Gjon Mili, artisti vizionar që krijoi imazhet më ikonike të shekullit të 20-të

Sot, në përvjetorin e vdekjes, kujtojmë dhe nderojmë kontributin e fotografit Gjon Mili. Trashëgimia e Milit jeton përmes imazheve të tij mahnitëse dhe ndikimit që ai vazhdon të ketë në botën e fotografisë.

Gjon Mili ishte një fotograf dhe artist shqiptaro-amerikan i njohur për punën e tij novatore në fushën e fotografisë. Ai lindi në Shqipëri në vitin 1904, por familja e tij emigroi në Shtetet e Bashkuara në vitin 1923, ku Mili përfundimisht u bë një figurë e shquar në botën e artit.

Puna e Milit karakterizohej nga përdorimi i dritës dhe lëvizjes, të cilat ai i përdori për të kapur imazhe dinamike që shpesh krahasoheshin me pikturat. Ai punoi për revistën Life për shumë vite dhe ishte i njohur për portretet e tij të artistëve dhe muzikantëve të famshëm, duke përfshirë Pablo Picasso, Duke Ellington dhe Igor Stravinsky.

Mili ishte gjithashtu një pionier në fushën e fotografisë stroboskopike, e cila përfshin përdorimin e një drite strobe për të kapur lëvizjen në një imazh të vetëm. Ai e zhvilloi këtë teknikë në vitet 1940 dhe e përdori atë për të krijuar imazhe mahnitëse të kërcimtarëve dhe atletëve në lëvizje.

Një nga bashkëpunimet më të famshme të Milit ishte me shkencëtarin dhe shpikësin e njohur, Dr. Harold Edgerton. Së bashku, ata zhvilluan një metodë për të fotografuar lëvizjen e një plumbi gjatë fluturimit, të cilën e përdorën për të krijuar një seri imazhesh goditëse.

Mili vazhdoi të punojë si fotograf dhe artist gjatë gjithë jetës së tij dhe puna e tij është ekspozuar në galeri dhe muze në mbarë botën. Ai vdiq në vitin 1984, por puna e tij novatore dhe novator vazhdon të frymëzojë dhe të ndikojë sot fotografët dhe artistët./ KultPlus.com

Vdes Naim Shala, konsiderohet ndër fotografët e parë në Kosovë

Ka vdekur sot fotografi i njohur Naim Shala i cili konsiderohet ndër fotografët e parë në Kosovë. Ai me këtë zanat merret që nga vitet e 80-a dhe stili që ai përdorte ishte abstraktja, shkruan KultPlus.

Naim Shala ishte bashkëthemeluesi i konkursit të parë të artit fotografik tek ne, “Çmimi Gjon Mili” (2001).

Shala gjithashtu ishte fitues i çmimit të parë në edicionin e 13-të të konkursit të fotografisë “Fokus Award” në Fier.

Lajmin për vdekjes e artistit e ka bërë të dikur kolegu i tij, Fahredin Spahiu, i cili ka vlerësuar lart artin e tij.

“Fotografitë abstrakte të tij në teknikën bardh e zi të mbizotnueme me vlera grafike e me kontrast të thellë si dhe cikli i fotografive analoge i krijuem prej tij me aparatin ikonik ‘Holga’, ka me mbet thesar i përhershëm i asaj që quhet “Fotografia bashkohore shqiptare”, shkruan Spahiu i cili tutje shpreh ngushëllimet e tij për familjen dhe komunitetin e artit fotografik shqiptar.

“Familjes së nderueme Shala por edhe krejt komunitetit të artit fotografik shqiptar ju shprehi ngushëllimet e mija ma t’thella për vdekjen e familjarit dhe kolegut, Naim Shala!

U prehtë në paqen e përhershme shpirti tij i pasun”. / KultPlus.com

Kolë Idromeno, artisti poliedrik i shekullit XIX

“Një foto të ndërtuar mes fiksionit e realitetit”, ka përzgjedhur sot ministrja e Kulturës, Elva Margariti në kuadër të “Muajit të fotografisë”.

Fotografia e rrallë, në llojin e saj, nuk mban titull, vitin apo emrin e personazhit të fotografuar. Ajo duket se është ndërtuar e tillë nga vetë Kolë Idromeno, njëkohësisht edhe piktor, i cili edhe në fotografi nuk i ndahej dimensionit krijues.

Kolë Idromeno rridhte prej një familjeje çame të ardhur nga Parga e Greqisë e të vendosur në Shkodër.

Mësimet e para të artit i mori në studion e Pietro Marubbi-t, gjë që e vuri në kontakt me mediumin më të ri të kohës, fotografinë. Në moshën 16 vjeçare më 1875, ai shkon në Venecia ku kalon një periudhë të shkurtër studimi në Akademinë e Arteve të Bukura e më pas pranë studios së një artisti venecian. Pas kësaj përvoje, më 1878 ai kthehet në Shkodër ku shfaq interesat e dhuntitë e tij në disa fusha. U bë i njohur për projektet arkitektonike të një sërë ndërtesash publike e private në Shkodër si Kafja e Madhe, Banka Kombëtare, disa shtëpi në dy rrugët kryesore të qytetit.

Arkitektura që propozon ai sjell disa tipare perëndimore kundrejt arkitekturës orientale që kishte depërtuar ndër shekuj. Kolë Idromeno njihet edhe si pionier i pikturës shqiptare duke krijuar një sërë veprash të rëndësishme për historinë e saj. Më 1884 është i dyti që hap studion e tij fotografike të quajtur “Dritëshkroja e Kolës”. Më 01.09.1912 shfaq për herë të parë në Shkodër e Shqipëri një film pas një kontrate të nënshkruar me agjencinë austriake të filmit “Stauber”.

Fondi i tij fotografik numëron 1300 negativë në xham në Qendrën e Studimeve Albanologjike në Tiranë dhe rreth 100 në Muzeun “Marubi”. / atsh / KultPlus.com

Pjetër Rraboshta, fotografi i 16 mijë imazheve

Pjetër Raboshta, fotografi shkodran numëron në fondin i tij të  ruajtur në muze mbi 16.000 poza të shkrepura në film.

“Në vitin 1970, Pjetër Rraboshta i dhuroi shtetit arkivin e tij prej 16.196 imazhesh të realizuara në film”, shprehet ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila përgjatë gjithë muajit gusht ka zgjedhur të postojë foto të mjeshtrave shqiptarë, në kuadër të “Muajit të Fotografisë”.

Pjetër Rraboshta lindi në Shkodër, më 1917-ën. Mbasi kreu gjimnazin në Shkodër, shkoi si nxënës në studion e fotografit Kel Marubi. Rreth moshës 20 vjeç shkoi ushtar në Gjirokastër ku ushtroi profesionin e fotografit. Mbas mbarimit të shërbimit ushtarak rikthehet pranë Dritëshkrojës “Marubi” si nxënës bashkë me djalin e Kelit, Gegën.

Falë aftësive të tij, mjeshtri e aktivizon si ndihmës deri në vitet 1940. Rreth viteve 1942-1943 hap studion e tij “Foto Rraboshta” në rrugën kryesore të qytetit. Ishte një studio e plotë me mjedisin e fotografimit dhe laboratorin e larjes së filmave dhe të fotografive. Krahas punës në studio, fotografon edhe në lulishten e qytetit, ndjek aktivitetet fetare, tregtare, sportive, manifestimet politike e të tjera.

Mbas Çlirimit ka punuar shumë edhe si fotograf i dokumenteve të letërnjoftimeve. Njerëzit e quanin “Rraboshta i fëmijëve” pasi filloi të fotografonte kryesisht fëmijë. Në filmat e tij të ruajtur në arkivën Marubi gjenden shumë fotografi të fëmijëve në çaste të ndryshme si dhe në ditën e krezmimit. Ishte fotografi që solli një imazh ndryshe nga Marubët, më realist, e herë herë dramatik.

Rreth vitit 1963, me mbylljen e aktiviteteve private hyri në repartin e fotografëve pranë Ndërmarrjes së Riparim-Shërbimeve. Në vitet `70 dorëzoi arkivin e vet fotografik (filma e foto të formateve të ndryshme). Fondi i tij i ruajtur në muze numëron mbi 16.000 poza të shkrepura në film. / atsh / KultPlus.com

Nysret Metarapi, fotografi që la gjurmë ndër vite

Nysret Metarapi u lindë në Mitrovicë në vitin 1937 dhe vdiq në vitin 2018. Ishte fitues i një varg çmimesh për fotografi. E shfaqi pasionin për fotografi që kur mbajti aparatin e parë fotografik në dorë, FK Box në vitin 1951 dhe nuk u ndal asnjëherë në përsosjen e artit të fotografisë.

Në vitet 1970 dhe vitin 1980 përderisa punonte në gazetën e vetme periodike ‘Zëri i Rinisë” në Prishtinë, si fotoreporter mbuloi gjithë fushat e mundshme në Kosovë, përkatësisht në kohën e ish- Jugosllavisë, duke përfshirë këtu ngjarjet në politikë, sport, art dhe argëtim.

Vazhdoi t’i mbulonte ngjarjet dhe konfliktet në Kosovë në kohën e filleve të ish- Jugosllavisë, në fillim të viteve ’90.

Ishte fotografi i parë që përdori fotografi me ngjyra në gazetë të shtypur.

Disa prej fotove të fotografit Metarapi gjatë viteve:

1982 Suzana Mancic, Prishtinë (photo: Nysret Metarapi)
1985 Ali Podrimja, Prishtinë (photo: Nysret Metarapi)

Arian Mavriqi, fotografi që bukuritë e botën së egër në Kosovë po ja shpalos edhe botës

Jeta Zymberi

Publiku çdo herë e më shumë kërkon imazhe nga natyra, andaj dokumentimi i formave të ndryshme të jetës së egër po bëhet gjithnjë e më tërheqës.

Në Kosovë dokumentimi i botës së egër është i vonshëm. Por me zhvillimin e teknologjisë dhe me vullnetin e disa fotografëve sot kemi fotografi mbresëlënëse e që nuk janë parë më herët. Këto pamje po vihen edhe para syve të botës duke e bërë kështu vendin tonë sa më tërheqës për turizëm.

Arian Mavriqi është një ndër fotografët e botës së egër në Kosovë që kujdeset të jetë gjithmonë në vendin dhe kohën e duhur e me punën e tij të arrijë të informojë publikun me shumë të panjohura nga kjo botë.

Si fëmijë ai kishte pasion të hulumtonte në natyrë, por ndoshta asnjëherë nuk i kishte shkuar mendja që një ditë do të ketë mundësi që gjithë ato pamje eksploruese do t’i dokumentonte. Madje, do t’i dukej e pamundur t’i thoje që një ditë fotografia e tij do të komentohej nga gjigandi botërorë Microsoft e të cilin Mavriqi e vlerëson si një sukses kombëtar.

Në një intervistë të veçantë për KultPlus, Mavriqi na flet për pasionin e tij, vështirësitë e të fotografuarit gjallesat, sfidat e kënaqësitë gjatë procesit të punës që shpesh është tejet sfidues. Zbulon speciet që kanë arritur t’i fotografojnë e që nuk kanë ekzistuar as në të dhënat shtetërore. Ai ndër të tjera tregon se si ndikojnë fotografitë për tërheqjen e turistëve dhe sa kanë arritur të ngritin vetëdijen e popullit përmes fotografisë.

Arian Mavriqi

KultPlus: Fillimisht na trego sa kohë keni që i jeni përkushtuar artit të fotografisë më seriozisht, si erdhi inspirimi?

Arian Mavriqi: Që nga viti 2012 jam aktivë në fotografi, dhe inspirimi më erdhi pasi që si fëmijë kam pasur shumë dëshirë të hulumtoj në natyrë, por në atë kohë (para luftës) nuk kisha mundësi të fotografoja apo dokumentoja atë që na rrethonte me fotografi, ajo që bëja ishte vetëm ti shikoja pjesëtarët e faunës, shpezët dhe kafshët por edhe natyrën dhe të kënaqesha duke vrojtuar thuajse gjithë atë që na rrethonte.

KultPlus: Jeni ndër fotografët dhe eksploruesit më të njohur të natyrës dhe faunës në Kosovë, na fol pak për këtë pjesë, si është të jesh fotograf i kësaj fushe?

Arian Mavriqi: Është e veçantë të jesh fotograf i botës së egër, njëherë edhe satisfaksion, pasi që ky lloj i fotografisë është edhe më i vështiri për tu realizuar sepse ka të bëjë me krijesa që nuk e kuptojnë gjuhën e njeriut, mandej duhet të jemi në teren thuajse gjithë kohën që t’i gjejmë ato për t’i fotografuar, nganjëherë edhe në borë e shi, por që vullneti i tejkalon të gjitha vështirësitë.

KultPlus: Sa është e vështirë deri të sjellja e një fotografie të tillë (nga fauna), besoj ju ka ndodhur të prisni me orë apo ditë për një shkrepje të tillë?

Arian Mavriqi: Po, kemi pritur me orë, por edhe me ditë, këtu doja ta veçojë xhirimin e skyfterit Accipete gentilis (Gjeraqina e shkurtes) për të cilën kemi qëndruar deri në tri ditë në të njëjtin vend deri sa ja arritëm qëllimit për të marrë një xhirim që ishte i pari i tillë i realizuar në shqiptari.

KultPlus: A keni arritur të identifikoni ndonjë specie të re në Kosovë, për të cilën nuk keni qenë të informuar më herët?

Arian Mavriqi: Si rezultat i punës sonë, kemi arritur t’i fotografojmë disa specie të reja, ndër to Shqiponja peshkngrënëse (Pandion haliateus) dhe Kojlikun e zi të cilat as nuk gjenden në të dhënat shtetërore, por kemi fotografuar edhe shumë specie tjera që janë në të dhënat shtetërore por nuk kanë qenë asnjëherë të dokumentuara me fotografi.

KultPlus: Sa mendoni që keni arritur që përmes fotografive nga bota e egër të ngritni vetëdijen e qytetarëve për ruajtjen e tyre?

Arian Mavriqi: Jemi të kënaqur me ngritjen e vetëdijes nga ana e qytetarëve tanë, dhe se çdo ditë e më shumë ata po inspirohen edhe nga fotografitë e xhirimet tona, dhe thuajse tashmë ata janë pjesë e jona dhe na ndihmojnë shumë edhe në gjetjen e tyre dhe na japin informacione.

KultPlus: Nga gjitha shkrepjet që keni realizuar, cilën do ta veçoje?

Arian Mavriqi: Do ta veçoja Kaprollin me zogun Trishtili i madh në shpindet e tij që e kam realizuar në Blinajë. Mandej Shqiponjën Osprey si dhe një zog që është i përmendur edhe në Kuran e që quhet Pupëza apo Upupa epops.

KultPlus: Një moment i veçantë për karrierën tuaj besoj ishte edhe komentimi që gjigandi Microsoft i bëri fotografisë tuaj të realizuar në Kamenicë e cila ngjasonte shumë më atë të Ëindosës XP, si është të vlerësohesh nga Microsoft dhe na fol pak për emocionin që të fali suksesi i kësaj fotografie?

Arian Mavriqi: Komenti i gjigandit Microsoft ka qenë deri më tani kulmi në karrierën time pasi që është Kompania më e madhe në botë, dhe ajo nuk është se ishte sukses vetëm i imi, por edhe sukses kombëtar, pasi që ata interesohen më shumë për ne dhe lokacionin e shkrepjes gjithsesi, mandej emocionet kanë qenë nga më të mirat për mua deri më tani dhe sikur të kisha mundësi do ta përsëritja çdo ditë, është thjeshtë satisfaksion të vlerësohesh nga një gjigand si Microsoft.

KultPlus: A mendon që kjo fotografi të dha një vëmendje më të madhe te publiku dhe puna jote filloi të shpërndahet dukshëm më shumë?

Arian Mavriqi: Po, më ka ndihmuar shumë në karrierën time, vëmendja dhe shpërndarja e asaj foto më ka bërë të ndihem krenar me punën time, dhe më dha një vullnet shumë të fortë për të vazhduar akoma më fuqishëm në të ardhmen, sepse nëse punon gjithmonë edhe do shpërblehesh.

KultPlus: Duke qenë se ju vini nga Kamenica, gjithashtu një prej vendeve që ju eksploroni më së shumti, a mendoni që keni arritur tashmë të nxirrni në pah bukuritë natyrore të këtij vendi dhe faunën e pasur që ka, apo keni ende për të na treguar?

Arian Mavriqi: Po, unë jam nga Kamenica, dhe jetoj këtu, njëherit edhe fotot që kam sjellë e kanë bërë qytetin ku jetoj të njihet thuajse në gjithë shqiptarinë sepse njerëzit kishin shumë pak informacione për këtë vend, por akoma kam shumë për të bërë për Kamenicën dhe shqiptarinë në përgjithësi, janë shumë specie tjera që na presin ti fotografojmë dhe t’i dokumentojmë në të ardhmen.

KultPlus: Fëmijët janë ata që gjithashtu zënë shpesh vend në fokusin tënd, ju fal emocion e inspirim pafajësia e tyre?

Arian Mavriqi: Fëmijët janë aq të pafajshëm dhe natyraliteti i tyre na bënë që t’i fokusojmë sepse fotografitë me fëmijë janë emocion në vete dhe gjithmonë dërgojnë mesazhe pozitive në opinion dhe padyshim se vlerësohet shumë më lart edhe në publik, sidomos fotografitë që tregojnë traditat tona dhe fotografitë me kafshë.

KultPlus: Shumë nga bukuritë natyrore të Kosovës kanë dal në pah falë shkrepjeve tuaja, sa ndiheni i përmbushur si fotograf?

Arian Mavriqi: Kemi sjellur shumë fotografi të bukurive natyrore, por ne asnjëherë nuk kënaqemi me vetveten, por gjithmonë jemi në kërkim të ekskluziviteteve të reja dhe se fotografia është një burim shpirtëror i pashtershëm edhe njeriu gjatë gjithë jetës ka çka të ofrojnë në lëmin e fotografisë, sepse vijnë situata të reja, vende të paeksploruara, specie të pazbuluara, njerëz të rinjë pranë fokusit tonë, pra me një fjalë bota nuk ndalet dhe me të nuk ndalemi as ne.

KultPlus: Si e vlerësoni artin e fotografisë në Kosovë, çmohet sa duhet?

Arian Mavriqi: Arti i fotografisë për fat të keq nuk çmohet aq sa duhet, por jemi në rrugën e duhur që të ngrisim vetëdijen dhe të respektohet në nivelin më të mirë të mundshëm pasi që është një pjesë e artit dhe ka një vlerë të jashtëzakonshme.

KultPlus: Duke pas parasysh që e drejta e autorit te ne në Kosovë nuk respektohet sa duhet, hasni në probleme të tilla shpesh?

Arian Mavriqi: Sa i përket të drejtës autoriale kemi shumë shpesh raste të tilla kur merren fotot tona dhe nuk ceket emri i autorit dhe për fat të keq kemi një ligj që nuk zbatohet thuajse fare hiq, prandaj edhe ata që marrin foto të tilla pa e respektuar të drejtën autoriale do të vazhdojnë kështu deri sa të fillon të zbatohet ligji edhe të binden që një shkelje e tillë dënohet shumë rëndë.

KultPlus: Keni menduar hapjen e ndonjë ekspozite së shpejti?

Arian Mavriqi: Po, shumë shpejt do të hapë një ekspozitë personale me disa nga fotot e mia të faunës dhe natyrës të shkrepura në Kosovë e Shqipëri, por jam duke menduar të bëjë diçka të veçantë dhe besoj që kësaj radhe ekspozita do të mbahet diku në Prishtinë, dhe dua që të jetë një prezantim edhe në nivel kombëtar, pra të kemi të ftuar dhe mysafir nga gjitha trojet shqiptare.

KultPlus: A mendon që ndikojnë fotografitë për tërheqjen e turistëve në vendin tonë?

Arian Mavriqi: Fotot ndikojnë shumë në tërheqjen e turistëve të huaj sidomos në Kosovë, pasi që në vende të ndryshme ne akoma kemi një “hije të zezë”, dhe se ata kanë nevojë për më shumë informacione për vendin tonë, sidomos fotografi të bukurive të Kosovës, faunës, traditave tona, arkeologjisë që e kemi gjithandej e që zbulon shumë për historinë tonë, si dhe qyteteve tona që njihen për ruajtjen e pjesës arkeologjike dhe historike.

KultPlus: Si e komentoni shprehjen “Fotografia vlen sa një mijë fjalë”?

Arian Mavriqi: Shprehjen “Fotografia vlen sa 1000 fjalë” do ta komentoja me fotografinë time ku zogu qëndron i qetë në shpinën e kaprollit, mandej kur një qengj qëndron në krahët e një plaku i qetë dhe me shumë dashuri, apo me fotografinë time që ishte zgjedhur për tu pikturuar në Muralin e Kamenicës si dhe me qindra foto me kafshë që i kam realizuar djalin tim Amalit, pra nëse i shikon ato fotografi secila në vete i ka nga 1000 fjalë, prandaj edhe fotografia nuk komentohet shumë, ajo flet vetë. / KultPlus.com

Magjia e festave në Cyrih, nga duart e fotografit shqiptar Mentor Bajrami (FOTO)

Një numër i konsiderueshëm i mërgimtarëve në botë po tregohen të suksesshëm në shumë fusha të ndryshme, duke treguar pasqyrim të denjtë dhe rezultate të mira. Pjesë e këtij numri pa dyshim është edhe Mentor Bajrami që, përveç aktrimit, po shquhet edhe si fotograf, shkruan albinfo.ch.

Artisti dhe mjeshtri i fotografisë, Mentor Bajrami, ka realizuar disa fotografi të bukura nga kënde të ndryshme të Cyrihut.

Nga pamjet e ofruara mund të shihni magjinë e këtij qyteti, ku duket se e gjithë qetësia dhe ngjyrat më të bukura janë shkrirë në një vend të vetëm për festat e fundvitit.

Duhet theksuar se Mentori jeton dhe vepron në Zvicër. Ai është larguar nga Kosova gjatë luftës së fundit dhe është bërë një aktor në “Opernhaus” të Cyrihut.

Gjithashtu ai ka përfunduar shkollën e aktrimit në European Film Actor School EFAS në Cyrih, dhe jo rastësisht ishte pjesë e veprës operistike“Opernhaus”.

Kujtojmë se Mentori, para kësaj, kishte luajtur në shumë shfaqje dhe reklama gjatë studimeve. Po ashtu, prishtinasi kishte bërë video satirike në Youtube, të cilat i sollën krejt rastësisht famë të papritur në Zvicër. /Albinfo.ch / KultPlus.com

Fotografi shqiptar, Ilir Çuko pretendent për çmimin prestigjioz

Fotografi shqiptar Ilir Çuko përzgjidhet në listën e ngushtë të çmimit prestigjioz “The New East Photo Prize”.

Çuko mbulon çështjet sociale dhe politike, me një theks të veçantë në historitë e emigracionit duke bashkëpunuar me fondacione të ndryshme. Punimi i tij: “Duke filluar nga e para: Nga Donbass në Çernobil ai fokusohet tek miliona njerëz të zhvendosur nga lufta e vazhdueshme në Ukrainën lindore të detyruar të vendosen në fshatrat përreth zonës së përjashtimit në Çernobil.

Fotografi ka lindur në Shqipëri në vitin 1990 dhe është rritur në Athinë, Greqi. Ai punon mes Gjermanisë dhe Greqisë dhe është fokusuar në projekte afatgjata si fotoreporter dhe foto dokumentare.

Punimet e Ilirit janë botuar në Gjermani, Greqi, Angli, Zvicër, Austri, Novergji dhe vende të tjera evropiane. Gjithashtu fotot e tij janë ekspozuar në Universitetin e Plymoth Portland Square duke shënuar fundin e Javës së Refugjatëve 2016 dhe në Berlin në Beloskiy Galerie.

Çmimi është një projekt i fondacionit “Calvert 222” mbështetur nga revista online The Clavert Journal.

“Çmimi synon të zgjerojë perceptimin e Lindjes së Re përmes fotografisë. Në dy edicionet e tij të mëparshme ka pasur mbi 1700 projekte nga 25 vende të Lindjes së Re”, thonë organizatorët.

Fituesi i çmimit do të publikohet në “The Calvert Journal” dhe do të fitojë një çmim prej 1 mijë paund për të krijuar një koleksion të ri të punës së tij. Gjithashtu do të marrë dhe pajisje të fotografisë. Përveç kësaj do të ketë dhe çmimin “Mentorship” që është një bursë e plotë studimi në Spazio Labo Photography për të ndjekur një kurs nga Davide Monteleone dhe Spazio Labo./ Diaspora Shqiptare / KultPlus.com

Getoar Ukimeraj, blogeri i parë shqiptar që ka arritur të bëhet Brand Ambassador në kompani botërore

Xhemile Hysenaj

Getoar Ukimeraj, një i ri nga Prizreni i cili me sukseset e tij ka arritur të bëhet inspirim për gjeneratat e reja, ku përmes punës së tij ka dëshmuar se kurrë nuk është vonë për të ndjekur ëndrrat qofshin ato edhe nga një vend i vogël e pak i njohur siç është Kosova. Ai është pasionant pas fotografisë dhe kafshëve, dy gjëra shumë të ndryshme nga njëra tjera, por që në thelb të dyja kërkojnë dashuri e përkushtim.

Mënyra e veçantë e realizimit të fotografive, të cilat kryesisht i realizon në mënyrë individuale kanë bërë që ai të bëhet edhe bloggeri i parë shqiptar që ka arritur të bëhet Brand Ambassador për kompani të mëdha botërore, arritje kjo për të cilën Getoari ka folur më detajisht në një intervistë për KultPlus.

KultPlus: Jeni bloggeri i parë shqiptar që keni arritur të bashkëpunoni me shumë kompani si në Evropë, Amerikë e Australi, na tregoni më shumë për fillimet e tuaja si blogger, si keni filluar dhe si keni arritur të bashkëpunoni me ato kompani?

Fillimet e mija si blogger, kanë qenë krejtësisht të rastësishme. Gjithçka ka filluar me postimin e fotografive profesionale në profilin tim në Instagram, ku me postimin e fotove gradualisht ka filluar edhe rritja e ndjekësve dhe pastaj kam marrë email nga 3 brand kompani me qendër ne Evropë, të cilët kanë shprehur interesimin të bashkëpunojnë me mua për reklamimin e produkteve të tyre dhe me kalimin e kohës bashkëpunimet kanë vazhduar edhe me kompani të tjera të cilat kanë qenë një faktor mjaft i rëndësishëm pse unë kam vazhduar këtë aktivitet për katër vite me radhë.

KultPlus: Sa është e vështirë për një të ri nga Kosova të integrohet në tregun botëror?

Është shumë e vështirë sepse sado që fotografitë realizohen në mënyrë shumë kreative dhe shumë profesionale, Kosova bën pjesë që grupin e atyre shteteve që brendet botërore nuk shohin ndonjë interes të zhvillojnë tregun e tyre aty, madje disa prej tyre as nuk e dijnë se ku ndodhet Kosova. Mirëpo, edhe pse vështirësitë janë të mëdha, kur punon shumë dhe puna tregon produktivitet, gjithsesi se do të arrish sukses.

KultPlus: Si qëndron lidhja juaj me vendlindjen, pasiqë tashmë veprimtaria e juaj ka kaluar kufijt?

Lidhja ime me vendlinjen time është tejet e fortë, duke filluar nga raporti shumë i afërt dhe i pazëvendësueshëm që e kam me familjen time e pastaj kontaktet e vazhdueshme me shoqërinë, e bëjnë të pamundur iden e të qëndruarit larg familjes, apo zbehjen e lidhshmërisë me vendin tim. Ndërkaq, sa i përket veprimtarisë edhe pse është pak e vështirë të zhvillohet nga këtu, rrjetet sociale na e ofrojnë një mundësi më të madhe për punë e zhvillim profesional.

https://www.instagram.com/p/CB0KWqMlmN2/?utm_source=ig_web_copy_link
https://www.instagram.com/p/B_H1MW9FooT/?utm_source=ig_web_copy_link

KultPlus: Ju ushtroni profesionin e veterinarit dhe dashuria juaj për kafshët vërehet shumë në fotografitë e kafshëve që postoni, na flisni shumë për raportin tuaj me kafshët?

Po, duke u nisur fillimisht nga fakti se fëmijëria ime deri në kohën e studimeve është zhvilluar në zonë rurale, kontakti me kafshët ka qenë i zakonshëm, ka qenë përditshmëri për mua pasiqë edhe në shtëpi kemi pasur kafshë të ndryshme shtëpiake, duke bërë që çdoherë e më shumë të forcojë lidhjen time me to. Tash sigurisht mundohem të iu vihem atyre në ndihmë edhe nga aspekti profesional sëbashku me vëllaun tim i cili poashtu ushtron të njëjtin profesion. Unë besoj dhe shpresoj se një ditë do të jem një zë i fuqishëm për të drejtat e kafshëve edhe pse dita ditës kujdesi ndaj kafshëve po përmirësohet çdo ditë e më shumë dhe kjo gjë më bën jashtëzakonisht të lumtur për këtë progres në vendim tim.

https://www.instagram.com/p/B9OqttmFLwL/?utm_source=ig_web_copy_link
https://www.instagram.com/p/BaoLIxLBg1R/?utm_source=ig_web_copy_link

KultPlus: Fotografitë e juaja i realizoni vet, a e bën kjo më të vështirë punën apo më të lehtë?

Fotografitë në tërësi realizohen nga unë, duke filluar nga koncepti e shumë shpesh edhe nga shkrepja e deri tek editimi i detajuar. Unë mendoj se si proces është më i vështirë kur realizohet individualisht, por që rezultati final është më i përafërt nga pritshmëria në moment fillestar. Sepse e di se çfarë dua të shfaqë në atë foto dhe e di se deri ku mund të shkoj rezultati final.

KultPlus: Na flisni pak për pasionin tuaj si fotograf dhe ku isnpiroheni zakonisht, a keni ndonjë ‘role model’?

Pasioni për fotografinë ka qenë i kahmotshëm, por angazhimet që nga angazhimet që i kam pasur vitet e fundit nuk kam pasur mundësi të i përkushtohem më seriozisht. Tashmë fotografisë ia dedikoj një pjesë të mirë të kohës, kursë sa i përket shembullit tim (role model), nuk kam një ose disa të cilët do të mund t’i veçoja, pasiqë mua çdo ditë e më shumë më pëlqejnë e inspirohem nga fotografi e fotografë të ndryshëm, nga koncepte, editime dhe çdo gjë tjetër rreth fotografisë. Tek secila fotografi mund të gjej gjëra që më pëlqejnë dhe inspirojnë për fotografitë që planifikoj t’i realizoj në vazhdim.

https://www.instagram.com/p/BxFTnOzlpQi/?utm_source=ig_web_copy_link

KultPlus: Na tregoni më shumë se si është një ditë e juaj e zakonshme?

Aktualisht për shkak të gjendjes pandemikë, aktiviteti im është në përgjithësi më i qetë. Dita fillon me shujtën e drekës, pastaj merrem me dërgimin dhe kthimin e email0eve me kompani të ndryshme për mundësi bashkëpunimi. Pastaj një pjesë të mirë të ditës ia dedikoj studimit në lidhje me lëndët e caktuara në fakultet, duke vazhduar pastaj me biseda e takime të përditshme me familjar e shoqëri, kurse mbrëmja zakonisht më gjen duke edituar fotografitë e klientëve të mi, duke shikuar ndonjë film apo dokumentar që zakonisht kanë të bëjnë me kafshët, sëmundjet e tyre dhe gjithçka që i karekterizon ato.

KultPlus: Cili është mesazhi juaj për të rinjt në Kosovë që pretendojnë të ndjekin të njejtën rrugë si ju?

Mesazhi për të rinjt në Kosovë është që të lexojnë sa më shumë, të informohen e të marrin njohuri për laminë e caktuar, të provojnë gjëra të reja dhe të kuptojnë se çfarë realisht i plotëson ata. Pastaj kjo ua mundëson atyre t’i ndjekin ëndërrat e tyre dhe të punojnë shumë drejt tyre. Sepse vetëm me punë dhe përkushtim të madh, arrijmë qëllimet që ia kemi vënë vetes para. / KultPlus.com

https://www.instagram.com/p/BfGiBSaB6mq/?utm_source=ig_web_copy_link

Këtë fotografi e ka realizuar një fotograf shqiptar (FOTO)

Disa persona arrijnë që me aparatin e tyre të fokusojnë pamje të mahnitshme nga bukuritë natyrore, shkruan KultPlus.

Shqipëria është një vend që ofron pamje të mrekullueshme natyrore, dhe të gjithë ata artistë, fotografë të cilët e duan peizazhin dhe dëshirojnë të fokusojnë bukuri natyrore, e kanë një mundësi të jashtëzakonshme që këtë gjë ta bëjnë në Shqipëri.

Përderisa fotografët shqiptarë, nuk e lejojnë që kjo mundësi të ju ik. Ata shfrytëzojnë këto bukuri për të nxjerrë fotografi mahnitëse.
Një të tillë e ka realizuar edhe fotografi i njohur shqiptar Ardian Fezollari.

Fezollari ka treguar për KultPlus se kjo fotografi është realizuar më herët me metodën e më hershme, me film.

Kjo fotografi nuk do koment, shikojeni dhe shijojeni. /KultPlus.com