Pulla postare dedikuar aktorit Hadi Shehu, i dorëzohet familjarëve të aktorit

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi bashkë me përfaqësuesit e Postës së Kosovës, priti sot në takim familjarët e aktorit Hadi Shehu, me ç’rast ju dorëzua pulla postare si shenjë respekti për punën dhe kontributin e dhënë nga aktori Shehu, shkruan KultPlus.

Gashi është shprehur se aktori Shehu ishte një artist i veçantë që ka lënë gjurmë në skenën kulturore.

“Sot, bashkë me përfaqësuesit e Postës së Kosovës, prita në takim familjarë të aktorit Hadi Shehu, me ç’rast ia dorëzova pullën postare si shenjë respekti për punën dhe kontributin e dhënë nga aktori Shehu. Lansimi i pullës postare dedikuar aktorit Hadi Shehu, është vlerësim i lartë për figurën e tij në artin vendor si një prej artistëve të veçantë, i cili ka lënë gjurmë në skenën kulturore në vendin tonë duke luajtur në role kryesore në dhjetra filma artistik”, ka shkruar Gashi. / KultPlus.com

Lansohet pulla postare “30 vjetori i Grevës së Minatorëve”

Posta e Kosovës sot ka lëshuar në qarkullim pullën postare me titull “30 Vjetori i Grevës së Minatorëve”.

Përmes pamjes së pullës postare, nderohet kontributi i minatorëve të “Trepçës” në mbrojtjen e autonomisë së Kosovës, që në vitin 1989 regjimi ish-jugosllav kishte filluar ta rrënojë me forca policore dhe ushtarake.

Në galerinë e horizontit 10-të të minierës ishin ngujuar 1300 minatorë në grevë urie, të gatshëm për ta flijuar edhe jetën për interesat kombëtare, për dinjitet të popullit dhe brezave të ardhshëm, transmeton kp. 

Greva e minatorëve u shndërrua në rezistencë gjithë popullore, me një sensibilizim të jashtëzakonshëm ndërkombëtar që pati për vuajtjet e popullit shqiptar të shtypur nën egërsinë e regjimit të ish-Jugosllavisë.

1200 minatorë u dënuan me nga 30 e nga 60 ditë heqje lirie, ndërsa ndaj organizatorëve dhe udhëheqësve të kombinatit u zhvilluan procese monstruoze politike.

Përkundër dhunës serbe forcohej rezistenca e popullit shqiptar dhe vendosmëria për realizimin e aspiratës shekullore, që kulmoi me luftën e armatosur të UÇK-së dhe me përkrahjen e NATO-s, sollën çlirimin e Kosovës, më 12 qershor 1999.

“Filatelia e Postës së Kosovës, do të kujdeset që përmes kësaj pulle postare të prezantojë rrugëtimin e popullit tonë deri tek liria. Greva e minatorëve ishte një prej ngjarjeve të mëdha historike të shtetit të Kosovës”, thuhet në një komunikatë lëshuar nga Posta e Kosovës. / KultPlus.com

Imazhet e atdhetarëve të shquar në pulla postare

 

Posta e Kosovës sot ka emetuar tri pulla postare me imazhet e atdhetarëve Shtjefën Gjeçovi, Ahmet Gashi dhe Mehmet Gjevori.

Ky emetim u bë në kuadër të tematikës ’’Personalitete të shquara” dhe në shenjë nderimi për figurat që dhanë kontribut të pazëvendësueshëm në lëmin e arsimit, shkencës dhe çështjes kombëtare.

Shtjefën Konstantin Gjeçovi-Kryeziu u lind në Janjevë, në vitin 1874.  Studimet teologjike i kishte mbaruar në Bosnjë, ndërkaq si famullor shërbeu në Pejë, Kurbin, Gomsiqe etj. Në Arbënesh të Zarës punoi për një kohë si mësues i shqipes. Mori pjesë në kryengritjet shqiptare kundër osmane në vitet 1909-1912 dhe më pas në Luftën e Vlorës më 1920. Gjeçovi ishte shkrimtar, etnolog dhe arkeolog i shquar i etno-kulturës shqiptare. Ai përgatiti veprën kapitale “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, që paraqet një monument të së drejtës zakonore të shqiptarëve. Gjithë veprimtaria arsimore dhe kulturore e tij përshkruhet me patriotizëm, për të cilën edhe vihet në shënjestër të shovinistëve serb, të cilët organizojnë vrasjen e tij më  14 tetor 1929.

Ahmet Gashi u lind në Prishtinë në vitin 1888, në një familje muhaxhirësh të dëbuar me dhunë nga Jabllanica. Pasi mbaroi studimet për histori dhe gjeografi në Universitetin e Stambollit,  kthehet si mësues në Prishtinë dhe me nxitjen e Hasan Prishtinës u zgjodh sekretar i Klubit Shqiptar të Prishtinës. Në vitin 1913, Gashi u emërua drejtor në shkollën qytetëse qendrore në Elbasan, profesor në Normalen e Elbasanit e pastaj drejtor i saj në vitet 1929-33. Ishte autor i shumë teksteve mësimore të gjeografisë e të historisë dhe hartave të Shqipërisë. Nga viti 1936 ishte anëtar nderi i Shoqatës Kombëtare Gjeografike të Amerikës. Vdiq në Tiranë, më 1977.

Mehmet Gjevori u lind në vitin 1910 në Elbasan. Pas përfundimit të Normales, ishte njëri prej mësuesve që iu përgjigj ftesës së ministrit të atëhershëm të Arsimit Shqiptar, Ernest Koliqi për të shërbyer në Kosovë që nga viti 1941, ku në këtë periudhë rreth 90% e popullatës në Kosovë ishte analfabete. Në Kosovë, Gjevori fillimisht emërohet drejtor shkolle në Prizren, pastaj inspektor arsimit, redaktor dhe kryeredaktor në shtëpitë dhe ndërmarrjet botuese të teksteve shkollore në gjuhën shqipe. Ishte autor i Abetares së parë shqipe në Kosovë, autor i botimit “Frazeologjizmat e gjuhës shqipe dhe shpjegime”, si dhe autor i shumë librave të ndryshme. Kontributi i tij vazhdoi deri në përfundim të jetës në 2007./21Media/ KultPlus.com




Franca emeton pulla postare me imazhin e Gjergj Kastriot Skënderbeut

Posta Franceze ka emetuar pullën postare me imazhin e Gjergj Kastriot Skënderbeut. Ajo është dizajnuar nga piktori i njohur shqiptar Zamir Mati, i cili përpara dy vitesh çeli një ekspozitë në Paris, “La Maison de l’Albanie” kushtuar heroit kombëtar.  Imazhi që do të shoqërojë pullën ishte pjesë e kësaj ekspozite dhe është realizuar me vizatim grafik sipas projektit për sheshin “Skanderbeg, në Paris”. Gazeta Shqip ka bërë një interviste me piktorin e merituar Zamir Mati, i cili është arkitekti i pullës për postën franceze. Mati flet për rëndësinë që ka kjo pullë për shqiptarët dhe të tjerat që do të emetohen në vijim.

Si lindi ideja e pullës

Më 17 janar 2016, në “La Maison de l’Albanie”, Paris u hap ekspozita me temë  ‘Skënderbeun’. Projekti u mbështet nga Galeria e Arteve,Tiranë dhe nga Ambasadat e Shqipërisë dhe Kosovës. Në ekspozitë morën pjesë 17 autorë me 32 vepra.

Pikërisht  këtu u paraqit prej meje edhe ide-projekti për dekorimin e sheshit “Skanderbeg”, Paris, emër të cilin e ka vendosur në vitin 1971 Bashkia e Parisit me kryetar të saj presidentin e ardhshëm të Francës, Jaques Chirac, në nder të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, këtij mbrojtësi të Europës nga dyndja pushtuese …

Ky projekt-ide për dekorimin me një grup skulpturorë në siluetë të prerë në lazer me sugjerimet e dashamirësve dhe miqve si dhe mbështetjen e drejtuesve të “La Maison de l’Albanie’,  zotit Gjergji Themeli, Georges Leka, Agron Hasku është ekspozuar gjatë gjithë këtyre tre viteve dhe është e realizuar në bocete të dimensioneve dhe në materiale të ndryshme.

Ideja e pullës lindi nga dekorimi i sheshit “Skanderbeg”?

Po. Skulptura dekorative është menduar të vendoset në periferinë e sheshit, i cili është një platformë e gjerë betoni me diametër 80 metra dhe e vendosur mbi një pjesë të periferikut të qytetit, kësaj arterie kryesore të lëvizjes së mjeteve me shpejtësi.

Skulptura dekorative e cila do të realizohet në siluete të prera të metalit me lazer përbëhet prej një grupi kalorësish luftëtarë me në krye Skënderbeun, të cilët me lëvizje dinamike shkojnë drejtë Europës .

Ide e cila është marrë dhe zhvilluar nga tabloja me të njëjtën temë, e realizuar prej meje dhe e cila u zgjodh nga organizatorët edhe si imazhi i pllakatit të kësaj ekspozite.

Kështu që mbas gati tre viteve punë krijuese, ekspozimi dhe diskutimesh ky projekt-ide përfundon si një zgjidhje e propozuar nga artisti por edhe nga “La Maison de l’Albanie”, për dekorimin e sheshit “Skanderbeg”, Paris .

Kush e dha idenë që pllakati të kthehej në pullë poste për shtetin francez?

Në përfundim të kësaj projekt-ideje u mendua edhe realizimi i një pulle poste me figurën e Skënderbeut dhe kështu kjo ide sipas rregullave dhe ligjeve franceze i u propozua nga “La Maison de l’Albanie”,  me vizatimin dhe zgjidhjen grafike « La Poste, France ».

A do të emetojë Franca pulla të tjera me tematikë Shqipërinë?

Së bashku me pullën për Skënderbeun u realizua edhe një pullë shoqëruese e saj për efekt filatelik, kështjella Krujës, kryeqendra e Arbrit në këtë kohë të lavdishme historike. Kjo pullë poste do të shoqërojë në prezantim pullën me figurën e Skënderbeut dhe do të jetë si fillim i një serie pullash me kështjellat e qyteteve kryesore si; Kështjella e Beratit, Prizrenit, Shkodrës, Kaninës, Pargës, Tepelenës,etj. Zgjidhja e grafike e këtyre pullave të postës do të jetë në shërbim të njohjes historike dhe në shërbim të turizmit. Është ky një projekt i filluar tashmë dhe i propozuar nga “La Maisone de l’Albanie”,  së bashku me Office du Tourisme de l’Albanie, France, projekt që kërkon teknikisht kohë, duke respektuar rregullat dhe ligjet franceze për «La Poste, France ».

Çfarë rëndësie ka kjo pullë për shqiptarët?

Trajtimit figurës së Gjergj Kastrioti Skënderbeu nga Ronsari apo deri tek Volteri, Vivaldi e Longfellow në vepra të njohura tashmë botërisht në shekuj ashtu siç vlerësohet edhe në botimet enciklopedike ku emri i Gjergjit tonë na bën krenare jo vetëm si lexues por edhe për historinë shqiptare e lidhur me Europën. Në këtë kuptim çdo mundësi i paraqitjes së figurës së tij dhe në këtë rast edhe në pullë poste, është një vlerësim i veçantë por edhe një pullë më shumë në të gjithë krijimtarinë time në fushën filatelike.

Çfarë përdorimi do të ketë kjo pullë poste

Pulla postare e propozuar nga “La Maison de l’Albanie”  për « La Poste, France » është për përdorim prioritar dhe ka vlerën në euro të dërgimit për peshën deri 20gr.

Këto ditë në hapësirën e “La Maison de l’Albanie”, Paris 14 » do të organizohet një mbrëmje prezantimi i këtyre pullave të postës me figurën e heroit kombëtar Skanderbeg dhe Kruja dhe për sigurimin e tyre duhet të interesoheni pranë kësaj qendre të kulturës shqiptare në Paris. / KultPlus.com

Posta e Kosovës lëshon pulla postare me Ansamblin “Shota”

Posta e Kosovës lëshon të premten në qarkullim emisionin e pullave postare 70 Vjetori i ansamblit të këngëve dhe valleve “Shota’”.

Ansambli kombëtar i këngëve dhe valleve “Shota” fillimisht është formuar si shoqëri amatore në vitin 1948, ndërkaq si ansambël i këngëve dhe valleve më 30 shtator 1950, që e bënte këtë ansambël njërin ndër institucionet e para artistike dhe kulturore në Kosovë.

Edhe pse qëllimi i themelimit të këtij ansambli ishte të ruajë trashëgiminë burimore kulturore në lëmin e këngëve dhe valleve popullore, si dhe të hulumtojë format e reja të përpunimit të artit popullor, për shkak të politikës diskriminuese ish-jugosllave, më 18 mars 1954 ndërpritet funksionimi i tij.

Me krijimin e kushteve, në mars të vitit 1964, ky ansambël është rithemeluar me emërtimin Ansambli Shtetëror “Shota”, i cili luajti një rol të pazëvendësueshëm në ruajtjen, kultivimin dhe zhvillimin e këngëve dhe valleve popullore të Kosovës.

Ansambli “Shota” afirmoi vlera të mirëfillta kulturore kombëtare siç është origjinaliteti i kostumeve, meloditë autentike dhe vallet e veçanta ekzotike, me të cilat ky ansambël është prezantuar në më se 50 shtete të ndryshme të botës, në të gjitha kontinentet.

Nga viti 1994, ansambli funksionon me emërtimin e ri: Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota”.

Filatelia e Postës së Kosovës do të angazhohet që përmes imazheve të pullave postare të afirmojë vlerat tona kulturore dhe kombëtare. /Telegrafi/ KultPlus.com

Në qarkullim pullat postare “Trashëgimia -Lokaliteti antik i Dresnikut”

​Nga sot Posta e Kosovës lëshon në qarkullim të rregullt postar emisionin e pullave postare me titull “Trashëgimia-Lokaliteti antik i Dresnikut”.

Ky emision, përmes dy pullave postare dhe bllokut filatelik, prezanton segmentet e mozaikut, pjesë e një qyteti të madh të vendbanimit Dardan që më vonë pushtohet nga Roma. Ekspertët kanë konstatuar nëntë ngjyra në mozaik me figura dhe motive të ndryshme. Mozaiku është i rrethuar me kornizë në formë zemre.

Dresniku është njëri prej lokaliteteve arkeologjike më të rëndësishme jo vetëm në Kosovë, por edhe në Rajon. Prandaj me plot të drejtë mund të themi se Dresniku mund të jetë destinacion më i preferuar për turizëm, adhurues të arteve historike.

Bazuar në deklaratat e arkeologëve, baza e qytetit është ndërtuar para Erës së Re, ndërsa gjatë pushtimit romak, merr trajtat e urbanizimit dhe arkitekturës romake. Themelet e bazilikës së zbuluar tregojnë që qyteti ishte i shtrirë në të paktën dhjetëra hektar tokë, përfshirë hapësirat e rrugëve, banesave dhe objekteve publike. Veçanti e objekteve kishtare është se bazilikat janë të kthyera kah veriu./ KultPlus.com

Pullat postare “Artizanati – punime nga argjila”

Nga sot Filatelia e Postës së Kosovës lëshon në qarkullim të rregullt postar emisionin e pullave postare me titull “Artizanati – punime nga argjila”.

Ky emision, përmes tre pullave postare, prezanton pamje artistike të enëve nga argjila. Artizanati nënkupton punimin dhe përpunimin e gjërave të artit, si dhe formësimin e tyre, në rastin konkret formësimin e objekteve të ndryshme nga argjila.

Kosova është e njohur për traditë të pasur të artizanatit me vlera të çmuara, të krijuar prej shekujsh nga mjeshtrit popullorë në çdo regjion të saj, sipas karakteristikave dhe specifikave të zonave të ndryshme, duke u spikatur me shumëllojshmërinë e saj.

Për një periudhë të gjatë kohore objektet e punuara nga argjila kanë gjetur një përdorim të gjerë në amvisni, por edhe në dekorim të hapësirës jetësore. Kësaj radhe prezantohen pamjet e pjatave dhe enëve për ujë, të punuara nga duart e arta të artistëve./ KultPlus.com

Nazim Gafurri e Stak Mark Mirdita, në pullën postare të Kosovës

Në kuadër të tematikës “Dëshmorët”, Posta e Kosovës ka emetuar emisionin e pullave postare dedikuar dy dëshmorëve e atdhetarëve të shquar, Nazim Gafurri dhe Stak Mark Mirdita.

Nazim Gafurri ishte një veprimtar dhe atdhetar i madh i kombit, i cili përmes publikimeve të tij arriti ta ndërkombëtarizojë shkeljen e të drejtave themelore të njeriut, që iu bëheshin shqiptarëve të Kosovës nga sistemi jugosllav. Për t’i dal në mbrojtje popullit, shkriu tërë dijen dhe pasurinë që kishte. Patriotizmi i tij e vuri nën shënjestrën e pushtetit, që ia organizuan atentatin e tretë vdekjeprurës, më 7 maj 1928.

Stak Mark Mirdita rrjedh nga një familje patriotike, që lirisë së Kosoves ia dha gjashtë dëshmorë. Njihet si personalitet i hershëm dhe i shquar i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, por edhe si humanist i madh i popullatës së varfër. I cilësuar person i rrezikshëm për sistemin pushtues jugosllav, pushkatohet në vigjilje të Krishtlindjeve të vitit 1944, së bashku me shumë patriotë shqiptarë.

Posta e Kosovës përmes një kumtese për media, ka bërë të ditur se kjo pullë postare në imazhin e saj mbartë portretet e dy dëshmorëve, veprimtarëve të shquar të periudhës së viteve 1920-1945, të cilët me guximin e tyre intelektual, pasqyruan të vërtetën para botës për krimet e sistemit jugosllav ndaj popullatës shqiptare që jetonte në ish Jugosllavi.

Gjilani me pulla postare, Haziri e vlerëson si ditë historike (FOTO)

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pranuar zyrtarisht pullat postare me pamje të qytetit nga ana e kryeshefit ekzekutiv të Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha.

Haziri me këtë rast e falënderi Postën e Kosovës që e ka zgjedhur Gjilanin për ta promovuar emisionin e ri të pullave postare.

“Është nder i veçantë për Gjilanin që tashmë e kemi pullën postare dhe ju falënderoj shumë për këtë. Mund të them se kjo është ditë historike për qytetin tonë”, tha Haziri.

Kryeshefi ekzekutiv i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha, tha se theksoi se në pullat postare janë dy pamje të Gjilanit, ajo e vitit 1925 dhe e vitit 2018, si simbolikë e të resë me të vjetrën.

“Në kuadër të emisionit të pullave postare me komunat si Postë e kemi përzgjedhur Gjilanin për promovim. Pullat janë simbol i mirë sepse e prezantojnë qytetin dhe vlerat kudo në botë. Urime juve dhe gjithë qytetarëve të Gjilanit”, ka thënë Hoxha./KultPlus.com

Pulla postare “10 Vjetori i Pavarësisë”

Për nderë të shënimit të 10 Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2018 në qarkullim postar do të vihet emisioni i pullës postare me titull “10 Vjetori i Pavarësisë”.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, është ngjarja më kulmore e historisë tonë kombëtare, e cila u kurorëzua pas një rrugëtimi të gjatë, me plot sakrifica e lavdi të popullit shqiptar përgjatë gjithë shekullit XX. Kjo pullë i dedikohet rrugëtimit të Republikës së Kosovës përgjatë këtij dhjetëvjeçari, zhvillimit të shtetit tonë të njohur nga 116 shtete botërore.

Kjo pullë postare në imazhin e saj mbartë kopjen e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës me simbolet e tjera shtetërore. Ndërsa në aspektin moral, përmes saj pasqyron sukseset e Shtetit, posaçërisht talentin e të rinjve kosovarë në gara të ndryshme nga fusha e kulturës dhe sportit, të cilët i bënë nderë Kosovës dhe qytetarëve të saj me lartësimin e flamurit shtetëror në rangun e parë botëror.

Filatelia e Postës së Kosovës nuk do të ndalet vetëm me kaq, por do të veprojë në vazhdimësi në afirmimin e të arriturave të Shtetit tonë!./ KultPlus.com

Mark Krasniqi e Pajazit Nushi në pullën postare të Kosovës

Posta e Kosovës në kuadër të tematikës “Personalitete të shquara” sot ka emetuar dy pulla postare me imazhet e akademikëve, Mark Krasniqi dhe Pajazit Nushi.

Mark Krasniqi u lind në fshatin Gllaviçicë (Shën Gjon) afër Pejës më 19 tetor 1920. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes, shkollimin e mesëm në Prizren, ndërkaq studimet për letërsinë në Universitetin e Padovës (Itali), si dhe për gjeografi e etnografi në Universitetin e Beogradit. Karrierën e filloi si gazetar dhe pastaj redaktor i gazetës “Rilindja”.

Ka qenë prodekan dhe dekan i Fakultetit Juridik-Ekonomik. Ishte nënkryetar e kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës (1970) dhe kryetar i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës (që nga viti 1993). Ka botuar libra shkencorë, letrarë, publicistikë e tekste shkollore dhe ka përkthyer disa romane e përmbledhje poezish nga serbo-kroatishtja, sllovenishtja e maqedonishtja në gjuhën shqipe. Vdiq në Prishtinë, në vitin 2015.

Pajazit Nushi u lind më 8 janar të vitit 1933 në Gjakovë. Në vendlindje kreu shkollën fillore dhe shkollën normale, ndërkaq studimet i kreu në Fakultetin Filozofik, Katedra e Psikologjisë Eksperimentale të Universitetit të Beogradit. Disertacionin e doktoratës e mbrojti në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Aktiviteti profesional dhe shkencor i Pajazit Nushit shtrihej në fushat studimore të psikologjisë së përgjithshme, terminologjisë së psikologjisë, psikologjisë pedagogjike, etnopsikologjisë dhe metodologjisë hulumtuese të psikolo¬gjisë. Ka botuar trajtesa të veçanta shkencore dhe artikuj nga fusha e psikologjisë sociale, e sociologjisë, leksikologjisë shqipe, të psikologjisë së religjionit. Ai vdiq në Prishtinë, në vitin 2015./ KultPlus.com

Promovohet pulla postare “500 vjet reformacion”

Në mjediset e kishës protestante “Bashkësia e Popullit të Zotit” në Prishtinë është promovuar emisionit special të pullës postare “500 vjet reformacion”. Të pranishëm ishin menaxhmenti i Postës së Kosovës dhe pastorë e besimtarë të komunitetit protestant. Ky është një bashkëpunim ndërmjet Postës së Kosovës dhe Kishës Protestante Ungjillore të Kosovës dhe është pjesë e programit të Javës së Reformacionit Protestant, që po mbahet në Prishtinë.

Kryetari i Kishës Protestante Ungjillore të Kosovës, pastor Driton Krasniqi, në fjalën e tij para të pranishmëve theksoi se Posta e Kosovës duke lëshuar në qarkullim emisionin special të pullës postare “500 vjet reformacion”, ajo e ka nderuar kulturën perëndimore dhe i ka bërë nder shtetit të Kosovës dhe popullit tonë. Projekti i shënimit të 500 vjetorit të reformacionit protestant dhe emisioni i pullës postare, e ka vendosur Kosovën në hartën e shteteve që gjatë këtij muaji po e bëjnë pikërisht të njëjtën gjë”. Këtë muaj në shumë vende të botës njerëzit janë duke e kthyer kokën mbrapa në histori duke u orvatur për të mësuar nga historia në mënyrë që luftërat fetare të mos përsëriten më. Ndërsa e kujtojmë reformacionin, ai është bërë edhe një herë një temë relevante në botën bashkëkohore dhe thirrjet për reforma fetare janë bërë gjithnjë e më të shpeshta. Lëvizja Reformatore Protestante kishte filluar para më shumë se 500 vjetësh si thirrje ndaj establishmentit fetar për reforma rrënjësore në jetën shoqërore të vendit. Kundërshtimet kishin të bëjnë me rishikimin e praktikave fetare dhe kthim tek burimi i informacionit. Sot, ndërsa përkujtojmë gjitha të arriturat e 500 vjetëve të fundit në formësimin e kulturës perëndimore, shoqëria kosovare e ka dëshmuar edhe një herë orientimin e vet kulturor, theksoi pastori Krasniqi.

Pulla që u promovua sot, është dëshmi e kulturës, bukurisë dhe krijimtarisë njerëzore, tha pastori Driton Krasniqi. Kjo pjesë e çmuar arti, arrin tek të gjithë njerëzit si një dhuratë nga larg. Reformatori Luther, artin e shihte si pjesë
përbërëse të besimit. Ajo është një çmallje me apostujt e besimit tonë dhe frymëzim për ta çuar përpara amanetin e tyre për emancipimin e popullit tonë, u tha nga të pranishmit.

Piktori, respektivisht dizajneri i pullës, Fidan Bejtullahu, ka krijuar një vepër të mirë. Imazhet e prezantuara në të pasqyrojnë një rrjedhë historike pesë shekullore nga Reformacioni Evropian tek ai shqiptar. Kombinimi i ngjyrave na e sjell lashtësinë në kohën tonë moderne. Në qendër të pullës qëndron Martin Luter Reformatori i rrethuar nga pesë solat. E tërë platforma e tij u ndërtua mbi pesë sola: Vetën shkrimi, vetën besimi, vetëm hiri, vetëm përmes Krishtit dhe vetëm Perëndisë lavdia. Por edhe historia jonë i ka Luterët e vet me në krye vëllezërit Gjerasim e Gjergj dhe motrat Sevasti e Parashqevi Qiriazi. Ndikimi reformacionit në kulturën shqiptare pasqyrohet bukur në këtë pullë postare me dy objekte: Kongresi i Manastirit dhe Shkolla e Vashave përballë njëra-tjetrës. Përkthimi i Biblës nga Kristoforidhi është një pikë referimi e historisë sonë kombëtare gjithashtu. Popujt e ndryshëm historinë e tyre e përkufizojnë me anë të kulturës. Prandaj, vlera e kësaj pulle që po promovohet sot, është e rëndësisë së shumëfishtë. Posta e Kosovës, respektivisht Filatelia e Postës, shumë shpejt është ngjitur në shkallët e vlerësimit të pullave të saj duke marrë dy çmime ndërkombëtare për pullën postare më të mirë. Në përmbyllje kryetari Krasniqi nënvizoi: “Pulla postare, edhe pse në format të vogël, është një objekt i rëndësishëm që përçon një mesazh të madh. Ato janë matja dhe ambasadori kulturor i një populli. Ajo e transmeton një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore e ikonografisë së popullit tonë”. Pullat postare janë në qarkullim në të gjitha pikat e shitjes së Postës së Kosovës!/ KultPlus.com

U mbajt ceremonia e ndarjes së çmimit për pullën postare të Kosovës dedikuar Nënës Terezë në Itali (FOTO)

Danillo Bogoni, drejtor dhe ekspert i Fialtelisë së Italisë, pati njoftuar zyrtarisht se pullës postare dedikuar Nënës Terezë i është ndarë çmimi i parë, shkruan KultPlus. Kësisoj pas pak ditësh u bë edhe ceremonia e ndarjes së këtij çmimi që është bërë enkas për të.

Në këtë ceremoni morën pjesë kryeshefi ekzekutiv i Postës së Kosovës Sejdi Hoxha bashkë me drejtorin e Shitjes dhe Marketingut, Bashkim Mustafa, ku shpalosën këtë ngjarje edhe përmes fotografive.

“Ndihem krenar me pritjen dhe falënderimet nga personalitete të shquara ndërkombëtare në këtë ngjarje të paharrueshme. Në shenjë mirënjohjeje, presidentit të organizatës i dhurova pullën postare të punuar në pllakë bronzi. Ky është çmimi i dytë ndërkombëtar për pullat tona postare gjatë këtij viti”, ka shkruar Hoxha në rrjetin e tij social Facebook.

Pulla postare paraqet në pamje të parë imazhin e Nënë Terezës të shoqëruar nga fjalët e saj, me poezinë Lamtumirë, të shkruar nga vetë ajo gjatë rrugës për mërgim “tani jam e lidhur me heshtjen e vetmisë”. Këtë poezi ajo e shkroi në bordin e anijes që po udhëtonte nga Mesdheu për në Kalkuta. Një udhëtim që zgjati pesë javë./ KultPlus.com

Posta e Kosovës vë në qarkullim pullën postare “Veshja popullore e Medvegjës”

Posta e Kosovës ka vënë në qarkullim emisionin e pullës postare “Veshja popullore e Medvegjës”, përcjellë KultPlus.

Emisioni përmban dy pulla postare me vlera nominale: €2 dhe €1, blloku 2€ si dhe Zarfi i Ditës së Parë. / KultPlus.com