më pak mikpritëse për turistët.

Në një raport të botuar nga “Sail Croatia” renditen vendet që turistët britanikë po marrin në konsideratë për të kaluar pushimet, bazuar në kërkimet në internet, mes tyre edhe Shqipëria.

Shqipëria ndodhet në jugperëndim të Evropës, në kufi me Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Kosovën dhe Malin e Zi.

Vendi krenohet me peizazhet e mrekullueshme bregdetare në detet Adriatik dhe Jon brenda Detit Mesdhe.

E konsideruar si ‘Maldivet e Evropës’ vitet e fundit, nuk është çudi që britanikët tani po e zgjedhin Shqipërinë për arratisjet e tyre verore.

Shqipëria, është destinacioni i katërt më i kërkuar për britanikët duke marrë parasysh opsionet e tyre të udhëtimit.

Kërkimet online për pushime në Shqipëri shënuan rritje të shpejt në vitin 2024 krahasuar me vitin 2023, duke marrë 182,000 kërkime më shumë.

Në total, në vitin 2024 u regjistruan 504,000 kërkime për termin “Pushime në Shqipëri”.

Shqipëria po bëhet shpejt destinacioni i preferuar për shumë evropianë falë vendpushimeve të saj buzë plazhit që gjenden në Rivierën Shqiptare, peizazhit piktoresk dhe motit të ngrohtë me diell.

Pika të tjera të njohura në vend përfshijnë destinacionet bregdetare si Berati, Saranda dhe Ishujt e Ksamilit.

Ekziston edhe kryeqyteti emocionues shqiptar, Tirana, që njihet për atraksionet e saj kulturore si Xhamia e Et’hem Beut e shekullit XVIII, Muzeu Historik Kombëtar dhe Sheshi Skënderbej.

Ndërsa Shqipëria kryesoi në vendin e parë si destinacioni më i preferuar i pushimeve për turistët britanikë, ajo u pasua nga Malta në vendin e dytë dhe Mali i Zi në vendin e tretë.

Fluturimet nga aeroportet e Londrës  drejt Shqipërisë ofrohen nga dy kompanitë ajrore “British Airways” dhe “Wizz Air”./atsh/KultPlus.com

Rritet numri i vizitorëve në hotele në janar, kryesojnë italianët

Strukturat akomoduese pritën më shumë vizitorë të huaj gjatë muajit janar të këtij viti.

Instituti i Statistikave publikoi sot raportin për strukturat akomoduese, ku bëhet e ditur se numri i vizitorëve shënoi rritje me 26,9 %, ku ata jo-rezidentë shënuan një rritje prej 41,0 % dhe rezidentë 12,1 %.

Referuar raportit, vizitorët qëndruan më gjatë, teksa bëhet e ditur se netëqëndrimet gjithsej u rritën me 35,8 %, ku ato jo-rezidentë u rritën me 49,1 %, ndërsa ato nga rezidentët me 19,0 %.

Rritja më e madhe e vizitorëve jo-rezidentë u shënua në zonat jo-bregdetare me 46,5 % dhe në hotelet dhe akomodimet e ngjashme me 38,4 %.

Publikimi vlerëson se italianët kryesojnë sa i takon netëqëndrimeve në strukturat akomoduese, duke lënë pas edhe Kosovën.

“Shumica e vizitorëve jo-rezidentë të cilët u akomoduan në strukturat pritëse në Shqipëri vijnë nga Italia (21%), Kosova (18%), dhe Gjermania (6%). Mbretëria e bashkuar dhe Franca kontribuan përkatësisht me 6% dhe 5% të vizitorëve”, bën të ditur INSTAT-i. /atsh/ KultPlus.com

Festivali Rock & Blues Fest prezanton datat e edicionit të tretë

Festivali ndërkombëtar më i madh i muzikës rock në Ballkan, “Rock & Blues Fest” ka shpallur zyrtarisht datat e edicionit të tretë.

“Edicioni i tretë i tij pritet të sjellë surpriza fantastike me pjesëmarrje të grupeve të Rock dhe Blues muzikës nga mbarë bota në qytetin e Prizrenit!”, thuhet në njoftim.

Dy edicionet e kaluara kanë pasur sukses të madh sepse në Kosovë janë prezantuar grupe legjendare botëre të këtij zhanri muzikor.

Datat në të cilat do të mbahet festivali janë: 11,12,13 korrik 2025. / KultPlus.com

Hapja e ekspozitës ‘Venus’ në ‘Marubi’

Më 20 mars në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” hapet ekspozita “Venus!” me vepra nga koleksionet e autorëve Dedë Jakova, Gegë Marubi dhe Pjetër Rraboshta.

Repertorin e tyre fotografik, në një moment të caktuar, e përshkon prania e një skulpture: hyjnisë antike – Venus-it –, e cila kundron e palëvizshme disa ngjarje që, njëherë e njëkohë, u zhvilluan në oborrin e një shtëpie të rëndësishme qytetëse, ku edhe u dokumentuan ngjarje të përveçme e, më tej, ndryshime të forta politike.

Panairi i Librit të ri, të vjetër dhe të përdorur

Më 21 dhe 22 mars mbahet panairi i librit të ri, të vjetër dhe të përdorur. Shtëpia botuese “Pika pa sipërfaqe”  edhe këtë vit sjell për lexuesin botime të rralla.

Do ketë libra të përdorur në shqip dhe gjuhë të tjera, dhe botimet “Pika pa sipërfaqe” do jenë me zbritje.
Ditën e shtunë do ekspozohen edhe 50 libra të rrallë (botime përpara 1945-s) mbi Shqipërinë.

Panairi mbahet me 21 dhe 22 mars nga ora 10:00 deri në 20:00.

‘Zambaku i Prizrenit’, kënga me të cilën identifikohet Liliana Çavolli (VIDEO)

Liliana Çavolli është një ndër këngëtaret më të famshme të muzikës shqipe, e cila me talentin dhe dashurinë e saj për këngën dha shumë për artin shqiptar, dhe si e tillë mbeti e paharruar për publikun e muzikës së mirëfilltë shqipe, shkruan KultPlus.

“Zambaku i Prizrenit”, “Kam një mall e kam një zjarr”, “Kur lulet kundërmojnë”, “Perëndeshë e bukur je”, janë vetëm disa prej këngëve të saj me të cilat ajo identifikohet dhe do të jetojë gjatë në mendjet e publikut shqiptarë.

KultPlus sonte ju sjellë këngën ‘Zambaku i Prizrenit’, e cila konsiderohet edhe si kryevepra e Liliana Çavollit:

O zambaku i Prizrenit
o zambaku i bardhe

o zambaku i Prizrenit
o zambaku i bardhe

aman aman
qe lulezon Prizrenin
aroma yte ma mbush o zemren plot me gezim

lalalalalala

n’aksham t’bukur te prizrenit
n’vese t’agimin ç’po shndrrit
porsi lulja e argjendit
shkon gjithnje tu u hijeshu

aman aman
qe lulezon Prizerenin
aroma yte ma mbush o zemren plot me gezim/KultPlus.com

Filhamonia me koncertin e radhës në Rahovec

Filharmonia e Kosovës ka njoftuar se koncertin e radhës do ta mbaj në qytetin e Rahovecit.

Në këtë performancë do të paraqiten Kori i Filharmonisë së Kosovës dhe Ansambli i Filharmonisë së Kosovës.

“Jemi të lumtur të prezantojmë koncertin e Korit të Filharmonisë së Kosovës dhe Ansamblit të Filharmonisë së Kosovës në Rahovec më 26 mars 2025 (E mërkurë), nga ora 19:30, në Hollin e Institucionit të Arsimit dhe Aftësimit Profesional “Selajdin Mullaabazi – Mici” – Rahovec”, thuhet në njoftimin e Filharmonisë./ KultPlus.com

Miqësia

Poezi nga Jorge Luis Borges

Unë nuk mund të të jap zgjidhje për të gjitha problemet e jetës
Unë nuk kam asnjë përgjigje për dyshimet apo frikën tënde,
Por unë mund t’i dëgjoj ato dhe t’i ndaj me ty.
Unë nuk mund të ndryshoj as të kaluarën dhe as të ardhmen tënde,
Por kur të më duhet do të jem afër teje.
Nuk mund të të ndihmoj të mos biesh,
Unë vetëm mund të të ofroj dorën time për të të mbështetur dhe për të mos rënë.
Lumturia jote, suksesi yt dhe triumfi yt nuk janë të miat,
Por sinqerisht gëzohem kur të shoh të lumtur.
Unë nuk i gjykoj vendimet që ti merr në jetë,
Unë thjesht mbështetem për të të stimuluar dhe për të të ndihmuar nëse më pyet.
Unë nuk mund të vendos kufij brenda të cilëve duhet të lëvizësh,
Por unë mund të të ofroj hapësirën që të nevojitet të rritesh.
Unë nuk mund ta shmang vuajtjen tënde, kur ndonjë dhimbje të prek zemrën.
Por unë mund të qaj me ty dhe të marr copat për t’i bashkuar përsëri.
Unë nuk mund të të them se çfarë je ose çfarë duhet të jesh,
Unë mund të të dua vetëm ashtu siç je dhe të jem shoku yt.
Në këtë ditë po mendoja për dikë që ishte miku im në atë moment që ti u shfaqe …
Ti nuk je as më lart, as më poshtë dhe as në mes nuk jeni as në krye dhe as në fund të listës,
Ti nuk je as numri 1 dhe as numri përfundimtar
dhe aq më pak kam pretendimin
të jem 1, 2 ose 3 në listën tënde
Thjesht më duaj si mik:
Unë nuk jam shumë
por unë jam gjithçka që mund të jem./ KultPlus.com

‘Jini të uritur për të mësuar, por edhe të çmendur për t’u argëtuar’

Thënie nga Steve Jobs

“Jeta jote është e limituar, ndaj mos e shpenzo duke jetuar jetën e dikujt tjetër”.

“Ne kemi ardhur në këtë botë për të lënë gjurmë në univers. Në të kundërt, përse mund të kishim ardhur këtu?”

“Jini të uritur për të mësuar, por edhe të çmendur për t’u argëtuar”.

“Ki guximin për të ndjekur zemrën dhe intuitën tënde. Ato e dinë në njëfarë mënyre se çfarë dëshiron ti të bëhesh”.

“Puna jote do të mbushë një pjesë të madhe të jetës tënde dhe e  vetmja mënyrë për të qenë i/e kënaqur, është të bësh atë çfarë e mendon si punë të mirë për ty. E vetmja gjë për ta bërë këtë, është të bësh punën që të pëlqen. Nëse nuk e ke gjetur akoma, vazhdo të kërkosh. Mos u ndal. Në momentin që do ta gjesh, ke për ta kuptuar mennjëherë se ajo është puna e duhur për ty. Dhe ashtu si marrëdhëniet në martesë, ajo punë të duket përherë dhe më e bukur. Ndaj, kërkoje punën e duhur për ty, derisa ta gjesh. mos u ndal”.

“Gjithmonë e kam pyetur veten përpara pasqyrës: “Nëse e sotmja do të ishte dita e fundit e jetës sime, a do të doja të bëja gjërat që do të bëj sot?””.

“Mos e lër zhurmën e opinioneve të të tjerëve të mbysin zërin tënd të brendshëm”.

“Njerëzit që mendojnë se janë tepër të çmendur për ta ndryshuar botën, janë ata që vërtet e bëjnë një gjë të tillë”.

“Nëse unë bëj më të mirën time dhe dështoj, të paktën e di se kam bërë më të mirën. Do të ishte më keq, nëse  do të dorëzohesha që në fillim”.

“Le të nisim të mendohemi për të nesërmen, në vend që të shqetësohemi për atë çfarë na ndodhi dje”.

“Njerëzit mendojnë se të përqëndrohesh do të thotë t’i thuash “Po” gjërave që të ndihmojnë të përqëndrohesh. Por nuk ka lidhje fare kjo gjë. Të përqëndrohesh do të thotë t’i thuash “Jo” qindra ideve të mira që të jepen. Ti duhet të zgjedhësh me shumë kujdes”. / bota.al/ KultPlus.com

Screenshot

‘Lirika të thyera’ promovohet së shpejti në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës

Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës do të promovohet libri me poezi ‘Lirika të thyera’ i autorit Murteza Osdautaj.

Botimi i librit është financuar nga Drejtoria për Kulturë e Komunës së Prishtinës. Është një botim i ShB ‘Faik Konica’ i redaktuar nga Nazmi Rrahmani dhe i recensuar nga Erenestina Halili – Gjergji dhe Albana Ndoja – Deda. Lekturën e ka bërë Merita Curri. 

Promovimi mbahet më 24 mars nga ora 11:00, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.

Shtegu i Ngjyrave, një perlë natyrore në Parkun ‘Korab-Koritnik’

Shtegu i Ngjyrave, ose ndryshe shtegu “Liqeni i Kallabakut-Kallabak-Çajë”, është një nga destinacionet më të bukura natyrore që ofron Parku Natyror “Korab-Koritnik”, i njohur për peizazhet e tij mahnitëse dhe biodiversitetin e pasur.

Ky itinerar njihet gjithashtu si një tur botanik, pasi ofron një shumëllojshmëri bimësh endemike dhe subendemike, duke e bërë atë një atraksion të veçantë për turistët dhe dashamirësit e natyrës.

Me një kombinim unik të ngjyrave dhe panoramave mahnitëse, Shtegu i Ngjyrave mbetet një destinacion i veçantë për eksploruesit dhe adhuruesit e ekoturizmit në Shqipëri./atsh/ KultPlus.com

Prestigjiozja ‘Condé Nast Traveller Germany’ artikull për Shqipërinë: Një prej destinacioneve më në zë të turizmit të Evropës

Revista prestigjioze e udhëtimeve “Condé Nast Traveller Germany” i ka kushtuar një artikull Shqipërisë si destinacioni i përvojave autentike të natyrës së egër.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në rrjetet sociale shkrimin e botuar në këtë media, duke ftuar turistët gjermanë të vizitojnë Shqipërinë.

“Gjiganti i udhëtimeve “Condé Nast Traveller Germany” i dedikon këtë super-artikull Shqipërisë si destinacioni i përvojave autentike të natyrës së egër dhe një mikpritjeje të sinqertë, që e bëjnë një prej destinacioneve të ardhshme më në zë të turizmit të Evropës, me Vjosën si simbol të këtij ndryshimi dhe një mikpritjeje të sinqertë, që e bëjnë një prej destinacioneve të ardhshme më në zë të turizmit të Evropës, me Vjosën si simbol të këtij ndryshimi”, shkruan Kumbaro.

Ministrja Kumbaro u shpreh se “artikulli përshkruan Shqipërinë si një vend që po zgjohet nga “gjumi i bukurisë” dhe është gati të rrëmbejë vendin e tij mes gjigantëve të turizmit në Evropë, ndërsa prezantimi dinjitoz i Shqipërisë si Vendi Nderit i ITB Berlin, ka kryer misionin e vet duke e kthyer vendin tonë në qendër të vëmendjes të industrisë së udhëtimeve 2025”.

Shqipëria aktualisht është destinacioni turistik me rritje më të shpejtë në Evropë. Numri i gjermanëve që vizituan Shqipërinë në 2024 arriti në afro 400 mijë./atsh/ KultPlus.com

‘Të turpëruarit’ sonte premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës

Sonte, në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës do të jepet premierë shfaqja mysafire “Të turpëruarit” me regji të Altin Bashës, e cila vjen si bashkëpunim i artistëve teatror nga Prishtina dhe Tirana, shkruan KultPlus.

Shfaqja “Të turpërurit” trajton identitetin, kulturën dhe konfliktet ndërkulturore në shoqërinë moderne. Përmes dilemave të personazheve, shfaqja sfidon stereotipet, diskriminimin dhe paragjykimet, duke nxjerrë në pah sfidat e një shoqërie të diversifikuar dhe nevojën për dialog e reflektim mbi marrëdhëniet ndërkulturore.

Në shfaqje luajnë: Adrian Morina, Blerta Syla Surroi, Kushtrim Sheremeti, Aurita Agushi dhe Endrit Ahmetaj.

Shfaqja jepet më 17 dhe 18 mars, në ora 20:00, në Amfiteatrin e TKK-së./ KultPlus.com

Zbulohet një varr mbretëror 3 500-vjeçar

Ministria e Turizmit dhe Antikiteteve të Egjiptit njoftoi zbulimin e një varri mbretëror që daton më shumë se 3 500 vjet më parë.

Në një deklaratë nga ministria thuhet se një ekip arkeologjik nga Universiteti i Pensilvanisë zbuloi një varr mbretëror që i përket Periudhës së Dytë në nekropolin malin Anubis në Abydos në jug të vendit

Një ekip tjetër arkeologësh, i lidhur me Këshillin e Lartë të Antikiteteve, gjeti një punishte qeramike nga periudha romake në fshatin Banavit në jug.

“Zbulimi i varrit mbretëror në Abydos dhuron prova të reja shkencore për zhvillimin e varreve mbretërore në nekropolin Anubis. Këto varre datojnë në vitet 1700-1600 para Krishtit”, thuhet në deklaratë.

Në lidhje me punishten e qeramikës në Banavit, thuhet se “Kjo punishte ishte një nga qendrat më të mëdha të prodhimit që furnizonte ‘Rajonin e Nëntë’ me qeramikë dhe qelq në kohët e lashta”.

“Njoftimi i këtyre dy zbulimeve jo vetëm që do të promovojë diversitetin turistik të Egjiptit dhe do të shpjegojë më mirë qytetërimin e lashtë egjiptian në botë, por gjithashtu do të kontribuojë shumë për studiuesit në punën e tyre”, tha ministria egjiptiane./ atsh/ KultPlus.com

Kur heshtja duket aq e zhurmshme dhe ti ndjen se vetëm je, ki besim dhe kthehu tek unë të premtoj aty më ke

Poezi nga Leonard Cohen

Kur

Kur heshtja duket aq e zhurmshme
dhe ti ndjen se vetëm je
ki besim dhe kthehu tek unë
të premtoj aty më ke.

Kur maja të duket e lartë
dhe zbritja është i vetmi kthim
zgjati duart dhe thirrmë
për ty jam gjer në amëshim.

Kur dyert janë mbyllur
dhe ti ndjen trishtim
unë do të të kthej buzëqeshjen
do të bëj të ndjesh gëzim.

Kur të kesh humbur çdo fuqi
dhe të jesh duke rënë
unë do të të ngre dhe jap shpresë
Të ndihmoj të qëndrosh në këmbë.

Dhe kur më në fund të vijë dita
që i lumtur buzë detit të ecësh
kur unë të ndjehem vetëm
shpresoj që ti të më presësh.

Por deri sa ajo ditë të vijë
dhe deri sa ti dritën të gjesh
dëgjoje zemrën, beso në mua
përjetë këtu do më kesh!

Kinoteatri “Vaçe Zela” në Lushnjë, do të transformohet në një qendër arti multi-funksionale

Rilindja urbane nuk është ndalur për asnjë moment përgjatë këtyre viteve dhe ndonëse transformimet e qyteteve janë mbresëlënëse, ndërhyrjet rikualifikuese vijojnë përmes projekteve të reja,  jo vetëm në rrugë, por edhe në muze dhe objekte monumente kulture.

I tillë është projekti për rivitalizimin e Qendrës së Artit “Vaçe Zela”, në bashkinë Lushnjë, e pozicionuar në lagjen “Kongresi i Lushnjës”, në qendër të qytetit.

Qendra me funksione komplekse si teatër, kinema, aktivitete sociale kulturore etj, është godinë e ndërtuar që në vitin 1974 dhe projekti i ri, falë një koncepti bashkëkohor të një qendre arti multifunksionale, përfshin ndërtimin e një salle teatri moderne, kinema, një skenë lëvizëse, teatrin e kukullave, hapësirë për ekspozita, kurse arti për të rinjtë, e gjitha një hapësirë ideale për shfaqje të ndryshme teatrore, muzikore dhe artistike.

Kryeministri Edi Rama e vijoi në këtë qendër, vizitën e tij në Lushnje, së bashku me Zv/kryeministren dhe Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, e cila informoi se janë bërë disa inspektime për të ndjekur ecurinë e punimeve.

“Puna po ecën shumë mirë në teatrin “Vaçe Zela” me të gjithë rikonstruksionin që po bën Fshzh-ja. Kemi bërë dhe një dakordësi mes bashkisë, Eriseldës dhe FShZH-së për ta kthyer këtë pjesën këtu në muzeale, pasi kemi identifikuar brenda këtij teatri shumë pjesë të vjetra si piano, apo rroba që kanë qenë pjesë e kostumografisë për t’u përdorur. Dhe e kemi lënë që kjo pjesa këtu të jetë pak më e errët dhe të ketë mundësi për ekspozimin e këtyre sendeve që janë të vyera për historikun e teatrit. Kemi një skenë rrotulluese. Është e dyta në Shqipëri pas asaj të Teatrit dhe Operës, dhe është bashkangjitur në ndërtesë edhe teatri i Kukullave që do të jetë gjithashtu dhe në funksion të një qendre kulturore”, shpjegoi Zëvendëskryeministrja Balluku, e cila theksoi ndër të tjera se do të shfrytëzohet çdo sipërfaqe në funksion të krijimit të hapësirave të reja për mësim dhe argëtim.

“Do të rivitalizohet gjithë ndërtesa duke i dhënë jetë dhe bodrumeve. Kati përdhe ka qenë magazinë, tani mendojmë ta kthejmë në zonë kulturore për fëmijët dhe të rinjtë me kurse të ndryshme muzikore e artistike. Pjesa jashtë, do jetë e gjitha në formën e një lulishteje. Do pastrohet komplet”, u shpreh Balluku.

Kryeministri Rama vlerësoi punën e bërë për realizimin e projektit dhe këshilloi lidhur me disa elemente artistike plotësuese.

Aktualisht janë duke përfunduar gjithë punimet e infrastrukturës, sistemeve, rrjeteve, ujësjellës-kanalizimeve./atsh/KultPlus.com

“Fausti”, katër net shfaqje e duartrokitje në Teatrin Kombëtar

Publiku duartrokiti “Faustin”, gjatë 4 netëve të fundit në Teatrin Kombëtar, ku shfaqja u rikthye përsëri me të njëjtin sukses të premierës.

“Fausti” erdhi tek ArTurbina me regji të Davide Iodice, në datat 13-16 mars, përmes interpretimit të aktorëve: Ema Andrea, Lulzim Zeqja, Besmir Bitraku, Indrit Çobani, Hervin Çuli, Niada Saliasi, Ina Gjonçi, Krist Lleshi, Gert Ferra, Genti Deçka.

Fausti është rimishërimi i njeriut modern, për të cilin djalli nuk përfaqëson më tundimin apo mëkatin, por vetëm të keqen e pranishme në jetë. Përmes shtatë mëkateve vdekjeprurëse dhe mbi të gjitha, përmes takimit dhe dashurisë për Margaritën, Fausti jetoi mundimet e tij dhe vuajtjet e njeriut modern, duke mishëruar simbolin dhe në të njëjtën kohë, sakrificën ekzemplare të luftës së vazhdueshme e të pafundme mes të mirës dhe të keqes.

Kjo vepër ishte një bashkëprodhim i Teatrit Kombëtar dhe Sardegna Teatro me mbështetjen e Institutit Italian të Kulturës./atsh/KultPlus.com

Teatri Kombëtar, thirrje artistëve për projekte bazuar mbi veprat e Shekspirit

Teatri Kombëtar shpalli thirrjen publike për projekte artistike të bazuara në veprat e Shekspirit, duke ftuar të gjithë krijuesit, regjisorët dhe artistët të paraqesin propozimet e tyre.

Përzgjedhja e projekteve artistike do të kalojë në dy faza. Në fazën e parë Teatri Kombëtar do të shqyrtojë propozimet në bazë të konceptit dhe vizionit artistik, ndërsa në fazën e dytë do të bëhet vlerësimi i aspektit financiar dhe llogaritja e fondit limit. Pas miratimit të propozimeve artistike në fazën I, projektet do të rishikohen dhe do të vlerësohen duke përllogaritur kostot dhe fondin limit.

Përveç të tjerash, aplikantët do të duhet të dorëzojnë një përmbledhje të qartë të veprës së Shekspirit që mendojnë të realizojnë. Një pikë me rëndësi është platforma regjisoriale ku do të bëhet një përmbledhje e detajuar mbi konceptin regjisorial për projektin, duke përfshirë përfytyrimin artistik për kostumet dhe skenografinë. Në përmbajtje të platformës duhet të përfshihet vizioni dhe ideja mbi veprën, qëllimi i vënies në skenë dhe rëndësia që do të ketë ajo për publikun.

Afati i aplikimeve do të jetë prej sot (17 mars) e deri më datën 11 prill 2025./atsh/KultPlus.com

Projekti që sjell historinë e Durrësit më pranë të rinjve dhe vizitorëve

Për ta sjellë historinë më pranë komunitetit lokal por edhe vizitorëve të cilët priten të jenë të shumtë këtë sezon turistik, shoqata Durrësi Aktiv në bashkëpunim me MuZEH Lab do të organizojnë një aktivitet në ndihmë të operatorëve të turizmit, guidave turistike etj.

Pas një sesioni të parë frymëzues, trajnimi do të vijojë më 5 dhe 6 prill dhe synon të pajisë pjesëmarrësit me aftësi të reja për interpretimin e trashëgimisë, “storytelling” dhe metodat krijuese.

Aktiviteti do të zhvillohet në MuZEH Lab, Durrës, ku do të mësohet mbi teknikat e avancuara në rrëfimin e historisë, për ta bërë atë më tërheqëse dhe interaktive, praktika mbi krijimin e ecjeve tematike dhe guidave interpretuese etj.

Eventi është pjesë e projektit “Epidamn Heritage: Bridging the Past and Present”, në kuadër të programit EU4Culture, financuar nga BE dhe zbatuar nga UNOPS, në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit./atsh/KultPlus.com

“Duaj marrëzisht dhe nëse të thonë që dashuria është mëkat”

William Shakespeare ishte një nga autorët më të njohur botëror. Ai e ngriti artin poetik në majat më të lartapërcjell KultPlus.

Kur flitet për të shumë pak autor i qëndrojnë përkrah dhe asnjë sipër. Studimet, analizat dhe komentet rreth tij janë të panumërta por përfundimi është i njëjtë: vepra shekspiriane është e admirueshme si tërësi dhe në të tërë përbërësit e veçantë.

Gjatë krijimtarisë së tij, Shekspiri realizoi 37 vepra për teatrin, nga të cilat 13 tragjedi, 10 drama historike dhe 14 komedi. Pjesa tjetër e krijimtarisë përfshinë 154 sonete që mbahen si realizimi poetik më i çmueshëm i gjithë kësaj periudhe dhe 2 poema të gjata.

KultPlus sot ju sjellë një thënie të këtij autori të madh:

Duaj, duaj marrëzisht, duaj më shumë se që mundesh dhe nëse të thonë që dashuria është mëkat, duaje mëkatin dhe do jesh i pafajshëm./KultPlus.com

Muzeu “Marubi” trajnon studentët në artin e fotografisë

Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” zhvilloi një masterclass dyditor frymëzuar nga ekspozita e artistit Gregory Crewdson që qëndroi për disa muaj po në “Marubi”.

Masterclass-i “Eksplorim në botën vizuale të Gregory Crewdson” ftoi studentët e Universitetit të Arteve të zbulonin botën unike dhe kinematografike të serisë “Eveningside” nga fotografi amerikan me famë botërore, Gregory Crewdson.

Me mentoren Orestia Kapidani, pedagoge në atelierin e fotografisë, studentet praktikuan kompozimin, ndriçimin dhe inskenimin të frymëzuar nga mjeshtëria e Crewdson-it në krijimin e atmosferës dhe misterit.

Fotografitë janë realizuar nga vetë studentët dhe secila prej tyre shoqërohet nga një tekst i shkurtër.

Gregory Crewdson është një fotograf amerikan që bën printime të imazheve kinematografike të përmasave të mëdha. Ai ndërton skena psikologjikisht të ngarkuara, si dhe inskenime të vendosura në peizazhe dhe ambiente periferike. Crewdson drejton një ekip të madh prodhimi dhe ndriçimi për të ndërtuar imazhet e tij./atsh/KultPlus.com

Stina koncertore e Orkestrës Simfonike të RTSH

Stina koncertore e Orkestrës Simfonike të RTSH po sjell për artdashësit një veprimtari të ngjeshur artistike.

Në Sallën e Universtitetit të Arteve së shpejti do të vijë Ludwing van Beethoven – Koncert Nr.5 “Emperor” Op.73 për piano dhe orkestër si dhe Simfonia Nr. 3 në Mi bemol maxhor Op.97 nga Robert Schumann, të interpretuara në piano nga Alessandro Taverna, nën dirigjimin e Eddi De Nadai.

Ky koncert do të vijë për publikun më 21 mars ndërkohë që një tjetër mbrëmje plot emocione solli kryevepra nga Glinka, Brahms, Sina dhe Lutoslawski ku pianistja Klejda Tare spikati me lojën e saj brilante. Koncerti ishte nën dirigjimin e Mihail Agafita.

Vepra “Meditation-Mimosa” për piano dhe orkestër nga kompozitori Endri Sina ishte pjesë e stinës koncertore. Orkestra Simfonike e RTSH luajti veprën nga Mikhail Glinka-Uvertura nga Opera “Ruslani dhe Ludmila”; nga Witold Lutoslawski -Variacione mbi një temë të Paganinit për piano dhe orkestër (premierë), soliste Klejda Tare (piano); nga Johannes Brahms-Simfonia No. 4 në Mi minor, op. 98./atsh/KultPlus.com