Shpërndahen çmimet në panairin e librit në Tiranë

Në pallatin e kongreseve po mbahet Panairi i Librit dhe sot janë shpallur edhe fituesit. 

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i ka dorëzuar çmimin si autori më i mirë shqiptar i vitit 2021 shkrimtarit Virgjil Muçi me vëllimin me tregime “Fajin ma ka gjuha”.

Ndërkohë për çmimin e përkthimit më të mirë për këtë vit triumfatore u shpall Flavia Kaba, me përkthimin e vëllimit me tregime “Qyteti i avullit” nga Carlos Ruiz Zafon, autor i rëndësishëm i letërsisë spanjolle që u nda nga jeta vetëm 2 vite më parë./KultPlus.com

Panairi i Librit në Tiranë rikthehet pas mungesës njëvjeçare

Pandemia COVID-19 ka pamundësuar zhvillimin e shumë aktivitete vitin e kaluar, njësoj siç bëri edhe me Panairin e Librit në Tiranë, shkruan KultPlus.

Megjithatë, pas mungesës njëvjeçare, panairi i 24-të i Librit do të zhvillohet në datat 17 dhe 21 nëntor në Pallatin e Kongreseve.

Shoqata e Botuesve Shqiptarë është organizuese e panairit shumë të veçantë, pas periudhës së vështirë nëpër të cilën kaluan shumë shtete Evropiane, ndër to edhe Shqipëria.

Ky panair është një nga evenimentet më të rëndësishme për lexuesit në radhë të parë, botuesit, shkrimtarët dhe përkthyesit.

Shtëpitë botuese të librave do të kenë stendat e tyre përkatëse, ku edhe librat do të jenë të zhanreve të ndryshëm./KultPlus.com

Autorët shqiptarë në Panairin e Librit në Torino

Pasditen e sotme ka nisur eventi më i rëndësishëm i vitit në Europë në fushën e botimeve “Panairi i Librit i Torinos” (Salone Internazionale del Libro).

Një tjetër event gjigand kulturor që merr sërish jetë, pas mbylljeve të dy viteve të fundit për shkak të Covid19.

Nuk mungon as këtë vit prania shqiptare, me një kënd të posaçëm, organizuar nga “Shoqata Qendra e Kulturës Shqiptare”, në Torino.

Si pjesë e programit të Panairit të Librit të vitit 2021, Centro Albanese dhe Fondacioni Vera Nocentini ditën e nesërme prezantojnë librin e autorit shqiptar Arben Dedja “Traktati mjekësor në 19 tregime e 1/2 “ (Whitefly Press). Libri do të prezantohet në prani të autorit si pjesë e Salone Off, më 15 tetor 2021 në orën 20:30 në Sallën e Konferencave të Polo del ‘900, në Corso Valdocco 4 / a, Torino.

Ndërsa me datë 16 tetor, artdashësit e Panairit të Librit do të mund të takojnë autorin Tom Kuka që do të prezantojë “L’Ora del male” librin e tij më të fundit, publikuar nga Besa editrice. / KultPlus.com

Hapet panairi i librit në 143 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit

Për nder të 143 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, sot është hapur panairi i librit në këtë komunë. Prizreni është bërë nikoqir i shumë shtëpive botuese nga vendi e rajoni, të cilët po i’u ofrojnë qytetarëve një numër të madh të librave.

Për të bërë hapjen e këtij panairi ishte edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, i cili tha se përkrahja për librin duhet të rritet.

“Ne e kemi edhe komponentën e librit brenda ministrisë, përkrahja për librin duhet të rritet edhe në formë të mbështetjes së botimit, përkthimit edhe në promovimin e autorëve që shkruajnë shqip, po në të njëjtën kohë edhe në kuptim të nxitjes së lexueshmërisë së përgjithshme në shoqërinë tonë. Këto janë veprime të mira, janë veprime të domosdoshme, por duhet të kemi më shumë se kaq dhe do të bëjmë më shumë se kaq edhe si ministri edhe si komuna të Kosovës”, tha ai.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, tha se një panair i tillë do të bëhet tradicional.

“Më vjen mirë që pas një periudhe bukur të gjatë të masave të pandemisë ku shumë aktivitete kanë qenë të ndaluara, sot po e fillojmë me një aktivitet shumë domethënës në 143 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, pra me 10 qershor hapjen e panairit të Librit, i cili besoj duhet të jetë tradicional. Ne kemi edhe panaire të tjera të librit, por veçantia e këtij panairi është se po kemi botues nga të gjitha trojet shqiptare, faktikisht kemi nga Shqipëria, Mali i Zi, nga Maqedonia dhe normal nga Kosova e Prizreni”, tha ai.

Mbi 100 tituj në këtë panair po i ofron shtëpia botuese “Pena”, ku pronari i saj Mensur Bytyçi, tha se e kanë mirëpritur një organizim të tillë nga Komuna e Prizrenit.

“Kurrë nuk është mjaftë shitja e librit, leximi i librit, dija, kurrë nuk është mjaftë. Sa më shumë që organizohen kësi lloje panairesh ku mund të shiten vlera, figurativisht po e them mundësitë janë vlera, se vlerë më të madhe se dija nuk ka. Nëse dëshiron një komb me zhvillu duhet me lexu, duhet të ofrojmë botime për fëmijë, për familjet. Prandaj është shumë i mirëseardhur, uroj që mos ta harrojmë këtë traditë”, tha ai.

Për të shënuar 143 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, komuna ka organizuar aktivitete të shumta, ku gjatë ditës do të bëhet edhe hapja e ekspozitës “Si u vra Kodi etik i Hipokratit”. / rtv21.tv / KultPlus.com

Shtyhet Panairi i Librit në Prishtinë

Shoqata e Botuesve të Kosovës ka njoftuar se Panairi i Librit në Prishtinë nuk do të mbahet gjatë muajt qershor, shkruan KultPlus.

Nëpërmjet një postimi në Facebook kjo shoqatë ka njoftuar se edicioni i 22-të do të shtyhet për shkak të situatës pandemike në vend.

Tutje ata kanë njoftuar se janë duke bërë përpjekje që panairin ta mbajnë në muajin shtator ose tetor, konform rregullave të miratuara nga qeveria.

Kujtojmë se Panairi i Librit nuk është mbajtur as vitin e kaluar për shkak të pandemisë Covid-19.

Më poshtë mund të lexoni njoftimin e tyre të plotë:

NJOFTIM I RËNDËSISHËM

Të dashur lexues,

U bënë pothuaj 24 muaj qëkur jemi mbledhur së bashku në ambientet e Pallatit të Rinisë në ngjarjen më të madhe të librit në Kosovë, Panairin e Librit…

Vitin e kaluar pllakosi virusi e goditi botën mbarë duke na mbajtur larg fizikisht e, megjithatë, librat ishin aty për të na mbajtur afër personazheve e historive të pafundme të cilat na e bënë dhimbjen më të lehtë e kohën më të çmuar. Mbi të gjitha na e bënë më të lehtë përballjen me rutinën e patëmirë që virusi solli. Na e ruajti shëndetin mendor.

Me keqardhje të madhe njoftuam vitin e kaluar se nuk takohemi dot siç bënim për vite e vite me radhë në fillim qershor. Na munguan pafund takimet mes botuesve, shkrimtarëve, lexuesve, përkthyesve e të gjithë dashamirësve të librit. Menduam se do e tejkalonim me vetëm një vit mungesë por shumë shpejt erdhi qershori i dytë e ne nuk mund të takohemi përsëri. Si rrjedhojë e gjendjes me pandeminë, panairi nuk mbahet dot as këtë qershor.

Urojmë që gjendja të përmirësohet fillimisht për shëndetin tonë, e pastaj edhe për të mundësuar mbajtjen e ngjarjeve kulturore që aq shumë na mungojnë.

Do të përpiqemi shumë që gjatë muajit shtator apo muajit tetor, gjithnjë konform vendimeve në fuqi të Ministrisë së Shëndetësisë, të organizojmë kryengjarjen e librit në Kosovë.

Mirupafshim!/ KultPlus.com

Panairi i Librit në Frankfurt organizohet pa publik

Organizatorët e Panairit të Librit në Frankfurt ndryshuan sot një vendim të mëparshëm dhe anuluan të gjitha ngjarjet publike që do të mbaheshin këtë javë në sallën e panairit në Gjermaninë Qendrore.

Pasi morën parasysh numrat në rritje të COVID-19 në Frankfurt dhe në të gjithë Gjermaninë, organizatorët e panairit më të madh në botë të librit njoftuan se ai do të zhvillohet vetëm me moderatorët.

“Konceptet e shëndetit dhe higjienës për përdorimin e sallës së panairit të Frankfurtit u rikontrolluan disa ditë më parë nga autoritetet lokale dhe e morën miratimin, megjithatë kemi vendosur të minimizojmë rreziqet dhe të mos e hapim sallën për publikun, nga shqetësimi për shëndetin e të ftuarve tanë”, tha drejtori i panairit, Juergen Boos, transmeton KultPlus.

Vendimi do të ndikojë në ceremoninë e hapjes, të martën në mbrëmje, ku ishin ftuar 250 persona. Tani, ajo do të zhvillohet në internet.

Ngjarjet e tjera të panairit, që zgjat deri të dielën, do të transmetohen drejtpërdrejt. / KultPlus.com

Panairi më i madh në botë i librit zhvillohet në tetor

Panairi i Librit në Frankfurt, panairi më i madh në botë për libra, do të zhvillohet në tetor pavarësisht pandemisë së koronavirusit, vendosi kështu Bordi Mbikëqyrës i panairit.

“Këtë vit është më e rëndësishme se kurrë që të zhvillohet Panairi i Librit në Frankfurt”, tha drejtori, Juergen Boos.

Panairi i Librit i Frankfurtit daton që nga viti 1949.

Në vitet e mëparshme, më shumë se 300 000 vizitorë mblidheshin në Frankfurt për të parë rreth 7 500 ekspozues nga më shumë se 100 vende.

Organizatorët e panairit thanë se janë në diskutime se si do të garantohet siguria e vizitorëve, ekspozuesve dhe punonjësve. / KultPlus.com

Shkaku i koronavirusit pezullohet panairi i librit “Prishtina 2020”

Panairi i 22-të i librit “Prishtina 2020” është pezulluar si rrjedhojë e gjendjes e masave kufizuese të marra nga qeveria për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Këtë e ka bërë të ditur në rrjetet sociale Shoqata e Botuesve të Kosovës. Po shpresohet që të organizohet panairi në vjeshtë, nëse lejojnë kushtet.

“Si rrjedhojë e gjendjes së krijuar me pandeminë COVID-19 dhe vendimeve të Qeverisë së Kosovës me ç’rast nuk lejohen organizimet e panaireve, pezullohet panairi i 22-të i librit ‘Prishtina 2020’. Panairi planifikohej të mbaje, si gjithnjë, në javën e parë të muajit qershor. Nuk është anuluar tërësisht panairi, me shpresën se do të piqen kushtet që ngjarje kryesore e veprimtarisë së librit në Kosovë mund të mbahet në vjeshtë”, është njoftuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës.

Promovohet vepra e Kristo Frashërit për Skënderbeun, konsiderohet përmbledhja më monumentale për heroin tonë

Në ditën e pestë të Panairit të Librit Prishtina 2019, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Seksioni i Shkencave Shkencore dhe Albanologjike, promovoi përmbledhjen dokumentuese dhe një bibliografi të studiuesit të historisë Kristo Frashëri “Skënderbeu dhe lufta shqiptaro-osmane në shek. XV”, vëllimi I-X (në origjinal dhe me përkthim shqip), shkruan KultPlus.

Kolana e veprës së historianit u cilësua si më e rëndësishmja e botimeve të Akademisë, për vitin 2019, e cilësuar si vepra më monumentale e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu,  ku bëhet përmbledhje e gjithë dokumentacionit mbi Skënderbeun, hulumtuar dhe nxjerrë nga arkivat.

Profesor Filip Koçollari, pjesë e panelit në këtë promovim, shprehet se “në përmbledhjen e kolonës prej dhjetë vëllimesh, që na ka sjellë profesor Frashëri, në fakt që u butua me iniciativën e të birit, në të përmblidhen dokumente të ardhura nga arkivat e Raguzës, Romës, Napolit, Milanos, Barcelonës, Parisit etj, në të përmblidhen dokumente kancelarike, kronikat e burimeve osmane, bizantine, por edhe atyre latine. Tematika është nga më të larmishmet, ku pjesa më e madhe e këtij dokumentacioni është e panjohur, dhe që vlen për t’u shfrytëzuar qoftë nga hulumtuesit, apo edhe studiuesit e veprës së heroit tonë kombëtar”.

Duke e strukturuar fillimisht dokumentin origjinal, të gjuhëve përkatëse, krahas tij është edhe përkthimi shqip, ku në përkthime përveç Kristo Frashërit, morën pjesë edhe një numër i madh përkthyesish të tjerë, kur kemi parasysh që dokumentacioni është i përbërë prej 16 gjuhëve.

Në panel ishte edhe prof: Shaban Sinani, që vlerëson lartë punën e Kristo Frashërit, por edhe pjesëtarët e institucioneve që punuan në vepër, që nuk ishte e mundur që t’i vendosej emri në ballinë. “puna e bërë është komoditet që dikush tjetër të ketë më të lehtë në të ardhmen, të mos jetë i detyruar që të mos shkoj nëpër biblioteka dhe arkiva, por që ta ketë koleksionin në tavolinen e tij”, shprehet prof. Shaban Sinani.

Në këtë promovim të Akademisë, u prezantua edhe vepra e Edmond Buharajas “Niçeta i Remesiana-s”, i cili njihet si Niketë Dardani. Një vepër e ndarë në tri pjesë, ku e para flet për Dardaninë deri në periudhën e Konsilit të Niçeas, ku vendosen konturat e kristianizmit,  pjesa e dytë që i kushtohet pikërisht këtij autori, Niçetas, Buharaja e quan Niçeta i Remesiana-s në kulturën Niçeane, ku flet për pjesëmarrjen e Dardanëve si popull në kristianizëm, dhe pjesa e tretë i kushtohet projektimit të figurës së Niçetas.

Botimet e Akademisë së Shkencave, tregojnë edhe njëherë rëndësinë në sjelljen e kësaj literature, si një nevojë për lexuesin por edhe studiuesit, që të kenë sa më të lehtë qasjen në literaturën përkatëse që ata e kërkojnë. / Visar Shabani / KultPlus.com

Sot hapet panairi i librit, rreth 100 botues sjellin mbi 1500 tituj të rinj

Sot hapet panairi i 21-të i librit “Prishtina 2019” që do të mbahet deri më 9 qershor në ambientet e Pallatit të Rinisë, organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës.

Në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, panairi i 21-të i librit është pjesë e 20 aktiviteteve kulturore, sportive e inovative për përkujtimin e 20 vjetorit të çlirimit të qytetit të Prishtinës.

Ceremonia e hapjes do të bëhet sot në orën 12:00, ndërsa do të qëndrojë i hapur për vizitorë nga ora 09:00 deri në ora 20:00.

Pritet të marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Diaspora, ndërsa numri i titujve të rinj vlerësohet të jetë mbi 1500 të tilla. Numri i titujve të viteve të fundit është rreth 5500.

Panairin pritet ta vizitojnë rreth 40000 vizitorë, kryesisht studentë, nxënës të shkollave të mesme dhe fillore të Kosovës, qytetarë dhe personalitete të shquara nga jeta akademike, letrare, politike e intelektuale e Kosovës.

Panairi i Librit në Prishtinë gati për edicionin e 21-të


Shoqata e Botuesve të Kosovës tashmë janë në përgatitjet e fundit për të sjell Panairin e 21-të të Librit i cili do të mbahet nga 5 deri më 9 qershor në ambientet e Pallatit të Rinisë, përcjellë KultPlus.

Gjatë këtij edicioni pritet të marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Diaspora.

Numri i titujve të rinj pritet të jetë rreth 1500-1700. Ndërsa numri i titujve të viteve të fundit, rreth 5500. Panairin pritet ta vizitojnë rreth 40000 vizitorë: studentë, nxënës të shkollave të mesme dhe fillore të Kosovës, qytetarë dhe personalitete të shquara nga jeta akademike, letrare, politike e intelektuale e Kosovës.

Ceremonia e hapjes do të bëhet më 5 qershor, në orën 12:00. Panairi do të mbyllet më 9 qershor, në orën 19:00.

Panairi do të jetë i hapur për vizitorë çdo ditë, nga 9.00-20.00. Hyrja për vizitorë: Falas. / KultPlus.com




Shkrimtarët debatojnë midis tyre për krizën e librit

Lexuesit po i largohen gjithnjë e më shumë librit. Kështu po ndodh në Shqipëri, por si gjithmonë këtu “tërmeti” është më i fortë.

Përse kemi ardhur në këtë situatë?

Kjo pyetje u bë objekt i diskutimit gjatë Panairit të Librit, i një konferencë me temë “Shkrimtari, tregu dhe komunikimi”, ku folën emra si Mehmet Kraja, Mimoza Ahmeti, Vera Bekteshi, Alfred Peza, Belina Budini, Eir Plasari, Genciana Abazi-Egro, Ben Andoni etj, njofton “Shqip”.

Prej vitesh, botuesit kanë dhënë alarmin për uljen e lexueshmërisë. Ajo që spikaste në këtë panair bën përshtypje te të gjithë, që pjesa më e madhe e botuesve promovojnë autorët e huaj dhe kjo është diçka normale për tregun ku gjithsecili kërkon të shkojë. Kohët e fundit libri është vënë re që më shumë komunikohet, por duhet gjetur një mënyrë se si libri dhe shkrimtari të shkojnë më shpejt pranë lexuesit.

Pjesë e këtij diskutimi ishte prof. asoc. dr. Genciana Abazi-Egro, e cila tregoi se, “në ditët e sotme duhet të diskutohet më shumë se si ta përfshijmë komunikimin digjital në komunikimin e letërsisë”.

Sipas shkrimtares së njohur dhe autores së një serie botimesh Mimoza Ahmetit, një nga fenomenet e tranzicionit është që mediat sidomos pas vitit ’97 lanë shumë pak vend për letërsinë. Sipas saj, “arsye të tjera përveç politizimit të mediave janë të shumta, futja e letërsisë së huaj, e cila është e pashmangshme në sferën e globalizmit, tituj dhe emra për të cilët mungon kritika, por në mënyrë komerciale kanë gjetur rrugët e tyre për të arritur te lexuesi”.

Gazetari i njohur dhe shkrimtari Alfred Peza shprehet se, “ka ardhur koha të digjitalizohet i gjithë sistemi i letërsisë”.

Sipas gazetarit dhe përkthyesit të njohur Ben Andonit, primare mbetet pika A nga nis transmetimi dhe pika B që është lexuesi. Sipas Andonit, “lexuesi reagon ndjeshëm për faktin që botuesit shqiptarë në këtë përçarje të madhe nuk kanë arritur të gjejnë gjuhën e përbashkët për të bashkuar shqiptarët e Malit të Zi, Maqedonisë, Kosovës kryesisht dhe Shqipërisë për të krijuar një treg unik të paktën për leximin”.

Vajza e dy personazheve të njohur në letrat shqipe poetes Mimoza Ahmeti dhe studiuesit Aurel Plasari, Eir Plasari ishte po ashtu pjesë e diskutimit mbi digjitalizimin, letrat dhe letërsinë shqipe. Ajo shprehet se, “nuk ka lexues sepse s’ka transmetim të mirë të kulturës”.

Shkrimtari i njohur Mehmet Kraja tregoi qartë mënyrën kushtëzuese të gjuhës kosovare për t’u përfshirë në Letërsinë shqipe. Ai shprehet se, “pengesat janë të natyrave të ndryshme por ajo që i pengon procesin e integrimit të autorëve të Kosovës në letërsinë shqipe, është pak më komplekse dhe nuk mund të thjeshtëzohet vetëm te gjuha”.

Shkrimtarja e njohur Vera Bekteshi shprehet në mënyrë figurative se koha e sotme është e bukur dhe plot ngjyra… Sipas saj, “libri më kujton periudhën universitare që është periudha më e lumtur e çdo njeriu, me ëndrrat, me moshën, ku në degët si ato të artit dhe ato të shkencave si fizika e matematika, te letërsia sigurisht që kanë pasur të bëjnë me idhuj botërorë, pa dashur studentët fillojnë të identifikojnë veten e tyre”. /KultPlus.com

Të mërkurën hapet Panairi i Librit në Tiranë

Panairi i 21-të i Librit “Tirana 2018” çel siparin e aktiviteteve të mërkurën, më datë 14 nëntor, me ceremoninë e hapjes së këtij edicioni.

Menjëherë më pas, do të vizitohen pavijonet e Panairit të Librit. Shoqata e botuesve shqiptarë ka bërë publik edhe kalendarin e aktiviteteve që do të zhvillohen përgjatë pesë ditëve (14-18 nëntor) të Panairit të Librit.

Çdo ditë është e mbushur me aktivitete në stendat e Shtëpive Botuese, ku vihet re një vëmendje kushtuar librit për fëmijë dhe vogëlushëve.

Një ditë më pas, të enjten, 15 nëntor, Shoqata e Botuesve Shqiptarë do të organizojë konferencën “Sfidat e leximit sot! Çfarë lexojnë të rinjtë në Shqipëri?”, në një panel diskutimi me botues, shkrimtarë, përfaqësues të institucioneve të kulturës dhe arsimit, mësues, punonjës të bibliotekave, përkthyes etj., për të shkëmbyer mendime rreth promovimit të leximit dhe edukimit të lexuesve, fëmijë dhe të rinj.

Diskutojnë botuesi Petrit Ymeri për “Sa lexojnë të rinjtë? Motivet për lexim dhe moslexim! Përgjegjësia e botuesit për të sjellë letërsinë më të mirë për fëmijë shqip”, për të vijuar me shkrimtaren Ledia Nushi, e cila do të referojë rreth letërsisë origjinale midis të vërtetave, mesazheve edukuese dhe forcës emocionuese.

Mimoza Hysa, Piro Misha, Luiza Mustafaj, Adriatike Lami, Rezarta Reso, e Agim Dostani janë emrat e tjerë të cilët do të referojnë lidhur me sfidat e leximit sot.
Ndërkohë më pas do të ketë aktivitete të ndryshme prezantuese dhe dskutime me shkrimtarë e përkthyes, veprat e të cilëve do të jenë pjesë e panairit, ndërsa të shtunën më datë 17 Nëntor, ora 12:00, do të organizohet edhe ceremonia e ndarjes së çmimeve të Panairit të Librit “Tirana 2018”./ KultPlus.com

Fillimi i tetorit i sjell kryeqytetit Panairin Vjeshtor të Librit AAB 2018

Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, edhe gjatë muajit tetor do të jetë nikoqir i librit dhe Shtëpive Botuese. Kësaj here përmes Panairit Vjeshtor të Librit AAB 2018, që do të mbahet nga datat 04 deri 07 tetor 2018, shkruan KultPlus.

Panairi Vjeshtor i Librit AAB 2018, është nismë e Kolegjit AAB, institucionit më të madh jopublik në rajonin e Evropës Juglindore.

Tradita gati dy dekadëshe e Kolegjit AAB, fryma moderne dhe përcaktimi i qartë i tij për të qenë lider në zhvillimet e arsimit të lartë në vend dhe më gjërë, janë indikatorë të rëndësishëm se edhe Panairi Vjeshtor i Librit AAB 2018, do të jetë një ngjarje e rëndësishme kulturore e cila në fokus do të ketë librin dhe promovimin e tij.

Panairi Vjeshtor i Librit AAB 2018, s’ ka si të mos jetë edhe një tjetër storje suksesi, duke pasur parasysh që do të jetë pjesë e një institucioni i cili në vazhdimësi i ka sjellur Kosovës manifestime, festivale e ngjarje të rëndësishme kulturore të organizuara shkëlqyeshëm.

Për më shumë, duke qenë epiqendër e rinisë jo vetëm nga Kosova por edhe vendet e rajonit, Kolegji AAB synon që Panairin Vjeshtor të Librit ta bëjë një nga panairet më të frekuentuara të librit me vizitorë të rinj të cilët janë konsumatorët më të nevojshëm të librit.

Panairi Vjeshtor i Librit AAB 2018, që do të mbahet nga data 04 deri më 07 tetor 2018, në ambientet moderne të Kolegjit AAB, ka për qëllim të mbledhë botuesit më të mirë dhe më seriozë të librit jo vetëm në gjuhën shqipe.

Pjesë e pandashme e Panairit Vjeshtor të Librit AAB 2018 do të jenë edhe ngjarjet kulturore që do të organizohen gjatë kohës sa do të mbahet panairi, si: promovime librash, punëtori, orë letrare e takime me shkrimtarë.

Deri tani pjesëmarrjen në Panairin Vjeshtor të Librit AAB 2018, e kanë konfirmuar rreth 50 shtëpi botuese, nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia, ndërkohë që organizatori, Kolegji AAB po harton edhe programin e promovimeve e vizitorëve të rëndësishëm të panairit.

Ajo që e bën edhe më të veçantë këtë panair i cili do të zhvillohet në një ambient universitar, ku shumica e frekuentuesve do të jenë të rinj, është edhe transporti i siguruar falas për të gjithë vizitorët e panairit. Gjatë tërë kohës sa do të mbahet panairi, transporti nga qyteti në kampusin e AAB-së në Prishtinë dhe anasjelltas do të jetë falas, në çdo 15 minuta.

Po ashtu, gjithmonë duke iu referuar shtresës studentore që do të jetë prezente gjatë panairit të gjithë botuesit do të ofrojnë ulje në çmimet e librave që do t’ i prezantojnë gjatë panairit. Kjo edhe mund të jetë një arsye më shumë të mos mungoni në këtë panair.

Për më shumë informacione rreth panairit, të interesuarit mund të shfletojnë faqen zyrtare të panairit: https://panairi.aab-edu.net/, apo të bëhen pjesë e komuniteti të panairit në profilin zyrtar në facebook panairiAAB./ KultPlus.com

Hapet panairi i librit në Durrës, Dako: Tashmë traditë

Është hapur në Durrës edicioni i tretë i panairit ndërkombëtar të librit shqip “Durrës Script”, një aktivitet që organizohet nga shoqata kulturore “Durana” dhe Bashkia e Durrësit, i cili do të zgjasë deri në 12 gusht, në shëtitoren Taulantia.

Kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako vizitoi tendat e këtij panairi.

“Ky aktivitet është tashmë një traditë e qytetit të Durrësit dhe ndër aktivitetet më të mira kulturore që zhvillohen. Interesi i shtëpive botuese është i madh, gjithashtu edhe i lexuesve durrsakë, por edhe atyre që vizitojnë Durrësin, duke arritur qëllimin që ka ky panair, për ta çuar librin sa më pranë lexuesit”, tha Dako./ ata

Sonte hapet në Ulqin ‘Panairi i librit 2018’

Qendra e Kulturës Ulqin në bashkëpunim me Organizatën Turistike – Ulqin si dhe Instituti i Librit – Tiranë, organizojnë “Panairin e Librit 2018”, të 18-in me radhë.

“Panairi i Librit 2018” do të hapet sonte, më 3 gusht, në orën 20:00, në Plazhin e Vogël – Shëtitore.

Si risi e edicionit të 18-të mund të cekët numri i ekspozuesve prej 50 shtëpive botuese dhe librarive në gjuhën shqipe dhe malazeze.

Ndër të tjera, mbrëmja e dytë dhe e tretë e kohëzgjatjes së Panairit do t’i ofrojë publikut të gjerë mbrëmje autoriale kushtuar shkrimtarëve Pavle Goranoviq nga Mali i Zi (04.08.2018., 21:00 h) dhe publicistit Namik Dokle nga Shqipëria (05.08.2018., 21:00 h), në ambientet e Hotelit “Palata Venecia”./ KultPlus.com

Përfundon Panairi i Librit në Prishtinë, pjesëmarrësit të zhgënjyer me ambientin

Pjesëmarrësit e Panairit të Librit “Prishtina 2018” shprehen të kënaqur me interesimin e lexuesve për librin, teksa shprehen të zhgënjyer me ambientin ku është vendosur panairi.

Kjo pasi që sipas tyre, as ky jubile nuk i përmbushi kushtet e nevojshme për një panair të mirëfilltë të librit.

Përfaqësues të shtëpive botuese dhe dashamirë të librit bëjnë apel për krijimin e një ambienti që ofron kushte më të përshtatshme për prezantimin dhe promovimin e librit.

Drejtori i shtëpisë botuese “PEMA”, Edon Zeneli, tha se këtë vit është vërejtur që Shoqata e Botuesve të Kosovës ka investuar në aspektin estetik, por problem kryesor është se nuk ka një sallë të denjë panairesh dhe ekspozitash.

“Konsideroj se Prishtina është i vetmi kryeqytet evropian që nuk ka një sallë panairesh dhe këtu njerëzit ankohen, qoftë për klimën brenda, qoftë për ambientin që tashmë është shumë i vjetër dhe nuk është investuar fare në të, dhe kjo përbënë një lloj rëndese edhe për botuesit, por domosdo edhe për lexuesit. Do të thotë kritika jonë nuk drejtohet kah SHQK , por drejt institucioneve që ta marrin këtë punë me prioritet, që ta ndërtojnë një vend afër qendrës së Prishtinës, e cila do të shërbente në organizimin e ngjarjeve të tilla”, tha ai.

Gjatë ditëve të panairit, Zeneli tha se ka pasur interesim të madh të qytetarëve për librin, por edhe shitje më e mirë e librit.

“Ka pasur vizitor të shumtë, ka shitje jashtëzakonisht të mirë, ka interesim më të madh se viteve të kaluara dhe ne si botues jemi jo vetëm të kënaqur, por të stërkënaqur dhe viteve tjera do të mundohemi të paraqitemi edhe me më shumë tituj të rinj. Edhe pse shtëpia jonë botuese kishte diku rreth 10 tituj ekskluzivisht të rinj këtë panair, dhe mbi 20 që kanë qenë nga panairi i kaluar”, tha ai.

Ai shtoi se ndjehet mirë pasi që dy librat e shtëpisë botuese “Pema”, “Kthimi” i Albatros Rexhajt dhe “Inteligjenca emocionale” i Daniel Goleman ishin dy librat që i prinë listës së librave më të shitur të panairit të sivjetmë. Ndërsa Albana Velianj, përgjegjëse e botimeve shkencore dhe bibliotekës në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, ka bërë dallimin mes ambientit ku mbahet panairi i librit në Prishtinë dhe atij në Tiranë.

Velianj tha se përkundër asaj se në këtë jubile, pati rritje të të interesuarve për librin, ambienti lë për të dëshiruar. “Sivjet mund të themi se interesi i lexuesve ka qenë më i madh se vitin e kaluar. Sidomos, specifikisht lexuesit e rinj, studentët e interesuar për librat, sepse Akademia e Shkencave sjellë libra të karakterit shkencor të fushave të ndryshme. Besojmë se Panairi i librit në Prishtinë ka qenë dinjitoz në këto 20 vite, edhe pse sivjet ndoshta la pak për të dëshiruar për gjithë hapësirën e cila ishte e përqendruar bota e librit. Panairi i librit në Tiranë mund të themi se krijon hapësira më të mëdha për të përfaqësuar denjësisht të gjithë botuesit shqiptarë. Gjithsesi, panairi i Prishtinës mbetet shumë simbolik për nga prezenca e të gjitha shtëpive botuese që janë pjesëmarrëse dhe ka shumë rëndësi për hapësirën shqipfolëse”, tha ajo.

Për lexuesen Burbuqe Gashi, e cila kishte ardhur nga Klina për të blerë libra, e mira e këtij panairi është se aty gjen literaturën që e kërkon. Ajo tha se falë interesimit për librin, ndër vite ka arritur të organizojë në shtëpinë e saj një bibliotekë të vogël. “Viteve të kaluara ndoshta nuk ka qenë kaq i organizuar, por tash po. Po shoh se ka të interesuar për librin, për lexim. Shkallëve të pallatit kah u ngjita, pash se kishin blerë shumë. Dhe jam e kënaqur se është shumë mirë kur lexon një popull. Do të thotë nuk është mendja e fjetur”, u shpreh ajo.

Shoqata e Botuesve të Kosovës gjatë ditës së sotme ka bërë publik edhe 5 librat më të shitur nga autorë shqiptarë dhe ndërkombëtar. Listës së librave më të shitur nga autorë shqiptarë i prinë “Kthimi” i autorit Albatros Rexhaj, pasuar nga “Lopa e makiatos” e Veton Surroit. Ndërsa “Vepra e plotë në prozën e shkurtër” i Ismail Kadaresë, “Mësimet e Diolës” i Diola Baftiut dhe “Veprat për Sanxhakun e Nishit” i Sabit Ukës, ishin tri librat tjera më të shitura. Nga autorët e përkthyer u veçuan librat: “Inteligjenca emocionale”, “Njëfarë z.Piekielny”, “Fiset shqiptare”, Historia e vajzës së humbur” dhe “Homo Deus”.

Ndryshe, Panairi i librit “Prishtina 2018” u hap më 5 qershor, për të vazhduar deri sot pasdite ku rreth orës 16 ka filluar edhe mbyllja e tendave, e në të cilin u prezantuan mbi 1 mijë e 400 tituj. Panairi i ardhshëm do të mbahet nga data 4 deri 19 qershor 2019, shkruan 21Media./ KultPlus.com

Dëmtohen instrumentet muzikore në Sallën e Kuqe, futen në hapësira të ngushta për shkak të Panairit të Librit

Sot e pesë ditë në kryeqytetin kosovar po mbahet Panairi i Librit, që ka zënë vend në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Ky pallat, përveç të tjerash është edhe një nga vendet kyçe që kumbojnë vepra të mëdha muzikore, pasi që, aty thuajse çdoherë mbajnë koncert Filharmonia e Kosovës dhe koncertet e festivaleve të ndryshme që ndodhin në Prishtinë.

Pasi që, ky pallat është edhe i koncerteve, aty padyshim që ka instrumente muzikore, të cilat me ardhjen e librave janë gjuajtur në qoshe të ndryshme të Pallatit të Rinisë, dhe krejt kjo tregon dëmtimin e tyre.

Një piano, është futur në një pjesë prapa skenës së vogël të sallës së kuqe dhe mbi të përpos mbeturinave, është vënë edhe një karrige. Një gjest të tillë e dënuan qytetarët, duke e fotografuar dhe publikuar në rrjetin social Facebook. Me këtë rast ka reaguar edhe Besa Luzha, drejtoresha e Festivalit Chopin Piano Fest.

“Qe qysh kujdesen për instrumentet muzikore në sallën e kuqe. Prandaj na duhet një sallë vetëm për koncerte e ku nuk mbahen aktivitete të tjera nga njerëz që kështu i trajtojnë instrumentet e ndjeshme muzikore”, ka shkruar Luzha./ KultPlus.com

Libri i Albatros Rexhajt më i shituri në Panair, Kadare i treti

Sot përfundon edicioni i 20-të i Panairit të Librit në Prishtinë.

Kësisoj, siç e do zakoni pak orë para se të mbyllet ky panair, shpallen emrat e atyre që veprat e tyre u shitën më së shumti në këtë panair.

Në këtë edicion, libri më i shitur doli të jetë libri “Kthimi” me autor Albatros Rexhaj, i cili ndiqet nga shkrimtari Veton Surroi me librin “Lopa e Makiatos”, pas këtij vjen emri i madh i letrave shqipe Ismail Kadare me veprën “Vepra e plotë në prozën e shkurtër”, e katërta me radhë vjen “Mësimet e Diolës” nga Diola Dosti-Baftiu ndërsa në vendin e pestë është “Vepra e Sanxhakut të Nishit” nga Sabit Ukaj, shkruan KultPlus.

Panairi i Librit në Prishtinë, pati shumë vizitorë sivjet dhe duket që shija e tyre shkoi drejt Shtëpisë Botuese Pema, shtëpi kjo e cila botoi librin “Kthimi” të autorit Rexhaj.

Po sjellim kështu edhe veprat e përkthyera të autorëve të huaj që dolën të jenë më të shiturit.

Kësaj liste i prinë Danile Goleman me librin “Inteligjenca emocionale”, i dyti më radhë është Francois-Henri Deserable me librin “Njëfarë z.Piekienly”, pas tij është Robert Elsei më veprën “Fiset shqiptare”, Elena Ferrante me “Historia e vajzës së humbur” dhe Yuri Harari me “Homo Deus”./ KultPlus.com

Albin Kurti viziton Panairin e Librit: Të jep shpresë kur sheh se sa shumë qytetarë vërshojnë në panair

Në Pallatin e Rinisë po vazhdon të mbahet Panairi i 20-të i librit, duke mbledhur shumë vizitorë rreth vetes. Në mesin e tyre sot ishte edhe Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, shkruan KultPlus.

Ai ka treguar se vizita e tij tashmë është e përvitshme dhe se është shpresdhenës fakti se sa shumë qytetarë të të gjitha moshave, vërshojnë në panair për të zgjedhur mes qindra titujsh, nga shtëpi të shumta botuese.

“Jo çdo libër ka vlerë, ama libri i mirë është skulptori më i talentuar i mendjes së njeriut, pas mësuesit kuptohet, sepse duhet një mësues për të të mësuar se nga t’ia fillosh. Më të rinjtë ndonjëherë mund të pyesin se pse duhet të lexojmë, pse të thellohemi në dije, kur shumë nga njerëzit që falë medias e rrjeteve sociale shiten si “të suksesshëm”, nuk janë të ditur, por thjesht të pasur. Vërtet, industria e spektaklit pasuron shpesh njerëz për shkak të atributeve e talenteve fizike, e industria e medias shpesh i bën jehonë provokimit që rrjedh prej arrogancës e injorancës. Megjithatë, rruga e vetme për përparimin e qenies dhe të shoqërisë njerëzore, është dija. E kjo rrugë e përpjetë që duhet të ngjisë mendja, është e shtruar me libra”, shkruhet në postimin e Kurtit./ KultPlus.com

Besnik Mustafaj, promovoi librin me poezi “Harrimi i dashurisë” në Panairin e Librit në Prishtinë

Alberina Haxhijaj

Në kuadër të edicionit të 20-të të Panairit të Librit në Prishtinë po vazhdojnë promovimet e librave. Dita e sotme e këtij panairi u hap me promovimin e librit “Harrimi i dashurisë” nga Besnik Mustafaj, shkruan KultPlus.

Shtëpia botuese “Buzuku” e cila tashmë riradhitë edhe botime të mëparshme të punës së shkrimtarit Besnik Mustafaj, duke e cilësuar atë si njeriun e letrave të dashurisë, përkrahu edhe botimin e librit më të ri të shkrimtarit “Harrimi i dashurisë”.

Pikërisht Abdullah Zeneli nga shtëpia botuese u shpreh se janë të lumtur që pikërisht “Buzuku” realizoi botimin e këtij libri.

“Më vjen mirë që keni ardhur këtu në promovimin e librit të njeriut të letrave, të njeriut të fushës së diplomacisë shqiptare që ka ndikuar shumë në tranzicionin dhe në zhvillimet që ka bërë shteti i Kosovës. Kur ai i botonte librat në Francën e i gëzoheshim sukseseve të tij dhe tani jemi të lumtur që patën mundësin që të botojmë pikërisht librat e tij edhe ne si shtëpi botuese”, tha ai.

I pranishëm në promovim të librit ishte edhe aktori Çun Lajçi i cili edhe interpretoi dy poezi nga libri i botuara.

/…kërkojë tokën e lagësht/ dheun e butë që nuk më vret brinjët/ shikojë plot durim qiellin/ pres renë e vogël që sjellë shiun/ a qoftë edhe pak njomësi/ ky ajër i thatë hyn e del nëpër ujë/ me një vërshëllim të shurdhër/ a thua se ish në një mushkëri të huaj/ duke të pritur ty unë jam si kërmilli/ i harruar në hapësirën time të mjaftueshme/ për të pritur edhe kur s’ka vend për ty/ ti ndoshta do të vish/ eja unë të pres../

Në promovim të librit fjalën e mori edhe shkrimtari Adem Gashi, mik i shkrimtarit Mustafaj. Ai u shpreh se shkrimtari e filloi krijimtarinë e tij me poezinë e cila siç edhe ka thënë edhe Mustafaj nuk është një lum që rrjedh po një vullkan që bënë sikur flenë që të të zgjojë vrullshëm dhe papritur.

“Mua mu bë e papërballueshme që nga krijimtaria e tij të bëjë një përmbledhje të poezive dedikuar pikërisht dashurisë ndoshta duke u bazuar në faktin se lirika me këtë tematikë kap një volum të gjerë të krijimtarisë së tij”, tha Gashi i cili edhe ka zgjedhur poezitë e shkrimtarit dhe i ka radhitur ato në librin më të ri të tij.

Sipas Gashit kur të lexohet ky libër lexuesit do të pyesin se ku është dashuria, të cilën sipas tij lexuesit mund ta gjejnë pikërisht të mungesa e saj, e cila mund të vërehet edhe tek vargjet unë po të pres ty si kërmilli, i strukur në lëvozhgën time…

Shkrimtari Besnik Mustafaj u shpreh se për të më të rëndësishmit janë lexuesit. Ai tha se pikërisht në Kosovë ka ardhur në kërkim të lexuesve të tij.

“Kur e lash politikën para 10-të viteve në mënyrën me spontane thash se tani nuk jam më në kërkim të votuesve por jam në kërkim të lexuesve dhe mund të ju them se në këtë rrugën e aventurës është më e vështirë të gjesh lexues sesa votues. Të pasurit e kaq shumë njerëzve këtu me bën të lumtur pasi që dëshmon se njerëzit janë të interesuar për të lexuar shkrimet e mia”, u shpreh ai.

Poezitë e librit të botuar “Harrimi i dashurisë” nuk janë shkruar gjatë një periudhe të caktuar mirëpo janë përmbledhje e poezive të cilat poeti i ka shkruar gjatë viteve. Pikërisht këto poezi ai i konsideron si një trashëgimi të cilat ai ka vendosur t’ua lë lexuesve edhe kur të mos jetë më.

Ky edicion i Panairit të Librit në Prishtinë do të vazhdojë edhe për katër ditë. Kujtojmë se shkrimtari Besnik Mustafaj ishte shpallur autori i vitit, në edicionin e kaluar të Panairit. Shoqata e Botuesve e vlerësoi atë me këtë çmim për librin “Ëndrra e doktorit” botimet Toena./ KultPlus.com

Në kuadër të Panairit të Librit u promovua sot “Valsi i dashurisë” nga Jetlira Avdijaj

Alberina Haxhijaj

Në sallën e promovimit të improvizuar në kuadër të edicionit të 20-të të Panairit të Librit në Prishtinë kanë zënë vend sot edhe dy vëllimet e romanit “Valsi i dashurisë” nga Jetlira Avdijaj, botuar nga shtëpia botuese “Faik Konica”, shkruan KultPlus.

Panairi i Librit në Prishtinë si çdo vit nuk harron që të iu ofrojë hapësirë edhe shkrimtarëve të ri të cilët po fillojnë që të krijojnë vepra të cilat po kërkohen nga lexuesit. Pikërisht si pjesë e gjeneratës më të re të shkrimtarëve, shkrimtarja Jetlira Avdijaj solli promovimin e romanit të saj më të ri “Valsi i Dashurisë”.

Promovimi i dy vëllimeve të romanit, i cili tërhoqi vëmendjen e vizitorëve të panairit ishte një befasi e këndshme për autoren. Ajo ishte përgatitur për botimin e librit por jo edhe për promovimin e tij pikërisht në kuadër të panairit, të cilin ajo e konsideron një pasuri.

“Panairi është një pasuri e cila një herë në vit prezantohet dhe i dedikohet të gjithëve. Të gjithë që marrin pjesë në të pasurojnë njohuritë e tyre, me një fjali më shumë, një titull, një libër, prandaj edhe është kënaqësi e veçantë që unë e kam bërë promovimin e librit pikërisht këtu në panair”, tha ajo për KultPlus.

Romani “Valsi i dashurisë”, i cili mund të mendohet se trajton vetëm temën e dashurisë fsheh prapa tij edhe tema të tjera të cilat shkrimtarja i sheh si aktuale në Kosovë. Një libër që ndërthur në mënyrë të përsosur jetët e njerëzve që marrin frymë në botë krejtësisht të ndryshëm.

““Valsi i dashurisë” trajton sfidat, sakrificat, krimin e organizuar, ndjenjat e mbi të gjitha fuqinë kolosale të dashurisë. Libri trajton edhe tema të tilla si krimi, lufta që ndodh brenda familjeve tona prej kundërthënieve, armiqësive që nuk marrin fund pavarësisht se sa shumë ne mundohemi që ato të përfundojnë e sidomos për dashurinë dhe shpresën e cila i mbanë në këmbë dy personazhet kryesore”, tha autorja.

Sipas autores një copë nga jeta e secilit lexues, fshihet në aventurat e rrezikshme të protagonistëve në libër. Libri sjellë historinë e një studentes e cila bie në dashuri me një agjent sekret.

Pikërisht ky libër ka qenë një ndër librat që i ka marrë më së shumti kohë për ta shkruar shkrimtares Jetlira Avdijaj, ndërsa zbuloi për KultPlus, se ajo u ka dërguar shtëpive botuese edhe libra të tjerë të cilët tashmë i ka përfunduar e që priten të publikohen së shpejti.

Në mesin e këtyre librave është romani “Premtimi”, një roman i cili trajton dashurinë në disa aspekte, duke vënë në pah një premtim të dhënë i cili mbetet për të parë nëse do i mbijetojë sfidave që sjellë jeta. Po ashtu në botim është dërguar edhe libri “Simfonia e fundit”, një simfoni e cila po ashtu trajton dashurinë e cila në këtë libër është në presion të vazhdueshëm nga plumbat, një dashuri që kërkon sakrifica.

Gjatë ditëve sa do të zgjasë panairi do të ketë edhe promovime të librave të tjerë, ndërsa për të gjithë të pasionuarit pas librave panairi do të jetë i hapur deri më 10 qershor në ambientet e Pallatit të Rinisë./ KultPlus.com

Pas ‘Kosova mon amour’, Klara Buda rikthehet në Panairin e Librit në Prishtinë më ‘Pëshpërimë gruaje’

Alberina Haxhijaj

Sot po shënohet dita e dytë e Panairit të Librit në Prishtinë dhe në kuadër të kësaj dite organizatorët e panairit po sjellin edhe promovime të librave të ndryshme, duke filluar me librin “Pëshpërimë gruaje” nga Klara Buda, shkruan KultPlus.

Në hapësirën e stendës së ‘UET Press& Mapo’, shkrimtarja Klara Buda kishte zënë vend përkrah librit të saj “Pëshpërimë gruaje”. Ajo në kuadër të panairit priste lexuesit dhe të interesuarit për krijimtarinë e saj. Me buzëqeshje në fytyrë i përshëndeste të gjithë një nga një dhe nuk ngurronte që t’iu shkruante fjalë që i dilnin nga zemra gjersa firmoste librat e blerë nga të pranishmit.

Faktin se është e lumtur që po rikthehet edhe këtë vit në Panairin e Librit në Prishtinë e thekson që në fillim të intervistës së saj për KultPlus.

“Është një panair i organizuar shumë mirë dhe unë vet personalisht gjithmonë vi me libra dhe i prezantoj edhe këtu edhe në Tiranë. Mendoj se është shumë e rëndësishme të themi se krijimi i hapësirës kulturore në mes të Tiranës dhe Prishtinës, midis Kosovës dhe Shqipërisë është mënyra më e mirë për t’i bashkuar këto dy vende”, tha ajo fillimisht.

Sipas saj Panairi i Prishtinës është një panair i cili ka një histori të shkurtër pasi që edhe shteti i Kosovës është i ri, mirëpo sipas saj ajo që duhet vlerësuar është se panairi është më i vjetër se shteti i Kosovës. Sipas saj kjo tregon se libri dhe kultura në këtë vend është në origjinë të zhvillimit të shtetit të ri. Tutje ajo flet për bashkimin kulturorë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, dy vendeve ku mbetet edhe mendja e saj gjersa qëndron në Francë.

“Ajo që duhet të ndodh në radhë të parë është një bashkim kulturor pasi që ky është më i fuqishëm dhe jo deklarata se do bashkojmë shtetet e të tilla. Duhet që të largohet dogana për librin fillimisht në mënyrë që kur libri udhëton nga Tirana në Prishtinë apo anasjelltas të mos paguhet dogana. Gjëja e parë që duhet të bëhet është bashkimi kulturor, një bashkim i cili nuk mundet të kontestohet nga askush për faktin se kultura është një, gjuha është një”, theksoi ajo.

Në qershor të viti të kaluar, Klara Buda pati ardhur në Panairin e Librit në Prishtinë nga ku u kthye me çmimin e veçantë për eseistikë, kritikë dhe publicistikë, që iu akordua librit të saj “Kosova mon amour”. Libri tregon se si Buda e njohu çdo pjesë të Kosovës gjatë bombardimeve në mars të 1999, derisa raportonte prej Parisit, si gazetare e Radio Francë Internacionale.

Këtë çmim ajo e kujton me shumë dashuri dhe është mirënjohëse ndaj organizatorëve të panairit për vlerësimin. Ndërsa këtë vit në panair ajo erdhi me “Pëshpërimë gruaje” një homazh për dashurinë si akt rezistence, por në njëfarë mase edhe për mëmësinë pasi që personazhi kryesor detyrohet nga presioni politik që të abortojë fëmijën e vet, fryti i vetëm i dashurisë së saj me Adrianin i cili i përket një klase të përmbysur.

“Dashuria këtu është si formë rezistence por edhe si e vetmja ndjenjë e cila nuk mund të tjetërsohet nga politika pasi që është ndjenjë që lind jashtë dhe pavarësisht strukturës. Në atë sistem aq të rreptë edhe të dashurojë dhe ta shprehje se dashuroje një njëri të një klasë tjetër ishte në vetvete një akt rezistencë. E vetmja është dashuria e cila i bënë rezistencë totalitarizmit dhe që i mbijeton edhe frikës pasi që të gjitha ndjenjat e tjera tjetërsohen në totalitarizëm”, u shpreh ajo për KultPlus.

Përmes dashurisë së ndaluar në mes të dy të rinjve ajo trajton gjithë problematika e totalitarizmi. Gjatë ditëve sa do të zgjasë panairi do të ketë edhe promovime të librave të tjerë, ndërsa për të gjithë të pasionuarit pas librave panairi do të jetë i hapur deri më 10 qershor në ambientet e Pallatit të Rinisë./ KultPlus.com

Haradinaj në hapje të Panairit të Librit: Shkruani se dilni në dritë

Prishtina sot mirëpriti hapjen e Panairit të 20-të të Librit, i cili si çdo vit organizohet nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, shkruan KultPlus.

Alberina Haxhijaj

Që në hapje të panairit u çmua shumë puna e botuesve gjersa u ftuan pjesëmarrësit e këtij panairi që të lexojnë sa më shumë libra. Në anën tjetër nga institucionet e Kosovës u premtua përkrahje financiare për vazhdimin e organizimit të panairit si dhe lehtësime për botuesit duke përfshirë edhe heqjen e taksave për libra.

Kryetari i shoqatës së Botuesve të Kosovës, Daut Demaku, rikujtoi kohën që nga fillimi i organizimit të panaireve duke u shprehur krenar për punën dhe për arritjen e mbajtjes së 20 panaireve të suksesshme dedikuar librit.

“Çdo ngjarje e madhe kulturore e ka për detyrë të prodhojë një porosi, një mesazh të veçantë dhe unë e kam fjalën për pastërtinë e gjuhës shqipe. Shqipja është pronë e çdo shqiptari dhe secili e ka hisen e vet dhe të drejtën që ta mbrojë pastërtinë e gjuhës së vet. Në këtë panair shumica e librave janë të shkruar në gjuhën e pastër shqipe prandaj dua të ju them se miku më i mirë i njeriut gjendet në mes të dy veshëve të tij. Le të urojmë që të marrim libra që kanë gjuhën e pasur dhe këshillën e mirë që ta begatojmë vetveten dhe jetën tonë”, tha ai.

I pranishëm ishte edhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj i cili tha se Qeveria e Kosovës është e vendosur që ta përkrahin librin.

“Ky panair është jubilar dhe si i tillë meriton porosi të çmuar nga qeveria e vendit. Jemi të vendosur që të përkrahim botimin dhe shpërndarjen e librit dhe të bëjmë lehtësirat në taksa, pra pa TVSH. Porosia ime për ata që shkruajnë është ‘shkruani se dilni në dritë’…Si brez i lirisë ne kemi lexuar dhe jemi frymëzuara, pra kemi marrë prej rilindësve, prej heronjve, patriotëve, burrave e zonjave të mëdha duke pasur qëllimin më të madh, qëllimin e lirisë”, tha ai, duke porositur që të mbajnë lidhjen me librin pasi që pikërisht kjo lidhje edhe na bënë me të zotë.

Për ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi , ky panair e ka një veçori të veçantë pasi që gjenezën e ka më ditët e luftës për liri. Sipas tij simbol i këtij panairi është se ai ka lindur nga gryka e pushkës për të sjellë paqen.

Ndërsa i pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti theksoi rëndësinë që kanë botuesit e librit, autorët dhe organizatorët e panairit të cilët, së bashku, i quajti ushtarë të librit.

“Është kënaqësi të jem në mesin e ushtarëve të librit, të cilët e bëjnë një nga betejat më të mëdha sot. Ata luftojnë me dembelinë, përtacinë, me teknologjinë informative, informata e shpejta duke na kthyer të e vërteta, hulumtimi, shkrimi, tregimet, novelat, e të gjitha të tjerat që na japin kënaqësi kur ne lexojmë një libër. Unë si kryetar komune e di se sa hekin organizatorët për të kërkuar fonde për realizimin e këtij panairi. Ata trokasin në çdo derë për ta mbajtur gjallë këtë panair dhe për t’ia pfruar lexuesit një mundësi të jashtëzakonshme”, tha ai.

Xhevat Bajrami nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit tha se ministria e ka parë të rëndësishëm përkrahjen e botuesve të librit duke e trefishuar edhe buxhetin për mbështetjen e botuesve. Para të pranishmeve aktori Çun Lajçi solli edhe një poezi.

“Kur të kthehesh lum trimi, pështyje hijen prapa e mos shkel fërkemit të ikjes/ merri sytë e territ e përpiju veshi t’malit/ përpije rrugën e me shpinën tanë peshoje/ ndrydhja mendimit para se t’ia besosh fjalën mikut. Panairi për të gjithë të pasionuarit pas librave do të jetë i hapur deri më 10 qershor në ambientet e Pallatit të Rinisë./KultPlus.com