Atifete Jahjaga për suksesin e filmit “Zgjoi”: Krenare sa më s’ka!

Filmi artistik nga Kosova, ‘Zgjoi’ me regji nga Blerta Basholli bëri historinë sot duke rrëmbyer tri çmimet kryesore të Sundance Film Festival: Filmi më i mirë, Regjisorja më i mirë, dhe çmimin e vlefshëm të publikut të festivalit më të madh të filmit të pavarur në SHBA, përcjellë KultPlus.

Ky lajm ka bërë të lumtur të gjithë shqiptarët e në veçanti ata që qëndrojnë më afër filmit.

E lumtur dhe krenare për këtë arritje të filmit shqiptar është shprehur edhe ish-presidentja e vendit, Atifete Jahjaga.

“Jo një, as dy, por tri çmime të fituara në festivalin e filmit “Sundance”! Urime regjisores Blerta Basholli dhe krejt ekipit të filmit “Zgjoi”. Një falënderim të madh edhe për Fahrije Hotin dhe gratë e Krushës- jeni motiv i forcës dhe kurajos së gruas shqiptare! Diplomacia kulturore e Kosovës frymon kur atë e bëjnë artistët tanë thjesht duke shpërfaqur talentin e tyre dhe duke shndërruar dashurinë që kanë për artin në kryevepra! Krenare sa më s’ka!”, ka shkruar Jahjaga. / KultPlus.com

Filluan xhirimet e filmit artistik “Zgjoi”

Ka filluar xhirimet filmi “Zgjoi” me regji dhe skenar nga Blerta Basholli. Ky film është bashkëprodhim mes Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, përcjell KultPlus.

 “Zgjoi” është debutimi i regjisores kosovare Basholli me bashkëproducent shqiptar Paskal Seminin, i cili sjell në ekranin e madh historinë e Fahrijes që kërkon ende bashkëshortin e humbur në luftë. Për të siguruar mbijetesën e familjes ajo fillon një sipërmarrje të vogël duke rritur bletë. Kur bletët bëhen agresive ndaj saj, Fahrijes i duhet të vendosë se si do të bëjë paqe me to por mbi të gjitha, me veten.

Aktorët në rolet kryesore janë: Yllka Gashi, Çun Lajçi, Kaona Sylejmani, Mal Safqiu, Aurita Agushi, Kumrije Hoxha, Adriana Matoshi, Blerta Ismaili, Molikë Maxhuni, Valire Zeneli etj.

Filmi është financuar nga QKK Kosovë, Fondi Shtetëror Zvicerian, Cineforum i Kantonit Gjenevës, Televizioni Kombëtar Zviceran RTS, QKK Shqipëri dhe Agencia Filmit Maqedoni. / KultPlus.com