“Bebëzat e Mallit”, ekspozita unike për fëmijët e vrarë gjatë luftës në Kosovë vjen më 19 dhjetor

 

Kujtimet e fëmijëve dhe për fëmijët në luftë ofrojnë një hapësirë në të cilën shumëllojshmëria e përvojave të luftës bëhet e dukshme dhe e prekshme për audiencën e gjerë popullore dhe burim për informim të diskutimeve publike rreth arkitekturës institucionale për rehabilitim, njohje, kompensim dhe memorializim. Bazuar në rrëfimet e librit të kujtimit “Fëmijëri të rrëmbyera”, të botuar në vitin 2022, Ministria e Drejtësisë, Integra, forumZFD programi në Kosovë dhe Qendra Burimore për Persona të Zhdukur do të instalojnë një ekspozitë unike për fëmijët e vrarë, të zhdukur me dhunë dhe të afektuar nga lufta e fundit në Kosovë me titull “Bebëzat e Mallit – “Oj mam… a po na sheh midis luleve sa mirë jena? Dritë, dritë, dritë, lule, livadhe, qaq t’u keshë ata, t’u nga!”

Koncepti kuratorial i Vesa Sahatçiut për ekspozitën “Bebëzat e Mallit”, që e ka marrë emrin nga një poezi me të njëjtin titull të poetit modern të shekullit të 20-të, Enver Gjerqekut, fokusohet në disa elemente të rrëfimeve që duket se funksionojnë si mënyrë e ruajtjes së kujtimeve dhe si veprime, thuajse rituale, me të cilat familjet gjejnë ngushëllim dhe kërkojnë të bëjnë paqe me humbjen e fëmijës, apo të anëtarëve të familjes. Për më tepër, kjo ekspozitë pyet: Si flasim për humbjen? Si flasim, si mendojmë dhe si e përfaqësojmë humbjen kolektive? Humbjen që përfshinë jo vetëm individët, por komunitetet e tëra?

Hapja e ekspozitës do të bëhet më 19 dhjetor 2023, në ora 18:00h, në Ndërtesën e ish-Rilindjes në Prishtinë.

Ky projekt është implementuar nga Ministria e Drejtësisë, Integra, forumZFD programi në Kosovë dhe Qendra Burimore për Persona të Zhdukur, mbështetur nga National Endowment for Democracy, Fondi për Zhvillim Komunitar, Ambasada e Suedisë, Ministria Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), Rockefeller Brothers Fund. / KultPlus.com

Ekspozita kolektive “I këndoj trupit elektrik, ushtritë e atyre që i dua” hapet më 4 tetor

Komuniteti kulturor dhe artistik në Kosovë përballet me sfida të mëdha, duke përfshirë burimet dhe mundësitë e kufizuara për artistët e rinj, të cilat pengojnë rritjen e tyre personale dhe profesionale. Kjo jo vetëm që ndikon artistët, por gjithashtu e privon skenën kulturore të Kosovës nga kontributet e tyre të mundshme. Për më tepër, ka një mungesë iniciativash që angazhojnë artistët në përdorimin e aktivizmit kulturor për të adresuar çështje shoqërore, pavarësisht nga potenciali tashmë i dëshmuar i arteve për të katalizuar ndryshimet shoqërore, për të promovuar pajtimin dhe për të ndërtuar të ardhme të përbashkët, përcjell KultPlus.

Me qëllimin parësor për të nxitur zhvillimin dhe angazhimin e artistëve në Kosovë duke krijuar një mjedis mbështetës për promovimin e punës së tyre dhe në të njëjtën kohë me qëllim të rritjes së kuptimit dhe vlerësimit të publikut për diversitetin kulturor të Kosovës, Integra, Casa dhe Qendra Barabar kanë instaluar një ekspozitë unike të titulluar “I këndoj trupit elektrik, ushtritë e atyre që i dua”, kuruar nga Vesa Sahatçiu, në kuadër të projektit “ArtSphere: Diversifikimi i peizazhit shoqëror përmes artit”.

Koncepti kuratorial i ekspozitës “I këndoj trupit elektrik, ushtritë e atyre që i dua” (bazuar në poezinë e Walt Whitman) sjell në qendër të saj “trupin”, duke na ftuar të reflektojmë mbi rëndësinë dhe qëllimin e ekzistencës sonë fizike.

Më shumë se 20 artistë të rinj dhe të afirmuar me përvoja të ndryshme kulturore të përzgjedhur për këtë ekspozitë përfaqësojnë trupin, në një mënyrë apo tjetër, duke na nxitur ta shohim trupin përtej ekzistencës fizike.

Hapja e ekspozitës do të bëhet më 4 tetor, ora 19.00, në Qendrën Barabar në Prishtinë.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 31 tetor 2023, gjatë së cilës kohë veprat e artit do të jenë të disponueshme për t’u blerë në lokacion, dhe më vonë edhe online.

Ky projekt implementohet nga Integra, Casa dhe Qendra Barabar, me mbështetjen e Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë, dhe Rockefeller Brothers Fund. / KultPlus.com 

Mes solidarizimit me tragjedinë në Serbi dhe shfaqjen e filmit ‘Si mësova të fluturoj’, hapet ‘Mirëdita, Dobar Dan’

Flonja Haxhaj

Mbrëmë hapësira në Kino ABC qe ndryshe. Festivali tashmë i njohur për shkëmbimet kulturore mes Kosovës dhe Serbisë, “Mirédita, dobar dan!”, zuri vend për të shënuar hapjen e edicionit të dhjetë me radhë. Mes dhimbjes për tragjedinë e fundit në Serbi dhe frymës komike të filmit ‘Si mësova të fluturoj’, u zhvillua gjithçka, shkruan KultPlus.

Festivali i njohur më së miri për bashkëpunimin në mes dy shteteve, edhe kësaj here ka dëshmuar për një program të përsosur që do shpaloset në ditët vijuese. Programi si çdo herë synon të jetë qendra e vëmendjes së dy kulturave që dallojnë nga njëra-tjetra. Natyrisht që qëllimi kryesor i “Mirëdita, dobar dan!” mbetet prezantimi i artistëve dhe performuesve që përfaqësojnë skenën kulturore dhe bashkëkohore, por pikë tjetër kryesore është edhe bashkimi i komuniteteve shoqërore të dy shteteve. Kësisoj arrihet të krijohet tradita e bashkëpunimit për të përfunduar në një pikë të normalizimit dhe qëndrueshmërisë së marrëdhënieve në këto dy vende.

Nëpërmjet frymëzimit të figurës ikonike siç është Bekim Fehmiu, në 2014-tën festivali hodhi hapin e parë drejt një rrugëtimi të gjatë e të mundimshëm. Gati një dekadë më vonë, pikërisht ky festival vazhdon të jetë një ndër platformat e pakta që krijon hapësirë të gjerë për shkëmbimin e skenës kulturore mes dy vendeve. Çështjet politike natyrisht që kanë zënë vend ndër vite, por këto rrënjë të thella duhet të largohen njëherë e përgjithmonë. E kjo veçse ka nisë të ndodhë, duke pas bazë ndezjen e qirinjve mbrëmë pas shfaqjes së filmit, para Teatrit Kombëtar të Kosovës, në shenjë solidarizimi me viktimat e sulmit të ndodhur në një nga shkollat e Beogradit. Kjo është dëshmi që populli i Kosovës e di fort mirë se çka është dhimbja dhe tash e sa vite, akoma e përjeton atë ndjenjë, e jo vetëm.

Kushtrim Koliqi, drejtori ekzekutiv i ‘Integras’, mori fjalën i pari, i cili fillimisht, nisur nga tragjedia e ndodhur në Serbi, tha se ky edicion i festivalit po nis në një situatë të jashtëzakonshme, megjithatë, programi do të vazhdojë.

“Miq të festivalit ‘Mirëdita, Dobar Dan’, mirë se keni ardhur në hapjen e edicionit të 10-të të këtij festivali i cili për shumë vite tashmë po vazhdon të ofrojë mundësi për bashkëpunim dhe krijimtari mes Kosovës dhe Serbisë në fusha e aspekte të ndryshme”, u shpreh Koliqi. Më tutje, ai tha se pavarësisht se sfidat politike mes Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të jenë të njëjta, festivali ‘Mirëdita, Dobar Dan’ vazhdon të punojë fort në qëllimin që ka pasur që në vitin 2014, krijimin e rrugëve të reja mes Kosovës dhe Serbisë në fushën e kulturës, medias dhe shoqërisë civile.

“Pavarësisht situatës jo të mirë, respektivisht marrëdhënieve aktuale mes Kosovës dhe Serbisë, festivali ‘Mirëdita, Dobar Dan’ mbetet një prej platformave të pakta që ofron hapësirë për promovimin dhe shkëmbimin kulturor dhe dialog për çështje e tema që ndryshe nuk diskutohen, ose edhe kur diskutohen ato keqpërdoren”, tha mes tjerash Koliqi.

Më pas, fjalën e mori Sofija Todorovic, drejtoresha ekzekutive e Nismës për të Drejtat e Njeriut në Serbi, e cila po ashtu nisi fjalimin e saj duke u solidarizuar me tragjedinë në Beograd duke kërkuar që në këto momente të vështira të qëndrojmë krah për krah me njëri-tjetrin.

“Detyra jonë ka qenë gjithmonë që të lidhim njerëz në kohë të vështira dhe të krijojmë hapësirë për solidaritet. Përmes dhimbjes ne shpeshherë mund të shohim më qartë sepse vuajtja ka fuqi edhe të afrojë njerëzit. Tragjedia e djeshme na ka shtyrë të gjithëve të shikojmë thellë brenda vetvetes dhe t’i vlerësojmë edhe më shumë ato që i kemi”, tha Todorovic duke shtuar më tutje se sot më shumë se kurrë, qytetarët e të dyja vendeve kanë nevojë për njëri-tjetrin.

“Shfrytëzojeni këtë festival që të shikoni brenda vetes, të pyesni dhe të zbuloni se çfarë është ajo që secili prej jush mund të bëni për të inkurajuar më shumë humanizmin, butësinë dhe empatinë edhe atëherë kur rrethanat na çojnë në një drejtim tjetër”, përfundoi ajo.

Pas këtyre fjalimeve, nisi shfaqja e filmit ‘Si mësova të fluturoj’ nga Radivoje Andrić, film ky fitues i shumë çmimeve i cili solli një histori njerëzore për rritjen, kuptimin dhe faljen. Filmi solli të qeshura të shumta në mesin e audiencës. E pas shfaqjes së filmit, publiku u bë bashkë për të ndezur qirinj në shenjë solidarizimi me viktimat dhe të prekurit me tragjedinë në Serbi.

Ju kujtojmë që “Mirëdita, dobar dan!”, organizohet nga Integra (Kosovë), Nisma e të Rinjëve për të Drejtat e Njeriut (Serbi) dhe Iniciativat Qytetare (Serbi), me mbështetjen e Bashkimit Evropian, Fondit për Ballkanin Perëndimor, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Rockefeller Brothers Fund. / KultPlus.com

Kushtrim Koliqi, artisti shumëdimensional që sjell para publikut temat e grupeve më të ndjeshme të shoqërisë

Flonja Haxhaj

Me një ftohtësi në përzgjedhjet e tij regjisoriale, por me një ndjeshmëri në përzgjedhjen e temave të cilat prekin brengat e shumë kategorive të shoqërisë sonë, e të cilat shpesh edhe vihen dukshëm në harresë, Kushtrim Koliqi është një prej regjisorëve më aktivë në Kosovë që me një mjeshtëri të bukur i shtrinë projektet e tij në gjini të ndryshme të artit, me qëllimin e vetëm; transmetimin e plotë tek publiku.

Karriera e tij përfshin projekte të shumta që avokojnë për të drejtat e njeriut dhe të kategorive më të margjinalizuara në vend, në tentim të zhdukjes së mentalitetit patriarkal, tejet gjykues e shumë dominues në Kosovë.

Në një intervistë për KultPlus, Koliqi i cili është edhe drejtor ekzekutiv në organizatën ‘Integra’ rrëfeu gjerë e gjatë për shumë nga projektet e tij duke filluar nga shfaqja e fundit ‘Babai dhe Babai’ e cila pati hov të jashtëzakonshëm dhe vijon akoma të ketë një interesim të madh në publik.

Koliqi ndau përvojat e tij si për projektet në kuadër të ‘Integra-s’ ashtu edhe ato individuale, e të cilat nuk janë të pakta dhe krejt të veçanta në formën e tyre. Por, përpos kësaj, ai për lexuesit e KultPlus-it, tregon edhe shumë detaje që ndërlidhen me projektet e radhës që janë të shumta dhe po vijnë shumë fuqishëm.

‘Babai dhe Babai’, drama e atyre që s’duhet të harrohen  

Foto: Sovran Nrecaj

Më 16 maj të vitit 2022, regjisori Koliqi bashkë me dramaturgun Jeton Nezirajn sollën shfaqjen ‘Babai dhe Babai’, për të larguar nga harresa historinë e të pagjeturve me qëllimin që publiku ta bashkëndjejnë dhimbjen e çdo dite që përjetojnë familjarët e tyre tash e sa vite.

E vendosur në një hapësirë minimaliste siç është ‘Muzeu Etnologjik’, e me një skenë krejt afër me publikun aktorët Ilire Vinca, Bujar Ahmeti e Kosovare Krasniqi arritën të përçon ndjenjën e dhimbjes e të trishtimit që i kaplon familjarët e mbi 1600 personave të pagjetur.

Ndonëse për këtë shfaqje ka punuar gjatë e intensivisht, Koliqi e përshkruan si një punë shumë të mirë dhe të mirëmenduar me detaje e finesa që nga fillimi.

“Procesi ka qenë shumë i mirë, kemi punuar shumë, kemi punuar gjatë, kemi diskutuar dhe debatuar shumë dhe prej fillimit unë si regjisor e kam pasur të qartë konceptin tim regjisorial, e kam pasur të qartë vizionin tim për atë shfaqje dhe e mira është që e gjitha ekipi i janë bashkuar këtij vizioni. Fillimisht unë me insistimin tim është dashur ti indoktrinoj ata dhe t’i fus në vizionin tim dhe më pas të gjithë në pozicionet që i kanë pasur, kanë punuar në këtë vizion”, shpjegoi ai

Po ashtu, regjisori Koliqi ka spikatur edhe në vendin në të cilin është dhënë kjo shfaqje duke e zhvendosur shfaqjen teatrale nga teatri e duke e vënë në ‘Muzeun Etnologjik’ për ta bërë atë akoma më intime, dhe me çdo intervenim në atë skenë e që bëhen ‘një’ me lojën e aktorëve të transmetojë çdo herë emocionin e njejtë.

I vendosur për qëllimet e tij, regjisori Koliqi thotë se pari ka menduar aktorët e më pas është shkruar teksti. “Teksti është shkruajtur për Iliren dhe Bujarin, sepse Kosovarja ka ardhë më vonë, pasi e kemi realizu tekstin. Në rastin e Ilires mua më është dashur një grua në mezomoshë e cila në dukje është shumë e ndjeshme por shumë e fortë brenda, ka shumë parime, ka shumë rregulla familjare dhe për këtë arsye ajo delikatesa e ndjeshmëria e Ilires është pikërisht ajo që më ka tërhequr ta përzgjedh atë. Ndërsa Bujari është një aktor i jashtëzakonshëm me potencial të jashtëzakonshëm, është aktor i karakterit, i transformueshëm, inteligjent, efikas, pra i ka të gjitha kërkesat që unë i kam pasë për një personazh të tillë”, shprehet Koliqi duke folur për aktorët kryesorë të kësaj shfaqje, e të cilët përveç tjerash edhe me lëvizjen e qerpikëve transmetuan traumën që sjell pas vetes kjo dramë.  

“Ndërsa Kosovarja më ka lënë përshtypje përveç talentit dhe potencialit që ka por edhe dukja e saj e cila është pikërisht ajo modul që më është nevojitur. Më është nevojitur një vajzë që në dukje e ka vuajtjen, e ka depresionin, dëshpërimin dhe ajo i ka plotësuar të gjitha’, përfundon Koliqi.

Ndërkaq, shfaqja ‘Babai dhe Babai’ po e vazhdon rrugëtimin e saj. Ajo është paraqitur në tri festivale dhe në ato tri festivale ka marrë nëntë shpërblime në total.

‘Mirëdita, Dobar Dan’, dritarja e vetme për shkëmbimin e versioneve të së kaluarës mes Kosovës e Serbisë

Festivali ‘Mirëdita, Dobar Dan’ po vazhdon të jetë një prej festivaleve të vetme që me gjithë kundërshtitë e mëdha, në veçanti nga politikat serbe, prapë se prapë nuk po ndalet në përpjekjet e tij në integrimin e artit të Kosovës dhe Serbisë në publikun e njëra-tjetrës.

Megjithatë, Koliqi thotë se edhe pse ky festival në thelb e ka kulturën, debatin, diskutimin, ai po shndërrohet më shumë në politikë si çdo temë tjetër që ka të bëjë me raportin në mes të Kosovës e Serbisë.

“Kuptohet, përkundër misionit dhe vlerave të këtij festivali ka shumë kundërshtarë të cilët janë shumë të fuqishëm. Kur shkojmë në Serbi të gjithë strukturat, mediat, akademia janë shumë më të fuqishme se sa ‘Mirëdita Dobar Dan’. Ata e promovojnë dhe e ushqejnë një narrativë të kundërt me neve, i promovojnë disa vlera dhe parime që janë të kundërta me këtë festival dhe e njëjta është një Kosovë, megjithatë po besoj që ‘Mirëdita Dobar Dan’ ka mbetë e vetmja dritare, shumë e vogël që me pasë këtë shkëmbim mes artistëve dhe intelektualëve mes këtyre dy vendeve”, thotë Koliqi, i cili me në krye në ‘Integra’, është një prej organizatorëve të këtij festivali.

Sipas tij, Kosova në këtë festival ka pasur mision të dërgojë tek publiku serb filma dhe shfaqje që e trajtojnë luftën, të promovojë libra që trajtojnë krimet e luftës që kanë ndodhur në Kosovë, në mënyrë që ata të ballafaqohen drejtpërdrejt me të vërtetën për luftën në Kosovë.

“Megjithatë, ky festival e ka një mision shumë fisnik sepse qytetarët e të dyja vendeve kanë mundësi ta dëgjojnë një version tjetër të së kaluarës dhe një version tjetër për njëri – tjetrin ngaqë ne akoma, dy shoqëritë i kemi të polarizuara dhe kanë shumë urrejtje mes vete”, shprehet Koliqi, duke thënë më tutje se për shkak të kapjes së çdo pore të shoqërisë nga pushteti serb, edhe ky festival gjithmonë përcillet me kundërshti dhe protesta.

Mirëpo, përkundër vështirësive, gjithë këto kundërshti vetëm sa i motivojnë organizatorët të vazhdojnë edhe më shumë misionin e tyre. Ndërkaq, edhe pse nuk janë finalizuar datat, ky festival këtë vit do të mbahet në Kosovë.

Filmi dokumentar i Ferdonije Qerkezit, e vërteta më ‘goditëse’ që u shfaq para publikut të Beogradit

Përveç cilësisë, Koliqi shprehet se në këtë festival ai gjithmonë ka insistuar të dërgojë tema të cilat ai beson se qytetarët e Beogradit dhe të Serbisë nuk kanë shancë t’i shohin, për shkak të një ambienti të kontaminuar politik e historik atje.

“Kemi dërguar shumicën e filmave që kanë trajtuar gratë e dhunuara, luftën, të gjithë filmat më të mirë që janë bërë këtu. kemi promovuar libra me rrëfime të grave të dhunuara, me rrëfime të familjarëve të të pagjeturve, rrëfime të burgosurve politikë, koncerte të ndryshme e të tjera”, rrëfen Koliqi.

Por, me gjithë vlerësimin e tij për të gjitha projektet që janë prezantuar para publikut të Beogradit, Koliqi tregon se është filmi dokumentar i Ferdonije Qerkezit që është i realizuar nga Gazmend Bajri për të cilin ai shprehet shumë i lumtur që është paraqitur para publikut në Beograd.

“Për rastin e Ferdonijes, në atë vend ku e kemi shfaqur filmin, shumica e audiencës kanë dalë të shokuar me historinë  që është individuale por përfaqëson shumë viktima civile në Kosovë. Mesazhi përbrenda ka transmetu shumë emocion, dhimbje, empati, iluminim e edukim. Por të njëjtën kohë jashtë ka pasur protesta të jashtëzakonshme dhe është një prej rasteve më të rralla kur neve na kanë izoluar dhe nuk kemi pasë mundësi të dalim për një kohë të gjatë nga salla”, përfundon Koliqi.

‘Unë dua të dëgjohem’, zëri i grave për të cilat ‘lufta’ s’ka përfunduar akoma

Në mesin e shumë projekteve që trajtojnë rastet e kategorive të prekura nga lufta në Kosovë, Koliqi bashkë me ‘Integra-n’ kanë botuar edhe librin për gratë e dhunuara seksualisht gjatë luftës.

Siç e dimë kjo është një prej grupeve më të ndjeshme të shoqërisë, duke qenë se ambienti në të cilin janë në shumicën e rasteve nuk i mirëpret, nuk i bashkëndjen vuajtjet, por i gjykon, kryqëzon e paragjykon ato gra.

E duke qenë në një ambient të tillë, ato edhe e kanë të vështirë të flasin për brengën që vazhdon t’u qëndrojë para syve edhe tani, 23 vjet pas përfundimit të luftës.

Libri ‘Unë dua të dëgjohem’ sjell histori të vërteta tmerri e frike të rrëfyera nga vetë këto gra, histori të ndodhura gjatë luftës në Kosovë, e që atëherë të freskëta në memorien e atyre që e përjetuan.

“Ne me shumë rigorizitet edhe me shumë xhelozi e kemi ruajtur identitetin e këtyre grave që na kanë besuar dhe na i kanë dhënë rrëfimet e tyre për me qenë pjesë e librit. Meqë ‘Integra’ punon shumë me grupet e viktimave duke e përfshirë edhe këtë grup që është një grup që them për të cilat lufta akoma nuk ka përfunduar dhe që vazhdojnë të jetojnë me atë tmerr”, deklaroi Koliqi.

Ndërkaq, ky libër është transmetuar në formë të audio-dramës, ku Koliqi si regjisor kishte përzgjedhur aktoret gra që do të transmetonin në mënyrën me emocionuese dhe të dhimbshme këtë dramë që paraqesin në vete këto histori.

“Ka pasë momente kur është dashur ta ndërprejmë sepse aktorja është emocionuar apo ka pasë nevojë për pauzë sepse ngarkesa është akoma më e madhe kur e di që dikush tjetër e ka përjetuar atë rast. Rrëfimet që janë realizuar si audio-drama janë të tmerrshme dhe si të tilla  kanë qenë traumatike edhe në realizim “, shtoi Koliqi.

Dokumentimi i masakrave në Kosovë, libri që i duhet Kosovës në pasqyrimin e realitetit të vitit 1998-1999

Në mesin e shumë projekteve të radhës, Koliqi thotë se momentalisht ajo që është duke e bërë ‘Intergra’ në bashkëpunim me Admovere ku hulumtues është Shkëlzen Gashi, është një libër i cili ka për qëllim të dokumentojë çdo masakër që ka ndodhur në Kosovë gjatë luftës.

Sipas Koliqit, ky libër do të jetë një ndihmë e madhe për Kosovën sepse është një prej botimeve të rralla që do të trajtojë të gjitha masakrat, sepse në aspektin e dokumentimit të luftës, Kosova ka mangësi të shumta

“Qëllimi ka qenë me i përfshi të gjitha masakrat sepse që të konsiderohet një ngjarje masakër duhet të plotësohen disa kritere e kështu Shkëlzen Gashi kur e ka bërë hulumtimin i ka përfshi ato që i kanë plotësuar të gjitha ato kritere. Tendenca jonë është që të përfshihen të gjitha masakrat. Produkti që do të dalë në fund do të jetë i jashtëzakonshëm në elementin e dokumentimit të masakrave. Do të përmbajë emra, ngjarje, fotografi, rrethana”, tha Koliqi për librin i cili pritet të

Monografia e Muharrem Qenës dhe shfaqja ‘La Rrem’, dy vepra që përthekojnë një karakter

“Monografia e Muharrem Qenës është e jashtëzakonshme”, nis kështu Koliqi rrëfimin e tij për monografinë e Muharrem Qenës, duke shpjeguar se specifikat e tij si një figurë shumëdimensionale kanë qenë shtysë për realizimin e këtij libri.

Përveç se ky libër ka marrë kohë e energji deri në realizimin e tij duke e marrë parasysh shtrirjen e gjerë të artit të Qenës, Kushtrim Koliqi thotë se kjo monografi është një libër shumë voluminoz.

“Muharrem Qena ishte regjisor, aktor, kantautor, poet, këngëtar, e të tjera. Meqë ai  ka qenë me shumë ngjyra si personazh, ne jemi munduar që ato ngjyra me ja dokemtu dhe me i pasë pjesë të monografisë”, shprehet më tutje ai.

Por, me këtë libër, Koliqi nuk e përmbylli kontributin e tij në paraqitjen e kësaj figure ikonë të artit shqiptar në të gjitha dimensionet. Ai realizoi edhe shfaqjen ‘La Rrem’, ku përveç si një dedikim për figurën e Muharrem Qenës, kjo shfaqje flet më shumë për jetesën e tij, për mprehtësinë, dashurinë ndaj teatrit, artit dhe artistëve dhe për shpirtin e tij rebel e revolucionar për kohën që i takonte.

“Ne i kemi marrë disa elemente që janë identifikuese për karakterin e Muharrem Qenës dhe mbi atë e kemi ndërtuar dhe besoj që shfaqja më shumë se një dedikim është një falënderim për të  dhe një festë sepse njerëzit kur kanë ardhur dhe e kanë parë shfaqjen, përveç se kanë parë disa aspekte të tij sidomos në raport me artin dhe shoqërinë, në të njëjtën kohë i kanë përjetuar edhe krijimet e tij muzikore”, thotë regjisori Koliqi.

botohet në marsin e këtij viti dhe do të vijë për lexuesit në gjuhën shqipe, angleze dhe serbe.

‘Unë jam vetë grua’ dhe ‘Stiffler’, shfaqjet që sjellin dramën e jetës së dy kategorive më të gjykuara në shoqëri

Kushtrim Koliqi, jo rrallë prek tema të cilat përfshijnë kategori të ndryshme në shoqëri që shpesh edhe janë të margjinalizuara dhe gjykohen nga vetë shoqëria jonë sidomos duke u vënë hijen e aspektit moral. E tillë është shfaqja ‘Unë jam vetë grua’, e adaptuar nga regjisori Koliqi për të sjellë një realitet të ballafaqimit me fatin e një transgjinori.

Kjo shfaqje bazohet në një shfaqje amerikane, e cila po ashtu bazohet në një ngjarje të vërtetë dhe sjell jetën dhe sfidat e një pjesëtari të këtij komuniteti, të ndarë në 30 personazhe që u luajtën nga vetëm një person, e rolin e të cilit Koliqi ia ka besuar aktorit Adrian Morina.

“Kuptohet që sfidë në vete ka qenë edhe kurimi i atyre personazheve edhe pse disa prej tyre kanë pasë më pak hapësirë dhe janë kuruar si tipe të personazheve, e pjesa tjetër ka pasë hapësirë  më shumë dhe është dashur t’i krijojmë karakteret e atyre personazheve, shtuar këtu konceptin regjisorial, investimi tjetër në muzikë, në drita e të tjera”, thotë Koliqi, duke folur edhe për vështirësitë regjisoriale që ka hasur gjatë realizimit të kësaj shfaqje, e të cilën ai e konsideron tejet të veçantë sidomos për temën që trajton.

Po ashtu, në kuadër të ‘Integra-s’ ai ka realizuar shfaqjen ‘Stiffler’, shfaqje kjo që trajton jetën dhe fatin e një punëtoreje të seksit, e cila gjykuar nga konstrukti patriarkal e moral të shoqërisë sonë, ballafaqohet me drama të shumta dhe në fund, e mbetur nën mëshirën e askujt, ajo humb edhe jetën.

“’Stiffler’ trajton jetën e Havës e cila përveç që është grua dhe në Kosovë shkelen të drejtat e grave në mënyrë të vazhdueshme, Hava, personazhi kryesor e që luhet nga Rebeka Qena ka vendosë me u marr me shërbime seksuale. Ajo e përjeton një dramë sepse njëri nga klientët e saj e therr. E krejt drama ka të bëjë se si një grua trajtohet në mënyrë të tmerrshme, kur ajo është në sfidën për mbijetesë. Për shkak të joprofesionalizmit, kartës së moralit, ajo në fund e humbë jetën”, shton Koliqi, i cili mes tjerash thotë se kjo shfaqje është shumë e rëndë por nga një kënd tjetër është dashur të trajtohet kjo temë për të sjellë një realitet të trajtimit të grave në Kosovë.

‘Gay Movement’, promovimi i të drejtave të komunitetit homoseksual në Kosovë përmes monografisë

Kushtrim Koliqi, në mesin e shumë projekteve të radhës, për KultPlus e ka përmendur edhe monografinë që ‘Integra’ së bashku me CSGD-në është në përpunim e sipër e që dokumenton të gjithë ‘Lëvizjen Homoseksuale’ në Kosovë.

Ai thotë se kjo monografi e cila do të paraqes një historik të një lëvizje që ka ekzistuar gjithmonë, edhe para luftës, por që është bërë më e zëshme pas luftës do të publikohet deri në fund të vitit 2023.

“Kjo monografi i ka dy qëllime, e para me dokumentu një proces dhe e dyta me i tregu të gjithëve se ‘Gay people’ kanë ekzistuar gjithmonë. Kuptohet se në rrethana të ndryshme socio-politike e patriarkale e panë pasur më të vështirë të shprehen edhe të deklarohen. E qëllimi madhor është promovimi i të drejtat e tyre e që janë të drejta themelore e të pakontestueshme, sepse është e vështirë t’i promovosh këto të drejta në një mentalitet jashtëzakonisht patriarkal”, thotë më tutje Koliqi./ KultPlus.com

Me protestë, lajmin për bombë dhe shfaqjen “Stiffler”, filloi festivali “Mirëdita, dobar dan!” në Beograd

Era Berisha

Në Beograd, të enjten filloi festivali “Mirëdita, dobar dan!“ i cili publikut ia prezanton skenën kulturore dhe shoqërore të Kosovës. Si çdo vit, festivali tregon për mundësinë e bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe këtë herë në edicionin e tij të nëntë ka shpalosur një program tejet të larmishëm dhe më se i nevojshëm që të shihet, dëgjohet e kuptohet nga kultura serbe, shkruan KultPlus.

Fillimisht, ishte rruga drejt Beogradit ajo që nisi hapin e parë drejt këtij festivali. Pjesëmarrësit dhe mediat në këtë festival të cilët u nisën dje herët në mëngjes, kësaj radhe nuk patën asnjë problem me kontrollet e detajuara në pikën kufitare në Serbi. Edhe pse të shoqëruar nga policia serbe gjatë çdo sekonde, por dukej se festivali dalëngadalë po ia arrinte qëllimit për të thyer barrierat Kosovë-Serbi.

Fiona Jelići – Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (Serbi)

Ndërkaq, dje në Qendrën e Dekontaminimit Kulturor, hapjen zyrtare të festivalit “Mirëdita, dobar dan”, e nisën Fiona Jelići nga Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut (Serbi) dhe Kushtrim Koliqi nga organizata kosovare ‘Integra’, të cilët kujtuan jetëgjatësinë e festivalit dhe sfidat nëpër të cilat kaloi vetë festivali gjatë ekzistencës së tij të gjatë. Ata dërguan mesazhe paqeje nga skena dhe shprehën dëshirën për pajtim mes dy popujve.

“Jemi në të njëjtin vend si vitet e kaluara, por bota ka ndryshuar që nga viti i kaluar kur u pamë këtu. Pushtimi rus në Ukrainë dhe fakti që lufta po ndodh përsëri në Evropë shkatërron të gjitha iluzionet që një gjë e tillë është e pamundur”, thotë Jelići.

Ajo theksoi se festivali vjen si një shenjë solidariteti dhe mbështetjeje për viktimat e luftës në Ukrainë. Duke përmendur obligimin që të punohet edhe më shumë për viktimat e luftës, për pajtimin dhe ndërtimin e paqes në Ballkan, ajo tha se gjersa politikanët merren me armatime duke forcuar ushtrinë, shoqëritë duhet që të shikojnë njëri-tjetrin dhe të flasin mes vete.

“Dje nisëm festivalin me atë që duhet të jetë pika zero e negociatave dhe pajtimit tonë, me ekspozitën “Të gjithë lotët tanë”, ekspozitë kjo që sjell dhimbjen dhe lotët e atyre që nuk e zgjodhën luftën, por e fituan atë. Punimet e fotografëve nga Kosova, Serbia dhe Maqedonia e Veriut mund t’i shihni deri me datën 1 qershor në “Endžio HAB””, tha ajo.

Sipas saj, ekspozita unike fokusohet në historitë e viktimave të luftërave nga rajoni. Qëllimi i vendosjes është prezantimi i publikut të gjerë me këto histori dhe apelimi për mbështetje për viktimat dhe grupet e tjera të prekura në rajon në ndjekjen e tyre të drejtësisë dhe gjetjen e së vërtetës.

Ekspozita “Të gjithë lotët tanë” përbëhet nga 34 fotografi të realizuara nga katër fotografë në vende të ndryshme në Serbi, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Fotografët nuk e njihnin njëri-tjetrin, dhe arritën të krijonin me fotografitë e tyre një histori universale që bashkonte kujtimet e dhimbshme të njerëzve të zakonshëm dhe vuajtjet e tyre.

“Edhe pse institucionet publike kulturore ende në masë të madhe e injorojnë festivalin tonë, ai po rritet vazhdimisht, falë artistëve dhe audiencës. Në masë të madhe kanë ndodhur më shumë takime të njerëzve, artistëve dhe aktivistëve sesa që ka pasur takime politikanësh nëpër negociata. E di që jemi këtu në shoqërinë e njerëzve që e bëjnë këtë çdo ditë dhe dua që të vazhdojmë të punojmë së bashku”, përfundon Jelići.

Kushtim Koliqi – Integra

Ndërsa, Kushtrim Koliqi nga organizata kosovare ‘Integra’ përkujtoi nisjen e festivalit në vitin 2014 me qëllim që të krijohen lidhjet e reja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Gati një dekadë ‘Mirëdita, dobar dan’. Qysh në vitin 2014 kishim nisur këtë rrugëtim me qëllim të krijimit të lidhjeve të reja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nga persona aktivë në kulturë, media e shoqëri civile duke diskutuar për tema që nuk diskutoheshin e duke promovuar kulturën si një mënyrë bashkëpunimi dhe të mësuarit për njëri-tjetrin. Sot, në edicionin e nëntë të festivalit, me qëllimin e njëjtë vazhdojmë të punojmë në të njëjtin drejtim, në një situatë politike jo shumë ndryshe nga ajo në të cilën kishim filluar dhe duke u përballur me sfida të shkaktuara nga po kjo politikë”, thotë Koliqi.

Sipas tij, shumëçka ka ndodhur për këto 9 vite në botë, por pak ka ndryshuar raporti dhe qëndrimet e politikanëve në Serbi e Kosovë, kështu duke pamundësuar zgjidhjen e shumë problemeve e çështjeve të trashëguara nga lufta. Për këto arsye, ai konsideroi që organizimi i përvjetshëm i këtij festivali është gjithnjë e më i rëndësishëm në rikujtimin e asaj që njerëzit në të vërtetë duan, njohje e pranim të së kaluarës e vuajtjeve të viktimave për të siguruar paqe e bashkëjetesë ndëretnike në rajon.

“Këtë edicion, ngjashëm me vitet e kaluara fokusi i programit të debateve si dhe programit kulturor është trajtimi i të kaluarës, ofrimi i perspektivave të viktimave dhe vendosja e tyre në qendër. Ajo çka vazhdon të jetë shumë e rëndësishme për festivalin tonë është sfidimi i narrativave paragjykuese e të njëanshme duke iu ofruar qytetarëve të të dy vendeve mundësi që të shohin e diskutojnë për të kaluarën nga perspektiva të ndryshme, në mënyrë që të kuptojnë njëri-tjetrin, kështu duke krijuar hapësira për mënyra të reja të ballafaqimit me të kaluarën”, tha ai.

“Duke kujtuar Bekim Fehmiun, si frymëzim që vazhdojmë ta kemi qysh në edicionin e parë të festivalit e deri më sot, ju ftojmë të na bashkoheni përgjatë këtyre ditëve në eventet e festivalit.”

Maja Stojanoviq – Organizata ‘Iniciativa Qytetare’ (Serbi)

Në fund, Maja Stojanoviq, drejtoreshë e Iniciativës Qytetare, iu drejtua të ftuarve, e cila theksoi se fakti që ka shoqata të familjeve të viktimave nga të dyja palët është dëshmi se festivali e arsyeton ekzistencën e tij dhe kontribuon në pajtimin në rajon. Me këtë rast ajo ka kujtuar edhe Borka Paviçeviqin, e cila dha një kontribut të madh në festival dhe në vitet e vështira ishte një shtëpi e sigurt për të gjithë ata që kultivojnë vlerat e pajtimit dhe paqes.

Përgjatë këtyre fjalimeve, papritmas erdhi lajmi nga policia serbe se një bombë është vendosur diku afër Qendrës së Dekontaminimit Kulturor, aty ku po mbahej kjo ceremoni. Pa panik, të pranishmit dolën jashtë për t’i lënë hapësirë policisë që të kontrollojnë vendin përreth. Në ndërkohë, teksa të gjithë pritnin jashtë aty pari të vendosur ishin dhe pesë protestues të cilët kundërshtonin mbajtjen e festivalit si dhe përkrahnin luftën në Rusi duke përmendur se Serbia dhe Rusia janë vëllezër.

Pesë protestuesit këndonin këngën “Oj kosovo kosovo, zemljo moja voljena”, teksa dhe brohoritjet e tyre anti-shqiptare ishin ato që dëgjoheshin në një masë të madhe.

Nuk deshi shumë kohë që policia të përfundonte kontrollin si dhe të lajmëronte se lajmi ishte i rremë, andaj dhe pjesëmarrësit u rikthyen përsëri në Qendrën e Dekontaminimit Kulturor.

Sofija Todorović – Qendra e Dekontaminimit Kulturor

Tutje vazhdoi edhe ceremonia e hapjes me drejtoreshën e Qendrës së Dekontaminimit Kulturor, Sofija Todorović e cila ka ndarë çmimin “Mirëdita, dobar dan” për Marinko  Djurić dhe Lush Krasniqin.

“Ajo që do të them është krejt ajo për të cilën është “Mirëdita, dobar dan”. Çdo vit kemi këtë ceremoni të dhënies së çmimit “Mirëdita, dobar dan” për njerëzit që janë simbole të ndërtimit të paqes dhe të pajtimit mes njerëzve në terren. Fituesit e këtij çmimi janë përfaqësuesit e shoqatës së familjeve të viktimave, Marinko Djurić dhe Lush Krasniqi”, thotë Todorović.

Todorović  theksoi se ata ishin atje të pranishëm për të treguar se sa është i rëndësishëm ndërtimi i paqes mes dy shteteve. Fakti që pranë saj janë Marinko dhe Lushi, sipas saj, tregon se nuk mund të arsyetohet që të mos flitet për paqe dhe pajtim.

“Në kuadër të festivalit, kam nderin të ju falënderojmë që në këtë kohë të pasigurisë po qëndroni me ne për t’i dhuruar çmimet.”

Ajo këto dy çmime të festivalit “YIHR Srbija” i ka ndarë për kontributin e dhënë në paqe dhe pajtim koalicion mes Kosovës dhe Serbisë.

Lush Krasniqi, në fjalën e tij ka thënë se së bashku me Marinkon, kanë çjerrë zërin e tyre tash e 20 vite për t’i zgjidhur problemet që sipas tij vijnë nga vetë pushtetarët.

“Faleminderit që jam përzgjedhur për të marrë këtë mirënjohje sepse të nderuarit dinë të nderojnë, të vlerësuarit dinë të vlerësojnë, por kjo që më ofrohet sot e meriton çdo viktimë e luftës dhe unë mendoj që e kam marrë këtë në emër të të gjithëve. Sa i takon të folurit e gjuhëve të ndryshme, unë jam profesionist i gjuhës amtare, por them se në krejt botën, gjuha kryesore është gjuha e kuptimit. Ne si familjarë që kemi humbur më të dashurit tanë, ndjejmë njësoj si këtu si në Serbi, si në Bosnje dhe si në çdo vend ku ka ndodhur lufta. Asgjë më e vërtetë nuk del sesa nga shpirti i një të viktimizuari. Ne së bashku dhe shumë të tjerë dhe me Marinkon, kemi çjerrë zërin tash e 20 vite dhe pushtetarët vinë për t’i zgjidhur problemet por në fakt ata janë autorë të këtyre problemeve”, thotë Krasniqi.

Sipas tij, ata që kërcënojnë artin dhe kulturën për viktimat, me bomba, duhet ta dinë se bombave që nga viti 1905 nuk ia ka pa askush të mirën.

“Të mendojmë se çfarë po u lëmë gjeneratave dhe fëmijëve tanë në ardhmërinë e tyre dhe ju falënderoj të gjithëve për nderimin që më është bërë”, përfundon ai.

Ndërkaq, Marinko Djurić theksoi se kultura serbe i ka borxh Bekim Fehmiut dhe djalit të tij, Uliskit.

“Është kënaqësi që këtë aksion e udhëheqin të rinjtë pas të cilëve do të mbetet bota. Detyra jonë është që t’i japim atyre mbështetje dhe t’i hapim perspektivat. Unë kam lind në Istog dhe kam jetuar atje teksa edhe fqinjët e mi kanë qenë shqiptarë. Kultura serbe i ka borxh Bekim Fehmiut, djalit të tij Uliskit, sepse pa veprat e tyre të mëdha që i kanë lënë pas vete, ne do të ishim shumë më të varfër”, thotë Djurić.

Ai po ashtu përmendi edhe Angelinën, nënën e shenjtë të Serbisë e cila ka prejardhje shqiptare.

“Angelina e shenjtë e Serbisë vjen nga një familje fisnike shqiptare dhe ishte kunata e Skënderbeut. Për jetën e saj të devotshme ajo është shpallur shenjtore dhe nderohet si e tillë nga Kisha ortodokse serbe. Fatkeqësisht, nënën Angelinë, historia serbe nuk e shënon dhe nuk e njeh. Manastiri Krušedol, aty ku dhe gjenden eshtrat e saj, është i rëndësishëm për historinë serbe dhe për këtë i lus të rinjtë dhe mediat që t’ia kushtojnë pak më shumë vëmendje kësaj pjese të historisë. Ajo tani i ka lind dy djem të cilët janë shumë të rëndësishëm për historinë serbe dhe unë i falënderoj të gjithë shqiptarët për kontributin e tyre”, përfundon ai.

Aktorët: Adrian Morina, Rebeka Qena, Armend Smajli – Shfaqja “Stiffler” (Beograd)

Kështu, dita e parë e festivalit u përmbyll me shfaqjen “Stiffler” që vjen nën regjinë e Kushtrim Koliqit dhe lojën madhështore të aktorëve si: Adrian Morina, Rebeka Qena dhe Armend Smajli. Ky projekt teatror i cili paraqet jetën dhe sfidat e një punëtoreje seksi, trajton një çështje tejet të ndjeshme dhe të dhimbshme që lidhet drejtpërdrejt me të drejtën e njeriut dhe trajtimin e grupit të margjinalizuar në Kosovë.

Me tekstin “Stiffler” nga Dori Basha, shfaqja tregoi përvojën e Havës, punëtores së seksit e cila qysh në fillim shfaqet e therur me thikë në shpinë nga një klient i saj. Përgjatë 24 orëve, ajo kërkon ndihmë nëpër institucione dhe adresa të ndryshme shtetërore por ajo gjykohet nga secila derë në të cilën troket. “Kriminele”, “Kurvë”, “Prostitutë”, “Vjedhëse”, ishin vetëm disa nga emërtimet me të cilat ajo ballafaqohej në secilin moment.

Emri i shfaqjes jo rastësisht titullohet “Stiffler”. Ky titull portretizon thikën me të cilën theret Hava dhe të cilën e mban të ngulur në shpinë përgjatë gjithë shfaqjes si një simbol për të gjitha ballafaqimet e saj. Në secilën derë, ajo vetëm sa vjen e zhgënjehet dhe plaga e saj qëndron e hapur.

“Stiffler” konsiderohet të jetë rrëfim për një shoqëri që përdor moralin si kriter për shfaqje të njerëzisë e ofrim të ndihmës; për një sistem që e ka bindjen se trupi i një gruaje të “pamoralshme” më parë duhet të gjykohet vetë si vepër penale se sa të shikohet si dëshmi e një krimi të dhunshëm. Dhe, përfundimisht, është rrëfim për lehtësinë e amnistimit të dhunës, keqbërësit, e krimit të kryer në emër të virtyteve të shoqërisë.

Pjesë e ekipit artistik të këtij prodhimi janë edhe kostumografja Njomëza Luci, kompozitori Genc Elezaj, skenografi Mentor Berisha, asistent regjisore Kreshnike Osmani, video realizuesi Leart Rama, dizajneri i dritave Yann Perregaux si dhe dizajneri Gëzim Ramizi, pa të cilët kjo shfaqje nuk do të ishte kaq e mrekullueshme.

Premiera e shfaqjes “Stiffler” është shfaqur më 04 dhjetor në Teatrin “Oda” në Prishtinë. Ndërkaq, sonte erdhi premierë në Beograd.

Për të treguar më shumë rreth shfaqjes dhe gjithë asaj se çfarë ndodhi në hapje të festivalit, për KultPlus foli regjisori Kushtrim Koliqi.

“Asnjëherë nuk ma ka marrë mendja që dikush është ballafaquar me kërcënim për bombë teksa është gati të japë shfaqjen, por gjithçka ndodh. Megjithatë më vjen mirë që ky kërcënim vjen i rrejshëm dhe shfaqja vazhdoi mirë me një audiencë plot. Po më duket që reagimet janë të jashtëzakonshme”, thotë Koliqi.

Sipas tij, fokusi i parë janë çështjet që lidhen me krimet e luftës dhe viktimat. Ndërsa tani ai ka dashur që të sjell shfaqje edhe me temë tjetër që është adaptuese edhe në vendet e tjera të Ballkanit.

“Çështja e punëtorëve të seksit nuk është problematike veç në Kosovë por edhe në të gjitha vendet për shkak se shërbimet e tyre janë të ndaluara me ligj në Ballkan. Këta punëtorë të seksit cenohen prej ligjit, moralit dhe shoqërisë. Megjithatë ky grup i njerëzve ka të drejta, ekziston tek ne dhe ne duhet të merremi me problematikat me të cilat ata ballafaqohen”, thotë ai.

Gjithashtu, aktori Armend Smajli për KultPlus ka thënë se lajmi për bombë i ka shqetësuar aktorët qysh në fillim të shfaqjes por që megjithatë kanë vendosur për të vazhduar tutje.

“Lajmi për bombë ishte tejet shqetësuese në disa rrafshe. Disa herë e diskutuam edhe me kolegët se çfarë të bëjmë në lidhje me shfaqjen dhe madje e mendova dy herë se a ia vlen të luaj në shfaqje sepse jemi shqetësuar tepër shumë. Megjithatë, në fund është dashur të mobilizohemi vetëm për këtë audiencë dhe t’i respektonim ata”, thotë Smajli.

Sipas tij, tema e shfaqjes është problematike edhe përtej Ballkanit.

“Shfaqja si temë komunikon me çdo shoqëri që e ka këtë problematikë. Ne si aktorë sonte e kemi ndjerë një lidhshmëri dhe një emocion me publikun qysh nga fillimi e deri në fund”, përfundon ai.

Sonte do të vazhdojë nata e dytë e festivalit me aktivitete të radhës si: Konkursi artistik: Memorializimi i viktimave në Hapësirën ‘Miljenko Dereta’ duke filluar nga ora 17:00, Promovimi i librit “Hije të shtrembëruara” – libër kujtimi me rrëfimet e ish të burgosurve politikë në burgun e Goli Otokut duke filluar nga ora 18:30, Debati “E kaluara para së kaluarës: Goli Otoku” duke filluar nga ora 19:00 si dhe do të përmbyllet me koncertin “Shpat Deda Trio” në Qendrën kulturore hebreje ‘Oneg Shabat’ që nis në orën 21:00.

Qëllimi i festivalit “Mirëdita, dobar dan!” është që përmes prezantimit të artistëve dhe performuesve të cilët përfaqësojnë skenën kulturore e bashkëkohore të Kosovës të bashkojnë komunitetet shoqërore e kulturore të Kosovës dhe Serbisë dhe të krijohet një traditë bashkëpunimi, që do të kontribuojë në arritjen e një normalizim të qëndrueshëm të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë./ KultPlus.com

Qendra e Dekontaminimit Kulturor (Beograd)

‘Radio Kosova’ nuk e emetoi rrëfimin e gruas serbe që ishte dhunuar gjatë luftës, reagon ‘Integra’

Kundër censurës së bërë nga ‘Radio Kosova’ ndaj transmetimit të audio dramave të bazuara në rrëfimet e familjarëve të personave të pagjetur nga lufta.

Ballafaqimi me të kaluarën e shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut është sfidë për shoqëritë që kalojnë tranzicione politike dhe shoqërore.

Është proces afatgjatë, i cili përgjithësisht përfshin një numër aktorësh dhe mekanizmash të ndryshëm me jo vetëm perceptime të ndryshme për të kaluarën, por edhe vizione të ndryshme për të ardhmen. Parimi kryesor i ballafaqimit me të kaluarën ka të bëjë me vendosjen e viktimave civile të luftës në qendër të procesit.

Në Kosovë, me përfundimin e luftës, 6063 persona janë raportuar të pagjetur, ndërsa aktualisht numri i të pagjeturve është 1638 – nga mosha, gjini dhe etni të ndryshme. Ndonëse më shumë se 70% e rasteve të raportuara për të pagjetur janë evidentuar, identifikuar dhe mbetjet trupore u janë dorëzuar familjarëve për (ri)varrim, kryerësit e veprave kriminale mbeten akoma të lirë, gjersa drejtësia dhe llogaridhënia mbeten procese për tu dëshiruar. Kjo, më tej, bën që të dihet fare pak për rrethanat e zhdukjes, çfarë ka ndodhur me të pagjeturit dhe çfarë mund të bëhet më shumë për zbulimin e krimeve të lidhura me këto raste.

Të shtyrë nga kjo dhe nga rëndësia që çështja e personave të pagjetur të aktualizohet dhe të adresohet nga mekanizmat për ballafaqim me të kaluarën, në vitin 2019, Integra, forumZFD programi në Kosovë dhe Qendra Burimore për Persona të Zhdukur kanë publikuar librin e kujtimeve “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve”, që shpalosë rrëfimet e 10 familjeve me rreth 33 anëtarë të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë.

Bazuar në këtë libër, nën regjinë e Kushtrim Koliqit dhe me angazhimin e shumë artistëve profesionistë, Integra me partnerët e njëjtë dhe me mbështetje nga institucione të ndryshme, kanë realizuar ciklin prej 10 audio dramave me po të njëjtin titull “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve”, duke kontribuuar në ngritjen e vetëdijes kolektive dhe njohjen publike të vuajtjeve me të cilat familjarët e personave të pagjetur ballafaqohen tash e më shumë se 20 vjet.

Pas finalizimit të prodhimit të audio dramave “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve”, në mirëkuptim dhe në dakordim reciprok, Integra dhe Radio Kosova kishin arritur marrëveshje që cikli 10 episodësh i audio dramave të transmetohej në Radio Kosova, pa kompenzim, duke konsideruar rëndësinë që premiera e këtij prodhimi t’i ofrohej transmetuesit publik, i cili, pëveç tjerash ka për mision informimin e drejtë dhe të paanshëm.

Fillimet e bashkëpunimit me Radio Kosova ishin korrekte, duke u marrë vesh për aspekte teknike të promovimit, të transmetimit dhe të ritransmetimit të audio dramave. Me pajtim dy-palësh, premiera e episodit të parë të audio dramave u transmetua me datë 14 dhjetor 2020, duke u ritransmetuar ditën e nesërme. Episodi i dytë u transmetua me 21 dhjetor 2020 dhe që bazohej në rrëfimin e një gruaje serbe nga Shtërpca për burrin e saj të pagjetur si pasojë e luftës.

Me ta kuptuar që ky episod i dedikohej rrëfimit të një familjareje serbe, Radio Kosova, në mënyrë arbitrare, pa paralajmërim, nuk e transmeton reprizën të planifikuar për datë 22 dhjetor 2020, ora 20:10.

Pas veprimeve të tilla, Integra thërret takim urgjent me drejtuesit e Radio Kosovës, të cilët të mllefosur e të nervozuar shprehen që nuk janë të pajtimit që të transmetojnë përmbajtje të bazuara në rrëfimet e familjarëve të viktimave jo-shqiptare, përkundër faktit që të 10 episodet e audio dramave i kanë poseduar paraprakisht.

Duke marrë për shkas që 3 audio drama nga cikli 10 episodesh bazohen në rrëfime të familjarëve jo-shqiptare, Radio Kosova me vendim të prerë refuzon transmetimin e tyre, duke detyruar palën tjetër (Integra) të ndërpresë bashkëpunimin me automatizëm.

Vendimi për censurimin e audio dramave të bazuara në rrëfime të famijarëve të të pagjeturve nga lufta, na zë në shok e të shqetësuar, duke na lënë të kuptojmë së në Kosovë vazhdon të ushqehet e të mirëmbahet diskursi publik etnocentrik në raport me të kaluarën e luftës, ku dominon narrativë e njëtrajtshme dhe e politizuar.

Me këtë veprim, Radio Kosova si institucion publik, i financuar nga taksat e qytetarëve të Republikës së Kosovës, me dy këmbë shkelë mbi të drejtën elementare të përfaqësueseve të viktimave civile të luftës, duke ua mohuar të drejtën për t’u shprehur, për të ditur, dhe për pjesëmarrje në ndërtimin e kujtesës kolektive. Me këtë qasje Radio Kosova, po ashtu, ka shkelur një nga parimet kyçe të demokracisë – lirinë e shprehjes. Mohimet, censurimet apo interpretimet tjera të së vërtetës i shohim si përpjekje për pengimin e proceseve të ballafaqimit me të kaluarën, thellimin e çarjeve dhe antagonizmave etnike, dhe shtrembërimin e kujtesës të së kaluarës.

Ky pozicionim i Radio Kosovës është jo etik dhe dhimbshëm karshi familjarëve të personave të pagjetur, të cilët, përkundër dallimeve, kanë mbledhur forcën që të bashkëpunojnë dhe ti artikulojnë kërkesat e tyre përmes Qendrës Burimore për Persona të Zhdukur.

Ne i bëjmë thirrje institucioneve vendore, spektrit politik, mediave, aktivistëve të të drejtave të njeriut, organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve ndërkombëtare që të reagojnë me urgjencë për këtë censurë të Radio Kosovës, sepse me një qasje të tillë të transmetuesit publik ne konsiderojmë që pamundësohet një proces i shëndoshë i ballafaqimit me të kaluarën në Kosovë, mohohet e drejta e viktimave dhe familjarëve të tyre për drejtësi, dhe rrezikohen parimet themelore të demokracisë. / KultPlus.com

Për 20 vjet terr, më 27 prill ndalen dritat për 2 minuta për personat e pagjetur nga lufta në Kosovë

Me 27 prill 2020, në ora 20:00 ftohen të gjithë qytetarët e Kosovës t’i ndalin dritat nëpër shtëpitë e tyre për 2 minuta, për të shënuar ditën kombëtare të personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë.

‘Me 2 minuta errësirë në familjet tonat, ne do të mund të bashkëndjejmë sado pak me dhimbjen dhe terrin në të cilën ndodhen familjarët e 1.644 personave ende te pagjetur për tash e 20 vjet.’, thuhet në komunikatën për media nga Integra.

Që 20 vjet familjarët kërkojnë e shpresojnë në zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre. Që 20 vjet ata presin në ankth për të ditur të vërtetën por edhe për drejtësi për krimet që janë bërë ndaj familjarëve të tyre.

Që 20 vjet familjarët dhe shoqëria kosovare përballen me neglizhencë institucionale për zbardhjen e çështjes së personave të pagjetur. Prandaj, edhe në këtë ditë, si çdo ditë tjetër, ne nuk do t’i harrojmë.
Do të vazhdojmë t’i kujtojmë personat e pagjetur, sepse ata janë pjesë e jona.

Qeverisë së Kosovës do të vazhdojmë t’i kërkojmë përgjegjësinë ligjore dhe morale që ka për të zgjidhur çështjen e personave të pagjetur, ndërsa shoqërisë kosovare përgjegjësinë kolektive që ka për të mos harruar asnjëherë.

Kjo ngjarje organizohet nga Integra, Missing Persons Resource Center, YIHR, Humanitarian Laë Center Kosovo dhe forumZFD – Kosovo Program / KultPlus.com

Jeta e transgjinores Charlotte von Mahlsdorf realizohet si shfaqje teatrore

Me tekstin “Unë jam vetë grua” nga Doug Wright, me regjisorin Kushtrim Koliqi dhe me aktorin Adrian Morina, Integra në bashkëpunim me Miza në skenë ka realizuar projektin teatror që përqendrohet në jetën e jashtëzakonshme dhe me shumë dritëhije të Charlotte von Mahlsdorf, transgjinores nga Gjermania që i ka mbijetuar sistemit Nazist dhe Stasit.

Shfaqja fituese e çmimit “Pulitzer” dhe e çmimit “Toni” është shfaqje që bazohet në bisedat dhe intervistat e Doug Wright me transgjinoren gjermane, njëherit tregtaren e antikuareve Charlotte von Mahlsdorf, si dhe në autobiografinë e Charlotte të vitit 1992, të titulluar ‘I am my own wife’. 

Për portretizimin plotë të Charlotte, gjatë periudhës naziste dhe regjimit komunist pasues, ndërsa jetonte haptazi si transgjinore, shfaqja kërkon që aktori i saj i vetëm të luajë rreth tridhjetë role të ndryshme.

Titulli i shfaqjes ka dalur nga një anekdotë që Charlotte e tregon: kur ajo ishte dyzet vjeç, nëna e saj duke mos pasur asnjë ide, i tha “Boll luajte dhe u pispillose. Je bërë burrë tani. Kur ke ndër mend të martohesh?” së cilës pyetje Charlotte iu përgjigj “Kurrë, mamaka. Unë jam martuar me veten”.

Sipas Wright, në fillim Charlotte paraqitet si një heroinë e vërtetë – një e mbijetuar nga nazistët dhe komunistët në Gjermaninë Lindore. Sidoqoftë, po ashtu bëhet e qartë se mbijetesa e saj në atë klimë të pasigurtë kërkonte bërjen e shumë zgjedhjeve të dyshimta morale. Për të kontekstualizuar këtë aftësi për të mbijetuar, shfaqja  “Unë jam vetë grua” jo vetëm që kronikon jetën e Charlottes, por sipas Hedy Weiss të Chicago Sun-Times, ajo gjithashtu krijon “një portret të qartë të Gjermanisë në gjysmën e dytë të shekullit njëzet, një përrallë morale komplekse për atë që i duhet bërë një njeriu për të mbijetuar dhe një meditim intrigues për gjithçka.

Ky tekst është shqipëruar nga Artur Lena, skenografe dhe kostumografe e këtij prodhimi është Njomëza Luci, kompozitor Trimor Dhomi, asistent regjisor Bashkim Ramadani, video realizator Lum Çitaku dhe dizajner i dritave Skender Latifi.

Premiera e shfaqjes “Unë jam vetë grua” është me 4 dhjetor, prej orës 19:30 dhe repriza e parë me 5 dhjetor, prej orës 19:30 në Teatrin Dodona në Prishtinë.

Bashkangjitur me këtë komunikatë ju lutem gjeni posterin e shfaqjes.

Kjo shfaqje realizohet në bashkëpunim me CDF, The Global Fund, Rockefeller Brother Funds, Teatrin Dodona dhe Kumunën e Prishtinës.  Ky projekt është mbështetur nga programi ‘Kultura për ndryshim’ që financohet e menaxhohet nga Bashkimi Evropian ndërsa implementohet nga Qendra Multimedia e Goethe Institute. / KultPlus.com

Integra padit Mehmet Krajën për shpifje

Organizata Integra ka paditur Mehmet Krajën sipas tyre pasi që ai ka shpifur përmes kanaleve mediale duke shkaktuar dëm të reputacionit të festivalit “Mirëdita dobar dan!”, të organizatës “Integra” si organizatore e festivalit dhe përfaqësuesve të saj.

Padia e tyre ka të bëjë me shkrimin e botuar ditë me parë nga Mehmet Kraja të titulluar “Lehtësia e padurueshme e hipokrizisë” (paragrafi i katërt).

Shkrimi kishte ardhur si reagim i tij ndaj njerëzve të cilët po flasin e komentojnë rreth Fjalorit Enciklopedik./ KultPlus.com

“Integra” shtron dhjetë pyetje për Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës

Dje para Komisionit Parlamentar për Arsim kanë raportuar anëtarët e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, kjo pas gjetjeve të Organizatës Integra që i kishte publikuar në raportin “Kriza në Akademi: Vlerësim i shoqërisë civile për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës”, shkruan KultPlus.

Pas raportit ‘Kriza në Akademi’, i botuar nga organizata ‘Integra’, me mbështetje nga programi ‘Promovimi i Shoqërisë Demokratike’, AShAK-u u detyrua të raportojë në Komisionin për Arsim në Kuvendin e Kosovës. Ndonëse ligjërisht AShAK-u është i obliguar t’i raportojë Kuvendit të Kosovës për punën e vet, deri më sot nuk i ka raportuar asnjëherë.

“Ligji për AShAK-un është në fuqi që nga janari i vitit 2016, por AShAK-u nuk ka raportuar as në fund të vitit 2016, as në fund të vitit 2017 e nuk do të raportonte as në fund të vitit 2018 po të mos ishte publikimi ‘Kriza në Akademi’. Prandaj, ky është një sukses, edhe pse raportimi i anëtarëve të AShAK-ut në Komisionin për Arsim të Kuvendit të Kosovës, bazuar në raportimet mediale, linte shumë për të dëshiruar”, shkruhet në njoftimin e “Integra”-s.

Gjatë raportimit në Komisionin për Arsim në Kuvendin e Kosovës, një nga përfaqësuesit e AShAK-ut kishte deklaruar se ajo që ua kishte zgjuar kureshtjen ishte se kush qëndron mbas atyre dy organizatave joqeveritare, duke marrë parasysh që financimi i tyre për ta është krejt i pa qartë, e edhe hulumtimi i tyre është tejet i cekët.

Lidhur me këtë organizata “Integra”, ka sqaruara edhe një herë se qysh në fillim të publikimit specifikohet qartë se ky raport është hartuar me mbështetje financiare nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe llogot e donatorëve veçse nuk bërtasin.

Ndërsa për vlerësimin e hulumtimit si të cekët “Integra” tha:

E dyta, hulumtimi ynë edhe mund të jetë tejet i cekët, por a ka mundësi të përgjigjeni në këto pyetje:

1. Pse gati të gjitha publikimet i keni të autorëve shqiptarë e në gjuhën shqipe dhe pse nuk e keni gati asnjë publikim në gjuhën angleze?

2. Pse që dhjetë vjet, ndonëse i keni marrë gati 10 milionë € nga buxheti i Kosovës – shtetit më të varfër në Europë – i keni finalizuar vetëm dy projekte të mëdha: Monografinë «Kosova – vështrim monografik» dhe «Fjalorin Enciklopedik të Kosovës» (për cilësinë e këtyre dy publikimeve një herë tjetër)?

3. Pse të gjitha projektet i keni projekte kombëtare, që do të thotë se për dallim nga akademitë përreth, nuk e keni asnjë projekt ndërkombëtar?

4. Pse prej 10 milionë € që keni marrë nga Buxheti i Kosovës, rreth 2/3 e këtij buxheti i keni çuar në paga dhe mëditje?

5. Pse honorari – për anëtarin e rregullt 1.429.54 €, e për anëtarin korrespodent 1.283.34 € – është trefish më shumë sesa i kolegëve tuaj nga vendet përreth, ndonëse Kosova është ndjeshëm më e varfër sesa vendet përreth?

6. Pse gati 90% e anëtarëve të rregullt të AShAK-ut nuk kanë pasë punime të publikuara në revista akademike ndërkombëtare, ndërkaq angazhime nëpër parti politike kanë pasë më shumë se gjysma e anëtarëve të rregullt të këtij institucioni?

7. Pse pranoni të udhëhiqeni nga një person i dënuar nga gjykata me 18 muaj burgim me kusht për shpërdorim të detyrës zyrtare?

8. Pse i pranoni në radhët tuaja të paktën tre plagjiatorë – Nexhat Daci, Sabri Hamiti e Arsim Morina – të akuzuar publikisht nga Musa Limani, nga Sali Bytyçi, e nga Talat Gjinolli, me dëshmi të forta, se veprat e tyre janë plagjiaturë?

9. Pse faqen zyrtare në internet e keni jofunksionale, të papërditësuar, dhe, mbi të gjitha, vetëm në gjuhën shqipe, e pothuajse asgjë në gjuhën angleze?

10. Pse prej 13 qëllimeve që ua përcakton ligji, ju e keni realizuar vetëm njërin: përmirësimin e vazhdueshëm të kushteve të punës të anëtarëve të Akademisë?./ KultPlus.com