MKRS ndan 253 milionë euro për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”, hartohet koncept dokumenti fillestar

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka prezantuar konceptin zyrtar të organizimit  të Lojrave Mesadhetare “Prishtina 2030”, nga ku ka bërë të ditur se MKRS ka ndarë 253 euro për organizimin e këtyre lojërave, historike për sportin kosovar, shkruan KultPlus.

Ministri Çeku ka uruar komunitetin sportiv për këtë arritje, pasi sipas tij angazhimi i institucioneve shtetërore, do të ishte pa rezultat, po të mos ishin sukset e tyre ndërkombëtare ndër vite.

“Uroj të gjithë komunitetin sportiv për këtë arritje historike e cila refleton vullnetin talentin dhe punën e deritanishme të sportistëve tanë. Vetëm me një fitore të këtij lloji për organizimin e një gare multisporive në vend, kështu edhe ne të tjerët mund të jemi në linjë me punën dhe përkushtimin tuaj ndër vite andaj të dashur sportistë, urime të gjithëve nga zemra, para së gjithash juve sepse i gjithë ky sukses, i gjithë ky angazhim i organizatave sportive shtetërore e institucionale do të ishte pa rezultat sikur t mos ishin puna dhe sukseset tuaja ndërkombëtare ndër vite”, ka thënë ministri Çeku/KultPlus.com

MKRS: Kosova mikpritëse e Lojërave Mesdhetare 2030

Kosova është shpallur nikoçire e Lojërave Mesdhetare 2030, përcjell KultPlus.

Në një postim në faqen zyrtare të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit thuhet se ky vendim e rikthen organizimin e lojërave në Ballkan pas 51 vitesh, prej kur LM u organizuan në vitin 1979 në Split të Kroacisë.

Në vijim gjeni postimin e plotë të MKRS-së:

Kosova mikpritëse e Lojërave Mesdhetare 2030

Asambleja Gjenerale e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare sot në Heraklion të Greqisë, ka shpallur Kosovën shtet mikpritës të LM2030.

Vendimi i sotëm rikthen organizimin e lojërave në Ballkan pas 51 vitesh, prej kur LM u organizuan në vitin 1979 në Split të Kroacisë.

Programi sportiv përmban rreth 24 sporte, me pjesëmarrjen e mbi 3300 sportistëve dhe shënon bashkëpunimin e parë mes 2 shteteve në organizim, Kosovës dhe Shqipërisë. Ngjarja ndërkombëtare multi-sportive do të ketë shtrirje në gjithë territorin e shtetit me fokus në 7 komunat kryesore si dhe në bregdetin shqiptar, në Durrës.

Përmes LM2030, konsolidohet imazhi shtetëror në arenën ndërkombëtare, përforcohet përkatësia dhe identiteti shtetëror si dhe do të investohet në infrastrukturë fizike të modernizuar.

Krahas përfitimeve direkte financiare që do të vijnë me organizimin e Lojërave Mesdhetare, do të ketë edhe përfitime jodirekte por afatgjate, si promovimi i shtetit dhe zhvillimi i turizmit sportiv./KultPlus.com

Rinisin punimet në shtëpinë e kulturës ‘Ukë Bytyçi’ në Suharekë

Ministri Hajrulla Çeku dhe kryetari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, vizituan sot shtëpinë e kulturës “Ukë Bytyçi” në Suharekë, ku pas disa viteve stagnim, kanë rinisur punët.

Me investimin e MKRS-së në vlerë prej 2.7 milionë euro, projekti parasheh hapësira të reja të projektuara për të shërbyer si një qendër vitale dhe platformë e përshtatshme për artistët dhe artdashësit e rajonit, për të ndarë dhe zhvilluar interesat e tyre në fushën e kulturës.

Përtej hapësirës fizike, qendra do të inkurajojë bashkëpunimin, kreativitetin dhe ndërveprimin ndërmjet komunitetit./KultPlus.com

Festivali kushtuar artit të fotografisë fillon për herë të parë në Kosovë

Edicioni i parë i Festivalit Ndërkombëtar të Fotografisë – FOTOIST, premton të jetë një festë vizuale për të gjithë.

Ekspozitat madhështore si “Rrethimi i Sarajevës”, që paraqet veprat e jashtëzakonshme të fotografit të njohur Paul Lowe, “The Hollow of the Hand” nga Seamus Murphy dhe P.J. Harvey, “Yves Saint Laurent” nga Pierre dhe Alexandra Boulat që kanë fotografuar për firmën për katër dekada, si dhe ekspozitat e fotografëve vendorë, Ferdi Limani dhe Jeton Karahoda, janë vetëm disa nga aktivitetet e programit.

Festivalin e përuruan Kryeministri Albin Kurti, zëvendëskryeministrja, Emilia Redžepi, ministri Hajrulla Çeku, shumë artistë dhe adhurues të fotografisë.

Muzeu Kombëtar, Biblioteka Kombëtare, Galeria Kombëtare, Kino Armata, Galeria Qahili, janë disa nga vendet ku do të mbahen ekspozitat, ligjëratat, debatet e bisedat mes artistësh, shfaqjet e filmave dhe fotosesionet, të cilat vazhdojnë deri me 29 gusht.

Me qëllim të promovimit të fotografisë dhe jetës
kulturore përmes tyre, MKRS qëndron si një nga mbështetësit kryesorë prapa Fotoist – International Photography Festival./KultPlus.com

MKRS fton të rinjtë që të bëhen pjesë e Panairit të Rinisë dhe të prezantojnë punën e tyre

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit fton të rinjtë që të bëhen pjesë e Panairit të Rinisë dhe të prezantojnë punën e tyre.

Ky panair mbahet në Prishtinë më datë 25 gusht nga ora 11:00 dhe ofron hapësirë për të rinjtë që të paraqesin veprimtarinë e tyre dhe të rrjetëzohen me institucionet publike, sektorin privat dhe organizatat.

Nëse jeni artistë, artizanë, ndërmarrës apo krijues të rinj (15 – 24 vjeç), inkurajoheni të aplikoni për të siguruar hapësirë.

Shembuj që mund të ekspozohen janë krijimtaritë në fushën e artit, artizanate të ndryshme, punëdore, gastronomi, teknologji informative, prodhimtari, si dhe fusha të tjera që reflektojnë punën dhe angazhimin tuaj.

Plotësoni formularin e aplikimit deri më 13 gusht: https://shorturl.at/uzKNO

Kjo ngjarje organizohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe mbështetet nga UNICEF në Kosovë. / KultPlus.com

Filmat ‘Heshtja Vret’ dhe ‘I Pabesi’ shfaqen nesër në Kino Armata

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”, nesër (08 gusht 2023), duke filluar nga ora 20:00, në Kino Armata, në Prishtinë.

Filmat janë prodhuar me mbështetje të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Filmi “I pabesi” (39 min), është realizuar nën regjinë e Musa Isufi, me skenar të Shkelqim Islami, me aktorë: Gani Veseli, Anisa Ismaili, Artan Ibishi, Valon Nuhiu, Muzabejdin Qamili. Në këtë link mund ta shihni trailerin: https://www.youtube.com/watch?v=qe5l2zF1KVg

 Ndërsa, filmi “Heshtja Vret” (40 min), është realizuar nën regjinë e Musa Isufi, me skenar të Shkelqim Islami, me aktorë: Gani Veseli, Sefedin Shabani, Faton Ibrahimi, Egzona Salihu, Valon Nuhiu, Artan Ibishi, Emine Kadriu, Blerim Ismani.

Në këtë link mund ta ndiqni trailerin: https://www.youtube.com/watch?v=sg5OjHyU7bo. / KultPlus.com

Pasurohet lista e aseteve të trashëgimisë kulturore, 13 asete shtesë, tash në mbrojtje të përhershme

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se po vazhdojnë punën për pasurimin e listës së aseteve të trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përhershme. 13 asete shtesë, tash në mbrojtje të përhershme, përcjellë KultPlus.com

Në Gjilan, Shtëpia e Zekirja Abdullahut, Kisha e Shën Anës, Objekti i Kajmekamëllekut, Objekti i ish Depos Ushtarake Turke, Shtëpia e Haxhi Ahmetit, Në Prizren, Kompleksi Monumental i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Kompleksi i Kishës Katolike “Zonja Ndihmëtare”, Kroi i Binbashit, Shtëpia e Musa Shehzades, në Partesh, Kisha e Shndërrimit, në Ferizaj, Kompleksi i Ndërtesave: Xhami e Kishë Ortodokse, në Kamenicë, Teqeja e Sheh Zenel Abedinit, në Kaçanik, Xhamia e Hoxhë Sinan Pashës.

“Çdo ditë përkushtim në mbrojtjen, ruajtjen dhe funksionalizimin e aseteve tona të trashëgimisë”, thuhet në njoftimin e MKRS-së. / KultPlus.com

Komuna e Skenderajt i hyn me bager Shtëpisë se Kulturës ne Runik, MKRS ndalon punimet

Ministria e Kulturës ka dalë me reagim pasi Komuna e Skenderajt ka filluar ndërhyrjet për shkatërrimin e Shtëpisë së Kulturës në Runik, përcjell KultPlus.

MKRS nëpërmjet këtij reagimi thotë se institucionet përgjegjëse të Ministrisë menjëherë kanë dalë në vend të ngjarjes për të bërë vlerësimin fillestar të gjendjes, ndërsa Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ka ndërmarrë hapat ligjorë për ndalim të punimeve të paligjshme nga ana e autoriteteve komunale.

Në vijim KultPlus ua sjell reagimin e plotë të MKRS-së:

REAGIM

Shtëpia e Kulturës në Runik është aset i trashëgimisë kulturore në mbrojtje, si dëshmi e historisë kulturore dhe rëndësisë së saj për banorët e Runikut dhe fshatrat rreth tij.
Ndërhyrjet degraduese nga ana e Komunës së Skenderajt janë bërë pa pëlqimin e institucioneve të MKRS-së dhe në kundërshtim me Ligjin për Trashëgiminë Kulturore.

Institucionet përgjegjëse të Ministrisë menjëherë kanë dalë në vend të ngjarjes për të bërë vlerësimin fillestar të gjendjes, ndërsa Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ka ndërmarrë hapat ligjorë për ndalim të punimeve të paligjshme nga ana e autoriteteve komunale.

Ky monument ngërthen kujtimet e komunitetit për ngjarjet e pasura kulturore të organizuara në bibliotekën, kinemanë dhe sallën koncertale, si pjesë e rëndësishme e kujtesës kolektive.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në kuadër të programit vjetor ka paraparë buxhet për renovimin e Shtëpisë së Kulturës, në mënyrë që ky monument të rijetësohet dhe të vihet në shfrytëzim për komunitetin e Runikut dhe më gjerë.

Prandaj, i apelojmë komunës së Skenderajt që të ndërpresë veprimet e paligjshme, dhe njëkohësisht rikujtojmë që mbrojtja e vlerave të përbashkëta të trashëgimisë kulturore është përgjegjësi e të gjitha institucioneve shtetërore, qendrore e lokale./KultPlus.com

Qeveria miraton Projektligjin për Art dhe Kulturë

Në mbledhjen e 148-të të Qeverisë së Kosovës me miratimin e Projektligjit për Art dhe Kulturë, është shënuar një zhvillim i rëndësishëm drejt zhbllokimit të potencialit dhe nxitjes së krijimtarisë artistike.

Ligji i ri ndër të tjera do të ofrojë:

Kushte ligjore më të favorshme për krijimtari artistike, më pak burokraci

Forma të reja të mbështetjes së institucioneve publike të artit dhe skenës kulturore

Bazë ligjore për themelimin e Muzeut të Artit Bashkëkohor dhe Këshillit Kombëtar të Arteve

Njohje ligjore të skenës së pavarur dhe statusit të artistit të pavarur e artistëve meritorë

Projektligjin e hartuar përmes angazhimit aktiv me komunitetin artistik, dhjetëra takimeve për të dëgjuar shqetësimet dhe sfidat që pengojnë mbarëvajtjen e punës së tyre, mund ta shfletoni KËTU./KultPlus.com

Ministria e Kulturës ndan çmimet në fushën e muzikës, në mungesë nominimesh nuk u nda çmimi për veprimtari jetësore

Sot, në Ditën Botërore të Muzikës, për të festuar dhe nderuar arritjet e muzikantëve të shquar, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ndau çmimet vjetore në fushën e muzikës. 

Juria profesionale, në përbërje prej kompozitorëve dhe dirigjentëve Baki Jashari, Kushtrim Gashi dhe Hajrullah Syla, pasi vlerësoi propozimet dhe analizoi veprat që kanë konkuruar në ftesën publike, vendosi si vijon:

Çmimi për vepër vokalo – instrumentale, i ndahet kompozitorit Mendi Mengjiqi për veprën “Exodus” për solo sopran, kor dhe orkestër simfonike.

Çmimi për vepër orkestrale – simfonike dhe koncertante, i ndahet dy kompozitorëve Ersan Januzi për veprën “Take a deep breath” për orkestër simfonike dhe Dafina Zeqiri Nushi për veprën “Wind” për orkestër simfonike.

Çmimi për vepër kamertale i ndahet Kreshnik Aliçkaj për veprën “Passacaglia” për orkestër harkore, harpë, çelestë dhe perkusione si dhe Valton Beqiri për veprën “XX” për kitarë dhe orkestër harqesh. Në pamundësi të pjesëmarrjes në ceremoni, të dyja çmimet u pranuan nga familjarët dhe kolegët e tyre.

Çmimi për vepër korale me ose pa shoqërim instrumental, i ndahet kompozitores Dea Ahma për veprën “De Vita et morte ” për zëra solo, narrator, tri kore mikse dhe përkusione.

Çmimi për vepër solistike dhe duo i ndahet kompozitorit Drinor Zymberi për veprën “Tri pjesë për klarinet dhe piano”.

Në mungesë të nominimeve nga institucionet përkatëse, juria profesionale këtë vit nuk ndau Çmim Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Niketë Dardani”./KultPlus.com

MKRS- nxënësve të Mitrovicës: Takohuni me kampionen – Majlinda Kelmendi!

Të gjithë nxënësit e qytetit të Mitrovicës do të kenë mundësi që të jenë pjesë e demonstrimit të xhudos me kampionen olimpike, Majlinda Kelmendi,  e cila ngjarje është në kuadër të programit shtetëror “Kosova, shtet i xhudos”, shkruan KultPlus.

Ky program përmes komponentës “Xhudo në shkolla – xhudistët e rinj”, ka për qëllim të zhvillojë masovizimin dhe integrimin e disiplinës së xhudos në të gjitha shkollat dhe komunat e Kosovës.

“Bashkë me trajnerët dhe xhudistët e klubit të xhudos “Trepça”, Majlinda Kelmendi do të prezantojë disiplinën e xhudos dhe do të takohet me të gjithë të rinjtë për të festuar kulturën dhe arritjet e xhudos në Kosovë”, thuhet në njoftimin e MKRS.

Ngjarja do të zhvillohet më 7 qershor në ora 14 në sallën e sporteve “Minatori” në Mitrovicë./KultPlus.com

Të rinjtë si agjentë të ndryshimit në Kosovë

“Activate talks”, një ngjarje frymëzuese e Unicef Kosovo Programme sot bashkoi folës të njohur, aktivistë dhe liderë të rinj për t’u përfshirë në diskutime domethënëse dhe për të adresuar çështje që prekin rininë në Kosovë.

Pjesë e bisedave ishin ministri Hajrulla Çeku, ambasadori i Austrisë në Kosovë Christoph Weidinger, shefja e zyrës së UNICEF Nona Zicherman dhe të tjerë.

Në këtë edicion katër të rinj ndanë tregimet e tyre përgjatë realizimit të projekteve të bazuara në komunitetet e tyre, ndërsa u mbajt edhe një panel diskutimi e panairi i projekteve të të rinjëve.

Nëpërmjet këtyre platformave diskutimi, të pranishmit inkurajohen të ndërmarrin veprime, të nxisin ndryshime pozitive dhe të kontribuojnë në zhvillimin e komunitetit rinor të Kosovës./KultPlus.com

Shpallet konkursi për hartimin e Master Planit për Kompleksin Memorial Adem Jashari në Prekaz

Pas angazhimit të Komisionit të ekspertëve për hartim të detyrës projektuese, dhe pas miratimit të kushteve, kritereve dhe procedurave nga Qeveria e Kosovës, MKRS ka shpallur konkursin për hartimin e Master Planit.

“Ky është ndër proceset dhe projektet më delikate të Republikës sonë, kemi punuar me hapa të sigurt, pa u ngutur, por edhe pa humbur kohë. Nuk do të kursejmë asgjë për të pasur një kompleks memorial të përmasave botërore, çfarë është edhe figura e Adem Jasharit. Një kompleks memorial që do të rrëfejë dinjitetshëm dhe me standard të arrirë artistik rezistencën e popullit dhe luftën për liri, pavarësi e bashkim”, ka shkruar në Facebook ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.

Konkursi është hapur sot dhe afati i fundit për dorëzim është 07.07.2023,

Klikoni KËTU për informata më të hollësishme rreth kritereve të aplikimit./KultPlus.com

MKRS: “Arti në shkolla” nisma që mund të arrijë rezultate transformuese

Programi më i ri qeveritar “Arti në shkolla”siç duket po sjell plot energji, mundësi e kreativitet artistik tek nxënësit e shkollave në të cilat po pilotohet.

““Artisti në klasë” është një nga pikat e tij më të veçanta, ku fëmijët po zgjerojnë njohuritë për operën, instrumentet muzikore, shfaqjet teatrale e aktrimin, pikërisht nga personat që ushtrojnë këto profesione. Aktivitetet po udhëhiqen nga artistë dhe ekipi profesional i institucioneve qendrore të kulturës”, thuhet në njoftimin e MKRS-së.

Ndër tjera në këtë njoftim të ministrisë kulturës  thuhet se u mbajt edhe  një koncerti u mbajt nën udhëheqjen e Operës së Kosovës dhe Korit Okarina.

“Rrugëtimi i programit ka vazhduar me një koncert në Shkollën e Muzikës, që u mbajt nën udhëheqjen e Operës së Kosovës dhe Korit Okarina. Koncerti u dha për rreth 200 nxënës të katër shkollave fillore “Selami Hallaçi” dhe “Sadullah Brestovci” nga Gjilani, “Ibrahim Uruçi” nga Bresalca dhe “Skënderbeu” nga Përlepnica. Koret performuan pika të ndryshme artistike, pjesë operistike nga autorë shqiptarë e kryevepra botërore”, thuhet në njoftim.

Përmes praktikave të tilla krijuese në kuadër të këtij pilot programi, po sigurohemi që brezi i ardhshëm të marrë një arsimim të plotë që përfshin artet, të identifikojmë talentët e rinj, të kultivojmë ndjenja kreativiteti si dhe të zhvillojmë kapacitetin për reflektime kritike tek fëmijët.

MKRS shpall të hapur garën për dizajnimin e logos së Strategjisë Shtetërore për Rini 2024-2032

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka shpallur sot të hapur garën për dizajnimin e logos së Strategjisë Shtetërore për Rini 2024-2032.

Ftohen të rinjtë e moshave 15 deri 24 vjeç të dërgojnë propozimet sipas kritereve të publikuara në: https://shorturl.at/pxW69

Fituesi i konkursit do të shpërblehet me 500 €.

Afati i fundit për aplikim është data 7 qershor, ora 16:00. / KultPlus.com

Lansohet programi “Arti në shkolla”

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, sot, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Arsimit dhe institucione të tjera partnere në nivelin qendror dhe lokal, kanë lansuar programi ndër-ministror “Arti në Shkolla”.

Zëvendësministrja Daulina Osmani së bashku me ministren Arbërie Nagavci dhe ministrin Elbert Krasniqi prezantuan para kryetarëve të komunave, zyrtarëve publikë, si dhe përfaqësuesve të komunitetit artistik, programin i cili parasheh që çdo nxënës të ketë të paktën një aktivitet ekstrakurikular kulturor në javë, duke përfshirë: Orë të veçanta të artit të cilat do të sjellin artistin në klasën shkollore; Vizitat direkte në institucionet kulturore dhe në monumente të trashëgimisë kulturore; Organizmin e nxënësve për pjesëmarrje në shfaqje të ndryshme artisike; Themelimin e art klubeve në shkolla, që do të shërbejnë si platforma për aktivizmin e nxënësve që shprehin interesim dhe talent në cilëndo gjini të caktuar artistike: lexim, teatër, muzikë, trashëgimi kulturore apo të tjera.

Përgjatë muajve maj dhe qershor, fillon faza e parë e zbatimit të programit që do të zhvillohet në shkollat e Gjilanit, për të vazhduar më pas në komunat tjera. / KultPlus.com

MKRS hap thirrjen për brendimin e kandidaturës së Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka hapur thirrjen për brendimin e kandidaturës së Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, përcjell KultPlus.

“Është hapur thirrja për brendimin e kandidaturës së Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.

Nëse keni ide kreative si mund të duket vizuelisht prezantimi i vendit tonë si kandidat për organizim të LM 2030 aplikoni”, thuhet në njoftimin e MKRS-së.

Klikoni KËTU për të lexuar më shumë detaje./ KultPlus.com

44 asete nga lista e trashëgimisë kulturore në mbrojtjen e MKRS-së

44 asete nga lista e trashëgimisë kulturore do të mbrohen përmes programit për ndërhyrjeve konservuese dhe restauruese nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, shkruan KultPlus.

MKRS ka bërë të ditur se sot në mbledhjen e Qeverisë është pranuar kërkesa e tyre për rialokim të mjeteve financiare.

‘Përmirësimi i gjendjes fizike të aseteve të trashëgimisë kulturore në rrezik dhe rifunksionalizimi i tyre, mbetet ndër prioritetet tona kryesore’, thuhet në një njoftim të MKRS./KultPlus.com

Ekspertizë nga profesionstë ndërkombëtarë për themelimin e Këshillit Kombëtar të Arteve në Kosovë

Ministri Çeku ka takuar drejtoren për zhvillim të arteve në Këshillin e Arteve të Irlandës Veriore, Gilly Campbell e cila është në Kosovë për të dhënë ekspertizën e saj në fushën e artit.

Campbell ka qenë pjesë e punëtorisë me ekipin punues për hartimin e Ligjit për Art dhe Kulturë, me ç’rast janë fokusuar tek formimi i Këshillit Kombëtar të Arteve në Kosovë, modeli i Irlandës dhe krahasimi i tyre.

Bashkë me ministrin kanë vizituar Galerinë Kombëtare të Kosovës, ndërsa kanë diskutuar për punën e këshillit iniciues për themelimin e Muzeut të Artit Bashkëkohor, blerjen e veprave të artit dhe përvojat e shteteve të tjera.

Në takim ishin të pranishëm edhe Peter Brown, drejtor i përgjithshëm i British Council për Ballkanin Perendimor, Majlinda Mazelliu, zëvendësdrejtore e British Council për Ballkanin Perëndimor dhe drejtore për Kosovë dhe Shqipëri, po ashtu Alisa Gojani, u.d drejtore në GKK dhe Renea Behluli, kryesuese e këshillit drejtues, GKK./ KultPlus.com

Kosova, zyrtarisht shtet kandidat për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030

Kosova është shpallur zyrtarisht shtet kandidat për organizimin e edicionit të 21-të të Lojrave Mesdhetare 2030, shkruan KultPlus.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është shprehur optimiste pasi kanë prezantuar konceptin, nga i cili presin dritën jeshile në shtator, për mundësi mikpritëse të mijëra sportistëve dhe qytetarëve nga 26 shtetet e tri kontinenteve që preken nga Mesdheu.

Sipas MKRS një organizim i tillë do të kishte rëndësi shumë të madhe pasi do të promovonte imazhin e shtetit të Koosvës dhe përmes tij do të pasqyrohej vizioni i Qeverisë për të ardhmen e të rinjëve të vendit.

Postimi i plotë i MKRS në facebook:

Kosova, zyrtarisht shtet kandidat për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030.

Kosova mund të jetë mikpritëse e mijëra sportistëve dhe qytetarëve nga 26 shtetet e tri kontinenteve që preken nga Mesdheu, sepse tani zyrtarisht jemi shtet kandidat për organizimin e edicionit të 21-të të Lojërave Mesdhetare.

Me shpresën që në muajin shtator të marrim lajmin pozitiv, kemi prezantuar konceptin tonë që parasheh shtrirje në tërë territorin e Kosovës për t’i bërë bashkë sportistët e 23 sporteve.

Një organizim i tillë do të fuqizonte politikat sociale dhe rezultatet sportive si dhe do të promovonte në vazhdimësi vlerat e imazhin tonë shtetëror, ndërsa pasqyron vizionin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të ardhmen e të rinjve tanë./KultPlus.com

Restaurohet Kulla e Sahit Avdylit, në Dujakë të Gjakovës

Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka bërë të ditur se është restauruar Kulla e Sahit Avdylit, në fshatin Dujakë të Gjakovës, shkruan KultPlus.

Ministri Çeku, përmes një postimi në facebook ka thënë  se ruajtja e origjinalitetit dhe rifunksionalizimi i aseteve të trashëgimisë kulturore, është synim i MKRS, pasi mbrojtja e monumenteve kultivon krenarinë për të kaluarën dhe pasurinë kulturore të Kosovës.

Gjakova, stacioni i radhës për Filharmoninë e Kosovës

Gjakova do të jetë stacioni i radhës në të cilin do të performojë institucioni më i lartë i muzikës në vend, përcjellë KultPlus.

Në kuadër të programit “Filharmonia në lëvizje”, i cili kësaj here do të ndalet në qytetin e Gjakovës do të interpretohen vepra nga kompozitorët Brahms, Weber dhe Dvorak.

Koncerti do të dirigjohet nga Lirjona Sylejmani, ndërsa në rolin e solistit do të paraqitet klarinetisti  Ardit Ibrahimi.

‘Koncerti me vepra nga Brahms, Weber dhe Dvorak organizohet në Shtëpinë e Kulturës “Asim Vokshi”, të premten më 31 mars 2023 prej orës 20:00’, thuhet në njoftimin e Filharmonisë së Kosovës në facebook.

Koncerti është mbështetur nga MKRS dhe Komuna e Gjakovës. Koncerti është i hapur për publikun./KultPlus.com

MKRS pret në takim basketbollisten e NBA-së, Edona Thaqi

Zëvendësministrja e Sportit, Daulina Osmani, ka pritur në takim basketbollisten Edona Thaqi, e cila po zhvillon karrierë të suksesshme në ligën elitare të basketbollit NBA në ShBA, përcjell KultPlus.

Bashkë diskutuan për sportin në vend, për arritjet dhe sfidat. Zëvendësministrja Osmani tha se është e lumtur që sportistet kosovare me rezultatet e tyre po na bëjnë krenarë në gjithë botën, duke theksuar se MKRS-ja po punon me qëllim të krijimit të kushteve më të mira për të gjithë sportistët.

Basketbollistja Thaqi foli për planin e saj lidhur me kampin e trajnimit për basketboll për fëmijët, i cili pritet të realizohet gjatë kësaj vere dhe për modalitetet e bashkëpunimit. / KultPlus.com

MKRS: U përmbush edhe një standard i rëndësishëm ndërkombëtar në sport.

Sot në Kuvendin e Kosovës është miratuar ligji Anti-Doping, përcjell KultPlus.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se me këtë ligj janë krijuar kushtet e nevojshme nevojshme për themelimin dhe funksionalizimin e Agjencisë Shtetërore Anti-Doping, institucion ky që do të ketë përgjegjësinë e menaxhimit të politikës së anti-dopingut në Kosovë.

Në vijim gjeni postimin e plotë të MKRS-së:

U përmbush edhe një standard i rëndësishëm ndërkombëtar në sport.

Në Kuvendin e Kosovës, u miratua ligji Anti-doping. Me këtë ligj, kemi krijuar kushtet e nevojshme për themelimin dhe funksionalizimin e Agjencisë Shtetërore Anti-Doping, institucion ky që do të ketë përgjegjësinë e menaxhimit të politikës së anti-dopingut në Kosovë, duke përfshirë:

Testimin gjatë dhe jashtë garave;

Procesin e menaxhimit të rezultateve të mostrave;

Mirëmbajtjen e listës së substancave të ndaluara në sport;

Edukimin e sportistëve dhe të gjithë komunitetit sportiv për dopingun.

Objektivat kryesore të projektligjit janë: fuqizimi i integritetit të sistemit sportiv, kujdesi ndaj shëndetit të sportistëve dhe sportisteve dhe sigurimi i drejtësisë dhe mundësive të barabarta në gara sportive./ KultPlus.com