Havzi Nela, zani kushtrues i një shpirti ngadhënjimtar, poeti i këngës kryengritëse

Nga Albert Vataj

Në ndërmendjen e përvjetorit të lindjes së poetit, tuj kumtu mirënjohje për krejtçfarë ai e shkroi me gjak mbrojti me kalvar, ngucemi tash me rijetu copëza të atij mundimi të pashoq hekash dhe lëngimesh që gjaset me i gatu vetëm havani i terrtë i kobit të kuq. I vetmi krim që ky za kushtrues kishte ba, dhe për të cilën ai shkoi në litar 10 gushtin e vitit 1988, ishte vullnesa për me ia kushtu veten mish e shpirt shërbesës së fjalës së lirë, kumtit krijues, me të cilin ai këndoi dhe u ndesh me një prej bishave më të zezonta.

I pamposhturi i kushtrimit të lirisë, i kumtit ngadhnjyes të poetit, i zanit të paepur të një shpirti që s’diti të jepej, ishte ai, Havzi Nela. Varra e mbrame e bishës në agoni. Zemra e thyeme e një shtati të drobitun. Zani gjëmues i një shpirti ngjadhnjimtar. Poeti që luftoi komunizmin me penë dhe guxim. Ishte ndër ata intelektualë, që parapriu një lufte, përleshjesh të shpirtshme me fjalë dhe vargje, të cilën besonin idealistët dhe prej së cilës komunizmi druhej më shumë se djalli nga temjani. Ai ishte poet po kaq sa mësues, besonte te idealet njëjt sa te liria dhe nuk mund të kuptosh këtë epje vetëflijuese pa atë lartësim dhe fisnikërim shenjtërimi që ai mëkoi deri në natën kobzezë të litarit. Ai u ngjit në trekëmbëshin e vdekjes si në kryqin e përjetësisë së Hyut, për të qenë ndër martirët e dritës dhe dijes, poezisë dhe gjëmimit të shpirtit.

Më 20 shkurt të vitit 1934 një e qarë fëmije do të këndellte një tjetërqysh kreaturë jetësimi në qiellin e rrëzuar mbi pullazet e majeve në Kollovozin të Kukësit. Një shkulm flakadani do të gjëmonte në oxhakun e asaj votre, tuj ysht një të shtënë lumnie që theri përmes terrin e asaj nate kumtimi dlirësie. Rrokullima e viteve do të derdhej në shtatin e një shuguruesi, si një dritë që lëshohet nadjve tuj përla me jetësim tançka rrok pamja. Një kapërthim përjetimi të stuhishëm do t’i kridhej në hov kësaj zemre flakatare. E në të mbramë të trishtë do ta kishte t’fikumen e frymës. Nata kobzezë e 10 gushtit të motit 1988 e thuri me mraz mantelin e trishtimit, që do të lëshohej mbi qytetin verior, si një qefin morti bashmë me terrin e qorruem. Në yje i’u shndërrue grahmat e fundit atij shpirti ngadhnjyes. Me dritën që lindtte s’kish mbetun kurrçka gjallnuese në të, veç kurmit hekakeq të martirit, që derdhej në plisin e përpushun lëngimesh në trekëndësh. Në kup të qiellit kuja i’a lëshoi në atë zgjim tragjik të atij qyteti që strukej nën peshën e heshtjes. Sy e zemra u qorrën në këtë manifestim frike dhe paniku që mbillte kjo varrë mesjetare që rrëmihte të shkumen, të tashmen e të gjithmonshmen e vetëdijes së njerzisë, kësoane e gjithsekund. Në atë prehje trishtane që kalli tmerr shtati i shterrun hekash i poetit që tuj ken “armik i popullit dhe partisë” ishte bzamja ma kushtrues që ajo ndërkohje kishte mujt me e lëshu potershëm. Klithmë, e cili theri si dhimbë shgjetare atëditë e sot. Kësohere dritëlëshuesi i dijes e kumtuesi i kremtes së lirisë, kish da mendjen me ik, jo si më heret “zemërplasun” por zëkallun e oshëtues në ndërkohje.

As tokë nuk i dhan në pushimin e pasosun, Havzi Nelës. Deri në njat cak kishte mujt me mbërri makabriteti i lëshuem në duar të zellshme gjakatarësh, mbi të cilët nderej i friguem ajo bishë e plagosun. E derdhën mish e kocka, poetin në vrimën e një shtylle, mes ferrave. Me gurë dhe mrryl e mbuluen atë grumbull të mbetun prej së gjalli. Pa varr e lanë, pa kuja, pa lot e degdisën në tjetër botë. Kaq mundi me gadit zelli i përbinshëm i një regjimi. Vetëm kaq, me diftu, i’a behu mendja djallzore e dora e gjakut të prishun.

Lirinë kishte krejtçka Havzi Nela në të gjallë e në amshim pati si armë, të cilën nuk e lëshoj prej dore kurrnji dekik. Poezinë kishte pishtar e nuk ndali së lëshumi tmerr dhe dritë gjithkah kamba e tij shkeli e zemra e tij kalli. Përkundër asnjë godi nuk mësoi të hesht ai zë gjëmimtar. Qeli, pranga, tortura, e farkëtuan atë shpirt lirie, atë shkrepëtim që ndrit udhën shtegtarit atëditë e sot.

Havzi Nela, do të mbamendet si shembulli më vetanak i mizorisë së kuqe në agoni, është dëshmia më ngjethëse që ka lënë diktatura atëhershme. Si djalli nga temjani u përndoq ky korife i mendimit të lirë, kjo pëshpërimë gjëmimtare e ngulmit për të dëshmuar në një kohë të mraztë vitalitetin e një vullnese të dlirë.

Golgota e mundimeve të këtij Prometeu të dijes u dogj më flakën e dritës që kalli vargjet e tij të zëshme liberatore. Fatkobi i poetit tek ai nuk preku ndonjëherë ngjashmëri të tjetera, të njimendta në atëhohje. Tehu i gjakimit të së keqes duke e shpuar tejpërtej ndër rrufe përgjimesh kobzeza, ishte derdhur mbi të pamëshirshëm dhe nuk iu shkoq deri në të mbramë të frymës në konop. Përdnjekja e kalli këtë zë liri e në flakët e ferrit të kuq me të cilat u ndesh dhëmb për dhëmb. Si Ante qëndroi ai mbi zemëratën e shtërzishme të motmotit. Nëpër shkulmet e këtij marazi ai mrujti apogjeun e shpirtit. Krejtçfarë është thënë për këtë shpirt rebel, dhe ka bërë me pasion të shenjtë ky ngulm lirie është një vullnesë e dlirë, një shëmbëllim që ngucat. Përkundër tançka ka ndërzy atë bishë të përbinshme komuniste, nuk e ka tut, nuk e ka ndal, nuk e ka step atë yrysh tokësor, më u ndesh me forcat më të errta të Hadit komunist. Ai qëndroi në kambë, në të gjallë e në të vdekun. Mundimet e këtij shpirti sakrificash, e këtij kushtrimi të zëshëm të lirisë, nuk kanë shoq.

Kush ishte ky gjëmim

Havzi Nela lindi më 20 shkurt 1934 në fshatin Kollovoz të rrethit të Kukësit. Ndoshta fëmijëria e tij e asaj ndërkohje s’do të kishte shumë më tepër gjana për të kumtu, ngase ai i tha me za e me vepëri në të gjallët e tij. Të themeltë e kish në vete shpirtin e kryengritjes, vullnesën e jetësimit deri në të mbrame të frymës që kishte. Tuj met jetim qysh në moshën 9-vjeçare, atij i’u lëshu në shpinën e njomë torba e randë e shtegtarit. U kalit në mundime dhe heka ky kurm që gjaku e shndrroi në pishtar.

Individi i kolektivizuar më shumë se një absurd që shakadahej në batakun e reales surreale, ishte për Havzi Nelën një ngadhnjim kryerendës, një domosdo për të reaguar që në krye të herës. Rebelimi kundër së keqes ishte gjaku dhe mishi që veshi, jetësoi ky bir nane.

Golgota  e dijenxënies dhe e mësuesit

Edhe vetë kalvari i dijenxënies është jo më pak rrëfimtar i kacafytjes që kalli mbi këtë kurm drite paradoksi i asokohshëm. Ai mbaroi shkollën fillore dhe të mesme, ndërsa jetojnë në varfëri ekstreme. Krejt rrëfimtaria e tij jetësore është një rrugëtim nëpër natë nën qiellin e gërmushin vetëtimash. Zgjaton lëngueshëm ai kortezh i të gjallëve të mësuesit dhe poetit, individit që ngiste nëpër teh të rrezikut me kap fillin e dritimit të perëndishëm, të njeriut me ëndrra qiejsh të kjart.

Duke kqyr turraz nëpër faqet e të shkumes mundena me kumtu se Havzi Nela gurëthemelin e dijes e hodhi në qytetin e Shkodrës, prejku u dëbua si element destruktiv. Pas do vitesh i jepet mësuesisë në shkollën fillore të Planit të Bardhë, një fshat në rrethin e Matit. As këtu nuk i zan kambët dhe këti ngulmi zjarmtar. Te e vona ai i kthehet sërish Shkodrës me i përmbyll studimet, kësohere me korrespondencë. Kruma, Lojmja, Shishtaveci, Topojan janë këto toponimet e dijedhënies së poetit. Përgjatë gjithë këtij rrugëtimi dritëlëshues, një pal sy ferri do të qepeshin përmbas, ngado. Golgota e mundimeve do të lëshonte britmën. Ai nis të marrjet hera-herash në paraburgim.

Kalvari i martirit

Dhe vjen dekiku i përballjes dhëmb për dhëmb. “Shko dallëndyshe” të Filip Shiroka, bahet “Lamtumira zemërplasun” e Havzi Nelës dhe bashkëshortes së tij, Lavdie. Ai arratiset për me sos në Kosovë, më 26 prill 1967. Një gërmushje ndjellakeqe e pret me “pushkë për faqe”. Ndalohet dhe merret në pyetje në një hotel në Prizren. Më 6 maj të po atij viti burrë e grua këmbehen në Morinë me shqiptarë të Kosovës, të cilët i dorëzohen UDB-së famëkeqe nga pala shqiptare.

Kalvari i trishtë nëpër të cilën rendi ky liberator, zgjaton që nga Elbasani, Vlora, Spaçi, Burreli, Ballshi, Qafë Bari. Nëpër zgafellat më makabre të diktaturës i kaploi 20 vitet e jetës së tij. Nëpër tmerrin më të mraztë e gërmëzoi gjithkohjen e kushtrimit të tij, poeti martir. Tinëz e thuri qiellin shkrepimtar të poetit, Havzi Nela në qeli. Në fletushka nëpër terrin e frikës dhë përgjimit e ngriti varg pas vargu e metaforë pas metaforë zjarmin e lirikës.

Havzi Nela, dhe kjo ndërmendje në përvjetorin e lindjes, behin kushtrues në të tashmen e një demokracie që hiqet zvarrë si një shtazë e plagume. Edhe të rrokte të gjallët e tij, të mraztë do ta kishte poeti paqen nën peshën e të pamundunes, që mruhet në maxhën e zhgënjimit. Të trishtë do ta ndjente të tashmën e zorshme të vlerave të përmbysta, kurmi i lënguem i atij shtati që sfidoi me qëndresën në kalvarët e terratisë. Rrno ndër ne Havzi Nela, në trajtën e një kujtese ngjethëse, një dlirësie shuguruese, një gjithëkohje kushtruese, rrno me dëshmu me mbamendjen tande të ngjyme në gjak lirie. / KultPlus.com

Media franceze “News Day Fr”: Vizitoni plazhet ‘parajsë’ në Rivierën Shqiptare 

Jeni duke kërkuar për një destinacion më pak të njohur për të kaluar pushimet? Shqipëria është vendi ideal, ende e mbrojtur nga mbipopullimi i turistëve. Së shpejti, ky vend pritet të bëhet një nga destinacionet kryesore verore, shkruan në një artikull e përditshmja franceze “News.day Fr”.

Me një vijë bregdetare 363 kilometra, e cila laget nga detet Adriatik dhe Jon, Shqipëria ofron plazhe të mrekullueshme me rërë, gjire dhe dete të veçuar, shpesh të konsideruara si “Karaibet e Evropës”.

Përveç plazheve të shumta, vendi ofron edhe peizazhe piktoreske dhe qytete turistike.

Ne ju sugjerojmë disa nga qytetet më të mira në Shqipëri për të vizituar.

Apolonia, një nga qytetet më të vjetra të Shqipërisë

Është një nga qytetet më të vjetra në Shqipëri, ku mund të eksploroni një sërë rrënojash e monumentesh të rëndësishme greke.

Ky vend është i ruajtur mirë dhe çuditërisht i zbrazët, pavarësisht vlerës historike dhe rëndësisë turistike.

Vizitorët do të kenë mundësinë të vëzhgojnë fasadën e tempullit ende ‘në këmbë’, teatrin dhe monumente të tjera antike.

Ata do të gjejnë gjithashtu një kishë madhështore mesjetare, kushtuar Shën Mërisë, e cila dëshmon për kristianizimin e shpejtë të rajonit.

Vlora, pranë Italisë

E vendosur vetëm 72 kilometra nga bregdeti italian, në jug të Tiranës, qyteti i Vlorës është gjithashtu një nga qytetet më historike në Shqipëri.

Lindja e saj daton në shekullin e VI para Krishtit.

Pranë qytetit ndodhet plazhi i Jalës, një plazh i bukur i izoluar dhe i qetë.

Qyteti ka gjithashtu një nga portet natyrore më të njohura në vend, në fund të të cilit ndodhet ishulli i Sazanit.

Dhërmiu, një nga plazhet më të bukura në Shqipëri

I vendosur në gjysmë të rrugës midis Vlorës dhe Sarandës në bregdetin e Jonit, fshati Dhërmi është një ndalesë thelbësore për çdo qëndrim në Rivierën Shqiptare.

Ai është i njohur për peizazhet e tij me detin blu bruz dhe malet në sfond.

Ky fshat është një nga vendet turistike më të vizituara në të gjithë bregdetin shqiptar.

Jo shumë larg plazhit të Dhërmiut, mund të vizitoni Shpellën e Piratëve, e aksesueshme me varkë ose traget.

Borshi, vendi ideale për të notuar në Rivierën Shqiptare

Ky fshat bregdetar në Rivierën Shqiptare është vendi ideal për një not në ujë të pastër duke vëzhguar peizazhin e mrekullueshëm malor.

Borshi ka rreth 1000 banorë dhe është pjesë e bashkisë së Himarës.

Ai është i njohur për plazhin dhe burimet e tij që zbresin nga mali, duke ofruar një panoramë të bukur nga kalaja që dominon fshatin.

Saranda, një nga qytetet turistike më të rëndësishme në Shqipëri

Saranda ndodhet në jugperëndim të Shqipërisë, në detin Jon.

Është një nga qytetet turistike më të rëndësishme në bregdetin Jon dhe ndodhet afër Parkut Kombëtar të Butrintit e njohur nga UNESCO.

Vizitorët mund të eksplorojnë plazhin e Ksamilit, dhe katër ishuj të vegjël të mbuluar me bimësi mesdhetare.

Nga Saranda mund të bëni një ekskursion në rrënojat e Butrintit.

Qyteti është gjithashtu vetëm 9 kilometra nga ishulli grek i Korfuzit. /atsh / KultPlus.com

https://news.dayfr.com/international/3432384.html

Sot, Dita Botërore e Drejtësisë Sociale

Sot është Dita Botërore e Drejtësisë Sociale, e shpallur si e tillë nga Asambleja e Përgjithshme e OKB më 26 nëntor të vitit 2007.

Për OKB, avancimi i drejtësisë sociale duhet të jetë synimi kryesor që drejton të gjitha politikat kombëtare dhe ndërkombëtare.

Mbështetësit pretendojnë se promovimi i punës së denjë dhe një axhendë e drejtë globalizimi e fokusuar në të drejtat themelore, mundësitë e punësimit, mbrojtjen sociale dhe dialogun social konstruktiv midis qeverive, punëdhënësve dhe punëtorëve është çelësi për vendosjen e drejtësisë sociale.

Megjithatë, avokatët vënë në dukje padrejtësitë e rënda të vazhdueshme, pasigurinë e përhapur të punës, pabarazinë e lartë dhe zbërthimin e kontratave sociale të përkeqësuara nga krizat globale. Këto realitete të ashpra kërcënojnë përparimin e bërë në çështjet sociale. Përforcimi i institucioneve dhe politikave që vërtet avancojnë drejtësinë sociale shihet nga OKB, si një prioritet urgjent. / atsh / KultPlus.com

Një universitet amerikan online ofron arsim për studentë nga gjithë bota

Universiteti i Popullit, një universitet online pa pagesë, u themelua në vitin 2009 dhe u akreditua në vitin 2014.

Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Maxim Adams, qëllimi i kësaj organizate jofitimprurëse në Shtetet e Bashkuara është që të ofrojë qasje tek arsimi i lartë për rreth 140,000 studentë nga 200 vende.

Kateryna Glubochenko është nga Mykolaivi në Ukrainë. Rusia filloi luftën ndaj vendit të saj, vetëm tre muaj para se ajo të diplomohej.

“Të gjithë filluan të largoheshin nga qyteti në panik. Të gjitha bizneset u mbyllën. Gjithçka mbeti në vend”, thotë ajo.

Por Kateryna nuk i ndali studimet. Ajo vazhdoi punoi dhe arriti të diplomohej, ndonjëherë duke studiuar në strehime për t’u shpëtuar bombave.

“Nuk kisha asnjë rrugë tjetër, përveç UoPeople.”

Universiteti i Popullit, ose UoPeople, thotë se është universiteti i parë jofitimprurës pa pagesë në internet i akredituar nga SHBA. Por universiteti nuk është plotësisht falas. Studentët duhet të paguajnë midis 140 dhe 400 dollarë për çdo klasë që marrin. Studentët paguajnë rreth 5 mijë dollarë për të marrë një diplomë, dhe më pak për disa nga programet për master.

Për më tepër, Universiteti ofron një sistem bursash për njerëzit që nuk mund të paguajnë. Nëse studentët kualifikohen dhe rreth 50 për qind e tyre hyjnë në këtë kategori, diplomimi nuk kushton asgjë. Sipas faqes bestColleges.com, në vitin 2022, kostoja mesatare e shkollimit dhe tarifave në një universitet publik katërvjeçar në Shtetet e Bashkuara ishte rreth nëntë mijë e gjashtëqind dollarë në vit.

UoPeople u themelua në San Francisko në vitin 2009 nga biznesmeni dhe sipërmarrësi izraelito-amerikan Shai Reshef, i cili thotë se universiteti pranon studentë nga e gjithë bota.

“Në SHBA kemi të pastrehë, kemi studentë pa dokumente, kemi nëna që nuk punojnë, por kemi edhe shumë studentë që kanë një jetë të vështirë”.

Refugjatja afgane Khadija Amini është studente e këtij universiteti që jeton në Shqipëri në pritje të vizës amerikane. Prindërit e saj punonin për qeverinë afgane, por pasi talebanët erdhën në pushtet, ata u larguan.

UoPeople i dha Khadijas jo vetëm shansin për t’u arsimuar që talebanët do t’ia kishin mohuar, por shumë më tepër.

“Vajzat e tjera afgane duan të arsimohen. Unë kam filluar t’u jap mësim online nga shtëpia si vullnetare. Po ashtu po i orientoj për të gjetur rrugë për t’u arsimuar”.

Sot, rreth 130,000 studentë nga 200 vende studiojnë në UoPeople. Personeli – rreth 26,000 vetë – përbëhet vetëm nga vullnetarë, dhe universiteti ofron diploma në administrim biznesi, teknologji informacioni, shëndetësi dhe të tjera.

“Unë besoj se arsimimi është një e drejtë themelore dhe çdo person në botë duhet ta ketë këtë mundësi. Dhe ne pikërisht këtë bëjmë. Zhvillojmë një model arsimimi të lartë, duke treguar se të gjithë mund të kenë qasje dhe të përballojnë arsimin e lartë”.

UoPeople punon me një numër institucionesh me reputacion të arsimit të lartë, përfshirë universitetet e Edinburgut dhe McGill. Universiteti merr gjithashtu mbështetje dhe ndihmë nga organizata jofitimprurëse si Fondacioni Bill dhe Melinda Gates dhe gjigantë të teknologjisë si Google dhe Intel./VOA/KultPlus.com

Gjuha shqipe/ Botuesja ngre alarmin: Rrjetet sociale po dëmtojnë fëmijët, gjithçka e mësojnë anglisht!

Botuesja Arlinda Dudaj në emisionin “Përballje” në Report TV ngriti shqetësimin se rrjetet sociale po dëmtojnë fëmijët lidhur me mësimin e gjuhës shqipe. Dudaj vë theksin tek edukimi dhe kulturimi që në fëmijëri edhe nga prindërit, të cilëve Dudaj iu bën thirrje t’iu lexojnë fëmijëve përralla në gjuhën shqipe. Sipas saj, fëmijët shpesh dëgjojnë përmes TikTokut apo rrjeteve të tjera sociale fjalë anglisht, të cilat nuk i kuptojnë dhe më të thjeshtë kanë artikulimin e fjalëve anglisht sesa shqip.

“Mendoj që një nga konkluzione që arritëm është pikërisht që duhet punuar jo të arrihet në universitet sepse zgjedhin edhe degë të ndryshme për arsye personale. Edukimi dhe kulturimi që në vitet e para të jetës, nis që nga prinid që i lexon përralla dhe tek kujdesi që duhet bërë shumë se çfarë fëmijët mbajnë nëpër duar. Diçka që ka dëmtuar janë edhe rrjetet sociale. Nuk kam asgjë me anglishten, por nuk arrij t’i kuptoj fëmijët që iu, mësohet anglishtja. Përdorin fraza të gatshme edhe në anglisht e flasin në mënyrë mekanike  siç e  shikojnë në TikTok. Edukimi që në fazat e para të rritjes edhe shkolla për të pasur mundësinë edhe për tekstet”, tha Dudaj. /Shqiptarja.com/ KultPlus.com

Sporti kosovar në 16 vjet shtet

Kosova në 16 vjet ekzistencë si shtet vazhdon të krenohet me arritjet e sportit dhe sportistëve tanë duke e vlerësuar si një nga segmentet kryesore në rrugën për shtet ndërtim të suksesshëm.

Në këtë aspekt ajo që i parapriu prezantimit të sportistëve kosovar në arenën ndërkombëtare, është anëtarësimi i Komitetit Olimpik të Kosovës.

Me datë 9 Dhjetor 2014 Komiteti Olimpik i Kosovës u pranua zyrtarisht në Komitetin Olimpik Ndërkombëtarë, veprim ky që me automatizëm i mundësoi Kosovës të merr pjesë në Lojërat evropiane në Baku në vitin 2015, si dhe në ato olimpike në Rio de Janeiro, në vitin 2016.

 Në ndërkohë kjo i shërbeu si proces edhe pranimit të Federatave tjera sprotive të cilat deri atë kohë nuk e kishin arritur këtë status duke thyer me këtë rast edhe izolimin e padrejtë shumë vjeçar të sportit kosovar.

 Në rrafshin sportiv një nga lajmet më të mira që Kosova si shtet e morri ishte ai kur me 9 shtator të vitit 2023 vendit tonë iu besua organizimi i Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.

 Asambleja e Përgjithshme e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare  votoi pro kandidaturës së Kosovës për këtë ngjarje të madhe me çka pas pesë dekadave Lojërat Mesdhetare kthehen në Ballkanin Perëndimor, derisa për herë të fundit ato ishin zhvilluar në këtë rajon më 1979, në Split të Kroacisë.

 55 vota pro, 8 kundër dhe tri vota të pavlefshme ishte bilanci i fitores së madhe të Kosovës, dhe Shqipërisë e cila në një pjesë të kësaj ngjarje do të jetë bashkë-organizatore, pasi sporti i lundrimit do të zhvillohet në bregdetin shqiptar.

 Prishtina me këtë rast u bë qyteti i parë jo bregdetar që fitoj të drejtën për të organizuar Lojërat Mesdhetare, derisa nga ky projekt vendi ynë pritet të përfitoj shumë në disa dimensione e sidomos në aspektin infrastrukturor pasi do të ndërtohen stadiume, palestra dhe objekte të ndryshme sportive në shtatë komunat kryesore ku ngjarja do të ketë shtrirjen e saj.

 Kosova aktualisht nuk ka infrastrukturën e nevojshme për organizimin e tyre por është zotuar se do t’i investojë mbi 250 milionë euro nga buxheti i shtetit gjatë gjashtë vjetëve të ardhshme për t’u bërë gati për organizimin e tyre.

 Në Lojërat Mesdhetare pritet të  marrin pjesë 26 vende nga tri kontinente. Evropa, Azia dhe Afrika, derisa programi sportiv përmban rreth 24 sporte, me pjesëmarrjen e mbi tre mijë sportistëve.

 Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, pritet të mbahen nga 24 korrik deri më 5 gusht.

 Pjesëmarrja e parë e Kosovës në një ngjarje të madhe ishte pikërisht në shtetin që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës në Azerbejxhan, raporton RTKlive.

 Në Lojërat evropiane në Baku, Kosova u prezantua me 18 sportist në tetë disciplina sportive, por të vetmen medalje e siguroi Nora Gjakova.

 Xhudistja jonë e fitoi të bronztën në kategorinë deri 57 kilogram duke i’a siguruar vendit tonë medaljen e parë si shtet nga ngjarjet e mëdha.

 Viti 2016 shënon një etapë tjetër shumë më të rëndësishme .

Kosova për herë të parë u paraqit në Lojërat Olimpike Verore, me ç’rast në olimpiadën e Rio-s u prezantuam me tetë sportist derisa e fituam edhe medaljen e parë.

 Majlinda Kelmendi e fitoi të artën në katëgorinë deri 52 kilogram, duke i dhënë vulë dominimit të saj në shkëlqimin paraprak në elitën e garave evropiane dhe botërore.

 Katër vjet më vonë në olimpiadën e Tokios, Kosova u tregua edhe më e suksesshme, tani i fitoj dy medalje të arta duke e ngritur në total në tri numrin e medaljeve olimpike.

 Distria Krasniqi në kategorinë deri 48 kilogram dhe Nora Gjakova në atë deri 57 kilogram e lartësuan në piedestal flamurin e shtetit tonë në Japoni, derisa kompletuan opusin e medaljeve paraprake në kampionatet evropiane dhe botërore.

 Nga ajo ditë e deri më sot të gjitha rezultatet u arritën nën urdhërat e trajnerit Driton Kuka i cili ka hyrë në histori të këtij sporti dhe vlerësohet ndër mjeshtrit më të mirë në botë të xhudos.

 Nxënësit e tij kanë fituar mbi 100 medalje elitare përfshirë tri të arta olimpike, pesë të arta botërore, shtatë të arta evropiane, katër të arta në Lojërat Mesdhetare, tri të arta në Lojërat Evropiane dhe shumë të tjera të arta, të argjendta dhe të bronzta në turnet Grand Prix dhe Grand Slams.

  Ndërkohë Laura Fazliu, Loriana Kuka, Flaka Loxha dhe dardan cena janë në kërkim të rrugës për medalje të arta në garat e mëdha, derisa vend në elitën e xhudos botërore tash e sa kohë ka zënë edhe Akil Gjakova, i cili po e synon edhe medaljen në Lojërat Olimpike.

 28 vjeçari nga Peja ka fituar medaljen e artë në evropian si dhe të artën në Lojërat Mesdhetare, ndërsa ishte ylli kryesor i Kosovës në Kampionatin Evropian të Hapur të mbajtur në fund të vitit 2023 në Prishtinë kur e fitoj medaljen e artë.

 Sukseset ndër vite në këtë sport ishin shtysa kryesore që Unioni Evropian ia besoj Federatës së Xhudos së Kosovës organizimin e Kampionatit evropian të Hapur, ku medalje të bronzta rrëmbyen edhe Dardan Cena, Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi.

Sukseset e vazhdueshme në tatami ndërkohë kanë ndikuar që kryetari i Federatës së xhudos së Kosovës, Agron Kuka, të emërohet Drejtor Sportiv si dhe anëtar i Bordit Ekzekutiv të Unionit Evropian të xhudos, duke qenë kosovari me postin më të lartë në institucionet sportive ndërkombëtare.

Të arriturat e jashtëzakonshme ndër vite që ka ky sport kanë ngjallur interes në rritje për xhudon, pasi janë krijuar klube dhe shkolla të reja, ndërkohë sporti është përfshi në programin shtetëror “Kosova shtet i xhudos”.

8 vite pas deklarimit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, në maj të vitit 2016 në kongresin e 40të të UEFA-së në Budapest Federata e futbollit e vendit tonë i theu barrierat e izolimit shumë vjeqar duke u bërë anëtari i 55të i UEFA-së.

Disa ditë më vonë në Kongresin e FIFA-së Kosova u anëtarësua edhe në FIFA, gjë që i hapi dyert për ekipet tona të marrin pjesë të barabartë me shtetet tjera në garat kualifikuese evropiane dhe botërore.

Edhe përkundër disa ndeshjeve miqësore të zhvilluara më herët, kombëtarja e Kosovës në kualifikimet e organizuara nga UEFA apo FIFA zyrtarisht debutoi në eliminatoret për botërorin e vitit 2018.

Në një grup të vështirë me Kroacinë, Finlandën, Islandën, Turqinë e Ukrainën kombëtarja e jonë nuk pati sukses duke e fituar vetëm një pikë dhe duke përfunduar në vendin e fundit në grup.

Menjëherë pas përfundimit të kësaj kampanje kualifikuese për botëror, shtetet evropiane e nisën sezonën inauguruese të Ligës së Kombeve 2018/19.

Kosova ishte pjesë e ligës D së bashku me Azerbejxhanin, Ishujt Farou dhe Maltën.

Në këtë garë Kosova shkëlqeu duke e zënë vendin e parë në grup pa asnjë humbje për ta siguruar plejofin për kualifikim në Kampionatin evropian 2020.

Në ndeshjen gjysmëfinale të plejofit Kosova do të luante kundër Maqedonisë së Veriut me 8 tetor 2020.

Pikërisht atë vit botën e kishte kapluar pandemia e koronavirusit, gjë që ndikoi direkt në gjasat e ekipit tonë për kualifikim.

Derisa lojtarët e Maqedonisë së veriut kishin udhëtuar edhe pa lejen e ekipeve të tyre Kosova udhëtoi drejt Shkupit me mungesën e disa lojtarëve kyq si Amir Rrahmani, Milot Rashica e Vedat Muriqi.

Edhe përkundër luftës së pakompromis në fushë, Kosova u eliminua nga Maqedonia e veriut me rezultat 2:1 për ta humbur mundësinë historike për shkuar në finale të plejofit-një hap larg kualifikimit në KE.

Edhe pse Kosova do të merrte pjesë edhe në 3 kampanja tjera kualifikuese qoftë për Botëror apo Evropian dhe në një tjetër edicion të Ligës Kombeve, suksesi më i madh mbeti ai i edicionit 2018/19 i Nations League.

Në nivelin e klubeve vendi ynë ka pasur sukses më të madh sesa në nivelin e kombëtareve.

Prej sezonit 2017/18 e deri tash 8 klube të vendit tonë kanë marrë pjesë në garat e ndryshme të UEFA-së.

Drita, Prishtina, Feronikeli, Llapi, Gjilani, Trepca ’89, Dukagjini e Ballkani e kanë përfaqësuar Kosovën në këto gara.

Suksesin më të madh e ka arritur kampioni aktual Ballkani, që nën drejtimin e krytrajnerit Ilir Daja, dy herë është kualifikuar në fazën e grupeve në Conference League.

Herën e parë në sezonin 2022/23 kur në plejof për kualifikim në fazën e grupeve e eliminoi Shkupin pas dy ndeshjeve.

Në fazën e grupeve Ballkani ishte në grup kundër kampionit të Cekisë Slavia e Pragës, kampionit të Rumanisë Clujit dhe kampionit të Turqisë Sivassporit. 

Edhepse e nisi fazën e grupeve me një barazim premtues 1:1 kundër Clujit në Prishtinë dhe madje edhe e mposhti kampionin e Turqisë, Sivassporin si mysafir më rezultat 4:3, fatkeqësisht lëndimet e shumta ndikuan që Ballkani të eliminohej në vendin e fundit në këtë grup me 4 pikë të tubuara.

Por paraqitjet e kampionit tonë ishin të jashtëzakonshme dhe lirisht mund ta themi se ishte mungesa e përvojës ajo që e eliminoi Ballkanin pasi që skuadra jonë zhvilloi lojë shumë të mira.

Edhe përkundër eliminimit, Ballkani përfitoi mjaft mirë financiarisht nga kjo kampanjë dhe kjo i dha një platformë të mirë për ta mbrojtur titullin e kampionit në vend për t’u kualifikuar në fazën e grupeve të Conference League për herë të dytë radhazi.

Ballkani u vendos në grupin C me Viktoria Plzen, Dinamon e Zagrebit dhe Astanën.

Edhe në këtë edicion Ballkani u eliminua, duke përfunduar në vendin e fundit me 4 pikë.

Një prej shkaktarëve për këtë eliminim ishte fakti se Ballkani pas edicionit të suksesshëm një vit më herët i kishte shitur disa lojtarë kyq dhe nuk kishte arritur ti zëvendësojë me futbollistë të kualitetit të njejtë apo më të lartë.

Pra për më pak se një dekadë në UEFA, Kosova ka bërë progres të jashtëzakonshëm, krahasuar me shumë vende për kaq pak vite.

Por përkundër këtij përparimi të madh, Kosova, sidomos në nivelin e kombëtares qëndron larg objektivave që ka, kualifikimit në ndonjë ngjarje të madhe.

Me përjashtim të xhudos asnjë sport tjetër kosovar nuk ka arritur medalje olimpike me gjithë pjesëmarrjen në dy olimpiada verore dhe dy të tjera dimërore.

Ndërkohë karateja ka lënë gjurmë në kampionatet evropiane dhe botërore në këtë sport.

Herolind Nishevci është i pari nga ky sport që i solli vendit tonë medalje, duke fituar të bronztën në Kampionatin Botëror të vitit 2016 dhe në atë Evropianin në vitin 2021.

Ndërkohë në vitin 2023 ekipi i Kosovës në konkurrencën e vajzave fitoi medalje të bronztë në Kampionatin Botëror të Karatesë, me çka u vlerësua sukses historik, pasi medalja është fituar për herë të parë në konkurrencën e vajzave dhe në nivel ekipor në karate.

Se vazjat e mbajnë primatin e sukseseve e dëshmon edhe rasti i Donjeta Sadikut.

Boksierja jonë ka fituar medaljen e bronztë në kampionatin evropian në vitin 2022, derisa në po atë vit edhe të bronztën në kampionatin botëror.

 24 vjeçarja po mundohet ta rikthej shkëlqimin që dikur e kishte boksi në konkurrencën e djemve që nën petkun e shtetit i cili nuk ekziston më dhe nën direktivat e trajnerit legjendar Lah Nimani kishte fituar një medalje të bronztë në Lojërat Olimpike Los Angelos 1984 dhe medalje të bronzta në kampionatet evropiane dhe botërore.

Krahas boksit Kosova ka pritur më shumë nga Mundja që dikur nën udhëheqjen e mjeshtrit ndërkombëtar Mentaz Allajbegu garuesit e saj kishin fituar medalje në kampionatet evropiane dhe botërore.

Nga sportet kolektive akoma jemi larg me pritshmërit me gjithë traditën e mirë që e kishim dikur në Hendboll e Futboll, por pa përjashtuar edhe Basketbollin dhe Volejbollin, me çka mund të themi se jemi në kërkim të identitetit dhe suksesit ndërkombëtarë.

Sukseset e sportit në Kosovë gjatë viteve pas pavarësisë, janë dëshmi e potencialit të madh dhe talentit të sportistëve kosovarë.

Me mbështetjen e vazhdueshme të institucioneve dhe investimeve në infrastrukturë dhe zhvillim, sporti në Kosovë padyshim ka të ardhme të ndritshme dhe do të vazhdojë të jetë burim krenarie për popullin e Kosovës./rtk/KultPlus.com

Muzeu i Asdrenit në Drenovë drejt rrënimit

Aleksandre Stavre Drenova i njohur me nofkën Asdreni, poeti, publicisti, autori i himnit shqiptar është i harruar në fshatin ku lindi në Drenovë të Korçës.

Muzeu i cili mban emrin e tij në qendër të fshatit nuk funksionon si i tillë, këtu brenda nuk ka asnjë material të Asdrenit, nuk ka asnjë ciceron, dera është e mbyllur e si për ironi mungon dhe energjia elektrike, shkruan euronews.al.

Në ndërtesën e cila duhet të funksiononte si muze për Asdrenin, sot nuk mund të gjesh asgjë, përveç disa fotografive të rilindësve kombëtare.

Njëri nga banorët e fshatit tregon i revoltuar se në Drenovë nuk ka asnjë muze, pasi ndërtesa vetëm emrin ka të tillë.

“Nuk ka muze këtu ore, emri është muze. Muzeu duhet të ketë materiale, pas ‘90 ikën materialet, muzeu i Asdrenit është kot. Materialet u prishën, kot ja kanë vënë emrin muze. Po që të vijnë njerëzit, duhet të ketë materiale. Çfarë të shohin njerëzit këtu? Brenda këtu nuk ka asgjë”, thotë një banor i Drenovës.

Edhe kryeplaku i fshatit Drenovë, Kici Nasi pranon që ky muze është lënë në harresë.

“Muzeu ka emrin Asdreni se asnjë gjë nuk ka nga periudha e Asdrenit. Është për të ardhur keq, në Drenovë nuk ka një muze të tillë. Ka qenë më 4 dhoma, e bënë komune dhe gjithë materialet, u bë krim, i hodhën në lum, i morën fshataret e i ruajnë në shtëpitë e tyre. Njerëz vijnë nga brenda e jashtë, por na vjen keq kur i sjellim, çfarë t’u tregojmë? Edhe sheshi quhet Asdreni, edhe busti nuk është ndonjë bust, këtu kemi ministri kulturash pa kultura, se kanë lënë Asdrenin pas dore”, shprehet Nasi.

Rikonstruksioni i muzeut Asdreni, bustit dhe sheshit në qendër të fshatit Drenovë janë premtime disa vjeçare të bashkisë Korçë, premtime që ngelen ende të tilla, pasi ende asnjë hap konkret nuk është ndërmarrë./euronews.al/KultPlus.com

Këshillat e Umberto Eco-s që do t’ju bëjnë të reflektoni për jetën tuaj

Shkrimtari i njohur botëror Umberto Eco i la “amanet” nipit të tij para vdekjes disa letra dhe këshilla të cilat juve do t’ju bëjnë të reflektoni shumë për jetën tuaj.

“I dashur nip, nuk do të dëshiroja që kjo letër krishtlindjesh të tingëllonte shumë e sheqerosur (deamicisiana, term sipas librit të autorit De Amicis “Zemra”) dhe të kujtonte ty këshilla për dashurinë ndaj të afërmve tanë, për atdheun, për botën, apo gjëra të ngjashme. Nuk do t’ua vije veshin dhe në momentin e vënies në praktikë (ti i rritur dhe unë i thyer në moshë), sistemi i vlerave do të jetë kaq shumë i ndryshuar sa mundet që rekomandimet e mia të duken jashtë kohe.

Kështu që do të preferoja të ndalesha në një rekomandim të vetëm, të cilin do jesh në gjendje që ta vësh në zbatim edhe tani, teksa je zhytur në iPad-in tënd; por as nuk do të bëj gabimin që mos të ta këshilloj këtë gjë, jo për faktin se do dukesha një gjysh harraq dhe nopran, por sepse atë e bëj edhe unë.

E shumta mund të të rekomandoj, që nëse rastësisht në internet, kalon nëpër ato qindra faqet porno që tregojnë në mijëra mënyra raportin mes dy qenieve njerëzore, apo mes një qenieje njerëzore dhe një kafshe, përpiqu që të mos besosh se ai është seksi, edhe ashtu i shfaqur shumë monoton; kjo sepse bëhet fjalë për një inskenim, i cili synon të të detyrojë të mos dalësh nga shtëpia dhe të shohësh vajzat e vërteta.

Nisem nga parimi se ti je heteroseksual, përndryshe përshtati rekomandimet e mia me rastin tënd. Por shikoji vajzat, në shkollë apo aty ku shkon për të lozur, sepse janë më të mira ato të vërtetat, sesa ato femrat televizive; dhe një ditë do të të japin kënaqësi shumë më të mëdha sesa ato online.
Besoji atij që ka më shumë eksperiencë sesa ty(dhe nëse do të kisha parë vetëm seksin në kompjuter yt atë nuk do kishte lindur kurrë dhe ti kush e di ku do ishe, përkundrazi nuk do ishe fare). Por nuk është kjo, ajo për të cilin doja të të flisja, më tepër sesa për një sëmundje që ka goditur brezin tënd dhe madje edhe atë të djemve më të rritur sesa ty e që ndoshta shkojnë në universitet.

Kjo është humbja e kujtesës. Është e vërtetë se nëse të shkon në mendje të dish se kush ka qenë Karli i Madh apo ku bie Kuala Lumpuri nuk të duhet veçse të shtypësh ndonjë tast dhe menjëherë interneti do të
ta thotë.

Bëje këtë gjë kur duhet, por pasi ta kesh bërë, mundohu të kujtosh çfarë të është thënë për të mos qenë i detyruar që ta kërkosh për herë të dytë nëse do të jetë e domosdoshme, qoftë edhe për një punim në shkollë. Ka rrezik që ndërkohë që ti mendon se kompjuteri mund të ta thotë në çdo moment, ti humbet shijen e të nxënit vetë.

Do të ishte njësoj sikur, duke ditur se për të shkuar nga një rrugë në tjetrën, ka autobusë apo metro që të mundësojnë të zhvendosesh pa u lodhur(që në vetvete është shumë komode dhe bëje sa herë që nxiton) mendon se kështu nuk ke më nevojë të ecësh. Por nëse nuk ecën mjaftueshëm, bëhesh pastaj “i aftë tjetërsoj”, siç thuhet sot për ata që janë të detyruar të lëvizin me karrocë me rrota.

Dakord, e di që merresh me sport dhe kështu vë në lëvizje trupin tënd, por të kthehemi te mendja jote. Kujtesa është një muskul si ata të këmbëve, të cilën nëse nuk e ushtron rrudhet dhe ti transformohesh (nga këndvështrimi mendor) me një tjetër lloj aftësie, pra, që të flasim qartë, një idiot. Për më tepër, sikurse për të gjithë ekziston rreziku që me plakjen vjen edhe Alzheimeri, një nga mënyrat që të shmanget ky incident i pakëndshëm është të ushtrosh memorien.

Dhe ja cila është dieta ime. Çdo mëngjes mëso ndonjë varg, një poezi të shkurtër. Mirë do ishte të bëje ndonjë garë edhe me miqtë e tu për të parë se kush mban mend më shumë. Nëse nuk e pëlqen poezinë atëherë bëje këtë me formacionet e futbollistëve, por kujdes, sepse nuk duhet vetëm të dish se kush janë futbollistët e Romës sot, por edhe ata të skuadrave të tjera, pse jo edhe të skuadrave të së shkuarës(mendo që unë mbaj mend formacionin e Torinos në kohën kur avioni i tyre, me të gjithë lojtarët në bord, u përplas në Superga: Bacigalupo, Ballarin, Maroso etj..). Bëj gara të kujtesës, ndoshta edhe për librat që ke lexuar(kush ishte në bordin e Hispaniolas në kërkim të ishullit të thesarit> Lord Trealëney, kapiteni Smollet, doktor Levesey, Long John Silver, Jim…).

Provo njëherë nëse miqtë e tu do të kujtojnë dot se kush ishin shërbyesit e tre muskëtjerëve dhe të D’Artgnan(Grimaud, Bazin, Mousqueton dhe Planchet)..Dhe nëse nuk do duash të lexosh “Tre muskëtjerët(dhe nuk e merr me mend se çfarë do kesh humbur) atëhëre bëje, ku di unë, me një nga historitë që ke lexuar. Duket një lojë(dhe është e tillë) por do ta shohësh sesi koka jote do të popullohet nga personazhe, histori, kujtime të çdo lloji. Do ta kesh pyetur veten se përse dikur kompjuterët quheshin tru elektronik.

Ndodhte sepse ata konceptoheshin mbi modelin e trurit (tonë) tënd; por truri ynë kë më shumë lidhje sesa një kompjuter. Është një lloj kompjuteri që e mban me vete, që rritet dhe forcohet përmes ushtrimit, kurse kompjuteri që kë mbi tavolinë, sa më shumë e përdor aq më shumë humbet shpejtësinë e veprimeve dhe pas disa vitesh do ndërruar.

Ndërkohë që truri yt mund të zgjasë deri në 90 vjet dhe në këtë moshë(nëse do ta kesh ushtruar) do të kujtojë më shumë gjera nga ato që kujton tani. Dhe falas. Është pastaj kujtesa historike, ajo që nuk ka të bëjë me faktet e jetës tënde apo me gjërat që ke lexuar, por me ato që kanë ndodhur para se ti të lindje. Sot, nëse shkon në kinema, duhet të hysh në një orë fikse, kur filmi fillon dhe sapo fillon dikush të kap si të thuash nga dora dhe të tregon se çfarë ndodh.

Në kohët e mia mund të hyje në kinema në çdo moment, e kam fjalën edhe në mes të spektaklit, arrije aty ndërkohë që po ndodhnin disa gjëra dhe përpiqeshe të kuptoje se çfarë kishte ndodhur më parë(pastaj, kur filmi fillonte nga fillimi, kuptohej nëse ishte kuptuar çdo gjë si duhet-përveç faktit se nëse filmi na kishte pëlqyer mund të rrije ta rishikoje edhe atë pjesë që ishte parë tashmë). Ja pra, jeta është si një film i kohëve të mia.

Ne vijmë në jetë ndërkohë që shumë gjëra kanë ndodhur tashmë, prej qindra e mijëra vjetësh dhe është e rëndësishme të kuptosh atë që ka ndodhur para se ne të lindnim. Kjo për të kuptuar më mirë se përse sot ndodhin shumë gjëra të reja.

Tani, shkolla(përveç leximeve të tua personale) duhet të të mësonte të memorizoje atë që ka ndodhur përpara se ti të lindje, por shihet se ajo nuk ia arrin siç duhet kësaj gjëje, pasi shumë të hulumtime na thonë se të rinjtë e sotshëm, edhe ata të mëdhenjtë që shkojnë në universitet, nëse ta zënë kanë lindur në 1990-ën nuk e dinë(dhe ndoshta nuk duan ta dinë) se çfarë ka ndodhur në vitin 1980(dhe këtu nuk e kam fjalën për ata që ka ndodhur 500 vjet më parë). Statistikat na tregojnë se nëse i pyet disa se kush ishte Aldo Moro të përgjigjen se ishte kapua i Brigadave të Kuqe-në fakt ai u vra prej Brigadave të Kuqe.

Nuk flasim për këto të fundit, që mbeten misterioze për shumëkënd, e megjithatë ishin prezent diçka më pak sesa 30 vjet më parë. Unë kam lindur më 1932, dhjetë vjet pas ngjitjes në pushtet të fashizmit por e dija deri edhe se kush ishte kryeministri në kohën e Marshimit mbi Romë(po ky çfarë është?) Ndoshta shkolla fashiste më kishte bërë ta mësoja emrin e tij, për të më shpjeguar sesa budalla dhe i keq ishte ai ministër(“Faka zemërpula”) të cilin fashistët e kishin zëvendësuar.

Dakord, por të paktën e dija. Pastaj, të heqim shkollën mënjanë, një i ri i sotshëm nuk e di kush ishin aktorët e kinemasë të 20 vjetëve më parë, ndërkohë që unë dija kush ishte Francesca Bertini që luante në filmat pa zë 20 vjet para se unë të lindja. Ndoshta sepse shfletoja revista të vjetra të ngjeshura në dollapin e shtëpisë sonë, por pikërisht, edhe unë të ftoj të shfletosh edhe revista të vjetra sepse është një mënyrë për të mësuar se çfarë ndodhte para se ti të lindje.

Po pse është kaq e rëndësishme të dish se çfarë ka ndodhur më parë? Sepse në shumë raste, ajo që ka ndodhur të jep një shpjegim se përse disa gjëra ndodhin sot dhe në çdo rast, njësoj si për formacionet e futbollistëve, kjo është një mënyrë për për pasuruar kujtesën tonë.

Ki parasysh se këtë nuk mund ta bësh vetëm mbi librat dhe revistat, mund të bëhet shumë mirë edhe në internet. I cili duhet përdorur jo vetëm për të çatuar me miqtë e tu por edhe për të çatuar (nëse mund të shprehemi kështu) me historinë e botës. Kush ishin hititët? Po kamisardët? Dhe si quheshin tri karavelat e Kolombit? Kur u zhdukën dinosaurët? Po arka e Noes a mund të ketë patur një timon? Si quhet paraardhësi i kaut? A kishte më shumë tigra 100 vjet më parë? Çfarë ishte perandoria e Malit? Dhe kush fliste për Perandorinë e të Keqes? Kush ka qenë Papa i dytë në histori? Kur u shfaq Topolino? Mund të vazhdoja në pafundësi dhe do të ishin të gjitha aventura të bukura kërkimi.

Të gjitha këto duhen kujtuar. Do të vijë dita kur do të jesh plak dhe do të ndihesh sikur ke jetuar 1000 vjet, sepse do të jetë sikur ti të kishe qenë i pranishëm në betejën e Vaterlosë, të kesh asistuar në vrasjen e Jul Çezarit, apo të kesh qenë disa hapa larg nga vendi ku Bertoldi i quajtur i Ziu, teksa përziente substanca për të gjetur mënyrën e prodhimit të arit, gabimisht zbuloi barutin dhe hodhi veten në erë(dhe mirë iu bë). Të tjerë miq të tu, që nuk do të kenë kultivuar memorien e tyre, do të kenë jetuar një jetë të vetme, të tyren, që duhet të ketë qenë kush e di sa melankolike dhe e varfër në emocione”. /KultPlus.com

Poezia ‘Poçari’ e interpretuar mjeshtërisht nga aktorja Margarita Xhepa (Video)

Poezia “Poçari” e  aktorit të madh shqiptar Dritëro Agollit, është një ndër poezitë më të njohura shqipe, e cila publikut shqiptar i është sjellë edhe në formë kënge nga këngëtari Selami Kolonja. Një interpretim mahnitës e sjell edhe ylli i kinematografisë shqiptare Margarita Xhepa, shkruan KultPlus.

Poezia “Poçari”, e Dritëro Agollit, ndër rreshta jep mesazhin e mallit të shqiptarit të dëbuar nga trojet e tij, prej armiqëve të kohës. Shkarja nga dora e vazos-poçit ndryshon rrjedhën e historisë, duke shpërthyer në lot mallëngjyes për gjuhën e nënës, nga e cila fati i kishte ndarë padrejtësisht. Këtë e tregon më së miri vargu “Fjala shipe s’blihet në pazar, në dyqan ka kohë që se kam ndjerë”.

KultPlus ju sjellë tekstin e plotë të kësaj poezie.

Vajta në Stamboll të bëj pazar,
për kujtim të ble një vazo balte:
– Paqe dhe selam, usta poçar,
Vazon më të mirë po e pate
Paqe dhe selam, usta poçar!

Vazoja nga dora shkau e ra
Dhe m’u bë njëzet e pesë copë,
Më erdhi rrotull deti Marmara
Dhe m’u hap dyqani turk si gropë,
Më erdhi rrotull deti Marmara.

Pa më shau poçari keq turqisht,
Unë e shava shqip e mend i rashë;
Për çudi poçari nuk u ligsht,
Veç dy lot në sytë e kuq i pashë,
Për çudi poçari nuk u ligsht!

Mos u çmend ky turk, ky musliman?
Unë e shaj, ai me duar në qafë!
Poçe tjetër mori në dyqan
Dhe më tha: ” Më shaj, për besë, prapë!”
Poçe tjetër mori në dyqan.

Psheretiu si unë: ” Jam shqiptar,
Shqip, vëlla, ti shamë dhe një herë,
Fjala shqipe s’blihet në pazar,
Në dyqan ka vjet që s’e kam ndjerë,
Fjala shqipe s’blihet në pazar!”

Ikën nga dyqani burra e gra,
Unë e një poçar e tjetër s’kishte,
Vazot frynte deti Marmara,
Vazove poçari shqip u fliste,
Vazot mbushte deti Marmara./KultPlus.com

Ëmbla Aliu debuton në muzikë, lanson këngën “Ëmbla-Ëmbla” (VIDEO)

Ëmbla Aliu e cila deri tash është treguar më shumë si balerinë, së fundi ka debutuar edhe në muzikë duke u prezantuar me këngën “Ëmbla- Ëmbla”, projekt ky që vjen i realizuar nga “Beko& Friends”, shkruan KultPlus.

Tekstin dhe muzikën e kësaj kënge e ka realizuar Bekim Këpuska, kurse ky projekt është mbështetë nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte.

KultPlus ju sjell videoklipin e Ëmblës./ KultPlus.com

Rënia e nivelit të Vjosës nxjerr në pah një varkë të vjetër, pritet të bëhen studime për vjetërsinë e saj

Thatësira e këtij dimri dhe rënia e nivelit të lumit Vjosë ka nxjerrë në sipërfaqe ditët e fundit, skeletin e një varke të vjetër pranë fshatit Kashisht të Bashkisë Fier.

Mbetjet e varkës janë pikasur nga barinjtë e zonës, ndërsa me sy të lirë duken qarte konstruksioni prej druri, gozhdët metalike, te cilat janë përdorur nga ndërtuesit dhe një shtrese bitumi për hidroizolim.

Sipas studiuesit dhe historianit Ilirjan Gjika, ky mjet lundrues duhet t’i nënshtrohet më parë studimit nga specialistet e fushës, pasi Vjosa njihet për historinë e saj të vjetër në lundrimin e brendshëm.

Po sipas historianit Gjika, hipotezat për vjetërsinë e saj  mund të jenë të shumta pasi dihet tradita shekullore e lundrimit në këtë lumë në antikitet dhe mesjetë dhe këtë e faktojnë një sere dëshmish historike.

Nga studimi i skeletit të kësaj varke, pritet të zbulohet më shumë informacion për epokën në të cilën lumi Vjose ishte i lundrueshëm./Balkanweb/KultPlus.com

Lev Shestov, revolta si filozofi e vërtetë

Lev Shestov (1866-1938) është një nga figurat më të shkëlqyera të mendimit ekzistencialist, filozofi i vetmuar dhe i pavarur që vijoi në kundërrymë me konceptimet e Rusisë së epokës kur jetoi. Pas hamendësimeve racionale, ai denoncon një pozicion metafizik bazuar në dorëzimin. Për të, filozofia e vërtetë është revolta: ajo lind nga vetëdija tragjike.

Lev Shestov është filozofi që luftoi arsyen, ai u përpoq të kthehej në burimin e mendimit dhe të vinte në dyshim drejtimin që ajo merrte. Në këtë kuptim, ai ishte një antifilozof, sepse nuk reshti kurrë së luftuari traditën racionaliste në historinë e mendimit. Gjithnjë ishte paksa jashtë kontekstit: nuk ishte i krishterë, ishte brenda një filozofie fetare, por që në të vërtetë ishte formë e filozofisë ekzistenciale, ai është pararendësi i mendimit të ekzistencializmit”.

Filozofia e tij ka frymëzuar, ka motivuar dhe ka ushqyer më shumë se gjithkush mendimet e shkrimtarëve. Lev Shestov është lloji i filozofit që nuk shkon në shkollë, por që bëhet bashkudhëtar rruge. Ai frymëzoi Albert Kamynë, Bataj, Merlo-Ponti dhe Sartrë, pasi ishte pikërisht ai që e bëri të njohur Husserl në Francë. Pra, ai ishte më shumë një lundërtar dhe frymëzues, sesa model. Në formën e filozofisë së tij ekziston një lloj maksimalizmi, ndihet një burim intelektual rus, kjo formë e racionalizmit ekstrem e bën atë të mos jetë një filozof i lehtë për t’u ndjekur. Filozofi rus Lev Shestov njihet për faqet mbresëlënëse në “Filozofia e tragjedisë te Niçe dhe Dostojevski”, në “Ideja e të mirës te Tolstoi dhe Niçe” ose “Kierkegaard dhe filozofia ekzistenciale”. Nga libri i parë i autorit ndihet menjëherë theksi që vihet mbi tragjedinë, mbi ekzistencën e secilit individ, si e vetmja mënyrë për të eksploruar për filozofin, por këtu Shestov nuk niset as nga Dostojevski, as nga Tolstoi apo Niçe… por nga ai që e konsideronte atëherë si “profesorin e tij të parë të filozofisë”, Shekspirin.

“Mbarë bota është një teatër, të gjithë, burra e gra, janë aktorë”… – shprehet Shestov. Para së gjithash qasja e tij është, siç thotë ai vetë: “një kërkim i trazuar, i paduruar, i ethshëm”, i denjë për një personazh tragjik që kundërshton leximin racionalist dhe shkencor të Shekspirit, pasi dikush kundërshton domosdoshmërinë e fatit. Shestovit nuk i interesojnë ligjet, nuk është domosdoshmëria e botës së jashtme, por shansi, teatri i botës së brendshme, i cili luhet në botën shpirtërore të secilit. Objekti i filozofisë së tij: Është mirë të ndjekësh fatet e individëve deri në fund, të mësosh të shohësh jetën dhe të mos verbohesh nga mendimi, gjë që lejon vetëm tragjedinë, e cila të mundëson të zbulosh vetëm një Hamlet në gjendje të meditojë, por të paaftë për ta parë jetën ashtu siç është. /Hejza/KultPlus.com

Fituesja e çmimit më të lartë të Japonisë për letërsi, pranon se ka përdorur programin ChatGPT

Rie Kudan fitoi çmimin prestigjioz Akutagawa, dhe menjëherë deklaroi se kishte përdorur programin ChatGPT për të shkruar rreth 5 përqind të romanit fitues.

Nga Jordan Pearson

Rie Kudan, fituesja 33 vjeçare e çmimit më të lartë të Japonisë për letërsinë, rrëfeu të mërkurën se kishte përdorur programin ChatGPT për të shkruar një pjesë të librit.

Kudan fitoi këtë javë çmimin prestigjioz Akutagawa për romanin e saj fantastiko-shkencor me titull “Tokyo-to Dojo-to”, i cili përqendrohet në një kullë të lartë burgu dhe përmban tematika që lidhen me Inteligjencën Artificiale. Juria e quajti romanin e Kudan-it “pothuajse të përsosur”.

Çmimi Akutagawa është më i larti në Japoni për letërsinë dhe u jepet dy herë në vit shkrimtarëve që po dalin në skenë. Ndërsa Naoki, një çmim i ngjashëm, u jepet shkrimtarëve të njohur tashmë. Janë çmime prestigjioze me rëndësi të madhe, dhe fituesit e tyre marrin vëmendje mediatike të jashtëzakonshme.

Në fjalimin e saj, Kudan zbuloi se një pjesë e librit ishte shkruar nga programi ChatGPT. “Ky është një roman i cili është shkruar duke shfrytëzuar plotësisht Inteligjencën Artificiale ChatGPT, dhe rreth 5 përqind e të gjithë tekstit vjen drejtpërdrejt prej tij”, ka thënë Kudan sipas gazetës japoneze The Japan Times. “Më pëlqen të punoj me këto programe në mënyrë që të shpreh kreativitetin tim”.

The Japan Times raportoi të premten se reagimi në rrjete sociale ishte i shpejtë dhe i ashpër, me shumë komentues që shprehnin shqetësim për të ardhmen e letërsisë nëse Inteligjenca Artificiale lejohet në çmimet e larta. Përdorimi i Inteligjencës Artificiale gjenerative në fusha ku kërkohet kreativiteti, është ende diçka kontroverse, pjesërisht sepse sisteme të tilla marrin informacione nga një korpus i madh i veprave të autorëve të tjerë. Sistemet e Inteligjencës Artificiale njihen se ripërpunojnë pa dallim tekstet për të cilat janë trajnuar, duke përfshirë informacionet personale të njerëzve realë, të marra nga interneti.

Disa vëzhgues dalluan në librin e Kudan-it pjesë të cilat supozohet të jenë përgjigje të gjeneruara nga Inteligjenca Artificiale, dhe argumentuan se nëse ChatGPT është përgjegjëse për këto pjesë të librit, do të justifikohej më lehtë. Botuesi i Kudan-it nuk iu përgjigj një kërkese për koment nga gazeta The Japan Times.

The Japan Times
Përktheu David Hudhri/KultPlus.com

Presidenja Osmani pranon telegrame urimi nga liderë të ndryshëm botëror

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pranuar telegrame urimi nga liderë të ndryshëm botëror me rastin e 16 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Për nder të 16 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, krahas letrave të shteteve të QUNIT-it, Shqipërisë dhe Turqisë, tanimë të publikuara, Presidentja e Republikës së Kosovës ka pranuar letra urimi edhe nga:

Presidenti i Austrisë, Alexander Van der Bellen

Guvernatori i Përgjithshëm i Australisë, David Hurley

Mbreti Philippe i Belgjikës

Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev

Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan

Presidenti i Estonisë, Alar Karis

Guvernatorja e Përgjithshme e Kanadasë, Mary Simon

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanović

Mbreti Willem-Alexander i Holandës

Presidentja e Hungarisë, Katalin Novak

Emiri i Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani

Emiri i Kuvajtit, Mishal Al-Ahmad Al-Jaber Al-Sabah

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski

Presidenti i Maldiveve, Mohamed Muizzu

Princi Albert II i Monakos

Mbreti i Arabisë Saudite, Salman of Saudi Arabia

Kapitenët Regjent të San Marinos, Filippo Tamagnini dhe Gaetano Troina

Presidenti i Senegalit, Macky Sall

Presidentja e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar

Presidentja e Zvicrës, Viola Amherd

Sekretarja e Përgjithshme e Org. Ndërkombëtare të Frankofonisë, Louise Mushikiwabo/KultPlus.com

Plani i menaxhimit të Butrintit, Gonxhja: Kryefjalë do të jetë transparenca dhe gjithëpërfshirja

Ministri i Ekonomisë, Inovacionit dhe Kulturës, Blendi Gonxhja deklaroi sot se do të ketë në vëmendje maksimale miradministrimin e procesit sfidues të ndryshimit të modelit të menaxhimit të Parkut Kombëtar të Butrintit.

Në një reagim në rrjetet sociale, Gonxhja theksoi se “në cilësinë e Ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore dhe njëkohësisht si Kryetar i Bordit Drejtues të Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit (për shkak të funksionit), siguroj opinionin publik për angazhimin dhe vëmendjen maksimale për miradministrimin e procesit sfidues të ndryshimit të modelit të menaxhimit të pasurisë kulturore universale të Parkut Kombëtar të Butrintit, në zbatim të plotë të standardeve ndërkombëtare dhe të kuadrit ligjor shqiptar në fuqi”.

“Unë dhe ekipi vlerësojmë gjithashtu rolin e AADF në bashkëpunimin e shkëlqyer për arritjen e parakushteve optimale në mbështetjen e Fondacionit të Menaxhimit të  Butrintit  (BMF) për investimin e çmuar në përthithjen e ekspertizës më të mirë bashkëkohore, teknike e profesionale, të denjë për rëndësinë e pasurisë botërore në fjalë, dhe të domosdoshme për suksesin e kësaj ndërmarrjeje të jashtëzakonshme ku shteti shqiptar është lider, në të mirën e interesit publik dhe ku kryefjala do të jetë transparenca dhe gjithëpërfshirja”, tha Gonxhja.

I ndodhur në jug të vendit, gati 20 kilometra nga qyteti modern i Sarandës dhe me pamje drejt Kanalit të Korfuzit, Butrinti është siti më i rëndësishëm arkeologjik dhe atraksioni më i njohur kulturor i Shqipërisë.

Në korrik të vitit 2020, qeveria shqiptare miratoi një plan menaxhimi të integruar për të mbrojtur zonën dhe për të promovuar turizmin e qëndrueshëm me bazë komuniteti dhe të ndjeshëm ndaj mjedisit. Plani çoi në krijimin e një organi të ri autonom për mbikëqyrjen e zonës, Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit, i drejtuar nga Ministria e Kulturës e kohës./atsh/KultPlus.com

551 vjet më parë lindi Nikolla Koperniku, një nga astronomët më të shquar evropianë

Nikolaus Kopernikus (Koperniku), polonisht: Mikołaj Kopernik (lindi me 19 shkurt 1473 ne Thorn (sqt.: Torn) Poloni dhe vdiq me 24 maj 1543 në Frauenburg) u bë njëri nga astronomët më të shquar evropianë me teorinë e tij të lëvizjës së planetëve nëpër orbita rreth diellit. Me zbulimet e tij ai krijoi një botëkuptim të ri pas mesjetar. Përveç kësaj ai ishte astrolog, astronom, jurist, fizikant, diplomat, ekonomist matematikan, mjek, qeveritar dhe ushtarak.

Kombësia e Kopernikut që nga shekulli i 19 u bë shkak për shumë kundërshtime të ashpra. Një gje por është e qartë se ai ishte ose polak, ose gjerman. Kjo gjë pasqyrohet në emrin e tij. Në gjermanisht ai quhet përgjithsisht Nikolaus Kopernikus, për shkak të versionit të latinizuar Copernicus nga mbiemri Koppernigk. Polonisht ai quhet Mikołaj Kopernik. Koperniku ishte biri i një gruaje gjermane, kombësia e të atit është e paqartë. Qyteti i tij i lindjes Torn pak kohë pas lindjes së tij kaloi nën sundimin e mbretit polak, kështu që ai formalisht njihet si polak.

Jeta

Koperniku, biri i një tregtari, lindi më 1473 në Poloni në qytetin Torni. Në Krakov dhe shumë universitete ai studioi matematikën, astronominë, teologjinë, drejtësinë dhe mjekësinë. Që nga viti 1512 derisa vdiq, më 1543, jetoi në Frauenburg, një qytet i vogëlth në Prusinë Lindore, ku u emërua kanonik në katedrale. Koperniku në fakt është specialist i së drejtës kanunore, disiplinë në të cilën arriti gradën doktor. Puna si kanonik në katedrale i plotësonte nevojat ekonomike, kështu që mund t’u kushtohej hulumtimeve shkencore të trupave qiellorë. Astronomia ishte disiplina e preferuar e tij. Pozicioni gjeografik i Frauenburgut, që ndodhej në bregdet, e favorizonte punën ajgëtuese të tij. Kopereniku e vendosi observatorin dhe vendbanimin në një nga kullat mbrojtëse të bregut. Instrumentat e tij ishin shumë të thjeshtë, por më i madhi i vazhduesve të veprës së tij, Tiho Brahe, ishte më i lumturi i njerëzve kur i ofruan një të tillë.

Koperniku ishte më shumë teoricien se vrojtues. Ndihmesa e tij në astronomi, që është një ndihmesë mjaft e madhe, qëndron në një teori:në kundërshtim me idetë e pranuara deri atëherë, nuk është kupa qiellore që bën një rrotullim të përditshëm përreth tokës, por është toka që rrotullohet rreth boshtit të saj imagjinar, dhe përshkon në të njëjtën kohë një rrotullim rreth diellit. Koperniku arriti në këtë përfundim pasi studioi astronomët grekë e arabë, por edhe nga vrojtimet vetjake. Toka nuk është qendra e universit, por një nga planetet që rrotullohen rreth diellit. Kjo frazë e thjeshtë e thjeshtë është parimi themelor i “pikëpamjes kopernikiane për një nga miliona trupat e tjerë qiellorë. Koperniku në përfundimet e tij arriti pas shumë fakteve shkencore, por do të duhej të vinte gjysma e shekullit XIX për ta provuar atë përfundimisht.

Sot ende, anipse Koperniku vërtetoi që kjo nuk ishte e vërtetë, ne themi “ngritja”, apo “ulja” e diellit në fillim dhe në fund të ditës.

Zigmund Frojd, në një nga veprat e tij, thotë se gjatë rrjedhës së kohëve, shkenca i ka dhënë dy goditje krusmuese mendimit naiv që njeriu kishte për vlerat e tij: herën e parë, kur Koperniku nuk e pranoi tokën si qendrën e universit dhe e dyta kur Darvini provoi t’i heqë njeriut pozicionin e privilegjuar që besonte se zinte përballë botës së kafshëve. Përpara Kopernikut mendohej se dielli dhe yjet iahin krijuar në funksion të tokës dhe toka në funksion të njeriut. Kur ai shpalli se universi nuk rrotullohej rreth planetit tonë, vetëdija njerëzore pësoi një trandje shungulluese. Koperniku pati një ndikim aq revolucionar në botëkuptimin që njerëzit kishin për botën, sa vetëm bashkëkohësi i tij, Kristofor Kolombi, mund të mendohej se kishte arritur një lavdi të atillë. /KultPlus.com

Vasillaq Vangjeli, aktori unik i skenës shqiptare të humorit

Nga Albert Vataj

Tradita shqiptare e artit komik është padyshim një nga thesaret e kulturës sonë kombëtare. Rrugëtimi i kahershëm i kësaj marrëdhënie vlerash dhe përfaqësimi është gjithçkaja dëshiruese e shumë personaliteteve të shquara, ndër të cilët rrekemi të veçojmë Vasillaq Vangjelin. Më shumë se një vlerësim për punën dhe kontributin që ai ka dhënë në pasurimin e kësaj tradite, kjo ndërmendje është shkas përshpirtje në përvjetorin e vdekjes. Vasillaq Vangjeli ishte dhe mbeti, për tu përjetësuar në panteonin e vlerave të artit skenik shqiptar një zë dhe një karakteristikë, një profil dhe një tipar, unik. Kjo është thelbësore në art, këtë e jetësoi ai në skenë.

Vasillaq Vangjeli njihet kryesisht si aktor komik. Ai i lindur në 19 shkurt 1948 dhe u shua më 26 shtator 2011, ende pa mbushur 64 vjeç pas një bashkëjetese dhe lufte të gjatë me diabeti. Për më shumë se 45 vjet në skenë, Vangjeli ka luajtur mbi 100 role në teatër, kinematografi dhe estradë.

Në vitin e tretë të Mjekësisë, Vasillaq Vangjeli e braktis shkollën për të hyrë në Institutin e Lartë të Arteve (vitet 1973-1975). Pas përfundimit të tij e çuan për të bërë stazhin në teatër. Nga Teatri Popullor e kaluan në Estradën e Shtetit si aktor i humorit dhe që nga viti 1976 deri më 1 prill 2005 ka qenë aktor dhe regjisor në estradë dhe aktor i Estradës së Tiranës. Në këto kushte aktivizohej që atëherë në Estradën e Shtetit, që nga viti 1967-1968 kur ka qenë regjisor Bujar Kapexhiu.

Për rreth 45 vjet në skenë, me intuitë të hollë e spontanitet të admirueshëm Vangjeli ka bërë për vete me qindra-mijëra spektatorë duke u kthyer kështu në një ndër artistët më të dashur për ta e sidomos në fushën e humorit e të skenës. Ka qenë ndër artistët më të rëndësishëm të Estradës së Tiranës duke luajtur pothuaj në të gjitha premierat. Është një aktor me diapazon të gjerë, vokal, vesh absolute, humorist, recitues. Aktor tragjik-komik me cilësi të mëdha artistike, intuitë e depërtues i thellë në tipa e karaktere, këto janë disa nga cilësitë e Vasillaqit, i cili me mjeshtëri e finesë di ti verë në shërbim të asaj çfarë ai bën. Humorin nuk ta jep shkolla. Ajo vetëm të zhvillon, të drejton nëpërmjet dhuntive të lindura. E kështu ndodh edhe me Vasillaqin.

Humori është i lindur që me lindjen e tij. Në rininë e hershme, sapo kishte mbaruar Akademinë e Arteve për aktrim, i filluan peripecitë e punës apo të emërimit ku do të punonte. Djalë i formuar e plot dëshirë. Kërkonte me çdo kusht të fillonte aktrimin në Teatrin Kombëtar, aq më tepër i dhanë edhe një rol tek drama “Lëvizja” me regji të Pirro Manit, rol që e realizoi me sukses. Por megjithatë, mendimi i partisë ishte që ai të shkonte në Estradën e Tiranës ku edhe e emëruan. Urdhëri ishte urdhër pavarësisht kërkesave e letrave të artistëve të teatrit të cilët kërkonin ta mbanin në kolektivin e tyre. E Vasillaqi nuk donte të shkonte, por pa punë nuk rrihej. Frikë kishte se mos e degdisnin në ndonjë vatër kulturore të humbur, si hakmarrje për moszbatim urdhri. E kështu përfundoi aktor në teatrin e Estradës së Tiranës deri në fundin e merituar të kësaj të fundit.

Estrada nuk e deshi në fillim, punonte pa dëshirë, pa vëmendje. Bënte mungesa në punë, role pa cilësi. Por është po ky artist që u lidh aq shumë me estradën, me humorin, instrumentet, paroditë sa nuk shpjegohet dot më. Më pas Estrada u bë vendi ku shpërfaqi me të gjitha energjitë krijuese talentin dhe vlerat etike, u bë vendi ku realizoi ëndrrën aktoreske. Vlerat i maten me rolet e interpretuara, e nuk janë pak. Të freskët e cilësor e plot shaka. I kalojnë të 100 role të krijuara në estradë, teatër, kinematografi, etj. Të gjithë i kujtojnë : dhëndrin Koçi tek “Zonja nga qyteti”, “Një gjel në qymez”, “Një mburravec që ka frikë nga pëllitja e lopës”, “Dordoleci”, “Donkishoti”, ose rolin e Lolos, një lolo tragjik-komik me nuanca tepër fine të interpretimit.

Të shumtë janë rolet në Estradë si : tek komedia e Vodvil “Mirelo”, Xhixh, “Pa martuar 50-vjeçar” apo të kujtojmë skeçet e paroditë. Tani është i angazhuar me një rol në komedinë “HARVEY”. Komedi e bukur, rol i bukur. Regjia është e Hervin Çulit. Më pas ka regjinë e një varjetee, a një tjetër ftesë në Teatrin Kombëtar, e pastaj një tjetër ftesë…Vaso tani nuk punon më si aktor profesionist pranë ndonjë institucioni.

Ai doli në asistencë si e gjithë trupa e Estradës së Tiranës. Shtëpinë e tij e kishte kthyer në lokal ku argëtonte të tjerët, por argëtohej edhe vetë. I shkonin vazhdimisht miq e shokë, kolegë. Edhe aty humorin nuk e linte, me barcaleta, ngjarje të vërteta e të sajuara. “Pjesë e profesionit”- thoshte.

Elegji për Luigj Gurakuqin

Poezi nga Fan Noli

(Elegji për Luigj Gurakuqin)

Nëno moj, mbaj zi për vllanë,
Me tre plumba na i ranë,
Na e vran’ e na e shanë,
Na i thanë trathëtor.

Se të deshte dhe s’të deshnin,
Se të qante kur të qeshnin,
Se të veshte kur të çveshnin,
Nëno moj, të ra dëshmor.

Nëno moj, vajto, merr malin,
Larot t’a përmbysnë djalin
Që me Ismail Qemalin
Ngriti flamur trimëror.

Nëno moj, m’a qaj në Vlorë
Ku të dha liri, kurorë,
Shpirt i bardhë si dëborë;
Ti s’i dhe as varr për hor.

Nëno moj, ç’është përpjekur
Gojë-mjalt’ e zëmër-hekur,
Syrgjyn-gjall’ e syrgjyn-vdekur,
Ky Vigan Liberator. / KultPlus.com

Faqe e re e historisë për operën në Kosovë

Nga Syzana Jakupi

Dt.15. 02.2024 , kohë e bukur me diell. Kisha dalur nga një provë koncertale me kolegen time, dhe pas provës në ASHAK shoh orën e cila përputhej tamam sa të kthej për provat e trupës e cila po punon për premierën e operës “Goca e Kaçanikut” e kompozitorit Rauf Dhomi.

Lehtësisht dhe me hap të përshpejtuar arrij pak minuta para fillimit të provës. Sapo ngjisja shkallëve dhe në platonë për të arritur tek salla e kuqe e pallatit të rinisë, takoj të rinjë e të reja, që sikur unë ishin duke ardhur e endur andej këtej qoftë të përgatiteshin për pjesët që do kishin të luanin në operë por edhe të tillë që kishin rastisur dhe ishin grumbulluar për kuriozitet, ( këtë e kuptova nga bisedat që disa nga ata bënin, dhe ty të zë veshi padashje diçka nga ato derisa je në nxitim e sipër ). Sa me nxitim të hapit poaq me nxitim bëj disa shkrepje fotosh të tyre sa për kujtim që kur të ndalem pas shumë kohësh të përjetoj po atë ndjenjë kënaqësie që më kaploi në ato momente. Disa prej tyre më përshëndesnin sepse sigurisht më kanë njohur nga më parë kur punoja në shkollën e muzikës në Prishtinë e disa të tjerë ashtu të mbledhur, vëreja se më shikonin sikur me një “kritikë të vockël“ por në momentin që ju buzëqesh dhe përshëndetem edhe pa u njohur fare sikur e merrja aprovimin e tyre për këtë veprim timin.

Në hollin tek salla e kuqe takoj të tjerë njerëz. Për ata nuk them se ishin të rastësishëm. Nga veprimet e tyre shoh se ishte pjesa që merrej me çështjet teknike. Disa mbanin kabllot, disa të tjerë refelektorët, çanta me vegla pune, por edhe të tjera që unë nuk i kuptova, e thënë të drejtën dhe as nuk i dhashë fort rëndësi sepse kisha shkuar vetëm për provat e artistëve.

Sapo hap dyert e sallës me një kujdes maksimal që të mos pengoja me ndonjë krisje të dyerve apo edhe të takave të mia, nga larg shoh Besiana Ahmedi me fytyrën e saj engjëllore që më përshëndet me dorën lart sikur do te me thoshte , hej jam këtu, dhe morri me vrap drejtimin për tek unë sa për tu takuar me shtrëngim duarsh sepse edhe ajo shfrytëzoi kohën sepse provat nuk kishin arritur ende deri tek roli i saj “PLAKA“, dhe ne kishim kohë pa u parë. Aty njëkohësisht takoj vajzën e embël Elikona Hysaj e cila ishte pjesë e trupës dhe kishte rolin e dirigjentes së korit dhe e di se puna dhe energjia e saj pozitive janë të pashoqe. Më tutje pianisti ( koorepetitor) Melos Buza kishte futur kokën në partiturat dhe po verifikonte gjërat që duheshin patur kujdes. Dirigjenti, maestro Edon Ramadani poashtu i cili megjithëse vëmendjen e kishte tek realizimi i partiturës, në shenjë respekti më afrohet për një takim të shkurtër. Si kolegë që ishim nga koha kur punonim tek i njejti institucion dhe poashtu kishim kujtime të bukura nga puna e përbashkët e koncertit të diplomës me orkestër i një ish- nxënëses sime.

Në pjesën pak më lart me etazhitet qëndronte i madhi regjisori Nikolin Gurakuqi të cilin nuk e kam takuar më herët e në shenjë respekti për punën e tij nuk u afrova edhe pse e dëshiroja këtë, thjesht nuk doja ta pengoja punën e askujt aty e aq më pak të regjisorit për të cilin kam përshtypjen se regjistronte çdo lëvizje të çdo personi që gjendej aty qoftë si pjesë e trupës qoftë si person nga jashtë siç isha edhe unë në këtë rast. Njeri me tipare të një profesionisti të vërtetë, ekspeditiv, i lehtë në komunikim me akterët e trupës dhe shumë i qartë në kërkesat e tij prej regjisori. Ah dhe ja, po më në fund …takohem edhe me primadonën, Adelina Paloja që si për shaka por gjithsesi me kënaqësi këtë kohë sa po përgatitet opera nuk e thërrasim ndryshe të gjithë ne që e njohim pos “Pafikë“ ose “Gocë e Kaçanikut“ sipas rolit që ka në operë, të cilët emra ajo i ka pranuar me kënaqësi dhe dy emrat i bart me krenari. Padyshim aty është edhe Meriton Ferizi si drejtor i filharmonisë së Kosovës dhe të gjithë anëtarët e tjerë që kanë rol, e poashtu edhe personazhi i “Trimorit” (Ismet Vejseli ), cili poashtu ishte mishëruar me rolin e tij dhe dinte rëndësinë dhe peshën e vetë rolit. Me pak fjalë në ato pak momente gjatë ecurisë së provës u la për tu kuptuar se e gjithë trupa tani më ishte mishëruar me rolet dhe raportet e tyre mes njëri tjetrit për më tepër aty çdonjëri ndjehej krenar për faktin se ky realizim është momenti historik në shtetin e ri të Kosovës dhe ky fakt e bën atë me shtyllën pothuajse më të rëndësishme të shtetit duke kujtuar se opera në fjalë i përkon operës nacionale të cilën shume shtete as që e kanë. Për ata që nuk e njohin operën si formë “ Opera është pjesë e traditës së muzikës dhe si formë është paraqitur nga fund i shek. XVI në Itali (vepra e humbur e Jacopo Perie ‘s “ Dafne”, Firence më 1598), për tu përhapur shumë shpejtë në pjesën tjetër të Evropës: Schütz në Gjermani, Lully në Francë, dhe Purcell në Angli. Figura me e njohur e fundit të shekullit të 18 në opera është Mozart, i cili filloi me opera seria por është më e njohur , opera komike italiane, si Dasma e Figaros (Le Nozze Di Figaro) , Don Gjovani, dhe Così fan tutte, si dhe Flauta Magjike (Die Zauberflöte), si një pikë referimi në traditën Gjermane.

“Shek. XIX i romantizmit muzikor solli shumë emra të shquar kompozitorësh sidomos ata që lëvruan Operën ku do të veçonim Xhuzepe Verdin (1813-1901), kompozitor italian që pati një veprimtari të gjerë e të pasur. Veprat operistike të Verdit janë ndër më populloret e kohës, mbasi ato muzikalisht flasin me gjuhën e popullit. Verdi në opera përdori korin si vetëveprues, duke i dhënë një rol dominant në vepër. Ne krijimtarine e tij operistike dhe vokale, Verdi i bëri elementë shprehës këngët popullore, të cilat i dhanë vulën kombëtare veprës së tij. Si shembull mund të përmendim: “Korin e skllevërve” nga opera “Nabuko” ose koralet nga opera “Lombardët” , “Trovatore”, “Aida”etj… Shumë nga koralet e operave të Verdit u bënë hymne që inspiruan lëvizjet popullore të kohës për liri, pavarësi e përparim shoqëror” . ( Shkëputur nga punimi doktoral Suzana Turku ). Në këndvështrimin historik kombëtar shqiptar shënojmë dy emra kompozitorësh për realizimin e operës nacionale ai i kompozitorit Prenk Jakova (1917—1969) i cili realizoi operën e parë të quajtur MRIKA , me libret të shkrimtarit Llazar Siliqi e cila për herë të parë u shfaq në teatrin “ Migjeni “ të qytetit të Shkodrës më 1.12.1958 megjithëse thuhet se puna për këtë operë kishte filluar më herët , aty nga viti 1956. Është operë në katër akte dhe e vënë në skenë nga regjisori Andrea Skanjeti , mbi bazën e veprës “Dritë mbi Shqipëri”. Kompozitori i kishte menduar mirë personazhet dhe karakteret e poashtu atë e pasuroi edhe me këngë, valle, pjesë korale, arie etj. duke e bërë atë një operë kombëtare. Afërsisht 14 vite më vonë, në Kosovë kompozitori Rauf Dhomi kompozon operën e parë shqipe në Kosovë “ Goca e Kaçanikut “1970-72 , në dy akte dhe tri tablo me libret të Ajmone Dhomit dhe Jusuf Buxhovit, bazuar në novelën e Sotir Gurrës , e që njihet si opera e parë shqipe në Kosovë , e më pas edhe operan “Dasma Arbëreshe” 1982-83 në tri akte. Duke qenë i vetëdijshëm për rëndësinë e pasjes së operës si formë përfaqësimi të identitetit kombëtar e shtetëror , këtë fakt nuk e lë anash dhe të pavërejtur . Në qendër të subjektit është lufta e shqiptarëve kundër pushtuesve osmanë që gjatë kohës së rilindjes kombëtare ishte në rënie e sipër dhe në prag të shpalljes së pavarësisë.. Ngjarjet janë vendosur në zonën e Kaçanikut ku rezistenca e popullit shqiptar kundër xhonturqve ishte e madhe duke qenë të vetëdijshëm për përpjekjet e mashtrimeve me anë fermanësh kinse do t’ ju siguronin atyre lirinë e pavarësinë por përpjekjet e tyre do të mbeteshin të kota pasi populli ishte i bindur se liria e tyre do të vinte vetëm përmes grykës së pushkës . Kjo ështe Opera e parë që ndërroi historinë e shtetit dhe Rauf Dhomi ishte pikërisht ai ideologu dhe themeluesi i saj i parë i cili kompletoi edhe shtyllën e fundit shtetërore që deri atëherë i mungonte Kosovës . Duke ditur rrethanat historike të Kosovës në ato vite, lehtë mund të konkludohet arsyeja e mosvënies në skenë apo e realizimit të saj më herët prandaj fillimisht kjo operë u realizua si formë koncertale në qershor të vitit 1978 me rastin e 100 vjetorit të lidhjes së Prizrenit , me dirigjent Mark Kaçinari. Mysafir të pranishëm ishin edhe historianët nga Shqipëria Arben Puto dhe Zija Gjoli të cilët me insistimin e tyre u bë transferimi i partiturës së operës në Shqipëri me qëllim vënien në skenë të saj në TKOB.

Ky projekt edhe u realizua në qershor të vitit 1979 duke mbetur në repertoarin e tyre deri në vitin 2002 . Opera në Shqipëri u dirigjua nga Rifat Teqja “ Artist i Popullit” në regji të Kadri Metohu , mjeshtre kori Rozmari Jorganxhi “Artiste e merituar” e piktor Hysen Devollin “Piktor i merituar”.

Pas betejës së fundit 1999/2000 nga e cila Kosova doli e pavarur dhe shtet, rrethanat kanë ndryshuar për të mirë megjithëse me sfida por që vullneti i komunitetit artistik dhe i institucioneve shtetërore nuk munguan.

Më dt. 01.03. 2003, R. Dhomi themeloi trupën e Operës së Kosovës , dhe më 1.01.2004 themeloi Konservatorin Artistik pranë këtij institucioni.

Opera e Kosovës është themeluar nga Kuvendi i Kosovës më 2 gusht 2021, sipas ligjit të miratuar me 2006.

Fjala e kryeministrit Albin Kurti drejtuar Kuvendit të Kosovës me rastin e themelimit të institucionit të operës ( citate )

“Të nderuar deputetë të Kuvendit të Kosovës,

E nderuara nënkryetare,

Qysh nga vitet ´50 të shekullit të kaluar, në Kosovë janë performuar ngjarje të natyrës operistike, janë shfaqur opera e janë luajtur pjesë orkestrale e simfonike, të autorëve vendorë e të huaj. Kjo veprimtari ka ardhur duke u rritur, me zhvillimin dhe përhapjen e arsimit muzikor në Kosovë, e sot kemi këngëtarë e instrumentistë nga Kosova të cilët shfaqen në skenat më të rëndësishme operistike e filarmonike botërore. Me këta muzikantë ne krenohemi sa herë që fitojnë çmime, por fatkeqësisht në Kosovë deri më sot nuk e kemi patur një vend të përshtatshëm e dinjitoz për t´i dëgjuar ata.

Tash, më në fund ka ardhur koha që ne në Kosovë ta themelojmë Operën e Kosovës, si një Institucion Publik i cili gjatë vitit të ardhshëm, pra 2022, do të hapë dyert e do të jetë funksional, në shërbim të vetë komunitetit të muzikantëve, instrumentistëve e këngëtarëve solistë e koralë, por edhe për kënaqësinë e artdashësve të Filarmonisë, Operas dhe Baletit.

Duke themeluar Operën e Kosovës, ne çojmë përpara programin tonë qeverisës, duke përkrahur artin, artistët dhe artdashësit, e duke zhvilluar infrastrukturën e nevojshme e cila po kërkohet me ngulm tash e sa vjet dhe është premtuar shumë herë nga qeveritë e mëparshme, por që megjithatë nuk kanë arritur ta realizojnë premtimin.

Nëse formimi e edukimi estetik i lihet tregut, atëherë dita ditës do të përballemi me një degjenerim të shijeve e të formave. Kuptohet, ne nuk mund të ndërhyjmë aty duke ndaluar apo censuruar forma të caktuara, por mbi të gjitha duke krijuar mundësinë që të përjetohen edhe arte të tilla, siç është Opera. Pra, të nderuar deputetë, me kënaqësinë më të madhe, duke qenë edhe vetë një artdashës, e përgëzoj komunitetin e artistëve, sepse tash e tutje, në Kosovë e kemi themeluar institucionin e Operas, dhe po e funksionalizojmë atë.

Përmes artit Kosova i ka çelur dyert e botës, e tash ka ardhur koha t´i çelim ato dyer edhe këtu, në vendin tonë. Faleminderit “!

Koncerti inaugurues më 31.10.2021 ishte organizim i Operës së Kosovës në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës dhe Baletin Kombëtar të Kosovës, në patronatin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Republikës së Kosovës me program nga uvertyrat operistike botërore e krahas tyre edhe me uvertyrat operistike shqiptare „Goca e Kaçanikut“, „ Dasma arbëreshe“ të Rauf Dhomit dhe “Mrika“ e Prenk Jakovës.

Më.dt 23 dhe 25 për nder të 16 vjetorit të pavarësisë së Kosovës “Goca e Kaçanikut” e kompozitorit Rauf Dhomi do të shënojë premierën botërore në Kosovë., prandaj shumë nga komuniteti artistik e poashtu edhe nga vetë regjisori Nikolin Gurakuqi këtë fakt e konsideron si rikthim historik pas 53 vitesh dhe tepër emocionues , ndërsa tenori Hektor Leka ( PLAKU) sipas rolit në operë shprehet “Është hera e parë që në Kosovë vihet në skenë një opera e një kompozitori kosovar me një trup e gjitha shqiptare. Mua më emocionon sepse është hera e parë që shqiptarët flasin në shqip. Gjendemi jashtë mase mirë dhe është një entuziazëm që preket me dorë “

Me këtë rast mund të them se hapur se muaji shkurt në Kosovë e besoj edhe në Shqipëri dhe trevat ku flitet shqip , është nën petkun e festës së 16 vjetorit të pavarësisë por edhe të festës së momentit të rikthimit historik të operës shqiptare në Kosovë.

Autorja e këtij shkrimi është Syzana Jakupi , prof e rregullt në fakultetin e arteve të Universitetit Haxhi Zeka – Pejë. / KultPlus.com

Pesë finalistët e ‘Çmimit Kadare 2024’, më 25 shkurt zgjedhet fituesi i edicionit të 10-të

Juria e Çmimit Kadare u mblodh këtë të premte për të përzgjedhur pesë autorët finalistë. Emra të spikatur me krijimtarinë e tyre përballen për çmimin më prestigjoz që jepet sot në letërsinë shqipe. Fundjavën e ardhshme do të shpallet në Llogara autori fitues.

Tregime dhe romane nga autorë të njohur për publikun dhe emra të rinj që kanë debutuar me sukses rrugëtimin e tyre në letërsinë shqiptare. Antonio Çikollari, Dionis Prifti, Granit Zela, Grigor Jovani dhe Luljeta Dano janë pesë autorët që shkojnë në finalen e Çmimit Kadare. Siç është krijuar tradita, emri i fituesit do të bëhet i ditur në Llogara fundjavën e fundit të shkurtit, e në muajt e ardhshëm do të zhvillohet promovimi i librit të ri.

Mbështetur në misionin e krijimit të këtij çmimi 10 vjet më parë, juria e këtij edicioni ndoqi të njëjtat kritere vlerësimi, për të mbështetur autorët e rinj, që shkruajnë shqip dhe sjellin një vlerë të re në letërsinë tonë.

Nën drejtimin e tregimtarit dhe përkthyesit Nasi Lera, juria e përbërë nga shkrimtari Gazmend Krasniqi, studiuesi Ermir Nika, dramaturgu Armand Bora dhe përkthyesja e gazetarja Suadela Balliu, juria ka lexuar, vlerësuar e përzgjedhur hap pas hapi të gjitha dorëshkrimet e ardhura në adresën online të Çmimit Kadare, përgjatë një muaji, 15 dhjetor- 15 janar. Në fund të muajit të kaluar u nxorën 10 dorëshkrimet më të mira, nga 32 të tilla. Duke kaluar nën syrin e kujdesshëm e profesional të secilit prej anëtarëve, ata kanë përzgjedhur 5 vepra për t’i çuar në finale, duke specifikuar çdo element apo vlerë që mbart secila prej tyre.

Sipas autorit Nasi Lera, pavarësisht se kush do të shpallet fitues, Çmimi Kadare do të mbetet për autorin si një pikë referimi dhe realizim i një ëndrre.

Çmimi Kadare jepet për prozën më të mirë shqipe, pa pasur kufizime gjeografike, moshe, eksperience apo gjinie. Gjithmonë ka qenë i hapur për të gjithë, emra të njohur e të panjohur dhe fituesit kanë qenë nga Shqipëria e diaspora.

Dy vitet e fundit trofeu është rrëmbyer nga autoret gra, Vera Bekteshi me romanin “Pusulla të Verdha” dhe Nurie Emrullai me “Duhet të jetë dashuri”. Më herët këtë çmim e kanë marrë Gani Mehmetaj, Loer Kume, Virgjil Muçi, Musa Ramadani, Shkëlqim Muçi dhe Rudolf Marku.

I gjithë projekti çmimit Kadare kap shifrën e 10 mijë eurove, ku krahas vlerësimit monetar për fituesin, Instituti Liberal Pashko dhe shtëpia botuese UET PRESS botojnë dorëshkrimin fitues dhe e përcjellin tek audiencat dhe lexuesit përmes tureve promovuese, bisedave të hapura, panaireve të librave, kronikave në medie,  etj.

Veprat konkurruese

1. Antonio Çikollari- “Tregime” (Tregime)

2. Dionis Prifti- “Dy javë nën balonë” (Roman)

3. Granit Zela- “Përmbytja” (Roman)

4. Grigor Jovani- “Klinika” (Tregime)

5. Luljeta Dano- “Njohja” (Roman)

Bio e shkurtër e pesë finalistëve

Antonio Çikollari

Diplomuar në master shkencor për Teori dhe kritikë letrare në Universitetin e Tiranës, Antonio Çikollari është punonjës në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë dhe pedagog i jashtëm në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë. Ka sjellë në shqip disa autorë të njohur.

Ka përkthyer romanin “Katër librat” të Yan Lianke, “Gjinj dhe vezë” të autores japoneze Mieko Kawakami, tregimet me titull “Gungaçi” të Roberto Arlt. Po ashtu ka përkthyer dy librat e novelistit dhe poetit spanjoll Migel de Unamuno, “Abel Sançez, një histori pasioni” dhe “Tre romane shembullorë dhe një prolog”. Është lëvrues i tregimeve dhe mjaft prezent me recenca në periodikët letrarë.

Dionis Prifi

I diplomuar në Informatikë Ekonomike, i punësuar si Programues Softueri, Dionis Prifti është një i ri i pasionuar pas artit dhe letërsisë. Eksperimenton me artin në përgjithësi dhe me stilin e të shkruarit në veçanti, duke bërë shpesh pjesë të tregimeve elementë te reales dhe surreales. Në 2021 fitoi “Fondin për mbështetjen e krijimtarisë letrare për të rinj” nga QKLL duke botuar kështu librin e parë me tregime “Bar Sahara”.

Ka qenë fitues në konkurse të ndryshme kombëtare, siç ishte Festivali Letrar për të Rinj, Edicioni i Katërt, në vitin 2018. Në vitin 2013 mori çmimin e parë për tregime të shkurtra në Festivalin Ndërkombëtar Prokult, Podujevë, Kosovë.

Gjatë fëmijërisë ka qenë aktor në dy filma me metrazh të gjatë dhe ka luajtur pjesë të tjera teatrore. Skenari i shkruar prej tij në vitin 2014, u përzgjodh dhe u kthye në një film të shkurtër në Sarajevë, Bosnje-Hercegovinë, organizuar nga shkollat e artit në Ballkan dhe Programi Tempus i Bashkimit Europian.

Granit Zela

Është poet, shkrimtar, eseist dhe përkthyes. Ka lindur më 1979 në Bushat të Kukësit. Është diplomuar për studime britanike dhe amerikane, si dhe për gjuhë e letërsi shqipe. Studimet e doktoraturës i ka finalizuar me një studim mbi poetikën e postmodernizmit në veprën e shkrimtarit amerikan Donald Barthelme.

Ka punuar si pedagog i gjuhës angleze në Tiranë gjatë viteve 2001-2018, në Akademinë e Mbrojtjes dhe më pas si asistent profesor i gjuhës angleze në Departamentin e Arteve Liberale, Universiteti Amerikan i Lindjes së Mesme në Kuvajt, deri në 2021.

Ka një fond të pasur botimesh dhe përkthimesh. Është autor i vëllimit me poezi “Apokalips” (2001), “Në studion time hermetike” (2003), “Fjala altar” (2011), librit me tregime “Vdekje me dëshirë”, (2002), romanit “Dodona” (2006). Ka botuar dy libra me ese, “Shkronjat e errësirës (2008), “Psherëtimë për banalitetin (2011), si dhe studimin “Politika e jashtme amerikane pas Luftës së Ftohtë: 1990-2009”, (2013). Libri me tregime “Secili shkruan tregimin e vet” (2021) është botimi i tij më i fundit.

Është përkthyes i mbi 25 librave në gjuhën shqipe, ndër të cilët romanet e William Faulkner-it, “Dritë e gushtit”, (2017), “Duke dhënë shpirt”, (2019), të romaneve të John Updike “Lepur, vrapo”, (2020), “Lepuri kthehet”, (2021),  “Lepuri është i pasur” (2022), si dhe i autorit Morgan Housel  me “Psikologjia e Parasë”.

Grigor Jovani

Shkrimtar dhe gazetar i njohur. Ka lindur në Jorgucat të Gjirokastrës më 1959 dhe është rritur nëLaç. Studimet i ka mbaruar në Universitetin e Tiranës për Filologji. Pas dy viteve punë si mësues letërsie në Mirditë dhe Krujë, është specializuar dhe ka punuar si gazetar.

Në 1991 emigroi drejt Athinës me familjen ku është marrë me shtypin e emigracionit. Ka qenë në kohë të ndryshme kryeredaktor në gazetat “Zëri i emigrantit”, “Rilindja XXI”, “Tribuna”, në revistën “Pelegrini” dhe drejtor i gazetës “Albaneës” dhe më pas mori drejtimin e revistës letrare dhe artistike “Pegasi”.

Shkruan poezi dhe prozë, si edhe përkthen letërsi të huaj në shqip. Ka botuar vëllimet me poezi “Botë pa dashuri” (1977), “Punishtja e ëndrrave” (2004), “Udhëtoj brenda vetes” (2008), “Blu e thellë” (2012), “Vreshtat e Dionisit” (2015). Bashkëpunon me median shqiptare dhe greke, si edhe me shtypin shqiptar të diasporës.

Luljeta Dano

Shkrimtare, koleksioniste dhe Drejtore e Qendrës Antropologjike “Xhubleta”. Luljeta Dano është e njohur për publikun shqiptar si kontribuese në kulturë me përfshirjen e saj në futjen e Xhubletës në UNESCO. Është botuese e disa veprave letrare që zënë fill pas viteve ’90.

Autore e librave me poezi “Lodër e dashurisë” (1990), “Zoti Do dhe zonja Re”(2000), “Moti” (2000), “Nusja e kthyer” (2000), “Sipas flokëve të plakave. Muzikë në makinë”(1994), libër me poezi që përfshin disa tregime, si dhe “Xhindet në kodrën e Jakovit” (2000), libër me tregime. Në 2007 ka sjellë “Perëndesha Athina dhe simbole të tjera kozmogonike”, duke mos u ndarë nga pasioni i hershëm poezia, me përmbledhjen poetike “Nëntë Trojat”, i cili fitoi çmimin letrar “Lasgush Poradeci”.

Ka eksploruar gjininë romanit me veprën “Casa-Casino” në 2016, si dhe ka botuar për fëmijë librin “Në shpellën e Kreshnikëve”. Në 2021 botoi një hulumtim me titull “Gjuha e Simboleve te Xhubleta”./Liberale.al /KultPlus.com

Rihanna pritet të vijë me një album të ri

ASAP Rocky u fut në qoshe, teksa hyri në një ambient performimi dhe u pyet për albumit e ardhshëm të Rihannas.

Reperi i “Am I Dreaming”, 35 vjeç, ishte i veshur me një pallto të gjatë me dy krahë me pantallona fustanesh dhe një këmishë dhe kravatë poshtë, ndërsa u ndalua nga një fans për një ‘selfie’.

Pikërisht atëherë dikush në turmën e mbledhur pyeti për albumin e radhës të këngëtares së “Pon de Replay”, 35 vjeç, i cili po përmendet si #R9 në shenjë se është albumi i saj i nëntë në studio, shkruan DailyMail.

Rocky, i cili e nxori Rihannën për darkën e Ditës së Shën Valentinit në Paris, ishte i shkujdesur në përgjigjen e tij, thjesht duke u tallur: “Ajo po punon për të” ndërsa ai hyri në ndërtesë duke treguar shenjën e paqes ndaj fansave ndërsa ishte i rrethuar nga truproja.

Kanë kaluar tetë vjet që kur krijuesja e hitit “Umbrella” publikoi një album, i fundit i saj ishte “Anti” i 2016-ës.

Rihanna ka qenë e zënë gjatë viteve që nga albumi i saj i fundit me linjën e saj të grimit “Fenty Beauty”, linjën e saj të të brendshmeve “Savage X Fenty” dhe dy fëmijët që kishte krah për krah në 2022 dhe 2023.

Në dhjetor, në një event të organizuar nga Fenty dhe Puma për të nisur linjën e këpucëve për fëmijë të Rihannas, këngëtarja la të kuptohet për një turne të ardhshëm, por tha se nuk do të bënte turne pa muzikë të re.

“Ne gjithmonë do të kthehemi në turne. Dua të kthehem në turne kur të ketë muzikë të re, apo jo? Ne tashmë e dimë se çfarë do të jetë” – tha ajo për ET në dhjetor. / KultPlus.com

Një foto e vjetër

Cristina Peri Rossi

Dje, mes letrash
gjeta një foto të vjetër të njëzet viteve të tua.
Befas kuptova menjëherë
se dashuria ime për ty, u bë në kohë të shkuar,
në çast dashurova buzëqeshjen tënde universitare,
rininë tënde të ngazëlluar,
tejdukshmërinë fatlume të vështrimit tënd,
veshjen e shtendosur përmbi këmbët e tua,
iluzionet që kishe akoma,
ëndrrat e tua për ta ndryshuar botën dhe gjinitë,
dëshirat e tua për drejtësi,
kryeneçësinë tënde ndaj roleve njerëzore,
ëndjen tënde të pashtershme për gjuhët e kësaj bote,
fuqinë e tërbuar të vetes tënde,
kryengritëse e bashkëkohore njëherësh, në 1968.

Dashuria ime për ty, u bë në kohë të shkuar,
përshkoi ditët e vitet,
pluskoi në kujtesë,
gjer në natën e kohëve,
aty ku çdo dashuri ngjizet.

Përktheu nga spanjishtja: Elvi Sidheri. / KultPlus.com

Jennifer Garner pritet të luajë në filmin e Ben Affleck

Jennifer Garner dhe Ben Affleck janë të divorcuar por ato shpesh kanë qenë kryefjala e mediave rozë për raportin e mirë që gëzojnë së bashku. Ata përflitet se do të bashkëpunojnë edhe një projekt kinematografik i cili do të drejtohet nga Ben Affleck.

Aktorja është në negociata për të luajtur përballë Matt Damon në filmin Animals, një thriller krimi që do të transmetohet në Netflix. Filmi ka të bëjë me një kandidat për kryetar bashkie dhe gruan e tij, djali i të cilit është rrëmbyer.

Të rrethuar nga shumë armiq, politikë e të tjerë cifti nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të merren me punë të pista për të shpëtuar djalin e tyre. Ende nuk ëshët firmosur asnjë krontatë, por nëse palët bien dakord,  xhirimet e filmit mund të nisin gjatë muajist mars në Los Angeles. / KultPlus.com

Umberto Eco: Idiotët dhe shtypi i përgjegjshëm

Nga Umberto Eco

Jam argëtuar shumë nga një lajm që doli në Internet në lidhje me idiotët. Për ata që nuk e kanë ndjekur, u raportua në mediat online dhe në ato të shkruara se në një të ashtuquajtur leksion, unë kam deklaruar se Interneti është i mbushur me idiotë. Kjo nuk është e vërtetë. Leksioni ishte për një temë krejt tjetër, por ai demonstron se si lajmi shtrembërohet kur qarkullon nëpër gazeta dhe në Internet.

Lajmi për idiotët doli gjatë një konference shtypi, kur teksa i përgjigjesha një pyetjeje, bëra një vëzhgim krejt të arsyeshëm dhe logjik. Nga shtatë miliard banorët që ka planeti, ka një numër të pashmangshëm idiotësh, shumë prej të cilëve janë mësuar që ua komunikojnë përçartjen e tyre miqve apo të afërmve në bar, kështu që opinionet e tyre janë të kufizuara në një rreth të caktuar. Një numër domethënës i këtyre njerëzve tashmë mund t’i shprehin mendimet e tyre në rrjetet sociale. Prandaj opinione të tilla mbërrijnë në audienca të mëdha, dhe shkrihen bashkë me shumë opinione të tjera, që shprehin njerëz të arsyeshëm.

Ju lutem mbani parasysh që ideja ime për idiotët nuk kishte konotacione negative. Askush, me pak përjashtime, nuk është idiot për nga profesioni, por dikush që është bakall i shkëlqyer, mjek i shkëlqyer, apo një punonjës banke i shkëlqyer, mund të thotë disa broçkulla për gjëra që as nuk i njeh dhe as nuk i di, apo as nuk i ka menduar mjaftueshëm. Reagimet në Internet janë të menjëhershme, pa lënë kohë për reflektim.

Eshtë e drejtë që Interneti t’u lërë hapësirë atyre që nuk kanë asgjë të arsyeshme për të thënë, por tepria e budallallëkut është duke mbushur radhët. Dhe disa reagime të pahijshme që kam parë në Internet, konfirmojnë pretendimin tim. Në të vërtetë, dikush raportoi se unë kam thënë që Interneti ofron të njëjtën famë, si për mendimet e një budallai, ashtu edhe ato të një fituesi të Çmimit “Nobel”, dhe krejt papritur nisi një debat i kotë, që u bë edhe viral, mbi faktin nëse unë e kisha pranuar apo jo Çmimin Nobel – ndërkohë që askush nuk mori mundimin as të hapte Wikipedian. E gjithë kjo tregon se sa shumë të prirur janë njerëzit që të flasin, pa u ndalur për të menduar. Në çdo rast, numri i idiotëve tani mund të kuantifikohet: 300 milionë. Raportohet se Wikipedia ka humbur 300 milion përdorues kohët e fundit. Këta janë të gjithë njerëz që lundrojnë, po nuk e përdorin më Internetin për të gjetur informacion, por preferojnë të rrijnë online duke biseduar me të singjashmit, dhe me gjasë pa u ndalur për të menduar.

Përdoruesi normal i Internetit duhet që të jetë i aftë të rrokë dallimin mes ideve jokoherente dhe të artikuluara mirë, dhe këtu lind problemi i filtrimit të informacionit. Nuk lidhet vetëm me opinione të shprehur në blogje apo Twitter, por është një çështje urgjente për të gjitha faqet e internetit, ku mund të gjesh informacion që është i besueshëm dhe i dobishëm, por gjithashtu – dhe sfidoj këdo që dëshiron ta mohojë – edhe përçartje të gjithfarëlloji, rrëfime për komplote joekzistente, mohime të Holokaustit, racizëm, informacion që është i rremë nga pikëpamja kulturore.

Si mund ta filtrosh informacionin? Secili prej nesh e ka aftësinë ta filtrojë informacionin, kur shohim faqe interneti që merren me tema për të cilat kemi njohuri, por unë i pari do e kisha problem të dalloja, nëse një faqe interneti thotë të vërtetën apo gënjen, kur shkruan për Teorinë e Fijeve. As edhe shkollat nuk munden t’u mësojnë nxënësve si të filtrojnë informacionin, përderisa mësuesit janë në të njëjtin pozicion si unë, dhe ata që japin mësim gjuhën greke mund të gjenden të pambrojtur, kur lexojnë një faqe që shkruan për teorinë e katastrofës së Luftës së Tridhjetë Viteve.

Ka vetëm një zgjidhje. Gazetat janë shpesh skllave të Internetit, pasi aty gjejnë lajme dhe histori që shpesh rezultojnë false, duke i dhënë kështu një zë rivalit të tyre më të madh – dhe duke e bërë këtë gjithmonë më vonë se sa Interneti. Në vend të kësaj, ato duhet t’i dedikojnë dy faqe çdo ditë analizës së website-ve, në po të njëjtën mënyrë siç bëjnë vlerësime të filmave apo librave, duke nxjerrë në pah faqet që janë virtuoze dhe ato që nxjerrin lajme të gënjeshtërta apo komplote pa lidhje. Kështu do të bënin një shërbim të vyer publik, e madje mund të bindin edhe ata shumë përdorues të Internetit që po u ikin gazetave, që të rikthehen.

Për një sipërmarrje të tillë, një gazetë do të kish nevojë për një ekip analistësh, shumë prej të cilëve do të duhej të vinin nga jashtë. Do të kushtonte, por do të ofronte një shërbim të vyer kulturor dhe do i jepte shtypit një qëllim të ri.

Umberto Eco – Shkëputur nga libri “Kronika të një shoqërie likuide” (Artikulli është botuar në 2015) – Në shqip nga bota.al/ KultPlus.com