Në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, nën tingujt e këngës “Engjujt nuk jetojnë në tokë” nga grupi 403, u mbajt sot një ngjarje përkujtimore me të njëjtin emër, në nderim të 1133 fëmijëve të vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, shkruan KultPlus.
Ngjarja, e organizuar nga gazeta online për art dhe kulturë KultPlus, mbështetur nga Ministria e Arsimit , solli bashkë poetë, nxënës dhe artdashës që përmes vargjeve u përkulën përpara kujtimit të atyre që nuk patën mundësinë të rriteshin. “Engjëjt nuk jetojnë në tokë” ishte një takim letrar ku poezia u bë mjet i përjetimit dhe dhimbjes, por edhe i kujtesës kolektive që refuzon të heshtë.
Në këtë manifestim kulturor morën pjesë poetët e njohur Ibrahim Kadriu, Sali Bashota dhe Lulzim Tafa, të cilët lexuan poezi të dedikuara fëmijëve që tashmë janë shndërruar në dritë të përhershme të Kosovës. Përkrah tyre, me emocion të veçantë, u prezantuan edhe nxënësit e Shkollës Fillore “Hasan Prishtina” nga Prishtina, duke sjellë vargje të sinqerta dhe prekëse në kujtim të atyre që humbën jetën pa e njohur mirë.
E para në këtë takim e mori fjalën drejtoresha e KultPlus, Ardiana Pajaziti e cila theksoi rëndësinë e kujtesës kolektive dhe të rikthimit të vëmendjes drejt fëmijëve që humbën jetën apo u zhdukën gjatë luftës në Kosovë, në një muaj që tradicionalisht u kushtohet fëmijëve.
“Qershori është muaji dedikuar fëmijëve, e ne kemi vendosur që këtë ditë t’ua kushtojmë fëmijëve të vrarë e të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Është një dhimbje e madhe dhe ne kemi vendosur që ta shënojmë këtë ditë për t’i kujtuar këta fëmijë nëpërmjet leximit të poezive. Në të njejtën kohë ne kemi menduar që në nderim të tyre të mbjellim një fidan, si një symbol i kujtimit të tyre dhe një vend që u kushtohet vetëm atyre”, u shpreh Pajaziti.
Më pas, emocionet u bartën në duart e shtatë nxënësve të Shkollës Fillore “Hasan Prishtina”, të cilët një nga një interpretuan poezi të përzgjedhura me ndjeshmëri dhe përkushtim.
Ajan Sinani nisi interpretimet me poezinë “Sikur të ndalej” të Ymer Elshanit, e ndjekur nga Ajana Hasani me interpretimin e poezisë “Për mësuesen” të Adelina Mamaqit. Djellza Ninaj solli freskinë e vargjeve të Vehbi Kikajt me poezinë “Pemët në verë”, ndërsa Era Stublla preku zemrat e të pranishmëve me “Kryefjala e fjalëve” të Odhise Grillos. Omer Havolli interpretoi poezinë “Pëllumb i bardhë” të Rifat Kukajt, Orion Kryeziu solli emocion me “Ditëlindja ime” të Qamil Batallit, dhe Tiara Fetahu e përmbylli me ndriçimin e fjalëve në poezinë “Dielli” të autores Dije Demiri – Frangu.
Më pas, fjalën e mori profesori dhe shkrimtari Ibrahim Kadriu i cili lexoi para të pranishmëve poezië ‘Librat në protestë’.
Pas tij, foli profesori Sali Bashota, i cili para se të lexonte poezinë e përzgjedhur, theksoi rëndësinë e KultPlus në shënimin e ngjarjeve e dative të rëndësishme.
“KultPlus tashmë është një vend, gati – gati i shenjtë për krijuesit. Ardianë Pajaziti po bën një punë të jashtëzakonshme me aktivitetet në këtë hapësirë të jashtëzakonshme duke shënuar shumë data të rëndësishme, e një prej tyre është edhe Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve, e buzëqeshja e fëmijëve është motivi më i madh i shkrimitarit”, theksoi Bashota, teksa më pas lexoi poezinë e tij ‘Portret i pambaruar’, kushtuar vajzës së tij në kohën e luftës.
Pas tij, fjalën e mori poeti Lulzim Tafa, i cili lexoi poezinë e tij, ‘Asfalti mbi eshtra’, një poezi e shkurtër por që lë një brengë të madhe për të gjithë pjesëmarrësit. Këtë poezi, Tafa thotë se e ka kushtuar këtë poezi për fëmijët e vrarë e të pagjetur pasi në disa lokacione në Kosovë janë gjetur varreza masive me fëmijë e të rritur dhe më pas kanë shtruar asfalt për të shmangur gjurmët.
Ndërkaq, të pranishëm në këtë ngjarje ishin edhe poetët Shqipe Bytyqi dhe Besnik Camaj, të cilët iu bashkuan kësaj ngjarje duke lexuar poezi që lidhen me ditën dhe ngjarjen e shënuar.
E në fund, pjesë simbolike dhe e veçantë e këtij organizimi ishte mbjellja e një fidani pranë ambienteve të KultPlis, në nderim të 1133 fëmijëve të vrarë dhe të zhdukur, një akt që synon të mbjellë kujtim e jetë në vend të dhimbjes së pafund.
Sipas të dhënave të dokumentuara, gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998–1999 dhe në muajt pas përfundimit të saj, janë vrarë 1.024 fëmijë, ndërsa 109 fëmijë vazhdojnë të figurojnë të zhdukur./KultPlus.com
1133 fëmijët e vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës së Kosovës do të kujtohen nëpërmjmet një takimi letrar, takim ku poetët do të lexojnë poezi me dedikim fëmijët që tashmë janë shndërruar në dritën e Kosovës.
“Engjujt nuk jetojnë në tokë” është organizim-dedikim i gazetës online për art dhe kulturë KultPlus, dhe në këtë ngjarje kulturore do të marrin pjesë poetët: Ibrahim Kadriu, Sali Bashota e Lulzim Tafa, dhe me poezi për fëmijët engjuj do të prezantohen edhe nxënësit e Shkollës Fillore “Hasan Prishtina” në Prishtinë.
Ndërkohë, në kuadër të organizimit “Engjut nuk jetojnë në tokë” do të mbillet edhe një fidan për 1133 fëmijët e vrarë dhe të zhdukur në luftën e fundit në Kosovë.
Gjatë viteve të luftës në Kosovë më 1998-99 dhe në muajt e parë pas mbarimit të luftës, u vranë 1.024 fëmijë dhe 109 konsiderohen të zhdukur.
Kjo ngjarje do të mbahet me 2 qershor, në ora 16:00 në KultPlus Caffe Gallery. Kjo ngjarje mbështetet nga Ministria e Arsimit në Kosovë./ KultPlus.com
Në një atmosferë të ngrohtë kulturore, sot në Prishtinë u promovua libri “Katundi i braktisur – rrëfime për Dunavin” i autorit Metush Karadaku, botuar nga Botimet REA në KultPlus Caffe Gallery. Libri, që përbën një rrëfim të thellë për vendlindjen, historinë dhe shpirtin e një katundi tashmë të zbrazët, është redaktuar nga profesori dhe krijuesi i njohur Sali Bashota, i cili njëherësh ka qenë edhe profesori i dikurshëm i autorit.
Metush Karadaku, tashmë me vite në mërgim, ndau me të pranishmit emocionet që e kanë shoqëruar gjatë tërë procesit të shkrimit të librit, i cili kishte nisur që nga koha kur ishte student dhe kishte ëndërruar të shkruante një ditar jetësor për vendlindjen e tij, Dunavin.
“Dunavi, vendlindja ime, për një kohë të gjatë më është ngulitur në kujtesë me plot ngjarje e kujtime të ndryshme. Kam dëgjuar qysh në fëmijëri rrëfime të shumta që ndërlidhen me vendlindjen time dhe me popullin shqiptar, të cilat i kam mbajtur shënim ndër vite”, u shpreh autori.
Ai theksoi se ky libër është përpjekje për të ruajtur këto kujtime dhe për t’i paraqitur me vërtetësi para lexuesve.
“Kam dëgjuar qysh në fëmijëri ngjarje të llojllojshme që ndërlidhen me vendlindjen time, por edhe për popullin shqiptar. I kam mbajtur në mendje dhe kam mbajtur shënime. Këto kujtime i kanë datat, ngjarjet dhe personazhet e tyre. Shumë rrëfime të babait tim dhe të banorëve të katundit tim jam përpjekur t’i ruaj sa më të freskëta dhe që t’i paraqes me vërtetësinë e tyre para lexuesve”, u shpreh ai.
Përmes këtij botimi, Karadaku ndalet në një mori fushash të jetës tradicionale dhe shpirtërore të Dunavit, duke përfshirë prejardhjen e banorëve, organizimin e lagjeve, besimet fetare, rolin e gruas, fëmijërinë në vitet ’70 e ’80, mjekësinë popullore, botanikën, blegtorinë, bujqësinë, traditat, legjendat, gojëdhënat, dasmat, besimet popullore, kulturën dhe artin, poçarinë, transportin, tregtinë dhe emigrimin. “Pse Dunavi është katund i braktisur?” – është pyetja që e përshkon tërë rrëfimin dhe që shtyn autorin të rikthehet shpirtërisht në fshatin e tij të lindjes përmes faqeve të këtij libri.
Duke folur para të pranishmëve, Metush Karadaku ndau me shumë emocion rrugëtimin shpirtëror që e ka çuar drejt këtij botimi.
“Rrëfimet e dëgjuara nga familjarët, për kohë dhe periudha të ndryshme, më kanë motivuar që ta shkruaj këtë libër. Ta them atë që e ndjejnë në shpirt dhe që më preukupon vazhdimisht edhe jashtë atdheut”, tha ai, duke shtuar se vendlindja e tij Dunavi, ka qenë gjithmonë në qendër të kujtesës dhe ndjenjave të tij.
Ai përshkroi se si ngjarjet dhe rrëfimet që ka dëgjuar që në fëmijëri nga babai i tij dhe banorët e katundit, i kanë mbetur të gjalla në mendje dhe zemër.
Ai u shpreh se secila histori ka datën, kohën, personazhet e saj – janë të vërteta dhe të gjalla. Kam bërë çmos që ato të mos humbin, por të ruhen dhe të përcillen brez pas brezi. Ky libër është rezultat i përjetimeve të mia, por edhe i bashkëbisedimeve të shumta me njerëzit e Dunavit.
Autori nënvizoi se libri i tij nuk është vetëm një kujtesë personale, por një përpjekje për të ruajtur identitetin dhe historinë kolektive të një komuniteti të tërë që, për shkak të rrethanave të ndryshme, është shpërndarë brenda dhe jashtë Kosovës.
“Dunavi është pjesë e shpirtit tim. Ëndrrat e fëmijërisë, zërat e njerëzve, rrugët, fushat, peizazhet – janë të gjitha të ngulitura në mua. Ky libër është edhe një formë rikthimi. Përmes fjalës, përpiqem ta rikthej jetën e atij vendi që sot është i zbrazët,” tha Karadaku.
Në mënyrë të detajuar, ai foli për strukturën e librit dhe temat që trajton, duke përfshirë prejardhjen e banorëve të Dunavit, lagjet, shtëpitë, organizimin e jetës, shkollimin, shërbimet shëndetësore, rolin e gruas, traditat familjare, dasmat, zakonet, gojëdhënat, legjendat dhe besimet popullore, si dhe fëmijërinë në vitet 1974–1982. Ai solli edhe elementë të veçantë që lidhen me biodiversitetin e Dunavit, si pasuria e rrallë botanike me mbi 2000 lloje bimësh, duke theksuar se këto janë dëshmi që flasin për thellësinë dhe kompleksitetin e jetës së dikurshme në atë vend.
“Ky libër është rezultat i kujtimeve dhe i përjetimeve të mira, por edhe rezultat i bashkëbisedimit me banorët e Dunavit. Secili libër për vendlindjen është përjetim i veçantë. Autorët që shkruajnë libra për vendlindjen e tyre kanë një privilegj. Janë një grup i madh i bashkëpunëtorëve që kanë kontribuar me rrëfimet e tyre që libri im për vendlindjen të jetë sa më i plotë. Rrëfime, ngjarje, kujtime, përjetime, aktivitetet e tyre janë paraqitur brenda kapitujve të këtij libri”, përfundoi ai, ndërsa falënderoi të gjithë ata që kontribuan në realizimin e këtij botimi, profesorin Sali Bashota, botuesen Rozafa Bashota, gruan dhe fëmijët si dhe drejtoreshën e KultPlus, Ardianë Pajaziti.
Në këtë ngjarje, një vëmendje e veçantë iu kushtua fjalës së profesor Sali Bashotës, i cili, me qasjen e tij të thellë analitike e emocionale, dha një interpretim të ndjeshëm dhe të plotë për librin. Ai vlerësoi se vepra e Karadakut është një dokumentim i rrallë, që kalon përtej shkrimit autobiografik dhe merr përmasa kulturore, etnografike dhe shpirtërore.
“Procesi i të shkruarit të një libri me rrëfime dhe kujtime është para së gjithash një akt i frymëzimit, përkushtimit dhe vullnetit krijues. E kam thënë edhe më parë se librat për vendlindjen nuk janë vetëm akte nostalgjie, por janë forma të thella të lidhjes me rrënjët, me origjinën, me identitetin shpirtëror. Aty ku kujtesa individuale ndërthuret me kujtesën kolektive, krijohet një vepër që i flet jo vetëm lexuesit, por brezave të tërë”, tha Bashota.
Ai theksoi se tema e vendlindjes është e përhershme në letërsinë shqipe dhe në krijimtarinë artistike në përgjithësi.
“Në poezi, prozë, ese apo publicistikë – vendlindja është gjithmonë aty. Ajo bëhet kryetemë, shndërrohet në metaforë, bëhet truall i përjetimeve dhe simbol i shpirtit që kërkon të mos humbasë”, shtoi ai.
Duke analizuar veprën konkretisht, Bashota tha se libri “Katundi i braktisur” është një formë e kthimit shpirtëror të autorit nga mërgimi drejt vendlindjes.
“Nga pozicioni i mërgimtarit, si vrojtues i pasionuar, autori e shpalos kujtesën e tij për ambientin dhe njerëzit, duke e fuqizuar mallin në shumë dimensione. Malli për një katund që mbetet i zbrazët, bosh, pra që mbetet pa njerëz, por ai mall jeton bashkl me dhimbjen në shpirtin e tij dhe sikur bëhen dialog i vazhdueshëm me njerëzit e këtij katundi të shpërndarë brenda dhe jashtë atdheut”, u shpreh ai.
Sipas Bashotës, autori ka vepruar si një kronist i kujtesës kolektive, duke mbledhur rrëfimet dhe përjetimet e banorëve, duke i sistemuar në një rend të qartë kohor dhe hapësinor, dhe duke u dhënë atyre formën e një dëshmie të vlefshme për historinë dhe kulturën e një fshati që përfaqëson një pjesë të mirë të identitetit rural shqiptar.
“Ka shumë vlera në këtë libër – nga ato etnografike, te ato historike e kulturore. Metushi na flet për gjenealogjinë familjare, për legjendën e varrit të Ajshes, për Dunavin me mbi 2000 lloje bimësh – një pasuri botanike që rrallë e gjejmë të dokumentuar kësisoj. Ai sjell një botë të tërë që po rrezikon të harrohet, por që përmes këtij libri kthehet fuqishëm në kujtesën tonë kolektive”, tha ndër të tjera Bashota.
Ai përfundoi duke vlerësuar kontributin e Metush Karadakut si një akt dashurie ndaj atdheut dhe rrënjëve të tij, një përpjekje për të ndërtuar ura mes brezave dhe për të treguar se kujtesa është forma më e lartë e qëndresës shpirtërore.
Në fund, fjalën e morën edhe familjarë të autorit Karadaku, të cilët vlerësuan mundin e tij për mbledhjen e informatave për fshatin e tyre të braktisur./KultPlus.com
Shtëpia Botuese “Kulttuuritarha”, në Helsinki këto ditë botoi librin me poezi të poetit Sali Bashota, me titullin “Musta sade”, përkthyer nga Muharrem Miftari, me parathënie të botuesit dhe shkrimtarit, Kiamars Baghbami. Bashota është poeti i parë nga Kosova, libri i të cilit botohet si vëllim i veçantë poetik në gjuhën finlandeze.
Ky poet deri më tani ka botuar mbi pesëdhjetë vepra të llojeve dhe zhanreve të ndryshme, duke përfshirë vepra me poezi, prozë poetike, ese dhe studime letrare. Libri i botuar në gjuhën finlandeze është një përzgjedhje nga krijimtaria e tij letrare.
Disa nga veprat e Sali Bashotës, të botuara në gjuhë të ndryshme të botës, janë:
“Exilul Sufletului” (2004), “Schalte das magische Licht ein” (2004), “Only Death is White” (2005), “Ako stanam angel” (2006), Ploaia fara Tine” (2008), “Beauté Maudite” (2010), “Прокълната красота” (2012) , “När himlen tystnar” (2012), “Allume la lumière magique” (2012), “Il gioco delle foglio” (2015), “Ηάλλη όψη του” (2016), “Albán éjzaska” ( 2017),
“La ŝtono de la amo” (2017), “Whispering Agony (a quarantine book” (2020) etj.
Parathënia e librit të botuar në finlandisht:
Kiamars Baghbani
Nga zemra duhet të dalë një fjalë që prek zemrën!
(Një vështrim mbi përmbledhjen poetike “Shiu i zi”, të poetit Sali Bashota)
Sali Bashota është me origjinë nga Republika e Kosovës. Si studiues, poet dhe shkrimtar, ai është një ekspert i larmishëm në letërsi, si dhe arritjet e tij në fushën e publicistikës janë të rëndësishme. Për krijimtarinë e tij letrare dhe shkencore, ai është nderuar me çmime të larta kombëtare dhe ndërkombëtare, duke përfshirë medaljen e meritës nga Presidenti i Republikës së Kosovës.
Karriera e tij letrare përfshin dhjeta përmbledhje poetike, prozë poetike, kritikë letrare, si dhe artikuj e materiale në fushë të kulturës. Veprat e Sali Bashotës janë përkthyer në anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, turqisht, suedisht, hungarisht, arabisht, bullgarisht etj.
Shumëkush e konsideron të pamundur përkthimin e poezisë. Megjithatë, poezitë e poetëve të njohur botërorë janë përkthyer në gjuhë të tjera dhe vazhdojnë të përkthehen. Pa dyshim, aftësia e përkthyesit për të kuptuar poezinë në gjuhën burimore dhe zotërimi i tij, i gjuhës së synuar ndikojnë shumë në cilësinë e rezultatit. Ndonjëherë distanca midis gjuhëve dhe, sigurisht, kulturave e vështirëson përkthimin e poezisë.
Pavarësisht nga kjo, kjo përmbledhje poetike, e përkthyer me mjeshtëri, paraqet mendimet e poetit Sali Bashota për lexuesit finlandezë.
Sali Bashota shkruan bukur:
“… A do të shkruhet një histori e tërë
Në kohën e pakryer …”
Poeti flet në poezi për plagët e thella që gjenden në zemrat e popullit të tij: “Koha epike”:
“Të dielën vajzat shkojnë në kinema Po kush do të dashurojë Buzëmbrëmjen, kohën e lirë dhe vjershat
Njëri flet për Laokoontin që e mbytën trojanët Të tjerët për Betejën e Torviollit Dhe vdekjen e Moisi Golemit …”
Republika e Kosovës ka një pozitë të veçantë në Ballkan. Historia e Kosovës është plot vuajtje e hidhërim. Konfliktet kulturore dhe politike mes popujve të rajonit vazhdojnë të lënë gjurmë në mendjet e njerëzve.
Gjuha e poetit të njohur shpreh gjithashtu dhimbjen historike. Poeti nis të flasë në poezi për dashurinë, por në fund ajo arrin te shprehja e vdekjes, si në poezinë “Guri i dashurisë”.
“Sa pak të kam harruar Sa shumë të paskam gdhendur
Pa të harruar Guri im i vdekjes”
Ndonjëherë, poeti ndihet i zhgënjyer dhe ka një dëshirë të dëshpëruar për të lëvizur drejt një të nesërmeje më të mirë. Megjithatë, ai e merr veten si një luftëtar në fushëbetejë dhe thërret:
“… Jo, nuk mund të vdes Nëna do të qajë tërë jetën”
Shoqëria e Kosovës ishte në krizë. Poeti, ashtu si gjithë njerëzit e tjerë, ndonjëherë dyshon në përmirësimin e situatës, por shtrimi i pyetjeve tregon se ekziston një dritë shprese që duhet gjetur:
“… Përtej shtatë bjeshkëve As puthja as shiu i verës nuk të ngrohin Me cilën kënge të të zgjoj?”
Poeti ka referenca historike në shprehjen e tij. Kujtesa historike e kombeve ruan mirë momentet e hidhura dhe të ëmbla, edhe pse mund të mos i ketë shfaqur ato për një kohë të gjatë. Ndonjëherë në lajme shohim çfarë ndodh në ndonjë cep të botës. Është mirë të reflektojmë si poeti për arsyet e konflikteve dhe rrënjëve historike:
“Bashotët në jug Ata e dinë Për marshimin e ushtrisë osmane në Kosovë Për rrethimin e fundit të Krujës Për dy varret e Ali Pashë Tepelenës
Ata dinë çdo gjë Unë jam Frymë e tyre e gjallë Po vijnë
Shihni po vijnë Bashotët në jug”
Poeti nuk dëshiron ose nuk mund të harrojë vuajtjen dhe hidhërimin, por ai është i sigurt se e nesërmja do të sjellë një ditë të re. Kalimi i kohës mund dhe duhet të shërojë plagët. Poezia fillon me dëshpërim, por përfundon me një mundësi për një të ardhme më të mirë. Në fund të poezisë ai shkruan:
“Nesër Kur dielli lind përsëri”
Poeti përshkruan Kosovën edhe në poezitë më intime. Në dhimbjet e të atit, ai nuk sheh një dhimbje personale. Ai sheh arsyen e dhimbjes në problemet e atdheut të tij. Një vend që është kthyer në një burg për popullin e Kosovës dhe, natyrisht, për mendjen e poetit kombëtar:
“Astma e tim eti”:
“Ti nuk ke faj pse të humb fryma Nga çdo pjesë e trupit Vdekja gjithmonë të troket në fytyrë
Atdheu im është një burg që s’të zë as ty Duke këputur guximin si fijen e flokut Me shpirtin në shuplakë të dorës.”
Kur përmendet vdekja e poetit, rëndësia e pavdekësisë reflektohet në mendimet e tij. Fjalët e poetit Sali Bashota më kujtuan një poezi tjetër. Me fjalët e poetit modern persian Forough Farrokhzad: “Kujto fluturimin, zogu është i vdekshëm!”
“… Nëse poeti vdes Në dhomën e krijimit të vetmisë Duke i shëruar zogjtë e plagosur Vdekje do të kishte një kuptim tjetër
Se nuk vdes poeti.”
“Shiu i zi” është një mesazh për fjalët që trokasin në letrën e bardhë dhe që mbulojnë mendjen e lexuesit nga shiu i zi. Një kuptim i thellë i dhimbjes nervore. Pamja e një bote të vjetër dhe të dhimbshme në vuajtjet e paharrueshme të popullit të Kosovës. Dhimbja e tillë ka një rrugë të gjatë për t’u shëruar.
Kjo përmbledhje është një manifest i popullit të Kosovës./KultPlus.com
Përmbys Matanë dashurisë Të gjitha gjërat janë përmbys Si dikur Pa diell pa hënë pa yje Përmbys është qielli Kur i mbyllim sytë Kur dridhen puthjet Dhe bota merr pamje tjetër Përmbys është shpirti Loja e shikimeve të ngrira Shtegtimi i fundit i hijeve Elegjitë për jetën Rrokjet e fjalëve të ndaluara Nata e parë pa ëndrra Është po ashtu përmbys Në jastëkun me pendla Të verdha si vetmia Të gjitha gjërat janë përmbys Edhe rruzullimi i zjarrit Akrepat e orës Dy lumenjtë e një shtrati Edhe shushurima e ujit Është përmbys Matanë dashurisë Edhe dhimbjet plot metafora Janë po ashtu përmbys Dorëshkrimi i ngjallur Molla e kafshuar Tri ditë të lumtura Janë përmbys Si dikur Pa diell pa hënë pa yje Përmbys jam Edhe unë Përmbys jemi të gjithë./KultPlus.com
Dje, në ambientet e Gjimnazit “Xhevdet Doda”, në kryeqytet, u mbajt aktiviteti i fundit i PEN Qendrës së Kosovës në kuadër të projektit të saj të sivjetmë “Ora e Shkrimtarit” që është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Në këtë orë mysafir ishte shkrimtari, përkthyesi dhe publicisti Binak Kelmendi.
Për pjesëmarrje në këtë aktivitet letrar pati shumë të interesuar, si nga anëtarë të stafit të gjimnazit të cilët e kishin organizuar në mënyrë perfekte mbajtjen dhe zhvillimin e këtij aktiviteti, por dhe nga nxënës të cilët me poezitë dhe esetë e lexuara e bënë më të pasur këtë aktivitet.
Duke hapur punimet e aktivitetit, udhëheqësi i projektit, poeti dhe eseisti, Sali Bashota, theksoi rëndësinë e projektit dhe jehonën që projekti ka pasur nëpër qendrat e ndryshme të Kosovës: Skenderaj, Gjakovë, Pejë, Gjilan, Fushë – Kosovë në Prishtinë.
Bashota në vazhdim tregoi se janë zhvilluar gjithesj 16 aktivitete me shkrimtarë, anëtarë të PEN Qendrës së Kosovës dhe të gjitha këto aktivitete janë përcjellë me një interesim të jashtëzakonshëm nga dashamirë të fjalës së shkruar, por dhe nga të tjerë që pasion kanë leximin e veprave të autorëve jo vetëm nga Kosova, por edhe më gjerë.
Ai në vazhdim ftoi talentet e reja që të mod ngurrojnë por të shkruajnë duke premtuar se kjo Qendër do t’i përkrahë këto talente në formësimin e tyre artisik.
Poeti Bashota foli poashtu dhe për historikun e PEN Qendrës duke treguar nëkohësisht edhe punën që kjo Qendër bën në PEN Interntioanal me seli në Londër.
Pastaj fjala iu dha Binak Kelemendit, i cili foli për aktin e frymëzimit të veprave të tij, për temat, motivet, idetë etj., si dhe për përvojën e tij të gjatë në fushën e krijimtarisë letrare. Kështu, shkrimtari, publicisti e përkthyesi Kelmendi foli për përvojën e tij krijuese si prozator e përkthyes.
Duke theksuar fillesat e tij letrare, Kelmendi përmendi shkrimet e veta botuar këtu e dyzet vjet më pare, por edhe të tjera shkruar më herët e që nuk e kanë parë kurrë dritën.
Kështu, ai foli për përmbledhjen e tij të parë me tregime me titullin “Rozafa”, si dhe për vepra të tjera pasuese në prozë.
Duke bërë numërimin e tyre, Kelmendi përmendi romanin e tij të parë “Vezët e Vdekjes”, një kronikë Kosove para lufte, nga fëmiëjria e tij e hershme, të demonstratave e deri te fillimi i luftës dhe deportimi i shqiptarëve të Kosovës.
Ky libër, tha Kelmendi, e dërgoi autorin te Guri i Vashës, një roman i tij me këtë titull, në të cilin ai paraqiti përdhunimet e femrës shqiptare të Kosovës nga ushtria dhe milicia e Serbisë gjatë luftën 1998-1999.
Në vazhdim autori foli për romanin tjetër “Portat e Pejës”, të cilin e quajti libër biografik për Pejën dhe rrethinën saj në vitet e terrorit të Rankoviqit e deri në vitet e shtatëdhjeta kur Kosova bëri vetëm një hap drejt barazimitime njësit të tjera federative të ish –Jugosllavisë.
Romanin vet të radhës “Rruga 66”, Kelmendi e quajti sfidë për zgjidhjen e enigmës rreth lirisë aktuale në vendin tonë që jo rrallë keqpërdoret jo vetëm nga ata që vijnë e shkojnë në dhe nga pushtetet, por dhe nga të tjerët që mendojnë se liria është vetëm e tyre dhe se për këtë arsye “kanë të drejtë të bëjnë ç’të duan me lirinë e tjetrit”.
Për romanin “Demë Dedë Boga”, botuar në vitin 2023 nga “KOHA”, Kelmendi tregoi se është një përpjekje për të treguar historikun e fillimit të ndërrimit të fesë katolike në fenë myslimane në Bogë të Rugovës, diku në fund të shekullit 17.
Kelmendi në vazhdim përmendi edhe përmbledhjet e veta me tregime: ”Ofelia e Dukagjinit”, “Dritat e Luftës” dhe “Lexuesit kartëemortaleve”, si dhe librin e parë të tij me poezi “Jeta ime”, që u botua në vitin 2024, si dhe për përvojën vet në lëminë e përkthimit nga gjuha frënge. Këtu Kelmendi u ndal sidomos te romani historik “Ilirja” i Flora Dosenit, por përmendi edhe veprat e përkthyera të Françoise Sagan e Marguerite Durras etj.
Në fund të aktivitetit u zhvillua një bashkëbisedim midis shkrimarit Kelmendi dhe nxënësve të Gjimnanizit “Xhevdet Doda”./KultPlus.com
Më 30 tetor 2024, në Teatrin Kamertal të Kolegjit AAB, u mbajt takimi me poetin Lulzim Tafa, në praninë e studentëve, profesorëve, gazetarëve, miqve të poetit. Aktiviteti u mbajt në kuadër të projektit të PEN Qendrës së Kosovës – Ora e shkrimtarit, përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, i cili që një muaj po zhvillohet në disa qendra të Kosovës.
Poeti dhe studiuesi, Sali Bashota, i cili e moderoi këtë takim, duke e paraqitur profilin krijues të poetit Lulzim Tafa, ndër të tjera, tha: “Mbi tridhjetë vjetët e krijimtarisë poetike të Lulzim Tafës që janë paraqitur në tetë libra me poezi: “Gjaku nuk bëhet ujë” (1993), “Metaforë e pikëlluar” (1995), “Planeti Babiloni” (1997) , “Vdekja çon fjalë” (1998), “I kam edhe dy fjalë” (2012), “Shtini n’dhe këto fjalë” (2015), “Flirt” (2019) dhe “Rivali i Adamit” (2024), dëshmojnë për individualitetin e një poeti që udhëtimin e tij krijues e bën vetëm me zjarrin e poezisë në shpirt”.
Më tutje, Bashota, në mesin e shumë poezive me vlerë letrare dhe estetike, në mënyrë të veçantë e dalloi triptikun poetik të Lulzim Tafës, kushtuar Nanës, duke theksuar se “tri poezitë e Lulzim Tafës për Nanën janë poezi antologjike, ndër më të bukurat, që hyjnë përbrenda hierarkisë së vlerave të poezisë së sotme shqipe, pikërisht me mrekullimin e magjisë së dashurisë për Nanën, në radhë të parë, përmes gjuhës dhe mendimit. Në këto tri poezi, burimi i emocioneve fuqizohet e dramatizohet nëpërmjet shenjave të dashurisë në çdo fazë të jetës, herën e parë dhe shenjave të mërzisë, dhimbjes, mungesës, herën e dytë, për të qëndruar gjithmonë përbrenda shpirtit të poetit. Në çdo çast është e pranishme dashuria e përjetshme dhe e pakrahasueshme për Nanën. Pra, këto elemente metaforike e simbolike janë të pranishme në triptikun poetik “Paralajmërim për ata që do t’iu vdes Nana”, “Sa shpejt më harroi Nana” dhe “Nana as sot nuk heq dorë nga lulet”. Në këtë mënyrë, Lulzim Tafa, e tejkalon perceptimin simbolik e mallëngjyes, duke e mishëruar dashurinë për Nanën përbrenda imazhit të pavdekësisë”.
Pasi e lexoi poezinë e tij të parë që e kishte shkruar, poeti Lulzim Tafa evokoi kujtime të bukura për fillimet e krijimtarisë së tij letrare, çastin e takimit me poetin Vehbi Kikaj (periudha e shkollimit fillor), pastaj me poetin Ali Podrimja (periudha e botimit të librit të parë me poezi në
edicionin botues të “Rilindjes”, por edhe takime të shumta me poetë shqiptarë, si dhe me poetë nga shtete të ndryshme të botës.
Duke u përqendruar në mënyrë të veçantë për fenomenin se si shkruan dhe pse shkruan, poeti Tafa, e vlerësoi lart artin e të shkruarit të poezisë, ndërlidhjen shpirtërore me të, madje duke i rikujtuar mendimet e tij të shfaqura edhe më herët, ndër të tjera, tha: “Poezia përcjell emocion, e emocionet te askush nuk janë të njëjta dhe askush nuk i përjeton njëjtë”. Një vëmendje të rëndësishme ia kushtoi leximit nëpër të gjitha fazat e shkollimit të tij, duke i porositur gjeneratat e reja që t’i përkushtohen sa më shumë leximit të veprave letrare. E mori shembull personal se si lexon çdo ditë nga 100 -150 poezi të poetëve të ndryshëm shqiptarë dhe botërorë. Me këtë rast, ndër të tjera, tha: “Unë në secilin rast unë jam me lexuesin. Ne shkruajnë për ta. Lexuesi ka të drejtë të lexojë dhe të mos lexojë. Ndodh që lexuesi e ndërpret leximin dhe kjo është e drejtë e njohur e tij”.
Gjithashtu, poeti Tafa, foli edhe për përkthimin, duke thënë se përkthimi i një poezie të bukur në një gjuhë tjetër, më së miri mund të bëhet nga poetët që merren edhe me përkthime, duke përmendur rastin, kur vetë kishte përkthyer disa poezi të poetit të njohur malazias, Jevrem Bërkoviq. Ndërsa për veprat e tij të përkthyera në shumë gjuhë të botës, evokoi kujtimet më të bukura nga përkthimi i veprës së tij të parë e deri më sot.
Më tutje, Tafa foli edhe për dukuri e fenomene letrare, për letërsinë përballë zhvillimeve teknologjike, për përvojën e tij krijuese, por edhe për përvojën e shkrimtarëve të ndryshëm botërorë, se si i kanë shkruar veprat e tyre, pastaj për rëndësinë e promovimit të veprave, për vlerësimin e tyre, duke iu dhënë edhe këshillave poetëve të rinj.
Në fund të takimit letrar u zhvillua një bashkëbisedim midis poetit dhe të pranishmeve, ku dominonin pyetjet për procesin e shkrimit, për frymëzimin, motivet, temat, por edhe për vlerën dhe rëndësinë e poezisë në shoqërinë e sotme
Ora e shkrimtarit u mbyll me leximin e poezisë “Vdekja e të paqenës”, të cilën këto ditë e kishte shkruar poeti Lulzim Tafa./KultPlus.com
Çka bëni ju atje të dielën A dilni në ajër të pastër Për gjimnastikë të mëngjesit A i përjetoni të gjitha dhimbjet Në secilën stinë Si atëherë kur ishit në botën tonë A iu merr malli ndonjëherë për ne Kur çdo ditë shkurtoni vetëm mërzi A i merrni shpirtrat me vete Kur ndizet ai zjarr i madh Në ferr e purgator Në krojet e parajsës A flasin me ju poetët Pa fluturuar dallëndyshet e detit Pa i kryer detyrat e shtëpisë Çka iu thonë gratë e bukura Sa herë mërziteni me heshtjen Pa u mësuar kurrë me vdekjen Pa ndërruar asnjë fjalë me njëri-tjetrin A bjen shi atje ende pa u shkrirë bora Toka a dridhet si në pëllëmbë dore Pa u larë në lumenjtë e parajsës Të dielave herët në mëngjes Ndoshta nuk e keni harruar notin As rregullat e reja të lojës Ku do t’i vjerrni çelësat e përjetësisë Pa u ndryshkur nga vetmia Pa iu treguar rojtarëve të dashurisë Secili mund t’i vjedh kujtimet e pashkruara Kur i matni hijet me këmbë të zbathura Mos harroni dritaren mbyllur Pa hyrë rrezja e parë e diellit Derisa ta njihni vetveten Para atyre pasqyrave ngjyrë varri Ju çka bëni atje të dielën në mesditë Gjumi a iu zë në krahun e djathtë Pa lëshuar asnjë ofshamë Pa derdhur asnjë.pikē lot Mos keni frikë nga shpejtësia e territ Atje poshtë në udhën e ëndrrave Është një qiell tjetër Çka bëni ju atje të dielën në mbrëmje A i pushoni shpirtrat në dritën e hënës Kur i mbushni çantat me mollë të ndaluara Me fruta të ëmbla Kur i numëroni ngjyrat e ylberit Dhe bëheni të lumtur Si të parët e asaj bote Mos flini aty përgjithmonë Në shtretërit e bardhë Pa çelur gur gojën Pikërisht atje do të vijmë të gjithë Duke prishur rendin Atëherë ne Çka do të bëjmë atje të dielën
(Prishtinë, shkruar më 13 tetor 2024)/ KultPlus.com
Në mesditën e së enjtes, në ambientet e Bibliotekës “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë, u bë promovimi i librit “Arti i bashkëbisedimit” (Avni Spahiu publicist, diplomat, përkthyes), i autorit Sali Bashota, organizuar nga Biblioteka “Hivzi Sulejmani” dhe Botimet REA.
Në këtë ngjarje morën pjesë personalitete të shquara shqiptare si ish-presidenti i Republikës së Kosovës z. Fatmir Sejdiu, drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës znj. Sibel Halimi, Don Lush Gjergji, gazetarë, shkrimtarë, profesorë, ish-deputetë të Parlamentit të Kosovës, studentë e dashamirës të librit.
Fjalën e rastit e mbajti, Naime Beqiraj, drejtoreshë e Bibliotekës “Hivzi Sulejmani”, në Prishtinë, e cila ndër të tjera, tha: “Azem Shkreli e kishte thënë në një intervistë e disa herë edhe në mesin e miqve se botimi i një libri të mirë është festë për autorin e për lexuesit. Edhe libri të cilin po e përurojmë sot para jush, ne si institucion, është festë sepse është libër i rrallë, ashtu siç është i rrallë edhe protagonisti i veprës. Ende pa u publikuar libri “Arti i bashkëbisedimit”, ne si bibliotekë kishim menduar se si ta organizojmë promovimin e këtij libri, botuar nga shtëpia botuese REA që udhëhiqet nga një vajzë e re – Rozafa Bashota. Me auditorë të zgjedhur, siç jeni ju, secili autor do të ndjehej i nderuar, Avni Spahiu apo Sir Avni, siç e quaj prej kur e njoh autorin, brezi ynë i gjimnazistëve mezi priste ta lexonte në “Rilindje” me tekstet e tij nga New Yorku e që në mbamendjen rinore na dukej shkrim ndryshe. Spahiu, lexuesin, botën intelektuale, të përkthimit e të diplomacisë e pasuroi me mendim të thellë, tekst interesant, shqipërim fantastik e urti të rrallë dhe sot po vjen në shtëpinë e tij – në bibliotekë, ku e ka vendin e nderit.”
Më tutje, drejtoresha e Bibliotekës “Hivzi Sulejmani”, shtoi: “Sir Avni, tash që në këtë libër për artin e bashkëbisedimit, të prirë nga poeti Sali Bashota, po e shpalosni jetën tuaj, mendimet tuaja, idetë e sfidat, ky libër po iu bashkohet librave tuaj të shkëlqyer që i kemi ne si bibliotekë.”
Shkrimtari Ibrahim Berisha, i cili është edhe mik i Avni Spahiut, foli për personalitetin e Avniut si publicist, diplomat dhe përkthyes, duke spikatur individualitetin e tij në shumë fusha. Berisha, ndër të tjera, konstatoi: “Pas leximit kam menduar nëse mund të jap një përgjigje përafërt të saktë: Cilit zhanër letrar- publicistik i përket libri “Arti i bashkëbisedimit”. Mbase edhe nuk është krejt e thjeshtë të përcaktohet plotësisht. Por së pari, kjo është bisedë shumështresore intelektuale, kritike, origjinale, e shkrimtarit Sali Bashota me studiuesin, përkthyesin, publicistin, diplomatin, Avni Spahiu. Është minienciklopedi. Për këtë dilemë kam gjetur prehje përgjigjeje në fjalinë e Ralph Waldo Emersonit: “Miku është një person para të cilit mund të jem i sinqertë dhe të mendoj me zë të lartë.” Në këtë rast, të sinqertë dhe me zë të lartë bashkëbisedojnë dy miq, duke shpalosur faqe të arta të jetës dhe veprës së njërit nga intelektualët më kreativ shqiptar që zë të krijojë emër që nga fundi i viteve 1970 në gazetën Rilindja dhe njëherësh edhe me përkthimet e letërsisë angleze në gjuhën shqipe dhe të letërsisë së gjuhës shqipe në gjuhë angleze në revista e libra.”
Në vijim të fjalës së tij, Ibrahim Berisha, foli për kontributin e pakursyer të Avni Spahiut në fushën e publicistikës, duke evokuar shumë kujtime nga kjo periudhë: “Nuk e thotë në libër, por dua të tregoj edhe një përgjegjësi dhe sakrificë që Avniu mori kur u bë nga kryeredaktor i “Rilindjes” – “Bujkut”, pra në Prishtinë, jo në Zvicër a Shqipëri ku kishte kushte pune komode. Pse do të pyesni? Në objektin e uzurpuar të Rilindjes, nga regjimi serb, aty ku punonin punonjësit e gazetës, nga kryeredaktori deri te punëtorët e shërbimeve, nuk kishte ngrohje. Është punuar edhe në minus 20 gradë celsius, në beton vetëm për të dalë çdo ditë gazeta, së cilës iu kishte mbyllë edhe xhirollogaria. Ishte një vuajtje e tmerrshme e të gjithë punonjësve për të nxjerrë gazetën në krye të së cilës ishte Avniu.”
Në përfundim të fjalës së tij, Berisha duke trajtuar përmbajtjen e librit “Arti i bashkëbisedimit” të autorit Sali Bashota, tha: “Ky libër tregon sa shumë ka punuar ai për të mirën e njerëzve të këtij vendi, për të gjithë ne dhe për ata që do të vijnë pas nesh. Prandaj nuk ishte rastësi që ishte nxënësi më i mirë që fitoi bursë të ndjekë shkollën në SHBA, pastaj të jetë korrespondent i gazetës “Rilindja” po në SHBA, të jetë ndër përkthyesit më të mirë të anglishtes në shqip, të jetë ndër eseistët dhe reporterët e pakrahasueshëm, kujtoj Skicat Amerikane, bartës i shumë punëve të para në QIK dhe në KMLDNJ dhe në lëvizjen për liri dhe pavarësi, kryeredaktor i gazetës nacionale “Rilindja”-“Bujku” në kohët më të vështira në vitet 1990, drejtor i RTK-së, nuk është rastësi ambasadori i parë i akredituar i shtetit të Kosovës në një vend, në SHBA. Edhe nuk është rastësi që Avniu vjen nga shpirti i njerëzve të Republikës së Kosovës, nga Drenica. Dmth, asgjë e rastësishme.”
Në vazhdim, fjalën e mori Sali Bashota, autor i librit “Arti i bashkëbisedimit”, i cili tregoi për motivin inicial për realizimin e këtij projekti. Bashota në fillim të fjalës së tij, tha: “Një ditë pranvere e javës së fundit të prillit të vitit 2022, në një takim miqësor me Avni Spahiun në restorantin “Symphony” në Prishtinë, biseduam për shumë tema, ngjarje, situata, përjetime, kujtime, por edhe për shumë çështje, fenomene e dukuri të pranishme në realitetin tonë e më gjerë. Po atë ditë, sikur m’u ngulit në mendje që të bëja një intervistë të gjatë me të dhe që të botohet si libër i veçantë nga Botimet REA.”
Duke e portretizuar shëmbëlltyrën krijuese të Avni Spahiut, Bashota ceku disa nga vlerat e personalitetit të Avni Spahiut, ku tha: “Qetësia, modestia, thjeshtësia, mendjemprehtësia e Avni Spahiut e shpërfaqnin guximin e nismës time për të shpalosur Ditarin e Jetës së tij në kohë dhe rrethana të ndryshme. Por, ishte përpjekja ime e vazhdueshme për ta realizuar idenë e komunikimit në rrugëtimin e tij nëpër vitet e lumtura, por edhe nëpër vitet e vështira, të cilat i kemi përjetuar si popull. Por, përvoja e tij e jashtëzakonshme në shumë segmente të jetës më vuri në “siklet”, për ta mbrojtur qëllimin e këtij bashkëbisedimi, se cilat pyetje do të ishin më të qëlluara që do ta shpalosnin më së miri realitetin tonë, kuptohet përbrenda rrethanave të caktuara politike, diplomatike e kulturore apo cilat pyetje do ta “ngacmonin” më shumë Avniun, për të arritur deri te njëra ndër porositë kryesore të bashkëbisedimit, duke i shpalosur një nga një ato faqe miqësie, siç thoshte Avniu, për t’i evidentuar dhe karakterizuar, sidomos marrëdhëniet me shumë vende mike të Kosovës, në mënyrë të veçantë marrëdhëniet shqiptaro-angloamerikane.”
Autor i librit “Arti i bashkëbisedimit” (Avni Spahiu publicist, diplomat dhe përkthyes), e përmbylli fjalën e tij, duke thënë: “Bashkëbisedimi me Avni Spahiun e ka magjinë e vet të frymëzimit edhe për veprimtarinë e tij në shumë drejtime. Përmbajtja dhe mesazhi i përgjigjeve të tij paraqesin sintezën e informacioneve të sistemuara me origjinalitet dhe me një invencion të rrallë kreativ, që do të ishte model për publicistët shqiptarë.
Libri “Arti i bashkëbisedimit”, i sajuar përmes pyetjeve të mia dhe përgjigjeve të tij është njëri ndër artikulimet më pasionante të Avni Spahiut që ka të bëjë me kulturën, letërsinë, diplomacinë, përkthimin, publicistikën etj. Për më tepër, ky libër me përmbajtjen dhe informacionin që ofron, gjithsesi, i ka shenjat e veta të përveçme, pikërisht me stilin, gjuhën, mjeshtërinë e rrëfimit, por edhe me përbërës të tjerë të shumtë që dëshmojnë për vlerën e mendimeve autentike dhe për pikëpamjet shumëdimensionale të Avni Spahiut. Një cilësi dhe një pasurim i mendimit shqiptar sot.”
Në fjalën e tij përshëndetëse, Fatmir Sejdiu, ish-presidenti i Republikës së Kosovës, foli për personalitetin e Avni Spahiut si diplomat, të cilin e kishte dekretuar si Ambasadorin e parë të Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndër të tjera, Sejdiu e karakterizoi personalitetin e Avni Spahiut me këto fjalë: “Avniu është një personalitet unikat, i urtë me fjalë të fortë, i qetë me dinamizëm në punë dhe elemente të tjera të cilat praktikisht e bëjnë personalitetin e tij të pandalur në misionin që ka pasë”. Gjithashtu, tregoi edhe për bashkëpunimin me Avni Spahiu në periudhën kur të dy ishin gazetarë.
Në vazhdim, në fjalën e tij përshëndetëse Don Lush Gjergji foli për kontributin e Avni Spahiut në shumë fusha duke filluar nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, pastaj si diplomat, përkthyes, humanist dhe njeri që ka kontribuar në periudha të ndryshmë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Në këtë aktivitet promovues, drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi, tha: “Jam e privilegjuar që në cilësinë e Drejtoreshës së Kulturës së kryeqytetit të Kosovës të mund të ndajë këtë mirënjohje për z. Avni Spahiun në këtë ditë përurimi të librit “Arti i bashkëbisedimit”, me motivacion: “Avni Spahiut për punën e tij të shkëlqyer si përkthyes letrar, si publicist dhe diplomat”.
Në vazhdim të fjalës së saj, drejtoresha Halimi, theksoi se: “Avni Spahiun, e kemi shembull të shkëlqyer të publicistit kreativ, të përkthyesit të mrekullueshëm nga gjuha angleze në gjuhën shqipe dhe anasjelltas me rreth 30 libra të shquara. Z. Spahiu letërsinë angleze dhe amerikane na e ka kthyer në shqip aq bukur, ashtu siç na ka përfaqësuar si Kosovë aq denjësisht si diplomat nga Uashingtoni, në Azi e Europë. Si korrespondent i “Rilindjes” nga SHBA, si ambasador i parë i Republikës së Kosovës në shtetin amerikan, Avniu ka dhënë kontribut të pakrahasueshëm për miqësinë e përjetshme shqiptaro-amerikane. Si publicist e drejtues mediash, Avni Spahiu është shquar me mendimin eksplicit e vazhdon të drejtojë edhe sot revistën letrare “PEN Kosova” – njëra nga më të mirat në hapësirën letrare dhe kulturore shqiptare.”
Në fund, protagonisti i këtij promovimi Avni Spahiu falënderoi të gjithë pjesëmarrësit, panelistët, botuesen dhe te gjithë ata që kanë kontribuar për realizimin e këtij libri, ku ndër të tjera, e vlerësoi në mënyrë të veçantë autorin e librit Sali Bashota.
Promovimi i këtij libri ishte një ngjarje e veçantë kulturore në kryeqytetin e Republikës së Kosovës./ KultPlus.com
Poeti Sali Bashota, javën që lamë pas qëndroi në Ulqin në kuadër të Rezidencës Letrare “Një azil letrar në Ulqin”, projekt ky i mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Republikës së Kosovës.
Shkruan: Vediha Gjoni
Gjatë qëndrimit të tij në qytetin e Ulqinit, poeti dhe studiuesi i letërsisë pati mundësi të takohej me disa nga personalitetet e artit dhe kulturës së vendit. Nga këto takime ai arriti të njihej më mirë me artin dhe kulturën e këtij qyteti si dhe të ndante ide e projekte të cilat do të shërbejnë pse jo edhe si ura bashkëpunimi mes Prishtinës dhe Ulqinit.
Në nder të vizitës së tij, në Ulqin u organizuan dy takime letrare. I pari ishte ai në shkollën fillore “Bedri Elezaga” në Katërkollë i mbajtur me datën 12.9.2024, në të cilin poeti u takua me lexuesit e tij të rinj që edhe pse të vegjël për letërsinë që krijon Bashota, ishin shumë të gëzuar e kuriozë ta takonin poetin. Gjatë takimit, nxënësit bashkëbiseduan me poetin rreth poezisë dhe letërsisë, rreth krijimit e frymëzimit e rreth leximit dhe vlerave të tij. Përveç kësaj, nxënësit e shkollës shpalosën talentin e tyre në krijime e interpretime letrare dhe përveç lëvdatave ata morën edhe këshilla nga poeti. Nxënësit u shprehën që këtë takim do e mbanin mend gjatë si njërin nga më të bukurit që kanë marrë pjesë dhe u shprehën shumë entuziastë që ta njihnin edhe më mirë krijimtarinë e tij.
Profesori Bashota, i dhuroi bibliotekës së shkollës disa nga librat e tij si edhe kompletin e veprave të poetit Basri Çapriqi, poetit të dashur nga Ulqini.
Takimi i dytë u mbajt me datën 14.09.2024, nën bashkorganizimin e Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” dhe librarisë “Ulqini”, në ambientet e bukura të së cilës u mbajt takimi. Në takim ishin të pranishëm disa nga personalitetet kryesore të jetës kulturore e politike të vendit por edhe miq e dashamirës të poetit. Gjatë takimit, poeti Bashota shpalosi shumëçka rreth krijimtarisë së tij letrare e shkencore si studiues i letërsisë.
Sali Bashota zbuloi që me Ulqinin ruan një lidhje të veçantë shpirtërore duke qenë se ky është qyteti i mikut të tij të dashur, të ndjerit Basri Çapriqi e për këtë arsye ai në Ulqin ndjehet si në shtëpi. Për poetin anamalas, ai tha që ruan kujtime të shumta gjatënmiqësisë së tyre prej rreth katër dekadave. Mes emocioneve të shumta lexoi për të pranishmit poezinë e tij kushtuar Basriut me titull “S’ke me dalë nga parajsa”, e cila është e shkruar pas vdekjes së poetit nga Krytha. Vargjet e kësaj poezie emocionuan të gjithë të pranishmit, në mesin e të cilëve ishin edhe miq e familjarë të poetit të larguar në amëshim. Figura e Basri Capriqit si njëra ndër figurat kryesore letrare të qytetit të vogël të Ulqinit, meriton të nderohet e të kujtohet në radhë të parë duke lexuar vargjet e tij përmes së cilave poeti qëndron i gjallë gjithnjë, por të kujtohet edhe në mënyrë institucionale duke u vlerësuar kontributi i tij i madh që ka dhënë për Ulqinin duke ia shpalosur lexuesit mbarëshqiptar grimca të bukurive të këtij qytetit.
Sali Bashota u shpreh që produkt i kësaj rezidence do të jetë një vepër letrare, për të cilën zbuloi që do të jetë për Ulqinin, bukuritë dhe mikpritja e të cilit e ka magjepsur dhe frymëzuar. Neve na mbetet që poetit t’i dëshirojmë frymëzim e ta falenderojmë që zgjodhi Ulqinin si destinacionin e tij letrar. Shpresojmë që shumë shpejt të kemi në duar këtë vepër letrare e cila është frymëzuar nga era dhe valët e detit tonë./KultPlus.com
Asgjë nuk i ngjan më shikimit tënd Ndonëse pritja hidhërohet me dashurinë Tashmë imagjinata aty ka zënë vend Edhe kur qielli mësohet me vetminë
Asgjë nuk ndodh as në mesnatë Ndonëse hijet tashmë kanë ikur Malli vjen nga e njëjta shtërngatë Edhe kur të gjithë qirinjtë janë fikur
Asgjë nuk pëshpërit pa zërin e bekuar Dikur “më shumë dritë” kërkonte Gëte Nuk dridhen buzët në lojën e mashtruar Të dashuruarit i marrin ëndrrat me vete
Çdo gjë fundoset e ringjallet përsëri Hyji i dashurisë e ndjek yllin e vet Poetët udhëtojnë deri në pavdekësi Këto gjëra do të përsëriten me mijëra vjet (Prishtinë, 24 qershor 2024) / KultPlus.com
Në kuadër të edicionit të 24-të të Panairit të Librit në Prishtinë, më 8 qershor 2024 duke filluar nga ora 13:00, në Pallatin e Rinisë do të promovohet kompleti i veprave i autorit Sali Bashota.
Vitin e kaluar Shtëpia Botuese Logos-A në Shkup, botoi kompletin e veprave të poetit dhe studiuesit, Sali Bashota, me parathënie të shkrimtarit Milazim Krasniqi. Botimi i kolanës së veprave të zgjedhura të Sali Bashotës në gjashtë vëllime përfshin krijimtarinë e tij përbrenda periudhës dyzetvjeçare, në fushën e poezisë, prozës poetike dhe kritikës letrare.
Për krijimtarinë letrare të Bashotës do të flasin shkrimtarët dhe profesorët universitarë: Milazim Krasniqi, Ibrahim Berisha dhe Osman Gashi, si dhe Muhamed Jashari, përfaqësues i Shtëpisë Botuese Logos-A, ndërsa ceremoninë solemne të promovimit do ta moderojë gazetarja dhe poetja, Alketa Gashi Fazliu./KultPlus.com
Skënder Rusi është njëri ndër poetët më të njohur të poezisë së sotme shqipe. Ka botuar 25 vëllime poetike, 1 dramë dhe 1 komedi. Është përfshirë në shumë antologji kombëtare dhe ndërkombëtare. Është shpërblyer dhe nderuar me mirënjohje dhe çmime të larta për krijimtarinë e tij letrare. Për 14 vjet ka qenë kryetar i Klubit të Shkrimtarëve “Bota e re” në Korçë. Pastaj, drejtor i Pallatit të Kulturës, drejtor i Bibliotekës Publike “Thimi Mitko” (1997-2017). Është ideator i Festivalit Ndërkombëtar të Autorëve “Netët Korçare të poezisë”.
Duke e vlerësuar poezinë e Skënder Rusit, poeti Dritëro Agolli, ndër të tjera thotë: “Rima e poezisë së Skënderit është e veçantë, atij nuk ia ndien rimën, ai bën muzikë, poezia e tij këndon. Ndaj unë e veçoj Skënder Rusin që jeton në Korçë. Poezia e tij shquhet për një lirizëm të hollë në marrëdhëniet njerëzore dhe në aleancë me natyrën. Unë do të thosha se Skënder Rusi është ndër lirikët më të mirë në komunitetin e poetëve tanë bashkëkohorë”.
***
Me Skënder Rusin, Poetin e Dashurisë, herën e fundit u takova më 26 maj 2024, në mbrëmjen finale të Festivalit Ndërkombëtar të Autorëve “Netët Korçare të Poezisë”. Atë mbrëmje erdhi ndër të parët në MIK Hotel, bashkë me zonjën e tij dhe me mbesën e vogël. U ul në fund të karrigeve, të cilat ishin të renditura për pjesëmarrësit. Pastaj, erdhën poetët, këngëtarët, lexuesit…Të gjithë e përshëndesnin lirikun e dhimbjes së bukur, siç e quante i biri i tij, Eris Rusi. Ndërsa drejtoresha e Bibliotekës Publike “Thimi Mitko”, Jorida Tolkuçi dhe kryetarja e PEN Qendrës së Shqipërisë, Entela Kasi merreshin me organizimin e aktivitetit. Çdo gjë ishte gati për të filluar një mbrëmje e bukur poetike në shumë gjuhë, por që i bashkonte gjuha e poezisë.
Skënderi ishte shumë i gëzuar për organizimin e edicionit të 28 -të të “Netëve Korçare të Poezisë”, të cilin e kishte themeluar. Mbesa e tij e vogël shkrepi disa foto, para se t’i ndërronim numrat e telefonave celularë, ndërsa zonja e tij më tha se do të vinin së shpejti në Prishtinë dhe se Skënderi kishte dëshirë ta botonte një dramë që e kishte në dorëshkrim. I premtova se do të interesohem për botimin e dorëshkrimit. Buzëqeshi, siç buzëqeshin poetët e vërtetë. Skënderi e donte Kosovën dhe i çmonte shumë poetët e Kosovës.
Në tavolinë i kishte katër ekzemplarë të librit të tij të zgjedhur me poezi me titullin “Dalëngadalë unë po bëhem ikje”. I premtova për botimin e një cikli të poezive të zgjedhura në numrin më të ri të revistës letrare “PEN Kosova”. E priti me shumë dashamirësi propozimin tim.
Me rrëmbim e kapi stilolapsin dhe ma nënshkroi librin. Më shikonte drejt në sy, pastaj ndalej. Merrte frymë thellë. Sikur i përfytyrohej një çast tjetër për të bashkëbiseduar. Më pyeti me një zë të shterur se më kë isha ulur në tavolinë. I tregova. I mori një nga një librat dhe filloi t’i nënshkruante për Ibrahim Berishën, Binak Kelmendin dhe Sadik Bejkon.
U përqafuam. Pastaj erdhi shkrimtari Besnik Mustafaj dhe ul në tavolinë me të.
Filloi mbrëmja finale e festivalit. Secili prisnim radhën për të lexuar. Nuk binte më shi si në natën e parë të festivalit. Një fllad i lehtë i mbrëmjes valëvitej nga skaj në skajin tjetër, në ambientin ku ishin mbledhur poetë nga vende të ndryshme të botës.
Por, pas pesë ditësh Poeti i Dashurisë iku në amshim për të mbetur përjetësisht njëri ndër lirikët më të veçantë në letrat shqipe.
Lamtumirë Poeti i Dashurisë, Skënder Rusi!
Skënder Rusi
JAM DHE S’JAM
Jam bir i yjeve që s’vdesin,
Planet, që trajektore s’njeh!
Unë qesh dhe zgjoj gjithë Universin,
Nga gjumi, diellin, unë e ngre!
Në Mars, me të unë pi konjak,
Kafen e pi në Jupiter!
Te Kashta e Kumtrit çlodhem pak,
Me dorë arushat përkëdhel!
Jam bir i yjeve, ju them!
Në tokë kam zbritur përkohësisht!
Kush më kërkon, zor se më gjen!
Se jam dhe s’jam njëkohësisht!
(Marrë nga libri “Dalëngadalë unë po bëhem hije”, Schnell, Tiranë, 2023)/ KultPlus.com
Më 25 dhe 26 maj 2024 në qytetin e Korçës, Biblioteka Publike “Thimi Mitko”, me përkrahjen e Bashkisë së Korçës dhe në bashkëpunim me PEN Qendrën e Shqipërisë, organizuan edicionin 28-të të Festivalit Ndërkombëtar të Autorëve “Netët Korçare të Poezisë”.
Hapja solemne e aktivitetit u bë me fjalët përshëndetëse nga Jorida Dhëmbi Tollkuçi, Drejtore e Bibliotekës Publike “Thimi Mitko” dhe nga Zamira Kita, Drejtore e Kulturës dhe Teatrit.
Në këtë festival morën pjesë poetë nga Shqipëria, Kosova, Zvicra, Italia, Sllovenia, Turqia, Greqia, Franca, Irlanda, Rumania, Maroku, të cilët i lexuan poezitë e tyre, mes tyre si: Sadik Bejko, Ibrahim Berisha, Rafael Newman, Besnik Mustafaj, Muhsine Arda, Dalila Hiaoui, Binak Kelmendi, Liridon Mulaj, Sali Bashota, Entela Kasi, Barbara Pogaçnik, etj.
Në këtë vit Pema simbolike e poezisë, u mboll në “Lëndinën e Poetëve”, në lulishten “Vangjush Mio” nga Sali Bashota, i cili u shpall Poeti Laureat i vitit 2024.
Gjatë dy ditëve u zhvilluan aktivitete të shumta në Bibliotekën Publike “Thimi Mitko”, në Shtëpinë Muze “Vangjush Mio”, në Muzeun “Gjon Mili”, në Muzeun e Artit Mesjetar etj., ku u organizua debati për jetën dhe veprën e Nazim Hikmetit, pastaj u bë promovimi i kompletit të veprave të Basri Çapriqit, bashkëbisedimi me Besnik Mustafajn, biseda midis autorëve Ahmet Prençi, Liridon Mulaj, Entela Kasi, Enerestina Gjergji Halili, trajtimi i temës “Letërsia si atdhe universal i njerëzimit”, etj.
Në këto aktivitete me fjalët e tyre u paraqitën: Gunei Ozkilinic, Rozana Belli, Sadik Bejko, Ibrahim Berisha, Sali Bashota, Jorida Dhëmbi Tollkuçi, Enerestina Gjergji Halili, Entela Kasi, Ahmet Prençi, Liridon Mulaj, Mariana Gorzyca, Daniela Stoica, etj.
Juria profesionale në përbërje: Entela Kasi, kryetare, Rafael Newman, anëtar ndërkombëtar dhe Enerestina Gjergji Halili, anëtare, ndau çmimet tradicionale të “Netëve Korçare të Poezisë”.
Çmimi Special, Barbara Pogaçnik nga Sllovenia, Çmimi Asdreni, Mariana Gorczyca nga Rumania, Çmimi Dritëro Agolli, Guney Ozkilinç nga Turqia, Çmimi Poezia më e bukur, Liridon Mulaj, Kurora e poezisë, Besnik Mustafaj, Poeti Laureat për vitin 2024 Sali Bashota.
Me Mirënjohje për kontribute të çmuara në promovimin e kulturës kombëtare u nderuan: Haxhi Dede Edmond Brahimaj, Shtëpia Studio Kadare, Zamira Kita, Drejtore e Kulturës dhe Teatrit dhe Kryetari i Bashkisë Devoll, Eduard Duro.
Më datën 27 maj, poetët vizituan Bashkinë e Devollit, ku u takuan me Eduard Duro. Po ashtu, vizituan disa vende të trashëgimisë kulturore dhe historike. Ndërkaq në mbrëmje u mbajt një orë e madhe letrare, shoqëruar edhe me një program kulturor.
Në kuadër të këtyre aktiviteteve, PEN Qendra e Shqipërisë dhe PEN Qendra e Kosovës vlerësuan veprat e dy shkrimtarëve me Çmimet PEN. Milazim Krasniqi u nderua për veprën poetike “Kujtimet luajnë me mua” dhe Ahmet Prençi për veprën në prozë “Brenga e prokurorit”.
Gjithashtu, u botua vëllimi antologjik në dy gjuhë shqip-anglisht me titullin “Një diell i ri”, në të cilën përfshihen 34 poetë: Skënder Rusi, Albi Lushi, Aleksandër Çipa, Alfons Al Zeneli, Ahmet Prençi, Antonio Babliku, Besnik Mustafaj, Entela Kasi, Erenestina Gjergji Halili, Liridon Mulaj, Mimoza Kuchly, Rakela Zoga, Rozana Belli, Sadik Bejko (Shqipëri), Christas R. Tsiailis (Greqi), Billy Ramsell (Irlandë), Anna Lattanzi, Luccilla Trapazzo, Salvatore Nappa (Itali), Alketa Gashi Fazliu, Binak Kelmendi, Ibrahim Berisha, Lulzim Tafa, Milazim Krasniqi, Sali Bashota, Vlora Ademi (Kosovë), Dalila Hiaoui (Marok), Mariana Gorczyca (Rumani), Barbara Pogacnik (Slloveni), Rafael Newman (Zvicër), Filiz Civaner, Gunel Ozkilinç, Mesut Senol, Muhsine Arda (Turqi)./ KultPlus.com
(Duke e kujtuar Zef Giuseppe Chiaramonte (1946-2024)
Unë pata nderin të mësoja shumëçka për Arbëreshët e Italisë, sidomos për ruajtjen e gjuhës dhe të kulturës arbëreshe, pikërisht duke njohur dhe komunikuar me Zef Kjaramonten. Më thoshte vazhdimisht: “shkruaje Kjaramonte, mbiemrin tim”.
Arbëreshi i Sicilisë, miku i madh i shqiptarëve, adhuruesi i veshjes kombëtare, ishte njëri ndër pjesëmarrësit më të rregullt të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Kishte shumë miq në Prishtinë dhe e donte Kosovën deri në pafundësi.
Nga shënimet biografike në librin e tij me poezi me titullin “Vulë uji” (2015), të cilin ma kishte dhuruar me fjalët: “Mikut të vjetër, me gëzim”, i botuar paralelisht në shqip dhe italisht, ndër të tjera, thuhet se Zefi ishte studiues i Evropës Lindore, drejtor i Bibliotekës së Palermos, korrespondent i Radio Vatikanit – programi në gjuhën shqipe, sekretar i Komitetit Italian Pro Kosova, përgjegjës për kulturën arbëreshe dhe shqiptare i Qendrës Ndërkombëtare për Studimet për Mitin, përkthyes zyrtar, autor i disa veprave etj. Pra, kontributi i tij ishte përqendruar në shumë fusha, duke e dalluar sidomos përkushtimin e tij në mësimin e arbërishtes për gjeneratat e reja.
Në një nga komunikimet e mia me Zefin, më 13 nëntor 2023, më shkruante se ishte duke i rishikuar poezitë e reja që ende nuk i kishte botuar dhe se do t’i dërgonte sa më parë. U pajtua që libri i tij me poezi të botohet nga PEN Qendra e Kosovës me parathënien time. Ishte shumë i lumtur për idenë e botimit. Më shkroi: “Të botohen krejt në Kosovë jam dakord, se me Kosovën më lidhen shume kujtime dhe shumë miqësi”. Gjithashtu, më tha: “Te lutem të ma dërgosh edhe një herë kopjen kompjuterike të numrit të fundit të revistës PEN Kosova, aty ku janë poezitë e mia, ngase nuk i gjej më në kompjuter”.
Ndërsa në komunikimit tim të fundit me Zefin, më 8 shkurt 2024, më shkroi: “Prit do ditë, ngase poezitë i kam te kompjuteri jashtë qytetit. Si shkoj atje për fundjavë do t’i nis menjëherë.
Ndërkohë, zgjidh ato që mendon nga ato të botuara. Mirudëgjoshim”.
Por, pas tri ditëve, pra më 11 shkurt 2024, erdhi befas fundjava bashkë me vdekjen. Erdhi më shpejt së dorëshkrimi i poetit. Zef Kjaramonte iku në amshim. Ai ishte njeri me virtyte të larta. I buzëqeshur. I përzemërt. I afërt me të gjithë. Në kujtimet e miqve të tij të shumtë, pa dyshim, do të mbetet Arbëreshi më i dashur që ushqehej gjithmonë me respektin dhe krenarinë e shqiptarëve, duke qenë vetë protagonist i jetës dhe i historisë sonë, edhe në kohët e vështira, por edhe më vonë.
Jeta dhe veprimtaria e tij i kanë shenjat e veçanta që ndërlidhen, në radhë të parë, me gjuhën dhe letërsinë shqiptare. Zefi ishte njëri nga idealistët më të përkushtuar që dëshironte ta kurorëzonte dijen, kulturën, besimin, misionin e tij në relacion me arbëreshët dhe shqiptarët. Me shpirt. Me zemër. Me dashuri.
Qoftë gjithmonë i ndritur dhe i paharruar kujtimi për të.
Poezi nga Zef Chiaramonte
SI KOSOVA U’
pranvera të varfëra vitet tanë pa të kora tue pritun vapën dogja fletë* e dru milikurë** t’i bëj ballë dimrit
(1989)
* formë arb. për gjethe ** formë arb. për lakuriq
SHTËPIA E ËNDRRAVE
shpinë e ëndrrave dje e pashë dhe stipin* besnik që në shishe të bardha pangara dendur ruan lëngun e pemëve të kuqe dhe djellore të bëra** në stina të ngrohta e të lumta kur në zemër ti më pëlcisje
* dollapi, fjalë arb. e huazuar nga areali italian. ** të pjekura
VULË UJI
e detit kur ti lahesh vale të isha dhe shkumë një ishull ne të dy ta bëjmë ishullin që duket zhduket e prapë riduket lojë e pangopur e ujit dhe e zjarrit
DONIKA
si u leve e u leve ti* vajza ime e pare nata m’u bu ditë t’errëtit dritë tregimet arbëreshe arbërisht me ty morën hov anekdotat e Çettës gjetën veshë
* formë arb. për si lindeshe ti, përdorur te vjershat e Zef Skiro-it senior.
KODRA E DIELLIT
të këputura degë gjak i shprishur këtu erdhëm tok një ditë gushti abetari largesë për të sfiduar dhe drejtshkrimi vajza të dalldisura në dritare na prisnin secila kalorësin e saj me sy duke pirë fshehurazi ajo nga kati i parë një cigare ma kërkoi flutur paketa ime e kuqe Pallmali gjirit në lulëzim i bëri gol pesë shekuj vetmi u zhdukën si me magji
TI
larg prej teje këtu n’Prishtinë kur ti n’ëndërr më fanite më bën të lumtur si atë ditë kur në dhomzën tone të pastër m’u dhurove vajzë e re si përtekë je mes e hollë sytë e tu flasën pa fjalë ende folmë më ka ënda ëndrra e ëmbël të vazhdojë dhe me germat tona sot Luc Gliqinin* të gjallëroj tërë lëkurën të përshkoj më ngjitet nëpër gishta erë myshku po më vjen buzët etura qëmoti potisen** pa kufi gjuha veshin të palos ti dridhe si një dhri*** dy kapronj porsi n’livadh bredhën lehtë në gjirin tend janë si molla sisët tote kur më dorën t’i limoj lart prej qafe shpina jote deri poshtë te rehjet-shalë duket fushë bore pashkelur rrafsh mëndafshi levantin buzët gjuha dhëmbët sytë ta lëvrojnë pa pushim mes dy shtyllave të buta atje lart ku ato bashkohen skaj trikëndshit magjik lulja jote e fshehur vlon sevdalli si unë ta mbledh loton vesë e dëshirim era e saj më ngazëllon ti e bukur kur më prek hapekrahë n’grykë më merr gjaku çmendet më përvëlon si lum trupin më përshkon te deti yt i thellë rrjedhën shuan dhe pushon
*krs. Demetrio Camarda, Appendice al Saggio di grammatologia camparata…, Prato, 1866, f.195-197 **formë arb. për vaditen ***formë arb. për hardhi
(Marrë nga libri me poezi “Vulë uji”/”Marca d’acqua”, Nuova Ipsa, Palermo, 2015). / KultPlus.com
Një natë vjeshte me hënë Vetmia pajtohet me mllefin e vet Pa përfunduar orari i ri i ëndrrave Derisa shikimet luajnë me zjarr Çka më thua Jorge Luis Borges A duhet të verbohem edhe unë Një ditë kur hesht shpirti Kush ma kthen dritën e syve Kur e lidhin vdekjen me zinxhirë Për ta emërtuar një rrugë me emrin tim A duhet t’i zbusim gjarpërinjtë Për ta pakësuar zemërimin Kur pëlcet ai çast i frikësuar Disa dhimbje të tjera Shkojnë atje ku s’vdes malli i shpirtrave Çka më thua Jorge Luis Borges A i harrojmë gjithmonë hijet e dehura Kur shtrëngata e humb rrugën Ndoshta vjen ajo ditë e lumtur T’i japim fund lojës së mëkatit Çka më thua Jorge Luis Borges Nëse i grisim të gjitha fjalët e pathëna Edhe kur toka sillet rreth dashurisë Një natë vjeshte me hënë.
PEN Qendra e Kosovës këto ditë është duke e zhvilluar organizimin e mbrëmjeve njëjavore me titull “Prishtina e Artit dhe Kulturës”. Kjo javë kulturore e cila nisi më datë 6 nëntor do të përmbyllet sot KultPlus Caffe Gallery.
Gjatë këtyre mbrëmjeve kulturore po shpalosen trajtesa të ndryshme mbi kryeqytetin.
Sot, më datë 10 nëntor, do të trajtohen gjithashtu dy tema me interes për opinionin.
Me kumtesa do të paraqiten: Ardianë Pajaziti me kumtesën e titulluar “Kontributi i gruas prishtinase në art dhe kulturë” dhe Sali Bashota me “Libri dhe veprimtaria botuese në Prishtinë”.
Mbrëmja fillon në orën 17:00 dhe mbahet në KultPlus Caffe Gallery.
Kujtojmë se kjo javë kulturore është mbështetur nga Drejtoria e Kulturës e Komunës së Prishtinës. / KultPlus.com
Vepra me prozë poetike “Mëkati i buzëqeshjes” e shkrimtarit Sali Bashota, është vepra më e re e tij, e cila është botuar këto ditë nga Botimet Rea.
Përveç poezisë, esesë, studimit letrar dhe publicistikës, Bashota është i njohur edhe me prozë poetike. Në librat e tij me poezi, duke filluar nga “Plagomë” (1994), pothuajse në secilën vepër autori ka përfshirë proza të ndryshme poetike, pastaj duke vazhduar edhe me vepra të veçanta me prozë poetike “Ëndrra në parajsë” (2006), “Sytë e vetmisë” (2010), “Rruzullimi i zjarrit” (2011), “Zemërimi i heshtjes” (2014), “Shkallët e natës” (2020).
Në veprën “Mëkati i buzëqeshjes”, Bashota trajton tema të ndryshme, të cilat dallohen për nga ligjërimi, gjuha, stili dhe figuracioni. Në parathënien e kompletit të veprave të Sali Bashotës, duke shkruar për prozën poetike të Bashotës, studiuesi Milazim Krasniqi, ndër të tjara, thekson se “falë përvojës së gjatë si poet dhe si studiues i pasionuar i letërsisë, Sali Bashota është autor që i njeh këto vibracione intonative-ritmike, ideologjike, stilistike e sociale, prandaj edhe arrin t’i definojë gjuhësisht në pajtim me realitetin. Prozat poetike, të cilat jam i prirur t’i shohë si pjesë komplementare e vargut poetik të Bashotës, janë brenda kornizave motivore e stilistike të vargut të tij. Në poezinë tonë nuk di ndonjë autor tjetër të ketë vëllim kaq të madh të prozave poetike dhe sigurisht edhe kaq arritje artistike në këtë formë sinkretike të shprehjes poetike”.
Vepra “Mëkati i buzëqeshjes” ndahet në tri kaptina” Afshi”, “Lumturia” dhe “Vetmia”. Në mesin e shumë prozave poetike dallohen: “Magjia e parë e ëndrrës”, “Njësoj si afshi”, “Nostalgjia e syve”, “Ngjyrat e kësaj bote”, “Zemërimi i parë”, “Intriga e mrekullueshme”, “Rrëfimi për pëllumbat e bardhë”, “Orari i ëndrrave”, “Kjo qenka dashuria”, “Perëndimi i hënës”, etj.
Sali Bashota është njëri ndër poetët më të përkthyer të Kosovës në gjuhë të ndryshme të botës dhe i përfaqësuar në shumë antologji brenda dhe jashtë vendit. Për krijimtarinë letrare e shkencore është nderuar me çmime të larta kombëtare dhe ndërkombëtare.
Botimi është përkrahur nga Drejtoria e Kulturës e Komunës së Fushë Kosovës. Librin mund ta gjeni në libraritë “Artini” dhe “Dukagjini”./KultPlus.com
Këto ditë Shtëpia Botuese Logos-A në Shkup, botoi kompletin e veprave të zgjedhura të poetit dhe studiuesit, Sali Bashota, në gjashtë vëllime, përcjell KultPlus.
Në parathënien e studiuesit Milazim Krasniqi, ndër të tjera, thuhet se: “botimi nga Shtëpia Botuese “Logos – A” i kësaj kolane me veprat e zgjedhura të poetit e studiuesit Sali Bashotës, është një projekt që e legjitimon edhe më fort këtë botues si një vatër e vlerave dhe e afirmimit të tyre. Ndërsa lexuesit i mundëson ta vazhdojë e ta rivendos komunikimin me veprën poetike e studimore të një autori të njohur që tashmë është referencë në poezinë shqipe. Kur bëhen bashkë në një projekt të këtillë një shtëpi botuese serioze, sikundër është “Logos-A” dhe një autor serioz, sikundër është Sali Bashota, lexuesi është pala fituese”.
Në vëllimin e parë të kompletit përfshihen poezi të zgjedhura nga veprat poetike: “Albumi i grisur” (1986), “Zogu me profil vjeshte” (1989), “Plagomë” (1994), “Dalje nga trishtimi” (1999) dhe “Bukuri e nëmur” (2006).
Në vëllimin e dytë përfshihen poezi të zgjedhura nga veprat poetike: “Dorëshkrimi i ngjallur” (2011), “Në fillim ishte Drita” (2017) dhe “Asnjë zë tjetër” (2018).
Në vëllimin e tretë përfshihen poezi të zgjedhura nga veprat poetike: “Lutja e parë e shpirtit”, (2020), “Pëshpëritja e agonisë – libri i karantinës” (2020).
Në vëllimin e katërt përfshihet proza poetike, e zgjedhur nga veprat: “Ëndrra në parajsë” (2006), “Sytë e vetmisë” (2011), “Zemërimi i heshtjes” (2014), “Shkallët e natës” (2020), si dhe disa proza të tjera poetike nga librat me poezi.
Në vëllimin e pestë është përfshirë monografia letrare “Kuteli prozator, poet, kritik” (1999), ndërsa në vëllimin e gjashtë janë përfshirë ese, vështrime, trajtesa, studime letrare, të zgjedhura nga veprat: “Shqipshkrimi kritik” (1997),”Domethënia e ideve letrare” (2001), “Proza e filleve të modernitetit” (2006), “Enigma e shkrimit” (2018) dhe “Esenca e ligjërimit letrar” (2020).
Në mesin e tyre, dallohen studimet për shkrimtarët: Naim Frashëri, Sami Frashëri, Jeronim de Rada, Françesk Anton Santori, Gjergj Fishta, Faik Konica, Mid’hat Frashëri, Ernest Koliqi, Migjeni, Hafiz Ali Korça, Musine Kokalari etj., si dhe mjaft studime për vepra të shkrimtarëve të letërsisë bashkëkohore shqipe.
Gjithashtu, Bashota ka trajtuar dukuri dhe fenomene letrare dhe estetike që ndërlidhen me fatin e krijuesit, me individualitetet e kritikës letrare shqipe, ligjërimin romantik arbëresh, mitet për personalitetet letrare, letërsinë shqipe në diasporë, historinë e letërsisë shqipe, raportet e poezisë me shoqërinë etj.
Botimi i kolanës së veprave të zgjedhura të Sali Bashotës në gjashtë vëllime përfshin krijimtarinë e tij përbrenda periudhës dyzetvjeçare, në fushën e poezisë, prozës poetike dhe kritikës letrare.
Sali Bashota është njëri ndër poetët më të përkthyer të Kosovës në gjuhë të ndryshme të botës dhe i përfaqësuar në shumë antologji brenda dhe jashtë vendit, ndërsa për krijimtarinë e tij letrare dhe shkencore është nderuar me çmime të larta kombëtare dhe ndërkombëtare. / KultPlus.com
Shkuan edhe ata atje Sa shpejt shkuan Siç shkojnë ditët e netët Kur i krehim flokët para pasqyrës Malli na pikon nëpër faqe Derisa e harrojmë frikën Ta bartim menjëherë Si dremitjen e fundit Të ngujuar në shpirtra Shkuan edhe këta afër nesh Sa shpejt shkuan. / KultPlus.com