Ardianë Pajaziti dhe Sali Bashota përmbyllin javën kulturore ‘Prishtina e Artit dhe Kulturës’ me diskutime mbi kontributin e gruas në art dhe veprimtarinë botuese në Prishtinë

Vjollca Duraku

Ardianë Pajaziti dhe Sali Bashota me temat e tyre mjaft informuese dhe interesante ‘Kontributi i gruas prishtinase në art dhe kulturë’ dhe ‘Libri dhe veprimtaria botuese në Prishtinë’ sot, përmbyllën ciklin e mbrëmjeve të javës kulturore ‘Prishtina e Artit dhe e Kulturës’ që u mbajtën nga PEN Qendra e Kosovës, në KultPlus Caffe Gallery, shkruan KultPlus.

Si zakonisht, edhe mbrëmja e fundit e kësaj jave kulturore dedikuar qytetit të Prishtinës, filloi rreth orës 17:00, e cila këtë natë pati prezantues ish- Ambasadorin e Kosovës në ShBA, Avni Spahiun, i cili fillimisht tha se gjatë këtyre netëve u shpalosën shumë informacione dhe fakte të rëndësishme për kryeqytetin, dhe se ata që morën pjesë në këto mbrëmje kishin përfituar shumë.

Moderuesi Spahiu, fjalën më pas ia kaloi panelistes dhe drejtoreshës së mediumit KultPlus, Ardianë Pajaziti e cila për prezantim pati temën mbi kontributin e gruas së kryeqytetit në art përgjatë viteve të ndryshme, e cila e çmoi lartë rolin që pati gruaja prishtinase në ndërtimin e kulturës dhe artit në përgjithësi.

“Vajzat dhe gratë e Prishtinës, ato të cilat kanë lënë gjurmë, kanë lënë gjurmë të qëndrueshme, që me patjetër duhet të bëhet kjo ndarje për figurën e gruas në artin dhe kulturën e Prishtinës”, tha Pajaziti.

Panelistja Pajaziti, më tej tha që dashuria dhe pasioni të cilin këto gra e patën për krijimtarinë e tyre, i bëri emra të paharrueshëm dhe të ngjizur me identitetin e Prishtinës.

“Gratë që lanë gjurmë në artin dhe kulturën e Prishtinës janë emra të shndërruar në institucion në vete, vetëm për një fakt, sepse ato ishin gra të së ardhmes, të cilat shpesh u paragjykuan, por në emër të artit dhe kulturës, në emër të dashurisë për krijimtarinë e tyre shumë shpesh e tejkaluan edhe vetveten”, shtoi më tej Pajaziti.

Ndërsa, si analogji shumë interesante ajo përmendi edhe emrin Prishtina dhe simbolin e kryeqytetit “Hyjnesha në Fron”, që natyrshëm përkon me kontributin e madh të saj, nëpër periudha të ndryshme kohore.

“Kur ndalemi te Prishtina, vet Prishtina ka emër të gjinisë femërore, dhe natyrshëm e përqafon vajzën dhe gruan në kontributin e tyre, sikurse që është grua edhe simboli i kryeqytetit të Prishtinës “Hyjnesha në Fron”, statujë e vogël që ka të bëj me simbolin e gruas, me bazament të qëndrueshëm të figurës së gruas, dhe në të njëjtën kohë të krenarisë”, tha panelistja Pajaziti.

Ardianë Pajaziti në paraqitjen e saj për rolin e gruas në artin dhe kulturën e Prishtinës ka përmendur edhe rolin e institucioneve në ngritjen dhe promovimin e vajzave dhe grave si: Radio Televizionin e Prishtinës, gazetën “Rilindja”, “Akordet e Kosovës” dhe institucione të tjera të rëndësishme. Por theks të veçantë ajo i dha grave regjisore, të cilat, sipas saj, ato jo vetëm që kontribuan në artin dhe kulturën e Prishtinës, por edhe Prishtinën e Kosovën ato e dërguan në festivalet më prestigjioze të botës.

Ndërkohë, Pajaziti ka vlerësuar edhe iniciativën e Dua Lipës për themelimin e Sunny Hill Festival, dhe sipas saj, institucionet e Kosovës do të duhej që të inkurajonin edhe artistët e tjerë me famë, sikurse edhe sportistët që të krijojnë diçka të ngjashme në Kosovë, në mënyrë që talentët e rinj të përfitojnë.

Në pjesën e dytë të mbrëmjes, panelisti Sali Bashota prezantimin e tij e filloi duke e përmendur qytetin e Prishtinës, si pjesë emblematike e Kosovës dhe të çdo procesi të rëndësishëm për vendin, dhe duke qenë i tillë, sipas tij kryeqyteti do të duhej të ishte shenja e parë që duhej të piketohej, në rast se do të shkruhej monografi për Kosovën.

“Çdo monografi që do të duhej të shkruhej për Kosovën, shenjën e parë identitare duhet ta ketë Prishtinën, kryeqytetin e Republikës së Kosovës. Edhe para pavarësimit edhe pas pavarësimit Prishtina, i ka shenjat e veta emblematike edhe në politikë, arsim, kulturë, rezistencë, por edhe në diplomaci”, tha Bashota duke e përmendur më tej edhe domethënien e veçantë që pati libri në periudhat e ndryshme të zhvillimit të shoqërisë.

Sipas panelistit Bashota, veprimtaria botuese në gjuhën shqipe në Kosovë ka filluar në vitet ‘40 të shekullit XX, kurse në vitin 1943 fillojnë të botohen broshura të ndryshme në gjuhën shqipe. Libri i parë i leximit është botuar në vitin 1945, ndërsa Abetarja e parë në vitin 1946.

“Në vitin 1950 themelohet Shtëpia Botuese Mustafa Bakija, e cila në fillim të veprimtarisë së saj botonte vepra të përkthyera e pastaj edhe vepra origjinale. Në këtë periudhë fillojnë të botohen vepra të autorëve të Kosovës, ndërsa nxitja, përkrahja dhe afirmimi i krijuesve përqendrohet sidomos pas themelimit të revistës letrare Jeta e re në vitin 1949. Kjo revistë kishte rol të rëndësishëm në përkrahjen e krijuesve dhe në zhvillimin e përgjithshëm të letërsisë dhe kulturës në Kosovë”, ka bërë të ditur panelisti Bashota.

Si institucionin më të rëndësishëm të veprimtarisë botuese në Prishtinë, ai e përmendi edhe Ndërmarrjen Botuese Grafike Rilindja, e cila me veprimtarinë e saj të gjithanshme në shumë fusha, bëhet botuesi kryesor i veprave të përkthyera dhe i veprave origjinale.

“Redaksia e botimeve Rilindja, e cila botoi mbi 2000 vepra të autorëve shqiptarë, i ka afirmuar vlerat kulturore, shkencore e letrare jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë. Para ndërhyrjes së masave të dhunshme deri vitin 1989, Rilindja i kishte botuar mbi 3800 tituj veprash të ndryshme. Në aktivitetin botues të Rilindjes, e cila çdo vit botoi nga 120 tituj të rinj, është mbështetur krijimtaria origjinale e autorëve bashkëkohorë, botimi i veprave komplete, botimi i veprave të autorëve të traditës, si dhe veprat e përkthyera. Rilindja u bë njëri ndër botuesit më të mëdhenj në rajon, madje edhe me tirazhin e veprave të botuara, duke e afirmuar kulturën dhe letërsinë shqipe në panairet kombëtare dhe ndërkombëtare”, ka përfunduar Bashota.

Pas prezantimit të panelistëve , të pranishmit ndanë përvoja personale si dhe ide me njëri-tjetrin, kryesisht mbi librin dhe autorët që dhanë kontribut të madh në këtë fushë, e që disa prej tyre për fat të keq edhe janë harruar.

Gjatë katër mbrëmjeve të organizuara nga PEN Qendra e Kosovës, pjesë e paneleve diskutuese ishin: Jusuf Osmani, Florina Jerliu, Artan Krasniqi, Ibrahim Berisha, Dije Demiri-Frangu, Osman Gashi, Avni Spahiu, Naime Beqiraj, Binak Kelmendi, Sami Piraj, Ardianë Pajaziti dhe Sali Bashota, të cilët të pubilkut i sollën të dhëna që nuk rastis të dëgjohen shpesh, e që janë shumë të rëndësishme për qytetin, dhe rrjedhimisht për të gjitha proceset tjera me rëndësi për Kosovën, meqë Prishtina është kryeqendra e saj./KultPlus.com

Ardianë Pajaziti dhe Sali Bashota flasin sot për “Prishtina e Artit dhe Kulturës”

PEN Qendra e Kosovës këto ditë është duke e zhvilluar organizimin e mbrëmjeve njëjavore me titull “Prishtina e Artit dhe Kulturës”. Kjo javë kulturore e cila nisi më datë 6 nëntor do të përmbyllet sot KultPlus Caffe Gallery.

Gjatë këtyre mbrëmjeve kulturore po shpalosen trajtesa të ndryshme mbi kryeqytetin.

Sot, më datë 10 nëntor, do të trajtohen gjithashtu dy tema me interes për opinionin.

Me kumtesa do të paraqiten: Ardianë Pajaziti me kumtesën e titulluar “Kontributi i gruas prishtinase në art dhe kulturë” dhe Sali Bashota me “Libri dhe veprimtaria botuese në Prishtinë”.

Mbrëmja fillon në orën 17:00 dhe mbahet në  KultPlus Caffe Gallery.

Kujtojmë se kjo javë kulturore është mbështetur nga Drejtoria e Kulturës e Komunës së Prishtinës. / KultPlus.com

Avni Spahiu, Naime Beqiraj e Binak Kelmendi flasin sot për “Prishtina e Artit dhe Kulturës”

PEN Qendra e Kosovës këto ditë është duke e zhvilluar organizimin e mbrëmjeve njëjavore me titull “Prishtina e Artit dhe Kulturës”. Kjo javë kulturore e cila nisi më datë 6 nëntor do të zgjatë deri më 10 nëntor në KultPlus Caffe Gallery.

Gjatë këtyre mbrëmjeve kulturore po shpalosen trajtesa të ndryshme mbi kryeqytetin.

Sot, më datë 9 nëntor, do të trajtohen gjithashtu tri tema me interes për opinionin.

Me kumtesa do të paraqiten: Avni Spahiu – Kryeqyteti i maturuar në histori, Naime Beqiraj – Rrëfimet për Prishtinën dhe Binak Kelmendi – Institucionet e kulturës dhe të artit në Prishtinë.

Mbrëmja fillon në orën 17:00 dhe mbahet në  KultPlus Caffe Gallery.

Kujtojmë se kjo javë kulturore është mbështetur nga Drejtoria e Kulturës e Komunës së Prishtinës. / KultPlus.com

“Prishtina e Artit dhe Kulturës” sjell sot PEN Qendrën e Kosovës me mbrëmjen e dytë me radhë

PEN Qendra e Kosovës ka filluar organizimin e mbrëmjeve njëjavore me titull “Prishtina e Artit dhe Kulturës”. Kjo javë kulturore e cila nisi më datë 6 nëntor do të zgjatë deri më 10 nëntor në KultPlus Caffe Gallery.

Gjatë këtyre mbrëmjeve kulturore po shpalosen trajtesa të ndryshme mbi kryeqytetin.

Sot, gjithashtu do të trajtohen tri tema me interes për opinionin.

Me kumtesa do të paraqiten: Ibrahim Berisha – Prishtina ndërmjet kujtesës dhe harresës, Dije Demiri-Frangu – Prishtina e poetëve dhe Osman Gashi – Tri vepra dhe tri variacione të Prishtinës në letërsi.

Mbrëmja fillon në orën 17:00 dhe mbahet në  KultPlus Caffe Gallery.

Kujtojmë se kjo javë kulturore është mbështetur nga Drejtoria e Kulturës e Komunës së Prishtinës. / KultPlus.com