Shën Valentin

Poezi nga Rozafa Shpuza

Vitrina e butikut në Zhanë d’Ark
mjegullohet prej hukamës së fshesares
që thith’ mirfilli nji gacë natore.
Mbështetë në shisën rrumeqe
lidhun me spagë thasësh,
kapërdin’ si n’jerm tymnajën djallëzore,
mandej shkundë hinin e dalldisë
që i mpinë rranzat e kofshëve
t’epshume marrisht
nga vikama e drujtë e manekinit.
Krejt përhupshëm,
i ngjeshet edhe ma fort vitrinës
e harrohet n’nji përqafje krahësh kallkan,
ku varet nji etiketë me ulje çmimi…

Po semafori din veç me përqeshë
e ajo përmendet tue shtypë me thembër
bishtin e fikun të andrrës. / KultPlus.com

Prag shterngate

Poezi nga Rozafa Shpuza

Shoh tek aviten tehe të kithta,
tehe gri,
tehe që përpushen prej padurimit
e turren me thye ndër 100 gastare
blunë e tutlueme të syve.
Uli grrilat e qerpikëve
me shpresë se imazhi i mbramë ka me u zhba
në mozaikun inatçor të pendesave…
Medet,
edhe kët vjeshtë, grizhlat harruen
me lanë nji pupël të bardhë
mbi parvazin e mallit tem të mrrolun. / KultPlus.com

Për ty që je larg

Poezi nga Rozafa Shpuza

A e ndin ofshamën e oxhakve
që shprazin dufin si shtëpiaket grindavece
që harrojnë unin
porse dinë përmendësh dashnoret e nji personazhi n’telenovelën rishtake…
Qyteti ka ngri
e ti mund ta ndjesh ma s’mirit atë aromë unike
që t’kujton votrën
sado larg t’ketë çu fati.
He,
ndalu nji hop e merr frymë thellë
aq sa krahnori të t’mbushet…
por ti s’e din për çka ke mall ma fort
veç ndjen se jehonat rrinë pezull
prejse kërkojnë trokun e rrugicës
që t’çon n‘shpi…
Oxhakët prore shprazin duf
e kërkush ma mirë se ato
s’ta sjell mirazhin e përhanun t’pragut
teksa pret përmallshëm
zhumhurin e hapave t’harruem…/ KultPlus.com

Epilogu i nji kolltuku

Poezi nga Rozafa Shpuza

Njashtu kabah e i dalun bojet
me krahë të hapun si përqafim surreal
dremit bri arës së mbjellë me vetmi dordolecësh.
Mbi të ulen pa kurrfarë ceremonie
stinë kujtesëhupun,
xhapikë indiferentë ndaj epsheve ylberore
apo hije gjatoshe muzgjesh…
Kulltuku që dikur heshtonte n’nji odë
me simetri të frikshme,
tash ruen intimitetin e kërcejve cullakë
që presin drapnin për me i shkrra përtokë
si dashnorët që paguajnë me orë
në hotelet periferike…

Dikush që e din mirë
se sytë mbyllen
veç kur andërrojmë, puthim, lutemi a vdesim
e ka vu bri arës së mbjellë
stacionit ma sublim të nji rrugtimi./ KultPlus.com

Monolog shinash

Poezi nga Rozafa Shpuza

Sonte shinat u derdhën si ujna lehonash
që s’janë të zojat me i rezistue britmës.
Diku u ndez nji far e buzët u hapen paksa
sa me zhvirgjënue natën e zhugatun
prej trille semaforësh.

Sonte shinat u derdhën si ujna lehonash
tue m’ba qull hijen, që saora u zhba …
shtëllunga dëshirash m’kapin përflokësh,
teksa thithi deri n’amshim cigaren.
Sonte shinat u derdhën si ujna lehonash
por per mue askush s’u kujtue,
ndaj shtërngova me dhambë bishtin e kallun t’vetimës
e u bana gati me lindë s’parit… / KultPlus.com

Vjetit që ikën

Poezi nga Rozafa Shpuza

Nëse e hasë kund,
shtegut përkah theqafen motet
diftoji se i kam fiksue në bardhezinë e fotografive
frymimet që s’iu bindën përditës obeze
teksa flirtonte si prostitutë bri urës me parmakë dëshirash.
Diftoji se i kam plot gotat që nguten me u cakrrue
netve, kur shpirti i falet shkumës së birrës
e buzët belbin nji melodi shpalosun pengjesh.
Nëse e hasë kund,
bregut ku gjurmët e ardhmënive zhbahen
si dashnitë e gocave me zhguell kërrusun sekretesh,
diftoji se ia kam marrë detit nji grusht zbaticash
sa me mbushë orën e ranës
që përmbyset saora e më ban me fillue sparit.
Nëse e hasë kund,

Kurgja mos ban, veç lene me shkue./ KultPlus.com

‘Vjen nji orë kur asgja s’bëzan përpos tik-takut imagjinar t’orës’

Poezi nga Rozafa Shpuza

Vjen nji orë
kur qyteti kotet
tue u mbështetë në çagje oxhaqesh,
njajtë me fshesaret natore
që mbështeten përhumbshëm n’bisht t’cingares.
Vjen nji orë
kur asgja s’bëzan
përpos tik-takut imagjinar t’orës
që s’mbahet mend qysh kur u zhgul përdhuni
prej kullës së pagëzueme prej nji inglizi.
Vjen nji orë
kur ministri e lypsari shohin andrra perverse,
kur manekinët bahen realë e dashnorët virtualë,
kur semaforët pulsojnë e taksistët gërhasin,
kur peshkatarët struken mes kapërthime rrjetash
e pulbardhat ndihen si engjëjt në tavanin e kishës.
Vjen nji orë
kur qyteti kqyret mbi syprina ujnash t’lame n’hanë,
kur bryma i përgjet hukamës së lutjes
që shprazet në atë vijën naziqe të horizontit …

e kurgja e jashtëzakonshme nuk ndodh
veç qyteti nis me frymue prore… / KultPlus.com

‘Muzgu vjeshtnor asht si mullini hollak i kafes’

Poezi nga Rozafa Shpuza

Muzgu vjeshtnor asht si mullini hollak i kafes,
që gjyshja e rrotullon me nji qetsi t’lume
mbasi e mbështet diku n’vorbullen e prehnit,
ku dremit mica kuqloshe
që duket sikur numron kokrrat e blume.
Muzgu vjeshtnor hapërdahet prajshëm
si dashnitë naive,
që s’dinë me kapërdie idhtinë e ndamjes
e shprazin shpirtin ndër rrëke shinash,
destinue me përmbytë udhëkryqet
me semaforë t’çoroditun.
Muzgu vjeshtnor varet si medaljon
n’qafë të fshesares
teksa rreket me palue gjethnajën
që i kujton pajen e qindisun me pejna t’ylbertë.

Kajherë,
muzgu vjeshtnor m’rrokë me krahë zogjsh shtegtarë
rreshtue n’atë V-në perfekte
që i përgjet dëshires teme të kahershme për arrati./ KultPlus.com

Shpirti i nji qyteti me shi

Poezi nga Rozafa Shpuza

Mirë se t’gjeta qyteti jem,
me pellgje përmbytun prej ngutit të biçikletave,
strehë t’qindisuna me hej malli,
gjethnaja t’bame zhubël
si teshat e dashnorëve ndër oda hotelesh,
hapa të stërpikun me sekrete rrugicash,
çadra që flirtojnë me ritëm shtrëngatash,
gështenja që gërsasin mbi ethe zgarash
e frymë stërgjyshash t’ngujuem ndër korniza.
Mirë se t’gjeta qyteti jem…
M’gjegjet veç nji bubullimë
që shkapetë dritaret e harrueme çilë,
teksa zigzagu i vetimës arrnon retë e shkyeme.
S’ka vransinë që ia shuen etjen qytetit tem,
anipse shinat s’prajnë tue ia njomë
buzët zhuritun mallit.
Litarë shinash e përkundin prajshëm
e qyteti miklohet si mica afër votrës…
Por askush s’vëren avullin e mbas-shiut
kur ngutet me rrokë gjokset e tjegullave
ku përplasin krahët pëllumbat,
që nisen saora me shpuplue dashni t’bame qullë,
bashkë me mirazhe andrrash
përqafun me tym oxhakësh vetmitarë.

Nata ka me shprazë prore shi
e refreni i qytetit ka me nisë sparit… / KultPlus.com

Fotografia: Rozafa Shpuza

‘M’ka mbetë veç jestëku i gjylpanave, stacioni ma fatal i tana dashnive t’mia’

Poezi nga Rozafa Shpuza

N’shpinë me tavan andrrash
m’ka mbetë veç jesteku i gjylpanave
birue si tabarja gri e martesës
që im atë s’e veshi ma atë dimën
prejse tejat e koduen me hieroglife imcake.
Kurrë s’i njehi gjylpanat,
veç si n’jerm zhguli nji
për me e përshkue me fill merimangash
sa me arrnue fatin e me davaritë boshllëkun e odës.
Koltrinat, njeshë mbas xhamash
njajtë me fustanet e nuseve mbas mesnates,
ma tjetërsojnë zanin e luleborave.
Vijëzimet e sedefta t’kaçamillit mbi qylym
m’cytin përkah portretet bardhezi.
Asht po ajo buzëqeshje
si ditën kur nusërova mes jaresh që firuen prajshëm…

M’ka mbetë veç jestëku i gjylpanave
stacioni ma fatal i tana dashnive t’mia… / KultPlus.com

‘Më paska mbetë në xhep nji gocë deti që s’di cilit breg i mungon…’

Poezi nga Rozafa Shpuza

Më paska mbetë në xhep nji gocë deti
që s’di cilit breg i mungon…
E gjeta teksa palosja verën
bashkë me do kokrriza kryeneçe rane
e tri monedha që tringëllijnë si sirena portesh vetmitare…

Me shpindë t’vijëzueme prej mea culpash të njelmëta
goca e detit rrokë mirazhin e nji dashnie
që tash 100 vjet asht nisë prej bregut matanë.
E ve njashtu krahapun mbi pëllambë
me shpresë se vijat e fatit tem
kanë me ia diftue shtegun përkah andrra. / KultPlus.com

‘At’ vjeshtë piva tinzash cingaren e parë…’

Poezi nga Rozafa Shpuza

Përvjetor mkatesh

Asht vjeshtë e nji vjeti t’thinjun…
Gjyshi pin cingare Tarabosh
e mirazhi i syve dridhulatet përhanshëm në misterin e shtëllungave
që ju përgjasin luleborave rranxë murit.
Çakmaku shkrepë veç nadje heret,
mandej cingaret përshkohen vargevi
tue u lidhë ny në gacën e mbrame,
t’strukun mes dy gishtave bojsepie.
At’ vjeshtë piva tinzash cingaren e parë…
E pimë në grup tanë fmitë e lagjes
tue e thithë me rradhë si mkatin ma naiv.
Gjyshi s’e mori vesh se i mungonte ajo cingare,
kurse na e lamë fajin me stërpikat e makinës kabahe
që lagte ngeshem pervlimin e asfaltit.
Vjeshtën e atij vjeti
hyna shkujdesun në botën e mkatarve,
kukllat e pecave i msheha nen minder
e shpinden e kerrusa paksa
prejse i druhesha kryeneçsisë së cicave.

Anipse gjyshi ka kohë që asht ba nji me shtëllungat,
ka net kur ma ka anda me pi cingare Tarabosh,
si me dashtë me festue pervjetorin e mkatit tem të parë… / KultPlus.com

Fmitë e Dugajve t’Reja

Poezi nga Rozafa Shpuza

Im’vlla koleksiononte pulla poste
në nji bllok kapakkuq
mshehun diku ndër hatlla
mbi gugatjet e pllumbave me kaçirubë.
N’zheg zhbirilonim me lupë
emna të panjoftun shtetesh
e harta jonë haperdahej mbi tjegulla,
tue sfidue çdo ditar eksploratori.

Na ishim fmitë e Dugajve t’Reja,
e imagjina e harlisun
kalamendej rreth nji bote t’vulosun
me silueta njerzish e rrugicash t’ylberta
që shpërlaheshin nën nji trumë.

Im’vlla koleksiononte pulla poste
e krejt fminia jonë ishte nji koleksion mirazhesh
shtresëzue mbi gjunjtë e coptuem prej asfaltit
me nji botë surreale vizatue përmbi… / KultPlus.com

Gushti i nji qyteti zhurmaxhi

Poezi nga Rozafa Shpuza

Nji bulkth vetmitar rreket me sfidue
zhumhurin qytetas
që klithë me za krejet prej altoparlantesh shakshi,
t’varun si kurbanë modernë tallavash.
Kori i stonuem i tellallëve s’ka të tashme
veç përshkon si rruzat në filispajë
të shkuemen deri tek e ardhmja.
Kalimtarët frymojnë si n’jerm
n’qasje të mirazheve t’zhegintuna
teksa kalamenden pergjatë pjacës
te dekorueme me grrila brinjthyem.

Unë jam ajo radioja zaçjerrë
me dy butona frekuencash
me kode t’fashituna kaherë,
që sillen papra’ në kërkim
të nji stacioni qe m’pret qyshkur / KultPlus.com

‘Brinjët e shpisë pa tavan kërrusen përdite e ma fort, pa kenë të zojat me përballue shfrimet e imagjinatës teme të hallakatun’

Poezi nga Rozafa Shpuza

Rrjeta marimangash
kaplojnë brinjët hollake të shpisë teme pa tavan
si gjergjef gjigand me nji model të paracaktuem përmbi.
Nisi me qindisë inxhe për pe boshllëkun
tue krijue kryqe simetrike
në qasje të dashnive që ma shpeshtuen frymimin.
Kryqet kapen përdore
të bindun se mund t’ma skicojnë rrugtimin,
kurse brinjët e shpisë pa tavan
kërrusen përdite e ma fort
pa kenë të zojat me përballue
shfrimet e imagjinatës teme të hallakatun… / KultPlus.com

Gushti i nji qyteti zhurmaxhi

Poezi nga Rozafa Shpuza

Nji bulkth vetmitar rreket me sfidue
zhumhurin qytetas
që klithë me za krejet prej altoparlantesh shakshi,
t’varun si kurbanë modernë tallavash.
Kori i stonuem i tellallëve s’ka të tashme
veç përshkon si rruzat në filispajë
të shkuemen deri tek e ardhmja.
Kalimtarët frymojnë si n’jerm
n’qasje të mirazheve t’zhegintuna
teksa kalamenden pergjatë pjacës
te dekorueme me grrila brinjthyem.

Unë jam ajo radioja zaçjerrë
me dy butona frekuencash
me kode t’fashituna kaherë,
që sillen papra’ në kërkim
të nji stacioni qe m’pret qyshkur / KultPlus.com

‘Për ditëlindje nuk ndeza kurrë qira’

Poezi nga Rozafa Shpuza

Rrëfim n’vetë t’parë

N’jetë erdha at’ verën e rreshkun
që u njom prej ujnave të zgrip-lindjes
e u trand prej ulërimave amësore
të denja për nji arie perfekte.
Im atë m’njiti emën legjendash,
kurse nana m’dha cicë deri sa nisa me ndenjë taaa…
Anipse qava n’kupë t’qillit,
gjyshja kambënguli me m’lidhë n’shpërgaj
e kambët m’i zhyti n’sheqer kur lindi im vëlla.
U rrita me marsh paradash e brohorima t’mnershme
e për mbarësi më hodhen uje diten e parë të shkollës.
Çdo verë lava n’oborr qylymin me thakë t’grimë tejet
tue kërcye zbathët sipër tij
si n’ceremonitë pagane.
Ndër fletore matematike shkruva ditar
e për dashnorët naivë përdora iniciale
që tash kot lodhem me i çkodue…
Ju recitova poezi nxanësve t’nji shkolle ndër male
diku mes reales dhe absurdes
mandej i qindisa n’gjergjef tana dëshirat
si me dashtë me i ba zapt n’atë rreth t’tendosun
si nofllat para vajit…
Për ditëlindje nuk ndeza kurrë qira
prejse i druhesha joshjes se mirazheve
t’krijueme prej flakës së tyne t’rrejshme.

N’jetë edha at’ verën e rreshkun
njajtë me këtë t’simjetshmen
kur gjinkallat konkurrojnë me kangtaret e afisheve t’shkyme
e une shuej etjen me krriklla kabahe birret
n’lokalin me nji shkronjë mangut n’tabelë… / KultPlus.com

Verë e largët

Poezi nga Rozafa Shpuza

Verë e largët

E fundit verë e fëminisë
la mbi pluhnin e rrugicës nji botë
vizatue shtrembët me shkop
dhe nji pantofël hedhun kuturu mbi hatlla…
Trumnajat shtegtare klithën marrisht
mandej ndoqën symbyllun fatin
si tana dashnitë e virgjëna
që u paluen në sepetin e gjyshes
diku nën degërminë e saj të bardhë.
Atë verë iu rrëfeva ditarit. Kësisoj
për djemtë me gjunjë të coptuem
përdora iniciale që kujtesa mënon me m’i çkodue,
kurse nën minder msheha kukllën e pecave,
trill i fantazisë t’burgosun prej televizorit Iliria
me nji antenë asimetrike mbi pullaz
si shenja mbi vetullën e vëllait.
Veç vathët me pe të kuq
përshkue prej zjermit të nji gjylpane cigane
m’i kthejnë jehona e asaj vere të largët…/ KultPlus.com

‘Frymojmë me ritëm dashnish të pamujtuna’

Poezi nga Rozafa Shpuza

Na

Vijmë prej qytetesh t’largëta
destinue me na tërhekë kah vedi
me hov zbaticash kryeneçe.
Rrugtojmë kithtaz me stacionet vetmitare,
që na joshin me farfurina kallpe
e kureshtje udhëtarësh të përgjumun
caqe t’fatit tonë endacak.
Frymojmë me ritëm dashnish të pamujtuna
sa herë zgripmotet na fusin ndër morsa mëdyshjesh
që s’jena të zot me i kapërdi…

Tekemramja,
çojmë me fund nji gotë
ndër tavolina t’zhurmshme
me disa karrige bosh aty-këtu
e prore stivojmë dëshira në pazellin absurd
të kalendarit rishtak… / KultPlus.com

Fotografia: Rozafa Shpuza

Për nji dashni të refuzueme

Poezi nga Rozafa Shpuza

N’qytetin tem
mullagat lulojnë pa bujë
si mirazhe të bjerruna ndër djerrinat
që len peng historia e mbrame e dashnisë.
Ylberi i petaleve
i përgjet kopertës kafide t’palueme n’sepetin e pajës,
ku varet nji dry naziq
që kurrë s’u kyç…
N’qytetin tem
s’përban ma lajm pse shinat bien me rrëshekë
e qylymat shkunden me pirajkë,
as pse saksitë e mullagave
t’sajueme me kuti boje
lyhen me gëlqere e stivohen prajshëm bri pusit,
pasqyrës ku kqyren gjokset e zgaquna t’reve…
Çudi…
sado rrekem me hamendësue
s’di pse pos krejt luleve,
n’qytetin tem,
jaret s’ranë kurrë n’dashni me mullagat,
që s’prajnë tue shprishë dremitjen e oborreve,
ku teshat nderen me kapsa drunit
e avllitë naltohen
njaq sa kureshtja e kojshisë… / KultPlus.com

‘Hapat ikacakë i fikin dashnitë si bisht cigaret me filtër të kafshume’

Poezi nga Rozafa Shpuza

Mbramjeve,
qyteti ka trajtën e nji gruaje
paksa të kërrusun nga pritja,
me shkulme thinjash ndër tamtha
e make-up të errët,
nergut me fashitë rrathët poshtë syve.
Hapat ikacakë i fikin dashnitë
si bisht cigaret me filtër të kafshume
prej buzkuqit 24-orësh.
Stacionet e periferive
zbrazen me ritmin e tradhtive
t’destinueme me plasaritë shpirtna,
sa herë thembrat e statujës,
atje n’sheshin ku flirtuem nen çader,
përmjerren prej qejve rrugaçë.

Në t’zbardhun,
qyteti ka trajtën e avullit
që ngutshëm shprazet prej flegrash
tue mjegullue andrrat që s’mbërritën
me pritë agun… / KultPlus.com

‘Pritja asht ajo gota e mbrame e birrës që mjafton me m’ba njirin ma t’lumtun a ma t’trishtë n’botë’

Poezi nga Rozafa Shpuza

Sonata e pritjes

Pritja s’ka formë
krejt si mirazhet e nji rruge t’zhuritun zhegut.
Pritja s’ka peshë
njajtë me tymin e cingareve që pij papra’
n’ate lokalin ku reklama pulson nervoze
shkulme verdhacuke drite.
Pritja asht ajo gota e mbrame e birrës
që mjafton me m’ba njirin ma t’lumtun
a ma t’trishtë n’botë.
Pritja m’shfaqet e tjetërsueme
kur e ndryj me drynjt e varun
n’uren e dashnive t’pamujtuna.
Pritja i pergjet tabares së nanës
që e ruej n’raftin me dru arre,
anipse tejat e kanë qindisë me fantazina surreale.
Pritja nuk ngutet
prejse asht e sigurt se gjithqysh m’gjen n’vendtakim.
Pritja perlotet e zgjatet si hije muzgu
sa here e largoj prej vedit.
Pritja asht tufa thinjave nder tamtha
qe edhe pse i lyej te parukierja e lagjes
e di mire se janë aty, gati me u rishfaqë.
Pritja ka trajten e orës prej rane
ku sekondi ka vleren e nji jete
kesisoj e kam var n’qafë si medaljon
me shpresë se ka me kthy kohën qe m’ka grabitë… / KultPlus.com

‘Ky asht veç skeleti i kukllës që pret me veshë tesha t’reja prej teprica imagjinatash që i preva prej revistash t’ndalueme’

Poezi nga Rozafa Shpuza

Për nji kukull pecash

Prej shisës rrumeqe
që shtyn dimnin në qoshk t’oborrit
këpus dy krande cullake
e i lidh kryq me fill t’kuq.
Ky asht veç skeleti i kukllës
që pret me veshë tesha t’reja
prej teprica imagjinatash
që i preva prej revistash t’ndalueme,
me gërshanën e krastijes.
Ngutem me ia vizatue tiparet
me nji laps plumç-thyem
që kajherë mënon me fiksue buzëqeshjen,
prejse dora s’më bindet
e boja hapërdahet mbi fytyrën
e sajume me nji monedhë
që im atë ma pat falë
ditën kur ra bora e parë.
Tash kuklla asht gati me pritë vjetin rishtak
e mue s’më mbetet tjetër
veç me kthye fletën e mbrame të kalendarit.

(vëllimi poetik “Nana i qindiste kryq dimnat”) / KultPlus.com

Fotografia: Rozafa Shpuza

“Vjetë për vjetë ju ve nji lak n’qafë ditëve që m’duhet me pritë”

Poezi nga Rozafa Shpuza

Pritjen teme
t’copëzueme n’pazëllin e nji kalendari pagojc
e vjerri vjetë për vjetë n’vjegcën
e ngujueme n’plasat e murit t’odës pa tavan.
N’vjegcë
përshkohet si rruza n’pe ditëlindja rishtake…
Përvjetë
thuejse i njajti ritual,
pos qirit që shtohet mbi tortë
që, gjithqysh,
s’asht i zoti me i ba ballë
frymës që shprazet kur tham nji dëshirë.
N’qasje të lavjerrësit
n’vjegzë përkunden pritmënitë
qysh kur nana m’endi pëlhurën e ardhmënisë
e deri sot,
kur pritjen e vjerri përhanshëm
si tana ritualet pagane t’nji dasme,
kur orizi i hedhun mbi vel
bahet oguri i tana mirësive.

Vjetë për vjetë
ju ve nji lak n’qafë ditëve që m’duhet me pritë
e nisem shkujdesun dikutek
pa destinacion të paracaktuem rrugtimi… / KultPlus.com