Ethet e “Oscars 2022” në KultPlus Caffe Gallery, ftojmë komunitetin që t’i ndajmë emocionet

Pas 21 çmimeve nga mbarë bota, filmi me regji të Blerta Bashollit, “Zgjoi”, ka shkruar histori me shkronja të arta, duke thyer rekorde në shumë festivale të cilat ka marrë pjesë, ndërsa tani ëndërron për “Oscars 2022”, shkruan KultPus.

Deri më tani kemi parë një udhëtim të jashtëzakonshëm të këtij filmi që po pret të shënojë një kapitull tjetër, aty ku suksesi arrin nivelin më të lartë, atë të “Oscars”.

Lista përfundimtare do të bëhet e ditur më 8 shkurt, në qoftë se filmi “Zgjoi” do të marrë pjesë në ceremoninë gala më 22 mars, me ç’rast gazeta online mbi artin dhe kulturën, KultPlus bënë thirrje që i gjithë komuniteti artistik dhe jo vetëm, të jenë pjesë e festës në KultPlus Caffe Gallery, në një ditë të mbushur me plot ethe, shpresë, besim e dashuri me bollëk.

Andaj, nesër duke filluar nga ora 12:00 e tutje, KultPlus Caffe Gallery do të bëhet shtëpia që pret rezultatin e shumëpritur nën atmosferën e ngrohtë shpirtërore që vendi sjell.

“Zgjoi” po tenton që të arrijë në majën e lartë e të artë duke u nominuar për çmimin më të mirë ndërkombëtarë në Akademinë e Arteve.

Ceremonia e 94-të e Çmimeve të Akademisë, e prezantuar nga Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit, do të nderojë filmat më të mirë të publikuar nga 1 marsi deri më 31 dhjetor 2021 dhe është planifikuar të zhvillohet në Teatrin Dolby në Hollywood më 27 mars 2022. 

Ndërkohë, kujtojmë se votimi nga anëtarët e kësaj Akademie ka filluar më 27 janar. / KultPlus.com

PEN Qendra e Kosovës me aktivitete kulturore në kujtim shkrimtarëve të ndjerë

PEN Qendra e Kosovës, gjatë muajit tetor e nëntor të këtij viti, do të zhvillojë një sërë  aktivitetesh kulturore me qëllim përkujtimi të disa emrave që kanë lënë gjurmë jo vetëm në letrat shqipe në Kosovë.

Në kuadër të projektit të vet “Ora e Shkrimtarit”, PEN Qendra e Kosovës përmes kumtesave, punimeve studimore e të debateve, do të përkujtojë veprimtarinë letrare dhe veprimtaritë tjera të shkrimtarëve të ndjerë: Esat Mekuli, Adem Demaçi, Ibrahim Rugova, Anton Pashku, Hasan Mekuli, Jusuf Gërvalla, Xhemail Mustafa, Rifat Kukaj,Mensur Raifi dhe Mirko Gashi.

Për veprën letrare të këtyre autorëve të ndjerë do të flasin: Milazim Krasniqi, Ibrahim Berisha, Avni Spahiu, Sali Bashota, Anton Berishaj, Osman Gashi, Naime Beqiraj, Rrahman Paçarrizi, Ibrahim Kadriu, Agron Gashi, Gëzim Aliu, Adil Olluri, Flamur Maloku, Qibrije Demiri, Lindita Tahiri, Haqif Mulliqi dhe Binak Kelmendi.

Të gjitha aktivtetet kulturore do zhvillohen në Caffe Galeri KultPlus dhe ato fillojnë në orën 17.00. 

Aktiviteti i parë kulturor i kushtohet poetit Esat Mekuli dhe ai mbahet më 13 tetor.

Projektin “Ora e shkrimtarit” e ka përkrahur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Pas përfundimit të aktiviteteve, PEN Qendra do të botojë librin përmbledhës me kumtesat e autorëve dhe me punime letrare të shkrimtarëve të përkujtuar në këtë aktivitet kulturor./ KultPlus.com

“Shtegtimi i shqipes në Europë” nga Mimoza Hasani Pllana, promovohet nesër në KultPlus Caffe Gallery

“Shtegtimi i shqipes në Europë” me autore Mimoza Hasani Pllana është një libër që brenda vetës ka mbledhur plotë njëzet e tetë intervistat e autores, nga njëzetë shtete të Europës me dhjetëra albanologë, të huaj dhe shqiptarë, shkruan KultPlus.

Këto intervista janë publikuar me radhë edhe në gazetën online KultPlus, ndërsa tani do ta përjetojnë edhe promovimin në një libër.

Ky promovim do të mbahet nesër në KultPlus Caffe Gallery, në ora 12:00.

Në këtë promovim do të flasin: Behar Gjoka, shkrimtar dhe studiues dhe Rusana Bejleri, albanologe.

Shkrimtari dhe studiuesi, Behar Gjoka është shprehur se libri “Shtegtimi i shqipes në Europë”, i autores Mimoza Hasani Pllana, hap një dritare të munguar të komunikimit të letërsisë dhe kulturës shqiptare me botën. Nëpërmjet intervistave të bëra me dhjetëra albanologë, të huaj dhe shqiptarë, të një dialogimi të hapur, ofrohet një pasqyrë e lidhjeve dhe mungimeve, të shqipes me Europën, mundësuar nga përkushtimi dhe aspiratat kërkimore të autores, si dhe është një sinjal se duhet zgjeruar studimi, gjer aty ku ka mbërritur kumbimi i shqipes.

Ndërsa, albanologia Rusana Bejleri ka thënë se “Gjuha, letërsia dhe kultura shqiptare kanë nevojë për njohje në Europë dhe ky është një mision i vazhdueshëm për institucionet në trojet shqipfolëse dhe për intelektualët shqiptarë kudo që ndodhen.”

Libri u botua nga shtëpia botuese OLYMP në Prishtinë, 2019. / KultPlus.com