Posta e Kosovës shënon Ditën Botërore të Fotografisë përmes emisionit të ri të pullave postare

Posta e Kosovës, sot shënon Ditën Botërore të Fotografisë përmes emisionit të ri të pullave postare.

Fotografia, si disiplinë artistike, por edhe si dukuri e ndriçimit të objekteve, ka preokupuar për dekada krijuesit kosovarë. Që nga çasti kur drita dhe hija filluan të rrëfejnë përmes objektivit, kjo formë shprehjeje u bë mjet dokumentimi, dëshmie dhe interpretimi.

Edhe pse fotografitë e para të qyteteve tona u shkrepën nga vizitorë të huaj si Josef Székely e Auguste Leon, shumë shpejt fotografia u përqafua nga vetë krijuesit vendorë. Ahmet Zherka, me atelienë e tij në Gjakovë, shënon fillesat e këtij zanati në Kosovë. Në Prizren u veçuan familjet Koro dhe Mjeda, ndërsa më gjerë, emri i Marubit mbetet sinonim i pasionit për fotografinë në trevat shqiptare.

Ky brez nismëtarësh e ktheu fotografinë nga mrekulli teknologjike në dëshmitare të kohës, duke na lënë një trashëgimi të çmuar që ruhet sot me përkushtim në Fototekën e Arkivit të Kosovës. Ky trashëgim vizual, i çmuar për nga përmbajtja dhe vlera, dëshmon për rrjedhat kulturore, shoqërore dhe arkitektonike të vendit, gjë që dhe sot paraqet një burim të pashtershëm për studiuesit, artistët dhe publikun e gjerë.

Pamjet e dy pullave postare dhe bllokut filatelik janë siguruar me përkrahjen e Arkivit Qendror pranë Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, ndërsa për Zarfin e Ditës së Parë, nga studio Zherka në Gjakovë. Ky emision i pullave postare do të mbetet në qarkullim postar deri në konsumim të plotë.

Posta e Kosovës fton koleksionistët, bizneset dhe qytetarët t’i blejnë këto pulla, të cilat pasurojnë koleksionet personale dhe ofrojnë vlerë të shtuar kulturore e historike./KultPlus.com

Posta e Kosovës mirëpret diasporën me pulla postare të vitit 2025

Në kuadër të angazhimit për t’i qëndruar afër qytetarëve brenda dhe jashtë vendit, Posta e Kosovës ka zhvilluar një aktivitet simbolik për të mirëpritur bashkatdhetarët që po rikthehen për pushime në vendlindje.

Përfaqësues të Postës u takuan me mërgimtarët në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, ku iu dhuruan pulla postare nga emisionet filatelike të vitit 2025, si shenjë falënderimi për lidhjen e tyre të fortë me vendin dhe për kontributin e vazhdueshëm, transmeton KultPlus.

“Posta për Diasporën” është një nismë që synon të vlerësojë rolin e diasporës si ura lidhëse me botën, ambasadorë të kulturës dhe identitetit shqiptar. Në njoftimin zyrtar, Posta e Kosovës ka shprehur mirënjohje për dashurinë, përkushtimin dhe ndihmesën që bashkatdhetarët vazhdojnë të japin për Kosovën.

“Urojmë që të kaloni çaste të lumtura në gjirin e familjes dhe miqve,” thuhet më tej në njoftim.

Kjo iniciativë e veçantë është pritur me entuziazëm nga qytetarët që po rikthehen nga mërgata, duke sjellë emocione dhe ndjenja të veçanta në një periudhë të mbushur me vizita dhe gëzim familjar./KultPlus.com

Posta e Kosovës nderon Dua Lipën me pulla postare të dedikuara

Posta e Kosovës ka lansuar një seri të re pullash postare me imazhin e këngëtares me famë botërore Dua Lipa, duke e kthyer atë në një simbol zyrtar të krenarisë kombëtare që “udhëton” përmes çdo letre të dërguar, transmeton KultPlus.

“Le të jetë çdo letër një kujtesë: Zëri i vendit tonë jehon në të gjithë globin,” thuhet në njoftimin e bërë nga Posta, e cila shoqëroi lansimin me hashtagun zyrtar #DuaLipaVibes.

Kjo iniciativë vjen si një tjetër nderim për artistën me prejardhje nga Kosova, e cila ka bërë që emri i vendit të dëgjohet në mbarë botën përmes muzikës dhe suksesit të saj ndërkombëtar./KultPlus.com

Posta e Kosovës nderon regjisorin Bekim Lumi

Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj, ka lëshuar sot në qarkullim emisionin e pullave postare në nderim të figurës dhe veprës së regjisorit dhe pedagogut të mirënjohur kosovar, Bekim Lumi.

Bekim Lumi (1966-2018) la gjurmë të pashlyeshme në skenën teatrore dhe në edukimin artistik në Kosovë, si regjisor vizionar dhe avangardë, por edhe si pedagog i përkushtuar në Fakultetin e Arteve në Prishtinë. Me regji të guximshme dhe qasje bashkëkohore, teatrit shqiptar i dha një frymë të re, prandaj me të drejtë konsiderohet si njëri ndër regjisorët më të vlerësuar në fushën e teatrit shqiptar.

Prej vitit 2006 deri më 2010, ai nxori revistën teatrore “Loja”. Me shfaqjet e tij ka marrë pjesë në dhjetëra festivale teatrore me rëndësi kombëtare e ndërkombëtare, si në: Zvicër, Francë, Gjermani, Itali, Greqi, Rumani, Bullgari, Bosnjë e Hercegovinë, e në vende të tjera.

Për punën e tij regjisoriale është shpërblyer me shumë çmime, ndër të cilat veçohet ai i vitit 2006, kur në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit në Lugano të Zvicrës, për shfaqjen “Mësimi” të realizuar në Teatrin “Dodona”, fitoi çmimin kryesor ”Shfaqja më e mirë”.

Po ashtu, në vitin 2016 u nderua nga Ministria e Kulturës së Kosovës me çmimin vjetor “Regjisor i vitit”. Për shfaqjen e tij “Arturo Ui”, më 2019, Lumi u nderua nga MKRS-ja me shpërblimin “Regjia më e mirë e vitit” dhe shfaqja u shpall “Shfaqja më e mirë e vitit”.

Më 2023, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e dekoroi Bekim Lumin post mortum me Medaljen Presidenciale të Meritave në fushën teatrore.

Bekim Lumi, si pedagog dhe profesor, ishte figurë formuese e brezave të aktorëve të rinj dhe regjisorëve, duke dhënë një kontribut të çmuar në edukimin artistik dhe skenik në vend.

Pas vdekjes së tij, Qendra Multimedia i ka botuar veprat, si: “Shakespeare-i dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit” 2019, një studim krahasues, librin me poezi “Engjëlli blu” 2021, si dhe librin “Loja e Bekim Lumit”, kritika, shqyrtime dhe shënime.

Figura dhe veprat e Bekim Lumit vazhdojnë të mbesin inspirim për brezat që vijnë./KultPlus.com

Posta e Kosovës lanson pullë postare në 15-të vjetorin e marrdhënieve diplomatike Kosovë-Japoni

Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj, ka vë në qarkullim postar emisionin e pullave postare “15-vjetori i marrëdhënieve diplomatike Japoni-Kosovë”.

Në njoftim thuhet se përmes kësaj pulle postare nderojmë Japoninë, e cila është njëra ndër vendet e para që njohu pavarësinë e Republikës së Kosovës!

“Me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike në shkurt të vitit 2009, Republika e Kosovës në korrik të vitit 2010 hapi ambasadën në Tokio, e cila njëkohësisht ishte ambasada e parë e Kosovës në Azi. Me përkrahjen e Ministrisë së Ekonomisë, respektivisht të ministres, Artane Rizvanolli, si dhe në bashkëpunim me  Ambasadën e Japonisë, Komisioni i Pullës Postare në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë, ka finalizuar përmbajtjen e  motivit të pullës postare”, thuhet në komunikatë.

Posta e Kosovës vazhdon t’i promovojë të gjitha ngjarjet që shënojnë zhvillimin e vendit tonë, duke falënderuar dhe nderuar të gjitha vendet mike për përkrahjen e vazhdueshme./ KultPlus.com

Posta e Kosovës, vë në qarkullim emisionin e pullës postare “Qytetet e Kosovës – Istogu”

Posta e Kosovës, nga sot vë në qarkullim emisionin e pullës postare “Qytetet e Kosovës – Istogu”, përcjell KultPlus.

Qyteti Istog është i njohur edhe me emërtimin Burimi. Ndodhet në regjionin e Pejës, në veriperëndim të Kosovës. Është një qytet që ka ruajtur dhe synon të ruajë trashëgiminë e tij multikulturore.

Komuna e Istogut ka 46 zona kadastrale me një sipërfaqe prej 453.84 km², me 51 fshatra dhe me dy qendra ndërurbane: Gurrakocin dhe Banjën.

Ka një histori të lashtë, me gjurmë të qytetërimeve të hershme dhe objekteve arkeologjike. Është i njohur për trashëgiminë kulturore dhe historike, ku bëjnë pjesë edhe aktivitetet tradicionale, festivalet kulturore dhe manifestimet tjera dedikuar ruajtjes së trashëgimisë.

Istogu radhitet ndër vendet më të preferuara në Kosovë për tu vizituar nga turistë të shumtë vendorë dhe të huaj. Peizazhet e tij tani shfaqen edhe në pulla postare, të cilat munden t’i blejnë koleksionistët, qytetarët dhe bizneset për t’i vendosur në zarfet e tyre që do të dërgohen brenda dhe jashtë vendit.

Posta e Kosovës, përmes imazheve të pullave postare do të vazhdojë të prezantojë dhe të promovojë në gjithë botën vlerat dhe bukuritë natyrore që ka shteti i Kosovës. / KultPlus.com

Posta e Kosovës vazhdon të mbështesë fushatat sensibilizuese për të mirën e shoqërisë

3 Dhjetori shënon Ditën Ndërkombëtare të personave me nevoja të veçanta, shkruan KultPlus.

“Të bashkuar në veprim për të shpëtuar dhe për të arritur objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm për, me dhe nga personat me nevoja të veçanta”, është motoja e këtij viti.

Ndërkaq, Posta e Kosovës përmes Filatelisë, edhe në vitin 2007 kur ka lëshuar këtë emision, dhe në vazhdim, do të vazhdojë të mbështesë fushatat sensibilizuese në të mirë të shoqërisë.

Ndërgjegjësimi për aftësinë e kufizuar është praktikë e njohjes dhe pranimit të përvojave të individëve në lidhje me aftësinë e kufizuar. Njohja, të qenit i vetëdijshëm dhe lëvizja përtej nivelit të rehatisë kolektive është gjithashtu çelësi për një kuptim më të madh. /KultPlus.com

Posta e Kosovës në mbështetje të gruas, zbukuro dërgesën tuaj me pamjen e bukur të këtyre pullave postare

Në vendin tonë, roli i gruas është dhe mbetet jetik në funksionimin e çdo segmenti të jetës shoqërore, prandaj Filatelia e Postës së Kosovës ndër vite ka lansuar emisione të pullave postare në mbështetjen dhe promovimin e të arriturave të grave në histori.

Kjo nismë ka filluar nga lansimi i pullës së parë “Melihate Qena” në vitin 2010 e deri tek lansimi i viteve të fundit “Dua Lipa” dhe Rita Ora”.

Posta e Kosovës bën thirrje që të zbukuroni dërgesat tuaja me pamjen e bukur të këtyre pullave postare. / KultPlus.com

Lëshohet në qarkullim emisioni i pullave postare “Shekulli i teknologjisë”

Posta e Kosovës, nga sot lëshoi në qarkullim postar emisionin e pullave postare ”Shekulli i teknologjisë”, përcjell KultPlus.

Vet emërtimi i tematikës prezanton zhvillimin e hovshëm të teknologjisë informative, e cila në të përditshmen tonë është bërë e pazëvendësueshme.

Qasja e shpejt në informacione të ndryshme dhe përpunimi i tyre ka afruar botën, ndërsa punën e njeriut po e lehtëson përmes inteligjencës artificiale, e cila po e karakterizon të sotmen.

Pamjet e dy pullave postare prezantojnë pjesën aplikative të teknologjisë në disa sfera të jetës. Kosova është një vend ku ka rini të përgatitur dhe sot ofron shërbime të avancuara në fushën e teknologjisë, e është një ndër top shtetet Evropiane që ka arritur mbulueshmëri të 100% të vendit me internet të shpejtë. 

Përpos dy pullave postare me pamje dhe vlera të ndryshme nominale, janë përgatitur edhe Zarfet e Ditës së Parë me vulë adekuate, të cilat tanimë janë në shitje për të gjithë koleksionistët, qytetarët dhe bizneset, që kur dërgojnë zarfe duan ta paraqesin shtetin tonë edhe përmes imazheve të këtyre pullave.

Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj vazhdon të jetë promovuese e vlerave të vendit tonë dhe zhvillimeve që karakterizojnë shekullin, në të cilin jetojmë. / KultPlus.com

Lëshohet në qarkullim pulla postare, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”

Filatelia e Postës së Kosovës nga sot lëshoi në qarkullim postar emisionin e ri të pullave postare të titulluar “Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ‘Adem Jashari’”.

Aeroporti ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, i vendosur 15 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës, është një aeroport ndërkombëtar i frekuentuar nga më se 2.0 milionë pasagjerë në vit dhe paraqet portin e vetëm të hyrjes për udhëtarët ajrorë në Kosovë. 

Emërtimin e mori në nderim të heroit kombëtar Adem Jashari, themelues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pista është ndërtuar në vitin 1965 dhe është shfrytëzuar kryesisht si aeroport ushtarak, ndërsa në vitin 1985 aeroporti është pajisur në përputhshmëri me standardet e ICAO-së. Deri në muajin qershor të vitit 1999, aeroporti ka pasur vetëm trafik të brendshëm, por që nga ajo kohë, ka arritur të krijojë lidhje të rregullta për udhëtarë, si dhe për shkëmbim të mallrave.

Me ndërtimin e terminalit të ri të aeroportit të Prishtinës në Sllatinë në vitin 2013 dhe pas certifikimit me standardet më të larta evropiane në vitin 2018, aeroporti ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, është edhe një urë lidhëse më e afërt e bashkatdhetarëve tanë me atdheun, si dhe mundësi e mirë e transportit ajror për vizitorët e tjerë nga e tërë bota.

Emisioni përbëhet nga një pullë postare dhe zarfi i ditës së parë që do të jenë në qarkullim postar deri në konsum të plotë. / KultPlus.com

Posta e Kosovës promovon Pullën Postare me figurën e Dua Lipës

Posta e Kosovës do të promovoj nesër Pullën Postare “Dua Lipa”, përcjellë KultPlus.

Pjesëmarrës në këtë ngjarje do të jetë edhe vetë Dua Lipa dhe Dukagjin Lipa.

Ndërsa nga Posta e Kosovës pjesëmarrës do të jenë: Fakete Kadiu – Ud. Kryshefe Ekzekutive e Postës së Kosovës, Kamber Demaku – Shef i Administratës dhe Protokollit, Kryesuesi i komisionit për aprovimin e pullave postare/MZHE dhe pjesëmarrës tjerë/Filatelia e Postës së Kosovës. / KultPlus.com

Lëshohen në qarkullim pullat postare të titulluar “Evropa 2022 – Tregime dhe Mite”

Me rastin e Ditës së Evropës, Filatelia e Postës së Kosovës lëshoi në qarkullim të rregullt emisionin e pullave postare të titulluar “Evropa 2022 – Tregime dhe Mite”, të cilat prezantojnë traditat popullore, si trashëgimi gojore nëpër kohëra të përcjella nga njëri brez te tjetri.

Skulptura e trishtë e një gruaje paraqet legjendën e Rozafës, e cila u sakrifikua që kalaja të qëndronte, e të mos prishej në vazhdimësi. Kërkesa e saj për t’ia lënë gjysmën e trupit jashtë murit të kalasë që ta ushqente dhe të kujdesej për fëmijën e vogël, është pikërisht ajo që e bëri të veçantë këtë kala.

Edhe sot e kësaj dite, në kopshte e në ara fshatarët vendosin një shëmbëlltyrë njeriu: me trup, krahë, këmbë dhe kokë, të veshur me rroba, më shpesh me rrecka. Gogomeli vihej për të pasur prodhime të mbara, por edhe për të trembur dëmtuesit e të mbjellave. Quhet edhe Plaku i Kopshtit, Plaka e Kopshtit, Nusja e Kopshtit, Surrati i Arës, Coli (Picar) etj.

Ndërsa, pamja e bllokut paraqet mitin për shkundjen e plakave. Sipas gojëdhënave, një plakë kishte shkuar në mal me bagëti për ta shijuar motin e mirë e të ngrohtë, me diell të pranverës së hershme. Ajo po përshëndetej me dimrin, kur dimri kishte kërkuar ditë hua nga shkurti, për ta ngrirë plakën që po e ngacmonte. Kështu që nga ajo kohë e hershme akoma buron ujë nga shkëmbi në formë të një plake, për të cilin thuhet se janë “lotët e plakës”.

Posta e Kosovës, përmes këtyre pullave postare të Filatelisë së saj, prezanton me krenari para botës trashëgiminë kulturore dhe shpirtërore të vendit tonë, si dhe promovon Republikën e Kosovës. / KultPlus.com

Posta e Kosovës lëshon në qarkullim pulla të reja postare (FOTO)

Nga sot, Filatelia e Postës së Kosovës ka lëshuar në qarkullim të rregullt emisionin e ri të pullave postare të titulluar “Flora – Bimët shëruese”, me imazhet e katër bimëve që zhvillohen në Kosovë, përcjellë KultPlus.

Në këtë emision të ri , hyjnë bimët si:

Shtogu-bresa: – Shtogu rritet si kaçubë apo dru në lartësi prej 3 deri në 10 metra. Lulet janë të grumbulluara në formë kurore, kanë ngjyrë të bardhë me nuancë të verdhë. Nga lulet zhvillohen kokërrzat (frutat), në fillim të gjelbra, pastaj me ngjyrë gështenje në të kuqe dhe në fund bëhen të zeza. Kokërrzat janë të vogla dhe të lëngshme. Lulet kanë erë të këndshme të fortë, erë kjo që në gjendje të thatë është më e butë. Frutat e freskëta kanë shije të pakëndshme, kurse të përgatitura si komposto, janë të shijshme.

Dëllinja e kuqe: – Dëllinja mund të krahasohet me një thesar të çmuar vlerash për organizmin. Kokrrat e saj janë përdorur gjerësisht për të detoksifikuar organizmin, përmirësuar tretjen, paraqitjen e lëkurës dhe jo vetëm. Ajo konsiderohet si një bimë e rrezikuar nga zhdukja dhe shumë shkencëtarë kanë kërkuar hapa konkretë për mbrojtjen e saj.

Rrush arusha: – Shkurre e shtrirë 30 – 50cm me gjethe të plota, të qëndrueshme gjatë dimrit, 12 – 30 x 4 – 12mm. Lulet (petalet) e bardha, me një ngjyrë trëndafili. Fruta kur piqet është e kuqe. Lulëzon nga maji deri në qershor. Në Kosovë e përhapur kryesisht në vendet me diell, në kullota e shkëmbinj të zonës subalpine dhe alpine të Maleve të Sharrit dhe Alpeve Shqiptare.

Burdullaku: – Çdo pjesë e kësaj bime është e ngrënshme—lulet, gjethet, kërcelli, madje edhe farat, sepse kjo perime nuk përmban vetëm kalcium, por edhe minerale të tjera të rëndësishme për kocka të forta. Ajo përmban edhe mangan, magnez dhe hekur.

Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj për çdo vit emeton pulla postare me bukuritë natyrore të vendit tonë me qëllim të promovimit të tyre kudo nëpër botë. / KultPlus.com

Posta e Kosovës promovon pullën postare “Nga arti skenik – Besim Sahatçiu dhe Leze Qena”

Posta e Kosovës ka njoftuar për pullën më të re postare – “Nga arti skenik – Besim Sahatçiu dhe Leze Qena”  që do ta promovojnë ditën e enjte, shkruan KultPlus.

Në mesin e këtij promovimi, të pranishëm do të jenë familjarët e Sahatçiut dhe Qenës, përfaqësues të institucioneve, pjesëmarrës nga sfera e artit dhe kulturës, mediave dhe mysafirë të tjerë.

Promovimi do të mbahet në CINEPLEXX,  Albi Mall-Prishtinë, më datë 25 mars 2021, orën 11:00. Të pranishmit do të kanë mundësinë për të shijuar një koktej rasti. / KultPlus.com

Posta e Kosovës lanson pullat postare, ‘Bukuritë natyrore të Kosovës’

Nga sot, Posta e Kosovës lëshon në qarkullim emisionin e jashtëzakonshëm të pullave postare, të titulluar “Bukuritë natyrore të Kosovës”.

Republika e Kosovës, ka shumë bukuri natyrore me pyjet e dendura, liqenet akullnajore, shpellat dhe ujëvarat, të cilat krijojnë një mjedis magjepsës dhe mjaft atraktiv për vizitorë të shumtë vendor dhe ndërkombëtar. 

Pamjet e këtyre dy pullave postare, prezantojnë bukuritë e dy liqeneve malore në pjesën perëndimore të Kosovës, Liqenin e Kuqishtës, i cili ndodhet në Bjeshkët e Nemuna me lartësi mbidetare 1,970 metra, si dhe Liqenin e Gjeravicës, në majën e Bjeshkës së Gjeravicës me lartësi mbidetare rreth 2,200 metra.  

Filatelia e Postës së Kosovës këtë radhë e prezanton shtetin e Kosovës përmes bukurive natyrore të prezantuara në këto dy pulla postare, të cilat janë vepa të autorit Mensur Gashi, që ia ka dhuruar Postës së Kosovës për të qenë në interes promotiv të shtetit tonë. / KultPlus.com

Bekim Berisha dhe Bedri Shala në pulla postare në 20 vjetorin e rënies

Posta e Kosovës ka promovuar të enjten pullat postare për heronjtë Bekim Berisha – Abeja dhe Bedri Shala, në përvjetorin e 20-të të rënies së tyre në betejën e lavdishme në Junik.

Bekim Berisha dhe Bedri Shala ishin dy prej luftëtarëve dhe eprorëve më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Me trimërinë dhe shkathtësinë e tyre ushtarake ata motivuan të rinj e të reja që t’u bashkohen radhëve të UÇK-së. “Bekimi dhe Bedriu erdhën nga mërgimi për t’i dal zot atdheut në përballje me regjimin e egër serb.

Pushka e tyre jehoi në beteja anekënd Kosovës deri në flijimin e tyre heroik në mbrojtje të Junikut, më 10 gusht 1998”, ka thënë kryeshefi ekzekutiv i Postës, Sejdi Hoxha. Ai theksoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe dëshmorët e saj janë themeli i lirisë dhe shtetit tonë. “Bekim Berisha- Abeja mori pjesë edhe në luftën në Kroaci dhe në Bosnje duke u bërë pjesë e pashlyeshme e historisë së popullit kroat dhe boshnjak.

Shtëpia e Bedriut dhe vëllezërve të tij ishte çerdhe e UÇK-së që nga fillimi i viteve të 90-ta”, ka thënë Hoxha.

Bekim Berisha – Abeja u lind më 15 qershor 1966 në Graboc të Pejës ndërsa Bedri Shala u lind në Gjergjicë të Drenasit më 2 qershor 1969. Për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm, dy gjeneralët e UÇK-së janë dekoruar nga presidenti i Kosovës me urdhrin “Hero i Kosovës”.

Në shenjë nderimi, kryeshefi Sejdi Hoxha u ka dorëzuar familjes Berisha, familjes Shala dhe kryetarit Lladrovci pullat postare të punuara në bronz si dhe pullat postare në kornizë. Për emetimin e pullave postare, Postën e Kosovës e kanë falënderuar motra e Bekim Berishës, Zyrafetja dhe nipi i Bedri Shalës, Xheladini./KultPlus.com

U mbajt ceremonia e ndarjes së çmimit për pullën postare të Kosovës dedikuar Nënës Terezë në Itali (FOTO)

Danillo Bogoni, drejtor dhe ekspert i Fialtelisë së Italisë, pati njoftuar zyrtarisht se pullës postare dedikuar Nënës Terezë i është ndarë çmimi i parë, shkruan KultPlus. Kësisoj pas pak ditësh u bë edhe ceremonia e ndarjes së këtij çmimi që është bërë enkas për të.

Në këtë ceremoni morën pjesë kryeshefi ekzekutiv i Postës së Kosovës Sejdi Hoxha bashkë me drejtorin e Shitjes dhe Marketingut, Bashkim Mustafa, ku shpalosën këtë ngjarje edhe përmes fotografive.

“Ndihem krenar me pritjen dhe falënderimet nga personalitete të shquara ndërkombëtare në këtë ngjarje të paharrueshme. Në shenjë mirënjohjeje, presidentit të organizatës i dhurova pullën postare të punuar në pllakë bronzi. Ky është çmimi i dytë ndërkombëtar për pullat tona postare gjatë këtij viti”, ka shkruar Hoxha në rrjetin e tij social Facebook.

Pulla postare paraqet në pamje të parë imazhin e Nënë Terezës të shoqëruar nga fjalët e saj, me poezinë Lamtumirë, të shkruar nga vetë ajo gjatë rrugës për mërgim “tani jam e lidhur me heshtjen e vetmisë”. Këtë poezi ajo e shkroi në bordin e anijes që po udhëtonte nga Mesdheu për në Kalkuta. Një udhëtim që zgjati pesë javë./ KultPlus.com

Posta e Kosovës vë në qarkullim pullën postare “Veshja popullore e Medvegjës”

Posta e Kosovës ka vënë në qarkullim emisionin e pullës postare “Veshja popullore e Medvegjës”, përcjellë KultPlus.

Emisioni përmban dy pulla postare me vlera nominale: €2 dhe €1, blloku 2€ si dhe Zarfi i Ditës së Parë. / KultPlus.com


Posta e Kosovës lanson pulla postale me objekte të trashëgimisë kulturore të Gjakovës

Posta e Kosovës së fundi ka lansuar pulla postale me objekte të trashëgimisë kulturore të Gjakovës, shkruan KultPlus.

Në këto pulla janë përfshirë objektet më me rëndësi të kësja komune, por duke përfshirë edhe objekte të komunave të tjera./KultPlus.com