Muzeu “Marubi” trajnon studentët në artin e fotografisë

Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” zhvilloi një masterclass dyditor frymëzuar nga ekspozita e artistit Gregory Crewdson që qëndroi për disa muaj po në “Marubi”.

Masterclass-i “Eksplorim në botën vizuale të Gregory Crewdson” ftoi studentët e Universitetit të Arteve të zbulonin botën unike dhe kinematografike të serisë “Eveningside” nga fotografi amerikan me famë botërore, Gregory Crewdson.

Me mentoren Orestia Kapidani, pedagoge në atelierin e fotografisë, studentet praktikuan kompozimin, ndriçimin dhe inskenimin të frymëzuar nga mjeshtëria e Crewdson-it në krijimin e atmosferës dhe misterit.

Fotografitë janë realizuar nga vetë studentët dhe secila prej tyre shoqërohet nga një tekst i shkurtër.

Gregory Crewdson është një fotograf amerikan që bën printime të imazheve kinematografike të përmasave të mëdha. Ai ndërton skena psikologjikisht të ngarkuara, si dhe inskenime të vendosura në peizazhe dhe ambiente periferike. Crewdson drejton një ekip të madh prodhimi dhe ndriçimi për të ndërtuar imazhet e tij./atsh/KultPlus.com

Stina koncertore e Orkestrës Simfonike të RTSH

Stina koncertore e Orkestrës Simfonike të RTSH po sjell për artdashësit një veprimtari të ngjeshur artistike.

Në Sallën e Universtitetit të Arteve së shpejti do të vijë Ludwing van Beethoven – Koncert Nr.5 “Emperor” Op.73 për piano dhe orkestër si dhe Simfonia Nr. 3 në Mi bemol maxhor Op.97 nga Robert Schumann, të interpretuara në piano nga Alessandro Taverna, nën dirigjimin e Eddi De Nadai.

Ky koncert do të vijë për publikun më 21 mars ndërkohë që një tjetër mbrëmje plot emocione solli kryevepra nga Glinka, Brahms, Sina dhe Lutoslawski ku pianistja Klejda Tare spikati me lojën e saj brilante. Koncerti ishte nën dirigjimin e Mihail Agafita.

Vepra “Meditation-Mimosa” për piano dhe orkestër nga kompozitori Endri Sina ishte pjesë e stinës koncertore. Orkestra Simfonike e RTSH luajti veprën nga Mikhail Glinka-Uvertura nga Opera “Ruslani dhe Ludmila”; nga Witold Lutoslawski -Variacione mbi një temë të Paganinit për piano dhe orkestër (premierë), soliste Klejda Tare (piano); nga Johannes Brahms-Simfonia No. 4 në Mi minor, op. 98./atsh/KultPlus.com

“Gravurë me ngjyrat e kohës” nga Ajne Ibërhysaj do të promovohet në KultPlus Caffe Gallery, hapet edhe një ekspozitë

Më 21 mars, në ditën botërore të poezisë, Ajne Ibërhysaj do të promovojë librin “Gravurë me ngjyrat e kohës”, promovim që do të mbahet në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, në ora 19:00.

Rreth librit do të flasin Agim Vinca e Ramë Oraca, ndërkohë, po kjo mbrëmje poetike do të shoqërohet edhe me prezantimin e ekspozitës kolektive nga artistët: Musë Prelvukaj, Skënder Idrizi, Bija Jasiqi, Merita Myderrizi Maloku e Agron Mulliqi.

Kjo  mbrëmje me ngrohtësi poetike dhe ngrohtësi të ngjyrave është e hapur për të gjithë adhuruesit e librit dhe pikturës./ KultPlus.com

Fragment nga libri ‘Tuneli’ i shkrimtarit Ernesto Sabato

KultPlus ua sjell sot një fragment nga libri i Ernesto Sabatos, ‘Tuneli’.

Kur e pashë të ecte në anën tjetër të trotuarit, të gjitha variantet në kokën time u bënë troç dhe u rrotulluan. Mjegulltazi, ndjeva në ndërgjegjen time dallgën e atyre frazave të komplikuara, të përpunuara e të mbajtura mend, përgjatë procesit përgatitor që kisha kaluar: A jeni e interesuar në art? Pse e shikuat vetëm dritaren e vogël?, e kështu me radhë. Dhe, më ngulmuese se secila, më vinte në gojë një frazë që e kisha hedhur poshtë për të vrazhdë, e që, në atë moment, më mbushte turp e më bënte të ndihesha edhe më qesharak: Ju pëlqen Kasteli?

Frazat, të shfrenuara dhe konfuze, formësonin një enigmë fjalëkryqi misterioz, derisa e kuptova se qe e kotë të brengosesha në atë mënyrë: më pas, më ra në mend se ishte ajo e cila do të duhej ta merrte nismën për çfarëdo bisede. Dhe, që nga ai moment, u ndjeva marrëzisht i qetë dhe, madje, munda të mendoja, gjithashtu, marrëzisht: Tani kemi për të parë se si do t’i shkojë kësaj.

Në ndërkohë, pavarësisht këtij gjykimi, aq ndihesha nervoz dhe i emocionuar sa s’isha në gjendje të bëja gjë tjetër përveç ta përcillja marshin e saj anës tjetër të trotuarit, pa menduar se nëse do të doja t’i jepja, të paktën, mundësinë hipotetike të më pyeste ndonjë adresë, më duhej të kaloja në anën tjetër të rrugës dhe të afrohesha. Vërtet, s’kishte gjë më absurde sesa të supozosh se ajo do të bërtiste prej atje për të më kërkuar ndonjë adresë.

Ç’të bëja? Sa do të zgjaste kjo situatë? U ndjeva krejtësisht i mjerë. Ecëm disa blloqe. Ajo vazhdoi të ecte vendosmërisht.

lsha shumë i trishtuar, por më duhej t’i shkoja gjer në fund kësaj pune: ishte e pamundur që, pasi e kisha pritur muaj të tërë këtë moment, ta lija këtë mundësi të më shkiste nga duart. Dhe, të ecurit e shpejtë, derisa shpirti më lëkundej aq shumë, më shkaktonte një ndjesi të pazakontë: mendja ime ishte si një krimb qorr e i ngathët, brenda një automobili me shpejtësi të madhe.

U kthye në qoshen e San Martinit, bëri ca hapa dhe hyri në ndërtesën e Kompanisë T. E kuptova se më duhej të veproja shpejt dhe e ndjeka pas, edhe pse, në ato momente, ndjeva se po bëja diç të tepruar e monstruoze.

E priste ashensorin. S’kishte tjerë njerëz. Njëri brenda meje, më guximtar se unë, shqiptoi këtë pyetje tmerrësisht të marrë: Kjo është ndërtesa e Kompanisë T?

Një tabelë, e madhe ca metra, që mbulonte gjithë pjesën e përparme të ndërtesës, shënjonte se kjo ishte ndërtesa e Kompanisë T.

Sidoqoftë, ajo u kthye me thjeshtësi dhe m’u përgjigj duke pohuar. (Më vonë, duke reflektuar mbi pyetjen time dhe thjeshtësinë e qetësinë me të cilën ajo m’u përgjigj, konkludovase, në fund të fundit, ngjan që shumë herë njerëzit nuk i shohin këto tabela tepër të mëdha se, kësisoj, pyetja s’ishte aq e marrë, siç e mendova në momentet e para.)

Por, menjëherë, kur më shikoi, u skuq aq fort, sa e kuptova se më njohju. Të tillë variant s’kisha paramenduar kurrë. Sidoqoftë, ishte mjaft logjik, sepse fotografia ime ishte shfaqur shumë shpesh nëpër revista e gazeta.

U emocionova aq shumë, sa qeshë në gjendje t’i drejtoja vetëm edhe një tjetër pyetje bajate. E pyeta befas:

Pse u skuqët?

Ajo u skuq edhe më dhe ndoshta deshi të më përgjigjej kur unë, i dalë krejtësisht nga vetja, shtova vrik

 U skuqët ngaqë më njohët. Me gjasë mendoni se kjo ështe një rastësi, por nuk është e tillë, nuk ka rastësi kurrë. Kam menduar rreth jush me muaj të tërë. Sot ju pashë tek ecnit në rrugë dhe ju përcolla. Më duhet t’ju pyes diçka, diçka në lidhje me dritaren e vogël, kuptoni?

Dukej e frikësuar:

– Dritarja e vogël? – belbëzoi. – Ç’dritare e vogël?

Ndjeva këmbët të më dridheshin. Ishte e mundur mOS kujtohej? Pra, s’çonte peshë për të dhe e kishte shikuar veç për kureshtje. U ndjeva qesharak dhe mendova, marramendthi, se gjithë ç’kisha bërë e menduar tërë këta muaj (përfshirë edhe këtë skenë) ishte maja e marrëzisë dhe budallallëkut, një nga ato trillet e mia imagjinare, mendjemadhe aq sa ato rindërtimet e një dionsauri nga një gjetje vertebre të thyer.

Vajza sa s’ia nisi vajit. Mendova se bota do të më shembej mbi kokë, pa më dhënë afat të ndërmirrja gjë efikase. E zura veten duke thënë diçka që tani më vjen turp ta shkruaj:

Shoh se paskam gabuar. Ditën e mirë.

Dola rrëmbimthi dhe eca, pothuajse duke vrapuar, pa cak e adresë. Kisha ecur një bllok të tërë kur dëgjova një zë prapa të thoshte:

Zotëri, zotëri!

Ishte ajo; më kishte ndjekur, pa marrë guximin të më ndalte. Ishte aty dhe s’dinte si ta shpjegonte atë që kishte ndodhur. Me një zë të ulët më tha:

Më falni, zotëri… Faleni marrëzinë time… Isha aq e frikësuar…

Ca momente më parë, bota më ishte një kaos gjërash dhe njerëzisht të padobishëm. Ndjeva sikur tani po formësohej përsëri dhe po rimerrte frerët në duar. E dëgjova i heshtur.

S’e kuptova se po më pyesnit rreth skenës së pikturës – tha, me angështi.

Pa menduar fare, e kapa për krahu.

Atëherë, ju kujtohet?

Ndenji një moment pa e hapur gojën, me sytë mbërthyer në tokë. Pastaj, tha ngadalë:

– Më kujtohet vazhdimisht .

Më pas, diçka e çuditshme ngjau: u duk se u pendua për ato që kishte thënë sepse, papritur,ma ktheu shpinën dhe gati nisi të vrapojë. Pas një çasti habie, vrapova pas saj, derisa ma kapi truri se sa qesharake ishte kjo skenë; shikova majtas e djathas dhe vazhdova të ecja me hapa të shpejtë, por normal. Vendosa kështu për dy arsye: e para, sepse ishte qesharake që një njeri i famshëm të vraponte rrugës pas nje vajze dhe, e dyta, sepse s’ishte e nevojshme. Kjo e fundit ishte më esencialja, mund ta shihja sa herë të doja, kur ajo të hynte apo dilte nga zyrja e saj. Pra, pse të vrapoja si i çmendur? E rëndësishmja këtu, më e rëndësishmja ishte se asaj i kujtohej skena e dritares: I kujtohej vazhdimisht. Isha i kënaqur, ndihesha i gatshëm për gjëra të mëdha, vetëm se e qortoja veten pse kisha humbur kontrollin atje te ashensori dhe tani, përsëri, që vrapova pas asaj sikur buda;;a. kur ishte më se e qartë se mund ta takoja në çfarëdo kohe, në zyrë./KultPlus.com

Artisti i ri nga Prishtina, Akil Dashevci, ftohet në ngjarje prestigjioze ndërkombëtare

Akil Dashevci, një artist i ri 18-vjeçar nga Prishtina, ka sfiduar disleksinë dhe disgrafinë për të ndërtuar një karrierë premtuese në artin pamor. Deri më tani, ai ka mbajtur shtatë ekspozita personale dhe ka marrë pjesë në disa ekspozita kolektive ndërkombëtare, si dhe në ankande bamirësie.

Së fundmi, Dashevci ka marrë një ftesë prestigjioze nga “PAKS Gallery” dhe “MAMAG Museum” për të ekspozuar veprat e tij në disa prej ngjarjeve më të mëdha artistike botërore, përfshirë Festivalin e Filmit në Kanë, Art Basel Week dhe Carrousel du Louvre.

“Kuratorët tanë kanë parë veprat tuaja të artit dhe i sheh ato shumë mbresëlënëse” thuhet në ftesën e dërguar nga organizatorët, duke vlerësuar talentin dhe stilin e tij artistik. Pjesëmarrja e tij në këto evente të rëndësishme vjen si një dëshmi e vlerësimit të punës së tij dhe përkushtimit në fushën e artit.

Me këto ekspozita, Dashevci pritet të prezantojë punimet e tij përpara një audience ndërkombëtare dhe koleksionistësh të njohur të artit./ KultPlus.com

“Kafshatë që s’kapërdihet asht, or vlla, mjerimi”

Poezi nga Migjeni

Kafshatë që s’kapërdihet asht, or vlla, mjerimi,
kafshatë që të mbetë në fyt edhe të zë trishtimi
kur shef ftyra të zbeta edhe sy t’jeshilta
që t’shikojnë si hije dhe shtrijnë duert e mpita
edhe ashtu të shtrime mbrapa teje mbesin
të tan jetën e vet derisa të vdesin.

E mbi ta n’ajri, si në qesendi,
therin qiellën kryqat e minaret e ngurta,
profetënt dhe shejtënt në fushqeta të shumngjyrta
shkëlqejnë e mjerimi mirfilli ndien tradhti.
mjerimi ka vulën e vet t’shëmtueme,
asht e neveritshme, e keqe, e turpshme,
balli që e ka, syt që e shprehin,
buzët që më kot mundohen ta mshefin –
janë fëmitë e padijes e flitë e përbuzjes,
t’mbetunat e flliqta rreth e përqark tryezës
mbi t’cilën hangri darkën një qen e pamshirshëm
me bark shekulluer, gjithmon i pangishëm.

Mjerimi s’ka fat, por ka vetëm zhele,
zhele fund e majë, flamujt e një shprese
t’shkyem dhe të coptuem me t’dalun bese.

Mjerimi tërbohet n’dashuni epshore.
nëpër skaje t’errta, bashkë me qej, mij, mica,
mbi pecat e mykta, t’qelbta, t’ndyta, t’lagta
lakuriqen mishnat, si zhangë; t’verdhë e pisa,
kapërthehen ndjenjat me fuqi shtazore,
kafshojnë, përpijnë, thithen, puthen buzët e ndragta
edhe shuhet uja, dhe fashitet etja
n’epshin kapërthyes, kur mbytet vetvetja.
dhe aty zajnë fillin t’marrët, shërbtorët dhe lypsat
që nesër do linden me na i mbushë rrugat.

Mjerimi në dritzën e synit t’kërthinit
dridhet posi flaka e mekun e qirit
nën tavan t’tymuem dhe plot merimanga,
ku hije njerzish dridhen ndër mure plot danga,
ku foshnja e smume qan si shpirt’ i keq
tu’ ndukë gjitë e shterruna t’zezës amë,
e kjo prap shtazanë, mallkon zot e dreq,
mallkon frytn e vet, mallkon barrn e randë.
foshnj’ e saj nuk qesh, por vetëm lëngon,
e ama s’e don, por vetëm mallkon.
vall sa i trishtueshëm asht djepi i skamit
ku foshnjën përkundin lot edhe të fshamit!

Mjerimi rrit fëmin në hijen e shtëpive
të nalta, ku nuk mrrin zani i lypsis,
ku nuk mund t’u prishet qetsia zotnive
kur bashkë me zoja flejnë në shtretënt e lumnis.

Mjerimi pjek fëmin para se të burrnohet,
don ta msojë t’i iki grushtit q’i kërcnohet,
atij grusht që n’gjumë e shtërngon për fytit
kur fillojnë kllapitë e etheve prej unit
dhe fetyrën e fëmis e mblon hij’ e vdekjes,
një stoli e kobshme në vend të buzqeshjes.
nji fryt kur s’piqet dihet se ku shkon
qashtu edhe fëmia n’bark t’dheut mbaron.

Mjerimi punon, punon dit e natë
tu’ i vlue djersa në gjoks edhe në ballë,
tue u zhigatun deri n’gjujë, n’baltë
e prap zorrët nga uja i bahen palë-palë.
shpërblim qesharak! për qindenjë afsh
në ditë – vetëm: lekë tre-katër dhe “marsh!”.

Mjerimi kaiher’ i ka faqet e lustrueme,
buzët e pezmatueme, mollzat e ngjyrueme,
trupin përmendore e një tregtis s’ndytë,
që asht i gjikuem të bijë në shtrat vet i dytë,
dhe për at shërbim ka për të marrë do franga
ndër çarçafë, ndër fëtyra dhe në ndërgjegje danga.

Mjerimi gjithashtu len dhe n’trashigim
-jo veç nëpër banka dhe në gja të patundshme,
por eshtnat e shtrembta e n’gjoks ndoj dhimbë,
mund që t’len kujtim ditën e dikurshme
kur pullaz’ i shpis u shemb edhe ra
nga kalbsin’ e kohës, nga pesha e qiellit,
kur mbi gjithçka u ndi një i tmerrshmi za
plot mallkim dhe lutje si nga fund i ferrit,
ish zan’ i njeriut që vdiste nën tra.
kështu nën kambët’randë t’zotit t’egërsuem –
thotë prifti – vdes ai që çon jetë të dhunuem.

dhe me këto kujtime, ksi lloj fatkeqësinash
mbushet got’ e helmit në trashigim brezninash.
mjerimi ka motër ngushulluese gotën.
në pijetore të qelbta, pranë tryezës plot zdrale
të neveritshme, shpirti me etje derdh gotën
n’fyt për me harrue nandhetenand’ halle.
e gota e turbull, gota satanike
tu’ e ledhatue e pickon si gjarpni-
dhe kur bie njeriu, si gruni nga drapni,
nën tryezë qan-qeshet në formë tragjikomike.
tê gjitha hallet skami n’gotë i mbyt
kur njiqind i derdh një nga një në fyt.
mjerimi ndez dëshirat si hyjet errsina
dhe bajnë tym si hejt q’i ban shkrum shkreptima.

Mjerimi s’ka gëzim, por ka vetëm dhimba,
dhimba paduruese qe t’bajnë t’çmendesh,
që t’ap in litarin të shkojsh fill’ e t’varesh
ose bahe fli e mjerë e paragrafesh.

Mjerimi s’don mshirë. por don vetëm të drejt!
mshirë? bijë bastardhe e etënve dinakë,
t’cilt n’mnyrë pompoze posi farisejt
i bijnë lodërtinës me ndjejt dhelparak
tu’ ia lëshue lypsiti një grosh të holl’ n’shplakë.

mjerimi asht një njollë e pashlyeme
n’ballë të njerzimit që kalon nëpër shekuj.
dhe kët njollë kurr nuk asht e mundshme
ta shlyejnë paçavrat që zunë myk ndër tempuj./KultPlus.com

“Bota është një skenë, por drama është luajtur keq”, 100 thënie brilante nga Oscar Wilde

Oscar Wilde është shkrimtar, poet dhe dramaturg i shquar irlandez. Lindi më 16 tetor 1854 në Dublin dhe vdiq në vitin 1900 në Paris. Ai rridhte nga një familje me prindër intelektualë anglo–irlandezë.

Mori pjesë në shumë aktivitete të ndryshme letrare dhe mbajti leksione të ndryshme mbi esteticizmin në Amerikë dhe Kanada. Më pas u kthye në Londër, ku ushtroi profesionin e gazetarisë dhe me mprehtësinë therëse, veshjen dhe oratorinë e tij u bë një nga personalitetet më të shquar të kohës.

I jepte shumë rëndësi artit, duke i shprehur idetë nëpërmjet dialogëve të ndryshëm, eseve, të cilat përmbanin pikëpamje mbi dekadencën, bukurinë etj., që mishërohen edhe në të vetmen novelë të tij “Portreti i Dorian Grejit”, botuar në vitin 1890.

Për shkak të ideve të tij, veçanërisht ato mbi homoseksualizmin, për të cilin iu bënë edhe akuza të drejtpërdrejta dhe u arrestua në vitin 1895, Wilde kaloi disa vite i burgosur në Londër.

Në vitin 2007, Wilde është votuar si mendja më e madhe e Britanisë në një sondazh prej më shumë se 3000 komedianësh, duke lënë prapa Winston Churchill, Spike Miligan dhe Noel Couard.

Wilde shquhej për mprehtësi dhe lexuesit e veprave të tij tërhiqen jo vetëm nga librat e shkruar, por edhe nga thëniet e tij.

100 thënie nga Oscar Wilde:


1- Bëhu vetja, të gjithë të tjerët janë zënë
2- Një poet mund të mbijetojë çdo gjë, por jo një gabim shtypi.
3- Të moshuarit besojnë se dinë, të moshës mesatare dyshojnë se dinë, të rinjtë mendojnë se i dinë të gjitha.
4- Përvoja është emri që u japim gabimeve tona.
5- Kur isha i ri mendoja që paraja ishte gjëja më e rëndësishme në jetë. Tani që jam rritur jam bindur se ashtu është vërtet.
5- Askush nuk është aq i pasur, sa të mund të blejë të kaluarën e vet.
7- Këshilla më e mirë që mund t’u japësh të rinjve për karrierën është: Zbuloni çfarë ju pëlqen të bëni më shumë dhe pastaj gjeni dikë t’ju paguajë për këtë.
7- S’ka asgjë më të rrezikshme sesa të jesh tepër modern. Rrezikon të dalësh jashtë mode nga një moment në tjetrin.
9- Pas gotës së parë, i shikon gjërat ashtu siç do të doje të ishin. Pas gotës së dytë, i shikon gjërat ashtu siç nuk janë. Në fund i shikon gjërat ashtu siç janë në realitet, dhe kjo është gjëja më e shëmtuar në botë
10 – Miqtë e vërtetë nuk ta ngulin thikën pas shpine, por përballë.

11- Dallimi i vetëm ndërmjet shenjtorit dhe mëkatarit është që çdo shenjtor ka një të kaluar dhe çdo mëkatar një të ardhme.
12- Ai që s’di të mësojë, jep mend
13 – Moderimi është diçka fatale. Asgjë s’është më e suksesshme sesa teprimi. Përvoja nuk ka asnjë vlerë etike: ajo është thjesht emri që njerëzit u japin gabimeve të tyre.
14- Tragjedia e plakut nuk është plakja, por rinia.
15- Kam shumë të dëshirë të flas për asgjë. Është e vetmja çështje për të cilën di gjithçka.
16- Sot njohim çmimin e çdo gjëje, por jo vlerën e tyre.
17- Lumturia e një njeriu të martuar varet nga ajo me të cilën nuk është martuar.
18- Shumë pak e kuptojnë sot se në një martesë, dy vetë janë të vetmuar, ndërsa kur janë tre të paktën ke shoqëri.
19- E vetmja mënyrë sjelljeje më një grua është të bësh dashuri me të nëse është e bukur, ose të bësh dashuri me një tjetër nëse është e shëmtuar.
20- Vetëm njerëzit sipërfaqësorë nuk gjykojnë nga paraqitja e jashtme.
21- Publiku është jashtëzakonisht tolerant; fal gjithçka përveç gjenialitetit.
22- Unë mund t’i rezistoj gjithçkaje, përveç tundimeve.
23- Mos u besoni ndjenjave të grave para se të martohen.
24- Burrat e njohin shumë shpejt jetën, gratë shumë vonë
25- Gratë adhurojnë kur bien në dashuri, por kur humbasin adhurimin e tyre, ato humbasin gjithçka.
26- Gratë kanë një instinkt të çuditshëm: Ëndërrojnë gjithçka veç asaj që duhet.
27- Gjithmonë falni armiqtë tuaj, asgjë nuk i mërzit ata më shumë.
28- Disa shkaktojnë lumturi kudo që të shkojnë, të tjerët sa herë që të shkojnë.
29- Si mund të pritet që një grua të jetë e lumtur me një burrë i cili insiston në trajtimin e saj sikur ajo të ishte një qenie tejet normale njerëzore.
30- Fëmijët fillojnë duke i dashur prindërit e tyre; pas një kohe i gjykojnë ata; shumë rrallë, nëse ndonjëherë, i falin ata.
31- Çdo shenjtor ka një të shkuar dhe çdo mëkatar ka një të ardhme.
32- Unë jam aq i zgjuar sa nganjëherë nuk e kuptoj një fjalë të vetme të asaj që jam duke thënë.
33- Arsimi është një gjë e admirueshme, por është mirë të mbani mend nga koha në kohë që asgjë që vlen për ta ditur nuk mund të mësohet.
34- Midis burrave dhe grave nuk mund të ekzistojë ekziston miqësia. Ekzistojnë pasioni, armiqësia, adhurimi, dashuria, por jo miqësia.
35- Gratë janë bërë për t’u dashur, jo për t’u kuptuar.
36- Burrat gjithmonë duan të jenë dashuria e parë e një gruaje – gratë duan të jenë romanca e fundit e një burri.
37- Njeriu është shumë pak vetvetja, kur ai flet për veten e tij. Jepini atij një maskë, dhe ai do t’ju tregojë të vërtetën.
38- Unë shoh kur burrat i duan gratë. Ata iu japin atyre vetëm pak nga jeta e tyre. Por gratë, kur ato të duan, të japin gjithçka.
39- Egoizmi nuk është të jetosh si ke dëshirë për të jetuar, egoizmi është t’iu kërkosh të tjerëve të jetojnë si ke ti dëshirë për të jetuar.

40- Pasuritë e zakonshme mund t’i vjedhësh; pasuritë e vërteta kurrë nuk mund të vidhen. Në shpirtin tuaj janë pafundësisht gjëra të çmuara të cilat askush nuk mund t’jua marrë.
41- Është absurde t’i ndajnë njerëzit në të mirë dhe të këqij. Njerëzit janë ose simpatikë ose bajatë.
42- Unë kam shije të thjeshta. Unë jam i kënaqur gjithmonë me të mirën.
43- Shumica e njerëzve janë njerëz të tjerë. Mendimet e tyre janë mendimet e dikujt tjetër, jeta e tyre është një imitim, pasionet e tyre janë një citat.
44- Asnjë artist i madh nuk i sheh ndonjëherë gjërat si ato janë në të vërtetë. Nëse ai e bën këtë, ai do të jetë më artist.
45- Fytyra e njeriut është autobiografia e tij. Fytyra e një gruaje është vepra e saj artistike.
46- Duke na dhënë mendimet e të pashkolluarve, gazetaria na mban në kontakt me injorancën e komunitetit.
47- Të gjitha gratë bëhen si nënat e tyre. Kjo është tragjedi e tyre. Asnjë burrë nuk bëhet i tillë. Kjo është tragjedia e tyre.
48- Pakëz sinqeritet është një gjë e rrezikshme, dhe shumë sinqeritet është absolutisht fatal.
49- Një njeri që nuk mendon për vete, nuk mendon fare.
50- Nëse dikush nuk mund të kënaqet duke lexuar një libër përsëri e përsëri, nuk ka kuptim ta lexojë atë fare.
51- Bigamia është të paturit e një gruaje më shumë. Monogamia është e njëjtë.
52- Burrat martohen sepse ata janë të lodhur, gratë, sepse ato janë kurioze, të dyja palët zhgënjhen.
53- Gjithçka popullore është e gabuar.
54 – E qeshura nuk është aspak një fillim i keq për një miqësi, dhe është tejet e mirë për t’i dhënë fund një miqësie.
55- Demokracia nënkupton thjesht kamzhikosje e popullit nga populli për popullin.
56- Jeta nuk është e drejtë, dhe ndoshta kjo është një gjë e mirë për shumicën prej nesh që ajo nuk është e tillë.
57- Të mashtrosh të tjerët. Kjo është ajo që bota e quan një romancë.
58- Kur perënditë dëshirojnë të ndëshkojnë, ata iu përgjigjen lutjeve tona.
59 – Çfarë është një cinik? Një njeri që e njeh çmimin e gjithçkaje dhe vlerën e asgjëje.
60- Dallimi në mes letërsisë dhe gazetarisë është se gazetaria është e palexueshme dhe letërsia nuk lexohet.
61- Jeta është aq gjë e rëndësishme sa nuk mund të flitet ndonjëherë seriozisht për të.
62- Moraliteti është thjesht qëndrimi që mbajmë ndaj njerëzve të cilët ne personalisht nuk i pëlqejmë.
63- Unë ndonjëherë mendoj se Zoti në krijimin e njeriut disi e mbivlerësoi aftësinë e tij.
64- Sa herë që njerëzit bien dakord me mua, unë gjithmonë ndjej se duhet të jem i gabuar.
65- Sa kohë që një grua mund të duket dhjetë vjet më e re se vajza e saj, ajo është tejet e kënaqur.
66- Kujtesa… Është ditari që ne të gjithë e mbajmë për veten tonë.
67- Ambicia është streha e fundit e dështimit.
68- Nuk ka asnjë mëkat përveç marrëzisë.
69- Shoqëria ekziston vetëm si një koncept mendor; në botën reale janë vetëm individët.
70- Bota është një skenë, por drama është luajtur keq.
71- Kur një burrë ka dashur dikur një grua, ai nuk do të bëjë asgjë për të, me përjashtim të vazhdojë dashurinë ndaj saj.
72- Gratë na duan për defektet tona. Në qoftë se ne kemi mjaft prej tyre, ato do të na falin gjithçka, edhe intelektin tonë gjigant.
73- Urrejtja është e verbër, si dashuria.
74- Gruaja fillon duke iu rezistuar vardisjeve të një burri dhe përfundon duke bllokuar tërheqjen e tij.
75- Pesimist: Njeriu që, kur ka për të zgjedhur mes dy të këqijave, i zgjedh të dyja.
76- Librat që bota i quan të pamoralshme janë libra që ia tregojnë botës turpin e vet.
77- Biseda rreth motit është streha e fundit e fantazisë.
78- Kam vënë të gjithë gjenialitetin tim në jetën time, kam vendosur vetëm talentin tim në veprat e mia.
79- Më pëlqejnë personat më shumë se parimet, dhe më pëlqejnë personat pa parime më shumë se çdo gjë tjetër në botë.


80- Gratë nuk janë të çarmatosura nga komplimentet. Burrat gjithmonë janë. Ky është dallimi në mes gjinive.
81- Tallja është haraçi që mediokrit ia paguajnë gjeniut.
82- Nëse dikush luan muzikë të mirë, njerëzit nuk dëgjojnë dhe në qoftë se dikush luan muzikë të keqe njerëzit nuk flasin.
83- Njeriu është një kafshë racionale që gjithmonë humb durimin e tij, kur ai thirret për të vepruar në pajtim me diktatet e arsyes.
84- Pyetjet nuk janë të pamatura, përgjigjet nganjëherë janë.
85- Avantazhi i emocioneve është se ato na çojnë në humbje.
86- Të edukuarit mirë grinden me njerëzit e tjerë. Të mençurit grinden me vetveten.
87- Ka shumë gjëra që ne do t’i hidhnim tutje në qoftë se ne nuk do të kishim frikë se të tjerët mund t’i marrin ato.
88- Jeta e vërtetë është shumë shpesh jeta të cilën njeriun nuk e jeton.
89- Për të fituar popullaritet duhet të jesh mediokër.
90- Në moment që ju mendoni se e kuptoni një vepër të madhe arti, ajo është e vdekur për ju.
91 – Si e rrënon martesa një burrë! Ajo është demoralizuese sa cigaret, dhe shumë më e shtrenjtë.
92- Një nga mësimet e shumta që mëson në një burg është se gjërat janë ato që ata janë dhe do të jenë ato që do të jenë.
93- Është më mirë të kesh të ardhura të përhershme sesa të jesh interesant.
94- Njeriu mund të besoj të pamundurën, por njeriu kurrë nuk mund të besojë të pamundshmen.
95- Vetëm duke mos paguar faturat, mund të shpresojnë të jetojmë në kujtesën e klasave komerciale.
96- Bamirësia krijon një shumicë mëkatesh.
97- Detyra e parë në këtë jetë është të jemi sa më sipërfaqësorë që të mundemi. Se cila është detyra e dytë, këtë askush s’ka mundur ta zbulojë ende.
98- Bota është krijuar për burrat, jo për gratë.
99 -Nuk duhet t’i besojmë kurrë një gruaje që na tregon moshën e saj të vërtetë. Ajo që tregon moshën është gati të tregojë gjithçka.
100- Unë gjithmonë jap këshilla të mira. Është vetmja gjë që mund të bëj me to. Ato nuk kanë asnjë vlerë për mua. / KultPlus.com

Mark Aureli: Mbaj mend se ti ke pushtet mbi mendjen, jo anasjelltas

Thënie nga Mark Aureli

“Mbaj mend se ti ke pushtet mbi mendjen, jo anasjellas”.

“Lumturia e jetës tënde varet nga cilësia e mendimeve të tua”.

“Çdo gjë që dëgjojmë nuk është fakt, por opinion. Çdo gjë që shohim nuk është e vërtetë, por perspektivë”.

“Mos e harxho kohën tënde duke argumentuar se si duhet të jetë një njeri i mirë. Thjesht bëhu i tillë”.

“Gëzo bukurinë jetës. Shiko yjet dhe vrapo me ta”.

“Prano gjërat dhe dashuro njerëzit me të cilët të lidh fati, por bëje me gjithë zemër”.

“Kur zgjohesh në mëngjes, mendo se çfarë privilegji është të jesh gjallë, të mendosh, të gëzosh, të dashurosh”.

“Hakmarrja më e mirë është të bëhesh e kundërta e atij që të ka lënduar”.

“Njeriu nuk duhet t’i frikësohet vdekjes, por mosgëzimit të jetës”.

“Mos u shqetëso për të ardhmen. Nëse është e shkruar do ta takosh, i armatosur me të njëjtën arsye me të cilën përballesh me të tashmen”.

“Shpesh kam vrarë mendjen se si është e mundur që njeriu e do veten më shumë sesa të gjithë njerëzit e tjerë bashkë e megjithatë i jep më pak vlerë opinionit të tij për veten sesa opinionit të të tjerëve”.

Gonxhja: Nisin përgatitjet për një sezon turistik të suksesshëm

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur se kanë filluar përgatitjet për një tjetër sezon turistik të suksesshëm.

“Trajnimet dhe njohja e mirë e siteve përpara sezonit turistik, për guidat dhe agjencitë turistike, janë elemente kyç për një eksperiencë të paharrueshme për vizitorët”, u shpreh ministri i MEKI-t, në rrjetet sociale.

Ai tha se paralelisht, po vijon puna për mirëmbajtjen dhe përkujdesjen ndaj siteve arkeologjike, për të ruajtur dhe promovuar vlerat tona historike.

Sipas statistikave të publikuara herë pas here nga institucionet, numri i vizitorëve në sitet kulturore, ka ardhur gjithnjë në rritje. Gjatë vitit 2024 vizitueshmëria shënoi rritje me 31%, krahasuar me një vit më parë, duke gjeneruar të ardhura nga shitja e biletave. Sitet kulturore gjatë vitit 2024 janë vizituar nga 1 314 999 persona, ndërkohë që pritet që për 2025-ën kjo shifër të tejkalohet.

Pesë sitet më të vizituara janë Kalaja e Gjirokastrës, Parku Kombëtar i Butrintit, Muzeu Gjergj Kastrioti në Krujë, Parku Arkeologjik në Shkodër dhe Parku Arkeologjik në Apoloni./atsh/KultPlus.com

Mark Aureli, perandori-filozof i Doktrinës Stoike

Marcus Aurelius, (26 prill 121 – 17 mars 180 të epokës sonë) që në moshën 8 vjeçare u pranua nga Këshilli Klerikal i Romës. U edukua në retorikën greke dhe atë latine nga Frodo dhe Herod Attiko. Filozofia Stoike, e joshi tejmase, dhe që në moshën 12 vjeçare veshi uniformën stoike, duke adoptuar mënyrën e thjeshtë të jetesës së tyre. U bë njeri nga filozofët stoikë më të njohur.

Kryesisht e kishte influencuar mësimdhënia e Epiktitit. Forma që zgjodhi për ti dhënë veprave të tija, duhet të ketë prejardhje nga Herakliti, pasi Mark Aureli me gjithë qejf i afrohet filozofisë së tij dhe zhvillon dhe më tej mendimet e filozofit, në një formë meditimi personal.

Për jetën dhe mënyrën e të menduarit të tij, shumë informacione dalin nga libri i tij “Mbi Vetveten” që ai vetë shkruajti në greqisht, gjatë periudhës 170 – 178 para erës sonë, tashmë si perandor, libër i cili përmban fjalë të urta, me xhentilesë në shprehje, natyrale, se në mënyrën që përdor dhe një thjeshtësi klasike.

12 librat e meditimeve të tij vërtetojnë se sa qetësi brendësore dhe lehtësim mund ti ofronte Doktrina Stoike dhe sidomos në kohë të vështira me përplasje dhe trazira.

Veprat e tija janë shpëtuar në minimumin e mundur, që në realitet nuk është asgjë tjetër përveç ditarit të tij personal, i cili nuk është i shkruar në mënyrë që mund të lexohet lehtë, por megjithatë duket dëshira e përgjegjshme e këtij filozofi – perandor për të ofruar shërbimet e tij kundrejt njerëzve, dhe detyrimi pozitiv të bashkëpunojë nga posti i tij dhe me të gjitha forcat e tij për mirëmbajtjen e komunitetit.

Si perandor ishte tejmase i drejtë, i dashur me njerëzit dhe i durueshëm, pavarësisht se përballonte problemet më të vështira. Ai vdiq me 17 mars 180 të epokës sonë./KultPlus.com

21 vite nga trazirat e marsit

Trazirat e Marsit në vitin 2004, është rasti më i keq i dhunës etnike në Kosovë që nga fundi i konfliktit 1999 shpërtheu në qytetin e ndarë të Mitrovicës, duke lënë qindra të plagosur dhe të paktën 14 njerëz të vdekur.

Më 17 mars 2004, filluan protestat që më vonë do të përmenden si “Trazirat e marsit”. Ato zgjatën dy ditë, e gjatë tyre vranë 19 civilë, nga të cilët 11 shqiptarë dhe 8 serbë, ndërsa u lënduan mbi 900 persona, kryesisht shqiptarë.

Trazirat shpërthyen pas njoftimeve se në lumin Ibër ishin mbytur dy fëmijë shqiptarë si pasojë e dhunës së serbëve, ndërsa shkaku i kësaj tragjedie asnjëherë nuk u sqarua plotësisht.

Disa fëmijë që mbijetuan në orët e vona, po atë natë treguan para kamerave se ishin ndjekur nga serbët dhe se ata ishin duke ikur, kur disa nga bashkëmoshatarët e tyre u mbytën në lumë. Të nesërmen, më 17, mars filluan protestat në shumë qytete të Kosovës, që shumë shpejt përshkallëzuan në dhunë. / KultPlus.com

Shtegu i Ngjyrave, një perlë natyrore në Parkun “Korab-Koritnik”

Shtegu i Ngjyrave, ose ndryshe shtegu “Liqeni i Kallabakut-Kallabak-Çajë”, është një nga destinacionet më të bukura natyrore që ofron Parku Natyror “Korab-Koritnik”, i njohur për peizazhet e tij mahnitëse dhe biodiversitetin e pasur.

Ky itinerar njihet gjithashtu si një tur botanik, pasi ofron një shumëllojshmëri bimësh endemike dhe subendemike, duke e bërë atë një atraksion të veçantë për turistët dhe dashamirësit e natyrës.

Me një kombinim unik të ngjyrave dhe panoramave mahnitëse, Shtegu i Ngjyrave mbetet një destinacion i veçantë për eksploruesit dhe adhuruesit e ekoturizmit në Shqipëri./atsh/KultPlus.com

Google po zëvendëson Google Assistant me Geminin

Google do të zëvendësojë Google Assistant në telefonat Android me Gemini më vonë këtë vit, ka njoftuar kompania.

Bëhet e ditur se më vonë këtë vit, Assistant nuk do të jetë më i aksesueshëm në shumicën e pajisjeve celulare ose në dyqanet e aplikacioneve, shkruajnë mediat e huaja.

“Për më tepër, ne do të përmirësojmë tabletët dhe pajisjet që lidhen me telefonin tuaj, si kufjet dhe orët”, shtoi kompania.

“Ne po sjellim gjithashtu një përvojë të re, të mundësuar nga Gemini, në pajisjet shtëpiake si altoparlantët, ekranet dhe televizorët”, vazhdoi Google.

Raportohet se kompania do të ndajë më shumë detaje me përdoruesit në muajt e ardhshëm dhe se, deri atëherë, Assistant do të vazhdojë të operojë në pajisjet e lartpërmendura.

Ndryshe, lëvizja për të hequr Assistant në favor të Gemini nuk është befasuese, veçanërisht duke pasur parasysh se Google lansoi linjën e saj të telefonave Pixel 9 me Geminin si asistentin virtual të paracaktuar.

Google vëren se Gemini ka aftësi më të avancuara se Assistant (të paktën në teori) dhe ofron mënyra të reja për të marrë ndihmë dhe informacion mbi tema nëpërmjet mjeteve si Gemini Live dhe Deep Research./alsatm/ KultPlus.com

Mali i Gramit në Malësinë e Krujës frekuentohet nga turistë të huaj

Mali i Gramit në Malësinë e Krujës është kthyer në atraksion turistik dhe një nga zonat më të frekuentuara nga turistët vendas dhe të huaj.

Liqeni i Bovillës nga njëra anë dhe malet nga ana tjetër ofrojnë një panoramë fantastike të të gjithë fshatrave të malësisë së Krujës.

Numri i turistëve është rritur ndjeshëm. Teksa shijojnë bukuritë natyrore ato thonë se do të rikthehen sërish.

“Jam nga Franca, erdhëm me avion. Arritëm të premten, ka dy dite që jemi këtu, vizituam Beratin dhe disa kanionë dhe sot erdhëm këtu ne liqenin e Bovillës. Ngjitja është pak e frikshëm, shkallet janë të frikshme, por pamja është e mrekullueshme. Malet janë të mrekullueshme dhe liqeni është një pamje që nuk e kam parë kurrë më parë”, ka thë një turiste.

Një tjetër turist është shprehur. “Ishim në Tiranë të enjten dhe të premten, të shtunën shkuam në Gjirokastër. Shkuam me makinë, ishte një ditë e bukur. Shkuam edhe te Syri i Kaltër dhe sot jemi këtu. Po bëjmë bashkë historinë, kulturën dhe natyrën”

“Mendoj se Shqipëria është e bukur, njerëzit janë miqësor, natyra është shume e bukur. Guida ishte shumë e këndshme, na tregoi shume për Shqipërinë”, ka thënë një tjetër turiste.

Numrin më të lartë të turistëve, Mali i Gramit e ka patur gjatë dy viteve të fundit, ku turistët vendas dhe të huaj bëjnë ngjitje në mal dhe shijojnë bukuritë e vendit tonë. /abcnews.al/ KultPlus.com

Eleganca e Traditës: Figura e Gruas Shqiptare në Xhubletë

Nga Fatos Kabashi

Xhubleta është një veshje tradicionale femërore, tipike për krahinat e ndryshme të Shqipërisë, sidomos në veri dhe jug. Ajo ka një strukturë të veçantë, me një fund të gjerë dhe një pjesë të sipërme që rrethon trupin, duke krijuar një formë karakteristike. Xhubleta ka një histori të gjatë, që lidhet me zakonet dhe identitetin kulturor shqiptar dhe ka pasur një rol të rëndësishëm në ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

Në vitin 2010, UNESCO shpalli xhubletën si pjesë të Trashëgimisë Kulturore të Paqenë, duke e mbrojtur si një simbol të rëndësishëm të kulturës shqiptare. Ky nderim e ka theksuar vlerën e saj si një element unik dhe të pazëvendësueshëm të kulturës shqiptare.

Fatos Kabashi MosaicArt
Titulli i veprës:”Eleganca e traditës:Figura e Gruas Shqiptare në Xhubletë”
Teknika:Mozaik
Materiali:Porcelan nga Kreativ Qeramika Vendi i realizimit: Preshevë-Caffe House N’Çarshi
Viti:2025/ KultPlus.com

‘Merr një buzëqeshje’, poezia e mrekullueshme e Mahatma Gandhit

Poezi nga Mahatma Gandhi

Merr një buzëqeshje,
dhuroja atyre që nuk e kanë patur asnjëherë.
Merr një rreze dielli,
dhe bëje të fluturojë atje ku mbretëron nata.

Zbulo një burim,
bëj të lahen ata që jetojnë në baltë.
Merr një lot
vendose në syrin e atyre që nuk kanë qarë kurrë.

Merr kurajën
dhe vendose në shpirtin e kujt nuk di të luftojë
Zbulo jetën,
rrëfeja atyre që nuk dinë ta kuptojnë

Merr shpresën,
dhe jeto në dritën e saj
Merr bollëkun,
dhe dhuroja kujt nuk di të dhurojë

Zbulo dashurinë,
dhe bëja të njohur botës./ KultPlus.com

Karl Ove Knausgaard: Në truallin e ciklopëve

Karl Ove Knausgård (1968), shkrimtar norvegjez. I njohur në mbarë botën për serinë e romaneve autobiografike me titullin Min Kamp.

NË TRUALLIN E CIKLOPËVE

Nga Karl Ove Knausgård

Është pranverë në truallin e ciklopëve. Pemët e mollës janë në lulëzim dhe rrinë kë këmbë si vela të bardhë në detin e së gjelbrës. Qielli është i kaltër dhe mbi det, vetëm pak kilometra nga këtu ku jam unë, retë rrinë pezull. Bukuria e tij dhemb. Dhe shumë paqësor. Trualli është prosperues, dyqanet janë të mbushura plot, çdonjëri merr atë që i nevojitet e edhe më shumë. Por ciklopët nuk janë të lumtur. Disa janë të zemëruar, të mbushur me urrejtje. Disa të tjerë janë të frikësuar. Kam jetuar këtu për trembëdhjetë vjet dhe ende s’e kam kuptuar pse ka kaq shumë urrejtje dhe frikë. Shikoj përreth vetes dhe praktikisht nuk shoh asgjë për të urryer dhe praktikisht asgjë për t’u frikësuar.

Arsyeja pse këtu ka kaq shumë urrejtje në mesin e ciklopëve, dhe kaq shumë frikë, është e thjeshtë, ma ha mendja. Ciklopët s’duan t’ia dinë për zonat e realitetit që nuk janë ashtu s]iç ata mendojnë se duhet të jenë. Jo shumë kohë më parë, kryeministri i ciklopëve iu referua një partie politike legjitime të pranishme në parlamentin e vendit si naziste. Të gjithë e dinë se nuk është e vërtetë, por kjo s’ka rëndësi: partia mendon ndryshe rreth një çështjeje të ndjeshme dhe kështu ata janë nazistë. Në të gjitha vendet e tjera ka pasur kundërshtime të ashpra. Por në truallin e ciklopëve ishte një gjë e arsyeshme të thuhet. Gjëja e çuditshme është se ata mendojnë se është njëjtë ngado, në çdo vend tjetër, dhe asgjë nuk mund t’i bindë ata të mendojnë të kundërtën. Ciklopët mendojnë se pikëpamja e tyre mbi realitetin duhet të ndahet nga të gjithë, pastaj zbuluan se ky nuk është rasti, u zemëruan, ashtu siç janë shpesh të zemëruar me fqinjët e tyre, danezët, për shembull.  

Ciklopët nuk mund të honepsin ambiguitetin. Nuk kuptojnë asgjë që nuk është ose mirë ose keq dhe kjo i zemëron ata. Kjo është arsyeja pse nuk e duan letërsinë. Ata thonë se e duan letërsinë, por letërsia e vetme që e duan është ai lloj që është në ujdi me pikëpamjen e tyre të së mirës dhe të së keqes, e kjo s’është letërsi fare, por diçka që pretendon të jetë letërsi. Letërsia është për nga natyra ambiguo, por ciklopët s’e dinë këtë gjë.

Unë jam shkrimtar dhe shumë ciklopë i kanë lexuar librat e mi. Disa prej tyre përnjëmend janë zemëruar prej tyre. Një ciklop, në një shkrim për gazetën e tyre më të madhe, Dagens Nyheter, më ka krahasuar me Anders Behring Breivikun. Anders Behring Breiviku i ka vrarë shtatëdhjetë e shtatë njerëz, gjashtëdhjetë e nëntë prej të cilëve ishin qëlluar një nga një, shumica e tyre ishin pothuajse ende fëmijë. Një prej atyre që e kishte vrarë, një vajzë, ishte qëlluar në gojë, por buzët e saj ishin të paprekura, çka do të thotë se mund të jetë qëlluar në një gjani të afërt teksa ishte duke kërkuar ndihmë ose mëshirë. Ciklopët besojnë se mund të krahasohem me njeriun që kishte bërë këtë për shkak të librave që i kam shkruar. Disa ciklopë të tjerë kanë shkruar se unë isha nazist. Nazistët ishin munduar ta shfarosnin një popull të tërë. Ata kishin djegur miliona hebrenj në krematoriume. Shumë ciklopë pohuar publikisht se unë jam mizogjin, se i urrej gratë. Dhe tash, vetëm në javën e fundit, një ciklop tjetër që shkruan në Dagens Nyheter, u shpreh se unë jam pedofil letrar që ka abuzuar vajza të reja. Ajo shkruan po ashtu se në një lidhje të fshehtë homoseksuale me mikun tim më të mirë, prapa shpinës së gruas sime. Është një tekst plot me urrejtje dhe përbuzje dhe ka për synim të thotë se ka diçka të dyshimtë tek unë, diçka të pakëndshme, alarmuese, abnormale, të sëmurë. Ta quash këtë shpifëse mund të jetë një shprehje e butë. Lë të kuptohet se unë jam kriminel.

Pra cili ishte krimi im?

Kam shkruar një roman.

Kështu pra kalojnë ditët në truallin e ciklopëve. Ciklopët zemërohen dhe i gjuajnë me gurë ata që thonë diçka që nuk u pëlqen ose që s’e kuptojnë. Kjo i bën ciklopët e tjerë të frikësohen, ngase ata e dinë se nëse thonë diçka ciklopët e zemëruar s’e pëlqejnë ose s’e kuptojnë, ciklopët e zemëruar do të fillojnë të gjuajnë me gurë edhe mbi ta. Për këtë arsye ciklopët janë ose të zemëruar ose të heshtur.

Gjëja që më së shumti i shqetëson ciklopët është identiteti. Marrëdhënia mes grave dhe burrave i ngatërron ata, ngase nuk është jo-ambiguo. Dhe marrëdhënia mes njerëzve të kulturës së tyre dhe atyre të kulturave të tjera, që gjithashtu nuk është jo-ambiguo, i ngatërron ata po ashtu.

Për këtë arsye ciklopët nuk janë kurrë aq të zemëruar si atëherë kur janë duke folur rreth gjinisë ose imigrimit. Ato nuk janë gjëra për të cilat mund të jesh për ose kundër, prapë kjo është saktësisht ajo çka ata kërkojnë. Pra gjithçka që ekziston mes këtyre kategorive, gjithçka që ekziston në margjina, nuk shihet, nuk flitet për të. Por prapëseprapë ekziston. Ciklopët e vërejnë këtë, por nuk janë në gjendje ta kuptojnë, kështu që bëhen edhe më të zemëruar, ose edhe më të heshtur.

Në vendet malore prej nga vij, së shpejti do të jetë dita jonë kombëtare. Secili vishet me rrobat e tij më të bukura dhe dalin në rrugë të valëvitin flamujt, të përcjellin paradat e fëmijëve dhe të bërtasin urra-urra. Shumë ciklopë janë të zemëruar në lidhje me këtë: thonë se është nazizëm. Jam munduar ta shpjegoj se ne thjesht jemi të gëzuar me vendin tonë. Por shikojini ata flamuj, thonë ciklopët. Ky është nacionalizëm. Dhe nacionalizmi është nazizëm.

Në të vërtetë, për ciklopët pothuajse një mori e madhe gjërash janë të këqija. Njëherë, në një darkë pune, u futa në telashe kur thashë se besoja se gruaja ime ka një lloj lidhjeje me fëmijën tonë që është ndryshe nga e imja, duke pasur parasysh se si e ka mbajtur atë në trupin e saj, se si e ka lindur në dhimbje dhe se si tash është duke e ushqyer nga gjiri i saj. Ciklopët thanë se ishte një pikëvështrim mizogjen.

Kam jetuar këtu tashmë një kohë të gjatë sa nganjëherë gjej veten duke vrarë mendjen nëse ciklopët kanë të drejtë dhe mos ka diçka të gabuar tek unë.

Mos në të vërtetë unë jam pedofil letrar, vrasës masiv, ose nazist.

Pse përndryshe do t’i thoshin ato gjëra?

Romani i parë që kam shkruar, që së shpejti do të botohet në truallin e ciklopëve, në gjuhën e ciklopëve, flet për një mësues njëzet e gjashtë vjeç, të cilin e lënë mendtë për një nxënëse të tij trembëdhjetëvjeçare. Ngatërrohet me të, bëjnë seks dhe në fund ai ia mbath.

Pse e kam shkruar këtë? A nuk e dija se seksi me një minorene është kundër ligjit, i neveritshëm, i përbuzshëm? A nuk e dija se është imorale?

Po, natyrisht, e dija.

Po atëherë pse kam shkruar për një gjë të tillë nëse e dija se ishte imorale, nëse e dija se ishte e gabuar?

Kjo është pyetja që e parashtrojnë ciklopët.

Përgjigjja e tyre është se unë e kam bërë atë gjë ngase jam burrë, mizogjen dhe pedofil letrar.

Imoraliteti i ngatërron ata. I ngatërron edhe epshi, ngase epshi në këtë rast nuk është mënyra se si duhet të jetë. Kështu që zemërohen dhe gjuajnë me gurë. Ca shkrimtarë në truallin e ciklopëve që e dinë çka është letërsia, frikësohen. Nuk kanë guxim t’i dalin krah romanit, ngase kjo mund t’i bëjë edhe ata pedofilë, mund t’i bëjë ata shtypës të grave. Me fjalë të tjera, mund t’i bëjë ata qenie njerëzore të këqija. Pra gati se të gjithë shkrimtarët në truallin e ciklopëve janë të heshtur.

I kuptoj që nuk duan të shihen si qenie njerëzore të këqija. Nuk dal kundër tyre. Por e di, dhe mendoj se edhe ata e dinë, thellë brenda tyre, se duke mos marrë anë ata bëhen shkrimtarë të këqij.

Të gjithë librat e mi janë shkruar me zemër të mirë. Përfshirë atë në të cilin një burrë i ri bën seks me një fëmijë. Të gjithë librat e mi janë përpjekje të çiltra për të kuptuar çka do të thotë të jesh njeri këtu dhe tash, në shoqërinë tonë dhe në kohën tonë. Me e çiltër nënkuptoj se ato nuk e injorojnë anët tona që janë të këqija dhe meritojnë të kritikohen: të gjitha dobësitë, cenet dhe të metat, të gjitha smirat, të gjitha vetëmbrojtjet, të gjitha ambiciet, të gjitha urrejtjet dhe përbuzjet, përfshirë veturrejtjen dhe vetëpërbuzjen, dhe të gjitha epshet, edhe epshi që është i drejtuar kah e ndalura. Po pra, unë jam burrë dhe kjo është perspektiva ime.

Në zemër të këtyre librave qëndron çështja e identitetit. Çka na formëson, çka na bën të bëhemi njerëzit që bëhemi, na bën të mendojmë atë që mendojmë, të ndiejmë atë që ndiejmë, të bëjmë atë që bëjmë? Librat eksplorojnë ndikimin e prindërve tonë, ndikimin e fëmijëve që i kemi fqinj, shokëve të klasës dhe mjedisit lokal, ndikimin e shoqërisë dhe kulturës sonë më të gjerë. Rolet që na janë përcaktuar dhe mënyrat se si alternohen: të jesh prind ishte një gjë për gjyshërit tonë, një gjë tjetër për prindërit tonë dhe tash është një gjë tjetër për vetë ne. Të jesh burrë ose grua ishte një gjë për gjyshërit tonë, një gjë tjetër për prindërit tonë dhe tash është një gjë tjetër për vetë ne. Kur isha çun isha i dhënë pas luleve, i dhënë pas ngjyrës së kuqe, i dhënë pas leximit dhe kisha zakon të qaja bukur shumë – e gjithë këto konsideroheshin të gabuara dhe po ashtu edhe ma thoshin këtë. Kur hyra në pubertet, më quajtën femi, në kuptimin se isha vajzëror, femëror, dhe gjatë adoleshencës bëra çmos të sillesha rrotull si mashkullor. Ndihesha aq fort i brishtë dhe me gjasë për shkak të marrëdhënies që kisha me tim atë – ai ishte një figurë e paqëndrueshme sjelljet e të cilit ishin të paparashikueshme – pashë se po lakmoja një realitet më të thjeshtë dhe vërtet ka pasur përherë një element regresiv në personalitetin tim që ka mall për të gjitha sjelljet e fëmijërisë, ku të tjerët ishin përgjegjës për jetën time.

Një mall për thjeshtësinë, një mall për jo-ambiguitetin, troçësinë dhe të prekshmen, është diçka që e gjejmë te të gjitha lëvizjet totalitare – është ajo për të cilën bëjnë thirrje ata. Në rastin tim, ky mall vjen së toku me një mall për pafajësinë, për paraseksualen, parapjekurinë dhe botën e fëmijës, mbase për shkak të seksualitetit tim, e po flas për vitet e tinejxherllëkut, që atëherë më dukej të ishte aq i pambarështueshëm – gjëja e vetme që doja, që ishte të bëja seks me ndokënd, më dukej aq fort e pamundshme: bile as nuk dija si ta bëja.

Oh, vetmia!

Në këtë romanin e parë kam shkruar rreth këtyre ndjesive. Personazhi im ishte njëzetegjashtëvjeçar, i papjekur po aq sa narcistik, por s’kishte rëndësi sa shumë shkruaja për të, nuk mund të mbahesha pas tij, nuk mund ta bëja të funksiononte. Atëherë e vura në një klasë mësimi – kam qenë aty vetë kur kam qenë tetëmbëdhjetë, duke iu dhënë mësim trembëdhjetëvjeçarëve – dhe të gjitha ato ndjesi, i gjithë ai spektër regresioni dhe progresioni, pasiviteti dhe epshi, frike nga autoriteti dhe malli për autoritet, gjetën kallëpin e tyre: personazhi im u bë një i marrosur pas një vajze trembëdhjetëvjeçare. E dija çka po bëja. Për dy javë i vuajta të gjitha trazitë e ferrit. A mund të shkruaja për këtë? A nuk ishte spekulative? A nuk ishte tabu? A nuk do të mendonin të gjithë se ishte diçka që unë e aprovoja? Ky ishte rreziku, por në të njëjtën kohë gjithçka kapej pas saj dhe në këtë histori të gjitha temat që doja t’i eksploroja mund të gjenin shprehje.

Të shkruash një roman rreth diçkaje që ndodh nuk është e njëjta gjë si të kalosh ta e vënë re. Cilat do qofshin rrethanat, materiali është zgjedhur ngase diçka domethënëse mund të shprehet përmes tij, diçka që nuk ekzistonte para asaj rrethane e nxjerr atë në dritë. Kjo është ajo që bën letërsia. E sigurt se askush nuk mendon se shkrimtarët e krimit kalojnë pa e vënë re vrasjen thjesht sepse shkruajnë për këtë? Unë e shfrytëzova një vajzë trembëdhjetëvjeçare duke e përdorur atë në një roman, por ajo ekziston vetëm në roman, atëherë në çka konsiston shfrytëzimi? Dhe ku është rreziku?

Në atë tekstin e gazetës e para pak kohe, ciklopët e nënvizojnë Divën e Monika Fagerholmit si një shembull i romanit ku një trembëdhjetëvjeçareje i është dhënë zëri i saj, jeta e saj, dinjiteti i saj. Në kundërshti me romanin tim, në të cilin ajo thjesht shfrytëzohet dhe vazhdimisht shihet përmes syve të një burri. E kam lexuar romanin e Fagerholmit sa isha duke e shkruar romanin tim dhe më pëlqeu. Mbushet me të vetmen gjë që njëmend ka rëndësi kur vjen puna te letërsia: lirinë. Më vonë kam shkruar një libër të fokusuar te një djalë trembëdhjetëvjeçar, ku gjithçka shihet përmes perspektivës së tij dhe gjatë shkrimit të tij po përpiqesha të bëja të njëjtën gjë që kishte bërë Fagerholmi në librin e tij: të përshkruaj një jetë njerëzore ashtu siç ishte në një kohë të caktuar, të shploja dinjitetin e tij, gjuhën e tij dhe të isha i ndershëm karshi tij. Dështova. Libri që kisha shkruar nuk ishte i madh, por e posedon lirinë dhe ajo liri është arsyeja pse shkruaj, arsyeja pse ekziston letërsia.

Çka është liria letrare?

Ose, thënë më interesant, çka është e kundërta e saj?

E kundërta e saj është të thuhet se si duhet të jetë letërsia. Është të thuash, Këto mendime janë të pavenda, ato janë të gabuara, kjo s’është mënyra si duam të jenë gjërat. S’mund ta bësh këtë. Nuk mund ta thuash këtë.

Nuk mund ta thuash këtë.

Kjo është letërsia e ciklopëve.

Libri në të cilin e pëshkruaj një burrë të ri të dhënë pas një trembëdhjetëvjeçareje është roman mbi një shkelje, por po ashtu është roman mbi regresionin dhe papjekurinë. Çfarë më bëri ta shkruaja? Papjekuria është ngado rreth nesh. Jetojmë në një kulturë që kultivon rininë, kultivon thjeshtësinë, fëmijllëkun: ndizeni televizorin në cilëndo mbrëmje që të doni dhe do të shihni shembuj të tillë. Romani është e kundërta: kërkon kompleksitet, kërkon diversitet kuptimi, kërkon të vërtetën në vende të veçuara ku e vërteta është e sloganizuar ose mbahet në korniza, ku mbahet shtrëngueshëm dhe s’ka mundësi të lëvizë, e ngurtë dhe e pandryshueshme. Edhe romani që ka të bëjë me thjeshtësinë dhe regresionin është kompleks dhe ekspanziv, e kjo ndodh ngase është roman – përndryshe do të ishte diçka tjetër. Unë e kam përshkruar një burrë të ri të papjekur që ndjek një fëmijë, një keqbërës që ndjek një të pafajshme dhe sado që romani është realistik për nga natyra dhe përballet me atë marrëdhënie në mënyrë të posaçme, metafora e tij shtrihet deri te shoqëria dhe koha e saj. A është një metaforë valide? Nuk e di dhe s’ka mënyrë si të je i sigurt, por ajo që unë bëj si shkrimtar është të shkruaj për ndjenjat e mia, fascinimet, mendimet, shkathtësitë, me besimin se jam njëri nga të shumtët dhe se ky validitet i brendshëm rivalizohet nga një validitet i jashtëm. Kjo është përherë një e panjohur kur je duke shkruar dhe pasiguria e kësaj paraqet një rrezik të lartë. Është një rrezik që kurrë nuk kapet nga kritikët apo studiuesit e letërsisë dhe përvoja ime më thotë se ata praktikisht as që janë të vetëdijshëm për të. Kjo s’do të thotë se po e zvogëloj rëndësinë e rolit të tyre – dikush duhet ta lexojë veprën dhe ta vërë në kontekstin çfarë po përpiqet të bëjë, ose të thotë se ajo që po përpiqet të bëjë nuk ka dalë me sukses. Por ajo që kritika letrare kurrë s’duhet ta thotë është se ajo që vepra po përpiqet të bëjë nuk duhet të bëhet. Nëse një roman dëshiron të shohë të bukurën te nazizmi, kritiku mund të pohojë se s’ka ndonjë gjë të bukur te nazizmi, por jo se romani s’duhet të shikojë aty sikur paska diçka.

Nazizmi, natyrisht, ka një gjë të bukur. Po të mos ishte ashtu, askush s’do të ishte joshur prej tij.

Ajo gjë e bukur, që ne e dimë se është e gabuar, është diçka që vetëm romani mund ta përshkruajë.

Pse duhet ta bëjë?

Ngase nazizmi ka ndonë gjë të bukur.

Të gjitha institucionet tjera të shoqërisë na e thonë këtë: kështë duhet të jetë. Ngado që të shkojmë ballafaqohemi me rregulla dhe rregullime, urdhra të shkruara dhe të pashkruara, që të gjitha të menduara që ta bëjnë jetën të funksionojë për ne, sa më lehtësisht dhe pa dhimbje që të jetë e mundur, në mënyrën më të mirë dhe më të barabartë. Nuk jam kundër asaj që është e drejtë, por këmbëngul në lirinë që të them se po ashtu ekziston edhe e gabuara.

Ne e dimë se të pirët me gjasë nuk është gjë e mirë, por ne prapëseprapë pimë.

Ne e dimë se nuk është gjë e mirë t’u bartasim fëmijëve tonë, por ne u bërtasim prapëseprapë.

Ne e dimë se zilia nuk është gjë e mirë, por ne jemi ziliqarë prapëseprapë.

Ne e dimë se hidhërimi nuk është gjë e mirë, por ne jemi të hidhëruar prapëseprapë.

Ajo që ne e dimë se duhet të jemi është e qartë dhe na përshtatet. Ajo që jemi, pavarësisht asaj që dimë, është diçka që duhet ta fshehim. S’ka zë dhe është sekreti ynë. Na bën të kemi ndjenja faji dhe turpi. E zvogëlojmë dhe kështë shkatërrojmë vetëvlerësimin. E shukasim, me aq sa mundemi, secili nga ne në veten tonë. Por shoqëria si një e tërë nuk mund të heshtë, nuk mund të pretendojë se nuk ekziston, ngase ekziston, është këtu me ne dhe duhet t‘i jepet zë në mënyrë që të bëhet e njohur. Jo zërin e moralitetit, që na thotë se kjo nuk duhet, jo zërin e mediave, që e tkurrin, por zërin e letërsisë, që thotë, Kjo ekziston. Mund të mos jetë një gjë e mirë, por ekziston, është këtu me ne tash dhe ne duhet t’i adresohemi si një realiteti.

Çka ndodh me një shoqëri kur resht ta adresojë atë që e di se ekziston dhe prapë refuzon ta pranojë? Një shoqëri që në vend se të shohë të vërtetën në sy, shikon anash?

Faqet e artit dhe kulturës të gazetave të ciklopëve janë të pashpirta ndaj letërsisë, ngase moraliteti aty mbretëron mbi letërsinë, ideologjia mbi moralitetin. Nuk njoh ndonjë vend tjetër në botë, prëveç shteteve totalitare, ku shkrimtarët janë aq të padukshëm në diskutimet publike. Letërsia nuk është e lirë në truallin e ciklopëve – duart dhe këmbët e saj janë të lidhura. Kurrë s’mund të shohëh ndonjë shkrimtar të mbahet në kpmbët e veta në truallin e ciklopëve. Kurrë s’mund të shohësh një shkrimtar të rrezikojë ndonjë gjë publikisht.

Zor të befasohesh. Të quhesh pedofil në gazetën më të madhe të ciklopëve nuk është përvojë e këndshme. Nuk është fundi i botës, natyrisht, dhe është një opinion legjitim, por s’ka njoh ndonjë vend tjetër ku profesorët e letërsisë i quajnë shkrimtarët e tyre pedofilë dhe t’u thonë atyre se rreth çfarë duhet dhe rreth çfarë nuk duhet të shkruajnë. Kjo mund të bëjë vaki veç në traullin e ciklopëve.

/Karl Ove Knausgaard, ‘In The Land of the Cyclops’, Ferrar, Strauss & Giroux, 2017/ KultPlus.com

‘Të turpëruarit’ nesër vjen premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës

Nesër, në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës do të jepet premierë shfaqja mysafire “Të turpëruarit” me regji të Altin Bashës, e cila vjen si bashkëpunim i artistëve teatror nga Prishtina dhe Tirana, shkruan KultPlus.

Shfaqja “Të turpërurit” trajton identitetin, kulturën dhe konfliktet ndërkulturore në shoqërinë moderne. Përmes dilemave të personazheve, shfaqja sfidon stereotipet, diskriminimin dhe paragjykimet, duke nxjerrë në pah sfidat e një shoqërie të diversifikuar dhe nevojën për dialog e reflektim mbi marrëdhëniet ndërkulturore.

Në shfaqje luajnë: Adrian Morina, Blerta Syla Surroi, Kushtrim Sheremeti, Aurita Agushi dhe Endrit Ahmetaj.

Shfaqja jepet më 17 dhe 18 mars, në ora 20:00, në Amfiteatrin e TKK-së./ KultPlus.com

 Letër nga nëna

Poezi nga Sergei Esenin

Përse të flas,
E ç’të mendoj gjë tjetër,
Ç’të shkruaj
E ç’të them në varg?
Mbi tryezën e mërzitur
Kam një letër,
Që nëna ime
Ma dërgon nga larg.

Ajo më shkruan:
“Bëj si bëj, o bir,
Dhe eja në shtëpi
Për kërshëndella;
Po mos harro,
Një shall për mua, bli,
Për plakun
Bli poture me tegela.

Shafran në zemër kam
Që je poet,
Që zure mik e shok një nam të rëndë;
Për mua plakën fare s’ishte keq,
Sikur të ktheje arat
Me parmendë.

U plaka
Dhe në gjunjët s’kam fuqi,
Po ti sikur
Të mos braktisje strehët,

Tani do kisha nuse
Në shtëpi

Dhe do përkundja
Nipin tim në prehër.

Po ti fëmijët
Nëpër botë i dhe,
Ia fale tjetrit gruan mirë e mirë,
Dhe mbete
Pa familje, pa fole
Në pellgun e mejhanes së pështirë.

Po ç’pate, ç’pate, bir,
Pëllumbi im?
Ti ishe kaq i brishtë
E kaq pa fjalë;
Dhe bota thoshte plot me përgjërim:
Ky Sandër Esenini
Paska djalë!

Po shpresa jonë vate,
Doli bosh,
Na hidhëroi zhgënjimi shpirtin shumë,
Yt atë e kishte mjaft gabim kur thosh:
Poetëve u derdhet paraja lumë!

Sado të marrësh,
Në shtëpi s’dërgon,
Këtë e di,
Prandaj po flas kaq hidhur,
Poetëve paraja s’u qëndron,
Se janë xhepashpuar, qesezgjidhur.
Shafran në zemër kam
Që je poet,
Që zure mik e shok një nam të rëndë;
Për mua plakën fare s’ishte keq
Sikur të ktheje arat
Me parmendë.

Tani pa kuaj jemi
E pa plëng!
Sikur mos humbje rrugëve të qytetit,
Këtu në fshat, o bir, ti kishe mend
Të bëheshe kryetar i komitetit.

Dhe ne do të mbroheshim
E s’do na merrnin ters,
Dhe ti s’do bridhje i mërzitur vonë;
E bëja gruan tënde të endte lesh,
Të kishte paqe pleqëria jonë’’.
………………………………….
Unë letrën kap
Dhe mendtë i kam ujem;
Mos vallë e humba daljen nëpër shtigje?
Por ç’ka mendoj
Më vonë do t’ju them,
Kur nënës sime
Shpejt t’i kthej përgjigje./ KultPlus.com

Sorensen nesër në Prishtinë, paradite takohet me Osmanin

Emisari i ri Bashkimit Evropian për dialogun, danezi Peter Sorensen do të zhvillojë vizitën e tij të parë në Kosovë si i ngarkuar i BE-së për këtë proces.

Takimet në Prishtinë do t’i nisë me shefen e shtetit, Vjosa Osmani në zyrën presidenciale.

Siç është bërë e ditur nga zyra e presidentes, takimi mes tyre do të nisë paraditen  së hënës në ora 09:45 minuta.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pret në takim Përfaqësuesin e ri të BE-së për Dialog, Peter Sørensen. Mediat mund të marrin pamje në fillim të takimit.

Vendi: Kabineti i Presidentes; Mirëpresim ekipet tuaja!”, thuhet në njoftimin e shpërndarë nga presidenca pasditen e kësaj të diele.

Sorensen që mori mandatin në ditën e parë të shkurtit, pasoi Miroslav Lajçakun i cili për disa vite ishte i ngarkuar me këtë detyrë nga BE-ja.

‘I mençuri flet se ka diçka për të thënë, budallai sa për të thënë diçka çfarëdo’

I lindur në një familje të shquar dhe të pasur në Athinë, Platoni ia ka kushtuar jetën e tij një qëllimi: të ndihmojë njerëzit të arrijnë atë gjendje që ai e quajti: Eudaimonia. Kjo fjalë greke, pothuajse do të thotë ‘lumturi’, por është me të vërtetë më pranë ‘përmbushjes’.

Idetë e Platonit mbeten thellësisht provokative dhe tërheqëse. Ajo që i bashkon është ambicia dhe idealizmi i tyre. Ai donte që filozofia të ishte një mjet për të na ndihmuar të ndryshojmë botën. Një shembull që mund të vazhdojë të frymëzojë.

Çfarë propozon Platoni për t’i bërë njerëzit më të përmbushur?

Mendoni më shumë

Platoni propozoi që jetët tona shkojnë shpesh herë keq, sepse ne pothuajse kurrë nuk i japim vetes kohë për të menduar me kujdes dhe të logjikojmë mjaftueshëm për planet tona. Kështu përfundojmë duke përqafuar vlerat e gabuara, karrierën e gabuar dhe marrëdhëniet e gabuara. Platoni donte të sillte rregull dhe qartësi në mendjet tona.

Frojdi kishte qejf ta pohonte, në fakt ishte Platoni ishte shpikësi i terapisë, duke këmbëngulur se ne mësojmë t’ia nënshtrojmë të gjitha mendimet dhe ndjenjat arsyes tonë. Ai është përpjekur të shkruajë në mënyrë edhe të përsëritur, por thelbi i filozofisë përmblidhet në komandën: “Njih vetveten”.

Dashuro me më shumë mençuri

Platoni është një nga teoricienët e mëdhenj të marrëdhënieve. Libri i tij, Simpoziumi, është një përpjekje për të shpjeguar se çfarë është dashuria në të vërtetë dashuria.

Rëndësia e bukurisë

Askush para Platonit se kishte bërë pyetjen kyçe: Pse i pëlqejmë ne gjërat e bukura? Ai gjeti një arsye interesante: ne shohim tek ato një pjesë të “mirësisë”.

40 thënie nga Platoni për të qenë të lumtur.

1- Kurajoja është të dish se çfarë mos të kesh frikë.

2 – Një prej dënimeve për refuzimin e pjesëmarrjes në politikë është se përfundon e qeverisesh nga inferiorët.

3- Ky qytet është ai që është sepse qytetarët tanë janë ata që janë.

4 – Vlera e një burri është ajo që bën me pushtetin.

5 – Vëmendja ndaj shëndetit është pengesa më e madhe në jetë.

6 – Mund të zbulosh më shumë për atë person në një orë lojë se në një vit bisedash.

7- Mund ta falim një fëmijë që është i frikësuar nga errësira, tragjedi e vërtetë është kur të rriturit kanë frikë nga drita

8- Studimi më fisnik ndër të gjitha është studimi i njeriut dhe jetës që duhet të jetojë.

9- Tregohu i mirë, sepse kushdo që takon, po përballet me një betejë të vështirë.

10- Injoranca është rrënja e të gjitha të këqijave.

11- Nevoja është nëna e të gjitha shpikjeve.

12- Kurrë mos e dekurajo dikë që bën përparime të vazhdueshme,sado të ngadalshme qofshin.

13- Fillimi është pjesa më e rëndësishme e çdo pune.

14- I mençuri flet se ka diçka për të thënë, budallai sa për të thënë diçka çfarëdo.

15- Ekzistojnë 3 kategori njerëzish: Ata që janë të dashuruar me Dijen; të dashuruarit me nderin dhe të dashuruarit me përfitimin.

16- Sjellja njerëzore rrjedh si pasojë e 3 shkaqeve: Dëshira, Emocionet ose Dija.

17- Që një njeri të arrijë të zotërojë vetveten është nga fitoret më fisnike dhe më parësore.

18- Pasuria më e madhe është të jetosh i kënaqur me pak.

19- Opinioni është shkalla mes injorancës dhe dijes.

20- Një hero lind mes qindrave; një i mençur mund të gjendet mes mijrave, por një njeri i vetërealizuar mund të mos gjendet as mes qindra mijëra njerëzve.

21- Ata që janë të aftë të shohin përtej hijeve dhe gënjeshtrave të kulturave të tyre, nuk do kuptohen kurrë nga masat e jo më të besohen nga to.

22- Ajo që quajmë mësim është thjesht një proces rikujtimi.

23- Njerëzit e mirë nuk kanë nevojë për ligje që të jenë të përgjegjshëm, ndërsa njerëzit e këqinj do gjejnë gjithnjë një rrugëdalje nga ligjet.

24- Një vendim i mirë është bazuar në njohuritë dhe jo në numrat.

25- Të gjithë njerëzit janë nga natyra të barabartë, janë bërë nga e njëjta baltë, nga i njëjti Punëtor; dhe megjithatë ne mashtrojmë veten, ndaj Perëndisë janë të shtrenjtë si fshatari i varfër, si princi.

26- Gjithë ari i cili është nën apo mbi tokë nuk është i mjaftueshëm për ta dhënë në këmbim të Virtytit.

27- Dhe çfarë, Sokrat, është ushqimi i shpirtit? Vërtet, thashë unë, dituria është ushqim i shpirtit.

28- Çdo njeri mund t’i bëjë dëm fare lehtë, por jo çdo njeri mund t’i bëjë mirë tjetrit.

29- Sikurse ndërtuesit thonë, gurët më të mëdhenj nuk qëndrojnë mirë pa më të vegjlit.

30- Në prekjen e dashurisë gjithkush bëhet poet.

31- Më mirë diçka e vogël e bërë mirë, se një e madhe e pa përkryer.

32- Dinaku nuk është tjetër veçse imitatori më i ulët i zgjuarsisë.

33- Vdekja nuk është më e keqja që mund t’iu ndodhë burrave.

34- Teprimi në përgjithësi shkakton reaksion, dhe prodhon një ndryshim në drejtim të kundërt, qoftë ai në stinët, në individët apo në qeveritë.

35- Ai që kryen padrejtësi është gjithmonë më fatkeq se ai që vuan atë.

36- Ai që vjedh pak, vjedh me të njëjtën dëshirë si që vjedh shumë, por me më pak fuqi.

37- Ndershmëria është për pjesën më të madhe më pak fitimprurëse se sa pandershmëria.

38- Do marr heshtjen tuaj si dhënie pëlqimi.

39- Nëse një njeri e neglizhon edukimin, ai ecën çalë në fund të jetës së tij.

40- Prindërit duhet t’u lënë trashëgim fëmijëve të tyre jo pasurinë, por frymën e nderimit./abcnews.al/KultPlus.com

Elbasani mirëpret trofeun ‘Dita e Verës’, çiklistët pushtojnë rrugët e qytetit

Elbasani mirëpriti sot trofeun “Dita e Verës”, një aktivitet tashmë tradicional që mbledh çiklistë nga qytete të ndryshme të vendit, duke promovuar sportin dhe një stil të shëndetshëm jetese.

Të apasionuarit pas çiklizmit kaluan një ditë fantastike, duke përshkuar rrugët e qytetit në një atmosferë festive dhe plot energji. Aktiviteti u përshëndet nga kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, i cili vlerësoi angazhimin e të rinjve dhe sportdashësve në këtë event të rëndësishëm.

Falë masave të marra nga Policia e Shtetit dhe ajo Bashkiake, turi u zhvillua pa probleme, duke garantuar sigurinë e çiklistëve dhe qytetarëve që ndoqën nga afër këtë garë sportive.

Trofeu “Dita e Verës” është kthyer në një traditë që jo vetëm promovon sportin, por edhe promovon qytetin e Elbasanit si një destinacion të rëndësishëm për evente sportive dhe kulturore. /atsh/ KultPlus.com

‘Unë jam mjaft kurioz të takoj luanin tuaj anglez dhe të shoh nëse ai do të më gëlltisë…’ — Intervista me Aleksandër Moisiun në Londër

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 16 Mars 2025

“The Sunday Pictoral” ka botuar, të dielën e 25 majit 1930, në faqen n°2, intervistën ekskluzive asokohe me Aleksandër Moisiun në Londër, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Aktori i madh këtu

Aleksandër Moisiu nesër mbrëma luan në Londër

1300 herë në një pjesë

Burimi : The Sunday Pictoral, e diel, 25 maj 1930, faqe n°2
Burimi : The Sunday Pictoral, e diel, 25 maj 1930, faqe n°2

Aleksandër Moisiu, aktori i famshëm gjerman, i cili ka luajtur Hamletin 1000 herë dhe ka luajtur Stanhope në produksionin vjenez të “Journey’s End — Fundi i Udhëtimit”, tani ndodhet në Londër.

Ai erdhi në Londër sepse, pasi kishte performuar pothuajse në çdo kryeqytet tjetër të botës, ai aspiron, si emri i tij Aleksandri i Madh, të pushtojë kryeqytete të reja.

Sulmin e tij do ta nisë në Teatrin Globe nesër mbrëma, kur do të hapë sezonin ndërkombëtar të Cochran dhe Maurice-Browne si Fedya në “Der Lebende Leiehnam” (“Kufomën e gjallë”) të Tolstoit. Këtë, pjesën e tij më të famshme, ai e ka luajtur mbi 1300 herë.

Megjithëse nuk kam aktruar kurrë më parë në Londër, tha zoti Moisi dje për The Sunday Pictorial, unë nuk po ndihem nervoz. Unë jam mjaft kurioz – kurioz të takoj luanin tuaj anglez dhe të shoh nëse ai do të më gëlltisë. Ndoshta ai nuk është aq i mprehtë sa e kanë pikturuar. Shpresoj që jo.

Fakti që aktroj në gjermanisht, shpresoj, nuk do të më bëjë të pakuptueshëm për audiencën londineze që nuk e kupton gjuhën. Aktrimi është më i thellë se fjalët.

Sharmi i Moisiut vendoset që me shikimin e parë. Ai ka flokë të zinj, sy depërtues por të butë dhe një zë me ëmbëlsi dhe bukuri të pakrahasueshme.

Më pëlqen më shumë, — tha ai, — të aktroj në një teatër intim, me publikun afër meje. Sa më larg të jeni nga audienca, aq më e vështirë është ta bëni — si e quani ? — transmetimin e rrymës (energjisë).

Pas një jave me “Der Lebende Leichmam — Kufomën e Gjallë”, Moisiu do të shfaqet në teatrin Globe në shfaqjen e “Hamletit”.

Por jo, tha ai, Hamleti me pallto. Publiku modern nuk i vlerëson vërtet kostumet moderne, edhe pse ato mund t’u japin atyre një ndjesi të këndshme të çastit./ KultPlus.com

Fluks vizitorësh në kalanë e Shkodrës dy muajt e parë të vitit

Parku Arkeologjik Shkodër gjatë dy muajve të parë të vitit 2025 ka mirëpritur mbi 4,700 vizitorë, 27% më shumë krahasuar me vitin 2024.

Shifra u bë e njohur nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja ndërsa ndau foto nga vizitorë të ndryshëm në rrjetet sociale.

Turistët në Shkodër ndalen në kala për një vizitë ndërsa ndodhen qoftë edhe tranzit drejt veriut të vendit. Kalaja e Shkodrës ka pozicion të atillë që nuk tërheq vetëm për vlerat e trashëgimisë historike, por edhe per peizazhet fantastike që mund të shihen prej saj me liqenin dhe luginën e Bunës.

Parku Arkeologjik Shkodër është një destinacion ku historia dhe natyra krijojnë peizazhin perfekt. Kalaja, ajo që vazhdon të tërheqë më shumë vëmendjen e vizitorëve vendas e të huaj, është një nga më të bukurat në rajon, duke qenë se edhe pozicioni i saj strategjik ofron një fushëpamje mahnitëse. Numri i vizitorëve në Kalanë e Rozafës, vitet e fundit ka qenë gjithnjë në rritje.

Parku Arkeologjik Shkodër, ka një sipërfaqe prej rreth 70 ha. Rozafati, me një sipërfaqe prej 3.6 ha dhe një perimetër muresh rrethues prej 881 m, është objekti më i rëndësishëm i Parkut. Ajo dominon mbi një kodër shkëmbore ndërmjet lumenjve Drin dhe Buna, në hyrjen juglindore të qytetit të Shkodrës.

Gjurmët antike të saj, teknika e mureve me blloqe poligonalë, ruhen pranë hyrjes kryesore dhe datojnë të shek. IV p.e.s. Kalaja kishte një rol të rëndësishëm si qendër e fortifikuar ilire gjatë periudhës së mbretit Ilir Genti në mesin e shek. II p.e.s. Historiani romak Tit Livi e quante Shkodrën vendin më të fortifikuar të fisit Ilir të Labeatëve.

Kalaja njihet me emrin Rozafa, të cilin duhet ta ketë marre aty mes shek. V-VI-të./atsh/ KultPlus.com