“Bashkëpunim në film e muzikë” ZKM jep detaje për bisedat e Kurtit me Rita Orën, Taika Waititin dhe aktoren Odessa Rae

Zyra e kryeministrit ka dhënë më shumë detaje për takimin që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pasur të dielën me yllin botëror të muzikës , Rita Ora, bashkëshortin e saj Taika Waititin si dhe aktoren Odessa Rae.

Rita Ora e vizitoi vendlinjen në rastin e ditëlindjes së saj. Ajo vazhdimisht nëpër intervista në media ndërkombëtare ka përmendur Kosovën.

Siç ka njoftuar ZKM-ja në këtë takim është folur edhe për bashkëpunimet potenciale në fushën e muzikës dhe filmit, sidomos për mbështetje të artistëve kosovarë.

Më poshtë komunikata e plotë:

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim artisten e mirënjohur nga Kosova, Rita Ora, njëkohësisht Ambasadore Nderi e Kosovës, e shoqëruar nga bashkëshorti i saj regjisori Taika Waititi, si dhe aktorja e producentja Odessa Rae, të dy fitues të çmimeve Oscar, e po ashtu edhe nga babai i saj, Besnik Sahatçiu si dhe motra Elena Ora. I pranishëm në takim ishte dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe Drejtorja e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Blerta Zeqiri. 

Një e diel e veçantë, ku Rita Ora feston dhe ditëlindjen e saj të 33-të. Gjatë këtij takimi miqësor, ata folën për fushën e artit e kulturës në Kosovë. Duke pasur parasysh planet e qeverisë për zhvilluar industrinë e filmit vendor, u theksuan marrëveshjet e bashkëpunimit që Kosova ka me vendet e saj partnere në fushën e filmit, ku u veçua ai me shtetin e Francës.

U trajtuan dhe mundësitë e format e  bashkëpunimit me qëllim të promovimit të kulturës shqiptare jashtë vendit, përmes artistëve, muzikantëve e regjisorëve të rinj.

Kryeministri Kurti e cilësoi këtë të diele të këtij takimi të paharrueshme. Duke e uruar dhe për ditëlindjen e saj, ai tha se Rita Ora na bën krenarë të gjithëve, me punën e kontributin e saj.

Nga ana e saj, Rita Ora tha se kjo ishte një mënyrë e jashtëzakonshme për të kaluar këtë ditë të veçantë për të, si dhe veçoi ardhjen e saj në Kosovë sot si dhe takimin me Kryeministrin duke i quajtur frymëzues.

Ajo theksoi dëshirën për t’u angazhuar më tej e thelluar bashkëpunimin sidomos për të kontribuar për artistët e rinj nga Kosova, veçanërisht nga bota e muzikës dhe filmit. /KultPlus.com

Kurti: Kosova, Britania e Madhe dhe Zelanda e Re duken pa kufi përballë artit

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, është pritur në takim nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në rrjetin social “Twitter”, Kryeministri Kurti ka shkruar se Rita Ora ka arritur majat më të larta të suksesit dhe njohjes në mbarë botën duke nderuar gjithmonë rrënjët dhe kulturën e saj në atdhe.

“Kosova, Britania e Madhe dhe Zelanda e Re duken pa kufi përballë artit”, ka shkruar Kurti, në takimin që e pati me Orën dhe bashkëshortin, regjisorin Taika Waititi. 

Ora, e cila ka ateruar mbrëmë në Kosovë, ka thënë se mënyra se si këtë vit ka festuar ditëlindjen e 33-të është e mrekullueshme.

Takimi me kryeministrin Kurti, sipas saj, e ka bërë shumë të ngazëllyer për të ardhmen.

Ka shtuar se kanë planifikuar projekte të mëdha për vitin e ardhshëm. /KultPlus.com

Kurti në Festën e Mbretit belg: Në përpjekjet tona për liri, Belgjika u shfaq aleate e palëkundur

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka marrë pjesë në shënimin e 157-vjetorit të Festës së Mbretit belg, me ftesë të Ambasadës së Belgjikës në Kosovë.

Kurti, para të pranishmëve tha se Belgjika mbanë një vend dhe rol të veçantë për popullin e Kosovës, duke qenë shtëpi e qindra e mijëra atdhetarëve, të cilët sipas tij, kanë punuar pandërprerë për lirinë dhe pavarësinë e vendit.

“E në këtë përpjekje për liri, Belgjika u shfaq si një aleat i palëkundur. Ajo ishte njëra nga vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës dhe mbështetja e saj vazhdon edhe sot e kësaj dite, teksa punojmë bashkë për përmbushjen e synimeve të vendit tonë për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe NATO, veçoi kryeministri”.

“15 vjet pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, kryeministri tha se po dëshmojmë thellim të lidhjeve politike, kulturore, ekonomike, e sigurisë, teksa nënvizoi se Belgjika ka qenë mbështetës krucial i Kosovës në integrimin ekonomik, duke kontribuar në finalizimin, me sukses të procesit të liberalizimit të vizave dhe dhënë asistencë të vlefshme për procesin e anëtarësimit në Këshill të Evropës”, tha Kurti.

Krahas lidhje diplomatike, Kurti foli edhe për bashkëpunimin ekonomik dhe partneritetin e bizneseve belge dhe kosovare, për të cilat sipas tij, po japin rezultate premtuese.

“Për fund, ne këtë ditë të shënuar për Mbretërinë e Belgjikës, ai i shprehu urimet e tij Mbretit Philippe, Mbretëreshës Mathilde, Princeshës Elisabeth, Princit Gabriel, Princit Emmanuel dhe Princesësh Eleonore”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.

Kurti udhëton në Vjenë, pritet ta pranojë çmimin “Partneri i Vitit 2023”

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar sot për në Vjenë.

Ai do të marr pjesë në edicionin jubilar të 20-të të Forumit Ekonomik të Vjenës.

Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se Kurti do të pranojë Çmimin Vjetor të Forumit Ekonomik “Partneri i Vitit 2023”, që do t’i ndahet Republikës së Kosovës për bashkëpunimin dhe kontributin 15-vjeçar në zhvillimin ekonomik në nivel kombëtar dhe rajonal, si dhe do të jetë pjesëmarrës në panelin e diskutimit me titull “Ndërtimi i Bashkëpunimin Ekonomik në Kohë të Vështira”, nesër prej orës 14:05. 

Po ashtu, Kurti nesër do të jetë mysafir i ftuar nga Karl-Renner-Institut për të diskutuar mbi temën “Kosova: Shteti i ri demokratik si peng i interesave gjeopolitike”.

Ndërkaq, të martën do të zhvillojë takime me përfaqësues të kompanive private të sektorit të energjisë, për t’i njoftuar më për së afërmi me mundësitë për investime që Kosova ofron në këtë fushë“, thuhet në njoftim.

Ndryshe, Kurti gjatë këtyre ditëve ka qëndruar në Paris të Francës, ku mori pjesë në Forumin e Paqes. /KultPlus.com

Kurti gjatë takimeve në Paris flet për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e energjisë

Qëndrimin në Paris, Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dje e vijoi me takimin me Drejtorin Ekzekutiv të Qendrës Ndërkombëtare për Bashkëpunim Ekonomik dhe Social (C.I.C.E.S), Michael Deboudt, presidentin e Bordit, Jean Reveillon dhe anëtarin tjetër të Bordit, Bernard Miyet.

Sipas një komunikate të kryeministrisë, aty u bisedua për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e energjisë, tregtisë, investimeve, akademisë përmes programeve të ndryshme të shkëmbimit, dhe artit.

Duke folur për raportet dhe partneritetin ndërmjet dy vendet, ndër të tjera në takim kryeministri veçoi bashkëpunimin e mirë që Kosova ka me Francën në fushën e filmit dhe rezultat e deritanishme.

Ai i falënderoi ata për mikpritjen, si dhe për punën e angazhimin e tyre në ndihmë dhe mbështetje të Kosovës. /KultPlus.com

SHBA-ja konfirmon mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se James O’Brien, ndihmës sekretari i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, ka treguar edhe një herë tjetër mbështetjen amerikane për Kosovën, shkruan KultPlus.

“Kënaqësi për takimin me ndihmëssekretarin e shtetit të SHBA-së, O’Brien, i cili konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për Kosovën. Diskutuam për përparimin e shpejtë ekonomik dhe demokratik të Kosovës – të njohur gjerësisht nga organizatat ndërkombëtare – dhe unë përsërita përkushtimin tonë për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në NATO si objektivat tona kryesore strategjike”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Kurti mori pjesë në takimin në Paris, ku tani po qëndron në kuadër të Forumit të Paqes. /KultPlus.com

Kryeministri Kurti takohet me Komandantin e KFOR-it: Shtimi i trupave të koncentrohet në kufi me Serbinë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim komandantin e KFOR-it, Gjeneral Ozkan Ultutas, për të biseduar për situatën e sigurisë në vend.

Siç bëhet e ditur në njoftimin e Qeverisë,  Kurti theksoi që është i interesuar për bashkëpunim të fortë, takime të shpeshta dhe komunikim të rregullt me Komandatin e KFOR-it.

“Temë qendrore e takimit ishte situata e sigurisë pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Kosovë. Kryeministri theksoi që ky sulm terrorist ka vënë në pah nevojën për rritjen e sigurisë në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë. Sasia e madhe e armatimit dhe municionit ushtarak të konfiskuar është prodhuar në Serbi. Edhe ushtrimet luftarake të paramilitarëve që kryen terror e vrasje në Banjskë të Zveçanit janë kryer në Serbi. Atje Kosova nuk ka jurisdiksion prandaj nevojitet edhe një hetim ndërkombëtar në Serbi mbi përgatitjet, furnizimin dhe orkestrimin e këtij sulmi.”, thuhet në njoftim.

Po ashtu bëhet e ditur se Kryeministri e mirëpriti shtimin e numrit të trupave të KFOR-it, në përgjigje të sulmit terrorist nga ana e Serbisë në Kosovë, duke theksuar që kjo prezencë e shtuar duhet të koncentrohet në ruajtjen e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, prej nga edhe ka hyrë armatimi i Serbisë dhe nga vjen kërcënimi për Kosovën.

“Ruajtja e kufirit nënkupton po ashtu mbylljen e rrugëve ilegale, prandaj edhe është i domosdoshëm bashkëpunimi më i madh me Policinë e Kosovës.Kryeministri Kurti po ashtu theksoi nevojën që në veri të vendit të ofrohen shërbime të rregullta për qytetarët nga institucionet e Kosovës, prandaj duhet të garantohet liria e lëvizjes.”, përfundon njoftimi./21Media/KultPlus.com

Kurti: Kosova është dëshmia e kohës se zhvillimi ekonomi dhe progresi demokratik ecin bashkë

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se Kosova është dëshmia e kohës se zhvillimi ekonomi dhe progresi demokratik mund të ecin krah për krah.

Sipas Kurtit, nuk ka raport kredibil ndërkombëtar që nuk e ka njohur përparimin e Kosovës në demokraci, të drejtat e njeriut, luftimin e korrupsionit, sundim të ligjit dhe qeverisje të mirë.

“Fillimisht, Raporti i BE-së për Vendin i vitit 2022 ishte më i miri që ka pasur Kosova deri më tani. Aty nuk kishte asnjë fushë pa progres të shënuar dhe asnjë fushë me regres të evidentuar”.

“Transparency International në Indeksin e tyre të Perceptimit të Korrupsionit na ka renditur për 20 vende më lartë. Sivjet jemi në pozitën më lartë që kemi mbajtur ndonjëherë. Për 22 vende më lartë jemi renditur në Indeksin e Lirisë së Medieve, sipas Reporterëve pa Kufij. Në vitin e parë të qeverisjes kishim shënuar përmirësim rekord brenda një viti, duke u ngritur për 17 vende, kurse në vitin e dytë kemi arritur renditjen më e lartë ndonjëherë në këtë indeks. Pra, përmirësim i dyfishtë”.

“E për përmirësim në të drejtat politike dhe liritë civile, raporti i Freedom House i këtij viti, renditi Kosovën të parën në Ballkanin Perëndimor, të dytën në Evropë dhe të tretën në botë. Për nga përmirësimi në fushën e sundimit të ligjit, të dytët në botë na rendit edhe raporti i Projektit të Drejtësisë Botërore, i cili për të dytin vit me radhë të qeverisjes sonë, e nxjerr Kosovën të parën në Ballkanin Perëndimor”, shkroi Kurti, transmeton Klankosova.tv.

Më tej, kreu i qeverisë tha se Kosova është e para në Ballkanin Perëndimor për Demokraci Elektorale edhe sipas vlerësimit të Institutit V-Dem, teksa shtoi se edhe sipas raportit të vitit 2022 të FMN-së për sa i përket rritjes së grumbullimit të të hyrave, Kosova del e para.

“Ndërkaq, sipas Bankës Botërore, Kosova krahas pakos mbështetëse më të madhe (si përqindje e BPV-së) në rajon për qytetarët në përballje me inflacionin dhe krizën energjetike, ajo pritet të ketë rritjen më të madhe reale ekonomike në rajon për tre vitet e ardhshme”.

“Projeksione të njëjtë ka edhe Banka Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim, e cila thotë se vendi ynë pritet të ketë rritjen më të lartë ekonomike në Ballkanin Perëndimor për këtë vit dhe vitin tjetër. E një raport tjetër i Bankës Botërore, ai mbi Indeksin e Maturitetit të Teknologjisë, e ka ngritur Kosovën nga grupi C në atë B për fokus në qeverisje digjitale”, shkroi Kurti.

Tutje, ai tha se qeveria e udhëhequr prej tij gëzon besimin e 56 për qind të qytetarëve, më të larin në mesin e të gjitha qeverive të Ballkanit Perëndimor, sipas matjeve të Balkan Barometer 2023. /KultPlus.com

Kryeministri Kurti: Gjatë shtatë ditëve u përballëm me dhunë e kërcënime, e vlerësojmë mbështetjen e aleatëve në luftën kolektive për demokraci

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar gjatë shtatë ditëve të fundit, vendi është përballur me dhunë, kërcënime dhe glorifikim të akteve të tilla, shkruan KultPlus.

Kryeministri Kurti përmes një postimi në Twitter ka thënë se e vlerëson mbështetjen e e aleatëve të Kosovës në “luftën kolektive për demokraci”.

“Ka kaluar një javë nga sulmet tragjike terroriste të orkestruara nga Serbia. Gjatë 7 ditëve të fundit kemi qenë dëshmitarë të dhunës, kërcënimeve dhe glorifikimit të akteve të tilla. Gjatë kësaj kohe, ne vlerësojmë thellësisht mbështetjen e aleatëve tanë në luftën tonë kolektive për demokraci”, ka thënë ai./KultPlus.com

Kurti: Kosova është shtet demokratik dhe vend properëndimor, kush integrohet, jeton më mirë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka kritikuar edhe njëherë politikat e Vuçiqit dhe Serbisë dhe rolin e tyre në destabilizimin e situatës në Veri, përcjell KultPlus.

Kurti në postimin e tij tha se Kosova është shtet demokratik dhe vend properëndimor: kush integrohet, jeton më mirë.

Në vijim KultPlus ua sjell postimin e plotë të kryeministrit Kurti:

Kosova është shtet demokratik dhe vend properëndimor: kush integrohet, jeton më mirë. Serbët në Kosovë nuk kanë nevojë për çlirim nga Republika e Kosovës por nga veglat terroriste të Serbisë.

Vuçiq është i obsesionuar me kryekomandantin e UÇK-së, Adem Jasharin. Ai dëshironte që me 24 shtator ta shndërronte Manastirin Ortodoks të Banjskës në “Kullë të Jasharajve” për serbët e Kosovës! Në takimin e 2 majit në Bruksel na tha që Millan Radojçiq do të bëhet Adem Jashari i serbëve. Por, duke qenë diktator, ai s’e kupton historinë: epopeja dhe çlirimi nuk fabrikohen dhe as s’kopjohen.KultPlus.com

Kurti e priti në takim Krajën, folën për hartimin e enciklopedisë shqiptare

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot është takuar me Kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, akademikun Mehmet Kraja.

Zyra e Kryeministrit njoftoi se në këtë takim është folur në lidhje me hartimin e enciklopedisë shqiptare.

“Në takim u theksua rëndësia e projektit madhor mbi enciklopedinë shqiptare, i nisur nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Qeveria e Republikës së Shqipërisë në mbledhjen e përbashkët të vitit të kaluar. Akademiku Kraja shprehu përkushtimin e tij dhe të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës për hartimin e Enciklopedisë shqiptare, teksa e njoftoi kryeministrin me punën dhe arritjet kryesore të Akademisë”, thuhet tutje në njoftim./ KultPlus.com

Kryeministri Kurti uron delegacionin shqiptar për suksesin në Festivalin e Filmit në Venecia

Këto ditë në Venedik të Italisë është mbajtur Festivali i 80-të Ndërkombëtar i Filmit në Venecia.

Ndonëse festivali këtë vit ka qenë shumë më i zbehtë për shkak të bojkotit nga yjet e filmit për shkak të grevës në Hollywood, organizimi arriti që përsëri të shkaktonte mjaft bujë.

Pjesëmarrës në edicionin e sivjetmë kanë qenë edhe dy prodhime filmike kosovare, përkatësisht filmat “A Short Trip” i regjisorit Erenik Beqiri dhe “Bota Jonë” e Luana Bajramit.

E në mbështetje të shqiptarëve pjesëmarrës në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit, ka qenë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ai ka publikuar në llogarinë e tij zyrtare në platformën X (ish-Twitter), një fotografi bashkë me kastin shqiptar në Venedik.

“Një vit i shkëlqyer për kinematografinë tonë në Festivalin e Filmit në Venecia! Urime Erenik Beqirit për fitoren e çmimit ‘filmi më i mirë Orizzonti’ me filmin ‘A Short Trip’ me Luana Bajramin dhe Tristan Halilajn dhe vetë Luanës për premierën e filmit të saj të dytë ‘Bota Jonë’ në Bienale”, ka shkruar Kurti.

E ftuar speciale për të marrë pjesë këtë vit në Festivalin e Filmit në Venecia ka qenë edhe këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, e cila ka performuar në gala-mbrëmjen e amFAR, e cila organizohet në ndihmë të mbledhjes së fondeve për kërkimet e HIV/AIDS. / KultPlus.com

Ndeshja Kosovë – Zvicër, Kurti: Ju faleminderit për emocionet

Sot, në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë është zhvilluar ndeshja Kosovë – Zvicër e cila është përmbyllur me rezultat 2-2, përcjell KultPlus.

Kryeministri i Kosovës nëpërmjet një postimi në Facebook ka thënë se ndërmjet Zvicrës së Xhakës, Shaqirit, Bislimit e Jasharit dhe Kosovës së Dardanëve, nuk mund të ketë humbës sepse ka festë, ka krenari.

“Ndërmjet Zvicrës së Xhakës, Shaqirit, Bislimit e Jasharit dhe Kosovës së Dardanëve, nuk mund të ketë humbës sepse ka festë, ka krenari. Besuam deri në fund, siç besojmë ende në kualifikim. Ju lumtë lojtarëve për rezultatin. Ju faleminderit për emocionet”, ka shkruar Kurti./KultPlus.com

Kryeministri Kurti në premierën e filmit “Bota jonë” në Venecia

Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti ka marr pjesë në premierën botërore të filmit “Bota jonë”, me regji të Luana Bajramit, e cila në festivalin e Venecias po prezantohet në kategorinë “Orizzonti Extra”, shkruan KultPlus.

Për pjesëmarrjen e kryeministrit Kurti kanë njoftuar edhe nga MKRS, njoftim që mund ta lexoni të plotë.

“Bota jonë” shfaqet krahas filmave të tjerë ndërkombëtarë të nivelit më të lartë kinematografik në Festivalin e Venedikut⭐️🎞

“Bota jonë” filmi i regjisores 22 vjeçare, Luana Bajrami, u shfaq mbrëmë në Festivalin e Filmit në Venedik, dhe po garon në kategorinë “Orizzonti Extra”.

Filmin e ndoqën kryeministri Kurti, bashkë me regjisoren Bajrami, producentët Valbone Rahmani dhe Eric Toledano, aktorët e roleve kryesore, Elsa Mala, Albina Krasniqi, Don Shala, Aurora Ferati, Gani Rrahmani, Uratë Shabani dhe Tristan Halilaj, ambasadoren Lendita Haxhitasim, Blerta Zeqirin, drejtoren e QKK-së si dhe Rozafa Imamin, këshllitare politike në MKRS.

I gjithë ekipi u përshëndet dhe u përgëzua nga Roberto Ciccutto, Presidenti i Bienales së Venedikut gjatë koktejit të organizuar nga Ambasada e Kosovës në Itali.

“Bota jonë” është produksioni i parë që përfiton nga marrëveshja e bashkëprodhimit kinematografik që Franca dhe Kosova nënshkruan në Festivalin e Filmit në Kanë 2022. Para tij, në Venedik janë shfaqur “House keeping for beginners”, me aktore Rozafa Çelaj e Ilire Vinca, për të vazhduar me “A Short Trip” të Erenik Beqirit nga Shqipëria, ku luajnë edhe Luana Bajrami e Arben Bajraktaraj./ KultPlus.com

Kryeministri Kurti viziton Pavijonin e Kosovës në Bienale të Venedikut

Kryeministri Albin Kurti i shoqëruar nga ambasadorja e Kosovës në Itali, Lendita Haxhitasim, dhe këshilltarja politike në MKRS, Rozafa Imami, sot eksploroi nga afër ekspozitën përfaqësuese të Kosovës në Bienalen e Arkitekturës në Venedik – të arkitektëve Poliksen Qorri Dragaj dhe Hamdi Qorri, e cila trajton një formë të veçantë të migrimit.

Së bashku diskutuan mbi konceptin e translokalitetit, një model jete i njerëzve që jetojnë në shumë vende në të njëjtën kohë, duke ruajtur lidhjet midis vendlindjes dhe vendit emigrues përmes komunikimit, transferimit të njohurive, informacionit, të mirave materiale dhe jomateriale.

Brenda hapësirës ekspozuese, ndaluan edhe pranë pavijoneve të Shqipërisë, Emirateve Arabe, Latvisë dhe Kroacisë.

📸📖 “RKS² | lokalitet transcendent” mund ta eksploroni edhe online: https://www.mkrs-ks.org/repository/docs/RKS2-Katalog.pdf

💬Për të kuptuar më shumë rreth konceptit: https://fb.watch/mVbSewVdiL/?mibextid=cr9u03

Bienalja do të jetë e hapur deri më 26 nëntor të këtij viti. /KultPlus.com

Kurti viziton “Dardanët”: Juve ju ndjekin krejt njerëzit që e duan Kosovën”

Në prag të ndeshjes së shumëpritur për kualifikimet e Evropianit 2024, ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës që luhet të shtunën në stadiumin “Fadil Vokrri”, kryeministri Albin Kurti në shoqëri të ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe zëvendësministres Daulina Osmani ka vizituar kampin e Dardanëve.

Kurti ka falënderuar futbollistët kosovarë dhe stafin e Kombëtares në përgjithësi për punën e mirë dhe për emocionet e papërshkrueshme që i japin popullit të Kosovës.

“Ju vazhdimisht në ndeshjet e kaluara na keni sjell emocione, por edhe ethe. Janë emocione të paharrueshme dhe gëzime të cilat na mbajnë optimistë për të ardhmen. Ju dëshiroj shumë sukses në dy ndeshjet në vijim. E di se me Zvicrën e keni më vështirë edhe për arsye objektive, por besoj se me mbështetjen e ministrisë, me trajnerët që keni dhe me punën ekipore e ushtrimet që do të bëni në këto ditë, do të keni mjaftueshëm energji që edhe në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ më 9 shtator, por edhe më 12 shtator kundër Rumanisë të jepni maksimumin dhe të merrni rezultatin që të gjithë e presin me aq dëshirë”, ka thënë Kurti.Ai ka falënderuar gjithsecilit për gjithë këtë kontribut, i cili nuk është vetëm sportiv por është edhe popullor sepse jo vetëm njerëzit që përcjellin sportin ju ndjekin.

“Juve ju ndjekin krejt njerëzit që e duan Kosovën”, ka theksuar para futbollistëve kryeministri Kurti.

Presidenti i FFK-së Agim Ademi duke e falënderuar të parin e ekzekutivit për vizitën ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen që institucionet shtetërore po i japin ekipit kombëtar dhe në përgjithësi futbollit të Kosovës.

“Kryeministri është motivues i madh dhe është njeri i aksionit, prandaj e kemi parë të arsyeshme që ai si kreu i qeverisë të vjen sot për vizitë dhe të japë mesazhin e tij frymëzues për të ecur përpara së bashku”, ka thënë presidenti Ademi.

Në emër të ekipit kombëtar kryeministrin me bashkëpunëtorët e tij i ka falënderuar kapiteni Amir Rrahmani.

“Faleminderit për përkrahjen ndaj ekipit kombëtar dhe ndaj federatës. Shpresoj që edhe në të ardhmen kontributi dhe ndihma e institucioneve për rritjen e futbollit nuk do të mungojë”, ka thënë kapiteni i Dardanëve.Ndërkaq, ministri Hajrulla Çeku premtoi se institucionet do të vazhdojnë të qëndrojnë përkrah futbollit dhe ekipit kombëtar.

“Ju jeni të vetëdijshëm për rëndësinë e këtyre dy ndeshjeve dhe ne jemi këtu për t’iu ofruar gjithë mbështetjen e nevojshme si shtet e si institucione, jo vetëm zyrtarisht por edhe moralisht e me zemër. E keni një shtet dhe shoqëri të tërë mbrapa. Edhe jemi krejt me juve. Dijeni se po e përfaqësoni më shumë se një ekip dhe një sport. Këtu e kemi një gjasë të madhe për të ecë përpara dhe duhet ta shfrytëzojmë. Faleminderit të gjithëve për kontributin që e jepni për shtetin”, ka thënë Çeku. /KultPlus.com

Kryeministri Kurti dhe ministri Çeku vizitojnë artistin Rexhep Ferri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrula Çeku, kanë vizituar sot artistin e mirënjohur, Rexhep Ferri, përcjell KultPlus.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, kryeministri Kurti u shpreh mirënjhës për krijimtarinë e Ferrit.

“Në votër të profesorit Rexhep Ferri, bashkë me Hajrullaun, Ministrin e Kulturës, për një kafe e për kujtime të mëhershme. Jemi takuar shpeshherë në Parkun e Qytetit të Prishtinës. Në atë kohë, kur e shihja duke ecur më dukej që po shihja pikturën e tij: njerëz në hap, të pa shpërqendruar nga ajo që ndodhë në prapavijë. Sot, i ulur në kolltukun e tij, shihja një jetë të mbushur me vepër. Nga piktura e deri te teksti, Rexhep Ferri i takon brezit që ngritën skenën tonë artistike. Përherë mirënjohës kontributit të tij”, ka shkruar Kurti./KultPlus.com

Kosova e SHBA nënshkruajnë marrëveshje të re, Kurti: Miq, Partnerë, Aleatë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se sot është nënshkruar një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan KultPlus.

Marrëveshja u nënshkrua mbi masat e sigurisë me qëllim të mbrojtjes së informacionit të klasifikuar, duke thelluar kështu bashkëpunimin, mes Kurtit dhe Ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier.

Postimi i plote:

“Republika e Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nënshkruan sot marrëveshjen mbi masat e sigurisë me qëllim të mbrojtjes së informacionit të klasifikuar, duke thelluar kështu bashkëpunimin tonë në fushën e sigurisë.

Marrëveshja parasheh veprimet e të dy palëve në raport me informacionin e humbur, mënyrën e asgjësimit të informacionit të klasifikuar, e ndarjes tij në raport me palët e autorizuara.

Falënderoj ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, dhe Departamentin e Mbrojtjes të ShBA-së për besimin e treguar dhe për fuqizimin e mëtejmë të lidhjeve tona shtetërore.

Miq. Partnerë. Aleatë”, shkruan Kurti në “Facebook”. /KultPlus.com

Kurti: Xhevat Qorraj do të mbetet ndër ata emra që e kanë shenjuar vetë historinë e kinematografisë dhe artit në Kosovë

Sot ka vdekur aktori i mirënjohur kosovar, Xhevat Qorraj, përcjell KultPlus.

Për vdekjen e Qorrajt ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se Xhevat Qorraj do të mbetet ndër ata emra që e kanë shenjuar vetë historinë e kinematografisë dhe artit në Kosovë.

Në vijim KultPlus ua sjell postimin e plotë të kryeministrit Kurti:

 Me pikëllim e lexova lajmin për vdekjen e Xhevat Qorrajt, artistit të madh të skenës teatrore dhe kinematografike të Kosovës.

Kam qenë 10 vjeçar kur pat bërë jehonë në Kosovë dhe rajon aktori Xhevat Qorraj në rolin e Prokës, kryepersonazh te filmi “Proka” i vitit 1985, me regji të Isa Qosjas, film të cilin e kam rishikuar disa herë. Loja mjeshtërore e Xhevat Qorrajt në filmin “Proka”, është shembulli ideal i atij paradoksi të artit, ku arti i kinemasë e nxjerrë nga harresa dhe mosnjohja një vepër arti tjetër, si në këtë rast novelën “Proka” të shkruar nga doktori prej Elbasani, Filip Papajani dhe të botuar që më 1936, e mbi bazën e së cilës u përshtat ky film. 

Të tjera role filmike në filmat “Rojet e mjegullës”, “Si të vdiset”, “Tri dritare dhe një varje” dhe deri te filmi “Eternally Child”, e kanë përjetësuar figurën dhe lojën e aktorit Xhevat Qorraj në botën e filmit te ne. Aktor i gjeneratës së parë të aktorëve profesionistë në Kosovë, me karrierën e tij artistike mbi pesë dekadëshe, Xhevat Qorraj do të mbetet ndër ata emra që e kanë shenjuar vetë historinë e kinematografisë dhe artit në Kosovë.

Mes kujtimesh për aktorin Xhevat Qorraj nëpërmjet filmave ku ai ka luajtur, dua tu shprehë ngushëllimet më të sinqerta nga ana ime familjes Qorraj, kolegëve dhe miqve të aktorit Xhevat Qorraj si dhe tërë komunitetit të artistëve në Kosovë./KultPlus.com

Çeku e Kurti vizitojnë artistin e madh, Xhevdet Xhafa

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku kanë vizituar artistin Xhevdet Xhafa, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në “Facebook”, Kurti ndau një bisedë të shkurtër që e zhvilloi me artistin.

– “Je mplak pak”, m’tha

– “Edhe ti”, ia ktheva.

Kështu filloi biseda jonë me të qeshura të shumta e me vrojtime nga e kaluara, veprat e artit dhe punët tona ditore, me artistin e madh Xhevdet Xhafa dhe me Ministrin e Kulturës, Hajrullaun”, shkruan i pari i ekzekutivit. /KultPlus.com

Kryeministri Kurti viziton Komitetin Olimpik të Kosovës

Për të biseduar mbi punën, angazhimin dhe sukseset e deritanishme të Komitetit Olimpik të Kosovës, Kryeministri Albin Kurti i shoqëruar nga zëvendësministrja Daulina Osmani, takuan Presidentin e KOK-ut, Ismet Krasniqi, sekretarin e përgjithshëm, Besim Aliti, pjesën tjetër të stafit dhe bordit.

Theks i veçantë gjatë diskutimit u vu mbi sukseset e arritura të sportistëve në arenën ndërkombëtare si dhe mbi kandidaturën e Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030./KultPlus.com

Qeveria e Kosovës blen dronë Bayraktar TB-2 të, Kurti: Kosova tash është edhe më e sigurt

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti nëpërmjet një njoftimi ka shkruar se Qeveria e Kosovës tashmë ka blerë dronë, shkruan KultPlus.

Më poshtë ju sjellim njoftimin e plotë.

Arsenalit të ushtrisë sonë i kemi shtuar edhe dronë Bayraktar TB-2 të cilët i kemi blerë si Qeveri nga Turqia! Në dy vjet qeverisje e kemi shtuar për mbi 80% numrin e ushtarëve dhe mbi 100% buxhetin për ushtrinë. Kosova tash është edhe më e sigurt përveçse gjithnjë krenare! Me Komandantin e FSK-së gjenerallejtnant Bashkim Jashari dhe Ministrin e Mbrojtjes Armend Mehaj përgëzuam oficerët që e kanë kryer trajnimin për përdorimin e dronëve./ KultPlus.com

Kryeministri Kurti: Shpejt ia mora dorën

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti me ministrin e Ministrisë së Bujqësisë Faton Peci kanë shpallur zyrtarisht kampanjën “Për bukën tonë në sofrën tonë nga toka jonë”!, shkruan KultPlus.

Më poshtë keni statusin e plotë të kryeministrit Kurti.

Bashkë me Ministrin Faton Peci drejtuam sot kombanjat “John Deer” në korrje-shirjen e grurit në fshatin Suhodoll, 15 minuta larg kryeqytetit. Fermeri Valon Vehapi i kishte marrë 110 hektarë me qera që pas mbjelljes me drithëra po i korr tani.

Shpejt ia mora dorën, me ndihmën e kombanjerit Avni Berisha nga Peja i cili mbrëmë kishte korrur deri vonë në Mamushë. Para nesh në fushën e artë me grurë iknin karkalecat. Pas nesh vinte kombanjeri më i mirë në Kosovë, Skënder Hyseni, me 47 vjet përvojë pune.

Afër 67 mijë hektarë janë mbjellur me grurë sivjet, apo 32% më shumë sesa vjet. 474 euro për hektar është mbështetja e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural apo rritje prej 216% krahasuar me qeveritë e shkuara: 150 euro për sipërfaqe, 150 euro për plehrim, 120 euro për rendimentin (4 tonë për hektar) dhe 54 euro për derivate (heqja e akcizës për naftë). Sipas Prof. Imer Rusinovcit duket që rendimenti këtu do të jetë 6 tonë për hektar, andaj shumës prej 120 euro subvencion do t’i shtohen edhe 60 euro të tjera (nga masa 3 centë për kilogram).

Për bukën tonë në sofrën tonë nga toka jonë!/ KultPlus.com

“Për bukën e sofrës”, Kurti e Peci hapin zyrtarisht fushatën e korrje-shirjeve

Është hapur zyrtarisht fushata e korrje- shirjeve në Kosovë. E komuna që fillon e para korrje-shirjet është Lipjani.

Në hapjen e fushatës morën pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministrin e bujqësisë, Faton Peci.

Ky i fundit në rrjetet sociale publikoi një fotografi me Kurtin. “Për bukën e sofrës!”, është përshkrimi që ka lënë mbi të.

Sivjet në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, në kuadër të mbjelljeve vjeshtore të vitit 2022 me kulturën e grurit është mbjellë një sipërfaqe prej 71 008.20 hektarë./KultPlus.com