“Artizanati sot”, ekspozitë me punime të artizaneve në Muzeun Etnografik të Elbasanit

Nga thellësitë e shekujve mbërrin deri sot talenti i punimeve artizanale të artizaneve të qarkut të Elbasanit, ku gratë mbajnë gjallë traditën e paraardhësve të tyre.

Në kuadër të promovimit të artizaneve të qarkut, në ambientet e Muzeut Etnografik Elbasan nga data 5 prill deri më 25 prill po organizohet “Artizanati Sot”, ku artizanet po shpalosin punimet e tyre, për të gjithë qytetarët elbasanas, por edhe turistët e shumtë që vizitojnë Elbasanin.

Në këtë promovim artizanet kanë sjellë përmes punimeve të tyre trashëgiminë kulturore  shqiptare.

Ato kanë shpalosur punimet e tyre në tezgjah, gdhendje druri, sapunë artizanalë, qëndisje në gjergjef, stoli, punime çantash me grep dhe çanta me rruaza, etj.

Me pasionin e tyre artizanet edhe një herë vënë në dukje se tradita e lashtë në Elbasan vazhdon të ruhet me fanatizëm nga njëri brez tek tjetri deri në ditët e sotme.

Artizanet që marrin pjesë në këtë aktivitet janë Hamide Filja, Brixhilda Çirraga, Shpresa Samurri, Josif Muça, Anisa Mëhalla, Edlira Kote, Nertila Allaj, Titi, Etleva Mata, Zana Hoxha, Motrat Koçollari, Etleva Ahmati, Bukurije Musai, etj.

Nga punimet në tezgjah dhe gdhendjet e mrekullueshme në dru, te sapunët artizanalë, çdo detaj rrëfen një histori./atsh/KultPlus.com

Restaurohet Muzeu Etnografik i Elbasanit

Drejtoria Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Korçë është në proces të përditësimit dhe miratimit të projektit “Restaurimi i Muzeut Etnografik” në qytetin e Elbasanit, për të cilin Bashkia Elbasan ka miratuar fondin për restaurimin e godinës të rëndësishme për historinë dhe kulturën e qytetit.

Muzeu Etnografik i Elbasanit ndodhet në një shtëpi karakteristike me çardak e ndërtuar në shekullin XVIII. Shtëpia është shpallur Monument Kulture i Kategorisë I në 15 janar 1963, duke u dalluar për arkitekturën e veçantë dhe ndër më të bukurat në llojin e vet në trevën e Elbasanit.

Muzeu përmban dy kate, ku kati i parë dikur ka shërbyer si magazinë për rezervat ushqimore dhe kati i dytë për banim. Pas shpalljes së tij si muze në vitin 1986, kati i parë u përdor për ekspozimin e historikut të qytetit dhe zejeve të trevave të Elbasanit, ndërsa kati i dytë u konceptua në mënyrë të tillë për të reflektuar mënyrën e jetesës, traditat, veshjet dhe pasurinë etnografike dhe kulturore të qytetit dhe trevave përreth, duke treguar nivelin e zhvillimit ekonomik të qytetit në atë kohë dhe duke shërbyer si dëshmi e gjallë e historisë së qytetit.

Parashikimi për ndërhyrje restauruese të muzeut është hap i rëndësishëm për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore të qytetit./KultPlus.com

Punime restaurimi në Muzeun Etnografik në Berat

Në Muzeun Etnografik në Berat po vazhdojnë punimet e restaurimit ndërsa deri tani janë bërë punime në: suvatimin e fasadave në eksterier si dhe suvatimet në interierin e muzeut.

Gjithashtu, është realizuar vendosja e tavanit në “Dhomën e Çiftit”, restaurimi i tavanit tek “Dhoma e Miqve”, drenazhime rreth gjithë perimetrit të objektit, instalimet elektrike, restaurimi i trarëve në tavanin e Çardakut, si dhe lyerja e tyre me antimol e vaj lini.

Qendra Kombëtare e Muzeumeve Berat bën me dije se restaurimi i gjithë çatisë së muzeut si dhe shumë punime të tjera restauruese, si dritaret e dyert, tashmë janë në proces pune.

Kohët e fundit rezulton se vizitueshmëria në muzetë e vendit tonë është rritur ndjeshëm.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ndau dje në rrjetet sociale shifrat e vizitorëve në muzetë e vendit, ku grafiku ka ardhur gjithnjë në rritje, nga 2020 deri më 2023-shin, gjë që dëshmon se trashëgimia kulturore tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë dhe një nga arsyet është kujdesi i shtuar ndaj siteve arkeologjike e muzeve./ atsh / KultPlus.com

Restaurimi i Muzeut Etnografik të Krujës, përmirësohet muzealizimi i pikturave murale

Muzeu Etnografik i Krujës është një tjetër destinacion i trashëgimisë sonë kulturore që po restaurohet dhe muzealizohet, për t’u kthyer shumë shpejt në një qendër të vizitueshme nga turistët.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga puna për restaurimin e këtij muzeu, i cili pritet të përfundojë së shpejti.

Rama tha se “një punë e jashtëzakonshme po bëhet për rilindjen e Muzeut Etnografik Krujë, i cili po i nënshtrohet ndërhyrjeve restauruese, procesit të muzealizimit dhe konservimit të pikturave murale dekoruar me elementë të drurit”.

Specialistët dhe studentët po punojnë së bashku për të pastruar dhe konsoliduar artefakte që do të shfaqen më vonë në muzeun e restauruar.

Muzeu është një nga disa objekte të trashëgimisë kulturore që po restaurohen në kuadër të projektit EU4Culture, financuar nga BE dhe zbatuar nga UNOPS në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Kulturës.

Muzeu Etnografik i Krujës ndodhet brenda kalasë së Krujës. Ky muzeum është ngritur në shtëpinë e familjes së Toptanëve, e cila është një ndërtesë e tipit “çardak” e vitit 1764.

Banesa është Monument Kulture i Kategorisë I. Në mjediset e brendshme, si edhe objektet e paraqitura në mjediset e jashtme, jepet një pamje e plotë i zejeve të ushtruara në Krujë dhe në të gjithë Shqipërinë, si edhe i mënyrës së jetesës duke filluar që 300 vjet përpara.

Plot 90% e objekteve të këtij muzeu janë origjinale dhe 100 % janë funksionale. Në të gjejmë objekte prej qeramike, druri, guri, hekuri, pambuku, mëndafshi, leshi, qëndisma të ndryshme të ekspozuara me finesë. Mosha e këtyre objekteve varion nga 60-70, deri në 500-vjeçare. Muzeu Kombëtar Etnografik i Krujës u përurua më 20 nëntor 1989. /atsh /KultPlus.com

Ndërhyrjet në Muzeun Etnografik në Gjakovë drejt fundit, Ceku: Çdo ditë punë të mira në mbrojtje të trashëgimisë kulturore

Po bëhen prekjet e fundit para përmbylljes së ndërhyrjeve të Ministrisë së Kulturës në ndërtesën e Muzeut Etnografik në Gjakovë.

Ky aset i trashëgimisë kulturore me vlera të jashtëzakonshme dhe pikë reference e turizmit në Gjakovë po merr vëmendjen e merituar nga institucionet.

Muzeu Etnografik kishte nevojë urgjente për ndërhyrje, të cilat tani po i afrohen përmbylljes.

Ky muze po ashtu është përfshirë në analizën që ka ndërmarrë Ministria e Kulturës në kuadër të Programit Kombëtar për zhvillimin e muzeve në Kosovë.

Duke i ruajtur origjinalitetin dhe mbrojtur nga të gjitha dëmtimet që i janë shkaktuar ndër vite, muzeu do të shërbej dhe bart kujtesën kolektive tek brezat e ardhshëm.

“Çdo ditë punë të mira në mbrojtje të trashëgimisë kulturore”, ka shkruar ministri i kulturës, Hajrulla Çeku. / KultPlus.com

Pasurim i kartelave elektronike për artefaktet e Muzeut Etonografik në Berat

Hulumtimi e dokumentimi shkencor i artefakteve është pjesë e rëndësishme e misionit të Muzeut Etnografik në Berat.

Qendra Kombëtare e Muzeumeve në Berat bën të ditur se “përgjatë një viti në Muzeun Etnografi krahas kartelës fizike, për çdo artefakt të fondit të muzeut u bë kartelizimi , përditësimi e pasurimi i kartelave elektronike”.

Sipas QKM Berat, kjo procedurë u bë sipas një formati të ri të miratuar nga Institutit Kombëtar të Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore, gjë që do të vazhdojë në mënyrë permanente edhe në vitin 2022.

Muzeu Etnografik ka një koleksion të pasur prej 1300 objektesh, është dëshmi e rëndësishme e kulturës, traditës interesante e të pasur të trevës së Beratit.

Në katin përdhes një rrugicë e improvizuar e pazarit mesjetar, paraqet nëpërmjet objekteve të ekspozuar zeje përfaqësuese dhe më të zhvilluara të trevës; qëndistarinë, argjendarinë, punimin e bakrit dhe veshje e zbukurime që flasin për nivelin aristokratik të jetës së shtresave të mesme e të pasura qytetare.

Në pjesën e hapur të hajatit janë prezantuar zeje që ushtroheshin në kushtet e shtëpisë për nevoja familjare. Hajati lidhet në mënyrë të natyrshme me pusin dhe oborrin ku janë të ekspozuar objekte gur gdhendjeje dhe qeramike.

Në katin e sipërm në mjediset e dhomave të banesës paraqitet mënyrën e jetesës, organizimi, traditat e zakonet në një familje qytetare të pasur në Mesjetën e Vonë./atsh/KultPlus.com

Muzeu Etnografik në Elbasan, një ftesë për turistët vendas e të huaj

Pozicionuar në qendër të qytetit, jo larg Kalasë së Elbasanit, Muzeu Etnografik në Elbasan është një shtëpi dykatëshe e shekullit të 18-të që ruan kulturën, folklorin dhe stilin e jetesës së qytetit.

Ndërsa ndau një tur virtual në këtë muze, deputeti i PS-së në qarkun e Elbasanit, Taulant Balla tha se në këtë muze gjenden vlerat etno-kulturore të shtëpisë karakteristike të Elbasanit me çardak.

“Mirëmëngjes dhe me këtë vizitë virtuale në Muzeun Etnografik të Elbasanit, ku gjenden vlerat etno-kulturore të shtëpisë karakteristike me çardak dhe ruhen me fanatizëm prodhimet artizanale të realizuara ndër vite nga qytetarë të ndryshëm elbasanas, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Balla.

Muzeu Etnografik ndodhet në qendër të qytetit të Elbasanit. Në vështrim të përgjithshëm ndërtesa i ngjan shumë shtëpive karakteristike në zonat e Beratit, Shkodrës dhe Gjirokastrës.

Muzeu gjendet në një nga shtëpitë e vjetra të qytetit. Ndërtesa është 200-vjeçare dhe përfaqëson një nga shtëpitë tipike të stilit post-mesjetar shqiptar. Godina dykatëshe shquhet për ballkonin e madh të shtruar e të rrethuar nga druri. Në gjuhën e folkut shqiptar ky konstruksion njihet si çardak.

Muzeu pasqyron në mënyrë të detajuar kulturën dhe folkun e Shqipërisë së Mesme, zejtarinë e kohës dhe jetën e përditshme të banorëve të qytetit e rrethinave. Për një vizitor të huaj apo shqiptar punimet e shajakpunuesve, qeleshpunuesve, terzinjve, punimet e opingarëve, saraçëve, punimet e zilexhinjve, armëtarëve, argjendarëve, çibukçinjve, samarxhinjve janë të dobishme për të kuptuar ndikimet dhe rrymat kulturore të zonës.

Mbresëlënës janë mullinjtë primitivë të vajit dhe guri mortor i legjionarit Mark Sabiti. Për këtë të fundit etnografët thonë se tregon vendndodhjen e dikurshme të Elbasanit. /atsh / KultPlus.com

Muzeu Etnografik në Krujë drejt restaurimit

Muzeu Etnografik në Krujë, falë mbështetjes së Bashkimit Europian do të restaurohet dhe rijetëzohet për të dëshmuar vlerat më të mira shqiptare e europiane.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, bashkë me ambasadorin e Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca vizituan sot Muzeun Etnografik të Krujës.

Margariti tha se “shqiptarët synojnë të bëhen pjesë e familjes europiane me identitetin tonë kombëtar”.

“Pikërisht, në këto ditë të Europës, u mblodhëm në oborrin e një godine të hijshme, në atë të Muzeut Etnografik në Krujë, që falë mbështetjes së Bashkimit Europian do të restaurohet, rijetëzohet për të dëshmuar vlerat më të mira shqiptare e europiane”, tha ajo.

Bashkë me përfaqësues institucionesh, specialistësh të trashëgimisë, Afërdita Onuzi, Iris Pojani, Mehdi Hafizi, zvkryetari i Bashkisë së Krujës, Florind Cerhozi dhe përfaqësues të komunitetit lokal në takim u diskutua mbi projektet dhe u shkëmbyen ide të reja.

Margariti falënderoi Ambasadorin e BE-së në Tiranë, Luigi Soreca, për ndihmën e vazhdueshme për të çuar përpara programin e ringritjes, EU4CULTURE, por edhe përfaqësuesve të UNOPS-it, Pamela Lama  e Lejla Hadzic për bashkëpunimin për realizimin e projekteve të rindërtimit të monumenteve të kulturës./ atsh / KultPlus.com

Digjet muzeu etnografik në Has (FOTO)

Dje rreth mesnatës është djegur muzeu etnografik në Has.

Muzeu i cili ruante veshje dhe sende të rralla të zonës, është një humbje e madhe në kulturën e vendit.

Arsyet e zjarrit nuk dihen ende, por ndërhyrja e zjarrfikësve nuk ka mjaftuar për ta shpëtuar.

Ndërtesa është shembur në çatinë e saj dhe asgjë s’ka mbetur më brenda. / KultPlus.com

Muzetë e Beratit mirëpritën vizitorët nga Kosova

Sezoni turistik i verës ka përfunduar, por në Qendrën Kombëtare të Muzeve Berat (Muzeu Ikonografik “Onufri”, Muzeu Etnografik) fluksi i vizitorëve vazhdon të jetë i lartë dhe përherë në rritje duke e krahasuar me vitin e kaluar.

Muzetë e Beratit sot u vizituan nga disa miq special, një grup vizitorësh nga Suhareka e Kosovës të cilët prekën nga afër bukurinë dhe historinë e këtyre vendeve që mbartin në vete koleksione objektesh që i takojnë fondeve të kishave dhe manastireve të Shqipërisë.

Numri i vizitorëve dhe të ardhurat e realizuara në lekë në Qendrën Kombëtare të Muzeve Berat vazhdojnë të jetë në rritje krahasuar me një vit më parë.Gjatë periudhës janar- nëntor 2018 Qendra Kombëtare e Muzeve Berat ka pasur 58448 vizitorë, 17843 vizitorë më shumë se periudha janar-nëntor 2017.

Qendra Kombëtare e Muzeve me rritjen e numrit të vizitueshmërisë ka realizuar për periudhën janar- nëntor 2018, 9.394.300 lekë të ardhura nga shitja e biletave nga këto 2.463.020 lekë më shumë së periudha janar- nëntor 2017. Vizituesahmëria e këtyre atraksionet turistike tregon se vizitorët gjatë këtyre muajve po tërhiqen nga monumentet e kulturës dhe trashëgimisë tonë. /A.T.SH/ KultPlus.com