Presidenti Ilir Meta dekoroi sot me rastin e 80-vjetorit të ndarjes nga jeta, At Gjergj Fishtën, atdhetarin, historianin, gjuhëtarin e madh, diplomatin dhe iluministin e shquar, për të cilin interesat kombëtare ishin po aq të shenjta, sa vetë besimi që i përkiste.
“Në vlerësim të veprës atdhetare dhe të rolit të jashtëzakonshëm në fushat e gjuhës dhe të letërsisë shqipe, arsimit e kulturës, diplomacisë, politikës e teologjisë, si dhe për meritat e Tij historike në krijimin e alfabetit shqip dhe në proceset shtetformuese, kam sot nderin e veçantë të çmoj me Dekoratën më të lartë në Republikën e Shqipërisë, At Gjergj Fishtës”, tha Meta.
Presidenti theksoi se “nëpërmjet veprave të tij të çmuara artistike, ai ngriti lart, shpalosi botërisht dhe skaliti në përjetësi vlerat dhe virtytet e veçanta autoktone, si dhe përpjekjet e pareshtura të kombit shqiptar për liri, mbrojtje të trojeve shqiptare dhe të sovranitetit të vendit”.
“Vepra e tij e vyer do ta ndriçojë përherë kombin tonë për të tejkaluar çdo sprovë në mbrojtje të Pavarësisë, Lirisë, Demokracisë dhe së ardhmen europiane”, tha Meta./atsh/ KultPlus.com
Biblioteka Kombëtare e Kosovës sot hapi dyert për ekspozitën ‘Për Atmé e fé Gjergj Fishta’, ekspozitë kjo që para adhuruesëve të Fishtës do të shpalosë libra, artikuj e dorëshkrime të papublikuara deri më tani për autorin, shkruan KultPlus.
Ishte Fazli Gajraku, drejtori i Bibliotekës Kombëtare, ai i cili e bëri edhe hapjen zyrtare të kësaj ekspozite. Ai para të pranishmëve deklaroi se është vepra dhe puna e Gjergj Fishtës ajo e cila e pasuron institucionin e Bibliotekës Kombëtare, pasi në këtë bibliotekë ka rreth 20 vepra të rralla të Gjergj Fishtës dhe 120 monografi mbi këtë autor.
‘Interesimi për t’u marrë me këtë figurë të shquar e ka rritur botimin e shumë veprave të ndryshme mbi figurën e Gjergj Fishtës’, potencoi tutje Gajraku.
Gajraku poashtu deklaroi se ajo çfarë kjo bibliotekë po tentojë të arrijë përmes kësaj ekspozite, janë dy objektiva: e para, të ndërtohet koleksioni sa më i madh mbi veprën e Fishtës dhe e dyta të krijohet një katalog i duhur për figurën e këtij të fundit.
Fjalën e mori edhe Zv.Ministri i Kulturës, Engelberd Zefaj, i cili potencoi se Fishta ishte një shembull i qëndrimeve të palëkundura politike, ndër të tjera, ky i fundit ju referua Fishtës edhe si një shëmbëlltyrë e kulturës.
‘Sot në hapjen e kësaj ekspozitë me libra, artikuj e dorëshkrime të dhe për shkrimtarin kombëtar, Gjergj Fishta, me rastin e 80 vjetorit të vdekjes së njërit prej kolosëve më të mëdhenj të historisë, kulturës e të letërsisë shqiptare, si asnjëherë tjetër e kuptojmë vlerën e madhe që ka ruajtja e trashëgimisë së shkruar e të shtypur, trashëgimi kjo e cila na e kthjellon vështirmin që kemi për të kaluar e në të njëjtën kohë vizionin për të ardhmen’, potencoi tutje Zefaj.
I fundit, por jo për nga rëndësia, ishte edhe Imzot Dodë Gjergji, i cili me fjalët më të mira e ngirit lart figurën e Fishtës.
‘Nëse italianët mburren me Danten dhe gjermanët me Gëten, atëherë ne shqiptarët mburremi me Fishtën, sepse Fishta ka qenë pena më e hollë e të gjitha kohërave, që ka ditë të shprehë shpirtin tonë shqiptar, ka ditë të shprehë vuajtjet e popullit tonë dhe ka ditë t’i nxjerrë në pah pasuritë shpirtërore të një populli’, u shpreh Imzot Dodë Gjergji.
Ái poashtu theksoi se sfida e Fishtës dhe e shumë të tjerëve për dhe e atdhe, është britma që nuk do të shuhet kurrë.
Ekspozita ‘Për Atmé e fé Gjergj Fishta’ e cila u realizua nën mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, do të qëndrojë e hapur deri më 11 janar të vitit 2021. / KultPlus.com
Sod, 21, kemi pasë luftë me Jugoslav në komisionin politik. Mehmet Konitza asht sha keqas me Kryetarin e Derergatës Jugoslave e me nji farë Topalovic…. Jovic, Kryetari i Dergatës Jugoslave, i paska thanë Konitzës, se asht i shtim prej dikujt tjetër me prish Konferencën. Konitza i paska përmendë punët, qi Jugoslavët kan ba e bajnë mbi Shqyptarë të Kosovës, dhe e paska quejtë barbar.
Dr.Nuridin Ahmeti
Poeti, kleriku Gjergj Fishta (1871- 1940), ishte i njohur edhe si autori i shumë veprave letrare, dhe sidomos u bë i njohur me veprën e tij kapitale “Lahuta e Malcis”. Përveç si njeri i letrave, Fishta njihet edhe për kontributin e tij fetar, atdhetar, diplomatik dhe si kontribuues i mirëkuptimit ndërfetar, njeri që me gjithë përkatësinë e tij fetare katolike, qëndrimet që në disa raste mbajti ndaj “turkut”, siç e quante ai, Perandorinë Osmane, nuk hezitoi që të fliste e të shkruante fjalë miradije për këtë perandori, dhe sidomos foli e lavdëroi dhe i thuri vargje njërit nga udhëheqësit më të njohur të ushtrisë osmane – mbrojtësit të Shkodrës – Hasan Riza Pashës.[1] At Gjergj Fishta, e kishte njohur personalisht dhe kishte mbajtur kontakte të vazhdueshme me këtë mbrojtës besnik të Shkodrës dhe luftëtari të denjë kundër okupimit të saj nga malazeztë.[2] Për më tepër, me rastin e varrimit madhështor dhe nderimit të fundit që iu dha komandantit Hasan Riza Pasha, At Fishta, mbajti edhe një fjalim mjaft prekës dhe emocionues.[3] Pa hyrë në të dhëna biobibliografike as për Fishtën dhe as për Riza Pashën, sepse përveç që janë të njohura këto, konsiderojmë se deri tek këto të dhëna lexuesi dhe të interesuarit e tjerë mund të vijnë shumë lehtë, qoftë edhe përmes kërkimeve nëpër faqe të internetit, përveç të tjerash. Këtu nuk duam të vëmë në spikamë as raportet e At Fishtës me mbrojtësin e Shkodrës, Hasan Riza Pashën ose me ndonjë personalitet tjetër. Por këtu po sjellim një letër që At Fishta e kishte dërguar nga Stambolli më 1931, ku po qëndronte atje si i deleguar i Shqipërisë bashkë me Mehmet Konicën në Konferencën e dytë për krijimin e zonës së paqes dhe për mbrojtjen dhe të drejtën e pakicave në vendet ballkanike. Sado që mund të thuhet se, kjo letër është e njohur për lexuesin, mendoj së risjellja edhe njëherë e kësaj letre, do të ishte me interes. Prandaj, për këtë arsye, këtë letër e risjellim edhe një herë për të parë se si rrodhën punimet e Konferencës, si e pa Gjergj Fishta mikpritjen e turqve, çfarë përshtypje i bënë muzetë dhe pallatet e ndryshme në Stamboll, si u mahnit me dorëshkrimet dhe bukuritë e Mushafëve që i pa etj. Për hir të korrektësisë, letrën po e risjellim edhe njëherë ashtu siç është edhe e botuar.
Rrethanat në të cilat u shkrua kjo letër Qeveria e atëhershme shqiptare, për të mbrojtur interesat e vendit, mori pjesë në disa konferenca ballkanike në vitet 1930-1933, nën kujdesin e Francës, ku merrnin pjesë dhe përfaqësues të Lidhjeve të Kombeve. Në këto takime ndërkombëtare, flitej për krijimin e zonës së paqes në Ballkan si dhe mbrojtjen e të drejtën e pakicave në këto vende. Në fund të vitit 1930, konferenca qe mbajtur në Athinë, Shqipëria qe përfaqësuar nga At Fishta dhe Mehmet Konica. Konferenca e dytë qe mbajtur në Stamboll, në vitin 1931, ku të dërguarit të Shqipërisë, rishtas, qenë Gjergj Fishta dhe Mehmet Konica. Kjo Konferencë, sipas Fishtës, qe e organizuar shumë më mirë se ajo e Athinës. Konferenca qe hapur nga Presidenti i Turqisë, Hasan Begu, fjalën e kishte mbajtur dhe Kryeministri i Turqisë, Ismet Pasha. Fishta, në letrën e tij nga Stambolli të dt. 20 X. 1931, drejtuar provincialit, Pal Dodaj në mes tjerash shkruan:
I dashtuni Provinçijal, Stamboll, 20. X. 1931. “Sot me 10 paradite u çil Konferenca Balkanike në salon të Cermonivet të “ Dolmabahçe”- Pallati i Mretenvet. Mbasdite filluem veprimin Komisjonet në “ Yldiz”- në pallat ku Abdyl Hamidi pat prit Guljemin e Alemanjes! Turqit na kanë prit me “salltanet” të madh e fort bujarisht-me u kalue grekve. Konferencen e çili Kryetari, Hasan Begu, e posë Kryetarësh të Dergatavet, foli edhe Ismet Pasha, Kryeministri i Turkisë. Kje në mbledhje edhe Ministri i P. Jashtme. Jugoslavët u deklaruan kundra çështjes së pakicave; ndërsa tjerët- mos tjetër me fjalë- folën në favor të bisedimit mbi pakicat. Ndër kto dy a tri dit, ndoshta, ka me na ra me u terhjekë prej Konferencet. Nuk gjejë me t’a përshkrue madhnin, e sa, ma mirë me thanë: La sontuosita të “Dolmabahçes” e të “Yldizit”. Saloni i Konferencës ishte me të lanë pa mend. Me pa vetëm “lampadarit”! Mandej shkallët me parmakë kristalit etj. Gja qi përnjimend me të çuditë. Sod, 21, kemi pasë luftë me Jugoslav në komisionin politik. Mehmet Konitza asht sha keqas me Kryetarin e Derergatës Jugoslave e me nji farë Topaloviç…. Joviç, Kryetari i Dergatës Jugoslave, i paska thanë Konitzës, se asht i shtim prej dikujt tjetër me prish Konferencën. Konitza i paska përmendë punët, qi Jugoslavët kan ba e bajnë mbi Shqyptarë të Kosovës, dhe e paska quejtë barbar. Asht ba kaq poterë mbrendë, sa Kryetarit të Konferencës i asht dashtë me pezullu mbledhjen. Mbasi u hap mbledhja rishtas, Konitza deklaroi, se, po s’i muarën Jugoslavët fjalët mbrapa, Dërgata shqiptare do t’a linte Konferencën. Edhe Jugoslavët, tue skuzue, mueren, mbrapa fjalët e fyeshme. Nji heri edhe në Komision t’ Afrimit Intelektual u zuen keqas bulgarë e jugoslav. Grekët, rumunët, turqit, e na lypin, qi çashtja e pakicave të rregullohet në ket Konferencë, edhe qi kjo çashtje të përmendet në pakt të Federatës Ballkanike. Jugoslavët janë kundra, ndërsa bulgarët pranojnë qi kjo çashtje të shtyhet deri sot nji vjetë! Me 23 ashtë mbledhja e përgjithshme: pale se si po dahëna. Shpensohet se ka me u gjetë ndonji formulë afrimi. Po s’kjemë të ngushtuam me 23 me lanë Konferencën, sigurisht kemi me shkue n’Angara; pre ashtu e lypë nji punë, e cila s’kallxohet me letër; por qi në vedvedi ka nji randësi mjaft relative. Sot kemi vizitue S. Sofia, xhamin “blu” e xhamin Sylejmanije, për të cilat mund të thohet se janë pernjimend të bukura. Sh. Sofija asht nji mrekulli arti e madhnije. Jam bin kur e kam pa. Dje, masandej patëm vizitue muzejt e Stambollit, visaret e Mbretënvet e muzeun e dorëshkrimevet të Koranit- me sa tri mij. Sarkofagu i Lekës së Madhë asht nji mrekulli skulpture. E shka asht për t’u çuditë, se shumica e luftravet, ndër “bassoriljevi” m’ katër anët, bashin për rreth kres nji shall krejt si malcorët t’onë! Më kan ba përshtypje të madhe edhe miniaturat mbi dorëshkrime të Koranit, si për shumicë si për bukuri. Sa për visare të Mbretenvet asht kot me i a nisë me folë. Mjaft “i vasi”, qi u a kalojnë atyne të Vatikanit në daç për numër, në daç për vlerë; se për gur të pa çmueshëm, enë e sende arit, pushkë e shpata të prarueme etr. etr, s’t’i shef syni kurrkund njëti. Ndër ato visare gjinden edhe kryet e krahi i Sh. Gjonit Pagzues veshë n’ari e në gur të paçmueshëm. Sende me të lanë pa mend. Për me pas nji ide për shka asht Yildizi, asht mjaft me të thanë, se në gjithë Shqypnin- a ma në gjith Shqypnin – s’e ke nji salon ma të bukur se oda e “Ypsilonit”… e Yildizit, e kta në kat të poshtër. Sonde na ka qitë nji kafe Universiteti. Na kishim ndejë në paradë kund nja nji mijë boiskaut(?), ndër të cilët kishte ken rreshtue edhe nji çetë varzash 16- 17 vjetshe e edhe ma të msha- në Stambollë! S’shifet burrë me fes në krye as grue e mertisun. Der më sod kam pa veç nji hoxhë me çallme, por kishte edhe gjyzlykët… Ndryshimi prej kohës së kaluese asht kolosal. U kënaqa tue pa- të thuesh- me qindra vaporresh kahë shkojnë e vijnë nëpër Bosfor. U falem me shëndet të gjithëve. / KultPlus.com
80 vjet më parë u shua poeti që për së gjalli hyri në historinë e letërsisë shqipe, shkruan KultPlus.
Vepra e tij e bëri të pavdekshme gegnishten, të cilën me aq dashuri e ka shkruar. Si krijues Fishta, në radhë të parë ishte poet. Përkushtimin më të madh e pati ndaj “Lahutës së Malësisë”, veprës së jetës, që i kushtoi 40 vjet punë.
Fishta lindi në fshatin e vogël Fishtë të Zadrimës më 23 tetor 1871. Jetën e filloi si barì. Por shumë shpejt , kur ishte 6-vjeçar zgjuarsia e tij i bie në sy famulltarit të fshatit, i cili e dërgon Fishtën në Seminarin Françeskan të Shkodrës.
Më 1880, kur hapet seminari në Troshan, ai vijon në këtë shkollë. Këtu ai shfaqi trillin poetik. Më 1886 dërgohet për studime në Bosnjë. Vitin e parë e kaloi në Guçjagorë afër Travanikut. Mësimet filozofike i mori në kuvendin e Sutidkës, ndërsa ato teologjike në kuvendin e Livnos. Të kësaj kohe janë edhe “Ushtrimet e para poetike”.
Më 1893 i kreu studimet shkëlqyeshëm. I formuar në periudhën e Rilindjes sonë kombëtare, poeti ynë Gjergj Fishta është një nga vazhduesit më autentikë dhe të drejtpërdrejtë të saj, shprehës i idealeve atdhetare dhe demokratike në kushtet e reja që u krijuan në shekullin e njëzetë. Mënyrat e pasqyrimit të jetës, në krijimtarinë e tij, janë vazhdim i natyrshëm i teknikës letrare të Rilindjes, ku mbizotëron romantizmi, realizmi dhe klasicizmi.
Deri më, 1899 Fishta shkruajti në alfabetin shqip të françeskanëve.,
Poezinë e parë Fishta e botoi në “Albania”, më 1899, me pseudonimin “E popullit”. Gjatë veprimtarisë së dendur botuese, e cila, përveçse në librat u publikua edhe në 15 gazeta e revista të kohës brenda edhe jashtë vendit, veprimtaria e tij përfshin 40 vjet të jetës, ai përdori 24 pseudonime.
Tonet e madhërishme heroike, burimësia e papërsëritshme e përfytyrimeve, shqiptarësia në dhënien e mjediseve, heronjve, rrethanave që kanë bërë që Fishta, si epik të quhej “Homer i Shqipërisë”.
Ndërthurjet e ndryshme të mitologjisë me realitetin, ashpërsia e stilit , mendimi i fuqishëm filozofik, dramaciteti i veprës kanë bërë që Fishta të krahasohet në këtë lëmë me Gëten e Danten.
Vdiq më, 30 dhjetor të vitit 1940 në spitalin civil të Shkodrës./KultPlus.com
Nikoll Prendi është ‘ fëmija- gjeni’ nga fshati Balldre i Lezhës i cili ka aftësi të jashtëzakonshme.
Vogëlushi 8-vjeçar arrin të recitojë mijëra vargje të At Gjergj Fishtës, pa ndaluar aspak.
Në një intervistë në ‘Rreze Dielli’ Nikolla tregoi se kur u njoh për herë të parë me vargjet e Fishtës, të cilat i pëlqyen aq shumë sa i mësoi përmendësh.
’ Kur kam qenë katër vjeç pash në televizor xhaxhin Agim Doçi, po recitonte një poezi të At Gjergj Fishtës. Unë e pëlqeva shumë dhe kur hyra në klasë të parë që mësova alfabetin, i thashë babit të më blente të gjitha librat e At Gjergj Fishtës dhe e mësova ‘’ tha ai.
‘’ Më pëlqen se gjërat që i ka thënë ai në atë kohë po ndodhin edhe sot’’ u shpreh 8-vjeçari ndër të tjera.
Së fundmi ai është vlerësuar edhe nga ministria e kulturës me çmimin ‘’ Për dhunti të jashtëzakonshme në rrëfimin e vargjeve të poetit kombëtar At Gjergj Fishta’./shqiptarja/ KultPlus.com
Biblioteka Kombëtare e Kosovës do t’i hapë dyert nesër për një ekspozitë krejtësisht të veçantë, shkruan KultPlus.
“Për Atmé e fé Gjergj Fishta” quhet ekspozita e cila do të shpalos libra e artikuj që gjenden në koleksionet e BKK-së dhe dorëshkrime të papublikuara deri më tani për Gjergj Fishtën.
Ekspozita hapet më datë 30 dhjetor, në ora 11:00 dhe do të mbyllet më 11 janar 2021.
Veprimtaria do të mbahet duke respektuar masat mbrojtëse kundër Covid-19. / KultPlus.com
Ishte data 5 dhjetor e vitit 1916 kur Gjergj Fishta botoi gazetën “Posta e Shqypniës”.
Gazeta e cila do të publikohej deri në nëntor 1918. Ishte një botim i përbashkët i Kuvendit të Françeskanëve dhe Komandës së Trupave Austriake të vendosura në Shkodër gjatë Luftës së Parë Botërore.
Në numrin e parë të të kësaj gazete shënohej: “Fletorja del për gjith t’mërrkurrë e t’shtundë. Drejtimi, mbarështimi e shtypshkrimi: Shkodër, Kuvendi i Françiskajve”. Ky organ shtypi pati një rëndësi të madhe në formimin e ndërgjegjes kombëtare shqiptare, gjatë Luftës së Parë Botërore. Në të krahas trajtesave politike të lajmeve të kohës u trajtuan dhe mjaft probleme gjuhësore, folklorike, historike etj. Në këtë gazetë artikuj të trajtuar në dy gjuhë mbanin firmat e filologëve të shquar të kohës, austriakë dhe shqiptarë. /dp/ KultPlus.com
Porsi kanga e zogut t’verës, qi vallzon n’blerim të prillit; porsi i ambli flladi i erës, qi lmon gjit e drandofillit; porsi vala e bregut t’detit, porsi gjâma e rrfès zhgjetare, porsi ushtima e nji tërmetit, ngjashtu â’ gjuha e jonë shqyptare.
Ah! po; â’ e ambël fjala e sajë, porsi gjumi m’nji kërthi, porsi drita plot uzdajë, porsi gazi i pamashtri; edhè ndihet tue kumbue; porsi fleta e Kerubinit, ka’i bien qiellvet tue flutrue n’t’zjarrtat valle t’amëshimit.
Pra, mallkue njai bir Shqyptari, qi këtë gjuhë të Perëndis’, trashigim, që na la i Pari, trashigim s’ia len ai fmis; edhe atij iu thaftë, po, goja, që përbuzë këtë gjuhë hyjnore; qi n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja, flet e t’veten e lèn mbas dore.
Në gjuhë shqype nanat tona qi prej djepit na kanë thânun, se asht një Zot, qi do ta dona; njatë, qi jetën na ka dhânun; edhe shqyp na thanë se Zoti për shqyptarë Shqypninë e fali, se sa t’enden stina e moti, do ta gzojn kta djalë mbas djali.
Shqyp na vete, po pik’ mâ para, n’agim t’jetës kur kemi shkue, tue ndjekë flutra nëpër ara, shqyp mâ s’pari kemi kndue: kemi kndue, po armët besnike, qi flakue kanë n’dorë t’shqyptarëvet, kah kanë dekë kta për dhè të’t’Parvet.
Në këtë gjuhë edhe njai Leka, qi’i rruzllim mbretnin s’i a, xûni, në këtë gjuhë edhe Kastriota u pat folë njatyne ushtrive, qi sa t’drisë e diellit rrota, kanë me kênë ndera e trimnive.
Pra, shqyptarë çdo fès qi t’jini, gegë e toskë, malci e qyteta, gjuhën t’uej kurr mos ta lini, mos ta lini sa t’jetë jeta, por për tê gjithmonë punoni; pse, sa t’mbani gjuhën t’uej, fisi juej, vendi e zakoni kanë me u mbajtë larg kambës s’huej,
Nper gjuhë shqype bota mbarë ka me ju njohtë se ç’fis ju kini, ka me ju njohtë për shqyptarë; trimi n’za, sikurse jini. Prandaj, pra, n’e doni fisin, mali, bregu edhe Malcija prej njaj goje sod t’brohrisim: Me gjuhë t’veten rrnoftë Shqypnia!/ KultPlus.com
Sot doli nga botimi numri i tretë i revistës vjetore letrare Fryma, revistë që udhëhiqet nga studentët e Fakultetit të Filologjisë dhe krijohet me shkrimet e tyre.
Ky numër i revistës i përkushtohet autorit të madh shqiptar Át Gjergj Fishtës, për nder të 80-vjetorit të vdekjes së tij.
Kjo revistë iu jep hapësirë të gjithë studentëve që merren me shkrime të dalin para lexuesit me punime të ndryshme.
Revista përmban recensione, poezi, prozë e përkthime, si format në të cilat kanë punuar më shumë studentët.
Këtë vit revista udhëhiqet nga:
Kryeredaktore: Eriola Çoçaj
Redaktore: Rrezarta Morina, Leonora Hajra, Laura Haradinaj
Pas më shumë se 72 vitesh, kohë ku regjimi diktatorial ndaloi së lexuari krijimtarinë e shumë autorëve si të At Gjergj Fishtës, Faik Konicës, Martin Camajt dhe Ali Asllani, artistët e mirënjohur të skenës shqiptare i risollën për publikun në një formë tejet të veçantë.
Germa “R”, ajo që damkoste librat, bashkoi artistët më të njohur si Roza Anagnosti, Ndriçim Xhepa, Luiza Xhuvani dhe Kristian Koroveshi tek instalacioni “Reja”, një aktivitet edhe në në kuadër të 100-vjetorit të Bibliotekës Kombëtare. Duke respektuar masat antiCOVID, ata interpretuan vargjet e ndaluara nga regjimi komunist.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti e pranishme në këtë aktivitet u shpreh se pas dekadash, këto libra çlirohen nën tingujt e kësaj Reje. Sipas saj, këta libra, kthehen nga të ndalur në një ndalesë.
Drejtori I Bibliotekës Kombëtare, Piro Misha shprehet se eventi dëshmon ato peripeci që kemi përjetuar shumë prej nesh. Por, tha ai, nuk janë vetëm këta autorë, janë shumë të tjetër të cilët edhe u burgosën. Janë autorë që thjesht për një lidhje familjare me dikë të padëshiruar nga partia e Punës i ndërpritej veprimtaria letrare”, u shpreh Piro Misha./atsh/ KultPlus.com
Njëri nga pjesëmarrësit e Kongresit të Manastirit, At Gjergj Fishta, pati ndikim të fuqishëm në unifikimin e alfabetit të shqipes, të cilin e përdorim tash e mbi 100 vjet.
Sot është Dita e Alfabetit të Shqipes. At Fishta duke e rikujtuar atë ditë, shkruante:
“Ishim nga të gjitha skajet e Shqipnisë dhe të kolonive shqiptare ndër dhena të hueja. U treguam me të vertet shqiptar sepse kurnjani nuk donte me i lëshue asnji fije penit nga mendimi i vet atij tjetrit. Kongresi duhej të shpërndahej pa marrë kurrnji vendim.
– U terbova nga inati, U çova në kambë e u fola: – O burra shqyptarë po a me të vërtetë do t’i lamë marre vedit para të gjithë botës?
– Po a mendoni ndopak se çka do t’u thomi shqyptarëve kur të na pvesin se çka keni ba ju dijetarët atje në Manastir?
– Çka do t’u thomi na njerzve të pashkollë që nuk dijnë as me shkrue as me këndue?… Na jemi që mendojmë me ba Shqypninë e si do ta bajmë atë kur na nuk duem me u marrë vesht ndërmjet vedit se si duhet me u shkrue germa A e ajo I?
– Burra po u flas me zemër në dorë se asht marre e turp e faqe e zezë me i lanë marre vedit para popullit shqyptar e para tanë botës, që pret dishka prej nesh e na të kthejmë pa kurrgja në dorë ndër shpija tona.
– Po ulnju burra, ulnju sheshit e pse të kalojmë edhe nji ditë ma shumë në kët vend, mos ta lamë duerbosh popullin që na pret!…
– Aferim! P.Gjergj!… Aferim të kjoftë, . bërtiti më të madhë një hoxhë me mjekërr. Ai u çue në kambë e e erdh drejt te un, e më puthi në ballë e më tha: – Kështu flet shqiptari që e di që asht shqiptar!…
Ulnju burra, – u tha, – ulnju këtu në shesh të zgjedhim një komisjon e në krye të vemë Pader Gjergj Fishten e vetëm komisjoni do të caktojë se shka duhet të bajmë sot-për të mirën e popullit shqiptar neser…
Fjala e tij u ndigjue me duartrokitje e më caktuen Kryetar të Komisionit të Kongresit të Manastirit, i cili do të delte bosh sikur mos të isjte tregue toleranca e eme që të pranojshm dy alfabete njiherit, atë të Stambollit që kërkonte Mit’hat Frashëri dhe kët që u vendos.
Kjo sjellje e eme në Kongres të Manastirit më ka kushtue mjaft shterjt në jëtë sepse Abat Doçi, të cilin un e përfaqsova në atë Kongres m’u idhnue e kur u ktheva më tha :Pater Gjergj, un të kam dijtë si nieri që nuk ban kompromis në jetë! …
Fishta, i lindur më 1871, ishte frat, shkrimtar (poet e prozator), përkthyes, publiçist, arsimtar, estet, piktor (jo profesionist, mendohet të ketë mbi 20 piktura) deputet, anëtar i Akademisë Italiane të Shkencave dhe mbrojtës i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Për gjysmë shekulli ishte figura mbizotëruese e letërsisë shqipe, madje që kur ishte gjallë u kurorëzua “poet kombëtar”. Pas vitit 1945, kur u vendos regjimi komunist, vepra e Fishtës u ndalua dhe qëndroi e tillë derisa u përmbys diktatura komuniste. Një incizim në Youtube e tregon zërin origjinal të Fishtës duke lexuar nga “Lahuta e Malcis”, shkruan KultPlus.
Më 1907 boton përmbledhjen satirike “Anzat e Parnasit”, dhe më 1909 përmbledhjen lirike “Pika voëset”, më 1913 “Mrizi i Zanave”. Gjergj Fishta veç krijimtarisë artistike, shkëlqeu edhe në fushën e pedagogjisë e të psikologjisë sociale, gjuhësisë etj. Si mendimtar me potencial të madh teorik dhe me një veprimtari të dendur praktike, në shërbim të mbrojtjes dhe të zhvillimit të gjuhës dhe të shkollës shqipe, ai i kishte vënë vetes si qëllim që të luftojë për të ngritur nivelin kulturor e arsimor të bashkëkombësve dhe për të nxitur tek ata dëshirën për përparim dhe për atdhedashuri, si dy shtylla qe do t’i ndihmonin për të mbajtur në këmbë shoqërinë shqiptare të goditur nga pushteti disashekullorë otoman. / KultPlus.com
Sot në 149-vjetorin e lindjes At Gjergj Fishtën, një nga figurat më të ndritura dhe më mbizotëruese të letërsisë shqipe, vajza e Dritëro Agollit, Elona Agolli ka ndarë me ndjekësit e saj disa dorëshkrime të Dritëroit për Fishtën.
Ndër të tjera, Dritëroi kishte shkruar në vitin 2001 se vepra e Fishtës është një dokument kulture, siç është edhe Kanuni i Lekë Dukagjinit. Ndërsa e përfundoi shkrimin duke shkruar: Ky Hektor i mungon Fishtës për të qenë Homer…
Ky është shkrimi i plotë i Dritëroit:
Vepra e Fishtës është një dokument kulture, siç është edhe Kanuni i Lekë Dukagjinit . Të dy këto dokumente janë pranë e pranë. Ndërsa Kanuni është një Kushtetutë e mesjetës shqiptare, vepra e Fishtës është një hymn i primitivitetit shqiptar, i mesjetës me tërësinë e zakoneve dhe konstitucionit shpirtëror. Fishta e quante Evropën “ kurva e motit” jo vetëm se ishte fajtore e copëtimit të Shqipërisë, por edhe se po prishte jetën baritore primitive të shqiptarëve . Është e çuditshme se Naim Frashëri, shumë kohë para se Fishta të thoshte “Evropa kurva e motit”, pohonte se “dielli lind nga perëndon”, domethënë nga Evropa. Pra, Fishta Evropën e quan “kurvë” , Naimi e quan “ të dashur”. Po ta kini vënë re, shumë vjet më parë, fshatarët, vajzat e dashuruara me djemtë ndër qytetet e Evropës i shikonin me dyshim dhe iu dukeshin si çupa të përdala. Fishta, këtë mendim të fshatarit primitiv këndon dhe mburr. Dhe këtu qëndron edhe vlera e tij si letërsi. Homeri vërtet mburrte hovin primitiv të Akilit, por jepte edhe shpirtin delikat të Hektorit. Ky Hektor i mungon Fishtës për të qenë Homer…
Falë një investimi prej 5.5 milionë lekësh nga Ministria e Kulturës, shtëpia e At Gjergj Fishtës në fshatin Fishtë është shndërruar në një muze që rrit atraksionin turistik në të gjithë zonën. Shtëpia e rinovuar u përurua ditën e sotme gjatë një vizite të Kryeministrit Rama.
Objekti i rikthyer në identitet është shtëpia ku autori i “Lahutës së Malësisë”, një prej penave dhe Rilindasve më të shkëlqyer që ka nxjerrë Shqipëria kaloi vitet e tij të rinisë. Për hërë të parë, shtëpia u shpall monument kulture në vitin 2008, por asnjëherë në të nuk ishte vënë dorë, duke bërë që ajo të degradonte deri në pikën që të rrezikonte shkatërrimin e plotë.Për fat të keq, shtëpia ku Ati lindi tashmë nuk ekziston më. Godina u shpall monument kulture në vitin 1991, por në 1994-n u shemb përfundimisht. Në atë vend mendohet të ngrihet një shesh dhe një monument përkujtimor për veprën dhe jetën e Gjergj Fishtës.
Rindërtimi i shtëpisë ku Fishta kaloi fëmijërinë e tij është vetëm një ndër hallkat e projektit “Gjurmët Fishtiane”, që synon të nxjerrë nga harresa të gjithë vendet ku Rilindasi kaloi etapat e jetës së tij. Midis ndërhyrjeve të studiuara është famullia e Troshanit, vendi ku u zbulua në moshën 6-vjeçare talenti i tij i jashtëzakonshëm dhe shkolla françeskane në Shkodër, aty ku Gjergji mori formimin e tij të parë. Një fond i posaçëm pritet t’i dedikohet restaurimit dhe pasurimit të bibliotekës brenda Kuvendit dedikuar figurës së Fishtës.
Një tjetër gjurmë fishtiane është Kuvendi i Troshanit, i inauguruar në vitin 1882, vendi ku Ati kthye në vendlindje si mësimdhënës. Brenda Kuvendi të Troshanit, i shpallur monument kulture shumë vonë, vetëm në vitin 2017, mendohet të krijohet një kënd unik dedikuar Fishtës. Një tjetër propozim i përket restaurimit dhe muzealizimit të selisë së shoqërisë “Bashkimi”, që bashkoi së bashku me Fishtën edhe personalitete të shkëlqyera si Luigj Gurakuqi, Dom Ndoc Nikaj, Atë Ambroz Marlaska, Franc Baron Nopça, etj.
Në shoqërinë “Bashkimi”, Fishta mori pjesë aktivisht në të gjithë botimet e shoqërisë, duke nisur nga Abetarja, librat e këndimit dhe deri tek përpilimi i një fjalori të vyer të gjuhës shqipe. Shndërrimi në muze i kësaj godine, aktualisht gjysmë të rrënuar, në lagjen Sarreq të Shkodrës do t’i shtonte pas Marubit një tjetër muzeum me shumë vlera Shkodrës.
Të tjerë objekte ku mendohet të ndërhyhet për t’u përkujtuar jeta dhe vepra e Gjergj Fishtës janë Kisha famullitare e Dom Lleshit – Zoja Nunciatë, në Lezhë si dhe Kisha famullitare e Gomsiqes. Ekziston gjithashtu një propozim për të krijuar një kënd të ri dedikuar Fishtës edhe në godinën ku u mbajt Kongresi i Manastirit, në Maqedoni dhe ku Fishta, si përfaqësues i shoqërisë “Bashkimi” ligjëroi në mbështetje të një alfabeti latin.
Paralelisht, Ministria e Kulturës ka parashtruar edhe disa propozime të tjera, si ai për ngritjen e një faqe dixhitale që të përkujtojë jetën dhe krijimtarinë e At Gjergj Fishtës, nritja e një memoriali të bashkëjetesës fetare në Shkodër dhe në Tiranë, ku të citohen fjalët e Papa Françeskut në vizitën e tij në Shqipëri, kur tha se: “Në Shqipëri nuk ka bashkëjetesë fetare, por vëllazëri fetare” dhe ngritja e një busti në “Villa Borghese” në Romë, krahas autorëve të tjerë të famshëm si Gëte. Fshati Fishtë është gjithashtu një ndër përfituesit e programit të “100 fshatrave” turistikë. Këto do të ishin të paplota, nëse edhe fshati Fishtë nuk do t’i nënshtrohej një ndërhyrje të plotë dhe të gjithëanshme, si pjesë e projektit të “100 fshatrave”. / Koha Jone/ KultPlus.com
Nuk Din Shkjau Me Mbajtë Miqsí! Por, s’ din Shkjau me mbajtë miqsí! Aman, Zot, kur duel Serdari, Se ç’ kje ndezë Vranina zhari! Aman, Zot, kur mrrîni Pera, Se shum krisi atbotë potera! Por kur rán Shkjét e Vraninës Shum u krisi plumja shpinës! Porsi shé, qi m’ nji natë gjâmet Rritet turr e del prej âmet Tuj ushtue – e tue shkumue, Shkaperderdhet nper zallina, Ashtû u derdh Shkjau te Vranina, N’ valë Shqyptarët krejt tue i pershî. S’ lufton ndryshe e rrebtë kulshetra E me dhâmbë edhè me kthetra, Zjarm e surfull tue flakrue, Kur drangojt t’ a kenë rrethue; Si i qindron sod Shkjaut Shqyptari Per dhé t’ amel, qi i la i Pari: Kâmbë per kâmbë, tuj qitë pá dá, Tue korrë krena neper Shkjá. U janë ndezun flakë breshânat, U kullojn gjak n’ dorë tagânat, E u kullon gjak edhè zêmra, Veç se vendit s’ u lot thêmra. Por ç’ dobí: dielli tue lé Isht’ tue lé m’ at ditë per Shkjé! – I rán ndore Shkjaut t’ terbuem Tridhjetë t’ vrám e dhetë t’ shituem!… O ata t’ lumt, qi dhane jeten, O ata t’ lumt, qi shkrîne veten, Qi per Mbret e vend të t’ Parve, Qi per erz e nderë t’ Shqyptarve Derdhen gjakun tuj luftue, Porsi t’ Parët u pa’n punue! Letë u kjoftë mbí vorr ledina, Butë u kjoshin moti e stina, Aklli, bora e serotina: E dér t’ kndoje n’ mal ndo ‘i Zânë, E dér t’ ketë n’ dét ujë e rânë, Dér sá t’ shndrisin diell e hânë, Ata kurr mos u harrojshin, N’ kângë e n’ valle por u kndojshin. / KultPlus.com
Më 11 tetor të vitit 1913, në Shkodër u botua nga At Gjergj Fishta, revista “Hylli i Dritës”. E botuar dhe e qarkulluar nga “Nikaj Press”, revista u mbështet nga një figurë e shquar si Luigj Gurakuqi. Pas shpërthimit të Luftës së Parë Botërore në vitin 1914, botimi dhe qarkullimi i saj u ndalua nga austriakët, sepse revista promovonte interesat shqiptare.
“Hylli i Dritës” ka qenë e para revistë e botuar në Shqipëri, me një program të qartë atdhetar, politik e kulturor, dhe që u bë shprehja më e pastër e intelektualëve katolikë dhe e kryesisë së Provincës Françeskane në Shqipërí, përfaqësuesit e së cilës qenë jo vetëm drejtori i saj Át Gjergj Fishta, por një plejadë e tërë letrarësh, gjuhëtarësh, folkloristësh dhe ekonomistësh të nderuar.
Revista u bë shprehësja kryesore e aspiratave të elitës shqiptare për pavarësi, demokraci e kulturë perëndimore. Kjo revistë ka në themel veprën e përkushtimin e paharrueshëm të françeskanëve shqiptarë ndër të cilët ndrin emri i Atë Gjergj Fishtës.
Që në editorialet e para, ai u drejtohej bashkëkombësve “se kur flasim për ekzistencën e Shqipnisë na e nënkuptojmë gjithmonë si Shtet të qytetnuem dhe europian”.
Te historia e “Hyllit të Dritës” janë të shprehura të gjitha shpresat dhe zhgënjimet, ulje-ngritjet shqiptare dhe shumëçka tjetër që ka lënë gjurmë të kundërtash përgjatë një shekulli.
Sot mund ta themi që te kjo revistë e konfirmuar si institucion kulturor, shqiptarët kanë shprehur maksimumin e energjive të veta mendore, si asnjëherë tjetër, si askund tjetër.
“Hylli” vuri bazat për një sërë studimesh, si ato albanologjike, letrare, etnografike, folklorike, pedagogjike e nxorri në pah gjithë atë pasuri shpirtërore që kishte mbetur e pacenuar nga nata otomane.
Në vitin 1944 fillon heshtja e gjatë. Një nga aktet e para të qeverisë së Tiranës ishte mbyllja e kësaj reviste si “përfaqësuese e reaksionit”, si dhe dënimi me vdekje e burg i drejtuesve të saj, si At Gjon Shllaku, At Anton Harapi, At Benardin Palaj, At Donat Kurti e shumë të tjerë, si dhe vjedhja e trashëgimisë së saj arkivore nga shteti komunist.
Periudha e rilindjes së Hyllit fillon pak vite pas rënies së diktaturës, pikërisht në vitin 1993. Këto vite kanë shenjën e “fratit të kujtimeve” Atë Zef Pllumi “ideologut shqiptar të lirisë kundër tiranisë”.
Qasja ndaj lirisë, edukata demokratike, gjuha e komunikimit me Europën, rreziku i tribalizmit dhe autoritarizmit, por edhe plotësimi i sistemit të gjymtuar kulturor, “ringjallja së vdekurish”, qasjet moderne e pa ngarkesa ideologjike që e shihnin letërsinë dhe historinë “si të tillë”, ishin disa prej motiveve të grupit themelues që rilindën “Hyllin”.
Në metropolin postkomunist plot me kioska, që i ngjante një ngrehine pa shpirt në çoroditje e rendje pas fitimit të shpejtë, do të gjindej kjo çetë intelektualësh që do të grumbulloheshin rreth “Hyllit” në kërkim rrënjësh, në pasqyrim tradite, në rizbulim të identitetit europian të mbuluar nga ideologji e trashëgimi të tjera qytetërimore..
“Hylli”, në sintoni me traditën e vet të hershme, u shfaq gjatë tranzicionit si zëdhënëse e mendimit demokratik perëndimor në Shqipëri.
Numrin e parë të revistës mund ta lexoni në linkun më poshtë. / KultPlus.com
Poeti kombëtar Gjergj Fishta shkoi në një konferencë shkrimtarësh në Romë.
Në konferencë merrte pjesë edhe një shkrimtar serb, i cili në një libër të tij kishte shkruajtur se shqiptarët janë me bisht. Kur të gjithë u ulën për te filluar konferencën, Fishta ndenji në kembë.
– Zotëri, a nuk keni karrigë? – e pyeti drejtuesi i seancës. – Karrigën e kam, por nuk ka vrimë ku të fus bishtin, – u pergjigj Fishta. – Cilin bisht? – e pyeti i habitur drejtuesi i seancës. – Bishtin që kemi ne shqiptarët për të cilin ka shkruajtur ky shkrimtari sërb, – tha Gjergji duke shenjuar serbin. – Ju lutem zotëri, mos bëni shaka! – foli përsëri drejtuesi. – Nuk po bëj aspak shaka, – u përgjigj Fishta, – sepse sërbi, o do të gjejë bishtin shqiptarëve për të cilin ka shkruajtur, o të dalë përjashta i turpëruar.
Shkrimtari sërb nuk e zgjati, por kokulur dhe i mbuluar me turp, doli nga salla. / KultPlus.com
Profesori Universitar, Flamur Maloku ka botuar librin më të ri studimor mbi poetin kombëtar, gegun e paharrueshëm, Gjergj Fishtën, përcjellë KultPlus.
Botuesi Behar Gjoka ka vlerësuar se ky libër e kthen vëmendjen nga vlerat e përjashtuara nga panteoni i letrave shqipe.
“Libri “Fishta-dhe tradita e leximit”, i autorit Flamur Maloku, të cilin pata kënaqësinë ta botoj, kthen vëmendjen nga vlerat e përjashtuara nga panteoni i letrave shqipe, së paku në Shqipni”, shprehet Gjoka.
Ky libër është botuar në Qendrën e Shqiptare të Studimeve Letrare “Pjetër Budi”, Tiranë dhe është vepra e 9-të e autorit Flamur Maloku. / KultPlus.com
Shtëpia e Homerit shqiptar, At Gjergj Fishta është drejt përfundimit. Ministrja e Kulturës Elva Margariti tha sot se punimet e nisura në 17 qershor të këtij viti janë drejt përfundimit.
Ishte 23 tetor i vitit 2019, kur në ditën e lindjes së poetit tonë të madh, Homerit shqiptar, At Gjergj Fishta, u premtua se do të restauronim shtëpinë, ku ai jetoi për pak kohë, në Fishtë.
Margariti shton se “punimet restauruese po i përmbahen konfiguracionit origjinal të ndërtesës, në të gjithë elementët e saj, në dyer, dritare, dysheme, tavane druri, shkallë, parmakë, çati”.
“Por ky është vetëm një stacion i jetës së Fishtës. Do të vijojmë punën me të tjera objekte e pika ndalese, që përbëjnë atë që ne e kemi quajtur “Itinerari Fishtian”, një rrugëtim fizik dhe shpirtëror në jetën e një prej njerëzve më të mëdhenj të letrave shqipe”, shprehet ajo. /Atsh /KultPlus.com
Porsi kanga e zogut t’verës, qi vallzon n’blerim të prillit; porsi i ambli flladi i erës, qi lmon gjit e drandofillit; porsi vala e bregut t’detit, porsi gjâma e rrfès zhgjetare, porsi ushtima e nji tërmetit, ngjashtu â’ gjuha e jonë shqyptare.
Ah! po; â’ e ambël fjala e sajë, porsi gjumi m’nji kërthi, porsi drita plot uzdajë, porsi gazi i pamashtri; edhè ndihet tue kumbue; porsi fleta e Kerubinit, ka’i bien qiellvet tue flutrue n’t’zjarrtat valle t’amëshimit.
Pra, mallkue njai bir Shqyptari, qi këtë gjuhë të Perëndis’, trashigim, që na la i Pari, trashigim s’ia len ai fmis; edhe atij iu thaftë, po, goja, që përbuzë këtë gjuhë hyjnore; qi n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja, flet e t’veten e lèn mbas dore.
Në gjuhë shqype nanat tona qi prej djepit na kanë thânun, se asht një Zot, qi do ta dona; njatë, qi jetën na ka dhânun; edhe shqyp na thanë se Zoti për shqyptarë Shqypninë e fali, se sa t’enden stina e moti, do ta gzojn kta djalë mbas djali.
Shqyp na vete, po pik’ mâ para, n’agim t’jetës kur kemi shkue, tue ndjekë flutra nëpër ara, shqyp mâ s’pari kemi kndue: kemi kndue, po armët besnike, qi flakue kanë n’dorë t’shqyptarëvet, kah kanë dekë kta për dhè të’t’Parvet.
Në këtë gjuhë edhe njai Leka, qi’i rruzllim mbretnin s’i a, xûni, në këtë gjuhë edhe Kastriota u pat folë njatyne ushtrive, qi sa t’drisë e diellit rrota, kanë me kênë ndera e trimnive.
Pra, shqyptarë çdo fès qi t’jini, gegë e toskë, malci e qyteta, gjuhën t’uej kurr mos ta lini, mos ta lini sa t’jetë jeta, por për tê gjithmonë punoni; pse, sa t’mbani gjuhën t’uej, fisi juej, vendi e zakoni kanë me u mbajtë larg kambës s’huej,
Nper gjuhë shqype bota mbarë ka me ju njohtë se ç’fis ju kini, ka me ju njohtë për shqyptarë; trimi n’za, sikurse jini.
Prandaj, pra, n’e doni fisin, mali, bregu edhe Malcija prej njaj goje sod t’brohrisim: Me gjuhë t’veten rrnoftë Shqypnia! / KultPlus.com
Jeta e përparimi i një shteti janë të bazueme: a) mbi pavarësinë politike, b) mbi lirinë e qetësinë e përmbrendshme, c) mbi ekonominë, d) kulturën dhe e) moralin.
Shteti, për me jetue e me përparue, ma parë duhet që te ekzistojë individualisht, duem me thanë. T’i ketë kufijtë e vet të caktuam e mbas pozicionit gjeografik.
Pa liri, s’ka qetësi të përmbrendëshme; e pa qetësi, si eksperiencë na mëson ne shqiptarëve, s’ka punë, s’ka përparim, e shteti s’mundet me pasë jete të gjatë. Tue qenë se qëllimi i imediat i shteteve të qytetnueme asht përmirësimi i gjendjes së njeriut mbi tokë, ma parë në pikëpamje të jetës së tij fizike e masnadej të jetës intelektuale, merret vesh prej vetes, se, pa ekonomi, një shtet i qytetnuem s’mundet të jetojë, e me kohë, do të bahet rob i huaj.
Një komb nuk mundet me e mbajtë gjatë pavarësinë e vet ekonomike, pa të cilën, si thamë, s’mbahet as pavarësia politike, po qe që puna e tij nuk prodhon aq sa puna e atyne kombeve, me të cilat ky gjendet në të përpjekun. Por puna rrjedh prej idesë; prandaj një shtet i qytetnuem, për ne do me ruajtë pavarësinë e vet ekonomike, ai do të gjendet e, në mos qoftë, do të mundohet me u gjetë po në atë shkallë kulture, në të cilën gjenden shtetet me të cilat ky ka të marrun e të dhanun.
Çka asht gëlqerja për murin, ai asht morali për shoqninë njerëzore. Morali asht ai që e mban gjallë e të fuqishme ndihmën e huazesë (ndërsjellët), ndërmjet njeriut e njeriut e ndërmjet shtetit e shtetit, pa të cilën as njeriu, as shteti s’përparojnë e as me jetue gjatë s’mund të jetojnë. Qe, këto janë, mbas mendimit tonë, ata gurët e parë të themelit, mbi të cilën do të mbahet, do të zhvillimet e do të përparojë çdo shtet i qytetnuem. / KultPlus.com