Komuna e Vushtrrisë organizon turne futsalli në nderim të heroit Afrim Bunjaku

Komuna e Vushtrrisë me rastin e 16 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës  do të organizojnë turneun treditor të futsallit, në nderim të rreshterit të policisë, Afrim Bunjaku, i cili ra heroikisht pas sulmeve terroriste në veri të vendit më 24 shtator të vitit të kaluar.

“Për nder të 16 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, nën patronazhin e kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, z.Ferit Idrizi, organizohen aktivitete të shumta për shënimin e kësaj dite”, thuhet në njoftim./KultPlus.com

Presidentja Osmani: Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë, paqe të qëndrueshme mund të ketë vetëm kur autorët dalin para drejtësisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në 24 vjetorin e masakrës së 116 martirëve në Studime të Vushtrrisë, ka thënë se kjo masakër ishte e organizuar paraprakisht nga mekanizmat e politikë të regjimit serb, prandaj edhe duhet thënë prerazi se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë, dhe se paqe të qëndrueshme në Kosovë mund të ketë vetëm kur autorët e krimeve të dalin para drejtësisë.

Presidentja Osmani po ashtu tha se plagët e mizorisë së serbëve të kryera në Studime kanë mbetur të skalitura në kujtesën kolektive, e të cilat e tregojnë çmimin e lartë të lirisë.

“Prandaj, sot si asnjëherë më parë duhet ta themi qartë dhe prerazi se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë dhe se paqja e qëndrueshme e afatgjate është e mundshme vetëm kur autorët të dalin para drejtësisë dhe kur të zbardhet fati i mbi 1600 të zhdukurve me dhunë e kur të gjithë ata që kryen këto krime monstruoze të paguajnë për krimet që i kryen.”, ka thënë Osmani.

Presidentja Osmani, gjithashtu ka thënë se fshati Studime është simbol i mbijetesës, krenarisë dhe simbol i ringritjes së kombit.

‘’Studimja është simbol i barbarisë së krimeve serbe, i policëve që ndanin fëmijët nga prehrit e nënave e që masakronin gratë shtatzëna, por Studimja është po ashtu simbol i mbijetesës, simbol i krenarisë për ata që ranë për këtë tokë, është simbol i ringritjes sonë si komb.’’, ka thënë Osmani.

Në fshatin Studime, ka ndodhur një nga masakrat më të mëdha të vendit, ku pë dy orë u vranë 116 martirë, në mesin e të cilëve pati edhe fëmijë dhe gra shtatzëna/KultPlus.com

Osmani në përvjetorin e masakrës së Studimes: Autorët e krimit të vihen para drejtësisë

Presidentja Vjosa Osmani, ka përkujtuar 23- vjetorin e masakrës në Studime të Vushtrrisë.

Më 2 maj 1999, forcat e regjimit gjenocidal serb brenda dy orësh pushkatuan 116 civilë, në mesin e të cilëve djem, burra, gra, fëmijë dhe një nënë shtatzënë.

“Që nga fëmija 5 vjeçar, nëna shtatzënë e deri te më i moshuari, u vranë mizorisht nga regjimi gjenocidal serb brenda dy orësh. Kjo tregon qartazi për një krim monstruoz të planifikuar dhe për të cilin fatkeqësisht ende askush nuk është vënë para drejtësisë. Kjo është ndër masakrat më të tmerrshme në Kosovë. Nderimi për të rënët është obligim i yni, krahas angazhimit që autorët e krimit të vihen para drejtësisë”, ka theksuar Osmani. /KultPlus.com

Feministet me mbishkrime në muret e Vushtrrisë: Çajin qite vetë

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se sonte aktivistet nga qyteti i Vushtrrisë së bashku me Kolektivin për Mendim dhe Veprim Feminist, mbushën muret e qytetit me mbishkrime feministe të cilat shpërfaqin dhunën sistemike ndaj vajzave dhe grave, përcjellë KultPlus.

Sipas tyre, duke pasur paraysh shumësinë e formave të shtypjes së grave në kushtet e patriarkalitetit, aktivistet dhanë mesazhe revolte dhe solidariteti në luftën kundër çdo shtypjeje. / KultPlus.com

Mbyllen dy shkolla në Vushtrri, 17 nxënës e 3 mësimdhënës infektohen me koronavirus

Dy shkolla janë mbyllur në Vushtrri dhe po vazhdojnë mësimin onlinë pasi disa nxënës dhe mësimdhënës kanë rezultuar pozitivë me COVID-19.

Kështu ka bërë të ditur drejtori i Arsimit në komunën e Vushtrrisë, Afrim Namani, në një përgjigje për Gazetën Express.

Ai tha se në shkollën fillore fillore “Ali Kelmendi” kanë rezultuar pozitivë me koronavirus 10 nxënës dhe dy mësimdhënës, ndërsa në shkollën fillore “Andon Zako Çajupi” janë konfirmuar 7 nxënës dhe një mësimdhënës pozitivë me COVID-19.

“Nga raporti I testimeve për COVID-19 që kemi pranuar dje nga IKSHPK, në shkollën fillore “Ali Kelmendi” kanë rezultuar pozitivë 10 nxënës dhe dy mësimdhënës. Kurse në shkollën fillore “Andon Zako Çajupi” janë konfirmuar 7 nxënës dhe një mësimdhënës pozitivë me COVID-19. Task Forca komunale dje pas vlerësimit të situatës ka vendosur që këto dy shkolla të kalojnë në skenarin C që dmth mësimin ta zhvillojnë online deri në një vendim tjetër”, tha Namani. /KultPlus.com

Përurohet palestra sportive në Samadrexhë të Vushtrrisë, investim i MKRS-së prej 860 mijë euro

Samadrexha e Vushtrrisë nga sot do të ketë palestrën e saj moderne, investim i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në  vlerë prej 860 mijë euro.

Në një ceremoni të organizuar enkas për këtë ngjarje, u inaugurua palestra sportive në fshatin i cili ka traditë në sport.

Me këtë rast, Ministrja Vlora Dumoshi, e cila ishte në vizitë në Komunën e Vushtrrisë, u shpreh se Samadrexha e ka pasur të nevojshme në palestër të tillë, si një vend që ka traditë në sport.

“Investimi i kësaj palestre që nga fillimi ka qenë i ministrisë, duke filluar nga projekti dhe deri në përfundim, me një kosto prej 860 mijë euro, por përfitimi më i madh shkon tek sportistët, qoftë tek hendbolli, basketbolli dhe sporte tjera. Faleminderit shumë për përkrahjen e djemve, po posaçërisht vajzave, që i shtyni që ato të jenë më të forta dhe të marrin përgjegjësi në çdo hap të jetës”, tha ministrja duke potencuar se prioritet i MKRS-së është zhvillimi i infrastrukturës për të krijuar hapësira të duhura për të gjithë sportistët.

Ministrja Dumoshi tregoi se edhe në vitin e ardhshëm Vushtrria do ta ketë përkrahjen e ministrisë edhe për projekte të tjera që janë në interes dhe në plotësimin e kërkesave të qytetarëve të komunës së Vushtrrisë, për sportistët, për pjesën e kulturës dhe e të trashëgimisë.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Vushtrrisë Xhafer Tahiri, tha se për të është nder dhe krenari, që me përkrahjen edhe të MKRS-së, Samadrexhës po i vënë në funksion një palestër moderne.

“Po i japim përfundimisht Samadrexhës atë që e ka merituar që shumë kohë. Një palestër moderne, një palestër që e bënë krenar jo vetëm Samadrexhën e Vushtrrinë, po krejt Kosovën dhe që i shkon klubit të Samadrexhës, edhe klubit të vashave edhe të djemve, sepse ju me punën e juaj, me sukseset e juaja, me trofetë e fituara për shumë vite për sport, jeni bërë padyshim emblema dhe krenaria e sportit të Vushtrrisë, të krejt Kosovës”, tha Tahiri, duke theksuar se është e rrallë që në një fshat si Samadrexha të ketë kaq shumë klube sportive dhe kaq shumë aktivitete.

Palestrën e sporteve e mirëpritën edhe banorët dhe sportistët e Samadrexhës, duke e konsideruar si një lajm të mirë përfundimin e kësaj palestre. “Një ëndërr e bërë realitet, pasi vitin e ardhshëm bëhen 50 vjet që u themelua klubi i hendbollit i këtij fshati”, u tha nga banorët.

Lëshimin e palestrës në funksion të zhvillimit të aktiviteteve sportive e vlerësuan edhe nga Federata e Hendbollit të Kosovës duke e cilësuar si një objekt modern sporti me standarde evropiane.

Samadrexha është një fshat që ka traditë në sporti që në kohën e ish-Jugosllavisë, kur në ligën e parë të federatës ka garuar klubi i hendbollit, ndërsa tani vajzat e Samadrexhës janë shpallur kampion i Kosovës. / KultPlus.com

Në Vushtrri përurohet shtatorja e Hasan Prishtinës

Me rastin e Ditës së Çlirimit të Vushtrrisë në sheshin e qytetit është inauguruar shtatorja e Hasan Prishtinës.

Po ashtu, komuna i ka vendosur sheshit kryesor emrin e atdhetarit Hasan Prishtina.

Kryetari i kësaj komune, Xhafer Tahiri, tha se në Ditën e Çlirimit, Vushtrrisë po i kthehet biri i saj në bronz.

“Ky shesh përjetësisht do të mbajë me krenari emrin dhe shtatoren e heroit Hasan Prishtina. Fëmijë, ta dini që puna dhe vepra e heroit e bëri atë të pavdekshëm për popullin shqiptar, prandaj mbajeni në mendje dhe zemrat tuaja atë”.

Në këtë ngjarje mori pjesë edhe kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Edhe Vushtrria i kërkon eshtrat e Hasan Prishtinës

Institucione qendrore e lokale ia kanë mësyrë iniciativës për sjelljen e eshtrave të Hasan Prishtinës në Kosovë.

Por nisma e ditëve të fundit, i ndan në dysh edhe iniciatorët. Përderisa Kuvendi i Kosovës synon që mbetjet mortore të patriotit të rivarrosen në Prishtinë, Komuna e Vushtrrisë kërkon që ato t’i kthehen qytetit të lindjes.

Komuna e Vushtrrisë i është drejtuar me një kërkesë Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit. E kryetari i Kuvendit të Kosovës ka thënë t’ua ketë dërguar një shkresë autoriteteve shqiptare për mbetjet mortore të ish-kryeministrit pesëditor të Shqipërisë, i varrosur në Kukës.

“Tue kënë se gjyshi i em, Haxhi Ali Berisha, para 150 vjetve ka ardhë në Vulçitirn nga katundi Polancë, prandej mbi-emni em duhet me kenë ‘Polanca’. Por mbasi qi u zgjodha deputet i Prishtinës e mbrapa, nëpër shkrime, fletore e tjera më quejshin Hasan Prishtina, për kët’ shkak po më vazhdon gjithnji ky mbi-emen”, kishte shkruar ai në përmbledhjen “Nji shkurtim kujtimesh mbi kryengritjen shqyptare të vjetit 2012”.

Prishtina i lindur më 1873 ishte vrarë me 13 gusht 1933 në Selanik, ndërsa ishte varrosur në Kukës. Ka qenë nëpunës, deputet shqiptar në Mexhlisin osman, aktivist shqiptar për autonominë e më pas pavarësinë shqiptare, ministër e kryeministër dhe deputet i shtetit shqiptar, shkruan Koha Ditore./ KultPlus.com

Vushtrria nesër mirëpret diasporën me muzikë rock

Komuna e Vushtrrisë do të mbajë nesër duke filluar nga ora 20:00 një koncert me muzikë rock në Kalanë e qytetit, shkruan KultPlus.

Koncert ishte paraparë të mbahej javën e kaluar por ishte anuluar për shkak të vdekjes së veprimtarit Adem Demaçi.

“Të dashur mërgimtarë, me keqardhje iu njoftojmë se aktivitetet e planifikuara nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport; Koncerti Rock i planifikuar të mbahet më 27.07.2018 e (premte), në Kalanë e Qytetit dhe Koncerti i AKV “Hasan Prishtina” i planifikuar të mbahet më 29.07.2018 e (diele) në Bajgorë, do të shtyhen për shkak të respektimit të vendimit për shpalljen e tri ditëve, DITË ZIE me rastin e vdekjes së veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare Adem Demaçi”, ka njoftuar komuna e Vushtrrisë në faqen e saj zyrtare.

Njoftimi tutje tregon se koncerti rock do të mbahet më 30.07.2018 e (hënë) ora 20:00, në Kalanë e Qytetit, ndërsa koncerti i AKV “Hasan Prishtina” do të mbahet më 31.07.2018 e (marte) në ora 12:00, në Bajgorë”./KultPlus.com

Dita e tretë e “Javës së Kulturës” në qytetin e Vushtrrisë

Në Vushtrri po vazhdon të mbahet “Java e Kulturës”, shkruan KultPlus.

Sot u shënua dita e tretë e cila u karakterizua me panele diskutime dhe aktivitete të ndryshme artistike. Të rinjtë e “OJQ Access” kanë shprehur talentin e tyre përmes pikturimit.

Temën të cilën e kishin zgjedhur për pikturim ishte: “E kaluara dhe e ardhmja në sytë e artistëve të rinj”./ KultPlus.com

19 vjet nga masakra e Studimes, aty ku serbët vranë 116 shqiptarë të Kosovës

Më 2 maj 1999, civilë shqiptarë të fshatit Studime të Vushtrrisë u morën dhe vranë nga forcat serbe. Sot e asaj dite ende nuk është vënë drejtësi për viktimat.

Në shenjë përkujtimi për viktimat e masakrës së 2 majit të vitit 1999 në fshatin Studime të Vushtrrisë, zyrtarët e kësaj komune nën patronazhin e kryetarit Xhafer Tahiri organizuan një akademi përkujtimore.

Më 2 majit të vitit 1999 në fshatin Studime të Vushtrrisë, brenda dy orëve ishin pushkatuar nga paramilitarët serb 116 persona civil që ishin në kolonë për tu shpërngulur në drejtim të Shqipërisë. Shumë tjerë ishin plagosur e me mijëra tjerë pas arrestimit nga forcat serbe ishin depërtuar për në Shqipëri./ KultPlus.com

Shtatorja e Hasan Prishtinës vendoset sot në Vushtrri

Në Vushtrri në vendlindjen e patriotit dhe atdhetarit të shquar Hasan Prishtina, pritet të arrij sot shtatorja e tij e skalitur në Shqipëri.

Shtatorja që është punuar nga mjeshtri Idriz Balani, është paralajmëruar të mbërrij diku rreth orës 10:00 ndërsa në këtë ceremoni do të marrin pjesë kryetari i Komunës së Vushtrrisë Bajram Mulaku dhe liderë partiakë e shumë qytetarë.
Kjo shtatore do të vendoset përkohësisht para objektit të ri të komunës.

Objekti i ri i Komunës së Vushtrrisë i cili po financohet nga Bashkimi Evropian, pritet të përfundoj së shpejti, e pastaj do të rrënohet objekti i vjetër i komunës, aty ku edhe do të bëhet Sheshi ‘Hasan Prishtina’ dhe shtatoren e tij, shkruan Viciana.info. / KultPlus.com