Veprat e Valton Beqirit botohen në Shkup

Në një mjedis si i yni, ekziston një nevojë e jashtëzakonshme për shkrime muzikore e sidomos me një përparësi të lartë botime muzikore, por njëkohësisht është një mjedis i frikshëm për ata që marrin guximin të angazhohen në këtë fushë, dhe kështu hapësira për një zhvillim të shpejtë të saj ka qenë e kufizuar. Sidoqoftë, një numër botimesh janë realizuar dhe sot na shërbejnë si pika orientimi.

Fatmirësisht, trendi i botimeve muzikore sot është kthyer duke pasuruar fondin e saj. Pikërisht mbrëmë, muzikës artistike shqiptare iu shtua edhe një botim me vlerë.

Në sallën e Qendrës Kulturore Informative ne Shkup, u promovua botimi i miniaturave për flaut dhe piano nga kompozitori ynë i mirënjohur Valton Beqiri. Sipas recensentes të këtij botimi dhe njëkohësisht solistes sonë të mirënjohur prof. Venera Mehmedagaj-Kajtazi “këto miniatura ofrojnë mundësinë e përzgjedhjes së veprave nga njëra prej tyre e gjer te kombinimi apo realizimi i tyre në tërësi “.

Ajo poashtu theksoi se “kēto vepra do të jenë pjesë e shpeshtë e repertorit koncertal jo vetëm në suaza kombëtare por edhe ndërkombëtare”. Sipas kompozitorit Drinor Zymberi “këto vepra paraqesin një hap të rëndësishëm drejt pasurimit të literaturës muzikore për këtë formacion. Në rrafshin kompozicional ato paraqesin një sintezë në mes muzikës burimore shqipe dhe asaj profesionale – artistike, duke i bërë model atraktiv si për instrumentistin ashtu edhe për dëgjuesin.

Njëri nga anëtarët e panelit prof.Blerim Grubi u shpreh mjaft i lumtur për këtë ngjarje. Sipas Grubit për komunitetin artistik muzikor dhe jo vetëm, kjo është një ditë e veçantë ku për herë tē parë kemi një përmbledhje të veprave në një botim të vetëm”.

Krahas mirënjohjes drejtuar autorit të miniaturace, vlen të theksohet kontributi, puna dhe angazhimi i ideatores së këtij botimi, Sarana Ademi.
Për fund, në kuadër të këtij promovimi u interpretuan edhe disa nga veprat e këtij albumi nga flautistja Sarana Ademi nën përcjelljen pianistike të vetë autorit.

Ky botim është mbështetur nga Ministria e kulturës së Republikës së Maqedonisë së veriut, komuna e Çairit si dhe komuna e Prishtinës./ KultPlus.com

Muzika artistike shqiptare përfaqësohet në Vjenë me kuartetin harkor të kompozitorit Valton Beqiri

E inicuar në njërin nga kryeqytetet europiane, Vjenë, organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë dhe Departamentit për Integrime Europiane të Ministrisë së Punëvë të jashtme të Austrisë, në kuadër të Javës se kulturës austriake dhe asaj shqiptare, u mbajt koncerti i titulluar “Classical Music from Albania”. Qëllimi kryesor i këtij manifestimi ishte rizbulimi i të përbashkëtave kulturore të dy vendeve mike në kuadër të muzikës artistike e cila sot mbetet përfaqësuesja më e mirë e identitetit kulturor.

Njëri nga dy kompozitorët e vetëm shqiptarë të prezantuar me anë të krijimtarisë në këtë natë koncertale ishte kompozitori i mirënjohur Valton Beqiri, si dhe kompozitori Gjon Simoni. Që të dy u prezantuan me kuartetet e tyre harkore të interpretuara nga (ansambli) kuarteti harkor i Radio Televizionit Shqiptar. Në vazhdën e manifestimeve kulturore në Europë e më gjërë, muzika artistike shqiptare pikërisht me anë të krijimtarisë së kompozitorëve të saj, në këtë rast të kompozitorit Valton Beqiri, evidenton edhe një herë nivelin e lartë profesional e kulturor që mbart ajo në vete.
Kjo nuk është ndër veprat e para apo të rralla të Beqirit e cila gjen prezantimin e saj në ndonjë shtet europian, por është nga veprat e radhës e cila po reprezenton muzikën shqiptare në botë.
E rëndësishme të cilësohet është se në këtë koncert u interpretuan edhe kuartete të kompozitorit të njohur botëror Dmitry Shostakovich.

Muzika artistike shqiptare edhe pse ende në rrethana jo të volitshme sa i përket kultivimit të saj, sot më shumë së kurrë po gjen prezantim jashtë kufinjëve të shtetit shqiptar, si motivim për punë të mëtutjesh/KultPlus.com

Tingujt e Valton Beqirit në “World Peace Concert in Vienna 2017”

Kompozitori Valton Beqiri do të prezantohet sot në Vjenë me anë të krijimtarisë së tij në kuadër të koncertit solemn “World Peace Concert in Vienna 2017”, shkruan KultPlus.

Ky koncert shënon 10 vjetorin e themelimit të orkestrës kamertale ballkanike dhe do të realizohet nën drejtimin e dirigjentit japonez Toshio Yanagisawa.

Në këtë koncert solist do të jetë pianisti francez Pacal Roge dhe krahas veprave të kompozitorëve të periudhës romantike si Camille Saint-Saëns dhe Pyotr Ilyich Tchaikovsky si dhe kompozitorit japonez Kaoru Wada, pjesë e pandarë e repertorit të kësaj orkestre është bërë edhe opusi krijues i kompozitorit të mirënjohur Valton Beqiri.

E rëndësishme është vepra “Shpirti i traditës” për orkestër harkore dhe perkusione e cila interpretohet nga kjo orkestër në vende të ndryshme të botës që nga viti 2010 dhe sot njihet si himni i orkestrës kamerale ballkanike dhe njëkohësisht e cilësuar promovimi më i mirë i trashëgimisë tonë kulturore. Është vepër programore e ndarë në katër kohë ku secila përmban dhe titullin ku me anë të tingujve muzikor na japin pasqyrimin e plotë të historisë tonë.

Kjo vepër sot njihet si vepra më e interpretuar në arenën ndërkombëtare nëse krahasojmë prezantimin e krijimtarisë së kompozitorëve të tjerë shqiptarë të muzikës artistike në vitet e fundit. Beqiri krahas me veprën e sipërpërmendur në këtë koncert prezantohet edhe si orkestrues i veprës “Kanki-no-Uta” (premierë botërore) mbi temën e kompozitorit dhe këngëtarit shumë të njohur japonez Koji Tamaki.
Valton Beqiri njihet për afinitetin e tij të pashoq në muzikë dhe sa i përket stilit krijues ai sado të jetë impresionist e ekspresionist (stilistikisht) rëndësi të madhe i kushton përdorimit të motiveve tona folklorike duke i shkrirë e bashkëdyzuar ato në invencionin e tij krijues.

Koncerti mbahet sonte në Wienner Konzerthaus Mozart-saal duke filluar në orën 19:30. / KultPlus.com