BE shpërblen katër gratë që fituan në garën ‘Covid19: Gratë dhe tregimet e tyre’

Sot, në prezencë të Ambasadorit të BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog, u ndanë shpërblimet për fitueset e garës: “Covid 19: Gratë dhe tregimet e tyre.”

Kontributi i Arlinda Murtezit, Adonjeta Zymberit, Dragana Milosavljević dhe Orhidea Reka Shehut i rrëfyer përmes fotove dhe tregimit, u zgjodh në mesin e 80 aplikueseve.

“Secili prej këtyre tregimeve ishte i fuqishëm, i rëndësishëm ose prekës dhe çdo fotografi ishte e bukur ose përshkruese. Disa tregime ishin të lumtura, disa të trishtuara, të tjerat u përpoqën të thoshin gjithçka përmes fotografisë. Por në përgjithësi, të gjitha ato tregojnë aftësinë e grave në Kosovë për t’u përballë me sfidat që solli COVID-19. Në mesin e të gjithave, katër tregime, tregime tuaja, u radhitën në vendet e para. Tregimet tuaja përfaqësojnë të gjitha gratë të cilat kanë aplikuar si dhe të gjitha gratë në Kosovë”, u shpreh ambasadori Tomáš Szunyog.

Gratë fituese, u shprehen të nderuara që puna e tyre gjatë përballjes me Covid-19 është vlerësuar nga BE dhe tutje treguan për sfidat e tyre gjatë kësaj periudhe ku përkundër punës, familjes e angazhimeve të tjera, në një formë apo tjetrën ato u munduar të kontribuojnë edhe për shoqërinë.

 Arlinda Murtezi, fituesja e vendit të parë, nënë e pesë fëmijëve e cila jetoj në Fushë Kosovë, tregoi që gjatë kohës së pandemisë meqë ka aftësi për rrobaqepësi, i ka ndihmuar komunitetit të saj me qepjen e maskave të ripërdorshme.

“I kam shpërndarë këto maska falas nëpër lagjen time. Jam krenare që bëra diçka për njerëzimin. Me vullnet e bëj këtë punë dhe më vjen mirë që rastet e COVID19 nuk janë përhapur në lagjen time”, tha Arlinda e cila tutje falënderoi shumë organizatorët për shpërblimin.

Adonjeta Zymberi, fituesja e vendit të dytë, pasi pranoi çmimin nga ambasadori tha ndër të tjera se këtë çmim e vlerëson shumë për faktin se vjen nga Bashkimi Evropian dhe se kjo garë ishte e fokusuar për gratë.

“Ndihem e nderuar që më është ndarë ky çmim. Kjo fotografi është bërë me shumë dashuri në një kohë sfiduese, sidomos për ne gratë. Përveç punës, familjes e angazhimeve të tjera, jam munduar që përmes kësaj fotografie të sjell një mesazh pozitiv tek njerëzit të cilët vazhdojnë të jenë të rënduar çdo ditë nga lajmet shqetësuese për Covid-19. Të shpresojmë që e ardhmja do të sjell ditë më të mira, por njëkohësisht ta ruajmë shëndetin tonë dhe të tjerëve”, u shpreh Zymberi.

Krejt në fund të këtij organizimi u tregua që shumë shpejt do të vjen edhe publikimi me tregimet e grave. / KultPlus.com