‘55 shades of gay’, pranvera ballkanike e revolucionit seksual

“55 shades of gay” është shfaqja më e re për të cilën tashmë kanë nisur provat, me tekst të Jeton Nezirajt dhe regji të Blerta Nezirajt, Qendra Multimedia nga Prishtina, e konsideruar si ‘njëra nga kompanitë teatrore më interesante nga Evropa Juglindore’, sjellë sërish në skenë, në një trajtim krejtësisht politikisht jo-korrekt, një performancë argëtuese politike dhe provokative, kësaj here mbi çështje që kanë të bëjnë me komunitetin LGBTI, shkruan KultPlus.

‘55 shades of gay’ është një rrëfim burleskë për politikat rreth LGBTI në Ballkan dhe Evropë, ka treguar regjisori i shfaqjes Jeton Neziraj për KultPlus.

Politikanët lokalë të Ballkanit përpiqen të manipulojnë e mashtrojnë zyrtarët e BE-së, mercenarët humanitarë të NGO-ve ndërkombëtare, e që bukur shpesh shfrytëzojnë terrenin homofob për të vjelur fonde e për të realizuar projektet e tyre sociale e edukative [të tipit të punëtorive e seminareve për mënyrën e përdorimit të kondomëve], ndërsa që zyrtarë të BE–së, duke shfrytëzuar pozitën e tyre superiore financiare e politike, përpiqen t’i nënshtrojnë të gjithë.

Në këtë trini manipulim, abuzim e nënshtrim, pyetja që shtron shfaqja është: a është i mundur një çlirim seksual [sexual liberation] në Ballkan? Ose, a mundet Ballkani ta nisë një ‘Pranverë ballkanike të revolucionit seksual’?

Në shfaqje, një çift gay bën kërkesë për kurorëzim në një qytet provincial konservativ dhe thellësisht homofob. Kërkesa bëhet në kohën kur shoqata italiane Don Bosco ka nisur në qytet ndërtimin e një fabrike për prodhimin e prezervativëve, një projekt ky që është përkrahur financiarisht nga Bashkimi Evropian dhe që synon zvogëlimin e papunësisë në atë qytet ku papunësia shkon deri në 90%. Intelektualë, artistë, politikanë, përfaqësues të fesë e bombahedhës profesionistë angazhohen që kjo martesë të mos ndodhë, pavarësisht se martesa e çifteve të së njëjtës gjini lejohet me kushtetutën e vendit, të cilën kryeministri e ka nënshkruar sipas udhëzimeve të BE-së.

“55 shades of gay” është realizuar nga një kastë e 5 aktorëve të mrekullueshëm kosovarë dhe nga një ekip i artistëve teatrorë eminentë nga Gjermania, Kosova, Franca dhe Serbia. Kasta e aktorëve të kësaj shfaqje përbëhet prej Tristan Halilajt, Bujar Ahmetit, Shengyl Ismailit, Semira Latifit dhe Alketa Sylajt. Për skenografinë dhe kostumet e kësaj shfaqje do të përkujdeset disenjatori gjerman Sebastian Ellrich, për muzikën e shfaqjes kompozitorja serbe Irena Popoviq, ndërsa koreograf do të jetë valltari francez Florian Bilbao. / KultPlus.com

Sonte nisë DokuFest

Edicioni i 16-të i festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër, “DokuFest”, nisë sonte, shkruan KultPlus.

Vullnetarë të shumtë me fanella të bardha, ku dominon mbishkrimi “Future” (E ardhmja), që është edhe tema e sivjetme e “DokuFestit”, janë duke punuar në çdo cep që sonte gjithçka të shkojë si duhet.
Këtë edicion ‘Dokufest’ do të operojë me 10 kinema përgjatë nëntë ditëve sa do të zgjasë festivali.

Tashmë gjithçka është gati për hapjen e edicionit të radhës të “DokuFest”, aty ku do të shfaqen 102 filma në gjashtë kategoritë garuese të tij e që përfaqësojnë 50 shtete – përfshirë dy premiera botërore, dy premiera ndërkombëtare dhe një numër të premierave evropiane dhe rajonale. Tetë filma në kategorinë kombëtare poashtu do të kenë premierën botërore në festival.

Festivali do të shfaqë 102 filma Filma dokumentar të jashtëzakonshëm si dhe një numër i mrekullueshëm i filmave të shkurtë dhe të kinemasë eksperimentale është çka e karakterizon përzgjedhjen e këtij edicioni, me një numër të filmëbërësve që rikthehen të cilët do të prezantojnë filmat e tyre për herë të dytë ose tretë në festival dhe filmëbërës të rinjë puna e të cilëve është përfshirë nëpër seksionet garuese.

“DokuFest është i vendosur të sjellë më të mirën nga fusha e filmit në Prizren dhe Kosovë./ KultPlus.com

‘Anibar’ mirëpret retrospektiven e Georges Schwizgebel

Për Georges Schwizgebel është hera e parë në Kosovë, dhe natyrisht që atë e sjellë festivali Anibar, për të shpalosur punën e tij 46 vjeçare tek të interesuarit në këtë fushë, përcjellë KultPlus.

Filmat e Georges Schwizgebel udhëtojnë nëpër hapësirë dhe kohë ndërkohë që ne lëvizim në kohë reale. Me këta filma, ai ka fituar shumë çmime si ”Best Short Film” në Swiss Film Prize, ndërsa filmi ”Romance” i cili është në bashkëpunim me Bordin Kombëtar të Filmit të Kanadës dhe dy studio zvicerane ishte një nga 5 animacionet e nominuara për edicionin e 32-të të ”Genie Awards” ku fitoi çmimin ”Best animated short”.

Georges Schwizgebel për herë të parë vjen për publikun e festivalit dhe të Kosovës në ekspozitën me 16 piktura të tij. Këto piktura janë të nxjerra nga pjesët e filmave, si pjesë e teknikës me të cilën ai i krijon filmat e animuar duke e pikturuar secilën kuadër, kësisoj duke krijuar iluzionin e lëvizjes. Ekspozita do të mbahet në Galerinë e Arteve në Pejë prej datës 15 gusht deri në fund të festivalit.

Këtë vit mjeshtri i animacionit do të jetë edhe si pjesë e jurisë për kategoritë garuese, dhe me retrospektiven e tij më 19 gusht e cila përfshinë një program të filmave më të mirë dhe një prezantim lidhur me punën e tij. /KultPlus.com

Inaugurohet Eko-Parku i parë i Prishtinës në hyrje të kryeqytetit

Coca-Cola HBC Kosova dhe Komuna e Prishtinës në një ceremoni zyrtare do të inaugurojnë Eko-Parkun e parë të qytetit të Prishtinës, më 7 gusht, nga ora 10:00, në hyrje të Vetërnikut, Prishtinë.

Donacioni i këtij Eko-Parku për të gjithë qytetarët e Prishtinës shënon vazhdimin e devotshmërisë së kompanisë për ndërtimin e qyteteve të qëndrueshme si dhe kontributin ndaj mbrojtjes së mjedisit. Ky Eko-Park është krejtësisht unik në vend për shkak të faktit se do të rritet falë çifteve të porsamartuara, të cilët do të mbjellin një fidan pas ceremonisë së kurorëzimit.

Ceremonia zyrtare prej një ore është e hapur për të gjithë qytetarët e interesuar të jenë pjesë e saj, të vizitojnë parkun, si dhe të ndjekin ceremoninë e kurorëzimit të 10 çifteve ku më pas do të mbjellin fidanet e para.

Me këtë rast, fjalime rasti do të mbahen nga: Shpend Ahmeti, Kryetar i Komunës së Prishtinës, Neritan Tira, drejtor i Coca-Cola HBC Kosova dhe Greg Delaëie, ambasadori i Ambasadës Amerikane në Kosovë. / KultPlus.com
Agjenda:

Eminem pas 15 viteve me film të ri, pritet të përsëritet suksesi i ‘8 Miles’ (VIDEO)

15 vjet pasi që Eminemi tregoi aftësitë e tij të këndimit rep, në filmin e mirënjohur “8 Mile”, tani këngëtari është duke punuar në filmin e tij më të ri, mirëpo në stilin e ngjashëm të filmit të kaluar.

Filmi titullohet “Bodied”, shkruan MTV.

Regjisori i filmit është Joseph Kahn, i cili ka realizuar video muzikore për artistë të ndryshëm më famë botërore si Taylor Sëift, Dr. Dre, Backstreet Boys, Britney Spears dhe të fundit, Eminem.

Skenarin e filmit e shkroi me ish-kampionin e garës rep – stil i lirë, Alex “Kid Tëist” Larsen. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=IIZuVQ6zc3s

Një shije e ‘The Wind Rises’ dhe ‘Wolf Children’ vijnë në Anibar përmes masterklasës së Aya Suzukit

Në edicionin e 8 të “Anibar”, festivalit të filmit të animuar, me plot emra të mëdhenj në fushën e animimit, festivali mirëpret Aya Suzukin, animatore japoneze/britanike, artiste për “layout” dhe “story”, që ka punuar në filma me bujë të madhe dhe për studio të famshme animimi, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

“Suzuki ka filluar karrierën e saj në një festival animacioni, pas të cilit ajo pati rastin të punonte me emra të famshëm si Satoshi Kon, Mamoru Hosoda dhe Sylvain Chomet (e ky i fundit është regjisor i filmit “Belleville Rendez – Vous” dhe “The IIlusionist”) dhe ka punuar në industrinë e animeve”, thuhet në komunikatë, përcjellë KultPlus.

Më tutje thuhet se ajo ka punuar në projekte si për filmin e Hayao Miyazaki të studios Ghibli, i cili është nominuar për Oskar “The Wind Rises”, në filmin e gjatë 3D “Sherlock Gnomes”, film që po punohet nga regjisori i filmit “Kung-fu Panda” John Stevenson, ka punuar gjithashtu në filmin e Sylvain Chomet, “The Illusionist” i cili po ashtu është nominuar për Oskar, filmin që ka fituar çmim në Akademin Japoneze, “Wolf Children”, filmin e Satoshi Kon “The Dreaming Machine”, filmin e Masaaki Yuasa, “Ping Pong”, e shumë të tjerë. Për momentin punon si animatore e lartë 2D në filmin e Wes Anderson, “Isla of Dogs”.

Aya do të mbajë një masterklasë në “Jusuf Gërvallë”, më 20 gusht. Masterklasa do të fillojë në ora 14:00, ku të gjithë ata që janë të interesuar në filmat dhe vizatimet e saj kanë mundësi të marrin më shumë informata mbi atë se si punohet një film i gjatë i animuar në bashkëpunim me Miyazaki dhe Kon, dhe gjithashtu do të kenë mundësi të depërtojnë më thellë në përvojat e saj në industrinë e animimit, thuhet në komunikatë. / KultPlus.com

‘Pompei i vogël’ zbulohet në Francë

Arkeologët francezë e përshkruajnë gjetjen e tyre të fundit si “Pompei i vogël”, duke iu referuar shtet-qytetit romak në Italinë e sotme, i cili është ruajtur mjaft mirë edhe pasi që ishte mbuluar nga mbetjet vullkanike në shekullin I.

Lokacioni i gjetur në jug të Francës, thuhet në shkrimin e DW, që sot e transmeton Koha Ditore, ruan disa mbetje të jashtëzakonshme të shtëpive luksoze dhe ndërtesave publike në brigjet e lumit Rhone që daton prej kohës romake.’ është një prej gjetjeve më të jashtëzakonshme të lokacioneve romake në 40 ose 50 vjetët e fundit”, ka thënë arkeologu udhëheqës i gërmimeve, Bejnamin Clement. Gazeta lokale franceze “Currier Picard” ka cituar Clementin të ketë thënë se kjo gjetje “është një mundësi e paprecedent”. Qyteti i Viennes – tashmë i njohur për teatrin dhe tempullin e tij romak – gjendet në atë që njihej një ndalesë e rëndësishme në rrugën që lidhte rajonin verior të Gaulit me provincën romake të Gallia Narbonensis, në atë që sot është Franca Jugore.

Zona e re e gërmimit gjendet në periferi të qytetit juglindor Vienne rreth 30 kilometra në jug të Lionit.

Zbulimi u bë derisa në atë parcelë po përgatitej të niste ndërtimi i një kompleksi të madh banimi. Ministria franceze e kulturës e shënjoi hapësirën dhe më pas vazhdoi gërmimi i një “gjetjeje të jashtëzakonshme”, pllaka, mozaikë dhe një shkollë filozofike.

Lagjja romake besohet të ketë shtëpi që datojnë qysh prej shekullit I, por supozohet që aty të ketë qene një vendbanim qysh prej shekullit II para erës sonë. Siç ka raportuar AFP-ja duket se është braktisur pas një serie zjarresh. Ndër strukturat që ende ruhen janë edhe ato të objektit të njohur si Shtëpia Bacchanalian. Ndërkohë që një zjarr duket se ka përfshirë katin e parë, çatinë dhe ballkonin e shtëpisë luksoze, pjesët e strukturës. Ndër to, tjegulla mermeri, kopshte ekspansive dhe një sistem furnizimi me ujë. Arkeologët e udhëhequr nga Clementi besojnë se shtëpia duhet të ketë pasur pronar ndonjë tregtar të kamur.

“Ne do të jemi në gjendje ta rikthejmë këtë shtëpi nga dyshemeja deri në kulm “, ka thënë Clementi për AFP.

Një hapësirë e mozaikëve që përshkruan hyjin e gjahut Pan, rrëmbimin e Thalias, muzën e teatrit dhe mbrojtësen e komedisë, gjithashtu thuhet se u gjet në këtë lokalitet. Arkeologët gjithashtu gjetën një ndërtesë të madhe në vendin e një tregu të mëparshëm që besohet të ishte rezervuar për përdorim publik. Clementi beson se aty të ketë qenë edhe një shkollë e filozofisë.

Studiuesit shpresojnë t’i restaurojnë këto gjetje për ta bërë të mundshme hapjen e një ekspozite në Muzeun e Qytetërimit Gallo-Romak në Vienne deri në vitin 2019.

Gërmimet arkeologjike në këtë lokalitet do të vazhdojnë deri në fund të vitit duke dhënë hapësirë për zbulime të tjera. / KultPlus.com

Anije e thesare të fundosura fshihen në ujërat e bregdetit shqiptar

Me qetësimin e dallgëve, metrat e parë të turbullt shpejt u hapin rrugë ujërave të kthjellëta dhe një pamjeje të mahnitshme – dhjetëra, ndoshta qindra vazo të lashta në shtratin e detit duken si testament për disa kohë të harruara si pasojë e fatkeqësive në trafikun ujor gjatë një udhëtimi më shumë se 1 mijë e 600 vjet më parë.

Një udhëtim i shkurtër ofron pamjen e një kuadri të gjerë të një anijeje të Luftës së Dytë Botërore, që shfaqet përmes errësirës, sendeve personale të ushtarëve ende të shpërndara në brendësi në korridoret e saj të ngushta dhe në helikën që tani është vendi i kolonive në rritje të peshqve, shkruan Associated Press.

Nga brigjet e thyera të Shqipërisë, në një nga bregdetet më të vona sa i përket eksplorimit në botë, gjendet një pasuri thesaresh: amfora të lashta – enë të gjata dhe të ngushta, me të cilat transportohej vaji i ullirit dhe vera përgjatë rrugëve tregtare midis Afrikës së Veriut dhe Perandorisë Romake – tregime të fshehura të heroizmit dhe tradhtisë nga dy luftërat botërore e formacione spektakolare shkëmbore dhe jetë detare.

“Nga ajo që kam parë deri më tani, nuk mund të notosh më shumë se disa metra pa gjetur diçka të mrekullueshme, qoftë në anën e historisë kulturore apo në anën e historisë natyrore “, ka thënë Derek Smith, ekolog detar dhe bashkëpunëtor hulumtues, i cili ka punuar me Fondacionin Nautik – organizatë joprofitabile – për të eksploruar bregdetin shqiptar gjatë dekadës së fundit.

Tani Agjencia Kombëtare Bregdetare e Shqipërisë po shqyrton mënyrën më të mirë për të studiuar dhe mbrojtur atraksionet e saj të ngushta, duke i hapur ato për vizitorë në një vend që është territor i virgjër për industrinë e zhytjes fitimprurëse.

“Ideja e paraqitjes së trashëgimisë nënujore shqiptare është një ide e re për vendin, sepse deri më tani nuk dihet shumë për historinë e pasur të vijës bregdetare shqiptare dhe në veçanti për anijet e fundosura “, ka thënë kreu i Agjencisë, Auron Tare, i cili në 12 vjetët e fundit ka qenë i përfshirë në kërkimet nënujore me Fondacionin Nautik. “Unë besoj se ka ardhur koha që tani t’ia paraqesim botës pasurinë e kësaj trashëgimie që kemi në ujërat tona”, ka thënë ai.

Dikur më e izoluar se Koreja e Veriut, Shqipëria gradualisht është hapur për turizmin ndërkombëtar dhe ka shmangur imazhin e saj të mëparshëm si një shtet që shkurtimisht u shndërrua në territor të banditëve në fund të viteve 1990. Por zhvillimi i tokave bregdetare është duke shkuar shpesh në mënyrë anarkike, dhe ka frikë se rrënojat më të çmueshme mund të plaçkitën nëse nuk vihen nën mbrojtje të mjaftueshme.

Legjislacioni pritet të miratohet së shpejti si bazë për të mbrojtur trashëgiminë nënujore të vendit, duke lejuar gjithashtu qasje për vizitorët.

Greqia fqinje, në jug të Shqipërisë, ka luftuar për balancimin e turizmit duke mbrojtur objektet e lashta. Greqia ishte kaq e frikësuar nga humbja e artefakteve të saj nënujore saqë ndaloi zhytjen e plotë në të gjitha vendet pos një pjese të vogël. Edhe sot, zhytja është e ndaluar në çdo anije ose aeroplan – të ndërtuar më shumë se 50 vjet më parë, pavarësisht kur u fundos. Shqipëria po shkon drejt një qasjeje më të balancuar.

“Do të thosha se në të ardhmen e afërt rrënojat e lashta duhet të jenë të hapura për studiuesit dhe për hulumtime”, ka thënë Tare, i cili vuri në dukje se vendi ka humbur edhe një pjesë të trashëgimisë nënujore gjatë plaçkitjeve të 20 vjetëve të fundit. “Por disa nga rrënojat, të cilat nuk kanë humbur shumë në kuptimin e plaçkitjes mund të hapen në industrinë e zhytjes”, ka thënë Tare

Ai vlerësoi se duke pasur qasje në rrënojat më moderne nga Lufta e Parë Botërore ose Lufta e Dytë Botërore, zhytja mund të sillte më shumë vizitorë në Shqipëri në pesë vjetët e ardhshëm.
Fondacioni Nautik në bashkëpunim me Agjencinë bregdetare, kanë shënjuar shtratin e detit përgjatë një të tretës së bregdetit shqiptar, nga Saranda afër kufirit grek deri në Vlorë. Duke përdorur një kombinim të pajisjeve të zhytësve dhe pajisjeve të teknologjisë së lartë, përfshirë një automjet nënujor që drejtohet nga distanca, kërkimet kanë rezultuar me zbulimin e gati 40 anijeve.

“Deri tani Fondacioni ka dokumentuar se ka gjetje nga shekulli III dhe IV deri tek ato të periudhave të dy luftërave botërore”, ka thënë Smith. “Pra, ne kemi një gamë mjaft të madhe prej ndoshta 2 mijë e 500 vjetësh, me burime kulturore prej 2 mijë e 300 vjetësh në bregdetin shqiptar, të cilat në të vërtetë kanë qenë të paeksploruara”.

Njëri prej tyre është grumbulli me amfora pranë bregut. Aty është ajo që njihet si anija e mbytur e Jonit, një anije tregtare që vlerësohej të kishte rreth katër anëtarë të ekuipazhit dhe një ngarkesë me kryesisht amfora nga Afrika e Veriut.

Fakti që qeramika ishte afrikano-veriore “është me të vërtetë i rëndësishëm, sepse tregon lidhjet tregtare midis Adriatikut dhe bregut të Afrikës Veriore”, ka thënë arkeologu nënujor Mateusz Polakowski, i cili ka punuar me Fondacionin.

Peshqit e vegjël dalin nga qafat e ibrikëve, të cilët me kalimin e kohës janë zbukuruar në shtratin e detit. Vendi nuk është gërmuar dhe arkeologët besojnë se disa shtresa të amforave, si dhe trupi prej truri i anijes mund të qëndrojnë ende të paprekura nën shtratin e detit.

“Shumë nga këto rrënoja janë shumë të rëndësishme si thesare të trashëgimisë kombëtare”, ka thënë Polakowski. “Ashtu si nga përbërja biologjike, po aq e rëndësishme sa edhe shkëmbinjtë nënujorë dhe popullata e peshqve, unë mendoj se këto anije të mbytura jo vetëm që bëhen shkëmbinj artificialë, por gjithashtu të japin ndjenjën e identitetit kulturor e të trashëgimisë kulturore”.

Shqipëria gjendet në një pikë strategjike në hyrje të detit Adriatik dhe përgjatë rrugëve të lashta tregtare nga Italia në Gadishullin Ballkanik, ka thënë Polakowski. Mbetet ende shumë për t’u eksploruar.

“Janë rreth 200 milje bregdet këtu”, ka thënë Smith. “Edhe pse na duket sikur kemi zbuluar pjesë të madhe… ka gjithmonë ende shumë për t’u zbuluar”. / KultPlus.com

Shqipëria në Bienalen e Venecias, MK shpallë thirrjen për aplikime

Shqipëria do të marrë pjesë në Ekspozitën e XVI-të Ndërkombëtare të Arkitekturës – Bienale e Venecias 2018, me temë “Freespace”, që do të zhvillohet nga 26 maji deri më 25 nëntor 2018 në Arsenale dhe Giardini në Venecia, Itali, përcjellë KultPlus.

Tema e kësaj Bienaleje “Freespace” është përzgjedhur nga kuratorët e edicionit të 16-të, Yvonne Farrel dhe Shelley McNamara, të cilat kanë motivuar zgjedhjen e tyre. “Freespace përshkruan bujarinë e shpirtit dhe ndjenjën e humanizmit, në thelbin e axhendës së arkitekturës, duke përqendruar vëmendjen në vetë cilësinë e hapësirës. Freespace përqendrohet në aftësinë e arkitekturës për të ofruar hapësira të lira dhe hapësira shtesë për ata që e përdorin atë, si dhe në aftësinë e saj për të adresuar dëshirat e pashprehura të të huajit”.

“Po ashtu, Freespace inkurajon të rishqyrtojmë mënyrën e të menduarit, duke nxitur mënyra të reja të të parit të botës dhe të japë zgjidhje në të cilën arkitektura siguron mirëqenien dhe dinjitetin e çdo banori të këtij planeti të brishtë. Freespace mund të jetë një vend i mundësive, një hapësirë publike, jo e planifikuar dhe e lirë për përdorime ende të pa përcaktuar. Ajo ç’ka na intereson është të shkojmë përtej asaj që është e dukshme, duke theksuar rolin e arkitekturës në skenën e jetës së përditshme”, veçojnë kuratorët e kësaj Bienaleje.

Në kuadrin e Ekspozitës XVI Ndërkombëtare të Arkitekturës – Bienale e Venecias 2018, Ministria e Kulturës, me cilësinë e komisarit të Pavijonit Shqiptar, shpall thirrjen për paraqitjen e projektit për pavijonin shqiptar, frymëzuar nga një vëzhgim i kujdesshëm i arkitekturës bashkëkohore dhe i shoqërisë shqiptare, sidomos aty ku kjo bën ndryshimin, si dhe mjetet vizuale përmes të cilave ato do t’i komunikohen publikut të gjerë dhe profesionistëve.

Kandidatët janë të lirë të zgjedhin format dhe mjetet për paraqitjen e idesë së tyre. Ata ftohen të respektojnë udhëzimet e përcaktuara nga Kuratoret e Bienales së 16-të Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecia. Pavijoni shqiptar do të vendoset në Arsenale. /KultPlus.com

Vdes aktori i njohur Robert Hardy (VIDEO)

Aktori i njohur, Robert Hardy, ylli i serialit televiziv All Creatures Great and Small, ka vdekur në moshën 91-vjeçare.

Lajmin për vdekjen e tij e ka dhënë familja e aktorit, të cilët thanë se Hardy kishte një jetë të jashtëzakonshme dhe një karrierë gjigante në teatër, televizion e film që i zgjati më shumë se 70 vjet.

Ai ishte i njohur edhe për portretizime të shumta të Winston Churchill.

Në vitet e fundit, ai u shfaq si Cornelius Fudge në filmat Harry Potter. / KultPlus.com

Arben Llapashtica, vendin e parë për fotografinë më të mirë në ‘Green Art Fest’ ¬(FOTO)

Janë ndarë çmimet për fotografi në Festivalit ‘Green’ i cili është mbajtur në Obiliq nga data 23 deri më 30 korrik, shkruan KultPlus.

Vendin e parë në këtë garë e ka zënë, Arben Llapashtica, të dytin, Fjolla Besimi, ndërsa vendin e tretë, Ana Deshishku.

Festivali ‘Green’ synon të ngrisë vetëdijen dhe të sensibilizojë opinionin kosovar për përkujdesje më të madhe ndaj mjedisit si dhe të krijojë një ambient sa më të relaksuar për të gjithë qytetarët e rajonit. /KultPlus.com


Ministria e Diasporës ndanë çmimet vjetore për ‘Mërgimtarët e vitit’

Në kuadër të manifestimit tashmë tradicional ‘Ditët e Diasporës’, mbrëmë në Prishtinë Ministria e Diasporës i ndau çmimet vjetore për mërgimtarë të vitit, shkruan KultPlus.

Çmimi në fushën e kulturës iu dha regjisorit Eki Rrahmani për kontributin dhe sukseset e tij në fushën e kinematografisë.

Çmimi “Mërgimtari i vitit” iu dha fotografit të njohur shqiptar që jeton dhe vepron në Amerikë, Fadil Berisha, për punën dhe sukseset e arritura në fushën e fotografisë.

Gjatë kësaj ceremonie u ndanë edhe çmime të tjera si: Çmimi në fushën e arsimit dhe shkencës, çmimi në fushën e sportit, çmimi në fushën e biznesit, çmimi post mortem, çmimi i nderit, çmimi për emisionin më të mirë televiziv, çmimi për shkrimin më të mirë në medie/portale si dhe çmimi për kontribut të veçantë në promovimin e diasporës shqiptare. / KultPlus.com

Imer Kutllovci sonte në Prishtinë, shqiptari që po bën famë në Francë (VIDEO)

Sonte, me fillim prej orës 20:00, në Hamam Bar në Prishtinë ky aktor do të jetë një nga të ftuarit e “Ta zbardhi ftyrën”, një debat artistik i iniciuar nga KultPlus.

Bëhet fjalë për Imer Kutllovcin, emër i njohur i kinematografisë dhe një sukses i jashtëzakonshëm sidomos në Francë dhe në filmat që realizohen nga ky shtet.

Kutllovci sonte vjen për publikun, dhe për ju që keni dëshirë ta dëgjoni tregimin e tij, ju presim. Në ndërkohë, për ta njoftuar më afër punën e Imerit po i sjellim këtu disa role të aktorit të cilat kanë marrë vëmendjen dhe i kanë dhënë atij një famë të konsiderueshme.

Pos roleve në dy serialet e famshme franceze – “Braquo” dhe “Engrenages”, po përmendim disa role tjera të aktorit që sonte vjen më afër jush.


Adeles Choice – 2011
Roli i Arben Jasharit në filmin Adeles Choice është një mrekulli aktoriale e Imerit. Adele është një mësuese shkolle, e pranon një nxënëse të re në klasë – Kanioushën. Vajza me origjinë shqiptare ka prindërit pa dokumente dhe në çdo moment ata mund të largohen. Adele provon të ndihmojë që familja të mos ndahet. Arbeni është në emocione, por e sjellë gjuhën shqipe në filmin që u transmetua në France3 – kanalin e tretë të televizionit të njohur francez.

LES EMIGRES
de Slawomir Mrozek
mise en scene de Imer Kutllovci
Avec : Mirza Halilovic, Grigori Manoukov,
au Theatre de la Reine Blanche
© Pascal Gély

Emigrantët – 2016
Imeri nuk është vetëm aktor, por edhe një regjisor i cili këtë fushë dëshiron ta eksplorojë edhe më shumë. Në cilësinë e regjisorit, shqiptari që po bën famë në Francë ka sjellë para pak kohësh shfaqjen “Emigrantët”. Shfaqja që sjellë tregimin e dy emigrantëve, njëri nga Sarajeva e tjetri nga Moska, për shumë kohë është shfaqur në Theatre de la Reine Blanche në Paris. Humanite – gazeta e njohur franceze, shfaqjen e Kutllovcit me tekst të polakit Slaëomir Mrozek e ka quajtur një kryevepër dhe një stil të ri të trajtimit. “Teatri është zëri i njerëzve”, thotë vetë Kutllovci.


Service Compris – 2014
Roli i Radu në Service Compris e radhitë shqiptarin Imer Kutllovci krahas aktorëve tjerë në këtë film, si Julia Artamonov dhe John Arnold. Një baba vendosë që vajzën e tij 25 vjeçare ta marrë në menaxhimin e tij, dhe ndoshta kjo nuk është zgjidhja më e përshtatshme për Sophie. Një rol tjetër i rëndësishëm i aktorit. / KultPlus.com

Artpolis organizon Trajnim për Edukimin e Bazuar në Teatër me Bashkëmoshatarë

Qendra për Art dhe Komunitet Artpolis organizon trajnimin për Edukimin e Bazuar në Teatër me Bashkëmoshatarë/e për të rinjtë dhe të rejat e komuniteteve Shqiptare, Romë, Ashkali dhe Egjiptas, shkruan KultPlus.

Ky trajnim do të mbahet nga 22 deri me 24 gusht, në Kosovë.

Aplikantët e përzgjedhur do të angazhohen në edicionin e 6-të të festivalit për të Rinjtë dhe të Reja(Youth Fest /Competition for social changes).

Të gjithë ata që janë të interesuar të jenë pjesëmarrës në trajnim më poshtë mund njoftohen me kushtet të cilat duhet t’i plotësojnë:

-Të rinjtë dhe të reja dhe të reja të moshës 18deri 25 vjeç
-Nga komunat: Prishtina, Gjakova, Gjilan, Ferizaj, Peja, Prizren, Mitrovica Jugore dhe Veriore
-Të interesuar/a të dini më shumë për Teatrin dhe teknikat teatrale, në veçanti Forum Teatrin
-Të interesuar/a për Aktrim
-Të interesuar/a për Edukimin dhe Bashkëmoshatarë/e
-Të pasionuar rreth të Drejtave të Njeriut dhe dëshironi të kontribuoni në komunitetin lokal
-Të interesuar/a për të krijuar lidhje të reja shoqërore me të rinjtë dhe të rejat e komuniteteve të ndryshme të Kosovës Që ndajnë pasionin për Art dhe të Drejtat e Njeriut.
Aplikimi do të jetë i hapur deri me 16 gusht./ KultPlus.com

Punëtoria ‘Vizualizimi i Kohës’ në DokuFest

Në partneritet me Departamentin e Etnologjisë në Shqipëri, DokuFest në edicionin e sivjetmë, do të mbajë një punëtori nga Laboratori i Antropologjisë Vizuale, e cila që do të përfshijë pjesëmarrës nga fusha si: antropologjia, filozofia, sociologjia dhe kinematografia, shkruan KultPlus.

Temat bosht të kësaj punëtorie janë: kohorja dhe pamorja, kufiri dhe koha, regjimet kohore në konfigurimet kozmologjike, tingujt, hapësira dhe koha, vetja, tjetri dhe koha.

Synimi themelor i kësaj punëtorie është të shënojë në mënyrë analitike, përdorimin e instrumenteve teknologjike dhe intelektuale në vizualizimin e kohës. Qëmtimi etnografik i kohës subjektive dhe objektive, i portave apo urave kohore si ndërlidhëse kulturash, i kohëzimit mikro e makroskopik në rrafsh diakronik dhe sinkronik, përmes nocionit të imazhit dhe proceseve vizualizuese, do të jenë pjesë e këtij programi, përderisa praktika do të zhvillohet në zonën ndërkufitare Shqipëri-Kosovë.

Punëtoria ‘Vizualizimi i Kohës’ do të mbahet nga data 3 deri më 9 gusht në Prizren. Festivali Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër-DokuFest, nisë nesër me 3 gusht dhe zgjatë deri më 12 gusht. / KultPlus.com

Ismail Kadare: E kam shkruar letrën për të shpëtuar motrën

Në këto ditë të nxehta vere, shkrimtari i njohur Ismail Kadare e gjeti sërish veten në syrin e ciklonit, pas publikimit të një letre që i kishte dërguar diktatorit Enver Hoxha për të motrën. Mediet spekuluan se ai e ka denoncuar të motrën. E vërteta rezulton krejt ndryshe. Kadare thotë se e ndërmori këtë veprim për të mbrojtur motrën e tij, Kadrien. Gjeni më poshtë intervistën ekskluzive të shkrimtarit të njohur për Gazetën Shqiptare.

-Zoti Kadare, në media qarkullon një letër, që ju i keni dërguar Enver Hoxhës, më 1980. Është e vërtetë kjo letër? I keni dërguar letra të tjera diktatorit?

Ismail Kadare: Kjo është një letër e vërtetë, shkruar me dorën time. Madje, është faksimile e vetme. Është shkruar më 1980 dhe është letra e vetme që i kam dërguar në jetën time Enver Hoxhës. Unë, në fakt, prisja nga hapja e dosjeve një trajtim më serioz të një çështjeje të tillë. Ç’domethënë trajtim serioz? Do të thotë që shtypi, që e nxjerr një letër të tillë, duhet të japë një sqarim minimal për të. Është i rëndësishëm si dokument, sepse është letra e një shkrimtari të njohur, e vetmja drejtuar sunduesit të vendit dhe botohet, si rastësisht, pa asnjë informacion sqarues.

-Si ka dalë kjo letër nga Arkivi?

Ismail Kadare: Absolutisht nuk di asgjë. Ishte zhgënjyese. Në dosjen time besoj ky është dokumenti kryesor dhe del kështu pa asnjë përgjegjësi. Krijon lloj-lloj keqkuptimesh.

-Pse e shkruat këtë letër? Çfarë ndodhi, që e shkruat?

Ismail Kadare: Kjo letër është shkruar pasi më kanë thirrur në Komitetin Qendror për të më njoftuar se “motra juaj do të ishte sot në burg, po të mos ishte motra juaj”. Më është thënë se shoqet e saj, një grup shoqesh, janë të gjitha në burg. U thashë se nuk di asgjë. I pyeta pse. Më thanë se flisnin kundër regjimit e, veçanërisht, kundër Enver Hoxhës. Sigurisht që unë në familje nuk bëja biseda të rrezikshme, sidomos me motrën, duke e ditur tipin e saj. Por, kurrsesi nuk e kisha për zakon të flisja për çështje delikate, sepse do kisha marrë veten më qafë shumë vite përpara. Nuk u hodha përpjetë të thosha “jo, janë shpifje”. Dhashë të kuptoj që e merrja me mend që kishte ndodhur kjo gjë, përderisa ishin të gjitha në burg, me përjashtim të motrës sime. Më duket se kam pyetur se sa kohë ka që hetohet dhe më është thënë se hetimi vazhdon prej shumë kohësh. Mora vesh se motra ime ka qenë në hetim për një kohë të gjatë dhe mua s’më ka treguar asgjë.

-Ju nuk e dinit se motra juaj hetohej? Si u ndjetë dhe si reaguat kur e morët vesh?

Ismail Kadare: Vetvetiu pata një ndjesi të keqe për këtë lloj papërgjegjshmërie të një anëtari të familjes, që merr nëpër gojë Enver Hoxhën për gjëra të rrezikshme, duke qenë motra ime. Ka qenë prej saj një mungesë përgjegjshmërie e plotë. Ndaj, me gjakftohtësi, nuk kundërshtova, as nuk thashë asgjë tjetër. Siç e kam shkruar në letër, u thashë “trembeni”. Vete unë i kërkova të mos vinte më në shtëpinë time, meqë ajo hetohej prej kohësh dhe as, së paku, nuk më lajmëroi që të kisha kujdes.

-Është thënë se e keni dëbuar motrën. Si është e vërteta?

Ismail Kadare: Është spekuluar në këtë pikë, pasi unë nuk e kam dëbuar nga shtëpia. Nuk kisha si ta dëboja, kur nuk jetonte me mua, kishte shtëpinë e vet e ajo vinte te unë siç shkon motra te vëllai.

-Për çfarë hetohej motra juaj, çfarë kishte thënë?

Ismail Kadare: E pyeta motrën çfarë kishte ndodhur. Mezi më tregoi diçka. Unë u konsultova me një mikun tim. Më tha se ishte shumë e rrezikshme të flitej për Hoxhën, varej çfarë flitej. Motra nuk më tregoi detaje. I thashë: “Pse s’më ke treguar se shoqet e tua janë në burg? Pse s’më ke thënë, që je thirrur në hetuesi?” E pyeta se çfarë kishte thënë për Enver Hoxhën, por nuk më tregonte. Nuk e di mirë as tani.

-Ishte për ju një problem me sistemin dhe një problem brenda familjes. Çfarë thuhej për E. Hoxhën e për çfarë kishit frikë?

Ismail Kadare: Shikoni, kur thuhej për Enver Hoxhën diçka tepër e rrezikshme dhe delikate kishte disa probleme. Ishin gjëra që edhe vetë ata kishin frikë t’i trajtonin me njëri-tjetrin, sepse u ikte koka. E kjo ka ndodhur disa herë. Këtu ishte djallëzia: për Enver Hoxhën thuheshin lloj-lloje thashethemesh dhe më të rrezikshmet ishin ato që kishin lidhje me figurën morale të tij. Shumë njerëz janë pushkatuar, nuk u gjendet varri dhe nuk u gjenden kockat, për arsye që nuk e di njeri e nuk e thotë njeri.
E dinte vetëm ai, kur e nuhaste, kur e merrte vesh se po flisnin për “atë” gjë ose për “këtë” gjë. Këtu është një nga sekretet më të ndyra të diktaturës shqiptare.

-Për thashetheme të jetës intime të shefave?

Ismail Kadare: Po, për jetën intime, gjë për të cilën unë, duke e ditur se sa e rrezikshme ishte dhe sa pasoja kishte, nuk e flisja as me shokët e ngushtë. Papritur del motra ime e përzier në një bisedë të tillë. Jam i sigurt që e kanë bërë qëllimshëm, e kanë futur qëllimisht për ta përdorur kundër meje.

-Ju keni thënë se “shteti kishte gati arkivolin për mua”, pra edhe kjo, përfshirja e motrës suaj në një bisedë për çështje intime të diktatorit mund të përdorej kundra jush?

Ismail Kadare: Sigurisht. Sepse motra ime ishte një njeri i thjeshtë. Gjithë komplikimi i saj vinte nga unë dhe ajo desh më mori më qafë, derisa lejonte të përfshihej në këto biseda e, më tej as të mos më lajmëronte, kur e pësuan shoqet e saj. Të merrja një masë, të mbrohesha e të sqarohesha.

-Kush e dinte ekzistencën e kësaj letre? Pse doli pikërisht tani?

Ismail Kadare: Enigmë është kush e nxori. E dija vetëm unë, që e kam shkruar. Kush e nxori tani, kush e manovroi tani? Të shkon mendja se ka dalë direkt nga kasaforta e E. Hoxhës, e Nexhmije Hoxhës ose e atij që e ka marrë këtë kasafortë si testament.

-Pse e shkruat letrën?

Ismail Kadare: Sepse ishte më mirë të bëhej, sesa të mos bëhej. Ishte më mirë të thosha se e di këtë gjë, sepse m’u tha, në fund të fundit. Nuk thuhet që kjo është shpifje. E kam marrë të mirëqenë, që shteti shqiptar ka në dorë të thëna të dënueshme të motrës sime. Nuk e kam fshehur një zemërim timin me motrën në atë letër.

-Një pjesë e publikut kupton kushtet, në të cilat u shkrua letra, një pjesë tjetër mund të mendojë se ju e hodhët në flakë motrën tuaj për të shpëtuar veten. Kjo letër mbronte motrën tuaj apo ju dhe atë?

Ismail Kadare: Unë, jo vetëm e mbrojta më këtë letër, por është e vetmja mbrojtje e saj. Në atë që unë them se ka qenë e ç’ekuilibruar psiqikisht, ishte e vetmja mbrojtje që unë mund t’i bëja. Motra ime nuk u fut në burg as dy vjet, as pesë vjet për shkak të kësaj, sepse mbrojtja e parë në çdo sistem gjyqësor në botë, sisteme diktatoriale apo jo, është të thuash se personi nuk është në rregull mendërisht, se është i paaftë mendërisht dhe për këto arsye, pra, nuk është i përgjegjshëm për ato që thotë. Kjo është mbrojtja e çdo krimineli apo vrasësi dhe për mua kjo ishte e vetmja mënyrë për ta mbrojtur atë dhe jo vetëm atë.

-Ju prej vitesh keni kërkuar hapjen e dosjeve. Për ironi, ende pa u hapur, del një letër, që duket sikur hedh baltë mbi ju?

Ismail Kadare: Jo baltë, por më keq se baltë. Është tentuar të më dëmtojnë në atë kohë, por shih, edhe tani prapë. Nuk e duan të vërtetën, nuk e do askush. Krimi i madh nuk e do të vërtetën kurrë. Unë, të mos di letrën e vetme që i kam bërë Enver Hoxhës, të mos di ku është e si del, kush e ka në dorë? Nuk më ka treguar askush deri më sot, nuk dija ku ishte. Ishte hera e parë që e kam parë, sepse ka rreth 40 vjet që është shkruar, madje nuk e mbaja mend mirë.

-Ju flisni në letër se atëkohë ju kanë penguar të merrni pjesë në takimet për skenarin e filmit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, ju kanë penguar të dilni jashtë me delegacione. Pra, ishit në presion?

Ismail Kadare: Po, sigurisht që isha nën presion. Pas kësaj, ka dhe një dokument tjetër më të llahtarshëm. Është procesverbali i Llambi Ziçishtit. Ministri i Shëndetësisë nën torturë ka dhënë një procesverbal që thotë, se ‘në grupin tonë patëm sukses, e futëm Kadarenë’. Ministri ka vdekur i copëtuar nga tortura, as trupi nuk i gjendet më, i kanë marrë ç’kanë dashur në torturë, aty ai ka thënë që ishte agjent, ai e Mehmet Shehu, unë e të tjerë plot.
A ka ku të vejë më një akuzë për një shkrimtar të njohur, sesa të akuzohet si pjesëtar i një komploti kundër shtetit? Si shpëtoi nga kjo akuzë Kadare, si u vërtetua e kundërta? A u vërtetua ndonjëherë apo është varrosur, bashkë me kockat e Llambi Ziçishtit? Është kaq dëshpëruese ajo që del nga ky fenomen, kjo mungesë serioziteti me dosjet e fshehta, në ato dosjet më të rrezikshme, që kanë të bëjnë direkt me diktatorin.

-Studiuesi Peter Morgan ju ka cilësuar mjeshtër shahu përballë Hoxhës, megjithatë, si mundët të shpëtonit nga këto dyshime e komplote, që ngriheshin dhe ju përfshinin?

Ismail Kadare: Ishin kaq grykëse disa herë, saqë shpesh rrëzonin veten. Këto dosje ishin një propozim që i bëhej udhëheqjes, “nëse doni ta hiqni qafe, ja ku e keni”.

-Kush ju mbronte ju dhe pse?

Ismail Kadare: Kjo është pyetje serioze. A ka një mbrojtje këtu? Ka një mbrojtje. Thashethemi është se e mbronte Enver Hoxha. Edhe unë po ju them po, ashtu është. Vetëm ai kishte fuqi të të mbronte nga akuza të tilla.

-Keni thënë se Enver Hoxha ju mbronte nga vetvetja?

Ismail Kadare: Ai më mbronte nga njerëzit e vet, nga sistemi i vet, nga vetja e vet. Kjo ndodh shpesh me shkrimtarët e njohur. Raportet e tyre me rendet tiranike janë zakonisht të rënda e të ndërlikuara, kështu shpjegohet, ndoshta edhe arsyeja që takimet e tyre me diktatoret janë aq të rralla. Janë shkrimtarët, ndoshta, që i shmangnin, por tiranët bënin të njëjtën gjë. Këmbimet e letrave ose bisedat telefonike janë gjithashtu të rralla. Interpretimet e tyre të vështira dhe shpjegimet kundërthënëse për to vazhdojnë shpesh me vite, si e famshmja bisedë telefonike Stalin-Pasternak. Kur i tregova një mikut tim shqetësimin që do t’i drejtoja një letër Enver Hoxhës, ai u habit që kjo ndodhte për herë të parë. Iu duk jonormale një gjë e tillë, në kuptimin jo të mirë të fjalës.

-A mund të ma shpjegoni këtë shije jo të mirë, sipas mikut tuaj?

Ismail Kadare: Ishte e natyrshme. Në botën komuniste reklamoheshin shpesh letërkëmbimet ose dialogët midis shkrimtareve të njohur dhe shefave të vendit. Kjo bëhej gjithmonë përmes një ngjyrimi festiv. E kundërta, heshtja do të linte përshtypjen e keqe të ftohtësisë. Aq më tepër, një letër e zymtë si kjo.
Në Shqipëri ishte e vështirë të besohej se unë e kam takuar dhe biseduar vetëm një herë me Enver Hoxhën dhe se i kam shkruar vetëm këtë letër aspak festive.

-Të kthehemi te letra. Pse ju drejtuat vetë diktatorit dhe jo dikujt tjetër?

Ismail Kadare: Mendova se ishte më mirë t’ia vija në dukje sunduesit ç’kishte ndodhur, pa e marrë në mbrojtje motrën dhe absolutisht i ndërgjegjshëm, jo vetëm për ta shpëtuar atë, por me atë letër gjithë afera binte, i ulej rëndësia. E gjitha shfryhej, quhej një budallallëk, siç në të vërtetë edhe ishte, sepse të flasësh dhe t’i japësh rëndësi këtij thashethemi për jetën personale të shefit, do të thotë të krijosh një rrezik të kotë. Nuk ishte kjo fatkeqësia e Shqipërisë dhe s’kishte të bënte me hallet e saj.

-Jeni penduar që e keni bërë letrën?

Ismail Kadare: Nuk jam penduar fare. Unë nuk isha përzier kurrë në atë thashethem, pra, nuk kisha marrë pjesë, nuk e dija dhe nuk fshihja asgjë. Unë dija aq sa di sot. Kuptoj se ka njerëz që janë marrë me këtë dosje të fshehtë, të llahtarshme.

-E keni shkruar vetëm, keni pyetur njeri? Në çfarë situate e keni shkruar?

Ismail Kadare: Vetëm krejtësisht. Kam biseduar me Helenën, me siguri, sepse nuk lija asgjë pa biseduar me të. Madje, as nuk e kam korrigjuar. Nuk kam bërë dy a tri kopje, sepse nuk duhej. Nuk kisha as ku ta shtypja dhe e dërgova të shkruar me dorë.

-Keni marrë përgjigje për këtë letër nga Enver Hoxha?

Ismail Kadare: Jo, nuk më ka kthyer përgjigje.

-Dosjet priten të hapen nga Autoriteti i ri i krijuar. Megjithatë, prej dosjes suaj del një letër e panjohur më parë. Pse tani?

Ismail Kadare: Me sa duket, në Shqipëri ende ka njerëz që mendojnë se mund ta mbrojnë ende diktaturën. Kur hapen dosjet e fshehta të një tiranie, hapen dosjet e fshehta kundër saj. Me sa duket, njerëzit që kanë qenë të përzier në këto krime duan të bëjnë të kundërtën.

-A e menduat atë kohë që do t’ju nxirrte problem letra në të ardhmen?

Ismail Kadare: Jo, nuk e kam menduar fare. Unë kam bërë një letër krejtësisht të çiltër. Ju do të thoni, a mund të jesh i çiltër me një diktator? Po, mundet deri diku. Unë nuk i them atij “sa mirë e ke bërë, që e ke llahtarisur motrën time deri në atë shkallë”, nuk them asgjë të tillë. T’i them p.sh. sa mirë që e përforcon luftën e klasave, me demek, sa bukur që po sundon e të tjera si këto. As kam kërkuar, e as nuk kam hedhur poshtë asgjë.
Me sa dukej, shokut tim, me të cilin bisedova punën e letrës, i ishte dukur se kishte qenë një pakujdesi, për të mos thënë një gabim nga ana ime, që s’kisha gjetur ndonjë rast t’i shkruaja ndonjë përshëndetje, një urim apo diçka të ngjashme. S’do të më vinte çudi, që të më thoshte me ironi: shyqyr që paske gjetur më në fund një shkak për t’i shkruar.

-Këto ditë shtypi vazhdon të shkruajë për historinë e letrës suaj. Mendimi i përgjithshëm është se ju, ndoshta bezdiseni nga zhurma të tilla. Si është e vërteta?

Ismail Kadare: Bezdisje apo jo, e vërteta qëndron midis të dyjave. Bashkë me dilemën e përhershme: a është mirë që të ketë gjithmonë një sqarim të gjërave? Sqarimi qëllon që e zmadhon zhurmën dhe shumë njerëz parapëlqejnë heshtjen. Nga ana tjetër, një personazh ka një lloj përgjegjësie përpara publikut, në fund të fundit, në gjuhën shqipe fjala përgjegjësi, ashtu si në gjuhët kryesore të Europës, vjen nga fjala “përgjigje”. Pra, përgjigjja gjithashtu është e nevojshme. Shpresoj që biseda me ju të ketë hyrë në punë, veç të tjerash, për një gjë të tillë./ KultPlus.com

‘Hiking Njeri’ organizon ‘Hike & BBQ’ në bjeshkën e Vrellës

Organizata ‘Hiking Njeri’, organizon ecje dhe Barbecue në bjeshkët përrallore për të gjithë dashamirët e bjeshkatarisë në Vrellë të Istogut. Është planifikuar që fillimisht të gjithë pjesëmarrësit të mblidhen të Lugu i Butë për të vazhduar ecjen gjithandej bjeshkës, te liqenet e saja etj, shkruan KultPlus.

Bjeshka e Vrellës shquhet për bukuri të saja unike dhe i ngjanë bjeshkëve të Kanadasë.

Ecja e planifikuar do të mbahet të dielën më 13 gusht.

Organizata Hiking Njeri, pasi që do të organizojë edhe BBQ, njofton të gjithë pjesëmarrësit që të pisen secili me skara dhe ushqim. Në vendin ku do të formohet baza, personat mund të pushojnë në ambiente të mrekullueshme./ KultPlus.com

DMovies: DokuFest, fytyra e re e Kosovës në botë

“Një nga festivalet më të gjalla dhe më të larmishëm të filmit dokumentar në Evropë, këtë javë nis përsëri në qytetin e mahnitshëm dhe simpatik të Prizrenit, në Kosovë. Lexoni storien tonë për Dokufest-in”, kështu nisë platforma ndërkombëtare e filmave DMovies.org artikullin kushtuar DokuFest-it i cili do të mbahet nga data 4 deri më 12 gusht, shkruan KultPlus.

‘DMovies’ Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër-DokuFest, e quan si një nga ngjarjet më të rëndësishme të filmit në Ballkan dhe më të madhin në Kosovë.

“Regjisori i famshëm amerikan, AJ Shnack kohët e fundit e përshkroi atë si një nga festivalet më të mira dokumentare ndërkombëtare në botë. Ai përfshin një program të larmishëm dokumentarësh dhe filmave të shkurtër, të cilët shfaqen në qytetin mesjetar të Prizrenit, në të cilin ka shumë kodra të gjelbra dhe një kala të fortë”, shkruan ‘DMovies’, përcjellë KultPlus.

“Prizreni është një qytet multi-etnik ku për shekuj me radhë, gjuhët, kultura dhe fetë kanë ekzistuar në harmoni, një simbol i tolerancës për Kosovën dhe rajonin. Ky qytet është i vendosur në shpatet e maleve të Sharrit, në pjesën jugore të Republikës së Kosovës, vend ky mjaft i përmendur në kohën e perandorisë Bizantine dhe Osmane”, kështu përshkruan platfotma e njohur e filmave qytetin e Prizrenit.

‘DMovies’ në artikullin kushtuar Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër-DokuFest, fokusohet dhe prezanton programin e edicionit të16-të të tij, i cili fillon nesër më 4 gusht në Prizren, rëndësia e të cilit sipas kësaj platforme është rritur çdo vit e më shumë, duke sjellë programe të ndryshme në çdo edicion të ri.

“Ajo që dikur ishte një iniciativë e vogël u rrit shpejt dhe u bë katalizator për ringjalljen kulturore dhe kinematografike, si dhe një qendër për filma dokumentarë në Ballkan, duke tërhequr regjisorët nga e gjithë bota. Ndoshta edhe më shumë, DokuFest, tani është edhe një platformë për të drejtat e njeriut, mbrojtjen e mjedisit, trashëgiminë kulturore dhe thyerjen e tabuve. Një festival, i cili ka ndërtuar ura të forta mes popujve të Ballkanit dhe pjesës tjetër të botës”, ka shkruar ‘DMovies’.

Sipas kësaj platformë DokuFest, përmes programit të pasur që sjellë çdo vit, tashmë ka arritur të ndryshoj edhe përceptimet e botës për Kosovën dhe i ka bërë të njohura për botën, vlerat e vendit.

“Dokufest Fytyra e re e Kosovës. Deri vonë njerëzit e kanë menduar Kosovën si një zonë lufte, por më nuk e mendojnë, kjo falë edhe rolit të madh që ka luajtur DokuFest, në ndryshimin e këtij perceptimi”. / KultPlus.com

Florent Boshnjaku nominohet në javën e ‘Pop, rock dhe muzikës elektronike’ në Gjermani

Kompozitori i njohur kosovar, Florent Boshnjaku, është ftuar nga Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, për të marrë pjesë në disa ngjarje të mëdha muzikore në Gjermani, shkruan KultPlus.

Boshnjaku, është nominuar nga Ambasada e Gjermanisë, edhe për të marrë pjesë në javën e muzikës pop, rok dhe muzikës elektronike, që mbahet në Gjermani. Poashtu kompozitori kosovar, përgjatë një jave, do të marrë pjesë edhe në disa festivale, konferenca dhe takime me kompozitorë të njohur atje.

‘Ky është një program të cilin e organizon shteti gjerman. Ambasada Gjermane në Kosovë, me ka nominuar dhe më ka ftuar që të marrë pjesë në javën e muzikës pop, rok dhe muzikës elektronike, pastaj në disa festival tjera , konferenca të cilat mbahen atje’, ka thënë për KultPlus, Boshnajku.

Kompozitori i njohur kosovar, përgjatë një javë do të qëndrojë në qytetet Berlin dhe Hamburg, ku organizohen këto ngjarje në të cilat ai do të marrë pjesë.

‘Pra është projekt kulturor, i cili ka për qëllim njoftimin dhe krijimin e kontakteve në mes njerëzve të industrisë muzikore’, përfundoi për KultPlus Boshnjaku. Gentianë Morina /KultPlus.com

“Nëna” dhe dy punët artistike më emocionuese nga Sislej Xhafa

Sonte do të mund ta njohim më mirë udhëtimin e Sislej Xhafës.

Artisti shqiptar do të jetë njëri prej të ftuarve sonte në ciklin “Ta zbardhi ftyrën” organizuar nga KultPlus, me fillim prej orës 20:00 në Hamam Jazz Bar në Prishtinë.

Xhafa do të flasë më shumë mbi karrierën e tij dhe për udhëtimin që sigurisht nuk është rrugë e lehtë, nga një shqiptar i rëndomtë në një artist të përmasave botërore, fitues i disa çmimeve ndërkombëtare artistike.
Derisa ju presim sonte prej orës 20:00 në Hamam Jaz Bar, që ta njihni tregimin e Xhafës por edhe të pini diçka derisa bisedoni më të, po i sjellim këtu tri vepra të tij ndër vite që nuk duhet humbur.


NËNA – 2013
Instalacioni emocionues “Mother” i Xhafës tregon një gur varri dhe një telefon mbi të. Një nevojë për të komunikuar me dikë, por një gjë e pamundur nëse kjo dëshirë lidhet me një të vdekur. Puna e vitit 2013-të është ekspozuar në fund të 2013-tës në Londër në Blain|Southern dhe më pas ka vazhduar rrugëtimin e saj artistik.


GRUAJA ME FUSTANIN E ZI – 2012
Një punë tjetër interesante, një vajzë misterioze së cilës nuk i shihet komplet trupi. Ngjyra e kuqe nuk shihet edhepse kësisoj tregon titulli. Vepra është realizuar me vaj në kanavacë dhe e sjellë një anë tjetër të artistit, një anë më të munguar të krijimtarisë së tij marrë parasysh mediumin i cili është përdorur. Sic thotë edhe koncepti i veprës, i mbetet shikuesit të vendosë nëse e kuqja është pjesë e përfaqësimit subjektiv të Sislej Xhafës ose nëse pëlhura e pikturuar paraqet dekompozim gradual, shkruan KultPlus.


E HUMBUR DHE E GJETUR – 2017
Nuk duhet humbur nga krijimtaria e Xhafës edhe puna me të cilën ai këtë vit prezanton Kosovën në Bienalen e Venecias në Itali. Një telefon, element ky që Sislej e ka përdorur në disa vepra artistike, nuk cingëron asnjëherë. Simbolika e njerëzve të humbur në luftën e fundit në Kosovë ka marrë vëmendjen në këtë Bienale ndërsa njëjtë si heshtja është vetë Sislej, që asnjëherë nuk flet shumë për këtë punë artistike. Njerëz të humbur, ende jo të gjetur, e ndoshta me telefonin që mund të cingërojë një ditë për kthimin në jetë. / KultPlus.com

Helidon Gjergji prezanton (H)am(m)am në Galerinë Kombëtare të Maqedonisë

Nga data 1 gusht, në Galerinë Kombëtare të Maqedonisë prezantohet projekti (H)am(m)am, me autor artistin multimedial, Helidon Gjergji.

Në Çifte Hamam të Galerisë Kombëtare të Maqedonisë ai shfaqë një projektin (H)am(m)am, i cili është specifik në korelacion me vetë lokacionin. Termi i referohet vendit me analogji të pjesshme drejtuar historisë dhe traditës së hamameve të mrekullueshme të regjionit, të cilat kanë qenë vende socializimi të komuniteteve të ndryshme etnike që kanë jetuar në ato hapësira gjeografike. Hamamet kanë qenë për kohën ndër institucionet më tolerante të shumë kulturave. Këto vende e kanë shpesh iniciuar dhe motivuar komunikimin mes klasave të ndryshme, etnive, feve, madje edhe gjinive. Nga këndvështrimi i sotëm, Çifte Hamami është një vend bashkëkohor i komunikimit kulturor, që do të thotë se e vazhdon rolin e tij primar dhe pikërisht ky funksion kryesor i tij ndër shekuj është pikënisja e idesë së Helidon Gjergjit, shkruan shekulli.

Projekti përbëhet prej tre pjesëve, te cilat janë krijuar pikërisht për hapësirën fizike të Çifte Hamamit.

Në sallën e parë, Gjergji ka realizuar një numër pikturash në kanavacë të cilat përfaqësojnë emotikonë të ndryshëm të komunikimit virtual, e pikërisht ata që përdoren për parashikimin e motit. Këto piktura janë instaluar në hapjet pentagonale të njërës prej kupolave dhe bllokojnë shikimin e drejtpërdrejtë te qiellit, pavarësisht se lejojnë depërtimin e dritës nëpërmes kanavacës.
Salla e dytë konsiston ne një korridor pasqyrash të vendosura përkundrejt njëra-tjetrës, duke krijuar kështu një hapësirë të pafundme. Në këto pasqyra Gjergji ka ngjitur nga 10 erëza kryesore të përdorura përkatësisht për secilën nga pesë komunitetet më të mëdha etnike në Maqedoni (maqedonas, shqiptarë, turq, romë dhe serbë).

Ndërsa sallën e tretë Gjergji e ka mbushur me avull artificial nëpërmjet të cilit penetron drita që vjen lart nga kupola duke krijuar një atmosferë shumë mistike. Gjendja në dhomë bëhet edhe me misterioze si rezultat i një kompozimi muzikor me tinguj celularësh të krijuar në bashkëpunim me muzikantin shqiptar Fatos Qerimaj. Kuratore e projektit është Ana Frangovska, e ekspozita do të jetë e hapur për publikun deri më 24 gusht. Helidon Gjergi (i lindur në vitin 1970 në Tiranë, Shqipëri) është artist bashkëkohor, i cili punon në mediume të ndryshme.

Fillimisht është diplomuar në Akademinë e Arteve në Tiranë, e me hapjen e kufijve të Shqipërisë në vitin 1991, u shpërngul në Itali, ku vazhdoi të studionte artet pamore, duke u diplomuar sërish nga Akademia e Arteve të Bukura në Napoli.
Në vitin 1997, ai shpërngulet në Çikago, ku bëri një master për teori dhe praktikë arti në Universitetin e Northuesternit (Northëestern University) në Çikago. Aktualisht jeton në Nju Jork dhe jep mësim në Universitetin e Shtetit të Nju Jorkut (SUNY).
Gjatë karrierës së tij, Helidoni ka punuar në mediume të ndryshme, nga piktura deri tek instalacionet dhe arkitektura. Helidoni në veprat e tij vazhdimisht përpiqet të vendos në pah zbrazëtirat dhe brishtësinë e kufijve mes medieve, vetes dhe parametrave të ndikimit individual./KultPlus.com

Sislej Xhafa e Imer Kutllovci sonte shpalosin tregimet e tyre në ciklin e rrëfimeve ‘Ta zbardhi ftyrën’, organizuar nga KultPlus

Sonte më datën 3 gusht KultPlus në bashkëpunim me Ministrinë e Diasporës, sjellë ciklin e rrëfimeve ‘Ta zbardhi ftyrën’.

Ky cikël i rrëfimeve sjellë për publikun shqipfolës artistët si Sislej Xhafa dhe Imer Kutllovci.

Sislej Xhafa është artist bashkëkohorë i cili së fundmi përfaqësoi Republikën e Kosovës në Bienalen e Venedikut me instalacionin ‘Lost and Found’. Por tregimi i Xhafës as nuk fillon me këtë e as nuk mbaron.

Ndërkohë në këtë cikël vjen edhe aktori Imer Kutllovci. Aktori nga Kosova i cili është pjesë i trupës rezidente të njërit nga teatrot e Parisit.

Imeri e Sislej, kanë shumë për të na treguar sonte aty ku mbahet ky cikël i rrëfimeve në Hamam Bar Prishtina, me fillim nga ora 20:00.

Ta zbardhi ftyrën’ organizohet nga KultPlus, gazeta e parë dhe e vetme online për kulturë në rajon ndërsa ky projekt mbështetë nga Ministria e Diasporës së Republikës së Kosovës./ KultPlus.com

Të premten DokuFest shfaqë dokumentarët e tij edhe në parkun ‘Ali Podrimja’ në Gjakovë

Parku Kulturor ‘Ali Podrimja’ në Gjakovë, po vazhdon që të paktën dy herë në javë për audiencën e Gjakovës të sjellë ngjarje të ndryshme kulturore në këtë park, shkruan KultPlus.

Kësisoj, pas mbrëmjes së mrekullueshme të së martës, këtë të premte në parkun ‘Ali Podrimja’ do të zbarkoj një maratonë dokumentarësh të shkurtër të realizuar nga festivali i cili po të premten nis edicionin e tij të 16-të, DokuFest.

Më 4 gusht, e premte me fillim nga ora 21:00 në Parkun Kulturor ‘Ali Podrimja’ do të prezantohet një maratonë dokumentarësh nga DokuFest, ku janë të përshtatshëm për të gjitha mosha dhe hyrja është pa pagesë./ KultPlus.com

‘Europ’Raid’, Shqipëria pjesë e turneut sportiv-kulturor të të rinjve francezë

‘Europ’Raid’, i pari tur aventure në Evropë, një turne sportiv, kulturor dhe solidariteti, ku të rinjtë pjesëmarrës përshkojnë 10.000 kilometra nëpër 20 vende në 23 ditë, ka zgjedhur sërish si destinacion Shqipërinë.

Në datën 6 gusht, 450 të rinj francezë të ‘Europ’Raid’ do të jenë në Vlorë. Ata zgjodhën përsëri Vlorën për ta bërë pjesë të turit të tyre Europ’Raid, që përfaqëson një nismë që nxit dhe konkretizon idenë për të përshkuar me makina më shumë se 10000 km rrugë përgjatë 20 vendeve europiane.

Nga 29 korrik deri më 20 gusht 2017 po mbahet edicioni i katërt i ‘Europ’Raid’, tur aventure në Evropë. 150 ekipe dhe 450 pjesëmarrës do të udhëtojnë 10.000 kilometra nëpër 20 vende në 23 ditë me Peugeot 205. Përveç aspektit sportiv dhe kulturor ata do të shpërndajnë në shenjë solidariteti edhe mjete të ndryshme shkollore për shkollat e largëta në Bosnjë e Hercegovinë, Shqipëri, Maqedoni dhe Bullgari.

‘Europ’Raid’ konsiderohet një ngjarje unike kulturore, që synon zbulimin e një trashëgimie, një kulture, një historie, një populli … Nga Mesdheu deri në Detin e Zi, nëpërmjet Karpateve dhe maleve Tatra, Rinit dhe Danubit, në rivierën shqiptare, ‘Europ’Raid’, rizbulon peizazhin natyror, qytetet e famshme dhe vende historike evropiane: si sheshin e Shën Markut në Venecia, Akropolin e Athinës, xhamitë e Stambollit, Murin e Berlinit, apo kanalet e Amsterdamit.

‘Europ’Raid’ gjithashtu do të thotë më tepër kontakte mes popujve. Çdo natë, me dëshirën për të ndarë kulturën e tyre, pjesëmarrësit zbulojnë kultura lokale të vendeve ku kalojnë, shkruan atsh.

Me makina Peugeot 205, ata duhet të udhëtojnë më shumë se 10.000 kilometra, gati 450 kilometra në ditë, duke e bërë Europ’Raid një nga turet sportive më të gjata në botë.

Por përtej dimensionit kulturor dhe sportiv, ‘Europ’Raid’ është gjithashtu një nismë solidariteti. Çdo ekip duhet të ofrojë 100 kilogramë pajisje sportive ose shkollore për një shkollë të largët në Evropën Lindore./ KultPlus.com