Sot është Dita Botërore e Mjedisit dhe për 2025-ën, Kombet e Bashkuara kanë caktuar temën “Beat Plastic Pollution” (Lufto ndotjen nga plastika).
Dita Botërore e Mjedisit vë në pah provat shkencore mbi ndikimet e ndotjes plastike dhe nxit popullatën të refuzojë, të reduktojë, të ripërdorë, të riciklojë dhe të mendojë mirë përdorimin e plastikës për të ndërtuar një të ardhme më të pastër dhe më të qëndrueshme.
Në nivel global, vlerësohet se rreth 11 milion tonë mbetje plastike rrjedhin në ekosistemet ujore çdo vit. Më shumë se 800 specie detare dhe bregdetare janë prekur nga kjo ndotje përmes gëlltitjes, ngatërrimit dhe rreziqeve të tjera.
Mikroplastika në dete tani është më e madhe se yjet në galaktikën tonë.
Kostoja vjetore sociale dhe mjedisore e ndotjes plastike varion midis 300 miliardë dhe 600 miliardë dollarë amerikanë.
Më shumë se 400 milionë tonë plastikë prodhohen çdo vit në mbarë botën, gjysma e të cilave është projektuar për t’u përdorur vetëm një herë. Nga kjo, më pak se 10 % riciklohet.
Grimca të vogla plastike deri në 5 mm në diameter, arrijnë të depërtojnë në ushqim, ujë dhe ajër. Është vlerësuar se çdo person në planet konsumon më shumë se 50,000 grimca plastike në vit dhe shumë më tepër nëse merret parasysh thithja përmes ajrit.
Plastika e hedhur ose e djegur për një përdorim të vetëm dëmton shëndetin e njeriut dhe biodiversitetin dhe ndot çdo ekosistem nga majat e maleve deri në fundin e oqeanit. /atsh/ KultPlus.com
Farmer’s hands holding a small tree on nature background
Sot është Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve Viktima të Agresionit
Çdo ditë, fëmijët që jetojnë në luftëra anembanë globit, përballen me tmerre të papërshkrueshme. Ata nuk janë të sigurt për të fjetur në shtëpitë e tyre ose duke luajtur jashtë, duke mësuar në shkollë ose duke kërkuar kujdes mjekësor në spitale. Nga vrasja dhe gjymtimi, rrëmbimi dhe dhuna seksuale, te sulmet ndaj objekteve arsimore dhe shëndetësore, dhe mohimi i ndihmës humanitare për të cilën ata kanë nevojë dëshpërimisht, fëmijët janë vendosur mes palëve ndërluftuese.
OKB-ja thotë se, mënyra më efektive për të mbrojtur fëmijët nga armiqësitë është eliminimi i faktorëve shtytës dhe tërheqës që çojnë në përfshirjen e tyre në konflikte të armatosura.
Të dhënat e publikuara nga Kombet e Bashkuara janë alarmante. Raporti Vjetor i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Fëmijët dhe Konfliktet e Armatosura thekson se vetëm në vitin 2023:
11.649 fëmijë u vranë ose u gjymtuan
8,655 fëmijë u rekrutuan ose u përdorën, dhe 4356 u rrëmbyen
Me temën “Paqja përmes syve të fëmijëve”, sot është hapur ekspozita e punimeve artistike të fëmijëve nga shkollat fillore të Kosovës, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve që shënohet më 1 Qershor.
Në bashkëpunim me organizatën ndërkombëtare Colors for Peace, në këtë aktivitet mbi 1000 piktura të realizuara nga fëmijët të moshës 6-14 vjeç, do të ekspozohen në hapësirat publike në Prishtinë gjatë periudhës 23 Maj – 12 qershor 2025, përkatësisht në Sheshin Zahir Pajaziti dhe Sheshin Xhorxh Bush në Prishtinë.
Kjo ekspozitë e organizuar nga Luljeta Muçaj – Ambasadore e Kosovës për Colors for Peace, është një thirrje për paqe dhe kreativitet, e cila përçon mesazhet e fëmijëve për një botë më të mirë përmes artit të tyre.
Sot është Dita Ndërkombëtare për Biodiversitetin, nën temën “Harmonia me natyrën dhe zhvillimi i qëndrueshëm”.
Dita Ndërkombëtare e Biodiversitetit është shpallur nga Kombet e Bashkuara në vitin 1993, për të theksuar rëndësinë e diversitetit biologjik. U vendos data 22 maj për të përkujtuar 22 majin e 1992, datën e miratimit të Konventës së Diversitetit Biologjik.
Ndërsa komuniteti global është thirrur të rishqyrtojë marrëdhënien tonë me natyrën, një gjë është e sigurt: pavarësisht nga të gjitha përparimet teknologjike, ne mbetemi plotësisht të varur nga ekosistemet e shëndetshme: për ujin, ushqimin, ilaçet, rrobat, karburantin, strehimin, energjinë etj.
Në dhjetor 2022, bota u bashkua dhe ra dakord për një plan global për të transformuar marrëdhëniet tona me natyrën. Miratimi i Kornizës Globale të Biodiversitetit Kunming-Montreal, vendos 23 objektiva për vitin 2030 dhe 5 objektiva globale për vitin 2050 për të ndaluar dhe rikthyer dëmet që i janë shkaktuar natyrës në 25 vjet.
Kjo fushatë synon gjithashtu të nxisë një ndjenjë urgjence për të vepruar sa më shpejt, pasi mbeten vetëm pesë vjet për të përmbushur objektivat afatshkurtër të Kornizës Globale të Biodiversitetit dhe SDGs.
10 Maji në botë njihet si dita e sensibilizimit për sëmundjen e lëkurës Lupus.
Lupus është një sëmundje kronike inflamatore, në të cilën sistemi imunitar i trupit sulmon organet dhe indet.
Inflamacioni i shkaktuar nga lupusi mund të ndikojë në sisteme të ndryshme të trupit duke përfshirë lëkurën, veshkat, qelizat e gjakut, trurin, zemrën dhe mushkëritë.
Lupusi prek veshkat dhe është një çrregullim serioz, pasi mund të ketë një ndikim të thellë në jetën e njerëzve.
Ai mund të jetë e vështirë për t’u diagnostikuar, pasi shenjat dhe simptomat e tij shpesh janë të ngjashme me ato të sëmundjeve të tjera. Shenja më e dallueshme e lupusit është skuqja e lëkurës, që ngjan me krahët e një fluture.
Një në pesë femra rezultojnë pozitive për antitrupat e lidhura me lupusin, por vetëm 10 për qind e tyre diagnostikohen me këtë sëmundje. Duke zbuluar më tepër gjëra për veshkat, mund të kuptohet edhe zanafilla dhe mënyra sesi zhvillohet sëmundja.
Edhe pse janë shumë të pakët ata që kanë dëgjuar për këtë sëmundje, në plan botëror Lupusi, është më i shpeshtë se sa skleroza ose leukemia. Lupusi nuk është ngjitës, është një çrregullim i sistemit imunitar të organizmit. Edhe pse 90 për qind e atyre që vuajnë nga kjo sëmundje janë femra midis moshës 15-45 vjeçare, kjo sëmundje përfshin edhe meshkujt dhe fëmijët.
Tema e kësaj dite për vitin 2025 është “Hapësira të përbashkëta: Krijimi i qyteteve dhe komuniteteve miqësore me zogjtë”. Kjo do të jetë një fushatë globale që synon të rrisë ndërgjegjësimin për zogjtë shtegtarë dhe çështjet që lidhen me mbrojtjen e tyre. Tema e këtij viti thekson rëndësinë e bërjes së qyteteve më miqësore me shpendët dhe nga kjo do të përfitojnë si natyra ashtu edhe njerëzit.
Organizatat botërore që mbrojnë shpendët, ftojnë që 10 maji të konsiderohet si nje festë globale e cila të shfrytëzohet si një ditë shëtitjesh dhe bisedash për natyrën, si dhe një arsye për familjet me fëmijë të dalin në natyrë për të shijuar shpendët.
Disa nga veprimet që mund të ndërmerren në të mirë të zogjve shtegtarë:
Mbillni bimë autoktone: Ato sigurojnë ushqimin dhe strehën e nevojshme për zogjtë dhe mbajne larg barerat e demshme.
Zbehni dritat gjatë natës: Shkëlqimi i qyteteve dhe shtëpive tona mund të ndërpresë ciklin e pushimit te zogjve, të ndryshojë migrimin e tyre dhe të ndikojë në riprodhim.
Bëjini dritaret të dukshme: zogjtë nuk e dallojne xhamin e sheshtë dhe mund ta godasin atë.
Mbroni insektet: 95% e zogjve varen nga insektet në një moment të ciklit të tyre jetësor. Shmangni përdorimin e pesticideve dhe kimikateve të tjera që kontribuojnë në uljen e numrit të fluturave, pilivesave dhe insekteve të tjera.
Mbani kafshët shtëpiake nën kontroll: Macet dhe qentë mund të shqetësojnë dhe madje të vrasin zogjtë.
Thuaj “jo” plastikës duke ripërdorur qeset e blerjeve, duke shmangur shishet dhe enët plastike njëpërdorimshe dhe duke blerë lodra dhe dekorime jo plastike.
Blini ushqime të qëndrueshme: Psh. kafja dhe çokollata e rritur në hije mbrojnë agropyjet tropikale që përfshijnë diversitetin e pemëve autoktone./ atsh/ KultPlus.com
Komuna e Prishtinës ka shënuar Ditën Ndërkombëtare të Zjarrfikësve me një aktivitet të veçantë. Kryetari Përparim Rama e ka vlerësuar përkushtimin e zjarrfikësve dhe ka bërë të ditur për investimet e fundit në pajisje dhe mirëqenie të tyre.
Kryetari Rama ka thënë se Komuna ka ndërmarrë hapa konkretë, përfshirë sigurimin e shujtave ditore dhe organizimin e fizioterapisë si mbështetje për mirëqenien fizike të zjarrfikësve.
“Zjarrfikësit tanë janë 24 orë në dite 365 ditë në vite janë të gatshëm qe ti ndihmojnë qytetit tonë, qytetarëve, vendit tonë. Ne si kryeqytet kemi bërë investime të shumta tash, psh mendojmë që zjarrfikësit tanë që të jenë sa të më gatshëm duhet edhe ne duhet të mbrojmë mirëqenin e tyre…Në buxhetin tonë kemi buxhetor edhe për pajisje të reja si kampin sulmues dhe pajisje të tjera për të mirën e tyre. Kërkoj që të kemi iniciativë shtresë nga niveli qendror, për zjarrfikës të ri, të cilëve u ka munguar zjarrfikës të ri, janë 26 të ri shtesë por mungojnë edhe 44 tjerë”, ka theksuar ai.
Malë Gashi nga Brigada e Zjarrfikësve në Prishtinë, ka thënë se kjo ditë është një moment për të nderuar jo vetëm ata që humbën jetën në krye të detyrës, por edhe për të vlerësuar sakrificën e përditshme të zjarrfikësve kudo në botë.
“Sot kjo ditë ka të bëjë me çështjen e senzibilimzimt të qytetarëve për të parë edhe qytetarët të gjitha kapacitetet tona, dhe të jemi të gatshëm për të gjitha situatat. Mund të bëhet më shumë por ky shërbim do ta arrijë vendin e vet, investimi në këtë shërbim ka të bëjë për ruajtjen e njerëzve”, ka thënë Gashi.
Sot në të gjithë botën shënohet Dita e Pronësisë Intelektuale, me aktivitete të ndryshme që kanë për qëllim promovimin e të drejtës së pronësisë intelektuale dhe mbrojtjen e kësaj pronësie. Ndërsa, institucionet e Kosovës nuk kanë paralajmëruar ndonjë organizim për nder të kësaj dite.
Pronësia intelektuale që përfshinë pronësinë industriale dhe të drejtat e autorit, në Kosovë është e garantuar me ligj.
Ndërsa, që nga viti 2000 më 26 prill të çdo viti të gjitha vendet anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) kremtojnë Ditën Botërore të Pronësisë Intelektuale, e cila organizohet nën juridiksionin e Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale (OBPI).
Organizata Botërore e Pronësisë Intelektuale (WIPO), në shënim të Ditës Botërore të Pronësisë Intelektuale përzgjedh një slogan për të frymëzuar komunitetin global të krijuesve, mbrojtësve të pasurisë intelektuale, por edhe për të evidentuar një aspekt të sistemit unik të bashkëpunimit ndërplanetar, sigurimit të vijimësisë së krijimtarisë.
Ndryshe për shënimin e Ditëve të Pronësisë Intelektuale dhe Ditës Botërore të Inovacionit dhe Kreativitetit, Ministria e Industrisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, sot, do të mbajnë një konferencë vjetore./rtk/ KultPlus.com
Në pallatin e xhamtë të OKB-së, dita e sotme i kushtohet gjuhës angleze.
Dita e Gjuhës Angleze në Kombet e Bashkuara festohet çdo 23 prill, datë që tradicionalisht kujtohet si ditëlindja dhe data e vdekjes së Uilliam Shekspirit. Përveçse ishte dramaturgu më i famshëm në gjuhën angleze, Shekspiri pati një ndikim të rëndësishëm në anglishten moderne.
Krijimtaria e Shekspirit me gjuhën nënkuptonte se ai kontribuoi me qindra fjalë dhe fraza të reja: gossip (thashetheme), fashionable (i modës) dhe lonely (i vetmuar) u përdorën për herë të parë nga Shekspiri. Ai shpiku gjithashtu fraza si “break the ice” (të thyesh akullin), “faint-hearted” (zemërdobët) dhe “love is blind” (dashuria është e verbër).
Anglishtja është një nga gjuhët e komunikimit ndërkombëtar. Njerëzit nga vende dhe kultura të ndryshme janë gjithnjë e më shumë në gjendje të komunikojnë me njëri-tjetrin në anglisht, edhe nëse kjo nuk është gjuha e tyre e parë. Kjo e bën atë një mjet thelbësor për bashkëpunimin dhe diplomacinë globale.
Në Kombet e Bashkuara, anglishtja është një nga dy gjuhët zyrtare të punës, së bashku me frëngjishten./atsh/ KultPlus.com
Dita Ndërkombëtare e Librit dhe të drejtave autoriale që është përzgjedhur të jetë 23 prilli, është një datë me kuptim simbolik për letërsinë botërore.
Me këtë datë të vitit 1616, lidhet vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore: Shekspirit në Angli dhe Miguel de Servantes në Spanjë.
I pari konsiderohet si shkrimtari më i madh i të gjitha kohëve dhe vendeve, ndërsa i dyti është autori i veprës më të përkthyer në botë. Kjo datë lidh edhe autorë tjerë në ditën e lindjes a vdekjes së tyre: Inca Garcilaso de la Vega, Maurice Druon, Halldór Kiljan Laxness, Vladimir Nabokov, Josep Pla dhe Manuel Mejia Vallejo.
Kjo datë shënohet në botë që nga viti 2003, ndërsa është përzgjedhur në vitin 1995 me qëllim të kontribuojë në mbarë botë për të drejtat e autorit duke inkurajuar të gjithë, e në veçanti të rinjtë për të zbuluar kënaqësinë e leximit.
Kjo datë është edhe një thirrje për të rritur respektin për kontributet e pazëvendësueshme të autorëve dhe librit në progresin social dhe kulturor të njerëzimit./KultPlus.com
Sot, më 22 prill në botë shënohet Dita Ndërkombëtare e Tokës.
Dita e Tokës është një ngjarje vjetore që festohet në të gjithë botën me 22 prill për të demonstruar mbështetjen për mbrojtjen e mjedisit. Dita e Tokës për herë të parë është festuar në vitin 1970, ndërsa tani përfshinë ngjarje të ndryshme globalisht nga Rrjeti i Ditës së Tokës “Earth Day Network”.
Në Ditën e Tokës 22 Prill 2016, Marrëveshja e Parisit u nënshkrua nga Shtetet e Bashkuara, Kina dhe rreth 120 vende të tjera. Ky nënshkrim plotësoi një kërkesë kryesore për hyrjen në fuqi të draft traktatit historik të mbrojtjes së klimës, të miratuar me konsensusin e 195 vendeve të pranishëm në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike në vitin 2015, në Paris.
Komunitete të shumta krahas kësaj festojnë edhe Javën e Tokës, e që përfshin një javë të tërë veprimtarish të përqendruara në çështjet mjedisore me të cilat përballet bota./KultPlus.com
15 prilli festohet nga shumë njerëz si Dita e Përkujtimit të Titanikut. Anija goditi një ajsberg në Atlantikun e Veriut në orën 23:40. Mbrëmjen e 14 prillit me një shpejtësi prej 20 nyjesh dhe rrëshqiti nën sipërfaqe në orën 2:20 të mëngjesit të nesërm, sipas Muzeut Kombëtar të Historisë Amerikane.
Titaniku u nis më 10 prill, nga Southampton, Anglia jugore, në udhëtimin e tij të parë dhe të fundit. Por pesë ditë më vonë – natën e 14-15 prillit, anija e madhe u përplas me një ajsberg dhe u zhduk nën sipërfaqen e Oqeanit Atlantik në më pak se tre orë.
Më shumë se 1500 njerëz vdiqën. Ishte udhëtimi i parë i anijes. Që atëherë, një magjepsje e pangopur me rrënojat e Titanikut i ka shtyrë studiuesit të zhyten në fund të detit për të fotografuar dhe eksploruar mbetjet e anijes. /Klankosova.tv/ KultPlus.com
Dita Ndërkombëtare e Gruas (8 mars) është një ditë botërore që feston arritjet sociale, ekonomike, kulturore dhe politike të grave. Dita shënon gjithashtu një thirrje për veprim për përshpejtimin e barazisë gjinore.
Dita Ndërkombëtare e Grave i ka fillesat e saj qysh në fillim të viteve 1900, nga aktivitetet e lëvizjeve të punës në Amerikën e Veriut dhe në të gjithë Evropën. Dita Ndërkombëtare e Gruas është një ditë kolektive e celebrimit global dhe një thirrje për barazi gjinore. Kjo ditë ka të bëjë me unitetin, festimin, reflektimin, avokimin dhe veprimin. Dita Ndërkombëtare e Gruas po ndodh për më shumë se një shekull – dhe vazhdon të rritet.
“Historia e luftës së grave për barazinë nuk i përket asnjë feministeje të vetme, dhe as një organizate, por përpjekjeve kolektive të të gjithë atyre që kujdesen për të drejtat e njeriut” – Gloria Steinem, aktiviste, feministe, gazetare, politike. / KultPlus.com
Baleti Kombëtar i Kosovës, nesër në Ditën Botërore Kundër Kancerit jep premierë shfaqjen “HOPE”, shkruan KultPlus.
Sipas BKK “HOPE” është një udhëtim emocional që trajton sfidën më të madhe të jetës – përballjen me një sëmundje të rëndë dhe luftën për të ruajtur shpresën. Duke eksploruar kufijtë e forcës njerëzore, dashurisë dhe solidaritetit, baleti na fton të ndjekim një histori që fillon në një moment të brishtë dhe të pasigurt, por që përfundon me triumfin e shpirtit njerëzor.
“ Në terrin e frikës, një dritë lind ngadalë, një shpirt që lëkundet, mes dhimbjes dhe mall. E vetme qëndron, mes heshtjes së ftohtë, por duar të ngrohta e ngritin sërish lart. Mes dhimbjes dhe forcës, mes humbjes dhe shpresës, një zemër që rreh, nuk dorëzohet lehtë. Në dashuri gjen dritën e humbur, në krahët e tjetrit, guximin e fshehur. Dhe fundi sjell lulëzimin e saj, një pemë që rritet nga loti dhe sharmi. Sepse shpresa mbetet, s’ka frikë që e shuan, në zemrat që duan, ajo kurrë s’fundoset “.
Premiera jepet më 04.02.2025, në Atelienë e Pallatit të Rinisë, në ora 19:30./ KultPlus.com
1 dhjetori, njihet ndërkombëtarisht si Dita Botërore kundër Sidës.
Kjo ditë shërben si një rast për të përkujtuar njerëzit që kanë humbur jetën nga kjo sëmundje.
U caktua në vitin 1988-të, duke vlerësuar kështu përpjekjet e botës për të ndihmuar njerëzit e prekur nga HIV, i cili shkakton sidën dhe për t’u ri-angazhuar në luftën për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të këtij virusi.
Një raport i ri nga UNAIDS, tregon se bota mund të përmbushë qëllimin e rënë dakord për t’i dhënë fund sidës si një kërcënim për shëndetin publik deri në vitin 2030, por vetëm nëse udhëheqësit mbrojnë të drejtat e njeriut të të gjithëve që jetojnë me dhe në rrezik të HIV-it.
Nga 39.9 milionë njerëz që jetojnë me HIV, 9.3 milionë njerëz ende nuk kanë qasje në një trajtim për shpëtimin e jetës.
Më 2023, më se 630 mijë njerëz vdiqën nga sëmundjet e lidhura me sidën dhe 1.3 milion njerëz në mbarë botën u infektuan me HIV.
Në të paktën 28 vende, numri i infeksioneve të reja me HIV është në rritje. Çdo ditë në vitin 2023, 570 gra dhe vajza të reja nga 15 deri në 24 vjeç morën HIV. Në të paktën 22 vende në Afrikën lindore dhe jugore, gratë dhe vajzat e kësaj grup-moshe kanë tri herë më shumë gjasa të jetojnë me HIV sesa bashkëmoshatarët e tyre meshkuj.
Në Deklaratën Politike të vitit 2021 për Fundin e HIV/AIDS-it, vendet u angazhuan të sigurojnë që deri në vitin 2025 më pak se 10% e vendeve të kenë korniza ligjore dhe politikash kufizuese që çojnë në mohimin ose kufizimin e qasjes në shërbimet e HIV.
Sot është Dita Ndërkombëtare e Tolerancës, bazuar mbi “Deklaratën e UNESCO-s” të vitit 1995 të parimeve mbi tolerancën.
UNESCO thotë se, toleranca është respekt, pranim dhe vlerësim i diversitetit të pasur të kulturave të botës sonë, formave tona të të shprehurit dhe mënyrave të të qenit njerëzor.
Në vitin 1996, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi Rezolutën 51/95 duke shpallur 16 nëntorin si Ditën Ndërkombëtare të Tolerancës. Ky veprim pasoi miratimin e një Deklarate të Parimeve mbi Tolerancën nga Shtetet Anëtare të UNESCO-s.
Ndër të tjera, deklarata pohon se toleranca nuk është as kënaqësi, as indiferencë. Toleranca njeh të drejtat universale të njeriut dhe liritë themelore të të tjerëve. Njerëzit janë natyrshëm të ndryshëm; vetëm toleranca mund të sigurojë mbijetesën e komuniteteve të përziera në çdo rajon të globit.
Po cilat mund të jenë disa nga mënyrat e kremtimit të kësaj dite? UNESCO sugjeron:
Të mësojmë mbi kultura të ndryshme nga e jona.
Të bëjmë punë vullnetare.
Pjesëmarrja në aktivitete mbi diversitetin.
Të ndash ushqimin me të tjerët, si formë shkëmbimi kulturor.
Të ndërgjegjësosh lidhur me tolerancën./atsh/ KultPlus.com
29 shtatori është Dita Ndërkombëtare e Ndërgjegjësimit për Mungesën dhe Shpërdorimin e Ushqimit.
OKB bën thirrje të ndalojë shpërdorimi, në të mirë të popullsisë dhe planetit.
Reduktimi i humbjeve të ushqimit dhe shpërdorimi është thelbësor në një botë ku numri i njerëzve të prekur nga uria është rritur ngadalë që nga viti 2014, dhe tonelata e tonelata ushqime të ngrënshme humbasin dhe/ose shpërdorohen çdo ditë.
Në nivel global, rreth 13.2 % e ushqimit të prodhuar humbet mes korrjes dhe shitjes me pakicë, ndërsa rreth 19 % e prodhimit të përgjithshëm global të ushqimit shpërdorohet në familje, në shërbimin ushqimor dhe në shitje me pakicë.
Kjo ditë ndërkombëtare nxjerr në pah nevojën kritike për financim për reduktimin e humbjeve dhe shpërdorimit të ushqimit, për të kontribuar në arritjen e qëllimeve klimatike dhe avancimin e Agjendës 2030 të OKB, për Zhvillim të Qëndrueshëm.
OKB kujton se, kur ushqimi humbet ose shpërdorohet, të gjitha burimet që janë përdorur për të prodhuar këtë ushqim (përfshirë ujin, tokën, energjinë, punën dhe kapitalin) shkojnë dëm. Përveç kësaj, asgjësimi i humbjes së ushqimit dhe mbetjeve në landfille, çon në emetimin e gazrave serrë, duke kontribuar në ndryshimet klimatike. Humbja dhe shpërdorimi i ushqimit gjithashtu mund të ndikojnë negativisht në sigurinë ushqimore dhe disponueshmërinë e ushqimit dhe të kontribuojnë në rritjen e kostos së ushqimit./atsh/ KultPlus.com
Më 17 nëntor 2015, Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) shpalli 28 shtatorin si Ditën Ndërkombëtare për Akses Universal në Informacion.
Qasja universale në informacion do të thotë që secili ka të drejtë të kërkojë, të marrë dhe të japë informacion. Kjo e drejtë është pjesë përbërëse e së drejtës për lirinë e shprehjes dhe media luan një rol vendimtar në informimin e publikut për çështjet me interes, por mbështetet edhe në aftësinë për të kërkuar dhe marrë informacion. Prandaj, e drejta për akses universal në informacion është gjithashtu e lidhur me të drejtën për lirinë e shtypit.
Këtë vit theksi vihet mbi inteligjencën artificiale dhe qeverisjen elektronike të cilat mund të luajnë një rol të rëndësishëm për të përmirësuar aksesin në informacion në botën dixhitale.
Ato mund të ndihmojnë në kapërcimin e ndarjes dixhitale, duke u dhënë qytetarëve qasje në informacione të personalizuara dhe të arritshme. Ata mund të sigurojnë shërbime që janë më efikase. Qytetarët mund të marrin informacion dhe shërbimet e sektorit publik pothuajse menjëherë. Bërja dixhitale e shërbimeve qeveritare rrit transparencën dhe aksesin.
Megjithatë, këto zhvillime ngrenë gjithashtu pyetje në lidhje me të drejtat themelore dhe përdorimin etik të Inteligjencës Artificiale dhe E-Qeverisjes nga institucionet publike. Duke qenë se Inteligjenca Artificiale përdor të dhënat e qytetarëve, ngrihen pyetje mbi mbrojtjen e privatësisë së qytetarëve./atsh/ KultPlus.com
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, sot në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, është takuar me vajzat e klubeve të futbollit nga Prishtina, Malisheva e Vitomirica e Pejës.
Presidentja Osmani me këtë rast është shprehur se e ardhmja është më ndritur kur dihet se secila vajzë mund të shkëlqejë në çdo arenë.
“Në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, së bashku me vajzat e jashtëzakonshme të klubeve të futbollit nga Prishtina, Malisheva e Vitomirica e Pejës.
E ardhmja është më ndritur kur çdo vajzë mund të shkëlqejë jo vetëm në fushën e futbollit, por në çdo arenë, duke e ditur se vlerësohet dhe duke e ditur se mund të arrijë gjithçka”, ka shkruar Presidentja Osmani./ KultPlus.com
Ajo është një festë globale e një prej ëmbëlsirave më të preferuara në botë – çokollatës. Pavarësisht nëse jeni adhurues i çokollatës së zezë, me qumësht, të bardhë ose vegane, kjo ditë ka të bëjë me shijet e ëmbla dhe të lezetshme që ofron çokollata. Le të zhytemi për të mësuar rreth historisë dhe rëndësisë së Ditës së Çokollatës dhe shumë më tepër.
Dita Botërore e Çokollatës festohet çdo vit më 7 korrik. Kjo datë shënon futjen e çokollatës në Evropë në vitin 1550, e cila kontribuoi ndjeshëm në popullaritetin e saj në mbarë botën. Në këtë ditë, dashamirësit e çokollatës anembanë globit mblidhen për të shijuar dhe vlerësuar historinë dhe shijen e pasur të saj.
Festimi në këtë datë i lejon të gjithëve të përkujtojnë udhëtimin e çokollatës nga origjina e saj e lashtë deri në statusin e saj modern si një ëmbëlsirë e dashur.
Historia e Ditës Botërore të Çokollatës daton në shekullin e 16-të kur eksploruesit spanjollë sollën për herë të parë çokollatën në Evropë nga Amerika. E konsumuar fillimisht si pije e hidhur nga Majat dhe Aztekët e lashtë, çokollata evoluoi në ëmbëlsirën që ne njohim sot përmes shtimit të sheqerit dhe qumështit.
Në shekullin e 19-të, çokollata ishte bërë një ëmbëlsirë popullore në Evropë, duke çuar në themelimin e Ditës Botërore të Çokollatës për të festuar këtë ushqim të dashur. Kjo ditë jo vetëm që njeh evolucionin kulinar të çokollatës, por gjithashtu nderon rëndësinë e saj kulturore dhe historike.
Dita Botërore e Çokollatës ka rëndësi jo vetëm për adhuruesit e çokollatës, por edhe për ndikimin kulturor dhe ekonomik të saj. Kjo ditë feston historinë e pasur të çokollatës, përdorimet e saj të ndryshme dhe rolin e saj në traditat e kuzhinës në mbarë botën.
Dita ndërkombëtare e çokollatës thekson gjithashtu rëndësinë e praktikave të tregtisë së ndershme në industrinë e çokollatës, duke promovuar metoda të qëndrueshme dhe etike të prodhimit. Festimi i kësaj dite inkurajon ndërgjegjësimin dhe vlerësimin për punën e fermerëve dhe prodhuesve që sjellin çokollatën nga fasulja në baret e pastiçeritë.
5 fakte interesante rreth çokollatës
Këtu janë disa fakte intriguese dhe magjepsëse rreth çokollatës që rrisin joshjen e saj dhe e bëjnë atë edhe më të këndshme për adhuruesit e çokollatës kudo që ndodhen:
Përfitimet shëndetësore: Çokollata e zezë njihet për përfitimet e saj shëndetësore, duke përfshirë përmirësimin e shëndetit të zemrës, rritjen e funksionit të trurit dhe sigurimin e antioksidantëve. Është gjithashtu një burim i mirë i hekurit, magnezit dhe fibrave.
Çokollata vegane: Me rritjen e veganizmit, shumë marka tani ofrojnë opsione vegane çokollate të bëra pa asnjë produkt shtazor. Këto çokollata janë bërë me përbërës si qumështi i bajames, qumështi i kokosit dhe soja, duke siguruar që të gjithë mund të shijojnë çokollatën pavarësisht nga preferencat dietike.
Monedha e lashtë: Në qytetërimet e lashta mezoamerikane, kokrrat e kakaos ishin aq të vlefshme saqë përdoreshin si monedhë. Aztekët, në veçanti, tregtonin kokrrat e kakaos për mallra dhe shërbime.
Pika e shkrirjes: Çokollata shkrihet rreth temperaturës së trupit (98°Fahrenhajt ose 37°Celsius), kjo është arsyeja pse shkrihet kaq lehtë në gojën tuaj. Kjo veti unike është për shkak të përmbajtjes së gjalpit të kakaos në çokollatë.
Çokollata më e madhe në botë: Çokollata më e madhe në botë, e krijuar në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2011, peshonte 12,770 paund (5,792 kilogramë). Është bërë nga Thorntons për të festuar 100-vjetorin e tyre.
Në Ditën Ndërkombëtare të Autizmit, presidenca shqiptare është veshur me ngjyrën blu.
Presidenti Bajram Begaj ka ndarë në rrjete sociale pamjet e presidencës, si shenjë mbështetjeje dhe ndërgjegjësimi me të gjithë personat që janë me autizëm.
“Presidenca i bashkohet Ditës Ndërkombëtare të Autizmit dhe Muajit të Ndërgjegjësimit mbi të”, ka shkruar Presidenti Begaj./KultPlus.com
Dita Ndërkombëtare e Arsimit është një ditë e përvitshme ndërkombëtare kushtuar arsimit e cila shënohet më datën 24 janar të çdo viti. Përcaktimi i saj si ditë ndërkombëtare është bërë nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në takimin e mbajtur më 3 dhjetor të vitit 2018, duke përkujtuar rolin që luan arsimi për paqen, përparimin dhe zhvillimin global, si dhe duke riafirmuar me këtë rast edhe faktin se “Arsimi është një e drejtë njerëzore, një e mirë publike dhe një përgjegjësi kolektive.”
Qëllimi i tjetër i caktimit të ditës kushtuar arsimit në nivelin ndërkombëtar është që të tërheq vëmendjen e qeverive dhe popujve për rolin dhe rëndësinë që luan arsimi si njëri ndër mjetet më të përshtatshme për të shpëtuar nga varfëria.
Pa një arsim cilësor gjithëpërfshirës dhe të barabartë si dhe mundësi për arsimim gjatë gjithë jetës për të gjithë, shtetet nuk do të kenë sukses në arritjen e barazisë gjinore dhe thyerjen e ciklit të varfërisë që është duke lënë miliona fëmijë, të rinj dhe të rritur në prapambeturi.
Duke shpallur Ditën Ndërkombëtare të Arsimit, vendet anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara njohën rëndësinë e punës arsimore për të siguruar një arsim cilësor gjithëpërfshirës dhe të barabartë në të gjitha nivelet – në mënyrë që të gjithë njerëzit të kenë qasje në mësimin gjatë gjithë jetës dhe përvetësimin e njohurive dhe aftësive të nevojshme për pjesëmarrje të plotë në shoqëri si dhe të kontribuojnë për një zhvillim të qëndrueshëm./KultPlus.com
Data 10 dhjetor është shpallur Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut. Kjo datë është një përkujtim i Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, e cila u miratua në 10 dhjetor të vitit 1948 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.
Mbas këtij akti historik, Asambleja ftoi të gjitha shtetet anëtare që ta shpallin tekstin e Deklaratës dhe të përpiqen që të përhapet, paraqitet, lexohet dhe të shpjegohet, sidomos në shkolla dhe institucione të tjera edukuese, në të gjitha vendet dhe shtetet pa marrë parasysh statusin e tyre politik.
Asambleja e Përgjithshme shpalli këtë deklaratë si ideal të përgjithshëm të cilin duhet ta arrijnë të gjithë popujt dhe të gjitha kombet, në mënyrë që çdo njeri dhe çdo organizëm shoqëror, duke pasur parasysh gjithmonë këtë Deklaratë, të përpiqet që, me anë të mësimit dhe edukimit, të ndihmonte në respektimin e këtyre të drejtave dhe lirive dhe që, me anë të masave progresive kombëtare dhe ndërkombëtare, të sigurohej njohja dhe zbatimi i tyre i përgjithshëm dhe i vërtetë, si midis popujve të vetë shteteve anëtare, ashtu edhe midis popujve të atyre territoreve që janë nën administrimin e tyre.
Në këtë deklaratë spikat universaliteti, karakteri i pandashëm dhe i patjetërsueshëm i të drejtave dhe lirive, i standardeve ndërkombëtare të drejtave të njeriut; legjislacioni ndërkombëtar i të drejtave të njeriut; të drejtat e trashëguara; institucionet dhe procedurat për zhvillimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut./rtk/KultPlus.com
Dita e Kombeve të Bashkuara, më 24 tetor, shënon përvjetorin e hyrjes në fuqi në vitin 1945, të Kartës së OKB-së. Me ratifikimin e këtij dokumenti themelues nga shumica e nënshkruesve të tij, përfshirë pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit, Kombet e Bashkuara u krijuan zyrtarisht.
“Nuk ka asnjë organizatë tjetër globale me legjitimitetin, fuqinë e mbledhjes dhe ndikimin normativ të Kombeve të Bashkuara. Asnjë organizatë tjetër globale nuk u jep shpresë kaq shumë njerëzve për një botë më të mirë dhe për të bërë të mundur të ardhmen që duam”, shkruhet në faqen zyrtare të OKB-së.
Rrallëherë ka qenë më e madhe se sot, urgjenca që të gjitha vendet të bashkohen dhe të përmbushin premtimin e Kombeve të Bashkuara.
Dita e OKB-së, e festuar çdo vit, ofron mundësinë për të përforcuar axhendën e përbashkët dhe për të riafirmuar qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së që kanë udhëhequr gjatë 78 viteve të fundit./atsh/KultPlus.com