‘Ti, s’ke pse hapë çadrën n’aeroportet ku retë përloten për dashnitë e pamujtuna’

‘Pa lajmërue’ nga Rozafa Shpuza

Ti, s’ke pse veshë tesha
marrun hua prej stinësh të përdala,
s’ke pse hupë nën maska tinzare
sajue për gosti hijenash,
s’ke pse pret biletë linjash strikte
plot e përplot me andrra t’frigueme.
N’valixhe s’ke pse ngarkon
peshqeshe lidhun ny me kordele rrencake.
Ti, s’ke pse hapë çadrën n’aeroportet
ku retë përloten për dashnitë e pamujtuna,
as pellgjet s’ke pse i shkapërcen
me rujtë pa lagë çorapet
që nana t’i bani gati për udhë.
Ti vetëm hajde,
ashtu si vjen malli, pa lajmërue… / KultPlus.com

‘A e din se dashninë e parë s’ia rrëfeva as ditarit’

Poezi nga Rozafa Shpuza

A e din se
biçikletën e msova para abetares
e gjunjt e coptuem prej rrëzimit i lyva me pështym
tue i hukatë fort, prejse m’erdh marre me qa…
A e din se
renda mbas makinës së ujit
pa e ditë se mirazhet e zhegituna t’asfaltit
kishin me u ba oazi i tana fantazive t’mia…
A e din se
çdo dimën nana m’thuri me gjypner nji xhup t’ri,
me lesh t’shkepun prej xhupash t’vjetër
e ndër ato motive naziqe
u kapërthyen qindra dëshira t’pacake…
A e din se
krijova kukull pecet
tue i ba kryq krandet e shisës rrumeqe
e si krye i vuna nji pull të tabares së tim eti…
E e din se
shtatin e mata me metër rrobaqepsish
e vizat n’mur i shkruva me laps plumçit…
A e din se
çimçakezin e sajova me qirat e ditlindjeve
të festueme pa torta
e për mbramje t’maturës flokët i ngriva me birrë…
A e din se
dashninë e parë s’ia rrëfeva as ditarit
e tash kujtesa mënon me ma ripërtërie shijen e saj…
A din se
ma ka anda me hapë albumet me foto n’sepie
e kajherë ndihem n’faj pse s’isha n’dasëm t’prindve t’mi…

Ti tana i din, malli jem
veç sot pata mall me ia rrefye vedit.

(nandor 2021) / KultPlus.com

‘Asht nji gozhdë ngulun në mue që më mban varun’

Poezia ‘Nana i qindiste kryq dimnat’ nga Rozafa Shpuza

Kanga e gozhdës
Asht nji gozhdë
ngulun mbi shtëllunga plasash
që harbohen si flokë shtrigash
tue i dhanë murit nji pamje mitike.
S’mbahet mend kush e nguli
e çka ban saora atje mes sekrete bojnash,
t’stivueme nji mbi nji
si teshat e dekës në baulen e gjyshes.
Asht nji gozhdë
ngulun mbi mirazhe t’ujshme
që ngutem me i fiksue ndër fotografitë bardhezi.
Medet,
edhe këtë pranverë harrova me i ba nji ny frymimit,
kësisoj dashnitë u shprazën si rruzat e lutjeve
mbi qylymin dalëboje prej pelegrinazhit të hapave.
Asht nji gozhdë ngulun në mue
që më mban varun,
anipse tasheparë preki me gishta tabanin e andrrave. / KultPlus.com

@Rozafa Shpuza