Studentët pastrojnë ambientet e UP-së pasi punëtorët janë në grevë, reagon kryesindikalisti Azemi

Rreth 220 punëtorë teknikë dhe të sigurimit fizik të Universitetit të Prishtinës (UP), janë në grevë për shkak të pagave të ulëta.

E Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, në llogarinë e tij në Facebook, të mërkurën ka publikuar pamjet e disa studentëve që shihen duke pastruar korridoret e universitetit.

Azemi ka thënë se me këto veprime studentët nuk mund t’i frikësojnë punëtorët të cilët janë në grevë, teksa ka shtuar se presin përkrahjen e tyre e jo ta pengojnë grevën.

“Kur disa studentë mundohen t’i zëvendësojnë grevistët e UP duke bërë pastrimin e disa korridoreve, ne i inkurajojmë që këtë ta bëni deri në pafundësi por s’ju japin as juve më shumë se 300 euro. Ne presim përkrahje nga studentët dhe jo thyerje të grevës. Me këto veprime nuk mund ta frikësoni askënd, me përjashtim të atyre që iu fusin në këtë lojë”, ka shkruar kryesindikalisti.

Ndërkaq, javën e kaluar greva e punëtorëve teknikë të Qendrës së Studentëve ka përfunduar në bazë të vendimit për rritje të pages. / KultPlus.com

Presidentja Osmani: Adem Jashari e familja e tij personifikojnë sakrificën më të lartë njerëzore që ka njohur historia

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani me rastin e shënimit të 26-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ka thënë se kjo epope është e krenarisë së popullit që ka rikthyer dinjitetin e shtetit dhe simbolizon lirinë që e gëzon sot vendi.

Teksa ka bërë homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, e para e vendit ka thënë se kryekomandanti, Adem Jashari dhe gjithë familja e tij personifikojnë sakrificën më të lartë njerëzore që ka njohur historia.

“Sot jemi këtu së bashku që sërish në emër të popullit të shprehim mirënjohjen tonë të thellë dhe përkujtimin tonë të përjetshëm për kryekomandantin, Adem Jashari dhe gjithë familjen Jashari të cilët personifikojnë sakrificën më të lartë njerëzore që ka njohur historia jonë, epopeja e UÇK-së është epope e krenarisë së popullit tonë, që ka rikthyer dinjitetin e shtetit tonë, epope që simbolizon lirinë që e gëzojmë sot”, ka deklaruar Osmani, përcjell Express.

Osmani ka thënë se ka fëmijë që vijnë në Prekaz për vizitë jo vetëm për të mësuar për historinë por për t’u frymëzuar me shembullin e familjes Jashari.

“Kemi fëmijë që vijnë këtu jo vetëm për të mësuar për historinë por për tu frymëzuar me shembullin e familjes Jashari, lavdi përjetë komandantit Adem Jasharit dhe të gjithë anëtarëve të familjes Jashari e të rënëve”, ka vijuar ajo./ KultPlus.com

Kryeministri Kurti nga Prekazi: Vetëflijimi e sakrifica e familjes Jashari janë vet epopeja e UÇK-së

Krerët shtetërorë kanë bërë sot homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

E kryeministri i vendit, Albin Kurti tha se në Prekazin heroik rikthehemi që të kujtojmë çmimin e lirisë që sot e gëzojmë.

Derisa theksoi se vetëflijimi e sakrifica e familjes Jashari janë vet epopeja e UÇK-së.

“Në Prekazin heroik e historik kthehemi e rikthehemi që të kujtojmë çmimin dhe rrënjët e lirisë që e gëzojmë. Të gjithë duhet të vijnë në këtë vend që të mos harrojmë dhe të mos devijojmë drejt së ardhmes. Vetëflijimi, sakrifica e Jasharajve është epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Themelet e çlirimit të vendit tonë që paraqet edhe dhembje e krenari por edhe besë e shpresë për shtetin e popullin tonë. Me përkulje respekti gjithnjë e përgjithmonë u jemi falënderues e mirënjohës Jasharajve “, tha tutje kryeministri Kurti”. / Gazeta Express / KultPlus.com

Përkujtohet Zef Serembe, poeti me shpirt të trazuar

Si sot më 6 mars 1844, lindi poeti arbëresh Zef Serembe.

…Arbria matanë detit, na kujton
Se ne të huaj jemi te ky dhe!
Sa vjet shkuan! E zëmra nuk harron
Që ne turku na la pa Mëmëdhe…

Zef Serembe (Giuseppe, 06.03.1843 – 1901) është poet lirik arbëresh. Ai lindi më 6 mars të vitit 1843 në Strigar të Kozencës. Ndoqi studimet në kolegjin e Shën Adrianit, ku pati mësues Jeronim de Radën, me të cilin më vonë u bë mik. Që herët u lidh me Lëvizjen Garibaldi dhe më vonë me lëvizjen çlirimtare në Shqipëri. Ngjarjet politike shoqërore në Itali, pas bashkimit të saj, e zhgënjyen rëndë dhe bashkë me fatkeqësitë vetjake (vrasja e të ungjit, vdekja e së dashurës), i shkaktuan krizë të thellë shpirtërore. Në këtë gjendje, më 1875 mori udhën për Brazil, në kërkim të varrit të vajzës së dashur, por pa kaluar moti kthehet në vendlindje, ku vazhdon të mos gjejë prehje. I tronditur shpirtërisht, merr rrugën e mërgimit dhe e mbyll jetën, në San Paolo të Brazilit, më 1901. Shumë dorëshkrime të Serembes kanë humbur (midis tyre një poemë e gjatë dhe ndoshta disa drama). Zef Serembe është poet i frymëzuar spontan. Ai lëvroi gjerësisht lirikën me një tematikë të larmishme, krijoi lirika atdhetare, filozofike, shoqërore e të dashurisë. Në vjershat atdhetare grishi për luftë të hapur kundër pushtuesit osman (“Vrull”, “Dora D’Istrias”). Lirika e tij filozofike-shoqërore dhe e dashurisë pasqyroi konfliktin midis individit dhe shoqërisë së kohës, duke sjellë një hero të ri, kryengritësin individual të vetmuar dhe të zhgënjyer nga jeta.

Një vjershë e tij u publikua në gazetën “Arbri i Ri”, të drejtuar prej publicistit të shquar arbëresh, Zef Skiroi. 39 prej vjershave të shkruara në shqip, u botuan pas vdekjes së tij në përmbledhjen “Vjersha”, në Milano, në vitin 1926. Gama e veprës së tij përfshin lirika melodioze për dashurinë, himne për vendlindjen, vjersha për miqësinë, për natyrën, për religjonin. Në mesin e lirikave që i kushtohen atdheut, veçohen ato të thurura për Ali Pashë Tepelenën dhe Dora D’Istrias.

Tituj të veprave:

Poesie italiane e canti originali tradotti dall’albanese (Poezi italisht e këngë origjinale të përkthyera nga shqipja), Kozencë 1883, në italisht dhe shqip.

Sonetti vari (Sonete të ndryshme), Napoli, 1890.

Il reduce soldato, ballata lirica, New York, 1895, vetëm në italisht.

Vjershe – 1926, botuar në Milano nga nipi i tij Cosmo Serembe.

Falë kërkimeve për tekstet e humbura të poezive të Zef Serembes, vitet e fundit janë bërë disa botime të veprës së tij që plotësojnë njohjen për krijimtarinë e poetit:

Omaggio a Giuseppe Serembe, Kozencë, 1988;

Alla ricerca del Serembe autentico, Kozencë, 1991;

Poezi, Tiranë, 1999;

Më të bukurës në Strigar, Tiranë, 2000.

Vrull

Zogj të bukur këndojnë me hare,
Po zëmra do më plasë mua në gji.
I helmuar e shkoj jetën te ky dhe:
Mërzitem në katund, në vetëmi.
Tërë shkëlqim m’hapet përpara deti,
Që zgjon te trutë e mi mendime shumë,
Zëmra m’u shqerr nga tmerri mua të shkretit,
Aq sa vetëm pushoj kur bje në gjumë.
Arbria matanë detit, na kujton
Se ne të huaj jemi te ky dhe!
Sa vjet shkuan! E zëmra nuk harron
Që ne turku na la pa Mëmëdhe…
Hakmarrja na jep shpresë e na ndriçon,
Por fryn era dhe akulli me zë,
Se ç’ka qenë Arbëreshi po harron:
Dhe s’i vjen turp aspak, po rri e fle.

Arkivi Qendror i Shtetit në këtë përvjetor sjell bashkëlidhur, dekretin për dhënien e Urdhrit të Flamurit poetit Serembe dhe shënime për jetën dhe veprimtarinë e tij nga N. Resuli, të kopjuara nga Musine Kokolari. / atsh/ KultPlus.com

Blej dhuratën më të bukur për 8 Mars në EBC Cosmetics

Blej dhuratën më të bukur për 8 Mars me lansime të reja, zbritje dhe dhurata për çdo blerje.

Për të festuar ditën e gruas blej dhuratë nga Versace, Viktor & Rolf, Therry Mugler, Montale, Mancera, Xerjoff dhe Diesel me 20% zbritje.

Blej dhuratë me 50% zbritje në artikuj të caktuar të brendeve  Hugo Boss, Calvin Klein dhe Burberry.

Nëse jeni në mëdyshje për dhuratë bleni GIFT Certifikatë me çfarëdo vlere.

Me blerje të ndryshme të dhuratave nga brendet Lancome,Estee Lauder, Clarins, Giorgio Armani, Gucci fito dhuratë çanta të ndryshme, parfum dhe set make up.

EBC ( Elegance & Beauty Cosmetics )  ka nëntë pika të shitjes të cilat ndodhen në këto lokacione: 

1.Bregu i Diellit , Rr.Eqrem Qabej 

2.Rr. Nëna Terezë 

3.Rr.Garibaldi, perballë hotel Grand 

4.ETC Fushë Kosovë 

5.Royall Mall, Rruga B 

6.Galeria M all, Prizren 

7.Albi Mall, Veterrnik kati 0 

8.Albi Mall, Veterrnik kati 1 

10.The Village, Ferizaj

Platforma për blerje online në të gjitha qytetet e Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë: www.ebc.shop

“Dita e Gjovalin Gjadrit” sjell në fokus veprën e tij shkencore dhe letrare

Revista “Shêjzat” në bashkëpunim me Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit të Universitetit të Prishtinës dhe Universitetin Politeknik të Tiranës organizon me 13 mars 2024 në Prishtinë, pranë ambienteve të FIN një ditë studimi me rastin e 50-vjetorit të vdekjes së Gjovalin Gjadrit.

Sesioni I “Vepra Shkencore dhe Inxhinierike” i kushtohet aktivitetit profesional të inxhinier Gjadrit dhe nis në ora 10:00 – 12:00. Në këtë sesion, me kumtesa do të paraqiten: N. Pojani, M.Minsini, M. Baballëku, G. Struga, F. Dhima, R. Alite dhe B. Morava.

Ndërsa në sesioni II “Vepra Letrare dhe Patriotike”, që nis në ora 13:30-15:30, do t’i kushtojë vëmendje aktivitetit të tij letrar.

Në këtë kuadër do të mbahen kumtesat e më poshtme:

Ardian Ndreca
“B2” drama e panjohun gjermanisht e Gjovalin Gjadrit.

Albulena Blakaj
Pesha e gjuhës dhe kulturës gjermane në krijimtarinë e Gjovalin Gjadrit.

Jovan Basho
Gjovalin Gjadri dhe e përkohshmja “Dialeria” e Vjenës.

Ndue Ukaj
“Letra grues sene të vdekun” një monument letrar për dashuninë e dhimbjen. / KultPlus.com

La Fazani po vjen me koncertin e lansimit të albumit “Specie Turshi”, ju pret një përvojë e veçantë muzikore

Arbër Salihu, i njohur me emrin artistik, La Fazani, fituesi i edicionit të parë të Festivalit të Këngës në Kosovë, është gati të shpalos para publikut tingujt e ri të krijuar me shumë dashuri e të përmbledhur në një album të titulluar “Specie Turshi”.

“Specie Turshi”, një album konceptual, i punuar me përkushtim qysh prej vitit 2019, e përmbledhë veprimtarinë krijuese muzikore e lirike të katër viteve të fundit të Arbër Salihut.

La Fazani, një artist që shquhet për guximin e tij të rrallë, edhe në këtë paraqitje do të sjell diçka të veçantë.

Koncerti i lansimit do të sjellë një performancë dhe përvojë të veçantë muzikore, me një ansambël 7 anëtarësh të përbërë prej disa nga emrat më të dalluar të skenës muzikore të Kosovës si: Nesim Maxhuni (tupana), Art Lokaj (gitare), Fatlind Ferati (bas), Viola Rrecaj (sinta), Philipp Konrad Labhart (trumpetë), Arsim Leka (saksofon), La Fazani (vokal & gitare).

Kjo natë gjithashtu pritet të marr përmasa madhështore me paraqitjen e veçantë të grave, burrave dhe ansamblit të Korit Okarina, të dirigjuar nga Elikona Hysaj Shala.

Koncerti do të mbahet më datë 8 Mars, ora 20:30 në Kino Armata.

Biletat mund ti blini në Dit’ e Nat’, Soma Book Station dhe Autostrada Hangari.

Hyrja: 5€. / KultPlus.com

“Akademiku Fehmi Agani – Martir i kombit dhe i shkencës”, organizohet forum akademik në Ulqin

Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” dhe Instituti Shqiptar i Sociologjisë – Shoqata Sociologjike Shqiptare, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, Universitetin “Fehmi Agani” – Gjakovë dhe Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi do të organizojnë Forumin akademik “Akademiku Fehmi Agani – Martir i kombit dhe i shkencës.”

Forumi akademik organizohet në 25-vjetorin e rënies së profesor Aganit.

Forumi do të mbahet të shtunën, më 9 mars 2024, ora 18:30, në Galerinë e Qendrës së Kulturës – Ulqin. / KultPlus.com

Hagji Xhoni vjen sot me ekspozitën personale “Beteja” në KultPlus Caffe Gallery

Hagji Xhoni do të prezantohet sot me ekspozitën e tij personale të titulluar “Beteja”, ekspozitë kjo që do të hapet në KultPlus Caffe Gallery.

Me këtë ekspozitë, Hagji Xhoni do të shpërfaqë punën e tij ne skulpturë, që simbolikisht, secili punim, në thelb ka tregimin për të rënët. Figurat  janë të sendërtuara në frymën e një teatri simbolik, përmes së cilave evokon ide mbi imazhet e hapësirave të thurura me tela gjembor që diktojnë dhunë në zhvillimin e trungut të lules dhe të shpërndarjes së aromës së dashurisë në përmasa ndërnjerëzore.

Në rastin konkret, “figurat e kuajve”, paraprojektohen si tankse, sinonim i armëve të rënda apo formulë e shtigjeve garuese, apo deshifrim i të fortëve.

Ndërsa, përmes figurës së “qiririt” parainskenon kufinjtë e dhembjes dhe të përlotjes, ndërsa, ”thesi me grurë” përkon me provebrin ”Çka mbjellë korrë” – metafor për rreziqet potenciale gjersa të fortët godasin me bomba tokën për të helmuar tokë e ujë ndërsa njeriu do të ngelej me thes në shpinë si hamalli i Muslim Mulliqit duke projektuar shtegëdaljet për vete.

Hagji Gjoni, është skulptor i veçuar tashmë. Simbolikën e luftës e ka të sendërtuar në detaje mikroskopike, rrënjët dhe petalet e lules i integron brenda kurthit të robërisë, i ka të lidhura me zingjirët e tankseve, në interpretime tjera ato duken dhe si tespi, të karakterit biblik – simbolik parasegjithash.

Ceremonia e hapjes së kësaj ekspozite do të bëhet më 6 mars, në ora 19:00. Kjo ekspozitë është mbështetë nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte kurse kuratore e ekspozitës është Ardianë Pajaziti./ KultPlus.com

”Voyages et Tourisme”: Riviera Shqiptare ndërthurje unike e ujërave të kristalta, plazheve ranore dhe qetësisë

Hiqni dorë nga destinacionet turistike të mbipopulluara, si vendpushimet bregdetare greke dhe italiane, ndër vendet më të prirura për turizëm masiv, shkruan Lilia Zaidi në të përditshmen franceze “Voyages et Tourisme”.

“Unë do të rekomandoja një destinacion më pak të frekuentuar, por shumë më tepër
të përballueshëm, që ndërthur më të mirat e Italisë dhe Greqisë”, sipas një eksperti të udhëtimeve, Gilbert Ott.

Gjithçka që duhet të dini rreth ‘Perlës së Panjohur’, Rivierës Shqiptare:

Ku ndodhet Riviera Shqiptare?

Riviera shqiptare shtrihet pak kilometra nga Korfuzi, në kufi me Greqinë, dhe gjeografikisht është afër Pulias, Itali, si dhe destinacioneve të tjera përgjatë Italisë.

Shqipëria ndodhet në mes të brigjeve më ikonike të Evropës.

Si të shkoni atje?

Nëse dikur ishte e ndërlikuar të planifikoje një udhëtim në Shqipëri, sot nuk është më kështu.

Linjat ajrore të mëdha si Air France, Lufthansa dhe British Airways ofrojnë fluturime direkte për në kryeqytet, Tiranë.

Nga atje, është 4 orë me makinë për të arritur në bregdet.

Çfarë ofron Riviera Shqiptare?

Ky destinacion i jashtëzakonshëm është për udhëtarët që kërkojnë plazhe të bukura, kuzhinë të shijshme dhe trashëgimi të pasur kulturore.

Shpesh në krahasim me Greqinë, Riviera Shqiptare ofron një ndërthurrje unike të ujërave të pastër kristal, plazheve me rërë dhe atmosferës relaksuese.

Zona ofron një përvojë të jashtëzakonshme ku akomodimet kushtojnë rreth 65 euro nata, shumë më pak krahasuar me resortet në Greqi ose Itali, ku tarifat mund të arrijnë në 650 euro nata.

Ku dhe kur të vizitoni bregdetin shqiptar?

Ashtu si fqinjët e saj italianë dhe grekë, koha më e mirë për të vizituar rajonin është nga maji deri në tetor.

Rekomandohet të planifikoni udhëtimin tuaj gjatë muajve të ngrohtë për të shijuar plotësisht plazhet e saj madhështore.

Gjatë kësaj periudhe, temperaturat janë të ngrohta, dhe reshjet janë të pakta.

Saranda është destinacioni kryesor i rajonit, por disa fshatra bregdetare si Ksamili, Dhërmiu dhe Vunoi janë kryesisht më të preferuarat në mesin e pushuesve. /atsh / KultPlus.com

Dekës para i kish dalë nji kangë e pamarueme burri…

Poezi nga Vlora Ademi

Dekës para i kish dalë nji kangë e pamarueme burri
Po e ndalte sall me i thirrë emën për emën çettën e tij
me duer t’njoma e sy t’përgjumun

Sa herë po i rralloheshin zanet e pushkëve aq ma larg
po i shkonte gjamë e kang’s

T’vogla katër oda për shtatin e tyne
E vogël lendina
I vogël edhe qielli.

E ktheu kryet
Pa se n’oborrin e tij kish nisë me mbi liria
Dhe kanga i pushoi./KultPlus.com

Rreth 1 milion turistë vizituan Shqipërinë vetëm në dy muajt e parë të 2024-ës

Rritja e Shqipërisë Turistike nuk ndalet, u shpreh sot kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale.

Kreu i qeverisë ndau sot pamje nga turistët e shumtë që kanë mbërritur këtë fillimviti në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës

“Muaji shkurt, me 55% më shumë vizitorë se shkurti i vjetshëm, ka bërë që Shqipëria të presë rreth 1 milion turistë të huaj vetëm në dy muajt e parë të vitit 2024”, theksoi Rama.

Ditën e djeshme Rama u shpreh se, “në shkurt 2024, ne mirëpritëm 577,515 udhëtarë, një rritje prej 69% nga viti i kaluar. Nga janari deri në shkurt 2024, shifrat u rritën në 1,202,785, duke shënuar një kërcim 59%”, u shpreh Rama në një postim në rrjetin social X.

Me sloganin “Albania All Senses”, Shqipëria është bërë sërish pjesë e panairit më të madh në botë të turizmit, ITB Berlin, që zhvillohet nga data 5 deri më 7 mars në Gjermani.

Në këtë panair, Shqipëria prezantohet me një hapësirë kuruar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, si edhe me pjesëmarrjen e 26 turoperatorëve privatë dhe shtatë bashkive turistike që prezantojnë ofertat dhe potencialet e tyre në Berlin.

Gjithashtu pjesë e këtij panairi që nisi ditën e sotme janë edhe bashkitë Durrës, Vlorë, Gjirokastër, Korçë, Sarandë, Përmet dhe Tepelenë, të cilat prezantojnë programet e tyre të promovimit.

ITB Berlin operon suksesshëm prej vitit 1966 duke qenë panairi më i madh i Turizmit në botë./atsh/KultPlus.com

‘Dashuria për atdheun është topi që shkatërron kalatë më të forta dhe kalaja që mund t’u qëndrojë topave më të fortë’

Atdheu është toka e juaj, ku flitet gjuha që flet edhe ti, ku je i rrethuar me njerëzit që ndajnë historinë tënde… Atdhe është ajo tokë, të cilën shumë të tjerë në këtë botë nuk e kane dhe do të jepnin çdo gjë për ta pasur atë.

Sa shumë flitet e shkruhet për atdheun, vendi ku lind, ku lindën të parët e tu, prindërit, gjyshërit, stërgjyshërit.

Unik Portal ju sjellë 10 thënie filozofike për atdheun nga personalitete të shquara shqiptare dhe të huaj.

Jetoni për Shqipëri dhe vdisni për të
N.Frashëri

Dashuria për atdheun është topi që shkatërron kalatë më të forta dhe kalaja që mund t’u qëndrojë topave më të fortë
S.Frashëri

Mos pyet se ç’do të bëjë atdheu për ty, pyet me gëzim ç’mund të bësh ti për të
Kenedi

Nuk e braktis atdheu njerinë, por njeriu atdheun
Bloku


Është kënaqësi dhe nder të vdesësh për atdhe! Edhe më kënaqësi është të jetosh për të

Horaci

Kush nuk i takon atdheut të vet, nuk i takon as njerëzimit
Bjelinski


O, kurrë mos u lodh për ndihmën që i jep atdheut

Euripidi/unikportal/KultPlus.com

Mysafirë të Konjufcës me Vjosa Osmanin, Rifat Jasharin, Shkurte Fejzën dhe Ilir Shaqirin- Kurti i publikon fotot

Për Epopenë e UÇK-së në Kuvendin e Kosovës të martën kanë pëformuar këngëtarët e njohur të muzikës folklorike, Shkurte Fejza dhe Ilir Shaqiri.

E më pas ata bashkë me presidenten, Vjosa Osmani, kryeministrin, Albin Kurti, kryeparlamentarin, Rifat Jashari, kanë shkuar mysafirë te kryeparlamentari Glauk Konjufca,

Për këtë takim ka shkruar në Facebok, kryeministri Kurti, i cili publikoi fotografitë e këtij takimi.

“Pasi na e mbushën Kuvendin me tinguj kumbues e madhështor, Epopeja e UÇK-së na bëri bashkë me Bacën Rifat, Presidenten Osmani dhe kryekuvendarin Glauk Konjufca dhe artistët e kombit, Shkurte Fejza dhe Ilir Shaqiri”.

“Vepra dhe jeta e kryekomandantit Adem Jashari e ka frymëzuar popullin tonë dhe ka ndërtuar një trashëgimi të pasur artistike e kulturore, për të përkujtuar gjithmonë sakrificën e bërë për çlirimin e Kosovës”, ka shkruar Kurti.

Del një foto e papublikuar nga fëmijëria e Princeshës Diana

E vërteta është se nuk ka shumë foto nga fëmijëria dhe e kaluara e princeshës së ndjerë Diana që i kemi apo i shohim shpesh. Për fat të mirë, vëllai i saj Charles Spencer shpesh bën përjashtim.

Në një postim në llogarinë e tij personale në Instagram, Charles Earl Spencer, 59 vjeç, ndau një foto bardh e zi të tij dhe Dianës duke buzëqeshur si fëmijë të shkujdesur në fund të viteve ’60. Fotoja tregon Charlesin e ri duke pozuar në një kolovajse pranë Dianës, ndërsa nëna e tyre, Frances Shand Kydd, plotëson kuadrin duke u kujdesur për dy fëmijët e saj.

“Nëna ime, Diana dhe unë, rreth vitit 1967,” shkroi Charles, i cili do të publikojë një kujtim të ri për përvojën e tij të fëmijërisë dhe plotësoi mbishkrimin me fjalitë e mëposhtme: “Unë isha 3 vjeç dhe Diana 5 ose 6. Më pëlqen sa i lumtur duket secili prej nesh.”

Diana dhe Charles ishin dy nga pesë fëmijët e lindur nga Frances dhe John Spencer. Ata u rritën me dy motra më të mëdha, Lady Sarah McCorquodale dhe Lady Jane Fellowes, dhe gjithashtu kishin një vëlla më të madh, John Spencer, i cili vdiq menjëherë pas lindjes së tij në 1960. Sarah dhe Jane kanë qenë jashtë syrit të publikut që nga vdekja e Dianës në vitin 1997, ndërsa Charles, një autor dhe historian, është një kujdestar i trashëgimisë së motrës së tij të ndjerë./abcnews.al/KultPlus.com

Florence Lawrence, shpikësja e sistemit të parë të sinjalizimit të dritave për automjetet

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau sot historinë e Florence Lawrence aktore filmash dhe inovatore e shquar në botën automotive.

Në vitin 1914, ajo shpiku sistemin e parë të sinjalizimit të dritave për automjetet. Kjo bëri të mundur për shoferët që t’u tregojnë drejtuesve të tjerë në rrugë se cilin drejtim do të ndiqnin.

Përveç kontributit të saj në fushën e sigurisë rrugore, Florence Lawrence shkëlqeu edhe në botën e reklamimit të automjeteve . Ajo ishte një nga personalitetet e para të mediave të cilët promovuan makinat nëpërmjet reklamave dhe performancave publike.

Jo vetëm një aktore e talentuar, por edhe një inovatore e shquar, Florence Lawrence u bë një inspirim për të gjithë ata që ndiqnin ëndrrat e tyre. Përkundër sfidave dhe barrierave të shekullit të kaluar, ajo la pas një trashëgimi të rëndësishme për industrinë automotive dhe për shoqërinë në tërësi.

Historia e Lawrence na mëson se me vizion dhe guxim, mund të bëjmë ndryshime të mëdha./atsh/KultPlus.com

I dashur atdhe…

 Poezi nga Asdreni

Me vite jam larguar,
i dashur Atdhe,
por nuk të kam harruar,
se shumë i ëmbël je.

Kjo zemra më këndon
për ty, o Shqipëri,
por prapë më lëngon,
se je në varfëri.

Të fala të dërgoj,
këndej ku jam Atdhe,
gjithnjë po të kujtoj,
se birin tënd më ke./KultPlus.com

Përkujtohet shkrimtari Naum Prifti

Mjeku që ia kushtoi jetën dhe karrierën e tij letërsisë, Naum Prifti është për përkujtuar në Tiranë në kuadër të datëlindjes së tij të 92-të. Me një krijimtari letrare që përfshin tregime, drama, komedi e deri skenarë filmash, të pranishmit vunë në dukje vlerat e veçantitë e tij, ndërsa bija, Rafaela, foli për anën familjare të tij.

“Në shtëpi babai ishte po prapë shkrimtar, ai e thoshte që vajzat më respektojnë edhe si shkrimtar edhe si baba. Në shtëpinë tonë vërehej disiplina e madhe që kishte babai, ai punonte në mëngjes për disa orë se ndryshe nuk mund të krijonte një vëllim të tillë veprash. Me ne shkonte në aktivitete letrare, takim me letrarë të rinj, kur kishte shfaqje në teatër dhe kjo ishte pjesë e jetës sonë me të, si edhe filmat me skenarët e tij”, tha Rafaela Prifti.

Si shumë artistë të tjerë gjatë diktaturës, as ai nuk i shpëtoi kritikave.

“Drama e ndaluar ishte “Rrethimi i bardhë”, u quajt e gabuar dhe u dërgua për riedukim në Divjakë. E vështirë për të ishte pjesa ku duhej të çoheshe e të bëjë autokritikë dhe të pranoje në çdo mbledhje se kishe nevojë të riedukuohsehe. se nuk e kishe kuptuar mirë metodën dhe duhej të mësoje më shumë”, kujtoi Rafaela Prifti.

Vajza e Naum Priftit, rrëfeu se një pjesë e shënimeve e dorëshkrimeve të tij, që rrokin tema të ndryshme shoqërore dhe po ashtu sensin e tij të humorit, janë ende të pabotuara dhe se si arriti të krijonte balancën mes nevojës për të shkruar dhe asaj për të mbijetuar.
“Ai gjente mënyra për t’i qëndruar besnik vetvetes për t’iu shmangur sadopak skematizmit dhe doktrinës të imponuar e një prej mënyrave ishte gjetja e fabulave në realitet”, kujtoi ajo./balkanweb/KultPlus.com

Shqipëria u përgjigjet kritikave të UNESCO-s për Gjirokastrën dhe Beratit

Organizata Botërore e Monumenteve, UNESCO u kërkoi një vit më parë autoriteteve shqiptare të finalizonin me urgjencë Planin e Menaxhimit të Integruar për Gjirokastrën dhe Beratin.

Shqipëria thotë në raportin e dorëzuar në UNESCO se kjo nuk është bërë ende dhe i arsyeton vonesat me largimin nga Instituti i Trashëgimisë të gjithë ekipit që punonte për Planin e Menaxhimit.

Ndërsa raporti i Shqipërisë për gjendjen e konservimit të Beratit dhe Gjirokastrës u publikua në faqen e Qendrës së Trashëgimisë Botërore, kjo ende nuk ka ndodhur për Butrintin, për të cilin raporti duhej të dorëzohej nga pala shqiptare më 1 shkurt.

Qendra e Trashëgimisë Botërore të UNESCOS publikoi në faqen e saj raportin e Shqipërisë për gjendjen e konservimit të “Qendrave Historike të Beratit dhe Gjirokastrës” që listohen si site në seri në pasuritë botërore.

Raporti është përgatitur nga ministria shqiptare e Kulturës dhe Ekonomisë në përgjigje të vendimit të Komitetit të Trashëgimisë Botërore që u mbajt në shtator të vitit të shkuar në Arabinë Saudite.

Sipas raportit ende Berati dhe Gjirokastra nuk kanë të finalizuar një Plan të Menaxhimit të Integruar, megjithëse proçesi me mbështetjen ndërkombëtare ka nisur që në vitin 2019 dhe është kërkuar të përfundojë me urgjencë nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore.

Vendimi i Komitetit të Trashëgimisë Botërore ne sesionin e 45 te UNESCO-s që u mbajt vitin e shkuar në Arabinë Saudite, nuk ishte bërë i njohur më parë për opinionin shqiptar, por paragrafe të tij zbulohen nga raporti i dorëzuar këto ditë nga Shqipëria.

Në paragrafin 2,3 vendimi i Komitetit të Trashëgimisë Botërore shprehej “se vërente me keqardhje dështimin e Shtetit Palë (Shqipërisë ) për të zbatuar plotësisht asistencën ndërkombëtare të dhënë për zhvillimin e Planit të Menaxhimit të Integruar për Beratin dhe Gjirokastrën në bashkëpunim me sektorët qeveritarë dhe qytetarët”.

“Vendimet e mëparshme të Komitetit, thuhej më tej nga UNESCO, i kërkojnë Shtetit Palë që të finalizojë Planin e Menaxhimit si çështje urgjent, duke marrë parasysh komentet dhe rekomandimet e bëra tashmë nga Organet Këshillimore”.

Ndërsa UNESCO ka kërkuar me urgjencë përfundimin e Planit të Menaxhimit autoritetet shqiptare janë përgjigjur se ky proces nuk ka përfunduar edhe tani pasi i gjithë ekipi i punës së Institutit të Trashëgimisë Kombëtare që ishte i angazhuar drejtpërdrejt në hartimin e draftit të parë të Planit të Menaxhimit të Integruar është larguar nga ky institucion.

“Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore ka dorëzuar në Qendrën e Trashëgimisë Botërore një draft të Planit të menaxhimit më 16 shkurt të vitit 2023 ndërsa komentet i janë dërguar Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore më 16 mars të vitti 2023” thuhet në raportin e Shqipërisë.

Raporti vijon më tej se “rishikimi i draftit të Planit të Menaxhimit pas komenteve të ekspertëve të ICOMOS dhe ICCROM nuk ka përfunduar plotësisht brenda afateve kohore të përcaktuara në kontratë, për shkak të disa vështirësive”.

Sipas raportit “Instituti i Trashëgimisë gjatë periudhës së zbatimit të kontratës ka pasur disa ndryshime në nivelet e menaxhimit dhe nivelet e stafit teknik, dhe i gjithë ekipi i punës që ishte e angazhuar drejtpërdrejt në hartimin e draftit të parë të Planit të Menaxhimit të Integruar është larguar nga institucioni ”.

Raporti thotë se se “ aktualisht stafi i Institutit Trashëgimisë Kombëtare është i reduktuar dhe pa përvojën e nevojshme në përgatitjen e një plani të integruar të menaxhimit për të dyja qendrat historike”

Plani i Menaxhimit është një instrument detyrues i UNESCOS për sitet e trashëgimisë botërore që duhet të rregullojë menaxhimin dhe mbrojtjen strategjike afatgjate të pasurive kulturore.

Vendimet e Komitetit të Trashëgimisë Botërore vitin e shkuar prekin edhe problemin e Bypass-it të Gjirokastrës ku UNESCO thotë se “ vëren me keqardhje rifillimin e ndërtimit të bypass-it të Gjirokastrës përpara se konkluzionet të ishin në dispozicion dhe mund të merreshin parasysh”, ndërsa autoritetet shqiptare janë përgjigjur në raport se i kanë adresuar problematikat e projekteve ndërtimore si tek bashkitë edhe tek organet e tjera egzekutive dhe vendim-marrëse.

Vendimi i Komitetit të Trashëgimisë Botërore ka vlerësuar ndërkohë punën e autoriteteve shqiptare për sa i përket “bonuseve të rijetëzimit”, për restaurimin e monumenteve si dhe përmirësimin e Rregulloreve të Qendrave Historike në Berat dhe Gjirokastër.

Raporti i Shqipërisë për Beratin dhe Gjirokastrën pritet të shqyrtohet në sesionin e ri të Komitetit të UNESCOS që mbahet në Indi në korrik të këtij viti.

Gjirokastra u përfshi në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s në 15 korrik 2005 ndërsa më 8 korrik të vitit 2008 u regjistrua edhe Berati.

Raporti i Butrintit ende i papublikuar në Qendrën e Trashëgimisë Botërore

Ministria e Kulturës dhe Ekonomisë ka autorizuar publikimin e raportit për Gjirokastrën dhe Beratin por ende në faqen e Qendrës së Trashëgimisë Botërore nuk është publikuar raporti i Shqipërisë për Butrintin.

Sipas një letre që Qendra e Trashëgimisë Botërore i dërgoi Ambasadores së Shqipërisë në UNESCO raporti nga pala shqiptare duhej të dorëzohej më 1 shkurt të këtij viti.

“Në funksion të informacionit të marrë nga palët e treta, me prova mbështetëse vizuale, si dhe gjetjet e Qendrës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s/misionit të përbashkët këshillues të lCOMOS në pronën e Trashëgimisë Botërore “’Butrint”, nga 26 deri më 28 tetor 2022, mbi cënueshmërinë e vlerave universal të pronës dhe konfirmimin e heqjes së 600 ha nga Parku Kombëtar, i cili nuk është njoftuar në Qendrën e Trashëgimisë Botërore dhe që përfaqëson një ndryshim në regjimin e mbrojtjes së një pjese të ndjeshme të zonës tampon të pronës, do të doja të ftoja autoritetet tuaja kompetente të paraqesin një raport mbi gjendjen e ruajtjes së pronës së Trashëgimisë Botërore “Butrint” deri më 1 shkurt 2024, për shqyrtim nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore në sesionin e tij të 46-të””, thuhet në letrën që Drejtori i Qendrës së Trashëgimisë Botërore Lazare Eloundou Assomo, i drejton ambasadores shqiptare në UNESCO Besiana Kadare.

Problematikat e Butrintit mbeten të ndjeshme në opinionin shqiptar jo vetëm për ndryshimin e kufijve të Parkut Kombëtar por edhe modelin e ri të menaxhimit.

Qeveria shqiptare vendosi që menaxhimi i një pjese të Butrintit që njihet si zona “A-3” dhe që përfshin qytetin antik të bëhet nga një Fondacion i ri ku përfshihet ministria shqiptare e Kulturës dhe Fondacioni Shqiptaro Amerikan i Zhvillimit, për një afat 10-vjeçar, me të drejtë ripërtëritje.

Ligji u miratua nga Kuvendi në maj të vitit 2022 dhe shkaktoi protesta dhe debate të ndezura nga shoqëria civile dhe nga deputetët opozitarë, që dyshojnë për shfrytëzim të paligjshëm dhe antikushtetues të një pasurie të madhe të vendit, e cila mund të dëmtohet nga menaxhimi përmes kësaj forme.

Një grup prej 36 deputetësh opozitarë i kërkuan Gjykatës Kushtetuese që ta shfuqizojë si antikushtetues ligjin mbi administrimin e Parku Kombëtar të Butrintit.

Edhe misioni i UNESCOS ka drejtuar kritika të forta ndaj modelit të menaxhimit vetëm të një pjesë të parkut, zonës A -3 që përfshihet në marrëveshje e cila është 614,3 hektarë nga rreth 9424 hektarë që është sipërfaqja tërësore e Parkut Kombëtar të Butrintit.

Misioni i fundit i UNESCO-s shprehet se menaxhimi vetëm i kësaj pjese nuk përmbush menaxhimin e integruar të arkeologjisë, monumenteve dhe pjesës natyrore të Butrintit, kërkuar edhe nga misionet e mëparshme të UNESCO-s.

Misioni shprehet se, Ministria e Kulturës duhet të ruajë autoritetin në gjithë territorin e Parkut Kombëtar.

Prej tetorit të vitit të shkuar kur raporti i misionit iu dorëzua Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore ai nuk u publikua nga UNESCO pasi pala shqiptare nuk dha pëlqimin.

Gjykata Kushtetuese, në një gjest të pazakontë, në janar të këtij viti, bëri një ndryshim të procedurave të saj, duke i kërkuar qeverisë raportin e UNESCO-s dhe rihapjen e seances plenare për Butrintin.

Ministri i ri i Kulturës dhe Ekonomisë Blendi Gonxhe nuk ka firmosur kalimin e Parkut në administrimin e Fondacionit të ri që sipas ligjit të miratuar në Parlament duhet të bëhej më 14 shkurt të këtij viti.

Zoti Gonxhe tha përmes një statusi në rrjetet sociale se “në cilësinë e Ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore dhe njëkohësisht si Kryetar i Bordit Drejtues të Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit donte të siguronte opinionin publik për angazhimin dhe vëmendjen maksimale për mirëadministrimin e procesit sfidues të ndryshimit të modelit të menaxhimit të pasurisë kulturore universale të Parkut Kombëtar të Butrintit, në zbatim të plotë të standardeve ndërkombëtare dhe të kuadrit ligjor shqiptar në fuqi”.

“Kryefjala do të jetë transparenca dhe gjithëpërfshirja” , u shpreh Ministri i i ri i Kulturës dhe Ekonomisë. /VOA/ KultPlus.com

Komuna e Prishtinës nderon sakrificën e familjes Jashari, ekspozitë me piktura të fëmijëve të kryeqytetit

Komuna e Prishtinës, Ditën e Epopesë së UÇK-së e ka shënuar përmes realizimit të një ekspozite në hollin e Komunës, me piktura të fëmijëve të kryeqytetit, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në facebook, Drejtoresha e Kulturës, Sibel Halimi, ka thënë se ditët si Epopeja e UÇK-së shërbejnë për të kujtuar sakrificën e Jasharëve si dhe përgjegjësinë për të nderuar sakrificën e tyre.

“Shënimin e Epopesë së UÇK-së nuk mund ta paramendonim më bukur sesa duke realizuar ekspozitë në hollin e komunës, me pikturat e fëmijëve të talentuar të kryeqytetit.

Ditët e shënuara si këto shërbejnë për të na kujtuar sakrificën monumentale të Jasharëve, por edhe përgjegjësinë që e kemi për të nderuar këtë sakrificë, duke ndërtuar një Kosovë të mirëqenë për fëmijët tanë”, ka shkruar Halimi në facebook./KultPlus.com

Muzeu ‘Shtëpia me gjethe’, 149% më shumë vizitorë në shkurt 2024

149% vizitorë më shumë në muajin shkurt 2024 regjistroi muzeu “Shtëpia me gjethe”, krahasuar me shkurtin 2023.

Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me gjethe” ka nxjerrë statistikat për vizitorët për muajin shkurt 2024. Në total ishin 3415 vizitorë, nga të cilët vizitorë vendas 769 dhe vizitorë të huaj 2646. Ky numër është 149% vizitorë më shumë në shkurt 2024 krahasuar me shkurt 2023, kur muzeun e vizituan 1374 persona.

Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me gjethe” ishte “Zgjedhja e Udhëtarëve” për vitin 2023 në Tripadvisor.

Tripadvisor jep çmimin “Zgjedhja e udhëtarëve” për akomodimet, atraksionet dhe restorantet që fitojnë vazhdimisht vlerësime të shkëlqyera nga udhëtarët dhe renditen në 10% më të mirë të destinacioneve turistike në Tripadvisor.

Muzeu “Shtëpia me gjethe”, i hapur më 23 maj 2017, është një nga muzetë më të veçantë në Shqipëri, që përpiqet t’u rrëfejë të rinjve dhe të huajve një nga periudhat më të errëta të historisë së vendit, periudhën komuniste. Është quajtur “Shtëpia me gjethe” për shkak të bimës kacavjerrëse që mbulonte fasadën e saj.

E pozicionuar në qendër të Tiranës, ndërtesa që strehoi për pak kohë Gestapon gjatë pushtimit të vendit në Luftën e Dytë Botërore, ka qenë Selia Qendrore e Përgjimeve të Shërbimit Sekret (ish-Sigurimi i Shtetit) nga viti 1944 – 1991.

Muzeu është konceptuar në 9 seksione, përbëhet nga 31 dhoma të lidhura me koherencë mes tyre dhe çdo dhomë ka një funksion të veçantë./atsh/ KultPlus.com

Presidentja Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka pranuar letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.

Pasi që i ka uruar mirëseardhje ambasadorit të ri britanik, Presidentja Osmani ka theksuar se marrëdhëniet ndërmjet të dy shteteve janë të shkëlqyeshme dhe shfaqi besimin se zhvillimet pozitive të raporteve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar do të vazhdojnë edhe gjatë mandatit të ambasadorit Hargreaves.

Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në vend, si dhe për procesin e dialogut me Serbinë.

Presidentja Osmani ka theksuar se Mbretëria e Bashkuar është një aleate e fuqishme, e cila e ka përkrahur Kosovën në të gjitha etapat dhe në përballje me të gjitha sfidat.

 “Ju shpreh mirënjohjen tonë të thellë për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës. Së fundmi, na nderoi vizita e kryeministrit Cameron në Kosovë, i cili na mbështeti dhe theksoi se forcat e Mbretërisë së Bashkuar janë këtu për ta mbrojtur Kosovën dhe sovranitetin e saj”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Të dy bashkëbiseduesit diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit për fuqizimin e grave dhe pavarësinë ekonomike të tyre, ndërkohë që Presidentja Osmani e njoftoi ambasadorin Hargreaves për edicionin e dytë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili pritet të mbahet më 15-16 prill.

Presidentja Osmani ka falënderuar Mbretërinë e Bashkuar për mbështetjen e deritashme dhe ka shtruar nevojën e thellimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme, duke përfshirë mbrojtjen, tregtinë, investimet, arsimin si dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm./KultPlus.com

Presidentja Osmani: USAID-i është shembull i përkushtimit amerikan ndaj Kosovës

“Kontributi i USAID-it në Kosovës është shembull i përkushtimit të palëkundur të SHBA-së ndaj Kosovës”. Kështu ka deklaruar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një konferencë për media të mbajtur pas takimit me ndihmësadministratoren e USAID-it, Erin McKee.

“Gjatë takimit me ndihmësadministratoren e USAID-it, Erin McKee, shpreha mirënjohjen tonë të thellë për mbështetjen e USAID-it në Kosovë, një shembull i përkushtimit të palëkundur të Shteteve të Bashkuara për ta ndihmuar vendin tonë drejt arritjes së sukseseve të reja”, ka deklaruar Osmani.

Në Kosovë, sipas saj, kur flitet për USAID-in, flitet për zhvillim e vendimit dhe mbështetjen amerikane për popullin e Kosovës.

“Kontributi i USAID me dekada është një nga shembujt më të fortë të përkushtimit të palëkundur të SHBA-së, Amerikës dhe popullit amerikan për ta ndihmuar vendin tonë në arritjen e sukseseve tona. Një partneritet i ndërtuar me besim të ndërsjellë të fuqizuar nga vlerat e përbashkëta dhe të motivuara nga qëllimi ynë i përbashkët”, tha ajo.

Sipas presidentes, në përpjekjet e përbashkëta për një të ardhme më të mirë për qytetarët e Kosovës, USAID-i ka përkrahur Kosovën duke investuar mbi 1 miliard dollarë e që bashkë me projekte tjera të Qeverisë Amerikane investimet arrin diku në 2 miliardë dollarë./rtk/KultPlus.com

Rama: Gjirokastra turistike prezantohet në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit ITB Berlin

Gjirokastra turistike prezantohet në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit ITB Berlin, bashkë me qytete të tjera shqiptare nën sloganin “Albania All Senses”.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale videon prezantuese të “Qytetit të gurtë” në Panairin e Berlinit, ku për tre ditë me radhë Shqipëria do të prezantojë më të mirën e ofertës turistike, me një axhendë të larmishme aktivitetesh, që do të kulmojnë me marrjen e “stafetës” si vendi i nderit për ITB BERLIN 2025.

E njohur më shumë si “Qyteti i gurtë”, Gjirokastra është sot një qendër me rëndësi në zhvillim e turizmit të trashëgimisë kulturore në Shqipëri.

Gjirokastra është përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 2005, si një nga shembujt e mbijetuar në Ballkan të qyteteve tregtare të stilit osman.

Kjo përfshirje i ka bërë tashmë vlerat historike dhe kulturore të jenë pjesë e trashëgimisë botërore dhe që interesi të shtohet edhe jashtë kufijve.

Turistët që vizitojnë qytetin e gurtë mbeten përherë të mahnitur nga paketa e plotë turistike që u ofron qyteti dhe rrethinat përreth. Gjirokastra po renditet përherë e më shumë në qytetet elitare të turizmit shqiptar, duke thithur një numër gjithnjë në rritje të turistëve.

E njohur për shtëpitë e veta karakteristike, çatitë prej guri dhe muret e bardha, Gjirokastra është një nga pikat kryesore të turizmit në vend.

Pikat më të preferuara për t’u vizituar nga turistët janë Pazari karakteristik, Kalaja, muzeumet e qytetit, komplekset muzealë të Zekatëve, Skëndulajve, etj.

Jashtë vëmendjes të turistëve nuk ngelen edhe vlera të tilla si Parku Natyror i Viroit, siti arkeologjik i Antigonesë, por edhe resurset turistike në njësitë administrative. Tashmë guida turistike në Gjirokastër krahas qytetit të gurtë përfshin edhe udhëtimin apo qëndrimin një dhe disaditorë të turistëve në Lunxhëri, Cepo, Odrie, Antigone, etj./atsh/KultPlus.com