Akademia e të Rinjve drejt rithemelimit

Akademia e Shkencave e Shqipërisë po punon për ngritjen e Akademisë së të rinjve.

Për këtë qëllim është mbledhur komisioni i ngritur nga Akademia e Shkencave për konkursin e pranimit të anëtarëve të rinj të Akademisë së të Rinjve, në përputhje me kriteret bazë të Statutit dhe “Kartës themelore të ALLEA-s” .

Komisioni, me praninë e gjithë anëtarëve, nën drejtimin e akademikut Adrian Civici, bëri vlerësimin e përputhshmërisë së të dhënave të kandidatëve të regjistruar sipas dokumenteve depozituar në dosjet e tyre.

U vërejt se thirrjes së Akademisë së Shkencave për pjesëmarrje në konkurs i janë përgjigjur 13 kandidatë. Kërkesat me karakter shkencor (mbrojtja e doktoratës, veprimtaria botuese, vlerësimi nga njësia e kërkimit shkencor/universitar) janë plotësuar nga të gjithë. Shumica e kandidatëve kanë  artikuj të indeksuar në platforma e baza ndërkombëtare të dhënash (Research Gate, Google Scholar, duke përfshirë platformën Scopus etj.). Profili i tyre intelektual është mbresëlënës.

Lidhur me kriterin moshor, që është i njësuar në të gjitha akademitë e ngjashme në Europë, tre prej tyre e kanë kaluar moshën 40 vjeç.

Në mbledhje u vlerësua veprimtaria e anëtarësisë së deritashme të Akademisë së të Rinjve, anëtare e Global Young Academies. Tre nga anëtarët e saj janë në moshën nën 40 vjeç dhe do të rikonfirmohen nga komisioni në përbërjen e akademisë së rithemeluar.

Anëtarësia e mëparshme do të ftohet të vazhdojë bashkëpunimin me Akademinë e Shkencave në kuadër të komisioneve të përhershme dhe të strukturave të tjera të saj.

ASHSH do të kryejë ndaj tyre detyrën e kujdesit në karrierë me të njëjtat përgjegjësi si zyrat e Alumnit në universitete.

Së shpejti komisioni do të shpallë vendimin e tij dhe pas kësaj do të organizohet ceremonia e konstituimit të Akademisë së ringritur të të Rinjve. Ajo do të ketë statusin e një komisioni të përhershëm, mbështetje morale dhe intelektuale nga ASHSH, një tribunë botimesh shkencore (anuar), si dhe një buxhet të arsyeshëm për veprimtari shkencore dhe pjesëmarrje në evente të rëndësishme.

Një nga dy sesionet e Asamblesë së Përgjithshme të ALLEA-s, që do të mbahet në muajin maj 2024 në Berlin-Brandenburg, do t’i kushtohet veprimtarisë së akademive të të rinjve./ KultPlus.com

Rama podkast me aktoren Zamira Kita dhe sipërmarrësen Aida Gjeçi: Gratë shqiptare meritojnë më shumë

Kryeministri Edi Rama ndau sot episodin e 7-të të Sezonit 3, të PodKastit FLASIM, të quajtur “Zonja nga Qyteti dhe Çika e Alpeve”.

Kryeministri u shpreh se ky episod u zhvillua më 8 mars dhe janë të ftuara 2 gra nga fondi i madh i grave dhe vajzave shqiptare që në mënyrë të përditshme përballen me sfidat dhe japin shembuj të panumërt të faktit të thjeshtë se gratë shqiptare meritojnë më shumë.

Në këtë episod ishte ftuar aktorja korçare Zamira Kita dhe sipërmarrësja nga Thethi, Aida Gjeçaj.

“Të dyja keni diçka të përbashkët që jeni në këtë tryezë sepse jeni 2 gra që keni këmbëngulur tek rrënjët megjithëse keni pasur shumë mundësi të shkëputeshit nga rrënjët. Keni qëndruar besnike rrënjëve tuaja duke mos lëvizur kurrë nga Korça dhe Aida duke u rikthyer për të mos lëvizur më në Theth. Natyrisht keni karriera komplet të ndryshme njëra me artin dhe skenën tjetra me mikpritjen me bujtinën si derë e hapur për klientët si spektatorë mahnitës të bukurive të Thethit”, u shpreh Rama.

Gjeçaj u shpreh se “janë të dyja të ndërlidhura sepse pjesa e mikrpitjes është pjesë e turizmit. Turizmi është i lidhur me artin, por edhe me zanatin dhe eksperienca ime pararendëse e turizmit është edhe artizanati, kështu që nga arti tek zanati, tek turizmi, tek mikpritja”.

Duke folur për fondacionin e artizanatit, Gjeçaj tha se, “fondacioni “Rozafa”, që kur i vumë emrin, i vumë emrin e një gruaje që gjithashtu sakrifikon për familjen. Ne identifikuam 13 qendra artizanati grash që nga Vlora deri në Shkodër dhe qëllimi i projektit ishte të fuqizonim gruan, nëpërmjet fuqizimit ekonomik, në mënyrë të tillë që nëse ato sillnin të ardhura në familje dhe e drejta e tyre e fjalës rritet edhe kontributi dhe mund të mbanin familjen dhe mund të kishin të drejtë fjale. Mund t’i jepnim një punë duke u nisur nga tradita dhe i kthyem në aftësi për punë”.

Ndërsa aktorja Zamira Kita u shpreh se, “duket sikur arti, kultura, janë gjëra më të thjeshta, mund t’i kapësh më thjeshtë, mund të bësh emër, të bësh karrierë, në fakt nuk është kështu”.

“Kam 16 vjet që drejtoj teatrin në Korçë dhe 10 vjet që drejtor Artin dhe Kulturën. Sigurisht s’kam qenë e vetme është një staf i madh, vetëm s’do mund të arrinim diçka, por duhet luftuar”, tha Kita. / KultPlus.com

Kalaja e fshehtë e Skënderbeut në Kurbin

Në një nga valëzimet e fundit të shpatit lindor të malit të Predonit, 527 m mbi nivelin e detit, ndodhet Kalaja e fshehtë e Skënderbeut.

Drejtoria rajonale e trashëgimisë kulturore Shkodër solli të dhëna për këtë vendndodhje që nuk njihet shumë nga publiku.

Rrjedhja e sipërme e përroit të Hurdhasës (degë e lumit Mat) e ndan kalanëë nga Mali i Skënderbeut, ndërsa në veri e në jug të kalasë ndodhet lugina e Gallatës.

Kjo kala ngrihet mbi një terren shkëmbor që ka formë pak a shumë konike. Në anën  jugore ka një humnerë të thiktë rreth 80 m, e cila ka bërë të panevojshëm fortifikimin në këtë pjesë të kalasë.

Muri rrethues përbën vetëm 96 m. të perimetrit të sistemit fortifikues të kalasë, sepse pjesa tjetër e tij mbrohej nga kulla dhe humnera në anën jugore.

Gjerësia e këtij muri është e ndryshme, sikurse ajo e mureve të mjaft kalave mesjetare të vendit tonë.

Gjetja gjithnjë në shtresën e hollë kulturore e një numri gjylesh guri të dëmtuara do të thotë se jeta e shkurtër e kalasë është e lidhur kronologjikisht me përdorimin e tyre. Këto gjyle nuk mund të jenë më të hershme se të shek. XIV, sepse armët e zjarrit u përhapën në Evropën Jugore vetëm rreth vitit 1350.

Disa të dhëna na bëjnë të ditur se nga fundi i shek. XIV dhe  fillimi i shek. XV ishin bërë përpjekje nga Balshajt dhe Topiajt për të pajisur ushtritë e tyre me topa.

Në burimet historike kjo kala nuk përmendet as në listën e atyre që iu morën apo iu shkatërruan Gjon Kastriotit më 1430,  as edhe ndër ato që mori Skënderbeu më 1443. Në këto burime del qartë se ky i fundit zhvilloi një veprimtari të dendur ndërtimore për rindërtim të kalave.

Kalaja për të cilën po flasim është ndërtuar mbas vitit 1451. Edhe planimetria e kalasë është ndërtuar në mënyrë të tillë që të zvogëlonte efektin e mundshëm të goditjeve të artilerisë armike. Kështu përballë valëzimit më të afërt të shpatit lindor, prej nga kalaja mund të goditej më lehtë, është vendosur kulla e vetme me trashësi rreth dy herë më të madhe se ajo e murit rrethues. Ajo mbronte edhe hyrjen veriore dhe pjesën e drejtë të murit rrethues. / KultPlus.com

Poeti Ndoc Gjetja në përjetësinë e krijimtarisë

Nga Jak Rrozhani

Poeti i njohur lezhjan Ndoc Gjetja do të mbyllte sytë përgjithmonë më 7 qershor 2010, për t’iu dhënë përjetësisë e për të mbetur i pavdekshëm, por jeton krijimtaria e tij poetike. Poeti Ndoc Gjetja filloi të botojë poezitë e para në vitin 1970, duke qenë autor i disa vëllimeve poetike, si: “Dhjata ime”, etj,.

Ai mbetet njëri prej poetëve më në zë të poezisë së sotme shqipe. Mjaft studiues e kritikë vlerësojnë se Ndoc Gjetja, me talentin e thjeshtësinë e tij, mbetet emblemë e njeriut dhe poet i ndjesive të thella. Në poezitë e tij lëviz jeta, natyra e bukur, ajri i pastër, njerëzit e thjeshtë, dashuria njerëzore dhe dritë-hijet e kohës. Ku poezia ishte shpirtësia e tij, duke mbetur kështu zotërues i një sinqeriteti, modestie e ndershmërie gati hyjnore.

Universi i poezisë Ndocgjetjane ishte aq tokësore është një puthje, një përkëdhelje diku mbi bar, por që ngërthen hapësirat kozmike të të gjitha kohërave qysh në lashtësi. Mbi varrin e njeriut të madh dhe poetit të shquar Ndoc Gjetja, janë shkruar këto vargje , shkëputur nga poezia “Epitaf për veten”, shkruar kur ishte gjallë me dorën e tij:

“Këtu prehet ai që quhet Ndoc Gjetja / I cili pati ardhur gabimisht në këtë botë / Nga vetja e tepruar nxirrte vjersha / Dhe gjithë njerëzit i quante shokë”. /KultPlus.com

30 vite nga vdekja e Charles Bukowski

Charles Bukowski ka lindur në Andrenach në Gjermani me 16 gusht te vitit 1920. Pas dy vjetësh nga lindja e tij e gjithë familja emigron në Amerikë. Ata vendosen në Los Anxhelos, ku Bukowski qëndroi gjithë jetën.

Emri i tij i plotë është Henry Charles Bukowski Jr., por atë thjesht e thërrisnin Henk.

Është autori i 34 vëllimeve poetike dhe i tre romaneve dhe një skenari filmi. Henk njihet si një ndër themeluesit e rrymës Underground.

Charles Bukowski ishte letrar, poet, novelist dhe shkrimtar amerikan me rrënjë gjermane, përfaqësues i valës tjetër të gjeneratës beat, stili i tij i të shkruarit është në ndikim të plotë të ambientit social, kulturor dhe ekonomik të qytetit të tij Los Angeles.

Në veprat e tij e përshkruante jetën e njeriut të varfër, alkoolit, relatat me femrat, dhe të gjitha mungesat dhe vështirësite e punëve të këtilla.

Bukowski shkruajti në mijëra këngë, qindra tregime të shkurtëra dhe gjashtë romane, të gjitha deri në gjashtëdhjetë libra. Në veprat e tij e përvetësonte veten si Henry Chinaski.

Sa i përket Bukowskit ne jetën personale, në rini ishte i turpshëm dhe i tërhequr, e cila ishte si rezultat i abuzimit nga ana e moshatarëve të tij dhe babait të tij që e rrihte.

Në vitet e hershme të adoleshencës për herë të parë ra në kontakt me alkoolin i cili më vone do ta përcaktoj si person dhe shkrimtar gjatë tërë jetës së tij.

Bukowski vdiq nga Leukemia më 9 mars të vitit 1994 në San Pedro./KultPlus.com

Artpolis shënon 20 vjetorin me “Poezi për Fuqi – Çdo Ditë është 8 Mars”

Më 6 mars, 2024 Artpolis shënoi dy dekada të artit dhe aktivizmit feminist përmes mbrëmjes poetike “Poezi për Fuqi –Çdo Ditë është 8 Mars”, që përmes poezisë, këngëve kabare, dansit, panele të diskutimit dhe video kolazhit përçoi mesazhe për paqe e barazi në gjuhë të ndryshme: shqip, anglisht, serbisht, spanjisht, frëngjisht, boshnjakisht dhe italisht. 

Me poezi feministe të poeteve/ëve të shquar vendorë dhe ndërkombëtarë u bë thirrje për fuqizim dhe solidaritet me gratë në Kosovë, Ukrainë, Palestinë e kudo tjetër në botë ku luftërat e shtypja e patriarkatit vazhdojnë të vrasin gratë. 

Festa nisi me një video kolazh që përthekonte 20 vjet të punës së Artpolis – nga shfaqjet profesionale, 11 edicione të Festivalit FemArt, angazhimin për edukimin e të rinjve dhe të rejave përmes teatrit, e deri tek fuqizimi e vajzave dhe grave me trajnime, marshe, protesta dhe punëtori – duke rikthyer kështu çaste të artisteve dhe aktivisteve që ishin pjesë e këtij rrugëtimi të mbushur me gëzime, sfida e suksese në ndryshimet pozitive shoqërore. 

E mbushur me emocione dhe nostalgji themeluesja dhe drejtorja ekzekutive e Artpolis, Zana Hoxha, e cila e moderoi këtë mbrëmje, ndau me të pranishmit hapat e parë të organizatës, teksa ka falënderuar të gjitha gratë, artistet/ët dhe aktivistet/ët që kanë dhënë kontribut në rritjen e Artpolis. 

“Rezisto, Inspiro, Krijo” është motoja që e ka përcjellur dhe i ka dhënë shtytje Hoxhës përgjatë dy dekadave të angazhimit aktivist dhe artistik. 

Ngjarja pasoi me performancën e korit të fëmijëve “Okarina” nën drejtimin e Elikona Hysaj, të cilët interpretuan veprën e kompozitorit Ylber Asllanaj “Lulet Marsit”, duke i bërë homazh fëmijëve të Familjes Jashari të vrarë gjatë luftës në Kosovë. Korit iu bashkua edhe aktorja e Artpolis, Blerta Gubetini që interpretoi poezinë “Shëmtia e Luftës” nga Linda King. 

Pasuan poezitë e mysafires speciale të kësaj mbrëmje, Vjollca Bajraj dhe diskutimi me të. Poezia e saj “Mëngjeset e mia janë të dhimbshme” erdhi nën interpretimin e aktores së Ansamblit të Artpolis, Qendresa Kajtazi. 

Ajo shpalosi momente nga jeta e saj, lidhjen me artin e poezinë, dhe jetën pas vdekjes së poetit dhe bashkëshortit të saj, Xhevdet Bajraj. 

“Kam filluar të shkruaj poezi 3-4 muaj pas vdekjes së Xhevdetit (2022). Shkrimi i poezisë ka qenë një formë për ta ngushëlluar veten”, ka thënë Vjollca Bajraj, që ka treguar edhe si është përzgjedhur për të luajtur në filmin “El actor Principal” , me regji të Paula Markovitch, edhe pse nuk është aktore me profesion. Ajo interpretoi poezi në shqip dhe spanjisht, ndër to edhe poezitë “Përqafim Gruaje” dhe “Grua”. 

Mbrëmja u pasurua edhe me poezitë dhe interpretimet e poetëve dhe artistëve/aktivistëve të tjerë: Nora Prekazi, Gili Hoxhaj, Mila Mihajlovic, Xhejlane Tërbunja, Aurita Agushi, Meli Qena, Donato Giuliani, dhe Ivana Bilić. 

Festimi i 20  vjetorit të Artpolis u shënua edhe me poezi e këngë kabare nga Ansambli i Artpolis, të riaranzhuara nga kompozitori Liburn Jupolli, i cili performoi edhe në piano, kurse në bas kitarë luajti Yllka Simnica, e në tupana Granit Havolli. Ansambli i Artpolis solli edhe disa pika të dansit me koreografi të Robert Nuhës. 

Ky aktivitet u mbështet nga Frieda, kurse sponsorë ishin Vidasus, Syrrush, Red Bull Kosova dhe Theranda. / KultPlus.com

Shqipëria në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecia me veprat e artistes Iva Lulashi

Arti dhe dashuria të pandara në veprat e realizuara mjeshtërisht nga artistja Iva Lulashi, e cila do të përfaqësojë Shqipërinë në edicionin e 60-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ka pritur në takim artisten Lulashi së bashku me ekipin.

Gonxhja shprehet se përmes artit të saj, me projekt idenë “Love as a Glass of Water”, Iva na fton të bëhemi pjesë e një udhëtimi emocionues, duke kapur çdo nuancë të dashurisë dhe çdo impuls të fshehur të instinktit, si gjuhë universale, forca primare që lidh njeriun me botën”.

“Së bashku të mbështesim Ivën në rrugën e saj drejt një suksesi të shkëlqyer në skenën ndërkombëtare të artit”, shprehet Gonxhja.

Artistja Iva Lulashi shprehet se “ky është një rast shumë i mirë të sjell pikturat e mia dhe të prezantoj me një projekt që quhet “Love as a Glass of Water”. Është një mesazh që fton njerëzit për një liri të trupit, të lidhjeve. Për një mundësi për tu afruar njerëzve në mënyrë shumë natyrale dhe duke jetuar dashurinë në mënyrë të lirë”. / KultPlus.com

Thirrje për drejtësi dhe barazi për gratë, kështu u shënua 8 Marsi në Kosovë

Qindra gra parakaluan në qendër të Prishtinës të premten duke protestuar kundër dhunës në familje dhe padrejtësisë ndaj grave.

Me thirrjet “Sot marshojmë, përditë luftojmë” dhe “Drejtësi për gratë e vrara”, protestueset hodhën bojë të kuqe në ndërtesat e policisë dhe prokurorisë për të shprehur shqetësimin e tyre me shkallën e lartë të dhunës ndaj grave në Kosovë dhe trajtimin e rasteve të dhunës nga sistemi i drejtësisë në vend.

Dhuna ndaj gruas shënoi ngritje gjatë vitit që e lamë pas në Kosovë. Sipas autoriteteve 3 gra u vranë ndërsa mbi dy mijë të tjera ishin viktimë e dhunës në familje përgjatë vitit 2023. Nga viti 2010 deri në nëntorin e vitit 2023, në Kosovë janë vrarë 55 gra.

Një nga organizatoret e këtij parakalimi, Fleta Qetaj, i tha Zërit të Amerikës se mungesa e ndëshkimeve të duhura po inkurajon autorët e dhunës ndaj gruas në Kosovë.

“Vrasjet e grave dhe rastet e dhunës me bazë gjinore nuk po trajtohen me pëparësi nga institucionet e drejtësisë por as nga vet shteti. E kemi tash rigjykimin e rastit të vrasjes së Marigona Osmanit, i cili n aka shqetësuar të gjithëve për shkak se në njëfarë forme gjykata tha se vrasja e saj ndoshta nuk ka qenë mizore edhe u fol më shumë për motivin e xhelozisë sesa për mizorinë nëpër të cilën ka kaluar Marigona. Për ne është e papranueshme të tejkalohet kjo ngjarje dhe njëkohësisht është e papranueshme që të trajtohen rastet e vrasjes së grave dhe vajzave në këtë formë”, tha ajo.

Policia nuk lejoi pjesëmarrësit e parakalimit të futen në oborrin e qeverisë. Veprimtarja për të drejtat e gruas, Bjeshkë Guri, tha se ky veprim është tendencë për të heshtur angazhimin feminist në Kosovë.

“Ka dalur kordoni policor dhe nuk na ka lejuar të lexojmë fjalimin e përvitshëm që ndodhë brenda oborrit të qeverisë. Këtë ne e shohim si tentativë për heshtje të rezistencës feministe në Kosovë prej qeveritarëve dhe gjithashtu edhe një herë dështim institucional për të marrë përgjegjësinë për gjithë këto padrejtësi që po ndodhin në vendin tonë”, tha ajo.

Dhuna ndaj gruas mbetet ndër shqetësimet kryesore të veprimtarëve për të drejtat e grave në vend, krahas problemeve si mungesa e pavarësisë ekonomike të grave dhe pjesëmarrja ende e ultë e tyre në jetën publike./ KultPlus.com

Dalin në ankand pamjet me ngjyra të papublikuara nga legjendarët The Beatles

Pamjet me ngjyra të papublikuara nga një dalje televizive e vitit 1964  nga The Beatles në një shfaqje muzikore televizive do të shiten në ankand.

Pamjet nga prapaskenat e performancës së grupit të famshëm nuk janë shfaqur kurrë më parë. Në to, grupi legjendar këndon në tributin special “Ready Steady Go! Dhe rreth Beatles”.

Videoja ka një kohëzgjatje totale prej 18 minutash dhe nuk përfshin zërin. Siç raporton Omega Auctions, e cila ka marrë përsipër ankandin, këto pamje nuk janë publikuar apo publikuar asnjëherë deri më sot.

Çmimi i shitjes vlerësohet të jetë 10,000 £./KultPlus.com

Fragment nga romani ‘Siddhartha’ i autorit Herman Hesse

Herman Hese është një nga romancierët më në zë të shekullit 20. Fitues i çmimit “Nobel” për letërsi dhe autor i një sërë romanësh filozofik, mes së cilëve edhe “Siddhartha” të cilin po e rekomandojmë sonte.

“Siddhartha” është roman i botuar në vitin 1922, i cili rrëfen udhëtimin drejt njohjes së vetvetes të personazhit kryesor Siddhartës në periudhën kur jetonte Gautama Buddha. Shumica e romaneve të Heses kanë pikërisht fokusin këtu, tek njohja e vetvetes. Ndaj, Hese konsiderohet si shkrimtar-filozof që përkushtohet gjatë gjithë krijimtarisë së tij në këtë aspekt.

Si njohës i mirë i budizmit, Hese zgjedh emrin Siddharta që do të thotë arritje e gjetjes së kuptimit të ekzistencës. Siddha – arritje dhe Artha – kërkim.

Për ta shkruar këtë roman Heses iu deshën më shumë se dy vjet, kurse me të dalur në treg libri, ngjalli interesim dhe kureshtje të madhe, por gjithashtu pati edhe kritika ndaj tij. Siddharta ky djalosh, është shpirt i trazuar që dëshiron të nis rrugën drejt të vërtetës, ai don të jetë një “Samana”, pra mendimtar – i riu nuk mjaftohet me mësimin e artit të savanasë, ai shkon përtej kësaj, te Buda, mjeshtri, ideve të të cilit Siddharta nuk iu bindet, ndaj vendos të largohet sepse kishte diçka që e pengonte në këtë drejtim, pra në përqafimin e ideve të Budës.

Me t’u larguar, djaloshi i rij do të provojë shumë gjëra të kësaj bote, pasurinë, dashurinë, lidhjen me prostitutën Kamala, e tregtinë. Gjithnjë duke kërkuar që gjatë rrugëtimit të gjejë të vërtetën brenda vetes.

Romani në fjalë lexuesit i lë përshtypje për meditacionin dhe trajtesën mjeshtërore të jetës askete brahmanë, tradtië fetare jo aq e njohur në Evropë para se Hese ta sillte në këtë vepër. Herman Hese i qaset në aso mënyre rrëfimit, duke treguar mjeshtërinë e tij me rrjedhshmërinë, elementet narrarive, të cilat shkrihen natyrshëm në tërësinë kompozicionale të veprës.

“Siddhartha” mbetet njëra nga veprat më të lexuara të letërsisë botërore për shkak se trajton një temë universale, temën e kërkimit të dijes dhe jetës – krahas konceptit budist të njësisë së qenieve.

“Diturinë mund ta rrëfesh, urtësinë jo”

Libri na zbulon konceptin budist për jetën përmes personazhit Siddharta, i cili nis rrugën e tij jetësore duke hulumtuar misteret e jetës.

Fragment nga libri

Nën hijen e shtëpisë, në diell të breglumit pranë kaikeve, nën mriz të ajdësit e të fikut, u rrit Siddharta, pinjoll i bukur i brahmanëve, djaloshi syshqiponjë, bashkë me Govindën, mikun e tij, një tjetër bir brahmani. Dielli ia nxinte shpatullat e zbardhulëta në breg të lumit, teksa lahej, merrte abdest e dhuronte flijime të shenjta.

Hije i shkisnin mbi sytë e zinj në korije mangosh, në lojëra fëmijësh, në të kënduarit zëbilbil të së ëmës, në flijimet e shenjta, në mësimet që merrte prej të atit e prej të diturve, në bisedat me të urtët. Prej kohësh tashmë, Siddharta merrte pjesë në kuvendimet e të urtëve, kalitej me Govindën në beteja ligjërimi, ushtrohej me të në vëzhgime, stërvitej duke u thelluar në meditime.

Tashmë, ai dinte të thoshte Omin, fjalën e fjalëve; dinte ta shqiptonte atë pa zë, në brendësi të vetes, me ajrin që thithte, siç dinte ta shqiptonte edhe jashtë, përsëri pa zë, me frymën që nxirrte, me shpirtin të mbledhur, me ballin të qarkuar nga ndriçimi i shpirtit që mendonte kthjellët. Tashmë ai kuptonte se, në brendësi të qenies së vet, kishte njohur Atmanin, të parrënueshëm, një me gjithësinë.

Herman Hese ka lindur më 2 korrik 1877 në Calv të Vuertembergut në Gjermani. Bir i një misionari gjerman dhe i një vajze të indologut të njohur vuertembergas. Hese vdiq si një nga shkrimtarët më të njohur gjermanë të të gjitha kohërave, më 9 gusht të vitit 1962 në Montanjola të Luganos, në Zvicër.

Pas mësimeve të tij si bibliotekar, ai që nga viti 1904 kishte jetuar si shkrimtar me profesion të lirë, së pari në Gainhofen të Bodensesë dhe më pas edhe në Tesin e Zvicrës. Hese, i njohur edhe për romanin “Ujku i Stepës”m në vitin 1946 mori Çmimin Nobel për Letërsi. Herman Hese vazhdon të jetë një ndër shkrimtarët më të lexuar të botës. /KultPlus.com

Misioni i NATO-s në Kosovë me urim për Ditën Ndërkombëtare të Gruas

Me një video të veçantë, misioni i KFOR-it në Kosovë ka uruar 8 Marsin apo ndryshe Ditën e Gruas, shkruan KultPlus.

Gra të ndryshme janë pjesë e NATO-s dhe si të tilla ato janë paraqitur në video, ku tregohet se puna e tyre është e ndryshme dhe luajnë një pjesë kyçe në vend.

Në vijim KultPlus ua sjell postimin e plotë:

Gëzuar Ditën Ndërkombëtare të Gruas!

Ne, gra dhe burra, nga çdo komb bashkëpunojmë për të ofruar një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë. “

Së bashku më të fortë për paqen” është motoja jonë.

#KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të ofruar një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. #KFOR është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), respektivisht, me të cilët punojmë në koordinim të ngushtë./KultPlus.com

Dhe Zoti më bëri femër

Poezi e shkruar nga Gioconda Belli.

Dhe Zoti me bëri femër,
me floke të gjata,
sy,
hundë dhe gojë femre.
Me linja
dhe kurba
dhe valëzime të buta
dhe me gërmoi brenda,
më bëri një prerje të qenieve njerëzore.
Endi me delikatesë nervat e mia
dhe i balancoi me kujdes
numrin e hormoneve të mia.
Kompozoi gjakun tim
dhe më injektoi me të
që të vadiste
të gjithë trupin tim ;
lindën kështu idetë,
ëndrrat
instiktet.
Të gjitha që krijoi butësisht
gdhendur me frymë
dhe zhbiruar me dashuri,
janë mijëra gjërat që më bëjnë femër çdo ditë
për të cilat zgjohem krenare
çdo mëngjes
dhe bekoj seksin tim.
/KultPlus.com

Historia e trishtë e 8 Marsit, kur 129 gra u dogjën për së gjalli

Një legjendë shumë e famshme tregon se Festa e Gruas është vendosur si datë në vitin 1908, në kujtim të 129 punëtoreve të vdekura në zjarrin që ra në një fabrikë në Nju Jork, fabrika “Cotton”.

Në këtë kohë punëtoret kërkonin kushte më të mira pune dhe me 8 mars pronari i fabrikës bllokoi të gjitha daljet e stabilimentit, në të cilin shpërtheu zjarri dhe vrau shumë prej grave që punonin aty.

Por në të vërtetë bëhet fjalë vetëm për një rrëfenjë që lindi në vitet në vazhdim dhe u tregua sidomos gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Zyrtarisht Dita Ndërkombëtare e Gruas u vendos në Shtetet e Bashkuara më 28 shkurt të vitit 1909. E vendosi Partia Socialiste amerikane që atë ditë organizoi një manifestim të madh, në të cilin kërkohej e drejta e grave për të votuar.

Ky ishte një diskutim i hershëm, si në SHBA (janë të famshëm artikujt e socialistes Corinne Broën), si në Kongresin e VII Ndërkombëtar Socialsit (i mbajtur në Shtutgard në vitin 1907).

Demonstratave që kishin si qëllim votimin, shumë shpejt ju bashkuan edhe pretendime të tjera për të drejtat e grave. Nga nëntori i vitit 1908 deri në shkurt 1909 mijëra punëtore në Nju Jork hynë në grevë për ditë të tëra duke kërkuar rritjen e rrogës dhe përmirësim të kushteve të punës.

Në vitin 1910, Kongresi i VIII Ndërkombëtar Socialist propozoi për herë të parë vendosjen e një dite dedikuar grave.

Më 25 mars të vitit 1911 kupa u mbush: në fabrikën “Triangle” në Nju Jork shpërtheu një zjarr dhe 146 punonjëse (gra të reja emigrante), humbën jetën.

Mbase nga kjo ngjarje lindi edhe legjenda e fabrikës “Cotton”, shumë e ngjashme me të. Që nga ky moment manifestimet e grave u shumëfishuan. Në shumë vende, mes të cilëve edhe në Gjermani, Austri dhe Zvicër, lindi dita dedikuar grave.

Data 8 mars u shënua për herë të parë në histori si Festa e Gruas në vitin 1917, kur gratë e Shën Petërburgut dolën në shesh për të kërkuar fundin e luftës, duke i dhënë kështu jetë “Revolucionit rus të shkurtit”.

Ishte kjo ngjarje që frymëzoi delegatet e Konferencës së Dytë Ndërkombëtare të Grave Komuniste në Moskë të vendosnin datën 8 mars si, Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve.

Në vendet fqinjë me ne, në Itali, Festa e Gruas u përkujtua në vitin 1922 me të njëjtin kuptim politik dhe social. Gjithashtu në Shqipëri, 8 marsi është festuar herë si Dita e Gruas e herë si festa e Nënës.

Më shumë ka qenë kjo e fundit që ka mbizotëruar, ndërsa vitet e fundit, më shumë se një ditë ku gratë duhet të kujtojnë dhe kërkojnë të drejtat e tyre, 8 marsi është shndërruar në një manifestim femëror.

Fundja edhe kështu vlen, mjafton që të paktën një ditë në vit gratë të jenë në qendër të vëmendjes dhe të flitet për to. / KultPlus.com

Një poezi

Poezi e shkruar nga Charles Bukowski (1920-1994)

një poezi është një qytet plot rrugë dhe puseta
plot me shenjtë, heronj, lypësa, të marrë,
plot me banalitet dhe me gjëra për t’u pirë,
plot me shi dhe bubullimë dhe me periudha
thatësire, një poezi është një qytet në luftë,
një poezi është një qytet që pyet një lavjerrës pse,
një poezi është një qytet që digjet,
një poezi është një qytet nën bombardime
sallat e saj të berberëve plot me sarhoshë cinikë,
një poezi është një qytet ku Zoti kalëron
nëpër rrugët si Lady Godiva,
ku qentë angullijnë natën, e bëjnë flamurin
t’ia mbathë; një poezi është një qytet me poetë,
për me tepër shumë të ngjashëm mes tyre
e lakmiqarë dhe plot me ankime…
një poezi është ky qytet tani,
50 mile nga asgjëja,
9, 09 e mëngjesit,
shija e pijes dhe e cigareve,
as policë as të dashuruar që enden rrugëve,
kjo poezi, ky qytet, që kyç dyert e veta,
i barrikaduar, pothuaj bosh,
i përzishëm pa lotë, i plakur pa mëshirë,
me malet plot shkëmbinj të ashpër,
me oqeanin si një flakë trumze,
një hënë e privuar nga madhështia,
një muzikë e lehtë dritaresh të thyera…/KultPlus.com

Sibel Halimi: Barazia gjinore arrihet atëherë kur gratë kanë liri zgjedhjeje dhe janë trashëgimtare në pronë

Drejtoresha e drejtorisë për Kulturë në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi, ka qenë e ftuar në kolegjin Universum për të mbajtur një fjalim në Ditën Ndërkomvbëtare te Gruas.

Në vijim KultPlus ua sjell postimin e plotë të Halimit:

Barazia gjinore arrihet atëherë kur gratë kanë liri zgjedhjeje dhe janë trashëgimtare në pronë, ndërsa paguhen njësoj si burrat për punën e njëjtë

Barazia gjinore arrihet atëherë kur gratë kanë liri zgjedhjeje dhe janë trashëgimtare në pronë, ndërsa paguhen njësoj si burrat për punën e njëjtë.

Për nder të Ditës Ndërkombëtare të Grave, 8 Mars e ftuar nga UNI-Universum International College by Arizona State University në ‘Meet & Greet’ bashkëbiseduam me studentët për një rrëfim tjetër për gratë, për çrrënjosjen e  misogjinisë dhe gjuhës seksiste, që pavetëdijshëm janë pjesë e mendësisë dhe veprimeve tona./KultPlus.com

Dua Lipa surprizon nxënësit, rikthehet në shkollën e saj fillore për 8 mars

Dua Lipa u rikthye në shkollën e saj të vjetër fillore për të surprizuar nxënësit e vitit të 6-të dhe për të rikujtuar vendin e vogël ku bënte audicione për shfaqjet e saj kur ka qenë e vogël.

Superylli i muzikës shkoi në klasën e gjashtë për të suprizuar fëmijët së bashku me prezantuesin e emisionit të mëngjesit të BBC Radio 1, Greg James.

Gjatë vizitës, ajo ka ndarë me të rinjtë përvojat e saj kur ishte vetë në ato banka. Përherë e përkushtuar ndaj rrënjëve të saj dhe duke mos harruar nga ka nisur, Dua ka shpjeguar para nxënësve se në shfaqjen e shkollës ajo nuk kishte marrë rolin e saj të dëshiruar.

Mësuesi i saj i vjetër, Rob, më pas tregoi një klip të saj në “pjesën që ajo nuk donte” dhe e ftoi atë në audicion për rolin kryesor.

Nxënësit e klasës së gjashtë kanë filluar t’i tregojnë asaj aftësitë e tyre për aktrim. Si një nga figurat më frymëzuese të skenës muzikore ndërkombëtare, Dua Lipa ka dhënë një mesazh të fuqishëm se me përpjekje dhe pasion, ëndrrat mund të bëhen realitet./KultPlus.com

Një grua e pjekur

Poezi nga Reancer Humano

Përktheu Klodeta Dibra

Nuk shtyp, prek lehtazi.
Nuk ngallmon, është ngasëse.
Nuk është e zgjuar, është e mençur.
Nuk miklon, dëften mprehtësisht udhën.
Nuk ka ngut, pret dekikën e duhur.
Nuk vepron, rrëshqet ngadalë.
Nuk fluturon, lëviz dallgë-dallgë.
Nuk merakoset për sasinë, pëlqen cilësinë.
Nuk shikon, vrojton.
Nuk çapitet, shkon e vjen.
Nuk mëton, thjesht pëlqen të shijojë.
Nuk gjykon, zbërthen.
Nuk ngushëllon, ndez zemrën.
Nuk kërkon, zgjon ndjesi.
Nuk robëron, jep lirì.
Nuk josh, magjeps.
Nuk është ngulmuese, është përzgjedhëse.
Nuk lëshon dritë, është e dritësuar.
Nuk pëlqen ta shohin, pëlqen të dëgjohet.
Nuk parashikon, rrok me mendje.
Nuk flet për seksin, ajo është një mjeshtre në artin e dashurisë.
Nuk është e butë, është e epshme.
Nuk urdhëron, udhërrëfen.
Nuk rilind, është në lulzim të pandërprerë.
E s’fundmi një Grua e pjekur është një e tërë e të gjitha bukurive të gjasshme
sepse është një Grua./KultPlus.com

Këta janë aktorët më të paguar të Hollivudit

Aktori amerikan Adam Sandman vitin e kaluar fitoi 73 milionë dollarë, ndërsa aktorja australiane Margot Robbie 59 milionë dollarë dhe sipas listës së Forbes, ata ishin aktorët më të paguar në Hollywood. Këto janë të dhënat e vitit 2023.

Sandman ka fituar para të mëdha kryesisht falë filmave në Netflix: “Murder Mystery 2”, “You Are So Not Invited to My Bat Mitzvah”, “Leo” dhe “Spaceman”, me këtë të fundit që do të dalë këtë vit, megjithëse Sandman mori një tarifë vitin e kaluar.

Robbie fitoi shumë para vitin e kaluar falë filmit “Barbie”, ndërsa ajo pati edhe një rol të vogël në “Asteroid City”.

Lista e aktorëve më të paguar pasohet nga Tom Cruise (45 milionë dollarë), Ryan Gosling (43 milionë dollarë), Matt Damon (43 milionë dollarë), Jennifer Aniston (42 milionë dollarë), Leonardo DiCaprio (41 milionë dollarë), Jason Statham (41 milionë dollarë). dollarë), Ben Affleck (38 milionë dollarë) dhe Denzel Washington (24 milionë dollarë)./KultPlus.com

FILE – This image released by Warner Bros. Pictures shows Margot Robbie in a scene from “Barbie.” With the Friday, July 21, 2023, release of the “Barbie movie” starring Robbie, the color “Barbie Pink” has been thrown into the spotlight on social media and the world of fashion. (Warner Bros. Pictures via AP, File)

Gra të veçanta


Poezi nga Eleutereo Cimini

Shqipëroi Maksim Rakipaj

Ka gra, që janë femra të veçanta dhe s’mund t’i nënshtrosh!
Kanë nevojë të marrin frymë të lira edhe në ëndrrat e tyre…
Të brishta si flutura shumëngjyrëshe,
si lule të rralla, të paarritshme.
Kanë nevojë për dikë po aq të egër për të kaluar jetën…
Femra të veçanta, që nuk u mjafton vetëm t’i dashurosh,
janë tjetër racë, me vështrim krenar, të pashtruar.
Nuk kënaqen me pak, urrejnë nënshtrimin, kompromisin…
Femra të veçanta, nuk u pëlqen “të zgjidhen”,
ato zgjedhin dhe kaq!
Janë gra, femra të veçanta që s’mund t’i nënshtrosh!
Menjëherë i njeh nga vështrimi i tyre dhe shpejt e kupton
nga rrahja e çmendur e zemrës tënde…/KultPlus.com

Bie miti muzikor i Pitagorës

Pasi u bë makthi i të gjithë studentëve për teoremën e tij të famshme gjeometrike, Pitagora grek konsiderohet ende një nga mendjet më të shkëlqyera dhe më të shumëanshme të të gjitha kohërave, shkruan focus.it.

Themelues në shekullin e 6 para Krishtit. i njërës prej shkollave të para filozofike të antikitetit, gjatë jetës së tij ai u interesua për lëndët më të ndryshme, nga matematika në astronomi, duke ofruar bazën për themelin e mendimit perëndimor.

Pas mbi 2500 vjetësh, sot ka nga ata që e kanë mohuar (të paktën pjesërisht) mësimin e Pitagorës, i cili më shumë se çdo tjetër ka ndikuar në teoritë muzikore evropiane.

Sipas filozofit, formula perfekte për prodhimin e harmonisë muzikore, pra një tingull i këndshëm dhe jo i jashtëzakonshëm i përbërë nga disa nota, duhet të respektojë të ashtuquajturën “konsonancë”, pra një marrëdhënie të thjeshtë matematikore midis frekuencave që e përbëjnë atë.

Sipas këtij mekanizmi, ekzistojnë raporte të sakta që mund të prodhojnë intervale të konsideruara bashkëtingëllore: në oktavë, për shembull, një nga dy notat e pranishme në kordë ka saktësisht gjysmën ose dyfishin e frekuencës së tjetrës (raporti 1:2), ndërsa në të pestën raporti ndërmjet notave është 3:2.

Pjesa më e madhe e muzikës që ne njohim është ndërtuar mbi këtë parim të thjeshtë pitagorian, por në realitet duket se këto përmasa nuk janë gjithmonë të vlefshme, veçanërisht në kulturat që përdorin instrumente muzikore pak të njohura për traditën perëndimore.

Në studimin e tyre, një grup studiuesish nga universitetet e Kembrixhit, Princeton dhe Instituti Max Planck për Estetikë Empirike në Frankfurt, zbuluan se harmoni të ndryshme dhe po aq të këndshme ekzistojnë edhe jashtë bashkëtingëllimit pitagorian dhe se gjatë dëgjimit të një melodie, veshi ynë shpesh devijon nga marrëdhëniet “klasike” matematikore.

Për të demonstruar këtë, studiuesit përdorën një sërë testesh, duke përfshirë 4 000 njerëz nga Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut.

Në njërën prej tyre, pjesëmarrësve iu kërkua të dëgjonin disa akorde dhe të vlerësonin këndshmërinë e tyre, ndërsa në një tjetër njerëzit u ftuan të përdornin një regullator  për t’i ndryshuar ato dhe për t’i bërë ato më të këndshme për veshët e tyre.

Papërsosmëritë harmonike

Duke analizuar sjelljet e dëgjuesve, ekspertët zbuluan një preferencë të konsiderueshme për papërsosmëritë e lehta, ose “inharmonicitetin”, që në fakt dukej se e bënte muzikën edhe më të këndshme.

Eksperimentet e mëtejshme eksploruan gjithashtu perceptimin e harmonisë me instrumente muzikore të ndryshme nga ato perëndimore, të tilla si bonang (i përhapur në Indonezi dhe i përbërë nga një grup gongësh të vegjël) ose lloje të ndryshme, duke kuptuar se ata ishin në gjendje të krijonin modele krejtësisht të reja konceptesh e konsonancës në të cilat marrëdhëniet tradicionale matematikore nuk ishin më të vlefshme. / atsh / KultPlus.com

Charlie Chaplin: Unë kam fatin e mirë të jem burri i një gruaje të mrekullueshme

Unë kam fatin e mirë të jem burri i një gruaje të mrekullueshme. Do të doja të kisha mundësi të shkruaja më gjatë për këtë, por këtu është fjala për dashurinë dhe dashuria e përkryer është gjëja më e mrekullueshme në botë, por edhe më zhgënjyese, sepse është gjithmonë diçka më shumë nga sa mund ta shprehësh me fjalë.

– Unë nuk udhëhiqem nga ndonjë art i të jetuarit, as nga ndonjë filozofi: të mençur a mendjelehtë qofshim, të gjithëve na duhet të luftojmë për të jetuar.

– Në qoftë se një autor nuk preket nga vepra e tij, atëherë ai nuk ka se si të presë që të preket publiku.

Pjesë nga autobiografia e Charlie Chaplin, “Jeta ime”. / KultPlus.com

‘Një grua mund të jetë tërheqëse në moshën 20 vjeç, magjepsëse në moshën 30 vjeç dhe e parezistueshme për gjithë jetën’

“Një grua mund të jetë tërheqëse në moshën 20 vjeç, magjepsëse në moshën 30 vjeç dhe e parezistueshme për gjithë jetën”.

Coco Chanel

“Dhuroi njerëzve që do krahë për të fluturuar, rrënjë për t’u kthyer dhe arsye për të qëndruar”

Dalai Lama

“Nuk debatohet për të patur të drejtë, por për të kuptuar”

“Në fund do të shkojë gjithçka shumë mirë. Nëse nuk shkon mirë, nuk është fundi”.

John Lennon

“Kurrë mos debato me një idiot. Të ul në nivelin e tij dhe të mund me eksperiencë”.

Mark Twain

“Dështimi është mundësia për të rifilluar në mënyrë më inteligjente”

Henry Ford

“Duke qenë se gjithçka është një pasqyrim i mendjes sonë, gjithçka mund të ndryshohet nga mendja jonë”

Buda

“Më të dobëtit hakmerren. Më të fortët falin. Më të lumturit harrojnë”.

“Çdo minutë që kalon i zemëruar, humbet gjashtëdhjetë sekonda lumturi”

Albert Einstein

“Bekuar janë ata që dijnë të qeshin me veten, sepse nuk do të përfundojnë kurrë së argëtuari”

Tommaso Moro

“Tani nuk është momenti për të menduar për atë që nuk ke. Mendo atë që mund të bësh me atë që ke”

Ernest Hemingway

“Njerëzit nuk ndryshojnë, zbulohen”

D. Lynch

“Ndoshta ka diçka më të keqe se ëndrrat e venitura… është humbja e dëshirës për të ëndërruar sërish”

Sigmund Freud

“Kurajë nuk do të thotë të kesh forcën të ecësh përpara, por të ecësh përpara edhe kur nuk ke forcë”

Theodore Roosevelt./ KultPlus.com

Ambasada amerikane: Jemi të përkushtuar për të përforcuar zërat e grave dhe vajzave

Ambasada amerikane në Prishtinë sot tha se në Ditën Ndërkombëtare të Gruas feston të arriturat e jashtëzakonshme të grave në Kosovë dhe në mbarë botën.

Ambasada tha se do të vazhdojë të kërkojë respektimin e të drejtave njerëzore të grave për të fuqizuar dhe përforcuar zërat e tyre.

“Sot, ne festojmë vendosmërinë, udhëheqjen dhe kontributet dhe arritjet e jashtëzakonshme drejt shoqërive më paqësore dhe demokratike të grave dhe vajzave në Kosovë dhe në mbarë botën. Ne qëndrojmë të përkushtuar për të fuqizuar dhe përforcuar zërat e grave dhe vajzave në të gjithë diversitetin e tyre. Ne vazhdojmë të kërkojmë që të drejtat e tyre njerëzore të respektohen”./Express/ KultPlus.com

Burrë, të duhet kaq shumë, për të merituar zemrën e një gruaje të hyjshme

Albert Vataj

Të gjithë ju burra, ndoshta edhe unë bashkë me ju, pretendoni se kemi kuptuar zemrën e një gruaje, shpirtin dhe thirrjen e hyjshme të pasioneve dhe harlisjeve të saj, dhe… kujtojmë se e kemi bërë të lumtur gjysmëzemrën tonë, shpirtplotë atë që ka patur bujarinë qiellore të na bëhet prehje kënaqësie, duke i mundësuar asaj shpengim epshi, para, jetë përrallore, dhe gjithçka, me të cilat shumë gra sot, për hir të së vërtetës, mburren duke i prezantuar, si trofe të betejave të mundimshme të zotërimit, duke i valëvitur si flamuj ndeshjesh fitimtare.

Ajo grua, po, pikërisht ajo grua që e lartëson qenien e saj në qiejt e kthjellët të adhurimit dhe fisnikërohet në çdo përkulje dhe i blatohet shenjtërisht çdo oferte mirësie, nuk do asgjë nga këto, do të ngrohet nga fryma e shpirtshme të një burri, do të mbështetet e tëra në supin e tij besnik, të ndihet e sigurt në një botë që është gati t’i rrëmbejë gjithçka, madje edhe të drejtën të jetë vetja.

Kjo grua do nga ty të drejtë për të besuar, kurajë për të guxuar, zemër tënde për ta ndjerë të trokasë në kraharorin. Ajo kërkon me ngul thesarkërkuesi për të gjetur gjithçka që ajo ka thurur me kaq përkushtim dhe pasion në ëndrra dhe realitete imagjinare idilike. Jeta e saj, trupi dhe shpirti, gjithëçfarë në të është mbrujtur me zjarr pasioni dhe stolisur me hire të hyjshme, kërkon t’i ofrohet dikujt që është i denjë për këtë shpërblim, është meritues i kësaj dhurate të bekuar nga fryma e shenjtë dhe dritur nga dijet e gjithësisë.

Por bëni kujdes ju birbo, ju “ustallarë të poshtëfustaneve”, thoshte Cvajgu për Kazanovën, ju që mendoni se edhe me gratë qëndron postulati, sipas të cilit “Gjithçka shitet, gjithçka blihet”. Thuajani vetes, se; një grua e denjë për dëshirimet tuaja, një grua që ka “pikuar nga qielli”, si një shpërblim për fatin tuaj, një grua, grua që shëmbëllen te çdo ëndërr e juaja dhe shpërfaqet reale te të gjithë çmenduritë tuaja, ajo grua që do të jetë e juaja, në çdo frymëmarrje dhe dhimbje në çdo rënkim, mbi të gjitha do të dashurojë atë që meriton blatimin e zemrës së saj.

Ti grua e këtij përfytyrimi, e denjë për çdo altar ku jam gati të përulem, ekziston?!/ KultPlus.com