Ekspozita kolektive “I këndoj trupit elektrik, ushtritë e atyre që i dua” hapet më 4 tetor

Komuniteti kulturor dhe artistik në Kosovë përballet me sfida të mëdha, duke përfshirë burimet dhe mundësitë e kufizuara për artistët e rinj, të cilat pengojnë rritjen e tyre personale dhe profesionale. Kjo jo vetëm që ndikon artistët, por gjithashtu e privon skenën kulturore të Kosovës nga kontributet e tyre të mundshme. Për më tepër, ka një mungesë iniciativash që angazhojnë artistët në përdorimin e aktivizmit kulturor për të adresuar çështje shoqërore, pavarësisht nga potenciali tashmë i dëshmuar i arteve për të katalizuar ndryshimet shoqërore, për të promovuar pajtimin dhe për të ndërtuar të ardhme të përbashkët, përcjell KultPlus.

Me qëllimin parësor për të nxitur zhvillimin dhe angazhimin e artistëve në Kosovë duke krijuar një mjedis mbështetës për promovimin e punës së tyre dhe në të njëjtën kohë me qëllim të rritjes së kuptimit dhe vlerësimit të publikut për diversitetin kulturor të Kosovës, Integra, Casa dhe Qendra Barabar kanë instaluar një ekspozitë unike të titulluar “I këndoj trupit elektrik, ushtritë e atyre që i dua”, kuruar nga Vesa Sahatçiu, në kuadër të projektit “ArtSphere: Diversifikimi i peizazhit shoqëror përmes artit”.

Koncepti kuratorial i ekspozitës “I këndoj trupit elektrik, ushtritë e atyre që i dua” (bazuar në poezinë e Walt Whitman) sjell në qendër të saj “trupin”, duke na ftuar të reflektojmë mbi rëndësinë dhe qëllimin e ekzistencës sonë fizike.

Më shumë se 20 artistë të rinj dhe të afirmuar me përvoja të ndryshme kulturore të përzgjedhur për këtë ekspozitë përfaqësojnë trupin, në një mënyrë apo tjetër, duke na nxitur ta shohim trupin përtej ekzistencës fizike.

Hapja e ekspozitës do të bëhet më 4 tetor, ora 19.00, në Qendrën Barabar në Prishtinë.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 31 tetor 2023, gjatë së cilës kohë veprat e artit do të jenë të disponueshme për t’u blerë në lokacion, dhe më vonë edhe online.

Ky projekt implementohet nga Integra, Casa dhe Qendra Barabar, me mbështetjen e Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë, dhe Rockefeller Brothers Fund. / KultPlus.com