Ëndrra e një Nate Vere: Zëri engjëllor i Ermonela Jahos përkund Prishtinën

Era Berisha

Në mbrëmjen e 8 qershorit, sheshi Skënderbeu i Prishtinës u shndërrua në një skenë të jashtëzakonshme operistike teksa sopranoja e njohur shqiptare, Ermonela Jaho bëri performancën e saj debutuese në Kosovë. E ftuar nga Opera e Kosovës, Jaho, shoqëruar nga Orkestra e Filarmonisë së Kosovës dhe Orkestra e Operës, mbajti një koncert magjepsës të drejtuar nga maestro italian Jacopo Sipari di Pescasseroli. Programi shfaqi arie ikonike nga operat e Puçinit, Verdit dhe Cileas, duke shfaqur aftësinë e jashtëzakonshme vokale dhe thellësinë emocionale të Jaho-s. Performanca e saj rezonoi thellë tek publiku, duke ngjallur ovacione dhe duartrokitje të përzemërta. Kjo ngjarje historike jo vetëm që shënoi një moment historik të rëndësishëm kulturor për Kosovën, por gjithashtu nënvizoi fuqinë e muzikës për të kapërcyer distancat dhe për të bashkuar zemrat.

Ndonëse koncerti ishte paralajmëruar të niste në orën 20:30, që nga ora 20:00 çdo vend në shesh ishte zënë – karriget nga cepi në cep ishin mbushur me publik të etur për art. Qielli, i skuqur nga rrezet e fundit të diellit, u shndërrua në një perde natyrore, duke paralajmëruar hyrjen madhështore të një mbrëmjeje të paharrueshme. Ndërsa dielli fundosej ngadalë pas horizontit të Prishtinës, tingujt e para të natës i përkisnin heshtjes solemne që paraprin magjinë. Skena e mbuluar në të zezë qëndronte në pritje – instrumentet në vendet e tyre, gati të shpërthenin në jetë sapo mjeshtrit e muzikës të dilnin. Dhe pak para orës 20:38, në mes të një atmosfere të ngarkuar me emocion dhe pritje, u dëgjua lëvizja e parë: një shushurimë delikate, hyrja e muzikantëve – si një premtim i artë për një natë që do të jetonte gjatë në kujtesën e çdo të pranishmi.

Koncerti na bëri të përjetojmë ëndrrën e një nate vere dhe nuk ishte thjesht një ngjarje muzikore – ishte një udhëtim emocional, një përjetim artistik që shpalosi ëndrrat, nostalgjinë dhe pasionin përmes fuqisë së muzikës operistike. Nën qiellin e hapur të Prishtinës pa yje, yjet e vërtetë ishin ata në skenë që ndriçuan mbrëmjen me talentin e tyre. Nën hijen poetike të një nate qershori, publiku mbrëmë u ftua të harrojë realitetin dhe të zhytet në një dimension tjetër – aty ku zëri i Ermonela Jahos prekte shpirtin dhe dirigjimi i Jacopo Sipari di Pescasseroli i jepte jetë çdo note me ndjeshmëri dhe madhështi. Ishte një natë ku arti dhe natyra u bënë një, ku çdo melodi tingëllonte si një fragment i një ëndrre të përbashkët, të ndarë mes skenës dhe publikut – një ëndërr që nuk do të shuhet lehtë nga kujtesa kolektive.

Në skenë, të zhytur në të zeza dhe me një elegancë të përmbajtur, dolën një nga një instrumentistët – figura që ngjanin me silueta të natës, të ndriçuara lehtë nga drita e butë që përplasej mbi instrumentet e tyre. Me një fillim që nuk shpërthente, por pëshpëritej, ata nisën të thurnin një rrezatim melodik që lëvizte me ndrojtje përmes shtresave të harmonisë. Tingujt e parë kishin një ngjyrim të pazakontë – një qetësi e dridhshme, thuajse e frikshme në bukurinë e saj intime, që ftohte frymën dhe ngrohte zemrën njëkohësisht. Dirigjenti, me lëvizjet e tij që ngjanin me krahët e një zogu të bardhë në fluturim të lirë, udhëhiqte një koreografi të padukshme, ku harqet e duarve ishin si zgjatime të shpirtit të tij. Së bashku, ata krijuan një fillim që nuk thjesht u dëgjua – por u ndje thellë, si një frymë që përthithi atmosferën dhe e ktheu në një puthje muzikore që prekte heshtjen me delikatesën e një ëndrre.

Flladi i butë që lëkundte lehtë ajrin e ngrohtë të mbrëmjes vinte si një dhuratë e padukshme, një prekje qiellore që shoqëronte atmosferën e elektrizuar të skenës. Reflektorët e bardhë dhe vjollcë, të vendosur horizontalisht, krijonin një perde drite para syve të publikut, ndërsa tjerat vinin në pah çdo detaj të lojës së përqendruar dhe mjeshtërore të instrumentistëve – një dialog vizual mes dritës dhe muzikës. Në këtë skenografi të qetë por të ngarkuar me ndjesi, mbrëmë ndodhi një shkrirje e rrallë: serioziteti akademik, energjia e pastër dhe preciziteti absolut u bashkuan në një frymë të vetme emocionale. Orkestra e Filharmonisë së Kosovës dhe ajo e Operës së Kosovës nuk ishin më thjesht muzikantë – ata ishin shpirti kolektiv i një nate që ndaloi kohën. Me një madhështi të heshtur dhe një qartësi të tingujve që të ftonin në përhumbje, ata pushtuan skenën dhe zemrat, duke e kthyer çdo notë në një ndjesi të papërshkrueshme, të denjë për t’u ndjerë – më shumë sesa për t’u përshkruar.

Programi i interpretuar nga sopranoja Ermonela Jaho, në bashkëpunim me Operën e Kosovës dhe Filharmoninë e Kosovës, ishte një kurorë prej perlave të operës italiane – një udhëtim emocional që përshkoi peizazhe të brendshme të dhimbjes, dashurisë dhe përulësisë njerëzore. Me zgjedhje mjeshtërore nga veprat e Puccinit, Verdit dhe Cileas, koncerti krijoi një tension dramatik që lëkundej mes heshtjes së ndjenjave të papërmbajtura dhe shpërthimeve shpirtërore të një gruaje që i jep zë të gjithëve: nënës, të dashurës, viktimës, heroinës. Muzika e Puccinit dhe Verdit, me intermezzot e saj të ngjeshura me ndjeshmëri dhe aria të mbushura me melankoli të thellë, gjeti në interpretimin e Jahos një jetë të re – plot pasion dhe një thjeshtësi të dhimbshme që rrallë arrihet. Ky ishte më shumë se një koncert: ishte një rrëfim i brendshëm, ku zëri i sopranos u bë kanal i shpirtit njerëzor, ndërsa orkestra – me ndjeshmëri të jashtëzakonshme nën dirigjimin e Jacopo Sipari di Pescasseroli – e mbështeti këtë dramë të brendshme me një thellësi të rrallë. Qe një mbrëmje ku muzika nuk u këndua, por u jetua.

Programi i mbrëmjes ishte një mozaik emocionesh të gdhendura në gurët më të çmuar të operës italiane, një udhëtim lirik që fliste me gjuhën e shpirtit. U hap me “La Tregenda” nga Le Villi e Puccinit – një shpërthim orkestral që të ftonte në një vallëzim të errët midis ëndrrës dhe fatit të pashmangshëm. Më pas, delikatesa dhe trishtimi i princeshës së Turandot në Signore, ascolta gjeti jehonë në zërin që qante butësisht për dashurinë e pamundur. Ave Maria e Verdit, nga Otello, solli qetësinë e lutjes së brendshme, një ndriçim hyjnor që ndizej në errësirën e mendimeve njerëzore. Tingujt vijuan me një heshtje të rëndë nga Senza mamma e Suor Angelica, ku dhembja për një fëmijë të humbur u bë gjëmë që lartësoi shpirtin. Adriana Lecouvreur e Cilea ngjalli elegancën dhe përulësinë në Io son l’umile ancella, ndërsa Poveri fiori derdhi përmes harkut lamtumirën e një zemre të copëtuar. Në Manon Lescaut, intermezzoja u përshkua nga një pezullim tragjik, i ndjekur nga thirrja e vetmisë në Sola, perduta, abbandonata, që ngjante me një fjalë e fundit në agoni. Në Madama Butterfly, intermezzoja e heshtur dhe Un bel dì vedremo ishin si dy faqe të një ëndrre që pret të ndodhë e që digjet ngadalë në realitetin mizor. E më pas, La Traviata e Verdit, me Preludio-n që dukej si fryma e fundit e një jete të përmallshme dhe Addio del passato që derdhej si një pëshpëritje në boshllëk. Dhe së fundi, si një përqafim i butë pas një stuhi emocionesh, O mio babbino caro – një lutje e thjeshtë, e pafajshme dhe e ndjerë, që mbylli natën me një buzëqeshje të lagur nga lotët.

Ermonela Jaho nuk këndon thjesht – ajo shndërrohet në çdo rol, duke e jetuar çdo ndjenjë deri në skajin e saj më të thellë. Që në çastet e para në skenë, sytë e saj – shpesh të ngritur drejt qiellit – sikur kërkonin një dritë më të madhe, një fuqi që rridhte përmes zërit të saj të kristaltë. Çdo vepër që interpretonte, ajo e përjetonte me një ndriçim të brendshëm që reflektohej në sytë e saj të mbushur me shkëlqim dhe shpesh me lot, si një dëshmi e përkushtimit të saj të plotë ndaj artit. Ishte një pasion që nuk kërkonte duartrokitje – por një përulje me mirënjohje, njashtu siç ajo bënte përkuljeje të kokës së saj, e sinqertë pas çdo pjese.

Në çdo rol që mori përsipër, Jaho solli jo vetëm teknikë të përsosur, por edhe një saktësi emocionale që rrallë dëgjohet në skenat operistike. Ajo i përthithi emocionet e çdo karakteri dhe i ktheu në ndjenja të ndara me publikun – me gjeste të buta, me përqafime ndaj vetes në momentet më të ndjeshme, me buzëqeshje që mbartnin dhimbjen, faljen dhe dashurinë. Drama në fytyrën e saj nuk ishte teatrale, por njerëzore – e vërtetë dhe e thellë. Ajo nuk interpretoi thjesht arie, por tregoi histori të grave që shpresojnë, humbasin, luten, sakrifikojnë dhe duan. Dhe çdo notë që dilte nga zëri i saj ishte si një fije e shpirtit të tyre – e kthyer në muzikë për ne të tjerët.

Duke qëndruar në qendër të skenës, Jaho ishte si një univers i yjeve të vërtetë, e cila magjepsi publikun jo vetëm me vokalin e saj të pastër e të fuqishëm, por edhe me praninë e saj engjëllore. Vështrimi i saj drejt audiencës – i mbushur me dritë, dashuri dhe paqe – krijoi një ndjenjë të rrallë lidhjeje midis sopranos dhe çdo zemre në shesh. Ishte një përvojë që nuk dëgjohej, por ndjehej deri në palcë. Në atë natë të paharrueshme, zëri i Ermonela Jahos nuk ishte thjesht tingull: ishte një shpallje e bukurisë njerëzore, një thirrje për të kujtuar se arti i vërtetë lind nga shpirti – dhe vetëm nga shpirti.

Një nga gjestet më të paharrueshme të mbrëmjes ishte lëvizja e dorës së saj të djathtë – një dorë që dukej sikur mbante jo vetëm kontrollin e zërit, por edhe të shpirtit që ajo dhuronte publikut. Çdo herë që afrohej një notë e lartë, një kulm emocional apo një shpërthim dramatik, dora e saj e djathtë ngrihej ngadalë, duke përshkruar ajrin me një hijeshi të pashoq, si të kërkonte të kapte qiellin apo ta përfshinte publikun në përjetimin e saj. Ishte një gjest i vetëdijshëm dhe i natyrshëm njëkohësisht – i mbushur me një energji të brendshme që paralajmëronte fuqinë e një zëri që nuk këndonte vetëm për t’u dëgjuar, por për të lënë gjurmë. Me këtë lëvizje, Ermonela dukej sikur e thërriste audiencën drejt vetes, duke i bërë bashkëudhëtarë në çdo moment kulmor.

Ermonela Jaho u shfaq në skenë me një elegancë që nuk buronte vetëm nga veshjet e saj – një fustan i zi e i bardhë që kontrastonte si drita me hijen, dhe më pas një fustan mbretëror blu që përhapej si valë qiellore mbi skenë – por nga një bukuri që shkëlqente prej brenda. Ishte bukuria e një shpirti të thellë, të përulur dhe të ndjeshëm, që vinte në jetë përmes çdo note që dilte nga zemra e saj. Nuk ishte thjesht pamja e jashtme që i linte të gjithë pa frymë, por mënyra se si zëri i saj, i ngrohtë dhe i pafund, pasqyronte një botë të brendshme të pasur me dashuri, dhembshuri dhe ndjeshmëri. Ajo nuk ishte vetëm një yll në skenë – ishte një dritë që ndriçonte publikun nga brenda, një kujtesë se bukuria e vërtetë është ajo që rrjedh nga shpirti dhe prek të tjerët përtej pamjes.

Ashtu si njerëzit zakonisht ngulin sytë në yje me habi dhe admirim, mbrëmë në atë natë të paharrueshme, publiku u drejtua me një vështrim yjor — jo drejt qiellit, por drejt Ermonela Jahos. Ajo u bë konstelacioni përreth të cilit rrotulloheshin të gjitha sytë, një yll i gjallë që ndriçonte natën me një prani të fuqishme. Ashtu si yjet tërheqin ëndërrimtarët në thellësitë e tyre pafund, zëri dhe aura e saj tërhoqën audiencën në një orbitë të përbashkët të admirimit dhe respektit.

Koncerti gala në Prishtinë, mirëpriti Ermonela Jahon – një nga zërat më të ndjeshëm të skenës botërore, që me përulësi dhe dashuri i quan Kosovën dhe Shqipërinë, të dyja, shtëpi të saj. Prania e Jahos në Kosovë ishte nder dhe inspirim për të gjithë, veçanërisht për të rinjtë që ndjekin ëndrrat në fushën e muzikës. Përmes figurave si Ermonela Jaho, bota mëson për vlerat, shpirtin dhe historinë tonë. Ajo ka fituar çmime prestigjioze që dëshmojnë talentin dhe pasionin e saj të jashtëzakonshëm, si: Këngëtarja më e Mirë – OPER! AWARDS, Premios Ópera XXI, Artistja e Vitit – ICMA etj. Ndërsa, maestro i muzikës operistike Jacopo Sipari është i njohur për pasionin, finesën dhe elegancën që sjell në çdo dirigjim. Ai ka fituar çmime prestigjioze si: Golden Opera Award, Titulli “Ambasador i Puccinit në Botë”.

Sopranoja e njohur ndërkombëtarisht, Ermonela Jaho, ka thënë se e ndien për detyrë t’i dhurojë brezit të ri dashuri dhe mundësi, në mënyrë që ata të qëndrojnë në vendin e tyre.

“Një falënderim i jashtëzakonshëm për këta artistë të mrekullueshëm të Filharmonisë dhe Operës së Kosovës, maestros Jacopo Sipari di Pescasseroli, koncertmjeshtres Abigeila Voshtina. Falënderoj nga zemra të gjithë ata që organizuan këtë koncert kaq të bukur, dhe qoftë ky një ogur i mirë që herën tjetër një koncert të tillë ta bëjmë në shtëpinë e Operës së Kosovës. Dua të them se u preka shumë mbrëmë, sepse bëmë një provë këtu të gjithë, dhe kur po këndoja ‘O mio babbino caro’, ishin dy-tre fëmijë të vegjël, dhe unë thashë me vete: ‘O bobo, tani do e dëgjojnë këtë tetën se çfarë po bën’, por ata kërcenin së bashku me mua. Mendoj se për atë brez të ri ne kemi një detyrim kaq të madh: t’u japim aq shumë dashuri dhe t’u japim mundësinë që të qëndrojnë në vendin e tyre.”

Dirigjenti maestro Jacopo Sipari di Pescasseroli ka thënë se ndihet shumë i lumtur që ishte pjesë e këtij koncerti e që ndau skenën me një artiste të madhe si Ermonela Jaho.

“Jam shumë i lumtur që isha këtu sonte, me të gjithë pjesëmarrësit, veçanërisht me sopranon Ermonela Jaho. Ky nuk ishte thjesht një koncert, por një përvojë sociale dhe emocionale për secilin prej nesh, sepse ky koncert ishte, pa dyshim, një dhuratë. Audienca pati privilegjin të shijonte muzikën e Ermonela Jahos – një ndjesi që të ngjan sikur po ecën mbi re. Është si të flasësh me Zotin. Mendoj se ajo është e vetmja në botë që mund t’i japë secilit prej nesh ndjesinë se i gjithë njerëzimi është hyjnor.”

Në një prononcim për KultPlus foli Meriton Ferizi, Ushtrues i Detyrës së Drejtorit të Operës së Kosovës, i cili u nda i kënaqur me koncertin.

“Ishte një mbrëmje e paharruar nën qiellin e hapur të Prishtinës. Koncerti shënoi një moment kulmor artistik dhe emocional për publikun, në kuadër të kremtimeve të ditëve të çlirimit të Kosovës. Bashkëpunimi ishte frymëzues – një sinergji e vërtetë mes artistëve të përkushtuar. Mjeshtëria e sopranos Ermonela Jaho, ndjeshmëria dhe fuqia e interpretimit të saj, i preku të gjithë të pranishmit. Prania e saj ishte një dhuratë për skenën tonë dhe një krenari për Kosovën, e cila dha mesazhe të fuqishme të cilat do të ndikojnë në të mirën e përgjithshme dhe një imazh pozitiv për vendin tonë. Ky koncert dëshmoi fuqinë e artit për të bashkuar njerëzit dhe për të sjellë përjetime të thella shpirtërore. Uroj që Ermonelën t’a kemi përsëri në inaugurimin e Teatrit të Operës dhe Baletit.”

Ky koncert nuk ishte vetëm një mbrëmje brilante muzikore, por një festë shpirtërore e artit, njerëzores dhe ndjesisë së përbashkët. Ermonela Jaho, Opera e Kosovës dhe Filharmonia e Kosovës na kujtuan të gjithëve fuqinë transformuese të muzikës – për të shëruar, për të bashkuar dhe për të frymëzuar. Me çdo notë, ata mbollën fara shprese në zemrat e audiencës, veçanërisht në sytë e dëgjuesve më të rinj. Nuk ishte thjesht një interpretim; ishte një moment historie, një dëshmi e bukurisë që lind kur talenti takohet me qëllimin. Qoftë kjo vetëm fillimi i një kapitulli të ri për shpirtin operistik të Kosovës./ KultPlus.com

Ermonela Jaho e emocionuar nga vizita në Kosovë: “Një shtëpi e re opere do të jetë tempulli i shpirtit të Kosovës”

Sopranoja e njohur shqiptare Ermonela Jaho ka treguar emocionet e saj pas një vizite të ngrohtë në Kosovë, ku u prit nga autoritetet më të larta të shtetit.

E shoqëruar nga ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Petrit Malaj dhe stafi i ambasadës, Jaho zhvilloi takime me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin e Kulturës Hajrulla Çeku.

“Bisedat me ta ishin shumë të ngrohta dhe plot shpresë për të ardhmen e kulturës sonë,” shkroi Jaho në rrjete sociale.

Ajo theksoi rëndësinë e ndërtimit të një shtëpie të re opere në Kosovë, duke u shprehur se kjo do të jetë një vend ku do të këndojë shpirti i gjithë Kosovës.

Artisja falënderoi të gjithë për mikpritjen dhe shprehu besimin se arti do të vazhdojë të bashkojë njerëzit dhe kombet./KultPlus.com

Kryeministri Kurti mirëpret Ermonela Jahon para koncertit gala në Prishtinë

Në prag të koncertit gala në Prishtinë, kryeministri Albin Kurti ka mirëpritur sopranon, Ermonela Jaho, e cila ndodhet për vizitë në Kosovë. E njohur për ndjeshmërinë dhe përkushtimin e saj artistik, Jaho i quan Kosovën dhe Shqipërinë shtëpitë e saj shpirtërore.

Në një mesazh të publikuar para koncertit, Kurti theksoi rëndësinë e këtij eventi për rrugëtimin e operës në Kosovë, duke përmendur figurat dhe momentet kyçe që kanë ndërtuar themelet e saj – nga kompozitori Rauf Dhomi me operën “Goca e Kaçanikut”, te krijimi i Institucionit të Operës në vitin 2022.

Sipas Kurtit, ky koncert shënon një hap të madh përpara për institucionin më të ri të kulturës në Evropë dhe është fryt i përpjekjeve të vazhdueshme për ndërtimin e një skene operistike të qëndrueshme në vend. Ai falënderoi Ermonela Jahon për përkrahjen, zërin dhe zemrën e saj, duke shtuar: “Kosova nuk po e pret operën. Kosova po e ndërton atë.”/KultPlus.com

Opera e Hamburgut, Jaho në rolin e Maria Stuarda-s

Në Operën e Hamburgut (Staatsoper Hamburg) sot luhet “Maria Stuarda” nga Gaetano Donizetti, ku pikërisht rolin e heroinës e interpreton Ermonela Jaho.

Kjo është nata e fundit që Ermonela Jaho interpreton këtë rol, në Hamburg, pas 6 netësh të tjera në fund të marsit.

“Dhe kështu, ne arrijmë performancën tonë përfundimtare. Ky produksion ka qenë më shumë se një seri shfaqjesh. Ka qenë një rrahje zemre e përbashkët, një vend ku muzika dhe arti na kanë lidhur në mënyra që fjalët nuk mund të arrijnë kurrë”, shprehet sopranoja, në një postim në rrjetet sociale.

Maria Stuarda (Mary Stuart) është një opera tragjike në dy akte, nga Gaetano Donizetti dhe libret nga Giuseppe Bardari, bazuar në dramën e Schiller-it.

Opera trajton jetën e Marisë, mbretëreshës së Skocisë (Mary Stuart) dhe kushërirës së saj mbretëresha Elizabeth I. Schiller kishte shpikur përballjen e dy mbretëreshave, të cilat në fakt nuk u takuan kurrë.

Sopranoja Jaho, e vlerësuar ndërkombëtarisht, ndau me ndjekësit e rrjeteve sociale edhe një galeri të pasur fotografike nga shfaqjet e tjera të “Maria Stuarda-s”, ku ajo shfaqet me një “look” goditës e mbresëlënës./ KultPlus.com

Sopranos Ermonela Jaho do ti ndahet çmimi “Gran Teatre del Liceu”, ceremonia do të mbahet në Spanjë

Sopranos Ermonela Jaho do ti ndahet edhe një çmim i rëndësishëm, kësaj radhë në Spanjë, shkruan KultPlus.

Çmimi “Gran Teatre del Liceu” do ti ndahet nëpërmjet një mbrëmje gala, mbrëmje që do të mbahet më 22 tetor, ne Teatro de la Zarzuela në Madrid të Spanjës.

Ky çmim për Ermonela Jahon do të ndahet në kategorinë: Çmim për Artisten më të mirë të huaj, me dedikim për kontributin e saj të veçantë për lirikën e Spanjës. / KultPlus.com

Gonxhja: Ermonela Jaho, ambasadorja e kulturës shqiptare që ngriti peshë zemrat

Ministri i Ministrisë së Kulturës, Blendi Gonxhja ka pritë sopranon e njohur Ermonela Jaho, duke e vlerësuar lart performancën e saj në botë, shkruan KultPlus.

Po prej këtij takimi është thënë se viti 2025 do të jetë vit i surprizave për publikun, sipas të cilit, është një bashkëpunim që premton shumë.

“Nder dhe kënaqësi të mirëprisnim sot Ermonela Jahon, 🔝ambasadoren e kulturës shqiptare në botë, që ngriti peshë zemrat e gjithë artdashësve para disa ditësh në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor. 🎭👏

Diskutuam për rolin e saj të rëndësishëm në promovimin e vlerave tona kombëtare në skenat më të mëdha të botës dhe për projektet e vitit 2025 me plot surpriza për publikun. Një bashkëpunim që premton shumë për të ardhmen e kulturës shqiptare”./ KultPlus.com

Veliaj i dhuron ‘Kullën e Sahatit’ sopranos Ermonela Jaho: Mirënjohës që je imazh i Shqipërisë moderne, që punon

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim artisten shqiptare me famë ndërkombëtare, Ermonela Jaho, pak orë para se ajo të ngjitet në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit për të performuar për publikun shqiptar.

Duke i dhuruar Kullën e Sahatit të Tiranës, Veliaj tha se ajo kullë mbart simbolikën se është gjithmonë koha për t’u kthyer në shtëpi, si dhe e ftoi artisten të bëhet pjesë e aktiviteteve kulturore që do të kulmojnë vitin e ardhshëm, kur Tirana mban titullin Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut.

“Ne të jemi shumë mirënjohës për kontributin tënd. Ti je një ambasadore për vendin, imazh i Shqipërisë moderne, i Shqipërisë që punon, i Shqipërisë së mirë, i Shqipërisë së mbarë, i Shqipërisë që beson te talenti, te djersa, te puna. Dua që me këtë simbolikë të vogël të Sahatit, i cili do të të tregojë gjithmonë orën e saktë të Tiranës, t’i thuash vetes se ndoshta është gjithmonë koha për t’u kthyer te zemra jote, të shtëpia jote. Por, edhe për të të kujtuar se vitin tjetër ne do të jemi Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës, ndaj nëse ke miq, dashamirës, partnerë, që do dëshiroje t’i ftoje për të bërë gjëra të bukura në Tiranë, ne jemi të lumtur të të ndihmojmë”, u shpreh Veliaj.

Ai dha edhe lajmin e mirë për të gjithë dashamirësit e artistes, që nuk kanë mundur të gjejnë bileta për koncertin e saj.

Veliaj njoftoi se në ambientet e jashtme të Teatrit të Operas dhe Baletit do të ngrihet një skenë me një ekran të madh dhe vende për t’u ulur, për të përjetuar drejtpërdrejtë emocionet e performancës së Ermonela Jahos.

“Për të gjithë ata që ndoshta pezmatohen që koncerti sot në darkë është i shitur, ne kemi një lajm të mirë: Do të vendosim një skenë jashtë, me një ekran të madh dhe karrige, për të gjithë ata artdashës që do të donin të shijonin qoftë edhe nga jashtë, atë mrekulli që do të na dhurojë në Teatrin e Operas së Baletit, e dashura jonë, zemra jonë, Ermonela Jaho”, tha ai.

Artistja shqiptare falënderoi kryebashkiakun për vlerësimin.

“Është një ndër dhuratat më të bukura. Duke kënduar në Shqipëri, në mëmëdheun tim, në këtë teatër ku unë u rrita, ku filloi ëndrra ime, u bëra kjo që jam sot, ndaj këtij vendi, jo vetëm këtij teatri, dua t’i kthej pakëz dashuri dhe pakëz mirënjohje nga dashuria dhe mirënjohja që më ka dhënë ky vend dhe çdo zemër shqiptare”, u shpreh ajo./atsh/ KultPlus.com

Ermonela Jaho, sopranoja e madhe shqiptare sot ka datëlindjen

Ermonela Jaho, sopranoja shqiptare ikonë e artit botëror, sot feston ditëlindjen, shkruan KultPlus. Jaho ka lindur në Tiranë,  në vitin 1974. Nga Shqipëria u largua në vitin 1993 për në Itali me një bursë studimi, së cilës më pas iu desh të përpiqej për ëndrrën e ngjitjes në skenë, të cilën ëndërr arriti ta realizonte disa vite më vonë, duke interpretuar përkrah artistëve të mëdhenj në skenat më prestigjioze të botës.

Ermonela Jaho filloi të mësojë për këngën në moshën 6 vjeçare. Pas diplomimit nga Liceu Artistik Jordan Misja, në Tiranë në 1992, ajo studion në Akademinë e Arteve po në Tiranë. Ajo fiton një konkurs të organizuar nga sopranoja italiane Katia Ricciarelli në Shqipëri, dhe vendoset në Itali ku fillon të studiojë në akademinë e Mantovës. Më pas, ajo ndjek studime muzikore ne Akademinë Kombëtare të Santa Cecilia, në Romë.

Jaho fillon të interpretojë në skenë në Bolonja, në rolin e Mimit (La Bohème e Puçinit), në La Fenice, e më pas në rolin e Suzanës (Dasma e Figaros), si edhe në Trieste në rolin e Mikaelës (Karmen). Dalja e saj e parë në skenë jashtë Italisë ishte në festivalin e Weksfordit në Irlandë, ku këndoi operën Safo të Massenet, dhe Vajza e Orleanit të Çajkovskit. Në Gjermani, ajo shfaqet me rolin e Norinës (Don Paskuale) në Mynih. Më pas ajo interpreton përsëri Suzanën në Gjenevë dhe në Francë, në teatrin Kapitol të Tuluzës. Në Shtetet e Bashkuara, ajo paraqitet me Mimin, me Teatrin e Operës Michigan.

Nga viti 2009, karriera e saj e kthen atë në një ikonë arti botërore. Fitoi shpejt sukses nëpër botë, me lavdërime të shumta nga kritikët. Ajo vazhdon të paraqitet me La rondine të Puçinit në Trieste, Karmen në Glyndebourne dhe La Traviata në Lion. Në 2009, ajo vjen si Liù (Turandot) në Filadelfia, Vitellia (La Clémence de Titus) në Avinjon, dhe Ana Bolena në Paris.

Në tetor 2010, ajo duartrokitet në rolin kryesor Thaïs (e kompozitorit Zhyl Masene) në operën e Tulonit. Në prill 2011, ajo luan rolin e Luizës në Luiza Miller e Verdit në operën e Lionit, nën regjinë e David Alden.

Në tetor 2013, ajo këndon në La Vestale (Spontini) në Teatrin e Champs Élysées. Për hapjen e sezonit 2013/2014 në operën e Grand Avignon, ajo risjell rolin e Cio-Cio-San në Madama Butterfly, nën regjinë e Mireille Laroche.

Në shtator 2014, ajo shfaqet si Violeta e Traviatës në Operën Bastille, dhe në tetor vjen me një recitim në sallën Cortot të ‘École Normale de Musique de Paris’, e shoqëruar nga Genc Tukiçi.

Pasi risjell rolin kryesor të Madamës Butterfly ne 2015, në janar 2016, ajo është Desdemona e Othellos (Verdi) në Teatrin e Madh të Liceut në Barcelonë.

Në shkurt 2017, ajo vjen përsëri si Violeta e Traviatës në Sydney Opera House, ku vlerësohet fort në krah të José Carbó (Giorgio Germont) dhe Ho-Yoon Chung (Alfredo Germont).

Ndërsa në vitin 2023, Ermonela Jaho është shpallur ‘Artistja e Vitit në Çmimet Ndërkombëtare të Muzikës Klasike 2023’.

Para pak ditësh, Ermonela Jaho ishte e ftuar të interpretonte në koncertin qendror në Paris, për nder të 14 korrikut, Ditës Kombëtare të Francës, në mesin e shumë figurave me peshë, duke e vendosur edhe një herë vulën e ikonës së artit botëror./KultPlus.com

The New York Times, portret Ermonela Jahos: Soprano që këndon ‘tingujt e shpirtit’

“Magnetike dhe mahnitëse që shkon deri në limitet e saj në skenë”, kështu e përshkruan The New York Times sopranon shqiptare, Ermonela Jaho. “Un bel dì”, arja e madhe e “Madamme Butterfly”, me të cilën ajo po shfaqet në festivalin provincën Aix-en në Francë, e shpërfaq në të gjitha dimensionet artisten.

Opera flet për një grua të re japoneze e bindur se oficeri i marinës amerikane që e braktisi do të kthehet, dhe “Un bel dì” rrëfen fantazinë e saj për të parë anijen e tij duke lundruar përsëri në portin në Nagasaki. Në Festivalin Aix-en-Provence në Francë, Ermonela Jaho e përmbledh atë iluzion të dëshpëruar duke bërë që koha të ndalet.

Jaho, e cila mbush 50 vjeç më 18 korrik, jep këto fije tingujsh që ndalojnë kohën përsëri dhe përsëri në momente si hyrja eterike e Butterfly, e shënuar edhe më e butë se pianissimo; gjatë duetit të saj të dashurisë me Pinkerton, oficerin e pashpirt amerikan. Mezi të dëgjueshme, por të mbushura me teatër, si me shkëlqimin e bojërave të ujit ashtu edhe me saktësinë e një vizatimi me stilolaps.

Këto pasazhe të larta e të qeta janë një specialitet Jaho, që kap thelbin e personazheve të saj të brishtë dhe të vuajtur, kështu e përshkruan gazetari Zachary Woolfe, i New York Times, performancën e saj, duke vijuar se zëri i Jahos, ndonëse jo i madh, është mjaft i sigurt, saqë ata pianissimi regjistrohen edhe në shtëpi të gjera. Théâtre de l’Archevêché në Aix, ku po luhet “Butterfly”, ka rreth 1200 vende. Por edhe në Metropolitan Opera në Nju Jork, me mbi trefishin e kapacitetit. Kombinimi i saj i teknikës së përsosur dhe përkushtimit të plotë – ndjenja katartike se ajo është duke jetuar me të vërtetë historitë e disa prej grave më prekëse të operës – ka fituar ovacionet e saj, lavdërimet kritike dhe adhurimin e kolegëve të saj.

Vetë Jaho dy ditë para shfaqjes shprehet se “Pianissimi”, sic kërkohet të interpretohet vepra e  Puccinit “Madama Butterfly”, është tingulli i shpirtit dhe “Pianissimi”,  mund të jetë më dramatike sesa të bërtasësh.

Guximi që ajo tregon në skenë për t’ju dhënë 150 për qind të vetvetes dhe më shumë, është vërtet unik sot,” shprehet dirigjenti Antonio Pappano, drejtori muzikor i sapo larguar i Operës Mbretërore në Londër. Andrea Breth, drejtoresha e saj në Aix, shprehet po ashtu se ajo kurrë nuk kishte punuar me një artiste kaq të bukur.

The New York Times tregon dhe për të shkuarën e Ermonela Jahos e cila u rrit në një familje ushtarake në Shqipëri duke menduar se opera ishte vetëm duke bërtitur. Por kur ishte 14 vjeç, ajo pa për herë të parë “La Traviata” në Tiranë. Jo vetëm që u dashurua me këtë pjesë, por menjëherë mendoi se mund ta kishte bërë më të besueshme se sopranoja në skenë. E ardhmja e saj u vulos dhe disa vite më vonë u transferua për të studiuar në Itali.

Shfaqjet e Jahos arrijnë kulmin pas përfundimit të operës, shkruan gazetari Zachary Woolfe, i New York Times duke përshkruar edhe momentin e përfundimit shfaqjes. Disa soprano dalin me buzëqeshje e me valë për përkuljet, edhe pas pjesëve më tragjike. Por Jaho duket pothuajse e shkatërruar.

“Pas një shfaqjeje, unë jam plotësisht bosh,” shprehet Jaho “Kam dhënë gjithçka. Nuk dua as të dal në skenë për duartrokitje; Unë dua të largohem. Jam e shpartalluar.”

Artikulli i The New York Times mbyllet me thëniet e drejtorit artistik të saj, Breth, i cili thotë:  “Në një farë mënyre, unë mendoj se ajo është si një fëmijë. Shumë e pambrojtur dhe duhet të jeni vërtet të kujdesshëm me të; ju duhet t’i jepni asaj strehë dhe shumë dashuri. Por nuk mund të mendoj për një “Buterfly” tjetër se ajo.”

Ermonela Jaho shkëlqen në Royal Opera House, ngjitet në skenë edhe Mbreti Charles III

Sopranoja ikonike e Shqipërisë me famë botërore, Ermonela Jaho ka marrë përgëzimet e mbretit të Anglisë, Charles III, teksa performoi në skenë në nder të Sir Antonio-s, i cili largohet pas 22 vitesh si drejtor muzikor në Shtëpinë e Operës Mbretërore.

Emonela Jaho, të ftuarit e tjerë dhe orkestra performuan ariet dhe muzikën që përcaktuan kohën e Sir Antonios si drejtor muzikor, duke përfshirë karrierën e tij 22-vjeçare.

Mes zërit të fuqishëm, Jaho ka shkëlqyer edhe me pamjen e saj elegante dhe plot klas. Charles është i afërt me Pappanon, i cili shërbeu si dirigjent në Kurorëzimin e Mbretit vitin e kaluar./ KultPlus.com

Ermonela Jaho dhe Granit Musliu bashkë në një shfaqje, kritika e Oper Magazin të mrekulluar me vokalet shqiptare

Sopranoja Ermonela Jaho dhe tenori Granit Musliu pas një performace të realizuar së bashku në shfaqjen “Il trittico” me vokalet e tyre kanë mrekulluar kritikën e Oper Magazin, shkruan KultPlus.

Admirimin për performancën tyre të jashtëzoknshme në Bayerische Staatsoper, Oper Magazin e ka shprehur përmes një kritike të shkurtër, duke i cilësuar si dy zëra të jashtëzakonshëm.

“Ngrihu! KRITIKË E SHKURTËR

Rifillimi i “Il trittico” në Bayerische Staatsoper vlerësohet veçanërisht nga kasti i saj i shquar femër. Lise Davidsen pasi Giorgetta nuk është dizajneri i madh, por ka fuqi të pashtershme. Thjesht jo më mirë për të hedhur: Ermonela Jaho sesa Suor Angelica, 🤩🥵. Elsa Dreisig bën edhe një personazh (zë) të mirë si Laureta. Performanca më befasuese e këndimit: Granit Musliu po tingëllon mrekullisht Rinuccio.”, thuhet në kritikën e Oper Magazin./ KultPlus.com

Ermonela Jaho me një tjetër çmim prestigjioz në Gjermani: Shpallet këngëtarja më e mirë në OPER! AWARDS 2024

Ermonela Jaho është artistja e parë shqiptare që po nderohet me çmimet më prestigjioze në botën e muzikës klasike, shkruan KultPlus.

OPER! AWARDS 2024 mbrëmë mbajti ceremoninë e ndarjes së çmimeve në Operën Kombëtare Holandeze të Amsterdamit dhe u transmetua drejtpërdrejt.

Në këtë garë tejet prestigjioze, sopranoja shqiptare Ermonela Jaho mori çmimin kryesorë si këngëtarja më e mirë femër për vitin 2024.

Në ndarjen e këtij çmimi për sopranon shqiptare, juria është shprehur se rrallë një person është i gatshëm t’i zbulojë publikut qenien e tij më të brendshme përmes këndimit dhe performancës, dhe Ermonela Jaho e arrin mrekullisht këtë gjë.

“Këngëtarja më e mirë: Ermonela Jaho. Është e njohur që të kënduarit operistik kërkon më shumë se një zë të bukur, por rrallë një person është i gatshëm t’i zbulojë publikut qenien e tij më të brendshme përmes këndimit dhe performancës. Në Operën e Cyrihut në vitin 2023, Ermonela Jaho bëri një mbrëmje operistike emocionuese dhe me thellësi të jashtëzakonshme si Magda brilante nga “La rondine” e Puçinit: një dallëndyshe dhe një mjellmë që po vdes në një”, vlerëson juria Ermonelën.

Ky çmim, sopranos Jaho i erdhi menjëherë pas atij në Spanjë ku nga një juri prestigjioze ajo u vlerësua me çmimin për artisten më të mirë të huaj që ka kontribuar për operën e Spanjës përgjatë vitit 2022/23, çmim që për herë të parë ndanë Opera e Spanjës për një artist të huaj dhe padyshim që këto arritje e kanë bërë tejet të lumtur sopranon Jaho.

“Së pari Spanja, dhe tani Gjermania me këtë çmim të papritur!

Do të përpiqem të shpreh me fjalë mirënjohjen time dhe çfarë do të thotë kjo arritje për mua, por do të ishte e pamundur. Ndihem krenare që jam edhe unë në mesin e të nominuarve, e lëre më çmimin Fitues për këngëtaren femër 2024. Faleminderit OPER! AWARDS për këtë nder të madh. Një falënderim i madh për kolegët e mi të mrekullueshëm, për publikun e mrekullueshëm që më dha dashurinë dhe vlerësimin e tyre dhe për çdo person të dashur që ka mbështetur rrugëtimin tim. Muzika duhet të tregojë një histori duke frymëzuar audiencën dhe nuk ka arritje më të madhe sesa të lidhesh me çdo zemër që dëgjon!”, shkruan Ermonela. / KultPlus.com

Si asnjëherë më parë, Spanja nderon me çmim prestigjioz sopranon Ermonela Jaho

Sopranoja e njohur shqiptare Ermonela Jaho është vlerësuar nga një juri prestigjioze e Spanjës, e cila është vlerësuar me çmimin për artisten më të mirë të huaj që ka kontribuar për operën e Spanjës përgjatë vitit 2022/23, çmim që për herë të parë ndanë Opera e Spanjës për një artist të huaj, shkruan KultPlus.

Jaho është vlerësuar për interpretimin e rolit në operën “Suor Angelica” nga “Il Trittico” të Puccinit.   

Juria e këtij edicioni për ndarjen e çmimeve kombëtare të lirikës është përbërë nga kritikë dhe gazetarë prestigjiozë të muzikës të cilët janë aktiv brenda dhe jashtë Spanjës kurse ceremonia e ndarjes së çmimeve do të bëhet më 22 tetor të këtij viti nëpërmjet një mbrëmje gala në Teatro de la Zarzuela në Madrid.

Çmime për ata që kontribuuan në promovimin e operës spanjolle janë ndarë për disa kategori duke nisë prej regjisë e deri edhe te pjesa teknike, por Ermonela Jaho është artistja e vetme e huaj që po vlerësohet për kontributin e saj për operën spanjolle. / KultPlus.com

Ermonela Jaho vlerësohet si interpretuesja më e mirë për vitin 2023 nga Operawire

Sopranoja e njohur shqiptare Ermonela Jaho vazhdon të shënojë suksese në karrierën e saj botërore. Ajo është vlerësuar si një nga interpretueset më të mira për vitin 2023 nga Operawire.

Opera Rara ka shkruar se artistja shqiptare Ermonela Jaho është vlerësuar si një nga interpretueset më të mira për vitin 2023, për zërin e saj, aktrimin dhe zotërimin e skenës. / KultPlus.com

Mund të jetë një imazh i 1 person dhe teksti që thotë "IT'S HARD TO DESCRIBE ERMONELA JAHO' S COMMITMENT TO EVERY ROLE SHE BRINGS TO THE STAGE. THERE IS INTENSITY AND SO MUCH TRUTH THAT ONE FEELS EVERYTHING HER CHARACTERS ARE GOING THROUGH. OperaWire Ofeva"

Sopranoja Ermonela Jaho, kandidate për çmimin International Opera Awards 2023

Ermonela Jaho garon mes 5 sopranove të tjera për të fituar çmimin prestigjioz International Opera Awards 2023. Këto çmime ndahen çdo vit për të vlerësuar ekselentët e mbarë botës, në këtë fushë të artit. Një nga këto çmime, sopranoja e njohur shqiptare, Ermonela Jaho, e ka fituar edhe në 2016-ën.

Për herë të parë çmimet International Opera Awards u dhanë në 2012-ën dhe kishin si qëllim:

  • Të ngrejnë profilin e operës si formë arti.
  • Të njohin dhe të shpërblejë suksesin në opera.
  • Të gjenerojnë fonde për të siguruar bursa për talentet aspirante në opera nga e gjithë bota.

Gjatë gjashtë viteve të fundit International Opera Awards ka mbledhur fonde për Fondacionin e Çmimeve Opera për të mbështetur bursa për pothuajse 100 artistë aspirantë, duke përfshirë këngëtarë, regjisorë, dirigjentë etj.

Gjykimi i International Opera Awards kryhet nga një juri profesionistësh të industrisë, të kryesuar nga redaktori i revistes “Opera”, John Allison. / KultPlus.com

Transformimi i TKOB, Rama: Një premtim i mbajtur për Divën e Operës, për të gjithë artistët dhe spektatorët

Kryeministri Edi Rama ndau sot një pjesë nga podkasti “Flasim” me sopranon me famë botërore Ermonela Jaho.

Rama u shpreh se, rikontruksioni i Teatrit të Operës është një premtim i mbajtur për Divën e Operës, për të gjithë artistët dhe spektatorët.

Kryeministri Edi Rama: Unë nuk e di a e kujton para kësaj shfaqjeje, nuk e di sa kohë përpara, unë kam ardhur me Lindën në Vjenë që të kemi parë. Edhe aty pastaj, pas asaj kemi folur që duhet të vish, etj, etj. Dhe pas asaj shfaqjeje më ke thënë në fund fare, më ke thënë diçka pak shumë “Teatrin e Operës”.

Ermonela Jaho: Po e vërtetë!

Kryeministri Edi Rama: Me zë të ulët, sikur nuk doje të fusje një hall më shumë në të gjitha hallet me të cilat unë duhet të merresha dhe të merrem. E bëmë dhe Teatrin e Operas

Ermonela Jaho: Është bërë aq bukur, edhe ka një energji tjetër. Ka ende për të bërë, por ka një energji tjetër. Por unë tani po bëj workshopin.

Kryeministri Edi Rama: Nuk krahasohet me atë.

Ermonela Jaho: Absolutisht fare.

Pas 70 vjetësh solistët dhe trupa e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit kanë tashmë hapësira të transformuara rrënjësisht, ndjehen më në fund njësoj si në Milano, Londër, Nju-Jork apo Tokio, njësoj si edhe talentet e mëdha të muzikës lirike e simfonike shqiptare që shkëlqejnë nëpër botë.

Salla kryesore e shfaqjeve ka 801 vende, ndërsa akustika e saj ka një cilësi të jashtëzakonshme.

Përfundon masterclass-i në TKOB, me sopranon Ermonela Jaho

Në Teatrin Kombëtar të Operas e Baletit përfundoi masterclass-i i sopranos Ermonela Jaho. Në përfundim të kësaj përvoje të vyer, pjesëmarrësve iu ndanë certifikatat përkatëse, nga sopranoja Jaho dhe drejtoresha e TKOB-së, Abigeila Voshtina.

“U finalizua një tjetër masterclass me mjeshtren e skenave të mëdha ndërkombëtare, Ermonela Jahon, e cila me profesionalizmin e saj inspiroi çdokënd që ka vullnetin, pasionin e talentin për t’u gjendur gjithnjë pranë artit”, u shpreh Voshtina në një postim në rrjetet sociale, ku ndau edhe një album fotografik nga ky event.

Masterclass-i erdhi në kuadër të programit profesional “Akademia Teatrale”, iniciuar për të bërë bashkë të rinjtë nga rajoni dhe Evropa, me synimin për të përfeksionuar teknikat muzikore, dhe jo vetëm. Pjesëmarrësit në këtë trajnim të dytë, ishin 22 vetë, nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të Evropës./ atsh / KultPlus.com

Ermonela Jaho me ‘detyrim shpirtëror’ rikthehet në TKOB për të ndarë përvojën e saj me brezat e rinj

Sopranoja e njohur ndërkombëtarisht, Ermonel Jaho, është rikthyer në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit për siq e quan ajo një “detyrim shpirtëror” për të ndarë përvojat e saj me brezat e rinj, shkruan KultPlus.

Sopranoja Jaho është rikthyer në TKOB për të vijuar me masterclasse me të rinj nga Shqipëria, por edhe vende të tjera të Europës, që janë regjistruar si pjesëmarrës.

Ministrja e Kulturës së Shqipërisë, Elva Margariti, përmes një postimi në facebook ka thënë se jemi me fat që një yll ndërkombëtar si Emonela Jaho, do të ndaj përvojën e saj me  brezat e rinjë ku për këtë sezonë janë 22 pjesëmarrës efektivë dhe 17 dëgjues.

“Jemi me fat që një yll ndërkombëtar si Ermonela Jaho vjen në Shqipëri për një “detyrim shpirtëror”, siç e quan ajo, për të ndarë përvojën e saj me brezat e rinj.

Ajo rikthehet në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit për të vijuar me masterclasse me të rinj nga Shqipëria, por edhe vende të tjera të Europës, që janë regjistruar si pjesëmarrës.

(Këtë sezon janë regjistruar 22 pjesëmarrës efektivë dhe 17 dëgjues.)

Një shkollë e gjallë jo vetëm profesionale, por edhe jete; me një modesti të rrallë, që nga njëri sukses në tjetrin, nga një udhëtim në tjetrin ka vullnetin për të dhënë kontributin e saj në vendin e lindjes, duke shpërndarë energji pozitive dhe mesazhe shprese.”, thuhet në postimin e Ministres Margariti/KultPlus.com

Mediat e huaja “jehonë” Ermonela Jahos, sopranoja luan në veprën e njohur të Puccinit në Zvicër

Sopranoja shqiptare me famë ndërkombëtare, Ermonela Jaho luan në “La rondine” të Puccinit në Operën e Zürichut.

Sipas medias së njohur spanjolle, Platea Magazine, Jaho, një nga zërat më të rëndësishëm të kohëve të fundit në repertorin Puccinian, me krijime që kanë arritur sukses të jashtëzakonshëm në role si Cio-Cio-San, Liù, Mimì apo Suor Angelica, do të luajë sërish në “La rondine”, një prodhim nga Christof Loy, në Operën e Zürichut.

Shfaqjet do të zhvillohen nga data 17 shtator deri më 28 tetor, të zgjedhura nga Revista Platea si pjesë e 100 operave dhe shfaqjeve thelbësore të sezonit 2023-2024.  Ato do të kenë stafetën e Marco Armiliato-s, si dhe Ruggero-n e Benjamin Bernheim-it, Rambaldo-n e Vladimir Stoyanov-it, Prunier-in e Juan Francisco Gatell-it dhe Lisette-n e Sandra Hamaoui-t, dhe shumë emra të tjerë të famshëm./abcnews.al / KultPlus.com

Ermonela Jaho e nominuar për çmimin e madh “Gramophone 2023”

Tashmë janë shpallë nominimet për çmimin e madh “Gramophone 2023”, çmim për të cilin është nominuar edhe sopranoja e njohur shqiptare Ermonela Jaho, shkruan KultPlus.

Është nominuar nga Warner Classics & Erato, për të cilën është shprehur të jetë falënderuese sopranoja Jaho.

Ajo ka treguar për përvojën e mirë me shumë kolegë të talentuar që kanë punuar në kryeveprën e fundit të Puccinit. “Të gjithë të nominuarit janë fitues në sytë e mi”, ka shkruar Jaho./ KultPlus.com

Sopranoja e njohur Ermoenla Jaho sërish me masterclass në Tiranë, ftohen artistët e rijnë për aplikim

Sopranoja e njohur shqiptare Ermonela Jaho do të mbajë një masterclass në Tiranë, masterclassqë do të mbahet mes satave 2 dhe 5 tetor, shkruan KultPlus.

Për këtë projekt kanë njoftuar nga Teatri i Operës dhe Baletit në Tiranë, dhe ky masterclass do të ofrohet plotësisht pa pagesë për artistët e rinj.

KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e këtij institucioni.

Teatri i Operës dhe Baletit hap Thirrjen e Tretë për Masterclass- Bashkëpunues, në programin profesional muzikor “Akademia Teatrale”, që synon evidentimin, promovimin dhe zhvillimin e talenteve të reja në disiplinën lirike.

✨Nën kujdesin e veçantë dhe mjeshtëror të sopranos ikonike, Ermonela Jaho, e cila hodhi gurin e parë të themelit të këtij programi, nga data 2️⃣5️⃣tetor, artistët e rinj të moshës 18-30 vjeç, do të kenë mundësinë të trajnohen plotësisht PA PAGESË, rreth teknikës fizike të këndimit, asaj të interpretimit e këndimit, përgatitjes psikologjke të repertorit dhe ndërtimit të një roli.

📥Aplikimet do të qëndrojnë të hapura deri më datë 25 shtator, për gjithkënd që e ndjen veten të vendosur teknikisht dhe do të përforcojë aftësitë e tyre, nëpërmjet metodave të reja.

📂Mjafton të dërgoni CV-në, video me performancën tuaj, materialin me të cilin doni të punoni dhe formularin e aplikimit (të cilin e gjeni në website-in zyrtar të TKOB-së) në email-in [email protected].

🤗Të gjithë të interesuarit për të qenë dëgjues të këtij masterclass-i bashkëpunues, pa dallim moshe a profesioni, si dhe mësuesit /pedagogët e interesuar për të bashkëpunuar në ndërtimin e një plani të përbashkët pune me nxënësit /studentët, janë mëse të mirëpritur të na kontaktojnë.

📨Për çdo informacion e detaj të hollësishëm ju ftojmë të vizitoni WEB-in zyrtar të TKOB-së ose të na shkruani në email-in: [email protected]

Ermonela Jaho

Teatri Kombetar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor./ KultPlus.com

Ermonela Jaho e përulur pas koncertit në Paris: Rrallëherë mund të prekni kaq shumë shpirtra njëkohësisht (VIDEO)

Në një perëndim të bukur dielli, në sfond me Kullën e Parisit, sopranoja shqiptare me famë botërore, Ermonela Jaho, ka interpretuar në koncertin qendror të mbajtur në Paris, për nder të Ditës Kombëtare të Francës, shkruan KultPlus.

Sopranoja Jaho, nga koncerti i magjishëm në Paris ku morën pjesë emra të mëdhenj të muzikës botërore, ka shpërndarë një video në facebook me mbishkrimin:

“Unë jam shërbëtori i përulur, i krijuesit gjenial! ”. Çfarë nate. Rrallëherë keni mundësinë të prekni kaq shumë shpirtra njëkohësisht, në një sfond magjik që ju lartëson, përgjithmonë”, ka shkruar Emonela Jaho

Koncerti i mbrëmshëm është mbajtur me rastin e 14 korrikut, Ditës Kombëtare të Francës, në Kullën Eiffel.

KultPlus ju sjell interpretimin e plotë të mahnitshëm të Ermonela Jahos:

Ermonela Jaho pjesë e koncertit të 14 korrikut në Paris për Ditën Kombëtare të Francës

Sopranoja e njohur shqiptare, Ermonela Jaho, do të jetë pjesë e koncertit të datës 14 korrik në Paris, shkruan KultPlus.

Koncerti që përfshin emra të mëdhenj të muzikës botërore do të mbahet në Kullën Eiffel për Ditën Kombëtare të Francës.

“E lumtur që jam pjesë e koncertit të Parisit të 14 korrikut mes kolegëve të mi të mrekullueshëm. Direkt nga France 2 në orën 21:10. Vive la France, vive la music!

Koncerti Paris 2023: 14 korrik, në Champ-de-Mars, nën Tour Eiffel ” shkruan mes tjerash sopranoja Jaho./KultPlus.com

Recitali i shumëpritur i Ermonela Jahos në Bilbao, përcillet me emocione të forta

Në Bilbao të Spanjës është realizuar mbrëmë një koncert me emocione të forta, mjeshtrinë e të cilave protagonistja e zotëron si pakkush tjetër.

Bëhet fjalë për sopranon shqiptare, Ermonela Jaho, e cila këndoi nën shoqërimin e koncert maestër Rubén Fernández Aguirre.

Koncerti u dha në “Teatro Arriaga”. Vetë drejtuesit e teatrit të Bilbaos u shprehën se, kjo ishte ngjarja më e shumëpritur në morinë e produksioneve të këtij sezoni.

“Një nga datat më të pritura muzikore dhe lirike të sezonit është gati të ndodhë: Ermonela Jaho, e cila ka tronditur së fundmi Nju Jorkun, mbërrin në Teatrin Arriaga”, shkruhej në faqen online të teatrit.

Sopranoja shqiptare, fama e së cilës prej kohësh është ndërkombëtare, këndoi mbrëmë në Bilbao këngë dhe arie franceze e italiane, të cilat u vlerësuan nga profesionistët për “intensitetin e pastër dhe emocionin e vërtetë”.

Recitali përbëhej nga 5 blloqe, gjatë të cilave të pranishmit dëgjuan pjesë nga Bellini, Donizetti, Verdi, Mascagni, Massenet e të tjerë. Finalja ju dedikua Puccini-t, duke e mbyllur mbrëmjen me “Madama Butterfly”./ atsh / KultPlus.com