Qendra e Botimeve Enciklopedike Albanologjike, diskutime mbi projektin “Historia e shqiptarëve”

Qendra e Botimeve Enciklopedike Albanologjike (QBEA) organizoi mbledhjen e Redaksisë Qendrore të projektit madhor “Historia e shqiptarëve”.

Në këtë takim pune përveç anëtarëve të kësaj redaksie akad. Pëllumb Xhufi, prof. Paskal Milo, prof. Ferit Duka, prof. Neritan Ceka mori pjesë dhe drejtori i QBEA-së dr. Arian Leka.

Qëllimi i kësaj mbledhjeje ishte shqyrtimi i mëtejshëm dhe përfundimtar nga redaksia qendrore i dy volumeve të para “Lashtësia” dhe “Mesjeta”, para se ato t’i nënshtrohen recensionimit.

Fillimisht drejtori i qendrës bëri një përshkrim lidhur me ecurinë e punës dhe gjendjen aktuale të dy vëllimeve të para të projektit madhor “Historia e shqiptarëve”. Dr. Leka informoi anëtarët e redaksisë qendrore mbi hapat që do të ndiqen lidhur me procesin fundor të redaktimit shkencor dhe proceset e tjera redaksionale- drejtshkrimore dhe stilistike.

Anëtarët e Redaksisë Qendrore vijuan më tej me diskutimet mbi çështje të përmbajtjes së dy veprave. Gjatë analizimit të vëllimit I – “Lashtësia” me 699 faqe dhe vëllimit II – “Mesjeta” me 722 faqe, prof. Paskal Milo dhe prof. Ferit Duka konstatuan se lënda shkencore e paraqitur sjell qasje të reja në përmbajtje, trajtime të pasuruara të temave ekzistuese e plotësime të tematikave të munguara, duke përmbushur kriteret shkencore të synuara. Veprat dëshmojnë fazat e qytetërimit shqiptar sipas periudhave, duke mbuluar në mënyrë̈ tërësore hapësirën e banuar nga shqiptarët gjatë gjithë̈ historisë̈ së tyre të lashtë dhe mesjetës.

Takimi i radhës së kësaj redaksie, që përmbyll këtë fazë pune do të zhvillohet më 20 mars 2025./atsh/KultPlus.com

Gonxhja: Artistët e TKOBAP, ambasadorët më të mirë të kulturës e trashëgimisë sonë

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ka bërë një falenderim të veçantë për artistët e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit e Ansamblit Popullor.

“Një falënderim i veçantë për artistët tanë të talentuar. Ju jeni ambasadorët më të mirë të kulturës e trashëgimisë sonë dhe një dëshmi se tradita dhe arti mbeten shtylla të identitetit tonë kombëtar”, ka shkruar në rrjetet sociale kreu i MEKI-t.

Ministri Gonxhja bëri këtë falënderim pas performancës së artistëve në panairin e turizmit ITB Berlin, ku pjesëmarrja e Shqipërisë, sipas tij, ishte një tjetër dëshmi e potencialit të madh kulturor dhe turistik që ofron vendi ynë.

Gonxhaj theksoi se suksesi në panair nuk do të ishte i mundur pa magjinë që sollën Trupa Artistike e Teatrit të Operës dhe Baletit dhe Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore me mbështetjen e Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

“Me performanca të jashtëzakonshme, ata jo vetëm që përcollën artin dhe traditën shqiptare përpara një audience ndërkombëtare, por edhe krijuan një atmosferë unike që bëri të ndihej shpirti i vërtetë shqiptar në zemër të Evropës”, shkroi ministri Gonxhja./atsh/KultPlus.com

Media britanike “Metro”: Shqipëria ndër vendet më të mira për të udhëtuar në vitin 2025

Udhëtimi është një nga mënyrat më të mira për të përjetuar kultura të reja, për të mësuar rreth botës dhe për t’u rritur si individ, shkruan Sophie-May Williams në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Metro”.

Por, për shumë turistë, paratë mbeten një pengesë goxha e madhe. Realiteti është se shumë prej tyre nuk zgjedhin destinacionet e duhura dhe më të lira – ku mund të përfitojnë.

Ka kaq shumë përfitime nga zgjedhja e vendndodhjeve me kosto të ulët, nga udhëtimet me distancë më të shkurtër, rezervimi i akomodimit më të këndshëm dhe madje edhe mundësia për të përballuar një pije me drekë.

“Metro” dhe Paul Scott, themeluesi i “My Budget Break”, përpiluan një listë me shtatë vendet më të mira për të vizituar në vitin 2025 – për të rinjtë me një buxhet të kufizuar, por me një dëshirë të madhe për të udhëtuar.

Shqipëria

Vitet e fundit, Shqipëria është kurorëzuar me statusin e ‘Perlë e fshehur’. Riviera mahnitëse Shqiptare është pagëzuar gjithashtu me emrin “Maldivet e Evropës”, gjithashtu falë çmimeve mbresëlënëse.

Ndërsa vendi ballkanik po përjeton kohët e fundit një rritje të turizmit, fluturimet dhe akomodimet janë të lira.

“Fluturoni në Tiranë dhe shkoni në jug te vendit për disa pamje të mahnitshme. Vendet si plazhi i Dhërmiut mund të jenë të populluar, por janë të bukur, duke ofruar pamje nga deti dhe një sfond magjepses të Maleve të Vetëtimës.

Ose mund të udhëtoni drejt Durrësit, në veri të Tiranës, për më shumë vende bregdetare.

Megjithatë, zhvillimi i Shqipërisë nga një vend i izoluar në një destinacion kryesor për pushime nuk është arritur pa sfidat e saj.

Gazetarja e medias britanike “Metro”, Alice Murphy e vizitoi vendin vitin e kaluar dhe vuri në dukje se bumi i turizmit ishte një “thikë me dy presa”.

Ndërsa turistët e huaj janë joshur nga videot virale të ujërave bruz dhe rërës së bardhë dhe të pacenuar – kush nuk do të ishte? – rritja e fluksit turistik ka prodhuar një sërë ndërtimesh që mund të kërcënojne peizazhin spektakolar.

Megjithatë, ekspertët e udhëtimeve thonë se koha më e mirë për të vizituar Shqipërinë është fundi i pranverës, prill-maj dhe fillimi i vjeshtës, shtator-tetor.

Në këtë mënyrë, ju mund të shmangni turmat e vizitorëve dhe të kontribuoni drejt një qasjeje më të qëndrueshme turistike.

Ju rekomandojme të merrni me qira një makinë për të përfituar sa më shumë nga pushimet tuaja në Shqipëri. Çmimet fillojnë nga 6-7 paund në ditë.

Përballueshmëria e Shqipërisë do të thotë gjithashtu se akomodimi nga një bujtinë në një hotel është padyshim një opsion.

Shtatë vendet më të mira për t’u vizituar për të rinjtë me një buxhet të kufizuar, por me një dëshirë të madhe për të udhëtuar:

1-Shqipëria;
2-Verona dhe Liqeni Garda, Itali;
3-Antalia, Turqi;
4-Krakow, Poloni;
5-Hammamet, Tunizi;
6-Bregu i Atlantikut të Portugalisë dhe Lisbona;
7-Sofje, Bullgari./atsh/KultPlus.com

“Ai është tmerrësisht i frikësuar se po vdes, sepse ende nuk ka jetuar”

Franc Kafka ishte një autor gjerman që arriti famë botërore vetëm pas vdekjes së tij.

Ja ku janë 8 thënie nga Franz Kafka për të ndryshuar mënyrën e të menduarit…

1.“Duke besuar me pasion në diçka që ende nuk ekziston, ne e krijojmë atë. Nuk ekziston vetëm ajo që nuk e kemi dëshiruar sa duhet.”

2. “Ai është tmerrësisht i frikësuar se po vdes, sepse ende nuk ka jetuar.”

3. “Unë zakonisht zgjidh problemet duke i lënë ato të më gllabërojnë mua.”

4. “Unë mund të dua vetëm atë që e vendos në mënyrë të lartë mbi mua dhe që nuk mund ta arrij.”

5.  “Rinia është e lumtur sepse ka aftësinë për të parë bukurinë. Kushdo që mban aftësinë për të parë bukurinë, nuk rritet kurrë.”

6. “Mos e humbisni kohën tuaj duke kërkuar një pengesë – ndoshta nuk ka asnjë.”

7.”Ka një sasi të pafund shpresash në Univers… por jo për ne.”

8. “Është më mirë të kemi dhe të mos keni nevojë, sesa të keni nevojë dhe të mos keni.”/ KultPlus.com

Demonstratat e 11 marsit të vitit 1981 dhe dinamizmi i kërkesës për Republikën e Kosovës

Më 4 maj 1980, pas një sëmundjeje të rëndë, në moshën 88 vjeçare, vdiq Josip Borz Tito. Kjo vdekje e pritur po ashtu solli ngjarje të pritshme, me anën e të cilave do t’u hapet udha zhvillimeve që pas dhjetë vitesh do të çojnë te shkatërrimi i Jugosllavisë.

Shkruan: Jusuf Buxhovi

Si një personalitet i rëndësishëm politik i përmasave ndërkombëtare, Josip Broz Tito, më shumë se kushdo tjetër, kishte ndikuar edhe në politikën shqiptare dhe çështjen shqiptare nga fillimet e Luftës së Dytë Botërore e tutje e deri te vdekja e tij. Si i tillë, ai ishte përcaktues jo vetëm në çështjet që drejtpërdrejt kishin të bënin me shtetin komunist shqiptar, por edhe ato që lidheshin me fatin e Kosovës nga ripushtimi i saj nga partizanët serbo-jugosllavë në vjeshtën e vitit 1944, bashkimin e dhunshëm me Serbinë si “obllast” e deri te fillimi i shkëputjes së saj nga Serbia (nga viti 1966 e tutje) për të ardhur në shkallën e subjektit të federatës jugosllave (Kushtetuta e vitit 1974).

Në të gjitha këto zhvillime historike Josip Broz Tito, kishte rol të madh, madje edhe vendimtar, që ndonëse mund të vlerësohet në mënyra të ndryshme, assesi nuk mund të përjashtohet, meqë ishte përcaktues në këto zhvillime.

Por, kërkesa për mbetjen e mëtutjeshme të frymës së Titos në aktualitetin politik (me parullën “Pas Titos Tito”, e ngritur nga udhëheqja serbe e Beogradit), nuk ishte tjetër pos paralajmërim cinik i qërimit të hesapeve me Titon dhe rrugën e tij, që të zëvendësohet me të shpejtë me unitarizmin serb.

Ky qërim hesapesh tashmë i paralajmëruar duhej të fillonte në Kosovë dhe me Kosovën. Meqë, sipas unitaristëve dhe nacionalistëve serbë të fshehur prapa kësaj dogme (nga Qosiqi e deri te hartuesit e “Librit të kaltër”), aty gjendej formula e kthimit të Serbisë “në gjendje normale”, një si parakusht edhe për “shpë-timin” e Jugosllavisë nga shpërbërja, por edhe për “forcimin” e saj në përputhje me interesat e formuesve të saj, Serbëve. Ky ndryshim, po ashtu, duhej të fillonte në Kosovë dhe me Kosovën. Sepse, aty tashmë ndodhej edhe çelësi i fatit të Jugosllavisë, për të cilin ishte folur me të madhe edhe jashtë, duke iu parashikuar edhe dimensioni i një krize të ardhshme ndërkombëtare dhe madje edhe shembja pse prekeshin çështje të pazgjidhura, siç ishte ajo shqiptare, por edhe të tjera ngjitur me të, që kishin të bënin me rajonin, të cilat kishin mbetur të hapura që nga Kriza Lindore e këndej, e që modeli Jugosllavi nuk kishte qenë në gjendje t’u japë përgjigjen e duhur.

Andaj, ishte e pritshme që edhe Shqiptarët, përballë këtij zhvillimi të pashmangshëm, në të cilin, siç do të shihet, ishin përfshirë shumë faktorë të brendshëm dhe të jashtëm, të shfaqeshin me skenarin e tyre rreth të ardhmes, që nuk do të thoshte tjetër pos rishpalosje e kërkesës për Republikën e Kosovës. Meqë Shqiptarët ishin të interesuar për federalizëm, pra që gjërat të shkonin drejt rrumbullakimit të këtij procesi, që si i hapur kishte mbetur në rrugë, ishte e natyrshme që ata të shfaqeshin me kërkesën për Kosovën Republikë. Kjo e arsyeton edhe paraqitjen e saj në demonstratat e studentëve më 11 marsi të vitit 1981, në Prishtinë.

Demonstratat e 11 marsit të vitit 1981, të cilat u zhvilluan në orët e vonshme dhe shpërthyen në Mensën e Studentëve të Prishtinës, “shkak” patën, si u tha, “pakënaqësinë për ushqimin e dobët”, pasi që dikush nga studentët kishte hedhur ushqimin dhe kjo kishte “provokuar revoltën, e cila ishte shprehur spontanisht nga një grup i vogël studentësh nga mensa deri para ndërtesës së Radio Prish-tinës afër qendrës me ç’rast ishte prishur rendi dhe qetësia publike.”

Udhëheqja politike e Prishtinës nuk kishte dalë me ndonjë vlerësim publik, edhe pse vërehej se kishte filluar aktivitetin e saj në bazë, duke “marrë masa” që të parandaloheshin tubimet dhe demonstrimet e ngjashme, të cilat, sipas vlerësimeve të kësaj udhëheqjeje, “u jepnin shkas nacionalistëve dhe unitaristëve serbë dhe forcave të tjera për të ngritur çështjet që ata kishin planifikuar t’i ngritin pas vdekjes së Titos, në mënyrë që të shfrytëzonin rastin historik për ta rrënuar Jugosllavinë vetëqeverisëse dhe të painkuadruar, në mënyrë që ajo të largohet nga ky kurs”.

Në vend të “sqarimeve” udhëheqja politike e Kosovës ishte përgatitur, që çështjeve t’u jipte një përgjigje, më 26 mars, me rastin e nisjes së stafetës Titos së ndjerë nga Prishtina, ku duhej të demonstrohej parulla e njohur “pas Titos, Tito”. Manifestim publik, duhej të mbahej në orën 11 në qendër të Prishtinës. Me këtë, duhej të minimizoheshin ose të harroheshin fare ato që kishin ndodhur mbrëmjen e 11 marsit në Prishtinë në mensën e studentëve dhe para Radio Prishtinës. Me këtë rast ishin thirrur rinia shkollore, ajo studentore “për ta nderuar Titon”.

Por, në orët e mëngjesit vërehet tubimi i studentëve në Qendrën e Studentëve në hapësirën midis pavijoneve dhe mensës, hapësirë kjo ku rëndom prej tyre shfrytëzohej për aktivitete të lira dhe argëtim.

Në orën dhjetë, e gjithë hapësira e Qendrës së Studentëve ishte mbushur me studentë, por ku kishte edhe të tjerë që u bashkoheshin. Forcat policore, jo gjithaq të numërta, ishin përqendruar para mensës, në udhëkryqin e rrugës kryesore që çonte për te fakultetet por edhe në qendër të qytetit. Duket se ata tashmë ishin të informuar mirë për marshutën e demonstrimit dhe ishin të vendosur që të mos lejonin dalje në rrugë, veçmas para se të përfundonte ceremoniali i pritjes dhe përcjelljes së stafetës së Titos.

Duke parë gjendjen e cila “po dilte nga mbikëqyrja”, udhëheqja politike e Kosovës, kishte urdhëruar Rektoratin e Universitetit të Kosovës, të merreshin të gjitha masat që studentët të qetësoheshin disi me anën e bisedimeve për t’u parë kërkesat e tyre. Ishte caktuar një grup i përzier nga qeveritarët, politikanët dhe profesorët për të biseduar me studentët në mënyrë që e gjithë çështja të përfundonte pa ndonjë shpërthim. Në këtë delegacion pos rektorit Gazmend Zajmi, Pajazit Nushit (nënkryetar i Këshillit Ekzekutiv të Kosovës, pra qeverisë), ndodheshin edhe Azem Vallasi dhe Sanije Hyseni. Vllasi dhe Hyseni kishin qenë kryetarë të Lidhjes së Rinisë së Jugosllavisë dhe vlerësoheshin si pjesë e “garniturës së re titiste”. Nga radha e studentëve ishte shfaqur një grup ad-hoc, jashtë ndonjë qendre organizative, të cilët kishin treguar gatishmëri që të vazhdohej me demonstrime përderisa të mos përmbusheshin kërkesat e tyre.

Në bisedë me profesorët, qeveritarët dhe politikanët, krahas kërkesës për kushte ishte bërë fjalë edhe për çështje politike, ku ishte veçuar kërkesa për Republikën e Kosovës si zgjidhje që do t’i kënaqte Shqiptarët. Kjo ishte arsyetuar me të drejtën e Shqiptarëve për vetëvendosje.

Në orën 12, demonstruesit, kishin marrë drejtimin e qendrës së qytetit. Në ballë kishin pankartat “Kosova Republikë”, por edhe disa të tjera, siç ishin: “Jemi shqiptarë, nuk jemi jugosllavë”, “Trepça punon, Beogradi ndërtohet”.

Në këtë ndërkohë, nga ana e policisë kishte filluar përdorimi i forcës ndaj studentëve. Do të hedhen edhe bomba tymi si dhe gazra lotsjellës me të cilat do të mbushet e gjithë hapësira e Qendrës së Studentëve.

Atë pasdite, nga Beogradi u sollën edhe njësitë speciale federative, të cila ndërhynë me ashpërsi të paparë ndaj studentëve dhe demonstruesve të tjerë përreth. Njësitë speciale hynë në Qendrën e Studentëve dhe atje nga dhoma në dhomë rrahën studentët, shumë prej tyre i plagosën, ndërsa mbi njëqind sish i dërguan në polici. Atje, ndaj tyre u përdor një dhunë brutale. Kësaj sjellje nuk u shpëtuan as studentet dhe nxënësit e shkollave të mesme që i ishin bashkuar demonstratës.

Ndërhyrja brutale e njësive të policisë federative ndaj studentëve si dhe plagosja dhe lëndimi i shumë syresh bashkë me burgosjen e shumë studentëve, bënë që e gjithë popullata e Kosovës të ndjehet e provokuar rëndë nga kjo sjellje ndaj demonstruesve të qetë, të cilët kishin shtruar kërkesa sociale por edhe aso politike jashtë çfarëdo dhune.

Meqë studentët e burgosur nuk u liruan, ndërkohë që njësitë e forcave speciale federative u stacionuan në Ajvali (afër Prishtinës) dhe zunë të përdoren për bastisje brutale, që bëheshin në pjesë të ndryshme të Prishtinës (në kërkim të demonstruesve të shënjuar nga policia me anën e kamerave filmike), ishte fare e pritshme që të ndodhte një shpërthim i përmasave të gjera. Kështu, më 1, 2 dhe 3 prillit 1981, u shfaqen demonstratat tjera. Krahas studentëve dhe nxënësve të shkollave të mesme.

Demonstratat vazhduan edhe më 2 dhe 3 prill. Ato u zgjeruan edhe në pjesë të tjera të Kosovës, por qendra e tyre mbetej Prishtina, ku tuboheshin me mijëra pjesëmarrës dhe demonstronin.

Më 2 prill Beogradi, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme. Kështu, Kosovës iu vu shtetrrethimi, ndërsa në Prishtinë dhe pjesët e tjera dolën tanket dhe njësitë ushtarake. Ato morën përsipër mbrojtjen e institucioneve dhe Radio Televizionin e Kosovës. Ditën e dytë dhe të tretë pati edhe viktima. Në Prishtinë u vranë Naser Hajrizi,Asllan Pireva dhe Xhelal Maliqi. Në Ferizaj, më 3 prill ishin vrarë Riza Matoshi dhe Sherif Frangu. Në Vushtrri ishin vrarë: Sali Zeka, Sali Abazi dhe Ruzhdi Hyseni. Ndërsa në Mitrovicë ishte vrarë Sokol Bajrami..

Në ditën e tretë, demonstratat e përfshinë pjesën më të madhe të Kosovës. U shuan për pak pas vendosjes së gjendjes së jashtëzakonshme me ç’rast iu hap dera burgosjeve të shumta në të gjitha pjesët e vendit.

Në këto rrethana të përshkallëzimit të demonstratave, Kryesia e KQ të LKJ-së në Beograd, më 5 prill, doli me qëndrimin e prerë, duke i kualifikuar demonstratat “ngjarje armiqësore me karakter kundërrevolucionar”. Me këtë rast parulla “Kosova Republikë” ishte karakterizuar armiqësore dhe kundërrevolucionare, meqë si e tillë çonte te shkatërrimi i Jugosllavisë, si thuhej të barabartë dhe vetëqeverisëse.

Në këtë mbledhje fjalën kryesore e kishte mbajtur përfaqësuesi maqedonas, Llazar Kolishevski, i cili, për ngjarjet, fajin kryesor ua kishte hedhur udhëheqjes politike dhe shoqërore të Kosovës, në radhë të parë Mahmut Bakallit, si kryetar i Kryesisë së Partisë dhe pastaj edhe Fadil Hoxhës – anëtar i Kryesisë së shtetit dhe asaj të Partisë.

Meqë, më 5 prill në Kryesinë e Partisë ishte arritur që të lansohej por edhe të pranohej vlerësimi për demonstratat armiqësore dhe kundërrevolucionare, ishte fare e natyrshme që mbi këtë kualifikim të silleshin që të gjitha qendrat politike të vendit, veçmas Kosova dhe në përputhje me to të nxirrnin edhe konkluzione për veprim të gjithmbarshëm, i cili obligonte Partinë por edhe institucionet e të gjitha niveleve, veçmas ato policore dhe gjyqësore.

Vlerësimet e Kryesisë së KQ të LKJ-së të 5 prillit u pranuan edhe nga kryesia e Kryesisë së LKJ-së së Kosovës dhe ajo e Kryesissë së KS të Kosovës. Me këtë rast, nga trysnia e Beogradit, Bakalli kishte dhënë dorëheqje nga posti i Kryetarit të Kryesisë së Komitetit Krahinor të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës.

Kreu partiak i Kosovës pranoi dorëheqjen e Mahmut Bakallit nga pozita e Kryetarit të Kryesisë së Komitetit Krahinor, e paraqitur më 1 maj, me ç’rast, me mandat njëvjeçar, në vend të tij do të zgjidhet Veli Deva, kryetar i komunistëve të Kosovës nga vitit 1966, të cilin para dhjetë vitesh, me kërkesën e Titos, e kishte zëvendësuar Bakalli.

Siç pritej, Komiteti Krahinor i Lidhjes së Komunistëve të Kosovës, direktivat që i kishin ardhur nga Beogradi, i futi në një dokument zyrtar partiak të quajtur “Vlerësimi i shkaqeve, i rrethanave dhe i pasojave të demonstratave armiqësore”.

Mbledhja XVII e Komitetit Krahinor të Lidhjes së Komunistëve, e mbajtur më 5 maj në Prishtinë, me imponimin e vlerësimit të demonstratave “veprimtari armiqësore me karakter kundërrevolucionar”, që erdhi nga Beogradi, hapi dyert për veprimet e tjera siç ishte ai i rrënimit të elitës politike të Kosovës me orientim jugosllav-titist (Mahmut Bakalli) dhe rikthimit të oponentëve të politikës së vjetër serbe (Ali Shukriut, Sinan Hasanit dhe të tjerëve) me çka u krijuan parakushtet për rrënimin e elitës intelektuale shqiptare në ngritje e sipër si dhe të rrënimit të infrastrukturës së gjithmbarshme institucionale të arsimit dhe të kulturës në Kosovës.

Në të vërtetë, në Mbledhjen XVII të Komitetit Krahinor të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës, do të bëhet promovimi i politikës, që duhej të fillonte me fushatën e diferencimit politik për të marrë fund me atë të përdorimit të mjeteve të luftës, po qe se ajo tregohej e domosdoshme. Pranimi i vlerësimeve të gatuara nga Mbledhja e 5 prillit Kryesisë së KQ të LKJ-së prej nga kishte dalë vlerësimi i demonstratave “veprimtari armiqësore kundërrevolucionare mbi bazat e nacionalizmit dhe të irredentizmit shqiptar”, duhej t’ua hapte rrugën burgosjeve në masë, që filluan natën e 27 marsit në Prishtinë me burgosjen e disa studentëve të cilët do të gjenden në ballë të demonstratave të 11 marsit dhe të atyre të 1, 2 dhe 3 prillit për të vazhduar me mijëra dhe mijëra të tjera ku do të ketë edhe të vrarë dhe të torturuar rëndë.

Ajo që bie në sy në këto vlerësime, është strategjia e sofistikuar kundër Universitetit të Kosovës, kundër institucioneve shkencore hulumtuese, kundër veprimtarisë botuese në gjuhën shqipe, veçmas kundër promotorit të saj “Rilindjes” dhe kundër teksteve shkollore të të gjitha niveleve dhe kundër bashkëpunimit kulturor dhe arsimor me Shqipërinë.

Megjithatë, në Mbledhjen XVII të KK të LKJ në Prishtinë, sulmi më i madh do t’i bëhet Universitetit të Kosovës si dhe veprimtarisë së gjithmbarëshme hulumtuese-shkencore në këtë institucion, meqë ai paraqiste themelet e arsimit dhe të edukimit kombëtar shqiptar, që kishin filluar të forcoheshin në Kosovë pas vitit 1966 e këndej. Në fjalën hyrëse, por edhe në tezat për vlerësimin e gjendjes, që ishin marrë nga Beogradi dhe duhej të pranoheshin në tërësi, Universiteti i Kosovës u sulmua më së shumti. Ai u quajt “frymëzues dhe qendër e veprimtarisë armiqësore dhe kundërrevolucionare nga pozitat e nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar”, ndërsa pedagogët dhe kuadri tjetër u cilësuan “militantë të kësaj ideje”.

Akademik Dervish Rozhaja ishte i vetmi që refuzoi vlerësimet dhe arsyetimet rreth Universitetit të Kosovës “çerdhe e irredentizmit shqiptar” dhe për këtë u sulmua ashpër nga Ali Shukriu, Xhavid Nimani, Dushan Ristiq dhe të tjerë.

(Shkëputje nga “Kosova – histori e shkurtër”, boti: “Faik Konica” dhe “Jalifat Publishing”, 2022, faqe 587)./KultPlus.com

Hani i Elbasanit, monument i rëndësishëm historik i Korçës

Hani i Elbasanit është Monument Kulture, Kategoria I dhe një nga hanet më të rëndësishëm historikë të qytetit të Korçës.

I njohur gjerësisht si Hani i Pazarit, ndërtesa është qindravjeçare. Ajo u ndërtua rreth vitit 1800 nga tregtarë elbasanas dhe ndodhet në krahun e djathtë të rrugës kryesore që të çon tek Pazari i Vjetër i Korçës.

Me arkitekturë të pasur dhe detaje dekorative unike, ky han ruan vlerat e së kaluarës duke ofruar mikpritje për vizitorët si një hotel ku gërshetohet tradicionalja me modernen.

Ky monument kulture është i llojit “Arkitekturë”, miratuar në qershor të vitit 1973, i tipologjisë “han”.

Hani është një ndërtesë dykatëshe, me lartësi rreth 7 metra. Në të ndodhet një oborr nga ku shpaloset ballkonada e hanit. Ballkoni i katit të dytë përbëhet nga shumë kolona dhe parmakë druri. Ndërsa në katin e sipërm janë odat e fjetjes./atsh/KultPlus.com

Parashqevi Simaku xhiron videoklipin e ri në New York (VIDEO) 

Parashqevi Simaku, këngëtarja e njohur shqiptare që bëri bujë së fundi edhe me mënyrën e saj të jetesës, duket që i është kthyer muzikës, shkruan KultPlus. 

Ajo sapo ka lansuar një projekt të ri muzikor e që titullohet “Jetoj”. Kjo këngë vjen në bashkëpunim me Mar G Rock, e që KultPlus ju sjell që ta dëgjoni këtë projekt./ KultPlus.com 

‘Shqipëria, Maldivet e Europës’, Express: Një nga vendet më të lira për t’u vizituar

Maldivet janë një destinacion ëndrrash për shumë turistë, por gjithashtu është një fluturim i gjatë dhe i shtrenjtë. Megjithatë, ekziston një alternativë shumë më e lirë që është më pranë – dhe po aq e bukur, shkruan Milo Boyd për të përditshmen britanike “Express”.

Maldivet, me shtrirjet e gjera të plazheve të pacenuara me rërë të bardhë dhe detin blu idilik, natyrisht tërheqin vizitorë nga e gjithë bota. Megjithatë, ekzistojnë një sërë arsyesh bindëse pse disa mund të tërhiqeni nga një udhëtim i tillë.

Udhëtimi drejt këtij arkipelagu përfshin një fluturim të gjatë, me një çmim të lartë; me të paktën 2,000 paund për një javë qëndrimi në ato vila të lakmuara mbi ujë gjatë pikut të sezonit – nga dhjetori në prill.

Shqetësimet mjedisore janë gjithashtu të mëdha pasi vendi po përballet me kërcënime ekzistenciale nga nivelet e përshkallëzuara të detit, duke i nxitur vizitorët e ndërgjegjshëm për klimën – të rishqyrtojnë planet e tyre të udhëtimeve.

Megjithatë, ekziston një alternativë më pranë për këtë parajsë të largët. Shqipëria, e quajtur “Maldivet e Evropës”, krenohet me plazhe po aq mahnitëse dhe ujërat e pastra kristal përgjatë Rivierës së saj të mrekullueshme.

Edhe pse vazhdimisht po fiton popullaritet, kjo perlë mbetet një opsion ekonomik në krahasim me pikat e tjera të nxehta evropiane.

“Qëndrimet luksoze ofrohen me çmime të përballueshme – me disa akomodime në plazh që kushtojnë 20 paund nata”, raporton “Mirror”.

Edhe ngrënia jashtë nuk do të dëmtojë buxhetin tuaj, ushqimet dhe pijet shpesh kushtojnë rreth 15 paund.

Shqipëria, me ujërat e saj të kristalta dhe plazhet e bardha të pacenuara, është bërë një temë e nxehtë mes turistëve falë videove virale në TikTok – që e krahasojnë atë me Maldivet, me Ksamilin që e shpall një nga vendet më të lira evropiane.

Dhe, për fat, fluturimet për në Shqipëri janë çuditërisht të përballueshme, me “Ryanair” që ofron bileta vajtje-ardhje për në Tiranë për 30 paund.

Linja ajrore buxhetore ofron fluturime drejt Tiranës nga Birmingham, Bristol, Mançester, Edinburg dhe Londër Stansted.

Për më tepër, “Wizz Air” ofron fluturime ditore nga Luton për në Tiranë të disponueshme për nën 50 paund në maj.

Shqipëria krenohet me kostot më të ulëta të jetesës në Evropë, me dhomat e hoteleve në qendër të qytetit në Tiranë që kushtojnë më pak se 30 paund, përfshirë mëngjesin.

Apartamentet buzë plazhit përgjatë bregut të Adriatikut ofrojnë pak më shtrenjtë.

Nëse zgjidhni të qëndroni në Dhërmi, mund të eksploroni çdo ditë një plazh të ri. Një drekë e këndshme buzë plazhit në zonë kushton vetëm rreth 10 paund për person.

Busoni: Haiku i krehrit

Buson Yosa (1716-1784), njëri prej Katër Mjeshtrëve të Mëdhenj të Haikut.

HAIKU I KREHRIT

Nga Buson

një i ftohtë therës!

kur shkela krehrin e gruas sime të vdekur

në dhomën tonë

(mi ni shimu ya/ naki tsuma no kushi o/ neya ni fumu)

Në zemrën e këtij vargu shumë të njohur gjendet fraza ‘shpim’ (shimu) i shpirtit po aq sa edhe i trupit (mi). Ashtu si krehri i gruas së vdekur të folësit – ose i ftohti vjeshtor – dhunshëm, me gjasë madje edhe në mënyrë fallike, e penetron mishin e tij, me një rrokjëzim ekstra në vargun e dytë jo më të dobët, po ashtu vepron në kujtesën e tij edhe shpimi i beftë në palcë. Loja e fjalëve përfshin edhe termin ‘kushi’, ‘krehër’, që i shkruar ndryshe do të thotë ‘hell’; neya, i referohet dhomës së gjumit të një çifti të martuar, ose një sanktumi të brendshëm, po ashtu mund të jetë fraza bisedimore “s’është, nuk ka”; dhe fumu, ‘shkel në, eci mbi’, po ashtu mund të nënkuptojë ‘kam përvojë, provoj’. Sado që të tundohemi të lidhim folësin e kësaj poezie me vetë poetin Buson, në jetën reale gruaja e tij kishte qenë bukur më e fortë dhe kishte jetuar më gjatë se sa ai.

/Marrë nga ‘The Penguin Book of Haiku’, Penguin, 2018/Përkthimi: Gazeta Express/ KultPlus.com

Austria ndalon telefonat celularë në shkolla

Telefonat celularë do të ndalohen në shkollat ​​austriake, deklaroi sot ministri austriak i Arsimit, Christoph Wiederkehr.

”Ndërsa shkollat ​​kanë krijuar më parë rregullat e tyre ndaj telefonave, rregullorja e re kombëtare shënoi një ndryshim në qasje”, tha Wiederkehr, duke argumentuar se ”kjo gjë do të mbështeste më mirë punën e mësuesve dhe drejtuesve të shkollave”.

”Rreziqet e njohura shëndetësore të përdorimit të tepërt të telefonit dhe ndryshimet në sjelljen sociale në shkolla kërkojnë veprim. Kontakti person me person duhet të zëvendësojë kohën para ekranit gjatë pushimeve të shkollës”, theksoi ai.

Masa e re do të sjellë ndryshime edhe për prindërit.

“Disa prindër duan të jenë në kontakt të vazhdueshëm me fëmijët e tyre gjatë orëve të shkollës. Telefonat janë vrasës përqendrimi”, theksoi ai.

Një ekspert nga Universiteti Mjekësor i Vjenës tha se ”përdorimi i tepërt shkakton nervozizëm dhe çrregullime të gjumit si dhe depresion dhe sjellje kompulsive”./atsh/ KultPlus.com

Poezia ‘Poçari’ nën interpretimin e Margarita Xhepës (VIDEO)

Poezia “Poçari” e  aktorit të madh shqiptar Dritëro Agollit, është një ndër poezitë më të njohura shqipe, e cila publikut shqiptar i është sjellë edhe në formë kënge nga këngëtari Selami Kolonja. Një interpretim mahnitës e sjell edhe ylli i kinematografisë shqiptare Margarita Xhepa, shkruan KultPlus.

Poezia “Poçari”, e Dritëro Agollit, ndër rreshta jep mesazhin e mallit të shqiptarit të dëbuar nga trojet e tij, prej armiqëve të kohës. Shkarja nga dora e vazos-poçit ndryshon rrjedhën e historisë, duke shpërthyer në lot mallëngjyes për gjuhën e nënës, nga e cila fati i kishte ndarë padrejtësisht. Këtë e tregon më së miri vargu “Fjala shipe s’blihet në pazar, në dyqan ka kohë që se kam ndjerë”.

KultPlus ju sjellë tekstin e plotë të kësaj poezie.

Vajta në Stamboll të bëj pazar,
për kujtim të ble një vazo balte:
– Paqe dhe selam, usta poçar,
Vazon më të mirë po e pate
Paqe dhe selam, usta poçar!

Vazoja nga dora shkau e ra
Dhe m’u bë njëzet e pesë copë,
Më erdhi rrotull deti Marmara
Dhe m’u hap dyqani turk si gropë,
Më erdhi rrotull deti Marmara.

Pa më shau poçari keq turqisht,
Unë e shava shqip e mend i rashë;
Për çudi poçari nuk u ligsht,
Veç dy lot në sytë e kuq i pashë,
Për çudi poçari nuk u ligsht!

Mos u çmend ky turk, ky musliman?
Unë e shaj, ai me duar në qafë!
Poçe tjetër mori në dyqan
Dhe më tha: ” Më shaj, për besë, prapë!”
Poçe tjetër mori në dyqan.

Psheretiu si unë: ” Jam shqiptar,
Shqip, vëlla, ti shamë dhe një herë,
Fjala shqipe s’blihet në pazar,
Në dyqan ka vjet që s’e kam ndjerë,
Fjala shqipe s’blihet në pazar!”

Ikën nga dyqani burra e gra,
Unë e një poçar e tjetër s’kishte,
Vazot frynte deti Marmara,
Vazove poçari shqip u fliste,
Vazot mbushte deti Marmara./KultPlus.com

Monumentet e trashëgimisë kulturore, destinacion turistik në Vithkuq

Vithkuqi është një prej fshatrave më të bukur turistikë në Korçë, me një pasuri të rrallë kulturore, të cilën e dëshmojnë edhe kishat, monumente të veçanta me vlera arkitektonike dhe artistike.

Kisha e Shën Mëhillit filloi të ndërtohet në vitin 1682 dhe u përfundua më 1728 është një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të qarkut Korçë dhe dëshmi e gjallë e pasurisë kulturore dhe historike të kësaj zone.

Kisha e Shën Mëhillit është një shembull i shkëlqyer i arkitekturës dhe artit fetar që ka karakterizuar këtë zonë për shekuj me radhë.

Vithkuqi një prej fshatrave më të bukur turistikë në Korçë, është vendtakimi mes natyrës mbresëlënëse, artit mesjetar dhe mikpritjes duke kontribuar në ruajtjen e identitetit dhe kulturës shqiptare.

Pasurinë e rrallë kulturore të Vithkuqit e dëshmojnë kishat, monumente të veçanta me vlera arkitektonike, artistike dhe fetare.

Vizitorët vendas e të huaj e identifikojnë Vithkuqin si fshatin e kishave e manastireve, sepse dikur ka pasur më shumë se 24 të tilla, mes të cilave Manastirin e Shën Pjetrit, Kishën Shën Mërisë, Kishën e Shën Mëhillit, Kishën e Shën Thomait dhe Kishën e Shën Gjergjit.

Kishat e Vithkuqit të tipit bazilikë janë të pasura me afreske dhe ikonastase të punuar nga mjeshtërit e pikturës, vëllezërit Zografi./atsh/ KultPlus.com

Ekipi i xhudos “Policia e Kosovës” fiton tri medalje në Grand Prix Slovakia

Në një pjesëmarrje të rëndësishme ndërkombëtare, klubi i xhudos “Policia e Kosovës” ka përfaqësuar vendin me sukses në Turneun Grand Prix Slovakia, ku kanë marrë pjesë mbi 900 garues nga 9 shtete evropiane.

Ky turne ishte debutimi i parë ndërkombëtar për këtë ekipi, dhe garuesit tanë dëshmuan përkushtim dhe nivel të lartë sportiv, duke fituar tre medalje të çmuara, transmeton Klankosova.tv.

Rezultatet e garuesve:

-Ana Sopjani – Medalja e Argjendtë në kategorinë -78 kg për Kadet & Vendi i dytë në grup-moshën U21. Valdrin Pnishi – Medalja e Bronztë, Vendi i tretë në kategorinë -60 kg;

-Adriatik Bilalli – Vendi i pestë në dy grup-mosha (-90 kg), duke luftuar për medalje;

-Art Thaqi – Paraqitje e fortë në kategorinë -90 kg, por pa plasman përfundimtar.

“Ky sukses është dëshmi e punës së palodhshme, përkushtimit dhe disiplinës së sportistëve tanë, të cilët me mbështetjen e Shoqatës së Sporteve të Policisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës, arritën të përfaqësojnë denjësisht institucionin dhe shtetin tonë”.

“Një falënderim i veçantë për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Kolonel Gazmend Hoxha, për përkrahjen e vazhdueshme në promovimin e sportit dhe zhvillimin e aktiviteteve që forcojnë imazhin dhe kapacitetet e Policisë së Kosovës në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Klubi i Judos “Policia e Kosovës” do të vazhdojë me përgatitjet për garat e radhës, me synimin për të arritur edhe më shumë suksese në skenën ndërkombëtare”, thuhet tutje në njoftimin e policisë.

‘Tales of time’, shfaqje e baletit kontemporan në Teatrin Eksperimental

“Tales of time” (Rrëfimet e kohës) ishte shfaqja e vënë në skenë gjatë fundjavës, nga Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.

“Tales of time” ishte një prodhim i Teatrit Eksperimental në bashkëpunim me Ambasadën Austriake në Tiranë, me koncept e skenografi të Anna Possarnig. Në skenë performuan: Valentina Myteveli, Mariel Brahimllarid dhe Semela Skënderasi nën tingujt e Joel Diegert.

Baleti kontemporan preku historitë që përbëjnë përvojën njerëzore, narrativat e ndryshme mbi të cilat ne e bazojmë jetën dhe identitetin tonë. Shfaqja erdhi si një eksplorim i rrëfimeve tradicionale popullore të të dy vendeve dhe i kontekstualizoi ato me realitetin tonë të perceptuar.

Performanca rreket t’u japë përgjigjje pyetjeve të tilla si: Kush jemi ne dhe sa prej nesh është ndërtuar përmes përvojës së paraardhësve tanë? Cilat janë ngjashmëritë midis historive tona personale? Si është e ndryshme jeta jonë moderne? Nga çfarë jemi krijuar? Dhe mbi të gjitha, a nuk po funksionojmë ende sipas të njëjtave rregulla, edhe pse dixhitalizimi ndryshoi jetën tonë të përditshme?.

‘Bubullimë te Shkëmbi i Kavajës’ (VIDEO)

Nazmie Hoxha është këngëtare e njohur shqiptare e muzikës popullore, shkruan KultPlus.com Ajo lindi më 25 tetor 1952 në Gjonaj të Hasit të Prizrenit.

Fillet e para të karrierës së saj si këngëtare, i pati përgjatë viteve derisa studionte shkollën e mesme, ku pjesë e aktiviteteve të lira fillon ta realizojë edhe dëshirën fëminore për të interpretuar

Në ato vite ajo bëhet pjesë e Shoqërisë Kulturo Artistike të qytetit dhe fillon karrierën e saj. Me këngën “Ylli i bardhë, djalë i dashur”, Nazmia paraqitet para publikut në një koncert në Prishtinë. Nga këtu, muzikantët e kohës e shihnin si këngëtare me perspektiv dhe më këtë i hapen dyer e inxhizimit të këngëve të saja në RTP. Këngët e para të transmetuara në mjetet mediatike pos këngës së përmendur ishin dhe “Qetësia e lartë mbretëron mbi ne”, “Sa më shpejt ma vure këmbën”.

Si dukat i vogel jeOj zogo, Bubullimë te Shkëmbi i Kavajës janë disa prej interpretimeve të saj ndër vite, të cilat vazhdojnë të dëgjohen edhe sot.

Nazmia vdiq më 5 maj 2007 në Prishtinë.

KultPlus ju sjell interpretimin e saj Bubullimë te Shkëmbi i Kavajës:

Shqipëria në listën e dëshirave të të huajve: Destinacion që duhet vizituar

Stenda e Shqipërisë në panairin ndërkombëtar të turizmit ITB Berlin 2025 tërhoqi vëmendjen e shumë vizitorëve.

Ndërthurja unike e plazheve, maleve, historisë, trashëgimisë kulturore, kulinarisë së pasur dhe mikpritja karakteristike shqiptare, janë forca e vërtetë e turizmit shqiptar.

Agjencia Kombëtare e Turizmit ndau sot në rrjetet sociale prononcimin e disa të huajve, të cilët shprehen se, Shqipërinë e kanë në listën e dëshirave të tyre për ta vizituar.

“Unë jam nga Kina, mora pjesë në ceremoninë e hapjes së panairit dhe më ka bërë përshtypje fjala e Kryeministrit, ishte shumë interesant. Mendoj se ky vend duhet vizituar. Shpresoj t’ju takoj në këtë vend të mrekullueshëm”, u shpreh një vizitore kineze.

Ndërsa një vizitor tjetër tha se, “për fat të keq nuk kam qenë më parë në Shqipëri, por është në listën e dëshirave të mia”.

“Shqipërinë e kam parë nga lartësia kur kam udhëtuar në Greqi apo Gjermani. Jam shumë kureshtar dhe me siguri është destinacioni i ardhshëm. Kryesisht jam kureshtar për  bukuritë natyrore. Kam parë që keni male, por dhe deti duket i këndshëm, uji i detit është i pastër kristal. Po ashtu trashëgimia kulturore duket mjaft interesante”, tha ai.

Një e huaj tjetër u shpreh se, është e interesuar të vizitojë fshatrat e vegjël turistikë. “Nuk dua ta vizitoj Shqipërinë në verë, por në mars dhe në prill”, tha ajo.

“Unë mendoj se në Shqipëri ka shumë gjëra për të parë, ju keni detin, keni Alpet, male dhe ushqim shumë të mirë dhe nuk është shumë larg nga Finlanda, unë jam nga Finlanda. Stenda e Shqipërisë në panair është e këndshme dhe e madhe dhe përmban të gjitha logot e Shqipërisë: ka muzikë, ushqim të mirë dhe duket shumë bukur”, pohoi vizitorja finlandeze.

Ndërsa një çift shprehu kureshtje për të vizituar Shqipërinë, pasi siç thanë ata, “kemi parë në televizor që Shqipëria ka vende shumë”.

“Është një vend i këndshëm dhe na pëlqen shumë, kemi parë shumë dokumentarë për Shqipërinë. Ju keni realizuar një stendë të madhe të bukur shumëngjyrëshe dhe mendoj se përfaqësoni kulturën e vendit tuaj. Jam kureshtar dhe dua ta vizitoj, pasi nga ajo që kam parë në televizion, njerëzit janë të sjellshëm, kostumet tradicionale janë të bukura dhe duket një vend me trashëgimi të pasur kulturore. Duam ta njohim më mirë Shqipërinë”, tha ata.

Sonte jepet premiera e filmit ‘The River’ në Athinë

Sonte, në Athinë jepet premiera e filmit “The River” nga regjisori Haris Raftogianis.

The River- “njihet si bashkëpunimi i parë mes Greqisë dhe Kosovës ne kinematografi”, thuhet në njoftimin e Qendrës Kinematografike të Kosovës.

Ndër rolet kryesore luan aktorja Ilire Vinca, producent është Eshref Durmishi, Besnik Krapi.

Postproduksioni i zërit është realizuar nga In My Country Post Production, Gazmend Nela dhe Labinot Sponca./KultPlus.com

UET prezanton ekspozitën: Pikëpamje dhe Prapaskena – Eleganca e Modës në Vizatime

Ekspozita ku arti dhe moda u ndërthurën në një spektakël vizual të mbushur me kreativitet dhe elegancë erdhi nga Departamenti i Arteve të Aplikuara në Universitetin Europian të Tiranës.

Në ekspozitën e titulluar Pikëpamje dhe Prapaskena – Eleganca e Modës në Vizatime, studentët e programit “Arte Pamore” prezantuan punimet e tyre artistike në hapësirat e COD, duke sjellë një qasje të veçantë ndaj ilustrimit të modës.

“Përtej kësaj ekspozite, disa prej punëve më të mira do të realizohen konkretisht në atelie. Degëzimi i modës ka marrë një rëndësi të veçantë viteve të fundit, pasi studentët janë të interesuar që punët e tyre në aspektin e dizanjit, ti konkretizojnë me produkte konkrete”, tha Belina Budini, dekane e UET.

Kjo ekspozitë shpalosi talentin e tyre të jashtëzakonshëm në interpretimin estetik të veshjeve dhe stilit, ndërsa njëkohësisht hodhi dritë mbi prapaskenat e procesit krijues nga ideja fillestare, te vizatimi i detajuar e deri te finalizimi i një kompozimi artistik unik.

“Sot është një ditë shumë e veçantë për mua pasi përmes frymëzimeve të mia kam vendosur të shpalos artin tim në disa skica”, u shpreh Sibora Mestani, studente e UET.

Çdo punim në ekspozitë përfaqësonte një histori të veçantë, ku linjat, ngjyrat dhe teksturat ndërlidheshin për të sjellë një vizion të ri mbi botën e modës.

“Më vjen mirë që shoh të rinj që kanë kaq shumë pasion për artin dhe për të bukurën. Patjetër që do realizojmë që këto skica mos të mbeten vetëm skica. Të ndihmojmë këto të rinj që të vazhdojnë pasionin për artin, modën e të bukurën”, tha Greis Petroviq nga Greis Models Aga Clothing.

Përmes kësaj ekspozite, studentët jo vetëm që ndanë interpretimet e tyre artistike, por edhe sfiduan kufijtë e dizajnit, duke eksploruar dimensione të reja të krijimtarisë./euronews/ KultPlus.com

‘Danubi blu’ tashmë valsi edhe i hapësirës ndëryjore

Filarmonia e Vjenës do të luajë “Danubin blu” të Johann Straussit në kryeqytetin austriak më 31 maj, me koncertin që do të transmetohet edhe me një sondë ”Voyager 1” në hapësirën ndëryjore.

”Antena ‘Deep Space’ e Agjencisë Evropiane të Hapësirës (ESA) në Spanjë do të transmetojë melodinë e famshme”, tha sot Norbert Kettner, kreu i Turizmit në Vjenë.

Orkestra do të luajë veprën në Muzeun e Artit të Aplikuar (MAK) të qytetit.

Kur u nis në vitin 1977, sonda mbajti 27 regjistrime muzikore nga kompozitorë duke përfshirë Bach, Beethoven dhe Mozart, por jo valsin e Straussit, i cili është bërë një melodi jozyrtare me temë për hapësirën pas filmit fantastiko-shkencor të Stanley Kubrick “2001: Një Odise Hapësinore”.

”Voyager 1” ka në bord një disk audio-vizual të veshur me ar që përfshin fotografi dhe informacione mbi Tokën, si dhe regjistrime të ndryshme, duke përfshirë muzikën.

Kjo është bërë në rast se sonda gjendet ndonjëherë nga qytetërimet aliene.

Ngjarja është pjesë e një fushate të Turizmit të Vjenës që shënon ditëlindjen e 200-të të Strauss këtë vit.

ESA feston 50-vjetorin e themelimit të saj më 31 maj.

”Voyager 1” dhe ”Voyager 2” tani janë rreth 25 miliardë kilometra larg nga Toka dhe shumë përtej sistemit tonë diellor.

Sinjali pritet të marrë rreth 23 orë për të arritur në ”Voyager 1”.

”Nëse sinjali mund të merret diku tjetër varet nga aftësitë teknike të çdo qytetërimi që e merr atë”, thanë organizatorët./atsh/ KultPlus.com

Gjithmonë do gjenden dy sy gruaje që mbysin gjithkund dhimbjen tënde

Poezi nga Evgenij Jevtushenko

Gjithmonë do gjendet një dorë gruaje,
Që vjen të perkedhel me ëmbëlsi.
Me dashurinë e butë të vëllait,
Të qetëson kur s’ke dashuri.

Gjithmonë do gjendet një sup gruaje,
Ku ti mbështet kokën mendjelehtë.
Dhe, duke marrë frymë me zjarr,
Ajo të beson ëndrrën e vet.

Gjithmonë do gjenden dy sy gruaje,
Që mbysin gjithkund dhimbjen tënde.
Dhe, nëse të mbetet pakëz vuajtje,
Ata, të paktën, të shohin me dhembje.

Por ka dhe të tilla duar gruaje,
Që të sjellin mrekullinë.
Dhe kur të prekin ballin e lodhur,
Ke gjetur fatin, përjetësinë.

Por ka dhe të tilla supe gruaje,
Që do të duheshin përgjithmonë.
Që ti në to veç një natë u mbështete,
Gabimin e kuptove shumë vonë.

Por ka dhe të tillë sy gruaje,
Që të shohin me pikëllim gjithnjë.
Dhe mbeten për ty, sytë e shpirtit,
Deri në çastin kur ti s’je më.

Por ty, kundër dëshirës tende,
Të duken pak ato duar dhelëse.
Të duken pak supet dhe sytë,
Dhe i tradhton në ndjenja dehëse.

Dhe ja,
Ato hakmarrëse ngrihen kundër teje:
Tradhtar! – të thotë shiu nëpër lotë:
Tradhtar! – Era të përplaset në fytyrë:
Tradhtar! – pylli të thotë.

Dhe ti, me shpirt të penduar,
Ndjen turp dhe vetes kurrë s’ia fal.
Vetëm ato duar që ke tradhtuar,
Të falin gjithçka, thjesht pa fjalë.

Dhe vetëm ato supe të lodhura,
Të falin dhe janë gati të falin gjithmonë.
Dhe vetëm ata sy të trishtuar,
Të falin atë që as vetes s’ia lejon./ KultPlus.com

“Zërat e Kujtesës”, të rinjtë rrëfejnë përmes artit krimet e komunizmit

Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit hapi sot në mjediset e Piramidës së Tiranës ekspozitën “Zërat e Kujtesës”, me punime të nxënësve të Shkollës së Mesme Artistike “Jan Kukuzeli”, Durrës.

Punimet e nxënësve (vizatime, piktura, instalacione) janë frymëzuar nga dëshmitë e personave të persekutuar gjatë regjimit komunist, të cilat i ka botuar ISKK në kolanën “Zërat e Kujtesës”.

Drejtori ekzekutiv i ISKK, Çelo Hoxha, e konsideroi ekspozitën një konkretizim të gjallë të nevojës për njohjen e së shkuarës nga brezat e rinj, me qëllim që krimet e ndodhura gjatë regjimit komunist të mos harrohen.

Ideatorët e ekspozitës, përgjegjësja e Sektorit të Kërkimit Shkencor në ISKK, Brisejda Lala, dhe pedagogu i pikturës në Shkollën e Mesme Artistike, “Jan Kukuzeli” në Durrës, Franc Priska, shpjeguan për të pranishmit punën me nxënësit të cilët mundën që të sillnin për vizitorët përvojën në njohjen e së shkuarës, e cila tashmë është jetësuar në telajot e ekspozuara.

Më pas ishin vetë nxënësit, autorët e punimeve, që treguan përvojat personale të njohjes së të shkuarës gjatë regjimit komunist, duke treguar se prindër apo gjyshër të tyre i kishin përjetuar këto krime që tashmë nxënësit i kanë sjellë në pamjet vizuale në këtë ekspozitë./atsh/KultPlus.com

Ikona e vitit 1860, në proces restaurimi dhe konservimi

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë tregoi përmes rrjeteve sociale procesin e restaurimit dhe konservimit të ikonës së Johan Pagëzorit.

Ikona “Johan Pagëzori” ka qënë në një ikonostas për të cilin nuk ka shumë informacion. Ajo është pikturuar në vitin 1860 dhe kishte pësuar dëmtime të mëdha. Ishte rrëzuar një pjesë e konsiderueshme e shtresës pikturale duke zbuluar gruntin e bardhë. Verniku ishte errësuar dhe oksiduar.

Pas konsolidimit të shtresës së gruntit dhe pikturës dhe pas largimit të vernikut të degraduar, ikona është në procesin e ndërhyrjeve estetike që kapin një pjesë të konsiderueshme të sipërfaqes së saj.

Figurës së Johan Pagëzorit i janë dedikuar një numër i madh ikonash. Vitin e kaluar MKMA, në kuadër së Ditës së Muzeve, organizoi një ekspozitë me 13 ikona të cilat rrëfejnë ngjarjet kryesore në jetën e Johan Pagëzorit. Disa prej këtyre veprave nuk u njihet autori, ndërsa të tjera janë realizuar nga Kostandin Jeremonaku dhe Vangjel Zengo. Ikonat janë realizuar në periudha të ndryshme prej shekullit të 14-të deri në shekullin e 20-të.

Johan Pagëzori është një ndër figurat më të rëndësishme të krishtërimit, i njohur ndryshe si “pararendësi”./atsh/KultPlus.com

Hija ime

Poezi nga Teodor Keko

Me hijen time ik në rrugë,
Ajo e sheshtë gjith aq e zezë.
E di saktësisht se ç’mendoj unë,
Pjerrtas më sheh si një të mjerë.

Unë hijen time nuk e njoh,
S’ia di mirësitë e as tradhëtitë,
Nuk di as kur do më lëshojë,
Kur do të më ngarkojë në shpinë. / KultPlus.com

“Tales of time”, shfaqje e baletit kontemporan në Teatrin Eksperimental

“Tales of time” (Rrëfimet e kohës) ishte shfaqja e vënë në skenë gjatë fundjavës, nga Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.

“Tales of time” ishte një prodhim i Teatrit Eksperimental në bashkëpunim me Ambasadën Austriake në Tiranë, me koncept e skenografi të Anna Possarnig. Në skenë performuan: Valentina Myteveli, Mariel Brahimllarid dhe Semela Skënderasi nën tingujt e Joel Diegert.

Baleti kontemporan preku historitë që përbëjnë përvojën njerëzore, narrativat e ndryshme mbi të cilat ne e bazojmë jetën dhe identitetin tonë. Shfaqja erdhi si një eksplorim i rrëfimeve tradicionale popullore të të dy vendeve dhe i kontekstualizoi ato me realitetin tonë të perceptuar.

Performanca rreket t’u japë përgjigjje pyetjeve të tilla si: Kush jemi ne dhe sa prej nesh është ndërtuar përmes përvojës së paraardhësve tanë? Cilat janë ngjashmëritë midis historive tona personale? Si është e ndryshme jeta jonë moderne? Nga çfarë jemi krijuar? Dhe mbi të gjitha, a nuk po funksionojmë ende sipas të njëjtave rregulla, edhe pse dixhitalizimi ndryshoi jetën tonë të përditshme?./atsh/KultPlus.com