Panairi i Librit, Arkivat prezantojnë 5 botimet më të reja studimore

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) paraqiti 5 botimet më të reja studimore, që trajtojnë tematika historike dhe të lëmit të arkivistikës.

Për vitin e dytë radhazi, në çeljen e siparit të Panairit Kombëtar të Librit, DPA-ja rikthehet pas një periudhe të gjatë mungese në funksionin e botueses, duke sjellë për libradashësit studime mbi periudha dhe figura të rëndësishme në historinë e vendit, si edhe mbi metodologjinë arkivore në hapësirën shqiptare.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin kreu i DPA-së, prof. asoc. dr. Ardit Bido, akademikë, anëtarë të Këshillit të Lartë të Arkivave (KLA), përfaqësues nga Arkivi Qendror Shtetëror (AQSH), të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASH), si dhe arkivistë e studiues të fushave përkatëse.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Bido, i cili moderoi edhe diskutimin në tryezën e rrumbullakët, nënvizoi se këto botime japin një kontribut në historiografinë shqiptare, duke vlerësuar në veçanti bashkëpunimin e DPA-së me Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës (ASHAK) në përgatitjen e revistës arkivore të përvitshme.

“Ne financojmë botime që janë në suazën e përmbledhjeve të dokumenteve arkivore, të monografive, të revistës së Arkivave Shqiptare, si edhe të kolanës së botimeve të udhërrëfyesve, që shpresojmë ta hapim vitin tjetër. Janë katër botime të rëndësishme sa i përket historiografisë shqiptare. Unë do flas shkurtimisht për botimin e pestë, për revistën Arkivat Shqiptare. Kjo revistë është e përbashkët e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave dhe e Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës (ASHAK), ku përmblidhen kumtesa dhe studime të fushës së arkivistikës. Është vendimarrje e vështirë sepse janë shumë të paktë ata që kryejnë një hulumtim mbi arkivistikën. Kjo sinergji që kemi me ASHAK-un dhe me Institutin e Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve në Shkup, na ka mundësuar që të kemi të rejat e fundit të shkencës së arkivistikës kudo në rajon, në mënyrë që jo vetëm të avancojmë, por edhe të unifikojmë standartet. Revista është produkt i Konferencave Mbarëkombëtare të Arkivistikës. Kemi qenë në Tiranë, në Prishtinë, në Shkup, në Sarandë, në Tuz, në Boletin dhe në Manastir, me arkivistë nga Shqipëria, nga Kosova, nga Maqedonia e Veriut dhe nga Mali i Zi. Revista ‘Arkivat Shqiptare’ ka krijuar traditën e vet, është viti i 59-të i botimit të saj”, u shpreh Bido.

Katër prej botimeve të publikuara rishtas vijnë në trajtën e punimeve monografike ose të përmbledhjeve të dokumenteve rreth personaliteteve dhe zhvillimeve historike. Mes tyre, bën pjesë edhe një udhëzues rreth tematikës së gjerë të punës kërkimore në arkiv. Në diskutimin e hapur të mbajtur në Sallën Ovale të Pallatit të Kongreseve, dr. Endrit Musaj, Myrteza Sharra, Vera Lushaj dhe bashkëstudiuesit Armando Boçe dhe Arbër Bilbili, referuan përkatësisht mbi botimet e titulluara:

“Manual tekniko-praktik për dokumentet dhe arkivat në Shqipëri”, “Musine Kokalari në dokumentet arkivore (Përmbledhje dokumentesh)”, “Dokumente të reja arkivore për Bajram Currin” dhe “Dokumente mbi marrëdhëniet e PPSH me partitë dhe lëvizjet marksiste-leniniste jashtë kampit socialist (Përmbledhje dokumentesh)”.

“Është libri më i plotë për arkivistikën bazuar në përvojën kombëtare dhe ndërkombëtare. Jep informacione, metoda teorike dhe praktike për arkivistët, për krijuesit dhe për përdoruesit e dokumentave”, tha dr. Musaj mbi botimin e përgatitur nga dr. Ivan Loli.

Studiuesi Bilbili shpjegoi se “Dokumente mbi marrëdhëniet e PPSH me partitë dhe lëvizjet marksiste-leniniste jashtë kampit socialist (Përmbledhje dokumentesh)”, përqendrohet në raportet politike të Shqipërisë komuniste me dy shtete europiane. “Ky vëllim përfshin dokumente mbi raportet reciproke me grupet, me veprimtarët dhe në ndonjë rast edhe me individë marksistë-leninistë nga Spanja dhe Italia të Partisë së Punës së Shqipërisë. Ashtu si në vëllimin e parë, janë përzgjedhur dy shtete europiane, kjo për vetë rëndësinë dhe vështirësinë që paraqisnin marrëdhëniet me grupet politike në këtë kontinent”, shpjegoi studiuesi Biblili.

Për të shtatin vit, bashkëpunimi mes DPA-së dhe Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës (ASHAK) kurorëzohet me botimin e numrit të radhës së revistës “Arkivat Shqiptare”. Ky publikim, që është i vetmi në fushën e arkivave në mbarë trojet shqiptare, përmbledh punimet periodike të studiuesve dhe të arkivistëve në mbarë trojet shqiptare, të prezantuara në Konferencat Mbarëkombëtare të Arkivistikës. Kjo revistë i mundëson çdo arkivisti apo të interesuari që të thellohet në disiplinën e arkivistikës, si shkencë të mëvetësishme nga historia apo nga shkencat e tjera të përafërta.

Botimet e prezantuara së fundmi, vijnë në përgjigje të thirrjes periodike të DPA-së adresuar çdo të interesuari të bashkësisë shkencore, për të përgatitur studime mbi një larmi temash në rrafshe të ndryshme të veprimtarisë publike. Këto botime, së bashku me të tjera publikime të mëparshme të DPA-së me tematika të rëndësishme historike, do të gjenden në stendën e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASH), deri në mbyllje të panarit, ditën e diel, më datë 19 nëntor./atsh/KultPlus.com

Ministri Çeku pret në takim ekipin kampion të futsallit në Kosovë, FC Prishtina 01

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku sot ka pritur në takim ekipin kampion aktual të futsallit në Kosovë, FC Prishtina 01, shkruan KultPlus.

Ministri Çeku, pjesëtarët e FC Prishtina 01, i ka përgëzuar për suksesin e fundit ndërkombëtar, ku është kualifikuar në mesin e 16 ekipeve më të mira të Ligës së Kampionëve.

“Ministri Çeku ka pritur sot në kabinet ekipin kampion aktual të futsallit në Kosovë FC Prishtina 01, të kryesuar nga kryetari i klubit Bledion Bryma.

Bashkë folën për sukseset e klubit dhe sportit të futsallit në Kosovë, për zhvillimet aktuale në sport, ndërsa Ministri i përgëzoi për suksesin e fundit ndërkombëtar.

FC Prishtina 01 është kualifikuar në mesin e 16 ekipeve më të mira të Ligës së Kampionëve, pas triumfit si e para në grupin kualifikues. Në fazën ‘Elite Round’, do të përballen me kampionët e Portugalisë, Benfica, Kairat Almaty të Kazakistanit dhe Doboveci i Sllovenisë.

Ata kanë fituar të drejtën e organizimit të ndeshjeve të këtij grupi në Prishtinë, dhe në vendin tonë prej 29 nëntor deri më 3 dhjetor do të zhvillohet një tjetër ngjarje e madhe ndërkombëtare”, thuhet në njoftim./KultPlus.com

Bajram Kosumi boton librin që filloi ta shkruante në qelitë e burgut të Nishit: Libri më i mirë që mund të shkruaj

Sot është botuar libri më i ri i autorit Bajram Kosumi ‘Enciklopedia imagjinare/Postroman’, i cili ka filluar të shkruhet në vitet 1985-1986, në qelitë e Burgut të Nishit, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur vet autori Kosumi, i cili gjithashtu ka thënë se ky është libri më i mirë që mund të shkruaj, pasi libri në fjalë ka filluar të shkruhet në vend jo të zakonshëm.

“Sot doli nga shtypi libri im Enciklopedia imagjinare/Postroman, në botim te Artinit dhe Toenës.
Libri më i mirë që mund të shkruaj! I filluar në qelitë e Burgut të Nishit, diku në vitet 1985-6 dhe i përfunduar në kryeqytetin e Republikës se Kosovës, në Prishtinë, me 2022.
Te dashur miq e dashamire te letersise- lexim te kendshem!”, ka bërë të ditur Kosumi në facebook./KultPlus.com

Ministri Çeku pret në takim dirigjentin Memli Kelmendi: Kori Siparantum po i sjell vendit suksese të mëdha

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ka pritur në takim dirigjentin e Korit Siparantum, Memli Kelmendin pas fitores së medaljes së artë në Grand Prix of Nations, në Suedi, shkruan KultPlus.

Ministri Çeku përmes një postimi në facebook, ka thënë se ‘Kori Siparantum’ po i sjell vendit suksese të mëdha.

Në këtë takim, është bërë e ditur se u diskutua edhe për aktivitetet e korit, sfidat dhe planet për pjesën e mbetur të vitit.

“Me dashurinë për muzikën, punën dhe përkushtimin e tyre kanë arritur majat më të larta në muzikën korale botërore. Kori Siparantum po i sjell vendit suksese të mëdha.

Ministri Çeku e priti sot në takim dirigjentin dhe udhëheqësin e korit Memli Kelmendi, të cilin e përgëzoi për suksesin e fundit, medaljen e artë në Grand Prix of Nations, në Suedi.

Bashkë diskutuan për aktivitetet e korit, sfidat, punët aktuale dhe planet për pjesën e mbetur të vitit.

Ministria e Kulturës është mbështetësi kryesor i Korit Siparantum”, thuhet në postim./KultPlus.com

Komuna e Prishtinës subvencionon kursin e notit për fëmijët e klasave të para në skema sociale

Komuna e Prishtinës së shpejti do të filloj subvencionimin e kurseve të notit për fëmijët e klasave të para, të cilët janë pjesë e skemës për ndihmë sociale, shkruan KultPlus.

Këtë e ka bërë të ditur Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili ka deklaruar gjithashtu se investimi në përfshirjen sociale vendosë themelet e shoqërie më të lidhur me njëri-tjetrin.

“Jam shumë i lumtur t’ju njoftoj se shpejt do të fillojmë me subvencionimin e kurseve të notit për fëmijët e klasëve të para të cilët janë pjesë e skemës për ndihmë sociale.

Investimi në përfshirjen sociale vendosë themelet për një shoqëri më të lidhur me njëri-tjetrin, duke i fuqizuar fëmijët të lulëzojnë në një botë që vlerëson diversitetin dhe përqafon gjithpërfshirjen”, thuhet në njoftimin e Kryetarit Rama në  Facebook./KultPlus.com

393 vite më parë vdiq astronomi Johannes Kepler

Johannes Kepler (27 dhjetor te vitit 1571 Gjermani) ishte një astronom, matematikan, astrolog, filozof natyror dhe shkrimtar gjerman në muzikë. Ai është një figurë kyçe në Revolucionin Shkencor të shekullit të 17-të, më i njohur për ligjet e tij të lëvizjes planetare dhe librat e tij Astronomia nova, Harmonice Mundi, dhe Epitome Astronomiae Copernicanae. Këto vepra gjithashtu dhanë një nga themelet për teorinë e Njutonit të gravitetit universal.

Kepler ishte një mësues matematike në një shkollë seminari në Graz, ku ai u bë një bashkëpunëtor i princit Hans Ulrich von Eggenberg. Më vonë ai u bë asistent i astronomit Tycho Brahe në Pragë, dhe përfundimisht matematikan perandorak i Perandorit Rudolf II dhe dy pasardhësve të tij Matthias dhe Ferdinand II.

Ai gjithashtu dha matematikë në Linz dhe ishte këshilltar i gjeneralit Wallenstein. Për më tepër, ai bëri punë themelore në fushën e optikës, shpiku një version të përmirësuar të teleskopit përthyes (ose Keplerian) dhe u përmend në zbulimet teleskopike të Galileo Galileit të tij bashkëkohor. Ai ishte një anëtar korrespondues i Accademia dei Lincei në Romë.

Kepleri jetoi në një epokë kur nuk kishte dallim të qartë midis astronomisë dhe astrologjisë, por kishte një ndarje të fortë midis astronomisë (një degë e matematikës brenda arteve të lira) dhe fizikës (një degë e filozofisë natyrore).

Kepleri gjithashtu përfshiu argumente dhe arsyetime fetare në punën e tij, të motivuar nga bindja dhe besimi fetar se Zoti e kishte krijuar botën sipas një plani të kuptueshëm që është i arritshëm përmes dritës natyrore të arsyes. Kepler e përshkroi astronominë e tij të re si “fizikë qiellore”, si “një ekskursion në metafizikën e Aristotelit”, dhe si “një shtesë e On the Heavens të Aristotelit”, duke transformuar traditën e lashtë të kozmologjisë fizike duke e trajtuar astronominë si pjesë e një fizikë matematikore universale.

Ai vdiq më 15 nëntor 1630 në Regensburg të Gjermanisë/KultPlus.com

Fillojnë xhirimet e filmit ‘Gruaja e Shtëpisë’

Qendra Kinematografie e Kosovës ka njoftuar se kanë filluar xhirimet e filmit “Gruaja e Shtëpisë”, me regji dhe skenar të Fatos Berishës, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në facebook, QKK ka bërë të ditur që filmi është prodhim i shtëpisë filmike B2, ndërkaq producent është Liridon Cahani.

“Bashkëprodhues i filmit nga Shqipëria është shtëpia filmike Artalb Productions. Ky projekt është subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Qendra Kombëtare Kinematografike e Shqipërisë”, ka bërë të ditur QKK.

Xhirimet e filmit do të zgjasin 30 ditë, dhe xhirimi do te jetë i ndarë ne dy faza/KultPlus.com

Zona arkeologjike “A” e Gradishtës së Selcës, Pogradec shpallet pasuri kulturore e paluajtshme

Këshilli i Ministrave miratoi sot deklarimin pasuri kulturore e paluajtshme të zonës arkeologjike “A” të Gradishtës së Selcës, në bashkinë Pogradec.

Në mbledhjen e qeverisë u miratua gjithashtu zonifikimi i zonës arkeologjike “A” të Gradishtës së Selcës, bashkia Pogradec, sipas koordinatave dhe hartave në KRGJSH, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Po ashtu u miratua plani për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e kësaj zone, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Për regjistrimin e këtij vendimi në hartat kadastrale, në përputhje me ligjin nr.111/2018, “Për kadastrën”, dhe aktet nënligjore në zbatim të tij ngarkohet Agjencia Shtetërore e Kadastrës.

Ndërsa Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor ngarkohet të publikojë hartën e zonës arkeologjike “A” të Gradishtës së Selcës në Gjeoportalin Kombëtar.

Ndërkohë që Këshillimi i Ministrave ka shfuqizuar vendimin për “Për shpalljen e zonës arkeologjike “A” të Gradishtës së Selcës, Rrethi i Pogradecit, dhe miratimin e rregullores së administrimit”.

Për zbatimin e vendimit ngarkohen Ministria e Kulturës, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe bashkia Pogradec.

Varret e Selcës janë mbretërore dhe i përkasin princërve e princeshave të qytetit të lashtë Pelion. Janë varre monumentale dykatëshe të futura brenda në shkëmbinj në një kodër të bukur të gjelbëruar në fshatin Selcë e Poshtme, Pogradec. Për herë të parë ato janë zbuluar në vitet ‘40 dhe janë gërmuar plotësisht në 1971.

Disa gërmime paraprake të bëra nga arkeologët kanë arritur në përfundimin se poshtë Selcës dhe kodrave të Gradishtës fshihen rrënojat e një qyteti të tërë antik. Historia e një civilizimi të rëndësishëm antik pritet që të zbulohet. Varret e Selcës janë nominuar në listën Tentativë të UNESCO që në 1996. Një investim për zbulimin e plotë të tyre, do i hapte rrugën listimit të plotë në UNESCO të këtij qytetërimi të lashë. / atsh / KultPlus.com

Sopranoja Elbenita Kajtazi debuton në festivalin e Edinburgt, do ta ndajë skenën edhe me tenorin Saimir Pirgu

Në një ngjarje të pazakontë që shënon 900-vjetorin e qytetit të Edinburgut, Festivali Ndërkombëtar i Edinburgut për vitin 2024 do të sjellë në skenë një kombinim të mrekullueshëm të performancave artistike. Ky manifestim do të zhvillohet nga data 2 deri më 25 gusht, duke sjellë një valë të madhe të kulturës dhe muzikës në zemrën e Skocisë, shkruan KultPlus.

Një prej pjesëmarrësve të veçantë në këtë festival do të jetë sopranoja e njohur kosovare, Elbenita Kajtazi.

Në këtë festival të shquar, sopranoja kosovare do të këndojë rolin e Mikaelës nga opera Karmen. Ajo gjithashtu është shprehur e lumtur që skenën do ta ndaj me mezosopranon Gawlle Arques dhe tenorin e njohur shqiptar Saimir Pirgu.

“Të dashur miq,
Jam jashtëzakonisht e lumtur që këtë verë do bëjë debutimin tim në festivalin internacional veror të qytetit të Edinburg në Skotland.
Në këtë festival do kem rastin të këndoj rolin e Mikaelës nga opera Karmen, produksion ky që në Prill kishte premieren në Opera Komike në Paris. Mezi presë të ndaj skenën me mezosopranon Gawlle Arques dhe tenorin e mirënjohur shqiptarë Saimir Pirgu.

Për më shumë info, klikoni linkun e mëposhtëm ⤵️
https://www.eif.co.uk/…/first-performances-and-theme…”, shkruan Elbenita. / KultPlus.com

Prishtina po bëhet me Strategji të Kulturës

Drejtoresha e kulturës në Komunën e Prishtinës, Arta Balaj ka njoftuar sot se Prishtina po bëhet me Strategji të Kulturës, përcjell KultPlus.

Sipas Balaj, një ekip profesional ndërkombëtarë dhe vendor, personalitete dhe kontribuues të kulturës dhe turizmit, do të punojnë për të sjellë një strategji gjithëpërfshirëse të artit dhe kulturës, ndryshimeve pozitive dhe inovative në Prishtinë.

Eksperti kryesor i hartimit të Strategjisë për Kulturë është Philip Kern, i cili ka njohuri të thella në fushën e kulturës dhe zhvillimit strategjik. Ai është një ekspert ndërkombëtar i tregut të muzikës dhe industrive të tjera kreative, është Drejtor Ekzekutiv dhe themelues i organizatës KEA European Affairs, e cila ofron kërkime, këshillim dhe konsulencë në fushën e politikave kulturore dhe kreative në nivel evropian. Ka hartuar dokumente strategjike për kulturë në vende të ndryshme të Evropës dhe botës.

“Si Drejtori e Kulturës jemi të përkushtuar që të hartohet një dokument strategjik për kulturë dhe arritjen e objektivave që duhet të përfshihen në të si, promovimi i diversitetit kulturor dhe gjithëpërfshirës, nxitjen e kreativitetit dhe inovacionit, rritjen e infrastrukturës kulturore, nxitjen e ekonomisë kulturore, promovimin e turizmit kulturor dhe angazhimin e komunitetit”, thotë Balaj. / KultPlus.com

Presidentja Osmani u prit në takim nga presidenti i Portugalisë, Marcelo Rebelo de Sousa

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës në Portugali është pritur në takim nga presidenti Marcelo Rebelo de Sousa në Pallatin Presidencial “Belem” në Lisbonë.

Sipas Presidentes Osmani, vizita e dytë në këtë shtet është dëshmi e  marrëdhënieve të shkëlqyera dypalëshe, të cilat tashmë ndodhen në një fazë dinamike me fokus në intensifikimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat.

Vizita e Presidentes Osmani përkon me 15 vjetorin e njohjes së Kosovës nga Portugalia dhe lidhjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy shteteve.

“Ky është një moment i rëndësishëm dhe historik për ta shprehur  mirënjohjen për shtetin dhe popullin e Portugalisë për kontributin e dhënë përgjatë viteve. Kjo mbështetje ka ndikuar shumë në avancimin e qëllimeve tona parësore në rrugën e integrimeve euro-atlantike, forcimin e paqes dhe stabilitetit rajonal”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Më tej, Presidentja Osmani ka theksuar se e sheh Portugalinë si një shtet mik brenda Bashkimit Evropian dhe më gjerë, ndaj tha se shpreson në mbështetje të mëtejme për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Në këtë kontekst Presidentja ka falënderuar Portugalinë për mbështetje në procesin e liberalizimit të vizave dhe për anëtarësimin në Këshillin e Evropës, si dhe ka shfaqur shpresën se Portugalia do të përkrahë edhe dhënien e statusit kandidat në BE per Republikën tonë.

Një pjesë e takimit iu kushtua zhvillimeve të fundit politike dhe të sigurisë në Kosovë.

Presidentja Osmani e informoi homologun De Sousa dhe për zhvillimet e fundit në vend, si dhe mbi aktin e agresionit të Serbisë kundër Republikës së Kosovës më 24 shtator, me ç’rast, potencoi rëndësinë e sjelljes para drejtësisë në Kosovë të grupit paramilitar serb dhe adresimin e përgjegjësisë së Serbisë në destabilizimin e Kosovës dhe rajonit.

Presidentja poashtu potencoi se në procesin e dialogut me Serbinë, Kosova është palë konstruktive dhe se përmbyllja e këtij procesi përmes njohjes së ndërsjellë është e vetmja rrugë që do të sjellë paqe afatgjate në rajon.

Në këtë takim, Presidentja Osmani dhe presidenti De Sousa kanë diskutuar edhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit të sfera të interesit të dyanshëm. / KultPlus.com

Hapet edicioni i XI i ekspozitës “Net/Rrjet”, shpalos konceptin e ekzistencës në të përkohshmen

Në një atmosferë të ngrohtë dhe të mbushur me entuziazëm, në hapësirat e CNP-së është hapur edicioni i XI i “Net/Rrjet” – Ekspozita Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor, nën përkujdesjen e Expoart.40, përcjell KultPlus.

Kuruar nga Bora Kelmendi Beqiraj, këtë vit, koncepti kuratorial ka qenë “Ekzistenca në t’përkohshme”. Vizualizimi i ideve mbi të përkohshmen është një tentativë për të afruar më pranë perceptuesit simbolin; hulumtimin; studimet; idetë; Si mjet për të deshifruar një pjesë gati personale të asaj se çfarë mendohet rreth ekzistencës në tërësi dhe specifikisht, atë se çfarë është e përkohshme, e që në këtë rast është relative. Duke inkurajuar reflektime mbi atë që saktësisht është permanente dhe çfarë abstrakton momentin e ekzistencës së saj.

Në këtë hapësirë të posaçme, materialet janë zgjedhur me kujdes, në atë formë që të neutralizojnë kufijtë midis fushës profesionale, e të krijohet një emërues i përbashkët që është ekzistenca në tërësi. E përkohshmja nuk ekziston vetëm në formë abstrakte por në fakt mund të jetë, e prekshme, e ndjerë, e perceptuar, dhe pjese e përditshmërisë. Për ta kontekstualizuar, ngritet pyetja: Cili është realiteti i të përkohshmes? në fund të fundit, çfarë realisht ekziston në përkohshmëri? Ekzistenca në sferën e disa realiteteve është ajo që shtyn njeriun për të menduar lidhur me afatet kohore të ekzistencës në një mënyrë për të eksploruar natyrën kalimtare të jetës dhe përvojës njerëzore.

Nëpërmjet këtij reflektimi tematik bëhet i kuptueshëm se si në mjaft raste kemi ekzistuar në situata të përkohshme duke i përjetuar ato si gjendje e përjetshme, e kjo e shndërron këtë projekt në një mjet për të ndërmjetësuar të kuptuarit të këtyre momenteve nëpërmjet reflektimit ne forma te ndryshme.

Duke shpërndarë një mesazh të fuqishëm dhe inkurajues, artistët pjesëmarrës ishin: Barbara Bernardi, Erion Kllokoqi, Estudio Yesporciento, Leonor Marttin & Aida Novarro, Mikel Temo, Patriza Mori, Rubin Kadiu, Renato Bocchi, Juan Carlos Quindós & Valentina Rizzi.

Ky projekt është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com

UEFA zbulon topin zyrtar të kampionatit

Organi drejtues i futbollit evropian, UEFA, zbuloi topin zyrtar të ndeshjes që do të përdoret gjatë Euro 2024.

”Në një event të veçantë përpara stadiumit olimpik të Berlinit, i cili do të presë finalen e turneut, FUSSBALLLIEBE, që në gjermanisht do të thotë ‘dashuria për futbollin’, u prezantua me një dizajn të frymëzuar nga gëzimi i futbollit dhe energjia e turneut”, deklaroi UEFA.

Topi është kryesisht i bardhë, me skaje, kthesa dhe pika me ngjyra.

Ilustrimet e secilit prej stadiumeve të turneut shfaqen gjithashtu në top, së bashku me emrin e çdo qyteti pritës.

‘FUSSBALLLIEBE po shfaq teknologjinë e topit të lidhur për herë të parë në Kampionatin Evropian, duke ofruar një pasqyrë të paprecedentë në çdo element të lëvizjes së topit dhe duke kontribuar në procesin e vendimmarrjes së ndihmës gjyqtarit video të UEFA-s”, theksoi federata.

”Kampionati Evropian i Futbollit të UEFA-s përfaqëson kulmin e garave të ekipeve kombëtare në Evropë dhe ne jemi të përkushtuar të sigurojmë që çdo aspekt, nga mjediset te pajisjet, të përmbushë standardet më të larta të cilësisë dhe performancës”, theksoi drejtori teknik i UEFA-s Zvonimir Boban.

Euro 2024 do të zhvillohet nga 14 qershori deri më 14 korrik 2024 në 10 qytete pritëse në Gjermani, përkatësisht  Berlin, Këln, Dortmund, Düsseldorf, Frankfurt, Gelsenkirchen, Hamburg, Leipzig, Mynih dhe Shtutgart./ atsh / KultPlus.com

“Zbuloni shpirtin e Ballkanit Perëndimor” përmes ekspozitës së 18 nëntorit në KultPlus Caffe Gallery

Ekspozita “Zbuloni shpirtin e Ballkanit Perëndimor”, e cila paraqet një sërë fotografish dhe instalacionesh magjepsëse në printim fotografik, do të hapet të shtunën, 18 nëntor, në KultPlus Caffe Gallery.

Kjo ekspozitë, e organizuar nga Programi Rajonal i Partneriteteve Rinore (RYPP) të Kosovës, premton të prezantoj para vizitorëve disa vepra unike artistike nga Kosova, Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia.

Ky eveniment kulturor është mundësuar nga Rrjeti Rajonal i Partneriteteve Rinore (RYPP), një program dinamik rinor që bashkon të rinjtë nga Kosova, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

 Ndërsa eksploroni ekspozitën, ju do të vëreni shkrirjen e ndikimeve tradicionale, duke pasqyruar peizazhet, historitë dhe identitetet e ndryshme të Ballkanit Perëndimor.

Rrjeti Rajonal i Partneriteteve Rinore (RYPP) luan një rol kyç në mbështetjen e përpjekjeve krijuese të rinisë së rajonit, duke ofruar një platformë për shprehje dhe bashkëpunim. Për t’u thelluar në aktivitetet e grupit dhe për të mësuar më shumë rreth misionit të tyre, mund të ndiqni @wb_youth_partnership në Instagram.

“Zbuloni shpirtin e Ballkanit Perëndimor” nuk është thjesht një ekspozitë; është një dëshmi e fuqisë së artit për të kapërcyer kufijtë, për të lidhur komunitetet dhe për të nxitur një kuptim të përbashkët të trashëgimisë së pasur kulturore që përcakton Ballkanin Perëndimor.

“Bashkohuni me ne në KultPlus për një përvojë gjithëpërfshirëse që premton të nxisë bisedat për paqe dhe pajtim. Mos e humbisni këtë mundësi unike për të parë frymën e gjallë të Ballkanit Perëndimor të gjallërohet përmes botëkuptimit të RYPP, thuhet në njoftimin e organizatorëve.

Ekspozita hapet më datë 18 nëntor, në ora 17:00 në KultPlus Caffe Gallery. / KultPlus.com

‘The Killer’ dhe ‘All the Light We Can’t See’ shkëlqejnë në krye të top 10 klasifikimeve të Netflix

I nominuari për çmimin Oscar, David Fincher, arriti në krye të top 10 listave të Netflix-it këtë javë pas publikimit të thrillerit të tij të ri të shumëpritur, The Killer me Michael Fassbender.

Filmi, i cili ka qenë gati dy dekada në përgatitje për organizatorin e Se7en, qëndron i vetëm si titulli më i shikuar i javës me 27.9 milionë shikime, duke arritur në vendin e parë në 88 vende dhe duke u renditur në Top 10 në 93.

Bazuar në romani grafik francez me të njëjtin emër nga Alexis Nolent dhe Luc Jacamon, i fundit i Fincher është cilësuar si një film “i përgjakshëm, brutal dhe me stil noir” për një vrasës të ftohtë dhe llogaritës me një ndërgjegje që e gjen veten në fundin e gabuar të një gjuetie njerëzore. ndërsa punëdhënësit e tij kërkojnë ta fshijnë atë pas një goditjeje të dështuar.

Duke rënë në shkallën e dytë të renditjes së filmit anglez është thrilleri në Mbretërinë e Bashkuar Locked In, kryesuesi i listës së javës së kaluar me Finn Cole, Rose Williams dhe Famke Janssen, i cili shtoi 13.2 milion shikime të tjera në total.

Filmi i tensionuar ndjek udhëtimin e një infermiere për të zgjidhur misterin që rrethon një nga pacientët e saj në gjendje kome, vetëm për të zbuluar një rrjet çështjesh, hidhërimi dhe në fund të fundit vrasje në thelbin e të gjithave. Tituj të tjerë të shquar të listuar përfshijnë dokumentarin Sylvester Stallone Sly në vendin e katërt me 5.9 milionë shikime, Nyad i drejtuar nga Annette Bening dhe Jodie Foster në të pestin me 5.8 milionë dhe Pain Hustlers me Emily Blunt dhe Chris Evans në të gjashtin me 5.1 milionë. Njerëzit gjithashtu e duan akoma Spider-Man: Across the Spider-Verse, duke e vendosur atë në vendin e shtatë me 4.4 milionë të tjerë.

Nga ana e filmit jo-anglez, komedia franceze e aksionit Wingwomen u ngjit në vendin e parë me 11.6 milionë të tjerë, megjithëse Fincher dhe Fassbender siguruan se nuk është më shorti kryesor i transmetuesit.

Filmi ndjek miqtë më të mirë dhe hajdutët profesionistë Alex (Adèle Exarchopoulos) dhe Carole (Mélanie Laurent) të cilët luftojnë për lirinë e tyre nga një jetë në arrati me ndihmën e një kampioni motoçikletash. Fryma e festave është gjithashtu në ajër, me The Claus Family 3 nga Belgjika që shpërtheu dukshëm në tabelë në vendin e katërt me 2.8 milionë shikime. / KultPlus.com

“Ninullë” nderohet me tre çmime në festivalin e filmit “Zuger Filmtage”

Në festivalin e filmit “Zuger Filmtage” mbrëmë u zhvillua “Award Night” ku u bë ndarja e çmimeve dhe u shfaqën të gjithë filmat konkurrues në këtë festival të filmit, i cili kësaj radhe ishte edhe në kuadër të 100-vjetorit të kinemasë në Zug të Zvicrës.

Pjesë e konkurrencës ishte edhe filmi “Ninullë” i regjisorit të ri Adrian Asllani.

Në këtë mbrëmje filmi “Ninulllë” u nderua me tre çmime. Me çmimin e publikut për filmin më të mirë, me çmimin e kamerës më të mirë dhe me çmimin special të jurisë së të rinjve.

Regjisori Adrian Asllani, gjatë marrjes së këtyre çmimeve falënderoi aktorin Avni Dalipi i cili ishte prezent në këtë event, për aktrimin e tij brilant në rolin kryesor, pastaj edhe gjithë stafin e xhirimit të filmit, për një punë të shkëlqyeshme ekipore. / KultPlus.com

Nobelistja Narges Mohammadi përmbyll grevën e urisë pasi dërgohet për trajtim mjekësor jashtë burgut

Avokuesja iraniane për të drejtat e njeriut dhe fituesja e çmimit Nobel për Paqe, Narges Mohammadi, ka përfunduar grevën e urisë pas tre ditësh, sipas një deklarate nga ekipi i saj. Mohammadi përfundoi aksionin të mërkurën, më 9 nëntor, pasi u dha leje që të dërgohej nga burgu Evin i Teheranit për shkuar në një spital për marrjen e kujdesit mjekësor pa veshur hixhabin e detyrueshëm, thuhet në deklaratë.

Narges Mohammadi, kishte hyrë në grevë urie në burgun ku po mbahej, në shenjë proteste ndaj kufizimeve të kujdesit mjekësor për të dhe të burgosurit e tjerë, si dhe ndaj detyrimit që gratë të mbajnë hixhabin e detyrueshëm.

Paraprakisht përmes një postim në rrjetin social X, familja e saj kishin njoftuar se ajo po konsumonte vetëm ujë, sheqer dhe kripë dhe se kishin ndërprerë dhënien e medikamenteve të saj.

Mohammadi refuzon që në çfarëdo rrethane të mbajë hixhabin, mbulesa e kokës që është e detyrueshme për gratë në hapësirat publike iraniane qysh prej revolucionit islamik të Iranit të vitit 1979. “Narges hyri në grevë urie për të protestuar për dy gjëra: politikën e Republikës Islamike për vonimin dhe neglizhimin e kujdesit mjekësor për të burgosurit e sëmurë (sidomos ata politikë) dhe politikën e ‘hixhabit të detyrueshëm’ për gratë iraniane”, thuhet në deklaratën e familjes së saj në CNN News.

Agjencia e Lajmeve për Aktivistët e të Drejtave të Njeriut me bazë në ShBA (HRANA) raportoi se meqë ajo kishte refuzuar të mbante hixhabin e detyrueshëm me kusht që të dërgohej në spital, autoritetet e burgut, si kundërpërgjigje, kanë refuzuar të transferojnë Mohammadin, e cila vuan nga sëmundjet e zemrës dhe mushkërive.

Aktivistja 51-vjeçare e të drejtave u nderua me çmimin Nobel më 6 tetor për “luftën e saj kundër shtypjes së grave në Iran dhe luftën e saj për të promovuar të drejtat e njeriut dhe lirinë për të gjithë”.

Në një deklaratë mbështetëse për Mohammadi-n, Kryetarja e Komitetit Norvegjez të Nobelit, Berit Reiss-Andersen, tha se komiteti ishte thellësisht i shqetësuar për shëndetin e laureates së vitit 2023. “Kërkesa që gratë e burgosura duhet të mbajnë hixhab në mënyrë që të shtrohen në spital është çnjerëzore dhe moralisht e papranueshme,” tha ajo. Derisa Amnesty International, ka akuzuar qeverinë iraniane se në mënyrë mizore po luan me jetën e Mohammadit në një deklaratë në X.

Aktivistja Mohammadi, nënkryetare e Qendrës së Mbrojtjes të të Drejtave të Njeriut në Iran, aktualisht po vuan dënimin me 10 vjet burgim. Beteja e saj ka pasur kosto të madhe personale – ajo është arrestuar 13 herë në total, është dënuar 5 herë, me 31 vite burg e me 154 rrahje me kamxhik, si dhe i është ndaluar të takohet me burrin dhe fëmijët e saj të cilët për momentin jetojnë në ekzil në Paris. / çika.org  / KultPlus.com

79 vjet nga vdekja e Edith Durham, studiuesja e cila tregoi interes të veçantë për kulturën dhe traditën shqiptare

Etnografe dhe publiciste angleze, studiuese e popujve të Ballkanit dhe mike e shqiptarëve.

Në fund të shekullit të XIX , Edit Durham kaloi disa vite duke udhëtuar në Ballkan. Një nga vendet, të cilat ajo vizitoi ishte dhe Shqipëria. Ajo tregoi një interes të veçantë për kulturën e traditën shqiptare, si dhe duke u fokusuar në çështjen shqiptare. Ajo shkruajti disa libra rreth Ballkanit dhe për Shqipërinë, nga të cilët “High Albania” (Shqipëria e Epërme), ku paraqet mjaft të dhëna etnografike mbi Shqipërinë e asaj kohe.

Një nga veprat e saj është gjithashtu edhe “Brenga e Ballkanit”, ku na jep një pasqyrë të gjerë për Shqipërinë dhe shqiptarët, doket dhe zakonet e tyre.

Edit Durham mbrojti të drejtat dhe interesat e shqiptarëve, duke mbështetur pavarësinë e Shqipërisë, si dhe pranimin e saj në Lidhjen e Kombeve. / KultPlus.com

Zija Çela vjen me romanin e ri, përkthyesja rumune: Nderojeni, sepse dikush si ai nuk do të lindë më shpejt

Një letër përgëzimi për Zija Çelën dhe për romanin më të fundit, “Pilisama Selfie”. Përgëzimet i mori nga Mehmet Kraja, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, si dhe anëtar i Akademisë në Tiranë.

Kraja shprehet se në romanin “Pilisama Selfie” shkrimtari Zija Çela ndërton një qytet gjysmë provincial, të mbushur deri në grykë me vanitete njerëzore autentike, të cilat marrin jetë nga përballja me marrëzitë dhe lajthitjet kolektive, ku gjedhja letrare parodiake plekset me prirjen tashmë të sprovuar të autorit për të përqeshur pa mbarim bashkëkohësit e vet.

Një tjetër emër i madh i letrave shqipe, shkrimtari Rexhep Qosja vlerëson Zija Çelën si një shkrimtar shumë i çmuar i letërsisë shqipe, me dhunti të madhe krijuese dhe me vepra që do të jenë të gjithmonshme në historinë e kësaj letërsie. Sipas tij, Zija Çela adhurohet prej lexuesve dhe çmohet shumë prej kritikëve dhe historianëve të letërsisë. Ndërsa Oana Glasu, albanologia rumune apelon shqiptarët: E dua Zija Çelën për gjithçka që është, për gjithçka që jep, duke respektuar njëkohësisht lexuesit e shkrimtarit për vlerësimet e shumta.

E meriton dhe jua kam zili që e keni këtë kolos të letërsisë suaj kaq afër. Nderojeni, sepse dikush si ai nuk do të lindë më shpejt!”. Vet shkrimtari Zija Cela flet për shpirtrat e mëdhenj që happen si horizont, komunikimin midis kolegëve, në rastet kur korrespondenca ekziston. Ai thotë se “shpirtrat e mëdhenj janë si horizonti që pason horizontin dhe, ndërsa hapësira zgjeron kufijtë, e madhërishmja nis e zotëron aty”.

MEHMET KRAJA: Në romanin “Pilisama Selfie” shkrimtari Zija Çela ndërton një qytet gjysmë provincial, të mbushur deri në grykë me vanitete njerëzore autentike, të cilat marrin jetë nga përballja me marrëzitë dhe lajthitjet kolektive, ku gjedhja letrare parodiake plekset me prirjen tashmë të sprovuar të autorit për të përqeshur pa mbarim bashkëkohësit e vet.

Një depërtim i hollë, alegorik, pak cinik dhe më shumë i parodizuar, në realitetin politik dhe mentalitetin e korruptuar të ditëve të sotme. Një realitet onomastik dhe topografik tërësisht i sendërgjuar, por me lidhje të forta me përditshmërinë shqiptare në të gjitha nivelet, deri edhe më i fundit, “padronazhistët” që kërkojnë diktatin e tyre mbi jetën e njerëzve. Një botë e mbyllur në iluzionet e veta, iluzione tashmë të komprometuara nga shpërputhja e madhe e ëndrrave të parealizuara dhe një jete meskine, ku çdo gjë merr pamje grotesku, veçmas projeksioni i gënjeshtërt i së ardhmes.

Me një lehtësi të jashtëzakonshme, autori sjell një galeri personazhesh metaforikë, të cilët barten nëpër situata të ndryshme, gjithnjë duke manifestuar cilësi dhe karaktere njerëzore, që përfshihen në prirjen kolektive të kotësisë dhe shpresave të rreme. Një rrjet hekurudhor që duhet të kalojë pa ndërprerje në disa komunitete, pra edhe në atë pilisam, bëhet sinonim i zhgënjimit, i ëndrrave të parealizuara, mbi të gjitha sinonim i pamundësisë për të arritur hapin e prosperitetit dhe civilizimit.

Duke qenë kuptim universal i shpresës dhe dështimit për Pilisamat e ngjashme të botës, ajo bëhet gjithashtu garë stigmatizuese për pushtet, prestigj e rang shoqëror, madje edhe për të arritur kuptimet e pamundura të universit.

REXHEP QOSJA: Zija Çela është një shkrimtar shumë i çmuar i letërsisë shqipe, me dhunti të madhe krijuese dhe me vepra që do të jenë të gjithmonshme në historinë e kësaj letërsie. Zija Çela adhurohet prej lexuesve dhe çmohet shumë prej kritikëve dhe historianëve të letërsisë.

Krijimtaria e tij është një pasuri shpirtërore me mvetësi e origjinalitet të veçantë, është krijimtari e disallojshme e shumaspektore në të cilën me fjalët janë bërë beteja kundër të këqijave politike, shoqërore, morale e kombëtare dhe në të cilën njëkohësisht janë bërë beteja për rëndësinë, kuptimin, figurshmërinë e bukurinë e fjalës.

Ajo është krijimtari me një varg romanësh e përmbledhjesh me tregime në të cilat është trajtuar e djeshmja dhe e sotmja e shoqërisë shqiptare, në të cilën janë shfrytëzuar të gjitha mundësitë krijuese të fjalës shqipe dhe në të cilën janë krijuar mundësi të reja kuptimore, domethënëse, të figurshme, artistike të kësaj fjale. Qëndrimi ndaj gjuhës është në këtë krijimtari, si ka thënë për gjuhën shkrimtari i shquar Franc Kafka, dashuri deri në vdekje.

OANA GLASU (albanologe rumune): E dua Zija Çelën për gjithçka që është, për gjithçka që jep, duke respektuar njëkohësisht lexuesit e shkrimtarit për vlerësimet e shumta. E meriton dhe jua kam zili që e keni këtë kolos të letërsisë suaj kaq afër. Nderojeni, sepse dikush si ai nuk do të lindë më shpejt!

JETA DHE KRIJIMTARIA

Zija Çela është një nga shkrimtarët më të njohur të letërsisë së sotme shqiptare. Ai dallohet për romane, novela, por ka lëvruar, kohët e fundit, edhe tregimin dhe esetë letrare. Zija Çela lindi më 25 mars 1946 në qytetin e Shkodrës. Ishte fëmija i shtatë në një familje ku i ati ishte punëtor dhe e ëma shtëpiake. Megjithëse kaloi një fëmijëri dhe rini të vështirë (babai i vdiq kur ishte vetëm pesë vjeç), arriti të diplomohej në Universitetin e Tiranës për gjuhë shqipe dhe letërsi. Në atë kohë u emërua mësues në fshatrat malore të Kukësit.

Në këtë qytet të vogël verior punoi për shumë vite dhe, kur ishte bërë i njohur me librat e tij, e transferuan në kryeqytet. Në Tiranë punoi si redaktor në revistën letrare “Nëntori”, ndërsa nga viti 1984-1990 si kryeredaktor i gazetës letrare “Drita”. Në vitet ’90, kjo gazetë luajti një rol të rëndësishëm në lëvizjen intelektuale për përmbysjen e sistemit totalitar. Me vendosjen e pluralizmit, Zija Çela u bë drejtor i Shtëpisë Botuese “Letrat”, ku e filloi veprimtarinë me romanin “Përbindëshi” të Kadaresë, një vepër që ishte ndaluar nga regjimi i mëparshëm. Në vitin 2000 e gjejmë kryeredaktor të së përjavshmes “Albania e vogël”, suplement letrar i gazetës së përditshme “Albania”. Njëkohësisht, që nga viti 2000, i shquar gjithashtu si eseist dhe publicist, Çela bën jetën e shkrimtarit në profesion të lirë.

Si autor u bë i njohur shpejt me librat me tregime, që u pasuan nga romanet e tij, duke spikatur veçanërisht me triptikun e romaneve “Gjaku i dallëndyshes”, “Gjysma e Xhokondës” dhe “Banketi i hijeve”. Më parë kishte botuar romanet “Një verë pa lamtumirë” dhe “Mali i tejdukshëm”, i cili, për realizmin e fortë dhe modernitetin e formës, është cilësuar si rebelim i autorit ndaj metodës së socrealizmit. Autori është fitues i disa çmimeve letrare, ku veçojmë: Çmimi i Republikës (“Buletini i borës”) (1984); Çmimi i Ministrisë së Kulturës për romanin më të mirë të vitit (“Monedha e dashurisë”) 1996; Çmimi “Velija” për romanin më të mirë të vitit (“Banketi i hijeve”) 1998; Çmimi “Buzuku” (Kosovë) për romanin më të mirë të vitit (“Lëngata e hënës”) 2002; Çmimi i Ministrisë së Kulturës për romanin më të mirë të vitit (“Las Varrezas”) 2006; Çmimi Kriterion, 2010; Çmimi “Petro Marko” për romanin më të mirë të vitit (“Apokalipsi sipas Shën Tiranës”) 2012; Çmimi “PEN i Shqipërisë”, 2013 dhe Urdhri “Nderi i kombit” 2016 – dhënë nga -sh-Presidenti i ndjerë z. Bujar Nishani etj.

Në qershorin e vitit 2005, së bashku me bashkëshorten, Çela u zhvendos në Itali për t’i qëndruar te koka të birit, Dritanit, i cili u sëmur nga kanceri dhe mbylli sytë nëntë muaj më vonë. Duke pasur për protagonist të birin, i njohur gjerësisht në Shqipëri si përkthyes nga italishtja, kësaj ngjarjeje tragjike shkrimtari do t’i kushtonte librin “Për dashurinë shkruhet pas vdekjes”. Opinioni e priti me interesim të veçantë dhe profesionistët e cilësuan si një nga librat më të mirë të këtij lloji (elegji në prozë) që janë shkruar në letrat e përbotshme. “Toena”, prej disa vitesh ka marrë përsipër botimin e veprave të Zija Çelës dhe i fundit ishte romani “Ora e Zooparkut”. / Panorama / KultPlus.com

KE: Gratë në BE ende paguhen 13% më pak se burrat

Gratë në Bashkimin Evropian paguhen mesatarisht 13 për qind më pak se burrat të cilët e bëjnë të njëjtën punë, tha Komisioni Evropian të martën.

Kjo po ndodh edhe pse BE-ja e ka një ligj tashmë për pagë të barabartë.

“Pagë e barabartë për punën e njëjtë, apo për punë të vlerës së njëjtë, është njëra nga parimet thelbësore të BE-së. U vendos në Traktatin e Romës më 1957”, tha Komisioni në një komunikatë.

KE-ja shtoi se, megjithatë, përparimi në eliminimin e hendekut gjinor në paga ka ngecur dhe ka qenë i ngadaltë në vitet e fundit. Për të ndihmuar në adresimin e këtij problemi, Komisioni Evropian e ka themeluar një Direktivë për Transparencë në Pagesë, e cila hyri në fuqi në fillim të qershorit.

Direktiva, një ligj i BE-së, vendos për kornizën se si të aplikohet ideja e “punës së vlerës së njëjtë” dhe kriteret krahasore të cilat përfshijnë aftësitë, përpjekjet, përgjegjësitë dhe kushtet e punës.

Direktiva ka për qëllim t’i ndihmojë punëtorët ta vërejnë diskriminimin në pagë dhe ta sfidojnë atë.

Por, kjo direktivë ende nuk është bërë ligj në 27 vendet e BE-së, të cilat i kanë tri vjet kohë për ta bërë këtë./REL / KultPlus.com

Hap dyert panairi i 26-të i librit në Tiranë, libra të rinj, autorë e përkthyes të pranishëm

Sot Pallati i Kongrese në Tiranë hap dyert për panairin e 26-të të librit, një ngjarje mbarëkombëtare e kulturës që pritet me shumë interes.

Panairi i Tiranës, i vetmi që mbledh të gjitha ngjarjet më interesante të librit, gjatë një viti do të ketë ekspozime, prezantime, takime me autorë, shkrimtarë të huaj të ftuar, libra të rinj, çmime, konferenca, Sofaja e librit dhe më shumë!

Panairi do të zgjasë deri më 19 nëntor, ndërsa në ditën e dytë të panairit, në datë 16 nëntor, në orën 17.00 Shoqata e Botuesve organizon një seminar rreth problemeve të përkthimit të letërsisë për fëmijë dhe adoleshentë në shqip.

Disa nga të ftuarit e huaj, që do të jenë pjesëmarrës në aktivitete të ndryshme, në Panairin e 26 të Librit janë futbollisti francez Lilian Thuram, përkthyesja e shquar italiane Ilide Carmignani, shkrimtari italian Alessio Puleo, shkrimtarja italiane Viola Ardone, përkthyesja italiane Ilide Carmignani ejt.

Panairi i përvitshëm i librit mbledh bashkë shtëpitë botuese nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, shkrimtarë, poetë, përkthyes dhe lexues, ku njihen me botimet e reja, diskutojnë mbi problematikat e letërsisë bashkëkohore, përkthimit në gjuhën shqipe dhe shumë aktivitetet të tjera me të autorë dhe studiues.

Panairi i parë i librit në Tiranë ishte panairi “Tirana 1998”, i organizuar në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës në Tiranë nga 16 deri 20 dhjetor 1998. Prej këtij viti ky organizim është mbajtur rregullisht. / KultPlus.com

Shkrimtari dhe poeti Eqrem Basha sot feston 75 vjetorin e lindjes

facebook sharing button

Eqrem Basha, poet, prozator, skenarist e akademik, u lind më 15 nëntor 1948 në Dibër, Maqedoni, ku kreu shkollën fillore dhe të mesmen.

Në vitet 1967-1971 studioi gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës. Gjatë studimeve botoi tregime, vjersha dhe kritikë për film e televizion. Më 1972 punon në gazetën Rilindja, në të cilën shkruan për artet figurative. Nga janari i vitit 1974 deri më 5 korrik 1990 (kur u përjashtua me dhunë) punoi në TV Prishtina, në fillim redaktor i redaksisë së dramës, kurse në fund redaktor përgjegjës i Programit Kulturo- Artistik. Gjatë kësaj periudhe (në vitin 1992 në Arl dhe në vitin 1994 në Paris) disa herë qëndron në Francë me punë në projekte përkthimesh të dramaturgjisë frënge, kurse pas kthimit kryen punën- redaktor i kulturës në revistën javore Koha.

Në vitin 1994, bashkë me Gani Bobin, Rexhep Ismajlin dhe Shkëlzen Maliqin, themelon shtëpinë botuese Dukagjini të Pejës, ku edhe sot është redaktor përgjegjës. Ka marrë pjesë në shumë takime letrare dhe në festivale ndërkombëtare të poezisë (Paris, Bruksel, Amsterdam, Varshavë, Lion, Die, Grënobël, Leuven, Lodeve, Seyni, Bukuresht, Konstancë, Vjenë, Grac, Gjenevë, Stavanger, Barcelonë, etj.), në festivale filmi e televizioni, në tryeza dhe debate ndërkombëtare.

Basha shkruan tregime, romane, vjersha, skenarë për film e TV, radiodrama dhe kritikë për artin figurativ. Përkthen nga frëngjishtja, italishtja dhe nga gjuhët sllave.

Eqrem Basha është anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës ku u zgjodh në vitin 2004. / KultPlus.com

“La Gazzetta dell’Emilia”: Zbulohen dëshmi të epokës romake në zonën arkeologjike të Butrintit

Aktivitetet e gërmimeve të këtij viti kanë nxjerrë në dritë një strukturë ende të ruajtur mirë, duke bërë të mundur dokumentimin për herë të parë me fotografi dhe rilevime topografike të shtyllave të një ure të epokës romake që lidhte kepin mbi të cilin ngrihej qyteti antik me fushën e Vrinës.​

Ekspertët zbuluan mbetje të zhytura në ujë, të një ure të lashtë romake dhe të një strukture, pjesërisht të shembur, me dysheme të zbukuruara me pllaka mozaiku, gjithashtu të epokës romake, por të përdorura për një kohë të gjatë, madje edhe në kohët e vona antike dhe mesjetare, shkruan në një artikull e përditshmja italiane “La Gazzetta dell’Emilia”.

Zona arkeologjike e Butrintit, në Shqipëri, nuk pushon së ofruari surpriza.

Në bashkëpunim me Universitetin e Bolonjës, Departamentin e Historisë, Kulturës dhe Qytetërimit, dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, sipas një marrëveshjeje me Institutin e Arkeologjisë së Tiranës dhe Parkun Kombëtar të Butrintit, gërmimi dhe hetimi nisi në 2015 dhe që atëherë janë kryer një sërë aktivitetesh për të rizbuluar dëshmitë e shumta të këtij qyteti të pasur të Epirit të lashtë.

Kryesisht, që nga viti 2019, grupi kërkimor, i drejtuar nga profesor Enrico Giorgi i Universitetit të Bolonjës dhe prof. Belisa Muka e Institutit të Arkeologjisë së Tiranës, është angazhuar në gërmimin stratigrafik të akropolit.

Gjatë aktiviteteve të ndryshme të gërmimit, dolën në dritë dëshmi të ndryshme të jetëgjatësisë së vendit, i cili u banua pothuajse pa ndërprerje nga fundi i epokës së bronzit deri në shekullin e XVIII.

Kërkimet e vitit 2021 u përqendruan në një zonë të shenjtë të rrethuar nga mure shumëkëndëshe imponuese duke dokumentuar fazën e parë të strukturimit të vendit në epokën arkaike.

Ndërsa dy aktivitetet e gërmimeve të këtij viti, në qershor dhe shtator, nxorrën në dritë dëshmi të momenteve të mëvonshme dhe po aq të rëndësishme.

“Vitin e kaluar, falë një sërë metodologjish jo invazive, kryesisht hetimeve gjeofizike duke përdorur radarin depërtues në tokë, ne evidentuam disa ‘anomali’ në nëntokë që tregonin praninë e strukturave të mundshme ende të groposura”, tha prof. Giorgi.

Gjatë aktivitetit të këtij viti, ne vendosëm të verifikojmë natyrën e njërës prej këtyre anomalive përmes gërmimeve. Me rezultate të papritura, anomalia doli të ishte muri rrethues i një ndërtese ende të ruajtur mirë në pjesën e poshtme të saj, falë shembjes së çatisë që shënoi braktisjen përfundimtare të saj”, shtoi ai.

“Pasi u hoqën materialet e shembur, dolën në dritë dyshemetë të dekoruara me pllaka mozaiku të epokës romake, së bashku me shumë materiale të tjera që datojnë në kohët e vona antike dhe mesjetare”, tha Giorgi.

Por, surprizat nuk vijnë vetëm nga nëntoka. Zbulimi nënujor në lagunën që rrethon zonën arkeologjike, I kryer në bashkëpunim me prof. Stefano Medas të Departamentit të Trashëgimisë Kulturore të “Alma Mater” (Kampusi i Ravenës) dhe me kompaninë “Idra” në Venecia, bëri të mundur identifikimin e shtyllave të një ure të epokës romake.

“Ura lidhte kepin e Butrintit me fushën e Vrinës, duke lejuar edhe kalimin e ujësjellësit që furnizonte zemrën e qytetit romak”, tha Enrico Giorgi.

“Ky është një moment shumë i rëndësishëm për kërkimet në qendrën e Epirit të lashtë, pasi për herë të parë mbetjet e zhytura të urës janë dokumentuar me fotografi dhe rilevime topografike”, theksoi ai.

Aktivitetet e këtij viti bënë të mundur edhe përfundimin e rilevimit topografik me skanim lazer të qarkut të murit të qytetit të epokës helenistike.

Ky aktivitet, funksional për verifikimin e gjendjes aktuale të konservimit të monumenteve në parkun arkeologjik, ishte pikërisht pikënisja, në vitin 2015, e projektit të bashkëpunimit më të gjerë mes Universitetit të Bolonjës dhe Institutit të Arkeologjisë së Tiranës në zonën e Butrintit. /atsh / KultPlus.com

‘Onufri’ boton librin me tregime të shkrimtarit Adil Olluri

Shtëpia botuese tiranase “Onufri” ka botuar së fundmi librin me tregime “Kthimi i babait” të shkrimtarit të njohur kosovar, Adil Olluri.

Ky vëllim me tregime së shpejti do të jetë në duart e lexuesve, në libraritë e ndryshme shqiptare, si dhe në shtandin e shtëpisë së lartcekur botuese në Panairin e Librit “Tirana”, që do të mbahet në Pallatin e Kongreseve në kryeqytetin shqiptar nga data 15 deri më datën 19 nëntor.

Po ashtu, kjo vepër artistike e shkrimtarit Olluri do të promovohet në kuadër të panairit në fjalë, gjegjësisht më datën 19 nëntor, e diel, ora 11:00, në shtandin e shtëpisë botuese “Onufri”.

“Kthimi i babait” është një përzgjedhje e tregimeve nga dy librat e mëparshëm të shkrimtarit Adil Olluri, si “Shumë rrugë dhe një rënie” (Parnas, Prishtinë, 2013) dhe “Kthimi i profetit” (Armagedoni, Prishtinë, 2019). Po ashtu, në të janë të përfshirë edhe dy tregime të shkruara viteve të fundit, si “Mjaullima” (i botuar në të përjavshmen për letërsi dhe kulturë “ExLibris”, 2023) dhe “Legjenda për ditët e murtajës” (i botuar në revistën letrare prishtinase “Jeta e re”, 2023).

Nga përmbledhja “Shumë rrugë dhe një rënie” janë përzgjedhur këto tregime: “Kthimi i babait”, “Vrasja e Talit”, “Bartësi i shpirtrave të përzënë” dhe “Panairi i ëndrrave”.

Ndërsa nga përmbledhja “Kthimi i profetit” janë përzgjedhur këto tregime: “Barku i balenës”, “Transistori”, “Plaku dhe tri fotografitë”, “Tender për transport kufomash” dhe “Kozmosi i një të ndryshmi”./ Insajderi/KultPlus.com