Muzika e Edon Mollës pjesë e filmit “The heart we share”

Artisti shqiptar Edon Molla, jeton dhe ushtron veprimtarinë e tij në Nju-Jork të ShBA-ve. Molla është një kantautor i suksesshëm, i cili ka krijuar kolona zanore edhe për filma të nominuar në çmimet Oscar.

Së fundmi ai është pjesë e filmit “The hurt we share” me muzikën e tij. Ka qenë vetë artisti që ka bërë të ditur lajmin.

“Shumë i lumtur që kam qenë pjesë e këtij filmi. “The hurt we share” dhe Vega. Gjithmonë kam ëndërruar të kem emrin tim në një billboard, faleminderit që më ndihmuat tia dal. Kjo është një fotografi e shkrepur nga @rinaa.ko! Faleminderit që kapët këtë moment për mua”, shkruan Edoni.

Edon Xhavit Molla (lindur më 8 Mars, 1994) është një këngëtar, kompozitor, producent regjistrimesh, kitarist dhe pianist shqiptaro-amerikan. Kënga e tij e parë “Lotët” (Tears) u publikua më 6 janar 2019, së bashku me videoklipin e tij të parë muzikor. Përpara muzikës, Edon ishte një basketbollist. Ai ishte i ftuar të luante për ekipin kombëtar të basketbollit të Kosovës. Ai luajti basketboll gjatë shkollës së mesme për trajnerin legjendar Bob Hurley në shkollën St. Anthony në Jersey City, New Jersey.

Familja e tij u largua nga Kosova për shkak të persekutimit të shqiptarëve të filluar me shpërbërjen e Jugosllavisë. Familja e tij u zhvendos në Brooklyn, Neë York në 1996 kur Edon ishte dy vjeç. Molla filloi të luante kitarë dhe piano kur ishte 14 vjeç si hobi, por u përqëndrua në basketboll derisa u takua me këngëtaren legjendare Roberta Flack në vitin 2016 dhe ajo i kërkoi atij të rishihte veten e tij mes basketbollit dhe muzikës. Falë trajnimit të këngëtares së njohur, Edoni u tërhoq nga basketbolli për tu fokusuar në muzikë. / KultPlus.com

Fituesja e çmimeve Oscar dhe Emmy, Brooke Keesling mbajti një prezantim sot në kinemanë ‘Jusuf Gërvalla’

Fituesja e çmimeve Oscar dhe Emmy, Brooke Keesling ka mbajtur një prezantim sot në kinemanë “Jusuf Gërvalla” në kuadër te Festivalit të Filmit të Animuar Anibar, përcjellë KultPlus.

Brooke Keesling tregoi për përvojën e saj gjatë kohës kur punoi për kompani si ‘Cartoon Network’, ‘Disney dhe Warner Bros’, ku edhe ka qenë e përfshirë në disa filma si: “Inception”, “The Dark Knight” dhe “Pirates of the Caribbean”.

Ajo vazhdoi duke treguar për punën e saj në Bento Box Entertainment, shtëpia e “Bob’s Burgers” dhe “Central Park”.

Pos këtyre, Keesling ndau me publikun fakte interesante rreth filmit të saj të parë të animuar, “Boobie Girl”, i cili ka fituar çmimet Oscar dhe Emmy në vitin 2005.

Ajo ka një përvojë të gjatë pune në nivelet më të larta të industrisë së animacionit dhe në detaje tregoi pikërisht për këtë.

Në fund, ajo pranoi edhe pyetje nga publiku ku tregoi për mundësitë e shumta në industrinë e animacionit, duke ju dhënë këshilla animatorëve të rinj të cilët janë të interesuar të kenë një karrierë në fushën e animacionit. / KultPlus.com

Filmat pretendent për ‘Oscar’ duhet t’i përmbushin kriteret e shumëllojshmërisë

Organizatorët e ceremonisë së famshme shpërblyese “Oscar”, kanë bërë të ditur se do ta formojnë një grup i cili do ta përpilojë një listë të rregullave të shumëllojshmërisë, të cilat filmbërësit pretendent për t’u shpërblyer me çmim akademik, duhet t’i ndjekin.

Sipas Akademisë së Arteve dhe Shkencës, qëllimi i këtij grupi është të krijoj mundësi të shumëllojshmërisë dhe udhëzime të gjithëpërfshirjes të cilat kineastët duhet ndjekur, nëse duan që puna e tyre të ketë të drejtë konkurrimi për “Oscar”, transmeton KultPlus.

Akademia e cila ndër vite është kritikuar për vlerësimin e më pak filmave të krijuesve të komunitetit afrikano-amerikan, ka deklaruar që ky veprim dhe disa ndryshime tjera që pritet të ndodhin se shpejti, e përfaqësojnë një fazë të re 5-vjeçare e cila ka për qëllim ta promovojë shumëllojshmërinë në industrinë e filmit.

Rregullat e reja të konkurrimit nuk vlejnë për projektet filmike të cilat pritet të nominohen për ceremoninë e ardhshme “Oscar”, që do të mbahet në vitin 2021.

Kritikat ndaj organizatorëve të shpërblimeve kryesore kinematografike u ashpërsuan dukshëm në vitin 2015, kur edhe u krijua hashtagu #OscarsSoWhite, i krijuar në formë të protestës për përfshirjen vetëm të filmbërësve, aktorëve dhe producentëve të bardhë, në kategoritë shpërblyese të kësaj ceremonie.

Në mesin e masave të reja të imponuara së fundmi nga Akademia, është edhe garantimi i përfshirjes së 10 projekteve filmike në garë për çmimin “Filmi më i mirë”, duke iu mundësuar kështu më shumë filmave që të nderohen me shpërblimin më prestigjioz të industrisë.

Hollywoodi është në qendër të kritikave për mungesë të shumëllojshmërisë dhe portretizim të racizmit në ekran të madh, që nga fillimi i protestave anembanë botës të shkaktuara nga vrasja e George Floydit. / KultPlus.com

Stephen King flet hapur: Ndarja e çmimeve “Oscar” është e kurdisur

Shkrimtari i mirënjohur i romaneve horror e ka shokuar publikun me komentet për kriteret e ndarjes së çmimeve.

Stephen King i ka tërhequr komentet e tij kontroverse për diversitetin dhe ceremoninë e çmimeve Oscar. Në një ese të gjatë që e shkroi për “Washington Post”, ai pohon se Oscari është i manipuluar në dobi të të bardhëve.

King i zemëroi autorët dhe fansat pasi e postoi komentin në Twitter: “Kur votoj për një publikim si anëtar i Akademisë së Filmit, nuk e marr fare parasysh dallimin gjinor dhe racor në kuadër të çështjeve artistike. Vetëm cilësinë. Unë çdo mënyrë tjetër e konsideroj të gabuar”. King mund t’i kandidojë filmat në tri kategori “Oscar”: filmi më i mirë, skenari i adaptuar dhe skenari origjinal, kështu që me këtë rast e komentoi mungesën e njohjes për femrat dhe artistët zezakë në ndarjen e sivjetme të çmimeve.

“Ta hajë dreqi, Stephen. Mendova që je më i mirë se kaq. Duhet ta kesh të qartë se dallimi dhe cilësia nuk janë dy tipare të ndara, as nuk e kundërshtojnë njëra-tjetrën. Përveç, mbase, në mendjen e një fanatiku,” komentoi Nora K. Jemisin. autorja e “The Hundred Thousand Kingdoms”.

Me të u darkorduan edhe shumë kolegë, të cilët shprehën keqardhje që një njeri i madh si King mund të jetë aq mendjengushtë, shkruan KOHA Ditore. Ata besojnë se cilësia është kudo, por që shumica e industrive besojnë në cilësinë e një mesatareje demografike – raporton Guardian.

King pastaj e shtoi edhe një postim tjetër për ta shpjeguar qëndrimin e tij të mëparshëm:

“Gjëja më e rëndësishme të cilën ne si artistë dhe krijues mund ta bëjmë është të sigurohemi që të gjithë e kanë një shans të barabartë, pavarësisht gjinisë, ngjyrës apo orientimit. Për momentin, njerëzit e tillë keqkuptohen, jo vetëm në art. Nuk mund ta fitoni një çmim nëse përjashtoheni nga gara për të njëjtat gjëra”.

Autori i njohur i zhanrit horror e shkroi një ese për Washington Post në të cilën theksoi se postimi dhe mesazhi i tij ishin nxjerrë nga konteksti. Ai në fakt tha se ata që vendosin për ndarjen e çmimeve duhet të jenë të verbër ndaj çdo dallimi (racor, gjinor dhe demografik) në mesin e artistëve. Shkrimtari pretendon se ai nuk tha që filmat, librat, shfaqjet dhe muzika që janë në fokusuar në dallimin ose pabarazinë nuk mund të jenë vepër e një gjeniu krijues. Mund të jenë dhe shpesh janë.

King në esenë e tij e vazhdoi tezën origjinale për atë që gjyqtarët duhet të jenë të verbër, por se kjo nuk është një botë e përsosur, sepse loja (Oscar) është e kurdisur për të fituar të bardhët. Ai e vendosi theksin në përqindjen e përbërjes demografike të votuesve për çmimin “Oscar”: 32 për qind janë femra dhe vetëm 16 për qind grupe minoritare.

“Vlerësimi i punës së dikujt sipas çfarëdo standardi tjetër, përveç paanshmërisë totale është fyes dhe e dëmton punën e të gjithë artistëve të shkëlqyer. Ne nuk jetojmë në botën e përsosur, ndërsa kandidimet e sivjetme të ndarjes së çmimeve “Oscar” edhe një herë e konfirmojnë këtë. Ndoshta një ditë do të mundemi? Mund të ëndërroj, apo jo? Në fund të fundit, unë trilloj tregime për të fituar para”, theksoi King. / KultPlus.com