Urimi i Kurtit për Krishtlindje: Le t’ia shtrijmë dorën njëri-tjetrit në këtë kremtë frymëzuese, e në çdo ditë tjetër


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar besimtarët e krishterë me rastin e Krishtlindjeve, shkruan KultPlus.

Ai përmes një postimi në Facebook ka uruar besimtarët që ketë festë ta kalojnë në paqr e dashuri, me familjen dhe njerëzit më të dashur.

Në vijim KultPlus ua sjell postimin e plotë të kryeministrit Kurti:

Të dashur bashkëqytetarë,
uroj që festën e Krishtlindjes ta kaloni në paqe e dashuri, me familjen e njerëzit tuaj më të dashur.

Lindja e Krishtit përcjellë porosinë e lindjes së paqes, të shpresës e dashurisë. Në këtë festë, që njihet edhe si Nata e Buzmit, kjo porosi bëhet edhe më e fortë. Le t’ia shtrijmë dorën njëri-tjetrit në këtë kremtë frymëzuese, e në çdo ditë tjetër. Ju uroj një Krishtlindje të bardhë e të bekuar.

Për shumë mot gëzuar Krishtlindjen!/KultPlus.com

Osmani dhe Kurti emërojnë Inspektorin e ri të Përgjithshëm të AKI-së

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministri, Albin Kurti, kanë emëruar Kujtim Shalën si Inspektor të Përgjithshëm i Agjencisë Kosovare të Intelegjencës (AKI) pas dorëheqjes së Burim Ramadanit nga kjo pozitë.

Osmani dhe Kurti kanë falënderuar Ramadanin për shërbimin e tij në AKI nga viti 2019 dhe i kanë uruar suksese të mëtejme në angazhimet e tij profesionale.

Kujtim Shala deri tani ishte i angazhuar në Forcën e Sigurisë së Kosovës. /KultPlus.com

Kryeministri Kurti përkujton komandatin Mujë Krasniqi dhe 40 dëshmorët e tjerë të UÇK-së

Sot, kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar komandatin Mujë Krasniqi i cili dha jetën duke kapërcyer i armatosur mbi kufirin më të padrejtë mes shqiptarëve më 14 dhjetor të vitit 1998, si dhe 40 dëshmorët e tjerë të UÇK-së, përcjell KultPlus.

“Gjithsej 41 ushtarë të UÇK-së ranë dëshmorë në udhëtimin e tyre të përbashkët prej luftëtarësh për çlirimin e Kosovës nga Serbia okupatore. Ndër ta edhe Mujë Krasniqi – Kapuçi, Komandant i Brigadës 113 në Zonën Operative të Drenicës”, ka shkruar ai.

Më poshtë gjeni postimin e plotë të tij:

Për 24 vjetorin e rënies së Mujë Krasniqit dhe 40 dëshmorëve të tjerë të UÇK-së

Mëngjesin e ftohtë të 14 dhjetorit 1998, një grup ushtarësh të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, teksa po kalonin kufirin mes Shqipërisë dhe ish Jugosllavisë për të hyrë në Kosovë, hasën në një pritë të forcave serbe. Të ngarkuar me armë dhe municione siç ishin, ushtarët e UÇK-së u përballën me trupat serbe duke luftuar te Likenet e Hasit në Gorozhup të Pashtrikut.

Gjithsej 41 ushtarë të UÇK-së ranë dëshmorë në udhëtimin e tyre të përbashkët prej luftëtarësh për çlirimin e Kosovës nga Serbia okupatore. Ndër ta edhe Mujë Krasniqi – Kapuçi, Komandant i Brigadës 113 në Zonën Operative të Drenicës. Atë ditë të hënë, në Pashtrik ranë dëshmorë:

Mujë Halil Krasniqi: (06.06.1967) – Klinë

Ali Halil Krasniqi: (13.05.1975) – Klinë

Bashkim Azem Krasniqi: (25.02.1977) – Klinë

Gani Hasan Zogaj: (19.05.1973) – Klinë

Ilir Hazir Asllani: (27.07.1969) – Skënderaj

Rifat Fazli Mëziu: (28.11.1968) – Skënderaj

Agim Halil Mëziu: (10.04.1974) – Skënderaj

Xhevat Shaban Thaçi: (23.08.1979) – Drenas

Muhamet Aziz Dervishi: (27.11.1967) – Drenas

Sylejman Zeçir Elshani: (11.05.1957) – Drenas

Faton Nazif Xhylani: (06.04.1981) – Drenas

Gani Halit Elshani: (19.05.1973) – Drenas

Luljeta Jahir Shala: (20.11.1977) – Drenas

Agron Mahmut Mehmeti: (07.11.1973) – Drenas

Mentor Ramadan Ibriqi: (09.01.1979) – Drenas

Kadri Haki Demaj: (21.01.1975) – Shtime

Fadil Bajrush Rashiti: (08.01.1975) – Shtime

Afrim Islam Musliu: (21.01.19710) – Shtime

Selim Shaip Selimi: (07.02.1978) – Shtime

Arben Rexhep Hyseni: (12.04.1980) – Shtime

Hafir Imri Bajrami: (15.04.1980) – Shtime

Xheladin Hamdi Xheladini: (02.04.1976) – Shtime

Ramadan Deli Elshani: (20.01.1976) – Shtime

Naser Shefki Kelmendi: (13.07.1976) – Shtime

Isa Xhemshir Olluri: (12.02.1979) – Lipjan

Enver Zymer Olluri: (31.01.1979) – Lipjan

Qamil Hysen Olluri: (15.11.1976) – Lipjan

Beqir Sefë Gashi: (03.01.1966) – Malishevë

Hazir Nezir Kryeziu; (06.09.1956) – Malishevë

Kadri Jahir Gashi: (26.03.1980) – Malishevë

Maliq Hamëz Karaqica: (13.08.1949) – Malishevë

Astrit Gafurr Bytyqi: (17.04.1980) – Ferizaj

Hysni Shaip Kajtazi: (24.04.1979) – Ferizaj

Bekim Qamil Bytyqi: (04.02.1978) – Rahovec

Isaj Muharrem Morina: (13.03.1958) – Rahovec

Mevlan Tefik Hoxha: (09.07.1974) – Prizren

Qenë Avdyl Qenaj: (25.08.1957) – Prizren

Besim Sylejman Qarri: (26.04.19780 – Suharekë

Hysen Kadri Bujupi: (28.10.1969) – Istog

Veli Beqir Ballazhi: (13.09.1978) – Hani i Elezit

Avni Bislim Kutllovci: (21.03.1977) – Vushtrri

I lindur më 1967, në fshatin Çabiq të Klinës, Mujë Krasniqi ishte shumë aktiv në grupet e armatosura që gjatë viteve ’90-të, realizuan dhjetëra aksione guerile kundër policisë serbe dhe pushtetit të Serbisë në Kosovë. Në dukje i shqueshëm edhe nga mjekrra dhe kapela e tij, Muja ishte në ballë që nga fillet e grupeve të para të armatosura, siç qe në ballë edhe në daljen e parë publike të UÇK-së, më 28 nëntor 1997, në fshatin Llaushë.

Sot në përvjetorin e 24-të të rënies së këtyre 41 dëshmorëve të UÇK-së në Pashtrik, Mujë Krasniqin po e kujtojmë me këto 7 fotografi të shkrepura nga gazetari norvegjez Paul Refsdal, i cili e njohu Mujën në spitalet e UÇK-së në Drenicë, ku të dy u kuruan nga plagët. Vetë Refsdsal ishte plagosur në Pashtrik, aty ku pak muaj më pas do të binte Muja. Në këto fotografi historike të publikuara më 2016 nga historiani Durim Abdullahu dhe të bëra mes fshatit Caravik të Klinës dhe fshatit Murgë të Skënderajt, Mujë Krasniqi shihet i plagosur, teksa lëviz me paterica mes ushtarëve të tij, ndër ta edhe Beqir Gashi. Muja dhe Beqa ishin bashkë në këngë dhe në luftë, deri në ditën e 14 dhjetorit 1998, kur ranë dëshmorë për liri, duke u bërë frymëzim për luftë dhe këngë.

Lavdi Mujë Krasniqit, lavdi dëshmorëve të rënë bashkë me të dhe të gjithë dëshmorëve të kombit që dhanë jetën e tyre për çlirimin e Kosovës! / KultPlus.com

Kurti: Bashkë me KFOR-in po punojmë ta adresojmë situatën në mënyrë paqësore

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një shkrimi në Twitter ka folur në lidhje me situatën në veri të vendit.

Ai ka thënë se bashkë me KFOR-in  po punojmë ta adresojmë situatën në mënyrë paqësore.

“Në bashkëpunim me KFOR-in ne po punojmë për ta adresuar situatën shpejt dhe në mënyrë paqësore”, ka shkruar ndër të tjera Kurti. /KultPlus.com

Kurti: Serbia po e kërcënon Kosovën me agresion, do t’i përgjigjemi me gjithë fuqinë që kemi

Pas situatës së tensionuar që u krijua në pikëkalimet kufitare Jarinjë e Bërnjak, ka reaguar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili thotë se Kosova nuk dëshiron konflikt, por paqe dhe progres. Megjithatë, Kurti thotë se agresionit do t’i përgjigjen me të gjitha fuqitë që ka Kosova.

Kurti përmes një shkrimi në Facebook tha se nëse këto veprime nuk dënohen nga BE-ja dhe ShBA’të, atëherë kjo do ta inkurajojë Beogradin zyrtar për më shumë nxitje për destabilizim të Kosovës.

Komunikata e plotë e kryeministrit Kurti:

Ka disa ditë që Serbia kërcënon Kosovën me agresion. Presidenti dhe kryeministrja e Serbisë bëjnë thirrje për kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë. Një mijë ushtarë thonë, duke u thirrur në Rezolutën 1244 (1999) të KS të OKB-së.

Ata duan një kthim të dyfishtë. E para, kthim në kohën e Milosheviqit dhe të luftës. Së dyti, që çështja e Kosovës të kthehet në OKB dhe sa më larg BE-së.

Si reagim ndaj propozimit të BE-së të mbështetur nga Franca e Gjermania (dhe ShBA-të), duan kthim te KS i OKB-së ku ndodhet vetoja e Rusisë (dhe Kinës).

Kosova është shtet evropian, demokratik dhe pro-amerikan. Me këtë udhëheqje që ka, Serbia është autokratike, pro-aziatike dhe luftënxitëse. Ne nuk duam konflikt, ne duam paqe dhe progres, por agresionit do t’i përgjigjemi me gjithë fuqinë që kemi.

Tash që as targat e automjeteve dhe as datën e zgjedhjeve nuk mund t’i përdorin si pretekst, strukturat ilegale të Serbisë të shndërruara në banda kriminale u zbuluan në etjen e tyre për zjarr e gjak.

Çdo mosdënim i vendosur nga ana e BE-së dhe ShBA-ve i kësaj dhune të orkestruar do të inkurajojë Beogradin zyrtar për më shumë nxitje për destabilizim të Kosovës.

Ministri i brendshëm Sveçla është në kontakt me Komandantin e KFOR-it Ristuccia. Barrikadat e kriminelëve me maska në veri duhet të hiqen menjëherë. Kosova është vend i qytetarëve të lirë e punëtorë, pa dallim etnie e feje, gjinie e moshe. Kriminelët dhe rusofilët do të dështojnë. Republika e Kosovës do të fitojë.. Kriminelët dhe rusofilët do të dështojnë. Republika e Kosovës do të fitojë./ KultPlus.com

Kurti: Para Krishtlindjeve do të aplikojmë për anëtarësim në BE

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti po merr pjesë në Samitin e Liderëve të Socialistëve dhe Demokratëve të Ballkanit Perëndimor në Vjenë, me temën “Zgjerimi i Ballkanit Perëndimor TANI!”.

Kurti ka theksuar para të pranishmëve se mezi presin ratifikimin e tri marrëveshjeve të arritura ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor në Samitin e Berlinit.

Ai tha se Ballkani Perëndimor ka nevojë për një proces të përshpejtuar të anëtarësimit në BE.

“Po flasim për perspektivë evropiane, integrim evropian por ne kemi nevojë për anëtarësim. Perspektiva evropiane nuk është më e mjaftueshme…”, tha Kurti, duke thënë se duhet të ketë afate kohore në procesin integrues.

Fatkeqësisht, “nevojitet një luftë në Ukrainë”, sipas kryeministrit të Kosovës, “që njerëzit të kuptojnë rëndësinë e procesit integrues”.

“Tani është koha për të përshpejtuar procesin e zgjerimit…”, tha Kurti, duke shtuar se Kosova do të aplikojë për anëtarësim në BE këtë muaj, para Krishtlindjeve. /KultPlus.com

21 vjet nga lirimi i Albin Kurtit nga burgu i regjimit serb

Albin Kurti ishte i arrestuar politik gjatë kohës së luftës në Kosovë dhe ishte liruar më 7 dhjetor 2001, pas presionit ndërkombëtar për lirimin e të burgosurve politikë nga regjimi serb.

Kurti ishte arrestuar më 27 prill 1999 në Prishtinë dhe deri më 2 maj 1999 është mbajtur në burgun e Prishtinës. Prej datës 2 maj deri më 10 qershor në burgun e Lipjanit. Prej 10 qershorit deri më 13 dhjetor 1999 në burgun e Pozharevcit dhe prej 13 dhjetorit deri më 13 mars 2000 në burgun e Nishit.

Procesi gjyqësore ndaj Albin Kurtit ka filluar më 9 mars 2000 ndërkaq më 13 mars është shqiptuar dënimi prej 15 vjetësh nën akuzën “cenimi i integritetit territorial dhe sovranitetit të Jugosllavisë”, sipas nenit 116.
Sërish, prej 14 mars 2000 deri në nëntor, ka qenë në burgun e Pozharevcit, prej nga kishte dhënë një intervistë më 22 prill 2000.

Prej nëntorit 2000 deri 3 dhjetor 2001 ka qenë në burgun e Quprisë ndërkaq, prej 3 dhjetor 2001 deri më 7 dhjetor, sërish në burgun e Nishit. /KultPlus.com

Kurti: Më e rëndësishme kish me qenë të bëhesha kryeprokuror

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se çdo ditë që vazhdon të ushtrojë funksionin e kryeministrit, duket se do të kishte qenë më e rëndësishme të bëhej kryeprokuror.

Shefi i ekzekutivit ka bërë të ditur këtë gjë gjatë prezantimit para qytetarëve të buxhetit për vitin e ardhshëm.

Deklarata e Kutit është postuar nga Lëvizja Vetëvendosje përmes një video në faqen e saj zyrtare në Facebook.

“Secilën ditë që po vazhdoj si kryeministër shpeshherë, edhe duke e dëgju ministrin Hekuran, po më duket që hala më e rëndësishme kish me qenë me u pa bo kryeprokuror”.

“Po unë kryeprokuror s’muj me u bë, a kryeministër m’keni bë ju, a kryeprokuror s’muj me u bo. Se për të ecë mbarë po nuk funksionoi edhe prokuroria edhe gjyqësia qysh duhet, do të vonohemi shumë”, ka pohuar ai.

“Këta me na nalë s’mujnë. Po, me na vonu po, ama gjithnjë e më pak. E unë jam optimist që edhe në këtë pengesë ia dalim bashkë, sikurse në të tjerat”, ka thënë Kurti. /KultPlus.com

Për të parë videon klikoni KËTU

Kryeministri Kurti: Serbia nuk kalon, urime Zvicrës

Zvicra e ka zhvilluar sonte ndeshjen ndaj Serbisë, e vlefshme për Kampionatin Botëror, dhe kësisoj arriti që të kualifikohet në mesin e 16 kombëtareve më të mira në botë, shkruan KultPlus.

Me një epërsi 3:2, Zvicra ka fituar në ndeshjen me Serbinë.

Me këtë rast ka reaguar kryeministri Albin Kurti nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.

“Serbia nuk kalon. Urime Zvicrës!”, ka shkruar ai në mbishkrimin e fotografisë së Xherdan Shaqirit e Granit Xhakës. / KultPlus.com

Vrasja e 35-vjeçares, Kurti: I gjithë zinxhiri i papërgjegjësisë duhet të japë dorëheqje

Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se ka miratuar kërkesat e Grupit Ndërministror kundër dhunës në familje, pas mbledhjes së sotme të tyre, lidhur me rastin që ndodhi dje në oborrin e Gjinekologjisë të gruas shtatzënë, përcjell KultPlus.

Përmes një postimi në “Facebook”, Kurti ka deklaruar se i gjithë zinxhiri i papërgjegjësisë duhet të japë dorëheqje.

Postimi i plotë:

“Zinxhiri që duhet (dorë)hequr

Sot pasdite kam aprovuar kërkesat e Grupit Ndërministror kundër dhunës në familje, pas takimit të sotëm të tyre, për rastin e vrasjes së Hamide Magashit dhe foshnjës së saj të palindur. Në bazë të përgjegjësive që mbartin institucionet përkatëse, po bëhet: inspektimi i punës së zyrtarëve policor, përfshirë zbatimin e urdhrit mbrojtës; inspektimi i punës së zyrtarëve në Qendrën për Punë Sociale; inspektimi i punës së zyrtarëve në repartin e gjinekologjisë në QKUK; ndarje urgjente e buxhetit për zbatim të Ligjit për Mbikëqyrjen Elektronike të personave, të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës; dhe, në rastet e caktimit të urdhrit mbrojtës të bëhet bastisje e shtëpisë së personit të dyshuar.

I gjithë zinxhiri i papërgjegjësisë duhet të japë dorëheqje”, thuhet në postimin e saj. /KultPlus.com

Reagon edhe njëherë kryeministri Kurti: Shumësia e dhunuesve nëpër familje e ka sjellur familjarizimin me dhunuesit në shoqëri

Rasti i mbrëmshëm i vrasjes së gruas shtatzënë në oborrin e QKUK-së ka tronditur vendin. Kryeministri Albin Kurti ka reaguar edhe njëherë për rastin e 35 vjeçarës, duke konsideruar që dhuna në familje në Kosovë është më e përhapur sesa që e paramendojmë dhe pranojmë çdonjëri prej nesh.

KultPlus ju sjell statusin e plotë të kryeministrit:

Marrëveshja xhentëllmene me dhunuesit familjarë

Kosova i ka më pak se 10 mijë policë e më shumë se 300 mijë familje.

Dhuna në familje në Kosovë është më e përhapur sesa që e paramendojmë dhe pranojmë çdonjëri prej nesh. Dhunë ndaj grave dhe dhunë ndaj fëmijëve gjithandej. Me lëndime të thella shpirtërore e të dukshme fizike. Pothuajse secili qytetar në Kosovë e din dhe njeh së paku një familje ku kishte apo ka dhunë. A e ka lajmëruar atë dhe sa është interesuar për të, është një çështje tjetër pastaj.

Kur vritet gruaja tashmë është bërë vonë. Zgjimi shoqëror edhe po ngjan vonë edhe po zgjat shkurt. Një a dy protesta të nesërmen, dhe: mirupafshim pas vrasjes së ardhshme. Gratë që vriten në familje janë ato që kanë rezistuar ndaj dhunës së burrit. Gratë që vriten janë gra që nuk kanë heshtur. Shoqëria jonë është përgjithësisht e heshtur për zërin e mbytur të atyre grave nga burrat vrasës. Gratë (dhe fëmijët e saj) po luftojnë brenda shtëpive të tyre private pa mbështetjen e nevojshme publike. Beteja për barazi gjinore nuk është çështje private.

Duhet të heqim dorë nga paragjykimi patriarkal “nderi burrëror – gruaja shërbëtore”. Aktet e dhunës vijnë nga sjelljet dhunuese që vijnë nga kjo mendësi e ‘padhunshme’. Qytetarët e Kosovës, e në veçanti shqiptarët të cilët e konsiderojnë veten patriotë, duhet ta ngrejnë zërin kundër burrave që ngrejnë dorë mbi gruan.

Kosova i ka më pak se 10 mijë policë e më shumë se 300 mijë familje. / KultPlus.com

Kryeministri Kurti reagon: E papranueshme dhe e padurueshme

Gjatë ditës së sotme është raportuar për një grua shtatzënë të vrarë nga burri i saj në oborrin e QKUK-së, shkruan KultPlus.

Për këtë rast ka reaguar edhe kryeministri Albin Kurti.

Postimi i plotë:

Dy engjëj në qiellin e pistë

Vrasje mizore. U vra edhe një grua. Edhe kjo nga burri i saj. Në oborr të spitalit. Atje ku duhet të shërohen njerëzit. Në oborr të Klinikës Gjinekologjike. Atje ku lindin gratë. U shua një jetë që po sillte edhe një jetë tjetër. Gruaja ishte shtatzënë. Rreth 35 vjeç, as në gjysmë të jetës së saj. E fëmija që ajo donte ta lindte as nuk e filloi jetën. Vrasës mizor. Edhe një burrë që qëllon mbi gruan që duhej ta mbronte. Edhe një burrë që vret një grua. E cila tash është e jona, e të gjithë neve. Bashkë me foshnjen e palindur të saj. Dy qytetarë të Kosovës më pak, dy shqiptarë më pak, do të jenë duke menduar armiqtë tanë. E papranueshme dhe e padurueshme. / KultPlus.com

Kurti: Të punojmë së bashku, këtu kalaja ku vëmë të gjithë nga një gurë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi sot se dy vendet duhet të thellojnë bashkëpunimin, të ndajnë ide me njëri-tjetrin, të pranojnë perspektivat e ndryshme, e kritikat ndaj njëri-tjetrit, pasi, theksoi ai, hapësira publike, politika, kultura dhe ekonomia nuk janë çifligje të bllokuara me tapi, por e përbashkëta, kalaja ku vënë të gjithë nga një gurë.

Në fjalën e tij, në seancën e përbashkët të dy Kuvendeve që po mbahet në Tiranë, me rastin e 110 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, Kurti uroi shqiptarët anekënd botës, duke e cilësuar këtë si festë e shenjtë për identitetin kombëtar.

“Deklarata e Pavarësisë evidenton Islmail Qemalin si prijës mes të barabartëve, pra si prijës republikan. Sipas shumë studiuesve mendohet se deklarata është shkruar nga ministri i parë i arsimit, Luigj Gurakuqi. Por 7 vite më pas, teksa në rendin e ditës ishte Traktati i Londrës dhe copëritmi i mëtejshëm i trojeve shqiptare, vetëm pak ditë para festës së Flamurit, Gurakuqi kërkonte bashkim kundër çdo copëtimi e shkruante: festa e 28 nëntorit duhet të jetë për ne të gjithë, jo vetëm ditë gëzimi, por edhe pendimi në të cilën duhet të bëjmë shqyrtimin e vetdijës sonë. Në këtë ditë duhet të vënë të gjithë dorën në zemër e të pyesin vetës nëse kemi bërë gjithmonë detyrën që kishim për atdheun. T’i tregojmë pa turp e t’i njohim fajet tona, të harrojmë armiqësitë që na ndajnë, t’i japim vëllazërisht dorën njëri-tjetrit dhe të betohemi mbi besën e gjyshërve tanë se sot e më pas do të përpiqemi me të vërtetë për të mirën e Atdheut, për lulëzimin e kombit, për nderin e flamurit tonë“, tha kryeministri Kurti.

Kurti theksoi se ndarjet krahinore ishin edhe dje e edhe sot pengeseë.

“Gurakuqi vet nuk mjaftohej me Shkodrën e gegnin. Ai ishte pjesëmarrës edhe në toskëri e Kosovë, ashtu siç nuk mjaftohej Çerçizi me Gjirokastrën, Hasani me Prishtinën, Parashqevi e Sevasti Qiriazi me Manastirin , Mehmet Pasha me Tetovën, apo Bajram e Isa Begu me Kosovën. Ndarjet krahinore ishin pengesë atëherë e janë edhe sot. Prandaj duhet të gëzohemi kur përfshihemi sa më shumë në jetën publike të njëri-tjetrit, jo për të penguar por për të kontribuuar. Hapësira jonë publike, politika, kultura dhe ekonomia nuk janë çifligje të bllokuara me tapi, por e përbashkëta, kalaja ku vëmë të gjithë nga një gurë”, tha ai.

Kurti vuri theksin në rëndësinë e të qenurit më shpesh bashkë.

“Duhet të jemi më shpesh bashkë, jo vetëm në festa, jo vetëm politikanët, na duhet të punojmë bashkë, të ndajmë ide me njëri-tjetrin, të pranojmë perspektivat e ndryshme e kritikat ndaj njëri-tjetrit, pra të punojmë së bashku”, u shpreh Kurti.

Kryeministri i Kosovës, po ashtu theksoi se thellimi i ndarjes nuk i shërben kombit.

“Teksa në Evropën Lindore po vinte demokracia e muri i Berlinit ra, e Gjermania festonte lirinë, duke u bashkuar, një shkencëtar e politolog kosovar Ukshin Hoti thoshte se: politikanët shqiptarë duke thelluar ndarjen mes tyre përtej kufijve të demokracisë, po ju japin arsye atyre që dëshirojnë ti shohin të ndarë si popull. Në veprën e tij madhore “Filozofia politike e çështjes shqiptare”, ai kërkon nga politikanët shqiptarë që të kenë si prioritet kryesor pozitën ndërkombëtare të Kosvës së Shqipërisë dhe jo atë vetjake. Jam i sigurtë që shumica këtu bini darkord brenda vetes me mesazhet e Luigjit dhe Ukshinit”, deklaroi Kurti.

Kryeministri Kurti ndau dhe disa nga arritjet që janë bërë sa i takon bashkëpunimit dypalësh.

”Shqipëria ka bërë hapa të mëdhenj përpara. Ajo sot është vend i NATO-s, anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB –së ka nisur negociatat për anëtarësim në BE dhe ka bërë hapa të dukshëm në shumë fusha. Urojmë që sukseset e Shqipërisë, bashkëkombasve tanë t’u shtohen çdo dit të Flamurit. Jam i sigurtë që po njëlloj gëzon dhe Shqipëria për Kosovën dhe sukseset e saj. Kemi tashmë Abetaren e përbashkët dhe po punohet për Fjalorin e Përbashkët Enciklopedik. Teksa ministritë e Arsimit bashkëpunojnë çdo ditë për avancim në këtë fushë kyçe për zhvillimin tonë kombtar. Kemi unifikuar tregjet e punës dhe po punojmë për unifikimin e sistemit doganor e tatimor. Kemi financuar së bashku fizibilitetitin e hekurudhës Durrës-Prishtinë“, u shpreh ai.

Për Kurtin problem më i mprehtë i dy vendeve, në këto momente, është largimi i të rinjve, ndërsa premtoi se nuk do të reshte përpjekjet për përmirësimin e shtetbërjes dhe kthimin e besimit në institucione.

“Situata nuk është kurrë rozë dhe nëse ndalim përpjekjen e pushojmë se punuari, rrezikojmë. Pra rreziku është mosverpimit, jo veprimi, Vendet tona ballafaqohen me probleme, më i mprehti është largimi i rinisë. Dua t’u dërgoj një mesazh atyre që morën rrugën e dhimbshme të kurbetit. Kjo ditë është edhe e juaja. Mërgimtarët janë mbështetja më e madhe ekonomike për vendet tona e familjet e tyre, por edhe burim demokratizimi e kulture. E di që skemi bërë ende mjaftueshëm që tu kthejmë besimin në institucione, që ju të mendoni rritjen e fëmijëve tuaj në atdheun tuaj, si opsionin më të mirë. Premtoj se këtë betejë do ta bëjmë deri në fund edhe me ndihmën tuaj”, tha ai. /KultPlus.com

Kurti: Në dhjetor aplikojmë për anëtarësim në BE

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Europian në dhjetor të këtij viti.

Ai kështu ka deklaruar në një intervistë për gazetarin e Frankfurter Allgemeine Zeitung, Michael Martens.

“Kosova do të aplikojë zyrtarisht për anëtarësim në BE në dhjetor”, ka njoftuar gazetari përmes një postimi në Twitter.

Martens shkruan se kryeministri Kurti në këtë intervistë ka treguar se ka bërë kompromis për çështjen e targave pasi ishte paralajmëruar nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, se situata në veri të Republikës së Kosovës “mund të përkeqësohej rëndë dhe në mënyrë të pakthyeshme”.

Gazetari i Frankfurter Allgemeine Zeitung njoftoi se po ashtu në intervistë u trajtuan shumë çështje të tjera si udhëtimi pa viza për kosovarët në BE që nga viti 2024, anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Europës etj.

“Së shpejti. Jo në një kinema pranë jush, por në Frankfurter Allgemeine Zeitung”, paralajmëroi ai. /KultPlus.com

Kurti: Ushtria është detyra dhe projekti ynë madhor

Sot në kazermën “Adem Jashari” janë betuar 311 rekrutët e rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ku edhe morën titullin Ushtar i Kosovës, shkruan KultPlus.

Për këtë reagoi edhe kryeministri Albin Kurti, i cili tha se ushtria është detyrë e projekt madhor i tyre.

Postimi i plotë:

“Ushtria është detyra dhe projekti ynë madhor

Në kazermën “Adem Jashari” sot u betuan 311 rekrutë të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe morën statusin Ushtar i Kosovës.

Ndërsa dje, me shumicë votash Kuvendi miratoi tri projektligje që fuqizojnë bazën ligjore për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Mbrojtjes, FSK-së dhe të drejtat e obligimet për pjesëtarët e FSK-së: plotësim-ndryshimin e Ligjit për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës, për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe për Ministrinë e Mbrojtjes.

Ushtria jonë po forcohet e zhvillohet për të siguruar e ruajtur paqen, demokracinë dhe progresin. U jemi mirënjohës partnerëve, vendeve mike e aleate për gjithë përkrahjen në modernizimin dhe trajnimin e FSK-së”, thuhet në postimin e tij. /KultPlus.com

Kurti: Presidenti Macron konfirmoi mbështetjen e tij për paqen dhe sigurinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar pas takimit që ai pati me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, shkruan KultPlus.

Kurti njoftoi se në takim u diskutua për dialogun për marrëveshje Kosovë – Serbi, zhvillimet e fundit dhe thellimin e marrëdhënieve në mes dy vendeve.

I pari i ekzekutivit tha se gjatë takimit që ai pati me Osmanin bashkë me Macronin, u potencua se Kosova ka propozuar kornizën e përgjithshme të marrëveshjes.

“Falënderoj Presidentin Emmanuel Macron për propozimin franko-gjerman si bazë e mirë për bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Kurti.

Tutje, ai gjithashtu tha se bashkë me Osmanin falënderuan Macronin për angazhimin e Francës, në bashkëpunim me Gjermaninë, për dinamizimin e procesit të dialogut ku sipas tij, u ritheksua përkushtimi i plotë i Kosovës në këtë proces.

“Ne jemi të përkushtuar ndaj sundimit të ligjit dhe Presidenti Macron konfirmoi mbështetjen e tij për paqen dhe sigurinë”, shkroi Kurti. /KultPlus.com

Krerët e shtetit në përkrahje të grave të prekura nga kanceri i gjirit

Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti po marrin pjesë në manifestimin tradicional informativo-kulturor me moton “Zbulimi i hershëm – Mbijetesë”, që po organizohet nga Qendra Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit “Jeta/Vita” në Prishtinë.

Ky manifestim po organizohet për herë të 16-të, por këtë herë nën pantronatin e presidentes Osmani, e ku të pranishme janë edhe zv.kryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, zv.kryeministrja Emilia Rexhepi, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu si dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama./ KultPlus.com

U vu gurëthemeli për ndërtimin e një çerdheje të re në Prishtinë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, kanë vënë sot gurëthemelin për ndërtimin e një çerdheje të re në Prishtinë.

Me këtë rast, kryeministri Kurti përmendi investimet në ndërtimin e çerdheve në gjithë Kosovën dhe tha se Qeveria e Kosovës e ka arsimin prioritet, e veçanërisht zhvillimin në fëmijërinë e hershme, kur dihet rëndësia që ka ky nivel i edukimit në zhvillimin e mëtutjeshëm të secilit fëmijë.

Ministrja Nagavci, ndërkaq, theksoi se do të vazhdohet me ndërtimin e çerdheve të reja dhe përmendi faktin që Qeveria ka ndarë dhe e ka rritur buxhetin për ndërtimin e çerdheve dhe shkollave edhe për vitin 2023.

Pasi që tha se po punojmë shumë për të përmirësuar rezultatet në arsim, ministrja Nagavci theksoi synimin për gjithëpërfshirje në edukimin e hershëm. Ajo tha se ky nivel i edukimit është parakusht për zhvillimin e individit dhe shoqërisë në përgjithësi.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, e vlerësoi fillimin e punimeve për ndërtimin e kësaj çerdheje si shumë të rëndësishme për kryeqytetin.

Objekti i çerdhes, vlera e të cilit është 743 mijë euro, do të jetë me sipërfaqe 1300 metër katror dhe i destinuar për 120 femijë. Çerdhja është projektuar në dy kate dhe përmbanë 5 dhoma për qëndrim të fëmijëve, 3 dhoma të gjumit për femijë, hapësirën për shumë qëllime, kuzhinën, trapezarinë, dhomën e mjekut, dhomën e psikologut, administratën, si dhe hapësira teknike./ KultPlus.com

Kurti: Gratë kanë mbajtur megafon, bukë e laps në dorë me të vetmen kërkesë, paqe për të gjithë

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, gjatë Forumit Ndërkombëtar Gratë, Paqja dhe Siguria, ka thënë se populli i Kosovës i beson grave po aq sa burrave.

Ai tha se kur bëhet fjalët për çështjet e sigurisë, qytetarët e institucionet kanë caktuar si komandante Supreme, presidenten e vendit, Vjosa Osmani.

Sipas Kurtit, gratë i përgjigjen thirrjeve të çdoditshme për paqe dhe siguri, sikur të jetë përpjekja e tyre jetësore, pasi sipas tij, gratë janë më të interesuara për politikat e paqes dhe sigurisë sepse edhe kërcënohen më së shumti nga mungesa e këtyre elementeve.

“Nuk ka pasur ndonjë fazë që gratë s’janë angazhuar me thirrje e përpjekje për liri e paqe. Angazhimi i grave dhe vajzave në Kosovë s’ka munguar asnjëherë në shtet-ndërtim por nuk mungon as në funksionimin e shtetit tonë të përditshëm”.

“Kanë mbajtur megafon, bukë e laps në dorë me të vetmen kërkesë, paqe por paqe për të gjithë. Për veten por edhe për fëmijët e tyre, për shtetin dhe të ardhmen”, është shprehur Kurti, njofton Klankosova.tv..

Tutje, i pari i qeverisë tha se numri i grave dha vajzave që shërbejnë në FSK e në Policinë e Kosovës është substancial por edhe duhet të rritet tutje.

“Nuk ka garanci më të madhe për paqen dhe sigurinë, përveç se të realizohet nga gratë dhe burrat së bashku por edhe s’ka alternativë tjetër. Është garancia më e madhe, më e drejtë dhe më e fuqishme e mundshme. Më shumë gra në FSK nënkupton promovim dhe realizim më të mirë të të drejtave të njeriut por edhe të pakicave”.

“Interesimi në rritje për këto fusha të sigurisë është indikacion shumë i mirë i së ardhmes për vendin, pasi gratë dhe vajzat në Kosovë kanë sakrifikuar shumë, kanë qenë edhe viktima por edhe luftëtare”, është shprehur Kurti. / KultPlus.com

Kurti: Bashkërisht të krijojmë një të ardhme me mundësi më të mëdha për të gjithë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë në festivalin “Suhareka na bashkon”, që ju kushtohet personave me aftësi të kufizuara.

Kurti u shpreh se garantimi dhe avancimi i të drejtave të njeriut është një çështje thelbësore në vetvete, por edhe shtytëse për shoqëri më të drejtë, e më të suksesshme.

Ai tha se këtë vit Qeveria e tij ka punuar mjaftë shumë që këtyre personave t’u ofrohen kushtet e duhura.

“Andaj, si institucione edhe qendrore edhe komunale le t’i qëndrojmë pranë njëri-tjetrit që të jemi bashkë, sepse Suhareka na bashkon, ndërkaq solidariteti na barazon”, tha Kurti.

Ndër të tjera kreu i Qeverisë foli edhe për përkrahjen institucionale për qytetarët , duke veçuar mbështetjen për programet trajnuese për sportistët, me 100 mijë euro mbështetje vjetore për Komitetin Paralimpik të Kosovës dhe 40 mijë Euro për Federatën e Sportit për të Verbër, zbatimin e Masës 1.6 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, punësimin e asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta, e po ashtu për komunitetin e personave të verbër përmendi punën për krijimin e Sintezës Vokale në Gjuhën Shqipe. /KultPlus.com

Kurti dhe Osmani pranojnë sot Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, sot do të pranojë Raportin e Progresit për Kosovën të këtij viti nga Komisioni Evropian.

Osmani raporti do t’i dorëzohet nga Ambasadori i Bashkimit Evropian, Tomas Szunyog në Presidencë në ora 16:30.

Edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, këtë të mërkurë do të pranojë Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën për këtë vit.

Raportin do ta pranojë nga Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, në objektin e Qeverisë.

Ditë më parë Komisioni Evropian u ka dërguar vendeve të Bashkimit Evropian dokumentin ku konfirmon se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.

Po në këtë dokument thuhet se Komisioni konfirmon se mbetet në fuqi propozimi që BE-ja t’i liberalizojë vizat për Kosovën.

Liderët e shtetit janë shprehur optimist lidhur me këtë çështje, ndonëse nuk japin datë se kur qytetarët e vendit mund të lëvizin lirshëm.

Me një vendim pozitiv me datën 13 tetor 2022, në takimin e Grupit Punues për Viza të Komisionit Evropian, liberalizimi i vizave për Kosovën do të hynte në rrugën formale të miratimit, i cili mund të zgjasë disa muaj. /KultPlus.com

Kurti e thotë çartazi: Nuk kemi alternativë tjetër përveç BE-së dhe NATO-s

Kosova po merr pjesë në seminarin e 102-të Rose-Roth në kuadër të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, shkruan KultPlus.

Në këtë ngjarje, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka diskutuar edhe për çështjen e liberalizimit të vizave për shtetin më të ri në Evropë.

“Liberalizimi varet nga gjithsecili vend i BE-së që ti jap fund skepticizmit sepse nuk ka bazë objektive për këtë kundërshtim më. Shpresoj që përfundimisht do ta marrim liberalizimin e vizave. Ne nuk kemi alternativë tjetër përveç BE-së dhe NATO-s dhe nuk jemi duke kërkuar alternativë tjetër sepse nuk kemi”, tha Kurti.

Kurti shtoi se Kosova është vendi më pro-evropian, pro NATO-s dhe më demokratik në Ballkanin e 6-të Perëndimor.

“BE-ja ka treguar se është në favor liberalizimit të vizave për Kosovën, por në vijimësi përsëritet skepticizmi i disa prej vendeve anëtare të BE-së. Ne kemi plotësuar 95 kritere, kemi përmirësuar imazhin e Kosovën në shkallë shumë të madhe, jemi ngritur për 17 vende në indeksin e perceptimit të korrupsionit të Transaprency International, policia ka kryer mbi 700 operacione ndaj krimeve ekonomike, korrupsionit ka arrestuar mbi 2 mijë persona diku 300 prej tyre zyrtar publik ose shtetëror”, u shpreh Kurti.

Kreu i ekzekutivitetit theksoi më tej se mirëpret që vendet e Ballkanit Perëndimor të anëtarësohen sa më shpejt në BE.

“Konsolidimi i brendshëm dhe zgjerimi i BE-së, duhet të zhvillohet krahë për krahë. Mirëpres integrimin e 6 së Ballkanit Perëndimor, kushdo që të integrohet sa më shpejt të jetë e mundur. BE-ja duhet të jetë e kultivuar nga brenda por jo në krye në vetëm, ne kemi nevojë për ndihmë dhe do të vazhdojmë ti kultivojmë vlerat evropiane”, tha Kurti.

Kurti tha se Qeveria e Kosovës dhe institucionet e mbrojtjes do të vazhdojnë përgatitjet së bashku me partnerët e NATO-s që Kosova në të ardhmen të bëhet anëtare e Aleancës Veriatlantike.

“NATO është i vetmi aleat politik dhe ushtarak që synon të ruajë të arriturat e shoqërisë njerëzore dhe vlerat e avancuar demokratike të cilat si qendër gravitacioni kanë jetën dhe zhvillimin e qenies njerëzore. Në këtë mjedis bashkëkohor, të sigurisë dhe demokratike dhe shoqëria njerëzore është duke u sfiduar nga rilindja e ideve të vjetra po jo të harruara fashiste e hegjomoniste”, tha Kurti. /KultPlus.com

Kurti ia bën një ofertë të veçantë, mjekëve që vendosin të punojnë vetëm në sektorin publik

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka deklaruar se mjekët që vendosin të punojnë vetëm më sektorin publik do të kenë shtesë të veçantë të pagës.

“Profesionistët shëndetësor do të kenë trajtimin e dinjitetshëm në raport me shkollimin. Përveç pagës dhe shtesave standarde, profesionistet shëndetësor që vendosin të punojnë vetëm në sektorin publik ta kenë edhe shtesën e veçantë…Urgjenca për Ligjin e Pagave ka qenë dhe mbetet në planifikimin sa më të afërt të shtetit”, ka thënë Kurti gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Kosovës.

Kryeministri u ka bërë thirrje mjekëve që kontributin e tyre të vazhdojnë ta japin në sektorin publik.

Ai tutje deklaroi se janë të fryera deklaratat për ikjen e mjekëve nga sektori publik por edhe jashtë shtetit. Megjithatë nuk e mohoi vaktin se mjekët po ikin./ Express / KultPlus.com

Kurti viziton veprat e Manifestës bashkë me bashkëshorten dhe vajzën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me bashkëshorten dhe vajzën e tij kanë vizituar veprat e artistëve vendor e ndërkombëtarë që janë të ekspozuara në kuadër të Manifestës, përcjell KultPlus.

Këto vepra do të jenë të hapura për vizitorët edhe 25 ditë deri në përfundmin e Biennales së Manifestës.

Në vijim gjeni postimin e plotë të kryeministrit Kurti:

Edhe 25 ditë të Manifesta-s në 25 vende në Prishtinë. Bashkë me Lean dhe Ritën vizituam veprat e artistëve vendorë e ndërkombëtarë që janë pjesë e Biennales nomade të artit, Manifesta.

Të gjitha vizitat janë pa pagesë dhe këto hapësira janë:

– Rruga 2 Korriku,

– Sheshi “Adem Jashari”,

– Tulltorja,

– Çelësa Punues,

– Qendra për Praktikën Narrative (ish-biblioteka “Hivzi Sylejmani”)

– Muzeu Etnologjik,

– Fondacioni 17,

– Shtëpia e Mallrave “Gërmia”,

– Grand Hotel Prishtina,

– Korridori i Gjelbër,

– Shtëpi-shkolla “Hertica”,

– Lumi “Ibër”,

– Kino ARMATA,

– Kino Rinia,

– Muzeu i Kosovës,

– Galeria Kombëtare e Kosovës,

– Observatori i Prishtinës,

– Pallati i Rinisë dhe i Sporteve,

– Monumenti “Varrezat e Dëshmorëve”,

– Rilindja,

– Banesa,

– Hamami i Madh,

– Galeria e Fakultetit të Arteve, Universiteti i Prishtinës,

– Fakulteti i Filozofisë, Universiteti i Prishtinës dhe

– Sheshi “Zahir Pajaziti”./ KultPlus.com